Presidenti Nishani në Ditën e Falënderimeve: Kjo Festë përjetëson miqësinë mes popujve tanë dhe shpreh mirënjohjen ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës./
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani, në bashkëpunim me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, organizoi në Pallatin e Brigadave, një veprimtari me rastin e Ditës së Falënderimeve ku ishin të pranishëm Ambasadori Alexander Arvizu, qytetarë amerikanë që jetojnë dhe punojnë në vendin tonë, ushtarakë shqiptarë të misioneve paqeruajtëse dhe familjarë të tyre si dhe fëmijë të ngujuar.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti Nishani u shpreh:
“I nderuar Ambasador Arvizu,
E nderuar zonja Cunningham,
Zoti Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë,
Të nderuar ushtarakë,
Zonja dhe zotërinj të ftuar!
Dëshiroj që edhe unë sot t’i uroj në radhë të parë popullit mik amerikan, të gjithë qytetarëve kudo ku ndodhen, por veçanërisht atyre që janë sot në Shqipëri, t’u uroj nga zemra gëzuar Ditën e Falënderimeve!
Vitet e fundit, mes shqiptarëve dhe amerikanëve, po ndodh diçka mahnitëse, besoj gjëja më e bukur dhe më entuziazmuese që mund të ndodhi mes dy popujve. Ju amerikanët po na dhuroni ne shqiptarëve festa ! Dhe ne, dhuratën tuaj po e pranojmë. Festat tuaja po i bëjmë edhe festat tona. Festat tuaja ndër ne po gjejnë përhapje, kanë nisur të bëhen popullore. Dita e Falënderimeve, të cilën sot po e festojmë, është njëra nga këto festa. Për shkak se zig-zaget e fateve historike nuk na kanë mundësuar përvoja të tilla.
Gjatë rrugës së vështirë për mbijetesë, vendi ynë i vogël dhe i varfër ka eksperimentuar aleanca nga më të ndryshmet dhe më të çuditshmet me një numër të pafundmë vendesh, të afërt e të largët, të vegjël e të mëdhenj, të pasur e të varfër. Nuk ishin lidhje të qëndrueshme, dhe as të dyanshme, madje nuk mund të thuhet se ishin aleanca, e aq më pak marrëdhënie, sepse ishin të njëanshme.
Kur Shqipëria ishte e rrezikuar të zhdukej nga të gjitha hartat, gjatë Mbretërisë, fill pas luftës, dhe fill pas rënies së diktaturës, pra gjatë kohëve më të vështira kur na është rrezikuar mbijetesa, Amerika gjithmonë na ka dhënë, dhe kurrë nuk na ka marrë. Ka qenë pikërisht kjo natyrë krejt e veçantë marrëdhënieje që ka siguruar konstantshmërinë e pacenueshme të simpatisë reciproke, që Amerika ka ndaj nesh, dhe ne kemi ndaj Amerikës.
Brenda këtij konteksti mrekullues, brenda kësaj kornize madhështore, po ndodh dukuria mahnitëse që përmenda në krye, dhurimi i festave, së fundmi e Ditës së Falënderimeve. Ju falënderoj të gjithë ju të pranishmit që patët mirësinë dhe më dhatë kënaqësinë të jemi së bashku në këtë ditë të shënuar, e cila megjithëse historikisht është e juaja, e amerikanëve, tash e tutje do të jetë edhe e jona.
Për ne që vijmë nga dhurimi i ideologjive shkatërrimtare dhe armatimeve të frikshme, nuk ka gjë më të bukur se dhurimi i një feste. Sot jemi mbledhur për të festuar, një nga më të bukurat festa, atë të Ditës së Falënderimeve, ditës kur ai që ka i jep atij që s’ka, ai që mundet ndihmon atë që s’mundet, fatlumi ndihmon fatkeqin.
Sot në kontekstin e solidaritetit dhe ndarjes së të mirës e ndihmës me tjetrin, mes nesh kam ftuar edhe një grup fëmijësh që vijnë nga familje të mbyllura për shkak të dhunës, që vuajnë nga një plagë serioze dhe ende e pashëruar e shoqërisë shqiptare. Plagë, e cila kërkon solidaritet nga të gjithë ne. Plagë që kërkon angazhim nga të gjithë ne dhe një plagë që kërkon kontribut nga të gjithë për t’u shëruar, për t’i bërë pjesë normale këta fëmijë së bashku me familjet e tyre të shoqërisë shqiptare.
Sot mes nesh njëkohësisht, përveç ushtarakëve amerikanë, kam pasur nderin të ftoj së bashku me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë, edhe një grup ushtarakësh, të cilët kanë kontribuar me kolegët dhe miqtë e tyre amerikanë në frontin e luftës për liri, paqe dhe drejtësi. Edhe ata ishin të gatshëm për të sakrifikuar jetën e tyre, të ndihmonin dhe t’i jepnin mundësinë për liri një populli të tërë, njerëzve të atij vendi ku vajtën për të shërbyer.
E mira do ishte çdo ditë të ishte një ditë falënderimesh dhe, në një mënyrë ose në një tjetër, në këtë ditë të jemi të gjithë edhe falënderues edhe të falënderuar. Është e vështirë, por nuk ka asgjë të keqe nëse nisim të shpresojmë e ëndërrojmë që me kalimin e kohës kësaj do ia arrijmë.
Të nderuar qytetarë amerikanë që jeni sonte të pranishëm,
Të nderuar ushtarakë shqiptarë dhe familjarët e tyre,
Të dashur fëmijë që jeni të pranishëm në këtë darkë!
Shkrimtari i madh amerikan, O’Henri ka thënë se: ‘Ka një ditë që është vetëm e jona. Dita e Falënderimeve është një ditë tërësisht amerikane’. Por ne, bashkë me miqtë tanë amerikanë e kemi shndërruar tashmë në një traditë edhe në Shqipëri, sepse kjo Festë, nëpërmjet së cilës i falemi nderit për gjithçka Krijuesit, shpreh më së miri edhe mirënjohjen tonë të thellë për demokracinë më të madhe në botë – Amerikën, si dhe për popullin mik amerikan, pa të cilët rrjedha e historisë së kombit shqiptar do të kishte qenë krejt ndryshe.
Presidenti Obama duke na uruar Festën e Pavarësisë këto ditë theksoi në mesazhin e tij se: ‘Shtetet e Bashkuara janë krenare që e kanë Shqipërinë si aleate, mike dhe partnere të ngushtë’.
Prandaj le të na shërbejë edhe kjo darkë, jo vetëm për të dhënë falënderime, për të shprehur mirënjohjen e thellë, për të shpërndarë begatinë dhe mirëqenien tek të tjerët, por edhe duke ndarë pse jo së bashku urimin e përjetshëm për një të ardhme më të begatë e të ndritur të dy popujve tanë. Ju faleminderit dhe mirë se keni ardhur!”
Mbrëmjen e përshëndeti edhe Ambasadori amerikan Arvizu, cili mes të tjerash falënderoi Presidentin e Republikës dhe Zonjën Nishani, që për vitin e dytë radhazi organizojnë dhe mikpresin këtë Festë tradicionale dhe klasike amerikane në prag të 102-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, duke i bërë edhe qytetarët amerikanë që jetojnë dhe punojnë në vendin tonë të ndihen si në shtëpinë e tyre.
PUKJANËT I DHUROJNË NJË SHQIPONJË DHE NJË CIFTELI AMBASADORIT AMERIKAN
Ambasadori Arvizu në Pukë: Zonë potenciale për zhvillimin e turizmi/
Nga Almarina Gegvataj/
Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu zhvilloi me 20 nentor një vizitë në Pukë duke u bërë pjesë e disa aktiviteteve të ndryshme të organizuar në këtë qytetet.
I shoqëruar nga deputeti i Qarkut Mark Frroku, kryetari i Bashkisë, Beqir Arifi, drejtues të institucioneve vendore, veteranë, intelektualë dhe qytetarë të shumtë, Arvizu mori pjesë gjithashtu edhe në kremtimet për 70-vjetorin çlirimit të qytetit të Pukës.
Ai mori pjesë në homazhet tek arrezat e dëshmorëve, ndërsa gjatë fjalës tij kurseu komentet për aktualitetin politik.
Gjithashtu, Arvizu mbajti fjalën e hapjes në Panairin e Shëndetit dhe përgëzoi Ministrinë e Shëndetësisë dhe Korpusin e Vullnetarëve të Paqes për promovimin e jetesës së shëndetshme nëpërmjet këtij panairi.
Në fjalën e tij, diplomati amerikan u shpreh se “jam i emocionuar që ndodhem sot në qytetin e Pukës. E ndjej veten si në shtëpinë time. Faleminderit për mikëpritjen tuaj.
Puka është një vend i mrekullueshëm dhe është kënaqësi për mua që ndidhem sot këtu në këtë ditë kaq të bukur.E kam thënë edhe më parë se Veriu i Shqipëerisë është i veçantë.Kam qënë në Shkodër dhe në Kukës kam parë Pukën në hartë dhe kam thënë: përpara se të largohem duhet të vizitoj Pukën dhe ja tek jam sot këtu. Ju jetoni në një vend të mrekullueshëm. Mikëpritja juaj do jetë çdo herë në kujtesën time”.
Arvizu vlerësoi bukuritë natyrore të kësaj zone që sipas tij, mund janë potenciale për zhvillimin e turizmit.
Arvizu u bëri apel pukjanëve të kujdesen për një mjedis të pastër ndërsa u ndal edhe te dhuna në familje, ku shtoi se është një fenomen që nuk duhet të ekzistojë në shoqërinë shqiptare.
Ambasadori Arvizu u njoh edhe me trashëgiminë kulturore të Pukës nëpërmjet një vizite në muzeun etnografik të qytetit për të vazhduar më pas një vizitë në ambientet e Bashkisë Pukë.
Arvizu u prit nga kreu i Bashkisë Beqir Arifaj i cili pasi e falënderoi për vizitën, i dhuroi çelësin e qytetit.
Ndërsa gjatë drekës së shtruar në Hotel Turizmi Pukë, ku z.Arvizu u mirëprit nga kryetari i Shoqatës Dajti Alpino Turistik, Xhimi Begeja, deputeti Frroku i bëri dhuratë një shqiponjë të gdhendur në dru si dhe një çifteli
Akuzat ndaj punonjësit, Ambasada e SHBA: Të skandalizuar; Berisha: Do ju sjell provat
Tiranë- Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka reaguar ashpër nga akuzave të ish-kryeministrit Berisha për një punonjës të Ambasadës, që sipas tij ishte përpjekur të ndërhynte në një çështje hetimi penal në proces. Përmes një komunikate për media, Ambasada thekson se është skandalizuar me këtë pretendim, që sipas saj është tërësisht i pavërtetë dhe i pabazë.
“Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë është e skandalizuar me pretendimin e pabazë ngritur ndaj një punonjësi të Ambasadës më herët sot nga Z. Sali Berisha, anëtar i parlamentit, gjatë një seance të parlamentit. Z. Berisha pretendoi se një punonjës shqiptar i Ambasadës ishte përpjekur të ndërhynte në një çështje hetimi penal në proces, thjesht mbi bazën e marrëdhënies së punonjësit të Ambasadës me një anëtar të Këshillit të Ministrave. Pretendimi është tërësisht i pavërtetë dhe i pabazë” thuhet në deklaratë.
Në vijim të deklaratës, Ambasada e SHBA shton se këmbëngul për nivelin më të lartë të intengritetit dhe llogaridhënies të secilit anëtar të misionit të tyre. Ambasada e SHBA i bën thirrje Berishës të reflektojë për sjelljen e tij.
Berisha: Alba Kodheli presion Prokurorëve për Gjokën, do ju paraqes provat
Reflektimi i Berishës ka qenë i menjëhershëm.Përmes një deklarate për mediat Berisha i qëndron sërish deklaratës së tij të bërë në Kuvend. Duke shprehur konsideraten me te larte per Ambasaden e SHBA ne Tirane, Berisha deklaron se mbetet i vendosur t’i paraqes qeverise se SHBA çdo prove lidhur me problemin ne fjale.
“Lidhur me nje deklarate te ambasades amerikane per nje denoncim timin te sotem ne Parlament sqaroj dhe nje here opinionin publik sa vijon: Znj. Alba (Ibrahimi) Vata ka nderhyre me insistim qe te hapet çeshtje penale ndaj Gjeneral Syrja Gjokes dhe kjo nderhyrje, qe sipas saj eshte bere ne emer te OPDAT, eshte refuzuar nga prokuroret tek te cilet ajo ka nderhyre. Nuk kam asnje dijeni se misioni i OPDAT ka tager te nderhyje ne çeshtje penale te veçanta. Gjykata e apelit gjeti te paligjshem arrestimin e gjeneral Syrja Gjokes.Duke shprehur konsideraten me te larte per ambasaden e SHBA ne Tirane mbetem i vendosur t’i paraqes qeverise se SHBA çdo prove lidhur me problemin ne fjale”deklaron Berisha.
Ja çfarë deklaroi Berisha në seancën plenare
Gjatë seancës së Kuvendit ish-kryeministri Berisha akuzoi Ministren e Mbrojtjes Mimi Kodheli se ka ushtruar presion përmes motrës së saj, punonjëse OBDAT-it, ndaj dy prokurorëve për të arrestuar më çdo kusht gjeneral Brigade Syrja Gjokën, Komandant i Brigadës Logjistike.
“ Ka nisur motrën e saj në emër të OBDAT-it, duke folur në emër të misionit, që aty është thjesht punonjëse, duke u bërë presionin më të jashtëzakonshëm Prokurorëve dhe jo një po dy prokurorëve,që o Syrja Gjoka në litar ose ju kështu do humbisni sepse kështu është vendosur. A merret një baba, një Gjeneral, një ushtarak , një njeri në detyrë, kafshërisht”tha ai.
Arvizu apel partive: Punoni bashkarisht dhe tregoni pjekuri politike
Kur kanë mbetur vetëm pak ditë nga vendimi i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian për t’i dhënë apo jo Shqipërisë statusin e vendit kandidat, Ambasadori i SHBA-së Aleksandër Arvizu i përcjell partive politike mesazhin: Interesat e vendit mbi ato partiake. I pranishëm në konferencën “NATO- 20 vjet partneritet për Sigurinë Euroatlantike” që u zhvillua sot paradite në hotel “Tirana” Arvizu kujtoi rrugën e gjatë të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO falë vullnetit të shoqërisë por dhe partive për të vendosur interesat e kombit mbi ato partiake. Pikërisht këto interesa duhen vendosur prioritet edhe sot. ”Rruga që Shqipëria ndoqi për të arritur anëtarësimin në NATO ishte e gjatë por ndodhi pasi pasqyronte një dëshirë të të gjithë sektorëve e shoqëri për t’u bashkuar së bashku dhe për t’u ngritur mbi politikat partiake dhe për të kapërcyer linjat partiake për të mirën e vendit. Ajo vlerë e të punuarit bashkarisht pavarësisht dallimeve të thella politike të herë pas hershme për të cuar përpara kauzën e përbashkët e një vendi është një karektistikë domethënëse e të treguarit pjekuri politike. Kjo dëshirë e aftësisë e të vendosurit në fillim nevojat e vendit mbetet e vlefshme slot sa 5 vjet më parë” u shpreh ambasadori i SHBA-së në fjalën e tij në konferencën “NATO- 20 vjet partneritet për Sigurinë Euroatlantike” që u zhvillua në hotel “Tirana”
Pritje zyrtare në 5 vjetorin e Shqipërisë në NATO
Presidenti Nishani: Ashtu sikurse liria nuk dhurohet, edhe anëtarësimi i Shqipërisë në NATO ka qenë një arritje strategjike plotësisht e merituar/
Me rastin e kremtimit të 5-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, Presidenti i Republikës dhe njëkohësisht Komandanti i Forcave të Armatosura, Bujar Nishani dha te Marten e 1 Prillit, në darkë një pritje festive në Pallatin e Brigadave ku ishin të pranishëm anëtarë të qeverisë, deputetë, ish-krerë të shtetit shqiptar, ambasadorë dhe përfaqësues të Trupit Diplomatik, ushtarakë të lartë si dhe personalitete të shquara të medias e sipërmarrjes shqiptare.Pritja u përshëndet edhe nga Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Aleksander Arvizu, i cili mes të tjerash lexoi edhe mesazhin e Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry me këtë rast ku vihej në dukje: “Në emër të Presidentit Obama dhe të popullit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, unë përshëndes përvjetorët e pestë, të dhjetë dhe të pesëmbëdhjetë të zgjerimit të NATO-s. Jam krenar të festoj etapat e rëndësishme në historinë e NATO-s që e kanë forcuar Aleancën.
Më 12 mars 1999 iu bashkua Hungaria, Polonia dhe Republika Çeke; më 29 mars 2004 iu bashkua Bullgaria, Estonia, Letonia, Lituania, Rumania, Sllovakia dhe Sllovenia; dhe së fundmi, më 1 prill 2009, Shqipëria dhe Kroacia iu bashkuan Aleancës. NATO është sot e fortë, sepse të gjithë anëtarët e saj ndajnë të njëjtat vlera. Politika e Dyerve të Hapura të NATO-s nuk ka lejuar thjesht më shumë anëtarë ndër radhët e saj. Ajo ka zgjeruar demokracinë, begatinë dhe stabilitetin në Evropë dhe ka hapur mundësi të reja për të avancuar sigurinë dhe begatinë anembanë globit.”
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kreu i Shtetit shqiptar u shpreh:
“E nderuara Zonja Ministre e Mbrojtjes,
Të nderuar Ministra,
Të nderuar deputetë,
Të nderuar Shkëlqesi Ambasadorë dhe përfaqësues të Trupit Diplomatik,
I nderuar zoti Moore,
I nderuar Zoti Kryetari i Bashkisë së Tiranës,
Të nderuar drejtues të Komuniteteve Fetare,
Të nderuar ish-presidentë të Republikës, ish-kryetarë të Kuvendit, ish-kryeministra,
Të dashur bashkëkombas,
Miq e të ftuar, zonja e zotërinj,
Sot po kremtojmë 5-vjetorin e anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në NATO, familjes më të madhe dhe më të fuqishme politiko-ushtarake, të ndërtuar mbi vlerat e lirisë dhe demokracisë dhe për të mbrojtur këto vlera në zonën euroatlantike dhe përtej saj.
5 vjet më parë u finalizua një aspiratë strategjike e Shqipërisë.
Përtej kësaj, 5 vjet me parë u kurorëzua një ëndërr e shqiptarëve, për t’iu bashkuar jo vetëm Aleancës më kredibël e më të madhe ushtarake të globit në fushën e sigurisë, por edhe Aleancës së vlerave të qytetërimit perëndimor.
Përpjekjet zyrtare të Shqipërisë për anëtarësim filluan 20 vjet me parë, kur Shqipëria e rraskapitur nga regjimi komunist aplikoi dhe u pranua zyrtarisht në strukturën e Partneritetit për Paqe.
15 vjet me parë, jo rastësisht në Uashington D.C., Shqipëria u konfirmua ndër 3 vendet aspirante (Membership Action Plan) dhe 5 vjet me parë Shqipëria dhe shqiptarët morën shpërblimin e merituar.
Si një kontributor modest që në fillimet e këtij procesi, dhe më tej, si një aktor në ushtrimin e detyrimeve politike dhe shtetërore deri në detyrën e lartë të Kryetarit të Shtetit jam thellësisht i bindur që ashtu si Liria nuk dhurohet, jam po ashtu plotësisht i bindur se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO ka qenë një arritje strategjike plotësisht e merituar.
Me këtë rast, dëshiroj të përsëris, atë që nënvizova në takimin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, se në më shumë se dy dekada të përpjekjeve për anëtarësimin dhe ndërtimin e modelit shumë-partiak të shtetit të së drejtës, të bazuar në parimin “check and balance”, një nga vlerat e gjithëpranuara që ka krijuar klasa politike shqiptare ka qenë kultura e bashkëpunimit dhe qëndrimet e përbashkëta për sa u përket çështjeve të sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare.
Pa asnjë mëdyshje, kjo kulturë bashkëpunimi ka shërbyer si një nga shtyllat themelore në procesin e anëtarësimit në NATO.
Kjo na bën të ndihemi të gjithë krenarë.
Dhe me këtë rast falenderoj sinqerisht të gjithë aktorët politikë, dhe jo vetëm ata, për kontributin dhe përkushtimin që kanë dhënë në këtë proces. Në një mjedis sigurie si ky i sotmi, siguria e çdo vendi, dhe, veçanërisht e një vendi të vogël si Shqipëria është e lidhur ngushtë me mbrojtjen kolektive që ofron Aleanca e Atlantikut. Ajo, gjithashtu, varet ngushtësisht nga situata rajonale dhe preket nga zhvillimet globale.
Shqipëria ka hyrë në familjen euroatlantike në mënyrë të merituar, e vetëdijshme dhe e përgjegjshme se duhet të kontribuojë për sigurinë në nivel rajonal dhe më gjerë, për paqen dhe sigurinë kudo në botë.
Në këtë frymë, Shqipëria ka marrë pjesë në operacionet ndërkombëtare në Bosnjë Hercegovinë, Kosovë, Irak, Çad dhe Afganistan, ku angazhimi ynë për paqen dhe stabilitetin, përkrah partnerëve tanë, pritet të vijojë edhe pas përfundimit të Operacionit ISAF.
Shqipëria ka qenë dhe do të jetë një kontributore e vendosur për paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në rajon.
Politika jonë e jashtme në rajon ka si shtylla bazë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, mbështetjen e dialogut dhe bashkëpunimit rajonal.
Gjatë kësaj periudhe të shkurtër mjedisi i sigurisë në rajon ka njohur zhvillime të rëndësishme pozitive.
Anëtarësimi i Kroacisë në NATO dhe Bashkimin Evropian, konsolidimi i shtetit të Kosovës dhe rritja e profilit të tij rajonal e ndërkombëtar, dialogu efikas mes Kosovës dhe Serbisë, ecuria e vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit euroatlantik, kanë krijuar një klimë të favorshme bashkëpunimi.
Pasi kemi çrrënjosur mosbesimin, ne po rrënjosim çdo ditë mirëbesimin nëpërmjet përgatitjes dhe zbatimit të projekteve të përbashkëta infrastrukturore, energjitike, në fushën e sigurisë, arsimit, shkencës, kulturës, turizmit, etj., drejt të ardhmes sonë të përbashkët euroatlantike.
Si vend anëtar i NATO-s, Shqipëria mbështet zgjerimin e Aleancës në vende të tjera të Ballkanit Perëndimor.
Ambiciet tona janë realizuar falë punës dhe përgjegjshmërisë sonë institucionale dhe shoqërore, mbështetjes së partnerëve tanë evropianë dhe Bashkimit Evropian, si edhe partneritetit strategjik me SHBA-në, rëndësia e të cilit mbetet parësore për sigurinë dhe zhvillimin tonë të qëndrueshëm.
Zonja dhe zotërinj,
Zhvillimet e fundit dëshmojnë se siguria në rajonet kufitare me zonën euroatlantike nuk është imune nga kërcënimet konvencionale.
Aneksimi i Krimesë nga Rusia përbën një precedent, që mund të ndikojë në stabilitetin afatgjatë në hapësirën evropiane dhe rreth saj.
Aneksimi brutal i Krimesë nga Rusia u realizua duke zbatuar politikën e “faktit të kryer”, nëpërmjet përdorimit të shantazhit dhe forcës, në shkelje të marrëveshjeve të nënshkruara nga vetë Rusia si dhe të drejtës ndërkombëtare.
Krahasimi me Kosovën është një përpjekje e dobët për t’u justifikuar me anë të precedentit.
Pavarësia e Kosovës erdhi si rrjedhojë e shpërbërjes së dhunshme dhe jokonsensuale të ish-Jugosllavisë, që u shoqërua me spastrim etnik nga regjimi i Milosheviçit, pas përpjekjeve ndërkombëtare për zgjidhjen e krizës, dështimi i të cilave falë mungesës së vullnetit të Millosheviçit, e bëri të pashmangshme ndërhyrjen ndërkombëtare për të shpëtuar ekzistencën e një populli dhe paqen rajonale.
Kosova u shfaq si një shtet i pavarur pas shumë vitesh negociatash ndërkombëtare nga Kombet e Bashkuara për të zgjidhur krizën dhe pavarësia e Kosovës u drejtua nga një Rezolutë e veçantë e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara 1244, e miratuar sipas kapitullit VII të Kartës së OKB-së.
Kosova gjithashtu e mirëpriti angazhimin e trupave dhe administratës ndërkombëtare.
Shqipëria mbështet aleatët tanë euroatlantikë me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në qëndrimet e tyre të vazhdueshme ndaj Rusisë.
Hapësira euroatlantike do të vazhdojë të përballet edhe me rreziqe që vijnë nga terrorizmi global, armët e shkatërrimit në masë, radikalizmi fetar dhe ekstremizmat, krimet kibernetike, krimi i organizuar, degradimi i ambientit dhe të tjera kërcënime të natyrës asimetrike dhe hibride ndaj të cilave është e ekspozuar edhe Shqipëria.
Këto janë sfida që askush nuk mund t`i përballojë i vetëm. Por, të gjithë së bashku do t`ia dalim me siguri.
Të nderuar miq,
Ne po punojmë për rritjen e rolit të Shqipërisë në çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes.
Kjo është mënyra më e mirë për të shpërblyer besimin dhe shprehur mirënjohjen ndaj të gjithë aleatëve tanë, veçanërisht Shteteve të Bashkuara, të cilët mbështetën fuqishëm anëtarësimin tonë në Aleancë.
Shqipëria është shndërruar nga një vend konsumues, në një vend që kontribon për sigurinë rajonale dhe më gjerë.
Më shumë se 7000 burra dhe gra në uniformë kanë kontribuar në operacionet në kuadër të NATO-s, Bashkimit Evropian, Organizatës së Kombeve të Bashkuara, dhe koalicioneve të ndryshme.
I përshëndes të gjithë ushtarakët tanë kudo ku ata kontribuojnë!
Me këtë rast, i siguroj të gjithë se ne i njohim sakrificat e tyre, dhe me autoritetin e Komandantit të Përgjithshëm do t’i mbështes ata dhe familjarët e tyre me të gjithë autoritetin që më jep Kushtetuta dhe ligjet.
Hartës së të rënëve në krye të detyrës, iu shtua Kapiten Feti Vogli, dëshmori i parë i historisë së Shqipërisë në NATO, para të cilit edhe sot përulemi me nderim të thellë.
Zonja dhe zotërinj,
Me anëtarësimin në NATO, Shqipëria përmbushi një synim strategjik dhe një objektiv parësor të politikës së jashtme, duke avancuar ndjeshëm në realizimin e interesave të saj kombëtare.
Integrimi në Bashkimin Evropian mbetet tashmë objektivi ynë parësor strategjik.
Për këtë qëllim na duhet të forcojmë demokracinë funksionale dhe të konsolidojmë shtetin e së drejtës, të luftojmë krimin dhe korrupsionin, të ndërtojmë një administratë efikase jashtë influencave partiake, të forcojmë pavarësinë e institucioneve kushtetuese, të reformojmë drejtësinë bazuar në meritë, transparencë dhe profesionalizëm.
Por, mbi të gjitha dhe, për të realizuar këto, na duhet dialog i vazhdueshëm politik, me rrahje argumentash për të gjetur konsensusin e domosdoshëm.
Kësisoj, politika do të vihet në shërbim të qytetarëve dhe Shqipëria do të shkojë drejt Bashkimit Evropian.
Marrja e statusit të vendit kandidat në qershor, do të ishte përshkrimi i një etape në itinerarin tonë evropian
Në përfundim, i përshëndes të gjithë shqiptarët, të cilët ëndërruan, shpresuan, besuan dhe vazhduan përpjekjet për të arritur qëllimin e tyre madhor: anëtarësimin në NATO, në aleancën më të madhe globale të sigurisë, paqes, lirisë dhe demokracisë.
Ju faleminderit të gjithëve për pjesëmarrjen! Gëzuar!”