Nga Rafail Floqi/Michigan/
Të gjithë ata që nuk janë të lumtur, që nuk ka më debate presidenciale, le të shohin anën pozitive të saj. Të paktën, të shtunën mbrëma mund të shihnim në emisionin Saturday Night parodinë e debatit live, ku paraqitej Alec Baldwin “si një Donald Trump i paparë ” dhe Kate McKinnon si Hillary Clinton,me një të zgërdhirje ngjitëse.
Luftëtarët komike i përshëndeti në debatin e tretë dhe final të së mërkurës, drejtuesi i emisionit, Tom Hanks në rolin e moderatorit të Fox News, Chris Wallace. Nuk po ndalemi këtu në performancën e aktorëve, por sic thonë “Shakaja thelbi i së vërtetës”. Nuk është tamam kështu por edhe unë po spekuloj pak.
Në fakt, debati i vërtetë e më i përfoluri ishte ai rreth momentit, kur Trump tha nuk angazhohej për të pranuar rezultatin e zgjedhjeve, edhe pse Hanks, si Wallace u angazhua me ca spekulime,( si puna ime), duke i thënë sozisë së Trump.
Wallace: “Z. Trump, është bërë shumë e qartë tani se ju me siguri do të humbisni.”
Dhe Trump si Baldwin, i thotë me plot gojën “Korrekt!”.
Wallace: “Tani, kur të bëhen zgjedhjet, a do t’i pranoni rezultatet e zgjedhjeve, apo jo?”
Trump: “Unë do ta shikoj qëndrimin tim në atë kohë, sepse, sinqerisht, kjo garë është krejt e manipuluar. Bile dhe media. Përditë sa shoh lajmet të gjithë gazetarët të përpiqen të më paraqesin mua si më të keqin….
Vërtet, kjo satirë përpiqet ta kalojë me humor këtë pohim, por jehona e tij ka shqetësuar opinionin publik amerikan, më shumë sesa humori i së shtunës mbrëma. Pasi krijoi trazira kur Trump tha në debatin e fundit presidencial të mërkurën se ai nuk do t’i pranonte rezultatet e zgjedhjeve. E si gjithnjë, më vonë Trump u tërhoq, duke rënë dakord për të pranuar rezultatet dhe duke rezervuar të drejtën për të sfiduar ligjërisht një rezultat të “diskutueshëm”.
Reagimi pas kësaj deklarate ka qenë mjaft intensive. Associated Press e hapte artikullin e saj në lidhje me debatin, duke thënë se Trump kërcënon “të përmbysë një shtyllë themelore të demokracisë amerikane.” David Gregory i CNN-it tha se me komentet e tij, Trump “po minon demokracinë tonë, dhe se kjo gjë është një mënyrë të shprehuri jashtë traditës së demokracisë amerikane të garave presidenciale.” Profesori i së drejtës të ligjit zgjedhor Rick Hasen nga Universiteti i California – Irvine pohonte në bllogun e tij,” Se Trump mund ta ketë planifikuar ose ka më shumë të ngjarë, ai është vetëm duke e bërë një lojë gambiti si në shah. Sipas www.merriam-webster.com/dictionary, gambit është një lëvizje kur sakrifikohet një figurë për të pasur më shumë avantazh në pozicionet e ardhshme. Kjo nuk është shaka. Demokracia jonë është një gjë e brishtë e cila varet nga pranimi i rregullave të lojës, shtonte ai.
“Është e qartë, nuk është për të qeshur, kjo është një gjë mjaft serioze, por dhe mungesa e vullnetit si ai i Trumpit për të respektuar rezultatet e zgjedhjeve është e parashikuar për politikën amerikane.
Por, çfarë mund të ndodhë në të vërtetë, nga pikëpamja thjesht juridike nëse vjen 8 Nëntori dhe Donald Trump refuzon të pranojë rezultatet e zgjedhjeve?
Sinqerisht, jo qameti, në varësi të rrethanave, ka shumë të ngjarë të mos ndodhë ndonjë gjë e madhe. Trump mund të paraqesë padi, dhe të kundërshtojë rezultatet nëpër shtetet e ndryshme. Ai mund edhe t’i organizojë mbështetësit e tij që të protestojnë në rrugë. Megjithatë, në shumicën e situatave, Kushtetuta e SHBA është shumë e qartë për të caktuar se kush i ka fituar zgjedhjet.
Ballafaqimi, Bush kundrejt Gore në vitin 2000 na jep një shembull të rrallë të asaj që mund të ndodhë, në qoftë se vota popullore në një shtet është shumë, shumë e ngushtë. Por shanset për të pasur një situatë si ajo e Floridës tani janë të largëta. Në fakt, sondazhet e fundit tregojnë një kryesim të Clinton me nga 4 deri në 11 pikë para Trumpit. Megjithatë, ne jemi ende dy javë larg ditës së zgjedhjeve dhe sondazhet mund të jenë zhgënjyese.
Por, le të analizojmë skenarët e mundshëm.
Nëse Hillary Clinton fiton votën popullore dhe votat e Kolegjit Zgjedhor, nuk ka dyshim se ajo do të bëhej Presidente, sidoqoftë edhe nëse Trump pranon, ose refuzon rezultatet e zgjedhjeve. Kjo gjë sanksionohet në Amendamentin XII-të të Kushtetutën e SHBA, të ratifikuar nga shtetet amerikane qysh në 1804 ku thuhet:
“Personi që ka numrin më të madh të votave për President, do të jetë President, në qoftë se përveç numri i tillë ka edhe shumicën e të gjithë numrit të zgjedhësve të Kolegjit të quajtur vota elektorale; dhe në qoftë se asnjë person nuk e ka një shumicë të tillë, dhe një nga personat që kanë numrin më të madh të votave, nga të tre personat e listës së atyre që votuan për President, Dhoma e Përfaqësuesve e zgjedh menjëherë, me votim, Presidentin.”
Pra, nëse Clinton fiton 270 ose më shumë nga 538 vota elektorale, atëherë me të vërtetë aty s’ka vend për kundërshtim për Trumpin, dhe Clinton do të fitonte. Nëse Trump nuk do ta pëlqente këtë rezultat, ai mund të dërgonte mbështetësit e tij të protestonin në rrugë ose të ndërmerrnin veprime ligjore, megjithatë gjykata do të vepronte në përputhje me Kushtetutën dhe do të vendoste në favor të Clinton-it.
Por çfarë ndodh nëse Trump fiton votën popullore dhe Clinton fiton votën elektorale? Në këtë rast, nga ana ligjore, Clinton do të ketë më shumë gjasa të fitojë, dhe për këtë kush të dojë mund të verë bast pavarësisht, edhe sikur, Trumpi do të protestonte. Megjithatë, me siguri, sipas Kushtetutës të SHBA-së, Presidenti nuk zgjidhet me votim popullor mbarëkombëtar, por përcaktohet nga kolegji zgjedhor. Kjo ka ndodhur plot tri herë në historinë amerikane: Në zgjedhjet: Hayes ndaj Tilden në 1876, në ato Harrison ndaj Cleveland të 1888, dhe, natyrisht, Bush ndaj Gore në vitin 2000. Sigurisht, përballja Bush ndaj Gore ishte disi më ndryshe. Në Florida, bordi i zgjedhjeve raportoi se Bush fitoi me 48.8 për qind – gjë e cila shkaktoi një rinumërim automatik, sipas mandatit statutor. Kjo u pasua një rrëmujë e tërë e cila çoi më pas me vendimin e Gjykatës së Lartë së SHBA, e cila në fund të fundit, i dha fitoren presidentit George w. Bush pasi ishte kryer rinumërimi në Florida.
Pra, në qoftë do të ishim në një situatë ku vota popullore në një shtet do të ishte aq e afërt sa ç’ishte Florida, ju mund të vini bast se Trump do të ndërmerrte të gjitha veprimet ligjore. Pasi ai mund edhe të kishte ndonjë mundësi për të qëndruar në këmbë. Dhe ky rast, pak a shumë do të ishte si ai që ndodhi në rastin Bush ndaj Gore, gjykatat do të vendosnin nëse do të ndërhynin, edhe në këtë rast po me ato kompetenca si në atë rast.
Megjithatë, në përgjithësi, një barazim i tillë është statistikisht një mundësi e largët, por gjithçka ndodh. Në qoftë se në ndonjë shtet do të kishte barazim mes Trump dhe Clinton, ligji i shtetit do të përcaktonte procedurat, se çfarë do të ndodhte më pas – e me shumë gjasa do të kishte ndonjë lloj rinumërimi. Sipas ligjit federal 3 U.S.C. Neni 5, shtetet e bëjnë vetë caktimin përfundimtar të fituesve të përzgjedhur. Nëse ka ndonjë pyetje gjatë procedurave të atij shteti për emërimin e zgjedhësit apo ndonjë rinumërim, kjo do të mund të përfundonte përsëri në gjykatë.
Por çfarë ndodh, nëse as Trump as Clinton nuk do fitonte 270 votat elektorale të kolegjit?
Edhe për këtë Kushtetuta, ka një përgjigje. Dhe procesi do të ishte pak a shumë ky si ky:
“Nëse asnjë kandidat nuk merr shumicën e votave të Kolegjit zgjedhor, Dhoma e Përfaqësuesve do ta zgjidhte Presidentin nga 3 kandidatët presidencialë të cilët kanë marrë më shumë nga këto vota në zgjedhje. Çdo delegacion shteti ka një votë. Senati do të zgjidhte zëvendëspresidentin nga 2 kandidatët për nënpresident me më shumë vota më zgjedhore. Çdo senator do të hidhte një votë për zëvendëspresidentin. Në qoftë se Dhoma e Përfaqësuesve nuk arrin të zgjedhë Presidentin në Ditën e Inaugurimit, atëherë zëvendëspresidentin i zgjedhur shërben si president i përkohshëm, derisa bllokimi të zgjidhet në Dhomën e Kongresit.
Kështu, ndërsa Trump mund të thonë se ai nuk do t’i pranonte rezultatet e zgjedhjeve, ai madje edhe mund të punësonte edhe një ekip juristësh për të luftuar për të, megjithatë, sipas të gjitha gjasave, procesi demokratik amerikan do të përcaktonte se kush fitonte, dhe pse Trump nuk do ta pranonte rezultatin.
Çështja është se Kushtetuta Amerikane ka një procedurë të caktuar për, pothuajse, çdo situatë të mundshme. Sigurisht, ka gjithmonë përjashtime dhe rrethana të paparashikuara ose (mundësi shumë të koklavitura) për shembull si ndonjë mashtrim në shkallë të gjerë të votuesve. Dhe për këtë ju nuk mund të vini dot bast, edhe nëse kjo ndodhte, kjo gjë do t’i jepte mundësi Trump-it për të venë në pikëpyetje rezultatet e zgjedhjeve.
Dhe në rast se Trumpi do të fitonte nuk do kishte një mundësi të tillë, pasi dhe këto opsione vlejnë dhe për Clintonin, edhe pse ajo nuk është deklaruar.
Në fund të fundit, cilido nga kandidatët të hyjë në Shtëpinë e Bardhë janarin e ardhshëm, kjo fushatë do të jetë e pazakontë dhe për t’u mbajtur mend, për vetë kandidatët dhe për gazetarët që po e mbulojnë atë, dhe për aktorët e së shtunës mbrëma, por megjithatë një gjë është e garantuar se nuk do të ketë “Apocalips now”.
“Siç duket popullariteti nuk duhet të jetë shkalla e vlerësimit për zgjedhjen e politikanëve, shkruante aktori dhe regjisori i filmave i viteve 40-50-të, Orson Welles, Në qoftë se do të varej nga popullariteti, Donald Duck dhe Muppets do të kishin zënë vende në senat”.
E kjo gjë, sot edhe mund të vihet në dyshim pse siç duket ai se pat njohur një farë, Donald Trump.”