• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Rrëfim nga kujtesa fëmijërore- 22 vjet nga Masakra e Belegut

March 29, 2021 by dgreca

Rrëfim nga kujtesa fëmijërore- 22 vjet nga Masakra e Belegut

Shkruan: Endrit BINAKAJ /

(I mbijetuar i Masakrës së Belegut, autor i dy librave për masakrën)/

Masakra e Belegut 29 mars 1999/

Ndonëse kanë kaluar më shumë se dy dekada nga momenti i ndodhjes së Masakrës së Belegut, memoria ime ka ngelur e freskët, ende e qartë si kristali i një fëmije që sapo kishte mbushur 9 vjet. Ende në shiritin e kujtesës sime më rrëshqasin natyrshëm ato skena vuajtjesh, maltretimesh, frikë nga e panjohura, se po vriteshim tash a tash.

Sa herë që vjen 29 marsi, dhe jo vetëm, unë kthehem në marsin e vitit 1999, në vitin e rëndë të vrasjeve, torturave, masakrave deri në shfarosje totale, por edhe të kthesës së madhe të shqiptarëve për fitoren e luftës për liri. Kthehem dhe shndërrohem në Endritin 9 vjeçar, në Belegun e djegur e të shkatërruar, në Kosovën e kapluar më flakë e erë gjaku të njomë.

E kujtoj si sot, ishte ditë e hënë marsi, pranvera kishte lëshuar rrënjë, pemët kishin filluar të çelnin sythet e tyre, fushat dhe kodrinat po rinoheshin me petkun e gjelbëruar. Por, vetëm qielli nuk ishte në sinkron me token. Ai po shfaqej i zymtë, retë e zeza e kishin pushtuar vendin tim, kukuvajkat po paralajmëronin tragjedinë e madhe. Dita e 29 marsit 1999 ishte kobshme për vendlindjen time, si fëmijë atëbotë e them pa modesti më bëhej sikur e kisha mposhtur frikën, me siguri qe po, e kisha mposhtur, krismat e plumbave dhe gjëmimet e topave ishin bërë tinguj të zakonshëm për veshin tim, tanket dhe autoblindat e paramilitarëve me helmeta ishin bërë pamje e përditshme e syve të mi.

E kujtoj futjen e policisë brenda oborrit të shtëpisë sime, pushtimin e tij nga paramilitarë serb me tyta armesh mbi civilë shqiptarë që të vetmin mëkat që kishin bërë ishte se po jetonin në tokën e paraardhëseve të  tyre që kishin jetuar brez pas brezi këtu, në atdheun tonë autokton. Të hutuar e në ankth, na mblodhën të gjithë, u nisëm në karvanin e pa kthim drejt qendrës së fshatit, duke ecur rrugës, një autoblind na printe e ne ishin në mes, anash ecnin në këmbë me armë të gjata ushtarët serbë të armatosur deri në dhëmb, ndërsa në fund të kolonës qëndronte edhe autoblinda tjetër, si për ta siguruar rrugën se tufa e shqiptarëve civil që po shkonte drejt ferrit, të mbërrinte e sigurt atje. Rrugës në asnjë moment nuk ia lëshova dorën nënës sime, e cila tashmë kishte barrë të rëndë të kujdesej për mua dhe motrën, babai nuk e dinin se çfarë i kishte ndodhur, siç nuk do ta dinim deri në qershorin e vitit 1999, e mendonim si të vdekur, ashtu siç na vinin lajmet në Shkodër, ku qëndrova me familje për tre muaj si refugjat. Rrugëtimi i ferrit nga shtëpia deri në vendin e grumbullimit në qendër të fshatit, ishte i tmerrshëm, çdo gjë po digjej, qiellin e atij muzgu tragjik po e ndriçonin flakët e shtëpive që po digjeshin në çdo skaj të rrugës kafshë të ngordhura, kukama e dënesje nënash, në prani të familjes kishin pushkatuar në pragun e shtëpisë, Naim e Nezir Vishajn, po ashtu edhe profesor Daut Aliçkajn. Tmerri i vërtetë kishe filluar. 

Të hutuar dhe në ankth, policia dhe ushtria serbe kishin filluar aksionin e plaçkitjes, torturës dhe maltretimit të banorëve jo vetëm të Belegut por edhe të fshatrave tjera që lufta i kishte degdisur për ato momente në Beleg. Atë natë marsi, burrat u ndanë nga gratë dhe fëmijët. Në çdo moment pritej pushkatimi dhe therja jonë, nuk ndodhi atë natë, sikur ishte vullnet nga Zoti që ne fëmijët dhe gratë të shpëtonim, për ta treguar e rrëfyer vuajtjen tonë për liri, por nga pushkatimi nga paramilitarët serbë nuk shpëtuan 46 burra që nga mosha 16 vjeçare e deri tek pleq të shtyrë në moshë. 

Në mëngjesin e 30 marsit, filloj eksodi i madh për në Shqipëri, në rrugën pa kthim. Ishte momenti i fundit kur fëmijët po i shikonin fytyrat e baballarëve të tyre, çast i trishtueshëm kur nënat po merrnin mallin me veti për bijtë e tyre që nuk do t’i takonin kurrë. Momente prekëse që i kisha përjetuar si fëmijë, është shumë e vështirë të gjesh ndonjë përshkrim adekuat të asaj ndjesie, e dhimbshme, e tmerrshme sa që edhe lotët ishin shterur e zëri kishte ndërruar tonalitetin, nuk mund as të bërtisje.

Në natën e 29 marsit, për të vazhduar edhe më 30 mars 1999, ishin ndaluar nga forcat serbe 46 burra për t’u ekzekutuar më pas, jo vetëm banorë të fshatit Beleg por dhe të fshatrave tjera përreth që lufta i kishte zënë aty atë ditë marsi.

Ky është një përshkrim i shkurtër i gërmuar thellë nga kujtesa e një fëmije që sapo kishte filluar ta jetoj pranverën e nëntë, i atij skenari të tmerrshëm të Masakrës së Belegut, e cila llogaritet si njëra nga krimet më të llahtarshme të regjimit serb në luftën e fundit në Kosovë.

Nga 46 të ekzekutuarit në këtë masakër deri më tani janë identifikuar vetëm 12 trupa, ndërsa pjesa dërmuese, pra 34 mbesin ende të zhdukur. Ndonëse dihen autorët e krimit të cilët i kam dokumentuar në dy librat e mi për këtë masakër, përsëri drejtësia vendore e sidomos ajo ndërkombëtare nuk kanë bërë asgjë në zbardhjen dhe dënimin e merituar për autorët e këtij krimi makabër.

Dëshmitarët e Masakrës së Belegut, disa herë i kanë deponuar dëshmitë dhe faktet e tyre në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, por ende nuk ka ndonjë proces gjyqësor ndaj kriminelëve që vranë, masakruan dhe torturuan banorët e fshatit Beleg.

Sot, 22 vjet nga momenti i ndodhjes së Masakrës së Belegut, familjarët, të afërmit e të ekzekutuarve në Beleg mbesin me ankth, në pritje të ndonjë lajmi për trupat e tyre, varret kanë mbetur të hapura, me epitafe të shkruara, por mungojnë një grusht eshtra. Kaq kërkojnë familjarët e tyre, që sadopak t’iu zbutet dhimbja, si një vend për t’i ndje më afër, se per t’i vajtuar ata nuk e meritojnë, janë martirë të kësaj toke të lirë.

Aktualisht në të gjithë vendin janë të zhdukur rreth 1643 persona, Serbia e di saktë vendndodhjen e tyre, andaj duke qenë se jemi në prag të një marrëveshje me shtetin armik, si një i mbijetuar i masakrës dhe si qytetar i kësaj Republike iu bëj apel dhe thirrje në emër të gjithë familjarëve që t’i bëhet presion Serbisë për kthimin e të gjitha eshtrave të personave të zhdukur në Kosovë.

Familjarët e të rënëve jo vetëm në Beleg por edhe në nivel të Kosovës, asnjëherë nuk do të jenë të qetë përderisa kriminelët nuk e marrin dënimin e merituar.

Ankthin ata e kanë bërë pjesë të jetës, tash e 22 vjet.

Ky ankth shpresoj të mos vazhdoj në pafundësi.

Lavdi të rënëve në Masakrën e Belegut!

Të rënët në Masakrën e Belegut

Deri më tani nga Masakra e Belegut janë të identifikuar këta persona:

  • Shaqë (Curr) Binakaj
  • Hysni (Curr) Binakaj
  • Nezir (Ibish)Vishaj
  • Naim (Daut) Vishaj
  • Daut (Murat) Aliçkaj
  • Gëzim (Selmon) Vishaj
  • Jetmir (Arif) Mazrekaj
  • Qazim (Osë) Hulaj
  • Sadri (Adem) Zukaj
  • SHefqet (Curr) Belegu
  • Shaban (Haxhi) Kadriaj
  • Ali (Haxhi) Kadriaj

Ndërsa, shumica e të rënëve në këtë masakër ende nuk janë gjetur. Dhe, ende nuk dihet se KU JANË:

  • Zymer (Miftar) Binakaj
  • Brahim (Adem) Zukaj
  • Hamid (Dervish) Zukaj
  • Rexhep (Lum) Neziraj
  • Faton (Hasan) Vishaj
  • Fatmir (Halil) Vishaj
  • Ramë (Shaban) Kilaj
  • Sadri (Hajdar) Vishaj
  • Mujë (Isuf) Vishaj
  • Malë (Isuf) Vishaj
  • Zenel (Ukë) Vishaj
  • Hazir (Himë) Zukaj
  • Shaban (Ramë) Nitaj
  • Nekë (Halil) Binakaj
  • Hajdar (Hamëz) Mazrekaj
  • Ali (Avdyl) Mazrekaj
  • Bashkim (Lush) Hadergjonaj
  • Afrim (Lush) Hadergjonaj
  • Xhevdet (Bajram) Hadergjonaj
  • Muhamet (Bajram) Hadergjonaj
  • Mehmet (Halil) Tolaj
  • Xhevat (Ukë) Tolaj
  • Misin (Hajdin) Tolaj
  • Arif (Haxhi) Mazrekaj
  • Isa (Tahir) Tolaj
  • Sahit (Bekë) Mazrekaj
  • Hasan (Sahit) Mazrekaj
  • Sundim (Sahit) Mazrekaj
  • Naim (Hysen) Tolaj
  • Ragip (Osmon) Morina
  • Beqir (Idriz) Dervishaj
  • Tafë (Bekë) Dinaj
  • Smajl (Ramë) Ukëhaxhaj
  • Haxhi (Shaban) Kadriaj

Filed Under: ESSE Tagged With: 22 Vjet, Endrit Binakaj, Masakra e Belegut

Para 22 viteve Rugova takim me Dole, paralajmëronte lirinë – NATO-n në Kosovë

March 10, 2021 by dgreca

-Ishte 5 Marsi 1999, paralajmërim lirie për Kosovën. Me Senatorin Amerikan Robert Dole – të Dërguarin e  Posaçëm për Kosovën të Presidentit të Shtetetve të Bashkuara të Amerikës Bill Clinton, Presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova takim në Shkup, në kohën e konferencës ndërkombëtare për Kosovën/

– Konferencës së Rambujesë. Presidenti Rugova paralajmëronte edhe vendosjen e NATO-s në Kosovë…/

 -Vetëm pas më pak se tre javësh, në 24 Mars 1999 filloi fushata ajrore e NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe në Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi, pas së cilës nga mëngjesi i Ditës së Lirisë – 12 Qershorit 1999 forcat paqeruajtëse e shpëtimtare të NATO-s, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nisën të hynin në Kosovë…

-Në Zyrën e Senatorit Robert Dole  – i emeruari nga Presidenti  Ibrahim Rugova Përfaqësuesi i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës Elmi Berisha…/

-Tani në Prishtinë Senatori Amerikan Bob Dole është edhe Shtatore, e përuruar në sheshin me emrin e tij në 30 Gusht  2020 në 30 vjetorin e vizitës historike në Kosovë të delegacionit të Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës/

 KALENDAR-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË,  5 Mars 2021/ Para 22 viteve, në 5 Mars 1999, raportoja se Presidentit i Kosovës Ibrahim Rugova me anëtarë të delegacionit u nis nga Prishina për në Shkup për takim me Senatorin Amerikan Robert Dole – të Dërguarin e Posaçëm për Kosovën të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Bill Clinton. Takimi shumë i rëndësishëm mbahej në Shkup, pasi regjimi kriminal okupator serb e kishte pamundësuar në Prishtinë.

Takimi Rugova-Dole ishte edhe një paralajmërim lirie për Kosovën…

Ishte koha kur konferenca ndërkombëtare për Kosovën – Konferenca e Rambujesë, e nisur në 6 Shkurt 1999,  u ndërpre në 23 Shkurt pa rezultate përfundimtare, ndërsa vazhdimi i saj u thirr për datën 15 Mars në Paris.

Ishte si sot 5 Mars, ditë e Premte…Presidenti historik, Dr. Ibrahim Rugova,  në Prishtinë i kthyer nga Rambujeja e para nisjes përsëri për atje drejt Parasit në një konferencë shtypi në 5 Mars 1999 paralajmëronte nënshkrimin  para 15 Marsit  të Marrëveshjes së Rambujesë, për të cilën një ditë më vonë dha miratimin edhe Kuvendi Republikës së Kosovës së Deklaratës së 2 Korrikut e Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990, si dhe Referendumit të 26 deri  30 Shtatorit 1991 me votim 99,87 për qind për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur. Në konferencën për shtyp ku ishte edhe korrespondenti tash i Gazetës DIELLI, Presidenti Rugova paralajmëronte edhe vendosjen e NATO-s në Kosovë…

Dhe, vetëm pas më pak se tre javësh, në 24 Mars 1999 filloi fushata ajrore e NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe në Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi, pas së cilës nga mëngjesi i  Ditës së Lirisë -12 Qershorit 1999 forcat paqeruajtëse e shpëtimtare të NATO-s nisën të hynin në Kosovë,  në vendin që në 2021-tën feston 22 vjetorin e lirisë e 13 vjetorin e pavarësisë së shpallur në 17 Shkurtin historik 2008.

Ashtu si paralajmëronte Presidenti Rugova, në mes të marsit përfaqësuesit e Kosovës nënshkruan Marrëveshjen e Rambujesë/Parisit për Kosovën, ndërsa Beogradi – pala serbe refuzoi ta nënshkruajë. Ishte hapur rruga për ndërhyrjen ushtarake për Kosovën të NATO-s, forcës më të madhe planetare, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 Në 29 Maj 1998, Presidenti Rugova në Uashington ishte takuar me Presidentin Amerikan Bill Clinton. “Ne ritheksuam se zgjidhja më e mirë për Kosovën do të ishte shteti i pavarur”, deklaronte Presidenti Rugova pas takimit. Ndërsa, Presidenti Clinton tha se Kosova është një nga shqetësimet amerikane dhe se SHBA-të do të intensifikojnë angazhimin për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në kuadër të Grupit të Kontaktit dhe të NATO-s…

Në mbrëmjen e 24 Marsit 1999, kur ndodhi ndërhyrja shpëtimtare e NATO-s me bombardimin e caqeve të forcave kriminale serbe, në terrin e natës dhe të okupimit të egër, drita e shpërthimeve të goditjeve nga qielli të aviacionit të forcës më të madhe planetare shihej si një shpresë e besim për të ardhmen e ëndërrave për lirinë e paqen derisa në Kosovë kishte marrë përmasa gjenocidi terrori i spastrimit etnik kundër shqiptarëve.

“Tani, bindja jonë e fortë për gjithçka që po ndodhë në Kosovë është e vetmja shpresë e popullit të Kosovës”, theksone në atë ditë e orë historike, Presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton,  derisa nga Shtëpia e Bardhë  i drejtohej kombit amerikan, duke folur për zhvillimet tragjike në Kosovë dhe ndërhyrjen shpëtimtare të  NATO-s…

 Njëmbëdhjet vite pas takimit në Uashington, në 1 Nëntor 2009 në Kosovën e lirë Presidenti Amerikan Bill Clinton, në fjalën e tij në Kuvendin e Republikës së Kosovës, por edhe në sheshin me emrin e shtatoren e tij në Prishtinë, ka përkujtuar Presidentin historik Ibrahim Rugova dhe një gurë kristali të cilin ai ia kishte dhuruar. 
“Ai gurë kristal të cilin ma dha Rugova i është dhuruar një universiteti, por për një kohë ai ishte i njohur edhe në SHBA me emrin ‘Guri i Rugovës’”, tha Presidenti amerikan Clinton. 
“Atëherë, ai (Rugova), më tha se duhet të na ndihmosh”,  ka përkujtuar ish-Presidenti i SHBA-ve, Clinton gjatë vizitës në Kosovë.

Presidenti Amerikan Clinton me rastin e shuarjes në 21 Janar 2006 të Presidentit Kosovar Rugova shprehej: “Kam pasur nderin ta mbështes luftën e tij për paqe dhe liri”…

NË ZYRËN E SENATORIT ROBERT DOLE  – PËRFAQËSUESI I KOSOVËS NË SHBA ELMI BERISHA

Presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova kishte të emëruar Përfaqësues të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – në Zyrën e Senatorit Robert Dole, mikut të madh të tij e të gjithë shqiptarëve, të cilin edhe e ka dekoruar. I emëruari ishte Elmi Berisha, tani kryetar i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, i cili ishte edhe ceremoninë kur Senatorin Amerikan Robert Dole e dekoroi Presidenti i Kosovës  Ibrahim Rugova, ku ishin bashkë…

Në pranverën e vitit 2004 në vizitën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në 27 Prill, në selinë e OKB-së në Nju Jork, Presidenti historik Ibrahim Rugova takohet me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Kofi Anan, kërkon njohjen e pavarësisë së Kosovës. Rugova gjatë kësaj vizite takon edhe guvernatorin e Nju Jorkut, Xhorxh Pataki dhe 20 ambasadorë të shteteve anëtare të OKB-së.

Nga raportimet e medias për vizitën e Presidentit Rugova në Nju Jork citohet edhe Elmi Berisha si person i veçantë kontaktues në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në arkivin tim nga ajo kohë kur isha kryeredaktor i gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja ruaj edhe këtë shkrim nga Nju Jorku të medias Amerikane të transmetuar nga Qendra për Informim e Kosovës:

29 Prill 2004: GAZETA “POUGHKEEPSIE JOURNAL” PËR VIZITËN E PRESIDENTIT RUGOVA NË NJU JORK

Nju Jork, 29 prill 2004 – Kur Elmi Berisha erdhi nga Kosova na Uapingers Falls, para 15 vjetësh, ai e filloi një luftë të gjatë për prosperitetin dhe pavarësinë e vendit të tij. Kjo luftë për paqe e bëri mbrëmjen e së martës të veçantë për Berishën, pasi që zyrtarët lokalë u përshëndetën miqësisht me kryetarin e Kosovës, Ibrahim Rugova, në Hajd Park.


“Ndihem shkëlqyeshëm”, tha Berisha, ‘sepse presidenti im… vendosi që të vijë në Shtetet e Bashkuara për t’i treguar qeverisë amerikane se sa mirënjohës janë ata për atë që Amerika ka bërë për ta pesë vjet më parë”.


Vizita e Rugovës në Qendrën e Vizitorëve dhe të Konferencës “Henry A.Wallace” dhe në vendin historik “ranklin D. Roosevelt” është hera e parë që një udhëheqës i huaj ka qenë në qendër, që nga hapja e saj në nëntor. Ajo poashtu shënon miqësinë e vazhdueshme nëpërmjet Uapingers Fallsit dhe Kosovës – vitin e kaluar fshati Datçes Kaunti u binjakëzua me Klinën.


Ndërkohë që Rugova e mori një stemë nga zyrtarët e fshatit Uapingers Falls, në shenjë nderimi për punën që ai e bëri për pavarësinë e vendit të tij, Rugova dhuroi një gur të vogël të çmueshëm nga mineralet e vendit të tij. Berisha tani shërben si person i veçantë kontaktues në Shtetet e Bashkuara.


Rugova është në mes të vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara, gjatë së cilës është takuar edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Kofi Anan. Të hënën, Rugova është takuar edhe me ushtarët e Gardës Kombëtare të Ushtrisë së Pensilvanisë, në luginën Suskuehana, për t’i falënderuar ata për shërbimin e tyre në Kosovë.


Udhëtimi në AWallace Centar@ ishte inspiruar nga admirimi i Rugovës për Frenklin Rusveltin dhe kjo ngjarje mblodhi një numër të zyrtarëve lokalë, të cilët patën një darkë me kryetarin. Kuvendari shtetëror Xhoel Miller, ishte i pranishëm, sikurse edhe prefekti i Bikonit, Klara Lu Gould dhe mbikëqyrësi i qytetit të Hajd Parkut, Jensi MekArthur.


“Ne jemi në shtëpinë e presidentit të njohur amerikan”, tha Rugova, përmes zëdhënësit dhe përkthyesit të tij, Muhamet Hamiti. Më herët, ai iu referua marrëdhënies ndërmjet Amerikës dhe Kosovës si një “miqësi e përhershme dhe e qëndrueshme”.


Miller tha se ishte nder që është përfshirë në mbrëmje dhe e shprehu admirimin për punën e Rugovës për pavarësinë e Kosovës.


“Është unike të kesh një udhëheqës ndërkombëtar në shtëpinë tënde, prandaj kjo është tejet ngazëllyese”, tha Miller, i cili poashtu e lavdëroi Rugovën për mbështetjen e Shteteve të Amerikës në luftën kundër terrorizmit.
Komuniteti i fuqishëm shqiptar në Bikon e nxiti pjesëmarrjen e Gouldit.


“Kjo është për të treguar respekt për ta”, tha ajo për vizitën e saj në “Wallace Center”.

PRISHTINA ME TRE SHTATORE TË PERSONALITETEVE TË SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS

Tani në Prishtinë Senatori Amerikan Bob Dole është edhe Shtatore, e përuruar në sheshin me emrin e tij në 30 Gusht  2020 në 30 vjetorin e vizitës historike në Kosovë të delegacionit të Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kjo është shtatorja e tretë e personaliteteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kryeqytetin e Republikës së Kosovës.

Në Prishtinë në 1 Nëtor 2009 është përuruar  Shtatorja e Presidentit Amerikan Bill Clinton në bulevardin me emrin e tij, ndërsa  në 12 Qershor 2019 në festimet e 20 vjetorit të lirisë së Kosovës u bë edhe përurimi i Shtatores së Sekretares Amerikane të Shtetit, Madeline Albright në sheshin me emrin e saj. Në Kryeqytetin e Kosovës është edhe Bulevardi me emrin e Presidentit Amerikan George Bush, te Katedralja Shën Nëna Terezë…

Filed Under: Featured Tagged With: 22 Vjet, Behlul Jashari, Bill Clinton

Në 22-vjetorin e Konferencës së Rambujes

February 2, 2021 by dgreca

VEPER E HISTORISE POLITIKE/

Ramë Buja: Kosova në krizën Jugosllave, ribotim,Prishtinë 2011/

Shkruan: Ismail Gashi-Sllovia/

Ramë Buja tashmë i njohur për të gjitha moshat e nivelet atdhetare, arsimore, publicistike, shkencore e politike shqiptare. Rama njihet që, nga ilegalja, njihet për organizator e pjesëmarrës aktiv i demonastratave 1981, njihet i burgosur politik, pajtimtar në Aksioni e Pajtimit të Gjaqeve 1990. Në vazhdim 1990-1998, njihet edhe për veprimtar,anëtarë I kryesisë në  LDK. Nga e cila, bashkë me disa veprimtarë të tjerë, që mendonin ndryshe nga qëndrimet, programi dhe statuti i kësaj partie politike, më 1998 u larguan prej saj, formuan LBD, nga e cila Ramë Buja u nda, rroku armën dhe u rreshtua në Ushtrinë Clirimtare të Kosovës. Në hiarkinë komanduese e politike të së cilës u zgjodh në SHP të UCK-së, Ishte Kryeshef i Drejtorisë për Marrëdhënie Publike dhe Administratë Civile, Anëtar i Drjetorisë Politike dhe Kur Cështja e Kosovë mori nam ndërkombëtar.  Rastisi që emiri e mbiemri i Ramë Bujes, konicidoi me selinë e Konferences për Kosovën Rambujen në Francë. Këtë rast historik për Kosovën Ramë Buja e arsyetoi, jo vetëm me kontributin e tij në Rambuje e Paris, por edhe me veprimtarinë shkencore-politike në temën e magjitraturë e doktorratës të cilat i parashtroi me thellësi analitike, prej një kronisti faktografik, të shtruar me aparaturë të lartë shkencore. Institucionet në Kosovën e pasluftës me Ramën gjeten përsonalitetin meritor për kryerjen e shume obligimeve dhe detyra te rëndësishme partiake dhe shtetërore. Ministër në Pushtetin Lokal dhe Bashkëdrejtues në Drejtorinë e Pushtetit Lokal. Deputet dhe anëtar i kryesisë së Kuvendit të Kosovës, atualisht Minister MAHT dhe pedagog i delluar univresitar. Kjo vepër është  ribotim i plotësuar nga teza e doktorratës, botuar më 2007 me titull,”Cështja e Kosovës dhe shkatërrimi i Jugosllavisë”.

Vepra “Kosova në krizën Jugosllave” në vete përmban një histori ngjarjesh të një kohe dinamike shqiptare, në vete ka një altileri faktografish të shtruara me një thellësi analizash shkencore. Eshtë vepër e një përceptimi të ngjarjeve që ka një ndërtim përmbajtësor të shtruar në shtatë kapituj, nga gjashtë sa kishte botimi i pare, të shtrirë në kronologji kohe dhe ngjarjeje me thellësi analitike, që mbulon perioden e një rënie të rrëmbyeshme me pasoja të rënda njerëzore. Autori që në kapitullin e parë, “Vitet e fundit të ish-Jugosllavisë”, shtron plasatritjen e kësaj grehine dhe shtron zhvillimet e padrejtësisë historike, për të cilën natyrshëm parasheh rënie te rrëmbyeshme. Lexuesit apo studiusit, në këtë vepër I hiqen paqartësitë nga njohurit e padejtësive historike dhe krizës së shkaktuar nga mosdurimi i dhunës të popujve që përjetuan dhembje shpirtërore e shkatërrime materiale nga kjo krijesë fantazëm. Kur kriza mori shtrirje në ish-Jugosllavi sa arriti ashpërsinë e pastrimit etnik,.zgjoi vemendjen e qendrave ndërkombetare për zgjidhjen e problemeve njerëzore. Qendrat e politikës ndërkombëtare, si Konferenca Hagës, me qëllim parandalimi të krizë, në fillim parciale, e në vazhdimësi thellimin e qartësimit të problemeve  të popujve për të shpëtuar katastrofën njerëzor, me Konferencën e Londrës dhe Dejtonit, të cilat ndërmorrën veprime konkrete të shuarjes së konfliteve në ish-Jugosllavi. Por, asnjëra nga këto, nuk zgjodhën gadi asgjë nga kërkesat aktuale shqiptare. Por, të shtruara që nga 1981. Shpërbërja e Jugosllavisë ishte problem i madh ndërkombëtar. Ramë Buja, deshmitari dhe bashkohësi i kohës dhe pjesëmarrësi aktiv  këtyre ngjarjeve, zgjodhi këtë temë si  përkushtimit obligativ kombëtar personal dhe angazhimit shpirtëror, fizik, politik e ushtarak për rrënimin e saj. Kjo krijesë shkaktoi shqetësime njerëzore, diplomatike e ushtarake ndëkombëtare. Autori analizon detaisht zhvillimin e proceseve që nga centralizmi 1945, decentralizmi, vetëqeverisja e qeverisja shoqërore, kushtetutshmëria, rëniet dhe ndryshimet kushtetuese pas 1968, simbolet kombëtare shqiptare, Universiteti, Demostratat e 1981, 1988 e 1989, do të vazhdojë më 1990 e deri më 1999, Ushtria Clirimtare e Kosovës dhe sulmet e NATO-së.  Fillimi i rënies 1991 ishte  pasojë e problemeve të grumbulluara, i kësaj urrejtjeje patologjike ndaj shqiptarëve e ndertuar keq nga kisha serbe, ASSHA dhe nga 24 elaborateve mbrenda 1840-1999 për zhdukjen e shqiptarëve, e deri në metodat populiste. Kthimi në politikën historike, apo histori politike që nga Traktati i Shën Stefanit 1878, Konferenca e Berlinit, Traktatin e Londës 1913, Versaji 1918, Jallta 1945. Tëgjitha këto fakte e ngjarje te mdha historike autori i vendos ne vendin dhe arsyen e duhur që të shtron shkaqet dhe te nxjerr e arsyeton pasojat.

Në kapitullin e dytë Konferencën e Hagës me dy komisionet brenda saj, ate të Badinteri e cila Kosovën nuk e njohu për element kostituiv, pa katër republikat Slloveninë, Kroacinë, Bosne e Hrecegovinën dhe Maqerdoninë. Andaj Kosova u nda  nga heshtja, detyrimisht zgjodhi luftën. Ndërsa, çështja e Suksedimit të Jugosllavisë.  Ramë Buja shtron shkurt dhe jep mundësinë njohëse para se të marrim pozicion anues, Kur është fjale e të drejtës trashigimore të republikave RSFJ dhe pjesës së trashiguar padrejtesisht RFJ. Autori zberthen termin Suksedim, ndryshim territorial i shtetit dhe Suksedim, zëvendsim i një shteti nga shteti tjetër. Për këtë, Kosova nuk deponoi kërkesë dokumet. Konferenca e Hagës nuk ofroi zgjidhje as Deklara e Lisbonës, nuk do ta pranojnë entitetin e ri federativ vetëm nga Serbia e Mali I Zi. Kosova për shkak të rrethit të dytë robrues u pengua nga Serbisa të merr hisen e pasurisë, që ishte dyfish më i madh se borxhet, të cilat i përvetësoi Serbia. Dëmet e luftës, shkuan në dam të Kosovës, sikur gjithë janë fajtor natyral, e askush nuk eshte fajtor logjik. Konferenca e Hagës ndezi luftën në Bosne problemi shkoi ne Lisbonë e Bruksell, ndësa Londra III, nuk solli asgjë të re. Ramë Buja Londrën do ta analizon në Kapitullin e Tretë. Londra e 1913 shqiptarëve ju propzoi  vetëm autonomi. Avansim shtetëror do plotësohet me iniciativen e Austrohungarisë dhe Italisë. Ndërsa, Konferenca e Londrës 1992, si Versaji 1918, shqiptarët, i la jashtë Konference edhe pse ishin disa delegacione. Kjo konferencë shkatoi masakrat e Srebrenicës mundësoi qeveri trietnish në Bosne. Kosova u trajtua çështje minoritare në pajtim me konventat ndërkombëtare të OKB, OSBE. Kosova mbeti interes i Konferencës së Paqës në Gjenevë dhe bisedave serbe-shqiptare për arsimin dhe në cilësinë e pakicës. Vetëvendosja, si shkallë më e lart e të drejtës njerëzore Krashi ngjarjeve të ashpra ne kroaci e Bosne për shqiptarët e aneksuar nuk u njoh. Edhe nga ndërkombëtarët shenjë positive ishte “Vija e Kuqe Amerikane”, trupat paqësore dhe vëzhguesit ndëkombëtar, veçmas dalja dhe shkelqimi i UCK 1997-1999.

 Kapitulli i Katërt, Konferenca e Dejtonit, me rolin adekuat të subjektit meritor SHBA-ve për krizën Jugosllave, me Marrëveshjen e Vashingtonit. amerikanët ndërpren ndihmat për sërbinë. Derisa nuk ishin  kryevendi për Bosne e Kroaci, tash amerikanët marrin rolin prisë. Meqë në këto treva jugosllave ishin kryer krime, SHBA, vendosin mos të lejohet që Serbia të zgjerojë krimet në hapësira tjera, si në Kosovë. Fundi i luftimeve sipas planit të Lisbonës, Hagës, Londrës e Gjenevës nuk doli frytdhëns. Fatalitetet njerzore, Reçaku në Kosovë, në Bosne ishte Tregu i Sarajevës 1995. Dejtoni i dha fund luftës në Kroaci e B. H, Kosova kuptoi se konferencat e dritashme ndërkombëtare nuk sollën gadi asgjë për Kosovën, kërkohej angazhim i fort për një Konferencë ndëkombëtare, kreyesisht për Kosovën. Pasi konferencat e dritashme, Dejtoni, pas Hagës e Londrës rrenoi shpresat shqiptare për zgjedhjen paqesore te problemit shqiptar. Kosova nuk u zu në gojë as në Brione e Lisbonë. Kosova mbeti vetëm në Marrëveshjen Xhentlemene, Hollbruk-Milosheviq, politika paqësore shqiptare kënaqej pa luftë, me status si sërbet e Krainës, pasi ju bë e qart se, në Dejton u ftuan vetëm ata që luftuan, kjo ishte një arsye për ndërrim të qëndrimit. Edhe nje mësim ishte nga Alia Izetbegoiviq, i cili për asnjë qast nuk e braktisi popullin e Tij, Ai arriti të ngriste një komb. Autori vizon se, “Alia nuk kishte mund të bënte gjithëçka, por kishte bërë gjithëçka, që kishte mundur”.

“Ekzistojnë momente, kur historia gjendet në daurt e vetëm disa njerëzve”, Kështu ju drejtua Zhak Shirak dy delegacioneve, ditën e parë në Rambuje 7 shkurt 1999.  Gjithë këte epokë që lëvizte ngjarjet, me sakrifica drejte lirisë së popullit, Eshtë kapitulli i pestë për  Konferencën vetëm për Kosovën dhe shqiptarët në Rambuje e Paris të Francës.  Rastisja historike e njajsisë së selisë Rambuje të Francës me emrin e mbiemrin  e autorit të këtij libri Ramë Bujes është koinqidencë, kurse koinqidenca e dytë, përseritja pozitive e veçantisë historike shqiptare, Londra e 1913 me Isa Buletini amatosur dhe Delegacioni e UCK-së, Ramë Buja, Bexhet Haliti e Azem Syla, në dieni të organizatorit të Konferencës së Rambujes. Delegacioni i UCK-së shkoi jashtë çdo rregulle i armatosur në aeroportin e Prishtinës dhe në kalanë mesjetare të Rambujes, aty dorëzuan armët, vetëm deri sa  bisedohet.

            Konferencat ndërkombëtare për krizen në ish-Jugosllavi, ishin mbajtur pa Kosovën dhe shqiptarët. Komisioni i Badinterit, Kosovën nuk e njohu as për trem gjeografik. Pa Kosovën u mbaj edhe Konferenca  e Londrës dhe Gjeneva. As Dejtoni nuk e ftoi Kosovën. Por, Rambujeja u organizaua kryesisht dhe vetëm për Kosovën, Kjo kështjellë mesjetare, ndërkombtarizoi çështjen shqiptare në Kosovë. Vetëm këtu Kosova, fal veprimeve ushtarake kishte arritur të jetë temë bosht dhe e vetme për zgjidhje. Në Rambuje shqiptarët kishin nje delegacion të sajuar nga subjekti ushtarak-politik, dy delegacione nga dy subjektet partiake dhe dy pjesëmarrës të pavarur. Ky ishte delegacion me një qëndrim dhe pëfaqësim të përbashkët. Rambujeja e organizuar, e udhehequr dhe e mbikqyrur nga ndërkombetarët, për shkak të delegacionit të padinitetshëm serb, në Rambujeja nuk finalizoi zgjidhjen e synuar politike. Delegacioni shqiptarë i shoqeruar edhe nga ekspertet vendor dhe ndërkombetar, ishte i denjë për bisedime e marrëvshje. Rambujeja zyrtrizoi në nivel të diplomacisë ndërkombëtare UCK-në dhe çështjen e Kosovës. Nënshkrimi i marrëveshjes në Paris, pas konsultimeve me popullin dhe subjektet shqiptare, ishte menquria diplomatike e delegacionit dhe popullit shqiptare. Veprimi rrefuzues nga pala serbe dhe përfaqesuesit rusë, shpëtoi Kosovën nga një mangësi historike, që do të sillte kjo marrëveshje e pranueshme ndërkombatrisht. Sërbia zgjodhi fatin e keq, bombardimin 87 ditësh të NATO-së. Po të nënshkruhej marrëveshja edhe nga pala sërbe, nuk do të dihej për sa kohë, do ti kishim 12.000 ushtarë sërb në Kosovë, tre deri katër mijë policë, Kufijtë do ti ruante Sërbia, kurse shqiptarët nuk do të mund të ofroheshin kufirit më afër se 5 km. Doganat do ti kontrollonte KFOR-i dhe Sërbia , Kosova, çfarë do të ishte, sigurisht do të ishte pa institucione e simbole të nivelit shtetëror, pa FSK, dikur TMK dhe pa gjysmën e popullatës shqiptare. Ndoshta Republika e Kosovës, edhe shumë kohë do të ishite pa shtetësi e shumë mangësi instutucionale e shtetërore dhe mosnjohje të subjektivitetit ndërkombëtar. Megjithate, paqartësi e ngecje shkaktoi edhe Marrëveshjen e nënshkruar mes subjekteve shqiptare në Rambuje për Qeverinë e Përkohshme të Kosovës, që nuk u zbatua nga gjithë të nënshkruarit, Kosovës i kushtoi me hapësira manevruese të subjekteve ndërkombëtare për qeverisjen e Kosovës. Ramë Buja në ribotim te kësaj vepre ka plotësuar çështjen e Luginës së Preshevës, Marrëveshjen e Konqulit dhe UCPMB, ndërprejen e konfliktit në dem të lirisë së shqiptarëve, edhe pse kjo marrëveshje  ndërkombetarizoi çështjen shqiptare në këto treva etnike. Plotësimi i arsyeshëm  kësaj vepre autorit i mundësoi të trajton edhe çështjen shqiptare të Pollogunt dhe trevat tjera etnike shqiptare në IRJM. Luftrat e UCK-së, Ushtrisë Clirimatre Kombëtare dhe Marrveshjen e Ohrit, për të drejten shtetformuese të shqiptarëve në IRJM. Kjo Marrëveshje bëri që shqiptarët të njohin tërësinë e shtetit maqedon. Autori analizon me fakte e dokumente historike e diplomative bërjen dhe zhbërjen e Unionit Serbi-Mali i Zi. Në kapitullin e shtetë. Ramë Buja, akteri i gjitha fazave të zhbërjes së Jugosllavisë, Përvoja e gjatë e veprimtarisë së zhbërjes, dëshmoi cilësinë e bërjes së shtetit të ri të Kosovës, për të cilin kontribuan shumë gjenerata, të cilat këte kala shqiptare e filluan ndër breze e mote. Por, nderi e lavdia bije në brezin e autorit dhe kreatorit te kësaj mrekullie pozitive historike të aspiratës kombëtare shqiptare, sa edhe vlerës së një monumenti të së drejtës kombëtare e njerëzore. Në kpaitullin e shtatë autori shton ngjarjet diplomatike e veprimet politike në Kosovën e pasluftës, maratonën e bisedimeve shqiptare-serbe të Vjenës të cilat u krijuan vetëm për blerje kohe. Pakoja e Ahtisarit, kompromisi ynë me i madh diplomatic, politikë, shtetëror dhe ishte një sakrificë kombëtare, ishte një synim i arritur historik i shumëpritur, që do të hap horizant ecjeje deri te Shpallja e Pavarësisë të Kosovës, 17 shkurt 2008, shtet i pavarur demokratik dhe vazhdimin e shtetndërtimit deri në ditët e sotshme. Vepra është shumë e begatë me faktografi shkencore. Autori ka përdorur literaturë shkencore të autorëve e diplomatëve vendor e ndërkombëtar. Ka përdorur mbamendjen dhe kujtesën e fort personale, shenimet dhe ditarin personal dhe një korpus burimesh për e rreth ngjarjeve, ka konsultuar draft marrëveshjeje e marrëveshje, drafte dokumentesh ndiplomatike dhe dokumente nga Konferencat që i ka marr në shqyrtim, organizuar për zgjidhjen e çështjes në ish-jugosllavinë, njësitët shpërbërse dhe ndarjet nga tërësia e saj. Po cekim këtu se gjuha e autorit në këte vepër, është mendimi logjik, pasuria leksikore dhe fuqia thurrëse e mendimit sintakësor filozofik, çartësia e mendimit, pastërtia gjuhësore, rrjedhshmëria e ngjarjeve dhe logjika semantike e autorit e shprehur në këte vepër.

Filed Under: Featured Tagged With: 22 Vjet, Ismail Gashi

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT