• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Jetohet në dritë, ëndërrohet në errësirë…

December 17, 2022 by s p

Aleksandër Çipa/

Sa e bukur është jeta jo vetëm si jetueshmëri, por më së shumti si realitet i menduar, i projektuar, i fantazuar, i prekur dhe i imagjinuar!

Jeta është e bukur, po aq, kur është e vuajtur. Unë e kam ndier dhimbshëm, e kam vuajtur dramatikisht dhe e kam përjetuar bukurisht, jetën me varfëri, atë të vuajtjes dhe atë të gëzimit dhe haresë.

Shkrimtarët e mëdhenj e kanë pohuar gati njëjtë bashkërisht dhe, ndryshe veç e veç, se jeta me vuajtje është prova më autentike e shpirtit dhe dimensionit njerëzor.

Nuk e dëshmon dot gëzimi, në këtë madhështi, bukurinë, sikundër vuajtja. Letërsi e madhe vjen përherë prej vuajtjeve vetiake të autorëve…

Kombet e vuajtura kanë përherë art të madh.

Popujt e varfër prodhojnë përherë letërsi dhe kulturë të madhe.

Kombi dhe populli im shqiptar i kanë të dyja edhe kulturën edhe letërsinë. Edhe gëzimi, edhe vuajtja, nuk janë një e dhënë e përhershme që mbartet prej së shkuarës në të sotmen dhe të nesërmen.

Ato krijohen, shtohen dhe plotësohen me kah udhëtues nga e ardhmja.

Në brendinë e njeriut, meditimi dhe sidomos proçesi i të menduarit dhe të përjetuarit të kulturës dhe letërsisë në marrëdhënien me jetën, është i pamatshëm, i pallogaritshëm dhe çuditërisht i papeshueshëm.

Nuk ekziston prej motesh mijëra vjeçare, njësia matëse, në të gjitha kombet e kulturat dhe po kaq pamundësisht edhe brenda jetës mijëra vjeçare të kombit tim.

Si një dilemë jo penguese, kjo bashkëshoqëron në udhëtimin moshues, historinë tonë njerëzore dhe veçanërisht atë të kombit tim shqiptar.

Në këtë fat natyral janë bashkëudhëtues gjithë shoqëritë njerëzore.Në një pllakë të vjetër varri në Bregdet, dikur kam lexuar: ” Jeta jetohet në dritë dhe përfundon si ëndërr në natë”.

Në këtë jetë edhe gëzimi edhe vuajtja, shkojnë si ëndërr të cilën, bukur është ta shkruash. Mirë është ta shkruash edhe për kohën e ardhme, kur duke mos qenë, nuk ke mundësi ta rrëfesh.

Filed Under: Komente Tagged With: aleksander Cipa

Konispoli i mbathur me heshtje dhe i veshur me histori baladash

August 29, 2022 by s p

Aleksandër Çipa/

Nëpër ujëra dhe nëpër plantacione me agrume duhet të shkosh që të mbërish në Konispol. Është qyteza më e skajshme jugore e Republikës, e njohur ndryshe si ” kryeqyteti” i Çamërisë sonë.

I skajuar gjeografikisht, por i përveçueshëm për nga brendia e jetës së vet njerëzore.

Si vizitor të ftojnë e të përshëndesin me natyrshmërinë dhe afërinë më njerëzore. Qytetarët e rastësishëm që përshëndet, lehtësisht të bëhen guidë për çdo skaj dhe godinë të lagjeve që zgjaten përbri një rruge që mund të jetë projektuar si bulevard për të ardhmen.

Ndanë varrezave të dëshmorëve, të cilat janë në qetësinë e pishave që shpesh fërfërijnë prej erërave që vijnë nga jugu apo nga kanali i Korfuzit, janë pesë fëmijë që lozin. Një lojë e pazëshme, por me një heshtje inteligjente, që mbetet në fuqi edhe kur shfaqemi tre të huaj. Gati 50 metra përbri tyre, një vilë e vogël, e rikonstruktuar por e mbushur me vetmi, që na tregojnë se pas asaj shtëpie dikur ishte kloni. Matanë të cilit vetëm zogjtë shkonin dhe ndonjë i rrallë që shkelte vdekjen…

Mjafton një fjalë e tillë, të fitosh të plotë dhe dramatikisht në kujtesë, imazhin e një kohe me ndarje dhe tension të pashterur.

Në kthim, nga skaji jug-perëndimor i qytetit, do të kalosh përbri disa shtëpive të vjetra, në rënim, të braktisura dhe të lëna në fatin e krejt shembjes prej të zotëve. Braktisje dhe pritmëni shembjeje, për arsye që janë të shumta.

Qoshet dhe gurët e skalitur me aq fisnikëri mjeshtrish të lënë të mendosh natyrshëm se u përkisnin familjeve të mëdha, Dinot, Takët, etj. etj. Pak më sipër, një fushë që besoj se është stadiumi i vetëm, i qytetit barthatë. Ndanë saj, një kullë shtëpie e vjetër, e vetmja e mbetur si e tillë që siç na thonë, është e të famshmit të valles aq unike, e Osman Takës. Kaq detaj, do të mjaftonte të shndërrohej në një projekt unik kombëtar si Muze i Valles Shqiptare.

Në qendër ka pak njerëz, por ata të paktë janë më të mençur e më të lexuar se shumë prej njerëzve që hyjnë në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë.

Qyteza është e rrethuar nga male të zhveshur. Një kurorë zhveshjeje që e bën edhe më të theksuar vetminë gjeografike. Matanë kësaj kurore është e padukshme hapësira e alternativave arratisëse për punë, migrim dhe emigrim të banorëve. Por statistikat e tyre na dëshmojnë se ikjet janë të përkohshme. Shtëpitë e reja numerikisht janë shtuar. Modestia është natyralitet që trishton. Peizazhet rrethuese nuk kënaqin vetëm vizitorët. Çmuesit më të rëndësishëm të tyre janë banorët. Ata prej kohësh banimi, kanë projektuar se si dhe ku mund të përdoren asetet për investim dhe turizëm. Tej, në thellinat nën qytet, shtohen plantacionet e agrumeve që kanë për protagoniste prej vitesh, shembulloren Mursi, por që pasohen me aq pasion edhe nga vetë konispolatët.

Në Konispol të mjafton dhe një orë qëndrim për t’u mbarsur me aromën dhe ndiesinë e të qenit jo vetëm në skajin më fundor të vendit, por në atë hise ku tipologjitë dhe fati dramatik i entitetit Çamëri të bëhet frymë e të shtohet në ajër.

Për të shkuar dhe për t’u kthyer nga Konispoli, më e vlefshme është të bësh rrugët rrethore. Nëse shkon nga Livadhjaja, kthehu nga Butrinti. Mjaftojnë këto dy pika për të dëshmuar se sa në territor të pasur ke hyrë si vizitor. Për të depërtuar në thellitë e mëdha të shpirtit të këtushëm njerëzor, duhet kohë e gjatë dhe bashkëbisedim i shumtë. Aty çdo grimcë ajri dhe çdo peshë fjale vlen sa një baladë e pafundme të cilën e muzikon shpirti dhe viset e heshtura të kësaj ane.

Ky cikël fotografish që po bashkëpërcjell me këtë tekst, i mbart gjithë shprehitë dhe kumtet mundshme të të ndodhurave dhe të historive që mbulohen me heshtje dhe vishen me kohë, por pa u bërë harresë dhe pa u ndërprerë, ndër breznitë njerëzore të këtushme. Konispoli, i mbathur me heshtje dhe i veshur me histori të le si vizitor në asosacionin e një balade vijuese.

Filed Under: Kronike Tagged With: aleksander Cipa

Rikthimi i grekoproblemit në Himarë për shkak të korrupsionit shqiptar

August 16, 2022 by s p

Aleksandër Çipa/

Në fakt është një shqiptaro-problem që mbetet i pazgjidhur dhe që përdoret si greko-problem në Himarë. Tashmë, politika e korruptuar shqiptare e tri dekadave të fundit, e ka sanksionuar me shumë forma të ashtuquajturën prani të minoritet grek në Himarë. Kjo është një histori mbi 100 vjeçare, të cilën e investoi për ta pasur si kazus shteti dhe politika greke dhe e mishëroi si të tillë, papërgjegjshmërisht dhe falë ndërgjegjes së molepsur mbi 100 vjeçare elita politike shqiptare. Kësioj Himara është kthyer në një pikë pretenduese për ekzistencë të minoritetit grek dhe këtë vështirë se e zhbëjmë. Por në të njëjtën kohë, atje në Himarë vazhdon të këmbëngulë, rezistojë dhe mbetet në ndërgjegjen e patjetërsueshme kombëtare pjesa më e madhe e banorëve të saj shqiptarë që “as blihen e as shiten”.

Mirëpo kjo është një histori e vjetër. Historia e re shtesë, që inspiron dhe favorizon interesin e politikës greke në Himarë, ka të bëjë me një problem të maviosur pronësoro-ekonomik, të cilën nuk e zgjidh dhe nuk do ta zgjidhë kohë mbas kohe, shteti shqiptar.

Problemi i pronës në Himarë nuk është më një çështje e komunitetit bregdetas. Brenda saj, domethënë brenda këtij komuniteti, në mënyrën më të korruptuar, në masën më abuzuese dhe në fije të shumta mafioze, ka depërtuar një “komunitet i ri, i cili i ka gllabëruar hisetë më të rëndësishme të këtyre pronave. Në këtë gllabërim është e përfshirë elita pasurore e vendit, madje janë disa kategori të këtij grupi të madh interesi: pronarë mediash, oligarkë ndërtimesh dhe kompanish biznesi, politikanë, sejmenë politikë të fuqishëm dhe të kamur, të afërm dhe familjarë të personaliteteve shqiptare nëpër botë, deputetë grekë dhe politikanë grekë përmes njerëzve të tyre në minoritet dhe në subjektet politike të minoritetit, përfaqësues filogrekë të diasporës shqiptare nëpër Botë, kryesisht në SHBA dhe në vende të tjera. Menaxherë dhe marketues të kompanive të huaja në fushë të turizmit dhe interesit strategjik e perspektiv të këtij sektori. Nga Llogaraja deri në afërsi të Sarandës, procedurat, transaksionet dhe shit-blerjet e tokave veçanërisht këto 10 vitet e fundit kanë njohur ritmet dhe intensifikimin më të madh të njohur për tridhjetë e dy vitet e fundit. Tendenca vlerësuese dhe rivlerësuese të tokës dhe e aseteve fitimprurëse të saj në këtë territor është në rritje të pabesueshme progresive. Vetë qeverisësit i janë futur me etje dhe uri makute mundësisë përfituese prej këtyre trojeve dhe hapësirave të mbetura në kalvarin pronësues të tyre.

Një ditë më parë në qendër të Spilesë, lagjia qendrore e qytetit të Himarës, u organizua një protestë nga disa përfaqësues. Mes tyre spikatën përfaqësuesit e pakicës greke në Shqipëri, njëri banor i Himarës dhe tjetri nga Dropulli që përfaqësojnë PBDNJ-në dhe OMONIA-n, një parti dhe një organizatë politike të grekëve të Shqipërisë. Kredibiliteti politik i tyre në minoritetin grek është tejet i ulët, por rishfaqja e tyre në Himarë dhe protagonizmi i tyre cinik në dy gjuhë, duke folur para të tubuarve së pari në greqisht dhe pastaj në shqip, befas rikthen përdorimin e kazusit grek në Himarë në marrëdhëniet shqiptaro-greke. Protesta e djeshme në Himarë merrte shkas me të drejtë nga një vendim i beftë i qeverisë Rama për shpalljen e zonës nga Gjiri i Llamanit deri në hyrje të Qeparoit si një zonë e mbrojtur natyrore. Një projekt-vendim i cili brenda një kohe prej jo më shumë se njëzet ditësh u kthye në vendim nga qeveria. Projektvendimi u çua në Qeveri nga ministrja e Mjedisit dhe Turizmit zonja Mirela Kumbaro. Se si u nismua, nga kush u ideua, përmes cilës ekspertizë kaloi dhe me cilat grupe të interesit u konsultua, kjo nuk u bë e qartë dhe me arrogancë u refuzua të bëhej e njohur publikisht. I vetmi takim i tentuar për të diskutuar me pronarët legjitimë vendorë ishte ai që urdhëronte këshillin bashkiak të Himarës për të miratuar projektvendimin e qeverisë, i cili jo vetëm u refuzua kategorikisht, por shkaktoi indinjatë dhe alarm për banorët dhe mbi 90 pronarët e trojeve në këtë territor bregdetar. Mirëpo qeveria duke u vetëndierë e plotpushtetshme, nuk humbi kohë dhe projektvendimin e shndërroi me urgjencë në vendimin me numër 557, datë 29.7.2022 “Për shpalljen e ekosistemit natyror detar-bregdetar të Gjirit të Porto palermos “Park natyror”, Kategoria IV.

Do të mjaftonte kjo që në mënyrë të stuhishme dhjetëra banorë himariotë dhe pronarë të tokave në këtë territor të nisin reagimet në të gjitha format. Tashmë, ankesat e tyre janë bërë një çështje e mprehtë jo vetëm brenda institucioneve sakate shqiptare, por edhe në komunikimet diplomatike që qeveria shqiptare e kryeministrit Rama ka me ambasadat më të rëndësishme dhe kryesisht ato të vendeve fqinje, kryesisht por jo vetëm ajo greke. Kryeministri Rama dhe ministrja e tij Kumbaro janë përpjekur të ofrojnë si sqarim burokratik pohimin se :” Shpallja e një zone të mbrojtur nuk ka të bëjë me pronën private apo publike, por me mbrojtjen e potencialit natyror të një zone. Dhe në rastin konkret 89% e kësaj zone është det, prandaj quhet dhe zonë e mbrojtur detare. Kjo nuk i tjetërson pronat private, por rrit nivelin e mbrojtjes për zhvillim të qëndrueshëm.

Është i njëjti parim që zbatohet edhe në zonat e mbrojtura të trashëgimisë kulturore kur i shpallim qendra historike, si Dhërmiu, Vunoi, Gjirokastra etj, brenda të cilave ka më shumë prona private se sa publike.

Dhe kjo vlen edhe për Zonën e mbrojtur Park Natyror të Vjosës, ku banojnë mbi 60 000 banorë në 8 bashki, dhe për të cilën janë bërë aq shumë protesta e lëvizje nga shoqëria civile dhe media…”

Kjo përgjigje në thelbin e saj është rutinore dhe alibike, pasi në thelbin real të saj mund të mos jetë tamam kështu. Pronarët në ankesë dhe reagim, që pritet të jetë edhe më i stuhishëm në ditët e ardhme, pohojnë se e ardhmja e afërt do të dëshmojë të kundërtën. Ky vendim arrogant i qeverisë, madje më fyesi për pronarët e ligjshëm, është paraprirë nga disa procese administrative penguese dhe pengmbajtëse para se të zyrtarizohej. Ky është një vendim i njëanshëm, i pakonsultuar dhe i padiskutuar me banorët, pronarët, pushtetin vendor dhe grupet e interesit. Ka një arsye mafioze që pronat në këtë territor për arsye që i di vetëm qeveria dhe ministria e linjës, prej kaq vitesh po mbahen peng nga Kadastra dhe i ashtuquajturi proces i menaxhimit. Madje në shkelje flagrante të ligjit dhe kushtetutës, në shkelje të lirisë themelore për trashëgiminë, përdorimin dhe shitblerjen e pronës, kadastra e Vlorës ka bllokuar procedurat dhe proceset apo transaksionet me pronën në këtë zonë. Disa prej pronarëve tashmë shtetin shqiptar e kanë çuar në Gjykatën e Strasburgut, pasi kanë kaluar të gjitha shkallët e gjykimit në gjykatat shqiptare. Për kostot dhe penalitetet që shteti ynë do të ketë, asnjë prej këtyre urdhërdhënësve nuk do të mbajë përgjegjësi dhe nuk do t’ia dijë.

Mirëpo kostoja shumëplanëshe së fundi po mbishton edhe një kosto tjetër. Atë, për të cilën socialistët dhe qeveria Rama në krye të 10 viteve më parë u krenuan se i hoqën Himarës damkën e përdorimit grek dhe të maviosjes së pretendimeve filogreke për një kazus minoritar grek në vendin që është më i vjetër se vetë Greqia.

Një ditë më parë në mbështetje të banorëve-pronarë të trojeve nga Llamani deri në afërsi të Qeparoit u ribashkuan krerët politikë të minoritetit grek. Folën në dy gjuhë për këtë problem dhe u qeshnin fytyrat prej kësaj mundësie. Shqipja e tyre ishte e saktë, por ishte e dyta në rendin ligjërues. Përballë tyre ishin tufa me pronarë bregas dhe pushues shqiptarë. Greko-problemi u rikthye në Himarë pas kaq kohësh humbjeje, si shkak dhe për arsye të një korrupsioni të fshehur vendimmarrës me pronat dhe brigjet bregdetare të Porto Palermos. Kësaj here e riktheu me lehtësi të madhe dhe me po të njëjtën papërgjeshmëri si paraardhësit e tij, vetë Kryeministri Rama dhe të bindurit e oborrit të tij qeverisës. Urdhërdhënësit do të shfaqen, tamam si bajlozë, por jo nga Deti. Mirëpo, Himara ka për simbol të vetën kafshën mitologjike të Kimerës, e cila në një trup ka tri koka, një ndër të cilat, në kohën e sotme, është ajo e tokamarrësve që vijnë nga ortakëritë me politikën në këtë republikë.

Filed Under: Politike Tagged With: aleksander Cipa

Në pikëllim si miliona shqiptarë…

August 3, 2022 by s p

Aleksander Çipa/

I nderuari dhe i dhembshuri Bledar Avdia ngushëllime!

Unë nuk ju njoh dhe ju nuk më njihni. Nuk ju kam takuar dhe nuk më keni takuar. Tashmë jemi takuar së bashku në një dhimbje, por jo në mënyrë të barabartë. Dhimbja juaj është e papeshueshme dhe dhimbja ime është e zakonshme, por edhe ajo e papeshueshme. Pasi, dhimbjet nuk kanë njësi matëse dhe nuk kanë peshore. Dhimbjet kanë vetëm rëndesë, në shpirt.

I dashur Bledar, sot për sot, ju jeni shqiptari më i prekur, prindi më zemërshpuar, ju jeni patrioti im më i pandihmueshëm dhe për këtë, kam një dhimbje që nuk e them dot me fjalë.

Ju jeni një prind që keni humbur gjënë më të shtrenjtë të jetës, dritën më dritë, të shpirtit dhe të familjes tënde, vajzën. Kjo është e pangushëllueshme. Ju erdhët në atdhe të respektonit atdheun krenarisht dhe të merrnit prej tij, atë që mund të dëshirojë të marrë një emigrant. Zgjodhe Bregdetin e jugut, sepse je ndër ata shqiptarë që e do atdheun skaj më skaj, e centimetër më centimetër. Një bir si Ti, mund të dojë e adhurojë kështu, pa hile e pa llogari, atdheun. Por more plagë. More një shpim të thellë në zemër që nuk ka kohë që ta shëron dhe nuk ka fjalë që ta lehtëson.!!!

I dashur Bledar, jam në pikëllimë si shumë e shumë dhe miliona shqiptarë, për dhimbjen tënde sot. Unë, diçka më tepër.

Sepse tragjedia jote, ndodhi në vendlindjen time Himarë. Askush nuk do ta donte dhe askush nuk mund ta mendonte. Ju erdhët në skajin jugor të Atdheut të merrnit diçka nga kënaqësia e peizazhit dhe natyrës shqiptare në jug të vendit. Gati katër dekada më parë, im At në rrethana dhe kushte krejt të ndryshme mori të njëjtën dhimbje dhe pësoi gati shëmbëllisht të ngjashmen tragjedi. Atëhere ai shkroi: ” Vijnë mandata/ s’ka kambanë/ s’gjendet qyqe për të qarë!” Shoqëria ka mbetur po ajo!

Filed Under: Analiza Tagged With: aleksander Cipa

Guidë nga Mati, te matjanët dhe anasjelltas

June 1, 2022 by s p

Nga Aleksandër Çipa*

Libri “Matjani për Matin” është një antologji rrëfimesh dhe adresimesh për Matin. Si e tillë, ajo ka vlerën atipike të një përmbledhjeje informuese, gjeografipërshkruese, historie kronologjike, ka pasurinë ekspresive të një doracaku orientues tej së shkuarës dhe matanë së ardhmes së Matit. Por si një antologji atipike, kjo përmbledhje vjen përkushtueshëm prej një biri të paepur në shërbim dashuronjës për visin e vet, prej një publicisti me profil të krijuar ndër dekada, si shërbestar historiko-kulturologjik për vendlindjen dhe sidomos, visdashjen e bashkëvendasve të vet, Matin. Bëhet fjalë për një visdashje që mbart dhe udhëhiqet prej dëshirës dhe përkushtimit epistologjik të bijve të vet. 

Janë dhjetra emra të shquar të përfaqësimit historik dhe kulturor kombëtar shqiptar që kanë origjinën dhe zanafillën fisnore të tyre nga visi i Matit. Është ky troll që në identitetin dhe modernitetin shqiptar të historisë, jo vetëm shpërfaqet atipikisht, por dominon përfaqësueshëm. 

Për këtë arsye, autori i këtij libri, Hamdi Hysuka, motivin e parë shtytues për aktin autorial ka dashurinë dhe krenarinë genuine të visdashjes, të krahinë-përkimit dhe të shqueshmërisë kombëtare si në rrafshin historik, atë politik dhe sidomos kulturor dhe antropologjik. 

Krejt vëllimi publicistik është i mbushur me materien përkushtuese për Matin dhe matjanët. Një përcaktueshmëri klasike kjo, në raportin vis-njeri për të provuar me krejt materien e vet shkrimore se: visi e fiton provën dhe ngjizjen historike të vetvetes, pashmangshmërisht në saj të historisë që bën njeriu. Në rastin e Matit, është fjala për një histori që u materializua jo thjesht si kontribut historik, politik, kulturor apo më gjerë shpirtëror, por parësisht, material arkeologjiko-historik. 

Në disa prej shkrimeve të këtij libri ofrohen opcionet më të pakundërshtueshme të historisë zanafillore, të artefakteve të përshkruara arkeologjike, të kontributit kulturologjik në fillimësinë e shqipes si me Pjetër Budin, apo në adresimin e pandërprerë albanologjik të kontributorëve më të famshëm ndërkombëtarë të kësaj disipline, të cilët njeri pas tjetrit, nuk e kanë humbur dritësimin prej fari të matjanëve në fushën e dijes, prelatësisë dhe sidomos mendimtarisë në shkrimtarësi dhe rrëfimtari. 

Antologjia e ciklit të gjerë të publicistikës (me shumë autorësi) në këtë libër, nuk e eklipson punën selektuese dhe konceptin strukturues të vetë autorit Hysuka. Madje në këtë koncept, duket se e ka bashkëndarë autorësinë individuale për interes të drejtnjohjes dhe plotnjohjes së krahinës së vet, duke dashur të perifrazojë misionin vetiak sipas afërisë me poezinë e famshme të Kadaresë për Skënderbeun: “Ç’ka mangut linte ditën Gjergji / plotësonte natën Skënderbeu”…E thënë në mënyrën më të drejtëpërdrejtë, kjo antologji nuk ka vetëm përshkrim, por është në tërësinë tekstuale të saj një doracak me vlerë të gjithëhershme përdorimi për përcaktueshmëritë kohore historike të Matit, për drejtorientimet kulturore të së shkuarës dhe përdorimi i pazhbëshëm referencial i saj, lartësimi mbipolitik dhe aq më tepër partiak i bijve matjanë si dhe rivlerësimet e historisë në kontekstet kombëtare dhe gjithëshqiptare të bijve dhe protagonistëve të vet. 

Në këtë libër është në fuqi klithma optimiste për të mos humbur asgjë nga e shkuara e vendlindjes Mat. Është e jehonshme dëshira për të ardhmen e ndritshme turistike të krahinës, për një punë të palodhshme dhe pandërprerje për ndryshimin dhe promovimin e kulturës, trashëgimisë dhe sidomos identitetit entitar të Matit dhe matjanëve. Në këtë mënyrë, sipas autorit, duke shërbyer dhe kontribuar për vendlindjen, ke fituar provën për gurin peshues të së nesërmes matjane. 

Antologjia përshkruese në krejt strukturën e vet, ndjek një linjë të fisme idolatrie për atdhesinë. Në sociologji do të thuhej për toposin. Por ne e evitojmë qëllimisht këtë term socio-gjeografik, sepse ia vlen më tepër kuptimësia e atdhesisë matjane. Jo më kot, autori ka përfshirë në hyrjen e këtij libri, strukturën në miniaturë të një enciklopedie personalitetesh matjane në kuadër të krejt historisë kombëtare shqiptare. E ka mundësuar jo vetëm racionalisht, por edhe konceptualisht drejt, duke mos mbetur vetëm në emërsinë e kontributorëve të shquar matjanë në historinë politike të kombit, por edhe në adresimin te bashkëkohës të tij, të cilët edhe amlin edhe ashtin prej matjanësh e dëshmojnë dhe shpërbjejnë duke i dhënë vlerë jo vetëm lokale, por gjithëkombëtare dhe ndërkombëtare. Në këtë aspekt, libri ka vlerë unike dhe të çmueshme për publicistikën enciklopedike entitare shqiptare.

Libri i Hamdi Hysukës është ndër të tjera, me vlerën e një doracaku emërdëshmues për inteligjencën dhe ekspertët me reputacion kombëtar dhe ndërkombëtar të Matit në gjithëkohësi. 

Në të gjitha lëmitë, në kapitujt shkrimorë të këtij libri, bij të Matit bëhen zëra të një polifonie kulturore dhe shkrimore aq të lakmueshme nga krahina apo vise të tjera të shqiptarësisë dhe rajonit tonë ballkanik. Është kjo një dëshmi aq autentike për valencën intelektuale, atë civile dhe sidomos të investimit njerëzor të kësaj krahine. Libri ofron dëshminë e vet autentike dhe provat vijuese për një gjendje dhe shpirt emancipues që trashëgohet në viset e Matit. 

Bijtë dhe bijat intelektuale të krahinës janë miniaturisht prelatë të një bashkëjetese dhe kulti europianist të pranësisë dhe pranimit religjionar. Mjafton të kalosh tekstin-guidë nën titullin “Të mirin e të zotin gjithkush e do” dhe të mjafton të krijosh një imazh të plotë perceptual për kontributësinë intelektuale dhe qytetare të matjanëve në hapësirat historike dhe atë teritoriale të kombësisë sonë.

Ky libër edhe pse është konceptuar (dhe falë autorit ia ka dalë të mbetet besnik i dritësimit të më së duhurës lokale), nuk është një tekst me gravitet lokalist. Përkundrazi, ka peshën specifike të rrëfimtarisë dhe fjalëthënies shumënjerëzore. Për këtë arsye, autori i tij, Hamdi Hysuka, e imponon lexuesin të fitojë dijeni dhe njohje më shumë se prej një autori.   

*kryetar i Unionit 

të Gazetarëve të Shqipërisë

Filed Under: LETERSI Tagged With: aleksander Cipa

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT