Nga Agron Alibali/
Me 5 janar 1924 Faik Konica u zgjodh deputet i Korçës dhe “mis” i Kuvendit Kushtetues. I ndodhur në krye të Vatrës në Boston, Konica nuk i pranoi detyrat e rëndësishme politike. Me 2 mars 1924 ai hoqi dorë zyrtarisht nga mandati i deputetit.
Largësia nga Shqipëria dhe ngjarjet e vrullshme të atij viti i mundësuan Konicës të mbante qëndrime deri diku objektive për gjendjen në vend. Këtë e shohim sidomos tek korrespondenca me Zogun në dhjetor 1924, ku bën thirrje për qetësi dhe vënien mbi gjithshka të interesave të vendit.
Mirëpo gjetje hipotetike në arkivën e tij private mund të hedhin dritë edhe për një veprimtari legjislative të Konicës, të mbetur në embrion. Fjala është për një projektligj tejet interesant për lobimet politike. Edhe ky dokumenti juridik do të shquhej për kthjelltësinë, lakonizmin dhe frymën e interesit publik.
I titulluar shkurt “Nyjat për ndalimin e veprimtarisë lobiste”, projektligji do të përmbante vetëm dy nene, si më poshtë:
“Neni 1 – Ndalohet financimi nga çdo subjekt i Mbretërisë Shqiptare i veprimtarive lobiste të çfarëdolloji, përfshirë konsulencë zgjedhore, të kontraktuar në favor të subjekteve të huaja”.
“Neni 2 – Shkelja e këtij ligji dënohet me gjobë të barasvlefshme me shumën e kontraktuar për shërbimin e lobingut.”
I mbetur në letër, ky projektligj nuk mund të mos na sjellë në vëmendje shumat marramendëse që kanë kontraktuar për veprimtari lobiste politike etj. tre partitë kryesore në vend. Sipas të dhënave të shpallura në faqen e Departamentit Amerikan të Drejtësisë [www.fara.gov], vlera monetare që tre partitë kryesore harxhuan sëbashkë për veprimtari lobimi në SHBA në periudhën parazgjedhore në vitin 2017 ishte baras me 125,000 dollarë amerikanë në muaj. Nëse këtë e shumëzojmë për katër muaj, atëhere deri në korrik 2017 arrijmë shumën e konsiderueshme prej 600,000 dollarësh. Një kontratë prej 20,000 $/muaj, madje, isht njëvjeçare.
Pyetja e parë që vjen ndërmend është: prej nga dalin këto para? Ligji fillimisht përcaktonte tre burime financimi për partitë politike: (i) kuotat e anëtarësisë; (ii) çdo pasuri e fituar në mënyrë të ligjshme; (iii) ndihma buxhetore. [Ligji për Partitë Politike, Nr. 8580, dt. 17.02.2000, Neni 17]. Vështirë që këto fonde të dalin nga kuotat e anëtarësisë apo ndihma buxhetore. Me ligjin e ndryshuar [Nr. 10 374, dt. 10.02.2011] u krijuan hapësira të gjera përmes termit “fondet jopublike”, ku përfshihen “dhurime financiare, dhurime në natyrë, shërbimet, sponsorizimet, kreditë apo garancitë e ndryshme, si edhe çdo transaksion tjetër financiar.” Lepuri, pra, fle në ferrnajën e gjerë dhe gjithpërfshirëse të “fondeve jopublike”…
Po kush i kontrollon burimet dhe veprimet financiare të partive politike?
Fillimisht tagrin e kontrollit ndaj financimit të partive në çdo kohë e kishte Kontrolli i Lartë i Shtetit. Me ndryshimet ligjore ky tagër fatkeqësisht i kaloi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Po të mbajmë parasysh ndikimin e thellë të partive politike tek KQZ-ja, është e qartë se mënjanimi i rolit të KLSH-së e ka dobësuar ndjeshëm kontrollin publik mbi financimin e partive politike në vend.
Sipas Nenit 23/1 të ligjit të ndryshuar, “dhurimet regjistrohen në një regjistër të posaçëm, ku shënohet shuma e fondeve të përftuara dhe identifikimi i qartë i dhuruesit, qoftë ky person fizik ose juridik”. Dhe më tej: “Lista e personave, që dhurojnë shuma jo më pak se 100 mijë lekë, si dhe vlera përkatëse, duhet të bëhen kurdoherë publike.” Ndofta mund t’i takonte shtypit profesionist dhe të pavarur shqiptar që të zbardhë deri në fund këtë lumë parash që del nga Shqipëria në mes të ditës me diell…
Pyetja e dytë është nëse këto fonde të majme do të mund të përdoreshin përndryshe për hallet e mëdha të vendit? Dhe si mund të frenohet kjo dalje e pakontrolluar e parave jashtë vendit, ndërkohë që Shqipëria është në krizë ekonomike e financiare?
Dihet se shoqëria shqiptare sot ballafaqohet thuajse në çdo fushë me nevoja të shumta e të jashtëzakonshme. Kemi parasysh këtu shkollat e spitalet sidomos në zonat e thella të vendit, katastrofën urbane e emergjencën mjedisore kudo, gjakmarrjen që ende po korr jetë njerëzish në malet e Veriut etj. Ndërkohë totali i detyrimeve të prapambetura, të akumuluara në periudhën janar 2015 – dhjetor 2016 ka arritur në shifrën 1 miliard e 800 milion lekë. Atëhere, a justifikohen shumat e konsiderueshme që nxjerrin nga Shqipëria partitë politike vendase, duke mbushur kësisoj xhepat e firmave lobiste amerikane me synimin kinse për të marrë sa më shumë vota në Shqipëri?!
Prandaj, do të ishte mëse e mirëpritur ndërmarra e një nisme ligjëvënëse për ndalimin e menjëhershëm dhe përfundimtar të financimit të shërbimeve lobiste prej partive politike. Përndryshe, nën trysninë e opinionit publik, është imperative që kryetarët e partive ta ndërpresin menjeherë këtë praktikë të dëmshme e thellësisht hipokrite, dhe listat e dhuruesve të mëdhenj të deritanishëm të partive politike të bëhen publike sa më parë.
*Shënim: shkrimi mbështetet në një trajtë të argumentit reductio ad absurdum. Konica nuk paraqiti projektligj të tillë ndonjëherë.