• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Peshku i parë dhe më i madh është Edi Rama, ambasador!

July 7, 2018 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

1) Takimi i djeshëm Forca e ligjit me ambasadorët e rajonit dhe atë të Amerikës, vërtetoi publikisht një fakt, mos çeljen e negociatave. Atë që pak ditë më parë u bë debat publik ku qeveria e quajti si sukses shtyrjen me një vit, ato që Edi Rama i rrumbullakosi si 72 orë vendimtare për t’i mbushur mendjen skeptikëve në Hollandë e gjetkë dhe opinioni opozitar si ngelje në klasë të Shqipërisë. Në një apo dy mënyra një shpurë e tërë ambasadorësh sollën kokluzionet, apo arsyet e vërteta përse vendi ynë nuk mundi të shkoj dot më tutje. Dhe pa diskutim kulmi ishin replikat në distancë midis ambasadorit në ikje të Shteteve të Bashkuara Donald Lu dhe kryeministrit Edi Rama mbi krimin e organizuar. Kësaj here Donald Lu-ja u bë antipatik edhe për opinionin qeveritar, i cili gjithë këtë kohë i ka konsideruar si asete të rëndësishme Lu dhe Vlahutin në gjoja reformat e mëdha të shtetit të së drejtës dhe ligjit. Po e vërteta është se në Shqipërinë otomane, ligji dhe kushtetuta janë ca rula letre higjenike të një cilësie skandaloze që kujtdo ua grricin menderen, veç shqiptarëve qytetarë jo. Replika që sigurisht otomanit Edi Rama nuk kishte se si t’i pëlqenin, ndaj edhe iu kundërvu ambasadorit duke i përmendur vështirësitë në kapjen e një personi në kërkim, aset nga administrata shtetërore e doganave dhe prurje e politikës. Një modë natyrale e këtyre njëzetë e tetë vite demokraci, si ardhja në pushtet me paratë e krimit dhe ndarja e tepsisë për interesat e tij.

2) Së fundi Donald Lu-ja po largohet prej vendit tonë i përbuzur si nga opozita por edhe pushteti. Megjithatë shembulli Lu apo Vlahutin, ai i ambasadorit anglez dhe ndonjë tjetri dëshmuan një fakt të hidhur. Rënien e shtetit tonë. Ambasadorët janë veçse përçues mesazhesh mes qeverive, jo udhëzues se si bëhet, se qysh…, se kush. Mund të ofrojnë platforma dhe të tjera shërbime, por të gjitha këto bëhen në atë mënyre që mbeten si praktika të brendshme kuadrosh ndërshtetërore. Por ndofta nga bezdia mbi dhënien pa mbarim, fondesh për ngritje institucionesh si gjykata administrative a ky vetingu i famshëm… fonde që i përpinin gropat e zeza, u detyruan të bënin udhëzuesin dhe kërkuesin e llogarisë në mënyrë publike. Dhe ndofta dhëmbët ua kanë mbajtur t’i kujtojnë politikanëve se peshq të mëdhenj nuk janë vetëm ata si puna e këtij Balilit, por edhe Rama dhe soji i tij opozitar.  Madje më keq se transportuesit e kanabisit dhe mishit të bardhë. Pra, ngado që ta kthejmë është një rol i tejkaluar por që në vendin tonë u kthye në një show publik ku me siguri institucionet e lajmit duhet ta dinë mirë se sa ethshëm shtoheshin ndjekësit kur fliste shqip e demaskonte emra të gjallësh ky Luja i Amerikës. 

3) Peshku i parë i madh është Edi Rama i cili pushtetin që i dhanë shqiptarët e ka kthyer në një biznes me sekserë të tipit Erion Veliaj. Këtë e vërtetoi vet ky i fundit, që e trajton raportin me kryeministrin si një marrëdhënie njerëzish aferash që merr vesh shumë mirë. Një marrëdhënie disi e xhelozuar për shkak se cili syresh po punon më mirë duke ofruar kështu një përtëritje të mjaftistëve, e kohës Rama kundër Nanos, shkurt ata plagjaturë që sot gjithë bota e njeh si pushteti absolut midis Vladimir Putinit dhe Dimitry Medvedevit në Rusi. Shokët e pushtetit nën rrogoz, luftës së ashpër opozitare, por edhe atyre në rang botëror, siç është suporti aktual që po i japin Bashar Al Asadit në Sirinë tashmë të shkatërruar nga lufta civile. Plaga e madhe e Europës në lidhje me dyndjen e emigrantëve. Ndofta dyshja jonë, Rama Velija nuk kanë bythë ta bëjnë, megjithatë ka aftësinë të rrisin borxhin publik dhe të vjedhin me të dya duart, të manipulojnë një vend të tërë drejt një vetvrasje kolektive duke shkatërruar deri memorien historike, një vend i cili ka një përvojë të hidhur nga pushteti i shokëve si rasti i Enver Hoxhës me Koçi Xoxen, Beqir Ballukun, Teme Sejkon, Kadri Hazbiun, Bedri Spahiun dhe Mehmet Shehun. Konkluzioni një Shqipëri e rrudhur aq sot ajo Shqipëria organike thirret me frikë si një Shqipëri e madhe…, plot 39 mijë viktima gjatë një qeverisje dyzetë e pesë vjeçare, pa përmendur të pushkatuarit dhe ata të cilët nuk iu gjetën kurrë eshtrat, të luftës pa kompromis asaj të klasave.  Shteti në kapitalizëm bëhet me ligje, me trasparencë dhe jo fonde gjoja të dhuruara me më jep të të jap. 

4) Momentalisht në Shqipëri është krijuar edhe një ngërç instititucional. Mungesa e kërkesës së llogarisë, e vënies së drejtësisë etj., kjo përshembull si në rastin konkret për një ankimin të ligjit për prishjen e teatrit kombëtar. Eshtë një vendimmarrje e paqartë për shkak edhe të protestave apo debateve pafund. Megjithatë, kundërshtarët, qofshin këta me sharm politik, prej artit, a qytetarë pro memories dhe ruajtjes së saj, nuk kanë ku të ankimohen. Pra është drejt për së drejti një ngërç mafiozësh dhe peshqish të mëdhenj, shkurt demokracia e kapur nga oligarkia dhe mafia. Nisur nga ky këndëvshtrim… i takon opozitës të ofroj mundësi të reja dhe të garantoj balancimin e pushtetit si nervi thelbësor i demokracisë. Megjithatë, shohim se veç atyre denoncime tashmë gangrenë prej dixhitali, nuk ka asnjë asgjë tjetër. Përshembull suport total të protestuesve dhe ajo që është e domosdoshme djegia e mandatave të deputetit. Mirëpo kjo nuk po ndodh. Dhe sado të bërtasi Berisha, sado të flasi Basha për një politikë kundërshtuese qytetare…, prapë ky nuk është opozitarizëm. Por një kapje dhe bindje totale e kollarexhinjlve me një të kaluar tepër të përfolur prej ish drejtorësh a ish ministra që janë pjesë e një lojë të qartë për pritje të pushtetit. Ndofta është koha të besojmë plotësisht se ato zëra se marrëveshja e Ramës me Bashën ekziston. Në një vend ku të gjithë treguesit janë për një rënie totale të shtetit, opozitari është i shenjtë pikërisht për hir të sakrificës. Mirëpo ky lloj shenjtori duket se i mungon vendit tonë. Ndaj dhe ambasadorët kanë të drejtë të udhëzojnë, të kërkojnë llogari, ndofta me të vetmen shpresë se qytetarët i kanë veshët hapur e dëgjonë, kanë sy e shikojnë. Dhe protestuesit duhet t’i përzënë një orë e më parë deputetët opozitarë sa kohë mbajnë në xhep mandatin, sa kohë nuk kanë nuhatjen të kuptojnë se veç demokraci nuk ka më në Shqipërinë tonë. 

Filed Under: Analiza Tagged With: ambasador, Edi Rama, Ilir Levonja, Peshku i mad

Luan Krasniqi, ambasador i organizatës humatinare ndërkombëtare SOS-Kinderdorf

June 30, 2017 by dgreca

Berlin, Luan Krasniqi ist neuer SOS Botschafter
Berlin, Luan Krasniqi ist neuer SOS Botschafter

Nga XHEVAT UKSHINI/

Javën që shkoi në Berlin ish boksieri profesionist me një karrierë mbresëlënëse sportive në arenën ndërkombëtare Luan Krasniqi, fitues i medaljes olimpike, kampion i shumëfishtë europian dhe pretendues për titullin e kampionit të botës në vitin 2005, është emëruar ambasador i SOS-katundit për fëmijë (SOS-Kinderdorf).
Sivjet SOS-Kinderdorf në festën e tij të përvitshme verore në kryeqytetin gjerman e kishte ftuar si mysafir nderi sportistin shqiptar me zemër njeriu për ta shpallur ambasador të tij. Ishte vetë kryetari i kryesisë së kësaj organizate të pavarur, joshtetërore dhe mbikonfesionale Wilfried Vyslozil që ia dorëzoi certifikatën e emërimit ambasador sportistit shqiptar me shtetësi gjermane.“Gëzohem shumë që Luan Krasniqi, prej më shumë se dhjetë vitesh na ndihmon që fëmijëve tu japin guxim për të ëndërruar” tha ndër të tjera kryetari Vyslozil, duke vënë dukje më tej se Krasniqi ka ndihmuar dhe ndihmon edhe tani të rinjtë gjermanë në orientimin e tyre profesional.
Luan Krasniqi punon që prej vitit 2006 për organizatën humanitare “SOS Kinderdorf”. Në fushatën e zhvilluar me rastin e Kampionatit Botëror të Futbollit “6 f shatra SOS për vitin 2006”, Krasniqi kishte dhënë kontributin e tij për themelimin e këtyre fshatërave. Katër vite më parë, në vitin 2013, ai së bashku me shefin e gjigandit të industrisë automobilistike Porsche, Uwe Hück, një thaiboiksier profeisonal që kishte arritur të bëhet dy herë kampion i Europës dhe që fëmijërinë e kishte kaluar në shtëpi fëmijësh, ndërmori aksionin sportiv humanitar të boksit “Blaue Zwecke für gute Zwecke”. Në këtë eviniment sportiv u grumbulluan 50 mijë euro për fëmijët qö strehohen në SOS Kinderdorf-Prishtina.
“Unë i dëshiroj çdo fëmije të ketë mbështetje familjare. Dhe këtë mbështetje e ofron ‘SOS Kinderdorf’ në mënyrë unike”, tha Luan Krasniqi. “Dhe për këtë jam krenar të jem ambasador zyrtar i SOS Kinderdorf” tha me këtë rast Luan Krasniqi.
Si lindi organizata SOS-Kinderdorf? Gjithcka filloi nga një ide: një fëmijë, një nënë, një motër a vëlla, një fshat. Për t’u dhënë një kulm, një shtëpi fëmijëve që kishin mbetur pa prindër gjatë Luftës së Dytë Botërore Hermann Gmeiner themeloi fshatin parë për fëmijë në Imst të Austrisë në vitin 1949. Shtatë vite më vonë, në vitin 1956, themelohet një fshat i tillë edhe në Gjermani, në Ammersee. Sot SOS-Kinderdorf është i pranishëm në 133 vende dhe territore në botë me 2300 institucione. Në Gjermani në 41 institucione të tilla janë të angazhuar mbi 3500 punëtorë që ndihmojnë 95.000 njerëz. Një fshat i tillë për fëmijët shqiptarë që kanë mbetur pa prindër gjatë luftës së Kosovës është themeluar edhe në Prishtinë në vitin 2004. Në këtë institucion gjejnë shtëpinë e tyre edhe fëmijët e braktisur nga nënat e tyre pas lindjes, rreth 30-40 fëmijë të tillë në vit i dorëzohen SOS-Kinderorf-it në Prishtinë nga ana e Klinitkës obstetrike të kryeqytetit kosovar. Luan Krasniqi është kujdesur në mënyrë të vecantë për fëmijët e këtij institucioni, duke iniciuar aksione për mbledhjen e parave në truallin gjerman.
Se c’rëndësi ka kjo organizatë humanitare për shtetin gjerman më së miri e dëshmon fakti që vetë ministri i jashtëm gjerman Sigmar Gabriel e vizitoi simpoziumin e SOS-Kinderdorf që u mbajt në Salzgitter në Saksoni vetëm tre ditë para se Luan Krasniqi të emrohej ambasador zyrtar i kësaj organizate.
Luan Krasniqi në rolin e ambasadorit në të mirë të kombit të tij në fakt është aktiv që nga vitet 1990 kur u ngrit me shpejtësinë marramendëse të një komete në qiellin e sportit europian dhe botëror. Sukseset e tij në sportin e boksit amator dhe profesional dhe performanca e tij e shkëlqyer mediale, ai flet rrjedhshëm pos gjuhës shqipe edhe disa gjuhë botërore, kishin një vetëvetiu edhe një dimension politik-diplomatik, sepse kur flitej për sukseset e tij flitej njëkohësisht edhe për origjinën dhe problemet e kombit të cilit i përkiste Luan Krasniqi, një pjesë e të cilit jetonte në rrethana apartheidi, i përjashtuar nga cdo e drejtë, përfshirë këtu edhe diskriminimin e sportistëve shqiptarë. Në këtë funksion, të diplomatit, të ambasadorit të Kosovës në Gjermani, ishte edhe disa muaj më parë me rastin e arrestimit në Francë të kandidatit të tanishëm për kryeministër të Kosovës Ramush Haradinaj. Para se ta vizitonte atë atje, ai i shkroi kancelares Angela Merkel dhe disa funksionarëve të tjerë të lartë patrtiakë dhe shtetërorë gjermanë, me të cilët ai ka njohje personale, me kërkesën që ata të angazhohesin për lirimin e heroit të gjallë të Kosovës, sic e quante ai Ramush Haradinajn.
Shteti shqiptar dhe ai i Kosovës duhet të interesohen për këtë legjendë sportit që emrin e shqiptarit e coi deri në majat më të sportit botëror në një prej kohëve më vështira për kombit tonë, në dhjetvjecarin e fundit të shekullit të kaluar.

Filed Under: Featured Tagged With: ambasador, Luan Krasniqi, SOS-KINDERDORF

Ferhat Dinosha, ambasador i Malit të Zi në Kosovë

October 24, 2016 by dgreca

m-03-Presidenti Thaçi priti ambasadorin e ri të Malit të Zi në Kosovë, pranoi kredencialet e tij/

1-thaci-dinosha

-Dinosha  para ardhjes në Prishtinë ishte ambasador i Malit të Zi në Tiranë/

m-04

PRISHTINË, 24 Tetor 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pranuar kredencialet e ambasadorit të ri të Malit të Zi, Ferhat Dinosha.Presidenti Thaçi ka shprehur kënaqësinë që Mali i Zi ka ngritur përfaqësimin në nivel ambasadori në Kosovë.“Marrëdhëniet me Malin e Zi janë marrëdhënie të shkëlqyera fqinjësore”, u shpreh presidenti Thaçi.

“Mali i Zi ka marrë vendimin më të drejtë kur ka njohur Kosovën, përkundër presioneve që kishte, si dhe vazhdon të përkrah Kosovën në të gjitha organizatat dhe forumet ndërkombëtare dhe për këtë jemi mirënjohës”, ka thënë presidenti Thaçi.

Nga ana tjetër, ambasadori i Malit të Zi, Ferhat Dinosha, u shpreh se do të “punojmë të thellojmë bashkëpunimin në mes dy vendeve dhe të promovojmë paqen, stabilitetin, bashkëpunimin, fqinjësinë e mirë dhe integrimin në NATO e BE për tërë rajonin”. Presidenti Thaçi i shprehu përkrahjen e tij ambasadorit Dinosha për thellimin e bashkëpunimit në mes dy vendeve në të gjithë sektorët.Mali i Zi është shteti i 48-të që ka njohur Kosovën në 9 tetor të vitit historik 2008 të shpalljes së pavarësisë.Ferhat Dinosha para ardhjes në Prishtinë ishte ambasador i Malit të Zi në Tiranë.

Filed Under: Rajon Tagged With: ambasador, Dinosha, i Malit të Zi, ne Kosove

Ditët e Memories: në Londër nderohet Besa shqiptare

January 21, 2014 by dgreca

Në mbrëmjen e 16 janarit 2014 në Pinner Sinagogë, në një nga zonat me numrin më të madh të banorëve hebrej në Londër, u organizua shfaqja e filmit BESA – THE PROMISE – vepër e regjisorit Jason Williams me kontribut të veçantë të fotografit Norman Gershman.Tanimë është bërë një traditë shumë e mirë që Ambasada Shqiptare në Londër në bashkëpunim me bashkësitë hebraike të organizojnë veprimtari të ndryshme në nderim të veprës së shqiptarëve në mbrojtje të hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Më shumë se katërqind pjesmarrës, prej të cilëve edhe një numër i mirë shqiptarësh me banim në këtë qytet, ndoqën me vemëndje, respekt dhe emocion këtë veprimtari e cila u hap me fjalën e zonjës Gaby Glassman, Kryetare e Këshillit Organizativ të Sinagogës Pinner. Ajo  nëvizoi fisnikërinë dhe virtytet e larta të shqiptarëve të cilat bënë që asnjë hebre në atë vend të mos dorëzohej tek nazistët.Më pas ajo i dha fjalën ambasadorit të RSH në Mbretërinë e Bashkuar z. Mal Berisha.

Në fjalën e tij ambasadori foli me krenari për këtë episod të historisë së lavdishme të shqiptarëve duke u ndalur tek BESA si një fenomen shqiptar që nuk është atribut i feve por një vlerë morale e popullit shqiptar.

Pas shfaqjes së filmit zonja Glassman, në emër të bashkësisë hebraike të Pinner Sinagoge i dorëzoi Ambasadorit shqiptar një çertifikatë në të cilën thuhej:

“Një pemë e mbjellur në Jeruzalem simbolizon mirënjohjen e jashtëzakonshme ndaj veprës trimërore të popullit shqiptar për strehimin dhe shpëtimin e refugjatëve hebrej nga Hollokausti”.

Në lutjet e Sabathit të së djelës, 19 janar 2014, Rabini Bergson i kushtoi tërë psallmet e Sabathit një diskutimi mbi BESËN shqiptare si një mesazh i rëndësishëm për antarët e kongrecacionit të tij në jetën e përditshme.

Veprimtari të tilla do të vazhdojnë të organizohen edhe në të ardhmen. Më poshtë fjala e rastit e ambasadorit shqiptar:

Mirëmbrëma!

Të nderuar zonja dhe zotërinj pjesëmarrës!

Është një nder dhe privilegj i madh për mua të marr pjesë në këtë ngjarje të shënuar që flet për një histori ende të pathënë plotësisht të marrëdhënieve Shqiptaro – Hebraike gjatë kohës më të vështirë, kohën e Hollokaustit.

Fatkeqësisht historia që do të shohim në këtë film ka qenë e mbyllur në sirtar për thuajse pesëdhjetë vjet të izolimit komunist të Shqipërisë. Kjo histori doli në dritën e diellit kur një hebre i famshëm hungarez, një politikan amerikan, antar i Kongresit, i ndjeri Tom Lantosh dhe miku i tij, Jozef DioGuardi, një tjetër anëtar i Kongresit me rrënjë shqiptare, vizituan Shqipërinë për herë të parë në vitin 1990.

Vetëm pak vite më vonë u botua një libër me titull “Shpëtimi në Shqipëri” i shkruar nga një hebre tjetër i quajtur Harvey Sarner i cili i hoqi perden përpara botës një historie të jashtëzakonshme të mardhënieve të veçanta midis shqiptarëve dhe hebrejve në rrjedhë të historisë dhe veçanërisht gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Sot, ne do të shohim filmin BESA – THE PROMISE. Filmi pasqyron një histori të rrallë të solidaritetit të jashtëzakonshëm ndaj hebrejve gjatë Hollokaustit. Ne mund të flasim për këtë histori pa mbarim. Megjithatë, në pikpamjen time, gjëja më e rëndësishme dhe ajo që e bën atë të tillë është:

Qoftë edhe një jetë e vetme hebre nuk ka humbur në Shqipëri përkundër faktit që vendi ishte vetë i pushtuar prej Italisë Fashiste dhe Gjermanisë Naziste. Kjo nuk ka ndodhur as më parë në tërë historinë tonë. Në Shqipëri nuk gjendet qoftë edhe shenja më e vogël e anti – semitizmit dhe asnjëherë shqiptarët nuk kanë kryer pogrome në shekujt e bashkë-ekzistencës së tyre.

Ia vlen të përmendim këtë mbrëmje se gjatë kohës së Hollokaustit, si Mbreti i Shqipërisë, Ahmet Zogu, ashtu edhe autoritetet vendore, misioinet konsullore të Shqipërisë jashtë vendit dhe më pas kur Shqipëria u pushtua prej fashistëve dhe nazistëve njerëzit e zakonshëm, banorë të qyteteve dhe të fshatrave, vetë qeveria kukull shqiptare, të gjithë njësoj, e nderuan Kodin Moral të Shqiptarëve, Besën e tyre.

BESA është fjalëkalimi që na jep çelësin e spjegimit se përse kur hebrejtë po vriteshin anë e mbanë Europës, një komb i vogël u kujdes për ta; pse njerëz të zakonshëm të një vendi të pushtuar morën tërë atë rrezik mbi vete duke strehuar hebrejtë të cilët vinin nga Europa, falë vizave të lëshuara nga misionet konsullore shqiptare, duke e trefishuar praninë e tyre në vend? Përse familjet më të zakonshme anë e mbanë vendit i mbrojtën jo vetëm hebrejtë shqiptarë të cilët ishin me qindra në atë kohë në qytetet shqiptare por edhe mijëra të tjerë të cilët zgjodhën Shqipërinë si një vend shpëtimi, si vend mbrojtjeje?

Ka vetëm një spjegim dhe kjo është BESA SHQIPTARE.

Këtë më mirë se kushdo do ta spjegonte Profesor Scarlett Epstein e përzënë nga Vjena nga nazistët e me pas nga Jugosllavia bashkë me familjen, e paisur me vizë nga misioni shqiptar konsullor në Zagreb e cila u strehua dhe jetoi në Durrës deri sa arriti të udhëtonte e sigurtë në Mbretërinë e Bashkuar.

Me lejoni të spjegoj shkurtimisht se çfarë është ky virtyt i quajtur BESA.

Është e vështirë ta përkthejmë këtë fjalë në mënyrë të drejpërdrejtë. BESA është një vityt i fortë shqiptar me një origjinë të lashtë i cili shkon përtej kohërave të mesjetës  kur rregullonte jetën në shoqërinë shqiptare. Këto norma janë transmetuar në mënyrë gojore brez pas brezi deri në shekullin e XV kur ato u kodifikuan prej Lek Dukagjinit në të quajturin Kanuni i Lekës. Është interesante të theksojmë se BESA është gjithashtu e lidhur nga ana semantike me fjalën “Fe” në gjuhën shqipe BESIMI.

Në Shqipëri, bashkëjetojnë tre fe të ndryshme, – Feja Katolike, Ortodokse dhe ajo Muslimane. Ekziston gjithashtu edhe një formë e islamit e quajtur Bektashi. Në historinë tonë të hershme dhe as të vonë nuk kemi përjetuar kurrë ndonjë konflikt fetar. Urrejtja në këtë aspekt nuk ekziston. Dhe kjo është arsyeja se përse hebrejtë nuk përbëjnë ndonjë përjashtim në këtë drejtim.

BESA në fakt tek shqiptarët ekzistonte përpara feve dhe është konceptualisht e ndarë nga ato deri në atë pikë sa të përbëjë bazën morale të tolerancës fetare në shoqërinë tonë. Duke qenë një normë e fortë etike ajo është një “fe” në vetvete që mbizotëron mbi çdo gjë tjetër në kohërat e krizave të rënda morale siç ishte ajo e Hollokaustit.

Si shqiptar jam krenar për atë që kombi im ka bërë për hebrejtë. Në pozitën e ambasadorit jam i nderuar që kam mundësinë të jem bashkë me ju dhe të shohim të skenuar këtë histori të treguar në këtë film.

Ndjehem gjithashtu i lumtur që një histori e tillë e patreguar nuk është më e tillë. Dua të shpreh respektin tim të thellë për fotografin Norman Gershman, të cilin e kam njohur personalisht, për punën e mrekullueshme që ka bërë. Ai i ka frymëzuar artistët dhe personazhet jetësore ta zbulojnë, ta bëjnë publike këtë histori. E kam takuar atë në Long Island, në New York, në familjen kavajase Myrtaj, një ndër 69 shqiptarët fisnikë midis kombeve të gdhendur në pllakën e Yad Vashemit. Po ashtu dua të shpreh respektin tim për Jason Williams, regjisorin e filmit me të cilin ka fituar një numër çmimesh të para në shumë festivale të filmit hebraik në botë. Më së fundi, më lejoni tju falenderoj të gjithëve për vemendjen dhe t’ju uroj një mbrëmje të këndshme, me emocionet e forta që shkakton ky film.

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: ambasador, besa Shqiptare, derohet ne Londer, Ditet e Memories, Mal berisah

KONSULLATA E KOSOVËS NË NY VLERSON ROLIN E BATALIONIT”ATLANTIKU” DHE NISI REGJISTRIMIN E DËSHMORËVE DHE VETERANËVE TË LUFTËS

December 11, 2012 by dgreca

NGA HALIL MULAJ/

 Konsullata e Republikës së Kosovës në Nju Jork organizoi një takim solemn me përfaqësuesit e Shoqatës së Batalionit Atlaniku, me rastin e fillimit të regjistrimit të deshmorëve, veteranëve dhe invalidëve të luftës së UÇK-së.
Ambasadori Bekim Sejdiu, Konsull i Pergjithshem ne New York, shprehu respektin e shtetit të Kosovës për ata djem dhe vajza që lanë SHBA-në për të luftuar për lirinë e Kosovës, si dhe ata që në forma të ndryshme kontribuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

    Ai potencoi se diaspora shqiptare në Amerikë është shëmbull më i mirë i kontributit të pazevëndësueshëm që diaspora jonë e madhe, anë e kënd botës, ka dhënë për liri dhe pavarësi. Ambasadori Sejdiu nënvizoi se fillimi i regjistrimit të veteranëve, invalidëve dhe dëshmorëve të UÇK-së koincidon me 100 vjetorin e pavarësisë së Republikës së Shqipërisë, si dhe me afrimin e 5 vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Këto ngjarje i japin një dimension të posaçëm emocionues këtij regjistrimi.
Kryetari i Shoqatës Atlantiku, z.. Gani Shehu, falënderoi Konsullatën e Republikës së Kosovës për takimin. Ai u shpreh në dobi të vazhdimit të bashkëpunimit në mes të Konsullatës së Republikës së Kosovës dhe Shoqatës Atlaniku (duhet potencuar se ky nuk ishte takimi i parë në mes të Konsullatës dhe Shoqatës Atlaniku). Më tej,z. Shehu dhe të pranishëm të tjerë evokuan kujtime nga koha e luftës. Ata po ashtu informuan për veprimtarinë e Shoqatës, si dhe për kontaktet me vendlindjen.    
Gjatë takimit u bisedua edhe për zhvillimet e përgjithshme në Kosovë dhe vise të tjera ku jetojnë shqiptarët në Ballkan.
Në fund, Ambasadori Sejdiu dhe Konsulli Zajmi , ua shpërndanë të pranishmëve materialet për regjistrimin e veteranëve, invalidëve dhe dëshmorëve të UÇK-së.

Filed Under: Kronike Tagged With: ambasador, Bekim Sejdiu, Halil Mulaj, me Atlantikun, takimi i Konsullates

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT