• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Përkujtohet në Tiranë Adem Jashari

March 5, 2016 by dgreca

TIRANË, 5 Mars/ Bashkia e Tiranës dhe Ambasada e Kosovës kanë përkujtuar sot 18-vjetorin e Ditës së Rënies së heroit legjendar të luftës së Kosovës, Adem Jashari.

Për këtë qëllim u zhvilluan homazhe te Monumenti i heroit që gjendet në Rrugën e Durrësit, ku mori pjesë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ambasadori i Kosovës në vendin tonë, Ramiz Lladrovci, zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, anëtarë të Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të Tiranës dhe Shoqatës së ish-Luftëtarëve Shqiptarë në formacionet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në emër të Bashkisë së Tiranës, kryetari Veliaj vendosi kurorën me lule në nder dhe kujtim të veprës së Adem Jasharit në përpjekje për çlirimin e Kosovës.

Duke iu përgjigjur interesit të mediave, ai vlerësoi lart figurën e heroit Adem Jashari, i cili me luftën e tij u kthye në një motivim për të gjithë ata që kërkonin pavarësinë e Kosovës, brenda dhe jashtë saj.

“Më vjen mirë që bashkë me ambasadën e Kosovës vazhdojmë një traditë të përkujtimit çdo vit të komandantit Adem Jashari, sepse për të ecur përpara duhet të kujtojmë si kemi mbërritur deri këtu. Një Kosovë e lirë, një Shqipëri e lirë, i’u dedikohet atyre që luftuan për liri. Betejat nuk kanë mbaruar, betejat për liri duhet të vazhdojnë çdo ditë, për të siguruar atë për të cilën shumë dhanë jetën”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se lufta dhe sakrifica e të gjithë heronjve që kanë dhënë jetën për kombin shqiptar, duhet të jetë një detyrim për të gjithë shqiptarët sot, që të punojmë për zhvillimin e shteteve shqiptare në të dy anët e kufirit.

“Sot, Kosova dhe Shqipëria kanë nevojë për sakrifica të përditshme, për të shtyrë përpara amanetin e atyre që dhanë gjënë më të çmuar, për të parë ditë të bardha dhe për një komb më të begatë në të dy anët e kufirit”, theksoi Veliaj.

Nga e ana tij, ambasadori kosovar në vendin tonë, Ramiz Lladrovci ka falënderuar Shqipërinë për vlerësimin që i bënë heronjve të luftës së Kosovës. “Bashkë me kryetarin dhe zëvendësministrin e Mbrojtjes jemi këtu për të respektuar kujtimin e veprës dhe jetës së komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari. Kështu që, unë i përgëzoj të gjithë qytetarët shqiptarë kudo ku janë, që këtë ditë ta kujtojmë për jetë e mot”, tha ambasadori Lladrovci.

Filed Under: Kronike Tagged With: Adem Jashari, ne Tirane, perkujtohet

ADEM JASHARI, SIMBOL I REZISTENCËS ANTISERBOSLLVE

March 6, 2015 by dgreca

Shkruan: Eugen SHEHU/ Zvicer/
Ashtu si mosha e një rrapi madhështor përcaktohet nga rrathët e trungut të tij,edhe dhimbja e një kombi mund të përcaktohet nga të rënët e tij.Këta të rënë për idealin e lartë kombëtar,asesi nuk vdesin,nuk humbasin në muzgjet e harresës.Ashtu si rrathet që tregojnë moshën e rrapit,jetët e tyre potencojnë shkallën e dhimbjes krenare.Paqja e gjelbër nderet pafundësisht mbi ta.Shembuli i Adem Jasharit,përveç si simbol qëndrese dhe heroizmi vlen të shikohet edhe si flijim në emër të një të ardhmeje fatsjellëse për kombin e vet.

DRENICA LIND VEÇ TRIMA…

Duke dëgjuar këtë varg lapidar,në këngën kushtuar Adem Jasharit natyrisht që të pushtojnë emocione të thella.Historia në këtë rast nuk shërben më vetëm si një burim informacioni por të fal edhe ndjesi të tilla për çka mund ta çuash veten krenar që ke lindur në truallin shqiptar dhe mban këtë emër gjithkund.Ngase je i prirur të dish për heroizmin e sotëm të Drenicës,të vijnë në kujtesë si në celuloidin e një filmi,ngjarje dhe data të lavdishme,gjëmime luftërash,këngë djepi trimërie e këngë vaji po kaq trimërie dhe heroizmi.Hyn në bisedë intime me të kaluarën tënde.
Drenica kësisoj hynte në analet e historisë për trimëritë e birit të saj.Dhe sipas zakonit të lashtë shqiptar,kur dikush bënte diçka të ndershme e të lavdishme për fshatin e krahinën e vet,ai thirej me emrin e fshatit.Ai nderohej kësisoj e përjetsohej në këngë e legjenda.
Shumë vite më pas,në kullat e rënda të tij,një burrë trim i cili shumë shpejt do të hynte në legjendë. Ai quhej Isa Boletini, e prej kushtrimit të tij u trembën në dhjetra vjet ushtritë turke dhe hordhitë serbe.Kullat e Isës u dogjën e u rrafshuan disa herë,babai,vëllai,djem e nipër u vranë duke luftuar me turq e shkije,lumi Ibër rrodhi për ditë e netë të tëra gjakun e Boletinjëve që donin të rronin në liri si shqipe mali.Por Isa s’u tremb,Isa s’u tund.Vetëm një tradhëti e serbo- malazezëve do të bënte që gjokësi i tij të mbushej me plumba dhe zëri i tij të ndalej.
Po ishtin dhe Azem e Shotë Galica.Emrat e tyre i thërasin ende sot erërat e maleve të Drenicës, borërat e Sharrit ende nuk mund t’i mbulojnë gjurmet e gjakut të tyre,heshtja e viteve kurrsesi nuk mund të përballet me krismat e pushkëve të tyre.Këtu është Shqipëria,të ngjan se thonë ende ato krisma,kjo është tokë e gjyshërve tanë,thonë bubullimat e Llapit e Vushtrisë,ne falim jetët tona,por jo nderin e vatrave.Azemi duke rënë në luftë me shkjaun,lutej që beteja të vazhdonte.Shota në krye të çetës përcillte amanetin e prijësit dhe burrit.Më pas kur edhe ajo binte në fushbetejë rëndë e plagosur ishte një armatë e tërë e burrave prej Drenice që vazhdonin udhën e nisur.
Për të ardhur kësisoj deri në dimrin e egër të vitit 1944-1945.Një,një Isë,një Azem,e një Shotë,jepnin kushtrim në hap e në zë të një burri që quhej Shaban Polluzha.Edhe ky ishte lindur pranë këngëve dhe trimërive të Polluzhës,edhe ky pat thithur ajër prej bjeshkëve të lira të Drenicës.Dhe kur pa se po shkelej amaneti i të parëvet dhe kur ndjeu se gjakun e pastër të trimave të tjerë të Drenicës donin ta bënin fli të ideologjive,nuk mundi të duronte më. Komunizmi kjo sëmundje e urryer e derdhur prej uralveve do ta ndjente vehten shumë ngushtë në kullat e Drenicës.Ylli pescepesh ardhur prej sllavëve,nuk mund të zëvendësonte në ballët e bukur të djemve ku jetonte dashuria për shqiponjën dykrerëshe të lirë.Polluzha,duke organizuar revoltën e parë antisllavo-komuniste të Drenicës,u jepte mesazhin e qartë,të një lufte të vazhdueshme midis nacionalizmit të ndershëm shqiptar dhe internacionalizmit proletar,ose e thënë ndryshe,ndaj proletarëve pa atdhe.
Në një muzg në Tiranë, miku im Ylli Mici,dikur oficer kariere në drejtim kondicionimi në Akademinë Ushtarake „Skenderbeu“ ,duke parë këmbënguljen time për të ardhurit nga Kosova (grupet e para që trajnoheshin)më tregoi :
„Na thirrën në komandën e Akademisë Ushtarake „Skenderbej“ në Tiranë dhe na treguan shkurt mbi ate se çfar do të bënim.Duhej të stërvitnim një grup burrash të ardhur nga Kosova.Përgaditja e tyre,në strukturat tona ushtarake do të konsistonte në ate taktike,të lëndëve të zjarrit dhe ato të përgaditjes fizike.Porosia e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare,ishte që askush veç ne, kuadrove të akademisë ushtarake „Skenderbej“ nuk duhej të dinte mbi këtë mision. Që në ditët e para të stërvitjes të zjarrit,më ra në sy interesimi dhe serioziteti i Adem Jasharit.Trupëlartë,me mjekër e mustaqe,sytë gati zhbironin gjithshka që unë shpjegoja.Përgjithësisht,krejt grupi mësimor kishte njohuri për automatikun,ndërsa armët e tjera të këmbësorisë njohuritë i kishin të pakta. E vërteta është se ne kishim planifikuar gjashtë orë të plota mësimore por une asnjëherë nuk mbarova mësimin në ora pasiedhe pas atij që patën caktuar,vëllezërit tanë të ardhur nga kosova nuk shqepeshin prej kabinetit.Ata i mernin armët i zbërthenin,i preknin me kuriozitet bile më dukej se edhe me shumë dashuri. Adem Jashari një ditë,ndërsa dilja prej kabinetit,më vjen mbrapa dhe më thotë : Pedagog Ylli, a mundet me të pyet diçka ? Fol i thashë mos u tut ! pasi heshti pak,me një vështrim të thellë më pyeti sërish : A i kena na kret këto armë,në armatën tonë ?
Unë buzëqesha pse e kuptova shqetsimin e tij.Për arsye të sekretit ushtarak,une s’mund t’i tregoja të gjithëve po Ademin e çova një ditë në disa depo të reparteve.Ai shihte armët,municionet, aparaturat luftarake dhe kujtoj ende sot se si duke më përqafuar më tha : „Bash këtej e tutje s’kam ma asnji merak ! Dikur pata mësuar se i madhi Sami Frashëri pat shkruar që shqiptari duhet të luftojë me dituri e penë,por edhe pushkën ta ketë plot.Tash kuptoj më së miri këtë.Atëherë kur me fqiun tand s’ke gjuhë me u marrë vesh,atëherë edhe qytetërimi modern s’gjen gjuhë me u marr me të,le të flasi pushka.Nuk asht ndonji gja e bukur por asht e domosdoshme,për mos t’u shuar historia jonë nga më të vjetrat në ballkan“. Vite më pas e kuptova shqetsimin e heroit Adem Jasharit“ .

