• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

HOMAZH DHE NDERIM NDAJ SAKRIFICËS HISTORIKE PËR LIRINË E KOSOVËS

February 3, 2021 by dgreca

Reshat Sahitaj, Kryetar i Unionit të Shkrimtarëve dhe Kritikëve Shqiptarë në Prishtinë, në një rrëfim ekskluziv dhënë gazetarit Sokol PAJA, për gazetën “DIELLI”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, paraqet para publikut të gjërë librin ‟Adem dhe Hamëz Jashari”, një vepër studimore dhe publicistike në nderim të sakrificës historike të familjes Jashari për liri dhe pavarësi.

NJË VEPËR STUDIMORE HISTORIKE NË NDERIM TË ADEM E HAMËZ JASHARIT

Që nga vrasja e Adem e Hamëz Jasharit dhe familjeve të tyre janë bërë shumë manipulime nga individë, organizata e parti politike me dy qëllime të caktuara : e para për të përfituar prestigj dhe qeveri, e dyta për të zhvlerësuar rezistencën heroike të një familje të vetme kundër një ushtrie të armatosur më teknikën më moderne. Andaj, që nga paslufta e deri në ditët e sotme më ka interesuar pse një pjesë e shqiptarëve heshturazi e herë herë edhe në shkrime të tyre tentojnë ti zhvlerësojnë këto figura të cilat nuk kishin çka të jepnin më shumë se edhe jetën e tyre për çlirimin e Kosovës, e në anën tjetër, pse disa tjerë gënjejnë duke sajuar se ishin bashkëluftëtarë të Adem e Hamëz Jasharit, e në fakt të tillët nuk i shkuan në ndihmë as në vendin e ngjarjes ku zhvilloheshin luftimet e as në pozitat e tyre në Zona Operative që ata kishin krijuar bazat. Pra, këta janë faktorë që më nxitën të bëj një vepër në të cilën historia e tyre të shkruhet nga personalitete të njohura shqiptare në mënyrë sa më objektive të mundshme. 

ÇFARË PËRMBAN LIBRI PËR JASHARËT 

Libri ‟Adem dhe Hamëz Jashari” ka disa kapituj dhe hapet me publicisten e njohur Shpresa Mulliqi, e cila ka pasur guxim që të shkojë e të bënte intervistë me Ademin, Hamzën dhe anëtarët e familjes Jasharaj kur ata ishin në përgatitje për rezistencë. Në të njëjtin kapitull lexuesi ynë për herë të parë do të mësojë për stërvitjet ushtarake të Adem e Hamëz Jasharit, për të cilët shkruan kujtimet e tij Koloneli i karrierës Hysen Gecaj. Këtë kapitull e plotëson edhe Dr. Sulejman Abazi nga Tirana me fakte e dëshmi të reja nga pervoja e tij personale. Po në të njëjtin kapitull një analizë të thuktë e bën edhe historiani nga Prishtina Metush Zenuni i cili ishte pjesëmarrës në takime të shumta të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, i cili në mënyrë brilante e sqaron tërë procesin që nga fillimi i orgnizimit e deri në përfundim të vrasjes së këtyre dy figurave dhe familjeve të tyre. Kapitulli i dytë përfshin si është trajtuar figura e Ademit dhe Hamzës në letërsi, teatër, film, skulpturë etj. Prof. Asoc. Dr. Myrvete Dreshaj Baliu shkruan lidhur me trajtimin e këtyre figurave në letërsinë shqiptare, ndërsa Prof Dr. Ilir Muharremi mbi trajtimin e këtyre figurave në skulpturë. Nuk është lënë anash as trajtimi në film dhe teatër për të cilën shkruan regjisori Dibran Fylli e shumë të tjerë. Libri përfundon me dy kapituj të tjerë ku krijuesit tanë të rritur i dedikojnë vargje këtyre figurave tona kombëtare, ndërsa  kapitullin e fundit u kemi dhënë hapësirë poezive të shkruara nga fëmijët e klasave fillore të cilët me dashuri i kushtojnë poezi Ademit dhe Hamëz Jasharit. 

PSE ËSHTË BËRË PAK NGA SHKRIMTARËT, BOTA UNIVERSITARE E MEDIA NË KOSOVË PËR TË DEMASKUAR KRIMET SERBE NË KOSOVË

Pyetja juaj është komplekse dhe duhet shumë për të ardhur deri tek një përgjigje adekuate. Do mundohem të bëj një përmbledhje sa më të shkurtër e të saktë. Një pjesë e madhe e krijuesve tanë janë ngritur nga sistemi i kaluar pavarësisht nga aftësitë e tyre letrare apo shkencore. Akademia e Shkencave po ashtu ka grumbulluar një pjesë të madhe të ish bashkëpunëtorëve të Serbisë, të cilët as që mendojnë të bëjnë diçka për Adem e Hamëz Jasharin sepse u hidhërohet padroni i tyre në Beograd. Mediat tona më shumë u japin hapësirë bashkëjetesës me serbë, sepse në të kundërtën nuk do marrin ndihma materiale. Ministria e Kulturës nuk financon vepra me karakter nga lufta, apo financon me një shumë simbolike që krijuesit nuk i dalin as për shpenzime të botimit. Kemi shumë krijues që veprat e tyre mbi masakra që kanë bërë forcat serbe nuk ua financon asnjë ministri e asnjë biznesmen. Krimet serbe që i kanë bërë mbi popullsinë shqiptare civile do të denoncoheshin përmes botimit të librave në disa gjuhë të huaja, përmes filmave dokumentarë, filmave artistik etj. 

SI I KOMENTONI AKUZAT NDAJ UÇK DHE ARRESTIMIN E ÇLIRIMTARËVE

Lidhur më këtë unë mendoj ndryshe nga të tjerët. Në këtë rast nuk po akuzohet UÇK-ja por disa individë (personalitete me përgjegjësi gjatë dhe pas luftës) të cilët dyshohen se kanë bërë krime. Të gjithë të akuzuarit fshihen pas emrit UÇK, në mënyrë që ta kenë përkrahjen masive të popullit në organizimin e ndonjë demonstrate para Gjyktës në Hagë apo edhe në Prishtinë. Sipas Konvetes së Gjeneves ndalohen dhe dënohen krimet ndaj popullatës civile. Në çdo shtet të botës së civilizuar dënohen ushtarët, oficerët dhe përgjegjësit e asaj ushtrie që kanë lejuar të bëhën krime ndaj civilëve. SHBA dënon ushtarët dhe oficeret për krime në Irak, Franca po ashtu i dënon oficerët e vet për krime që kanë bërë mbi popullsinë civile. Të dyshuarit tanë që janë në Hagë e të tjerët që do shkojnë duhet të tregojnë pafajësinë e tyre. Unë do e kisha shtruar pyetjen tjetër : të akuzuarit të dyshuar për krime lufte a po akuzohen për vrasje të ushtarëve serbë apo për vrasje të ushtarëve e civilëve shqiptarë ? Kësaj do ia shtoja edhe pyetjen tjetër : pse Hashim Thaçi, Kadri Veslei e të tjerët në vitin 2015 kur e aprovuan ligjin në kuvend për krijimin e GJ.S, nuk e kërkuan edhe dënimin e kriminelëve serbë ?!  Kriminelët serbë lirshëm shëtisin në Kosovë e madje ndonjëri prej tyre ishte deputet në kuvendin tonë. Lidhur me këtë kam shkruar në shtypin tonë të përditshëm që nga Raporti i Dick Martit, e madje kam biseduar personalisht me Thaçin e Kadri Veselin të cilët nuk ndërmorën asnjë hap. Pse nuk kërkuan dënimin e kriminelëve serbë ?! Vetëm ata e dinë.

SI DO DALË KOSOVA PAS KËSAJ PËRBALLJE ME DREJTËSINË NË HAGË ? 

Procesi i Hagës është në fillim dhe askush nuk mundet të dijë epilogun. Ka mundësi që ndonjëri nga personalitetet e dyshuara të dënohet rëndë, siç ka mundësi në mungesë të dëshmitarëve , apo nga akuzat e rrejshme shqiptaro-serbe të mos dënohet. Kjo varet edhe në bazë të zhvillimeve politike në Kosovë. SHBA dhe Europa nuk dëshirojnë që Kosova të deshtojë, sepse pa ndihmen e tyre ne do mbesnim edhe mijëra vite nën sundimin e Serbisë. 

A PO LUAN EUROPA PADREJTËSI ME SHQIPTARËT E KOSOVËS

Duke qenë personalisht pjesëmarrës në shumë takime diplomatike në mes personaliteteve europiane dhe të gjitha personaliteteve politike kosovare, po e shpreh mendimin tim ashtu siç ka qenë e siç jemi sot. Historikisht ne shqiptarët gabimisht i kemi drejtuar akuzat kundër Europës. Kur Fuqitë e Mëdha e munden Perandorinë Osmane, ne kerkonim Autonomi në kuadër të Perandorisë gjë që nënkuptonte që territori i Turqisë të shtrihej deri në Ulqin e Sarandë. Europa kishte luftuar për shkatërrimin e Perandorisë Osmane, e ne kerkonim qëndrimin e tyre në trojet tona dhe në vend që të kërkonim pavarësi, ne kërkonim autonomi. Si rezultat Fuqitë e Mëdha na coptuan që të mos e linin Turqinë të dilte në Adriatik. Ishte padrejtësi që na u bë, por pas çdo lufte aleatët i ndajnë territorët që ishin kundër tyre. Fituesi i një lufte nuk ka mëshirë mbi popullin tjetër kundër të cilit ka luftuar dhe ka fituar. Gjatë viteve të ’90-ta kur të gjitha Republikat e Jugosllavisë dëshironin shkëputje nga Jugosllavia, ne shqiptarët kërkuam autonomi të zgjeruar. Kur Europa dhe SHBA në Gjykatën e Hagës Kosovën e Pavarur e shpalli të ligjshme, ministresha jonë Edita Tahiri, Kosovës sonë të pavarur ia shtoi fluskën që ta bënte ende të varur nga Serbia. Delegacioni ynë me dëshirë e krijuan Bashkësinë e Komunave serbe duke i shtuar më tepër komuna se sa serbet kërkonin. Europa e as SHBA nuk kanë të drejtë të intervenojnë që delegacionet tona të mos nënshkruajnë, sepse në anën tjetër qëndron Rusia e gatshme për çdo gjë. Duhet të akuzojmë vetvetën e jo Europën apo SHBA.  

Filed Under: Analiza Tagged With: Adem Jashari, Reshat Sahitaj, Sokol Paja

VATRA NDEROI ME “MIRËNJOHJEN E ARTË” HEROIN KOMBËTAR ADEM JASHARI DHE FAMILJEN HARADINAJ

September 30, 2020 by dgreca

Gjatë vizitës së tij në Kosovë, me 30 Shtator 2020, Kryetari i VATRËS z. Elmi Berisha ka nderuar me Mirënjohjen e Artë Heroin Kombëtar, Legjendën e Kosovës, Adem Jashari.

Mirënjohja iu dorëzuar prej kryetarit Berisha, zotit Bekim Hamëz Jashari, Kryetar i Skenderajt. Në tekstin e Mirënjohjes shkruhej: Federata Panshqiptare e Amerikës ”VATRA” nderon me Mirënjohjen e Artë Komandantin Legjendar të luftës për çlirimin e Kosovës, Heroin e Kombit, Adem Jashari (pas vdekjes).

        Vatra vlerëson figurën legjendare të Adem Jasharit si arkitekt dhe komandant i Lëvizjes popullore për çlirimin e Kosovës, i cili me vizionin dhe heroizmin e tij, me qëndresën dhe sakrificat sublime të familjes, frymëzoi popullin e Kosovës në betejën finale për Liri!

    Adem Jashari me heroizmin dhe sakrificat sublime të tij dhe të familjarëve, mbetet simbol i qendresës në mbrojtjen e trojeve të Arbërit ndaj spastrimit etnik të pushtuesit serb; mbetet simbol i lirisë dhe Paqes!             

      Duke nderuar figurën legjendare të Adem Jasharit Vatra nderon Familjen JASHARI dhe të gjithë luftëtarët e Lirisë.

        Në statusin e tij në facebook kryetari i Skenderajt, nipi i heroit, Bekim Hamëz Jashari shkroi: Në një takim miqësor prita Kryetarin e Federatës Panshqiptare- Vatra, Elmi Berisha, së bashku me bashkëpunëtorë, me të cilët biseduam rreth bashkëpunimit në realizimin e projekteve të përbashkëta. Pata nderin që në emër të familjes sime të pranoj një mirënjoje nga “Vatra” për kontributin e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari në çlirimin e vendit.

E falënderova Kryetarin Berisha për angazhimin e tij dhe lobit shqiptar në SHBA në përkrahje të shtetit tonë.Ishte konkluzion i përbashkët që shteti ynë nuk ka krijuar kushte të favorshme për investime nderkombëtare dhe për më tepër pengesat burokratike po pengojnë zhvillimin ekonomik të shtetit tonë.

     Kryetari i Vatrës shoqërohej nga Vatranët Gjok Deçkaj dhe Naim Dedushaj.

MIRËNJOHJE E ARTË EDHE PËR FAMILJEN HARADINAJ

Po me 30 Shtator 2020 Kryetari i Vatrës nderoi me “Mirënjohjen e Artë” familjen Haradinaj, duke vlerësuar kontributin e kësaj familje që i dha luftës së Kosovës komandant dhe dëshmorë.

Mirënjohja iu dorëzuar z. Ramush Haradinaj i cili falenderoi Vatrën edhe përmes një statusi në facebook.Në tekstin e Mirënjohjes shkruhej: Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA” nderon me Mirënjohjen e Artë familjen Haradinaj për sakrificat dhe kontributin e dhënë në luftën për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.

     Vatra vlerëson heroizmin dhe sakrificat e familjes Haradinaj, e cila nuk kurseu as jetët e bijëve të saj për Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës. Ajo i dha Kosovës dëshmorë e heronj.

       E gjithë familja Haradinaj ishte pjesë dhe kontribuse e luftës për liri dhe frymëzuese në betejën kundër pushtuesit serb.

   Vatra nderon birin e familjes, z. Ramush Haradinaj,i cili tregoi akte heroizmi në krye të UÇK-së për zonën e Dukagjinit.

    Edhe pas lufte familja Haradinaj ishte kontributore për ndërtimin e shtetit dhe demokracisë në Kosovë. Ramush Haradinaj me trimëri e zgjuarsi përballoi akuzat për krime lufte të ngritura nga Tibunali i Hagës, duke mbrojtur jo vetëm veten dhe familjen, por edhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Filed Under: Featured Tagged With: Adem Jashari, Elmi Berisha, Mirenjohje e Arte, Vatra

Akademi Përkujtimore ne kujtim te Komandantit Legjendar Adem Jashari

March 6, 2017 by dgreca

2Perkujtim

Akademi Përkujtimore kushtuar Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe Familjes Jashari/
2 Salle akademi

Prishtinë, 6 mars 2017- Nën patronatin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në kuadër të manifestimit për shënimin e 19 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u mbajt Akademi Përkujtimore kushtuar Komandantit Legjendar Adem Jashari, Familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve dhe të rënëve për liri.1 Demolli 1Për të përkujtuar luftën e lavdishme dhe rënien e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe Familjes Jashari, në këtë akademi ishin të pranishëm kryetari  i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, zëvendëskryeministri i parë, Hajredin Kuçi, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, familjarë dhe bashkëluftëtarë të Komandantit Legjendar Adem Jashari, deputetë, dhe përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale.
Para të pranishmëve të shumtë, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli përkujtoi luftën dhe heroizmin e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe të Familjes Jashari.Ndërkaq, në emër të familjes Jashari, të pranishmit i përshëndeti Lulzim Jashari, djali i Komandantit Legjendar Adem Jashari. 

*** 

 Fjala e ministrit Haki Demolli në Akademinë Përkujtimore:

 Ne sot, 19 vjet pas, po përkujtojmë ngjarjet heroike të marsit të vitit 1998, ngjarjet e një marsi të zymtë, kur Kosovën dhe popullin e saj e kishte kapluar pushtimi i egër i okupatorit serb, e që njëherë njihet edhe si marsi i lavdisë kombëtare.

 E bëri këtë periudhën më të lavdishme të vendit tonë, vepra e Komandantit Legjendar Adem Jashari, i cili kishte vlerësuar se liria e vendit është më e shtrenjtë se jeta e tij, se jeta e familjarëve të tij dhe më të dashurve të tij, duke ia bërë me dije popullit, se tani e tutje do të kishte ushtrinë e cila përfundimisht do ta çlironte Kosovën nga okupimi shekullor.

Lufta, rezistenca dhe rënia heroike e familjes Jashari, ishte një ngjarje, respektivisht një sakrificë dhe flijim i pashembullt për lirinë e kombit dhe të atdheut, çfarë  historia jonë kombëtare por as ajo botërore, as nuk kishte parë e as dëgjuar kurrë më parë.Kjo luftë, shërbeu si një frymëzim i jashtëzakonshëm për mobilizimin e tërë popullit të Kosovës dhe të diasporës tonë, në angazhimin përfundimtar për çlirimin e vendit. Si rezultat i këtij mobilizimi gjithëpopullor, pas Epopesë së marsit ‘98,  ushtria e Komandantit Adem Jashari me shpejtësi të meteorit, u rrit dhe u strukturuar në formacione ushtarake, duke çliruar dhe vënë nën kontroll zona të tëra të vendit tonë.Sukseset e shumta në fushëbeteja, të ushtrisë së komandantit legjendar dhe  formacioneve të tjera ushtarake në Kosovë,  ndikuan që të aktivizohet edhe diplomacia ndërkombëtare, e cila duke e vlerësuar si të drejtë luftën për çlirimin e Kosovës, fillojë të gjykonte dhe dënonte krimin dhe gjenocidin shtetërorë serb të kryer ndaj  popullit tonë liridashës.Të gjitha këto zhvillime, rezultuan me organizimin e Konferencës së Rambujesë, e cila u pasua  me bombardimin e caqeve policore-ushtarake të Serbisë nga forcat aleate të NATO-së, e që për epilog përfundimtar, pati kapitullimin e Serbisë dhe çlirimin përfundimtar  të Kosovës.Andaj, në këtë akademi përkujtimore, duhet thënë se shteti ynë dhe kombi ynë përjetësisht do të jenë mirënjohës për të gjithë dëshmorët e rënë, për të gjithë ata që sakrifikuan gjakun dhe mundin për pavarësinë dhe lirinë të cilën është duke e gëzuar populli ynë.Jemi dëshmitarë se para tri ditëve, një gjykatë franceze ia shtyu edhe për një muaj ndalimin në shtetin e Francës, njërit prej komandantëve më të lavdishëm të UÇK-së, ish kryeministrit të Kosovës, z.Ramush Haradinaj.Reagimi i organeve shtetërore dhe qytetarëve të Kosovës, ndaj një vendimi të tillë të gjykatës franceze ka qenë i menjëhershëm dhe i zëshëm.Kjo dëshmon se, populli dhe shteti ynë i çmojnë jashtëzakonisht shumë, luftën çlirimtare dhe sakrificën për liri, dëshmon se i çmojnë çlirimtarët dhe luftën e tyre çlirimtare të UÇK-së.Respektin dhe nderimin e popullit për luftën e UÇK-së, për lavdinë e luftëtarëve të lirisë, nuk mund ta zbehin as Gjykatat Ndërkombëtare e as Gjykatat Speciale, sepse UÇK-ja dhe luftëtarët e saj, kanë zhvilluar në përgjithësi një luftë të drejtë çlirimtare kundër makinerisë ushtarako-policore e vrastare të pushtuesit shumëshekullor, pra të Serbisë.Pasur parasysh situatat e këtilla si dhe sfidat politike me të cilat është duke u ballafaquar vendi ynë, në këtë periudhë të tranzicionit dhe të integrimeve, kërkojmë nga të gjithë akterët politikë, që të lënë anash interesat parciale politike, interesat e grupeve apo partive vetanake dhe të kenë parasysh vetëm interesin e përgjithshëm të popullit dhe shtetit të Kosovës, ashtu siç e kishte edhe Komandanti Legjendar me bashkëveprimtarët e tij, dhe të angazhohen në gjetjen e zgjidhjes së çështjeve politike të cilat janë tejet të rëndësishme për jetën e popullatës tonë dhe funksionalitetin e shtetit tonë të ri.Në shkurt të viti 2008  mbi sakrificën e dëshmorëve, mbi gjakun e derdhur për liri, mbi mundin dhe angazhimin shumë shekullor të gjithë popullit tonë,  Republika e Kosovës u shpall shtet i pavarur dhe sovran, i cili duhej të krijonte edhe organet dhe institucionet e saj. Në kuadër të krijimit të institucioneve të reja të shtetit tonë, u themelua edhe  Forca e Sigurisë së Kosovës, , që sot paraqet Forcën e Sigurisë të Kosovës së pavarur. Tash në përvjetorin e 19-të të Epopesë  së lavdishme të UÇK-së,  shteti i Kosovës, pra Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, në vazhdën  e angazhimit për konsolidimin e organeve të veta më vitale shtetërore, do të ndërmerr të gjitha  veprimet ligjore dhe kushtetuese për transformimin e Forcës së Sigurisë.Që ky transformim është detyrë mbi detyrat e klasës tonë politike e dëshmon edhe votimi unanim kohë më parë, i Rezolutës për  FSK-në, nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, i cili votim u bë pas debatit disa orësh lidhur me mandatin e ri të FSK-së.Forcat e Armatosura të Kosovës, përveç mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit të vendit tonë, objektivë tjetër madhore do të kenë edhe  anëtarësimin në NATO, si dhe gatishmërinë për pjesëmarrje në misione paqeruajtëse dhe humanitare në vende të ndryshme jo vetëm të Evropës, por edhe më gjerë.

Ngritja e shtyllës kryesore të shtetësisë së Kosovës, pra themelimi i Forcave të Armatosura,  paraqet plotësimin e një dëshire tjetër  të popullit të Kosovës, dëshire të Komandantit Legjendar Adem Jashari si dhe të presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugovës.Shteti dhe Qeveria e Kosovës, përmes krijimit të Forcave të Armatosura dhe akterëve tjerë të sigurisë, do të ngritin shkallën e sigurisë së vendit, në nivel të tillë, ku të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës do të ndihen të lirë dhe të barabartë, pa dallim të përkatësisë etnike, religjionit, racës apo bindjeve politike, sepse ne jemi duke ndërtuar një shtet demokratik, me vlera civilizuese perëndimore. Pra thjesht Forcat e Armatosura të Kosovës do të jenë të të gjithëve dhe për të mirën e të gjithëve.Mirëpo, Qeveria e Kosovës dhe klasa e saj politike do të përmbush edhe obligime të tjera për popullin dhe shtetin e Kosovës.Konkretisht do të angazhohemi për ndërtimin dhe sforcimin e shtetit bashkëkohor të Kosovës, pra për ndërtimin e një shteti ku sundon ligji, shtet i cili iu ofron  të gjithë qytetarëve, e në veçanti të rinjve, një perspektivë të ndritshme ekonomike, sociale, arsimore, kulturore si dhe mirëqenie të tërësishme.Pra do të punojmë për të ndërtuar shtetin që do të plotësojë kriteret dhe standardet për anëtarësim në NATO dhe integrime të tjera euroatlantike, ku do të  bashkëveprojë me SHBA-të dhe aleatët tjerë që përkrahën çlirimin dhe ndërtimin e shtetit tonë.Në fund duhet thënë, se ndërtimi i shtetit të tillë të Kosovës, si një shtet i lirë i pavarur dhe demokratik, paraqet realizimin më të mirë të ëndrrës së Komandantit tonë Legjendar Adem Jashari, të gjithë dëshmorëve, invalidëve, veteranëve dhe luftëtarëve të lirisë.Lavdi Komandantit legjendar Adem Jashari dhe bashkëluftëtarëve  të tij.              

Lavdi familjes së madhe Jashari.        

Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit. 

Ju faleminderit.

Filed Under: Histori Tagged With: Adem Jashari, Akademi Perkujtimore, ne kujtim, te Komandantit Legjendar

Idrizi, homazhe në memorialin“Adem Jashari”

March 6, 2017 by dgreca

Nënkryetari i Parlamentit Shqiptar, homazhe në  memorialin“Adem Jashari”/2 Prekaz Idrizi

Idrizi: Jam i mikpritur si një bir çamërie, sepse zemra na rreh njëlloj, si mbarë shqiptarëve në të gjithë trevat shqiptare/1 Idrizi Komlesin e Jashreve

Kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi, njëherësh nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë, ndodhet sot në Prekaz për të bërë homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari”, me rastin e 19-vjetorit të rënies së komandatit legjendar dhe familjes së tij.

Në krye të një delegacioni nga Shqipëria, i shoqëruar nga Abaz Hado, kryetar i shoqatës “Çamëria”, Shpëtim Idrizi është bashkuar me Nexhmi Muqiqin, kryetar i Shoqatës “Çamëria” në Kosovë dhe bashkë me kryetarët e degëve nga të gjitha trojet shqptare, për të bërë homazhe në memorialin e familjes Jashari. Më pas delegacioni shkoi për vizitë në kullën e Jasharëve.

“Kam ardhur dhe do të vi gjithmonë në respekt të veprës madhështore të heronjve të gjithë kombit shqiptar. Ndjehem mirë që gjithmonë jam i mikpritur si një bir çamërie, sepse zemra na rreh njëlloj, si mbarë shqiptarëve në të gjithë trevat shqiptare”, – tha z.Idrizi.

Pëfaqësuesi i Familjes Jashari falenderoi Kryetarin e PDIU-së duke shprehur kënaqësinë që sot kishte një pjesë të çamërisë. Ai shprehu mirënjohjen dhe theksoi se shqiptarët më shumë se kurrë duhet të jenë bashkë.

Përfaqësuesit të familjes Jashari iu dorëzua kostumi i trevave të çamërisë si edhe madalioni i mirënjohjes për familjen Jashari nga Shoqata “Çamëria”.

Filed Under: Politike Tagged With: Adem Jashari, homazhe, në memorialin, Shpetim Idrizi

Akademi Përkujtimore kushtuar Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe Familjes Jashari

March 6, 2016 by dgreca

Prishtinë, 6 mars 2016/

Në kuadër të manifestimit për shënimin e 18 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Prishtinë u mbajt Akademi Përkujtimore kushtuar Komandantit Legjendar Adem JASHARI, Familjes JASHARI dhe të gjithë dëshmorëve dhe të rënëve për LIRI.Para të pranishmëve të shumtë, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ministri i FSK-së Haki Demolli përkujtoi luftën dhe heroizmin e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe të Familjes Jashari.

Të pranishmit në këtë akademi në emër të familjes i përshëndeti djali i Komandantit Legjendar Adem Jashari, Lulzim Jashari.

Fjala e ministrit të FSK-së, Haki Demolli në Akademinë Përkujtimore.

E nderuara dhe shumë e respektuara Familja Jashari,

I nderuari Baci Rifat,

Të nderuar veteranë të UÇK-së dhe familje të dëshmorëve,

I nderuar kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Kadri Veseli,

I nderuari komandat i FSK-së, gjeneral Rama,

Të nderuar liderë partiak, ministra, deputetë të Kuvendit, përfaqësues të institucioneve shtetërore lokale dhe qendrore,

Të nderuar oficerë të FSK-së,

Të nderuar ambasadorë, përfaqësues diplomatik të vendeve mike të Kosovës,

Të nderuar qytetarë të Kosovës të pranishëm në këtë Akademi Përkujtimore.

Më lejoni që në fillim të kësaj fjale, të potencojë mendimin e një qytetari anonim, (citoj) “Në historinë e njerëzimit nuk ka individ, nuk ka person apo hero që ka sakrifikuar aq shumë për Atdhe” (përfundoj citati) i cili ishte publikuar para dy ditëve, si koment në një portal tonin, lidhur me artikullin me titull “Foto e rrallë e komandantit Adem Jashari”.

Ky ishte mendimi i një qytetari të Kosovës lidhur me gatishmërinë e Komandantit tonë legjendar për të bërë dhe sakrifikuar për Atdheun, me të cilin mendim jam i sigurt se pajtohet jo vetëm çdo bashkëkombës i yni, por edhe çdo njeri, hulumtues dhe studiues i historisë qoftë asaj nacionale apo ndërkombëtare.

Të nderuar të pranishëm,

E nderuara Familje Jashari,

Edhe gjatë marsit të këtij viti, nën përkujdesjen e Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri Isa Mustafa, në përkujtim të Epopesë së Lavdishme të UÇK-së po mbahen manifestime dhe aktivitete të ndryshme, ushtarake, sportive, kulturore, si dhe Akademi Përkujtimore, në të cilat bëhet trajtimi akademik, intelektuale dhe shkencor i vlerës dhe rëndësisë që ka Epopeja e lavdishme e marsit, në çlirimin dhe ndërtimin e shtetit të Pavarur të Kosovës.

Fillimi i marsit të vitit 1998, njihet si njëra prej periudhave më të rënda për shqiptarët e Kosovës, sepse ishte periudhë e pushtimi të egër nga forcat ushtarako policore serbe, e cila falë heroizmit dhe sakrificës së Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe bashkëluftëtarëve të tij, u shndërrua në periudhën më të lavdishme të historisë së popullit tonë.

E bëri këtë periudhë më të lavdishme të vendit tonë, vepra e Komandantit Legjendar Adem Jashari, i cili kishte vlerësuar se liria e vendit është më e shtrenjtë se jeta e tij, se jeta e familjarëve të tij dhe më të dashurve të tij, andaj së bashku me bashkëveprimtarë kishte shpeshtuar aksionet luftarake kundër okupatorit si dhe kishin filluar të shfaqeshin publikisht si pjesëtarë të UÇK-së, duke iu bërë me dije popullit, se tani e tutje do të kishte ushtrinë e cila përfundimisht do ta çlironte nga okupimi shekullor.

Pikërisht rezistenca dhe rënia mitike e Familjes Jashari në krye me Komandantin Legjendar Adem Jashari, e përhapi zjarrin e lirisë në tërë Kosovën, duke treguar se ky ishte fillimi i fundit të pushtetit serbo sllav në Kosovë.

Në marsin e vitit 1998, Prekazi legjendar përjetoi luftën, rezistencën dhe rënien heroike të Familjes Jashari. Prekazi përjetoi sakrificën dhe flijimin e pashembullt për lirinë e kombit dhe atdheut, çfarë historia jonë kombëtare por as ajo botërore as nuk e kishte parë e as dëgjuar kurrë më parë.

Epopeja e Marsit të vitit 1998, shërbeu si një katalizator për ushtrinë e Komandantit Legjendar, e cila me shpejtësi të meteorit, u rrit dhe u organizua në formacione ushtarake, duke çliruar dhe vënë nën kontroll zona të tëra, në gjithë vendin tonë.

Sukseset e shumta në fushëbeteja, të ushtrisë së Komandantit Legjendar dhe formacioneve të tjera ushtarake në Kosovë, ndikuan në involvimin e diplomacisë ndërkombëtare, e cila në mënyrë të paanshme gjykonte krimin dhe gjenocidin e forcave ushtarako-policore serbe.

Si epilog diplomatik i sukseseve luftarake ishte Konferenca e Rambujesë, në të cilën u vendos, që të bombardohen caqet më vitale dhe strategjike të Serbisë nga ana e forcave aleate të NATO-s.

Lufta e përbashkët e forcave tona ushtarake dhe bombardimet ajrore të NATO-s, i dhanë grushtin e fundit okupatorit serb, duke i sjellë lirinë e shumëpritur popullit tonë.

Prandaj shteti dhe kombi përjetësisht do të jenë mirënjohës për të gjithë dëshmorët e rënë, për të gjithë ata që sakrifikuan gjakun dhe mundin për pavarësinë dhe lirinë të cilën është duke e gëzuar populli ynë.

Vërtet në shkurt të vitit 2008 Republika e Kosovës u shpall shtet i pavarur e sovran, i cili përveç njohjeve të shumta ndërkombëtare, u përkushtua edhe në themelimin e institucioneve të karakterit shtetformues.

Padyshim njëri ndër institucionet fundamentale të Republikës së Kosovës, të themeluar pas shpalljes së pavarësisë është edhe Forca e Sigurisë së Kosovës, e cila jo vetëm që u krijua në vazhdën e frymëzimit patriotik, mbi historinë dhe sakrificën e lavdishme të popullit tonë, por si e tillë paraqet garancinë se në të ardhmen do të shndërrohet në Forcë të Armatosur të Kosovës, me kapacitete të plota operacionale për plotësimin e misionit të saj kushtetues.

Përvjetori i 18-të i Epopesë së lavdishme të UÇK-së, e ka gjetur vendin tonë me mospajtime dhe kundërshtime të theksuara ndërmjet partive tona politike opozitare dhe qeveritare, andaj nga kjo foltore në këtë përvjetor të ngjarjes së shenjtë të popullit tonë, kërkojë nga të gjithë akterët politik, që të lënë anash interesat parciale politike, interesat e grupeve apo partive vetanake dhe të kenë parasysh vetëm interesin e përgjithshëm të popullit dhe shtetit të Kosovës, ashtu siç e kishte edhe Komandanti Legjendar dhe bashkëveprimtarët e tij dhe të angazhohen në gjetjen e zgjidhjes respektivisht rrugëdaljes nga kjo situatë e rëndë politike, nëpër të cilën tanimë disa muaj po kalon vendi ynë. Sepse, zhvillimet dhe rrjedhat jonormale politike në Kosovë, me pamje të dhunshme dhe përdorim të mjeteve joracionale në Kuvendin tonë, drejtpërdrejtë kanë ndikuar në ngecjen e proceseve të rëndësishme për ndërtimin dhe konsolidimin e organeve shtetformuese, respektivisht organeve më vitale shtetërore.

Kur them këtë kam parasysh faktin, se ndonëse Qeveria Mustafa ndër prioritetet kryesore e ka transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur të Kosovës si dhe ka pasur përkrahjen e partnerit tonë kryesor strategjik pra të SHBA-ve, ajo nuk ka ndodhur gjatë vitit të kaluar, pikërisht për shkak të zhvillimeve jonormale politike në gjysmën e dytë të vitit 2015.

Andaj duhet shpresuar dhe dëshiruar që gjatë këtij viti, do të dominojë interesi i përgjithshëm për shtetin dhe interesat e popullit të Kosovës, do të arrihet deri te një zgjidhje e kësaj situate jo të kënaqshme politike, pas së cilës do të krijohen kushtet dhe rrethanat në të cilat Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës do të ndërmarrin të gjitha veprimet ligjore dhe kushtetuese për transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur të Kosovës (FAK).

Epilog i këtij transformimi, do të jetë krijimi i Forcave të Armatosura të Kosovës, të cilat përveç mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit të vendit tonë, objektiv tjetër madhor do të kenë edhe anëtarësimin në NATO, si dhe gatishmërinë për pjesëmarrje në misione paqeruajtëse dhe humanitare në vende të ndryshme të regjionit dhe botës.

Qeveria e Kosovës, përmes krijimit të Forcave të Armatosura do të ngritë shkallën e sigurisë së vendit deri në atë nivel, saqë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës do të ndihen të sigurt dhe të barabartë, pa dallim të përkatësisë etnike, religjionit, racës apo bindjeve politike, ashtu siç i ka hije një shteti bashkëkohor demokratik.

Përmbushja dhe realizimi i këtyre objektivave të Forcave të Armatosura, paraqet plotësimin e një dëshire tjetër të popullit të Kosovës si dhe plotësimin e amanetit të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe të presidentit historik Ibrahim Rugova.

Qeveria e Kosovës do të punojë dhe angazhohet edhe në ndërtimin e shtetit ku do të sundon ligji, me prosperitet ekonomik, respektim të demokracisë, të drejtave, lirive të të gjithë qytetarëve të saj.

Pra, do të punojmë për të ndërtuar shtetin që do të plotësojë kriteret dhe standardet për anëtarësim në Aleancën Veri-Atlantike të NATO-së dhe integrime të tjera euroatlantike, ku do të bashkëveprojë me SHBA-të dhe aleatët tjerë që përkrahën çlirimin dhe ndërtimin e shtetit tonë.

Në fund duhet thënë, se ndërtimi i shtetit të tillë të Kosovës, si një shtet i lirë, i pavarur  dhe demokratik, paraqet realizimin më të mirë të ëndrrës së Komandantit Legjendar, të të gjithë dëshmorëve, invalidëve, veteranëve dhe luftëtarëve të lirisë.

Lavdi Komandantit Legjendar Adem Jashari.

Lavdi Familjes së madhe dhe të shenjtë Jashari.

Lavdi gjithë dëshmorëve dhe çlirimtarëve të kombit.

Filed Under: Kronike Tagged With: Adem Jashari, Akademi Perkujtimore, komandanti legjendar

  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT