• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Adriana Dine(Radi), nga internimi në Savër në botën e lirë amerikane

March 17, 2016 by dgreca

E trishtë është ta them, por unë në Mëmëdhe nuk gjej ndonjë moment lumturie në jetën time, sepse kalova një kalvar të tërë vuajtjesh, dënimesh, pushkatimesh dhe persekutimesh… Adriana Dine Radi/

Bisedë me znj. Adriana Dine – Radi/*

Bisedoi Keze Kozeta Zylo/

 Znj. Adriana Dine – Radi ka lindur ne internim. Babai i saj Dr.Lazër Radi ka qenëi burgosur, internuar nëgjithë kohën e zezë të diktaturës, nëna e saj pati të njejtin fat persekutimi, bashkëshorti Dine Dine u burgos politikisht për 10 vjet, vjehrri u burgos dhe u pushkatua pa gjyq, ndërsa gjithë fisi Dine u persekutuan dhe përndoqën tmerrësisht.

Znj.Dine Radi lindi në Lushnje, më 8 korrik 1959, ne internim.

Mbaroi shkollën fillore dhe 8-vjeçare në Savër të Lushnjes

Në vitin shkollor 1974-1975, e përjashtojnë nga Gjimnazi “20 Tetori” i Lushnjes

Më 1976, martohet me Dine Dinen.

1976-1990 – punon në punë të rënda në Bujqësi në Gjazë të Lushnjes

1991 – vendoset në qytetin e Nju Jorkut

Ka dy fëmijë një djalë dhe një vajzë Ervinin dhe Suelën. Ervini nga një djalë i lindur në internim, në Amerikë mbaroi një nga shkollat më prestigjioze fakultetin e Shkencave Politike në Columbia University.

Znj. Dine Radi jeton dhe punon në qytetin e Nju Jorkut

-Znj.Dine naflisni ju lutem për fëmijërinë tuaj dhe si e keni përjetuar atë?

-Unë kam lindur në Lushnje, ndërkohë që prindërit e mi ishin në Kampin e internimit Çermë të Lushnjes, në korrik të vitit 1959. Në atë kohë, babai im, Dr. Lazër Radi, sapo qe transferuar nga kampi i internimit në Kuç të Kurveleshit në kampin e Çermës. Fillimisht u vendosën në Gradishtë, më pas në Çermë, dhe mbas dy vitesh qëndrimi aty, i transferuan në nji tjetër Kamp interrnimi, në atë të Savrës, në fillim të vitit 1960.Në Savër, kam kryer shkollën fillore dhe tetëvjeçaren, më pas kam vazhduar gjimnazin në Lushnje, por pa mbaruar vitin e parë më përjashtuan. Kam punuar për më shumë se nji vit si punëtore bujqësie, derisa në vitin 1975, u martova me Dine Dinen, i cili ridhte nga një familje e njohur nacionaliste dibrane. Në vitin 1980, kishim nji fëmijë pa mbushur ende vitin, kur përjetova arrestimin dhe burgosjen e bashkëshortit tim për motive politike me 10 vite heqje lirie. (agjitacion e propagandë). Mbas një viti, nga dëshpërimi për të birin, më vdiq edhe vjehrra, duke më lënë me djalin që nuk kishte mbushur ende dy vjeç. Në këtë situatë të vështirë, munda të mbijetoj vetëm në saje të prindërve të mi dhe kushërinjve të burrit që m’u gjendën gjithmonë pranë, në kohët më të vështira të jetës sime…

 -Ju keni lindur në internim, në Savër, të dënuar nga diktatura e egër komuniste, cilat janë disa nga momentet më të vështira të jetës suaj atje?

-Deri në moshën 31 vjeçe, krejt jeta ime është vërtitur në tre kampe interrnimi në Myzeqe: në atë të Çermës 1959-1960; në atë të Savrës 1960-1975, dhe atë të Gjazë 1975-1990. Kampe ku krejt ne brezi i fëmijvë të lindur nga prindër të dënuar dhe të burgosur, pësuam padrejtësisht dhe vijuam fatin tragjik të tyre. Kam pasur gjithashtu edhe fatin “të shetis” edhe nëpër mjaft burgje të vështira si ai i Spaçit, i Qafë-Barit, Zejmeni dhe Kampi i Kompleksit Dinamo, ku bashkëshorti im qe i detyruar të vuante dënimin e tij politik. Mjafton të lexoni disa nga rrëfimet e mia të kësaj periudhe të cilat i kam paraqitur të shkruara në sitin www.radiandradi.com, e ku pasqyroj sigurisht me thjeshtësi dhe sinqeritet prej gruaje dhe nëne, vetëm një pjesë shumë të vogël të vuajtjeve të mia të pafundme.Po për të krijuar një ide më të plotë po ju përmend edhe pak gjëra të tjera: Isha fëmijë dhe shumë gjëra nuk arrija t’i kuptoja, prindërit tanë ishin munduar me mish e me shpirt që ne të mos e ndjenim atë botë të egër ku jetonim… kështu, mbasi mbarova tetëvjeçaren, mendoja se duhej të isha e lumtur mes moshatarëve të mi, në shkollën e re që munda të regjistrohem me njëmijë sakrifica. Pa përfunduar vitin e parë të gjimnazit u gjet një pretekst qesharak për të më përjashtuar mua dhe një shoqen time që ishte ashtu si unë. M’u desh të filloja punë me kazëm e lopatë që në moshën 14 vjeçare. Mbas dy vitesh u martova dhe u vendosa në Gjazë. Më vdiq fëmija i parë pa mbushur ende 2 vjetët. Dhe djali që më lindi më pas, Ervini, nuk kishte mbushur ende vitin, kur më burgosën bashkëshortin… një vit më pas më vdiq edhe i vetmi person që kisha pranë, vjehrra. Pra, e vetme, në një kamp përqëndrimi me një foshnje në krahë, kur nuk isha me shumë se 21 vjeçe… E kështu mund të vazhdoj pafund, mbasi e trishtë është ta them, po nuk gjej ndonjë moment që mund të quhet çast lumturie në jetën time.

-Ju jeni e bija e Dr. Lazër Radit, një intelektual i shquar i Kombit, çfarë keni mësuar nga babai juaj dhe si do ta ruani pasurinë kulturore që ju ka lënë babai?

-Babanë e kam pasur mbështetje morale e pikë referimi përgjat gjithë jetës sime. Prej tij kam mësuar gjithçka që nga më e thjeshta e deri tek privimet e mëdha të familjes sonë. Për mua ai ka qenë jo vetëm prindi dhe familja, po edhe shkolla, edhe libri, edhe besimi, edhe shpresa. Këshillat e tij më kalisnin vullnetin, më ringjallnin shpresën si mund t’ia dilja me sukses përballë çdo lloj vështirësie, të isha dinjitoze përballë peripecive dhe vuajtjeve, sidoqë ato të më paraqiteshin. Nuk e di nëse do t’ia kisha dalë pa figurën e tij frymëzuese dhe pa atë jetën e tij pranë jetës sime. Edhe pse kemi qenë të varfër materialisht si pjesa dërmuese e popullit shqiptar, duke pasur nji baba të tillë pranë ne u ndjemë të pasur shpirtërisht, dhe mundëm të përfitojmë edhe në ato kushte izolimi mjaft nga kultura botërore që na trasmetohej përditë prej tij.Si unë edhe vëllezërit e mi Jozefi e Luçiano Radi, u lidhën mbas krijimtarisë së babait tonë, dhe të tre së bashku po përpiqemi të bëjnë publike gjithë ato dorëshkrime të shumta, si ese, poezi, publicistikë, përkthime të cilat babai nuk pati kohë t’i nxirrte në dritë e që ne së shpejti do t’i kemi gati për botim…

-Me një fjalë, të ishe vajza e vetme e Lazër Radit, për mua ka qenë një fat dhe privilegj i madh… Ai ka ndarë me mua të gjitha dhimbjet pa u ankuar kurrë, se po bënte shumë apo diçka të veçantë. Pastaj të ishe në konfidencën e tij është diçka që fjalët e mia janë tejet të varfëra për ta dëshmuar si duhet… Ndjehem krenare sa herë përmendet emri i tij… dhe kurrë nuk me ka ndodhur që një njeri që e ka njohur atë të ketë thënë diçka tjetër veç respektit të thellë ndaj tij…

-Vëllai juaj Jozef Radi, është një poet i talentuar dhe një eseist i shkëlqyer, si janë frymëzuar fëmijët tuaj nga vëllai dhe babai juaj si shkrimtarë të mirënjohur ndër lexues të shumtë?

-E vërteta është se fëmijët e mi ishin ende të vegjël, kur ne u detyruam të largoheshim nga Shqipëria. Duke u rritur, nën shtysën e babait të tyre, Dines, herë pas here edhe ata shfletojnë veprat e gjyshit e të dajës së tyre. Sigurisht frymëzohen, po unë besoj se edhe ata ndjehen krenarë për arritjet e tyre dhe përpiqen mos të mbeten mbrapa për sa ju është e mundur. Pa harruar se sot ata jetojnë në realitete të tjera dhe me interesa të tjera…

-Babai juaj Dr. Radi kishte 100 Vjetorin e lindjes, si u ndjetë Ju, si bija e tij që shteti dhe institucione të ndryshme kulturore heshtën për veprën e tij?

-Shteti dhe institucionet kulturore edhe sot e kësaj dite heshtin për vlerat e kollosëve të vlerave të artit e letërsisë shqipe që ata gjatë regjimit komunist i etiketuan si “reaksionarë”. Do të habitesha sikur të kishin vepruar ndryshe me babanë tim.

-Po ne si fëmijë, po bëjmë gjithë përpjekjet që vepra e tij, puna e tij, vlera e tij nji ditë do të vlerësohet. Im atë thoshte gjithnjë: “E keqja nuk mund të jetë kurrë e përjetshme!”

–Ç’mund të na tregoni për nënën tuaj të ndjerë, e cila rridhte nga një familje fisnike dhe ashtu si ati juaj e persekutuan po aq egër?

-Eh, vërtet ç’mund të them për nënën time?! Një grua 20 vjeçe që mbasi ia dënuan të shoqin me tridhjetë vite burg, dhe mbas nji viti i vdes fëmija i parë, në moshën 24 vjeçe e dënojnë dhe e persekutojnë njësoj si bashkëshortin e saj… Duke jetuar tmerre të parrëfyeshme… Ajo që mund të them është se ajo e ndoqi gjithkund bashkëshortin e vet me besnikëri deri në vdekje, duke i rritur tre fëmijë në kushte kampesh dhe vuajtjesh, dhe duke ndarë jo vetëm ditë të vështira po edhe sakrifica të panumërta. Ajo grua ishte nji mbështetje e jashtëzakonshme për atë njeri të jashtëzakonshëm që ishte im atë… Edhe sikur vetëm kaq sa tregova është e mjaftë për të dëshmuar vlerat e saj… e që në fund të fundit ishte nji grua e thjeshtë, dhe një nënë e devotshme si pakkush…

–Ju keni në krah një bashkëshort shembullor, Dine Dinen, nip i ish ministrit të Brendshëm dhe ish Kryeministër i Shqipërisë… Kam lexuar që i ati i tij është vrarë, dhe ai u interrnua qysh fëmijë e më pas edhe u burgos… çfarë mund të na thoni për jetën e tij të vështirë?

– Bashkëshorti im rjedh nga një familje e njohur nacionaliste dibrane. Bir i një oficeri zogist, Esat Dine dhe nip i ish/kryeministrit Fiqiri Dine, ai përjetoi gjithë pasojat e një jete të vështirë që për fat të keq e njohu qysh fëmijë. I ati u burgos dhe u torturua për vdekje dhe së fundi, për motive politike u vra pa gjyq nga forcat e regjimit. Xhaxhai, Fiqiriu, emigroi në Greqi e më pas në Belgjikë, ku edhe ndërroi jetë, kurse krejt fisi i tij u persekutua, për gati një gjysmë shekulli. Dinia, që në fëmijëri njohu tmerret e kampeve shfarosëse të Turanit, Tepelenës, Porto-Palermos, Savrës dhe së fundi Gjazës. U arrestua e dënua për agjitacion e propagandë me dhjetë vite burgim që e vuajti në burgjet e Spaçit, Zejmenit (Lezhë), Qafë-Barit.Në emigracionin në Amerikë, ka botuar vazhdimisht shkrime me karakter publicistik, ese, kritikë letrare, përkthime dhe tregime të përjetuara në skëterrën komuniste. Ka në dorëshkrim “Kujtimet”, ku përshkruan gjithë vuajtjet e tij, tonat e të mjaft prej bashkëvuajtësve në kampet dhe burgjet komuniste.

–Cili është reagimi i fëmijëve tuaj tashmë të rritur për jetën tuaj aq të vështirë dhe tejet diskriminuese?

-Veçanërisht djali, i cili ka qenë më i rritur kur jetonim në Shqipëri, vonë, tepër vonë, na ka treguar episode tronditëse, ku del qartë diskriminimi që ju bëhej edhe fëmijve të të deklasuarve. Duke qenë se ka mbaruar fakultetin e Shkencave Politike në Columbia University, ai është i interesuar të dijë gjithçka ndodh sot në vendin e tij, dhe ndjehet tejet i revoltuar për atë që ndodhi dikur, por më shumë për atë që vazhdon të ndodhë edhe sot e kësaj dite në këtë të ashtuquajtur “demokraci”.

 -Nëse do të shihnit persekutorët tuaj në mjedise të ndryshme, çfarë do t’u thoshnit atyre?

-Ata nuk e meritojnë t’u flasësh, sepse ata nuk kanë asgjë njerëzore… Po nëse do t’ju thosha diçka do të ishte: “Të paktën, të kishit kërkuar ndjesë…!”

-Cili është mendimi juaj për hapjen e dosjeve të krimeve nga diktatura?

-Dosjet duhej të ishin hapur prej kohësh, po as sot nuk është kurrë vonë për t’u hapur. Do të ishim çliruar nga shumë ankthe e komplekse që po na marrin frymën. Sikur të bëhej kjo, gjithçka mund të ndryshonte rrënjësisht.

-Kur erdhët në Amerikë dhe cila ishte rruga për të arritur në botën e Lirisë?

-Kjo është histori e gjatë. Dua vetëm të theksoj që një rol vendimtar luajti kushëriri i parë i bashkëshortit tim, i ndjeri, Hiqmet Dine, i cili nuk kurseu asgjë për të përshpejtuar ardhjen tonë në Botën e Lirë. I mbetemi mirënjohës përjetësisht.

-Cilat janë disa nga përshtypjet kryesore të jetës suaj si grua në Amerikë?

-Nuk mund të themi se shpresonim të gjenim parajsën. Kemi punuar shumë e po vazhdojmë të punojmë, por mund të them vetëm një gjë: për njerëzit e aftë e të përgjegjshëm, Amerika është vendi më i mirë në botë, ku secili mund të gjejë rrugën e vet pa ndjerë asnjë lloj diskriminimi.

–Si e shikoni rolin e gruas në Diasporë dhe të komunitetit për çështjen kombëtare?

-Roli i gruas në Diasporë dhe ai i Komunitetit për çështjen kombëtare janë një vlerë shumë e çmuar për Shqipërinë e shqipëtarët, kudo që janë. Përsa i përket gruas në veçanti, më lejoni t’ju bëj një kompliment: Ju jeni një prej aktivisteve ku seicili mund t’ju merrte si shembull. Unë e vlerësoj kontributin tuaj!

–Në SHBA, ka një komunitet të konsiderueshëm të rinjsh… sa të integruar e shihni ju këtë komunitet në jetën amerikane?

-Ndoshta është një veçanti e të rinjve shqiptarë, por unë i shoh mjaft të integruar me jetën amerikane, po aq sa i shoh të lidhur edhe me jetën brenda komunitetit tyre.

-Gjë e cila ndodh edhe me fëmijët e mi!

-Çfarë ëndrrash ka të parealizuara Adriana?

-Dëshira ime e vetme ishte të vazhdoja shkollën e mohuar në vendin tim, por kjo më qe e pamundur sepse më duhej të punoja për të mbajtur familjen e t’i shkolloja fëmijët. Kjo ëndërr nuk u realizua ndonjëherë.

– Ju jeni përzgjedhur si personazh i librit “Zonjat Shqiptare të Nju Jorkut” ideuar nga “Albanian Excellencë”, libër që do të botohet për herë të parë për grate e suksesshme përtej oqeanit, si ndiheni për këtë?

-Endrra ime më e madhe ka qenë lumturia e fëmijëve. Sot ndjehem e lumtur që lodhja ime nuk më shkoi kot, të paktën e plotësova te fëmijët e mi atë ëndërr që nuk munda ta realizoj për veten time, në vendin tim! Ata mbaruan shkollat e larta dhe ecin sot në mënyrë të pavarur. Më vjen mirë që më konsideroni si grua të realizuar. Ju faleminderoj!

–Cili mendoni se duhet të jetë imazhi i gruas shqiptare në shekullin e XXI?

Krahas misionit të saj të natyrshëm, mbarëvajtjes së familjes, nuk kam dyshim se gruaja shqiptare, me inteligjencën e saj, do të jetë e pranishme në çdo fushë të jetës në art e në kulturë, biznes e gjer në politikë… unë besoj në vlerat dhe aftësitë e gruas shqiptare… sepse kam besuar në veten time!

New York, 2016

* Personazh në librin “Zonjat Shqiptare në New York”

 

 

 

 

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Adriana Dine Radi, amerikane, në botën e lirë, nga internimi në Savër

ROLI I DIASPORËS NË POLITIKËN E JASHTËME AMERIKANE

October 12, 2015 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Të premtën që kaloi, në Departmentin Amerikan të Shtetit (DASH) në Washington u mbajt konferenca një-ditore mbi rolin e diasporës në politikën e jashtëme dhe në diplomaci, tubim që shënoi njëkohësisht edhe fillimin e aktiviteteve kushtuar Javës së Diasporës Botërore dhe ndikimit të diapsorës në zhvillimet botërore. Në konferencën e javës së kaluar morën pjesë një numër zyrtarësh të lartë amerikanë si dhe udhëheqës nga sektorët publikë e privatë, si dhe përfaqsues të shoqërive civile, me qëllim për të dëgjuar mendimet e udhëheqsve të diasporës, për të përforcuar kapacitetet organizuese të pjesëmarrësve dhe për të krahasuar përvojën e tyre midis organizatave të ndryshme. Java e Diasporës Botërore, me një numër aktivitesh në Shtetet e Bashkuara dhe në disa vende të botës, u kushtohet komuniteteve të diasporës si dhe kontributit të tyre ndaj zhvillimit global.
Ndër folësit kryesorë që iu drejtuan pjesëmarrësve të konferencës mbi diasporën, ishte edhe kryediplomati amerikan, Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry, i cili tha se ishte tepër krenarë për këto përpjekje dhe për rolin që luan diaspora në këtë vend, duke venë në dukje partneritetin publik dhe privat, në rritje e sipër, në fushën e diplomacisë dhe të politikës së jashtëme amerikane. Zoti Kerry tha se, si ish përfaqsues i shtetit Masaçusets për dekada, që është shteti më një shumicë dërmuese irlandeze, vlerësoi lartë kontributin që irlandezo-amerikanët kanë dhënë për të dy vendet tona. Ai vlerësoi ish-Senatorin Ted Kennedy për kontributet e tija në këtë fushë dhe si njërin prej përkrahësve më të vendosur, në mbështetje të drejtësisë shoqërore dhe të gjithë atyre të cilët erdhën në këtë vend për të kërkuar mundësitë për një jetë më të mirë, për një jetë në liri dhe në shpresë, tha John Kerry.
Duke kritikuar tërthorazi ata që mund të thonë se e ardhmja e Amerikës është disi në rrezik, sepse sipas tyre, Amerika është një pasqyrë e aq shumë grupeve të ndryshme etnike dhe fetare dhe se një shoqëri me aq grupe të ndryshme kulturore dhe etnike nuk mund të jetë aq prodhuese dhe efikase, pretendojnë ata, sa do të ishte një shoqëri ku shumica e njerëzve i përkasin një feje të vetme ose një race të njëjtë. Ata janë gabim, shtoi Kerry! “Amerika funksionon më së miri — jo kur grupe të ndryshme veprojnë vetëm për interesa të veta – por atëherë kur individët e lirë bëjnë ç’mosin për të përmirësuar vetveten dhe jetën e tyre, ndërsa gjatë këtij procesi të gjithë së bashku e bëjnë Amerikën, atë që është.” Sekretari Amerikan i Shtetit theksoi se, “Grupet e ndryshme etnike, kulturore dhe fetare, që përbëjnë diversitetin e njohur të këtij vendi, përbëjnë një forcë dhe jo dobësi për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.” Për më tepër, shtoi kryediplomati amerikan, në botën e sotëme të ndërlidhur në të cilën jetojmë, diversiteti është gjithashtu një doemosdoshmëri strategjike. “Periudha në të cilën jetojmë”, nënvijoi ai, “nevojitë institucione elastike dhe një politikë të jashtëme që reagon shpejt dhe në mënyrë të shkathët. Pjesë e kësaj politike të jashtëme është edhe angazhimi i komuniteteve të diasporës dhe roli i tyre në përpilimin e kësaj politike”, theksoi ai.
John Kerry u shpreh gjithashtu se Shtetet e Bashkuara kanë numërin më të madh se çdo vend tjetër të grupeve etnike në diasporë, duke thënë se mbi 60-milionë amerikanë i përkasin brezit të parë ose brezit të dytë imigrantësh. Në fjalën e tij, ai i tha konferencës në Washington se, “Komunitetet e diasporës janë shpeshëherë ndër aktorët e parë që u përgjigjen ngjarjeve me rëndësi, qoftë në rast fatkeqsishë natyrore ose sulmesh terroriste, krizash financiare dhe politike, ose madje edhe në rast mundësishë të reja biznesi.” Ai u dha kredinë grupeve të diasporës duke thënë se ato janë të parat që mësojnë për krizat politike në ish-vendet e tyre dhe nënvijoi rolin e tyre duke thënë se “Shekulli 21 kërkon një politikë të jashtëme më përfshirse dhe komunitetet e diasporës janë të parat që mësojnë për një çështje me rëndësi dhe përfaqsues të diasporës janë të parët që njoftojnë zyrtarët e lartë të shtetit dhe të qeverisë amerikane”, mbi krizat në ish-vendet e tyre. Grupe të diasporës, vazhdoi ai, janë shpesh të parat që debatojnë mbi një çështje që interesojnë ato dhe të parat që paraqesin opcione të ndryshme për zgjidhjen e tyre. Përveç kontakteve me zyrtarët më të lartë amerikanë, grupe të ndryshme të diasporës në Amerikë, kanë gjithashtu lidhje të ngushta dhe direkte me vendet e origjinës, ka thënë kryediplomati amerikan. Në lidhje me rolin e diasporës në në këtë fushë, ai theksoi rëndësinë e parneriteteve në botën e sotëme, duke thënë se, “Asnjë vend, madje as Shtetet e Bashkuara nuk mund të veprojnë vetëm. Kështuqë, ne varemi në bashkpunimin me aleatët tanë ndërkombëtarë, ndërkohë që komunitetet tona të diasporës mund të ndihmojnë në funksionimin më të mirë të këtyre partneriteteve me aleatët tanë ndërkombëtarë.” Si përfundim, tha John Kerry, “Udhëheqsit e këtyre komuniteteve janë ndër ambasadorët më të mirë kulturorë që mund të kemi.” Ai vuri në dukje një numër sfidash të politikës së jashtëme me të cilat përballen Shtetet e Bashkuara në marrëdhënjet e tyre me vendet e tjera dhe tha se, “Një gjë është abslutisht e qartë: Komunitetet e ndryshme të diasporës në Amerikë po ndihmojnë në përballimin e të gjitha këtyre sfidave.”
Në përmbyllje, Sekretari Amerikan i Shtetit i tha konferencës mbi rolin e diasporës në Amerikë në diplomacinë e këtij vendi, se “Imigrantët kanë ndërtuar Amerikën. Dhe imigrantët vazhdojnë të japin kontributin e tyre duke e bërë Amerikën atë që është sot”. Kjo është historia jonë, tha ai. E drejta, pra, për të qenë ndryshe në bazë të kulturës, racës dhe gjuhës – këto janë gjërat që bashkojnë popullin amerikan dhe që na bëjnë një. Kryediplomati amerikan përfundoi fjalimin e tij duke thënë se “Është e drejta për të qenë ndryshe, ajo që përcakton se çfarë vendi është Amerika dhe kjo konferencë, ky celebrim i rolit që luajnë komunitetet tona të diasporës si edhe diversiteti etnik dhe kulturor i këtij vendi”, theksoi ai, “janë një pasqyrim shumë i bukur dhe domethënës i kësaj së vërtete.”
Megjithëse kryediplomati amerikan nuk përmendi komunitete të ndryshme me emër, dihet mirë se historikisht, komuniteti shqiptaro-amerikan ka qenë dhe është pjesë e denjë e kësaj diaspore amerikane. Dihet mirë roli që ky komunitet ka luajtur në përpilimin e politikës së jashtëme të Shteteve të Bashkuara, sidomos të diplomacisë amerikane karshi Shqipërisë dhe Kosovës, por edhe ndaj të drejtave të shqiptarëve në përgjithësi. Është ky një rol i shqiptzaro-amerikanëve që në të vërtetë pasqyron më së miri ato që përmendi Jon Kerry në fjalimin e tij. Duke filluar nga fillimi i shekullit të kaluar, kur komuniteti shqiptaro-amerikan në krye me Vatrën dhe udhëheqsit e saj, Fan Noli e Faik Konica shpëtuan Shqipërinë duke bindur Presidentin e atëhershëm amerikan Woodrow Wilson për të mbështetur pavarësinë e Shqipërisë, cili sipas Nolit, pat deklaruar se “Një zë do të kemë në Konferencën e Paqës dhe atë zë do e përdor në favor të Shqipërisë.” E deri tek kohët moderne, në mbarim të shekullit të kaluar, kur Kosova u përball me gjenocidin serb për zhdukjen e shqiptarëve nga trojet e veta shekullore. Prap, ishte komuniteti shqiptaro-amerikan ai i cili loboi dhe më në fund siguroi përkrahjen e zyrtarëve më të lartë të qeverisë dhe të shtetit amerikan për të ndërhyrë ushtarakisht në Kosovë, që çoi në jo vetëm këthimin e shqiptarëve të çvendosur në shtëpitë e tyre, por edhe në një Kosovë të lirë, të pavarur dhe demokratike. Komuniteti shqiptaro-amerikan, në të dy këto raste dhe të tjera, ishte pjesë përbërse e përpilimit të politikës së jashtëme, të diplomacisë dhe politikës ushtarake të Shteteve të Bashkuara kur e kërkonte interesi i shpëtimit të kombit shqiptar. Në të vërtetë, angazhimi i këtij komuniteti mund të jetë shembulli më i mirë i kontributit të një diaspore në Amerikë, për të cilën foli Sekretari Amerikan i Shtetit. Ky rol i komunitetit shqiptaro-amerikan, fatbardhësisht është njohur dhe njihet nga udhëheqsit më të lartë amerikanë. E njëjta gjë nuk besoj se mund të thuhet për Tiranën dhe Prishtinën zyrtare. Përkundrazi, gjatë 25 viteve të fundit, është venë re një hesitim nga ana e dy shteteve shqiptare për të përfituar, nga jo vetëm diaspora shqiptaro-amerikane, por edhe nga diasporat shiptare në vende të ndryshme të botës, — sidomos kur është fjala për forcimin e marrëdhënjeve me diasporën si urë me vende të rëndësishme për fatin e shqiptarëve, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në vend të angazhimit të kësaj diaspore në favor të marrëdhënjeve më të mira me vendet ku jeton, shpeshëherë janë venë re përpjekje për ta përdorur diasporën shqiptare për qëllime të ngushta individuale dhe partiake nga udhëheqës e parti të vendlindjes, aq sa fatkeqsisht tani vihen re përçarje edhe në komunitetin shqiptaro-amerikan, përçarje që shpesh pasqyrojnë — për fat të keq — ndasitë dhe përçarjet politike dhe mosmarveshjet partiake në atdhe, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.
Kryeminsitri shqiptar, Edi Rama ka njoftuar kohët e fundit mbajtjen e një konference për diasporën në Tiranë, fillim vitin e ardhëshëm. Nismë e mirë kjo, por mbetet për tu parë nëse kjo konferencë, nëqoftse mbahet, do të shërbejë si një mjet fatkeq për të përçarë edhe mëtej diasporën, a por do të jetë një përpjekje me të vërtetë gjithpërfshirëse për bashkimin e komuniteteve të diasporës shqiptare, pa dallime, sidomos pa dallime politike midis brezave të ndryshëm. Qëllimi i kësaj konference duhej të ishte angazhimi i diasporës në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënjeve me vendet mike të shqiptarëve, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të mirën e Shqipërisë e të Kosovës dhe për mirëvajtjen afatgjatë të mbarë kombit shqiptar. Mesazhi i Sekretarit Amerikan të Shtetit John Kerry të premtën që kaloi, ishte se diaspora është një pasuri e madhe për Amerikën dhe si e tillë të mos injorohen komunitetet e diasporës, sepse siç tha edhe ai, përfaqsuesit e këtyre komuniteteve në këtë vend, “Janë ndër ambasadorët më të mirë që mund të kemi.”

Filed Under: Analiza Tagged With: amerikane, Frank shkreli, NË POLITIKËN E JASHTËME, ROLI I DIASPORËS

Z. Agim Rexhaj, zv/kryetar i Vatrës, në takimin vjetor të Komitetit Kombëtar për politikën e Jashtme Amerikane

October 4, 2015 by dgreca

-Nju Jork, Komiteti Kombëtar për Politikën e Jashtme Amerikane dhe Këshilli Atlantikut, mbajti takimin vjetor/

– Z.Agim Rexhaj,antëtar i rregullt që prej vitit 2004 i këtij Komiteti, u takua me Ambasadoren Rosemary A. DiCarlo, Presidente e Komitetit Kombëtar për Politikën e Jashtme Amerikane dhe Këshillin Amerikan Atlantiku, dhe e informoi për veprimtarinë e Federatës më të vjetër të shqiptarëve  në Botë, VATREN/

 Nga Beqir Sina/

Të mërkurën, 30 shtator 2015, në Nju Jork, Komiteti Kombëtar për Politikën e Jashtme Amerikane dhe Këshilli i Atlantikut, organizoi takimin vjetor, ku kësaj radhe ky takim iu kushtua Afganistanit dhe u titullua :” Afganistani : Një vit në progresin e bërë dhe sfidat përpara tij”.

Në këtë takim, i cili është vjetor, Ambasadorja Rosemary A. DiCarlo, mori detyrën e Presidentes së Komitetit Kombëtar për Politikën e Jashtme Amerikane, dhe Këshilli Amerikan e Atlantikut, mbas largimit të saj si ambasadore e SHBA në Kombet e Bashkauara. Ambasadoria DiCarlo, është njëkohësisht studiuese dhe lektore në Institutin Jackson Yale – të Universitetit për Çështje Globale – Yale .

Njëhereshit, Komiteti Kombëtar për Politikën e Jashtme Amerikane dhe Këshilli Atlantikut, NCAFP, ftoi në këtë takim Shkëlqesinë e Tij Dr. Abdullah Abdullah, Kryeshefi Ekzekutiv i Republikës Islamike të Afganistanit në një bisedë pyetje përgjigje(Q&A) me ambasadorin James B. Cunningham, lidhur me gjendjen në Afganistan, në vitin e parë të Qeverisë së Unitetit.

Në këtë takimin vjetor në Nju Jork, morën pjesë një numër diplomatësh të huaj, akredituar në OKB , dhe institucionet e tjera qeveritare dhe jo qeveritare, analistë dhe politikanë, gazetarë amerikanë e të huaj, anëtarë të Komiteti Kombëtar mbi Politikën e Jashtme Amerikane (NCAFP) , përfshirë dhe anëtarin e tyre, shqiptar, nën/kryetarin e Vatrës, z. Agim Rexhaj – me bashkëshorten e tij, zonjën Laura Rexhaj.

Zoti Rexhaj – i cili i ka shfrytëzuar vazhdimisht takimet e tij me personalitet si anëtar i klubit Komiteti Kombëtar për Politikën e Jashtme Amerikane dhe Këshillit Amerikan i Atlantikut, në Nju Jork, me prezencën e tij, edhe kësaj rradhe ka folur me Ambasadoren Rosemary A. DiCarlo, rreth Kosovës dhe shqiptarëve të Amerikës.

Me thekes të veçantë ai ka folur mbi veprimtarinë dhe historinë e Federatës PanShqiptare të Amerikës VATRA, duke e faleminderuar me këtë rast në mënyrë të posaçme, Shtetet e Bashkuara dhe ambasadoren amerikane, për angazhimin e saj në çështjen e Kosovës dhe ndihmën e SHBA për lirinë e pavarësinë e saj – dhe forcimin e shtetit të Kosovës.

DiCarlo, thuhet se ka qenë e angazhuar në mënyrë aktive në përpjekjet diplomatike për arritjen e pavarësisë së Kosovës. Ajo ka mbajtur një sërë funksionesh në Departamentin e Shtetit kur zhvilloheshin negociatat për statusin e Kosovës, deri sa u shpall pavarësia në vitin 2008.

Ambasadorja DiCarlo është fituese e Çmimit presidencialë “Merita të Shërbimit Diplomatik” dhe të arriturave të përgjithshme në Departamentin e Shtetit, dhe një çmimi meritor “Awards Honor”. Ajo është e nderuar me Medaljen Presidenciale të Meritave nga Presidentia e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, dhe Medaljen Presidenciale “Gjergji Kastriot Skënderbeu” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani. Ajo ka marrë një doktoratë nderi nga Universiteti Haxhi Zeka në Pejë, Kosovë.

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, gjatë vizitës së tij në SHBA, në prill të këtij viti, dekoroi ambasadoren amerikane Rosemari A. DiCarlo me dekoratën “Gjergj Kastriot Skënderbeu” me këtë motivacion: “Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje të thellë për kontributin e saj të spikatur politik dhe diplomatik në thellimin dhe forcimin e marrëdhënieve historike dhe tradicionale amerikano-shqiptare”.

Ndërkaq, në këtë takim me Ambasadori Cunningham, i cili moderojë bisedën me një sërë pyetjesh nga kriza e vazhdueshme në Kunduz, duke filluar me pyetjen nëse rënia e qytetit është një provë për statusin e tranzicioneve politike dhe ushtarake, me të cilat përballet sot, Afganistani, Dr Abdullah, vazhdimisht theksoi rëndësinë e unitetit kombëtar në të gjithë Afganistanin, përveç domosdoshmërisë dhe mbështetjes së vazhdueshme ndërkombëtare pas shpalljes së tërheqjes, së tyre në vitin 2014.

Filed Under: Vatra Tagged With: agim Rexhaj, amerikane, e Jashtme, në takimin vjetor E Komitetit Kombëtar për politikën, zv/kryetar i Vatrës

Ambasada e SHBA në Tiranë feston 24 vjetorin e rihapjes

October 1, 2015 by dgreca

Federata Panshqiptare e Amerikes  “Vatra” dhe gazeta e saj  “Dielli” e urojnë Ambasaden e SHBA ne kete 24 vjetor per kontributin e rendesishem ne forcimin e marredhenieve miqesore dhe bashkepunimit te gjithanshem Shqiperi-SHBA.Shendet e suksese personelit te saj!/

Ne Foto:Godina e pare e ambasades amerikane ne Tirane, 1929/

Ne nje njoftim te sotem nga kjo ambasadë thuhet:Sot ne festojmë 24 vjetorin e rihapjes së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë. E ndërtuar në vitin 1929, Ambasada Amerikane në Tiranë mendohet se është një nga të parat legata të ndërtuara sipas ligjit Porter të vitit 1926, i cili i dha Departamentit të Shtetit të drejtën për të ndërtuar ambasada dhe godina konsullate për qeverinë e Shteteve të Bashkuara në vende të huaja. Në fillimet e saj, Ambasadori e përdorte ambasadën edhe si rezidencë, duke punuar kështu në një ambient familjar.
Arkitektët Wyeth dhe Sullivan ishin arkitektë që gëzonin respekt në Washington D.C., ku morën famë për vilat e bulevardit Connecticut, të cilat i kishin ndërtuar për klientët e tyre të pasur. Nathan Wyeth (1870-1963) ka projektuar edhe Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë në 1909. Frymëzimi për ndërtesën erdhi nga shtëpitë e shekullit të 18-të në plantacionet e Virxhinias, si për shembull Mount Vernon. Pas Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria u mbyll dhe gjatë Luftës së Ftohtë, shtëpia dhe oborri përreth iu dhanë me qira Ambasadorit Italian. Marrëdhëniet diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë u rivendosën në 15 mars, 1991, pas një ndërprerjeje prej 52 vjetësh.  Ambasada Amerikane në Tiranë u rihap në 1 tetor, 1991. Gjatë ceremonisë historike në atë vit, Sekretari për Çështjet Europiane dhe Kanadeze i atëhershëm, Raymond G. H. Seitz, tha se “Marrëdhënia midis dy vendeve tona nis që në fillim të këtij shekulli, kur Presidenti Woodrow Wilson dha mbështetjen amerikane për shtetin shqiptar. Kjo marrëdhënie nuk u harrua kurrë nga ata mijëra amerikanë me origjinë shqiptare…të cilët vazhduan të mbanin lidhje me vendlindjen e tyre përgjatë këtyre viteve.”

Today we celebrate the 24th anniversary of the reopening of U.S. Embassy in Tirana. Built in 1929, the U.S. Embassy Tirana is reported to be one of the first American Legations constructed under the 1926 Porter Legislation that established the State Department’s ability to provide U.S. Government building, embassies and consular buildings in foreign countries. Originally the U.S. Ambassador also resided here, conducting business in a domestic setting.
Architects Wyeth and Sullivan were well respected Washington, DC architects known for their stately Connecticut Avenue townhouses built for wealthy clients. Nathan Wyeth
(1870-1963) also designed the first Oval Office in the White House in 1909. Inspiration for the residence was drawn from 18th century Virginian plantation homes, such as Mount Vernon. Following WWII, Albania focused inward and during the Cold war, the house and gardens were rented to the Italian Ambassador. Diplomatic relations between the U.S. and Albania were reestablished on 15 March 1991, after a break of 52 years. The U.S. Embassy in Tirana was reopened on October 1, 1991. At the historic 1991 ceremony, then Secretary of State for European and Canadian Affairs Raymond G. H. Seitz said “The relationship between our two countries dates back to the early years of this century, when President (Woodrow) Wilson extended American support of the young Albanian state. The relationship was never forgotten by the many thousands of Americans of Albanian origin…who kept contact with their homeland over all these years.”

Filed Under: Vatra Tagged With: 24 vjetori i ambasades, amerikane, Tirane

Akuzat ndaj punonjësit, Ambasada e SHBA: Të skandalizuar; Berisha: Do ju sjell provat

May 30, 2014 by dgreca

Tiranë- Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka reaguar ashpër nga akuzave të ish-kryeministrit Berisha për një punonjës të Ambasadës, që sipas tij ishte përpjekur të ndërhynte në një çështje hetimi penal në proces. Përmes një komunikate për media, Ambasada thekson se është skandalizuar me këtë pretendim, që sipas saj është tërësisht i pavërtetë dhe i pabazë.
“Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë është e skandalizuar me pretendimin e pabazë ngritur ndaj një punonjësi të Ambasadës më herët sot nga Z. Sali Berisha, anëtar i parlamentit, gjatë një seance të parlamentit. Z. Berisha pretendoi se një punonjës shqiptar i Ambasadës ishte përpjekur të ndërhynte në një çështje hetimi penal në proces, thjesht mbi bazën e marrëdhënies së punonjësit të Ambasadës me një anëtar të Këshillit të Ministrave. Pretendimi është tërësisht i pavërtetë dhe i pabazë” thuhet në deklaratë.
Në vijim të deklaratës, Ambasada e SHBA shton se këmbëngul për nivelin më të lartë të intengritetit dhe llogaridhënies të secilit anëtar të misionit të tyre. Ambasada e SHBA i bën thirrje Berishës të reflektojë për sjelljen e tij.
Berisha: Alba Kodheli presion Prokurorëve për Gjokën, do ju paraqes provat
Reflektimi i Berishës ka qenë i menjëhershëm.Përmes një deklarate për mediat Berisha i qëndron sërish deklaratës së tij të bërë në Kuvend. Duke shprehur konsideraten me te larte per Ambasaden e SHBA ne Tirane, Berisha deklaron se mbetet i vendosur t’i paraqes qeverise se SHBA çdo prove lidhur me problemin ne fjale.
“Lidhur me nje deklarate te ambasades amerikane per nje denoncim timin te sotem ne Parlament sqaroj dhe nje here opinionin publik sa vijon: Znj. Alba (Ibrahimi) Vata ka nderhyre me insistim qe te hapet çeshtje penale ndaj Gjeneral Syrja Gjokes dhe kjo nderhyrje, qe sipas saj eshte bere ne emer te OPDAT, eshte refuzuar nga prokuroret tek te cilet ajo ka nderhyre. Nuk kam asnje dijeni se misioni i OPDAT ka tager te nderhyje ne çeshtje penale te veçanta. Gjykata e apelit gjeti te paligjshem arrestimin e gjeneral Syrja Gjokes.Duke shprehur konsideraten me te larte per ambasaden e SHBA ne Tirane mbetem i vendosur t’i paraqes qeverise se SHBA çdo prove lidhur me problemin ne fjale”deklaron Berisha.
Ja çfarë deklaroi Berisha në seancën plenare
Gjatë seancës së Kuvendit ish-kryeministri Berisha akuzoi Ministren e Mbrojtjes Mimi Kodheli se ka ushtruar presion përmes motrës së saj, punonjëse OBDAT-it, ndaj dy prokurorëve për të arrestuar më çdo kusht gjeneral Brigade Syrja Gjokën, Komandant i Brigadës Logjistike.
“ Ka nisur motrën e saj në emër të OBDAT-it, duke folur në emër të misionit, që aty është thjesht punonjëse, duke u bërë presionin më të jashtëzakonshëm Prokurorëve dhe jo një po dy prokurorëve,që o Syrja Gjoka në litar ose ju kështu do humbisni sepse kështu është vendosur. A merret një baba, një Gjeneral, një ushtarak , një njeri në detyrë, kafshërisht”tha ai.

Filed Under: Komente Tagged With: ambasadori Arvizu, amerikane, Berisha, punonjesi i ambasades

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT