Shkruan: Adil FETAHU/
Paranoja është fenomen që i përket mendjes së njeriut, qoftë të një individi, apo një shoqërie, grupi shoqëror, shteti. Në psikiatri paranoja konsiderohet si sëmundje e identitetit të individit apo shoqërisë të destabilizuar. Individi apo shoqëria paranoike imagjinon dhe trillon armiq, që nuk ekzistojnë. Natyrisht që paranoja në skenarët politikë të një shoqërie-shteti, është shumë më e rrezikshme se ajo e individit. Ta marrim shembullin e paranojës së nacizmit hitlerian kundër hebrenjve, dhe pasojat e asaj paranoje.
Konspiracioni është përpjekja spekulative për përpunimin dhe plasimin e informacioneve dhe shpjegimin e gjërave dhe ngjarjeve shoqërore, politike, historike, duke sugjeruar fakte dhe motive sikur është një plan i fshehtë, i ndonjë shoqërie të fshehtë të personave të fuqishëm, për të arritur një qëllim të fundit të ngjarjes.
Individët, shoqëritë dhe shtetet vuajnë nga paranoja e konspiracionit, kush më shumë e kush më pak, varësisht nga rrethanat dhe gjendja e stabilitetit. Fqiu ynë verior, Serbia, po edhe ai jugor (Greqia) vuajnë nga paranoja antishqiptare, si gjatë historisë, ashtu edhe aktualisht. Serbia, që është e destabilizuar në këto 25 vjetët e fundit, vuan nga paranoja e konspiracionit të përmasave globale. Ajo imagjinon e trillon armiqë, në mesin e popujve e shteteve; sidomos në Shqiptarët, Kroatët, Boashnjakët, Gjermanët, Amerikanët, Anglezët, por edhe te të tjerët. Konspiracionin e vet paranoik Serbia e sajon ashtu që popujt dhe shtetet e caktuara, por edhe individë të caktuar me ndikim në proceset politike-strategjike botërore, gjoja kishin dhe kanë për qëllim dobësimin deri në shkatërrim dhe zhdukjen e shtetit dhe të popullit serb. Në çdo variant, ajo e paraqet popullin dhe shtetin serb si viktimë e konspiracionit. Dhe kjo paranojë e konspiracionit është ngulitur thellë në mendjen e politikanëve, kishtarëve dhe qarqeve intelektuale të Serbisë. Ata, që vet e shkaktuan shkatërrimin e përgjakshëm të Jugosllavisë, tërë fajin ia lënë Perëndimit. Poashtu, për luftën çlirimtare dhe pavarësimin e Kosovës, e fajsojnë Perëndimin, në rend të parë ShBA-të, Anglinë, por edhe Francën, Gjermaninë etj. Edhe pavarësinë e Malit të Zi e shohin si konspiracion i atyre vendeve. Teoria e konspiracionit në Serbi është shumë e përhapur dhe dominuese në media të shumta, sidomos në internet. Po të kërkoni në gazetat, tabloidet, portalet serbe, do gjeni sa e sa teori të konspiracionit “kundër Serbisë”! Madje, edhe “dronin” e lëshuar në stadionin e futbollit me rastin e ndeshjes futbollistike midis Shqipërisë e Serbisë, e shpjegojnë me teorinë e konspiracionit!
A do bëhet Serbia – Izrael?!
Portali “vesti.rs” e kishte marrë nga “Vaseljenska TV” një analizë, të titulluar “Operacija Mojsije”, nga e cila del se në një kohë, jo shumë të largët, do të ndodhin ngjarje të cilat do të shkaktojnë ndërrim të kufijve dhe formim të shteteve të reja në Evropë, dhe në Lindjen e Mesme, me ç’rast do të ketë çvendosje të popullsisë dhe institucioneve të shtetit të Izraelit, në rast se terroristët islamikë fitojnë luftën kundër Amerikës. Ato ngjarje dhe pasojat, gjoja janë përpunuar në një analize të Shërbimit Izraelit të Zbulimit (“Mosavi”), të cilat i ka marrë në trajtim e komentim televizioni i përmendur. “Vaselenska TV”, është një medium i Kishës Otodokse Serbe, që është e lidhur drejtpërdrejt me Patrikanën e Stambollit. Ato ngjarje do të shkaktojnë ndërrimin e strukturës etnike të shteteve, sidomos në Evropë, e si vend “më i përshtatshëm” për vendosjen e popullsive të shpërngulura nga vendet e tyre, e shohin Serbinë. Dhe natyrisht, në stilin e tyre për vetëlavdërim të vendit dhe popullit serb, dhe lamentim se janë nën konspiracionin botëror, shpjegojnë kushtet dhe rrethanat që do ishin në favor të vendosjes së etnive tjera në Serbi. Në kontekst të këtij konspiracioni, analiza parasheh se në një të ardhme, populli i Izraelit do të detyrohet të çvendoset dhe të kërkojë strehim në Evropë. Si vendi më i përshtatshëm në Evropë, i zgjedhur për t’u vendosur e stabilizuar etnikumi hebrej, është Serbia. Parashihet opsioni që 25% e pasurive të patundshme të Serbisë, do t’iu jepen (shiten) hebrenjve të ardhur. Analiza vazhdon me shpjegimin e shkaqeve, përse Serbia është vendi më i përshtatshëm për vendosjen e hebrenjve, gjoja se:
* Në popullin serb antisemitizmi është shumë më i butë, se te popujt e tjerë të shteteve të Ballkanit;
* Serbia, sipas kushtetutës dhe sipas përbërjes nacionale (me shumë minoritete), është shtet i qytetarëve, e jo shtet nacional;
* Popullsia shumicë është e krishterë, ndërsa popullsia e besimit islam është e izoluar, që me ngjarjet e mëvonshme është formalizuar në formë të okupimit të Kosovës e Metohisë;
* Serbia është kompakte, kufijtë ndaj fqinjëve datojnë qysh nga Lufta e Parë Botërore, ndërsa kufijtë me republikat e shkëputura do të definoheshin më vonë, siç ishte rasti me Marrëveshjen e Dejtonit;
* Edhe para 5 tetorit (2000) në Serbi ka pasur tendenca të shkohet në integrime euroatlantike, ndërsa me kthesën që u bë më 5 tetor, ka filluar realizimi praktik;
*Dalja në det, edhe me shkëputjen e bashkësisë me Malin e Zi, do të jetë i siguruar përmes Greqisë deri në Detin Egje;
* Serbia me kohë është e hapur për investime të hueja.
Sa i përket kushtit të fundit, që 25% e pasurive të patundshme të bëhen pronë e hebrenjve të ardhur, realizimi është i mundshëm me ardhjen e qeverisë së “ekspertëve ekonomikë” në nivel federativ dhe atë republikan (sic). Njerëzit në ato qeveri, për interesa të tyre ekonomike ose të përkatësisë së shërbimeve të caktuara të zbulimit, do ishin të gatshëm të marrin pjesë në këtë plan. Fakti që në mënyrë të posaçme i përgjigjet planit izraelit është nataliteti katastrofal (i ulët) i popullsisë shumicë në Serbi. Është vërtetuar matematikisht se pas pesëdhjetë vjetëve Serbët në Serbi do mbetën pakicë. Kjo shansë nuk guxon të anashkalohet. Udhëheqësia hebreje në vendin e zbrazur ka parë parashikimin e Zotit, ndërsa Telavivi ka dhënë dritën e gjelbër për realizimin e operacionit “Mojsije”, thuhet në analizë.
Fillimi i përzierjes së Izraelit në ngjarjet në hapësirën e RSFJ-së përputhet me ardhjen (në pushtet) të administratës demokratike të Bill Klintonit, thuhet në analizë. Pjesëmarrësit më të shquar të politikës amerikane kundër Serbisë nga Kabineti i Klintonit kanë qenë pikërisht ata me prejardhje hebreje. A është vërtetë rastësi që hebrenjët: Medlin Olbrajt, Riçard Holbruk, Xhemjs Rubin dhe Vesli Klark morën pjesën në shkatërrimin e RSFJ dhe në krimet mbi Serbinë, shtrohet pyetja në analizën e përmendur. Përveç mediave të cilat janë nën kontrollin e kapitalit hebrej, në këtë luftë janë bashkangjitur edhe intelektualë evropian me prejardhje hebreje, duke udhëhequr kampanjën e satanizimit të Serbisë,- përfundon analiza e projektit “Operacioni Mojsije”, dhe komentet e “Vaselenska TV”, edhe me shumë gënjeshtra e broçkulla tjera në mediat tabloide e në portalet serbe.
* * *
Pa u lëshuar në qëllimet e kësaj analize, të përtypur e gëlltitur me shumë shije nga paranoja serbe e konspiracionit, shkaqeve për përzgjedhjen e Serbisë si vendi më i përshtatshëm për vendosjen e hebrenjve, mund t’iu bëhen vërejtje të shumta e të demantohen me fakte. Bile, nga shkaqet e përmendura, fitohet përshtypja se ato nuk janë analizë e “Mosavit”, por e vet institucioneve të Serbisë, të cilat janë të prirura të plasojnë gënjeshtra të pabazë. Së pari, nuk është e vërtetë se populli serb është më pak antisemitik se popujt e tjerë të Ballkanit. Përkundrazi. Dihet me shifra e fakte, se sa hebrenjë kanë qenë në Jugosllavinë dhe Serbinë e para Luftës së Dytë Botërore, e sa kanë mbetur pas luftës, dhe sa janë sot. Të dhënat flasin, se para Luftës së Dytë Botërore, në Mbretërinë e Jugosllavisë kanë qenë 75.000 hebrenjë vendorë, dhe më se 2000 tjerë kanë ardhur nga shtete tjera. Ata kanë ardhur të te afërmit e tyre, për ta shpëtuar kokën nga ndjekja e nacistëve. Prej tyre, 95% janë vrarë e zhdukur, dhe luftën e kanë mbijetuar vetëm 3500 hebrenjë! Komandanti i ushtrisë gjermane, Turnet Llahor, në vitin 1942, e lajmëronte Berlinin, se Serbia është i vetmi vend në të cilin çështja e hebrenjve dhe romëve “është zgjidhur”, që dmth. janë likuiduar e zhdukur.
Nga ana tjetër, botërishtë është e ditur se Shqipëria është i vetmi vend , jo vetëm në Ballkan, por në gjithë Evropën, në të cilin hebrenjtë kanë gjetur strehim të sigurt e mikpritje, dhe që kanë dalë më shumë nga lufta, se që ishin para lufte. Për këtë, Shqipëria ka marrë mirënjohje nga shteti izraelit. Edhe në Kosovë, ndonëse ishte nën okupimin e Serbisë, gjatë asaj lufte hebrenjtë kanë gjetur strehim e mikpritje, janë fshehur e janë ruajtur në familjet shqiptare. Karshi këtyre fakteve të pamohueshme, si mund të thuhet, se populli serb është më pak antisemitik se popujt e tjerë të Ballkanit?!
Sipas kushtetutës aktuale, Serbia nuk është shtet i qytetarëve të saj, por është shtet puro nacional (dhe nacionalist,a.f.) i popullit serb. Në dispozitën e nenit të parë të kushtetutës aktuale të Serbisë është përcaktuar se “Republika e Serbisë është shteti i popullit dhe i të gjithë qytetarëve që jetojnë në te…”. Shteti i Serbisë është i shenjtë (neni:11:1) ! Stema, flamuri dhe hymni i Serbisë janë simbole shtetërore vetëm me shenja nacionale serbe, me të cilat ushtria, policia dhe paramilitarët serb udhëhoqën dhe, për fat i humbën, të gjitha luftërat e përgjakshme anembanë ish-Jugosllavisë. Asnjë shenjë në ato simbole shtetërore nuk ka elemente të nacionaliteteve tjera të shumta që jetojnë në Serbi: Shqiptarë, Boshnjakë, Hungarezë, Rumunë, Bullgarë, etj. Gjuha zyrtare në Serbi është gjuha serbe dhe alfabeti i çirilicës, të cilat nuk i dinë pjesëtarët e nacionaliteteve joserbe. Gjuha dhe shkrimet e tyre nuk janë paraparë as nuk mbrohen me kushtetutë, veçse është lënë që për to të nxirret ligj i veçantë. Ka edhe shumë dispozita tjera në atë kushtetutë, që demantojnë konstatimin kinse Serbia është shtet qytetar.
Lista e gjatë e hebrenjve “antiserbë”
Paranoja konspirative e Serbisë ka listën e gjatë të popujve, organizatave, shteteve dhe personaliteteve që gjoja janë antiserbe. Prej popujve e shteteve fqinje, vendet e para në këtë listë i zënë populli dhe dy shtetet shqiptare, pastaj vijnë kroatët, boshnjakët, bullgarët, etj. Nga popujt dhe shtetet e tjera, janë Amerika, Anglia, Gjermania, Vatikani, si dhe organizata e kompani multinacionale: SOROS, NATO etj.
Është interesant lista e gjatë e personaliteteve që është dhënë në fund të analizës. Lista titullohet: “Regjistri i hebrenjve të involvduar në shkatërrimin e Jugosllavisë dhe në agresionin kundër Serbisë në vitin 1999”. Aty janë renditur 118 emra të personaliteteve të njohura shtetërore, publike, shkencore, kulturore, me prejardhje hebreje. Ka prej tyre që ishin kryetar shtetesh, zëvendëskryetar, kryeministra, ministra, ambasadorë, kongresmenë, këshilltarë, nobelista, filozofë, shefa të misioneve, drejtues të institucioneve, fondacioneve, kompanive multinacionale, bankave, mediave. Pranë emrave të disave prej tyre, ka shtuar fjalët: i urren serbët; gjithnjë kundër serbëve; kriminel lufte; ka kërkuar bombardimin e Serbisë; udhëheqës i grupit të urrejtësve kundër serbëve, e kështu me radhë. Janë 45 emra të tillë, ish-funksionarë të lartë të ShBA-ve, duke filluar nga ish-nënkryetari i ShBA-ve (Alfred (AL) Gor), ish-sekretarët e shtetit (Henry Kissinger, Madleine Albright), ish-sekretari i mbrojtjes (William Cohen) e kështu me radhë. Është interesant, se në regjistër janë edhe 25 emra të personaliteteve të larta të Rusisë, duke filluar nga ish-kryetari Boris Jetlsin, ish-premierat: Yegor Gaidar, Sergey Kirienko, zëvendës-kryeministri Alfred Koch, pastaj ministra, ambasadorë e funksionarë tjerë. Edhe ish-kryeministresha e Turqisë (Tansi Ciler) është në atë regjistër, sikurse ish-kancelari i Gjermanisë (Helmuth Kohl), ish-pemieri i Francës (Lorain Fabius), ish-administratori i KB në Kosovë (Bernard Kushner), ish-kryetarja e Konfeeratës së Zvicrës (Margaret Koch), ish-premieri i Ukrainës (Yefim Zviagilsky), për të rënë deri te kryetarja e Fondacionit SOROs për Jugosllavinë (Sonja Licht), dhe i fundit në regjistër, ish- guvernatori i Bankës Popullore të Jugosllavisë (Dragosllav Avramoviq).
Konspiracioni serb emrat dhe funksionet e personaliteteve të përfshira në regjistër, i sheh me dioptrinë e shtrembër, se shumica prej tyre gjoja i përkitnin organizatës së masonëve, të cilët kanë zënë pozita të rëndësishme strategjike në skenën politike, shtetërore, ekonomike, mediale, dhe që kanë pasur e krijuar fuqi të ndikojnë në shkatërrimin e Jugosllavisë, në bombardimin e Serbisë dhe që përherë janë kundër Serbisë!
Duket se duhet të kalojë edhe kohë e gjatë e të vijnë breza tjerë të njerëzve në Serbi, që ajo të shërohet e rehabilitohet nga paranoja e konspiracionit?
GAZETA “DIELLI” PËR ÇAMËRINË, PARA 98 VJETËVE
Shkruan: Adil FETAHU/
Gazeta “Dielli” është gazetë me stazhin më të gjatë nga të gjitha gazetat e tjera në gjuhën shqipe. Botimi i saj nisi në shkurt të vitit 1909, në Boston. Fillimisht ishte organ i Shoqërisë “Besa-Besë”, e më vonë i Federatës Shqiptare “Vatra”. Botimin e saj e drejtuan personalitete të njohura të penave të afirmuara të letrave shqipe, si: Fan Noli, Faik Konica, Kristo Floqi, Kristo Dako,Bahri Omari,Aqile Tasi,Qerim Panaritit, Athanas Gegaj, Refat R Gurrazezi, Xhevat Kallajxhiu, e shumë të tjerë, deri te Anton Çefa. Editor aktual i gazetës “Dielli” është z.Dalip Greca.
Gazeta “Delli” kishte një program kombëtar, për ta ndihmuar pavarësinë dhe mëkëmbjen e Shqipërisë etnike. Udhëheqësit, aktivistët dhe anëtarët e “Vatrës”, përmes gazetës “Dielli”, dhe në mënyra të ndryshme ndiqnin me shumë kujdes e brengosje se ç’po ndodhte në atdheun e tyre, alarmonin opinionin ndërkombëtar, veçmas atë amerikan, kërkonin ndihmë për ta shpëtuar Shqipërinë nga rreziku që po i kanosej, si para, ashtu edhe pas pavarësisë së Shqipërisë londineze, gjatë luftërave ballkanike, gjatë dhe pas Luftës së Parë Botërore, kur tërë territori etnik shqiptar ishte nën okupimin e ushtrive të hueja: serbe, greke, malazeze, austrohungareze, franceze, italiane. Të gjitha ishin lëshuar si hijenat mbi trupin e Shqipërisë etnike dhe donin ta coptonin e ta gëlltitnin secili copën më të madhe. Shoqëria (Federata) “Vatra” bëri çmos ta ndihmonte atdheun. Shumica e shqiptarëve të sotëm i dinë, dhe sipas rastit citojnë vargjet: “Mbahu nëno, mos kij frikë, se ke djemtë në Amerikë”, por pakkush e dinë të kujt dhe prej kur janë këto vargje. Ishin këto vargjet e Nolit, me të cilat “Vatra” hapi dhe zhvillonte fushatën për shpëtimin e Shqipërisë. Noli, në vitin 1917 e takoi presidentin Wilson, nga i cili kërkoi dhe mori garancion se do ta mbrojë pavarësinë e Shqipërisë (londineze), së cilës i kanosej rreziku i zhbërjes dhe ndarjes midis shteteve fqinje. Po, trojet shqiptare vazhdonin të ishin nën okupimin e shumë shteteve pretendente për copëtimin e tyre. Italia, si një nga fqinjët e përtej detit, kinse kishte rolin e mbrojtësit të Shqipërisë nga okupimi i shteteve tjera, por edhe ajo, në bazë të do marrëveshjeve të fshehta e të hapta, kishte synimet që, nëse Konferenca e Paqes do ta copëtonte Shqipërinë, kjo të merrte Jugun, prej Vlorës me një zonë të gjerë, duke përfshirë edhe Çamërinë. Populli i Çamërisë, që kishte vuajtur aq shumë nga okupimi grek, shpresonte se Italia do ta bashkonte Çamerinë dhe tërë Epirin me shtetin amë – Shqipërinë, dhe kështu do të ndreqej padrejtësia që i kishte bërë Konferenca e Londrës. Por, kur ushtria italiane u tërhoq dhe ia la ato troje Greqisë, çamërit e dinin se çfarë rreziku iu kanosej nga fashizmi grek, gjë që u vërtetua në vitet e mëpastajme. Ja se ç’shkruante gazeta “Dielli”, në numrin e 22 tetorit 1917, për braktisjen e Çamërisë nga ushtria italiane:
“ÇAMËRIA NË ZI
Në numrin e djeshëm patëm lexuar një artikull të marrë nga gazeta “Korriere della Puglie” nën titullin e epër (“Çamëria në Zi”, a.f.), po duke mos ditur se gjer me ç’pikë ishte i vëretë ai lajm aq i hidhur, kishim lanë një shënim ku thoshnim se nuk ka asnjë lajm që të vërtetoheshin mi atë pikë.
Oh! Mjerisht lajmi qenka i vërtetë: z.Beqo Izeti Çami, pas disa letra që u kanë ardhur atdhetarëve, na lajmëron me hidhërim ikjen e ushtrisë italiane prej viseve të Çamërisë. Nuk mund t’a vajtojmë Çamërinë londore. Çamërinë e bukur… atë diamantin e vyer të Shqipërisë. Kemi shpresë të madhe që Konferenca e Paqes t’a ndreqi gabimin e madh të Konferencës së Londrës dhe ta bashkojë me nënën e saj. Vetëm hidhërohemi me fatkeqësinë e atij populli që të hyjë nën sundimin e një qeverie gjakpirëse (greke,a.f.), gjersa të vijë ora që të gjykohet fati i tyre.
Çamëria është një pjesë e pandarë e Shqipërisë, nuk ka asnjë shenjë ta ndajë nga kombësia shqiptare. Nuk do të ketë asnjë zemër shqiptari që të mos tronditet nga fatkeqësia që po ngjet sot për popullin e ngratë të Çamërisë. Ndofta hidhërimi i këtij lajmi është i pakufishëm, por jo edhe fare dëshprues, se nuk mund t’i humbasim shpresat fare për Çamërinë.
Çamëria është vendi i burrave të dlirë, është vendi ku ka bërë fole shqiponja. Çamëria me bregdetin dhe pasuritë e saj tërhoqi syrin lakmonjës të armikut, se sa ta shikojë Çamërinë të ndarë nga prehëri i saj. Shqiptarët kështu mejtohen se nuk mund të bëhet Shqipëria pa Çamëri. Në është e mundur të rrojë trupi i njeriut pa zemër, aq mund të rrojë edhe Shqipëria pa Çamërinë.
Shqiptarët duke e çmuar këtë pikë do t’u duket më e ëmbël vdekja se sa hidhërimi i një plage të pambyllur. Çamëria s’mund të bëhet Greqi. Çamëria është vendi më i bukur i tërë atij anëdeti. Gjithë valët e Adriatikut atje në baltën e ëmbël të Çamërisë kërkojnë të mbështeten dhe të prehen. Ato valë që njëherë i priste Çamëria me nënqeshjen e saj bujare, sot i pret me sy të lotuar, ku lotët e saj trazohen bashkë me valët e atij deti. Nuk mundet Çamëria të martohet me një burrë nga i cili ndahet nga gjuha e me zakone. Mirë Evropa, e cila nuk ka mundur t’i ketë studiuar ato vise se çfarë kombësie përmbajnë, po Italia që i pa me sytë e saj se me sa nxehtësi i priti Çamëria ushtarët e saj, si mundet t’i lëshojë përsëri ato vise në duart e barbarisë greke? Çfarë mbrojtje tjetër është ajo që do na bëjë Italia: Si thotë z.Dhembeli: “Ah, ato buqeta me lule që u dhanë besalerëve, nuk do të jenë fishkur dhe le t’i hedhin mbi trupat e ftohta të atij populli fatzi”.
Evropa duhet ta dijë se largohet fare nga e drejta, po t’a lejojë Çamërinë në duart e grekëve. Aleatët nuk do t’i përmbushin zotimet e tyre mbi parimet e të drejtave të kombeve të vegjël po ta dënojnë Çamërinë të ndahet nga mëma e saj. Shqiptarët po ta shikojnë se Konferenca e Paqes përsërit padrejtësitë e vjetra, krijimin e saj do ta quajë vetëm sa për ambiciet politike të shteteve të mëdha dhe do të përpiqen në dëmin e ekuilibrave…
Një Shqipëri e coptuar pa zemrën e saj – Çamërinë, pa kryet e saj – Kosovën dhe Jakoven (Gjakoven), s’mund të ketë jetë të gjatë midis fqinjëve të saj lakmonjës.
Shqiptarët duke e çmuar këtë gjë, do të thonë: më mirë një orë e me nder, se sa vjete e pa nder. Çamëria është nderi i tyre…”.
“Dielli”, Boston, 22 tetor 1917
(Artikull pa emër autori)
____________
Shënim: “Artikullin” e gazetës “Dielli”, për këtë shkrim e mora nga libri i Hajredin Isufit: Çamëria – nëpërmjet kronikave të kohës, 1902-1940; fq.212-214, për ta “ribotua” pikërisht pas 98 vjetëve (22 tetor 1917 – 22 tetor 2015).
U FLIJUA PËR IDEAL E BASHKIM KOMBËTAR
Nga Adil FETAHU*/
Sagës të gjatë të veprave të veta, kohë më parë shkrimtari Ramadan Haziri ia bashkëngjiti romanin historik për atdhetarin e martirin Gjon Serreqi. Lexuesi mund të vihet në dilemë: është ky më tepër roman historik, është biografi për Gjon Serreqin, apo është edhe njëra edhe tjetra. Sepse, autori ka dhënë mjaft shënime biografike për jetën aq të shkurtër, por të bujshme të kryepersonazhit, ndërkaq më tepër u ka kushtuar hapësirë e vëmendje gjendjes, ngjarjeve e fakteve historike të kohës dhe veprimeve të Gjon Serreqit me shokët e idealit. Prandaj, dilemë nuk duhet të ketë: ky është roman historik, për Gjon Serreqin me shokë, dhe për kohën e tij.
Të shkruash libër për një atdhetar të kalibrit të Gjon Serreqit, është nderë për autorin. Është më tepër se ide, është një mision. E Ramadan Haziri i ka bërë nderë vetes dhe kryepersonazheve edhe me libra tjerë, romane historike, që ka shkrua për atdhetarët: Metush Krasniqin, Shefqet Kapetanin etj. Libri është përmendorja më e mirë që mund t’i ngritet një atdhetari, sepse kjo përmendore (e librit) “ndërtohet” në zemrat e lexuesve e ruhet përjetësisht në biblioteka publike e private. Librin e hapë me deklaratën e Gjon Serreqit të dhënë me rastin e hyrjes së tij në Organizatën Nacional-Demokratike Shqiptare, kryetar i së cilës u bë Gjoni, ndërsa deklarata e tij pjesë e programit politik të organizatës: “Kjo organizatë angazhohet për çlirimin e popullit të robëruar shqiptar, për rend demokratik, siç ekziston në një pjesë të Evropës Perëndimore dhe në ShBA. Prandaj, unë këtë e përqafoj dhe do të luftoj për një Shqipëri etnike, demokratike, e jo për një Shqipëri zogiste apo komuniste”.
Gjon Serreqi u lind në Ferizaj, më 11 shkurt 1920, ndërsa vdiq (u pushkatua nga regjimi çetniko-komunist i Jugosllavisë/Serbisë) më 31 gusht 1947. Pas mbarimit të shkollës fillore (katërklasëshe) në gjuhën serbe, në Feriazaj, ku kishte suksesin më të mirë nga të gjithë nxënësit shqiptarë e serbë, si fëmi i një familje të varfër, dërgohet në Seminarin Ipeshkvik për Fëmijë të Varfër, në Prizren, ku arsimtarë dhe edukatorë ishin klerikë, dhe kishte një disiplinë të rreptë si në ushtri. Aty u takua, u njoh e shoqërua me Mark Krasniqin. Në ndërkohë, Gjoni dhe Marku u regjistruan dhe kryen gjimnazin në Prizren. Gjatë shkollimit në seminarin katolik dhe në gjimnaz, duke u përputhur me pikëpamje, ideal dhe qëllime, u bënë shokë të pandashëm, dhe formuan Partinë Zogiste Kombëtare, anëtarë të së cilës ishin vetëm këta të dy! Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, Mark Krasniqi, si seminarist, kishte shkruar një poezi, si kushtrim për qëndresë kundër fashizmit: “Çohuni djemtë e Gostivarit/, çohu ti Dibër, çohu Tetovë!/, Çohu Shkup, ndera e shqiptarit,/ Çohu Prishtinë me gjithë Kosovë!/Çohu katund e çohu qytet,/ ndo të çlirohemi, ndo me dekë!/ Çohuni bijtë e Skënderbeut,/ t’ia kthejmë nderën atdheut!/ Kush shqiptar vetit i thotë/ për liri të çohet sot!/. Këtë poezi e kishin shumëzuar në 100 kopje, dhe Marku e Gjoni kishin marrë nga 50 kopje për t’i shpërndarë gjatë festave fetare. Gjoni i kishte shpërndarë të gjitha në Ferizaj, ndërsa Marku i kishte shpërndarë vetëm 5 kopje nëpër shtëpi, kurse të tjerat i kishte shpërndarë në varrezat e Pejës. Dhe kjo u bë humor midis Gjonit e Markut: “Doje t’i mobilizoje të vdekurit kundër fashistëve”, i thoshte Gjoni.Pas mbarimit të gjimnazit në Prizren (1940) Gjoni e Marku morën drejtime të ndryshme të shkollimit të mëtejshëm. Gjoni pak kohë vijoi studimet në Zagreb, por pas pushtimit gjerman, dy vjet (1941-1943) i vazhdoi studimet në Firencë (Itali). Pas rënies së fashizmit italian (1943), Gjoni kthehet në Kosovë. Pushtimin gjerman autori e karikon me një gjysëmhumor, përmes një dialogu të Gjonit, me një fqiun e tij (Mehmetin). Gjoni po ecte me vrull për të lajmëruar se erdhën dy gjerman me një motor të zi, dhe xhandarët serb të armatosur u fshehën diku rrugëve, si mijtë nga bukla. Duke u nisur nga thënia: “armiku i armikut tim, është miku im”, Gjoni pushtimin gjerman e shihte si çlirim nga Serbia, i bindur se nën pushtimin gjerman do të jetë ma mirë se nën atë sllav. Ashtu edhe nisi, u hapen shkolla, erdhën mësues e literaturë për shkollat shqipe. Nga gëzimi e enthusiazmi, blenin libra shqip edhe ata që s’dinin të lexonin. U ngjall jeta kulturo-zbavitëse dhe u ngjall shpirti i ndrydhur gati gjysmë shekulli nën robërimin sllav. Në vitin 1943 Gjoni u emërua kryetar komune në Babush të Ferizajt. Aty kishte kontakte të përditshme e të shumta me popullin, Kur rrinte e kuvendonte me burra nëpër oda, Gjoni ndrinte si llamba në errësirë. Me idealin dhe synimin për çlirim e bashkim kombëtar, nuk mund të pajtohej as me pushtuesin e ri, kështu që në vitin 1944 Gestapoja gjermane e arrestoi bashkë me disa shokë antifashistë, e gjykoi dhe në janar 1945, e internoi në punë të dhunshme, në një kamp të Vjenës, ku kishte shumë shqiptarë antifashistë e komunistë. Ky takim bëri që Gjoni një kohë kishte një relacion të mirë me komunistët. Kur mbaroi Lufta e Dytë Botërore dhe Gjoni u kthye nga kampi në atdhe, e gjeti vendin shumë më keq – të ripushtuar nga çetnikët serbë të shndërruar në partizanë e komunistë, të cilët bënin kërdi mbi popullin shqiptar; ia kishin vrarë edhe vëllain 16 vjeçar.
Si kuadër i rrallë me arsimim të lartë, Gjonit i ofruan ndonjë post në qeveri por ai nuk pranoi, ndërsa në vitin shkollor 1946/47 u caktua profesor i matematikës e historisë, dhe edukator në Konviktin e Gjimnazit “Sami Frashëri” në Prishtinë, ku vepronte një celulë aktive e organizatës NDSh, në të cilën u angazhua edhe Gjoni. Njëkohësisht aty e kishin emëruar edhe një profesor, Nexhip Habipaj nga Gjirokastra, i cili degradoi në spiun të OZN-ës. Pa e bërë një vit pune, Gjonit iu desh të kalojë në ilegalitet, ku u zgjodh sekretar politik i NDSh-s, për Rajonin e Kosovës.
Gjoni promotor i NDSh-së
Me idealin e tij për çlirim e bashkim kombëtar, me sinqeritetin dhe zellin e tij në punë, me aftësinë e komunikimit me njerëz, Gjon Serreqi fitoi besimin dhe simpatinë e masës, sidomos të rinjve; u bë si lokomotivë që tërheq shumë vagona pas vete. Përkushtimi që të realizojë idealin e çlirimit dhe bashkimit kombëtar, ishte më i madh se lakmia për perspektivë personale, se dashuria ndaj familjes dhe të fejuarës, prej së cilës u nda me shumë keqardhje, pasi që Gjoni ishte përcaktuar për luftë a vdekje deri në çlirimin dhe bashkimin kombëtar. Me ndarjen e prekshme e të dhembshme nga e fejuara, vërtetoi në praktikë atë thënien për patriotizmin, se: “Për dashuri e jap kokën, ndërsa për atdheun e jap edhe dashurinë”. Në organizatën e NDSh-së Gjoni ishte promotor i aktiviteteve dhe kreu detyrat më të rëndësishme, siç ishin punët e organizimit dhe masivizimit, zhvillimi i propagandës në popull, pasqyrimi i gjendjes reale, formimi i komiteteve të Organizatës nëpër fshatra e qytete, organizimi i Kongresit V të NDSh-së në Blinajë, ku u zgjodh kryetar i organizatës dhe komandant i Ushtrisë Çlirimtare të NDSh-së. Në një tubim të organizuar në Gadime të Poshtme, ku betoheshin dikush me flamur e dikush me Kur’an, për çlirim e bashkim kombëtar, Gjoni e vuri revolën në tamth e tha: “Kjo ia marrtë jetën Gjon Serreqit po nuk e mbajti premtimin”! NDSh-ja kishte një organizim rajonal, me përgjegjësit e caktuar, ndërsa kishte komitetet e veta nëpër qytete e fshatra; Komiteti Qendror i NDSh-së ishte në Shkup, ndërsa një komitet tjetër në Greqi, për lidhje ndërkombëtare. Pushteti i ri sllavo-komunist e shtoi zullumin mbi popullsinë shqiptare. Ndiqte, burgoste, torturonte, vriste me gjyq e pa gjyq nacionalistët e patriotët shqiptarë. Edhepse NDSh ishte organizatë më vete, pushteti jugosllav dhe ai komunist i Shqipërisë i trajtonin njësoj ballistët dhe NDSh-istët si bashkëpunëtorë të fashizmit. Populli dhe organizata NDSh kishin iluzione, se pushteti i ri komunist i vendosur në vitin 1945, nuk do të zgjaste më tepër se 6-12 muaj, sepse bota demokratike nuk do ta duronte “murtajën e kuqe”, madje edhe nëse duhet të nisë lufta e tretë botërore.
Në ilegalitet Gjoni me atdhetarë tjerë shëtiti gjithë Kosovën anembanë nëpër fshatra, male e bunkerë. Kohën më gjatë të qëndrimit ilegal, me grupin e tij të njerëzve besnikë, e kaloi në rrethin e Kamenicës dhe në shpatijet e maleve të Sharrit. Në rrethin e Kamenicës u njoh me shumë atdhetarë, por duhej të kishte kujdes nga langoitë e OZN-ës.
Është një listë e gjatë e emrave të njerëzve atdhetarë që njohu dhe bashkëpunoi Gjoni me ta për çështje kombëtare, siç ishte Isa Dujaka, toger dhe komandant i policisë në Kamenicë, i cili, përmes njerëzve të besueshëm e njoftoi Gjonin se ishte konspirua e zbulua bunkeri në të cilin Gjoni me shokët kishte ndejtë një muaj ditë. Ky lajmërim bëri që OZN-a e gjeti bunkerin thatë, ku akoma nuk ishte shua zjarri. Mënyra e zbulimit të bunkerit dhe vuajtjet e bariut trim e besnik Asllan Dërmaku nga Shipashnica, që e dinte por kurrë nuk u tregoi për bunkerin, janë storie e posaçme. Pas daljes nga bunkeri, njësiti i tij u shpërbë dhe mori fund iluzioni për krijimin e një ushtrie, që pritnin se pranvera do të sillte ndryshime. Mirëpo, nuk vonoi shumë dhe u arrestua (në Desivojcë, më 24 shkurt 1947). Është e gjatë lista e figurave të personazheve pozitive të romanit, por kishte edhe asi burra të ligj, karrieristë e lakmitarë për para e privilegje, të cilët bashkëpunonin me pushtetin dhe OZN-ën. Të gjithë ata emra të përveçëm janë personalitete reale, kush më shumë e kush më pak të njohur nga historia e asaj kohe. Në gjykimin e mbajtur në Prishtinë, Gjoni pati një dialog të ashpër me prokurorin Ali Shukriu, i cili kërkonte të dinte shokët e bashkëpunëtorët më të ngushtë të Gjonit, mirëpo trimi nuk i tradhton shokët. Po, ta lamë që vetë lexuesit e romanit të njihen me figurën, karakterin, qëndrimin dhe aktivitetin e Gjonit me shokë, dhe të tjerëve.
Dialogje e monologje me humor të lehtë. Mësuesi ia uron qenit vitin e ri
Për ta bërë librin (romanin) më të lehtë për lexim, dora mjeshtërore e autorit ka ndërthurë ngjarje e situata, që për pak kohë ta heqin atë zymtësi të kohës e situatës. Këtë e bënë përmes dialogjeve ose monologjeve, sikur ishte dialogu me Mark Krasniqin, për “mobilizimin e të vdekurve (fq.35), por edhe shumë tjera. Kur hynë dy gjermanë me një motor në Ferizaj, pa e shkrepur asnjë plumb, Gjoni po vraponte për të përhapur lajmin. Një fqinjë e pyet: “- Çfarë ka ndodhur, përse ngutesh? – Po ikin sllavët. – Nga kush po ikin? Nga një motor i zi. – Eja të hash akullore në dyqanin tim, deri sa të ngopesh, për këtë sihariq” (fq.40-42). Një dialog midis një fshatari të zhgënjyer, pse Zoti kishte lejuar këtë zullum mbi popull, i thotë hoxhës: “- Mos më prit më në xhami! – Po përse or burrë? – Sepse Zoti nuk po i dëgjon lutjet tona! – Ku e more vesh? – A po sheh Ai çfarë po na bëjnë komunistët? – Pushtetin e dërgon Zoti, ashtu siç e meritojmë. – Thefsh qafën, hoxhë! Pse bre burrë” – Sepse qenke me komunistët ti! …”. Më humoristik e domethënës është monologu i mësuesit Mateja. Ai e kishte pritur vitin e ri në restorantin e Fabrikës së Drurit në Ferizaj, ku kishte pasur kryesisht muzikë e këngë serbe. Mateja atë natë askujt nuk ia kishte uruar vitin e ri. Me një shokun e tij, i dehur po kthehej në shtëpi para mëngjesit. Rrugës e sheh një qen, të cilit i flet: “Mirëmëngjesi shok! Je komunist? Jo, nuk je. Po ta uroj, pra, Vitin e Ri…” (fq.285).
***
Romani “Endrra atdhetare e Gjon Serreqit” nuk ka tituj e nëntituj, prandaj nuk ka as lëndën e përmbajtjes. Lexuesi i vëmendshëm do të vërejë kapërcime të kohëve dhe ngjarjeve, por nga pikëpamja artistike në romane është e lejueshme, dhe që nuk e humbë konsistencën. Është strukturuar e shtjelluar lidhur me ngjarjet, vendet dhe personazhet, në të cilin është kondensuar realiteti historik e politik i një periudhe të shkurtër të ndërrimit të disa pushteteve okupuese mbi Kosovën, kur për nacionalistët atdhetarë dhe për gjithë popullin shqiptar ishin situata shumë të rënda. Gjon Serreqi të gjitha që kishte: perspektivën, vuajtjet, dashurinë, familjen dhe jetën ia fali atdheut, duke ëndërruar çlirimin dhe bashkimin kombëtar. Për asnjë çast nuk e ndërroi kursin e idealit të tij. Duket se këtë kurs e këtë ideal e mbajti edhe “bashkëpartiaku” e shoku i tij nga ditët djaloshare, Akademik Mark Krasniqi, i cili librin e tij të fundit: “Porosia ime për shqiptarët”, e shkruan me moton: “Mos hiqni dorë kurrë nga bashkimi kombëtar”.
***
Dy fjalë për autorin: Ramadan Haziri është emër i njohur dhe i respektuar në letërsinë tonë, veçmas në Kosovë, si studiues (i historisë) dhe krijues i ma se 30 veprave: publicistikë, tregime, romane për fëmijë, romane për të rritur (disa romane historike, si ky për të cilin bëmë fjalë), drama. U lind në Ferizaj (1940). Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa Shkollën Normale dhe Fakultetin (histori) i kreu në Prishtinë. Si nxënës i Normale, me një grup që i përkisnin një organizimi politik, u arrestua dhe torturua (1961). Punoi si mësues. Disa herë u arrestua, izolua e torturua, si bashkëpunëtor i Adem Demaqit (1975), si nxitës i demonstratave (1981), dhe u përjashtua prej pune si njeri i papërshtatshëm për arsim. Më 1985 u arrestua bashkë me Metush Krasniqin, dhe u dënua me 11 burgim, prej të cilave i ka mbajtur 6 vjet. Pas daljes nga burgu, në kohën e okupimit të Kosovës nga pushteti i egër serb, nuk pushoi së vepruar për çështje kombëtare, prandaj për t’iu shmangë arrestimit, iku dhe u vendos në Shqipëri, ku qëndroi derisa Serbia u shporr nga Kosova. Me shkrime ka filluar të merret vonë (prej vitit 1998), por duket se me punë intensive, me dijen dhe përvojën e akumuluar, e ka kompensuar kohën, ashtu që ka përgatitur e botuar edhe nga disa vepra gjatë një viti, dhe përkundër moshës dhe shëndetit të brishtë, punon pa u ndalur.
*(Ramadan Haziri: “Ëndrra atdhetare e Gjon Serreqit” (roman), SAGA, Prishtinë 2015)
KUJTOJMË DATAT E PËRGJAKSHME TË ÇAMËRISË
Ndaj popullit të Çamërisë është kryer gjenocid/
Shkruan:Adil FETAHU/
E kam thënë sa herë, me gojë e me shkrim, kudo e kurdo që ishte rasti, se fashizmi në Greqi është shfaqur e ka vepruar shumë më herët se nacizmi dhe fashizmi gjerman e italian në prag dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në të vërtetë, në Greqi fashizmi është shfaqur e ka vepruar qysh prej çlirimit nga Perandoria Osmane, për çlirimin e së cilës kontributin më të madh e kanë dhënë vet shqiptarët që jetonin si vendas në trojet e veta, tash të okupuara nga Greqia. Pas Kongresit të Berlinit (1878), e veçmas në prag dhe pas Konferencës së Londrës (1913), shteti grek filloi ekspansionin e pushtimit të tokave shqiptare (Epirin, Çamërinë) dhe ishujve të Turqisë e Maqedoninë Veriore. Menjëherë pas pushtimeve, filloi spastrimin etnik të popullsisë jogreke (shqiptarë, turqë, vllehë, hebrenjë). Më së keqi e pësuan shqiptarët, si përkah përmasa e krimeve monstruoze që kreu shteti grek ndaj tyre, ashtu edhe nga pushtimi i pjesës më të bukur të tokës dhe bregdetit shqiptar. Krimet më monstruoze dhe gjenocidin mbi shqiptarët e Çamërisë, Greqia e ka filluar qysh prej vitit 1913, i ka përfunduar gjatë Luftës së Dytë Botërore (1940-1945), por diskriminimin ndaj shqiptarëve e ka vazhduar dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite, duke ua mohuar identitetin, ndaluar gjuhën e trajtuar si grekë të gjithë shqiptarët e besimit ortodoks.
Regjimenti XV i krahut komunist gjatë Luftës së Dytë Botërore (ELAS), në një komunikatë (nr.15, të datës 6 janar 1945), drejtuar refugjatëve të Çamërisë, i porositë ata të kthehen në vatrat e tyre kur të merret një vendim i përbashkët midis Shtabit të Përgjithshëm të ELAS-it dhe të autoriteteve shqiptare. Në atë komunikatë, mes tjerash shkruan: “…Të gjithë e dimë se populli i kësaj krahine këto vitet e fundit vuajti shumë nga mania e fashizmit (nënv.a.f.).Gjaku pothuaj kurdoherë i pafajshëm u derdh si lumë; gra e çiliminj u masakruan pa mëshirë dhe fshatra të tëra u zhdukën nga flaka. Nga këto të këqija në kohë të ndryshme pësuan dhe banorët e krishterë dhe ata myslimanë të rrethit. Veçanërisht drama e katastrofës dhe e masakrimit që tani kohët e fundit shkretoi elementin minoritar mysliman të kësaj krahine shquan si një krim të tmerrshëm brenda në historinë e gjakosur të viteve të fundit… Ata njerëz që hynë në krye për të bërë gjakderdhje, ata që bënë krime, ata që vodhën e që lyen duart e tyre të çndershme, gjak të pafajshëm me gjakun e të varfërve dhe njerëzve të ndershëm, këta qofshin të krishterë ose myslimanë, nuk do të shpëtojnë nga dënimi po me ndihmën tonë do të kapen dhe do t’i dorëzohen vet popullit që e torturuan për ato që bënë. Dhe ata myslimanë që nën urdhërat e Nuri Beut therën të krishterë, dhe ata të krishterë që të paguar dhe të drejtuar nga fashisti Zerva shkretuan fshatra myslimane dhe therën gra dhe fëmijë mysliman, të gjithë këta kriminelë nuk do t’i shmangen dënimit të tyre të drejtë…”. (Kastriot Dervishi: “Masakra në Çamëri – Përmbledhje dokumentesh”, fq.56).
Përmasat e krimeve të shtetit grek ndaj çamëve kanë të gjitha elementet dhe tiparet e gjenocidit. Këtë e kanë pohuar në studimet e tyre edhe disa studiues, historianë e profesorë grekë të cilët kanë dinjitet e pavarësi profesionale e shkencore, si profesori Stathis Kalivas, nga Universiteti Jale (ShBA), Konstandinos Ciceliqis nga Universiteti Padio (Greqi), e ndonjë tjetër. Ky i fundit, në një studim të paraqitur në vitin 2008 në atë Universitet, pohonte se forcat e ushtrisë çlirimtare greke (EDES), gjatë Luftës së Dytë Botërore kanë kryer gjenocid ndaj çamëve, duke dhënë shifra edhe më të mëdha të atij gjenocidi, se që ka dhënë vet Shoqata e Çamëve. Ai gjenocidin e relativizon, duke thënë se atë e kanë kryer “një grup nëpunësish grekë”, por është konsekuent ndaj qëndrimit të vet për gjenocidin, pa marrë parasysh presionet politike, duke thënë se “nuk po flasim për çështje kombëtare, por për çështje dhe për fakte historike të dokumentuara”. Historiani tjetër grek, Niko Zhangu, për masakrat e bandave të Zervës, shkruan: “Duhet të shikojmë fytyrën tonë në pasqyrën e historisë dhe të na vie turp për ato që u bënë, sepse nuk janë në karakterin e popullit tonë”.
Mjerisht, zëra të tillë të ndërgjegjes profesionale, shkencore e njerëzore janë të rralla në mesin e qarqeve të shoqërisë greke, dhe ato nuk depërtojnë jashtë rretheve të tyre të ngushta. Ndërkaq, janë shumë më të shpeshtë, më të përhapur e më të zëshëm ata që edhe sot ushqejnë e zhvillojnë propagandë dhe praktikojnë ksenofobi e veprime fashiste e të gjenocidit, duke u nisur nga qarqet politike, diplomatike, shtetërore e kishtare. Doktrina fashiste është pjesë e Magaliidesë, qysh nga mesi i shekullit XIX, dhe ajo edhe sot vepron përmes lobeve, organizatave e aksioneve kriminale: “Agimi i artë”, KOG, MAVI, “17 Nëntori” etj, si mbeturina nga Lufta e Dytë Botërore, por që veprojnë të papenguara edhe në Greqinë “demokratike” e anëtare e NATO-s dhe BE-së! Kisha ortodokse greke është ajo që ushqen urrejtje e ksenofobi ndaj etnive jogreke, veçmas ndaj shqiptarëve. Klerikët e kishës greke, në një dorë mbajnë kryqin, e në tjetrën thikën e përgjakur. Ky fashizëm po e rritë urrejtjen edhe ndaj emigrantëve shqiptarë që tash punojnë në Greqi, mohon pakicat brenda Greqisë, ndërsa provokon me pakicën minore greke, madje edhe me ortodoksët shqiptarë në Shqipëri, duke i joshur ata me paga, pensione e pasaporta greke, vetëm që të regjistrohen si grekë; duke ndërtuar kisha të stilit grek, apo varreza gjoja të ushtarëve grekë në trollin shqiptar, me synime djallëzore e pretendime territoriale për “Vorio Epirin”! Nga ana tjetër, shqiptarët myslimanë të Çamërisë i ka vrarë, zhdukur e ndjekur nga vendi i tyre, ua ka uzurpuar e konfiskuar pronat dhe pasuritë, ua mohon të drejtën e kthimit e te kompensimit të pronave; shqiptarët ortodoks i ka asimilua e shndërrua në grekë, të cilëve nuk ua njeh statusin e minoritetit, ua ka ndaluar gjuhën amtare-shqipe, ka ndërruar e greqizuar të gjithë emrat e vendbanimeve, nuk iu lejon shqiptarëve çamë vizitat në vendin e tyre e të parëve të tyre. Fashizmi e gjenocidi ndryshe brina nuk ka!
Datat e përgjakshme të Çamërisë
Menjëherë pas pushtimit të Epirit, pushteti grek nisi masakrat ndaj popullit shqiptar. Faik Konica ynë, duke e njohur mirë shpirtin e lig të popullit grek, qysh në vitin 1897 e ka thënë: “Grekët e kanë një armë të frikshme: pabesinë” (“Albania”2, 1897). Dhe kjo thënie e Konicës u vërtetua menjëherë pas pushtimit të Çamërisë (1913). Me një pabesi e dredhi i mashtroi e mblodhi 72 burra më të njohur të parisë së Çamërisë, kinse po i thërriste shteti për një marrëveshje për rend e qetësi, pastaj i lidhi e masakroi në mënyrë mizore, për t’ia futur frikën gjithë popullit. Ato ditë masakruan e zhdukën edhe qindra shqiptarë tjerë të zgjedhur. Mizoritë e masakrat vazhduan deri në vitin 1922-24, kur një pjesë të popullsisë shqiptare myslimane, duke i trajtuar si turq, sipas marrëveshjes me Turqinë Greqia i shkëmbeu me grekët e Azisë së Vogël.
Krimet më të tmerrshme, në përmasa të gjenocidit, forcat monarko-fashiste greke i kryen ndaj shqiptarëve myslimanë të Çamërisë në periudhën e Luftës së Dytë Botërore (1940-1945). Dy muaj para se Italia ta sulmonte Greqinë (1940), pushteti grek mblodhi mbi 5000 meshkuj çamër (prej 15-75 vjeç) dhe i internoi në ishujt e largët të Egjeut, që ta eliminonte qëndresën çame. Më sa 400 prej tyre u vranë e masakruan gjatë rrugës ose në kampe, e më shumë tjerë vdiqën në ndërkohë, nga torturat, uria e sëmundjet. Nja 2000 e sa çamë që i kishte rekrutuar në ushtrinë greke, atyre nuk iu besua as iu dha armë për të luftuar, por kazma e lopata, e punë të dhunshme, për të thye gurë e ndërtua rrugë e istikame.
27 qershori 1944, njihet si “Nata e Bartolomeut” kundër çamëve myslimanë. Atë ditë, më se 5000 forca monarko-fashiste greke, nën komandën e gjeneralit famëkeq Napoleon Zerva, filluan aksionin e masakrave, plaçkitjes e djegëjes së gjithçkajës që identifikohej se ishte shqiptare. Në Paramithi e Margëlliq me rrethinë, vranë 728 veta. Dogjën të gjitha xhamitë e medresetë, ndërsa në xhaminë e qytetit të Paramithisë i dogjën të gjallë 40 gra e fëmijë që kishin shkuar aty për të gjetur strehim e shpëtim.
Mizoritë e masakrat e forcave greke nuk pushuan as ditëve në vijim, në korrik e gusht të atij viti. Është e shënuar, se në gusht të atij viti, 72 çamë trima luftuan heroikisht kundër 2500 forcave greke, dhe u shkaktuan 400 të vrarë e 600 të plagosur, derisa u vranë edhe vet të gjithë trimat shqiptarë. Qeveria Berisha, në vitin 1994, e shpalli (me dekret) 27 qershorin 1944, Dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinizmi grek, dhe ngritjen e një monumenti në Konispol.
Natën ndërmjet 23/24 shtatorit 1944, Filatin e Spatarin e kishin rrethuar forcat greke, gjithë popullatën e tubuan para xhamisë së fshatit Spatar. Aty sulmuan e plaçkitën popullin e tubuar, ndërsa femrat i çnderuan e disa edhe i masakruan, duke ua prerë veshët, hundën, gjinjët. Sipas dëshmive të atyre që kishin parë e përjetuar masakrën që bënë forcat greke, bëjnë të ditur se atë ditë u vranë e masakruan 47 burra, gra e fëmijë në mënyrën më barbare, kurse në aksionin e zhvilluar po atë ditë nëpër shtëpitë në Spatar, u vranë e zhdukën 175 veta, shumica e tyre që kishin ardhur nga fshatrat tjera. Gratë dhe vajzat u dhunuan e masakruan. Dëshmitë e dëshmitarëve që kanë përjetuar e mbijetuar ato mizori, të cilët në shkurt të vitit 1947 i kanë dhënë para një Komisioni në Delvinë, tregojnë për tmerre e skena makabre të krimeve që kishin bërë forcat greke. Dhe ato krime e ai gjenocid ndaj çamëve nuk u ndal, deri sa nuk mbetën më çam-mysliman në Çamëri. Të tjerët, ata të besimit të krishterë i diskriminoi, ua mohoi përkatësinë etnike, ua ndaloi gjuhën amtare dhe i asimiloi e shndërroi në grekë.
Kryekrimineli i masakrave dhe gjenocidit, Napoleon Zerva, që mjerisht edhe vet ishte arvanit, sikur edhe shumë kriminelë të tjerë, para se të vdiste, kishte lënë një deklaratë si amanet të vetin: “Vdes i qetë se bëra atë që doja. Pasi lash rrëke gjaku, tym, blozë, gërmadha, uturima fëmijësh, nuse e gra nudo që futeshin në furrat e ndezura, që të mos pillnin më shqiptarë, … burra të varur e të shpuar me bajonetë. Gjuha shqipe nuk do të flitet më në tokën helene. Kjo më kënaqë mua, ashtu siç kënaqë tërë shpirtërat helenë”!
Kujtimi për ato data të përgjakshme, ato vuajtje, ato masakra, ato viktima e ato sakrifica të shqiptarëve të Çamërisë, është obligim yni i përhershëm. Ngjarjet makabre të gjenocidit grek nuk mund të numërohen dhe identifikohen të plota e me saktësi, por edhe vetëm këto që u përmendën më lart, duhet ta tronditin ndërgjegjen njerëzore, veçmas të atyre që munden dhe duhet ta gjykojnë ideologjinë dhe politikën fashiste të Greqisë, e ta detyrojnë atë për të lejuar kthimin e çamëve në pronat e veta dhe t’ua kompensojë dëmin e shkaktuar tash e një shekull.
Më bëhet se këtij shkrimi të rikujtimit të datave të masakrave greke mbi çamët, i shkojnë vargjet e një poezie (nga përmbledhja: “Zog dhe gur”), e shkrimtarit të ndjerë Azem Shkreli, të cilin e kisha shok klase në Normalen e Prishtinës:
“Sonte /Qava sonte për ty/ Arbëri/ Nuk më vjen turp/ Pse qava/ Më vjen turp pse s’munda/ Të bëj tjetër/ Nga turpi qava”/.
E unë, qava nga dhembja e madhe për tragjikën çame.
Adil FETAHU
(23/24 shtator 2015)
- « Previous Page
- 1
- …
- 5
- 6
- 7