• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Personalizimi i dialogut 

October 7, 2020 by dgreca

Nga Alfons GRISHAJ-

Mendimtarët jetojnë një botë të thellë shumë dimensionale,  kanë  pak fjalë e shumë punë. I shoqëron një ndrojtje natyrale dhe një leksik i zgjedhur. Ndryshe prej tyre, pjesa dërmuese e opinionistëve, debatuesve të sotëm televiziv ngjajnë me grethat që kanë të njëjtën strukturë, të njëjtën ngjyrë dhe të njëjtën zukamë, për çka dhe kurrë nuk mund t’ua gjesh dallimin. Prandaj dhe dialogu, si pjesë përbërëse e zhvillimit të  arsyes superiore ndaj mendimit të varfër, pëson atë frakturë karikatureske që shihet dhe dëgjohet rëndom. Për të mos përmendur pastaj etikën intelektuale apo dhe thjesht profesionale. Jo rrallë polemistët zelltarë e ngatërrojnë ekranin blu me “elektrik blu”.

Debatuesit, në paraqitjen prezantuese  duken të qetë, pozantë dhe dikushi që ka tagër të posedojë një auditor të gjerë, por pas fillimit të dialogut, arena e rrahjes së mendimeve degjeneron (siç theksova më lart) në rrahje zërash apo zhurmash duke vënë në punë dhe teknikat e provokimit, ku nuk mungojnë thumbimet, fyerjet, sharjet deri dhe kërcënimet. Instikti ia kalon arsyes, duke e shndërruar debatuesin në një karakter statik dhe njëkohësisht qesharak. 

Degradimi i replikave, i ballafaqimit të ideve “intelektuale” zhvillimore, politike apo shoqërore, e kthen banalisht debatin nga fokusi i një çështjeje me vlerë apo interes publik në një konflikt personalizues. Për mendimin tim, personalizimi i debatit ka të bëjë me pjesën thelbësore epistemologjike, por dhe të genit. Personalizimi i debatit, nga njëra anë është shndërruar në një armë militanteske e vrastare e mendimit të pavarur dhe, nga ana tjetër mjeti më i përdorur në fushatën e bombardimit të veshit kolektiv publik. 

Nëse dikush shkruan një shkrim, jep një mendim, një sugjerim, apo mban publikisht një qendrim kritik sipas bindjeve personale, apo thënë më saktë jashtë kodekseve të strukturuara të establishmentit, del “dikush” që idenë pozitive të një subjekti të pavarur ta tërheqë në skenën e përballjes personalizuese, vetëm e vetëm që thelbi i propozimit të sfumohet nga sfida e grindjes thua se arena e ballafaqimit të ideve duhet të ngjallë të njëjtat përjetime histerike që shkaktonte në antikitet arena e gladiatorëve. Personalizim! Një “sëmundje” që shfaqet tek personat me amigdala të dobët.

Kjo tregon se  “inteligjenca” jonë është e dobët, irelevante  pa sensin e frymëmarrjes  dialoguese, pa reflektimin e logjikës objektive, pa respektimin e bashkëfolësit, mendimdhënësit apo rregullave të lojës, të cilat janë empirike në kodin etik. Rrapëllima e nonsensit dhe defiçenca e intelektit nuk ka lidhje me të ashtëquajturën diplomë e cila është  një copë letër, por me formimin e vetëdijes dhe dijes, ku sjellja pasqyron realitetin e pasurisë shpirtërore dhe intelektuale. 

Kur diferenca e dijes dhe vetëdijes është e vogël, dialogu dhe mirëkuptimi i ka portat hapur. Kur dija dhe pseudodija ndeshen, shihet diferenca… dhe honi bëhet i pakapërcyeshëm. 

Dialektika Hegeliane është e qartë, “Shpirt Absolut!”… teza dhe antiteza, jo gjëagjëza dhe “ofeza”! Debati i fundit presidencial Trump dhe Biden qe një tregues i pakontenstueshëm i “Shpirtit Absolut” dhe  defleksionit grotesk.

Paraqitja e jashtme e shumë njerëzve të gënjen përkohësisht, sepse fallsiteti është vetëm një leskër e destinuar për të rënë sapo realiteti nis të stazhionohet para syve të shoqërisë. E në këtë rast, nuk vlen dhe aq metoda e Sokratit sepse nuk mund të pyesësh më për subjektin kur është lakuriq para teje. 

Shoqëria jonë retorike-egoiste për sa kohë që nuk ka një liman shpirtëror ku të ankorohet për të reflektuar do  vazhdojë të shformohet si pjatë plastike nga fuqia e mikrovalëve të kohës dhe ultratingujve dimensionalë… 

Filozofia gjithnjë ka si ligj t’i shkojë gjërave deri në fund me anë të pyetjes dhe përgjigjes. Si përfundim, për të qetësuar nonsensin e personalizimit që sjell dhimbje dhe shformim, do thoja që “shërimi” i kësaj sëmundje deformuese,  vjen nëse ne respektojmë  shpirtin si frymë  në trupin tonë, dhe ushqejmë pareshtur mendimet e bukura rreth të vërtetave. Nëse ato janë të ndara, somatopsikika bëhet pjesë e jetës së përditëshme. Disa doktorë mendojnë se duke shëruar mendjen shërojnë dhe trupin, kjo ka arsyet e veta mjekësore, por mendja dhe trupi shkojnë në unison vetëm nëse njohin shpirtin si çelës i fuqisë së njeriut. Mendimet e tjera duhet të diskutohen. Dialogu për të qënë i frutshëm  duhet të qëndrojë në thelbin e subjektit pa rënë në batakun e Cognitive Bias. Gjithashtu do  këshilloja “inteligjencën” që të mos luftojë për kupën e mençurisë sepse sillogjizma e Aristotelit është ende lapidare: “Të gjithë burrat janë mortalë dhe të gjithë  mortalët  kanë frikë  vdekjen”. 

Filed Under: Opinion Tagged With: Alfons Grisha, Personalizimi i dialogut

Papërgjegjësia e një Kryeministri

April 11, 2016 by dgreca

Nga Alfons Grishaj/ Michigan/

 Rasti  i deklaratës së Kryeministrit shqiptar , përfundimisht ma mbushi mendjen se , udhëheqësit politikë të  Shqipërisë janë nga më idiotërit  në glob… Deklarata e Ramës  ndoti Shqipërinë deri  tek “The New York Times”… Ai u soll si Kryeministri  i “Përrallës së Shllavarisë”* dhe aspak si Kryeministri Shqipërisë . Kaq i paaftë të jetë populli shqiptar ,  sa  zgjedh  herë  një idiot ,  herë një super idiot… Dështaku i pikturës , i dehur nga opiumi  shkapërcen logjikisht  kontinentin europian dhe kërcënoi me prishje marrëdhëniesh me SHBA, nëse zgjidhet President,  Donald Trump ! …

O Zot! Shekulli XXI ,  nxorri dhe një Enver Hoxhë tjetër…

Ky  , nuk e ka idenë se si bëhen fushatat në Amerikë , dhe as idenë e politikës së tyre…Rama , kërcënon vetveten dhe popullin e vet  me izolim dhe aspak Amerikën! Për Amerikën , Shqipëria është sa një lagje e një shteti, apo sipas përkufizimit të një shkrimari shqiptar : “ Për Amerikën , Shqipëria është një fshat i madh”.  Amerika ka qenë dhe është  aleati më i sinqertë që kanë pasur ndonjëherë shqiptarët . Amerikanët ,vendin tonë nuk e kanë parë nga ana gjeografike , por nga ana e historisë  dhe tradicionit. Ata nuk kanë pasur asnjëherë nevojë për ne . Ne kemi qenë nevojtarë të  një aleati të fuqishëm për ekzistencën kombëtare… Këtë aleancë e formoi Vatra e Nolit dhe Konicës, dhe e shkatërroi Enver Hoxha me partinë e tij.  Tani na del sozia e Enverit dhe flet përçart …

Do të vijë Trump, Kruz, Klinton apo Sanders ,  politika ndaj aleatëve të NATO-s  dhe vendeve mike  mbetet   e njëjta. Deklarata e papërgjegjshme e Ramës,  ka burimin nga dy shkaqe:

1)- Aderencat e komunizmit …Kryeministri Shqiptar është rritur dhe edukuar nga një familje komuniste, ku në thelb ishte:  Partia! Partia! Partia! Dhe përsëri Partia!Dhe asnjëherë Shqipëria!…

2)- Komunistët shqiptarë , nuk kanë pranuar  asnjëherë  edukimin e   shkencave politike moderne  perëndimore . E kam thënë dhe më parë,   i vetmi Institucion ka qenë “Shkolla e Partisë”, që mësonte se si të edukohej politikani i ri  me dashurinë ndaj Partisë dhe “shokut” Enver. Të gjitha tekstet për demokracinë , ishin  e kundërta  e teksteve të  botës së qytetëruar . Vizioni për demokracinë dhe bërja politikë  kufizohej tek bujqësia dhe mjelja e dhenve, bërja e bunkerëve për tu mbrojtur nga armiqtë imagjinarë  dhe prodhimi i thekrës . Kjo shkollë e zhyti  popullin në mjerim . Biçikleta kineze ishte mjeti më  modern dhe  më i dashur i familjes. Nëse gjendej ndonjë kanaçe Coca Cola, vendosej  si relike në bufe  … Njerëzve  të asaj kohe u numëroheshin brinjët mbi xhaketë.  Fytyrat e rreshkura 30 vjeçare ngjanin me  ato 50 vjeçare …pasqyrë e mjerimit  të një rregjimi çnjerëzor. Inteligjenca e asaj kohe është  reflektim i politikës  së sotme.

A nuk ishin “intellektualët” në takimin me Ramizin , që i thanë këtij të fundit, “Nuk e kuptojmë  fjalën pluralizëm”!… E pra  sot , shqiptarët  qeverisen (zvarriten)  nga ky soj e sorollop  maskarenjsh…Pas deklaratës delirante të Kryeministrit , lindin disa pyetje :

Nesër…Çfarë mund të sjellë deklarata e një Kryeministri të tillë?

Izolimin e Shqipërisë , pasigurinë  e emigrantëve ?

A është në dijeni Rama, për ligjin e aprovuar nga Kongresi Amerikan , për sistemin e  emigracionit lidhur me dy vendet arabe,  Irakun  dhe  Sirinë , gjithashtu Persinë (Irani i sotëm) ?

Këtë ligj nuk e aprovoi  Trumpi “kontraversal” , “Sharlatan”  etj etj … A ka dëshirë Rama ta përfshijë Shqipërinë në një listë të tillë?!  Pse sillet ai   sikur të  ishte   mbret i shqiptarëve dhe jo kryeministër dhe kryetar i një partie tranzitore?  Gjoja i qan zemra për emigrantët  dhe do ti mbledhë përfaqësuesit në Tiranë…Po,  a ka tagër ky njeri i papërgjegjshëm  që nuk ka bërë asgjë deri më sot për emigrantët, dhe jo vetëm atë , por flet me një gjuhë tipike komuniste  për të prishur  marrdhëniet me aleatin tonë tradicional , Amerikën ?

Çhurchilli , thoshte për socialistët : “ Socialism is a philosophy of failure, the creed of ignorance, and the gospel of envy, its inherent virtue is the equal sharing of misery…”

Ai mendon se deklarata e tij  i shërben një takimi momental me Presidentin Obama ,  por nuk është e vërtetë …

Takimi me Obamen , do të jetë  onorifik dhe për këtë takim, disa shqiptarë të Amerikës kanë punuar fort (që do të pendohen më vonë).Vetë  demokratët  amerikanë  e shohin  Ramën  si një hibrid  joprodhimtar…

Së fundi  amerikanët,  mund të  shahen , të rrahen me njëri-tjetrin, por përsëri janë amerikanë. Ata nuk mbajnë inat me bashkëkombasin  e vet  si shqiptarët ,  që nuk e kanë për gjë  t’a kryqëzojnë  kundërshtarin. Amerikanët , kundërshtarin e shohin si zhvillim dhe jo si armik.

Amerika dhe Shqipëria , nuk prishen as nuk ndreqen nga skifot dhe  praktitat e delitantizmit politik shqiptar , as nga deliri i madhështisë , as nga analistët mjeranë të vendlindjes sonë. Sot në Amerikë , jetojnë  mbi 700 mijë shqiptarë, të cilët kanë krijuar emrin e tyre të mirë , kanë lidhje të shkëlqyera me Departamentin e Shtetit , Kongresin dhe  Senatin Amerikan. Një ditë , shqiptarët e Amerikës do të diktojnë  zhvillimin e vendit  jo për ego , por për hir të Shqipërisë Etnike  dhe prosperitetit nacional. Brezi që edukohet në Amerikë , nuk vuan nga sëmundja e kleptomanisë, nga deliri i madhështisë , nga ksenofobia, nga ksenomania , nga kompleksi i inferioritetit , nga inkopetenca dhe mosnjohja e zhvillimit, nga urrejtja dhe vagabondazhi parlamentar, as nga penalizimi i servilizmit të rrogës…

Mendoj se:

Diferenca e civilizimit shikohet në largpamësinë e udhëheqjes, në sjelljen dhe nivelin racional , në përgjegjësinë e  qëndrimeve kombëtare e ndërkombëtare, në borxhin e të deleguarit të popullit dhe pasqyrimit të tij, në dashurinë ndaj detyrës dhe respektimit ndaj ligjit, respektit ndaj zgjedhësit dhe mosnjohja egomanisë, vetëkontrolli ndaj joshjes së ofertës negative  dhe dehjes së ksenomanisë , dhe mbi të gjitha , vizioni i përsosjes së plotësimit të nevojave të popullit…Nëse një i zgjedhur nuk i plotëson këto elemente bazë, duhet të largohet urgjentisht me votë sot,  nesër bëhet vonë , pikërisht se mund të  lindë një diktaturë e re, që mbase  duhet rrëzuar me dhunë ! Në këtë rast,  humbësi i madh, populli !

Përralla e Shllavarisë* = Një vend ku qeverisej nga banditët …Intelektualët e vërtetë ishin shërbëtorë të banditëve. Gjethet  e pemëve  ishin prej  floriri. Mjafton t’i shkundje dhe merrje sa të duash florinj …Gardhet ishin prej suxhukësh…Puset e mbushura më verë të kuqe dhe të bardhë . Mjafton të hidhje koven dhe mund ta mbushje  plot me verë të kuqe a të bardhë. Për të arritur  në Shllavari, duhej të pyesje shurdhin, të spjegonte  memeci  dhe  të udhëhiqte  qorri . Pas mbrritjes , duhet  të kaloje (haje)  tre male me pilaf…

*Shënim i imi.

Filed Under: Featured Tagged With: Alfons Grisha, i papergjegjshem, kryeministri

MICHIGAN, TAKIM ME SENATORIN PITERS

December 6, 2015 by dgreca

Kryetari dhe zv/kryetari i deges se Vatres ne Michigan ne takim me Senatorin Gary Piters/

Te Dielen, me  6 Dhjetor 2015, Senatori i Michiganit Gary Piters dhe ekipi i tij ,kishin planifikuar nje takim me miqt e Tij ne Birmingam…Ne protokollin e Senatorit Piters , ishin perfshire dhe dy perfaqesuesit e Vatres , kryetari I deges se Vatres ne Michigan, z. Alfons Grishaj dhe zevendesi I tij, z. Mondi Rakaj. Mysafiret e ftuar i priste  tek dera shqiptarja, qe punon per senatorin, Zonjusha e nderuar Elisa Malile,e cila me buzeqeshjen e çilter qe e karakterizon, ua uroj mireseardhjen…

Ishte kenaqesi qe ne kete takim miqsh nga shume vende ,ishte dhe miku i ngushte yni , Hy Safran, i cili pas fitores se Piters , kishte shkuar ne nje detyre tjeter te rendesishme per komunitetin e Tij Izraelit.Takimi me Piters , si gjithnjë  ishte nje kenaqesi e veçantë. Ai na përshendeti si miq të vjeter dhe shprehu kenaqesine qe po na takonte.Me Z. Grishaj , filluan te bisedonin per politiken e jashtme dhe konkretisht per emigrantet nga Siria. Piters u pergjigj pyetjeve te miqve , ku ata e durtrokitet Ate.

Ne takim pati dhe Republikan qe perkrahnin prej kohesh Piters, njeri nga ata u shpreh : “ Dhe pse une jam Republikan , mendoj se Piters , perfaqeson interresat e pjeses se dermuese te Amerikaneve ,  sidomos te vlerave ne Miçigan.”

Mondi Rakaj, me shaka i drejtohet Hy Safran dhe Senatorit Piters : “ Let’s take a photo like old times.” Pas fotografive u pershendetem perzemesisht , duke planifikuar nje takim te ardhshem …Informacioni per Gazeten DIELLI- Mond Rakaj

Filed Under: Vatra Tagged With: Alfons Grisha, Michigan, Mondi Rakaj, takim me senatorin Piters

Democidi* i Titos

March 2, 2015 by dgreca

-Vetëm në burgun e Goli Otok dhe kampe tjera kanë humbur jetën 206 000 mijë vetë. Kjo statistikë deri në vitin 1965./
Nga Alfons GRISHAJ/
Rastësisht,në një tavolinë miqësore po bisedonim rreth viteve të terrorit komunist në botë. Fjala ra tek Josip Bros Tito…
Shpjegova se Tito gjatë kohës së luftës dhe regjimit tij, kishte ekzekutuar qindra-mijëra njerëz. Habija pushtoi tavolinën dhe kundërshtimi erdhi pa menduar: “Nuk është e mundur!”
Fakti në vetvete është vula e të vërtetës.Por, kur ilustrimi dëshmi dhe deshmitarë është evident nuk lë më hapësirë për gënjeshtra të bukura.
Pas kësaj ,vendosa të jap një informacion lidhur më këtë figurë kontraversale, ku Jugosllavia e qeverisur nga ai zë vendin e 14 në botë për democid …
Rudolf Rummel, një nga historianët më në zë në botë, paraqet shifra të tmerrshme për democidin e Titos , gjatë luftës dhe regjimit të tij. Sipas Rummel, ushtria e Josip Broz-it masakroi rreth 1.072 .000 njerëz. Në librin e tij: “Death by Goverment”, sqaron se Tito, zë vendin e katërmbëdhjetë në botë për krime kundër njerëzimit. Përsëri sipas tij , të vrarët janë: Ustashi, kritikë ,të pasur, pronarë, borgjezë, klerikë ,biles dhe komunista pro-rus…
Vetëm në burgun e Goli Otok dhe kampe tjera kanë humbur jetën 206 000 mijë vetë. Kjo statistikë deri në vitin 1965.
Milovan Djilas (ish-bashkëpunëtori i Titos, i burgosur disa herë nga Tito ), sjell shifra më të larta për këto masakra…Ai shkon në shifrat: 1.700.000 deri në 1.800 000 njerëz. Në bazë të përqindjes për frymë të popullsisë , i bie 6.7 përqind deri në 11 përqind të masakruar…Në fakt, statistikat e paraqitura lidhur me krimet e komunizmit lëvizin në mënyrë dramatike…
Duke lexuar , “Black Book Of Communism” , vendin e parë e zë Kina me 65 milion i shoqëruar nga Bashkimi Sovjetik me 20 milion etj…
Rummel , në librin e tij : “Death by Government” , vjen me shifra të kundërta matematike më të besueshme , pikërisht se është dhe më i vonshëm në kohë …
Ai servir numra , për Kinen : “38.7 milion .Për Bashkimin Sovjetik : “62.9 milion etj…etj . Megjithatë , kam dëshirë të besoj në statitistikat “shtetërore” që kam paraqitur tek shkrimi : “Dilema e madhe e Koalicionit ndaj ISIS.” Nuk dua të besoj totalisht në këto shifra që Rummel paraqet ! Dua ta qetësoj veten sikur janë të “hiperbolizuara” , përndryshe do të mendoja se ligësia e komunizmit ua kalon nazizmit dhe fashizmit bashkë . Kjo është dhe arsyeja që Rummel përdor fjalen DEMOCID , fjalë që tregon shkallën më të lartë të krimit kundër njerëzimit…
Historiani Marco Resipitini, i cili i referohet Kontit
Nikolai Tolstoi, autori i “Victims of Jalta”, botuar në vitin 1997, bjen fakte rrënqethëse lidhur me masakrat në Jugosllavi. Sipas tij , Konti Tolstoi akuzon komandën britanike të Mesdheut,drejtuar nga Maurice Harold Macmillan (me qendër në Napoli),komandën supreme aleate jashtë Napolit, drejtuar nga Gjeneral Toger Charles Keightely, komandant i kësaj Korparmate dhe Gjeneral Brigade Toby Low ,shef shtabi , dy prej të cilëve bënë një karrierë të ndritur politike: Macmillan u bë kryeministër i Anglisë , ndërsa Tob Low, kryetar i Partisë Konservatore Angleze.
Tolsoi akuzoi të larpërmendurit se dorëzuan shtatëdhjetë e pesë mijë robër lufte ushtrive komuniste…
Ushtrisë Titos i dorëzuan 35 mijë , mes datave 17 e 31 maj 1945. Ata ishin : sllovenë , kroatë, serbë e malazezë (nuk perjashtohet mundësia e një numri të konsiderueshëm të kenë qenë shqipëtarë), ku fati i këtyre robërve qe fatal.Të gjithë u masakruan…Para se ti vritnin i shpërndanë nëper qytete të ndryshme , ku dhe i ekzekutuan.Viktimat i futën në varre të përbashkëta.
Një nga vendet e masakrës është në pyjet e Koçojevës , ku të riatdhesuarit , pasi janë zhveshur dhe u janë marrë sendet e çmueshme , janë vrarë me armë automatike dhe janë hedhur nëpër humnera natyrore , te shpërthyera më pas me eksploziv.
Me 1990 , Tolstoi , i cili shkoi vetë i pari në vendin e masakrës , ka vlerësuar në dhjetë mijë viktimat në Koçojevë, kroatë dhe domobrancë, burra të Ushtrisë vullnetare antikomuniste sllovene, Slovensko Domobranstvo, të mbledhur nga Gjenerali Leon Rupnik…
Po në Tivar, në mesditën e datës 31 Mars 1945 , u masakruan pa asnjë shkak disa qindra shqiptarë nga brigada e X malazeze.
Siç përshkruan miku im, Uran Butka: “Kasaphana nisi në hyrje të Tivarit të Ri,mandej arriti pikun e saj në oborrin dhe mjediset e ndërtesës së Monopolit të Duhanit. Sipas përllogaritjeve , rezulton se vetëm në Tivar u vranë 1560 shqiptarë të kolonës së dytë prej Brigadës X malazeze, të kriminelit Markoviç.
Sipas burimeve jugosllave dhe shqiptare , rezulton se janë vrarë dhe zhdukur në këtë masakër 2.947 -3.447 shqiptarë të pafajshëm.”
Tito i ngadalësoi masakrat pas vitit 1965 …Nganjëherë , si çdo diktator takonte… Në një mbledhje të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Jugosllave , ndër të tjera tha : “ Shokë , nëse doni një Jugosllavi të madhe , duhet të jetë një Serbi e vogël . Nëse doni një Serbi të madhe nuk do të ketë më Jugosllavi!” Nuk dua ti bëj analizë thënies së tij se do shkonin disa faqe dhe do ta mërzisja lexuesin, por Serbët nuk ia falën kurrë këtë thënie!
Forca e zakonit kriminal në traditë vazhdoi me Sllobodan Millosheviçin , që mori rreth 200.000 mijë jetë njerëzish në Bosnje dhe me mijra jetë shqipëtarësh në Dardani.
Tek shqipëtarët , spastrimi etnik ngjante si një kataklizmë dhe ikje biblike …
Për vrasjet dhe genocidin serb mbi shqiptarët , ka shkruar dhe ilustruar me foto e shifra tronditëse miku im, Dr.Prof. Nusret Pllana, në librin e tij maratonomak që vrapoi në çdo cep të globit: “Terrori i Serbisë Pushtuese mbi Shqipëtarët 1844-1999.”
Do të theksoja se libra të tillë historik i qëndrojnë historisë mijëra vjet , duke u berë dhe një Nuremberg i dytë ndaj makinës pushtuese sllave. Fakti Pllana , të huajt i ka lënë pa gojë, kurse serbët lakuriq…Fotot e mbledhura me kujdes nga Pllana , të kujtojnë fjalët e Bonopartit: “A picture is worth a thousand words.”…

Sipas librit të Richard West : “Tito and the Rise and Fall of Yugoslavia”, ai shprehet se Tito do të mbahet mend si kundërshtari i parë i diktatorit Stalin…
Richard , për nga mënyra se si shkruan në këtë libër, duket sikur të ishte një dashnor i Jugosllavisë , por thotë një të vërtetë lidhur me diktatorin e “butë”( siç e quajti perëndimi Titon pas vitit 1965), se ai qe i pari që kundërshtoi publikisht Stalinin , duke ruajtur traditën ruse , metodat e tija autokrate dhe sadiste!
Tito vdiq me, 4 Maj 1980 . Ne varrimin e tij morën pjesë përfaqësues mbi 120 shtete…Hëm,politika ?!
Historikisht , në të shumtën e rasteve prostitucioni politik del ngadhnjimtar mbi të vërtetat rrënqethëse të krimit shtetëror . Interesi i çastit zvoglon vizionin human dhe inkurajon perkohësisht proçesin e harreses ! Hegel thote: “We learn from history that we don’t learn from history.
Bota pothuajse harroi masakrat e Titos , e përcolli atë në banesën e fundit me madhështi sikur të ishte perandor!
Në pesëmbëdhjet vjetorin e vdekjes me, 4 maj të vitit 1995 , shteti dhe populli e la në harres …e vizitoi familja dhe disa komunistë nostalgjikë. Deri në vitin 1990, mazoleumin e tij e kishin vizituar mbi 14 milion njerëz . Pesë vite më vonë , fama e tij qe fashitur ,duke lënë prapa në histori milionat e të vrarëve me urdhërin e tij direkt apo indirekt ! Histori e njëjtë më diktatorin Hoxha , shokun e Titos , që pat pranuar nga ai dekoratën e lartë : “Hero i Popujve të Jugosllavisë ”, për meritat e të vrarëve shqiptarë nacionalistë në Dardani , Mal të Zi (Malësi) e Shqipëri ?!
Historia është e ftoftë me politikanë të tillë. Ajo ecën para dhe në krah , por pas vdekjes tregon më së miri nëse varri është i një perandori, apo i një diktatori

Filed Under: Analiza Tagged With: Alfons Grisha, Democidi* i Titos

NJE FALENDERIM I VECANTE NGA DETROITI

February 20, 2013 by dgreca

Nga Pal Rakaj/

Martesa e djalit tim, Mondi Rakaj  me Matilda Vucaj nga Lezha, ishte per ne një gëzim shumë i madh. Veç kësaj, gëzimi bahet i disafishtë, kur për kushtet tona të emigrimit, djali të martohet me një vajzë shqiptare, me anë të së cilës ruan traditat dhe identitetin tonë kombetar, duke trashëguar genin shqiptar brez pas brezi.
Veç gëzimit familjar, unë përjetova një gëzim tjetër, atë të shokëve dhe miqve të tij. Jo vetëm unë, por krejt familja ime e perjetuam emocionalisht atë darkë. 14 Shkurti i këtij viti u fiksua në familjen tonë si “Dasma e Mondit”, megjithëse dasma e vërtetë dotë jetë me 6 Prill të këtij viti. Me 14 Shkurt u bë në shtëpinë tonë një dasëm e improvizuar ( veçëse pa orkester ), me ardhjen e shokëve të tij, që i kanë kaluar kufinjtë e njohjes komunitare. Secili prej tyre, me aktivitetn në shërbim të kombit dhe shoqërisë e kishte bërë një emër të lakmuar prej cmirëzinjëve medioker.
Pasi u urova mirëseardhjen, zakon i yni, dhe trokëllitem gotat me urimin për Mondin dhe Matilden, fjalën e mori Alfons Grishaj, ” Pishtar i Demokracisë” në Shqipëri dhe Kryetar i Degës së Vatrës në Michigan, duke prezantuar fillimisht mysafiret, në prani të nuses së Mondit: Konsullin e Nderit dhe aktivistin e njohur, Ekrem Bardha, të nderuarin Don Fran Kola famullitar i Kishës Katolike të Shën Palit, drejtorin Ekzekutiv të Financave në qytetin e njohur Novi, Nevruz Nazarko, botuesin e Revistes “Kuvendi”, poetin dhe prozatorin Pjetër Jaku, kontribuesin e njohur për çeshtjen shqiptare. vatranin e njohur, drejtuesin per disa vjet te radioprogramit ne gjuhen shqipe, Kujtim Qafa, Kryetarin e LDK-së për Michigan Nikoll Pepa, vatranin dhe kontribuesin Petrit Doda dhe Kryetarin e Këshillit të Kishës së Shën Palit, Kolë Gjokaj.

Pas kësaj, Alfonsi iu drejtua Matildes me këto fjalë: ” Zoti dashtë që të kaloni jetë të lumtur dhe të gjatë bashkëshortore. Ti Matildë ke marrë djalin më të mirë që kam njohur këto vite. Nuk e thëm këtë pse është Sekretar i Degës së Vatrës, me të cilin m’u dha rasti të punoj, por sepse në të vërtetë është i tillë.” Pasi e uruan edhe të pranishmit e tjerë, edhe pse mbrëmja kishte karakter familjar, si përherë në raste të tilla, biseda u shtri më gjërë, duke i dhënë disa herë edhe ngjyra politike, sidomos lidhur me festimin e  100 Vjetorit të Pavarësisë që u kremtua pak muaj më parë.

Gjithësesi biseda u soll edhe rreth një  paneli të organizuar në televizionin e Gani Viles, me temen “ Hapsirë pa kufi”, ndoshta e sajuar vetëm për  të goditur Institucionet fetare, klerikët e tyre, shoqatat dhe kryesisht Konsullin e Nderit, zotin Ekrem Bardha. Të pesë  panelistat duhet ta dinë mirë se klerikët, para se të jenë klerikë, e kanë një  prejardhje, një atdhe për të cilin do të punojnë me përkushtim. Për shqiptarët kjo asht provua. Klerikët shqiptarë edhe para pushkatimit, në fjalën e fundit kanë thënë: “ Rroftë Shqipëria dhe Krishti Mbret!”

Si mund të deklarohet nga kjo pesëshe se Kisha e Shën Palit nuk asht qendër kombëtare, kur në hyrje  të saj ( mjediset e jashtme) ka Monumentin e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skenderbeu, Shtatoren e Nënë Terezes, shqiptares më të njohur në botë, pa përmendur mjediset e brendshme dhe aktivitetin e saj patriotik dhe kombëtar!? A mos vallë Gjergj Kastrioti asht Shejt apo Hero?!

Një goditje e veçantë u përpoq t’i bahej Ekrem Bardhes. U përpoq, pasi as njëmijë pesëshe si ata nuk mund ta mohojnë, as ta arrinë aktivitetin patritok dhe atdhetar të Ekrem Bardhës, të cilin e njeh jo vetëm Diaspora, por edhe gjitha trojet shqiptare. Sipas tyre, nuk e njihnin Ekrem Bardhen për konsull, por kush i pyeti dhe kush do t’i pyes ndonjëherë ata?

Ku ishin pesëshja tash afro 20 vjet që kanë në Amerikë, kur  Ekremi me  shqiptarët e tjerë përpiqeshin për lirinë e Kosovës? Sa ndihmuan ata  dhe sa u gjenden aty ku duhej tash disa vjet?

Deklarimet e tyre nuk janë asgja tjetër veç mjerimit dhe përpjekjeve për të ra në sy, duke hedhur baltë mbi punën e të tjerëve. Një përzgjedhje kjo e pamenduar nga televizioni qe i  ftoi një pesëshe, që nuk përfaqëson askënd në komunitet. Sa për dijeni, unë dhe familja ime s’ia kemi pasë nevojen Ekrem Bardhës, as për t’i marrë borxh, as për të na falur gja, por realitetin e kam pasion!

Filed Under: Kulture Tagged With: Alfons Grisha, Ekrem bardha, Mond Rakaj, Pal Rakaj

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT