• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kryeministri në detyrë Kurti vizitoi Komunat e Klinës, Pejës dhe Gjakovës

April 8, 2020 by dgreca

Gazeta DIELLI- Klinë, Pejë, Gjakovë, 8 prill 2020- Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, po vazhdon vizitat e tij nëpër komunat e Kosovës për t’u informuar nga afër me menaxhimin e virusit Corona.
Vizitat kryeministri në detyrë i bëri bashkë me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, z. Arben Vitia, ministren në detyrë të Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Bajrami, dhe ministren në detyrë të Administrimit të Pushtetit Lokal, znj. Emilija Redzepi, ku i takun kryetarët e komunave të Klinën, z. Zenun Elezaj, të Pejës, z. Gazmend Muhaxheri dhe atë të Gjakovës, z. Ardian Gjini.  
Të gjitha institucionet vendore, si qendrore ashtu edhe ato lokale kemi qenë bashkë. Bashkë do të jemi deri sa ta mposhtim këtë virus. Masat e ndërmara nga organet komunale të Klinës për Qeverinë janë shpresdhënëse dhe kallxues se do të fitojmë përballë kësaj pandemie vetëm me disiplinë. Si qytetarë të Kosovës duhet të jemi të gëzuar që kjo komunë, ndonëse ishte prej të para që u shënua me pacientin 0, na e dëshmoi që me respektimin e masave të qeverisë dhe disiplinës qytetare fitorja ndaj këtij virusi do të jetë triumf i radhës.
Në takimin me kryetarin e Komunës së Pejës, z. Muhaxheri, u diskutua mbi domosdoshmërinë që lakorja e përhapjes së pandemisë COVID -19 të spostohet në kohë e të ulët në intensitet. Jemi të vetëdijshmë që masat e marrura nga autoritetet qeverisëse për ruajtjen e shëndetit të qytetarëve kane prekur drejtpërdrejtë aktivitetet e shkollave tona. Por, për neve mbetet shumë e rëndësisshme që nxënësit të mos privohen nga mësimi, dhe prandaj kemi lansuar mësimin online, të cilin nxënësit tanë e kanë mirëpritur. 
Jemi në fund të maratonës. Muaji maj mund të jetë më i lehtë për secilin prej nesh. Prandaj, Kryeministri në detyrë Kurti në takimin e tij të sotëm me kryetarin e Komunës së Gjakovës, z. Gjini, i kërkoi që të bëjë apel tek qytetarët që të mos i frekuentojnë hapësirat publike si parqet e shëtitoret dhe të kenë kujdes me shëndetin e tyre.
Si Qeveri bëjmë thirrje që të kemi kujdes kur t’i frekuentojmë supermarketet dhe furrat e bukës. Marketet t’i dezinfektojnë karrocat e shportat, ndërsa qytetarët t’i pastrojnë duart pas përdorimit të tyre. Në furra të bukës të bëhet kujdes që jo i njëjti person që kryen pagesën t’a shërbejë edhe bukën. Për fund, të gjitha nevojat e tilla t’i bëjë vetëm një person në familje i cili në momentin e parë që kthehet në shtëpi të pastrohet menjëherë.

Filed Under: Kronike Tagged With: Albin Kurti, COVID-19, Kline

PREKAZI DHE KULLAT E JASHARAJVE, VENDI NGA MARRIM TRIMËRINË…

March 7, 2020 by dgreca

-Kryeministri Kurti: Prekazi dhe Kullat e Jasharajve janë vendi prej nga ne marrim trimërinë, guximin dhe frymëzimin për të punuar dhe ndërtuar vendin tone/

PRISHTINË, 6 Mars 2020-Gazeta DIELLI/

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Akademinë Përkujtimore kushtuar Komandantit Legjendar Adem Jashari, Familjes Jashari dhe gjithë dëshmorëve dhe të rënëve për liri, që u mbajt në kuadër të manifestimeve “Epopeja e UÇK-së”. 

Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri Kurti tha se sot kujtojmë Jasharajt e Prekazit, por bashkë me ta edhe të rënët nga secila pjesë e vendit sepse ata erdhën nga secila anë dhe dhanë jetën për çdo cep të këtij vendi.

 “I kujtojmë duke u mësuar fëmijëve në shkolla emrat e heronjve sikurse Adem Jashari e Hamëz Jashari. I kujtojmë duke i veshur në bronz, duke emëruar sheshe e rrugë, e shkolla në emrin e tyre. I kujtojmë duke mësuar për historinë e tyre, të kaluarën e tyre, për familjet dhe jetën e tyre, duke mësuar e kuptuar se çfarë i shtyri që të jepnin gjithçka nga vetja për vendin tonë të përbashkët”, tha kryeministri Kurti.

Më tej, kryeministri Kurti tha se është në detyrën tonë të kujtojmë jetën dhe veprën e tyre, të mbajmë gjallë kujtimin për ta duke kryer detyrën tonë të shërbimit mbi bazën e idealit të tyre.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:  

Sot është dita e dytë e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. E filluam me një orë mësimore në të gjitha shkollat e vendit në mënyrë që fëmijët e Kosovës të mësojnë për çmimin e lirisë së saj; e mbajtëm seancën solemne në institucionin më të lartë, në Kuvendin e Republikës; e vazhduam me parakalimin e ushtrisë sonë; bëmë vizita e homazhe në Kompleksin Adem Jashari; dhe, tani jemi këtu, në këtë akademi përkujtimore kushtuar Komandantit Legjendar, Kryekomandantit Adem Jashari, Familjes Jashari dhe gjithë dëshmorëve të rënëve për liri.

Mënyra se si ne i kujtojmë të rënët për liri tregon për të ardhmen që do të ndërtojmë.

Liria jonë i ka rrënjët te dëshmorët e kombit, tek gratë dhe burrat që sakrifikuan jetën e tyre për lirinë tonë, e mbi të gjitha, nga Jasharajt. Neve duhet të mirëmbajmë trungun që del prej këtyre rrënjëve e që është shteti, degët që dalin prej trungut e që janë institucionet e organet shtetërore, gjethet që bëjnë kurorën e pemës e që janë partitë politike dhe organizatat e ndryshme në vend, kurse frutat janë mirëqenia që duhet të ndahet, shpërndahet e rishpërndahet te qytetarët e vendit tonë.      

Sot kujtojmë Jasharajt e Prekazit, por bashkë me ta edhe të rënët nga secila pjesë e vendit sepse ata erdhën nga secila anë dhe dhanë jetën për çdo cep të këtij vendi.

I kujtojmë duke u mësuar fëmijëve në shkolla emrat e heronjve sikurse Adem Jashari e Hamëz Jashari.

I kujtojmë duke i veshur në bronz, duke emëruar sheshe e rrugë e shkolla në emrin e tyre.

I kujtojmë duke mësuar për historinë e tyre, të kaluarën e tyre, për familjet dhe jetën e tyre, duke mësuar e kuptuar se çfarë i shtyri që të jepnin gjithçka nga vetja për vendin tonë të përbashkët.

I kujtojmë kur pyesim familjarët e të afërmit e tyre se çfarë shikimi kishte Ademi, çfarë e mërziste e çfarë e gëzonte atë, se cilat këngë i kishte qejf t’i dëgjonte e cilat i këndonte edhe vetë, apo si tingëllonte zëri i tij kur qeshte, çfarë ëndrra kishte ai po të mos ishte i predestinuar për komandant,.. Jemi aq shumë kurreshtar për atë që pak e njohëm të gjallë, dhe që s’ka të gjallë sot që nuk e njeh.

Në një nga intervistat që ka dhënë Besarta Jasharaj ku rrëfen për tmerrin që ka përjetuar në ato tre ditë të qëndresës heroike thotë se: “Hera e fundit kur e kam pa babushin ka qenë ky vend, e kam pyet se çka është ka bahet, çka është gjithë kjo zhurmë, ai na tha hini mrena edhe ma nuk e kam pa, veç kur e kam ndi zanin e tij duke kënduar”.

Kur bombat e plumbat ranë mbi shtëpitë e Jasharajve, Hamza e Ademi kishin marrë këngën dhe po këndonin me zë të lartë për të mundur zhurmën e krismave që po frikësonin fëmijët.

Besarta mbijetoi për të treguar. Mbijetoi për të na shërbyer si kujtim i gjallë se sa shumë ju kemi borxh Jasharajve dhe familjeve të të rënëve për lirinë që e gëzojmë sot.

E Bashkimi, edhe ai mbijetoi për të treguar, por edhe për të shpëtuar tjetrin. Ai çau rrethimin me 5 mars për të ndihmuar shtëpinë e familjen fqinje të Jasharajve që ishte njësoj nën rrezik të madh me dy pleq brenda e të cilët më pastaj shpëtuan.

Para më shumë se 300 viteve, i pari i familjes Jashari (nga sa mbahet mend), ishte Murati i cili shkon „asqer“ në Pleme të Vogël, në vend të vëllait të vet i cili ishte më i dobët fizikisht. Prej aty nuk kthehet kurrë më.  E len djalin e vetëm të vogël Fazliun, i cili rritet nga axha i tij. Që prej Muratit i cili nuk kthehet, te Baca Rifat që na e rikthen Muratin profesor dhe Fazliun student, e deri te emrat e ripërtërirë të Shabanit, Zahides, Zarifes nga Murati, të Ademit nga Lulzimi kolonel, të Hamzës nga Bekimi kryetar i Skënderajt, e deri të Igballit nga Bashkimi gjeneral, e dimë që kemi të bëjmë me me një familje të fortë, aq të fortë, saqë të fortë për gjithë neve.

Shtylla e fortë e kësaj familje emblemë, gjithsesi ishte baca Shaban Jashari, i cili krahas rritjes së 8 fëmijëve, ishte mësues e veprimtar, ish i burgosur politik e luftëtar çlirimtar.

Ka një episod të zakonshëm për Bacën Shaban e fascinues për të tjerët që e lidh Bacën Shaban me nipin e tij Lulëzimin. Në vitin 1995, Luli arrestohet e mbahet rob nga policia serbe. Policia e Serbisë frikësohej t’i afrohej kullës së Jasharajve dhe e thërret Bacën Shaban për bisedime, për negociata, siç thuhet sot. I thonë, nëse e don djalin të gjallë na e dorëzo armatimin. Pra, shpëto nipin e dorëzo pushkët! Baca Shaban ju përgjigjet: mbajeni Lulin, s’e japim armatimin, Lula kemi boll. Sot, e kemi këtu Lulëzim Jasharin, por e kemi edhe armatimin e FSK-së, dy gjëra këto që sërish i lidh Baca Shaban.   

Prandaj, sot, të dashur pjesëmarrës të këtij tubimi, nuk mjafton që vetëm të ngremë flamurin, të mbajmë një minutë heshtje, të vejmë kurorat apo të thurim vargje të bukura që të konsiderojmë se puna jonë mbaron këtu.

Ne nderojmë e lartësojmë punën dhe idealin e tyre, kur në jetët tona ne punojmë vazhdimisht e pa u ndalur për të avancuar lirinë dhe demokracinë, mirëqenien dhe bashkimin, barazinë dhe drejtësinë, mbrojtjen dhe sigurinë, ideale për të cilat ata dhanë jetën.

Si qeveri, ne do të marrim përsipër zbatimin e duhur të Ligjit për Kompleksin Memorial Adem Jashari.

Prekazi dhe Kullat e Jasharajve janë vendi prej nga ne marrim trimërinë dhe guximin dhe frymëzimin për të punuar dhe ndërtuar vendin tonë.

Kullat janë në gjendje të rëndë dhe kërkohet trajtim serioz dhe profesional për të ruajtur dhe mbrojtur kompleksin Adem Jashari.

21 vjet pas, vitin që shkoi, Prokuroria Speciale e Kosovës ka nisur hetimet për vrasjen e familjes Jashari.

E kemi për obligim e detyrim, për lirinë dhe paqen që sot e gëzojmë, e për të cilën familja Jashari dha gjithçka që të kërkojmë drejtësi pa u ndalur jo vetëm për ata.

Të ardhmen do ta ndërtojmë jo duke e harruar a rrafshuar të kaluarën tonë, por duke kërkuar drejtësi për neve. Për neve që jemi dhe për ata që nuk janë veçse fizikisht me neve.

Askujt nuk i kemi borxh që t’i kërkojmë falje pse na kanë vrarë në vendin tonë e në të drejtën tonë.

Vetëm drejtësia dhe kërkim falja garantojnë paqen e qëndrueshme.

Është në detyrën tonë të kujtojmë jetën dhe veprën e tyre, të mbajmë gjallë kujtimin për ta duke kryer detyrën tonë të shërbimit mbi bazën e idealit të tyre.

Para 22 vjetësh, unë mbaj mend shumë mirë kronologjinë e ngjarjeve të asaj kohe. Më 28 shkurt, masakrat në Qirez dhe Likoshan, më 2 mars është demonstrata më e fuqishme e vitit 1998 në Kosovë, që mbahet në Prishtinë, më 5, 6 dhe 7 mars janë Epopeja e UÇK-së, më 9 mars është demonstrata më masive në Kosovën e vitit 1998. Pra, nuk e flas kronologjinë për të relativizuar rëndësinë, mirëpo Epopeja e UÇK ndodhej midis demonstratës më të fuqishme dhe demonstratës më masive. Pas Epopesë së UÇK-së, Ushtria e Çlirimtare e Kosovës merr hovin vendimtar.

Më  9 mars nuk kishte shqiptarë të ulur. Ishte një popull në këmbë. Dhe, për më tepër, deklaratat e Grupit të Kontaktit për nga gjuha dhe përmbajtja ndryshojnë përgjithmonë në favorin tonë.

Jemi përherë krenarë e çdoherë mirënjohës për sakrificën e Jasharajve, përulemi para veprës së tyre dhe familjeve të tyre.

I kujtojmë ata, të rënët, që t’ia përkujtojmë vetes ngritjen.

Lavdi Jasharajve dhe të gjithë heronjve e dëshmorëve e martirëve të kombit.

Filed Under: Featured Tagged With: Albin Kurti, Behlul Jashari, Familja Jashari, Prekazi

NATO përkushtim për paqen dhe sigurinë në Kosovë e rajon

July 21, 2017 by dgreca

TRI KRONIKA NGA KOSOVA/

*Kosovë-KFOR-i, një forcë e fuqishme dhe e besueshme/
*I nominuari i Vetëvendosjes për Kryeministër takon ambasadorin amerikan/
 
7ok
-Komandanti Suprem i NATO-s për Evropë vizitoi Kosovën/
1 KFOR
 PRISHTINË, 21 Korrik 2017-Gazeta DIELLI/ Komunikata e dërguar nga KFOR ben te ditur: Sot më 21 korrik, Komandanti i KFOR-it, gjeneramajor Giovanni FUNGO priti Komandantin Supreme të NATO-s për Evropë, gjeneral Curtis M. SCAPARROTTI.
 Komandanti i KFOR-it dhe stafi i tij njoftuan Komandantin Supreme për përmirësimin e situatës së tanishme në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor. Ata nënvizuan rëndësinë e përkushtimit të vendosur, të drejtë dhe të paanshëm të KFOR-it në ruajtjen e mjedisit të qetë dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë në Kosovë. Ai shprehu mirënjohjen e tij për përkushtimin dhe dedikimin e trupave të KFOR-it. “KFOR-i luan rol të rëndësishëm në situatën stabile të sigurisë në mënyrë që të ofrojë kohë dhe hapësirë të nevojshme për përparim diplomatik”, tha Komandanti Suprem i NATO-s.
 Përveç kësaj, gjatë vizitës së tij, gjeneral SCAPARROTTI mori pjesë në disa takime me udhëheqësit kyçë të Kosovës, me të cilët diskutoi rëndësinë e stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Takimi i tij i parë ishte me Presidentin Hashim THAÇI në zyrën e tij, në Prishinë dhe nga aty, ai shkoi në Shtabin e Përgjithshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ku u mirëprit nga garda e nderit dhe u takua me Komandantin e FSK-së, gjeneral Rrahman RAMA.
 Gjatë vizitës së tij dyditore, Komandanti Suprem i NATO-s, i shoqëruar nga Komandanti i KFOR-it, pati gjithashtu edhe një takim të dobishëm me kryesuesit e UNMIK-ut, OSBE-së, BE-së dhe EULEX-it, si dhe me ambasadorët e shteteve të QUINT-it (Francë, Gjermani, Itali, Mbretëri e Bashkuar dhe Shtete të Bashkuara).
 Gjenerali SCAPARROTTI përmbylli vizitën e tij me një konferencë për shtyp, në të cilën tha se “KFOR-i do të mbetet një forcë e fuqishme dhe e besueshme, e cila është në gjendje të kryejë misionin e saj për sa kohë që është e nevojshme”./b.j/
***

NATO përkushtim për paqen dhe sigurinë në Kosovë e rajon/

2. Komandanti i NATO-s viziton MFSK-n 21.07.2017 (1)

-Komandantin Suprem i Forcave Aleate për Evropë pritet nga Komandanti i FSK-së. Gjenerali amerikan shprehu përkushtimin e NATO-s për paqen dhe sigurinë në Kosovë e rajon/

-Komandanti i FSK-së, gjeneral Rama, gjithashtu e njoftoi gjeneralin Scaparrotti për zhvillimin dhe profesionalizmin e FSK-së, kapacitetet ekzistuese dhe gatishmërinë operacionale të sajë, si dhe për planet e udhëheqësve të MFSK/FSK dhe institucioneve më të larta të vendit për avancimin e misionit dhe detyrave, pra në përgjithësi, për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës/

PRISHTINË, 21 Korrik 2017-Gazeta DIELLI/ Komandanti i Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Rrahman Rama, priti sot në Ministri Komandantin Suprem të Forcave Aleate për Evropë, njëherësh edhe Komandant i Komandës së SHBA-ve për Evropë, gjeneralin Curtis M. Scaparrotti të shoqëruar nga komandanti i KFOR-it, gjeneral majori Giovanni Fungo. Gjenerali Scaparrotti u prit me ceremoni solemne nga Togu Ceremonial dhe Orkestra frymore  e FSK-së e cila edhe ekzekutoi, për herë të parë, Himnin e NATO-s, si dhe Himnin e Republikës së Kosovës.

Në takimin e përbashkët të gjeneral Ramës dhe gjeneralit Scaparrotti, u bisedua për çështjet e sigurisë në Republikën e Kosovës, në rajon dhe më gjerë, gjithashtu u bisedua edhe për profesionalizimin e institucioneve të sigurisë të vendit tonë, si dhe për zhvillimin dhe avancimin e marrëdhënieve të FSK-së me KFOR-in dhe NATO-n, në përgjithësi.Në këtë takim, komandanti i FSK-së, gjeneral Rama e falënderoi komandantin Suprem të Forcave Aleate për Evropë, gjeneralin Scaparrotti për angazhimin e NATO-s nëpërmjet KFOR-it, në ruajtjen e paqes dhe garantimin e sigurisë në Kosovë, e gjithashtu edhe për rolin e NATO-s, nëpërmjet Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s për këshillimin dhe zhvillimin e Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Komandanti i FSK-së, gjeneral Rama, gjithashtu e njoftoi gjeneralin Scaparrotti për zhvillimin dhe profesionalizmin e FSK-së, kapacitetet ekzistuese dhe gatishmërinë operacionale të sajë, si dhe për planet e udhëheqësve të MFSK/FSK dhe institucioneve më të larta të vendit për avancimin e misionit dhe detyrave, pra në përgjithësi, për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës.Gjeneral Rama  siguroi gjeneralin Scaparriotti se FSK-ja është e gatshme të filloi procesin e transformimit menjëherë pasi të merret vendimi politik. Njëkohësisht, gjeneral Rama i shprehu gjeneral Scaparriottit gatishmërinë e FSK-së që me kapacitetet ekzistuese po edhe ato të ardhshme të jetë garantuese e paqes në vend si dhe të kontribuojë dhe të jetë krah për krah me partnerët në misione jashtë vendit.

Nga ana e tij, komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s për Evropë, gjeneral Curtis  Scaparrotti shprehu përgëzime për lidershipin, profesionalizimin si dhe bashkëpunimin e mirë që FSK-ja ka me KFOR-in, për angazhimet e saj, në të mirë të komunitetit dhe zhvillimit të Kosovës në përgjithësi duke premtuar përkrahjen e NATO-s për ushtrimet fushore dhe stërvitjet e përbashkëta, trajnime dhe operacione si dhe shkollim profesional të pjesëtarëve të FSK-së.Gjenerali amerikan shprehu përkushtimin e NATO-s për paqen dhe sigurinë në Kosovë e rajon,  se paqja, siguria dhe prosperiteti janë edhe në interes të NATO-s dhe vendeve anëtare të saj e më gjerë. Në takim me gjeneralin amerikan ishin edhe Sekretari i përgjithshëm Shkelzen Sylaj, drejtori për operacione gjeneral brigade Zymer Halimi, zëvendës komandanti i Komandës së Forcave Tokësore, gjeneral brigade Gëzim Hazrolli dhe asistenti ushtarak i KOMFSK,  major Berat Shala./b.j/

ALBIN KURTI DHE GLAUK KONJUFCA TAKUAN AMBASADORIN AMERIKAN/

1 VV-takim-ambasador-SHBA

Sot, në Ambasadën e ShBA-ve në Prishtinë, i nominuari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! për kryeministër të Kosovës, z.Albin Kurti, dhe deputeti i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z.Glauk Konjufca, takuan ambasadorin amerikan z.Greg Delawie.

Në këtë takim u vlerësua mbarëvajtja e zgjedhjeve të 11 qershorit, u diskutua procesi i formimit të institucioneve të legjislaturës së gjashtë si dhe sfidat e punët që e presin qeverinë e ardhshme dhe shtetin e Kosovës në përgjithësi. U trajtuan shumë tema si ajo e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit, zhvillimit ekonomik dhe investimeve të diasporës, marrëdhënies së Kosovës me Serbinë etj.

Përfaqësuesit e Lëvizjes VETËVENDOSJE! përsëritën gatishmërinë dhe interesimin e tyre për zgjerim të partneritetit dhe thellim të aleancës së Republikës së Kosovës me ShBA-të.

Filed Under: Kronike Tagged With: Albin Kurti, ambasadorin amerikan, DHE GLAUK KONJUFCA TAKUAN

Kurti: Vetëvendosje është partia më e madhe, i takon formimi i Qeverisë

June 16, 2017 by dgreca

Nuk ka kuptim të formohet Qeveria duke u varur nga Lista Serbe dhe ne jemi të bindur që një Qeveri e varur nga Lista Serbe do t’i kishte dy kryeqytete, edhe Prishtinën edhe Beogradin”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Albin Kurti. Sipas tij, koalicioni PDK, AAK dhe Nisma do të dështojnë në përpjekjen e parë për formimin e Qeverisë, kështu që Vetëvendosje do ta formojë Qeverinë në rastin e dytë.

“T’i kemi 61 numra, ne deputetët shqiptarë dhe më pas pakicat jo serbe. Por, kurrsesi të jetë Qeveria e varur prej tyre”, tha në këtë intervistë, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër të Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Kurti, ju jeni kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për postin e kryeministrit dhe ditë më parë u keni bërë ftesë partive të caktuara që të vijnë dhe të bisedojnë për formimin e Qeverisë së ardhshme të Kosovës. Megjithatë, ju përfaqësoni subjektin e dytë, të dalë nga zgjedhjet. Si keni menduar të merrni mandatin?

Albin Kurti: Lëvizja Vetëvendosje nga këto zgjedhje shënoi një rezultat të jashtëzakonshëm dhe kësisoj u shndërruam në partinë e parë politike në vend. Ne jemi partia më e madhe në Kosovë dhe besojmë se kjo shpresë e madhe e qytetarëve, pas kthimit të guximit tek ata që të votojnë për ndryshime që i duam të gjithë, duhet të rezultojë jo vetëm me një Kuvend të ri, por edhe me një Qeveri të re.

Nuk mund të ketë Qeveri të re nga regjimi i vjetër. Prandaj, ne jemi të bindur që i takon Lëvizjes Vetëvendosje që ta formojë Qeverinë e re dhe këtë do ta bëjmë duke u takuar dhe duke biseduar, në radhë të parë me partitë e koalicionit LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi, por edhe deputetë individualë, të cilët janë nga koalicioni PAN.

Politika dhe pushteti, kanë shkaktuar shumë ndarje dhe përçarje të popullsisë në Kosovë, prandaj ne jemi të interesuar që pas këtyre zgjedhjeve, t’i shërojmë dhe t’i mbyllim këto plagë të hapura të qytetarëve, të cilat vazhdimisht ngacmohen edhe gjatë fushatës zgjedhore. Dhe, ky bashkim duhet të jetë bashkim për ndryshime, bashkim për të mirën e vendit tonë dhe jemi të bindur se duhet të jetë bartëse dhe prijëse Lëvizja Vetëvendosje.

Nuk ka kuptim të formohet Qeveria duke u varur nga Lista Serbe dhe ne jemi të bindur që një Qeveri e varur nga Lista Serbe do t’i kishte dy kryeqytete, edhe Prishtinën edhe Beogradin. Ne e kuptojmë që duhet të kemi ministra serbë në Qeveri, jo veç se kjo të behët duke pranuar kushtet e Beogradit, përkatësisht Listës Serbe e cila funksionon shumë e më tepër si përfaqësi politike e diplomatike e Beogradit në Kosovë, sesa si parti politike e serbëve të Kosovës. T’i kemi 61 numra, ne deputetët shqiptarë dhe më pas pakicat jo serbe. Por, kurrsesi të jetë Qeveria e varur prej tyre.

Radio Evropa e Lirë: Në bazë të rezultateve të deritanishme nga KQZ-ja, koalicioni PAN ka dalë fitues i zgjedhjeve. Në këtë kuadër, kandidati për kryeministër i koalicionit, PAN, Ramush Haradinaj, ka thënë se ai do ta formojë Qeverinë e re? A do të prisni ju që fillimisht Haradinaj të provojë të marrë mbështetjen në Kuvend dhe pastaj të merrni iniciativën?

Kandidati për kryeministër nga LVV, Albin Kurti

Kandidati për kryeministër nga LVV, Albin Kurti

Albin Kurti: Ne tashmë e kemi ndërmarrë iniciativën dhe kontaktet, takimet dhe bisedimet do t’i fillojmë sapo të dihet se kush sa ka fituar dhe cilët deputetë saktësisht kanë fituar. Brenda kësaj jave një gjë e tillë do të bëhet e mundshme dhe natyrisht që nuk do të presim që njëherë të dështoj koalicioni PAN dhe më pas ne të fillojmë.

Ne do të fillojmë qysh tash, koalicioni PAN është një koalicion me heterogjenitet partishë, me heterogjenitet edhe brenda partive që e përbëjnë atë. Ta zëmë, brenda PDK-së ka shumë deputetë të cilët janë edhe atdhetarë e kombëtarë, pra e duan edhe bashkimin kombëtar. Ka edhe të atillë që janë social-demokratë e të majtë, por e kemi edhe partinë Nisma e cila është përcaktuar si social-demokrate dhe unë besoj se jo çdo deputet aty do të jetë i gatshëm që ta braktis atë orientim për shkak të një pushteti të premtuar më herët.

PRESIDENTI THAÇI DHE MANDATI I KRYEMINISTRIT

Radio Evropa e Lirë: Cilat janë kontaktet e juaja konkrete të deritashme me subjektet e tjera? E përmendët Nismën, por sidomos me LDK-në, keni kontakte?

Albin Kurti: Para së gjithash këto i shohim si kontakte që tashmë janë vënë dhe janë në funksion të takimeve dhe bisedimeve të cilat do të nisin porsa të dihen emrat e deputetëve të ardhëm të Kuvendit të Republikës.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë kontakte keni?

Albin Kurti: Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje ka pasur kontakte edhe me LDK-në, unë kam pasur edhe me AKR-në dhe posa të marrim vesh se cilët deputetë do të jenë në Kuvendin e ardhshëm, në legjislaturën e gjashtë, ne do t’i fillojmë takimet dhe bisedimet për Qeverinë e re.

Nuk ka Qeveri të re me regjim të vjetër dhe unë besoj se edhe AAK dhe Nisma duhet ta kuptojnë këtë gjë, por qe besa edhe deputetët e PDK-së.

Radio Evropa e Lirë: Por, çka në qoftë se PAN e formon Qeverinë?

Albin Kurti: Ata nuk do të mund ta formojnë Qeverinë për shkak se nuk i kanë numrat dhe së dyti, nëse duan ta formojnë Qeverinë bashkë me Listën Serbe paraprakisht me Vuçiqin, atëherë kjo do ta fus Kosovën në një krizë të jashtëzakonshme politike, e të paparë në Kosovën e pasluftës.

Radio Evropa e Lirë: Në bazë të një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, Qeverinë e formon subjekti, koalicioni apo partia fituese e zgjedhjeve. Ju si Vetëvendosje dolët e dyta nga zgjedhjet 2017. Do t’i kërkoni mandatin për formimin e Qeverisë, presidentit Hashim Thaçi?

Albin Kurti: Teknikisht ai do t’ia ofrojë këtë gjë koalicionit PAN dhe është i detyruar, është i obliguar që këtë të na e bëjë neve, porsa të dështojë formimi i Qeverisë nga ana e koalicionit PAN, që duket shumë e gjasshme tashmë. Në anën tjetër, ne do të mbledhim nënshkrimet, pasi që t’i fillojmë takimet duke dëshmuar se shumica parlamentare e cila duhet ta formojë Qeverinë e re ndodhet jashtë udhëheqjes së PAN-it.

Radio Evropa e Lirë: Pra, ju do të kërkoni nga Presidenti që t’ju jepet ju mandati?

Albin Kurti: Ai e ka obligim një gjë të tillë.

TAKIM EDHE ME AMBASADORIN DELAWIE

Radio Evropa e Lirë: Zoti Kurti, ju tashmë keni zhvilluar takime me ambasadorë të shteteve të ndryshme të akredituar në Kosovë. Keni takuar edhe ambasadorin amerikan, Greg Delawie, për çka keni diskutuar konkretisht?

Albin Kurti: Ne kemi zhvilluar takime më të gjithë ambasadorët e Kuintit, pra me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Delawie, kemi zhvilluar takime më ambasadorët e Francës, Italisë, Britanisë se Madhe, të Gjermanisë, me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, Apostolova, kemi zhvilluar gjithashtu takim edhe më ambasadorin e Republikës se Shqipërisë, zotin Minxhozi.

Dje patëm një takim me ambasadorin amerikan në të cilin ne kemi shprehur mirënjohjen dhe falënderimin tonë për kontributin dhe rolin e SHBA-ve, jo vetëm për shpalljen e pavarësisë dhe njohjen e pavarësisë se Kosovës, por edhe për çlirimin e Kosovës. Ndërhyrja e NATO-s do të ishte e pamundur në vitin 1999 kundër Jugosllavisë, Serbisë së Millosheviqit, sikurse të mos ishte roli udhëheqës i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. SHBA-të kanë investuar shumë në Kosovë, në luftë dhe paqe. Dhe nga ky takim që u zhvillua në një atmosferë shumë të mirë, ishte e qartë se pajtohemi sa i përket vlerave dhe sa i përket interesave.

Ne insistojmë në sundimin e ligjit, shtetin e së drejtës, në zhvillimin ekonomik, pra në rritjen ekonomike që sjell punësim dhe në politikat sociale, ato që zvogëlojnë pabarazinë. Dhe kishte një pajtueshmëri që t’i vazhdojmë takimet edhe më tutje.

Kritikat, ndonjë mospajtim, unë besoj që gjithnjë e më shumë po zgjidhen me dialog i cili do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Dhe në anën tjetër ka edhe gjëra nga e kaluara të cilat i takojnë së kaluarës, pra, periudhës para 11 qershorit, datë kjo e cila nuk shënon vetëm një kapitull të ri në shtetin tonë, por qe besa edhe një epokë të re për popullin e Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Sa i takon çështjes së formimit të Qeverisë, cili është mesazhi sipas jush i ambasadorit Delawie?

Albin Kurti: Qëndrimi i ambasadorit Delawie ishte shumë i qartë se ata do të bashkëpunojnë me çdo Qeveri e cila arrin ta ketë numrin prej së paku 61 deputetëve, siç e kërkon Kushtetuta dhe ligji, dhe ishim dakord që gjithçka duhet të shkoj sipas vullnetit të qytetareve duke respektuar procedurat demokratike.(Intervistoi: Arton Konushevci)

Filed Under: Interviste Tagged With: Albin Kurti, Formon qeverine, Partia me e madhe, vetevendosja

ALBIN KURTI: Unë jam në arrest shtëpiak, por e gjithë Kosova është si një burg i madh*

December 30, 2015 by dgreca

Si kanë qenë ditët tuaja pas arrestimit spektakolar të policisë speciale me 28 nëntor?
Pas arrestimit, policët specialë më dërguan te Pallati i Drejtësisë dhe aty drejt e te Gjykata, ku e kuptuan se kishin gabuar meqenëse njëherë duhej të më dërgojnë te Prokuroria. Brenda dy a tri orëve lëvizëm nga një zyrë te tjera për të përfunduar në një sallë gjyqi ku ma përcaktuan paraburgimin prej 30 ditësh. Njëkohësisht, dikush tjetër kishte vendosur që të më shpiejnë te Burgu i Sigurisë së Lartë në Gërdoc apo Dyz të Llapit. Në njërën anë, dëshironin të më ndanin e të më izolonin sa më parë e sa më shumë nga Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe politika publike e institucionale në Kosovë. Në anën tjetër, dërgimi në këtë Burg të Sigurisë së Lartë ishte justifikimi retroaktiv për përdorimin e forcave speciale anti-terror të policisë së Kosovës me 28 nëntor, me ç’rast arrestuan 97 aktivistë dhe rrahën e lënduan shumë prej tyre. Pra, meqenëse kanë ndërhyrë me forcat më elitare, unë do të duhej të isha shumë i rrezikshëm, të isha më i rrezikshmi dhe rrjedhimisht të dërgohem në Burgun e Sigurisë së Lartë. Me këtë rast dua t’i përshëndes në veçanti të burgosurit në Pavilonin 3 duke iu thënë se ‘Zajednica nuk kalon!’ dhe t’iu falenderohem atyre për kujdesin dhe shoqërimin e përbashkët që kishim gjatë atyre tri javëve.
Disa analistë e komentuan arrestimin si diçka të zgjedhur prej jush, pikërisht më 28 nëntor. Në fakt, e prisnit një gjë të tillë atë ditë?
-Çdo ditë e kam pritur se do të mund të arrestohem. Qyteti ka qenë i mbushur përplot me policë, shumë prej tyre me uniforma zyrtare, mirëpo shumë të tjerë edhe me rroba civile e të cilët nuk dalloheshin nga qytetarët e tjerë. Kështu ishte që prej mesit të nëntorit e po vazhdon ditë e natë edhe sot e kësaj dite. Teksa kërkohesha prej policisë duke filluar prej 17 nëntorit 2015, unë për asnjë orë të vetme nuk kam dalur jashtë Prishtinës, deri në mbrëmjen e 28 nëntorit kur më dërguan në burgun e Gërdocit (Dyzit). Tërë kohën kam qenë në Prishtinë. Natyrisht që ma ka marrur mendja se do të mund të më arrestojnë më 28 nëntor, por jam përpjekur maskimalisht që ta evitoj këtë gjë. Pas fjalimit tim jemi larguar nga Sheshi ‘Zahir Pajaziti’ dhe kemi shkuar në zyrën e VETËVENDOSJE!-s me shumë aktivistë të tjerë, mirëpo kanë qenë rreth njëmijë policë që na u vunë prapa dhe erdhën te selia qendrore e Lëvizjes sonë. Kësisoj, më 28 nëntor 2015 u bë e pamundur që ta evitoj arrestimin, për dallim nga protesta e 18 nëntorit 2015, protestë kjo e opozitës së bashkuar kundër arrestimit të deputetes Donika Kadaj-Bujupi.
A ka qenë fjalimi juaj i planifikuar atë ditë?
-Po, fjalimi im ka qenë i paraparë, ka qenë e planifikuar që unë të flas, natyrisht, nëse arrij deri te Sheshi ‘Zahir Pajaziti’ pa më arrestuar policia. Meqenëse kam arritur në manifestim, ndonëse me disa minuta vonesë, e mbajta fjalimin. Rajmonda, aktivistja moderatore, nuk më ka parë në masën e tubuar dhe ka menduar që nuk ia kam dalur të mbërrij, andaj ajo ia jep fjalën njëherë Glaukut e mandej mua, përkatësisht e thërret emrin tim.
A ka ftohje me liderët e tjerë opozitarë për shkak të tubimit të asaj dite dhe fjalimit tuaj?
-Jo, nuk ka. Nuk besoj që ka diçka që kam thënë në atë fjalim e të cilën e kundërshtojnë kryetarët, deputetët dhe aktivistët e opozitës së bashkuar.
A do t’i përgjigjeni drejtësisë kosovare?
-Nuk e di si t’i përgjigjem drejtësisë kosovare kur ajo nuk ekziston. Drejtësia kosovare është padrejtësi regjimiste. Kur ne kemi thënë se Kosova është shtet i kapur këtu kemi mendur para së gjithash e mbi të gjitha në sistemin e drejtësisë dhe të sigurisë, në gjyqësinë, prokurorinë dhe policinë. Në Kosovë nuk shërben qeveria por sundon regjimi. Drejtësia është e kapur nga ekzekutivi. Ajo nuk është e pavarur. Si t’i kuptojmë ata prokurorë e gjykatës të cilët me kaq zell i marrin dhe u japin prioritet rasteve kundër aktivistëve dhe deputetëve opozitarë? Si t’i kuptojmë ata policë specialë me uniforma e pa to që ua përgjojnë telefonat e i përcjellin aktivistët tonë, i godasin me rastin e arrestimit e i rrahin në stacion të policisë? Si t’i kuptojmë këta njerëz, që nuk janë njerëz por robotë persekutues? Ne e duam Republikën e Kosovës dhe duam që ajo të jetë Shtet i së Drejtës, por unë nuk kam se si bashkëpunoj me këta nëpunës të padrejtësisë përmes së cilëve regjimi e ka shndërruar res publica-n tonë në res privata-n e tyre.
Pse nuk po merrni avokat?
-Nuk kam angazhuar avokat sepse nuk dua të mbrohem. Meqë nuk dua të mbrohem atëherë nuk kam pse angazhoj mbrojtës. Dhe, nuk është se unë jam mbrojtur në heshtje siç është transmetuar. Sepse unë kam folur e nuk kam heshtur. Kam denoncuar e kundërshtuar këtë regjim autoritar që po e persekuton opozitën duke keqpërdorur policë, prokurorë e gjyktaës të cilët i ndërsen kundër nesh. Në gjyq unë e përfaqësoj vetveten, mirëpo nuk mbrohem në heshtje sepse unë nuk mbrohem dhe sepse unë flas.
Gjykata Kushtetuese ndër të tjera e konfirmoi se Asociacioni e shkel Kushtetutën. Si e keni parë ju vendimin e gjykatës?
Analiza juridike që ia bën Gjykata Kushtetuese ‘Zajednicës’ duke konstatuar shkelje të 23 neneve të Kushtetutës nga secili kapitull i marrëveshjes Mustafa-Vuçiq e ka mbytur ‘Zajednicën’. Ndërkaq, konstatimet e Gjykatës Kushtetuese të stilit ‘nuk është tërësisht në përputhje’ janë konkluzione politike të balansuara dhe tregojnë që kjo Gjykatë më shumë e ka hall se çka do t’i ndodhë qeverisë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese sesa çka po i ndodh Kushtetutës pas vendimeve e marrëveshjeve të kësaj qeverie. Aq e keqe është ‘Zajednica’ e Serbisë saqë edhe Gjykata e kapur Kushtetuese nuk ka pasur çare pa e kundërshtuar. Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës për shkak të emrit të saj nuk ka mundur të veprojë ndryshe. Cili është kuptimi i shpalljes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia dhe i bërjes së saj me kushtetutë të mëvetësishme nëse instalohet ‘Zajednica’ Serbisë në Kosovë?!
Megjithatë qeveria thotë se do të procedojë me Asociacionin. Çka do të thotë kjo për ju?
-Thoshin që Plani i Ahtisaarit është çmim për pavarësinë, të cilën vetëm ashtu na e njeh Serbia. E ‘Zajednica’ çmim për çfarë është, për bashkim kombëtar!? Të insistosh në ‘Zajednicën’ edhe pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese do të thotë të përqafosh pozicionin e Beogradit. Nuk mund të ketë më qeveritarë të cilët janë injorantë apo paragjykues. Nëse nuk kanë dashur ta dëgjojnë opozitën dhe tash nuk duan ta dëgjojnë as Gjykatën Kushtetuese atëherë kjo nuk ka shpjegim tjetër përveçse ata qenkan duke e dëgjuar Serbinë. Po të kishim prokurori të pavarur në Kosovë sigurisht se deri më tani kryeministri Mustafa dhe zëvendësi i tij Thaçi do të ishin paditur qoftë për tradhti ndaj vendit sipas nenit 124 të Kodit Penal i cili parasheh dënim me mbi 15 vjet burg, qoftë për pranim të kapitullimit dhe okupimit sipas nenit 123 i cili parasheh dënim me mbi 10 vjet burg. Mustafa e Thaçi kanë dialoguar me Serbinë duke lënë anash historinë dhe të kaluarën. Kështu, ata jo vetëm që e kanë shpërfillur agresionin dhe krimet e Serbisë, por i kanë prerë edhe rrënjët e pavarësisë së Kosovës. Le të mos harrojmë që strukturat e Serbisë në Kosovë nuk i la Vuçiqi, Tadiqi, Koshtunica e Gjingjiqi por pikërisht Milosheviqi.
A do ta mbajë opozita protestën e janarit të paralajmëruar dhe çka pas asaj proteste?
-Visari, Ramushi dhe Fatmiri e kanë vendosur dhe lajmëruar protestën e 9 janarit 2016. Tashmë po zhvillohen aktivitetet dhe përgatitjet e duhura nga strukturat e të tri subjekteve të opozitës së bashkuar. Sa do të vazhdojmë me protesta nuk varet prej nesh sepse ne nuk do të ndalemi, por varet prej qeverisë sepse ajo duhet të dorëhiqet ose të rrëzohet. Pra, ne do të organizojmë protesta për aq sa është kjo qeveri në pushtet. Kjo qeveri e ka pasur shansin e jashtëzakonshëm nga oferta që ia bëri opozita e bashkuar: të tërhiqen nga marrëveshja për ‘Zajednicën’ e Serbisë dhe Demarkacionin me Malin e Zi, të organizojmë referendum gjithëpopullor për këto dy marrëveshje, ose të shkojmë në zgjedhje të reja parlamentare të parakohshme. Mirëpo, qeveria i refuzoi të trija këto. Ajo nuk pranoi të dialogonte mbi bazat e asnjërës prej këtyre. Rrjedhimisht, ajo dëshironte veçse dialog për zbatimin e ‘Zajednicës’ dhe Demarkacionit. Prandaj, janë bërë të domosdoshme protestat. Kur kemi parasysh gjendjen e rëndë të qytetarëve të zhgënjyer, protestat bëhen edhe të pashmangshme.
Është hera e parë që 13 deputetë opozitare u arrestuan. A po synon qeveria ta lërë vendin pa opozitë?
Kjo është pyetje për qeverinë, pra për pozitën, jo për opozitën. Ne nuk do të ndalemi në protestat tona brenda e jashtë Kuvendit. Nëse nuk ndalet as qeveria kjo njëmend do të thotë se të gjithë deputetët e opozitës së bashkuar do të jenë në burg në vitin 2016. Por jo për shumë gjatë. Kjo qeveri nuk rri dot mbi popull sa qëndrojmë ne kundër saj. Sepse ne nuk mund të lejojmë të na përsëritet historia edhe për pasardhësit tanë duke na u instaluar ‘Zajednica’ e Serbisë e duke ia falur 9.000 hektarë tokë të Kosovës Malit të Zi. Nuk mund të lejojmë që për shkak se Hashim Thaçi nuk e përsëriti klasën kur e studioi lëndën e historinë, tash gjithë vendit tonë të na i përsëritet historia! Nuk mund të lejojmë që për shkak se Isa Mustafës nuk i mjaftojnë tri dekada në qeverisje e po i teprojnë 70 dosje në prokurori, neve tash të na burgoset në keqqeverisje ardhmëria!
Kështu si po shkojnë ngjarjet, a janë të pashmangshme zgjedhjet e reja?
Po. Zgjdhjet e reja po bëhen të nevojshme sepse largimi i kësaj qeverie po bëhet i domosdoshëm. Qeveria Mustafa nuk e shfrytëzoi mundësinë që t’i anulojë marrëveshjet duke u tërhequr prej tyre. Ashtu siç hoqën dorë prej mbrojtjes së Jabllanoviqit në fillim të vitit 2015 kanë mundur të heqin dorë prej mbrojtjes së këtyre dy marrëveshjeve në fund të vitit 2015. Për të qenë më keq se kaq, ata nuk shprehën gatishmëri as për të bashkëpunuar me opozitën e bashkuar për një ligj të ri për referendum që do të pasohej me organizimin e referendumit për këto dy marrëveshje. Referendumi do të ishte i dobishëm, sepse referendumi do ta bënte angazhimin qytetar një pjesëmarrje politike jopartiake për tema të caktuara e jo si një votim për partitë ose për emra të përveçëm. Në Kosovë ku votimi përgjithësisht është identitar e partiak dhe jo politik e qytetar, referendumi është gjithsesi emancipues. Meqë referendumin popullor nuk e do qeveria atëherë na mbetet që populli të mos e dojë këtë qeveri në zgjedhjet e reja.
A besoni se si opozitë e bashkuar mund të jeni të tillë edhe në zgjedhjet eventuale?
Është e mundshme, por mendoj se është tepër herët të flitet për këtë sot. Ju takon krerëve dhe strukturave udhëheqëse të tri subjekteve që ta diskutojnë këtë temë. Po ashtu, besoj se nuk është mirë që përderisa ende s’ka rënë kjo qeveri të mendojmë e flasim për çështje elektorale. Të gjitha fuqitë tani duhet t’i përqendrojmë te protesta e 9 janarit e për protestën e 9 janarit.
Cila është alternativa ndryshe qeverisëse që ofroni ju si opozitë?
Ne si Lëvizje VETËVENDOSJE! e kemi alternativën tonë qeverisëse me 20 kapituj të ndarë në tri shtylla: Shteti i së Drejtës, Shteti Zhvillimor dhe Shteti Social. Çfarë do të ishte alternativa e opozitës së bashkuar s’mund ta them unë dhe s’mund ta them tash.
A jeni të kënaqur me situatën në Prishtinë ku VV e ka pushtetin?
Nuk jam i kënaqur me situatën në Prishtinë por për këtë nuk e ka fajin qeverisja jonë dyvjeçare por keqqeverisja 13 vjeçare e LDK-së. Ne nuk kemi mundur ta rregullojmë dhe zhvillojmë për dy vjet atë që e kanë prishur e rrënuar për 13 vjet. Ndonëse nuk jam i kënaqur me situatën në Prishtinë, megjithatë jam i kënaqur me qeverisjen në Prishtinë. Sepse aty kemi një kontekst shumë të vështirë ku ka hyrë hasmi në katër anë: qeveria qendrore që na vonon, koalicioni lokal LDK-PDK që na lufton, administrata e vjetër që na saboton dhe ndërmarrjet publike komunale që bllokojnë punën tonë. Përkundër të gjitha këtyre pengesave sot në Komunën e Prishtinës janë ndalur prej ndërtimeve pa leje, urisë së nxënësve dhe banesave të ftohta e deri te rradhët e gjata të pritjes së qytetarëve për shërbimet e ndryshme.
Vitin e Ri do ta prisni në arrest shtëpiak. Cila është porosia juaj për qytetarët kosovarë?
Unë jam në arrest shtëpiak, por e gjithë Kosova është bërë si një burg i madh, madje me drejtor e mbikëqyrësa të këqinj. Vitin e Ri 2016 duhet që ne ta bëjmë vit të ri. Shumëçka tregon se kjo është e mundshme. I ashtuquajturi koalicioni i elefantëve PDK-LDK i sajuar me 9 dhjetor 2014 u diskreditua dhe u delegjitimua për 10 muaj, pra ende pa i mbushur një vit. Pasi që u formua koalicioni PDK-LDK-Srpska, mbaj mend se si militantët e PDK dhe LDK që kapën pozita institucionale thoshin se tash mund të dalin në pension gjithë të tjerët së paku për një dekadë pasi që tani kemi koalicionin e elefantëve, koalicionin e partisë së ’89-s e të ’99-s. Për më pak se një vit, pra për vetëm 10 muaj, opozita e bashkuar i hodhi në krizë të thellë elefantët të cilët iknin si minjtë nga gazi lotsjellës. Viti 2016 do të jetë vit i fitores së opozitës së bashkuar, vit pa ‘Zajednicë’ të Serbisë, vit pa falje tokash tona Malit të Zi, vit kur populli ia anulon vizën qeverisë, vit i fitores së qytetarëve të angazhuar, vit i Republikës së Kosovës. Kurse viti 2015 do të mbahet mend si viti i parë i epokës së Vetëvendosjes.
(*Intervista për gazetën Kosova Sot)

Filed Under: Interviste Tagged With: Albin Kurti, kosova, nje burg i madh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • …
  • 20
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT