• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Gjurmë të tradhtisë”- NJË ROMAN PËR DY TEMA SOCIALE

January 7, 2016 by dgreca

Lavirati – një zakon që duhet zhdukur/
Nga Adil FETAHU/*
Nuk e di prej nga e ka marrë autori fjalën lavirant, me të cilën e damkos një zakon jo të mirë ndër shqiptarët, zakonin e martesës me së kunatit me kunatën. Në fjalorët e gjuhës shqipe as në ata të drejtësisë, nuk e gjeni dot këtë term. A është kjo fjalë sajesë apo e gjetur diku, le t’i mbetet autorit.
Romani “Gjurmë të tradhtisë” i autorit Halit Gashi, trajton në mënyrë artistike dy tema sociale sa aktuale aq dhe brengosëse ndër shqiptarët, jo vetëm të Kosovës. Fjala është për zakonin e mbrapshtë e primitiv të martesës së kunatit me kunaten, dhe për migrimin.
Martesën e kunatit me kunatën, autori e quan lavirat. Fjala është për martesën me gruan e vejë të vëllait të vdekur, ose me motrën e gruas së vdekur. Ndër shqiptarët ky është një zakon i lashtë fisnor, jo i rrallë, sidomos në Malësinë e Gallapit, prej nga është autori i romanit, i cili e njeh mirë këtë zakon dhe traditën e vendit, dhe e ka shtjelluar mirë në romanin e tij.
Është praktikuar dhe akoma praktikohet, ndonëse më rrallë, që kur vdes mashkulli i shtëpisë, nëse ka lënë gruan, të re ose me fëmijë a pa ta, të ndalet e kthehet e veja të martohet me vëllain e burrit të vdekur, apo me ndonjë mashkull tjetër të shtëpisë, qoftë ai beqar apo vejan. Ka pasur raste që është “kthyer” si grua e dytë e martuar si ortake, me burrin që kishte një grua. Kjo ka ndodhur sidomos nëse e veja kishte fëmijë, ndërsa burri i shtëpisë nuk kishte fëmijë me gruan e parë. Forma tjetër e “leviratit”, siç e quan autori, është martesa me motrën e gruas së vdekur, qoftë se motra ishte beqare apo e vejë. Të dyja këto forma të martesave, levirate, bëheshin dhe diku-diku akoma bëhen, për arsye dhe interesa të ndryshme, dhe shpeshherë pa dëshirën as pëlqimin e femrës. Dallimi në moshë nuk ishte me rëndësi. Ka ndodhur të martohej me nusën për të cilën ka qenë “bullan.” Arsyet më të shpeshta për të “përligjur” këto lloje të martesave janë: “jemi mësuar na me te, dhe ajo me ne”; “ që t’i rritë fëmijët e të mos mbetet e vejë”; etj. Por, këtu është edhe interesi material, sepse martesa e tillë kushton ma lirë si në përgatitjet për martesë, ashtu edhe për faktin se për këso martese, me të vejen e vëllait të vdekur, nuk bëheshin ceremoni martesore. Ndërkaq, martesa me motrën e gruas së vdekur, arsyetohej me ruajtjen e miqësisë dhe për interesin e fëmijëve, se: “Motra-tezja kujdeset për fëmijët e motrës më mirë se çdo njerkë tjetër”.
Nga aspekti fetar, në islam këto lloj martesash janë të lejueshme, ndërsa kisha katolike, edhe në kohën e zbatimit të Kanunit, këto i ka quajtur konkubinate dhe i ka dënuar. Ligji aktual për familjen, nuk e ndalon një lloj të tillë martese, por me shkollimin dhe emancipimin e rinisë, të të dy gjinive, këto lloje martesash do zhdukën.
Ja si e shtjellon leviratin autori i romanit.
Vetëm dy javë pas martesës, Fatmiri i Lugështajës shkoi ushtar, në ushtrinë e Serbisë. Nusja, Sala, ishte e mirë, e bukur, e vyeshme dhe i respektonte vjehrrinë dhe kunatin, Talin. Siç dihet, në ushtrinë e Serbisë, janë vrarë shumë shqiptarë në rrethana të ndryshme, si para ashtu pas rastit të Paraçinit (Aziz Kelmendi). Ushtarët e vrarë shqiptarë ktheheshin në arkivole (autori i romanit i quan: arkëmorte) të mbyllur, me shpjegimin zyrtar se kishin bërë vetëvrasje, ndonëse në shumicën e rasteve ishin vrarë pas shpine. Kështu, pak para se ta kryente afatin e shërbimit ushtarak, Fatmiri u kthye në arkivol dhe u varros. Pas një kohe, nusën e Fatmirit deshën ta kthejnë, ta martojnë me Talin, vëllain e Fatmirit. Ditën që e “kthyen” nusen, Tali iku nga shtëpia, pa paralajmërim dhe kurrë nuk u kthye te ajo nuse. Nuk deshi të martohej me atë që deri dje e respektonte si ta kishte motër. Tali kishte ikur në Gjermani, dhe nuk ishte lajmëruar asnjëherë në shtëpi. Edhe i ati i Talit, kishte pas marrur për gra hallë e mbesë, por edhe xhaxhai e kishte“kthye” gruan e vëllait të madh, e më vonë e kishte marrë mbesën e saj. Kjo martesë “levirate” ishte bërë diçka e zakonshme në atë familje. Por, këtë praktikë e ndërpreu Tali në mënyrë të vendosur. Në ndërkohë, i vdiqën prindërit dhe Sala u kthye në gjini, më vonë u martua gjetkë, u rahatua dhe kishte një djalë. Kështu, me kundërshtimin e heshtur por të vendosur të Talit, dështoi martesa sipas zakonit të mbrapshtë. Sala nuk kurrë e fajsoi as nuk u hidhërua në Talin, Kur doli nga shtëpia, ajo në heshtje i dëshiroi fat atij.

Mërgimi i të rinjëve

Mërgimi është një plagë e rëndë jona. Shkaqet e mërgimit janë të natyrës politike dhe ekonomike-sociale. Të dyja të rënda, por nga shkaqe politike kanë migrua edhe shumë të rinj të cilët kishin gjendje të mirë ekonomike. Të rinjtë iknin për të mos shkuar ushtar të Serbisë, që të mos vriteshin në luftërat që ajo zhvillonte në Bosnje e Kroaci, apo të mos torturoheshin, maltretoheshin, burgoseshin ose vriteshin pas shpine gjatë shërbimit, në roje, në kazerma, në ushtrime, në llogorime apo në rrethana të ndryshme. Dhe kur migrojnë të rinjtë, kjo ka reperkusione sociale: bie potenciali i fuqisë punëtore në vend, rrallohen martesat dhe lindjet, të moshuarit mbesin pa kujdesin e duhur.
Në periudhën që shtrihet romani i Halit Gashit (1992-1998), shumë të rinj nga Kosova emigruan, për të ikur nga ushtria serbe. Ilir Thanishta, me disa autobus plot të rinj shqiptarë nga Kosova, por edhe shumë me gra e fëmijë, ia kishin mësy Evropës qendrore, kryesisht Gjermanisë. Autobusët i qonin deri diku, i lenin në Hungari ose në Çeki, prej nga duhej të udhëtonin këmbë, me javë a muaj, nëse mund të arrinin në Gjermani. Peripecitë e atij udhëtimi, nëpër mot të ftohtë, me acar e borë, nëpër male e për të kaluar lumenj, dinë t’i tregojnë vetëm ata që kanë kaluar ato rrugë, gjithnjë me frikën se do t’i zënë policia, t’i burgosin e pastaj t’i kthejnë, shumë prej të cilëve edhe iu ka ndodhur kjo.
Iliri me disa shokë, mezi kishte shpëtuar gjallë dhe kishte arritur në Gjermani. Kishte gjetur punë, për të kryer të gjitha punët e bujqësisë, në një familje gjermane. Si punëtor i zellshëm, që kryente mirë punët, ishte pritur mirë nga familja gjermane, paguhej nga 500 marka në muaj dhe kishte të siguruar ushqimin dhe dhomën e vet, me hyrje të veçantë, ku herë pas herë i shkonin edhe shokë. E kishte mësuar mirë gjuhën gjerman, por e kishte “humbur” emrin e mbiemrin, ata të shtëpisë e quanin: “Ihuaj”.Njëherë gati ishte mbytur në lumin Rajna. Romani nuk do ishte interesant po të mos kishte edhe një aventurë intime me zonjën e shtëpisë, Evën, të vejen e Adolfit që kishte vdekur para pak ditëve. Iliri qëndroi e punoi aty katër vjet. Me disa shokë takohej në qytet, e ndonjëherë edhe në banesën e tij. Një ditë, u morën vesh që të kthehen në Kosovë, dhe u tha e u bë. Rruga e kthimit ishte shumë më e lehtë, se ajo e shkuarjes në mërgim. U gëzua nëna Zylë për kthimin e të birit të vetëm, që shpresonte të martohej shpejt (me Tufën e Nazës), që ishte një vajzë e shkolluar nga qyteti dhe që e vizitonte shpeshherë nënën e Ilirit. Por pushteti serb kishte rrjetin e spiunëve të vet. Një i tillë (Dan Kryeziu. Ish-korier i komunës) e kishte lajmëruar policinë për arritjen e Ilirit dhe shokëve të tij. Nga gjurmët që kishte lënë nëpër borë, pranë shtëpisë së Ilirit, autori i ka dhënë emrin romanit: “Gjurmët të tradhtisë”. Polica dhe ushtria serbe të nesërmën e arrestuan Ilirin dhe shokët e tij, i dërguan në Nish, ku gjyqi ushtarak u shqiptoi dënime me burgim, dhe që pas vuajtjes së dënimit me burg, ishin të obliguar të shkonin në shërbimin ushtarak. Burgu i Nishit, sikurse edhe të gjitha burgjet e tjera në Serbi, ishte plot me shqiptarë të dënuar për shkaqe e pretekste të ndryshme. Kur e vuajti dënimin dhe u kthye nga Nishi, Iliri nuk e gjeti nënën të gjallë, sapo e kishin varrosë. Dhe në marrëveshje me disa shokë të rinjë (Tali, Loni, Vali, Drini) vendosin t’i bashkohen UÇK-së, të luftojnë kundër ushtrisë e policisë serbe, e jo t’i shërbejnë asaj ushtrie e të vritën në luftë në Bosnje a Kroaci, si ushtarë të Serbisë.
Në temën e mërgimit, autori fshikullon edhe raste ekstreme të moskujdesit të të rinjve ndaj prindërve të moshuar që kanë lënë në Kosovë. Teta Sadia që kishte tre djemë, jetonte e vetme në fshat. Djemtë me gratë dhe fëmijët e tyre jetonin në Gjermani, Kishin ndërtuar e mbyllur tri shtëpi në Thanishtë. Ata gjashtë vjet e kishin lënë vetëm nënën plakë e të rraskapitur, cila tërë dashurinë e djemve dhe të nipave e mbesave ia kishte kushtuar një mace (Macuka), me të cilën jetonte. Ditën vizitoheshin shpesh me nënën e Ilirit. Por, kur kishte vdekur teta Sadia, tri ditë kishte mbetur në dhomën e mbyllur, dhe Macukja ia kishte hëngër tyryën, gjinjtë dhe këmbët, dhe ishte tërbuar që kur fqinjët e hapën derën e dhomës, Macukja i kisthe sulmuar ata!
Për më shumë, lexonie vet romanin.
* * *
Gjurmët të tradhtisë, është libri i gjashtë dhe romani i dytë i shkrimtarit Halit Gashi, anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Para këtij, ka botuar një roman dhe katër përmbledhje me poezi; dy për fëmijë e dy për të rritur.
Romani është i lehtë për ta lexuar. Shkrimtari ka një gjuhë të pasur e të rrjedhshme në përshkrimet që u bënë ngjarjeve e personazheve. Aq hollësisht përshkruan ngjarjet e vendet, sa herë-herë fitohet përshtypja se romani është një prozë poetike. Të lë përshtypje të mirë thellësia dhe gjerësia e njohurive të autorit për historinë, gjeografinë, traditën, kulturën dhe personalitetet kombëtare. Ai nuk le pa përmendur trojet shqiptare (edha to akoma të pushtuara) prej Çamërie deri në Tolicë. Në malësinë e Gallapit, edhe ashtu toponimet janë kryesisht shqiptare, ashtu sikur i përdorë shkrimtari: Kroi i Hajdutit, Shpella e Zanave, Gryka e Naletit, Varri i Nuses, Livadhi i Marisë, Lugu i Kishës, Strofka e Dhelprës, Rrastat e Gjarpërit, Lisi i Korbit, Guri i Haberit…etj. Në vend të fjalës vendlindje, autori përdorë: Dhelindja, Tokëlindja, Gurëlindja etj. Në vend të prangave, përdorë fjalën “bileçe”, kurse në vend të gajtanit të tirqëve – “spika”. Mund të thuhet se e tepron me përshkrimin poetik e të shpeshtë që bënë: “këmisha e hollë e natës e Rajnës” (fjala është për lumin Rajna, prandaj romani nuk duron këso përshkrime poetike). Ka edhe kapërcime të befta, të papritura, prej një ngjarje në tjetrën. Në dialogje, në vend të vizave para fjalive, fjalitë i futë në thonjëza. Mund të vërehet edhe ndonjë lëshim për kryerreshta. Por, porosia e romanit për temat që trajton, ia shton peshën specifike, ndërsa shtjellimi dhe gjuha e bëjnë leximin të lehtë e të këndshëm.
*(Halit Gashi: “Gjurmë të tradhtisë”, botoi : “Faik Konica”, Prishtinë, 2007)

