• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe mungesa e respektit ndaj dijes dhe shkencës

August 28, 2023 by s p

Afrim Krasniqi/

Ministria e Arsimit dhe Sportit vijon të zhgënjeje në sjelljen e saj institucionale dhe të tregojë mungesë respekti ndaj dijes dhe shkencës. Shqetësimit të drejtë për një listë me 500 tituj, me ndikime lobuese e në dyshime tē arsyeshme në konflikt interesi, për fondet e bibliotekave shkollore ajo iu pergjigj jo duke kerkuar ndjesë, duke pranuar faktet dhe duke reformuar sistemin e mbyllur të favoreve përmes shtetit e taksave tona, por duke anatemuar kritikat dhe kritikuesit.

Unë kam respekt për çdo zyrtar që zbaton ligjin dhe në MAS me siguri mund të ketë të tillë, por si autor dhe studiues është disi jo komode të diskutohesh mbi vlerat e librit me zyrtarë, tē cilët janë aty për merita politike dhe jo shkencore, ndaj edhe nuk kanë shkruar ndonjë libër. Gjithësesi MAS duhet të njihet me disa fakte para se të anatemojë kritikët e shumtë.

Per shembull, fakt është se procedura dhe komisioni nuk kanë qënë dhe as janë transparente, nuk dihet përbërja dhe as metodika e zgjedhur.

Fakt ēshtë se zyrtarët e MAS, që paguhen me taksat tona, nuk kanë deklaruar në faqen zyrtare tē MAS detyrimet qē burojnē nga ligji 119/2014, mbi programin e transparencës.

Fakt është se aq fiktiv ishte dhe është procesi sa MAS e zhduku listen online e librave vetēm disa orë pas kritikave tē para. Fakt është se zyrtarë të MAS, siç e pranojnë vetë, nuk janë konsultuar me asnjë institucion kerkimor dhe shkencor për listën.

Fakt është se MAS konfirmon se ka kërkuar dhe ka marrë mbi 900 tituj nga shoqatat e botuesve, biznes privat i respektueshēm qē nuk ka lidhje me shkencēn dhe as fokus dijen, por primare ka marketingun dhe fitimin financiar.

Fakt është se në 500 titujt e përzgjedhur nuk bēn pjesē asnjē libēr nga institutet albanologjike, struktura e vetme shkencore në këtë fushë në Shqipëri.

Fakt është se mungesat e mëdha e profesionale janë zëvendësuar kryesisht me disa autorë amatorë të pacertifikuar nga asnjë bord, institut shkencor apo recensues në botimet e tyre.

Fakt është psh, se botimi më i rëndësishëm e profesional nē fushën e historisë, “Historia e shqiptareve gjate shekullit XX” me 5 vëllime nuk është pjesë e listës së MAS për mësuesit e historisë.

Fakt është se botimet e ASA, ndryshe nga ofertat e titujve me shumicë për të liruar magazinat e bizneseve të librit, nuk shiten, por jepen falas për bibliotekat publike, – MAS nuk preferon as tituj profesional falas, ajo preferon mē shumē blerjen e botimeve amatore nga klientet e zakonshēm.

Fakt është se MAS ka refuzuar kërkesat e IH për të rishikuar tekstet private shkollore të historisë, të cilat vijojnë të kenë të dhëna të pasakta dhe jo shkencore.

Personalisht nuk pres shumë prej saj ndaj nuk habitem nga akte apo nisma politike kundër institucioneve të pavarura shkencore, por natyrisht habitem sesi është e mundur që institucioni rregullator i standardeve dhe politikave të dijes dhe arsimit vijon të devijojë nga misioni i vet kushtetues, duke hequr dorë nga qasja strategjike shkencore, duke vijuar të ushqejë nje sistem abuziv vlerash, duke e trajtuar edhe librin e dijen si çështje favoresh e negociatash, dhe keshtu, duke kontribuar negativisht dhe me këmbëngulje në dobësimin e institucioneve shkencore dhe në investimin e formimit të mangët të gjeneratave të reja të nxënësve!

Filed Under: Komente Tagged With: Afrim Krasniqi

Presidenti që na duhet

April 10, 2022 by s p

Afrim Krasniqi/

Brenda pak ditësh Kuvendi i RSH nis procedurën kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës. Koncepti i “zgjedhjes” në rastin e Presidentit është më afër konceptit “emërim” sesa produkt i një gare zgjedhore. Vetëm 28 deputetë mund të propozojnë një kandidat për President dhe këto mandate i kanë vetëm dy grupe, PS dhe PD. Kushtetuta parashikon tre raunde votimi me 84 vota (nga 77 që ka aktualisht mazhoranca) dhe më pas, dy raunde votimi me 71 vota. Në secilin prej katër raundeve të para mund të ketë kandidatë të rinj në proces, raundi i fundit nuk lejon kandidatë të rinj dhe nëse Presidenti nuk zgjidhet, parlamenti shpërndahet duke kaluar në zgjedhje të parakohshme. Në asnjë nga raundet nuk kërkohen detyrimisht dy kandidatë, madje nuk ka detyrim as të ketë kandidatë, duke e konsideruar raundin e konsumuar edhe kur nuk ka votim e kandidatë. Presidenti i zgjedhur përpara datës 24 maj e merr detyrën më 24 korrik, duke pasur një periudhë dy mujore tranzicioni. Sistemi ynë zgjedhor për Presidentin nuk lejon vetëkandidimin apo rikandidimin. Mund të ketë individë që duan të zgjidhen Presidentë, por ata mund të legjitimohen vetëm nëse sigurojnë 28 nënshkrime deputetësh, siç mund të ketë Presidentë që duan një mandat të dytë, por nuk kanë mundësi të jenë në garë nëse nuk sigurojnë mbështetje të njëjtë paraprake. Ky sistem është penalizues për garën presidenciale dhe për integritetin e institucionit të Presidentit. Ka vende me sistem të njëjtë parlamentar që i lejojnë Presidentit në detyrë në rikandidojë pa mbështetje paraprake parlamentare ose që mund të ketë kandidatë me numër më të vogël mbështetësish, duke pluralizuar garën për Presidentin.Sistemi ynë nuk e lejon zgjedhjen e Presidentit direkt nga qytetarët. Alibia refuzuese lidhet me pretendimin se zgjedhja nga populli duhet shoqëruar me rritje të kompetencave të Presidentit. Në fakt, në Evropë, madje edhe në vende fqinje rreth nesh (Maqedonia e Veriut apo Mali i Zi, Kroacia apo Sllovenia), zgjedhja direkte e Presidentit nuk e ka ndryshuar natyrën parlamentare të shtetit dhe se Presidentët në këto vende kanë kompetenca të njëjta dhe në një rast, më të pakta, sesa Presidenti në Shqipëri. Zgjedhja direkte vetëm sa do ta forconte integritetin e institucionit, lidhjen mes qytetarëve e Presidentit, si dhe konceptin e llogaridhënies dhe përgjegjësisë publike. Zgjedhja nga parlamenti e dobëson Presidentin dhe siç ka ndodhur në dy raste, ai i është mirënjohës personalisht shefit/shefave të mazhorancës që e kanë përzgjedhur, jo qytetarëve dhe shoqërisë. Zgjedhja direkte do ta dobësonte fuqinë e partive politike dhe të krijonte figura publike me mbështetje, të cilat edhe nëse dështojnë, do të ishin bërthama për lëvizje të reja politike në vend.Gjatë tri dekadave Shqipëria ka pasur 7 presidentë, 6 të zgjedhur nga mazhoranca e radhës dhe 1 President konsensual. Nga sondazhet e vazhdueshme zgjedhja konsensuale ka refuzuar më e vlerësuara, jo për shkak të formulës sa për shkak të cilësive të Presidentit të zgjedhur. Aktualisht mazhoranca ka deklaruar gatishmëri për bisedime politike, por bisedimet kanë vlerë vetëm në dy raste: kur ajo e ka të pamundur zgjedhjen e Presidentit, jo kur ka 6 vota më shumë sesa kufiri zgjedhor i nevojshëm, si dhe në rastin kur mazhoranca dëshiron të japë një mesazh politik të integritetit institucional, maturimit politik dhe të gjithëpërfshirjes, – cilësi që në politikën shqiptare thuajse deri tani nuk ekzistojnë. Në këto rrethana, me siguri zgjedhja e tanishme e Presidentit do të ndodhë në raundin e katërt, atëherë kur numrat vendosin dhe kur deputetët i frikësohen humbjes së mandateve, pra shpërndarjes së parlamentit. Cili është modeli i Presidentit që kërkon Shqipëria e sfidat e saj? Krahas kritereve kushtetuese, Presidenti duhet të ketë së paku katër cilësi thelbësore: të njihet për integritetin profesional dhe publik, të jetë promovues i kulturës ligjore dhe kushtetuese, të mos jetë i akuzuar për korrupsion dhe as militant politik, si dhe të gëzojë besim nga partnerët kryesorë perëndimorë, sidomos SHBA dhe BE. Shqipëria ka me mijëra individë që mund të pretendojnë të emërohen Presidentë, por natyrisht ka vetëm një numër të kufizuar individësh që plotësojnë standarde të tilla. Midis tyre, ata që mund të kenë vëmendjen dhe mbështetjen e mazhorancës mund të jetë së paku 50% më i vogël, ndaj lista emërore mbetet shumë e kufizuar, por e mjaftueshme për një vend të vogël si Shqipëria. Loja me emrat, gjinitë, skemat, etj, duke kërkuar më të pranueshmin midis militantëve të një partie, apo emra pa përvojë solide të integritetit institucional, vetëm sa e dobëson akoma më shumë procesin dhe besimin publik tek ai. Presidenti i Republikës nuk mund të jetë një “ministër tjetër” i qeverisë, siç ka ndodhur disa herë në të kaluarën dhe as produkt i pazareve të votave apo dhurimit për shkak të nevojave politike, eksperimente që rezultuan të dështuara.Shqipëria përballet me sfida të mëdha, ka problem të shumta, ka mosbesim të madh qytetar tek politika e institucionet, shoqëria ndodhet në udhëkryq, ndërkohë që Presidenti i ri do të betohet me hapjen e bisedimeve për anëtarësim në BE dhe në një rend të ri të sigurisë botërore. Për këto dy motive thelbësore, emri për President/e duhet të reflektojë integritet dhe maturi, procesi duhet të tregojë integritet dhe sens përgjegjësie, procedura parlamentare duhet të respektojë solemnitetin institucional e kushtetues dhe mbi të gjitha Presidenti që na nevojitet duhet të reflektojë atë që Shqipëria duhet të jetë apo synon të jetë, jo atë që Shqipëria ka eksperimentuar, që është apo që nuk ka mundur të jetë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Afrim Krasniqi

Polemika dhe paqartësi mbi reformën në drejtësi

August 1, 2016 by dgreca

Polemikat mes forcave kryesore politike mbi reformën në drejtësi vazhdojnë në rrjetet sociale dhe pakkush ka informacion mbi përgatitjen e një seance të jashtëzakonshme parlamentare për të miratuar ligjet e para të kësaj pakete.

Reforma në drejtësi 

Por çështjet teknike si fletorja zyrtare apo afate të caktuara ligjore janë vënë tani përballë nevojës për të gjetur sërish mirëkuptimin politik, ndryshe gjithçka mund të humbasë prej falsitetit dhe moszbatimit të ligjeve reformuese, njëlloj si me ligjet e mëparshme.

Drejtuesi i Institutit të Studimeve Politike, dr.Afrim Krasniqi, thotë se miratimi i reformës së drejtësisë me vota të plota në parlament erdhi jo prej mirëkuptimit, por si rezultat i presionit të madh të faktorit ndërkombëtar dhe kështu duhet të vazhdojnë edhe etapat e tjera,

Zoti Krasniqi thotë që nëse presioni ndërkombëtar dobësohet, të tre forcat politike janë të prirura ta frenojnë këtë reformë, sepse nuk duan që ajo të hyjë në zbatim para zgjedhjeve të ardhshme.

Ai thotë që edhe në seancën e ardhshme në parlament ekziston rreziku që palët të hyjnë në kritere teknike, që mund të deformojnë reformën.

“Faktori ndërkombëtar nuk duhet të ulë presionin dhe nuk duhet të lejojë, që palët të ndërfutin kritere teknike që të shpëtojnë njerëzit e tyre të korruptuar nëpër gjykata, përndryshe, kjo do të ishte një dite negative për Shqipërinë” – tha zoti Krasniqi.

Problemi tjetër i madh sipas tij, është që pastrimi i politikës dhe pastrimi i gjyqësorit duhet të kryhen njëkohësisht, sepse gjyqtarët e korruptuar mund të blejnë mandate dhe t’i futen politikës.

“Tradita ka treguar që gjyqtarë të korruptuar rezistojnë, duke marrë kostumin e politikanit. Ata që mund të largohen nga një anë si të korruptuar nëpër gjykata futen në parti politike, bëhen deputetë dhe ministra drejtësie të po këtij sistemi që i dëboi” – tha me shqetësim zoti Krasniqi.

Forcat politike kanë deklaruar njëlloj vullnetin e tyre të plotë për të kryer me sukses reformën në sistemin e drejtësisë.

Megjithatë, ato ende shkëmbejnë repilka dhe deklarata në rrjetet sociale, duke humbur ditët e nevojshme për reformën.

Opozita thotë se përgatitjet për një seancë të jashtëzakonshme plenare po bëhen në mungesë të plotë transparence.

Sipas saj, seanca mund të bëhet vetëm gjysmën e dytë të gushtit, sepse në gjysmën e parë të gushtit është afati ligjor për të hyrë në fuqi ndryshimet kushtetuese që u miratuan me votat e plota të parlamentit mbrëmjen mes 21 dhe 22 korrikut.(VOA)

Filed Under: Analiza Tagged With: Afrim Krasniqi, mbi reformën, ne Drejtesi, Polemika dhe paqartësi

ISP apel qeverisë: Shqipëria të aprovojë projektin e BE për hetimin e krimeve të komunizmit

October 13, 2015 by dgreca

– Tetë vende të BE dhe disa vende të tjera ish komuniste kanë rënë dakord me nismën e qeverisë së Estonisë për krijimin e një trupe ndërkombëtare për hetimin dhe gjykimin e krimeve të komunizmit, sipas modelit të gjyqit të Nurembergut
– Shqipëria, vendi më i vuajtur nga regjimi komunist, – ka bërë më pak se çdo vend tjetër për ndarjen me të kaluarën, vendosjen e drejtësisë dhe të paqes sociale
Përmes një letre zyrtare adresuar Ministrit të Drejtësisë, si autoriteti përgjegjës, si dhe Presidentit të Republikës dhe kryetarëve të partive politike parlamentare, Instituti i Studimeve Politike i kërkon qeverisë shqiptare të japë miratimin për bashkimin e Shqipërisë me nismën e qeverisë së Estonisë dhe të Bashkimit Evropian për hetim ndërkombëtar të krimeve të komunizmit dhe gjykimin e personave përgjegjës. Nisma e Ministrit të Drejtësisë së Estonisë është mbështetur zyrtarisht nga 8 vende anëtare të BE-së, të cilat kanë qenë vende ish komuniste, si dhe disa vende të tjera aspirante për integrim në BE. Shqipëria ende nuk është shprehur dhe ende nuk ka dhënë shenja bashkimi me këtë nismë.
Konkretisht, në letrën e ISP adresuar Ministrit të Drejtësisë dhe për dijeni institucioneve të tjera kushtetuese dhe politike, theksohet “Kuvendi i Shqipërisë, më datë 30.10.2006 ka miratuar me konsensus politik rezolutën nr.11 “Për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri“. Vendimi pasoi rezolutat e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, nr. 1096 (1996) “Masat për të çrrënjosur trashëgiminë e sistemeve totalitare komuniste”, si dhe atë me nr. 1481 (2006) “Domosdoshmëria për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste”. Pavarësisht rezolutave të miratuara dhe shprehjes zyrtare të Kuvendit të RSH 9 vjet më parë, edhe pas 25 vitesh Shqipëria mbetet një nga vendet e pakta ish komuniste, ku e kaluara nën diktaturë mbetet ende tabu dhe ku ndarja me të vijon të jetë formale, larg modelit të transparencës, drejtësisë dhe paqes sociale.
Në kuadër evropian, në Deklaratën e Pragës (2008) u përcaktua angazhimi i vendeve për të dënuar krimet e komunizmit sipas praktikës së Gjyqit të Nurembergut, si krime kundër njerëzimit. Duke pasur frymën e kësaj deklarate angazhimesh, në gusht 2015 Ministrit i Drejtësisë i Estonisë, z. Urmas Reinsalu, mori iniciativën për krijimin e një grupi hetimor ndërkombëtar për krimet e komunizmit dhe për të vendosur përpara drejtësisë personat përgjegjësi, njësoj si në praktikën e Gjyqit të Nurembergut. Nisma e Estonisë është mbështetur dhe aprovuar tashmë zyrtarisht nga Letonia, Lituania, Polonia, Republika Çeke, Sllovakia, Hungaria, Ukraina, Gjeorgjia. Këtë javë nismës iu bashkuan edhe ministrat e drejtësisë së dy vendeve ish komuniste tashmë anëtare në Bashkimin Evropian, Rumania dhe Bullgaria. Konfirmimi erdhi nga samiti i fundit i ministrave të drejtësisë të vendeve të BE-së zhvilluar në Luksemburg.
Siç lehtësisht konstatohet, shumica e vendeve ish komuniste të integruara tashmë në BE ose kandidate potenciale në procesin e integrimit, i janë bashkuar nismës estoneze dhe janë dakordësuar për nevojën emergjente për krijimin e një trupe ndërkombëtare hetimi për krimet e komunizmit dhe ndjekjen e praktikeve gjykuese për personat përgjegjës. Deri më tani, nuk është shprehur publikisht dhe as zyrtarisht Ministria e Drejtësisë dhe asnjë institucion tjetër përfaqësues apo i informuar mbi nismën. Kjo letër synon ta bëjë publike problematikën dhe të apelojë për një reagim institucional sa më të shpejtë.
Ne kemi bindjen se Shqipëria meriton përfshirjen në këtë proces evropian, se Shqipëria duhet të jetë një vend mbështetës dhe kontribuues i nismës së shtatë vendeve anëtare të BE-së dhe disa vendeve të tjera ish komuniste. Shqipëria ka nevojë sociale, interes publik dhe shumë më tepër arsye për të qenë pjesë e këtij procesi dhe për të aplikuar të njëjtën praktikë në gjykimin e krimeve të komunizmit dhe personave përgjegjës të tyre. Vlerësimi se zbardhja e krimeve të komunizmit përbën garanci për parandalimin e çdo forme të genocidit të motivuar ideologjik në të ardhmen, theksuar me forcë nga shteti iniciator, vlen shumë dhe mbetet aktuale edhe për Shqipërinë. Nisma nuk kërkon hakmarrje dhe as revansh, nuk provokon padrejtësi të reja dhe as forma diskriminimi ndaj të drejtave të njeriut, por lartëson drejtësinë dhe paqen sociale, të vërtetën dhe vlerat e larta morale të shoqërive të hapura.
Mbi këtë bazë, Instituti i Studimeve Politike, i cili ka realizuar projektin e suksesshëm të Muzeut të Memories online (www.muzeuimemories.info) dhe është në bashkëpunim të ngushtë për zgjerimin e tij me disa institucione e përfaqësi të rëndësishme perëndimore të investuara në dialogun e hapur mbi të kaluarën komuniste, ju drejtohet Juve me kërkesën legjitime që Ministri i Drejtësisë i Republikës së Shqipërisë, të konfirmojë në emër të qeverisë dhe shtetit shqiptar, bashkimin e Shqipërisë me nismën estoneze, dhe nënshkrimin e dokumentit me angazhime reciproke.
Apeli ynë drejtuar Juve zoti Ministër, i është dërguar për dijeni Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit dhe kryetarëve të gjitha partive politike parlamentare, – institucione dhe subjekte, të cilat ftohen të bëhen mbështetëse të këtij akti dhe që kanë potencial për nxitjen e kësaj nisme dhe për vendimmarrje politike dhe institucionale.
Ne mbetemi me shpresë se Ju, me përgjegjësinë zyrtare që ju takon, do të përmbushni detyrimin praktik të shtetit shqiptar për bashkimin me këtë nismë, si shprehje edhe e rezolutës së parlamentit shqiptar dhe detyrimeve që burojnë prej saj.
Me konsideratë të lartë,
Afrim Krasniqi
Drejtor Ekzekutiv
Instituti i Studimeve Politike

Filed Under: Analiza Tagged With: Afrim Krasniqi, apel Qeverise, krimet e komunizmit, projekti i BE, shqiperia

Samiti për Diasporën dhe (pa)përgjegjësia kushtetuese

October 6, 2015 by dgreca

Nga takimi i Kryeminsitrit rama me perfaqesues “te perzgjedhur” te diaspores me 26 Shtator en New York/

Nga Afrim Krasniqi/
Kryeministri Rama lajmëroi javën e kaluar se në muajin mars 2016 do organizohet në Tiranë “Samiti i Parë i Diasporës” shqiptare. Lajmi bëri headline dhe u komentua gjerësisht si një risi në vendimmarrjen politike të Tiranës ndaj komuniteteve shqiptare në botë. Në fakt, një nismë e tillë daton herët, më 1995 por që u harrua shpejt për shkak të krizës politike 1996, dhe që u risoll në axhendën zyrtare më 2006 duke u programuar për vitin 2007. Në Strategjinë Kombëtare për Diasporën dhe Emigracionin (2006) parashikohej se Kongresi i Parë i Diasporës do kishte përgjegjësinë “shqyrtimin e politikave aktuale për mobilizimin e diasporës shqiptare, ku me prioritet do të shqyrtohen çështje si ruajtja e gjuhës dhe kulturës, fenomeni i ikjes së trurit dhe investimet në Shqipëri”. Për jetësimin e projektit u programuan 100000 fletëpalosje (25000 euro), 5000 broshura (5000 euro), si dhe 5000 euro materiale te tjera reklamuese, pra në total 35 mijë euro. Nuk ka informacion zyrtar se çfarë ndodhi me projektin dhe as strategjinë, por risjellja në jetë e idesë së Kongresit të Diasporës (tashmë i quajtur Samit), është tregues se asnjëri prej angazhimeve nuk është realizuar.
Përtej këtyre detajeve të rëndësishme, tema e diasporës meriton edhe një analizë më plotësuese dhe shteruese. Kushtetuta e Shqipërisë (neni 8) detyron shtetin shqiptar “të mbrojë të drejtat e shtetasve shqiptarë me banim të përkohshëm ose të përhershëm jashtë kufijve të vet” si dhe tu sigurojë “ndihmë shtetasve shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë shtetit për të ruajtur e për të zhvilluar lidhjet me trashëgiminë kulturore kombëtare”. Në funksion të këtij përcaktimi kushtetues, çdo qeveri shqiptare e viteve post 90 ka premtuar se çështjet e diasporës do jenë parësore në angazhimet e tyre. Gjithsesi, bilanci i deritanishëm flet për të kundërtën, – asnjë qeveri nuk ka kryer si dhe sa duhet detyrimin e vet kushtetues.
Le ta ilustrojmë politikën zyrtare me evoluimin e idesë për një ministri diaspore për shqiptarët jashtë vendit. Referuar faqes Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ) numri i shqiptarëve që jeton në emigracion është 1.35 milion, ku sipas numrit, vendin kryesor e zënë Italia, Greqia, SHBA, Britania e Madhe, Kanada, Gjermani, etj. Në një vend me popullsi 3.3 milion banorë, ku 1.3 rezultojnë zyrtarisht në emigrim dhe vetëm 2 milion në vend, do të duhej që çështjet e emigrimit dhe diasporës të kishin vend prioritar. Në fakt, asnjë prej kabineteve qeveritare prej 1990 dhe rrjedhimisht, asnjë kabinet qeveritar në historinë e këtij vendi nuk ka pasur ministri diaspore. Kemi pasur fjalën “emigracion” në strukturën e disa ministrive, sidomos pas 1996, por në vitet e fundit edhe ajo është hequr. Politika ofroi si zgjidhje ekzistencën e drejtorisë për emigracionin (1992) në kuadër të MPJ, strukturë e cila mbulonte edhe diasporën. Më 1996 me VKM qeveria krijoi Institutin e Diasporës, një strukturë në varësi nga Këshilli i Ministrave dhe që përbëhej vetëm nga 3 (tre) persona. Dhjetë vjet më vonë, më 2006, qeveria shpalli me VKM krijimin e Institutit Kombëtar të Diasporës, institucion tashmë në varësi nga Ministria e Punëve të Jashtme. Ekipi ekzekutiv i Institutit do përbëhej nga vetëm 4 (katër) persona, një prej të cilëve duhej të ishte diplomat. Vendimi parashikoi edhe ngritjen e një Bordi Drejtues me drejtorë nga shtatë ministri të ndryshme.  Pas disa eksperimenteve të tjera, aktualisht në strukturën e MPJ gjendet një zyrë e quajtur “sektori i diasporës”, një prej tri zyrave që bëjnë pjesë në drejtorinë e Diplomacisë Publike, Partneriteteve dhe Diasporës. Refuzimi për të pasur një ministri diaspore (në nivel ministrie ose sekretariati shtetëror) , siç kanë pasur dhe kanë shumë shtete evropiane dhe në botë, përfshirë edhe 4 prej 5 vendeve fqinje, mbetet tregues i mungesës së interesit, vëmendjes, prioritetit dhe vullnetit politik ndaj këtij realiteti.
Çështja tjetër me shumë rëndësi është koncepti ynë për diasporën. Deri më 1990 ajo shihej si potencial armik dhe në rastin më liberal si potencial kulturor, pas 1990 dhe gjatë dekadës së parë të tranzicionit diaspora u pa si burim financiar për familjet dhe ekonominë shqiptare. Ajo u përdor dhe u bë pjesë e axhendës politike vetëm në raste krizash politike, në rastet e nevojave për dekor festimesh apo si alibi në procese privatizimi masiv si në fushatën jo-transparente “Shqipëria 1 euro”. Presidentë, kryeministra, ministra, deputetë e zyrtarë të lartë, parti politike dhe media, gjatë udhëtimeve të tyre jashtë në të shumtën e kohës gjejnë ca orë për të takuar komunitete të diasporës, kryesisht për shprehje interesi ndaj tyre, jo për axhenda dhe projekte partneriteti serioz dhe funksional. Kur zyrtarët pyetën, ata listojnë si arritje të rëndësishme ndonjë shkollë shqiptare të hapur në diasporë, ndonjë marrëveshje njohjeje për pensionet, ndonjë financim apo aktivitet kulturor, ndonjë program në TVSH apo gazetë, ndonjë dekoratë të dhënë apo punën e ambasadave shqiptare atje. Siç shihet, bilanci është minimal, kilometra larg premtimeve, nevojave dhe pritshmërive. Projekte periodike si ai i kthimit të trurit, i thithjes së kapitalit të tyre financiar në vend apo i aktiviteteve ndërkombëtare promovuese, janë vetëm disa pika në hapësirën dhe nevojën e madhe oqeanike të bashkëpunimit.
Në terma konkretë sjellja jonë mbetet mosmirënjohëse, aksioniste, propagandiste dhe abuzuese ndaj diasporës dhe gjithçka ajo përfaqëson. Mjafton të përmendim faktin se kohët e fundit u nxorën jashtë përdorimit më shumë se 150 mijë karta identiteti dhe u kërkuam që fajin tonë ta paguajnë përsëri ata, se më lehtë ofrohen shërbime në zyrat e shteteve të tjera sesa në zyrat e ambasadave tona, se shteti shqiptar ende nuk ka një listë të politikanëve shqiptarë që konkurrojnë në nivele lokale apo qendrore në disa vende evropiane, se universitetet tona nuk ofrojnë asnjë program studimi për çështjet e diasporës dhe emigrimit, se autoritetet tona nuk arrijnë të dërgojnë as abetare për fëmijët jashtë që duan të mësojnë shqip, se zyrtarë të lartë të shtetit nuk denjojnë të gjejnë 30 minuta kohë për të takuar komunitetet tona jashtë, se jemi gati të denigrojmë çdo shqiptar të famshëm që nuk i bindet urdhrave të parisë së Tiranës dhe të ngremë në qiell çdo sjellje folklorike që i bën reklamë politikës zyrtare këtu, se të gjithë emigrantët (indirekt) vijojnë të paguajnë taksë banimi, pastrimi, TVSH-je, etj, ndërkohë që nuk ofrojmë për ta as shërbimin më të vogël social e kulturor, se shteti nuk ka asnjë statistikë të kërkuar dhe hartuar mbi shqiptarët që humbin jetën tragjikisht në vende të tjera, ndodhen në burgje apo janë studentë në universitete, që botojnë libra apo kanë bilanc profesional në jetën e tyre të integruar…!
Tej retorikës dhe akteve protokollare apo politike, tej premtimeve elektorale sa herë vijnë zgjedhjet, tej përdorimit si dekor në aktivitete apo raste ceremoniale, ajo që mbeten janë pyetje e dyshime të shumta.  Pyetjet thelbësore që duhet të ngrihen dhe të përbëjnë axhendën prioritare në çdo takim, kongres, samit apo trajtim të rastit janë e mbeten: a e njeh dhe a është në gjendje shteti shqiptar të përmbushë detyrimin kushtetues ndaj diasporës; a kemi krijuar me të marrëdhënie besimi aktiv apo mosbesimi permanent; e shohim atë si pjesë integrale të shtetit e shoqërisë apo si burim fitimi financiar, nevojë imazhi dhe numra për vota të importuara në fushata elektorale; përse nuk i japim diasporës të drejtën e votës, përse nuk krijojmë një ministri vetëm për diasporën, përse kufizojmë diasporën për përfshirje në jetën politike e publike, përse nuk e trajtojmë detyrimin për mësimin e fëmijëve të tyre në shkollat shqipe si detyrim kushtetues kombëtar, përse nuk kujdesemi sa dhe si duhet për problematikat e shumta të tyre, përse nuk i përfshijmë ata në punën e ambasadave dhe ofrimin e shërbimeve shtetërore ku ato ndodhen, përse nuk krijojmë një regjistër kombëtar të diasporës, përse nuk kemi marrëveshje të dyanshme bashkëpunimi adresuar atyre edhe me qeverinë e Kosovës, përse me ligj nuk lejojmë të kemi president apo parti politike nga diaspora, përse nuk kemi asnjë rast të debatit ose seancës dëgjimore parlamentare për çështjet e emigracionit, përse e trajtojmë pronën, shtëpinë dhe trashëgiminë e tyre këtu si pronën e plaçkën tonë…?
Janë pyetje pa fund, për të cilat ende asnjë qeveri nuk ka dhënë përgjigje dhe siç shihet, as tani nuk do ketë përgjigje. Le ti përsërisim deri në mars 2016, së pari për të mos lejuar që nisma e Samitit të mos ketë fatin e kongresit që nuk u bë më 2007, dhe së dyti për t’i kujtuar politikës se 1.35 milionë shqiptarë meritojnë shumë më tepër respekt, mirënjohje, vëmendje dhe përgjegjësi kushtetuese.

Filed Under: Mergata Tagged With: Afrim Krasniqi, përgjegjësia kushtetuese, Samiti për Diasporën dhe (pa)

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT