Nga Alfons Grishaj/
Asnjëherë nuk kam besuar në numrat e komunizmit dhe Numërorë që ngrihen dhe zbresin sipas nervave të “Udhëheqjes” që piratizojnë ndër fletë dhe kompjutera gjahtarë (jo algorithm…*) e më pas zhgërryhen ndër xhepat dhe portofolet e Numërorit, të cilët rreken për të bërë emër dhe pushtet me plaçkë, ku prapa kanë një shpurë mjeranësh dhe servilësh të neveritshëm. që gërrhasin në nevojtoret e tyre “mediatike” për të bërë të njohurën terra incognita*.
Numri metalik është hipokrizia më e këndshme e njeriut në përgjithësi,.. Megjithatë, hidhërimi dhe gëzimi , batica dhe zbatica e përzier shpesh krijon një shock epileptik që zhvesh amorpropin e personit . Për këtë arsye nuk kam besuar në numra komunistë dhe postkomunistë, të cilët , lindën Numërorët e sotëm … sidomos kur numri e bën njeriun urë dhe daltë të servilizmit , ku shformon një lis me rrënjë e gjethe në një lëndë që shërben , por nuk e ka bukurinë dhe gjelbërimin e jetës.
“Librat e shtëpisë” pranojnë metamorfoza prej Numërorëve që janë aleanca e zvarranikëve …Zhvendosja e arsyes në shtratin Numëror transformon personin në objekt , ku misioni human degradon. Politikanët e sotëm do të ishin ndryshe sikur numrat nuk do të ishin gjyslykë dhe qëllim. Ashtu si qeveritari send molepset pas karriges dhe bëhet kolltukofag , ashtu gjahu i numrit pjell Numërorë të babëzitur që korrin frutet e tjerëve, pa mbjellur asnjëherë vetë!
Një varfanjak dinjitoz ndërron jetë pa e njohur askush, megjithëse është i barabartë në frymë përpara aktit final . Përcjellja në banesën e fundit çalon nga pjesmarrja dhe publikimi… Ndryshe është kur një Numëror punon me numra dhe në kostumin e tij ka një numër , qoftë ai numri katër. E pra ne , katërshalacët i kemi tallur ose mëshiruar…Tani është ndryshe … Mjafton të kesh një numër dhe ky numër të numërohet prej Numërorëve, të cilët nuk e kanë për gjë që nëse nuk i bën hise për “tortën” , ata mënjëherë të heqin një minus, që herën tjetër ti duhet t’a kthesh në plus, ose shkon si varfanjaku …
Çanta e metalikëve Numërorë është bërë aq e rëndë , sa vetë ata kanë pësuar zhvendosje gjeografike dhe politike…Çështja nuk është më se si parimi shpirtëror është çelësi i jetës dhe zhvillimit njerëzor , por se si parimi Numëror është shumfishimi i numrave … qofshin lopë apo derra , hajdutë apo kriminelë, injorantë apo servilë .Mjafton që standaret e numrave të jenë në shumëzim, – “Shikoni se si zhvillohemi ne” . Firmosim për dekriminalizim dhe i njohim ata , por ata janë përsëri të “nderuar” , pikërisht se janë pjesë e numrave dhe Numërorëve , pjesë e ekuacionit të matematikës egotistikale , ku praktika e zhvillimit postkomunist përdor terrenin e varfërisë së shoqërisë civile për ta degjeneruar shtetin dhe kthyer atë si në përrallën arabe “ Ali Baba me 40 hajdutë”.
Po ti testosh politikanët shqiptarë për shkencat politike dhe filozofinë e zhvillimit të shtetit , të gjithë mbesin në klasë. Po ti testosh në numra dhe punë private , të gjithë e kalojnë testin 400% …E pra dikush do të thotë : “Kjo është tradhëti, hajdutëri , banditizëm”. Unë them se, çdo njeri ka të drejtë të thotë atë çka mendon pa fyer dhe kaluar caqet e kodit të sjelljes dhe pse Numërorët as nuk duan t’ia dinë çfarë mendojnë të tjerët, jo pse janë aq të “këqinj”, por se ata nuk e kuptojnë jetën ndryshe.Morali i tyre është numri metalik dhe jashtë këtij konteksti çdo gjë tjetër është e pakuptueshme dhe e pa jetë .
Mendoni për një moment…, në Amerikë , gjatë depresionit të vitit 1928, , u vetëvranë disa milionerë , pikërisht se koncepti i tyre nuk ishte se truri i njeriut krijoi numrat , por se numrat bënë njeriun Numëror dhe pa numra njeriu është një hiç!
Pra , sëmundja e numrave nuk është vetëm për të mjeruarit që erdhën nga mjerimi postkomunist ku lindën kleptokratët , por dhe për milionerët dhe bilionerët botërorë nga shekujt e kaluar dhe në shekullin XXI …Këtu koncepti ndryshon , nga vetë tradicioni që ka testament trashëgues , ku numërorët dhe nëse janë qëllim në vetvete i shërbejnë njerëzimit si zhvillim …Dinastitë e ngritura mbase kanë ardhur dhe nga hiçi , por janë institucionalizuar si fuqi jetëdhënëse , punësim dhe zhvillim dhe jo plaçkitje . E megjithatë , sipas mësimeve të Biblës, sëmundja e numrave është e njëjtë, diabolike ! Kjo në filozofinë e shpirtit…Mendoj se, numri duhet të jetë shërbëtor i njeriut , dhe jo njeriu skllav i numrit…Njeriu është tranzitor dhe si i tillë nuk duhet të kulmojë që unin ta kthejë në kult!
Personazhi i Balzakut, Gobsek , vdiq me krye në hi pa i shijuar florinjtë që kur ish gjallë i pat fshehur poshtë atij hiri ku i pushoi koka . Steve Jobs , në letrën e fundit , vulosi përfundimisht që numrat metalikë nuk janë ekuacioni i jetës , por stolia e gënjeshtërt e personit!
*Në histrorinë e njerzimit , i pari njeri që ka shkruar programin e parë kompjuterik ka qenë femër. Bija e Lord Byron , e quajtur Ada Lovelace. Programi i saj është quajtur , Algorithmi i Adës. Sipas Walter Isaacson , Ada , krahasohet me Stive Jobs…
*Terra Incognita= Tokë e panjohur.