Filed Under: LETERSI Tagged With: “Gjurmë të tradhtisë”, Adil Fetahu, Halit Gashi

SKANIMI I 33 KRYEMINISTRAVE TË SHQIPËRISË

December 30, 2015 by dgreca

-Një libër që duhet ta ketë çdo shtëpi shqiptare-(Roland Qafoku: “Historia e 33 kryeministrave të Shqipërisë, botoi “Onufri”,Tiranë, 2015)/
*Gjatë 103 vjetëve pavarësi (1912-2015), Shqipëria kishte 33 kryeministra/
* Nga 33 kryeministra, 20 ishin të diplomuar jashtë Shqipërisë; 12 në universitetet e Perandorisë Osmane, ndërsa 8 në universitetet e Perëndimit/
* Nga 24 kryeministrat e vdekur, 10 janë vrarë në mënyra e rrethana të ndryshme, disa nuk janë sqaruar kurrë; 6 nuk kanë varre fare, ndërsa 7 kanë varret jashtë Shqipërisë/
Nga Adil FETAHU/

Cilët ishin kryeministrat shqiptarë

Në periudhën 103-vjeçare të shtetit shqiptar, shteti ka kaluar në situata, sisteme e reforma të ndryshme, shumë kohë nën okupimin e ushtrive të hueja, prandaj edhe kryeministrat kanë punuar e vepruar në kushte të ndryshme. Në këtë pak më shumë se një shekull, shtetin shqiptar e kanë udhëhequr 33 kryeministra. Të gjithë kanë qenë meshkuj. Po a ishte i lakmueshëm posti i kryeministrit? Gjithsesi po, se përndryshe askush nuk i ka detyruar ta pranojnë detyrën, por shumëkend e kanë detyruar të jep dorëheqje apo eliminuar në mënyrë tjetër. Kur arrin majën, prit rënien, thotë urtia popullore. Nga lakmia për pushtet, lëvdata, para e pasuri, shumë kryeministrave posti ua hëngri kokën. Ata kanë shkaktuar viktima, por shumë prej tyre edhe vet janë bërë viktimë.
Po, të shohim cilët ishin ata 33 kryeministra të Shqipërisë sipas radhës. I pari kryeministër shqiptar, ishte i madhi Ismail Qemali, pas tij vijnë me radhë: Esat Pashë Toptani, Turhan Pasha, Sulejman Delvina, Iljaz Vrioni, Pandeli Evangjeli, Qazim Koculi, Hasan Prishtina, Idhomen Kosturi, Xhafer Ypi, Ahmet Zogu, Shefqet Vërlaci, Theofan Noli, Mehdi Frashëri, Kostaq Kotta, Mustafë Merlika Kruja, Eqrem Libohova, Maliq Bushati, Rexhep Mitrovica, Fiqiri Dine, Ibrahim Biçaku, Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Adil Çarçani, Fatos Nano, Ylli Bufi, Vilson Ahmeti, Aleksandër Meksi, Bashkim Fino, Pandeli Majko, Ilir Meta, Sali Berisha, dhe Edi Rama. Kur i lexova këta emra, u binda në vlerësimin e recensentit të librit, Shaban Sinani, se “po të bëhet një test jo me nxënës e studentë por me profesorët e tyre, ndoshta as një të tretën emrave të bashkëqytetarëve të vet, që kanë kryesuar qeveritë shqiptare ndër kohëra, nuk do të gjenin”. Unë them se nuk do t’i dinim të gjithë as këta të pas vitit 1991.

Ndërrime të shpeshta të kryeministrave

Në periudha të ndryshme krizash, kryeministrat dhe qeveritë binin si gjethet në vjeshtë.
Rekordin e minimumit të shërbimit në pozitën e kryeministrit e mbanë Qazim Koculi vetëm një ditë (më 6 dhjetor 1921), pastaj tij vjen Hasan Prishtina me vetëm 5 ditë (7 – 12 dhjetor 1921) dhe Idhomen Kosturi 12 ditë (12-24 dhjetor 1921). Brenda më pak se një muaj, u ndërruan tre kryeministra. Ndërkaq, rekordin e maksimumit e mbanë Mehmet Shehu me 27 vjet e 5 muaj (20 korrik 1954 – 18 dhjetor 1981), që atë post e mori nga paraardhësi i tij, Enver Hoxha i cili postin e kryeministrit e mbajti dhjetë vjet (prej 23 tetor 1994 –deri më 19 korrik 1954). Mehmet Shehu ishte i vetmi kryeministër që vdiq deri sa ishte në detyrën e kryeministrit. Iljaz Vrioni, Ahmet Zogu dhe Fatos Nano janë zgjedhur nga tri herë në potin e kryeministrit. Ma i ri me moshë që mori detyrën e kryeministrit ishte Ahmet Zogu (27 vjeç), ndërsa më i moshuari ishte Pandeli Evangjeli (76 vjeç). Tre kryeministra ishin pa diplomë universiteti: Pandeli Evangjeli, Maliq Bushati dhe Enver Hoxha. Po 14 kryeministra kishin tituj bejlerë, 2 pashallarë, 3 profesorë dhe 4 doktorë shkence. Përkah profesionet: 6 ishin ekonomistë, 5 ushtarakë, 3 administratë e diplomaci, 3 juristë, 3 inxhinierë, 2 mjekë, 2 artistë, 1 agronom, 1 kimist dhe 1 pedagog. Nga përkatësia fetare 24 ishin myslimanë, 8 ortodoks dhe vetëm 1 katolik (Edi Rama). Vetëm Noli ishte “beqar”, ndërsa 5 kryeministra kishin gratë prej shteteve të hueja.

Të mburresh apo të turpërohesh me kryeministrat shqiptarë

Është shumë relative të vlerësosh punën, përkushtimin dhe efikasitetin e punës së kryeministrave shqiptarë, në ato kushte të pamundshme, shumë kohë nën okupimin e huaj. Disa prej tyre e kanë dashur Shqipërinë dhe popullin e vet dhe janë përpjekur për t’i dhënë emër e nderim. Por është e pafalshme që shumë prej tyre të mos kenë nderim as konsideratë ndaj paraardhësve të vet.
Një Ismail Qemal bej Vlora, la karrierën e shkëlqyer, oferta për poste e lukse që i ofronte Porta e Lartë, la familjen pasurinë e tij, vetëm për ta bërë Shqipërinë e për t’i shërbyer deri në fund të jetës që i erdhi me helmim. Sulejman Delvina që pas Kongresit të Lushnjës pothuajse e rithemeloi shtetin shqiptar, po edhe Ahmet Zogu që si kryeministër, kryetar e mbret, e stabilizoi shtetin shqiptar, për të cilin Faik Konica shkruante se “ishte ekzekutivi më i shquar në botë”! Qeveria komuniste (1946) e dënoi me vdekje, në mungesë, dhe për të qenë ironia e plotë, e njëjta qeveri e dënoi me vdekje dhe ekzekutoi edhe atentatorin e Ahmet Zogut (Beqir Valterin, i cili e plagosi zogun në hyrje të Parlamentit).
Kishte edhe të atillë kryeministra që të bëjnë të turpërohesh, siç ishte Esat Pashë Toptani, i cili ndihmoi ushtrinë serbe të depërtojë në Shqipëri, që krijoi qeveri paralele, që pas vrasjes qëndroi 14 muaj në morg, sepse askush nuk shkoi për ta marrë, dhe që sot e kësaj dite ka varrin në varrezat e serbëve në Paris!
Po një Turhan Pasha me një karrierë brilante që kishte mbajtur 40 poste të larta dhe ishte shpërblyer me 23 medalje e grada të larta në Perandorinë Osmane, udhëhoqi Delegacionin e Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris (1919), por që në fund e braktisën, e lanë të sëmurë e pa bukë, dhe vdiq e u varros në Francë! Një Iljaz Vrioni, firmëtar i pavarësisë, delegat në Kongresin e Lushnjës, tri herë kryeministër i shërbeu shtetit dhe për vete mori vetëm vuajtje. Nën qeverisjen e tij, Shqipëria mbajti zgjedhjet parlamentare sipas një formule që sot duhet t’ia kemi lakmi: 500 zgjedhës e zgjedhnin një përfaqësues, dhe 24 përfaqësues zgjedhnin një deputet. Kështu u zgjodh një parlament me 95 deputetë, personalitete e emra të njohur, siç ishin në mesin e tyre edhe: Fan Noli, Kristo Dako, Kristo Floqi, Luigj Gurakuqi, Mit-hat Frashëri, Ndre Mjeda, Sejfi Vllamasi etj. Regjimi komunist ia shkatërroi edhe varrin dhe ia humbi eshtrat! Edhe në kabinetin e Hasan Prishtinës ishin Fan Noli, Luigj Gurakuqi, Kristo Dako, Hoxhë Kadria e personalitete tjera të njohura, por pushteti i Hasan Prishtinës zgjati vetëm 5 ditë. Vet kryeministri katër herë ishte i dënuar me vdekje, por u vra tradhtisht në Selanik (më 14 gusht 1933). Idhomen Kosturi që ishte vetëm 12 ditë kryeministër, pas Hasan Prishtinës, ishte një filantrop e bamirës. Ai la testament tërë pasurinë e tij për themelimin e një azili në Durrës për pleq e plaka të varfër-a. Shefqet Vërlaci ishte një kuisling tipik. Vetëm një ditë pas marrjes së detyrës së kryeministrit (nën okupimin italian), e shpalli Benito Musolinin qytetar nderi të Shqipërisë, dhe shihni se me çfarë motivacioni se: “Tue marrë parasysh se shkelqësia e tij, Bentio Musolini, Duçja i madh i fashizmit, në momentet historike për popullin shqiptar, ka tregue dashuri për Shqipninë, së cilës nuk i ka cënuar të drejtat e saj të shenjta si shtet sovran indipendent, gjana këto që populli shqiptar i ka ruejt deri më sot si thesaret e tij më të çmueshme…”! Si kryeministër kuisling, Vërlaci ka nënshkrua të gjitha aktet e luftës italo-greke të Shqipërisë, që në bazë të tyre edhe sot Greqia e mban në fuqi Ligjin e luftës me Shqipërinë!
Fan Noli, kryeministri më i arsimuar, u zgjodh me short, por nëse ishte intelektual par ekselans, poet e përkthyes i shkëlqyer, për te thuhet se si politikan ishte një dështak. Me që në zyrë i binte kornos angleze, doli fjala: “Shqipëria po digjet, kryeministri i bie fyellit”! Prej 83 vjetëve që jetoi, vetëm 5 vjet jetoi në Shqipëri, por gjithë jetën e deshi Shqipërinë aq shumë. Mbahet mend për shumë të mira që ka bërë për Shqipërinë e kulturën shqiptare, por fjalimi brilant që mbajti në Lidhjen e Kombeve (shtator 1924) la mbresa në gjithë botën. Në shenj falënderimi presidentit amerikan për përkrahjen që i dha Shqipërisë, Noli e pagëzoi qytezën e Shëngjinit me emrin Vilson. Mehdi Frashëri, doktor i shkencave politike dhe ekonomike, ishte intelektual i kalibrit të lartë, dhe kishte qenë në funksione të larta të Perandorisë, dhe kreu me sukses edhe shumë funksione në shtetin shqiptar. Kostaq Kotta vdiq në Burgun e Burrelit, të cilin e kishte ndërtuar sa ishte kryeministër. Si i burgosur kishte shkruar në muret: “Burrel, hyn e s’del”. Të burgosurit tjerë, me ironi i thoshin: “Ti Koço duhej ta kishe projektuar një burg më të mirë, tani le të vuash. – Ku ta dija unë se një ditë do vi edhe vet këtu”, u përgjigjej Kotto. Mustafa Merlika Kruja ishte një nga firmëtarët e pavarësisë, por si kryeministër në Shqipërinë e okupuar cilësohet si bashkëpunëtor i fashizmit italian, në një intervistë dhënë për “Corriere Della Sera” (1942), kishte deklaruar: “Më mirë një Shqipëri gjysmë e pavarur, por me Kosovën, se sa një Shqipëri krejt e pavarur, por pa Kosovën”. Eqrem Libohova, ishte doktor i shkencave ushtarake (nga Brukseli), kishte pasur miqësi direkte me presidentin e Turqisë, Kemal Ataturkun. Në vitin 1931 u plagos në Vjenë nga atentatori kundër Zogut. Maliq Bushati, nga familja e njohur e Bushatlinjëve, pa i bërë keq askujt, u gjykua dhe ekzekutua nga regjimi komunist, bashkë me Lef Nosin e Tonin Harapin. Rexhep Mitrovica ishte nja shtatë muaj kryeministër, kur Kosova ishte e bashkuar me Shqipërinë, nën pushtimin gjerman. Njihet si antikomunist i rreptë. Ministër i brendshëm ishte Xhafer Deva, dhe asokohe u formua SS divizioni, që ka mbetur një njollë e keqe në historinë tonë. Fiqiri Dine, një ushtarak i mirë, por një kryeministër dështak, dha dorëheqje pas dyzet ditëve, që s’mundi ta krijojë kabinetin. Ka qenë njeri besnik i Zogut. Kur e kuptoi hilen e përfaqësuesit anglez për rrëzimin e komunizmit në Shqipëri me ndihmën e ushtrisë greke, për ta pushtuar “Vorio Epirin”, Dine kishte deklarua: “Ne pranojmë që në Shqipëri komunizmi dhe Enver Hoxha të qëndrojnë 100 vjet, por kurrë nuk do të pranojmë që të rrëzohen ata me ndihmën e ushtrisë greke”. Ibrahim Biçaku, për një muaj e gjysmë posti të kryeministrit në kohë të okupimit, mbajti 17 vjet burg të komunizmit. Pas daljes nga burgu, deri në fund të jetës punoi si pastrues i nevojtoreve publike në Elbasan, me diplomë nga universiteti i Vjenës! Pas tij, postin e kryeministrit e mori dhe mbajti dhjetë vjet Enver Hoxha. Gjatë 10 vjetëve si kryeministër dhe 31 vjet kryetar shteti, vrau, burgosi e internoi afro njëqindmijë shqiptarë, ndër të cilët ishin edhe disa kryeministra paraprak, dhe për çudi, ndaj tij nuk pat asnjë tentim atentati, as me një llastiqe. Kur vdiq Stalini (1953), qeveria Hoxha shpalli 14 ditë zie kombëtare! Pas vdekjes së Hoxhës, kryeministresha britanike Margaret Theçer i kishte thënë presidentit amerikan Ronald Regan: “Ta lëmë Shqipërinë si muze, për t’i treguar botës se ku e çon komunizmi”. Pas E.Hoxhës postin e kryeministrit e merr Mehmet Shehu, i cili e mbajti më se 27 vjet, deri sa “u vetvra”. Shehu ka qenë luftëtar i Spanjës ku edhe është plagosur. Disa herë është arrestuar në kohën e okupimit italian e gjerman. Ishte komandant i Brigadës së Parë të UNÇ, qe zhvilloi disa beteja të suksesshme, por gjatë dhe pas luftës ka kryer edhe shumë krime e masakra. Adil Çarçani ishte kryeministri i fundit i regjimit komunist që po degradonte. Çarçani u paralizua, u izolua, nuk komunikonte me askend dhe as nuk merrte ushqimin, prandaj për te thonë se “vdiq me dëshirën e vet”!
Kryeministrat tjerë, që erdhën në kohën e pluralizmit, bënë e ç’bënë, mbahen mend për punë të mira a të këqija, por bile mbetën të gjallë. Fatos Nano ishte tri herë kryeministër dhe mbajti 1516 ditë burg për korrupsion, por ajo që i mbahet mend më së tepërmi dhe konsiderohet si tradhti, ishte takimi i tij në Kretë me S.Millosheviqin (1997). Sa ishte kryeministër Ylli Bufi (1991), Shqipërinë e vizitoi sekretari i shtetit amerikan James Baker. Kur Vilson Ahmeti u bë kryeministër, i ati i kishte thënë: “Ti do jesh maje mullari me bar, të tjerët do hanë barin nga poshtë, ty do të mbetet huri”. Kjo “profeci” i doli realitet, ngase për katër muaj kryeministër, me rrogë 24 dollarë në muaj, i “hëngri” një vit e katër muaj burg. Aleksandër Meksi vlerësohet si kryeministri më i përkushtuar në punë. Është shënuar se për më se 5 vjet si kryeministër, vetëm 3 herë është vonuar në punë, dhe atë me arsye. Por, kaosi i krijuar me skemat piramidale, që shkatërruan shtetin, është ana e errët e qeverisë Meksi. Për atë që ndodhi në vitin 1997, ministri i mbrojtjes, Safet Zhulali, ka thënë: “demokratët ishin përgjegjës, socialistët fajtorë”. Bashkim Fino, nga njeri i pa punë, e morën me helikopter ushtarak nga Gjirokastra dhe e vendosën kryeministër në Tiranë. Ai nuk bëri gjë, por në kohën e tij ndodhi tragjedia e Otrantit, ku u mbytën në det 87 burra, gra e fëmijë që ishin nisur për në Itali. Pandeli Majko konsiderohet si kryeministër i Kosovës, i cili në pranverën e vitit 1999 menaxhoi mirë situatën me refugjatët kosovarë, dhe pat deklaruar se “Shqipëria ka vend e mund të presë çdo refugjatë nga Kosova që është dëbuar nga ushtria serbe”. Për Majkon thuhet se ka prejardhje gjermane, nga një mjek gjerman i ikur nga Parga e Çamërisë që erdhi dhe u martua në Gjirokastër, në kohën e Ali Pashë Tepelenës. Ilir Meta cilësohet si kryeministër i dorës së fortë, i cili ia ndali Berishës turrin e protestave (2000), që diti ta luajë lojën politike me Nanon, Berishën dhe Ramën. Sali Berisha ka hyrë në historinë e Shqipërisë me disa të arritura si kryeministër i suksesshëm që përfundoi dy mandate (2005-2013), dhe që në kohën e tij u ndërtua “Rruga e Kombit” që lidhë Shqipërinë me Kosovën; Shqipëria u bë anëtare e NATO-s; BE-ja i hoqi vizat Shqipërisë; Kosova shpalli pavarësinë. Por, qeverisë Berisha i atribuohet faji për marrëveshjen me Greqinë për kufirin detar; për shpërthimin e municioneve në Gërdec (2008), ku u vranë 26 veta, dhe 4 veta që u vranë në protestat e opozitës (2011). Kryeministri i 33-të, Edi Rama, që ka zakon të vizatojë në tavolinën e punës së kryeministrit, përveç se është dymetërsh, njihet për prishjen e ndërtimeve pa leje, dhe ndëshkimin e vjedhësve të energjisë elektrike. Po Rama njihet edhe për deklarata të guximshme midis Beogradi dhe në Bruksel, për pavarësinë e Kosovës. Dhe është i pari kryeministër katolik, ndonëse rrjedh nga prindër ortodoks, gruan e ka myslimane dhe dy djem ortodoks e një katolik, që simbolizon Shqipërinë trekonfesionale.
* * *
Ishin këto vetëm disa “pikanteri e sensacione” të 33 kryeministrave të Shqipërisë në 103 vjet pavarësie. Autori i librit ka paraqitur edhe shumë të dhëna tjera interesante e herë-herë sensacionale për kryeministrat, punën dhe jetën ose vdekjen e tyre. Po ato mësoni duke lexuar vetë librin. Unë, me këto që i zgjodha këtu, vetëm desha t’ua shtoj kërshërinë për ta lexuar librin, prej të cilit do mësoni edhe shumë e shumë gjëra tjera, të cilat nuk i keni ditur. Burimet e shumta arkivore, foto-portretet e të gjithë kryeministrave, bibliografia nga enciklopedi (8), libra (129), gazeta e revista të vendit e të hueja (36), intervista (62) e websajte,- ia shtojnë seriozitetin dhe besueshmërinë e asaj që përmban libri, dhe janë prova të një pune serioze 11-vjeçare të autorit në përgatitjen e këtij libri, të cilin ia vlenë ta ketë çdo shtëpi shqiptare. Në margjinat e tekstit themelor, ka shifra, fakte e citime për ngjarjet interesante dhe personalitetet. Përgatitja e librit është në një teknikë luksoze, me stemën e Kryeministrisë së Shqipërisë në ballinë e kopërtinës së parë. Lexonie dhe binduni vetë se ia vlenë çmimin që ka. Fundja, nëse një lbër ia vlen të lexohet, ia vlen edhe të blihet.

Filed Under: Histori Tagged With: Adil Fetahu, I 33 KRYEMINISTRAVE TË SHQIPËRISË, Roland Qafoku, SKANIMI

95-VJETORI I PRANIMIT TË SHQIPËRISË NË LIDHJEN E KOMBEVE

December 16, 2015 by dgreca

*Më 17 dhjetor 1920, Shqipëria u bë anëtarja e 43 e Lidhjes së Kombeve/

* Nga mohimi gati total – pranimi i njëzëshëm, pa asnjë votë kundër/

* Shpresa për zgjidhjes e statusit të minoritetit të çamëve/

 *Themelimi dhe qëllimet e Lidhjes së Kombeve/

Shkruan:  Adil FETAHU*/

Lidhja e Kombeve, apo Lidhja e Popujve, si pararendëse e OKB, u themelua nga fundi i Konferencës së Paqes, të mbajtur në Paris, më 28 prill 1920. Atë e themeluan shtetet fituese të Luftës së Parë Botërore. Statuti parashikonte tri kategori të shteteve anëtare: 1) shtetet-anëtare themeluese (32 shtete); 2) shtetet (neutrale) të ftuara për t’iu bashkuar Lidhjes pasi të hynte në fuqi Traktati i themelimit (13 shtete); dhe 3) shtetet anëtare që do pranohen më vonë. Gjatë gjithë kohës së ekzistimit të Lidhjes së Kombeve, numri i anëtareve të saj ka ndryshuar vazhdimisht, për shkaqe të ndryshme: për shkak të përjashtimit, ose për shkak të humbjes së subjektivitetit të shtetit, por edhe për shkak të humbjes së besimit dhe heqjes dorë nga anëtarësimi. Thelbi i Statutit të Lidhjes së Kombeve ishin “14 pikat” e presidentit amerikan, Vudrov Vilson, ndonëse vet ShBA-të nuk e kishin ratifikuar aktin e themelimit as ishin bërë themeluese. Lidhja ishte menduar të ishte një organizëm botëror që do garantonte sigurinë dhe paqen ndërkombëtare, kufizimin e armatimit, garantimin e pavarësisë dhe integritetit territorial të të gjitha shteteve, të mëdha e të vogla, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në mënyrë paqësore, sanksionimin e shteteve të cilat hyjnë në luftë duke shkelur normat e statutit të Lidhjes. Shpejt u pa se qëllimi kryesor i themelimit kishte qenë dominimi i fuqive të mëdha, se Lidhja u tregua e paaftë për të ndalë konfliktet, sidomos ato që shpërthyen në vitin 1939, prandaj konsiderohet se Lidhja veproi prej vitit 1920 deri më 1939, por që shpërbërja e saj përfundimisht u bë në prill të vitit 1946, pasi që pas Luftës së Dytë Botërore ishte themeluar (në San Francisko) Organizata e Kombeve të Bashkuara (1945).

 Pranimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve

 Prej shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë (1912), deri me përfundimin e Konferencës së Paqes (1919), territori i Shqipërisë ishte i pushtuar nga ushtritë e hueja: Serbi, Mali Zi, Greqi, Itali, por edhe Francë e Gjermani, kështu që ishte rrezikuar shpërbërja dhe copëtimi midis shteteve fqinje. Ekzistonin marrëveshje të hapta e të fshehta për copëtimin e Shqipërisë midis shteteve fqinje dhe fuqive të mëdha. Për shkak të shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, Komisioni Ndërkombëtar për caktimin e kufijve të Shqipërisë londineze, e kishte ndërprerë punën dhe kufijtë në terren nuk ishin caktuar. Shqipërinë si shtet, as qeverinë e saj nuk e kishin njohur shtetet e mëdha, kështu që ishte një pre e lehtë për lakmitë e shteteve fqinje, të cilat e mbanin të pushtuar, vetëm prisnin ta “legalizonin” aneksimin e pjesëve të saj. Në kohën kur në Konferencën e Paqes në Paris (1919), bëheshin pazaret e presë së luftës, ku si kurban kryesor ishte Shqipëria, në Lushnje u mbajt Kongresi për Shpëtimin Kombëtar (21-31 janar 1920), në të cilin morën pjesë mbi 50 delegatë nga të gjitha krahinat e vendit. Kongresi zgjodhi një qeveri të kryesuar nga Sylejman Delvina, ministër i jashtëm Mehmet Konica, ndërsa ministër i brendshëm Ahmet Zogu. Kështu, Kongresi i Lushnjës rrëxoi qeverinë e Durrësit, të kryesuar nga Esat Pashë Toptani. Por, duket se nota protestuese e ShBA-ve që ua kishte dërguar fuqive të mëdha (6 mars 1920), pati ndikim vendimtar për mbrojtjen e Shqipërisë nga copëtimi. Në notë thuhej: “Presidenti amerikan, Wilson, ripohon se nuk është e mundur të aprovojë asnjë plan që i jep Jugosllavisë shpërblime tokësore nga krahinat e Shqipërisë…”.

Shqipëria nuk ishte pjesëmarrëse në asnjërën anë të Luftës (për shkak se ishte e pushtuar), prandaj nuk mund të konsiderohej as si fituese as si humbëse e luftës, kështu që shpresonte se Konferenca e Paqes jo vetëm se do ia njihte e konfirmonte pavarësinë, por se edhe do të ndreqte padrejtësitë, duke ia kthyer tokat e pushtuara (Kosovën dhe Çamërinë). Me shpresë se Lidhja e Kombeve e sapothemeluar, do t’ia garantonte ekzistencën dhe mbrojtjen e integritetit territorial, Shqipëria bëri kërkesë zyrtare për pranim në Lidhjen e Kombeve (tetor 1920). Kërkesën e paraqiti Pandeli Evangjeli, që ishte përfaqësues i Shqipërisë në Konferencën e Paqes, ndërsa Qeveria e dalë nga Kongresi Kombëtar i Lushnjës, e kishte caktuar Fan Nolin kryesues të Delegacionit. Noli e kishte formuluar një memorandum që ia bashkëngjiti kërkesës, ashtu siç dinte ai, për të argumentuar statusin dhe sovranitetin e shtetit shqiptar me akte ndërkombëtare, prej njohjes nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër (1913) dhe Protokolli i Firancës, e deri ato ditë. Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes së Kombeve (Erik Durmman) kërkoi aktet me të cilat dëshmojnë konstituivin e Shqipërisë shtet i pavarur, dhe pasqyrën e forcave ushtarake e detare. Ministri i jashtëm, Mehmet Konica, iu përgjigj se Vendimi i Konferencës së Ambasadorëve në Londër është akt ndërkombëtar që vërteton pavarësinë e Shqipërisë, ndërsa Protokolli i Firencës (17 dhjetor 1914), i nënshkruar dhe shpallur nga fuqitë e mëdha, ka përcaktuar kufijtë e shtetit. Pas shqyrtimit të dokumentacionit, u formua një komision dhe pastaj një nënkomision për shqyrtimin e kërkesës. Me qenë se shumë prej delegatëve e kundërshtonin pranimin e Shqipërisë, Komisioni nuk miratoi ndonjë propozim-vendim, veçse çështjen ia kaloi Asamblesë së Përgjithshme për të vendosur.

Në mbledhjen e Asamblesë, të mbajtur më 17 dhjetor 1920, i pari që mori fjalën ishte juristi i shquar nga Afrika e Jugut, lordi Rober Cecil, i cili ishte raportues në mbledhje, dhe që mbrojti në mënyrë të brilante argumentet e kontinuitetit të ekzistimit dhe statusit të shtetit shqiptar. Falë zgjuarsisë dhe lotimit të Nolit, dhe fjalës së lordit Cecil, në Asamble u bë një kthesë aq e madhe, sa që të gjithë diskutuesit tjerë pas tij (përfaqësuesit e Kanadasë, Australisë, Perandorisë Britanike, Indisë, Italisë, Rumanisë, Francës, përkrahën kërkesën e Shqipërisë. Kur kryesuesi i Asamblesë e kishte hedhur çështjen për votim, të gjithë (35) përfaqësuesit e pranishëm të shteteve anëtare të Lidhjes së Kombeve kishin votuar për pranimin e Shqipërisë, pa asnjë votë kundër. Me aktin e pranimit në Lidhjen e Kombeve, Shqipëria u rendit në radhët e shteteve të lira e të pavarura të botës.

Kështu, më 17 dhjetor 1920, dmth. para plot 95 vjetëve, u bë anëtarja e 43-të e Lidhjes së Kombeve, dhe këtë status e ka ruajtur deri në shuarjen e asaj Lidhje, pas themelimit të OKB-së (1945), por për shkaqe dhe arsye të ndryshme, Shqipëria u bë anëtare e KB tek në vitin 1955, dmth. dhjetë vjet pas themelimit të kësaj OKB që është tash.

Anëtarësimi në Lidhjen e Kombeve, nuk e zgjidhi problemin e çamëve

Anëtarësimi në Lidhjen e Kombeve ishte ngjarja më e rëndësishme dhe arritja më e madhe politike e diplomatike e Shqipërisë pas aktit të shpalljes së pavarësisë, bile ndoshta ishte edhe më i rëndësishëm se vet shpallja e pavarësisë të cilën nuk ia njihte bota as fqinjët. Sepse tash kishte marrë garancione ndërkombëtare për sovranitetin dhe kufijtë që ia kishte caktuar Konferenca e Ambasadorëve në Londër. Edhepse shumica e territoreve me popullsi shqiptare kishin mbetur jashtë kufijve të shtetit shqiptar, tash ai shtet mund të ngrinte zërin në forumet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave elementare të shqiptarëve të mbetur jashtë kufijve. Një angazhim të veçantë shteti shqiptar pati në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të pronës dhe të minoritetit të çamëve, por nacionalizmi dhe klerofashizmi grek nuk përfillte as aktet ndërkombëtare sa u përket të drejtave të shqiptarëve, derisa i zhbiu nga Çamëria të gjithë shqiptarët myslimanë dhe asimiloi shqiptarët e besimit ortodoks. Në ballafaqimet e Shqipërisë me Greqinë në Lidhjen e Kombeve, përfaqësuesi shqiptar kërkonte respektimin e të drejtave politike, ekonomike, arsimore e kulturore të çamëve, sikur që shteti shqiptar respektonte për minoritetin e vogël grek në Shqipëri. Një përpjekje të madhe bëri në Lidhjen e Kombeve, kundër shkëmbimit të çamëve myslimanë me grekët e Turqisë. Noli zotohej në Këshillin dhe në Asamblenë e Lidhjes, për respektimin e të drejtave të minoritetit grek, sipas traktateve ndërkombëtare, dhe këtë e kërkonte nga pala greke. Por, përfaqësuesi i shtetit grek, me makinacione procedurale e diplomatike, asnjëherë nuk u zotua për të drejtat e shqiptarëve në Greqi. As Lidhja e Kombeve asnjëherë nuk e pengoi administratën greke në brutalitetin e saj kundër çamëve, ndërsa shteti shqiptar ishte i pafuqishëm ta ndalonte atë brutalitet. Prandaj, çamët u detyruan të lënë vatrat dhe pronat e tyre, e të shpërngulën në Turqi e në Shqipëri. Dhe as sot e kësaj dite nuk e kanë të zgjidhur problemin e të drejtave të mohuara nga shteti “demokratik” grek. Për çështjen e çamëve, edhe OKB-ja, edhe organizmat e BE-së janë bërë të shurdhër e mospërfillës, sikur edhe Lidhja e Kombeve.

Sidoqoftë, dita e pranimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve është një datë e shënuar, që duhet ta kujtojmë, jo vetëm për aktin e pranimit, por për përpjekjet dhe mençurinë e negociatorëve në kushtet dhe rrethanat më të pafavorshme. Po të kishim sot një Fan Nol, një Mehmet Konicë, një Pandeli Evangjel, një Mehdi Frashëri, një Hil Mosi, e personalitete tjera patriotike e me kulturë të gjërë, të cilët dit[ bënë çmos derisa e bënë Shqipërinë anëtare të Lidhjes së Kombeve, do i kishim punët ku e ku ma mirë se që i kemi.

* Fan S. Noli kryesoi delegacionin Shqiptar ne gjeneve. udhetimin e sponsorizoi Federata Panshqiptare e Amerikes VATRA

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: 95-VJETORI, Adil Fetahu, I PRANIMIT TË SHQIPËRISË, NË LIDHJEN E KOMBEVE

GJYKATA KUSHTETUESE DHE POP SAVA

December 12, 2015 by dgreca

A do të zbatojë Gjykata ligjet e Serbisë?/

Kolonizimi i Kosovës (1912 – 1941)/

Shkruan:ADIL FETAHU/

Sipas demografit të njohur serb, Jovan Cvijiq, në vitin 1910, nga numri i përgjithshëm i popullsisë së Kosovës, serbë ishin vetëm 5%, ndërsa malazezë nuk kishte fare (“Balkansko poluostrvo”, Bgd,1966, fq.469).  Me rënien e Perandorisë Osmane, Kosova u okupua nga ushtria serbe dhe ajo malazeze, dhe u aneksua. Krahas krimeve të luftës që kishin bërë ato ushtri, regjimi i ri vazhdoi presionin, terrorin e zullumin, për ta detyruar popullsinë autoktone shqiptare të shpërngulej. Një nga format e presionit dhe zullumit, ishte marrja e tokave dhe pasurive tjera të shqiptarëve, dhe ndarja e tyre serbëve e malazezëve. Kjo kishte për qëllim që përmes ndërrimit të strukturës pronësore të pasurisë së paluajtshme, ta ndërronte strukturën kombëtare, në dëm të shqiptarëve e në favor të sllavëve. Qeveria e Serbisë qysh më 20 shkurt 1914 kishte miratua Ligjin për kolonizimin e viseve të aneksuara. Sipas atij ligji, ministri i ekonomisë popullore, bashkë me persona nga xhandarmeria dhe ushtria, caktonin tokat në të cilat do të vendoseshin kolonët. Fillimisht kolonët vendoseshin në tokat e braktisura nga vendasit, të cilët kishin ikur jashtë Kosove, në Shqipëri e në Turqi, ose kishin dalë në mal (kaçakë), për shkak të terrorit që bënte pushteti i ri. Në rrethin e Pejës e të Gjakovës u vendosën më tepër malazezë, sepse ato rrethe i kishte pushtuar ushtria malazeze. Ai proces i filluar i kolonizimit të Kosovës u ndërpre për shkak të shpërthimit të Luftës së Parë Botërore dhe pushtimit të Kosovës nga Austrohungaria, në periudhën 1915-1918. Mirëpo, përfundimi i Luftës së Parë Botërore  rezultoi me formimin e të ashtuquajturës Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene (1 dhjetor 1918), ndërsa  Kosovën e kishte ripushtuar ushtria serbe.. Regjimi i ri qysh në vitin 1919 miratoi Dispozitat Paraprake, e më pas ligjet për  të vazhduar dhe intensifikuar reformën agrare dhe kolonizimin.   Për reformën agrare dhe kolonizimin në Kosovë, të dhënat më të plota dhe të sistematizuara mirë përmban libri i historianit serb, nga Kosova,  Dr Millorad Obradoviq: “Agrarna reforma i kolonizacija na Kosovu 1918-1941 (Reforma agrare dhe kolonizimi në Kosovë, 1918-1941). Në atë periudhë, me pretekste e në mënyra të ndryshme, shteti ua kishte marre tokat që kishin qenë pronë e shqiptarëve ose mera (toka pa pronësi të askujt, por të shfrytëzuara nga të gjithë), kishte krijuar një fond të madh tokash prej 202.649,11 ha, për t’ua ndarë kolonistëve serbë e malazezë, me qëllim të thyerjes së kombktësisë kombëtare shqiptare dhe ndërrimit të strukturës etnike në dëm të shqiptarëve. Në këtë mënyrë, kishin ardhur në Kosovë 11.722 familje, me mbi 53.884 anëtarë, të cilëve u ishin dhënë 192.212,94 ha toke e punueshme dhe pyje. Pos këtyre familjeve që kishin ardhur  kolonistë në regji të shtetit, gjatë asaj periudhe kishin ardhur edhe 5300 familje autokoloniste, të cilët kishin blerë toka me çmim shumë të lirë. Se si ishte gjendja asokohe me tokat në Kosovë, ilustron shembulli i kryetarit të Qeverisë së Serbisë, Nikolla Pashiqi, i cili “kishte blerë” 3000 ha tokë në Gazimestan, afër Prishtinës, ndërsa Punisha Raçiq, atentatori mbi deputetët kroatë në Kuvendin e Mbretërisë SKS, kishte “fitua” 3500 ha pyje në malet e Deçanit, dhe 50 ha tokë pjellore në fushën e Shkupit!

Në vitin 1927 Manastirit të Deçanit shteti serb i kishte dhënë pronat e 50 familjeve shqiptare të fshatit Isniq, ndërsa Manastirit të Deviqit i kishte dhënë pronat e 20 familjeve të fshatit Llaushë. Në vitin 1932, këtyre manastireve iu kishte dhënë edhe 580 ha toka të marrura familjeve shqiptare. Kjo ishte mënyra se si kishat dhe manastiret ortodokse fituan dhe një kohë të gjatë i shfrytëzuan  prona marramendëse në Kosovë, duke i privuar shqiptarët nga pronat e tyre.Vet historiani serb (dr Millovan Obradoviqi), në konkluzionet në librin e tij thekson: “Përmes organeve të agrarit, xhandarmerisë, pushteteve komunale e të rretheve, Qeveria ka zbatuar politikën e saj shoviniste kundër Shqiptarëve, duke i konsideruar të pabesueshëm dhe të rrezikshëm për sigurinë e shtetit dhe të paqes, duke iu bërë padrejtësi në të gjitha fushat e jetës shoqërore, ekonomike dhe politike…” (fq.231).

Edhe pas Luftës së Dytë Botërore pushteti vazhdoi me reformën agrare dhe kolonizimin në Kosovë e në Vojvodinë, me masa dhe instrumente tjera, por qëllimi ishte i njëjtë: presioni dhe represioni ndaj Shqiptarëve (në Kosovë), dhe ndaj Gjermanëve (në Vojvodinë). Me Ligjin për reformën agrare dhe kolonizimin (23 gusht 1945, e tjera më vonë), si instrumente juridike për marrjen e pronave ishin caktuar: nacionalizimi, konfiskimi, sekuestrimi dhe eksproprijimi. Nacionalizimi i tokave bëhej në bazë të parimit të maksimumit, të paraparë me ligj. Konfiskimi dhe sekuestrimi ishin masa ndëshkuese për ata që shteti i trajtonte si armiq të popullit dhe bashkëpunëtorë të okupatorit, e të tillë i konsideronte shqiptarët, të cilëve krahas dënimit penal, me pushkatim ose burgim, ua konfiskonte ose sekuestronte pasurinë e  paluajtshme e të luajtshme. Nacionalizimin e tokave e bëri në bazë të parimit të maksimumit, për kategoritë e familjeve dhe subjekteve tjera të caktuara me ligj. Për kishat dhe manastiret e zakonshme, lejohej të dispononin deri 10 ha tokë, ndërsa për manastiret e rëndësisë së veçantë, u lejohej deri 30 ha tokë të punueshme dhe 30 ha pyje. Pjesa tjetër u merrej dhe kalonte në fondin e tokave-pyejeve në pronësi të shtetit, që më vonë, me akte kushtetuese e ligjore mori karakterin dhe statusin juridik të pronës shoqërore. Nga fondi i krijuar i tokave, u jepej qytetarëve të patokë, kryesisht serbë e malazezë, por edhe subjekteve tjera: kooperativave, ekonomive dhe kombinateve bujqësore. Sipas të dhënave të Kishës Ortodokse Serbe, në bazë të Ligjit për reformën agrare dhe kolonizimin (të vitit 1945),  në bazë të maksimumit në vitin 1946 Patrikanës së Pejës i ishin marrë 223 ha tokë dhe 570 ha pyje, kurse Manastirit të Deçanit prej 208 hektarë tokë të punueshme dhe 600 hektarë pyje, reforma agrare ia kishte lënë 30 ha tokë dhe poaq pyje. Ankesën që kishin bërë kundër marrjes së pronave, e kishte refuzuar Gjyqi Agrar për KeM, në Prizren (12 mars 1947).

 

 

Kolonizimi në periudhën 1990-1999

 

Në kohën më të re, në Kosovë kolonizimi mori hov në periudhën e suprimimit të dhunshëm të autonomisë dhe masat e dhunshme që ndërmori pushteti okupues i Serbisë në të gjitha fushat e jetës dhe segmentet e ekonomisë, veprimtaritë shoqërore dhe organet e pushtetit të nivelit qendror dhe lokal. Brezat e moshës së vjetër dhe asaj të mesme, i mbajnë mend  masat, presionin dhe represionin e egër. Okupatori miratoi plane, programe e ligje të përgjithshme e të veçanta, në funksion të kolonizimit të Kosovës me serbë e malazezë, jo vetëm nga Serbia, por edhe nga Bosnja, Kroacia e madje edhe nga Shqipëria dhe Rumania, duke u ndërtuar shtëpi banimi në vendbanime të ndryshme dhe ndarë tokë të punueshme nga tokat e pronës shoqërore, duke u dhënë mjete pune dhe kredi të volitshme, për t’i joshur të vijnë të jetojnë këtu. Një ndër aktet kryesore për kolonizim në periudhën 1990-1999, është i ashtuquajturi: Programi për realizimin e paqes, lirisë, barazisë, demokracisë dhe prosperitetit të KSA të Kosovës” (“Slluzhbeni gllasnik Socijalisticke Republike Srbije”, nr.15, dt. 30 mars 1990), të cilin, për shkak të hapësirës së kufizuar të gazetës, nuk do ta elaborojmë këtu. Pas atij Programi, është vazhduar me ligje të veçanta, vendime e veprime konkrete, në funksion të kolonizimit. Sipas Ligjit për kushtet, mënyrën dhe procedurën e ndarjes së tokës bujqësore qytetarëve të cilët dëshirojnë të jetojnë e punojnë në territorin e Krahinës  Autonome të Kosovës e Metohisë (“Slluzhbeni gllasnik RS”, nr.43/1991), qytetarëve (serbë ose malazezë) të cilët donin të vinin në Kosovë, u jepeshin toka bujqësore nga fondi i tokave të pronës shoqërore, nga 5 ha tokë për në familje, të cilën nuk mund ta shitnin as tjetërsonin në mënyrë tjetër 30 vjet pas marrjes. Kjo bëhej me qëllim të ngulitjes afatgjatë të elementit sllav në Kosovë. U jepej kredi me kushte çuditërisht të volitshme dhe liroheshin nga tatimi për kohë të caktuar. Efekte të kolonizimit të Kosovës kishte edhe Ligji mbi transformimin e pronës shoqërore të tokës bujqësore në forma tjera të pronësisë (“Sll.gllasnik RS”,nr.49/1992).

 

Rasti i Manastirit të Deçanit, respektivisht i pop Savës

 

Pushteti okupues i Serbisë, respektivisht Qeveria e Serbisë, duke manipuluar me tokat e pronës shoqërore, në vitin 1997 ia kishte “falur” Manastirit të Deçanit 25,5 ha tokë të cilën deri atëherë e kishin në shfrytëzim ndërmarrjet shoqërore “Iliria” dhe “Apiko”. Në vitin 2000, ndërmarrjet e përmendura kanë ngritur kërkesë-padi në Gjykatën Komunale të Deçanit, kundër Manastirit dhe Republikës së Serbisë, për anulimin e aktit (kontratë, marrëveshje…) për “dhurimin” e tokës së përmendur nga Qeveria e Serbisë. Gjykata e faktit kishte ndërmarrë veprime procedurale, por para se të merrte vendimin, i ashtuquajturi Agjensioni Kosovar i Mirëbesimi, nën administrimin e UNMIK-ut, kërkoi që rasti t’i merret Gjykatës Komunale, t’i cedohet Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, për të vendosur meritorisht, me arsyetim se ajo Dhomë ka kompetencë ekskluzive për pronën shoqërore. Dhoma e Posaçme, si gjykatë e shkallës së parë, i ka refuzuar si të pabaza kërkesë-paditë e ndërmarrjeve të përmendura. Duke vendosur sipas ankesës AKP-së e të ndërmarrjeve “Iliria” dhe “Apiko”, së cilës i është bashkuar edhe Komuna e Deçanit, Kolegji i Ankesave i Dhomës së Posaçme, si organ i shkallës së dytë, ka miratua ankesat si të bazuara, i ka anuluar vendimet e shkallës së parë, me arsyetim se Dhoma e Posaçme nuk ishte kompetente të gjykojë në këtë kontest, prandaj lënda duhet t’i kthehet për gjykim  Gjykatës Themelore të Pejës – Dega në Deçan.  Kundër vendimit të Kolegjit të Ankesave, Manastiri i Deçanit (pop Sava me krerët e Republikës së Serbisë!), ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës të pezullojë çdo procedurë lidhur me këtë rast, deri në marrjen e një vendim përfundimtar, për shkak se, gjoja, po pësuaka Manastiri dëm të pakompensueshëm. Duke e vlerësuar si të bazuar kërkesën e pop Savës, Gjykata e ka caktuar Masën e Përkohshme, deri më 29 shkurt 2016, me arsyetimin se mund të paraqiten pasoja të pariparueshme për palën (pop Saven,a.f.). Ajo Gjykatë “ka vërejtur se faktet e këtij rasti zbulojnë një sërë procedurash ligjore e gjyqësore që shtrihen në një periudhë prej më shumë se 15 vjetësh, e që paraqesin kompleksitet të konsiderueshëm për vlerësimin dhe interpretimin e ligjeve nga ana e autoriteteve publike dhe gjyqësore”.

* * *

Për sqarimin e këtij “kompleksiteti”, unë e bërë këtë shkrim, për të parë tërë rrugën e kompleksitetit dhe të “fitimit” të pronës së Manastirit, në bazë të ligjeve dhe vendimeve diskriminuese të të gjitha regjimeve serbe në njëqind vjetët e fundit, të cilat ua kanë marrë tokat familjeve bujqësore të shqiptarëve, dhe ia kanë “dhuruar” Manastirit, gjithë ato toka e pyje, që s’i kishte asnjë kombinat bujqësor e pyjor në Kosovë.  Dhe faza e fundit, vendimi (marrëveshja apo kontrata e Qeverisë së Serbisë), i vitit 1997, për t’ia dhuruar Manastirit tokën e pronës shoqërore, ishte një vendim arbitrar, i bazuar në ligjet diskriminuese të okupatorit të egër. Po ia përkujtoj Gjykatës Kushtetuese, se sipas Rregullores së Përfaqësuesit Special të KB/UNMIK-, nr.1999/24, respektivisht nr.2001/59, ligjet e Serbisë të miratuara pas 22 marsit 1989, nuk janë të aplikueshme në Kosovë, as për procesin e privatizimit as për kurrëfar reforme apo transferimi të pronës mbi tokën bujqësore, apo në ndonjë procedurë tjetër. Prandaj, asnjë akt i bazuar në ato ligje, qoftë vendim, kontratë, marrëveshje apo me emër tjetër, nuk është i vlefshëm as nuk mund të prodhojë efekt juridik të vlefshëm/ Është rregull e vjetër, prej të Drejtës romake (Katoni), se “ç’është lindur gungavtë, koha nuk e drejton”. Gjykata duhet të udhëhiqet nga drejtësia valide, e jo nga politika e ditës.  Nëse i hyjmë të zbulojmë kompleksitetin e këtij rasti, atëherë do duhej kthyer shumë prapa, për t’ua kthyer pronarëve tokat të cilat regjimet serbe gjatë kohës ua kanë marrë fshatarëve dhe ia kanë dhënë Manastirit të Deçanit, apo cilitdo tjetër.

Po të funksiononte Kosova si shtet i konsoliduar, do duhej të regjistrojë të gjitha pronat, ta zbatojë një reformë agrare dhe t’ua merr tokat të gjitha kishave, manastireve e vakëfeve, të mos u jep asgjë jashtë oborrit, sepse ato nuk janë  kooperativa,  ekonomi a kombinate bujqësore, për të zhvilluar ekonomi, por janë “institucione shpirtërore, për t’ua prishur shpirtin qytetarëve”! Mjaft kanë jetuar ata si parazit e janë pasuruar në kurriz të popullit të varfër. Poashtu, do duhej t’iu merren tokat e pasuri tjera të gjithë atyre matrapazëve, të cilët me çmime “ma lirë se badihava”, me para të pista apo në mënyrë tjetër kriminale, në procesin e korruptuar të privatizimit kanë “blerë” nga disa qindra hektarë toke, edhepse nuk merren me bujqësi, kanë blerë për “bagatellë” objekte të vlerës disa dhjetra apo qindra miliona euro! Këtyre padrejtësive duhet t’iu vjen  fundi njëherë e mirë.

 

 

Adil FETAHU

Filed Under: Analiza Tagged With: ''GJYKATA KUSHTETUESE, Adil Fetahu, DHE POP SAVA

“FUZA DHE FURIUZA” E BEN BLUSHIT

December 4, 2015 by dgreca

(Ben Blushi: “Kandidati”)/

Shkruan: Adil FETAHU*/ Libri i pestë, e romani i katërt i politikanit e shkrimtarit Ben Blushi ka një titull simbolik – Kandidati. Fabula e romanit është fushata dhe zgjedhja e kryetarit të bashkisë së qytetit të Basenit. Ajo zgjedhje ishte e veçantë në sistemin zgjedhor, madje edhe për sistemin elektoral të Shqipërisë, jo vetëm se i njëjti kandidat, Kazim Sadini, ishte zgjedhur për të katërtën herë me radhë kryetar bashkie, por për faktin se ishte zgjedhur kandidati i cili kishte vdekur papritmas vetëm dy ditë pasi kishte regjistruar kandidaturën në këshillin qendror zgjedhor. Bashkëshortja e kandidatit të vdekur, kishte vendosur ta vazhdonte fushatën për zgjedhjen e të shoqit, me qenë se kodi elektoral nuk e pengonte një gjë të tillë. Dhe ajo, pak për inatë dhe më shumë e bindur se burri i saj e kishte merituar të zgjedhej për mandatin e katërt, dhe se qytetarët vërtetë do ta shpërblenin me zgjedhje. Familjes Sedini i nevojitej një njeri i shkathtë për ta udhëhequr e zhvilluar fushatën zgjedhore. Zonja Sedini e kishte gjetur njeriun e duhur, Simon Shuterin, një regjisor i diplomuar, me origjinë çifute, i cili kurrë nuk kishte punuar në profesion, por kishte një studio për të reklamuar prodhimet e mishit dhe në këtë punë kishte pasur sukses. Por, për shkak të shkrimit në gazeta, se në fabrikën e mishit prodhimet e së cilës i reklamonte Shuter po futnin mish qeni në sallama, fabrika ishte mbyllur, kështu që oferta e zonjës Sedini ishte e mirëseardhur për reklamuesin e sallamës. Pas bisedës me zonjën Sedini, e cila i premtoi shpërblim të mirë, nuk hezitoi shumë dhe mori përsipër ta udhëheqë fushatën. Madje, oferta ishte edhe mjaft intriguese. Gazetat e televizionet do lajmëronin për Shuterin si njeri që i ngjallë të vdekurit, dhe kjo do ishte një ditë e një ngjarje historike për qytetin në jetën e regjisorit, pardon të reklamuesit të sallamës. Kur Shuteri i kishte treguar gruas së tij për ofertën, ajo e kishte shpotitur duke thënë: më lehtë do ta kesh me një të vdekur, se me një të gjallë do kishe dështuar.

Pasi zonja Sedini dhe Shuteri ishin marrë vesh për vazhdimin e fushatës, për më tutje mbetej që në emër të familjes ta kontaktone vajzën e saj, Ollgën, e cila, ndonëse kishte qenë kundër kandidimit, megjithatë ishte pajtuar ta ndihmonte fushatën.

Pasi Shuteri jep lajmin për kandidimin e Kadim Sedinit, të nesërmën të gjitha gazetat, me tituj të mëdhenj shkruanin: “Kadim Sedini ka vendosur të ngjallet”. Komentet në gazeta jepnin e merrnin gjithëfar trajtimesh, që me emocione e mbytnin dyshimin. Kemi parë, thoshin, që shumë të vdekur në Shqipëri kanë pasur të drejtën e votës, por ky është rasti i parë që një i vdekur ka të drejtë të zgjidhet. Por, Shqipëria mbetet një parajsë elektorale për të gjithë të vdekurit që zgjidhen, dhe një ferr për gjithë të gjallët që zgjedhin!

Në kontaktin e parë me Ollgën, Shuteri kërkon të mësojë më tepër për Kadim Sedinin si njeri dhe si kryetar bashkie në tre mandatet e kaluara, për meritat dhe të metat e tij, ngase përkundër kodit të zisë, gazetat nuk kishin thënë asnjë fjalë të mirë për të vdekurin. Kundërkandidati në zgjedhje ishte Nef Nosi, një arkitekt i diplomuar në Torino, ish i fejuari i Ollgës. Gjyshi i tij, Lef Nosi, ka qenë një nga 37 firmëtarët e Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, por që atë certifikatë të lindjes së shtetit vet e kishte “zhdukur” diku. Madje, ndonëse ka qenë ministër në regjencën gjatë pushtimit gjerman, busti i tij qëndronte hijerëndë në sheshin e qytetit të Basenit. Sapo marrin vesh gazetat për kundërkandidatin, “zhbirojnë” biografinë e tij dhe me tituj të mëdhenj shkruajnë: “Dhëndërri i gjallë kërcënon vjehrrin e vdekur”.Ky fakt e komplikon hallin e familjes Sedini. Mirëpo, për Shuterin kjo ishte një rrethanë e favorshme, me shpresë se për shkak të raporteve me Ollgën, kundërshtari i tij do ishte më i matur gjatë fushatës. Aq më tepër, që kur t’i “shprushej njolla” e biografisë së gjyshit të tij, si nip i anëtarit të regjencës së nacizmit gjerman, gjasat e tij për ta mundur “vjehrrin” e vdekur ishin minimale.

Për disa aktivitete të fushatës, Shuteri angazhoi të birin e kandidatit të vdekur, që quhej Zero. Emri i kishte mbetur prej kur berberi ia kishte qethur flokët në zero, për shkak se ishte mbushë me parazitë (morra). Zero ishte një dembel, i papunëtor, kishte hapur një klub në të cilin mblidheshin djemtë e pasur të qytetit dhe vajzat e bukura, që përdornin dhe flitnin vetëm për muzikë, hashash, sex dhe makina. Megjithatë, Zero-ja kryente punët që i caktonte Shuteri.

Pala tjetër në fushatën zgjedhor, ajo e Nef Nosit, përmes mediave (“Kalemi.al”), zbulon se Shuteri kishte origjinë çifute, nga lagjja Kalaja e qytetit të Basenit, i cili po tallet pa shkak me këto zgjedhje, me të gjallët e të vdekurit. Kur një televizion kishte paralajmëruar ta kishte mysafir Nef Nosin, Shuteri gjen një bashkëpunëtore të tijen, të cilën e porositë që në debatin televiziv moderatori Henri ta pyet Nef Nosin, se çfarë mendimi kishte për pushtimin e Shqipërisë nga gjermanët. Pyetja aludonte te gjyshi i tij, i cili kishte qenë anëtarë-ministër i regjencës gjatë pushtimit nazist, ashtu që ta deklasonte para elektoratit. Përgjigjen që dha Nef Nosi, lente të kuptohej se nazizmi ishte më i mirë se komunizmi, që do të thoshte se më mirë Shqipëria e pushtuar, se e qeverisur nga shqiptarët, dhe nisi ta arsyetojë me avantazhet e zhvillimit të Gjermanisë dhe varfërinë e Shqipërisë. Shuteri shfrytëzoi përgjigjen e Nef Nosit, për të krijuar indinjatë te veteranët e Luftës Nacional-Çlirimtare dhe komunistët e qytetit, se si mundet nipi i një nazisti të kandidojë për kryetar bashkie. Shtabi i Shuterit bënte punën e vet me material propagandues, parulla, fejsbuk, hashtag, bluza me fjalinë: “Je ne Lef pas”; kryetari i shoqatës së veteranëve (Sami Patrona), përmes shtypit e televizionit ftonte veteranët nga gjithë Shqipëria që ditën e caktuar të vinin në protestë; familja Sadini kishte paguar 200 autobusë e 20 kamionë t’i bartnin protestuesit. Në qytet u krijua atmosferë e elektrizuar. Rrënimin e bustit të Lef Nosit e realizoi Zero-ja, me ca shokë të tij. Policia e prangosi, por protestuesit e kishin rrethuar, si një hero, dhe pengonin policinë ta arrestonte, derisa vet Zero u foli protestuesve që ta lënë policinë ta bëjë punën e vet, sepse ky nuk ishte një kriminel. Kështu, përnjëherë pas arrestimit, Zero u bë Njësh! Por, pas arrestimit të tij, në qytet shpërtheu dhuna e protestuesve, thyerje, djegëje, shkatërrime, plaçkitje, eksplodimi i centralit elektrik dhe qyteti mbeti në errësirë. Shuteri pati një aferë dashurie me Ollgen. Analistë e gazetarë në TV jepnin e merrnin për ngjarjet. Për shkak të situatës së krijuar në qytet, një javë para ditës së zgjedhjeve, Këshilli Zgjedhor, në marrëveshje me policinë e qytetit, kishte pezulluar fushatën dhe çdo aktivitet të kandidatëve. Pas një bisede informative të komisarit të policisë (Izauri), Shuteri u detyrua ta lëshojë qytetin dhe shkoi në një hotel në bregdet, ku e priti ditën e zgjedhjeve dhe shpalljen e rezultateve. Në votim nuk kishin dalë më shumë se çereku i votuesve, por shumicën e votave i kishte fituar kandidati i vdekur, Kadim Sedini!

* * *

Siç është krejt romani provokativ, edhe unë ia vura këtij vështrimi titullin provokativ (“Fuza dhe Furiuza”…). Fuza, përveç emrit të një sendi (s’ka nevoje për shpjegim), është edhe një shprehje metaforike për ndonjë punë a veprim të kryer shpejtë e me lehtësi. “I ka ndjekë, i ka bërë fuzë”, thuhet për ndonjë aksion, apo “e ka bërë fuzë”, thuhet për ndonjë punë të kryer lehtë, shpejtë dhe me sukses. Ndërkaq, “furiuza” është term të cilin vet autori e ka përdorur në disa vende e kontekste të caktuara në roman (“fast and furious”, shpejtësi dhe tërbim). Siç len të kuptohet me shënimin në fund të romanit, Blushi këtë e ka shkruar për dhjetë ditë (20-30 shtator 2015), dhe kjo është një shpejtësi e rrallë e shkrimit të ndonjë romani prej 215 faqesh.

Me ironinë e tij, cinizmin, karikimin e zgjedhjeve, të ngjarjeve e personaliteteve aktuale e historike, nënçmimin e fshatarëve, romani është një provokim par exelance, me aludim të qartë në qytetin e Elbasanit dhe në personalitete konkrete (në kryetarin e Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini), dhe familjen e tij. Edhe të tjerë nga jeta reale mund të identifikohen me personazhet e romanit (si Henri, psh.Henri Çili, apo ndonjë gazetar tjetër). Dhe kjo ka shkaktuar një debat të nxehtë në qarqet politike, mediale dhe letrare, madje edhe djegëjën e gazetës (“Koha jonë”) e cila ka publikuar daljen dhe përmbajtjen e romanit. Po kjo zhurmë ka zgjuar akoma më tepër interesimin e lexuesve dhe ka bërë që romani të shitet furishëm në numër rekord ekzemplarësh për një kohë të shkurtër, gjë që gjithsesi shkon në favorin dhe kënaqësinë e autorit.

Sado të veshura në petkun artistik, romani përmban shumë fjali që me gjuhën e autorit mund t’i quanim “furious”: “Baseni ishte një qytet i ndotur…,në atë qytet nuk kishte asnjë burrë të pastër dhe asnjë grua të bukur” (fq.22); “Shqipëria mbetet një parajsë elektorale për gjithë të vdekurit që zgjidhen, dhe një ferr për të gjithë të gjallët që zgjedhin” (fq.33); “…bukuria e grave është e vetmja cilësi që ia vlen të çmohet…,ato kanë mision t’ia bëjnë kujtdo jetën të padurueshme” (fq.35); “…është hera e parë që nuk lexoj qoftë edhe një fjalë të mirë për një të vdekur” (fq.37); “Të presësh që shqiptarët mund të reagojnë ndaj një padrejtësie, është njëlloj si të presësh që qeni i Fan Nolit të ngjallet dhe të bëhet prift” (fq.63); “Një vend si Shqipëria nuk meriton të jetë i pavarur” (fq.77); “Ai njeri përfaqësonte gjithë përtacinë e shekujve që kishin kaluar mbi qytet” (fq.95); “…ai bënte poezi të shkëlqyera, por si kryeministër ishte një deshtak” (për Fan Nolin, fq.122); “…komunizmi ishte një ngrehinë shqiptare me arkitekturë sovjetike” (fq.126); “Shqipëria ishte më mirë e pushtuar, se e qeverisur nga shqiptarët” (fq.130); “Çlirimi i Shqipërisë nga komunistët, ishte më i dëmshëm se pushtimi nazist” (fq.144); “…muzika që zakonisht zgjidhte Zero, ishte rap zooteknik ose tallava bujqësore” (f.162); “Shqipëria, një vend i zhytur në depresion, papunësi, varfëri dhe mjerim” (fq.173); “…shqiparët ishin një popull me fat. Ata e kishin shpikur të parët ilaçin kundër mendimit… dhe më kishin ndjekur …pa menduar” (fq.125).

Pa marrë parasysh kontekstin e përdorimit dhe aludimit të fjalive të cituara, pa marrë parasysh se ato janë përdorur në një vepër letrare-artistike, roman, gjithsesi shprehin një cinizëm, por edhe një pesimizëm të autorit, që gjithashtu ai shprehë edhe në veprat e tjera. Autori nuk e ka për gjë të fyejë inteligjencën e të tjerëve, përmes letërsisë. Sado që është thënë në kontekst letrar, le ta marrim si rrëfim të sinqertë të autorit, fjalinë nga faqja 73 e romanit: “Askush më shumë se unë nuk ishte tallur kaq keq me vendin e vet”!

Ben Blushi si politikan dhe shkrimtar, e njeh shumë mirë situatën në vend, i njeh mirë huqet dhe rolin e politikës dhe të mediave në manipulimin e masës, jo vetëm me rastin e zgjedhjeve. Jo vetëm me këtë roman, por edhe me të tjerët para tij, Ben Blushi ka dëshmuar se ka një imagjinatë e fantazi letrare jashtëzakonisht të zhvilluar, që për mrekulli i venë në funksion të lidhjes artistike ngjarjet historike dhe ato reale, dhe anasjelltas, por me një dozë të lartë të pesimizmit për të ardhmën e vendit. Ka humor e satirë, por edhe stil cinik.

Sidoqoftë, Ben Blushi është ndër shkrimtarët më të lexueshëm dhe më të lexuar shqiptar.

* Shkrimi u dergua per Diellin nga autori

Filed Under: LETERSI Tagged With: Adil Fetahu, Ben Blushi: “Kandidati”

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT