Nga MSc. Albert HABAZAJ/Ndër familjet zëmëdha me kontribut të çmuar në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dhe Shpalljen e Pavarësisë shkëlqen edhe familja e burrit të urtë Arshi Selfo Dajlani nga Kanina me rrënjë të thella në historinë kombëtare. Edhe pse rrufetë e kohës e goditën këtë lis të blertë të traditave tona historike e kulturore, familja e tij qëndroi përherë fisnike dhe me shpirt të madh lirie e atdhedashurie. Ai qe burrë kuvendi e bujar mirësie, idealist dhe optimist, që Shqipëria të rrojë e të përparojë si vendet e tjera të Europës. Xha Arshiu e shihte optimizmin si bashkudhëtar të përjetshëm të njeriut dhe shoqërisë, edhe kur shtërngatat donin t’ia shkulnin…
“Arshi Selfo Dajlani, një vatër atdhetare në Kaninë” e autorit Bardhosh Gaçe është një libër i veçantë, i llojit monografi, kushtuar atdhetarit të shquar Arshi Selfo Dajlani dhe vatrës së tij familjare, që gjurmët e tyre janë ende të gjalla në historinë e Vlorës dhe Kaninës. Duke lexuar këtë libër, shqiptarët e kohëve moderne rizbulojnë ngjarje e personazhe të madhërishëm, që nuk i kemi njohur më parë. Në këtë kuptim, Kanina është një thesar i madh kulturor e historik. Lexuesi sapo komunikon me Ardhi Selfon e Kaninën, natyrshëm sjell ndërmend figurat kombëtare si Gjergj Araniti, Sinan Pashë Vlora, Ibrahim Pashë Vlora, nënkryetarin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Mustafa Pashë Vlora e deri te Ismail Qemali, emblema e kombit tonë dhe yllësia e Lirisë dhe Pavarësisë shqiptare si dhe e shtetit të parë demokratik. Po duke shfletuar këtë monografi të autorit Bardhosh Gaçe, brezi ynë dhe brezat më të rinj ndeshen me ngjarje madhore e figura të shquara, të cilat i bëjnë dritë Vlorës dhe historisë së saj, Shqipërisë dhe historisë kombëtare.
Për të bërë kombin tonë ballëhapur, me dinjitet e të barabartë me kombet e tjera të qytetëruara të botës, shqiptarit i janë dashur apo ende i duhen bij e bija, që më shumë se çdo gjë tjetër duan vendlindjen, vendorigjinën, Shqipërinë. I duhen bij e bija që të përmbushin tre elementë të domosdoshëm: të kenë kapital e pasuri, të jenë të ditur e të zgjuar, dhe të jenë guximtarë e trima të mençur. Nga nga të tillë burra të mirë shqiptarie ishte dhe Arshi Selfo Dajlani i Kaninës, që radhitet ndër figurat e respektuara të parisë tradicionale kaninjote, me prona e ullinj në Babicë të Vogël, Kaninë, në Goricë të Nartës e në Vlorë. Edhe krushqitë i lidhte duke respektuar traditën e “përzgjedhjes së gjakut”, për jetë familjare në harmoni e me kulturë, por ushqente ambicjen për të shkuar më larg e më lart, nga derë e parë, nga derë me oxhak, me oxhak të lartë e të ndezur. Fisi rrënjëthellë i Dajlanajve, i njohur në histori dhe fis me këngë e mbajti ndezur vatrën në shërbim të çështjes shqiptare. Kjo del e qartë nga dokumentet autentike arkivore, nga kujtimet e dëshmitë e luftëtarëve bashkëkohës, nga epika historike. Dajlanajt janë njëri mes fiseve të dëgjuara kaninjote, aspak i rrallë e i veçantë, as i shkëputur nga të tjerët, përkundrazi, pjesë e asaj elite të pranuar tradicionalisht për bëma dhe vlera morale e patriotike të provuara në vijimësi, e përfshirë organikisht në jetën dhe përpjekjet e komunitetit për liri e dinjitet. Njihet historikisht për elita të tilla Kanina. Kanina, ballkoni i Vlorës shquhet si një “kryefshat” impresionues me emër të “rëndë”, me histori dhe rol të veçantë në hapësirën shqiptare. Përgjatë rrjedhave të shekujve vjen me jehonë fjala: “Kanina bën Vlorë…”.
Prof. dr. Bardhosh Gaçe, sikuse në gjithë opusin e veprës së tij monografike, kushtuar figurave të njohura të historisë, arsimit dhe kulturës kombëtare, nga ku do të përmendnim monografitë për Osmën Haxhiun, Ibrahim Abdullahun, Hamza Isain, Laze Malon, Sali Hallkokondin, Muhamet Ҫobon, Ali Asllanin, Spiro Jorgo Kolekën, Mehmet Selim Mallkeqin, Memo Meto Bratin, vëllezërit Mato e Selim Hasani, Xhebro Gjika, etj., edhe në librin e ri, kushtuar Arshi Selfo Dajlan – Kaninës na e zbërthen këtë figurë atdhetare, duke na e ringjallur atë mes atdhetarëvet të tij, kaninjotë për kontributet e mëdha që ata kanë dhënë qysh nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Shpallja e Pavarësisë Kombëtare, Lufta epope e Vlorës, 1920 dhe Lufta çlirimtare kundër Nazi-fashistëve. Veçanërisht në zhanrin e monografisë, prof. Gaçes i jepet mundësia të hyjë thellë në mikrohapësira periudhash, duke evidentuar atë lidhje të brendshme të ngjarjeve dhe kontributeve madhore me një shtresë më të gjerë miningjarjesh e faktorësh veprues më pak të dukshëm, por që në fiziologjinë e mbijetesës etnokulturore të kombit kanë dhënë gjithnjë lëngun jetësor ushqyes. Pa të tilla studime të larmishme, hartës së madhe historike do t’i mungonte “topografia rurale”, do të mbeteshin në hije imtësitë e episodeve, karakteret, kundërshtitë dhe dilemat, do të ishin të cungëta detajet e kuvendeve dhe pak të njohura shqetësimet e rretheve më të ngushta miqësore e familjare, ato vatra të prushta që u dhanë flakë lëvizjeve madhore të kombit për liri e progres.
Ky libër, kushtuar Arshi Selfo Dajlanit, me rrënjët e veta historike dhe atdhetare, bën krenar jo vetëm familjen Dajlani e pasardhësit e tyre, por vlonjatët e më gjerë, pasi patrioti Arshi Selfo e ka të lidhur veprimtarinë e tij kombëtare me atdhetarë të tjerë të njohur, si: Ismail Qemalin, Idriz Seferin, Muhamet Beshon e të tjerë. Kjo rrënjë atdhetarie është e natyrshme në familjen Dajlani, pasi ajo përcillet në marrëdhënie të hershme nga Seit Kanina në kryengritjet antiosmane apo pasardhësi i tij, Dajlan Seiti, bashkëpuntor i ngushtë i Abdyl Frashërit. Në këtë libër, shkruar me mjeshtri e profesionalizëm prej autorit tonë të mirënjohur, kuptohen lehtësisht edhe marrëdhëniet e kësaj familjeje me figura e familje të tjera atdhetare, prandaj edhe monografia mbart një kujtesë historike për ngjarje e njerëz që as brezi ynë nuk i ka njohur, të cilët kanë qënë të mbuluara nga pluhuri i harresës. Për këtë, autori, Bardhosh Gaçe, bën përjetësimin shkrimor të familjes Dajlani. Shprehet saktë e qartë studiuesi Ibrahim Vasjari (nip i fisnikut Arshi Selfo, se e ka gjysh, babain e nënës) në parathënien e librit: “Të duket sikur ke të bësh me një sagë, me historinë e një zinxhiri të pandërprerë brezash…”.
Janë marrëdhëniet e drejtpërdrejta që krijoi me atdhetarët emërmadhi Arshi Selfo Dajlani e të parët e tij, si Seit Dalan Kanina (~1776-1833) e Dalan Seiti, por, edhe brezat më pas që e dritëruan oxhakun e ndezur të vatrës kombëtare të Arshi Selfos, se, Sado Hamzareshë kapedania, nuk ia la pragun shuar fisnikut, duke i bërë Irfanë Shehen grua të ardhshme prodhimi, jete e bese. Arshi Selfua me Irfanën lindën 3 vajza e 3 djem, mbushur shtëpia me zjarr për jetën: me Miriamin, Durimin, Zenepen, Gëzimin, Dadanin dhe Gjinovefën. Me gjithë dëshirën dhe mundësinë e madhe që kam, nuk mund t’i trajtoj në shkrimin tim të shkurtër të gjashtë këta lastarë dritërorë atdhetarie, por do të kaloj si meteor nderimi në dy lule paharrimi të kopështit të Arshi Selfos. (I ka shkruar të gjitha aq saktë e bukur i mbarënjohuri profesor Gaçe). Unë i falem kujtimit të yllit të pashuar, atij të voglit e madh Dadan Dajlani, sepse për të më ka folur mësuesi i dritës në mjegull, Musa Muho; sepse atë e ka kujtuar me nderim për guximin e trimërisë mençurore të lirisë, Shefqet Peçi; sepse atij ia ka gdhendur emrin në vargjet e artit poetik, shoku i fëmijërisë, madhërori ynë Fatos Arapi. Nderoj kujtimin e Miriam Selfo Vasjarit (Veizaj), të shoqes së antifashistit nacionalist Syrja Vasjari, për fisnikërinë humane shqiptare, bukurinë dinjitoze të labëreshës dhe heroizmin stoik ndaj furtunave të rënda të jetës, që shpërthyen për të pikërisht në lulen e moshës familjare, vetëm 31 vjeç, e s’iu nda era e rrëmbyer me rrebesh deri në vitin 1980, kur ajo mbylli sytë si sokoleshë, krenare ndaj përkushtimit të dy djemve; Ibrahimit dhe Dëfrimit, për edukimin atdhetar e dituror të tyre. Barku i Arshi Dajlanit, në vijim të traditave të çmuara atdhetare e luftarake për liri e pavarësi, trashëguar brezash, kanë krijuar marrëdhënie bujare me patriotë të njohur të Rilindjes kombëtare dhe të Shqipërisë së Re.
…Para pak ditësh, në Vlorë, në sallën e madhe të pallatit të kulturës “Labëria”, patëm fatin të merrnin pjesë në përurimin e librit dhe të thoshnim dy fjalë për këtë dritare të hapur nga prof. Gaçe, Mjeshtri i madh i figurave dhe ngjarjeve kombëtare. Me këtë rast, duke përshëndetur familjarët dhe z. Sejfi Gëzim Dajlani, nip i patriotit (djalë i djalit), që është kujdesur për botimin e monografisë, si dhe autorin patjetër, them me bindje, se me këtë libër i është bërë një nder i veçantë jo vetëm kulturës dhe historisë së Kaninës e Vlorës, por i është dhënë një kontribut i dukshëm kulturës dhe historisë sonë kombëtare.