
Albulenë Halili/
Studentët i përkasin gjithmonë shekullit që vjen. Ndoshta kjo është arsyeja se përse ata kuptohen me vonesë. Institucionet ecin me ritmin që ua imponon burokracia, partitë me ritmin e kalkulimeve politike dhe shtetet me ritmin e frikës së sigurisë dhe stabilitetit. Ndërkaq ata, studentët, lëvizin me intuitën e kohës që po afrohet. Kjo është dëshmuar më shumë se një herë. Për fatin tonë të mirë si komb, studentët u kanë paraprirë lëvizjeve të mëdha historike për liri e barazi, themele mbi të cilat janë ndërtuar kombet moderne. Vetëdija jonë kombëtare është ndërtuar mbi vullnetin dhe përpjekjet tona kolektive për të fituar apo mbrojtur këto vlera, ndaj lëvizjet studentore kanë qenë gjithmonë zë i ndërgjegjes së gjithë popullit.
Lëvizja studentore shqiptare në Maqedoni të Veriut është njëra nga këto ndërmarrje me peshë historike. Ata po refuzojnë të jenë të nënrenditur. Diskursi i tyre jeton në të ardhmen. Ata e kanë kuptuar shumë mirë që, siç thoshte Zakaria, botën po e lëviz identiteti dhe jo ideologjia. Dhe ndoshta pikërisht kjo e bën protestën e tyre kaq të rëndësishme. Sepse për herë të parë pas shumë kohësh, shqiptarët po reagojnë si brez që refuzon të trashëgojë heshtjen si model mbijetese.
Protesta nuk flet vetëm për të drejtën e një provimi jurisprudence në gjuhën shqipe. Kjo revoltë flet më shumë për marrëdhënien midis shqiptarit të këtij brezi dhe shtetit me logjikë oruelliane të Fermës së Kafshëve. Studentët e kanë ngritur çështjen brenda logjikës aktuale kushtetuese dhe ligjore të vendit. Ata kërkojnë barazi dhe dinjitet në vendin e vet dhe të të parëve të tyre. Fakti që identiteti kombëtar i një populli autokton në truallin e vet risfidohet pas çerek-shekulli, nga një qeverisje që përpiqet të zhbëjë Rendin e Ohrit, thotë shumë për mendësinë dhe shekullin në të cilin jeton ky shtet.
Në Tiranë, studentë, profesorë dhe figura publike marshuan drejt ambasadës së Maqedonisë së Veriut, me një porosi të qartë, se gjuha shqipe dhe identiteti kombëtar nuk ndalen në kufi. Mbështetja e Tiranës dëshmoi se çështja e shqiptarëve në Maqedoni të Veriut nuk është çështje lokale apo krahinore, por çështje e gjithë kombit shqiptar, kudo që jeton ai.
Lëvizja studentore dëshmon në të njëjtën kohë edhe aftësinë për të kaluar nga rruga në diplomaci me të njëjtën qetësi dhe vendosmëri. Përfaqësuesit e lëvizjes studentore kanë zhvilluar takime me përfaqësues të përfaqësive diplomatike më të rëndësishme në vend, duke trajtuar marrëdhëniet ndërkombëtare si instrument strategjik. Po ashtu, kongresisti amerikan Keith Self, kryetar i Nënkomitetit për Evropën i Komisionit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, ka takuar studentët dhe ka dëgjuar me vëmendje shqetësimet dhe argumentimet e tyre.
Lëvizjet e studentëve janë gjithmonë paralajmërim historik. Ata e ndiejnë më herët se të tjerët detyrën që ua cakton koha dhe peshën që duhet bartur si brez. Dalja e tyre në rrugë, pa urrejtje, pa dhunë e pa lider që ua dikton fjalët, pastaj ulja në tryezë me diplomatë e përfaqësues të fuqive botërore, për të folur për procese historike, na dëshmon se nuk kemi të bëjmë më me episod studentor, por me simptomën e një kohe që po ndryshon.
Studentët do të vazhdojnë.
Në Tiranë, Prishtinë, Shkup, Tetovë e gjetiu.
Çështja është nëse ne të tjerët do të jemi në lartësinë e detyrës së brezit tonë dhe kohës që është para nesh.