KRAHËT E PRERË TË SHQIPONJËS

E vërteta është se marsi i vitit 1998,nuk mund të vinte me kaq krisma,pa patur më parë të tjerë terrore e fushëbeteja të tjera.Kështu në ditët e fundit të nëntorit 1997,në drenicë posaqërisht në fshatrat ; Rakinicë,Rezalle,Vojnik e Llaushë,policia serbe ndërmori një sërë aksionesh befasuese kundrejt familjarëve të pambrojtur.Më së tepërmi,ata kërkonin të vendosnin një terror psikologjik për të ndaluar sado pak erërat e pavarsisë dhe të Lirisë që kishin filluar të frynin në ato gryka.mandej për të treguar hapur se kundër kujt drejtohej ky terror dhe kjo luftë,serbët qëlluan varrin (më saktë fotografinë) e studentit Selman Vojvoda i cili ishte vrarë në demonstratat e mëdha të rinisë shqiptare,në Mitrovicë,në vitin 1990.Rivrasja e këtij studenti që u ngrit për të kërkuar të drejtat e kombit të vet,natyrisht nuk mund të kalonte pa një ndjenjë urrejtje madhore tek familjarët,miqtë dhe krejt studentët që patën përcjellë Selman Vojvodën për në varreza të mbuluar me flamurin kuq e zi. Dhe pikërish aherë,kur kjo revoltë kish nisur të dallgëzojë,kur djem e burra të Drenicës mbushnin radhët e UÇK-ës,nga sirtarët e komandave ushtarake serbe,u nxuarën planet për goditjet e mëdha,vrasjet mizore dhe malltretimet ndaj popullsisë së pabrojtur shqiptare.E nëse kish një „radhë“ goditje kjo padyshim do të niste me familjen e Jasharajve në Prekaz,pasi serbët nuk do të harronin ngjarjen e tetë viteve më parë.Kështu,bashkë me borrën e madhe që binte në mesnatën e 22 janarit 1998,grupe speciale të ushtrisë fashiste serbo-çetnike rrethonin kullat e Jasharajve në heshtje të plotë.ata patën marrë gjitha masat që goditja të ishte e menjëhershme, e fuqishme, vdekjeprurëse duke paraparë se në përfundim të kësaj beteje do të luhatej revolta e Drenicës,ashtu si luhaten fortunat në gjoks të malit.Dhe pikërisht ngase kështu llogari kanë bërë në të shumta herat serbët gjithmonë kanë dështuar.
Ka qenë ora 5 e mëngjezit e datës 22 janar 1998 kur mbrenda një çasti të vetëm,toka ku ishin kullat e Jasharajve,ka shungulluar prej një numëri të pazakontë krismash.Në murret e kullave,janë derdhur njëherësh mijëra gjyle topash,granatash,fishekë mitrolozi e automatiku,a thua se luftohej në front të rregullt lufte.Për nga sasia e sidomos lloji i armatimeve që janë përdorur aty,kuptohet se tashmë në ndihmë të policisë,ishin formacionet e ushtrisë gjakatare serbe.Në këtë rrëmujë predhash,janë sulmuar sidomos ato ambiente të kullave ku mendohej se ndodheshin gratë dhe fëmijët.Mandej futja në luftim e minahedhësve,dëshmoi se ky aksion i pushtesve serb tek e mbramja kërkonte shfarosjen e plotë të kësaj familjeje të madhe trimash.Në fakt,sipas dëshmive të mëvonshme të fshatarëve të Prekazit, beteja ka zgjatur vetëm 35-40 minuta,ngase në krah e shpinë të banadve ushtarako-policore serbe pas kësaj ka filluar goditja po aq vendimtare me armë nga ana e UÇK-ës.Kjo i ka detyruar tërheqjen e forcave serbe pa mundur të realizojnë qëllimin final të tyre.Të paisur me mjete të çelikta,ata janë larguar me ngut duke vazhduar terrorin e duke vrarë njerëz të pafajshëm në rrugë.Paskësaj,çdokush e pat kuptuar se diplomacitë midis serbëve dhe shqiptarëve kishin dështuar fund e krye.Lufta ishte shpallur.Kjo luftë,midis dy racave të ndryshme,nuk ishte e para.Sidoqoftë,fati mjegullor dukej se e parashihte si të fundit.
Djetë ditë më pas,me 1 mars 1998,herët në mëngjez,drejt fshatrave Likoshan dhe Qirez,ishin drejtuar njësi të mëdha paramilitere çetnike, policore e ushtarake.Duke përfituar prej zhurmës si edhe terrenit të pyllëzuar,mjaftë banorë të këtyre fshatrave,të bindur prej rrezikut të madh u fshehën në pyje.Dy-tri helikopterë që kanë vëzhguar lëvizjet kanë bombarduar gati krejt zonat. Ata janë larguar në të errur pasi kanë shkatëruar shumë shtëpi dhe vrarë e plagosur dhjetra vetë prej këtyre vendeve. Mdje, më 5 mars 1998,do të niste Epopeja e madhe.E vërteta është se një natë më parë,janë vënë re lëvizje të mëdha të forcave ushtarako policore serbe.Tashmë për banorët e Prekazit,Gradicës,Qiriezit, Açarevës,Llaushës,Rrezallë e Re etj,ishte e qartë se dhuna serbosllave nuk do të kursente dikend. Megjithkëte,përndryshe nga ç’mendonin serbët,burrat e gratë trime të Drenicës,ndiheshin të paepur në sytë e tyre të frymëzuar prej idealit të madh të lirisë e pavarsisë.Kështu dëshmitarë okullarë të fshatit Pollac,disa minuta larg lagjes së Jasharajve kanë pohuar tashmë vendosmërinë e kësaj familjeje heroike. E vërteta është se ndërsa zona rreth Prekazit po rrethohej,disa fshatarë kanë shkuar në shtëpinë e Jasharajve dhe kanë mundur të bisedojnë me plakun Shaban mbi mundësinë e largimit të tyre të fshehtë,pasi dihej historia e dy sulmeve serbe të maparshme ndaj këtij fisi.Shaban Jashari,ai plak i bëshëm e plot kurrajë,ai ballist i vendosur që ngriti në shtizë flamurin në Plloçicë,ka heshtur disa çaste e mandej ka thirur dy djemt e tij,Hamz e Adem Jasharin duke u propozuar që ata të largohen me gra e fëmij ndërsa ai ti priste hordhitë e shkijeve siç i kishte pritur në rininë e tij,me pushkë në dorë,ndërkaq këtë ide nuk e kanë përkrahur bijtë me gjithë respektin e madh që patën treguar kurdoherë për të jatin.Me ç’rast,mësohet që Ademi t’i jetë përgjigjur të jatit se „na nuk mund të largohemi me shpetue kryet tonë.Shkiet do vijnë të djegin kullat e të vrasin fqinjët,miqtë e dashamirët tonë ata do të bajnë masakra të mdhaja.Ma mirë se me shpëtue jetën,asht me e dhanë atë për Kosovën e krejt Shqipërinë,ndaj kemi rrokur armët“.Baba Shaban,një pinjoll i nacionalistëve të dëgjuar në Prekaz e Drenicë,atëherë asht que e ka puthur djemt në ballë,si zakon nacionalisti,ka puthur mbesat e nipat e vet duke qenë i bindur se jeta e tyre,pranverat e tyre aq të njoma e të shtrenjta do të shërbejnë si nji shteg prej nga do të vijë lirija e Kosovës,ai e njihte mirë armikun që sulej në votër.Beteja ka filluar në orën 3 të mëngjezit.Drejt kullave të Jasharajve është derdhur si lukuni ujqish një mizeri policësh,çetnikësh e ushtrie serbosllave të vendosur që të shujnë aty çdo gjurmë jete.Tanke ,topa,utoblinda,helikopterë, kanë derdhur gjatë gjithë ditës aq sasi të madhe zjarri sa flaka e rrënojave ka vazhduar deri më 8 mars. Nga kulla e Jasharajve qëndresa ka qenë e mnejëhershme, e plotë.Por rezistenca e këtyrre burrave të mëdhenj ka qenë veç pushkë e zemra ngase tanket,avionet e topat i dispononin forcat disa mijëshe të okupatorëve serb.Madje duke parashikuar ndonjë sulm të mundshëm të UÇK-ës,rreth e përqark fshatit Prekaz në largësinë 10-15 kilometra,forcat militare serbe formuan një unazë tjetër rrethuese duke hapur zjarr me çdo lloj arme.
Vështirë të gjesh në historinë e luftërave të këtij shekulli një paradoks kaq ekstrem të palëve ndërluftuese,nga pushtues e çlirimtarë.Nga njëra anë, një ushtri e rregullt,e paisur me mjeteluftarake më moderneme paramilitar e mercenarë sllav,ndërsa nga ana tjetër një fis një familje,e një popull i pafajshëm e i pambrojtur në kërkim të Lirisë.Kështu midis flakëve e gjëmimeve,midis atij tmerri predhash e bombash,ranë një nga një trimat e kullës së Jasharajve,burrat e Kalasë së pamposhtur Kosovës.Kështu,do të binte duke luftuar deri në çastin e mbramë edhe Ademi,ky lis me rrënjët në liri,ky mal ku mbështeti gjoksin dhe kryet e saj vetë rezistenca kombëtare shqiptare,që të hynte në mesin e Legjendës së këtij shekulli,për të mbetur i pavdekshëm për jetë të jetëve.
Bern-Zvicër

Filed Under: ESSE Tagged With: Adem Jashari, ANTISERBOSLLVE, Eugen Shehu, SIMBOL I REZISTENCËS

ADEM JASHARI E ZGJEROJ KONCEPTIN E GUXIMIT NË EMËR TË LIRISË

March 5, 2015 by dgreca

Nga Ramadan Bozhlani/
Nëntori i vitit 1955-të shërbeu si portë hyrëse në këtë planet, në këtë shekull, në këtë popull dhe në një familje shqiptare një qenie të ardhur në trajtë të foshnjës së zakonshme. E qara ia shprehu ndjeshmërinë dhe në asnjë mënyrë nuk u nënkuptua se ishte i destinuar për misionar. Kjo qenie u pagëzua me emrin e njeriut të parë të kësaj bote. Sikur ta parashikonte të ardhmen pagëzuesi, e ta dinte se ky emër do të jetë në harmoni me përmbajtjen dhe me veprimet që e shndërrojnë në njeri të parë, për nga sakrifica specifike në emër të popullit.
Sa më shumë që e thellonin vitet robërinë atij i shërbenin për forcimin e idealit, i cili e ngrit mbi krijesat e tjera njërezore, për ta veçuar për nga vetia e guximit dhe e frymëzimit për atdhedashurin. Ky guxim kolosal e kishte vatërn në zemrën e Adem Jasharit.
Preokupimi kryesor i Adem ishte çlirimi i vendit nga okupatori serb dhe për ketë u angazhua me tëre qenien e tij në organizimin e disa djemve për të formuar ushtrinë çlirimtare, ku më vonë rekrutimit të tij iu përgjigj e gjithë qenia kombëtare. Me disa djem e me vullnet e forcë të madhe filluan demonstrimin e planit strategjik kundër armikut më të pamëshirshëm të kohës, të cilit i shkaktuan viktima dhe dëme në të gjitha format, e deri atje sa u ndje i kërcënuar i tërë pushtuesi si dhe përbindëshi më i madh i Ballkanit Millosheviçi. Millosheviçi i angazhoj të gjithë për identifikimin e asaj ushtrie të cilen e konsideruan si në numër dhe artileri të përmasave superiore, por ai identifikoj vetëm një burrë të patrembur në krye të disa djemve që mbanin në dorë pushkët e ndryshkura, dhe kuraja e tyre i ia futi frikën edhe deri në palcë pushtuesit. Serbia të gjitha kapacitetet ushtarake me 5 mars i koncentroi kundër një familje të përbërë nga pleqtë, gratë dhe fëmijët ku gjithsejt ishin 56 anëtar në krye me Adem Jasharin.
Baca Adem si një burrë që nuk njihte frikë, frikën e shndërroj në dëshirë familjare, për të luftuar kundër armikut duke i thënë fjalët e fundit, para se të fillonte oshtima e armëve që nuk do të pushonte për tri ditë rresht: “ Babë, Nënë, Vëllezër, Motra, Grua, Kunata, Nipa e Mbesa dhe Fëmijët e mi sot jemi të rrethuar nga ata, që çdo ditë nuk pushuan të na vrasin, të na masakrojnë, të na torturojnë, të na dhunojnë, të na robërojnë, e këta janë korbat e zi që e kanë pushtuar Kosovën dhe nuk e lënë të lulëzoj, të buzëqesh dhe të ndjehet e lirë prej shumë vjetëve. Ata kanë synim krijesën shqiptare ta vrasin dhe ta dëbojnë nga ky truall i moçëm ilir. Ky është rasti që na jep mundësinë të hakmerremi për të gjitha vuajtjet e popullit shqiptar, si dhe ky është rasti për të cilin erdha në këtë botë, në këtë popull, në këtë familje që me tërë ju të flijohem për hirë të popullit tonë. Armët në dorë të gjithë, Zoti na ndihmoftë”.
Marsi i 1998-së, shërbeu si port drejt përjetësisë heroike dhe lavdisë të bacës Adem dhe familjes së tij, si dhe për ta kuptuar në mënyrë më specifike nga mbarë njerëzimi se ç’ është më të vërtetë pesha e një njeriu, e një familjes, e një trimërie, e një flijimi, e një përballje, e një qëndrimi, e një luftimi dhe e një misioni madhështor për liri.
Afër shtëpisë ku ranë heroikisht, janë të varrosur të 56 anëtarët e familjes Jashari ku pushojnë ndërgjegjshëm, duke pritur vizitorë nga e gjithë bota, me kurora lulesh në dorë, dhe me fjalët më të lavdishme, për këtë familje heroike. Dashuria ndaj familjes konsiderohet si superiore, ku për hirë të kësaj dashurie kemi me mijëra qenie njërzore të flijuara që nga epoka e gurit. Të martirizohesh për hirë të popullit është vepër heroike, por të flijosh edhe familjen në emër të popullit është kryevepër heroike, kryevepër monumentale, atdhedashuri unikate, mbindjesi njerëzore, akt që e përpunoi konceptin e sakrificës në emër të popullit, akt i pajetërsueshëm dhe i papërsëritshëm.

Filed Under: ESSE Tagged With: Adem Jashari, E GUXIMIT, E ZGJEROJ KONCEPTIN, ne emer te lirise

HEROIZMI I FAMILJES JASHARI*

March 6, 2014 by dgreca

Kronikat e luftërave dhe dëshmitë mbi heroizmat e ndodhura gjatë zhvillimit të tyre janë të shumta dhe të ndryshme,ashtu siç ndryshojnë popujt dhe sakrificat e çlirimit të tyre kombëtar. Megjithatë, deri më tani nuk na ka rënë të lexojmë ndokund apo edhe dëgjojmë nga dikush,të ketë pasur edhe një rast të tillë apo të ngjashëm, në kronikat e kohërave nga cilado luftë qoftë, të zhvilluara për çlirime vendesh dhe liri popujsh edhe tek kombet më të mëdha,siç është rasti i veçantë i sakrificës së pashembullt dhe vetëflijimit heroik të tërë Familjes Jashari nga Prekazi i Drenicës, për lirinë e Kosovës.

Nuk ka edhe një familja tjetër e cila të ketë bërë një shembull kaq sublim heroizmi dhe një akt të tillë të papërsëritshëm vetëflijimi kolektiv, ku do të binte e tërë familja,me të rritur, pleq, gra dhe fëmijë,duke u shkrirë në zjarrin e një lufte  që të gjithë për një herë dhe në një betejë të vetme për mbrojtjen e nderit familjar, ndërgjegjes kombëtare,lirisë së vendit dhe të shqiptarëve në përgjithësi, siç ishte rasti me familjen heroike Jashari.

Flijimi i tyre është vepër e shenjtë e pashembullt dhe e papërsëritur, e cila kalon të gjitha përmasat e një vetëflijimi të rëndomtë, të njohur nga e kaluara e afërt dhe ajo e largët, jo vetëm në historinë e kombit tonë, por edhe te kombet e tjera më të mëdha, duke u kthyer në mit për të gjitha kohët si dhe në të gjithë hapësirën kombëtare shqiptare dhe më tej.

Kjo rrënjë e burimit shpirtëror të atdhetarizmit vetëflijues kombëtar, me bëmat e saj mbinjerëzore dhe kolektive familjare, ia ktheu nderin e humbur popullit të robëruar shqiptar për afro një shekull nga sllavët, duke u dëshmuar me heroizma të përmasave bibliko-historike në çastet më vendimtare me luftën e saj të paepur deri në vdekje për çlirim dhe bashkim kombëtar.

Sakrificat e pashembullta familjare në luftën për liri dhe heroizmat e flijimi të këtyre përmasave të papara deri më atëherë, stimuluan një solidaritet të madh dhe të pashembullt gjithëshqiptar dhe përfituan mbështetjen e shtetit amë, Shqipërisë si dhe përkrahjen ndërkombëtare për çlirim nga Serbia. Këto sakrifica ndryshuan njëherë e përgjithmonë për të mirë kahen e historisë sonë më të re,ngase flaka e zjarrit të luftës së kësaj familje dhe bashkimi i forcave kombëtare, e vunë çështjen tonë madhore në ecje më të shpejt dhe të drejtpërdrejt në rrugën e cila çonte kah liria e shumëpritur.
Me gjithë flijimet e tilla të familjes Jashari, e cila u ringjall si Feniksi nga hiri i heroizmave të saj për liri, sakrificave të panumërta edhe të shumë familjeve të tjera shqiptare dhe rënies së shumë dëshmorëve nga të gjitha trojet tona për lirinë e vendit, Kosova edhe pas kaq vitesh nga këto ngjarje të jashtëzakonshme në historinë më të re shqiptare dhe evropiane, dhe shpalljes së Pavarësisë së saj, mjerisht, as sot nuk mund të quhet plotësisht e lirë dhe në tërësi sovrane, derisa 30 % e territorit të saj,ende sundohet nga bandat kriminale dhe policia e Serbisë.

Në Kosovë edhe sot gjenden dhe dallohen qartë gjurmët e luftës edhe pas kaq vitesh të rënies së familjes Jashari, jo vetëm te shtëpia muzeale e Adem Jasharit, ku muret dhe shumë gjëra të tjera përreth mbajnë shenjat e plumbave dhe të djegieve, njëjtë si eshtrat e të vrarëve dhe veshjet e tyre të copëtuara nga lufta, pamja e të cilave vret edhe sot, njëjtë siç vret zemrat e nënave dhe baballarëve të të pagjeturve, moskthimi politik dhe tendencioz i afro 2000 shqiptarëve të vrarë dhe të kidnapuar nga Serbia.

Edhe 16 vjet pas rënies së Adem Jasharit dhe katër vjet pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, për të pagjeturit,ende nuk ka asnjë gjurmë, që na bën t’i kujtojmë edhe sot me shumë dhimbje të madhe, që të gjithë.

Sakrificat e pashembullta të luftës për liri,heroizmat e flijimi të familjes Jashari, ndihma gjithëshqiptare dhe përkrahja e shtetit amë, Shqipërisë, ndryshuan për të mirë,historinë tonë më të re, të cilën flaka e zjarrit të luftës dhe bashkimi i forcave kombëtare e vunë Kosovën në ecje drejt rrugës, e cila çonte edhe atë kah liria e saj e shumëpritur.

Ky nderim u përket gjithë shqiptarëve të të gjitha trojeve etnike, si shembull i arritjes së lirisë së mohuar, të cilën Kosova me sakrificat e veta dhe ndihmën e NATO-s më në fund e realizoi. Ajo arriti të çlirohet nga Serbia dhe të shpallet shtet i lirë dhe i pavarur, i njohur ndërkombëtarisht,tanimë nga mbi 100 shtete anembanë botës,për të cilën në kohën kur shpresonim se më në fund do të lirohet edhe nga mbikëqyrja ndërkombëtare e përfaqësuesve të OKB-së dhe Bashkimit Evropian,mu atëherë asaj iu zu fryma edhe me fusnota, të cilat kush e di kur dhe si do të hiqen ato….

Çështjet madhore kombëtare duhet ta bashkojë politikën shqiptare sot dhe në çdo kohë, e cila kur janë në pyetje çështjet madhore të kombit,politika shqiptare kudo,nuk guxon të jetë e përçarë asnjëherë, ngase shqiptarët me gjithë Shqipërinë shtet të lirë dhe Kosovën e pavarur, ende vazhdojnë të mos jenë faktorë vendimtarë dhe as vendimmarrës në Ballkan e aq më pak në Evropë.

Kosova e pavarur nuk ishte ëndërr vetëm e shqiptarëve të Kosovës, por e të gjithë shqiptarëve kudo janë,ndaj megjithëse ajo tanimë është bërë shtet i pavarur, çështja shqiptare nuk mund të quhet e zgjidhur përfundimisht, përderisa nuk janë të çliruara të gjitha trojet shqiptare, për të cilat luftoi me aq vendosmëri edhe “Baca” Adem Jashari.

Ai nuk luftoi vetëm për Pavarësinë e Kosovës, por për çlirimin dhe bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare, realizimin e të cilave nuk e arriti, edhe pse s’u ndal së luftuari gjatë gjithë jetës së tij, për bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare me shtetin amë, Shqipërinë që ishte edhe BETIMI i tij ushtarak,para se të nisej në çdo aksion lufte.

Por megjithatë,derisa qëndrimi i Serbisë ndaj shtetit të Kosovës, edhe më tej mbetet armiqësor, Kosova përveç trashëgimisë së hidhur nga e kaluara, ka shumë probleme edhe me pavarësinë e cunguar, ngase me flamurin e ri u zyrtarizua jo vetëm ndarja e Kosovës nga Shqipëria, por edhe ndarja “zyrtare” e kombit më “dysh”,me vetë faktin se shqiptarët e Kosovës, tanimë jo vetëm se kanë një flamur tjetër të imponuar nga Bashkësia Ndërkombëtare , ndryshe nga ai kombëtar me të cilin luftoi Adem Jashari për liri, por ata me pranimin e këtij flamuri,edhe pa dashjen e tyre, gjithnjë e më rrallë quhen shqiptar dhe identifikohen me emrin kosovarë, nga të huajt.

Këtë me siguri nuk e deshën ata që kanë dhënë jetën në ditët më të vështira për vendin dhe derdhur gjakun për lirinë e shqiptarëve. Këtë nuk mund ta donte as Adem Jashari dhe nuk mund ta aprovojnë as shqiptarët, të cilët kundërshtuan gjithmonë qëndrimet e padrejta të fuqive të mëdha, për copëtimin e pa drejt të trojeve tona, dhe mospranimin e çështjes sonë kombëtare as në Kongresin e Berlinit të vitit 1878,vendimet e padrejta të të cilit bënë ndarjen e disa tokave tona nga shteti amë,kurse Konferenca e Ambasadorëve në Londër me 1913, vendosi që mbi gjysma e trojeve shqiptare, të mbeteshin jashtë Shqipërisë.

Është e ditur për të gjithë ne, se copëtimi i trojeve shqiptare për shumë bashkëkombës tanë u kthye në tragjedi kombëtare,ngase shumë pjesë të kombit nuk arritën t’i mbijetonin copëtimit, i cili u bë shkak i dhembjeve dhe vuajtjeve të mëdha afro njëshekullore për popullin shqiptar nën pushtimin e shteteve hegjemoniste fqinje si atë grek dhe sllavë.

Kjo edhe i detyroi shqiptarët të ngriheshin kundër padrejtësisë së ndarjes dhe copëtimit të dhunshëm të trojeve tona, në luftë për çlirim dhe bashkim kombëtar, e cila asnjëherë nuk pushoi deri në historinë tonë më të re.

Madje tanimë edhe ne jemi bërë dëshmitarë të tragjedive të mëdha me flijime dhe sakrifica të pa shembullta, deri në shkrirje masive të familjeve shqiptare për mbrojtjen e atdheut dhe pragut të shtëpisë, duke vdekur të pathyer në mbrojtjen e tij dhe pa ia kthyer shpinën armikut për asnjë çast, qoftë edhe me çmimin e vdekjes kolektive familjare për çlirimin e atdheut të pushtuar.

Sipas historisë kombëtare e ndërkombëtare, derisa përfaqësuesit shqiptarë në Konferencën e Londrës mungonin dhe fjala e tyre nuk dëgjohej aty ku vendosej për të ardhmen e shteteve të Ballkanit, ndarja e trojeve shqiptare me 1913 përfundoi pa kundërshtime, duke u ngushëlluar me vetëm një deklaratë të ministrit të atëhershëm të Jashtëm britanik, Eduard Grei, i cili në fund të Konferencës së Londrës, kishte deklaruar: “Sot morëm një vendim të padrejtë ndaj shqiptarëve që herë do kur, ne duhet ta rregullojmë ”!

Ndaj, është shumë e çuditshme se si ka mundësi që tani shqiptarët ta pranojnë vetë ndarjen,derisa është e njohur për të gjithë se për mbrojtjen e shtetit amë dhe forcimin e pozitës historike të popullit shqiptar në tërësi, përveç luftërave kombëtare, na u dashtë edhe ndihma e madhe e miqve tanë, e cila pati rol vendimtar për mbijetesën e kombit tonë nëpër kohë, sidomos ndihma nga SHBA, e cila pas letrës së dërguar Presidentit amerikan Woodrow Wilson nga Hasan Prishtina në vitin 1919, ai edhe do ta shpëtonte Shqipërinë nga copëtimi i mëtejmë, siç vendosi Presidenti Bush më 2007, për Pavarësinë e Kosovës dhe të njohjes ndërkombëtare të saj,ashtu siç ndihmohet edhe tani për shtimin e numrit të njohjeve që i duhen edhe më tej vendit tonë.

Përkundër terrorit që përjetonte Kosova nën pushtimin serb, në kohën kur vetëm mund të ëndërrohej për pavarësinë e trojeve të pushtuara shqiptare, me emrin e Adem Jasharit në gojë dhe bëmat e tij heroike në zemër, mijëra shqiptarë nga të gjitha anët u hodhën në luftë e demonstrata masive, duke përvetësuar ndjenjat patriotike për lirinë e dëshiruar për një shekull, të cilën na u desh ta pritnim aq gjatë për të përjetuar shijen e lirisë së arritur dhe gëzimin e realizimit të shtetit të pavarur, shije këto të cilat deri atëherë ne akoma nuk i dinim.

Vendosmëria për çlirimin dhe bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare, u vulos me historinë madhështore kombëtare të familjes Jashari, e cila u shkrua pa fjalë të mëdha, thjesht dhe pa mburrje, e cila aq bukur mbart mbi vete dëshminë e asaj historie,që ushqen me aq krenari lavdinë e të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen, të cilët në çastet më vendimtare, dhanë edhe jetën për lirinë e Kosovës.

Falë gjakut të Familjes Jashari, shokëve të Ademit dhe bashkëthemeluesve të UÇK-s, Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha e Hakif Zejnullahu, e të tjerëve, të cilët ranë heroikisht, më 31 janar të vitit 1998 në një pritë të organizuar nga forcat e pushtuesit serb, viktimave të Reçakut dhe gjithë dëshmorëve të luftës anembanë trojeve shqiptare, të cilët janë lavdia e kombit tonë, sot Kosova është e lirë.

Por pas dëshpërimeve të njëpasnjëshme nga udhëheqjet e paafta, të cilat vendit nuk i sollën prosperitet, por varfëri, korrupsion dhe izolim total për Kosovën, duke mbytur kështu shpresat e dikurshme të popullit për begati familjare dhe lëvizje të lirë me pasaportën e shtetit tonë të pavarur, anë e kënd botës, te shqiptarët e dëshpëruar sikur ka ndryshuar çdo gjë, që nga sjelljet, humori, hareja dhe këngët tona dikur të bukura, të cilat sot,pothuajse janë bastarduar tërësisht dhe gati nuk ekzistojnë fare.

I vetmi i pandryshuar dhe i përcjellë me pietetin e merituar monumental ndër vite, mbetet kujtimi i paharruar i veprës heroike kombëtare të familjes Jashari, dhe heronjve të luftës së UÇK-së, të cilët janë kthyer në mit me vlera muzeale gjithëkombëtare,me të cilët identifikohen shqiptarët e të gjitha trojeve, që e sollën Kosovën deri këtu.

 

Qëndresa e Familjes Jashari

 

Dhjetë vjet pas shtetrrethimit të Tahir Mehës nga policia dhe ushtria serbe, ajo do të provonte edhe njëherë përsëritjen e akteve të saj makabre ndaj shqiptarëve të pa mbrojtur, por kësaj radhe kundër familjes Jashari. Dhjetë vjet pas vrasjes së Tahir Mehës, në dimrin e ftohtë të atij dhjetori të vitit 1991, nga policia dhe ushtria serbe, ishte rrethuar për herë të parë shtëpia e familjes Jashari, por në momente jo fort fatlume për shkijet, ngase në shtëpi gjendeshin të tre vëllezërit, të tre djemtë e Shaban Jasharit, të cilët do ta mbronin si çdoherë me vendosmëri bindëse, me trimëri dhe heroizëm,familjen e tyre. Zjarrit të hapur kundër shtëpisë dhe familjes Jashari nga policia dhe ushtria serbe, vëllezërit Jashari në mbrojtje iu përgjigjen flakë për flakë e me zjarr, duke i kthyer mbrapsht forcat e pushtuesit në mënyrë të turpshme.

Familja Jashari, në dhjetorin e ftohtë të atij dimri, nuk ishte vetëm, ngase në çastet më të vështira shqiptarët nga Drenica dhe e gjithë Kosova ia kishin mësyrë Prekazit, për t’iu gjendur pranë kësaj familjeje të lavdishme, duke kaluar dhjetëra kilometra këmbë, edhe pse policia serbe familjen Jashari e kishte rrethuar nga të gjitha anët me një rrethim të trefishtë, njësoj si dikur familjen e Tahir Mehës.

Por, tanimë kishin ndryshuar kohët, populli kishte filluar të vetëdijesohej dhe t’i mbronte heronjtë e vet nga pushtuesi, kështu që policia e okupatorit serb nuk pati sukses, me gjithë rrethimin e hekurt që i kishte bërë kësaj familjeje, ngase solidarizimi i popullit shqiptar me familjen heroike të Jasharëve ishte më i madh se kurrë më parë.

Policia pushtuese e Serbisë, duke vërejtur rrezikun e rrethimit të saj nga të afërmit dhe dashamirët e familjes Jashari, që ia kishin mësyrë nga të gjitha anët e Kosovës Prekazit historik të qëndresave legjendare, atëbotë kishte pranuar ndërmjetësimin e Adem Demaçit dhe me arritjen e muzgut të mbrëmjes, ishte larguar kokulur nga kishte ardhur, për të bërë kërdinë në fshatrat e tjera përreth dhe gjithandej Kosovës, por duke mos u lajmëruar më në ato anë për afro shtatë vjet me radhë.

Derisa familja Jashari kështu e kishte mbijetuar sulmin e parë nga policia serbe, në pjesët e tjera të Kosovës dhe në mënyrë të veçantë në fshatrat përreth Prekazit, vrasjet dhe keqtrajtimet nuk pushuan asnjëherë dhe më 28 nëntor të vitit 1997 në fshatin Llaushë të Skenderajt, derisa po hynte në derë të shkollës, pa asnjë shkas ishte vrarë mësuesi Halit Geci. Në varrimin e këtij mësuesi, në praninë e mijëra pjesëmarrësve, për herë të parë u bë hapur paraqitja e pjesëtarëve të UÇK-së, duke mbajtur edhe një fjalim patriotik, para pjesëmarrësve në varrim.

 

Rrethimi i dytë

 

Pas më se shtatë vjetësh të kaluara, më 22 janar të vitit 1997, duke shfrytëzuar errësirën e natës për mosvërejtjen e lëvizjeve të tyre, para agut të mëngjesit, policia serbe e kishte rrethuar për herë të dytë familjen Jashari. Derisa gratë dhe fëmijët po flinin, policia barbare pushtuese e Serbisë e kishte filluar sulmin e dytë ndaj familjes së pambrojtur, ngase asnjëri nga të tre vëllezërit, Rifati, Hamza dhe Ademi, nuk gjendej në shtëpi. Rrethimin e kishte hetuar plaku Shabani, i cili kishte dëgjuar zhurmën dhe shushuritjen e rrethimit, nga e cila tashmë kishin mjaft përvojë.

Bacë Shabani, me gjithë moshën e shtyrë, ishte ngritur menjëherë dhe me ndihmën e grave dhe të fëmijëve më të rritur, me gjithë plagosjen e dy vajzave, ia kishte arritur ta mbronte familjen me nder nga sulmet e pushtuesit, duke e thyer me turp edhe kësaj radhe sulmin e policisë pushtuese të Serbisë.

 

Rrethimi i tretë fatal

 

Por, më 5 mars të vitit 1998, tanimë për herë të tretë, bashkë me familjen Jashari dhe Prekazin, forcat okupatore të policisë dhe ushtrisë së Serbisë, me tanke dhe topa si dhe të gjitha llojet e armatimit të rëndë, kishin rrethuar edhe një pjesë të Drenicës. Derisa familja heroike Jashari po ngrihej nga gjumi për të hyrë në historinë më të re kombëtare me qëndresën e saj vendimtare dhe një heroizëm të pa njohur deri atëherë, qindra policë dhe ushtarë të pushtuesit serb marshonin drejt shtëpisë së familjes Jashari në Prekazin legjendar, për rrethimin dhe shkatërrimin e shtëpisë dhe të familjes së tyre në tërësi.

Ademi, Hamza dhe Shabani vigjilentë, të cilët ato net pothuajse fare nuk flinin, ishin njoftuar për lëvizjet e forcave të pushtuesit në drejtim të Prekazit, të cilat, për shkak të gjerësisë së operacionit dhe numrit të madh të forcave policore ushtarake që merrnin pjesë në operacion,sipas shkrimeve publike edhe nga vëzhguesit e UÇK-së nuk kishte mundur të kuptohej shpejt nëse ishte kjo mësymje për operacion ndëshkues kundër tërë rajonit të Drenicës, apo vetëm familjes Jashari dhe Prekazit.

Megjithëse luftëtarët mitikë të familjes Jashari e kishin hetuar se po rrethoheshin, përmasat e vërteta të atij rrethimi të kobshëm do ti vërenin vetëm me zbardhjen e agut të atij mëngjesi historik, kur qindra e ndoshta edhe mijëra ushtarë e policë të okupatorit tashmë e kishin rrethuar Prekazin dhe po i afroheshin familjes Jashari, të cilën heronjtë e saj kishin vendosur ta mbronin me çdo kusht deri në vdekje, me të gjithë pjesëtarët e familjes së tyre, të mëdhenj dhe të vegjël, duke hyrë në përjetësi.

Luftimet e para kishin filluar që në orët e hershme të mëngjesit për tu kthyer një beteje historike, e cila, me gjithë forcat e pabarabarta, me heroizmin e treguar nga familja Jashari që nuk u gjunjëzua deri në vetëflijimin kolektiv familjar, bëri që kjo ngjarje e pa parë deri atëherë të shkruhej me shkronja të arta në historinë më të re shqiptare. Qindra policë dhe ushtarë të okupatorit serbë sulmonin një shtëpi të vetme, në të cilën gjendeshin më shumë se 20 pjesëtarë të familjes që i takonin moshës fëmijërore, nga 7 deri në 20 vjeç, të cilët të rrethuar nga tanket dhe autoblindat e pushtuesit po sulmoheshin pa mëshirë, në mënyrën më të tmerrshme të mundshme dhe nga çdo anë, me të gjitha llojet e armatimit të rëndë ushtarak.

Ata edhe në ato kushte, të vetëm kundër të gjithëve, kishin vendosur të qëndronin deri në vdekje, duke u bërë ushtarë të mbrojtjes së atdheut të robëruar, familjes së pa mbrojtur dhe pragut të shtëpisë së tyre të cenuar. Secili pjesëtarë fëmijë, grua apo burrë që mund të mbante një armë në dorë, që nga më i vogli e deri tek më i moshuari, ishin kthyer në ushtarë të mbrojtjes së familjes dhe atdheut, për të mos kaluar armiku andej, para se të binin mbi trupat e tyre të vdekur.

Viktima e parë e kësaj lufte të pabarabartë, sipas shkrimeve dhe intervistave të pjesëtarëve të familjes në shtypin e vendit, shkrimeve të shumta në portalet shqiptare dhe dëshmive të dëgjuara për këtë ngjarje madhështore në shkallë heroizmi, e cila begatoi historinë tonë kombëtare edhe me një ngjarje dhe vepër të re, të paparë në historinë tonë të deritanishme, ajo që u vra para syve të fëmijëve të saj, të cilët ishin vënë në frontin e mbrojtjes, ishte bashkëshortja e Ademit, Adilja, derisa po i sillte municion luftarak të shoqit.

Megjithatë, do të kalonin ditë dhe net, por qëndresa heroike e Jasharëve në mbrojtjen e shtëpisë, atdheut dhe të familjes nuk do të ndalej, deri në rënien e pjesëtarit të fundit në këtë luftë të pabarabartë, ndërmjet një familje të vetme dhe një ushtrie të tërë pushtuese, siç ishte ajo e okupatorit serb.

Ditën e dytë të saj, lufta ishte përhapur edhe në shtëpitë përreth. Disa shtëpi dhe familje të lagjes digjeshin në flakë, por qëndresa e tyre kishte vazhduar e paepur edhe për të tretën ditë me radhë.

Prekazi digjej si ditën e parë të luftës, ashtu edhe ditën e dytë. Nga pullaze dhe shtëpi dilte tym dhe flakë, të cilat ndriçonin gjithë hapësirën ku zhvillohej tragjedia biblike e familjes Jashari. Kulmin e dramaticitetit të saj mitik, lufta do ta arrinte ditën e tretë, më 7 mars, kur forcat terroriste të okupatorit serb në pamundësi që ta pushtonin familjen dhe lagjen Jashari, kishin filluar me granatime nga topat e rëndë në shtëpinë e familjes Jashari, në bodrumin e të cilës ishin strehuar një numër i madh i pjesëtarëve të familjes së saj, por kryesisht fëmijë.

Pas granatimit me topa të rëndë, një predhë e kalibrit të madh kishte goditur bodrumin e shtëpisë, e cila bashkë me hedhjen në erë të pjesës ballore të bodrumit, të tavanit dhe një pjese të shtëpisë së tyre, goditja fatale e predhës, menjëherë kishte vrarë 13 pjesëtarë të familjes Jashari. Dhe, dhjetë nga ta ishin fëmijë.

Por, Ademin dhe pjesëtarët e mbijetuar të familjes, edhe pse të mbetur vetëm dhe nën rrethim pa asnjë ndihmë apo plumb të shkrepur nga jashtë,çfarëdo flijim sado i rëndë dhe i dhimbshëm të ishte, para betimit për mbrojtjen e atdheut dhe pragut të shtëpisë nuk i zmbrapste as dobësonte ata, dhe nuk kishte forcë e cila do të arrinte që të gjallë t’i thyente apo dorëzonte. Ai edhe në ato momente thoshte se nuk i morëm armët për t’u dorëzuar, por jemi betuar të luftojmë deri në frymëmarrjen tonë të fundit, deri në vdekje për liri dhe atdhe, për të mos rënë kurrë të gjallë në dorën e armikut edhe pse luftonin të vetmuar kundër një ushtrie të tërë pushtuese.

Heroizmi i përmasave të tilla mitike të pjesëtarëve të familjes Jashari ishte dëshmuar jo vetëm nga pjesëtarët e saj të rritur dhe të regjur për luftë e qëndresa të mëdha heroike, por edhe nga më të vegjlit e saj, të cilët, edhe pse ishin fëmijë dhe s’i kishin rënë akoma brisk fytyrës, siç thuhet në shprehjet popullore, as ata nuk u dorëzuan para sulmeve të vdekjes. Bile edhe pas rënies së shtyllës kryesore të kësaj qëndrese historike,kur Adem Jashari do të vritej nga një plumb snajper në derën e shtëpisë së tij, duke e mbrojtur atë me heroizëm,edhe pse tërësisht i vetëm dhe për nga mosha ende fëmijë,luftën do ta vazhdonte furishëm, Kushtrimi, djali13-vjeçar i Adem Jasharit.

Kushtrim Jasharin, trimin e paepur 13 vjeçar, nuk kishte arritur ta poshtëronte armiku dhe as ta mundonte frika. Atë e kishte kapluar urrejtja kundër okupatorit serb, i cili me të gjitha llojet e armëve po mundohej t’ia pushtonte atdheun e tij të dashur dhe shtëpinë e shkrumbuar me themel të familjes së tij heroike. Ndaj ai edhe pse për nga mosha ishte shumë i ri dhe vetëm një 13 vjeçar, tregoi trimërinë e një burri me nam, i cili si Mic Sokol i vogël, me automatik në dorë u kishte dalë hapur dhe ballë për ballë topave të okupatorit serb, duke rënë si hero mitik i legjendave me trimëri të rralla, i vrarë nga largësia me armët e kalibrave të mëdhenj nga okupatori i etur edhe për gjak fëmijësh. Por edhe pas rënies së Kushtrimit, okupatorët akoma nuk besonin t’i afroheshin shtëpisë së kësaj familjeje heroike të ngritur në histori dhe mit bashkëkohor.

Me rënien e Kushtrimit, si ushtari më i ri i asaj lufte të paharruar, në të cilën, të gjithë së bashku qëndruan të paepur deri në vdekje për mbrojtjen e shtëpisë, familjes, nderit të atdheut dhe kombit, u shua edhe mbrojtësi i fundit i kësaj beteje historike të familjes Jashari, të cilët, vërtet, e mbajtën me nder betimin e dhënë para varrit të Tahir Mehës, duke luftuar deri në frymëmarrjen e tyre të fundit, kur nga 22 pjesëtarët e pranishëm të familjes Jashari, që gjendeshin në shtëpi,20 nga ta ishin vrarë:

 

1.Shaban Murat Jashari,babai 74 vjeçar

2.Zahide Geci Jashari, nëna 74 vjeçare

3.Zarife Jashari,gruaja e Rifatit ,49 vjeçare

4.Hidajete Rifat Jashari,vajza 18 vjeçare

5.Valdete Rifat Jashari, vajza 15 vjeçare

6.Igball Rifat Jashari, djali 13 vjeçar

7 Igballe Rifat Jashari,vajza 11 vjeçare

8.Hamëz Shaban Jashari,47 vjeçar

9.Feride(Mecini)Jashari,bashkëshortja e

Hamzait 43 vjeçare

10.Selvete Hamëz Jashari,vajza 20 vjeçare

11.Atifete Hamëz Jashari,vajza 17 vjeçare

12.Besim Hamëz Jashari,djali 16 vjeçar

13.Lirie Hamëz Jashari, vajza 15 vjeçare

14.Blerim Hamëz Jashari,djali 12 vjeçar

15.Fatime Hamëz Jashari,vajza 9 vjeçare

16.Blerina Hamëz Jashari,vajza 7 vjeçare

17.Adem Shaban Jashari,42 vjeçar

18.Adile(Rama) Jashari,bashkëshortja e

Ademit,40 vjeçare

19.Fitim Adem Jashari,djali 17 vjeçar

20.Kushtrim Adem Jashari, djali 13 vjeçar

 

 

 

Në mesin e të rënëve, nga më të rinjtë ishte vajza e Hamëz Jasharit, Blerina, 7-vjeçare, kurse dëshmori më i moshuar i kësaj lufte ishte Bacë Shaban Jashari, 74-vjeçar.

 

 

Epilogu i heroizmit të Familjes Jashari

 

Rifat Jashari (i lindur më 1946),për mbrojtjen e familjes,pragut të shtëpisë dhe të atdheut të tij të shtrenjtë, në këtë luftë,dhe për lirinë e këtij vendi, do të flijonte gruan dhe 4 fëmijët e tij, nga mosha 11 deri 14-vjeçare. Kurse ai me djalin e ti, Muratin, djalin e vëllait të tij, Hamzës, Bekimin dhe djalin e Adem Jasharit, Lulëzimin, gjendeshin në Gjermani.

 

Hamëz Jashari (1950-1998),do të vritej me 6 mars të vitit 1998 në mbrojtje të shtëpisë, familjes dhe atdheut bashkë me gruan dhe 7 fëmijët e tij, nga mosha 7 deri në moshën 20-vjeçare, derisa djali Bekimi gjendej në Gjermani, kurse vajza e vogël te dajat.

 

Adem Jashari (28 nëntor 1955-6 mars 1998),do të vritej i parafundit, duke rënë heroikisht në pragun e derës së shtëpisë, ndërsa gruaja e tij ishte viktima e parë e asaj lufte heroike, por të pabarabartë,me ç`rast ishin vrarë edhe dy fëmijë të tyre, nga 5 fëmijë sa ata kishin. Derisa djali Lulëzimi gjendej në Gjermani, dy vajzat e tij kishin qëlluar te farefisi i tyre. Ndërkaq, Kushtrimi, 13-vjeçar, do të vdiste i fundit në fushë të mejdanit kombëtar, duke i dalë ballë për ballë topave të armikut si një Mic Sokol i vogël, për të cilin me siguri historia jonë duhet të shkruajë më shumë si për heroizmin e tij të madh dhe burrërorë në moshën e tij fëmijërore, ashtu edhe për historinë e famshme të familjes heroike Jashari!

 

56 të vdekur, vëllezër e kushërinj

të afërt të Familjes Jashari

 

Se çfarë flijime të mëdha kërkohen për qëllime të larta, këtë më së miri e dëshmoi familja Jashari me heroizmat e saj historikë. Kjo familje, mbi dhjetë vjet, zhvilloi luftë intensive kundër terrorizmit të policisë dhe ushtrisë okupuese të Serbisë, duke u bërë shembull i qëndresës dhe i pathyeshmërisë kombëtare, për të cilën ata familjarisht u flijuan. Për ta më e shtrenjtë ishte liria jonë kombëtare sesa jeta nën robëri, megjithëse 20 anëtarë të një familjeje kaq të devotshme kombëtare dhe 36 kushërinjtë e saj patriotë nuk arritën kurrë që ta përjetonin lirinë e ëndërruar.

Kjo luftë pati vetëm një dëshmitare të shpëtuar. Dhe ajo ishte vajza e vogël e Hamëz Jasharit, Besarta, e cila në mesin e të gjithë atyre plumbave dhe granatave shkatërrimtare, e fshehur nën magjen e shtëpisë, mbi të cilën nëna e saj derisa ishte gjallë, kishte gatuar bukën për Besartën dhe heronjtë e mëdhenj dhe të vegjël (në moshë) të familjes Jashari, ajo kishte shpëtuar, kurse kushëriri i saj, Bashkimi, kishte mundur t’i shpëtonte rrethimit.

Bashkimi dhe Besarta e shpëtuar, 4 pjesëtarët e familjes që gjendeshin në Gjermani dhe dy vajzat e Ademit që kishin qëlluar tek të afërmit e tyre, ishin 8 anëtarët e mbijetuar nga 28 anëtarë sa kishte gjithsej atëbotë familja Jashari. Sot, pas kaq vitesh, kjo familja e ndritur është shtuar, rritur dhe gëzuar edhe me emrat e ripërtërirë të Bacë Shabanit, Hamëz dhe Adem Jasharit, të cilët të ripërtërirë nga hiri i heroizmave historikë të familjes, mu si Feniksi, sigurojnë rritën e jetës së re dhe garantojnë historinë e paraardhësve të tyre heroikë me shumë krenari.

Nëse rilindësit dhe heronjtë e kombit, si Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Isa Buletini, e të tjerët, sollën Pavarësinë e Shqipërisë, vetëflijimi i familjes Jashari, ishte vula e lirisë së Kosovës e cila u arrit me kaq shumë luftëra dhe sakrifica.

*Gani Qarri, nxjerr nga libri “Krijuesit e Historisë”

 

Filed Under: Histori Tagged With: Adem Jashari, Gani Qarri, Heroizmi i Familjes, Jashari

ADEM JASHARI,NGA SUBLIMJA EPOKALE TEK LEGJENDA SHQIPTARE

March 5, 2014 by dgreca

Shkruan:Eugen SHEHU/

 Ka ndodhur shpesh që njerëzit kanë lidhur do traktate të fshehtë midis jetës së tyre dhe vdekjes. Brenda këtij traktati janë dimensionuar jo vetëm fati i njeriut por edhe i trojeve që e lindën dhe i përkundën djepin. Më tej, ai ka ngarendur jo më nëpërmjet trilleve vetiake, por ka mbetur stoik në qëndër të shkulmeve të erërave dhe furtunave duke u shndrruar sakaq në Promete  të kombit të vet.Olimpi i tij nuk ka asnjë të përbashkët me mitet e fqinjit tonë jugor. Ky mal mitik, më së shumti gjendet në zemrën e një burri a të një lisi, nëpër degë të të cilit duhmat e lirisë grishin shpendët ogurbardhë të vazhdimësisë së jetës.

Prej Olimpit të shpirtit, Adem Jashari ka kundruar kurdoherë Drenicën martire, Kosovën kreshnike, kufijtë e rudhur etnikë, ashtu si fytyra e një gruaje të mbytur brengash. Drenica! Kjo vatër e ngrohtë e shqiptarizmës, kjo derë e çelur e burrërisë, ai kuvend emblematik për lirinë, ajo strehë e sigurtë e flamurit dhe shqiponjës brenda palëve të mëndafshta që gatitet të marrë rrugën nëpër furtuna. Drenica! Aty më së pari Kraleviq Marku, i turpëruar dhe munduar prej Musa Arbanasit, shekuj më parë, thërriste në ndihmë gorska vilat (zanat e malit) dhe ato nuk iu përgjigjën. Gorka vilat u trembeshin çiltas zanave shqiptare sepse këto të fundit, sipas besimit shqiptar të kryehershëm, ishin kurdoherë në ruatje të trimave që luftonin për të mbrojtur trojet amtare, prej pushtuesve të huaj.

Drenica e Shotës dhe e Azemit, një shpërfillje e hapur ndaj Londrës së vitit 1913, një përballje e mundimshme ndaj dhunës dhe gjenocidit serb, përplasje tragjike fatesh njerëzore përmes kumbimit të këmbanave të ferrparajsës. Një çift yllor shqiptarësh, të cilët atëherë kur bashkëkombasit e tyre i thërriste vdekja (nisur ç`prej Beogradit) ata i përgjigjeshin jetës me jetën e tyre, i përgjigjeshin të ardhmes me pushkët, fishekët, trimërinë dhe më pas me pranverat e tyre,me ma të shtrenjtën nga ajo që ta ka dhuruar Zoti,sublimen.

Drenica e Shaban Polluzhës një kështjellë gjaku dhe eshtrash, në detin e asaj murtaje të kuqe kur vëllau vriste vëllanë për hirë të disa dogmave ardhur prej Uraleve. Por kësaj radhe, gjëmimi i armëve të Polluzhës me burrat që e rrethonin, nuk do të ndante asesi në Beograd. Ato gjemime do të ngarendnin deri në dyert e kancelerive të Evropës, duke u shndruar në muzikë funebre jo vetëm për të ardhmen e shqiptarëve, por të krejt popujve ballkanikë, të cilët do të jetonin në terrin e gjatë të diktaturës komuniste.Çfat i madh për Drenicën, për ata male, livadhe dhe ujra që e rrethojnë! Ajo i kumtonte Evropës shpirtin e trazuar shqiptar, që nuk mund të regëtinte përmes kënetës e baltrave të regjimit totalitar pushtues, por që rridhte deri në çastin e mbramë për lirinë e amëshuar. Tek e mbramja, lashtësia dhe lavdia e Drenicës, është një pikë takimi e historisë së shqiptarëve, simbol rezistence i pakontestueshëm në çdo kohë.

10 vjet pas ciklonit Polluzha, më 28 nëndor të vitit 1955, në Prekaz të Drenicës, së bashku me të qarat e një foshnje, Drenica do të parandjente një tjetër kumt mesianik. Drenica dhe krejt trojet shqiptare, duket se përshënditeshin nga lindja e djalit të tretë në kullën e Shaban Murat Jasharit. Ardhur vonë asaj mbrëmje në shtëpi,plaku trim Shaban duke kërkuar një rast sadopak të fshehtë për të kremtuar festën e të parëve të vet, 28 nëndorin ka thyer zakonin e burrit (nuk e shohin fëmijën e sapolindur) dhe ka mbështjellë djepin me flamurin kuqezi. S`ka munguar baca Shaban të verë edhe alltinë mbi flamur, duke shpallur në këtë mënyrë kredon e përjetshme të fisit të vet, luftën pa fund ndaj shkijve dei në agun e bardhë të lirisë. Kjo skenë madhore do të merrte udhën sakaq drejt eposit. Eposet shqiptarë kanë ligje tejet të rreptë për mesazhet që bartin dhe përcjellin.

Ç`ka e rriti djalin Adem? Trishtimi i përhershëm për Kosovën e mbuluar në rroba të zeza robërie. Nderimi i madh për të parët e tij, të cilët e patën mbrojt me pushkë dhe jetë çdo pëllëmbë të Drenicës dhe trojeve arbërore. Respekti për krejt ata breza që ndonëse provuan mbi supe makinën dhunuese të mizorive serbe, askurrë, edhe në çastet më të rëndë nuk e humbën besimin në ditën e bardhë që do të agonte. Herët ai do të ndjente në rininë e vet, se e ndante një mur i madh prej mitit të egër serb, i cili justifikonte shfarosjen masive të shqiptarëve nga trojet e tyre autoktone. Herët ai do të mësonte prej të atit se trimëria e burrit nuk mund të filloj tek dera e fqinjit. Ndërsa nga e ëma, gruaja Zahide (derë bajraktari prej Gecajve të Llaushës) do të ndëgjonte këngët e trimave, ato këngë që rridhnin së bashku me borërat dhe ujrat e Drenicës, drejt dhe në eposet trimërore shqiptare. Këto e rritën trimin Adem, siç rrisin furtunat shtatin e lisave.
Herët, Adem Jashari e pati kuptuar se themelet e ishugosllavisë ishin ndërtuar mbi një keqkuptim dramatik të etnive dhe aspak mbi grehinën e një demokracie autentike apo shteti të së drejtës,do ta identifikonte pushtuesin dhe të pushtuarin. Në mënyrë të qëllimshme për gati pesë decenie me radhë një terror sistematik, një dhunë fizike dhe emocionale e shfrenuar serbosllave, veçanërisht mbi shqiptarët etnikë.Një propagandë shumë aktive, do të thoja marramendëse, ka dashur kurdoherë të merrte në mbrojtje këtë genocid therës e tragjik, duke dashur të shmangë përgjegjësitë nacionale-kolektive të serbve. Mjerisht jo vetëm Jasharajt por krejt viset etnike të Kosovës dhe Maqedonisë shqiptare, e patën kuptuar si një doktrinë lehtësisht të perceptueshme se njeriu nuk mund të urrej askënd për shkak të një instikti të lindur, përkundrazi ka një shkallë urrejtje përmes së cilës ai patjetër duhet të kalojë. Mendoj të jetë kjo, ndër arsyet kryesore që pas çdo ngjarjeje luftarake për ndryshim të kufijve, opsioni më normal i serbëve të zbritur nga Uralet e largët, ishte “etnicko çistenje” (alias spastrim etnik) garashinjane, më ç`rast do të mund të “garantohej” struktura e ardhshme racore e gjallimit të kolonëve serbe, në tokat e pushkatuara me forcën e armëve dhe dallkaukizmave të europës që kishin shkaravitur gjeografinë e trojeve etnike shqiptare.

Në mënyrë të veçantë, në fillim të viteve 80-të të shekullit që lamë pas, atëherë kur në shtëpinë e madhe të Jasharajve në Prekaz nisën kuvendet e fshehtë se si mund të përballej me makinën ushtarake të Beogradit, kur aty mësynin bujtës ç`prej Mitrovice në Prizren, ç`prej Bujanovci në Karadak e Dukagjin, bijtë e Kosovës martire patën shkuar në zgrip të dhimbjes shekullore. Për ta nuk kishte asnjë dyshim se Beogradi për të ripushtuar sërish “djepin  serb mesjetar”, duhej jo vetëm të nëpërkëmbëte, poshtëronte e nënshronte popullatën joserbe, por tek e mbramja vlente t`i shfaroste krejt ata. Shqiptarët në këtë këndvështrim duhej medoemos të ishin të parët ngase luftrat e shekullit ishin dëshmi e “kokfortësisë” të tyre, ndërkaq sipas besimeve mjeranë të ortodoksizmit pansllavist dhe dogmave fanatike të tij, popujt me fe islame duhet të shporreshin nga jugu i Ballkanit. Në këtë kontekst, dhuna e institucionalizuar e beogradit, gjente strehë të sigurtë dhe përkrahje të kahershme nëpër kishat plot temjan të Moskës bollshevike,nga buronte dhe  inspirohej dhe mbështetej raca sllave në egërsinë shoveniste agresive ndaj  atdheut dhe racës së pastërt shqiptare.
Kur Jasharajt, Lushtakët, Kodralitë apo Mehajt nisën të ideojnë lëvizjen ilegale në Drenicë, kur burrat e këtyre shtëpive përgatiteshin të mateshin me stuhitë serbe,në fillim të vitit 1986, Akademia e Shkencave serbe, nuk mungoi të hedhë në pazar të ideve famëkeqin Memorandum të së radhmes. Me një cinizëm si rrallëkund në historinë e shkencës, këta akdemikë patën dalë asaj kohe me idenë e kobshme (çka parashihte lumenj të tjerë gjaku) që serbët duhet të jetojnë në një vend unik dhe të vetëm. Me këtë akt të paprecedent në histroinë e marrëdhënieve midis etnive të ndryshme, ata parakuptonin faktin që kudo ku kishte qoftë edhe një grusht serbë, duhej patejtër me çdo mjet dhe mënyrë të zhdukeshin nga faqja e dheut fqinjët e tyre, anipse ata jetonin në trojet etnike të të parëve, anipse bëhej fjalë për egzistencën e vetë racës njerëzore.
Ç`ka qënë nata e 30 dhejtorit 1991 në Prekaz? Asgjë më shumë se mundimi dhe shpresa e Beogradit për të sendërtuar hakmarrjen gjakatare ndaj shqiptarëve. Me qindra policë me uniformë ose të fshehtë, me dhjetra armë automatike, mortaja dhe topa rrethuan bijtë e Kosovës martire, me të vetmin qëllim për t`i vrarë ata, me të vetmin qëllim për t`i “trembur” të tjerët për të shuar qysh në lindje vullkanin epokal të lirisë sonë.

Nxjerrin pushkë Mehajt, shënojnë mbi aradhën serbe Kodralitë ndërsa vëllezërit Rifat, Hamz dhe Adem, duke dalë prej kullavë lëshojnë piskamën: Po a duen me na rrëmbye te sotmen dhe të ardhmen o heeee! Zërat e tyre të përzjerë me krismat e armëve janë përplasur faqe më faqe të maleve të Drenicës. Nuk dihet me saktësi a kanë gjëmuar malet apo vetë historia e gurëve dhe drurëve, në asht të të cilëve, është ruajtur vetë klithma e lirisë. Kur liria klith, më parë se të zgjoj sy dhe shpirtra të fjetur, ajo depërton në kujtesën e kombit. Ç`prej 31 dhjetorit të vitit 1991, atëherë kur makina ushtarake serbe do të largohej e mundur prej Prekazit,në librat e policisë sekrete të Beogradit, do të shkruhej me të mëdha emri i Adem Jasharit.
Ç`ka qënë vallë nata e 25 nëndorit 1997 për policinë e sekrete serbe? Përse ata i janë vërsulur kësaj radhe në mënyrë tinzare të ftohtë si vdekja, lagjes Binakaj të Vojnikut? Dhe ndërsa këta u afrohen lagjes dhe shtëpive të shqiptarëve, gurët dhe drurët, në memorien e tyre, në mënyrë të vetvetishme sjellin ndërmend një prej masakrave të Çeklicës, shekuj më parë, masakrë “e pastër” e ortodokzismit të egër ndaj myslimanëve. Ende sot, në eposin gojor mjeran të Serbisë këndohet e “famshmja” këngë kur Vojvoda Batriç i raporton peshkopit Danilo dhe abatit Stefan:“Myslimanët e Çeklicës na ikën.Kështu që prej tyre vramë pak,Por dogjëm vatrat e tyre,Çerdhe dervishësh dhe xhami turke,Bëmë me to një pirg të mallëkuar.Që të mbetet si shenjë për popullin.”
Ndërsa në kullat e lagjes Binakaj dëgjohen krismat e para të pushkëve kriminale serbe, në luginën midis Llaushës dhe Rezallës së Re, burrat e armatosur prijnë pas Adem Jasharit. Vetëtima dhe stuhi nuk mund të mbrrinin dot më shpejt në shpatet edhe grykat e Vojnikut.

Sërish ndizet e ashpër beteja dhe për policinë e fshehtë serbosllave dhe mercenarët e tyre shqipfolës  nuk është e vështirë të kuptohet se gjëmimi i armëve i shpërndarë tej e mbanë maleve të Drenicës është Adem Jashari, ai që përkrahu studentët e Prishtinës më 1981, ai që ngarendëte çdo 28 nëndor me flamur kuqezi në gjoks, ai që përball me eprorin e policisë serbe Rajkun gjatë demonstratave në Skënderaj, ai që e pat kthyer kullën e vet në simbol të vetëdijes nacionale për krejt drenicarët. Natyrisht, në rrjedhën e ngjarjeve, serbët asesi nuk mund të kishin rënë në befasi. Ata qenë përleshur gjatë këtyre anëve me Azem Galicën, ata patën humbur qindra ushtarë të tyre dhe çetnikë në pranverën e vitit 1945, në luftë kundër Shaban Polluzhës, tashmë do t`u duhej të luftonin kundër burrit të Prekazit Adem Jashari.
Llogaritë e serbve në Vojnik nuk dalin. Ata tërhiqen sërish në mënyrë tinzare për të kryer dy ditë më vonë një prej akteve të shëmtuar dhe të mynxyrshëm, vrasjen e mësuesit të nderuar Halit Geci. Gjendja depresive në të cilën ndodhej policia e Beogradit, ërërat e forta të shovinizmit dhe të serbofobisë në disa mjedise paranojake, favorizonin radikalizimin dhe ekstremizmin serb. Kjo simetri mjerane për shpirtin dhe moralin e një kombi, duhej të flakej.

Por atje ku nuk mbërrin dot fjala, atje ku mëria etnike urdhëron krime ndaj fqinjit, që vetëm fati ta solli aq pranë, atëherë fjalën e vet e thotë gryka e pushkës, e mbajtur sigurisht në duar trimash. Në 28 nëndor 1997, ndërsa varri i mësuesit të nderuar Halit Geci mbulohej me kurora lulesh nga gjithë Kosova martire, në funeralin e rastit shfaqeshin ushtarët dhe prijësit e parë të Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës. Një simbolikë e çuditshme lidhte në këtë datë, ngritjen e flamurit në Krujë prej Gjergj Kastriot Skënderbeut, në Vlorë prej Ismail Qemalit dhe pothuajse 85 vjet më pas, ky flamur qëndronte bri dëshmorit të rënë dhe të atyre burrave që mbartnin mbi supe përgjegjësinë e ardhmërisë së trojeve etnike shqiptare.Pos simbolika e mësipërme, në mënyrë depërtuese do të nderej jo vetëm në rrafshe të datave tona kulmore, por edhe në ditlindje të zakonshme. Adem Jashari pat lindur pikërisht më 28 nëndor dhe i jati Shabani e pati mbështjellë me flamur kombëtar.

Profecia e lënë disi në periferi të memories familjare, priste tani, në fundshekullin e trazuar të realizohej prej një numri shumë të madh njerëzish se kulla e Jasharajve. Drenica i kishte çuar sytë vetëtimthi tek ai burrë shtatlartë, me mustakë, me zemrën e madhe dhe sytë që ndriznin zjarre dashurie. Por këtë ndjenjë të atdhedashurisë së natyrshme, Beogradi në mënyrë krejt të qëllimshme e konfronton me fjalën terror, duke dashur të mbulojë varganin e krimeve të veta me gjethen biblike të lules.

Ende sot pas kaq vitesh, shqiptarët në Kosovë duket se nuk e kanë harruar rënqethjen që kanë ndjerë pas deklaratës së Milosheviçit që : “Ata që në Jugosllavi, e mbështesin terrorin shqiptar, i japin një goditje serioze Serbisë dhe Jugosllavisë. Serbët dhe malazezët, nuk kanë mbetur vetëm këta të fundit.Çdo vatër në Serbi, është gati që nesër të niset për Kosovë. Sepse “shovinistët shqiptarë” e dijnë mirë siç e kanë pas ditur dhe më parë e duhet ta dijnë edhe në të ardhmen që nuk do të kenë dhe nuk do të pushtojnë kurrë, qoftë edhe një gisht të vetëm tokë serbe dhe sidomos as që do ta kenë e as që do të mund të pushtojnë Kosovën dhe Metohinë”.
Totalitarizmi nacional-shovinist i urryer serb, çdo ditë e më shumë, nxirrte në shesh, etjen tragjike për gjak shqiptarësh. Gjak në Prishtinë e Skënderaj, gjak në Ferizaj e Pejë, të vrarë e të varrosur përmes hymnit kombëtar shqiptar në Drenicë, të masakruar në vise të tjera në afërsi të Maqedonisë shqiptare.Evropa e cila i ruante ende në memorie krimet e fashizmit po shihte jo pa vëmendje se komunizmi në agoni, ai që dikur qe predikuar si vëllazëri e miqësi e paskajshme, tanimë me metodat e dhunën e përdorur ndaj njerëzve, binshëm ia  kaloka edhe fashizmit. Ky socializëm i dekompozuar u shfaqka plot gjak e kocka ashtu si në tragjeditë e lashta të Sofokliut, por kësaj radhe duke patur për skenë, Europën e mikluar prej teorive perverse të kombit të kulluar serb, predikimet për vrasje, sadizmin dhe terrorin psikologjik të marrë si masë ndaj “terroristëve” shqiptarë, tek e mbramja, ricikloi edhe një herë (ndonëse tani në kushte më të pafavorshëm) shpërfilljen e saj ndaj kombit të vjetër të Ballkanit, i cili ndonëse u përgjysmua në shekuj, nuk iu nënshtrua asnjë lloj sundimi, përkundrazi ruajti, ngriti dhe lartësoi dinjitetin e vet kombëtar.

Adem Jashari, padyshim, mund të merret si shëmbëlltyrë e kësaj rezistence në trojet etnike shqiptare nën pushtimin sihjugosllav. Ai dhe burrat që e rrethonin në ato vite, duke i thënë “ndal” masakrave rituale në viset shqiptare, u thoshin “ndal” në të vërtetë hakmarrjes së verbër të saj, cinizmit antieuropian, lëvizjes tejet të rrezikshme për t`u kapur pas miteve ndjellakeqës dhe jo pas realitetit që ofrojnë zhvillimet.
Në ditët e para të marsit 1998, soldateska serbe kryen mizori në fshatrat Qirez dhe Likoshan.Popullsia e pambrojtur e këtyre viseve u gjend në mënyrë të beftë nën shiun e predhave të automatikëve, mortajave dhe topave të kalibrit 75m/m. Por ajo gjendet e pambrojtur edhe ndaj opinionit europian, i cili “nuk ka kohë dhe mundësi të merret me kosovarët” shovenizmi serbosllav kishte bërë kërdinë e përgjakjes në gadishullin e ballkanit. Sa për Beogradin shoven, aty ishin grumbulluar edhe mercenarët rus,rumun e deri dhe jevgjit, të zhytur këmbë e kokë në nacionalshovenizmin famëkeq të Serbisë së Madhe, duke u shëndrruar me dashje apo pa dashje në vegla të kësaj politike mjerane. Policia e fshehtë e Beogradit, ndjek lëvizjet e vullnetarëve të Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës dhe e bindur se Adem Jashari është simboli dhe shtylla kryesore e kësaj qëndrese shqiptare, ndërmerr hapin tjetër. Ajo kërkon të shuajë me zjarr dhe hekur jo vetëm qëndresën e burrit 42 vjeçar por krejt kullat e Jasharajve, duke dëshmuar se është njëherëzi pjellë e krimit dhe nënë e tij.
5 maj i vitit 1998 do të vinte përmes një agu të mynxyrshëm në vise të Drenicës. Topa, mortaja, kallashnikovë, një arsenal i tërë metalik në përballje me kullat e Jasharajve në përballje me ata burra që mbartnin mbi supe peshën e Kosovës  dhe shqiptarëve të robëruar. Elaboratet serbë, të ndjerë keq e më keq kundruall shpresës së shqiptarëve për pavarësi tashmë nisnin falangat e mëdha kriminale drejt kullave paqësore në Prekaz me synim se do të mund t`i prisnin udhën lirisë që ishte nisur. Nuk munguan as tanket dhe zhurma e tyre u parandje qysh larg Prekazit. Intuita e çuditshme malësore parapa lumenjtë e gjakut që kërkonin shtretërit e rinj të tyre, nëpër gryka të Drenicës. Burrat e Jasharajve mblidhen sa ma parë dhe mendojnë që pleqtë dhe fëmijët të largohen nga kulla. Baca Shaban nuk pranon.

Gratë gjithashtu. Fëmijët kanë besim tek të parët e tyre. “Na kjoftë dit e hajrit “ mund të thotë Shaban Jashari dhe tok duart me djemtë. Ademi ajo shqipja e rëndë  hypur në shkëmb, rregullon armët dhe jep porositë e rastit. Ka momente në jetën e njeriut kur ai e sheh me sy vdekjen, por e shpërfill atë. Nga  mund të vij kjo shpërfillje që i zbardh faqen burrit, djalit apo nipit? Vështirë të depërtojë shkenca deri aty. Por sigurisht depërton ndjenja e thellë, e mrekullueshme, askurrë e vjetëruar e dashurisë për atdheun, kombin, të parët dhe pasardhësit e tu.
Në orë të tëra në ato kulla përleshej jeta me vdekjen. Jetën e mbronin pushkët e Jasharajve, vdekje e donin shpura e millosheviçit, e të çmendurit të mbramë të Europës.Faiku dhe Aliu, Shabani dhe Halili, Isai dhe Beqiri, Sherifi dhe Nazmiu, vunë gjokset e tyre përballë soldatskës serbe, duke i rikthyer në kujtesën e gurëve të Drenicës, betejat emblematike të luftëtarëve kosovarë në vite. Adem Jashari, me trimërinë dhe guximin prometeik të tij, ishte shpresa dhe zemra e të gjithë luftërtarëve të tjerë. Policët e Beogradit ngarendinin pas blindave dhe botës së hekurt të armatimeve pasi patriotizmi i tyre ekstrem, ishte i përvetësuar nga përrallat e mitologjisë serbe, ndërsa Adem Jashari dhe familja e tij po i shëndrronin kullat e tyre në Prekaz, në karakollet e parë të qëndresës shqiptare, të asaj qëndrese e cila lidhej me mijra fije, me vetë agzistencën dhe ardhmërinë e kombit tonë. 38 dëshmorë të Jasharajve flasin më mirë për këtë.
Janë 38 varre pranë e pranë në Prekaz. Janë 38 monumente të asaj që quhet qëndresë kombëtare. Midis tyre ( duket se ende komandon , jep dashuri e shpresë) Adem Jashari, simboli i nderit, burrërisë dhe trimërisë së Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës. Guximi me të cilin ky burrë priti aradhat e Milosheviçit në kullat e tij, shfaq një tjetër dimension të shqiptarëve në kapërcyell të shekullit të 20. Flijimi familjar, ky kapërcim elegjiak i dhimbjes njerëzore i kujtonte Europës se thika serbe po shkonte në asht të shqiptarëve. Përmasa e re e përftuar në këtë rast, të jepte mundësinë të zbrisje shumë thellë, aty ku ndodhen ende sot, rrënjët e tragjedisë midis ilirëve të lashtë dhe ardhacakëve sllav në gadishullin ballkanikë.

Me humbjen fizike të Adem Jasharit, mendoj se nacionalizmi i ndershëm shqiptar, humbi në shekullin që lamë pas, një ndër figurat e spikatura të identitetit të vet. Ndërsa liria dhe pavarësia e Kosovës vlen të shihet kurdoherë, si një rikthim i këtij burri në krejt jetën tonë. Prej vitesh, në bjeshkë, në oda trimash është artikuluar: Lum ai që rron pas vdekjes! Padyshim si një i tillë, Adem Jashari mbetet jo vetëm krenari e bjeshkëve tona  nga ku ndjehet tërsëllima e legjendave por edhe pararendësi i qytetërimit të shqiptarëve.Legjendat kujtohen nga të dyja datat pafundësish,gjersa kombi frymon,ato data janë edhe kur Zoti u jep jetën,por edhe kur mbyllin jetën,gjeneratat pasardhëse ushqehen me veprat e tyre,historia i radhitë në panteonin e lavdisë dhe krenarisë së Kombit të vet,për jetën e jetëve.Lavdi !

Bern-Zvicër

 

Filed Under: Featured Tagged With: Adem Jashari, Eugen Shehu, legjenda shqiptare, nga sublimja epokale

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT