Artan Nati/
Në një përpjekje heroike për të shpëtuar botën, Prometeu u hodh në parajsë, vodhi zjarrin nga perënditë dhe u kthye në tokë. Dhurata e tij e zjarrit siguroi mbijetesën njerëzore dhe shënoi fillimin e qytetërimit. Si përgjigje, perënditë e lidhën Prometeun në një shkëmb, ku një shqiponjë gllabëronte çdo ditë mëlçinë e tij. Mëlçia e tij rigjenerohej çdo natë në mënyrë që dënimi të përsëritej përjetësisht. Prometeu (emri i të cilit do të thotë “ai që parashikon”) u ndodh në një paradoks. Ai e dinte se duke i dhënë zjarr botës do të shqetësonte bordin e tij qiellor të zotëve. Por vlera e zjarrit ishte e një rëndësie kaq të madhe, saqë ai u detyrua të vepronte, pavarësisht nga fakti se ai do të dënohej me vuajtje ekstreme dhe shkatërrim. Ai ishte një hero për disa, një keqbërës për të tjerët.
Ashtu si Prometeu, edhe SPAK-u në Shqipëri, u vodhi zjarrin që mbante gjallë korrupsionin dhe mashtrimin e “perëndive” të politikës dhe oligarkisë dhe po nxjerr në dritë vjedhjen, korrupsionin, dhe mashtrimin e tyre në kurriz të popullit të vuajtur, duke i dhënë shancin e madh vendit të futet në rrugën e qytetërimit perëndimor. SPAK-u ashtu si edhe Prometeu i duroi të gjitha torturat dhe talljet nga politikanët e të dyja anëve, duke e quajtur atë “SKAP”, ose duke e quajtur atë vegël në duart e disa politikanëve, ose vegël të komunitetit ndërkombëtar, por kohët e fundit duket se zjarri i SPAK-ut po u djeg tokën nën këmbë të gjithë krahëve të politikës në bashkëpunim me oligarkët e vendit.
Prometeu duroi torturat sepse ndjente përgjegjësi për të ardhmen. Në fund të fundit, ai triumfoi mbi vuajtjet sepse besonte në drejtësinë e kauzës së tij.
Duket se edhe në Shqipëri njerëzit kanë filluar të besojnë te drejtësia e re dhe të shikojnë vendin si pjesë të familjes europiane dhe civilizimit perëndimor. Njerëzit kanë filluar të kuptojnë se të gjithë jemi individë dhe politikanët apo dikur të “paprekshmit” duket sikur kanë zbritur në tokë. Ashtu si Shekspiri thotë se ferri është bosh dhe gjithë djajtë e demonët janë këtu, edhe ne mund të themi se ata janë në parlament, në ministrira duke bërë tendera dhe kudo në politikën shqiptare. Nuk ka arësye pse t’i shikojmë politikanët si njerëz të vecantë, por të mendojmë se dikur edhe djalli ishte engjëll dhe sistemi egzistues në Shqipëri është i ndërtuar në mënyrë të tillë që të afrojë më shumë djajtë se engjëjt. Mjafton të kujtojmë se si “engjëjt” si Arben Ahmetaj apo Adriatik Llalla, si dhe shumë nga ministrat e funksionarët e lartë u kthyen brenda një nate nga engjëj në djajë dhe njerëz të përçmuar dhe indirekt janë pikërisht këta funksionarë të lartë shkaktarë të pensioneve e rrogave të ulëta në vend.
Kohët në të cilën jetojmë kërkojnë edhe një mentalitet të ri dhe ashtu si në gjithë perëndimin skepticizmi duhet parë si mënyrë jetese dhe se engjëjt e rënë nga qielli në të vërtetë janë djaj. Skepticizmi është një perspektivë filozofike që thekson rëndësinë e dyshimit, pyetjeve dhe të menduarit kritik në qasjen e dikujt ndaj dijes dhe besimit. Ai sugjeron që ndjekja e verbërt e liderëve politikë ose premtimet e tyre pompoze mund të jenë të gabuara dhe se skepticizmi mund të jetë një rrugë më e besueshme dhe intelektualisht e ndershme. E vërteta është se çdo herë që politikanët tanë flasin me siguri, pikërisht atëhere është mundësia më e madhe që ata mashtrojnë, në fakt kohët e fundit sa herë që ata flasin mundësia më e madhe është që na gënjejnë. “Një nga gjërat e dhimbshme në kohën tonë është se ata që ndiejnë siguri janë budallenj ose mashtrues, dhe ata me çdo imagjinatë, dije dhe mirëkuptim janë të mbushur me dyshim dhe pavendosmëri” thoshte filozofi anglez Bertrand Russell.
Kështu po ndodh me të gjitha aferat korruptive te kohëve të fundit të zbuluara nga SPAK, ku ministra, ish ministra dhe funksionarë të lartë betohen se kanë punuar me ndershmëri dhe më vonë arratisen ose përfundojnë në burg dhe për çudi bashkëshortet dhe të afërmit e tyre janë milionerë. Njerëzit joskeptikë janë kokëfortë dhe nuk gabojnë vetëm me faktet. Ata gjithashtu mund të jenë të poshtër, të dhunshëm dhe shpesh shkaktojnë fatkeqësi kombëtare. Historia e njerëzimit është e mbushur plot me shembuj të tillë. Mjafton të përmendim këtu Leninin, Stalinin, Enverin por edhe Hitlerin, Musolinin e duke vazhduar në ditët e sotme me Putinin, Kim Jong Un, që pë bindjet e tyre të verbëra shkaktuan humbje jetësh të panumërt dhe çuan kombet e tyre dhe gjithë njerëzimin në tragjedi. Gjithashtu në Shqipëri bindja e verbër dhe mungesa e skepticizmit ndaj politikanëve çoi vendin në tragjedinë e 97-ës. Po ashtu e njëjta gjë mund të thuhet për kryeministrin dhe pushtetarët e sotëm të cilët e kanë kthyer korrupsionin si normalitet në qeverisje.
Të jetosh në shoqëri do të thotë të bësh kompromise dhe të tolerosh njerëzit me të cilët nuk pajtohesh. Skeptik nuk është ai që vetëm dyshon, por ai që heton apo verifikon në krahasim me atë që pohon dhe mendon se ka gjetur. Kapaciteti për të kombinuar mobilizimin për të ardhmen me skepticizmin është thelbësor për demokracinë e brishtë dhe kostua që kemi paguar për mungesën e skepticizmit tashmë është shumë e lartë. Përvoja jonë si edhe eksperienca botërore na tregon se skepticizmi nuk është vetëm detyrim intelektual, por edhe moral. Nuk mund të themi se skeptikët gjithmonë favorizojnë demokracinë në krahasim me regjimet e tjera politike, megjithatë skepticizmi ka një impuls egalitar për aq sa nuk e mban asnjë sistem apo filozofi si filozofi-mbret. Shoqëritë demokratike kultivojnë një skepticizëm të shëndetshëm ndaj të vërtetave politike, shkencore ose kulturore. Kjo mënyrë të menduari e vepruari e lë gjithmonë derën e hapur për korrigjim dhe evolim të sistemit, por jo vetëm të tij, por edhe të secilit individ si qeliza bazë e sistemit demokratik. N.q.s ne do të ishim sado pak skeptik ndaj çekut të bardhe dhe emërimit të ish komunistëve në krye të lëvizjes demokratike të viteve 90, Shqipëria sot do të ishte më pranë civilizimit të filluar nga zjarri i Prometeut.