• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Eshtrat në Previ kërkojnë drejtësi

February 12, 2013 by dgreca

100 vjet nga Masakra e Previsë në krahinën martire të Plavë-Guci, ku malazezët vranë barbarisht 700 shqiptarë/

Nga Rexhep Dedushaj/
(Historian)/

Pasiqë Mali i Zi e okupoi krahinën e Plavë-Gucisë në tetor të vitit 1912, nuk kursehej asnjë formë e zhdukjes së popullsisë shqiptare, etnisë më të vjetër në Ballkan, duke i vrarë, masakruar, ndrrue fenë e kombësinë dhe përndjekur nga tokatë e tyre. Për vrazhdësinë e ardhacakëve sllavë mbi shqiptarët dëshmojnë veprat e ndërkombëtarëve si: “Enquete fans les Balkans”, Paris, 1914; Leo Preudlich: ”Albanians Golgotha”, Vjenë, 1913; Edith Durham: ”The Strugle of Scutari”, etj.
Pasiqë Veshoviqi e shfryni mllefin e vet duke i vrarë më se 63 burra të zgjedhur në Vuthaj dhe dhjetra të tjerë rreth e përqark tyre, kaloi në Deçan në dhjetor të vitit 1912 duke ia lëshuar vendin kriminelit ordiner: Avro Cemoviqit (i njohur në popull si Avro Cemi). Ky pasi i kishte pastruar etnikisht rrethin e Istogut të Pejes dhe të Rozhajës iu përvesh punës në Guci:
Së pari, ngriti gjyqet e jashtëzakonshme ushtarake-mbretërore dhe menjëherë filloi me ekzekutime të njerëzve të pafajshëm. Pushkatoi njerëz në Racinë të Plavës, duke filluar nga 5 marsi i vitit 1913.
Pastaj në Guci dhe nga 9 marsi 1913 fillon t’i dërgoi në kufirin Malazezo-Shqiptar, në Qafë të Previsë.
Sipas regjistrave të të denuarve nëpër gjyqet e lartpërmendura deri më tani dihet se nëpër varreza masive në Qafë të Previsë gjenden eshtrat e Haxhi Hasit, Haxhi Beqit, Ibrahim Halilit dhe vëllezërve Halil e Murat Haxhiut – të Radonciqëve; të Mulla Sheqit, Mujë Agës dhe dy djemëve të Talit e Hako Alit – të gjithë Omeragaj; të Ramë Zeqirit e Hasan Alkut të Kolinës; të Mala i Haxhi Sejdit – Nikoçaj dhe Sejdo Metku-Laliciq; të Ramë Kuja – Shujak dhe Hako Lita – i Cekajve; të Hako Smajli i Baliqëve dhe Jakup Arifi dhe Shaban Hasani – të Pepajve; të Began Sharku, Nuc Jakupi e Jupo Rexha – Sharkinaj; të Avdyl Zeka, Shaban Hasani e Mehmet Shabani – të Qosaj; të Reko Rama i Çelajve; Çelë Shaban Gjonbalaj dhe Mal Ibishi.
Grupi i dytë: Hasan Bajri, Adem Basha, Haxhi Shabani, Ali Frici, Bajër Zeqiri, Ibrahim Rrustemi dhe Sylë Istrefi – Nikoçaj; Avdi Hasani, Ibër Ahmet Aga dhe Avdi – Omeragaj, Mulla Emini dhe Mulla Hasi – të Bekteshaj; Mujk Ahmeti Delaj, Haxhi Jakupi Laliciq, Adem e Din Radonciqi; Hasan Smajli–Kolina; Ramë Nuri Sujkaj, Nuro Hysi Mekulaj, Asllan Jakupi Ferataj, Bajram Haxhia e Arif Avdyli – Balidemaj; Halil Sejdi – Dërvishaj; Adem Zeka – Qosaj, vëllezërit Shog dhe Hul Sokoli – Goçaj; Mujë Gali i Hasangjekaj, Bajram Xhuku-Dedushaj.
Por vërtetë ka edhe shumë e shumë të tjerë që s’i kanë rregjistruar fare, çka tregon edhe rasti i 16 vjeçarit Halil Nimanit – Çelaj, nipit të Memë Osës, djali i Memës, siç e quan rapsodi popullor, i pushkatuar më 9 mars: Djali i Memës është tmerrue/Ç’janë këto vorre babë tue i marue???
Kështu, me gjyq e pa gjyq, siç thotë në një rast akademik Mark Krasniqi, u vranë gjithësejt 700 veta. Vetem nga Vuthajt janë 78 vetë, duke i përfshirë edhe ata të Çeremit e të Valbonës. Në Dukagjin, kur vdes ndonjë burrë e pyetin: A ka vdekë pak a krejt? Pak është nese ka lënë djalë të hajrit mbrapa e krejt nëse s’ka lënë fare. Ata të shkretë që kalben në Qafë të Previsë, kanë lënë asi pasardhësish që sot s’e dinë as çka janë: Do thonë se janë shqiptar, do boshnjak, do turq e ca të tjerë kanë filluar të thonë se janë “Cernogorski Muslimani”(!!) E çka është më e keqja janë shpërndarë nëpër botë si zogjtë e qyqes dhe na bëjnë për të qeshur kur dëgjon se e kanë ngritur një pllakë përkujtimore për të masakruarit në Previ në një fshat të Nju Jorkut me emër si sllav: Monte Sello (!!) E asesi s’guxojnë ta ngritin një të tillë në Previ apo në Guci, prej kahit vijnë shumica e të masakruarëve !? Aty ku Hasan Bajri i tha atë ditë Avro Cemit:”Largou shkja g’jat je afrua”… Ndërsa vëllezërit Goçaj: Shok e Hul Sokoli u nisën duke kënduar.
Sidoqoftë, historia është histori.
Ata kalben në Previ, në kufi të Shqipërisë me Mal të Zi, duke bërë roje të përhershmë në atë kufi dhe duke dëshmuar kështu për genocidin e parë sllav përmes formacioneve ushtarake të gjeneralëve fashist Veshoviq dhe Cemoviq ndaj popullit shqiptar.
Ishte ky një Holokaust shumë më përpara atij të Hebrenjve, të orkestruar nga dora fashiste hitleriane, që ka mbetur i padënuar, që plot 100 vjet !!?? Duhet të kërkohet përkrahje nga LQSHA e Dioguardit dhe nga Federata Panshqiptare “Vatra”, që kjo çështje të kalojë në tavolinat e kancelarive diplomatike dhe mekanizmave ndërkombëtar në Bruksel dhe në Uashington.
Dihet se Turqinë po e pengojnë Armenët të hyjë në Bashkimin Europian për shkak të genocidit që ajo e bëri mbi ta në fillim të viteve 20-ta të shek XX. Nuk thuhet kot se Historia që harrohet përseritet. Kjo ekzakt është dëshmuar në atë krahinë edhe më 1919 ( kur u vranë e masakruan 500 veta) dhe më 1944-45, kur u vranë hiç më pak se 800 veta, nga të njëjtit – Vasoviqasit…

Filed Under: Histori Tagged With: 100 vjet, akuzojne, eshtrat ne previ, rexhep dedushaj

SHQIPERIA 100 VJET PAVARESI, ÇAMERIA 99 VJET ROBERI

November 22, 2012 by dgreca

NGA ERVIN FETAHU/

 “Supozohet se fantashkenca po mundëson ëndrrën e kahershme të njerëzmit,depërtimin në të shkuarën e ngjarjeve duke jetuar të tashmen,duket paksa joreale,por njeriu e ka seriozisht këtë tentativë,novacionet dhe shpikjet e mëparshme i mbushin mendjen njeriut se mund tia dalë të ndërtojë një satelit eksplorues e zhbirilues të hapesirës yjore, ky satelit nuk përngjan me satelitët e tjerë,është disi ndryshe,ai rrëket të thithi valë hapsinore duke tentuar të takoj një yll fotograf “Yllin memorizues”, i cili ka për funksion regjistrimin e së tashmes e cila kthehet në të shkuar, pra në të gjitha dimensionet,edhe pse ky yll ndodhe mijëra vite drite larg nesh,ai afron objektivin,e me lehtësi të madhe,na regjistron në detaj. Madje edhe “N.A.S.A” bashkë me gjigandin “Google Earth” kur lëshojnë satelitët e tyre regjistrues në hapësirë,domosdo këtë yll do të kenë kopjuar. Ndoshta nuk do të jetë e largët dita kur ai të dëshmoj,po po,jam i bindur se një ditë e kaluara jonë do paraqitet si dëshmitare e asaj çka mendja e gjymtyrët tanë kanë vepruar, do të na zëri rrugën e do të na thojë hej ti, hej ju…! shikoni me sytë tuaj njgjarjet e moteve të shkuar,e bashkë me to,do të rrefehen të vertetat…!”

E nisa kështu jo më kot,dëshiroj të ndalem pak,e të vlerësoj memorien, pa të cilën s do kishim trashëgimi,e jo vetëm kaq,por ajo rivalizon gjithë shqisat e marra sëbashku.Madje,siç do gjë në këtë ruzull,edhe ajo ka një armik e antagonist të fortë,dualizon e ndeshet me të, “harresa dhe kujtesa”,armike të vjetra së njëra tjetrës,betejë e hershme sa vetë njerëzimi.Madje në civilizimet e popujve të lindjes,njeriu etiketohej me cilësinë predominante të tij “Harrues”, rreziku qëndron gjetkë,nëse harron,patjetër që mohon.Kujtesa shpesh herë të zgjat jetën,ajo mundëson të jetosh në dy kohë,të ngacmon nostalgjitë e së kaluares,por ama,jo pak herë gërvisht plagë të zëna kore nga e shkuara,mund të themi që të dyja janë një mrekulli,lum ai që i menaxhon.Popujt e kombet e ndryshëm,edhe pse e dinë fare mirë se harresa është veti njerëzore,kjo nuk i ka penguar të marrin masa,e të kacavirren në trungun e kujtesës duke vjelë në degët e saj memorien e tyre histroike,duke e shtrydhur fort e fort,e kështu lëngu i dalë prej saj shndërrohet në melhem,bëhet mësim e përvojë për të ardhmen.

Shqipëtarët duke qenë qytetarë të kësaj bote,normalisht janë antarë të familjes madhe njërëzore,e ndarë në fise e fara,popuj e kombe, edhe ne na takon të kemi pozicionin tonë historik,po vallë, deri në ç’masë po e shtrydhim frutin e memories…!Shekulli që po përcjellim,pra jo ai kalendarik,por shekulli historik i joni,duket se atribuohen shumë fatkeqësi të,dhimbje,përpjekje e mundime,pse jo,edhe arritje, evenimente e ngjarje historike,ku vlen të veçojmë pavarësinë e Kosovës,realizimin e disa të drejtave të kufizuara tek shqiptarët e Malit të Zi e Maqedonisë e gjetkë,dhe ja tek jemi në jubileun e “100-vjetorit” të pavarësisë,ku u vunë gurët e parë të themelimit të shtetit shqipëtar.Pikërisht ky vit,ekzaktësisht ky muaj,kulmon ëndrën e kahershme,sakrificën e burrave dhe grave të këtij vendi për të arritur  ditën madhështore,pra “ 100 vjet shtet ”.Fillimisht,si shqiptar i Çamërisë,më takon tia uroj vetes sime këtë pavarësi,e më pas gjithë kombit tim.Mos harrojmë se shumë popuj në botë  kanë sakrifikuar dhe ende nuk kanë një shtet të tyren,ndaj ne si shqipëtarë duhet të falenderojmë të madhin Zot,që bëri të mundur të kemi “shtëpizën tonë të vogël”,por të madhe në shpirt,ku mblidhen gjithë shqiptarët anë e kënd,dhe kjo është “Shqipëria jonë”.E si mund të mos cekim rolin e shqiptarëve të Kosovës e Çamërisë,ku fronti i parë i betejave ishin këto dy treva martire,ku ranë dëshmorët e parë të kësaj Shqipërie që gëzojmë sot.Pak më lart në mënyrë simbolike përmenda “shtëpizën tonë të vogël”,themë kështu,sepse shumë bukur mund të kishim shtëpinë e vërtetë shumë herë më të madhe,por siduket gërshërët e fqinjve ishin goxha të mprehta,shqiponjës ia prenë krahët. Ç’kërkonin shqiptarët,ata kurrë nuk i hynë  në hak askujt ? normal që ata nuk kërkonin asgjë më shumë sesa hallallin që u takonte,atë që mijëra vjet u ka takuar.U sakrifikuan trojet më të mbegata e më strategjike,e kështu ngeli “shtëpiza e vogël me zemër të madhe”.Ky vit jubile na bënë disi më të fortë,jemi antarsuar në “N.A.T.O”,kandidat për në “B.E”,rrëzuam komunizmin,po luftojmë ende me komplekset e së kaluarës,e kështu me rradhë po kalojmë tranicionin e gjatë.Nëse për një çast meditojmë pak më thellë,do të shohim që rrugës na ka ngelur ende shumë obligime e detyra pa mbaruar,e nëse nuk i bëjmë ato,atëher brezat pasonjës do hakmerren ndaj nesh,ndoshta do të na harrojnë,ndoshta do të na abandonojnë,ndoshta mallkim i madhë do bjerë mbi ne…! Në fund të fundit detyrat duhen ndarë,e më pas bashkëveprojnë të koordinuara,psh shqiptarët e Çamërise festojnë këtë pavarësi të atdheut tyre në dy realitete, njëri sy i shndrin, i qeshur nga gëzimi,teksa tjetri,vajtonjës me ligje,e brejtur me mallë  Çamërie.Nuk jam emocional,por deri tani kjo hise na ka rënë pë pjesë.Astrologët e vlersojnë shumë renditjen e yjeve,ndoshta edhe ata janë dëshmitar prej andej larg,ekunoksi vjeshtar,ku cikli plot “99” vjet po na largohet,ky numër mesa duket paska goxha simbolikë,ndoshta i merr me vete brengat tona,ku dimret e acarta kthehen në pranvera, ku vatani  ynë i marrë peng kthehet tek të zotët,të cilët janë flakur e dëbuar në shurdhërine e miopinë e atyre që “drejtësi vendosin”.Shekull i çuditshëm,ritmi i dhe dinamizmi i këtij 100-vjeçari ia ka kaluar mijëra viteve sëbashku.Veçse shqiptarët e Çamërisë në planin individual kanë arritur të kapin kohën,por në planin e tyre historik të mbetur në periferinë e shoqërisë,s’mund të shijojnin sukseset dhe inovacionet e politikës,ekonomisë,diplomacisë etj.Të gjitha këto që sapo përmenda i kanë pas kundra,për mos mjaftuar me kaq,ata kanë pësuar mbi shpinë presionin dhe trysninë e makinës luftarake kriminale të barbarëve dhe forcave të errta grekë,që mbi ta ushtruan genocid të pa shoq.Treçereku i këtij shekulli e mbajti botën  mbërthyer me dy luftra shkatërruese,krijoi drama e tragjedi,fatkeqesisht la shumë pak hapesirë të viheshin në vendë të drejtat e mungura,e për pasojë po dëshmojmë 99-të vite mërguar e malluar,me shpresën se patjetër do të ketë zgjidhje për ne,përderisa ka Zot,përderisa ka memorie,përderisa ka ende lapës e letër, e përderisa ka “Gen të fortë”,zgjidhja është tek pragu i derës,pak nuhatje,pak durim dhe ne do ta shohim veten  protagonist të zgjidhjes.Dikush,ndoshta me të drejtë mund të mendojë se drama juaj nuk mund të jetë e vetmja,qoftë brenda kombit shqiptarë,qoftë edhe në kombe të tjerë,pra pse duhet ta përjetojmë,e të ndihemi  kaq të lenduar…! Sigurisht,nuk është hera e parë ku tokat shqiptare robërohen,ato kanë njohur pushtime e robërime prej Romakëve, Bizantinëve,Sllavëve,Venedikasve,Otomanëve etj, pse pikërisht duhet të ketë ndryshim dhe të jetë më e dhimbëshme kjo robëri nga ato të mëparshmet?! S’do shumë mend të dashur miq,në pushtime ka vrasje,masakra,ka edhe grabitje e dhunime,por ama,askush më parë nuk mundi ta zbrazte Çamërinë nga popullësia e saj autoktone,askush nuk e zhbëri fisnikërinë,askush nuk prishi kultet,askush nuk ndaloi të flitej shqip aty,askush nuk arriti të pengonte kulturën,vallet dhe etnografinë tonë,askush nuk eksperimentoi me “ADN” tonë,pra ne ishim kollonë vertebrale e Çamërisë.Nuk lejuam askënd të na nëpërkëmbte,e as kemi ndërmend të lejojmë shtetin “uzurpatoro-modern”grek.Nuk mund të shtyhet duke vazhduar akoma  me pengmarrje,s’mund të zhurisi dot nderin tonë. Këtij 100-të vjeçari po i vjen fundi,komshiu ynë jugor po e kupton rëndësinë e një zgjidhje për çështjen çame e të transaksioneve tona ligjore e legale,këtë ia imponon vetvetiu koha, veriu i Greqisë ka vite që ka ngecur në një ngërç ekonomik,s’mund të ketë investime në tokat e tjetër kujt,ndaj të bëjmë thirje ty o Greqi,që vetë na ke regjistruar si nënshtetasit e tu, bëhu realiste,mjaft më me tokat tona nën sqetull…! bëhu pak koherente,çdo gjë e ka një limit e një hark kohor.Jemi në një kurs të ri botëror,i cili krijon mundësi e hapësira për rregulla e situata të reja gjeostrategjike,ku çdo 100-të vjet prodhohen e dalin personalitete që marrin popujt prej dore e u tregojnë atyre rrugët e së ardhmes.Sigurisht,edhe për ne shqiptaret,do ketë gjenerata të cilat do drejtojnë vendin  drejt aspiratave të drejta e sublime,ndaj duhet të shpresojmë…! Pas rrebesheve,qielli kthjellohet e dielli ndrin i bukur si dikur. Pyetja shtrohet se si do tia dalim të rikthejmë atë që ky 100-të vjeçarë na e rrëmbeu prej duarve,e na la jetim në mes të udhëkryqeve të kohës.Shpresën e parë duket se na e dhuron koha,ajo na divorcoi nga ky shekull,duke na përcjellë tek pasuesi i tij,që kurrësesi nuk do i ngjasoj pararendësit.Ndodhur në realitete krejt të ndryshme,ku bota nuk i ka hasur më pare,në kriza monetare,ku xhepa e rripa konfliktesh ziejnë ngado,korridoret ku kombi unë është i ngulur prej mijëra vjetësh, mundësojne një rol predominant në rajon,pra shqiptarët do rikonfigurohen edhe njëherë Arkontët (Zotërit) e korridoreve lindje-perëndim,pra do riaktivzojnë zanatin e vjetër,atë të posedimit të rrugëve ekonomike,ku prekin akset më të rëndësishme të rajonit e më gjerë, patjetër që ne shqiptarët e Çamërisë kemi hipotekuar asetet tona , në hapësirat ujore e tokësore të Epirit.Shqiptarëve të Çamërisë u duhet rizgjuar disi nervi,nuk mund të jesh aktiv nga boksit të televizionit apo kompjuterit,nuk mund ta prekësh lindjen e perëndimin thjesht duke qenë vëzhgues apo tifoz.Normal,kjo situate sjell disi konfuzion,por s mund të jemi thjesht poseduesit e fjalëve të ngrohta.Duhet ritëm e kurajo për sfidat që na presin,normal,nuk do të jenë edhe aq të lehta, pa një projekt dhe platformë mbarëkombëtare. Mënyra e vetme e reformimit të kauzës tonë është unifikimi dhe dakortësia e mendimeve të pjakura,por edhe larmia e tyre nuk na bënë dëm.Vjelja dhe gjetja e burimeve humane,ku këto dy dekada shihet qartë se kanë ndihmuar në një produkt cilësor të kapaciteteve intelektuale e drejtuese të komunitetit Çamë,do ishte adekuate.Po perse vallë,duhet një rizgjim,përse novojitet një subkoshiencë…? është fare e thjeshtë,fëmija nëse nuk qan,nëna nuk i jep të pijë, bota e madhe nuk dëgjon nëse nuk e ngremë zërin,të drejtat nëse nuk kërkohen, nuk realizohen,dhe për pasojë vdesin kauzat e bashkë me to edhe zotërit e tyre. Për të evidentuar anë pozitive përherë ka vend,aspak nuk është se kemi qëndruar në vendë numëro,nga një organizim qytetar,pra Shoqatë Atdhetare Patriotike Çamëria,me pak vonesë,por gjithësesi kaluam në një platformë të mirëfilltë politike,kemi tashmë një parti që e krijuam me mund e me djersë,pra partinë Drejtësi,Integrim dhe Unitet“P.D.I.U”.Shpeshherë na kap kriticizmi për ato çka veprojmë,por kjo s na pengon të vlerësojmë ato çka kemi arritur,në këto çaste duhet të mbështesim nismën për rezolutën Çame në parlament,zëri parlamentar është i domosdoshëm,askush nuk e mbron dot këtë kauzë më mirë se bijtë e saj.Ky vit gjithashtu është vit elektoral,çdo kush do mblidhet në kosheren e vet,ne na takon të koordinohemi tek kosherja jonë,tek kosherja e bletëve punëtore,nuk duhet të kemi filozofinë “mbush e mbush,e më pas vëri shkelmin”, nëse do presim degën ku kemi hipur,ne të parë do vritemi e lëndohemi,boll jemi lënduar nga ata që na dëbuan.Duke lexuar një thënie profetike e cila thotë,”punët gjykohen nga qëllimi që ke në to” të gjykojmë qëllimet është pak e vështirë,duhet pak kohë,ne nuk posedojmë të fshehtat e zemrave,ndaj koha është gjykuesi më i drejtë.Në mbyllje i uroj edhe njëherë kombit shqiptarë këtë 100-vjetor,jetë të gjatë sa malet e Shqipërisë…!

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Histori, Opinion Tagged With: 100 vjet, 99 vjet, Cameria, ervin fetahu, pavaresi, roberi, shqiperia

100 VJET- PAVARËSI: PRITJE NË MINEAPOLIS

November 15, 2012 by dgreca

Festë mes miqsh, dhe ish-armiqsh. Diçka e veçantë: Në këtë pritje i pranishëm një sërbo-amerikan që falenderon dhe uron për festën e shekullit të pavarësisë shqiptare-/

Nga Shefqet Meko-Minesota/

Në Minesota, komuniteti Shqiptaro-Amerkan, është i “shkrirë” ndër liqenet e Minesotës. Këtu nuk ka ndonjë “lagje me shqiptarë”, por ndërkohë shqiptarët i gjen gjithandej, duke filluar nga Universiteti i Minesotës dhe deri tek bizneset e përditshme. Një komunitet i ri, shpërthyes, plot energji dhe këndveshtrime të kthjellëta. Djem të rinj, pa “metastazat” komuniste, të gjallë dhe të shkathët, që kanë kapërcyer oqeanet në moshën e artë. Ata janë një model i ri shqiptari që toleron, që dialogon dhe flet për të ardhmen. Ata janë djem që kanë martuar vajza amerikane, sikurse dhëndurrë nga Minesota që janë martuar me bukoroshe shqiptare. Nuk ka një shtet tjetër që ta “gatuajë” kaq zellshëm një komunitet ku fshatareskët ngelen në Karaborun, apo brigjeve në Vlorë, ose në majë të Korabit, ndërsa njerëzit moderrnë ecin para dhe bëhen pjesë e një shoqërie të avancuar demokratike siç është Minesota.. Kjo është Minesota moderrne, ku vlera e individit ka vlerën e universit…
Në këtë mjedis kaq progresiv, përherë jemi përpjekur të bashkohemi. Kemi afruar vlerat, jo thjesht “meqë jemi shqiptar” por në emër të një të nesërme pa koncpete fshatareske shqiptare. Pa atë xhelozi, cmirë dhe bukëshkalje dibrane, pa atë “grop-gjoksin lab”, pa ato cene të cinizmit idojtkesk vlonjat. Dhimbje, por malokësia ka zbritur deri këtu, e kamufluar, zvarranike, por është e parnishme. Diku e fshehur, pas “filaxhanit të kafese”, e zezë si kafeja në Nokomis, por pa fuqi të ndalë atë vrull shiptarësh në këtë demokraci të lirë. Ne jemi të lirë nga të ligjtë në këtë shtet të “10 mijë liqeneve”.

“100 vjet Pavarësi me 10 miq të mirë” ishte një pritje modeste, organizuar nga AAIRC- Instituti Shqiptaro -Amerikan për Marrdhënie dhe Kontribute. Nderim për ata që e bënë të mundur këtë shekull të parë, nderim për ata breza që u flijuan dhe sakfirikuan, për ata breza që dhanë aq shumë në të gjitha planet. Njerëz të thjeshtë, të mëdhenj, bejljerë dhe agallarë, bujq të thjeshtë dhe yzmeqarë me dashuri të madhe për Shqipërinë. Nderim për mbretin, për “afërmbretër” dhe njerëz diku larg, larg mbretërive dhe zyrave lluksoze, aty ku shpalostet jeta e sinqertë dhe tradicionale shqiptare. Nderim për të gjithë që e bënë të mundur shekullin e parë të Pavarësisë…. Nderim për babain tim dhe babain tënd. Nderim për komshiun dhe atë burrë që nuk e njohëm kurrë. Nderim për të gjithë burrat e mirë shiptarë,për të mençurit dhe trimat, për bujarët dhe punëdashësit, për të varfërit dhe të pasuirt patriotë, që ditën ta shpëtonin Shqipërinë përmes “tornedove” ballkanike. Dhe bashkohen në një mjedis të ngrohtë shqiptarë nga Prishtina, Tirana, Pogradeci, Tepelena, Vlora, Elbasani, Tropoja, Lezha, Gjirokastra, Ulqini… Për vite me radhë kjo organiztë ka mbledhur së bashku shqiptarë, por kësaj radhe, ishte një ide ndryshe: Pak dhe saktë! Pa injoruar vlerat e populizmit, në këtë shekull të parë të pavarësisë në Minesota, nuk kemi nevojë për brohorima dhe thirrje joshëse, kemi nevoje të reflektojmë thellësisht në historinë e një kombi shumëshekullor, që dhimbshëm feston shekullin e parë të shtetit të vet të pavarur.Kemi nevojë për një dialog mes vetes dhe jashte vetes. Një dialog mes vetes dhe ish-armiqve. Një dialog moderrn amerikan. Kjo ndodhi këtë radhë në Mineapolis.

Duket se Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi janë ulur në këtë sofër dialogu. Kanë ardhur aq sa duhet të vijnë: Shqiptarë të mbarë:Xhevat Berisha, Imer balidemaj, Uljan Cobo dhe Zana Cobo,Vilma Topuzi, Bledi Shehu dhe Katlyn Shehu, Ben Tomini, Ridvan Hajrullahu, Altin Niklekaj dhe Randy Niklekaj, Ilir Skendaj dhe miq të tjerë…
Nuk ka fjalime, apo thirrje patriotike. Ka një dialog brezash. Xhevat Berisha nuk rri do pa e ngritur zërin duke thënë: “Ta duani Shqipërinë djema.. Ta duani Atdheun tuaj. Ky është një amanet i brezave që e ka artikulluar qartë doktor Mitrush Kuteli…” Dhe fillon një gumëzhitje. Ca pyetje. Ca debate të rastit… Nga ana tjetër Dr. Imer Balidemaj kërkon të japë shpjegimin e vet. Kështu në këtë pritje, si jo në çdo pritje, bisedat rrëshaqsin tek njëra tjetra. Dialog ballkanik shqiptar, zhurmë ballkanike, përplasje tipike ballkanike që përfundon me “përplasje gotash: “Gëzuar”!. Sepse në atë Balkan të trazuar mbijetuam dhe jetojmë virtutshëm. Aty, ku kulturat dhe kombet kryqëzohen me njëra tjetrën. Aty pimë dolli dhe shëndete.. Aty vajtuam fatkeqsitë tona, dhe ndamë gëzimet tona… Ballkan i trazuar. Ballkan i brengosur nga vetvetja…

Por bukuria e kësaj pritje ishtë një “armik” në festë. Një armik historik, por që erdhi pa asnjë ndrojtje në festën tonë të 100 vjetorit. Një sërbo-amerikan iu bashkua kësaj pritje, pa asnjë lloj ndrojtje. Ai është Aleks Stejmenoviç. Një sërb autentik, por me një këndveshtrim moderrn për fatet e të dy kombeve. Aleksi erdhi në këtë festë të Flamurit Shiptar pa komplekse , pa mëdyshje se aty do të gjente shqiptaro-marikanë që kanë një pikvështrim bashkëkohës për të ardhmen e të dy kombeve drejt Europës së bashkuar. “Ne jemi sa armiq, aq edhe miq…Ne ndajmë të njëjtin fat dhe presim të njëtin fat: T’i bashkohemi Europes…. Nuk jam zëdhënës i asnjë rryme, jam Aleksi, që nuk jam shqiptar, por jam sërbo-amerikan. Por uroj fat të bardhë për fqinjët shqiptarë…Ne kemi vuajtur të njëjtin pushtim për 500 vjet, nën perandorinë Turke..Pra 500 vjet se bashku kemi qënë “një perandori” …Nuk urrej shqiptarët. Kosovën dhe Serbinë dua t’i shoh në BE. Kjo do te jetë “Happy end” për të dyja palët..” Aleks është një përfaqsues i bezit të ri sërb, që vështron larg dhe ndryshe… Ai është nja “ballkanas ndryshe”ose thënë shqip “Ballkanas i amerikanizuar”…
Ai lirshëm futet në bisedë me Xhevat Berishën, nga Prishtina, Imer Balidemaj nga Mali i zi, apo Ridvan Hajrullahu. Është befasuese të dëgjosh bashkëkomabsin tënd të flasë lirshëm Sërbo-kroatisht dhe tjetri të të thotë “Nuk e dalloj do që është kosovar”. Por shokuese është kur audeinca natyrshëm pranon çdo lloj bisede. Në këtë kuptim pritja në Minneapolis ishte një hap përpara në festimet tona të këtij shekulli. Personalisht mendoj se për një shekull, gjithë fajin ua lamë armiqve tanë. Natyrisht ata janë, jo pa faje në vuajtjet tona kombëtare. Ata e kanë bërë të dhimbëshme mbijetesën tonë. Kjo është e vërtetë historike. Por tani nuk ka arsye të kërkojmë fajtorë dhe viktima. Në këtë shekull të mbijtesës kombëtare, është moment të reflektojmë në mënyrë realiste: Cili është “mëkati” ynë? Cila është përgjegjësia jonë? Si mund të fuqizojmë një frymë pozitive breda vetes? Si të jemi kudo dhe kurdoherë njerëz të mirë? Shqiptarë të mirë. Shqiptarë pozitivë dhe progresivë, qytetarë dhe të emancipuar? Kjo është sfida jonë e ardhshme. Boll me “topin në fushë të kundërshtarit”. Shekulli i dytë do jetë sfida e vetvetes.

Ne jemi shqiptarë. Ne kemi pasur historikisht komshinj serbë, grekë, malazezë, bullgarë, italianë… Nuk i injorojmë dot. Nuk e zgjedh dot komshiun. Mund të zgjedhësh mikun, por jo kombin komshi… Ky shekull që iku mabse ishte shekulli i “kungullit në derë të komshiut”, por ky shekull i ri i pavarësisë nuk mund të jetë i tillë. Ky duhet të jetë “shekulli i vetvetes” që do të thotë: Përgjegjesi, qytetari, progres brenda kombit dhe vendit tënd… Moral dhe principe për të gjithë brenda kombit. Barazi dhe qytetari për të gjithë brenda kombit tënd. Respekt dhe qytetari brenda kombit tënd. Ky me sa duket është misioni qytetar ndërsa troksim drejt shekullit të dytë të pavarësisë dhe mëvtesisë shqiptare…
Bisedat në këtë pritje ishin shpërthyese dhe krijuese. Ato kapërcenin “klishtetë” e deritanishme dhe vinin si një risi e shekullit që po trokasim. Dialog me vetveten dhe komshinjtë. Dialog për progres shumëplanësh… Në këtë pritje pati një manifest të brendshëm me mision të qartë: Përpara.Nuk pati thjesht “këngë e valle”, pati biseda të thella, diskutime interesante, dialog që të frymëzon për nesërmen dhe përtej së nesërmes..
Kjo na duhet. Dialogu në këtë shekull. Sado që duam të fajësojmë të tjerët, ne jemi përgjegjës për të ardhmen tonë. Ne nuk mund të ribëjmë kufij, dhe harta, ne mund të ribëjmë veten tonë duke përurar kudo emrin e mirë shqiptar… Ne jemi shqiptraro-amerikanë në Minesota. Ne jemi njerëz të mirë. Pritja në Minneapolis ishte nje model. Të gjitha dialoguan për këtë shekull të parë, duke këndvështruar shekullin që vjen.
Në mbyllje të kësaj pritje, të vjen në mendje ajo thënie e Frashëllinjve shqiptarë: “Lum kush të rrojë, ta shikojë Shqiperinë zonjë..”
Kjo pritje përcolli pikërisht këtë mesazh, duke pasur “mysafir” edhe një “armik” të kombit…Një sërbo-amerikan, me emrin Aleks!
Jetojmë në Amerikë. Festojmë së bashku. Gëzuar 100 vjetroin e Pavarësisë Shqipëri e dashur. Të urojmë nga Minneapolis! Gëzuar dhe paç shekuj të pafund festimesh !

Minesota, 15 Nentor 2012

Filed Under: Reportazh Tagged With: 100 vjet, feste ne Minesota, pavaresi, Shefqet Meko

GËZUAR SHQIPËRI, 100 VJET PAVARËSI KOMBËTARE!

November 14, 2012 by dgreca

Ismail Qemali Arkitekt i Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare/

Nga Vilhelme Vranari Haxhiraj/

 Të gjithë shqiptarët në fillim të shekullit XX, shpresonin se kishte ardhur koha që Shqipëria të ishte e Pavarur, pas 5 shekuj robëri. Pas vdekjes së Skënderbeut, grindjet mes principatave nuk e favorizonin kurrë njohjen e Shqipërisë si komb. Patriotët e Rilindjes Shqiptare dhe Arbëreshe kishin punuar për ta përgatitur opinionin për domosdoshmërinë e shkëputjes nga Turqia. Këtë mision e mori në dorë njeriu që e njihte mirë Turqinë dhe politikën e saj.

Ismail Qemali si diplomat, i pajisur me kulturë të gjerë, njohës i disa gjuhëve, shfrytëzoi rrethanat e kohës. *Pozita gjeografike e Shqipërisë si nyje në Mesdhe;*shtrirja nga Danubi në Gjirin e Artës, nga Vardari në brigjet e dy deteve;*kushtet fiziko- gjeogrfike, (vend malor i alternuar me fusha, ultësira dhe kodra), ndikuan në ruajtjen e kulturës, gjuhës dhe traditës, jo vetëm si dëshmi e etnisë pellazgo-iliro-arbëre, por faktorë që ndihmuan për Pavarësinë. *Bashkëjetesa e tri besimeve fetare ka ruajtur etninë dhe vëllazërimin e shqiptarëve, faktorë që i shfrytëzoi I. Qemali, i cili vuri në plan të parë *çështjen kombëtare, që evitoi *përçarjet mes shqiptarëve. *Vrasja e gjyshit të tij nga sulltani, bëri që ai të ishte shumë i matur në kërkesat ndaj P. Lartë. Për këtë arsye fillimisht kërkoi* Autonominë e Shqipërisë.

Si përkthyes i zoti, ai bëri karrierë politike. Qysh në moshë të re emërohet,*Guvernator i Varnës (Bullgari), ku jo më kot priti Perandorin Franc Jozef. Pas internimit në Azi të Vogël, shkon *Kryetar i Komisionit N/kombëtar në Danub. Më vonë *Kryetar i Dhomës së Deputetëve në Parlamentin turk, ku zhvilloi biseda mbi gjendjen aktuale të P. Osmane dhe zgjedhën e shteteve nën sundimin e saj. Këto takime apo poste titullare, ai i shfrytëzoi për çështjen kombëtare. *Analiza e tij mbi gjëndjen e Perandorisë në Egjipt, mbi çështjen e Kretës dhe luftën ruso-turke, e pavlerësuar nga sulltani, bëri që Porta e Lartë të pësonte disfatë. *Porse pasojat ranë mbi shtetet evropiane nën sundimin e Turqisë. Veçse kjo *analizë social-politike e I. Qemalit, i ngjante projektit të një arkitekti për të ngritur një ngrehinë të shndërruar në gërmadhë nga shekujt. Pra u bë përvoja parësore e Ismail Qemalit për të synuar drejt shpalljes së Pavarësisë kombëtare. *Posti i Ministrit të Jashtëm, që e dëmtonte çështjen shqiptare, u refuzua nga I. Qemali. *Njohja me rrethet përparimtare të Evropës e me personalitetet e shquara politike të kohës, e favorizonin për të bërë prezent problemin kombëtar në opinion botëror. Pas Mit’hat Pashës,*Kryetar i Partisë liberale turke u bë I. Qemali. Në një intervistë në Giornale d’Italia) më 23 qershor 1909, Ismail Qemali thekson: “Liberalët e Europës Perëndimore ngjajnë me trashëgimtarët e një pasurie të madhe, që shqetësohen për t’u kënaqur me të ardhurat e grumbulluara nga pararendësit e tyre. Nëse në Perëndim liberalizmi është etiketë e një partie për të marrë pushtetin; në Lindje mjafton mendimi liberal që të ngjallen dyshime të cilat sjellin të këqija të mëdha.” *Kjo analizë i vlente për të nesërmen e afërt të vendit dhe ishte një afirmim diplomatik i tij në botën evropiane.

Ardhjen e turqëve të rinj ai e quan *anarki të rëndë që vjen nga lart, e cila është më e rrezikshme dhe më e dëmshme se ajo që vjen nga poshtë. Ndërsa *komitetin “Bashkim e Përparim” të xhonturqve e quan shtet brenda shtetit, që imponon vullnetin e tij, shtyp liritë e njeriut dhe i kundërvihet kushtetutës. *Politika e tyre e detyroi atë të ndërtojë platformën e qeverisjes së Shqipërisë.”*Kushtetuta nuk është qëllimi, por mjeti për zhvillim dhe përparim.”- thekson Ismail Qemali. Ndërkohë Sulltani e emëroi Guvernator në Tripolitani. Ai nuhati rrezikun dhe kërkoi strehim politik në ambasadën angleze, e cila e nisi në Athinë. Menjëherë nisi fushatën diplomatike nëpër oborret e Europës, me ftesën e bërë nga shqiptarët e Australisë që aktualisht ndodheshin (në Athinë). Që arkitekti të ndërtonte ngrehinën e shqiptarëve, i duhej lënda e parë, e cila ishte *mbështetja e Fuqive të Mëdha evropiane. Menjëherë nisi *maratonën nëpër oborret e Evropës dhe nuk harroi të publikonte situatën politike të kohës. Udhëtimin e nisi me vende ku *çështja shqiptare njihej mirë, si me Romën, Siçilinë e Kalabrinë, ku *shfrytëzoi mosmarrëveshjet Austri- Itali për influencën e secilës në Shqipëri. Ismail Qemali frenoi disi përpjekjet për epërsi ndaj Shqipërisë si: të Austrisë, Greqisë, Italisë e Serbisë. *Me shkathtësinë e tij, ai shfrytëzoi situatat  ose më mirë grindjet politike mes shteteve evropiane dhe të secilit në veçanti. Më pas shkoi në Gjenevë, Bruksel, ku takoi Faik Konicën për të reklamuar çështjen kombëtare në gazetën e drejtuar prej tij, “Albania”. Botimi i gazetës së tij (I.Qemalit) me titull “Shpëtimi i Shqipërisë”, në gjuhë shqipe, greke dhe turke, u përdor për të ringjallur ndjenjën kombëtare te shqiptarët në botë.  Me nuhatje shfrytëzoi vdekjen e mbretëreshës Viktoria të Anglisë dhe shkoi në Londër për ngushëllim, ku u takua me personalitete të politikës botërore. Shkoi në Egjipt, ku kishte shumë shqiptarë. Sulltani, për hesape të vjetra, e dënoi me vdekje në mungesë. Ai shfrytëzoi me *mençuri dobësimin e P. Osmane, për shkak të kryengritjeve, sidomos në Ballkan, të cilat ai diti t’i shfrytëzojë me maturi. *Traktati i Shën Stefanit dhe Kongresi i Berlinit 1878, e copëzonin Shqipërinë, gjë që nuk ishte në favor të terrenit që po përgatiste I.Qemali.

Në çastin fatlum, këtij burri të mençur iu desh të *shfytëzojë ndarjen e turqve të rinj më 1908. Ndaj për I. Qemalin *shpallja e kushtetutës do të ishte faza e parë për Autonomi. *Përvoja diplomatike dhe vizitat nëpër oborret e Europës, bën që ai u mbështet në 2 Fuqi të Mëdha: Austro-Hungari dhe Itali, të cilat për qëllimet e tyre, ishin kundër pushtimit të Shqipërisë nga Greqia dhe Serbia. Bisedimet me qarqet e lëvizjes përparimtare në Athinë, Romë,Vjenë, Paris, Londër, Kajro, Bukuresht dhe me shqiptarët jashtë vendit, bënë të ndryshonte opinioni i Europës për shqiptarët, të cilët i konsideronin pa ideale kombëtare.

*Hartimi i Memorandumit të Gërçës nga I. Qemali dhe Hasan Prishtina, me 12 kërkesa, sipas të cilave të 4 vilajetet shqiptare të kishin autonomi administrative për çastin, nën vartësinë e Xhonturqëve, pati rëndësi: *Nisën kryengritjet e Malësisë së Madhe me Dedë Gjo Lulin, dhe *kryengritjet e përgjithëshme 1909-1911. *Arkitekti i shtetit të parë shqiptar, Ismail Qemali si largpamës dhe vazhdues i programit të Rilindasëve, e dinte se rruga e nisur, donte mbështetjen e ndërkombëtarëve, para të cilëve doli me këto kërkesa:*1- Kushtetutë dhe Autonomi administrative për popujt e ndryshëm të P.Osmane; *2- Shqipëria të ketë 2-3 apo 4 vilajete me krahina shqiptare. *3- Hapja e shkollave shqipe dhe shpërndadja e librave në gjuhë amtare në çdo trevë ku flitet shqip..*4- Gjuhë zyrtare të ishte shqipja. *5- Të krijohej policia, postë telegrafa, *marrëdhënie diplomatike me Perëndimin dhe fqinjësia e mirë. *Kërkesa për autonomi dhe jo Pavarësi, përputhej me kushtet ekonomike, si ide përparimtare për kohën. Ai kërkoi *organizimin e shtetit me frymë europiane. Në Nicë të Francës *më 19 shkurt 1912 ai doli me idenë e Pavarësisë. Ambasadori italian Tommasso Tittoni njoftoi se në Nicë po mbahet një kongres sekret, me praninë e I. Qemalit. Ai shprehet:”Një fis që kërcënohet nga serbët e grekët, është fis i vjetër ilir i shqiptarëve, që ruan e do të ruajë traditën dhe identitetin e lashtë kombëtar”.

I. Qemali më 5 Nëntor 1912 u takua me shqiptarët e Bukureshtit, ku dolën me një Rezolutë. Por kjo varej nga Fuqitë e Mëdha. Në Vjenë, gjeti mbështetjen e Berchtold dhe ambasadorit Avarna. Më 20 /XI /1912 nga Trieste niset për Shqipëri. Ditën që Skënderbeu  ngriti flamurinnë Krujë, edhe Ismail Qemali më 28 -XI- 1912 ngriti flamurin e kuq me shkabën e zezë në Vlorë. Shpallja e Pavarsisë së Shqipërisë u mirëprit nga Italia, Austria dhe Rumania. Kurse Serbia nuk e njohu aktin madhor që shpalli pavarësinë e Shqipërisë. Stambolli heshti, kurse Greqia dhe Mali i Zi, synonin copëzimin e Shqipërisë. Formimi i Qeverisë së Vlorës me Kryeministër I.smail Qemalin, me anëtarë kabineti nga të gjitha trojet shqiptare dhe me përfaqësues nga tri besimet fetare, ishte akti final i njohjes së Shqipërisë si komb i pavarur. U mbushën 100 vjet nga shpallja e pavarësisë së cunguar të shqiptarëve, dhe kombi ynë përsëri ka mjaft probleme , të cilat po ia lemë kohës t’i zgjidhë!

Shqiptarë, kudo që jeni, Ju uroj :”Gëzuar 100 vjet Pavarësi Kombëtare!”

 

Filed Under: Kulture Tagged With: 100 vjet, Haxhiraj, pavaresi, Vilhelme, Vranari

100 VJET INATE HOMERIKE

November 9, 2012 by dgreca

Nga Fadil Lushi/

I nderuar lexues, në eterin tonë politik, flitet, përflitet a lakohet një aforizëm që përafërsisht tingëllon kështu: “Inati i burrave dhe grave (shqiptare) është më i fortë se inati i urisë”! Vërtetësinë e këtij aforizmi do mëtoj ta gjej (nëse do ta gjej) në historinë e njëqindvjetorit të shtetit të cunguar shqiptar, e cila histori filloi të ndërtohet me inate. Kjo  do të karakterizohet me një sërë lëvdatash, harresash, shtrembërimesh, nihilizmash, bajraktarizmash, folklorizmash… Të gjitha këto së bashku të stisura nga akëcili kalorës i vonuar i kauzës shqiptare, nga akëcili politikan që shumë pak i dha Shqipërisë dhe më shumë mori (vodhi) nga ajo. Ndaj, jo rastësisht, kjo histori do të ngarkohet me një thes inatesh histerike dhe homerike. Nuk mund të thuash se “shpikësit e këtyre anakronizmave” ishin vërtet inatçinj homerikë, aq sa ishin shtirës a njerëz që kishin lindur në kohë dhe vend të gabuar. Kjo histori do të karakterizohet edhe me një sërë idealistësh, nacionalistësh, të cilët këmbëngulnin t’i shkonin pas virtytit duke dashur “të gatuajnë” një politikë tjetërfare…, si dhe me një varg neronësh…, me njerëz të fodullosur, kokëkrisur, kokëbosh, a edhe “biçim njerëz të minderit”, të cilët edhe sot do të mbajnë inat me të kaluarën. Në ndërtimin e kësaj historie 100-vjeçare, s’do mend se do kenë hise edhe gjithfarë akademikësh…, gjithfarë kronistësh, të cilët fatkeqësisht, lëre që nuk dhanë kontributin e tyre, po përkundrazi kësaj historie i ngjitën një mal të pavërtetash, i ngjitën shumëçka që “ndoshta” edhe nuk e meritonte. Disa këtë e bënë me urdhër të mbretit Ahmet Zogolli, ca të tjerë me diktat të diktatorit Enver Hoxha dhe, së fundi, nga politikanët e moderuar, të cilët, lëre që nuk e humanizuan a emancipuan këtë histori të lavdëruar, po përkundrazi duke shtrembëruar turinjtë e tyre, disa pjesë të kësaj historie i përudhën krejt tjetërfare dhe gjithsesi në drejtim të gabuar. “Ndofta” ata nuk kishin “takat” t’i kundërshtonin urdhrat e “Neronit shqiptar”! Ata që ishin të “padëgjueshëm”, o do përfundonin në kazamatet famëkeqe të Shqipërisë, në Burrel, Spaç e gjetiu, ose do t’u vihej litari në qafë, o do “iknin nga kjo dynja” me plumbin në kokë. Në përgjithësi, këta (hiq mënjanë idealistët dhe historianët pa taraf) në vend se ta frenonin fanatizmin e çmendur dhe të hanin bukën e tyre, hëngrën kokat e ndritura shqiptare, pa dallim në ishin ateistë të bindur, fetarë, shehërlinj, katundarë, toskë ose gegë. Nëse shqiptarët mendjendritur i dhanë kësaj Shqipërie frymën e kohës dhe atë kombëtare, ca të ashtuquajtur “historianë tarafxhinj e të imagjinuar”, me shëndet të brishtë mental si dhe do kalorës të vonuar të politikës ditore…, do të shkojnë deri aty sa që padrejtësisht të ndërtojnë lloj-lloj shpifjesh. Një e tillë shpifje (për inat) do t’i “faturohet” edhe Ismail Qemal bej Vlorës, kinse ai “…, paskësh lidhur krushqi me Perandorinë Osmane, në këmbim të një autonomie (turke) të cunguar, mandej do t’ia hedhin fajin (prapë për inat) se pse ky nuk paskësh marrë pjesë në punimet e Lidhjes së Prizrenit dhe të Kongresit të Manastirit!”…, e shumë sajime të tjera të ulëta. Çuditërisht, këto shpifje a trillime sot po”gëlltiten” nga injorantët si dhe nga ana e gjithfarë kontrabandistësh të historisë sonë kombëtare.

I nderuar lexues, se vështrimet e paraqitura në paragrafët e lartpërmendur janë të vërteta a jo, nuk ka nevojë për të shpjeguar etimologjinë e tyre, sepse ato flasin vetë. Sot, në vigjilje të 100-vjetorit të mëvetësimit të shtetit të Ismail Qemal Bej Vlores, neve na duhet ta diskutojmë kalendarin historik shqiptar, të cilin (prapë në emër të inatit) aq shumë  e kemi abuzuar, saqë nuk i gjendet fija, thjesht na është bërë si lesh arapi. Në do bësh përpjekje që ta zgjidhësh këtë pështjellim a këtë “nyjë gordiane”, nuk mjafton të kesh vetëm mendje femre, këllqe dhe…, por duhet të kesh guximin që t’i “sikterisësh” të gjithë ata, që nuk e njohin aq sa duhet këtë kalendar tonin kombëtar.

Parashtrohet pyetja se kush, në këtë vigjilje të 100-vjetorit, do të “pushtojë kalanë” e organizimit të manifestimit qendror (mbarë!?)kombëtar, që sot e gjithë ditën nuk dihet se a do të “mbahet në Tiranën e Partisë Demokratike a në Vlorën e Partisë Socialiste”!??…, nuk dihet se ky 100-vjetor a do të kremtohet më 28 nëntor në Tiranë, gjegjësisht në kryeqendrën administrative të shqiptarëve, apo në Vlorë më 27 nëntor, gjegjësisht në kalanë e historisë së Ismail Qemali Bej Vlorës…, apo edhe kush do të jetë ai “bir nëne që do ta uzurpojë të drejtën që t’i bëjë dinjitet flamurit kombëtar”!? Do t’i bëjnë të “kuqtë apo të kaltrit”, do t’i bëjnë politikanët aktualë, të cilët në vijimësi mëtojnë që me makiavelizmin e tyre të dominojnë mbi vullnetin e të tjerëve, apo ata që kundërsh-

tojnë regjimin e pushtetit aktual dhe filozofinë e politikëbërjes së tyre. Të parët do të gjejnë njëmijë e një arsye, karshi vazhdimësisë së sundimit të “demokracisë foshnjarake” dhe të zbehtë, ndërkaq sehirxhinjtë, hazërxhinjtë dhe sejmenët do të presin që një ditë ta zaptojnë kryeminderin e pushtetit.

Nëse kjo datë e shenjtë (jo e saktë!??) nuk do të përfillet dhe nuk do nderohet, atëherë kësaj i mbetet të qëndrojë në hava. Do të parashtrojmë pyetjen se kujt do t’i “takojë” e drejta ta shenjtërojë këtë datë a këtë ditë. Vallë do ta organizojë pushteti aktual, opozita shqiptare, apo politikanët (në hije) që ëndërrojnë autoritarizmin gjegjësisht pushtetin absolut…, a edhe ata politikanë të moderuar shqiptarë, që ende nuk e kanë kaluar moshën adoleshente. Nëse të gjithë politikanët e Shqipërisë politike nuk bien dakord me ditëlindjen dhe vendndodhjen e Flamurit, atëherë do të detyrohen “t’i bien dajres së evgjitit (çdo respekt për të) apo…, “ fyellit në një vrimë”, siç do të thotë një analist nga Shqipëria. Pse kjo çështje duhet të ngelë e pazgjidhur sot e mot, këtu në Shqipëri e gjetiu në hapësirat e Shqipërisë politike dhe asaj londineze!??? Pse kjo çështje nuk zgjidhet në qarqet akademike dhe në ato historike, por duheshka të “redaktohet, (ri) defininohet, rishkruhet dhe recensohet” në hapësirat e shtabeve partiake, diku në bllokun e Tiranës!?… Pse kjo datë e shenjtë na duheshka të përflitet e lakohet sipas qejfit të akëcilit shqiptar, qoftë ai të jetë politikan, diplomat, kronist, ose edhe të jetë kalorës i vonuar i çështjes kombëtare…, në veçanti nga ata të cilët kur nuk kanë për të bërë punë më të mençur, ashtu thjeshtë do të anashkalojnë edhe ato pak vlera historike, që i kanë mbetur njëqindvjetorit të shtetit të Ismail Qemal bej Vlorës. Nëse ne do të vazhdojmë të “frymojmë” me kësisoj inatesh histerike, po edhe homerike, atëherë një ditë do të “çmendemi vetvetiu dhe njëkohësisht do ta çmendim” gjithë atë histori, sa të lavdishme po aq edhe të ngatërruar keqas.

Sot, të “çirresh e të bësh shaka” me kryeministrin, kryeparlamentarin a edhe me presidentin e shtetit, besoj nuk “bëhet kiameti”, por ama të tallesh me këto data të shenjta madje edhe me flamurin e Vlorës dhe me vlonjatin mendjendritur, është përtej çdo idiotësie…, nuk mund të tallesh as me “historiografinë tonë qoftë të jetë i vonshme, e ideologjizuar, e sakatosur, po dhe e folklorizuar”! Askush nuk ka të drejtë ta pronësojë këtë manifestim, po qoftë të jetë edhe “pasuri e patundshme e gjyshërve të tyre me opinga”!?

Tekefundit, nëse këto data (tona) të shtrembëruara nuk do të përcaktohen saktë, sidomos tani në vigjilje të 100-vjetorit, akëcili prej nesh të mos shpresojë e ëndërrojë se ashtu “kollaj’ do të zdirgjet tatëpjetës së Qafë Thanës ose edhe të Morinës për të marrë atë udhën e Evropës e të Brukselit…, me një kusht “të mos i plasë goma furgonit të politikanëve tanë me inate homerike”!?

“… Kur Madona kishte shkuar në Moskë për të dhënë koncert, një zyrtar (fetar) rus i qe drejtuar me një kërkesë: … ose hiq kryqin ose vish brekët!” Mos vallë, ky zyrtari moskovit kishte kërkuar etikën e munguar të këngëtares me shtetësi amerikane. Unë, sinqerisht nuk e di. Unë mund të them se gjithsecili nga ne, o do të bëjë punën për çka është i ngarkuar e i paguar, o do të duhet ta braktisë atë…, o do duhet të mbyllë gojë. Ndryshe nuk bën.

Është një shprehje ballkanase ku, pos të tjerash, thuhet: “Njeriun prite (gostite) sipas veshjes dhe përcille sipas mendjes!”

 

Filed Under: Opinion Tagged With: 100 vjet, Fadil Lushi, inate homerike, inate shqiptare

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT