• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VLORA UNIVERSITARE, URA LIDHJEJE TE SHQIPERISE ME EUROPËN AKADEMIKE

January 24, 2017 by dgreca

Universiteti  “Ismail Qemali” i  Vlorës  jep titullin “Doctor Honoris Causa”  shkencëtarit grek  Triantafyllos Albanis dhe profesorit  të shquar italian Genuario Belmonte/

2. ok Prof. Triantafyllos vlerësohet

nga MSc. Albert HABAZAJ/

1. ok Senati UV

E premtja e datës 20 janar 2017 do të mbahet mend gjatë dhe do të shënohet në Kujtesën e Universitetit të Vlorës si një ditë e veçantë; ndër më të bukurat ditë, mesazhdhënëse, kulturoro-akademike e gëzimtare për senatin, stafin akademik, personelin administrativ dhe studentët ismailqemalistë të Universitetit tonë 23 vjeçar. Qe vërtet një festë dinjitoze dhe domethënëse, ku mirrnin pjesë anëtarët e Senatit Akademik, Kryetari i Senatit Akademik të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, njëkohësisht rektor i Universtitetit prof. Roland Zisi, rektorë të universiteteve të tjera shqiptare, dekanë, të ftuar të tjerë, pedagogë dhe studentë. Gjithashtu morën pjesë në këtë ceremoni nderimi jo vetëm për Universitetin, por sidomos për Vlorën e përparuar, edhe kryetari i Bashkisë Vlorë, z. Dritan Leli dhe kryetarja e Këshillit Bashkiak zj. Vojsava Shkurtaj. U realizuan propozimet e Departamentit tӫ Kimisë dhe atij të Biologjisӫ, të dy tӫ Fakultetit tӫ Shkencave Teknike, me vendimin e Senatit Akademik tӫ kӫtij universiteti pӫr dhӫnien e titullit “Doctor Honoris Causa” prof. Triantafyllos Almpanis (Albanis) dhe prof. Genuario Belmonte, duke ndërtuar një urë të re, të fortë e të qëndrueshme komunikimi akademik e kulturor midis vendeve mesdhetare të trekëndëshëshit jonian Shqipëri, Greqi, Itali me mikpritës Vlorën universitare dhe qytetare. Triantafillos Albanis dhe Genuario Belmonte, me pjesëmarrjen e tyre aktive për mbi dy dekada me Universitetin tonë, kurorëzuar me vlerësimin e merituar “Doctor Honoris Causa”, forcojnë urat kulturore mesdhetare dhe i japin një dimension tjetër të madh Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës (patjetër dhe qytetit) në botën akademike europiane.

2. ok Prof. Triantafyllos vlerësohet

Për Universitetin e Vlorës, prof. Triantafyllos Almpanis, i shquar në opinionin shkencor të Greqisë, ka qenë Njeri Institucion, sepse, qysh në fillimet tona, e ka parë me besim institucionin e ri e të brishtë të arsimit të lartë buzë deteve joniano-adriatik, duke e ndihmuar me shpirt e me mendje për paraqitje dinjitoze në botën akademike bashkëkohore në rajon e më gjerë. Prof. Almpanis njihet si një personalitet i shquar në fushën e edukimit dhe kërkimit shkencor, aktiviteti i të cilit është i fokusuar në studimin e kimisë së mjedisit, duke kombinuar në mënyrë të shkëlqyer aktivitetin e tij kërkimor me atë didaktik, shkencor dhe organizativ. Ai konsiderohet model i shkëlqyer në komunitetin akademik ndërkombëtar dhe kontributi i tij ka qenë i vazhdueshëm e i shquar në shkencat kimike dhe mjedisore, si dhe në fushën e veprimtarisë didaktike. Zëvendësrektori i Universitetit të Vlorës, prof. dr. Bilal Shkurtaj (fizikan), njëkohësisht Drejtor i Qendrës Kërkimore-Shkencore (QKSH të UV), paraqiti disa referenca biografike të aktivitetit kërkimor-shkencor të Profesorit të Janinës.

Profili kërkimor shkencor i prof. dr. Triantafyllos Almpanis (Albanis): U diplomua në moshën 23 vjeçare në Universitetin “Aristoteli” të Thesalonikisë, në Fakultetin e Kimisë dhe duke vazhduar studimet në fushën e tij fitoi titullin Ph.D në vitin 1987 në Universitetin e Janinës. Në vitin 1989, kreu studimet post doktoriale në Departamentin e Biokimisë në Universitetin Shtetëror të Teksasit në San Antonio dhe në vitin 1990, kreu një studim në post doktoraturë në Departamentin e Fizikës së Tokës në të njëjtin universitet, duke fituar një rritje në fushën e shkencave mjedisore, sidomos për efektet që mund të ndodhin në mjedis. Mbas kthimit nga Amerika në Europë, vazhdoi punën kërkimore në Institutin Agronomik të Mesdheut në Zaragora dhe në Qendrën për Studime të Avancuara në fushën e shfrytëzimit të energjisë prej mbetjeve të agrikulturës, ku iu akordua diplomë prej Këshillit të Europës, në tetor 1993. Karriera shkencore vazhdoi me studime të thelluar në fushën e Toksikologjisë Mjedisore: Metodat Biomonitoruese në Mjedis në Universitetin e Kupio, Finlandë, nëpërmjet një followship të financuar nga Fondacioni Shkencor Europian (Europian Scienze Foundation, ESF) në vitin 1995. Ai ishte gjithashtu akademik dhe bashkëpunëtor shkencor në Departamentin e Kimisë Inorganike dhe Departamentin e Inxhinierisë Kimike në Universitetin “Aristoteli” në Thesaloniki, gjatë periudhës 1981-1982. Për një periudhë prej 5 vjetësh, 1982-1987, Kërkues i asocuar në Departamentin e Kimisë në Universitetin e Janinës. Njëkohësisht, duke vazhduar edhe karrierën akademike, në vitin 1992 merr titullin lektor në Departamentin e Kimisë të Universitetit të Janinës. Prej vitit 1998-2003 ka qenë prof.as. dhe qysh nga viti 2004 e në vijim mban titullin “Profesor”. Në fushën e kërkimeve mjedisore ka qenë drejtor i Departamentit të Kimisë të Universitetit të Janinës prej vitit 2004-2008 dhe në periudhën 2010-2014 Rektor i Universitetit të Janinës. Sot është Zv. Rektor dhe njëkohësisht President i Komitetit Shkencor të Universitetit të Janinës. Fushat kryesore të kërkimit shkencor të prof. Triantafyllos janë: 1. Kimia mjedisore e pesticideve dhe mikrondotësit organikë; 2. Transporti i pesticideve në ekositemin mjedisor; 3. Zhvillimi i metodave analitike për përcaktimin e pesticideve dhe mikrondotësit organikë për vlerësime mjedisore; 4. Adsorbimi dhe fotodegradimi i pesticideve në kushte laboratorike dhe fushore; 5. Teknikat për largimin e mikrondotësve prej ujërave të shkarkimit dhe ujërave sipërfaqësorë dhe tokësorë. Në fushat e kërkimit shkencor ku ka punuar, prof. Triantafyllos ka dhënë një kontribut të madh në 42 projekte kërkimore, ku në 33 prej të cilëve ka qenë koordinator. Eksperienca e tij i ka kaluar kufijtë e Greqisë, duke qenë i spikatur në shkallë botërore. Është autor  dhe bashkautor i 207 artikujve të botuar në revista me reputacion të lartë dhe ka prezantuar në konferenca ndërkombëtare në gjithë botën 111 punime. Është anëtar i mjaft organizatave profesionale jashtëzakonisht të vlefshme si Shoqata Greke e Kimistëve, Shoqata Amerikane e Kimistëve, Divizioni i Agrokimistëve të Shoqatës Amerikane të Kimistëve, Shoqëria Ndërkombëtare për Studimin dhe Kontrollin e Ndotjes së Ujërave, i Grupit Helenik të Kërkimit për Pesticidet dhe Shoqërisë së Kimisë Analitike Mjedisore. Njëkohësisht ka patur dhe ka funksione e tituj me përgjegjësi të lartë kombëtare dhe ndërkombëtare, gjatë kohës që ishte President i Divizionit Rajonal të Shoqatës së Kimistëve të Greqisë në Epirin  e Veriut dhe ishujt Jonianë (Korfuz dhe Lefkas) në periudhën 1984-1985 dhe 1994-1997 dhe Kryetar i Agroekologjisë së Aplikuar dhe prej vitit 2002 është President i Shoqërisë Europiane-Mesdhetare të Edukimit, Vlerësimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit dhe qysh nga viti 2003 është President i Programit Pasuniversitar Ndërfakultetor në Agrokimi dhe Agrokulturë Organike, Universiteti i Janinës. Ka qenë gjithashtu President i Shoqatës së Universiteteve në Greqi në periudhën 2011-2012.

Aktiviteti i gjerë në fushën akademike dhe kërkimore-shkencore është shtrirë prej vitesh edhe në Shqipëri, me Universitetin e Tiranës dhe universitetet e tjera të vendit dhe, në mënyrë të veçantë, me Universitetin e Vlorës, nëpërmjet marrëveshjeve ndëruniversitare, projekteve të bashkëpunimit në fushën kërkimore-shkencore, pjesëmarrjes në konferenca shkencore e botimeve në buletinet shkencore. I madh ka qenë kontributi i tij për organizimin e kërkimit shkencor në  Universitetin e Vlorës nëpërmjet projekteve të bashkëpunimit, si: “Zhvillimi dhe aplikimi i metodave analitike dhe teknikave përmirësuese për ujërat sipërfaqësore dhe nëntokësore midis Republikës së Greqisë dhe Republikës së Shqipërisë” në periudhën 2005-2007; “Zhvillimi dhe zbatimi i metodave analitike për vlerësimin e ndotjes së mjedisit nga shkarkimet në ujërat sipërfaqësorë dhe të pijshëm në rajonin e Vlorës” në periudhën 2010-2014 në kuadrin e projekteve PKKZH; “Monitorimi wiereless i cilësisë së ujërave të lumenjve Arachtos dhe Vjosë” në periudhën 2012-2015 në kuadrin e Programit Ndërkufitar IPA Greqi-Shqipëri. Marrja e përvojës në kuadër të aplikimit të metodave analitike bashkëkohore nga QKSH ka qenë e vazhdueshme. Në mënyrë të veçantë ka mbështetur ngritjen e QKSH, pajisjen me aparatura dhe programin kërkimor shkencor të saj. Aktualisht, në kuadrin e projekteve që aplikojmë IPA II Cross-Bordes Cooperation Programme “Greece-Albania” 2014-2020, do të ketë një vazhdimësi të bashkëpunimit shkencor, ku prof. Triantafyllos do të ketë një kontribut të madh të paktën në tre projekte, ku do të mund të arrihen rezultate të shkëlqyera në zhvillimi e kërkimit të mirëfilltë shkencor dhe në integrimin me mësimdhënien dhe zhvillimin rajonal, që përbën sot një detyrë madhore të vënë para universiteteve nga Ligji i Arsimit të Lartë.  

Profesor Triantafyllos Almpanis (Albanis) nderohet me titullin “Doctor Honoris Causa” me këtë motivacion: “Personalitet i shquar i përmasave botërore në fushën akademike dhe shkencore, me një aktivitet të gjerë të fokusuar në studimin e kimisë analitike dhe të mjedisit, duke kombinuar në mënyrë të shkëlqyer aftësitë e tij kërkimore shkencore, didaktike dhe organizative. Aktiviteti i tij i gjerë shkencor pasqyrohet në pjesëmarrjen në projektet e shumta, prezantimet në konferenca, kongrese e revista shkencore ndërkombëtare, promovime për tituj akademik, bashkëpunimi i gjerë me shoqatat shkencore, departamente, institute, laboratore dhe qendra kërkimore shkencore. Veprat e tij përbëjnë një kontribut të madh dhe të pakrahasueshëm ndaj dijes bashkëkohore dhe shërbejnë si pika referimi për studimet teorike dhe praktike. Duke dhënë një kontribut të madh dhe konkret në organizimin e kërkimit shkencor në Universitetin e Vlorës, ai përbën njëkohësisht një model të shkëlqyer që synohet të arrihet”.

***

Universiteti i Vlorës është parë nga bota akademike italiane si Universiteti përballë Universitetit të Lecces. Qysh kur u ngrit si institucion i arsimit të lartë, Universiteti “Ismail Qemali” i Vlorës (atëherë Universiteti Teknologjik “Ismail Qemal Vlora) nuk u pa vrëngër, me atë ndjesinë e inferioritetit të të madhit ndaj të voglit, “të pabërit ende”.

Pati interes nga profesorati italian, duke e trajtuar si partner Universitetin e Vlorës (UV) dhe iu dha prioritet raporteve konstante midis dy universiteteve adriatike, atij të Lecces (UL) matanë dhe këtij të Vlorës më këtë anë. Genuario Belmonte, qysh më 1994 ngriti ura bashkëpunimi. Qe i pari profesor europian që theu lartësisht emancipueshëm konceptin e “universiteteve të dorës së dytë”, duke prurë studentë italianë në auditoret e Universitetit të Vlorës (UV), ndërkohë që nga Vlora e Shqipëria rinia studentore ikte, ikte, ikte… Profesor Belmonte qe konstant në bashkëpunimin e frytshëm me Universitetin e Vlorës për procesin mësimor, shkencor, profesional e akademik. Njeri me botë të madhe e kulturë të gjerë, pa kompleksitete a koncepte inferioriteti për UV, por thjesht si matanas i UL, duke qenë një mbështetës projektesh serioz e këmbëngulës.

Profesor Genuario Belmonte nderohet me titullin “Doctor Honoris Causa” me këtë motivacion: Personalitet i shquar nӫ fushӫn akademike dhe shkencore me njӫ aktivitet tӫ gjӫrӫ tӫ fokusuar nӫ studimin  e biologjisӫ dhe mjedisit, nӫ mӫnyrӫ tӫ veҫantӫ tӫ biologjisӫ detare, duke kombinuar aftӫsitӫ e tij kӫrkimore shkencore, didaktike dhe organizative. Aktiviteti i tij shkencor pasqyrohet nӫ pjesmarrjen nӫ  projektet e shumta,  prezantimet nӫ konferenca, kongrese e revista shkencore ndӫrkombӫtare, bashkӫpunimi i gjӫrӫ me shoqata shkencore, departamente, institute, laboratore dhe qӫndra kӫrkimore shkencore. Vleresohet pӫr njӫ kontribut shumӫ tӫ madh pӫr vlerӫsimin e pasurive ambjentale nӫ Shqipӫri, duke promovuar edhe vlerat eko- turistike nӫpӫrmjet ekspeditave shkencore tӫ pӫrvitshme nӫ zonat detare, bregdetare dhe malore. Duke dhӫnӫ njӫ kontribut tӫ madh, konkret dhe tӫ vazhdueshӫm nӫ organizimin e kӫrkimit shkencor nӫ universitetin e Vlorӫs, ai pӫrbӫn njӫkohӫsisht njӫ model qӫ synohet tӫ arrihet nga stafi ynӫ akademik”.

Dekani i Fakultetit të Shkencave Teknike, Prof. asoc. Hajdar Kiçaj (biolog), në referencёn e prezantuar pёr dhënien e titullit “Doctor Honoris Causa” profesor Genuario Belmonte nga Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë, paraqiti një pjesë të veprimtarisë kërkimore të profesorit italian, duke u përqëndruar kryesisht në aktivitetin e tij kërkimor të kryer përgjatë disa viteve në vendin tonë, në bashkëpunim me pedagogë dhe drejtues të disa universiteteve shqiptare, dhe veçanërisht me Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë dhe më ngushtë me Departamentin e Biologjisë.

Profili i fushës i prof. dr. Genuario Belmonte: Prof. Genuario Belmonte është diplomuar nё Universitetin e Ferrarёs nё vitin 1981 nё Shkencat Biologjike dhe nё vitin 1982 nё Shkencat Natyrore. Ёshtё specializuar nё Shkenca dhe Teknologji Ambjentale, nё Ekologji (Diplomë specializimi); nё Biologji Bregdetare, Detare dhe Ekologji (diplomё magjistrale). Nё vitin 1985 emёrohet Kёrkues Shkencor Universitar i Zoologjisё pranё Universitetit tё Lecces. Nё vitin 2001-2005, Profesor i Zoologjisё pranё Universitetit tё Lecces (sot Universiteti i Salentos).                                                                                                                                                                                                                    Nё periudhёn 2005-2008 ёshtё Zv. President i Fakultetit tё Shkencave Matematiko – Fizike dhe Natyrore nё Univesritetin e Lecces. Nga viti 2011 e nё vazhdim ёshtё Drejtor i Muzeut tё Ambjentit nё Universitetin e Salentos dhe nё vitin 2015 pёrgjegjёs Shkencor i Akuariumit tё Salentos. Aktivitet shkencor përmblidhet  nё 294 botime, nga tё cilat 244 punime shkencore, 103 nё kongrese (46 ndёrkombёtare) , 65 nё revista ndёrkombёtare. Pёrgjegjёs editorial i revistës “Thalasia Salentina”, e botuar nga Stacioni i Biologjisё Detare Porto Cezario (Deparatmenti i Shkencave dhe Teknologjive Biologjike e Ambjentale, DST e BA në Universitetin e Salentos). Anёtar i Konsorciumit Kombёtar Ndёruniversitar pёr Shkencat e Detit (CoNISMa). Ёshtё anёtar i mjaft shoqatave shkencore, si: Unioni Italian i Zoologjisё, Shoqata Botёrore e Copepodologistёve, Shoqata Italiane e Biogjeografisё, Shoqata Italiane e Biologjisё Detare, Shoqata Italiane e Ekologjisё, Shoqata Kombёtare e Muzeumeve Kombёtar Shkencor, Anёtar i Komisionit tё Faunёs tё Unionit Italian tё Zoologjisё, Anёtar i Kёshillit Drejtues tё Stacionit tё Biologjisё Detare nё Porto Cezario,etj. Bashkёpunёtor shkencor me 27 departamente, institute, laboratore dhe qendra shkencore, midis tё cilave mund tё pёrmendim: Departamenti i Biologjisё Shtazore dhe tё Njeriut tё Universitetit “La Sapenza” Romё, Stacionin e Zoologjisё Napoli, Laboratori i Biologjisё Detare Trieste, Instituti i Biofizikёs Piza, Institituti i Biologjisё Detare Venezia, Instituti Talasografik Taranto, Qendra Ndёrkombёtare e Kёrkimeve Detare Athinё, Universiteti “Aristoteli” Greqi, Instituti i Shkencave Detare Turqi, Universiteteti “Eqerem Çabej” Gjirokastrёs, Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, Universiteti “Aleksandër Xhuvani” Elbasan, Universiteti Shtetëror i Tetovës, Muzeu i Zoologjisё Kopenhage, Instituti i Zoologjisё Rusi, Universiteti i Stambollit (Fakulteti i Peshkimit) dhe Universiteti i Kajros, Egjypt. Ka aktivitet shumё të gjёrё nё fushёn e mёsimdhёnies si titullar lёndёsh, shoqёruar me veprimtari praktike dhe eksperimente laboratorike, udhёheqёs i doktoraturatave, anёtar komisionesh  e relator. Ndёr vite ёshtё docent pёr lёndёt Zoologjia I e II, Zoogjeografia, Zoologjia Evolcionistike, Etologjia, Zoologjia e Aplikuar nё tё Mirat Materiale, Ruajtja e Natyrёs dhe e Burimeve tё saj, Muzeologjia Shkencore.

Aktiviteti në Shqipëri. Aktiviteti i gjerё nё fushёn akademike dhe kёrkimore shkencore ёshtё shtrirё prej vitesh nё Shqipёri nёpёrmjet marrёveshjeve ndёruniversitare, projekteve tё bashkёpunimit nё fushёn kёrkimore shkencore, pjesëmarrjes nё konferenca shkencore e botimeve nё buletinet shkencore. Profesor Genuario Belmonte u lidh me botёn akademike shqiptare qysh nё vitin 1995 me qёllim kryesor propozimin dhe nisjen e kurseve universitare tё Biologjisё Detare si dhe vlerёsimin e pasurive ambjentale detare shqiptare. Bashkёpunimi u bё mё i ngushtё prej vitit 2002, duke realizuar njё njohje tё thellё tё bregdetit detar shqiptar dhe promovimin jo vetёm tё aspekteve natyralistike por edhe atyre eko-turistike.

Projekte. Pёrgjegjёs direkt nё 31 projekte kёrkimi dhe i pёrfshirё nё 11 tё tjerё. Drejtues e kordinator nё 6 projekte nё Shqipёri dhe konkretisht: Organizimi i kursit universitar tё Biologjisё Detare nё Universitetin e Gjirokastrёs 1995; Ndёrtimi i njё rrjeti qendrash nё kanalin e Otrantos pёr studimin e biologjisё detare 2002; Ngritja e njё departamenti tё Ekologjisё pranӫ Universitetit tё Vlorёs, 2003; Projektimi i njё Muzeu/Akuariumi Detar pranё Universitetit tё Vlorёs, 2005; Projekti PER Natur: Turizmi i qendrueshёm, perkorse tematike dhe promovimi i pasurive natyrore dhe kulturore. 2006-2007; Projektimi i asistencёs teknike pёr realizimin e njё Qendre Ndёrkombёtare tё Shkencave tё Detit (CISM) nё Vlorё. Përmes kёtyre projekteve u fuqizuan laboratorёt me aparatura e paisje pёr analiza kimiko-ambjentale, me njё minibibliotekё me literaturё tё shkencave detare,  muze didaktik me reperё tё thatё dhe tё konservuar si dhe ekspozitё fotografike dhe paisje pёr marrjen e kampioneve biologjikë nё det.

Ekspedita shkencore. Pjesёmarrёs dhe pёrgjegjёs/ organizator nё 25 ekspedita shkencore (katër oqeanografike nё Kanalin e Otrantos, katër nё Krime-Ukrainё, 14 nё Shqipёrinё Jugore, tre nё Maqedoni). Duke filluar nga viti 2000, ҫdo vit ka kryer ekspedita nё Shqipёri duke iniciuar bashkëpunimin shkencor me stafin akademik të universiteteve tona, konkretisht: 2002, tetor-nёntor. Vizitё – ekspeditё nё bregdetin e Shqipёrisё Jugore; 2003, qershor-korrik. Kampionime dhe ekspeditё nёnujore gjatё bregdetit shqiptar Jugor; 2004 dhe 2005, Kampionim dhe ekspeditё nёnujore nё Shqipёrinё Jugore; 2006, Kampionime nё liqenet e brendshёm dhe malorë si dhe nё bregdetin Jugor; 2008 shtator, 2009 korrik dhe dhjetor: Ekspeditё nё Malin Sharr – Maqedoni dhe rajonin e Dumresё pёr kampionimin e trupave ujorё nё male tё larta dhe nё zonat e brendshme tё Shqipёrisё; 2011 qershor – Kampionim i trupave ujor nё liqenet artificial nё zonat malore; 2011- 2012 korrik, Eskursion natyralistik me studentёt e magjistraturёs (Masterit) tё Biologjisё Bregdetare dhe Detare dhe Ekologjisё; 2013-2015, Ekspedita kёrkimore nё Kanalin e Otrantos dhe Adriatikut Jugor me anijet oqeanografike Urania dhe Minerva Uno; 2014, 2015, 2016. Ekspedita nё malet e Ҫikёs , Shebenik (parku nacional), Valmare. Ka mundur tё eksplorojё hapësirat bregdetare dhe ato ujore sipёrfaqёsore dhe nёnujore tё Adriatikut Jugor. Ai pёrshkoi zonёn malore tё Shqipёrisё sё Jugut nga Sazani, Karaburuni, Çika, Shebeniku, Skrapari, Pёrmeti, Tomorri, Gramozi e Malet e Sharrit nё Maqedoni. Ka qenë pjesëmarrёs nё tё gjitha aktivitetet shkencore tё zhvilluara nё Universitetin e Vlorёs  dhe ёshtё vlerёsuar me “Çertifikatё Mirӫnjohje” nga Universiteti i Vlorёs me rastin e 10 vjetorit tё hapjes sё Universitetit, si dhe me rastin e 100 vjetorit tё shpalljes sё Pavarёsisё. Belmonte e njeh shumë mirë florën dhe faunën shqiptare, detin dhe malin shqiptar, si të ishte një shqiptar me rrënjë e me degë këtu. Ndër mirësitë e tij akademike shkencore dhe qytetare, katër janë cilësitë më të spikatura: Belmonte është një studiues i vërtetë, një zhytës dhe alpinist i shkëlqyer dhe një vlonjat  i vërtetë. Të dy profesorët e huaj, edhe  Triantafyllos Almpanis (Albanis) edhe Genuario Belmonte, vijnë si tanët në Vlorë, janë bërë si të shtëpisë. Aq jemi familjarizuar, saqë ata i pranojnë dhe shakatë tona, se prof. Triantafyllos Almpanis i flasim Trëndafili Shqiptar dhe prof. Belmontes i themi Mali i Bukur, dhe, duke i bërë të dy tok u flasim Trëndafili Shqiptar në Mal të Bukur. Dhe qeshim çiltër me gurgullima shpirti…

Filed Under: Rajon Tagged With: Albert Habazaj, ME EUROPËN AKADEMIKE, URA LIDHJEJE TE SHQIPERISE, VLORA UNIVERSITARE

Në 80 vjetorin e Bibliotekës së qytetit të Vlorës

December 16, 2016 by dgreca

BASHKËPUNIM KORREKT DHE I DOBISHËM I DY BIBLIOTEKAVE NË QYTETIN E LIBRIT/

1-habazaj

Nga MSc. Albert HABAZAJ*/Ndihem dy herë i vlerësuar që marr pjesë në këtë festë kaq të bukur letrare – kulturore të Vlorës sonë, edhe si njeri i letrave, edhe si specialist biblioteke dhe i punës me librin. Sot kemi gëzim të veçantë, se festojmë ditëlindjen e Bibliotekës së qytetit, festojmë 80 vjetorin e shtëpisë së Librit në Vlorë, cilësuar në rang republike si qyteti i Librit. Në emër të Bibliotekës së Universitetit “Ismail Qemali” përshëndes Bashkinë e Vlorës dhe kryetarin e saj dr. Dritan Leli, që është sot me ne, Qendrën e Kulturës dhe Artit të Vlorës dhe drejtorin e saj të përkushtuar Dhimitër Furrxhi, si dhe uroj nga zemra Bibliotekën Publike “Shevqet Musaraj”: Gëzuar ditëlindjen! Paç jetë të gjatë, o shtëpia e shpirtit dhe e fjalës së shkrimtarëve dhe artistëve të qytetit! Dritërofsh dituri, qytetërim, kulturë e progres gjer në pafundësi!

Në mënyrë lakonike po tregoj pak mikrohistorik: me një vështrim të shpejtë retrospektiv, këtu në Vlorë, kthehemi 22 vite më parë. Qe Këshilli i Ministrave të Republikës së Shqipërisë, që, me propozim të Ministrisë së Arsimit, më 28. 02.1994, me vendimin nr. 105 vendosi të krijohet Universiteti Tekonologjik “Ismail Qemali” në qytetin e Vlorës. Godina e ish –  Komitetit të Partisë dhe ajo e ish – Shkollës Mjekësore u përshtatën në funksion të Universitetit të ri, që hapi dyert më 10 tetor 1994 për 162 studentët e parë të shpërndarë në tre fakultete, të cilët janë simbolika e dallëndysheve të para universitare në Vlorën e historisë, kulturës dhe librit. Me çeljen e Universitetit, filluan përpjekjet për krijimin e bibliotekës dhe në mes të nëntorit 1994 mori formë edhe Biblioteka shkencore universitare në Vlorë. Më 28 nëntor 2005, Biblioteka e Universitetit mori emrin “Nermin Vlora Falaschi” për të nderuar kulturologen dritërore Nermin Vlora, mbesë e Ismail Qemal Vlorës. Rritet universtieti, rritet dhe biblioteka e tij. Kemi mbushur 22 vjeç e kaluar, jemi pjekur profesionalisht dhe qytetarisht, duke krijuar profilin tonë në krahë të bibliotekave si motra të Universiteteve shqiptare, atyre në rajon e më gjerë, pa tjetër dhe me bibliotekave publike më të përparuara, sidomos me bibliotekën publike të Vlorës. Është një udhëtim simbolik, profesional, qytetarisht i duhur dhe me mesazhe, i bukur, harmonik e dashamirës, ku mbesa 22 vjeçare respekton dhe nderon gjyshen 80 vjeçare. Stafeta ruhet duke e kaluar nga njëri brez tek tjetri.  Ne jemi sot. Çimi këtu dhe unë në Skëlë. Se, sa e kemi për nder e krenari qytetare, aq e ndjejmë si përgjegjësi profesionale dhe detyrim moral. Ngaqë (si kudo) bibliotekat ngelen, se ne jemi të ikshëm. Nesër vijnë të tjerë…

Biblioteka e Universitetit të Vlorës ka patur një bashkëpunim profesionalisht korrekt dhe qytetarisht të dobishëm me bibliotekën e qytetit, ku, për një kohë 35 vjeçare (1974 – 2009) ka punuar dhe për gati 20 vjet (1991 -2009) ka drejtuar me kulturë dhe dashamirësi zonja Liliana Lako Gjika, sa që i dha kësaj zonje të rëndë e fisnike  80 vjeçare, bibliotekës së nderuar të qytetit tonë fytyrën e saj me dritë, imazhin e saj me dashuri për librin dhe ëmbëlsi për njeriun, duke u shndërruar në ikonë të bibliotekave tona, si drejtoresha historike e bibliotekës së Vlorës. E përkushtuara Lilianë e bukur na dhuroi ne dhe brezave 3 njësi bibliografike që do të kujtohen me nderim: 1- “Guidën për Bibliotekën Publike “Shevqet Musaraj’, në 17 faqe, (Tiranë, 2006); 2- “Biblioteka Publike “Shevqet Musaraj” në 70 vjetorin e themelimit të saj”, Tiranë, 2006, në 117 faqe dhe 3 – Kartolina “Biblioteka Publike “Shevqet Musaraj”, Vlorë, Albania, që s’ bëhet dy herë. Pas daljes në pension të “klloçkës së zogjve” të shkrimit të botuar, bashkëpunimi ynë ka marrë një formë tre planëshe me shkrimtarin Çlirim Hoxha, si përgjegjës i këtij institucioni të dashur kulturor. Plani i parë është në rrafshin profesional, midis dy kolegësh; plani i dytë është në aspektin krijues, midis dy shkrimtarësh, që ka nëndarjet e saj në publicistikë dhe gazetari dhe vija e tretë, ajo që sot kumbon e duhet të kumbojë fortë, qartë, kthjellët është studimtaria shkencore, ku Çimi feks me punimet e studimet e pavarura për të parët e të parëve tanë pellazgët, që verbojnë ligësinë dhe të verbërit e botës njerëzore që jetojmë. Çimi sapo ka botuar dhe romanin historik “Kodi i baltës së pjekur”, i pari në llojin e vet si specie e veçantë e prozës së gjatë. Por kaq vlen sa për t’u përmendur, se nuk mund të diskutohet më tepër sot, ngaqë kemi ditëlindjen e Gjyshes. Ne si Bibliotekë e Universitetit me Bibliotekën e qytetit kemi realizuar këmbim përvoje, në furnizimin dhe ndërrimin e librave, për huazimin ndërbibliotekar si dhe në përhapjen e librit, gjithçka  në funksion të detyrës sonë qytetarin e sotëm, për studentin bashkëkohor, i cili në mënyrë të shpejtë dhe të lehtë të përvetësojë njohuritë e duhura me ndihmën e fjalës së shkruar dhe me teknikat e format e sotme të popullarizimit dhe përhapjes së librit. Biblioteka  e universitetit në bashkëpunim me Bibliotekën e qytetit ka bërë përurime librash dhe diskutime krijuese të autorëve studentë, pedagogë apo shkrimtarë  të njohur të Vlorës, si dhe përkthimeve që kanë bërë jehonë, të cilat janë pasqyruar dhe nga mediat on line e manuale, të shkruara e vizive, ndërkombëtare, kombëtare e lokale, (ndoshta falë dhe aftësive e mundësive shkrimore të dy drejtuesve) si dhe i kemi të pasqyruara në stendat e veprimtarive të bibliotekave tona. Janë bërë dhe konkurse të fjalës artistike, si dhe inkurajime të talenteve të reja, duke ndihmuar edhe në botime poetike të studetëve me talent e të pasionuar  në thurjen e vargjeve. Pa u futur në statistikat e vijueshme e korrekte, do të përmendja faktin, që studentja jonë e dalluar e masterit shkencor për Gjuhë Shqipe – Letërsi në Universitetin “Ismail Qemali”, Xhiliola Lamaj, pas përurimit të librit të parë poetik “Filozofia e shpirtit” para dy vitesh (2014), duke patur si logjistikë promovimi dy bibliotekat tona, po përgatitet për të na gëzuar me librin e saj të dytë me poezi e me prozë,  më e pjekur, më e arrirë artistikisht, dinjitoze krahasimtarisht me të tjerët dhe me identitet origjinal. Ja kështu, thjeshtë, pa u dukur, bukur e dobishëm bashkëpunon biblioteka e universitetit me bibliotekën e qytetit. Gëzuar ditëlindjen e bardhë o shtëpia jonë e dashur e librit, biblioteka që mban emrin e shkrimtarit Shevqet Musaraj, shkrimtarit emblemë, idealist, revolucional, interesant dhe i dalluar i progresit për kohën që jetoi dhe në vijim!

*) Kumtesa e drejtorit të Bibliotekës “Nermin Vlora Falaschi”, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë. Kumtuesi është edhe kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko”, Vlorë

 

Vlorë, 16. 12. 2016

Filed Under: Komente Tagged With: 80 vjetori, Albert Habazaj, biblioteka e Vlores

Skënder Tena, skulptori i parë i Vlorës

December 15, 2016 by dgreca

skulptori-skender-tena-ne-studio-2016skenderbeu-i-s-tenesvariete-nga-s-tenavelat-e-s-tenesshevqet-musaraj-i-s-tenes

Nga Albert HABAZAJ*/ Skënder Tena është skulptori i parë i Vlorës. Në vitet 1960, kur u shfaq ai, nuk ka pasur të tjerë. Më vonë u formuan dhe zhvilluan talentin e tyre skulptorë si Zeqir Alizoti, Ilia Doko, Bujar Elmazi etj. Skulptori Skënder Tena ka një veprimtari të bollshme me nivel të lartë etiko – artistik. Në vitin 1982 është vlerësuar me çmim të parë nga Galeria e Arteve dhe Seksioni i Kulturës, Vlorë për veprën me titull “Kur zbrite nga Drashovica” – kompozim në skulpturë. Ka 50 punë të ekspozuara në Vlorë, në Tiranë, Lushnjë, Sarandë. Në studion e tij ka shumë vepra të paekspozuara. Një të pestën e punimeve i ka në Itali, Greqi e Amerikë. Ai ka kryer studimet në Liceun Artistik “Jordan Misja”, Tiranë gjatë viteve 1956 – 1960 dhe Akademinë e Arteve të Bukura nga viti 1970 – 1974. Krijimtaria e tij artistike, që ka filluar gjatë viteve 1960, i ka kaluar krenarisht me artin e vet 56 vite pune intensive dhe produktive të dobishme. Ajo vazhdon të jetë po aq e gjallë dhe e freskët edhe sot, pa përfillur peshën e 82 viteve mbi supe. Tena ka qenë pjesëmarrës në të gjitha konkurset artistike lokale dhe kombëtare, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, qysh nga viti 1972. Veprat e tij shquhen për mjeshtëri artistike dhe shumë prej tyre janë të vendosura nëpër galeri, në vendngjarje historike, në parqe, lulishte, shkolla, biblioteka, qendra biznesi etj. Në veprat e tij rreshtohen heronj, dëshmorë dhe personalitete të historisë sonë kombëtare e arsimit shqiptar. Skulptori Skënder Tena ka punuar edhe jashtë Shqipërisë, në SHBA, Greqi dhe Itali, duke lënë atje gjurmët e artit të tij në vepra me mermer të pranueshme për nivelin e kënaqshëm artistik. Skulptori i Popullit Skënder Kamberi ka vlerësim pozitiv për veprën skulpturore të adashit me banim në Vlorë. Ja si shprehet “Mjeshtri i Madh”: “Skënder Tena është pjesa elitare e skulpturës në Vlorë, bashkë me Zeqir Alizotin (se s’ka shumë të tjerë cilësorë Vlora. Tena matet me skulptorët e mirë në Tiranë, që janë me masë, se, kuptohet, kryeqyteti i mbledh më cilësorët. Skënder Tena është ngulmues, i dalluar e serioz në punën e tij krijuese të lavdëruar”. Skulptura e tij dallon se, nuk është thjesht arti i krijimit të statujave, busteve e veprave të tjera artistike me vëllim, duke i gdhendur në mermer, gur, dru, në metal, etj., ose duke i mbrujtur me një lëndë, por është së pari shpirti i artistit i derdhur me ndjenjë dhe dashuri për punën e tij fisnike. Një shërbim i duhur (dhe i vonuar) ndaj 56 viteve shërbim që skulptori dhe mësuesi i ka bërë Vlorës, një vlerësim i thjeshtë qytetar, (i merituar me kohë), është ky që i bëjmë atij burri të fuqishëm e të paulur të artit në Vlorë, përfillje e respekt, të cilin, i emocionuar, vetë Skënder Tena e quan gur nderi të krijimtarisë dhe dinjitetit të tij krijues.

Disa nga punët krijuese të ekspozuara të skulptorit Skënder Tena në skulpturë janë:

  1. “Mësuesi i Popullit Jani Minga”, Qyteza “Studenti”, Vlorë, (ish-shkolla Pedagogjike), 1962;
  2. “Heronjtë e Luftës së Vlorës Kanan Maze e Zigur Lelo”, Muzeu i Kotës, Vlorë, 1970;
  3. “Djemtë e Revolucionit”, basoreliev, Shkolla Tregtare, Vlorë, 1975;
  4. “Heroi i Popullit Bajram Curri”, projekt, 1975;
  5. “Heroina e Popullit Zonja Çurre”, Muzeu i Tragjasit, Vlorë, 1976;
  6. “Vjelja e misrit”, Novoselë, Vlorë, 1977;
  7. “Agronomet e grurit”, Novoselë, 1977;
  8. “Lahutari malësor”, Galeria e Arteve, Vlorë, 1978;
  9. “Puthja e Flamurit Kombëtar, 1912: Isa Boletini, Ismail Qemali”, Ekspozita Kombëtare, Tiranë, (Galeria e Arteve, Vlorë), 1978;
  10. “Nëna labe”, Galeria e Arteve, Vlorë, 1979;
  11. “Kur zbrite nga Drashovica, Heroi i Popullit Selam Musai”, Galeria Vlorë, 1986;
  12. “Punime në mermer”, Itali, 1994;
  13. “Shatërvan në mermer”, Itali, 1995;
  14. “Spiralet-dekorative”, Biznes, Vlorë, 1998;
  15. “Dëshmori Reshat Hoxha”, Shkolla 9 vjeçare Bishan, Myzeqe e Vogël e Vlorës, 1998;
  16. “Përkujtimore familjare”, Vlorë, 1998;
  17. “Ismail Qemali”, Bashkia Vlorë, 1999;
  18. “Shatërvani Gjimnazistja”, Ujë i Ftohtë, Vlorë, 1999;
  19. “Shatërvan Velat”, Ujë i Ftohtë, Vlorë, 1999;
  20. “Skënderbeu”, në studion e autorit, 2000;
  21. “Përkujtimore familjare”, Vlorë, 2000;
  22. “Përkujtimore familjare”, Vlorë, 2001;
  23. “Mësuesi i Popullit Trifon Prifti”, Shkolla 9 vjeçare Akërni-Aliban, Myzeqe e Vogël e Vlorës, 2001;
  24. “Pulëbardhat”, shatërvan dekorativ, Sarandë, 2001;
  25. “Pulëbardhat”, Hotel “Butrinti”, Sarandë, 2001;
  26. “Dritëro Agolli”, në studion e shkrimtarit të madh, 2001;
  27. “Tek burimi”, Ujë i Ftohtë, Vlorë, 2002;
  28. “Dëshmori Pilo Prifti”, Shkolla e Mesme e Myzeqesë së Vogël, Novoselë, 2002;
  29. “Shevqet Musaraj”, Biblioteka e qytetit, Vlorë, 2003;
  30. “Dëshmori”, Shkolla 9 vjeçare Dëllënjë, Myzeqe e Vogël e Vlorës, 2003;
  31. “Dëshmori Reshat Hoxha”, Shkolla 9 vjeçare Bishan, Myzeqe e Vogël e Vlorës, 2003;
  32. “Dëshmori Reshat Hoxha”, Shkolla 9 vjeçare Bishan, Myzeqe e Vogël e Vlorës, 2003;
  33. “Dëshmori Uani Sota”, Shkolla 9 vjeçare Delisuf, Myzeqe e Vogël e Vlorës, 2003;
  34. “Reliev”, Biznes, Vlorë, 2003;
  35. “Dashuri prindërore”, kompozim, Vlorë, 2003;
  36. “Baritore Shatërvan”, Tragjas, Vlorë, 2004;
  37. “Baritore”, Qendër Tragjas, Vlorë, 2004;
  38. “Nderim të rënëve policë”, Komisariati i Vlorës, 2004;
  39. “Peizazh”, Amerikë, 2004;
  40. “Vaçe Zela”, Muzeu i Lushnjës, 2004;
  41. “Mësuesi i Popullit Jani Minga”, Gjimnazi “Jani Minga”, Vlorë, 2006;
  42. “Rexhep Qosja”, Vlorë, 2006;
  43. “Ismail Kadare”, Vlorë, 2007;
  44. “Dritëro Agolli”, Vlorë, 2009;
  45. “Al Bano”, në studion e këngëtarit, Itali, 2009;
  46. “Al Bano”, klubi “AL Bano & Romina”, Vlorë, 2009;
  47. “David H. Sachs, shkencëtari amerikan”, Boston, 2014;
  48. “Formë dekorative”, projekt për Vlorën, 2015.
  49. “Ismail Qemali”, në proces në studion e tij, si dhe një kompozim për Luftën e Vlorës, 1920 (2016). Autori ruan me fanatizëm në studion e tij edhe në punim të vjetër, “Enver Hoxha, 1965; “Është vepër arti imja, si gjithë të tjerat, kam goxha nga mundi im artistik të kohës” – shprehet Tena.

Për më tepër, në intervistën e tij do të kemi fakte, ngjarje, të dhëna e të thëna të panjohura për lexuesin e gazetës sonë dhe publikun artdashës

Pyetje: – Zotni Tena, ju jeni një emër i dëgjuar në botën kulturore – artistike të qytetit dhe më gjerë. Ju lutem, dy fjalë telegrafisht për lexuesin e mbi jetën tuaj në gjininë e skulpturës, se ne, kështu e kemi, po s’të mësuam pak biografi, nuk na zë fjala për më tutje …

Përgjigje: (qesh) – Ashtu është vërtetë, ua kam mësuar natyrën vlonjatëve, u plaka në Vlorë ndaj pa humbur kohë po ta rrëfej jetëshkrimin tim apo C.V-inë, si i thoni sot. Unë, Skënder Tena kam lindur në qytetin bregdetar të Sarandës më 10 Qershor 1935, nga prindër të thjeshtë e të ndershëm, të lidhur me Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare. Babai im Malo Teno dhe nëna Shaniko bënë 6 fëmijë: 3 djem e 3 vajza. Arsimin 7 vjeçar e kreva në vendlindje në vitet 1950 – 1954. Pastaj më thirrën për ushtar, 3 vjet, se në atë kohë funksiononte shërbimi i detyrueshëm ushtarak për çdo mashkull të aftë shëndetësisht. Ushtrinë e bëra në Tiranë, në repartin e MKK (Mbrojtjes Kundër Kimike). E kujtoj dhe s’e harroj kohën me uniformën e blertë, se pikërisht në kohën e shërbimit ushtarak, nevojat e punës me emulacionin, kërkuan të dilnin në evidencë dhe aftësitë e mia, fillimisht si dizenjator i repartit. Kjo periudhë përbën trampolinën e talentit tim, që po merrte hov. Dhe me artin s’u ndava më dhe nuk ndahem tërë jetën. Në vitin 1960, sa mbarova Liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë (themeluar në vitin 1946), emërohem mësues në Shkollën e Mesme Pedagogjike Jani Minga”, Vlorë. 7 vjet punova atje, se paskëtaj shkolla u mbyll dhe unë kalova në Shkollën 8 vjeçare “8 Nëntori” (sot “Rilindja”), e cila sapo qe çelur (1967). Bëra një vit aty e nga 1968-’69 – a më transferojnë në Sevaster. Pas Sevasterit shkoj për plotësimin e arsimit tim në ILA (Instituti i Lartë i Arteve, sot Universiteti i Arteve, Tiranë). Pas përfundimit të studimeve të larta, në vitin 1975 deri sa dola në pension në vitin 1990 punova në shkollën “Lef Sallata” të qytetit. Aktiviteti im artistik s’u ndërpre asnjëherë.

Pyetje: – Vërejmë se përveç talentit të spikatur, ju punoni me dashuri të veçantë, të ndjeshme, por të padukshme. Kush ta futi dashurinë për skulpturën? Ku është burimi i kësaj prirjeje tuaj të brendshme? Prindërit? Vendlindja?

Përgjigje: – Dashuria për artin është e lindur tek unë, e pandikuar nga askush. Thjesht, ka qenë intuita ime. Nuk më ka ardhur nga prindërit pasioni, se, siç të thashë, njerëz të thjeshtë i kam patur. Ka lindur vetvetiu, ka ardhur vetë pra, por patjetër edhe qyteti im i lindjes, si kartolinë e bukur, i ka lënë gjurmët e veta në qenien time si krijues. Kam rendur shumë pas formave të bukura të njerëzve. Saranda më ka frymëzuar si vend i veçantë, se shohim me sytë e shpirtit të bukurën në këtë qytet simpatik, që të rrit bagazhin e vlerave, që duhet të bëjë të vetat njeriu. Saranda më ka bërë mirë si mjedis në formimin tim artistik, ambjenti shoqëror po ashtu, natyra pa diskutim. Në Sarandë kam një formë dekorative të ekspozuar te hotel ‘Butrinti’, titulluar “Valët dhe pulëbardha” (viti 2001). Ka dalur dhe si kartolinë dhe është pëlqyer shumë nga specialistët dhe turistët. E kanë pëlqyer shumë edhe Muntaz Dhrami e skulptorët e piktorët tanë më të shquar që e kanë parë dhe vlerësuar. Kur u përurua mjedisi i dekoruar, në vitin 2001, vetë Dhrami është shprehur: “Punimet e karakterit dekrativ, ti Skënder i ke të shkëlqyera. Të përgëzoj!” Qysh i ri më kanë pëlqyer shumë fotografitë dhe vizatoja me qejf portretet e njerëzve të njohur, Enver Hoxhën, Marksin, Stalinin, Qemal Stafën etj. Edhe sot, e bëj me kënaqësi këtë punë.

Pyetje: – Kush të çoi në Lice?

Përgjigje: – Në Lice më ka çuar këmbëngulja ime, kërkesa që i bëra ministrit të Kulturës së asaj kohe (Ramiz Alia qe) e gushtit 1956, kur shërbeja në repartin ushtarak të Kimisë në Tiranë. Më ishte tiposur në kokë, që se s’bën unë të vazhdoja studimet për artet figurative. Pasi paraqitem në Ministrinë e Arsimit (sepse më kërkuan menjëherë, edhe pse isha ushtar), takohem me sekretarin e ministrit, të urtin Ruhi Bashari. E mbaj mend dhe sot atë mirëpritje aq të ngrohtë të atij njeriu babaxhan, i cili, në sy tim, mori në telefon Sarandën (seksionin përkatës në komitetin ekzekutiv) dhe e urdhëroi të përgatiste dhe t’i niste Tiranës dokumentet e mia. Saranda më ndihmoi dhe u jam shumë mirënjohës atyre njerëzve dashamirës, që qofshin të kujtuar për mirësitë korrekte të tyre ndaj meje (se jeta bën të vetën, po iki unë tani …)

Pyetje: – E mbani mend kur e keni krijuar skulpturën e parë? Ç’ mbresa ka lënë në kujtesën tuaj artistike?

Përgjigje: – Po, si s’e mbaj mend, ore?! Ka qenë viti 1962, kur unë realizova skulpturën e parë, Mësuesin e Popullit Jani Minga, në gips (allçi). Isha mësues vizatimi dhe bukurshkrimi në pedagogjike. Me rastin e 50 vjetorit të Pavarësisë busti u vendos më mjediset e ish – Shkollës së Mesme Pegagogjike, që qe krijuar në vitin 1955, nga dyert e së cilës dilnin mësues nga të gjitha rrethet, që nga Rrogozhina, Përmeti e në Konispol. (Më vitin 1967 shkolla u tjetërsua, se në ato godina u transferua Shkolla e Mesme Mjekësore e Tiranës “Jani Minga”, që pastaj u bë aq e njohur në rang Republike për kohën. Më vitin 1994, ato mjedise u shfrytëzuan për Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë, për Fakultetin e Infermierisë dhe atë të Edukimit, për mësim dhe strehim të studentëve. Busti i Jani Mingës që krijova unë, i rezistoi kohërave dhe sot e kësaj dite është atje, në sheshin e qytezës “Studenti”, Vlorë). E kujtoj me emocion punën time të parë, se e inaguroi vetë ish – Ministri i Arsimit, Thoma Deliana, një burrë i ditur, i drejtë, i kulturuar, aq sa i dashur e i thjeshtë, aq dhe autoritar. Shoqërohej nga korifejtë e fushës sonë Kristaq Rama, Andrea Mano e Nexhmedin Zajmi. Mori pjesë gjithë stafi pedagogjik i shkollës dhe drejtori i saj aq korrekt e vizionar Harilla Kuçuli, që u jam mirënjohës gjithë jetën për përkrahjen dhe ndihmën që më dhanë, aq të çmuar për mua në atë kohë.  E si mund ta harroj atë ditë aq të madhe për mua, kur krijimi dhe respekti më morën në krahët e fluturimit…

Pyetje: – Ku mund t’i gjejmë disa nga gjurmët tuaja krijuese të asaj kohe?

Përgjigje: – Në Lice kam punuar Maksim Gorkin, gdhendje në dru, gjendet në fondin e Liceut. Edhe në ILA ka disa vepra të mia. Për shembull, në fondin e shkollës është një portret vajze, një portret minatori. Kur isha student i vitit të dytë në ILA, kam realizuar portretin e Naimit, reliev në gips; gjendet në Muzeun e Vëllezërve Frashëri. Në Lushnjë, relievin e varrezave të dëshmorëve të Lushnjës e kam realizuar në vitin 1972, me porosi nga ish – Komiteti Ekzekutiv i rrethit të Lushnjës (se ashtu funksiononte atëherë). Në se ke parasysh filmin “Udhëtim në pranverë”, ky reliev del te pasazhet me këngëtaren e njohur dhe aq të ëmbël Liliana Kondakçiu. Në Muzeun e Tropojës kam një portret dëshmori, bërë në vitin 1974. Pata dhe një reliev të madh me disa plane, me pamje luftërash midis palëve osmanë – shqiptarë dhe nazistë e partizanë, një nënë etj. E punova me shumë dashuri dhe talent profesional, por nuk u vendos. Më lindën kontradikta me kryesinë e LSHA – së. Qe planifikuar ta bënte një emër i madh (K. Rama), po ta lëmë këtë bisedë … (rrudhet në fytyrë dhe, me gjithë këmbënguljen time, nuk do ta vijojë).

Pyetje: – Në çfarë gjinish janë punët e tua, Skënder? Kam dëgjuar që lëvron dhe pikturën, ë?

Përgjigje: (qesh) – Skulptura, skulptura është fusha ime e krijimtarisë. Punoj në bronx, në çimento, në dru dhe mermer. Piktura…Në fakt është e panjohur piktura ime. Ti nga e di? Në fakt, nuk e kam ekspozuar sa duhet, kam punuar pothuaj për kënaqësinë time. Kam qenë shumë i pasionuar ndaj peizazhit, kompozimit, portretit. Sinqerisht, i bëj me shumë dëshirë e shumë fuqi profesionale. Sikurse dhe krijues të tjerë, xhanëm. Pikturoj për qejfin tim. Në arkivin personal kam plot, u kam dhënë miqve, po ashtu. Më vitin 2003, kur kryetar Bashkie qe dr. Niko Veizi, hodhi idenë për një ekspozitë të zgjedhur me rastin e festave të Nëntorit, në Muzeun Historik të Vlorës. Unë u paraqita me kompozimin “Dashuri prindërore”. Atje është kompozimi im. E falënderoj atë ish-drejtues human dhe dashamirës me artistët. (As kam interes tek ai, as ai tek unë)

Pyetje: – Cili është stili yt krijues, Skënder, dallues nga të tjerët?

Përgjigje: – Forma artistike, si tipari im dallues në krijimtari, konsiston në trajtën interpretuese dhe jo në fotografimin e objektit, në forcën ekspresive, në gjendjen psikologjike jetësore e figurative. Për mua, forma ekspresive që vesh figurën artistike është tipari kryesor në një vepër arti të skulpturës. Këto kam dashur të theksoj dhe t’i jap veprës artistike në vitet 1960-2016, formën e materialit të fortë, gurit, që është një lëndë minerale e fortë dhe e patretshme në

ujë, por do punuar me kujdes se është e thyeshme. E kështu, do të vazhdoj të punoj. Sa të jem. Ndonëse u mbyllën 56 vjet, Skënder Tena rri pranë skulpturës. Kam plan e kam në dorë të ndërtoj e të gdhend në gips figurën ëngjëllore të Shenjtores Nënë Tereza.

Pyetje: – Kush është familjari Skënder Tena?

Përgjigje: – Familja për mua ka qenë domosdoshmëria dhe korrektësia e jetës njerëzore në çift. Për të pasur një familje të sinqertë dhe të shëndetshme duhet dashuri, besim dhe korrektësi. Por, martesa e parë, që u bë në vitin 1964, nuk funksionoi … Kam dy fëmijë me gruan e parë, një vajzë e një djalë. Vajza quhet Miranda Tena, ka mbaruar për merceologji, jeton e punon në Greqi. Djali, Adrian Tena ka mbaruar shkollën e mesme të pikturës dhe institutin e lartë, ushtron pikturën, jeton në Tiranë me familje e fëmijë. Familjen e dytë e kam krijuar më vitin 1977. Kjo është bashkëshortja ime e dashur, Vera nga Krutja e Lushnjes. Është jo thjesht krahu i djathtë, por gjithshka për mua. Me profesion mësuese, ka dhënë mësim në Ciklin e Ulët për pedagogji dhe ka punuar në administratë (me ardhjen e Demokracisë qe në Panaja, ku dhe doli në pension në vitin 2004). Kemi dy vajza: Arsedën, lindur në vitin 1982 dhe Aidën, lindur më 1984. Ikën të dyja me viza studenti në SHBA. Arseda ka qenë alidemiste, vazhdon Harvardin, specializim doktorature për punë kërkimore – shkencore në degët farmaceutike dhe ka marrë e merr pjesë në konferenca të ndryshme ndërkombëtare të fushës në Australi, Japoni, Itali etj., ku dhe është vlerësuar me çmime. Aida përfundoi studimet në Universitetin tuaj (“Ismail Qemali”, Vlorë), mbaroi masterin në një universitet të Bostonit, ku dhe ka krijuar familjen e saj. Na ka bërë dhe një çupë si gonxhe, Meriana quhet. Ida punon në një kompani financiere në Dallas … Shkojmë e vijmë me fëmijët. Edhe në Amerikë. Vijnë ato më shpesh. Ne – më rrallë. Ndihemi krenarë e të lumtur për to, por nuk është për ne Amerika… (Ndërhyn Vera: “Këto arritje të tyre janë edhe falë kërkesave të forta për fëmijët: i rreptë, me kërkesë llogarie dhe po aq i dashur. Respektimi i këtyre normave të edukimit e kanë bërë me dinjitet në familje e shoqëri Skënderin”).

Pyetje: – Kam një pyetje shumë delikate. Skënder, të shikoj në sy dhe e dua përgjigjen profesionalisht të vërtetë dhe do ta krahasoj a është në funksion të shijeve artistike dhe estetike të qytetarëve tanë: Ç’mendim keni për trinomin skulpturor të Skelës (dy punimet për Ismail Qemalin dhe një për Isa Boletinit)?

Përgjigje: (qesh hidhur dhe më sheh në sy) – Busti i Ismail Qemalit para korpusit qendror të Universitetit tuaj është i paarrirë artistikisht. Edhe si karakter. Monumenti “Ismail Qemali” para sheshit është me dobësi në lidhje me formën, s’ka gjetjen e duhur artistike. Është shumë e copëtuar si vepër. Në skulpturë, Plaku i Flamurit pallkon e mban në dorë. E pajustifikueshme kjo. Jo e gjetur si duhet zgjidhja kompozicionale. Po kështu nga karakteri i ngjashmërive. As “Leninit në Tetor” nuk i ngjan. Muntaz Dhrami ka ngelur i pakënaqur me këtë punim, duke u shprehur negativisht për realizimin. Isa Boletini?! Obobo, as që shihet me sy. Me dobësi të theksuar të anatomisë artistike, të formës artistike, të karakterit dhe të momentit emocional, të frymës së tij të brendshme, e cila mungon tërësisht. Nuk del fryma artistike, trimi, heroi, legjendari i Pavarësisë. Mungon karakteri i malësorit trim. Or mik! E thotë bukur kënga, historia, poezia portretin e Isa Boletinit. Atë skulpturë, më mirë të mos e kishin bërë fare, se u bë aq keq. S’kishte nevojë kush për atë bust të dobët, as Ismail Qemali, as Vlora, as Kosova, as Shqipëria. Më vjen keq miku im, paska shumë egoizëm të vogël në art. Me hatëre, me qoka e servilizma s’bëhet kurrë art!

Skuptori i njohur Skënder Tena, që sot pleqëron veprimtarisht pa u ulur, që gëzoi të tjerët, do të ndjente kënaqësi të vlerësohej me një respekt moral. Aq më tepër në këtë moshë. Nuk ka të drejtë të gëzojë ai? Kur jo pak të tjerë, dhe me shumë më pak vlera, kanë marrë dekorata në katror dhe në kub…Veçse, Skënderi kurrë nuk ka kërkuar vlerësim, se se ka patur dhe nuk e ka qejf t’u qepet dekoratëdhënësve për të marrë një medalje (patjetër me kohë të merituar).  Përveç atij çmimit lokal për 70 vjetorin e Pavarësisë, as nga arsimi nuk është vlerësuar dhe nga njerëzit kompetentë të artit në hije ka mbetur. Artistët e vërtetë kanë nevojë për dinjitet, jo për dekorata.

*) autori i kësaj interviste është dhe kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko”, Vlorë

Filed Under: Kulture Tagged With: Albert Habazaj, i Vlorës, Skënder Tena, skulptori i parë

Kostumografia femërore dhe sfida për dinjitetin e folkorit burimor

December 6, 2016 by dgreca

1-grupi-labEtnografi dhe folkor/2-labetDhjetë nga Miro Tërbaçet e këngës labe/

nga MSc. Albert Habazaj, studiues i Etnologjisë dhe Folkorit/

Sfida e polifonisë femërore. Sikurse çdo lab, të gjithë tërbaçiotët e pëlqejnë dhe e duan këngën labe dhe sidomos këngën tërbaçiote, ndërkohë, kur Tërbaçi është i vetmi fshat në Labëri, që, siç thonë, ka 36 melodi. Si asnjë fshat tjetër në Labëri. Të gjithë tërbaçiotët këndojnë. Dhe këndojnë bukur. Kanë dhe një valle të rëndë, të fuqishme, të sertë, të bukur e të rreptë, burrërore, të madhërishme, trimërore, si gjëmim vetëtimash, me një strukturë si malet hijerëndë mbi krye. Në përgjithësi – si kudo në Lumin e Vlorës, Kurvelesh e Labëri. Në imtësi-ndryshe nga të tjerët. Në vijën melodike dhe interpretim magjik. Tërbaçi ka bërë shumë për bijtë e bijat e tij. Kur kemi patur nevojë e na është dashur, e kemi përdorur me ballin lart emrin e tij për ta nderuar me emrin dhe veprimin tonë në jetë. Kujtesa jonë historike i ka në kurorën e nderit të parët tanë të lartë: Lulo Habazin, “malin në mes të detit/ që i ktheu gjoksin dovletit” osman, Miro Tërbaçen me histori e këngë, “tërbaçiotja vajzë,/ që ormisi pashanë,/ se tërbeçtë haraçe/ hasmit nuk i dhanë”. U përulet me nderim të gjithë atyre bijve dhe bijave, që në rrjedhat e kohës ia mbajtën ballin të pastër, të pa ulur e më nder. Në kohë me diell e me furtunë. Në luftë për liri, emancipim e përparim. Edhe në kulturë. Edhe në folkor. Pikërisht ky motiv i lartë atdhetar dhe artistik, mblodhi bashkë (kësaj radhe) dhjetë gra, nëna e gjyshe, dhjetë vajza tërbaçiote të përkushtuara, të zonja me zë thëllëze e dinjitoze. Paska ngelur ende një atavizëm apo është ngulur ndër një pjesë tonën dhe një ves: Ne duam të jemi të gjithë në qoshe (pavarësisht e meritojmë e jo pak herë edhe pa e merituar). Duke pirë kafe me Pesën, Shpresa Kapo Çelaj, kushërirën dhe shoqen time, nga klasa e parë në të tetën, na shpreh merakun dhe shqetësimin, se kush kemi qenë dhe kush jemi?! Pse ramë në këtë gjendje, që, të paktën, të shkakton keqardhje? Kur Pesa merr vesh që vjen në Vlorë nga Greqia për pushime Nazua, më thotë të takohemi dhe të flasim të tre ç’duhet të bëjmë. Nazo Dautaj (Diana Ribaj) ka qenë marrësja kryesore e grupit të Tërbaçit. Shoqe klase me ne, angazhuar me këngën polifonike tërbaçiote, qysh në klasë të tretë dhe s’iu nda deri sa iku në mërgim. Vigane e famshme e këngës labe. Amazonë e pashoqe, e paarritshme, e papërsëritshme në zë. E madhe. Shoqe tjetër s’kish. Por…u largua. Erdhi për fat, sa për të ndezur zjarrin (hë për hë) dhe ta mbajnë ndezur bijat që janë në Atdhe, sipas mundësisë, në Tërbaç e në Vlorë. Nazua shfaqet në horizontin folkorik si kryeshqiponjë e malit të Çikës për këngën burimore tërbaçiote, në përsosmëri realizimi, e ngjizur me këngën si një harmonikë qiellore. Takohemi të tre dhe diskutuam edhe për hallet e dertet e këngës së Tërbaçit. Në këtë bisedë folëm për ringritjen apo formatimin e një grupi polifonik femëror. Se kush nuk ka ngritur grupe sot …e u shua Tërbaçi ynë, ai çikë Tërbaç, që kujt s’i ka dhënë emër. Dhe sot…u katandis kështu…, si trasta në degë. Tallen. E shpërdorojnë dhe, së pari ata, që ai u dha atë emër të lartë. Ja kështu mori udhë ideja e këtij grupi të veçantë. (Nuk do ta trajtojmë më tepër këtë çështje, sepse kohë më parë kemi publikuar shkrimin “Polifonia femërore-Grupi i Vajzve të Tërbaçit”). Në këtë grup, të quajtur Grupi i Vajzave të Tërbaçit, bëjnë pjesë 10 këngëtare tërbaçiote, që, mbas shumë provash, konsoliduan profilin e këngës grarishte të vendlindjes, duke ruajtur origjinalitetin e folkorit përkatës lokal. Ato janë, përkatësisht: Shpresa Kapo Çelaj (ditëlindja 1960, me shkollë të lartë), Liliana Rrapi Kapo (dtl. 1961, sh.l.), Hava Çelaj Muça (dtl. 1960, sh.l), Baftie Dauti Xhelili (dtl. 1963, sh.l.), Evgjeni Habili Seferi (dtl. 1964, me shkollë të mesme), Lavdie Goxho Xhaka (dtl. 1958, sh.m.), Vitore Shiroka Veraj (dtl. 1961, sh.m.), Antoneta Goxho Mehmetaj (dtl.1970, sh.m.), Liri Gaçe Shkurtaj (dtl. 1960, sh.m) dhe Madelona Mëzyraj Skëndaj (dtl. 1983, sh.m.). Polifona femërore është një prurje që sot i mungon Labërisë. Po bëhet gjithnjë e më e vështirë ruajtja e traditës foklorike e këto gra e vajza tërbaçiote, që janë për t’u përgëzuar, na paraqesin një pamje tjetër këngës tërbaçiote, botën lirike. Kënga e Tërbaçit është njohur sidomos për ngjyrat e fuqishme epike, për stilin recitativ e madhështor, për gjëmimin me breshëri artistike deri në përsosmërinë e epikës historike, sidomos me marrësat e paarritshëm Sinan I. Hoxha dhe Syrja N. Hodo. Ndërsa këto vajza, veshur me kostumet, që dikur vishnin nëpër dasma, gëzime e ceremoni festive gjyshet, nënat, hallat tona na shfaqen me lirikat e trëndelinta, sidomos në këngët dy vargjëshe, ku dallon tingulli lirik, aq i ëmbël e i shtrirë i labëreshës tërbaçiote. Tek grupi i vajzave të Tërbaçit evidentohet dukshëm dhe merr kështu një shkëlqim brilant karakteri sinkretik i foklorit për ta transmentuar brez pas brezi edhe me veshjen karakteristike të fshatit. Këngën e vlerësojnë si ushqim të shpirtit dhe, si të tillë, e ruajnë të pastër duke e çuar më tej. Këto dhjetë Miro Tërbaçe janë hedhur në krahë të Eposit folkorit, sikur të ishin shqiponjat e malit të Çikës.

Kostumet tradicionale të femrës tërbaçiote. Dikur, (botimet enciklopedikedhe ato historike lokale përmendin shekullin XVII), sipas traditës së vendit, gratë e Tërbaçit “kanë mbajtur fustan të gjatë të bardhë ose kafe, deri te qafat e këmbëve. Për nuset fustan i kuq, vajzat zakonisht të bardhë. Mbanin pallto leshi pa ose me mënga, që i thoshin xhoke, futë leshi, shami të ngjyera në bojë të kuqe, të verdhë për të rejat dhe me ngjyrë kafe ose të zezë për të moshuarat. Çorape leshi të gjata deri afër gjurit, të qëndisura me ngjyra të ndryshme, opinga prej lëkure ose këpucë me xhufka në majë, jelekët i qëndisnin me gajtane me ar, dhe i mbërthenin me folla prej argjendi ose bronxhi. Në vesh mbanin vathë të mëdhenj prej argjendi, ndërsa vajzat mbanin nga një fill dhe një rruazë…

Nga fundi i shekullit XVIII, veshja për gratë ndryshoi, dhe në vend të fustaneve të gjatë u përdorën çitjane ose tumane [ndikim i kulturës fetare islame, importuar e diktuar nga pushtesit osmanë. Shën. im, A.H]. Nga fillimi i shekullit XX filloi të përdorej veshja më e moderuar, sidomos nga burrat”. Xhokja ishte veshja e sipërme dhe e trashë prej shajaku për gra e për burra, pa mëngë ose me gjysma mëngësh a me mëngë të gjata të hedhura prapa, që shkonte deri në brez dhe që kishte zakonisht një pjesë me thekë prapa, e cila hidhej mbi kokë. Përdoreshin xhokë e bardhë (e zezë) dhe xhokë me thekë (me xhufka).

Këto gra të përkushtuara, me sedër të shëndoshë për shpirtin e vëndlindjes, vendosën me forcat e tyre të përgatiteshin seriozisht për këtë mision. Pasi u konsolidua grupi dhe mori formën e plotë, të pakthyeshme e të patjetërsueshme, menduan, diskutuan, pyetën dhe projektuan udhëtimin e tyre polifonik. Duke filluar nga kostumet, me vështirësi ekonomike, kursyen nga të ardhurat familjare, me sakrifica arritën të realizonin modelin e tyre të veçantë kostumografik. Kostumi i sotëm folkorik i Grupit të Vajzave të Tërbaçit përbëhet nga: 1. Fundi, i shkëputur nga polka, punuar me material atllas me pala, (pëlhurë e mëndafshtë, e lëmuar dhe me shkëlqim nga njëra anë) me ngjyrë të kuqe, i gjatë deri në fund të këmbëve; 2. Polka, me ngjyrë mente, pak a shumë si modeli i vjetër, me jakë si jakë marinari; (emri i kësaj veshjeje nuk ka të bëjë me vallen me ritëm të gjallë e të shpejtë, që kërcehet me masën prej dy kohësh dhe muzikën për këtë valle); 3. Jeleku, me material shajak i zi (që zëvendësoi xhoken), me qëndisje e stolisur me ornamente dekorative zbukuruese, mbërthyer me kapse; 4. Shamia, me material mëndafsh i hollë, një mente e lehtë, e dashur, jo e rëndë, e ëmbël.

Është respektuar tradita, duke futur ngjyrën e kuqe, kombinuar me ngjyrën e zezë, nga që janë ngjyrat simolike të kombit shqiptar, (si pjesëz e së tërës edhe të Tërbaçit). Në këtë rrafsh, është ruajtur paradigma folkorike novatore e Kujtim Micit, (sinonimit të folkorit, kulturës dhe arsimit në Tërbaç). Njëra nga këngët më të njohura të Krijuesit tonë ka dhe këto vargje sintezë të lirikës elegjiake, me të cilat nëna tërbaçiote i këndon me vaj e ligjërime djalit të rënë për liri: “Unë shaminë e zezë/ e preva shqiponjë./Ja qepa flamurit/ shokëve t’ua dërgojë…”. Kujtim Mici, për mendimin tonë, është konsekuent në vijën kombëtare të vargut vigan. Realizimi material i kostumeve ka si bazë nisje dhe plotësimi metaforën “Shqipëri, nuse bregdeti”, që është lajtmotivi poetik i këngëve të Krijuesit të fuqishëm artistikisht dhe vizionar. Fustani i kuq dhe i gjatë i nuses këngëtare, sot është rezonim i harmonishëm i traditës së njohur, së paku, qysh nga shek. XVII me risitë bashkëkohore, aq të hijshme, tërë dritë e shkëlqim dhe pa teprime.

Pasi kërkuam modelet ndër këngëtaret e vjetra të fshatit tonë e gërmuam në kujtesën tonë folkorike, përzgjodhëm variantin e duhur për të nisur udhëtimin e gjatë folkorik. Pas shumë këshillimesh, kostumet u punuan tek “Moda fashion” e zj. Linda Fejzaj në Vlorë. Sipas stilistes vlonjate Linda Fejzaj, me përvojë 20 vjeçare, (e cila ndihet krenare për origjinën e të parëve të saj nga Vranishti i njohur për histori e kulturë), kostumi femëror etno-folk i fshatit Tërbac, vjen i moderuar në shekullin e XXI, duke u mbështetur mbi origjinalin si dhe për të ruajtur origjinalitetin e tij. Kostumi femëror etnofolk i Tërbaçit është i përbërë nga:

1) Fundi akllas, mëndafshi i kuq, i gjatë deri tek kyçi i këmbës, organizuar me kufopjeta në bel, me qemerin 4 cm, dhe zinxhirin e fshehtë pas, ku përveç tij, janë edhe mbërthimi me folla ngjyrë argjendi;

2) Këmisha krem, ngjyrë mente, me hapje (tape) deri poshtë gjoksit, jakë ushtarake, mëngë të gjata me kapak, mbërthimin me kopsa në ngjyrën e copës, (pesë kopsa: tre në tape, dhe nga një tek mëngët). E veçanta vazhdon të ekzistojë edhe tek ky element, në pjesën e përparme në anë të tapës – shoqërohet nga dy tegela milimetrikë, të cilën e shohim edhe në pjesën e pasme;

3) Jeleku, përbërë nga stof 100% lesh, i zi, me gjatësi deri tek beli, qëndisur me fije ari përgjatë gjithë gjatësisë, shoqëruar përreth harkut të qafës, harkut të kavadures (krahut), si dhe në gjerësinë, ku konturohet fundi i jelekut, duke u mbyllur nga dy folla ngjyrë argjendi në bel, ku puthiten me qemerin e fundit;

4) Shamia e kokës, e zgjedhur ngjyrë mente, e njëjtë me këmishën, e një përbërje “chiffon”, (byrynxhyku, pëlhurë e bërë me fill të hollë mëndafshi), në formë trekëndëshe, shoqëruar me një kordon syzatori, ku identifikohen perlat e së njëjtës ngjyrë që qarkojnë gjithë gjatësitë – kaluar mbi flokë, shoqëruar nga pas veshëve, ndërsa dy cepat vijnë përpara;

5) Vathët prej floriri kokërr, që identintifikohen;

6) Këpucët lëkure me xhufka të kuqe, me mente në majë.

Po kush është zj. Linda Fejzaj? Me që ky kostum etno-folk u soll në kohë në ”Linda Fashion design” nga e palodhura, e përkushtuara sfidante kombëtarisht në fushën e kostumografisë, zonja Linda Fejzaj, i takon nga ne mirënjohje qyetare ndaj punës korrekte në harmonizimin e bukur të traditës me kohën që jetëojmë. Me këtë synim paraqesim një abstrakt prezantimi respektor: Linda Fejzaj ka mbaruar studimet në Fashion Design…Më pas, ka studiuar për 8 vite kulturën etnografike, duke menduar  për më tej, për të mos lënë në harresë kulturën etnografike, por për ta sjellë atë të moderuar,  duke u  kujdesur me përgatitjen e veshjeve Etno-folk të trevave të ndryshme. Ka një përgatitje të admirueshme në fushën e modës, si pjesë e sfilatave të shumta, dhe për më tepër stilistja e sfilatës më të madhe në Shqipëri ”100 modele në 100 vite Pavarësi” – një sipërmarrje dhe sfidë, ku në skenë u ngjitën 100 modele të mbështetura mbi tabanin popullor, të gërshetuara me stilin modern, shumë herë edhe estravagant. Përgatitja e disa grupeve popullore të zonave të ndryshme dhe qyteteve të ndryshme, për më tepër, edhe personave apo grupeve në diasporë, i japin sigurinë për synimin që ka marrë përsipër të realizojë, për ruajtjen e pastër dhe çuarjen më tej të traditës, kësaj pasurie të mirë e përparimtare materiale popullore, angazhim ky i përgjithmonshëm i saj. Linda ka logon e saj, brenda dhe jashtë Shqipërie, me të drejtë të plotë ndërkombëtare. Ajo është marrë dhe specializuar për etnografi, pasi, siç shprehet me pasion, ka studiuar goxha gjatë në këtë fushë. Linda është gjithashtu poete dhe ndihet shpirti krijues i saj në punë, shfaqet edhe në modelin tonë të veshjes etnofolk, që u soll më e moderuar, sepse egzistonte hapësira për të respektuar detajet, duke e përmirësuar atë. Tek realizuesja krijuese besuam emrin që gëzon në qytet dhe fjalët e garancisë, se nuk huazon kurrë për realizimin e veshjes karakteristike, thjesht mbështetet mbi këto veshje, por t’i prurë më të moderuara; për të qënë më në kohë, siç janë limitet e gjatësisë apo aksesorët mbi jelek dhe këmishë.

Prezantimi i Vajzave të këngës. Pas organizimit në fillimgushtin 2016, mbas orarit të punës çdo mbasdite apo paraditeve të shtuna e të diela, grumbulloheshin e bënin prova në mjediset e Shkollës së Mesme Industriale “Pavarësia” në Skelë, falë dashamirësisë së drejtorit të palodhur e të respektuar Gent Boçi (se s’kishte hapësira të tjera për to Vlora…) vajzat bënin prova me kërkesë të lartë llogarie, me disiplinë artistike, e cila, në këto raste, vlerësohet më e rreptë se disiplina ushtarake. Prova e parë e Grupit të Vajzave të Tërbaçit, veshur me kostumin folkorik tradicional të polifonisë femërore të fshatit u bë më 22. 11. 2016. Kjo ngjarje entusiazmuese në këto kohë të paqarta gëzoi banorët dhe dashamirësit e shumtë të këngës karakteristike të Tërbaçit, duke uruar njëri-tjetrit që ta gëzojmë këtë thesar të fshatit tonë me ballin te Çika. Grupi i Vajzave të Tërbaçit prezantohet për herë të parë përpara publikut vlonjat dhe dashamirësve të polifonisë sonë, me rastin e festive të Nëntorit, më 26 nëntor në Teatrin “Petro Marko”, Vlorë, kur nderohet bashkorigjinasi ynë i ditur e i thjeshtë, i devotshëm si gjithë Tërbaçiotët, Mevlan Balili, sepse Labëria i nderon bijtë e saj, kur ata ia shpërblejnë me vepra të mira e të dobishme. Dekoratën e lartë “Mirënjohja e Labërisë” ia dorëzoi ai që qe dhe propozuesi kryesor i vlerësimit, prof. dr. Bujar Leskaj. Substancialisht, në përshëndetjen time u shpreha: “Labëria, me mal, me lumë, me det është një fortesë me dritë dhe dinjitet. Sot është Dita e Falënderimeve. Dita e të katër të vlerësuarëve:-Mirënjohje kolektive për fshatin Vajzë të Ali Asllanit e Perlat Rexhepit, respekt individual për të paharruarin arkitekt Pulo Nezho Dukati (pas vdekjes), si dhe për të respektuarit biznesmen Vullnet Sina Armeni dhe ing. Mevlan Muço Delo Balil Tërbaçi. Tërbaçi është një beden i labërisë. Mirënjohja më e madhe, kryemirënjohja për ne është për Shoqatën Kombëtare Atdhetare – Kulturore “Labëria”, “Nderi i Kombit”. Mirënjohje Labërisë, se Labëria është nderi ynë! Vajzat u paraqitën me dy njësi folkorike: me këngën “Himni i Tërbaçit”, me marrëse Liliana Rrapi Kapo, kthyese Liri Gaçe Shkurtaj, hedhëse Vitore Shiroka Vera dhe ia mbushin shtatë të tjerat, si dhe me “Elegji për Dragoin e këngës”, marrëse Baftie Dauti Xhelilaj, kthyese Liri Gaçe Shkurtaj, hedhëse Shpresa Kapo Çelaj dhe mban këngën me iso grupi. Kënga e dytë u paraqit edhe si nderim për Krijuesin Kujtim Mici, edhe si mesazh mosdorëzimi e besimi, që grupi do të vijojë me dinjitet udhën që ai u projektoi. Të gjithë shprehën fjalët më të mira për interpretimin dinjitoz të vajzave tërbaçiote dhe emocionet e fuqishme pozitive që i falën publikut. Kënga e tyre është e ndier dhe e vërtetë. Vajzat përgatiten me një repertor të pasur folkorik, kryesisht lirik burimor. Ato kanë plane të bukura. Kanë dhe tre valle grash, me dy variante: me tri hapa ose tri këmbë, si i thonë ato dhe me një këmbë. Natyrshëm e çiltërsisht na burojnë vargjet: Vallja kurorë dafine/ për dhjetë shqiponja mali/, dhjetë tufa trëndelile/, lum Tërbaç, kush ia fali! Dëshira jonë dhe fjalët e zemrës janë: Suksese në udhëtimin e gjatë folkoristik, në gjurmët e pashlyeshme të viganit të paharruar, Dragoit të këngës labe, Kujtim Mici! Siç uron nga Amerika e largët, i dashuri i këngës sonë Pelivan Barjamaj, dëshirojmë dhe ne, të këtushmit: Zëri i Miro Tërbaçeve të këngës qoftë trashëgimi dhe dhuratë për brezat!

Filed Under: Kulture Tagged With: Albert Habazaj, e folkorit burimor, femërore dhe sfida për dinjitetin, Kostumografia

Vatra atdhetare e Arshi Selfos në Kaninë

November 2, 2016 by dgreca


1-gace
Nga MSc. Albert HABAZAJ/
1-kanineNdër familjet zëmëdha me kontribut të çmuar në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dhe Shpalljen e Pavarësisë shkëlqen edhe familja e burrit të urtë Arshi Selfo Dajlani nga Kanina me rrënjë të thella në historinë kombëtare. Edhe pse rrufetë e kohës e goditën këtë lis të blertë të traditave tona historike e kulturore, familja e tij qëndroi përherë fisnike dhe me shpirt të madh lirie e atdhedashurie. Ai qe burrë kuvendi e bujar mirësie, idealist dhe optimist, që Shqipëria të rrojë e të përparojë si vendet e tjera të Europës. Xha Arshiu e shihte optimizmin si bashkudhëtar të përjetshëm të njeriut dhe shoqërisë, edhe kur shtërngatat donin t’ia shkulnin…

“Arshi Selfo Dajlani, një vatër atdhetare në Kaninë” e autorit Bardhosh Gaçe është një libër i veçantë, i llojit monografi, kushtuar atdhetarit të shquar Arshi Selfo Dajlani dhe vatrës së tij familjare, që gjurmët e tyre janë ende të gjalla në historinë e Vlorës dhe Kaninës. Duke lexuar këtë libër, shqiptarët e kohëve moderne rizbulojnë ngjarje e personazhe të madhërishëm, që nuk i kemi njohur më parë. Në këtë kuptim, Kanina është një thesar i madh kulturor e historik. Lexuesi sapo komunikon me Ardhi Selfon e Kaninën, natyrshëm sjell ndërmend figurat kombëtare si Gjergj Araniti, Sinan Pashë Vlora, Ibrahim Pashë Vlora, nënkryetarin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Mustafa Pashë Vlora e deri te Ismail Qemali, emblema e kombit tonë dhe yllësia e Lirisë dhe Pavarësisë shqiptare si dhe e shtetit të parë demokratik. Po duke shfletuar këtë monografi të autorit Bardhosh Gaçe, brezi ynë dhe brezat më të rinj ndeshen me ngjarje madhore e figura të shquara, të cilat i bëjnë dritë Vlorës dhe historisë së saj, Shqipërisë dhe historisë kombëtare.

Për të bërë kombin tonë ballëhapur, me dinjitet e të barabartë me kombet e tjera të qytetëruara të botës, shqiptarit i janë dashur apo ende i duhen bij e bija, që më shumë se çdo gjë tjetër duan vendlindjen, vendorigjinën, Shqipërinë. I duhen bij e bija që të përmbushin tre elementë të domosdoshëm: të kenë kapital e pasuri, të jenë të ditur e të zgjuar, dhe të jenë guximtarë e trima të mençur. Nga nga të tillë burra të mirë shqiptarie ishte dhe Arshi Selfo Dajlani i Kaninës, që radhitet ndër figurat e respektuara të parisë tradicionale kaninjote, me prona e ullinj në Babicë të Vogël, Kaninë, në Goricë të Nartës e në Vlorë. Edhe krushqitë i lidhte duke respektuar traditën e “përzgjedhjes së gjakut”, për jetë familjare në harmoni e me kulturë, por ushqente ambicjen për të shkuar më larg e më lart, nga derë e parë, nga derë me oxhak, me oxhak të lartë e të ndezur. Fisi rrënjëthellë i Dajlanajve, i njohur në histori dhe fis me këngë e mbajti ndezur vatrën në shërbim të çështjes shqiptare. Kjo del e qartë nga dokumentet autentike arkivore, nga kujtimet e dëshmitë e luftëtarëve bashkëkohës, nga epika historike. Dajlanajt janë njëri mes fiseve të dëgjuara kaninjote, aspak i rrallë e i veçantë, as i shkëputur nga të tjerët, përkundrazi, pjesë e asaj elite të pranuar tradicionalisht për bëma dhe vlera morale e patriotike të provuara në vijimësi, e përfshirë organikisht në jetën dhe përpjekjet e komunitetit për liri e dinjitet. Njihet historikisht për elita të tilla Kanina.  Kanina, ballkoni i Vlorës shquhet si një “kryefshat” impresionues me emër të “rëndë”, me histori dhe rol të veçantë në hapësirën shqiptare. Përgjatë rrjedhave të shekujve vjen me jehonë fjala: “Kanina bën Vlorë…”.

Prof. dr. Bardhosh Gaçe, sikuse në gjithë opusin e veprës së tij monografike, kushtuar figurave të njohura të historisë, arsimit dhe kulturës kombëtare, nga ku do të përmendnim monografitë për Osmën Haxhiun, Ibrahim Abdullahun, Hamza Isain, Laze Malon, Sali Hallkokondin, Muhamet Ҫobon, Ali Asllanin, Spiro Jorgo Kolekën, Mehmet Selim Mallkeqin, Memo Meto Bratin, vëllezërit Mato e Selim Hasani, Xhebro Gjika, etj., edhe në librin e ri, kushtuar Arshi Selfo Dajlan – Kaninës na e zbërthen këtë figurë atdhetare, duke na e ringjallur atë mes atdhetarëvet të tij, kaninjotë për kontributet e mëdha që ata kanë dhënë qysh nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Shpallja e Pavarësisë Kombëtare, Lufta epope e Vlorës, 1920 dhe Lufta çlirimtare kundër Nazi-fashistëve. Veçanërisht në zhanrin e monografisë, prof. Gaçes i jepet mundësia të hyjë thellë në mikrohapësira periudhash, duke evidentuar atë lidhje të brendshme të ngjarjeve dhe kontributeve madhore me  një shtresë më të gjerë miningjarjesh e faktorësh veprues më pak të dukshëm, por që në fiziologjinë e mbijetesës etnokulturore të kombit kanë dhënë gjithnjë lëngun jetësor ushqyes. Pa të tilla studime të larmishme, hartës së madhe historike do t’i mungonte “topografia rurale”, do të mbeteshin në hije imtësitë e episodeve, karakteret, kundërshtitë dhe dilemat, do të ishin të cungëta detajet e kuvendeve dhe pak të njohura shqetësimet e rretheve më të ngushta miqësore e familjare, ato vatra të prushta që u dhanë flakë lëvizjeve madhore të kombit për liri e progres.

Ky libër, kushtuar Arshi Selfo Dajlanit, me rrënjët e veta historike dhe atdhetare, bën krenar jo vetëm familjen Dajlani e pasardhësit e tyre, por vlonjatët e më gjerë, pasi patrioti Arshi Selfo e ka të lidhur veprimtarinë e tij kombëtare me atdhetarë të tjerë të njohur, si: Ismail Qemalin, Idriz Seferin, Muhamet Beshon e të tjerë. Kjo rrënjë atdhetarie është e natyrshme në familjen Dajlani, pasi ajo përcillet në marrëdhënie të hershme nga Seit Kanina në kryengritjet antiosmane apo pasardhësi i tij, Dajlan Seiti, bashkëpuntor i ngushtë i Abdyl Frashërit. Në këtë libër, shkruar me mjeshtri e profesionalizëm prej autorit tonë të mirënjohur, kuptohen lehtësisht edhe marrëdhëniet e kësaj familjeje me figura e familje të tjera atdhetare, prandaj edhe monografia mbart një kujtesë historike për ngjarje e njerëz që as brezi ynë nuk i ka njohur, të cilët kanë qënë të mbuluara nga pluhuri i harresës. Për këtë, autori, Bardhosh Gaçe, bën përjetësimin shkrimor të familjes Dajlani. Shprehet saktë e qartë studiuesi Ibrahim Vasjari (nip i fisnikut Arshi Selfo, se e ka gjysh, babain e nënës) në parathënien e librit: “Të duket sikur ke të bësh me  një sagë, me historinë e një zinxhiri të pandërprerë  brezash…”.

Janë marrëdhëniet e drejtpërdrejta që krijoi me atdhetarët emërmadhi Arshi Selfo Dajlani e të parët e tij, si Seit Dalan Kanina (~1776-1833) e Dalan Seiti, por, edhe brezat më pas që e dritëruan oxhakun e ndezur të vatrës kombëtare të Arshi Selfos, se, Sado Hamzareshë kapedania, nuk ia la pragun shuar fisnikut, duke i bërë Irfanë Shehen grua të ardhshme prodhimi, jete e bese. Arshi Selfua me Irfanën lindën 3 vajza e 3 djem, mbushur shtëpia me zjarr për jetën: me Miriamin, Durimin, Zenepen, Gëzimin, Dadanin dhe Gjinovefën. Me gjithë dëshirën dhe mundësinë e madhe që kam, nuk mund t’i trajtoj në shkrimin tim të shkurtër të gjashtë këta lastarë dritërorë atdhetarie, por do të kaloj si meteor nderimi në dy lule paharrimi të kopështit të Arshi Selfos. (I ka shkruar të gjitha aq saktë e bukur i mbarënjohuri profesor Gaçe). Unë i falem kujtimit të yllit të pashuar, atij të voglit e madh Dadan Dajlani, sepse për të më ka folur mësuesi i dritës në mjegull, Musa Muho; sepse atë e ka kujtuar me nderim për guximin e trimërisë mençurore të lirisë, Shefqet Peçi; sepse atij ia ka gdhendur emrin në vargjet e  artit poetik, shoku i fëmijërisë, madhërori ynë Fatos Arapi. Nderoj kujtimin e Miriam Selfo Vasjarit (Veizaj), të shoqes së antifashistit nacionalist Syrja Vasjari, për fisnikërinë humane shqiptare, bukurinë dinjitoze të labëreshës dhe heroizmin stoik ndaj furtunave të rënda të jetës, që shpërthyen për të pikërisht në lulen e moshës familjare, vetëm 31 vjeç, e s’iu nda era e rrëmbyer me rrebesh deri në vitin 1980, kur ajo mbylli sytë si sokoleshë, krenare ndaj përkushtimit të dy djemve; Ibrahimit dhe Dëfrimit, për edukimin atdhetar e dituror të tyre. Barku i Arshi Dajlanit, në vijim të traditave të çmuara atdhetare e luftarake për liri e pavarësi, trashëguar brezash, kanë krijuar marrëdhënie bujare me patriotë të njohur të Rilindjes kombëtare dhe të Shqipërisë së Re.

…Para pak ditësh, në Vlorë, në sallën e madhe të pallatit të kulturës “Labëria”, patëm fatin të merrnin pjesë në përurimin e librit dhe të thoshnim dy fjalë për këtë dritare të hapur nga prof. Gaçe, Mjeshtri i madh i figurave dhe ngjarjeve kombëtare. Me këtë rast, duke përshëndetur familjarët dhe z. Sejfi Gëzim Dajlani, nip i patriotit (djalë i djalit), që është kujdesur për botimin e monografisë, si dhe autorin patjetër, them me bindje, se me këtë libër i është bërë një nder i veçantë jo vetëm kulturës dhe historisë së Kaninës e Vlorës, por i është dhënë një kontribut i dukshëm kulturës dhe historisë sonë kombëtare.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Albert Habazaj, Bardhosh Gacaj, e Arshi Selfos, në Kaninë, Vatra atdhetare

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 19
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT