• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mjerimi i vetëdijes historike

September 21, 2016 by dgreca

Nga Alfons Grishaj/

Bota e qytetëruar përpiqet që historinë ta sjellë sa më reale, mbështetur në një aparot të mirëfilltë shkencor, pa ngarkesa emocionale e romantizma, pa hiperbolizma e fanatizma, pa subjektivizma krahinorë e pa hamendësime ideologjike.

Historia, është çmimi i kujtesës që ndrit të shkuarën, programon të tashmen dhe  tërheq vëmendjen e shoqërisë drejt së ardhmes. Gjatë viteve të komunizmit jemi lodhur me gënjeshtrat e neveritshme të një armate historianësh të pandërgjegjshëm, të cilët vunë në funksion të diktaturës, gjithë energjitë e tyre, sa sot i gjithë opinioni e pohon nevojën për ta rishkruar historinë nga e para, edhe pse ka ende zëra që thonë se “edhe një retushim do të ishte i mjaftueshëm”, propozime që vjen kryesisht nga ata të cilët, e kanë të vështirë të shohin përmbysjen e tezave të tyre pseudoshkencore.

Shkrimtari dhe mendimtari anglez , George Orwell, shkruan : “Rruga më efektive për të shkatërruar njerëzit është dënimi dhe fshirja e kuptimit të historisë tyre!”.

Fshirja e kuptimit të historisë i pat dhënë dhe vazhdon t’i japë efektet e veta edhe në në periudhën postkomuniste. Konfuzioni dhe çorientimi i klasës politike është vetëm njëra nga dëshmitë e shumta e kësaj pasoje. Dëmi tjetër dëshmohet nga fakti se rëndom pranohet një nivel i ulët kulturor, që është dukshëm i pamjaftueshëm për sfidat historike të shekullit të parë të mijëvjeçarit të tretë. Vetëm një grup i vogël studiuesish konseguentë, si dhe puna tejet e vështirë që menaxhon Instituti i Studimit të Krimeve të Diktaturës, ka dhënë disa fryte vërtet të dobishme lidhur me ndriçimin e periudhës së komunizmit në Shqipëri. Krahas tyre janë për t’u shënuar  edhe botime me kujtime apo ditarë të ish të vuajturve dhe familjareve të tyre, të cilat edhe kur nuk japin të dhëna që i shërbejnë çështjeve madhore historike, prapëseprapë, ato vlejnë sepse dokumentojnë shkallën e lartë të terrorit dhe krimit shtetëror. Historianë  e studiues si Uran Butka, Kolec Topalli, Romeo  Gurakuqi etj, kanë shkruar studime e monografi të rëndësishme për ngjarjet kryesore të historisë së dekadave të pushtetit komunist. Rrugëtimi i tyre ka ndeshur dhe ndesh shpesh në ato vështirësi që lidhen me dokumentacionin që sot gjindet i shkapërdarë në xhunglat arkivore të shtetit, të cilat, sidomos në lidhje me të përndjekurit politik apo klasën e të përmbysurve, siç e quhej dikur, deri në 1991, ruheshin të plota madje me indekse të gatshme për t’u përdorur edhe në raste urgjente. Kuptohet që veprat e këtyre studiuesve, mund të mos jenë të mirëpritura nga grupi i historianëve të tezave të historigrafisë totalitariste, por a janë ato burim referimi, për ata të cilët, të paktën për trashëgimi, duhet t’i kishin lexuar këto vepra qoftë edhe për hir të unitetit kulturor?! Mjerisht, duket se jo.

Lexova së fundi dy shkrime të njëpasnjëshme për “Kryengritjen e Postribës”, si “kryengritja e parë” antikomuniste në Shqipëri. Nderim për të martirët Kryengritjes së Postrribës, të cilët, i dëshmuan botës jo vetëm trimërinë legjendare, por edhe vetdijen e lartë politike, duke kërkuar demokraci, kur e gjithë Europa lindore ishte zhytur nën terrin e komunizmit. Por ajo nuk është kryengritja e parë. Tetëmbëdhjetë muaj më parë, në Malësinë e Madhe, më saktë në aksin Shkrel-Kastrat-Këlmend, në harkun kohor janar – shkurt 1945, është zhvilluar kryengritja antikomuniste e Malësisë, ndërkohë që rezistenca kreshnike e kësaj treve ndaj forcave të ndjekjes, ka zgjatur deri në pranverën e vitit 1946. Unë nuk mund ta kuptoj se si antikomunistët në vitin 2016 të shfaqen përtej një uniteti kulturor me dy apo tri histori që kundërthonë rendin kronologjik të ngjarjeve. Këtë gjë, unë nuk mund ta konsideroj ndryshe veçse shprehje të mjerimit të vetdijes historike.

Fatmirësisht, gjatë lëvizjes demokratike për përmbysjen e komunizmit dhe instalimin e demokracisë në Shqipëri, kam njohur mjaft nga pjestarët e familjeve të Kryengritjes së Postrribës, me të cilët kam pasur nderin të bashkëpunoj për të njëjtat ideale. Duke qenë dhe unë me prejardhje nga e njëjta shtresë, kam ndarë vazhdimisht me miqtë nga Postrriba të njëjtën ndjeshmëri dhe të njëjtin respekt për vlerat e përbashkëta.

Kemi folur për dy lëvizjet e asaj kohe, të “Kryengritjes së Malësisë së Madhe” dhe “Kryengritjes së Postrribës”. U kam shpjeguar për luftën antikomuniste të Malësisë së Madhe të vitit 1945, për rezistencën dhe terrorin, për qindra të pushkatuar, për burgosjet,  për shtëpitë e djegura dhe të plaçkitura, për internimet e panumërta në kampet famëkeqe. Pinjollët e familjeve të patriotëve të Postrribës më patën treguar se si dhe familjet e tyre ishin ngritur në vitin 1946 duke marshuar me armë në dorë kundër komunistëve në Shkodër, mjerisht duke pësuar të njëjtin fat si kryengritësit e Malësisë së Madhe. Bisedonim për kohën e shkuar por dhe për ditët që ne ishim protagonistë, e natyrisht për një të ardhme më të mirë, për një të ardhme ashtu siç e kishin dëshiruar dhe ëndërruar edhe të parët tanë. Nuk  rrihnim gjoksin, se kush ishin të parët e kush të dytët. Ishim pjesë e së njëjtës njësi vlerash, dhe ndjenim edhe përgjegjësinë për ta ruajtur atë unitet.

Në mos gabohem, me 9 Janar të Vitit 1991, në mitingun që organizoi PD në  Bajzë, Dodë Kaçaj,  lartësoi  pas 46 vjetësh, të gjithë  emrat e nacionalistëve të  Malësisë së Madhe, që u pushkatuan, u burgosën dhe interrnuan. Shtypi i PP-së volli vrer ndaj mitingut dhe figurat e nacionalistëve i përdhosi edhe një herë si kuislingë e tradhtarë. Ai ishte mitingu i parë publik që lartësonte martirët e lirisë, ndërsa Enver Hoxha u krahasua me Hitlerin. Doda u kërcënua me vdekje, poashtu edhe Azem Hajdari, i cili në fjalën e tij sulmoi ashpër Ramiz Alinë. Të gjendur në atë atmosferë të vetdijes së lartë politike, besonim dhe shpresonim shumë, ndoshta edhe sepse jehona e ngjarjeve të mëdha historike ishte në kulmin e vitalitetit të vet.

Më vonë,  pinjolli i familjes së madhe patriotike  Butka, Uran Butka, trokiti derë me derë për të ndriçuar këtë histori të varrosur nga diktatura. Ai nuk u lodh kurrë duke pyetur dëshmitarët e mbijetuar të asaj kohe dhe duke gërmuar arkivat e Ministrisë së Brendshme, realizoi një vepër monumentale historike: “Kryengritjet e Para Kundërkomuniste”. Kjo vepër madhore na ka dhënë tablonë e ngjarjeve në dimensionet e tyre historike, shkaqet dhe rrethanat në të cilat linden kryengritjet, pasojat e shtypjeve të tyre, jo vetëm në planin lokal e individual por si humbje mbarëshoqërore. Vepra e Butkës nuk ka në faqet e veta asgjë për t’u kontestuar. Sigurisht, ajo mund të pasurohet me daljen në dritë të dokumenteve të reja, por esencialja, ajo që shërben për ta përcjellur mesazhin historik tek lexuesit është dhënë, dhe për këtë, përveç lëvdatave, autorit i duhet dhënë respekti maksimal duke ia lexuar veprën me mirënjohje, dhe jo duke ia injoruar atë, siç u bë me apo pa dashje në shkrimet e fundit

Me veprën e tij “Kryengritjet e para antikomuniste në Shqipëri”,  Z. Butka bëri që psudohistorianët të turpëroheshin duke u bërë dëshmitarë të përmbysjes së tezave të tyre. Butka na ofroi krahas veprës edhe modelin e historianit modern. I tillë nuk është thjesht ai që mbaron shkollën për histori, por cilido studiues, që duke u mbështetur në metoda rigorizisht shkencore, gjurmon të vërtetat historike dhe i pasqyron me vërtetësi ato. Vetë historiografia botërore na ka dhënë shembuj të shkëlqyer të këtij modeli. Por ne s’kemi pse shkojmë larg. Shqiptarët,  “Historinë e Skënderbeut”,  e mësuan nga një prift shkodran, Marin Barleti, i cili duke iu qasur humanizmit, u bë ndër humanistët më të rëndësishëm të kohës! E pra, me Barletin shënohet edhe lindja e historiografisë shqiptare.

Çka ndodhi me shkrimet për Kryengritjen e Postrribës e natyrisht edhe me fjalimet e mbajtura me rastin përkujtimor, i shkon për shtat më së miri atyre që shohin në këtë diskordancë kulturore mungesën kohezionit dhe të vitalitetit të vetdijes historike, e po ashtu fragmentarizmin, krahinorizmin dhe egoizmin në rradhët e shtresës së ish të përndjekurve politikë. Mjerisht këto gabime janë bërë edhe nga përfaqësuesit e subjekteve politike të qendrës së djathtë!

E vërteta është se, “Kryengritja e Postrribës” nisi një vit e tetë muaj pas “Kryengritjes Malësisë Madhe”. Malet e Malësisë së Madhe me në krye Kelmendin luftuan me javë (!) kundër Briagadave  I, XXIII, XXIV *. Vlen për t’u theksuar se Brigadat e komunistëve në shtypjen e kësaj kryengritjeje u mbështetën  dhe nga ushtria Jugosllave! Pra, Internacionalizmi Proletar, kundër Nacionalizmit Shqiptar! Ky ishte definicioni i asaj lufte. Ka pasur përpjekje për ta ndryshuar këtë definicion, duke e quajtur si luftë vëllavrasëse. Nuk është bërë pa qëllim. Të fshihen fajtorët. Komunizmi dhe  Nacionalizimi nuk kanë asgjë të përbashkët vëllazërore.

Nacionalizmi dhe Komunizmi janë dy teori  të ndryshme si në filozofi dhe praktikë.  Komunizmi nuk ka atdhe! Beson në internacionalizëm proletar, nuk njeh  besimin në Zot dhe pronën private …, Nacionalizmi ka atdhe, beson dhe mbron vlerat e veta, të popullit të vet, ruan  pronën dhe besimin si vlera të çmuara të civilizimit dhe identitetit kombëtar.

Dhe pse  kanë kaluar disa vite dhe të vërtetat janë shtjelluar si në bazë të arkivave të diktaturës, apo dhe dëshmive të të mbijetuarve, bëhen të njëjtat gabime. Injorimi i fakteve dhe të vërtetave historike, me termin më të butë mund të quhet diletantizëm. Dhe këtu lind përsëri një problem identiteti.  Diletantizmi nuk është tipar i forcave të djathta. Mos ndoshta e djathta shqiptare ka nevojë për një skanim multidimensional të vetvetes, aq për më tepër kur dëshmon tashmë hapur se nuk e njeh as historinë e vet?!  Si lejohet që diletantizmi të shndërrohet në modus vivendi tek e djathta pse përvoja historike na mëson se me diletantizëm nuk mund shkohet përpara. Shkenca e historisë nuk është laropitë*.

Amerikanët kanë një frazë  të bukur : “Enough is enough!”  që shqipërohet, “Nuk do të tolerohet më”!

Nuk do t’u bëj analizë shkrimeve të fundit e as fjalimeve të mbajtura në Përkujtimoren e Lëvizjes së Postrribës. Nëse do ta bëja veç do të përsërisja ato që ka shkruar për mrekulli Z. Butka. Unë e kam lexuar veprën e tij dhe u them të gjithëve që duan vërtet të respektojnë gjakun e martirëve: lexojini të vërtetat ashtu siç e kërkon detyrimi ndaj veprës dhe gjakut të martirëve. Ruani unitetin kulturor të shtresës së cilës i përkisni. Bëjeni këtë edhe duke respektuar veprat e historianëve seriozë, lexojini ata që të kuptoni edhe madhështinë e veprës së martirëve të demokracisë. Ata nuk luftuan për të parë as për të dytë, ata luftuan për një kauzë, të cilën ne  akoma sot e kësaj dite nuk jemi në gjendje ta vlerësojmë si sakrificë sublime, por lurtojmë artificialisht sedra private e lokale në mënyrë të dëmshme. Një lexim i keq i historisë e akoma më keq mosleximi i saj s’ është tjetër veçse shenjë e mjerimit të vetëdijes historike. Datat janë data, faktet janë fakte, dhe ato në histori nuk lexohen së prapthi!

  • Butka, “Kryengritjet e Para Kundërkomuniste” F,116.
  • Laropitë = Lloj lakrori që bëhet me miell misri dhe me barishte të ndryshme të përziera me djathë.

 

Filed Under: Histori Tagged With: alfons Grishaj, Mjerim, vetedije historike

POETI ALFONS GRISHAJ NE SOFREN POETIKE TE DIELLIT

August 30, 2016 by dgreca

NGA ALFONS GRISHAJ/

 HUMBJA E TRADITES/

Votrat e ndezura parfum buk kakini /

Krahë zonjave sojnike  rritej zengjini./

Nderimi i fëmijëve për at’ e për nënë,/

Familjet e shenjta,  Zoti e pat thënë./

Nga Jug në Veri, furia e kalorësit /

Me rrahjet e zemres ritmi i trokthit./

Besimin në Zot , si perëndi  vatanë,/

Me gjakun bilurë  dragonj e titanë ./

Tash, frengji të thyera , s’ka më bedena,/

Dyert  e  kalbura si pullat e rëna./

Këndez’ krenar zhveshur der’ në lëkurë ,/

Shqyer brez i burrave  as rryp as ushkurë./

Verë e shenjtëruar në kupa të argjenda

Pihej prej trimave që bëheshin legjenda,

Tani n’plastikë gotash i rrëkëllen njeriu

Fryhet  si  ariu  dhe sfumohet  si miu.

Erdh’ kohë e pritur e thënë nga profetët

Virtyti s’mbahet  lart , si e mbanin Atletët…

Tani i lartë qeni, gishtërinjtë  krrabë.

Nuk njohin më Zot…S’ka më nënë e babë!

1 LuleZANA DHE LULET

Sa herë  toka  vjell avujt

Retë mblidhen porsi brumbujt.

Litarë shiu  përgjat  malit

Mbi çaj e makth er’ e mjaltit .

Zanë veshur  lule mantel

Valle vetë  loz tarantel.

Befas  eter pelerinë

Hiret zbulon  suferinë.

Rreth saj si shtjellë  ylberi,

Veshje qielli  një qind Feri*.

Bashkë me to një  këmbanë,

Aromën  lë pas perria  Zanë.

1 Gjethe okGJETHET/

O gjeth !  Filtri i  frymës…

Hija , briza e jetës në sy,

T’adhuroj lagun prej brymës

Kunor e gjelbërt mbi kry.

T’ adhuroj dhe në vjeshtë

Ku andshëm ndrron hijeshinë,

Dimni idhnak bie mbi kreshtë

Vjeshta ligshtohet, merr arratinë.

Me shpres  pragut pranveror

Kthehesh me t’ njatën bukuri,

Ligji  e ciklit  njerëzor …

Ku shpirt’ shtegton…bulon nji  fmi.

MEDILODGE*

Shoh sa pleq e plaka  krrusun

Braktis idhtë  si t’ leprozun,

Nga uladi i formum keq

Që lindi shejt e u ba dreq.

I shoh, qajnë me ofsham…

Lot’ e tyne shkrijnë shandan.

Durtë ngul  fole në qiell

Ka prendimi fundin ndjell.

Ulem afër , me u thanë dy fjalë,

Por si mik dhe jo si djalë.

M’i marrin durtë fort në gji

Se , u dukem si i tyne fmi.

E më thojnë ca fjalë të ambla

Siç mi thoshte e mi thot nana.

Sikur baba të ish gjallë

Do mi thoshte me aq mallë…

***

Shpjegime:

Feri-Fairy =  Krijesa më e bukur mbi dhe. Sipas legjendave , formë e shpirtit . Mini-vashë e bukur , apo krijesë e mrekullueshme me krahë dhe  fuqi magjike.

Medilodge = Nursery Home , Azil pleqsh. Aty shkojnë pleqtë e pamundur për shërbim , por dhe pleq të braktisur nga fëmijët e tyre…Në këto azile , plus ushqimit , shërbimi është mjekësor dhe shpirtëror.

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: alfons Grishaj, ne sofren poetike, te Diellit

ALFONS GRISHAJ NE SOFREN E DIELLIT

August 20, 2016 by dgreca

ALFONS GRISHAJ/

 MIDIS DY JETEVE/

Jetoj midis dy jetëve nga hulumtimet e  shpirtit./

Trupin lë në paqe, gjëmoj në paralelet e globit./

Njësh bëhem me erën, stuhi kalimthi në  shkretëtirë./

Tezgjah i folesë së shqipes kulmon mbi  rrëpirë./

 

Ndalem në qytete X…Y, plot mall për miqt’ e vjetër,/

Zot! Disa ndryshuar…Çmallem, por,s’dua t’i shoh herë tjetër!/

Le t’i kujtoj siç ishin në vuajtje, në turbullinë  e kohës,/

Para Stop-it, ku ndanim mirësinë , kafshatën e gojes./

Me syrin e antropozofit si hamingbërd në  nektar

Ndalem, shijoj humorin që vjen  nga një hokatar,

Por i  shkurtër  është gazi në gostinë  e shtirë

Kur në mes të darkës  gënjeshtra  lëshon një i “mirë”.

 

Me moleps kalimthi një ndjesi, puhi e gushtit vjen  përreth,

Pa ardhur vjeshtë e bukur, dimri idhnak shpirtin ma rrënqeth.

Si Zhyl Vern, jam lodhur, udhëtimi më sjell trishtim, mërzi.

Për ca kohë do kyç shpirtin të mos shoh shformim  e herezi.

***

DASHURIA

Dashuria është shenjtërim

Nuk shitet e blihet or të shkretë.

Ajo nuk është pasion për shfrim,

Por melodia e qiellit vetë!

***

FJALE PER DASHNI TE AMSHUME

U takun në strehën e bukuroshes.

Fjalën dhanë për dashni t’ amshueme,

Ku uja e seksit me rrena kodoshësh

Nuk e tundin kurrë parajsën e shejtnueme!

***

SHPEJTESIA E TRURIT…

Pas një humnere të zezë ka dimension jete.

Çdo neuron i fjetur është vullkan të pathënash

Përtej caqeve të konceptit human,

 

Jo stimular prej “CPH4”*, fantazi ekzotike e kineastëve.

Pas një dere të vjetër jehon një legjendë.

Përtej kontureve të mitit,

Dendra* duket e shkretë, vizitorët nga qielli e kanë braktisur?

Në tokë këpucët lustrafinë ngjyrosen nga rëra e pluhurosur.

Çadrat, kapelet e borsetet e zonjave janë të bezdishme

Si kori i gjinkallave që varen në pemët me gjethe të rralla.

Të sëmurët ende shpresojnë tek legjenda e Zonjës-Zot, Hathor*

Për shërimin e virtytit, antikorpi i sëmundjeve.

E pakapshme nga syri i njeriut,

Ajo flauron pëmes avullit dhe valëve,

E ëmbël si 5 mijë vjet më parë…

Mes brirëve të kaut rri disku diellor me simbolin e kobrës,

Fuqi e pushtetit qiellor e tokësor, imortale!

 

Pas një shpikje, njeriu çmohet për tashmen

Rrugaçja  frekuentive e momentit që moleps njeriun dhe kohën,

Duke dekantuar të shkuarën, por jo diskun e misterit,

Se, gjilpëren e gramafonit Zoti e ka brenda  dhëmbit të syrit.

 

Krenohet njeriu se shkoi në hënë,

Sateliti më i afërt i tokës, dhe, trumfalisht

Prek Marsin, me teknikën e kohës së Kolombit,

Në flirtin e rremave peshqit rrahin putarkat n’dashni

Për bërcakët e ardhshëm.

 

Mos thoni se shpejtësia e dritës është më e shpejta,

Matësi i të gjitha njësive të tejskajshme.

Yahyel-ëve*,  shpejtësia e dritës u duket shpejtësi breshke.

Ata ndihen keq me konceptimin progerian* të tokësorëve,

Heshtin, se afati nuk është honorifik, por ligj!

 

Teoria e relavitetit është kontradiktore me teorinë e mekanikës kuantike

“I, at any rate, am convinced that He (God) does not throw dice.”*

Ekuacioni E=MC2 *, i Ajnshtajn do peshohet …

 

Big Bang, fantazi infantilësh që kërcejnë në katedra si pleshtat në vathë.

Hapësirat e zbrazta pa konstellacion, notë e pakalueshme për Hawking’s friend.

Raporti i energjisë së errët është më i madh  se neutronet, fotonet dhe atomet.

Loja e misterit të madh…

Pas një humnere të zezë ka një dimension jete.

Pas përsosmërisë anatomike të frymorëve ka një Demiurg astronomik,

Që shpërfill shpejtësinë e dritës dhe  çmon shpejtësinë e trurit,

trilion herë më e shpejtë se ajo e dritës,

 

Pas një humnere të zezë ka një dimension tjetër,

Përmes tingujve rrënqethes, valëve e trajtave të padukshme

Transkriptohet zanafilla e jetës, prej nga erdhëm dhe ku do shkojmë…

Shpjegime:

  • CPH4 = Drogë e shpikur, fictive, e cila nuk ekziston. Kjo drogë u shpik nga kineastë në filmin Lucy, ku aktorja kryesore është Scarlet Johansson. Gjoja kjo drogë blu rrit përdorimin e kapacitetit të trurit 100%… dhe më pas gjithçka ndryshon.

*Dendra = Tempulli i Zonjës-Zot , Hathor  . Në Egjypt. Hathor ishte Zoti i qiellit , vallëzimit , dashurisë , gëzimit , muzikës dhe nënave.

  • Yahyel = Jashtokësor , të cilët për herë të parë përmenden nga Vanga që fliste me ta.Ajo përmend  aureolen  e tyre në kokë , por pa emrin Yahyel …Ata janë të bukur dhe shumë të ditur, rrezatojnë.
  • Progrerian(progreria) = Sëmundje… Fëmijët që kanë sëmundjen e progreria, mënjëherë plaken sikur të ishin dhjetra vjet më të mëdhenj. Kjo sëmundje nuk lejon rritjen normale. Pothuajse  shumica e atyre që kanë këtë sëmundje vdesin herët nga sëmundjet kardiovuskulare…
  • “I , at any rate, am convinced that He (God) does not throw dice.”* Ajnshtajn.
  • E=MC 2 = Ekuacioni i famshëm i Ajnshtajnit …

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: alfons Grishaj, dashuria, MIDIS DY JETEVE, SHPEJTESIA E TRURIT...

Lufta brenda llojit është tradhëti!

July 14, 2016 by dgreca

“Lufta kundër Llojit” është një e keqe e madhe.Duke u ushqyer me të keqen, ajo e pjell atë për të depërtuar me një fuqi të tmerrshme në shpirtrat e trazuar, nganjëherë të pashpresë, dhe kështu shndërrohet nga aderencë anakronike sporadike në cilësi sadiste. “Lufta kundër llojit” nuk duhet të ekzistojë më ndër shqiptarë, për vetë genin e veçantë që kemi. Dëmi i pallogaritshëm që ka sjellë kjo luftë në Shqipëri, sidomos gjatë qeverisjes komuniste dhe postkomuniste dëshmohet tek karakteri i njeriut dhe i shtetit. Fakti që gjysma e shqiptarëve,kanë emigruar nëpër botë, të pashpresë për një të ardhme në shtetin e tyre amë, duhet të na shërbejë për të kuptuar definitivisht fuqinë djallëzore dhe shkatërruese që mbart në vetvete kjo luftë./

Nga Alfons Grishaj/*

Lufta brenda llojit , nuk është retorikë të cilën e përdorim në kushte dhe rrethana te caktuara…, por mjeti më  amoral i të dobëtit për të rikuperuar defiçencën, i cili ka  dëshirë pë të arritur të pamundshmen me çdo lloj mjeti.  Mund të  ndodh që edhe hyjnori ta përdor atë si masë profilaktike , por  jo si masë shkatërruese … Një rast të tillë e hasim tek Zoti , që  “ndëshkoi” për mosbindje ëngjëllin e tij, Luciferin! Po,  Luciferri , atje është përsëri , nuk ndryshoi se nuk ndryshoi…

Me fillimin e botës, Kaini vret Abelin.

Perëndia Kronos, gëlltiti fëmijët e vet prej frikës semos i merrnin pushtetin. Zeusi mposhti babain Kronos dhe Titanët. Pra, lufta brenda llojit nisi me zanafillën, u pasua tek njeriu i parë dhe vazhdoi tek Perënditë Mitologjike.

Mitologjia ka përçuar tragjizmin e kësaj lufte me një pafundësi “rastesh” të cilat shpesh gjenden dhe në histori. Ndër më të dhimbshmet (mendoj unë), ishte mitologjia e Osirisit dhe Isisit.

Osirisi ishte dhe Perëndi dhe mbreti i parë i Egjiptit (gjithashtu mumja e parë,sipas një versioni). Ai ishte Zoti ibujqësisë, duke u mësuar njerëzit se si të civilizoheshin dhe si t’i shërbenin vetes me anë të punës kultivuese. Sethi, vëllai i Osirisit, ishte xheloz ndaj tij. Ai mundohej të ngjallte pakënaqësi në sërën e lartë dhe në popull kundër vëllait të vet. Sipas mitologjisë, Sethi, i kish këputur mamasë së tij arterien e vezoreve (uterusin). Figura e Sethit është ajo e një përbindshi që nuk e kish për gjë të bënte më të keqen e të këqijave. Ai e masakroi të vëllanë, Osirisin, duke e shqyer copa-copa e duke ia shpërndarë copat e trupit të tij. Kokën ia varrosi në Abydos, zemrën në Arthribis, një këmbë  në Biga Island etj.*

E shoqja e Osirisit, Isisi, ishte njëkohësisht dhe motra etyre. Ajo duke ditur se ishte shtatëzënë, për t’i shpëtuar ndjekjes së vëllait vrastar, u fsheh në marshlands* të lumit Nil. Ajo lindi djalin e saj që e kishte me Osirisin, duke e emëruar foshnjen, Horus. Fëmija ishte ishenjtë, por me instiktin e gjakut të xhaxhait Seth.

Ai, Horus! Pas luftës për pushtet me xhaxhanë Seth, kthehet kundër nënës (që sakrifikoi aq shumë)duke i këputur kokën. Megjithatë, falë aftësisë së saj hyjnore dhe magjike Isisi, u kthye në skifter.

Shkrimtari grek, Plutark, na sjell një version tjetër mitologjik të Osirisit dhe Isisit, pak më modern, por pa ndryshuar thelbin dhe konceptin.

Ndër vite dhe shekuj, ne e shohim këtë luftë në mbretëri, shtete, politikë, shoqëri dhe familje. Në Shqipëri, e hasim për herë të parë këtë fenomen tek tre vëllezërit që ndërtojnë kalanë Rozafa,të cilët, lidhën besën që të mos i tregonin nuseve të tyre që ajo që kishte radhën për të sjellë bukën të nesërmen, do flijohej që kështjella të qëndronte (sipas orakullit). Për  pasojë, varroset e gjallë Rozafa, gruaja e vëllaut të vogël, i vetmi që mbajti besën.

Në Qeverinë e Parë të shqiptarëve të krijuar nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu, shohim disa tradhëti. Gjergji u tradhëtua nga Moisi Golemi njëherë, dy apo tre herë nga Lekë Dukagjini, dhe më pas nga nipi i tij,Hamza Kastrioti.Në qeverinë e komunistëve të kryesuar nga  poltergeisti* Enver Hoxha, ne shohim periudhën më të errët të luftës brenda llojit. Fillimisht, Enveri, eleminoi shokët e vet dhe bashkëpunëtorët e ngushtë që i kishte përkrah.Më pas zhvilloinjë luftë të paprinciptë që njihet tashmë si genocid: “Luftën e Klasave”! Pasi nuk gjente më “armiq”, kthehej përsëri në luftën brenda llojit, duke eleminuar shokët e vet një e nga një. Kulmi arriti nështyrjen e vetvrasjessë shokut të tij më të ngushtë, Mehmet Shehu,i cili, shkruan një letër përpara aktit final, shtrihet në shtrat dhe vendos dy gishtat në zemër, për të dëgjuar rrahjet e zemrës. Aty vendos tytën e pistoletës midis dy gishtave dhe e shkreh atë! Dy gishtat e hapur digjen nga fuqia e plumbit dhe e barutit.* Më vonë kjo hollësi nuk u tha kurrë! Disa për alibi! Të tjerët, për“heroizëm” patetik! Të nesërmen , Kadri Hazbiu , skilja më dinake e PP-së , hyn në shtëpinë e Mehmetit, merr dhe lexon letren që kish lënë ish-bosi i tij…, –  “Vetëm këtë mos t’a kish bërë”! – U shpreh , Kadriu.  Kjo fjali e dalë nga nënvetëdija  do ti kushtonte shumë më pas…

Mehmeti nuk ish më pak kriminel se Enveri, por diabolikët gjithnjë hanë njëri-tjetrin, kur nuk kanë ç’të hanë më!

Lufta për demokraci vendosi tjera raporte në qytetërimin shqiptar. Të gjithë dolën sëbashku për të mposhtur të keqen, por me një gabim të madh, se nuk e kishin mposhtur të keqen e vetvetes, gjeneratorin e tragjedisë shqipëtare. Njeriu negativprej pasionit dhe momentit bëhet njësh me të tjerët, por origjina dhe geni e kthen atë nga ka ardhur, mbase më të keq dhe më të egër se më parë. Pushteti i fituar me gjakun dhe votën e popullit nxori jo frutin e menduar, por një hibrit të rrezikshëm që do ta vazhdonte luftën brenda llojit me një dinakëri të pashoqe. Kjo shkatërroi shtetin, por dhe shpresën e rindërtimit të një të ardhmeje ndryshe. Kleptokracia e lindur prej pushtetit të konvertuar asfiksoi zhvillimin. Loja me të vuajturit ishte nga më të pamoralshmet.Poshtërsitë e klasës neokomuniste penetruan deri tek shtresa e ringjalljes së një kombi, tek të persekutuarit. Klasa e persekutuar u la përsëri në baltë, jo se nuk kishin tru, porse gjaku diabolik nuk lejonte që toka shqiptare të vendoste paqen dhe prosperitetin nëpërmjet të vuajturve që e dinin çfarë do të thoshte atdhe dhe jo internacionalizëm proletar. Djallëzia e pushtetit të momentit instruktoi luftën midis të persekutuarve, luftën brenda llojit, e cila e pat  shoqëruar njeriun që në lindjen e tij. Të persekutuarit ranë në grackën e ngritur! Ata filluan të ndahen dhe të gjykonin njëri-tjetrin. Karrigia flauroi unin duke harruar misionin. “Pushtetari” i persekutuar bënte not bretkocë pa çuar dallgë në breg. Pushteti ekzekutiv nuk ra kurrë në duart e tyre, për arsyet që tashmë dihen. Filluan të dëgjoheshinxhevahire”, se si qe ky dhe si ishte ai! Dikush, tha: “Ramizi, solli demokracinë”!!! Një tjetër, për hir të cmirës, bëri krushqi me persekutorin! Padjallëzia, fisnikëria dhe lodhja e gjatë e vuatjeve kishin stopuar ushqimin e subkoshiencës. Nuk kish më fajtor e as faj! Fytyrat e reja  të fëmijëve të përsekutorëve nuk kishin vrangat e krimit, por geni i tyre do shfaqej më vonë  me të gjithë barometrat e babëzitjes  së baballarëve.

Po a nuk ishin persekutorët që skllavëruan 2. 900.000 mijë shqiptarë?Po a nuk ishin po ata që vranë e prenë, grabitën pasurinë (e përsëris… e përsëris dhe do ta përsëris sa të kem frymë), internuan e burgosën me një mijë e një akuza të paqëna?! Çfarë ndodh tani? Me nofkat që vunë persekutorët i përdorin të njëjtat shpifje kundër njëri-tjerit?! Pale,  shkruajmë dhe broçkulla si të vërteta!Përse? Përse? Persekutorin mund ta falësh, duke treguar superioritetin e genit fisnik, por nuk mund të falësh dhimbjen brenda dhimbjes, se  ajo dhëmb më fort se një kalvar mundimesh nga mizoria dhe mizorët, sepse për mizorët je i pregatitur, kurse kundër vetvetes, kurrë!

Kam menduar se fisnikëria (shejtnia) e njeriut të vërtetë,e ruan botën, shtetin, shoqërinë dhe familjen. Mendoj se, përsëri po ky njeri do ta shpëtojë njeriun vetë prej verdiktit të agonisë diabolike.

“Lufta kundër Llojit” është një e keqe e madhe.Duke u ushqyer me të keqen, ajo e pjell atë për të depërtuar me një fuqi të tmerrshme në shpirtrat e trazuar, nganjëherë të pashpresë, dhe kështu shndërrohet nga aderencë anakronike sporadike në cilësi sadiste. “Lufta kundër llojit” nuk duhet të ekzistojë më ndër shqiptarë, për vetë genin e veçantë që kemi. Dëmi i pallogaritshëm që ka sjellë kjo luftë në Shqipëri, sidomos gjatë qeverisjes komuniste dhe postkomuniste dëshmohet tek karakteri i njeriut dhe i shtetit. Fakti që gjysma e shqiptarëve,kanë emigruar nëpër botë, të pashpresë për një të ardhme në shtetin e tyre amë, duhet të na shërbejë për të kuptuar definitivisht fuqinë djallëzore dhe shkatërruese që mbart në vetvete kjo luftë.

*Shënimet e mia:

Sipas “World Mythology” ….

Marshlands = Tokë me sipërfaqe uji, si kënetë, ku më tepër mbizotërojnë barishtet.

Poltergeist = Fantazem e zhurmshme

*    Thënjet, sipas dy Ali-ve, të familjes Shehu…

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: alfons Grishaj, eshte tradheti!, Lufta brenda llojit

Numrat , Stoli e Gënjeshtërt apo Zgjidhje?

June 27, 2016 by dgreca

Nga Alfons Grishaj/

Asnjëherë nuk kam besuar në numrat e komunizmit   dhe Numërorë që ngrihen dhe zbresin sipas nervave të “Udhëheqjes”  që  piratizojnë ndër fletë dhe kompjutera gjahtarë (jo algorithm…*) e më pas zhgërryhen ndër xhepat dhe portofolet e Numërorit,  të cilët rreken për të bërë emër dhe pushtet  me plaçkë, ku prapa  kanë një shpurë mjeranësh dhe servilësh të neveritshëm. që gërrhasin në nevojtoret e tyre “mediatike” për të bërë të njohurën  terra incognita*.

Numri metalik   është hipokrizia  më e  këndshme e njeriut në përgjithësi,.. Megjithatë, hidhërimi  dhe gëzimi , batica dhe zbatica e  përzier  shpesh  krijon një shock epileptik që zhvesh  amorpropin e  personit . Për këtë arsye nuk kam besuar në numra komunistë dhe postkomunistë, të cilët , lindën Numërorët e sotëm … sidomos  kur numri e bën njeriun  urë dhe daltë të  servilizmit , ku  shformon një lis me rrënjë e gjethe në një lëndë që shërben , por nuk e ka bukurinë dhe gjelbërimin e jetës.

“Librat e shtëpisë” pranojnë metamorfoza  prej Numërorëve që janë aleanca e zvarranikëve …Zhvendosja e arsyes në shtratin Numëror transformon  personin  në objekt , ku misioni human degradon. Politikanët  e sotëm do të ishin ndryshe sikur numrat nuk do të ishin gjyslykë  dhe qëllim. Ashtu si qeveritari  send   molepset pas  karriges  dhe bëhet kolltukofag , ashtu gjahu i numrit   pjell Numërorë të babëzitur  që korrin frutet e tjerëve, pa mbjellur asnjëherë vetë!

Një varfanjak dinjitoz  ndërron jetë pa e njohur askush,  megjithëse është i barabartë në frymë  përpara aktit final . Përcjellja në banesën e fundit çalon nga pjesmarrja  dhe  publikimi… Ndryshe është kur një Numëror punon me numra dhe në kostumin e tij ka  një numër , qoftë ai numri katër. E pra ne , katërshalacët i kemi tallur ose mëshiruar…Tani është ndryshe … Mjafton të kesh një numër dhe ky numër të numërohet prej Numërorëve, të cilët nuk e kanë për gjë që nëse nuk i bën hise për “tortën” , ata mënjëherë të heqin një minus, që herën tjetër ti duhet t’a kthesh në plus, ose shkon si varfanjaku …

Çanta e metalikëve Numërorë është bërë aq e rëndë , sa vetë ata kanë pësuar zhvendosje gjeografike dhe politike…Çështja nuk është më se si parimi shpirtëror është çelësi i jetës dhe zhvillimit njerëzor , por se si  parimi Numëror është shumfishimi i numrave … qofshin  lopë apo derra , hajdutë apo kriminelë, injorantë apo servilë .Mjafton që standaret e numrave  të jenë në shumëzim, – “Shikoni se si zhvillohemi ne” . Firmosim për dekriminalizim dhe i njohim ata , por  ata janë përsëri të “nderuar” , pikërisht se janë pjesë e numrave dhe Numërorëve ,  pjesë e ekuacionit të matematikës egotistikale , ku  praktika e  zhvillimit postkomunist përdor terrenin e  varfërisë së shoqërisë civile  për ta degjeneruar  shtetin dhe kthyer atë si në përrallën arabe  “ Ali Baba  me 40 hajdutë”.

Po ti testosh politikanët shqiptarë  për shkencat politike  dhe filozofinë e zhvillimit të shtetit ,  të gjithë mbesin në klasë. Po ti  testosh në numra dhe punë private , të gjithë e kalojnë testin 400% …E pra dikush do të thotë : “Kjo është tradhëti,  hajdutëri , banditizëm”. Unë them se,  çdo njeri ka të drejtë të thotë atë çka mendon  pa fyer dhe kaluar caqet e kodit të sjelljes dhe pse Numërorët as nuk duan t’ia dinë çfarë mendojnë të tjerët, jo pse janë aq të “këqinj”, por se ata nuk  e kuptojnë jetën ndryshe.Morali i tyre është numri metalik   dhe jashtë këtij konteksti çdo gjë tjetër është e pakuptueshme  dhe e pa jetë .

Mendoni për një moment…, në Amerikë , gjatë depresionit të vitit 1928,   , u vetëvranë  disa milionerë , pikërisht se koncepti i tyre nuk ishte se  truri i njeriut  krijoi numrat , por se  numrat bënë njeriun Numëror dhe pa numra  njeriu është një hiç!

Pra , sëmundja e numrave nuk është vetëm për të mjeruarit që erdhën nga mjerimi postkomunist ku lindën kleptokratët ,  por dhe për milionerët  dhe bilionerët botërorë nga shekujt e kaluar dhe në shekullin XXI …Këtu koncepti ndryshon ,  nga  vetë  tradicioni që ka  testament  trashëgues , ku numërorët dhe nëse  janë qëllim në vetvete i shërbejnë njerëzimit si zhvillim …Dinastitë e ngritura mbase kanë ardhur dhe nga hiçi , por janë institucionalizuar si fuqi jetëdhënëse ,  punësim dhe zhvillim dhe jo plaçkitje . E megjithatë , sipas mësimeve të Biblës, sëmundja e numrave  është e njëjtë, diabolike ! Kjo në filozofinë  e shpirtit…Mendoj se, numri duhet të jetë shërbëtor i njeriut , dhe jo njeriu skllav i numrit…Njeriu është tranzitor dhe si i tillë nuk duhet të kulmojë  që unin ta kthejë në kult!

Personazhi  i Balzakut, Gobsek , vdiq me krye në hi  pa i shijuar florinjtë që kur ish gjallë i pat fshehur poshtë atij hiri ku i pushoi koka . Steve Jobs , në letrën e fundit , vulosi përfundimisht që  numrat metalikë nuk janë ekuacioni i jetës , por stolia e gënjeshtërt e personit!

*Në histrorinë e njerzimit , i pari njeri që ka shkruar  programin e parë kompjuterik  ka qenë femër. Bija e Lord Byron , e quajtur Ada Lovelace.  Programi i saj është quajtur , Algorithmi i Adës. Sipas   Walter Isaacson , Ada ,  krahasohet me Stive Jobs…

*Terra Incognita= Tokë e panjohur.

Filed Under: Analiza Tagged With: alfons Grishaj, apo Zgjidhje?, Numrat, Stoli e Gënjeshtërt

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • …
  • 28
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kur karakteri tejkalon pushtetin
  • ABAZ KUPI DHE LUFTA ANTIFASHISTE NË SHQIPËRI
  • Fortesa Latifi: “It can be difficult to grow up when you’re constantly faced with a younger version of yourself”
  • ABAZ KUPI, I HARRUAR DHE I KEQTRAJTUAR NGA HISTORIA ZYRTARE
  • VATRA DHE FAMILJA KUPI ORGANIZUAN SIMPOZIUM SHKENCOR ME RASTIN E 50 VJETORIT TË KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT TË SHQUAR ABAS KUPI
  • “E DREJTA ZAKONORE E ÇERMENIKËS. KANUNI I MUST BALLGJINIT” 
  • Retorika e Serbisë si agresion psikologjik: narrativa e rrezikshme e Aleksandar Vuçiçit në Ballkan
  • Çfarë “shteti” deshi Mehmet Ali pashë Misiri në luftën e tij kundër sulltanit osman?
  • 1939 / AUDREY SHAH : JU RRËFEJ TAKIMIN ME MBRETIN ZOG NË HOTEL RITZ (LONDËR)
  • Ndalimi i investitorëve nga tregu i shtëpive: a është zgjidhja reale?
  • “Pse ShBA nuk e pushtuan por e çliruan Venezuelën nga Maduro/t”
  • SPEKTËR…
  • ME SA POLITIKA SHIGJETON SERBIA NË DREJTIM TË KOSOVËS?
  • VENDI IM / 7th Annual Concert
  • ZOTI, SHPIRTI, BIBLA, DOGMA DHE MENDIME FILOZOFIKE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT