• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shtigjet e Edukimit

August 8, 2016 by dgreca

nga Andon Dede, Nju York/

Ideja për këtë shkrim më lindi nga një lajm i shkurtër, botuar disa ditë më parë në gazetën “The Boston Herald”. ku thuhej se Sasha, vajza e vogël e presidentit Obama, 15 vjeçe, kishte nisur një punë sezonale tek restoranti “Nancy’s”, në Martha’s Vineyard, një ishull i vogël në bregdetin e Massachusettsit. Restoranti është i njohur për ushqime deti, të cilin familja Obama e ka frekuentuar shpesh gjatë pushimeve të verës, duke ngrënë aty apo duke e porositur ushqimin.

Lajmi ngjalli interesin e medias dhe njoftimi u pa shumë shpejt në disa gazeta, me komentet përkatëse. Dikush thoshte se e bën për të tërhequr vëmendjen, nga që normalisht nuk ia vlen kur mendon se atë e ruajnë gjashtë agjentë policie. Një tjetër komentues shprehte respekt për këtë veprim të saj, që pëlqen të punojë, ndonëse nuk i mungon asgjë, madje ka dhe kuzhinier në dispozicion. Pas tetë vjetëve të luksit në Shtëpinë e Bardhë, shtonte ai, ajo kërkon tani të njohë anë të tjera të jetës. Një i tretë shprehej se do të që më mirë që dikush tjetër, ndonjë hallexhi i papunë, të punonte në vend të saj, e kështu me radhë. Shkrimet shoqëroheshin me fotografi të Sashës, veshur me një bluzë sportive e me kapelë basketbolli.

Unë nuk e di nga ç’motive është nisur ajo, por më bëhet të besoj se, e shtyrë nga prindërit apo me iniciativën e vet, e ka bërë thjesht për të njohur jetën e zakonshme si dhe për t’u edukuar me ndjenjën e punës. Nuk e vlen të zgjatemi më tepër me punën e Sashës, por unë po i shkruaj këto radhë nga që ky lajm më kujtoi dy episode të tjera, që më kanë ngelur në mendje e që mbartin një mesazh me vlerë, lidhur me edukimin e fëmijve.

Pata lexuar para shumë viteve se si një nga vajzat e artitit të madh Çarli Çaplin, kur qe me studime në Paris, për të fituar para, iu bënte fotografi të tjerëve. I ati kishte marrëdhënie të mira me të, por i jepte aq të holla sa ajo të përballonte jetën si studente dhe shpenzime të tjera të domosdoshme, paçka se ai tashmë qe milioner apo dhe më shumë. Ma merr mendja se këtë gjë e bënte jo se i dhimbseshin paratë, por donte ta edukonte të bijën me vështirësitë e jetës, me mënyrën se si sigurohen të ardhurat për ta përballuar atë, siç kishte bërë dhe ai në fillimet e veta, etj etj. Të paktën ky ishte intërpretimi i bashkëkohësve, me të cilin unë bashkohem plotësisht.

Episodin e dytë na e ka treguar profesori i nderuar, përkthyesi i Dantes në shqip, i paharuari Pashko Gjeçi. Kur qe me studime në Itali, kish goditur në një klasë me të birin e botuesit të njohur italian, Mondadori. “Ai nuk binte në sy për ndonjë jetë luksi, na tha profesori, madje nuk e tepëroj po të them se ne jetonim më mirë se ai. I ati i jepte aq pare sa i duheshin për të banuar e plotësuar kërkest më të domosdoshme dhe asgjë më tepër. Kujtoj se vetëm për ditëlindje, i bleu një pallto. Në fillim ne, jo vetëm habiteshim por edhe sikur nuk e besonim që i biri i Mondadorit të jetonte si ne, veç, më vonë, e kuptuam dhe u bindëm se ç’vlera kishte veprimi i tij. Kur i biri u bë i pjekur, mbas të njëzet e pesave, ai i dorëzoi krejt firmën, pra gjithë pasurinë, se tashmë nuk kishte rrezik jo vetëm për shpërdorime por dhe ia dinte vlerën punës e pareve”.

Janë këto dy episode apo dhe të tjera si këto, që më shtyjnë të besoj se dhe e bija e Obamës ka hyrë në punë për të njëjat motive. E them këtë se kam parasysh prindërit e saj: jo thjesht se i ati është president por se të dy kanë mbaruar Harvardin. Gjëtë këtyre viteve, kam ndjekur jo vetëm veprimtaritë politke të Obamës, se tek e fundit ai ka një staf drejtues dhe nuk i gjykon kollaj, tani për tani, aftësitë e tij, siç ka ndodhur dhe me presidentët e tjerë, të cilëve, shpesh, ua faturojmë pa i merituar, si arritjet dhe dështimet e tyre. Por kam parasysh intervistat, bisedat direkte të çiftit në fjalë. Kam lexuar dhe librat e Obamës dhe kam krijuar bindjen se ai meriton respekt edhe për edukimin e fëmijve. Së pari me modelin që iu jep vajzave ai dhe e shoqja. Ajo krijoi një kopsht me zarzavate në oborrin e Shtëpisë së Bardhë, gjë për të cilën shumë veta mblodhën buzët si me përçmim. Por, ajo që desha të theksoj, me këtë rast, kishte lidhje me hallet tona, që ka të bëjë me pyetjen: a ndjekim përherë rrugët e drejta në edukimin e fëmijve, apo, dashje pa dashje, bëjmë të kundërtën? Për këtë po tregoj shkurtimisht një tjetër episod.

Para ca kohësh, tek po kthehesha në shtëpi, vonë në darkë, takoj një të njohur timen. “Pse kaq vonë, keni qënë turni i dytë?”, – e pyeta në vazhdim të bisedës që nisëm. “Jo, më tha, por bëj dy punë…Më duhet të ndihmoj djemtë, se nuk iu dalin rrogat që marrin…”. Unë hapa sytë e mblodha buzët, i habitur, për të shprehur mosmiratimin tim, por ajo e mori për të kundërtën, se po i shtonte vlerat vetes, si një nënë e përkushtuar ndaj fëmijve, ndaj vazhdoi, pa më lënë mua të flas: “Jo vetëm që bëj dy punë, por punoj dhe të shtunë e të diel… Ç’të bësh, halle-halle kjo dynja, duhen ndihmuar fëmijët, sa të na punojë këmba e dora…” – përsëriti.

Pas kësaj unë nuk e mbajta dot veten dhe iu ktheva: ”Më fal që po të them, se secili e di vetë se ku i pikon çatija dhe nuk është mirë t’iu japësh mësim të tjerëve por, me që erdhi fjala dhe për raportet miqësore që kemi, nuk mund të rri pa të thënë atë që mendoj. Nuk jam dakord fare my ju!. Në këtë moshë, ju duhet të punoni e të kujdeseni vetëm për veten tuaj. Detyrën ndaj fëmijve e kryet deri sa i rritët e iu dhatë shkollë. Mbas kësaj, i lini ata të ecin vetë, ndryshe ndikoni për keq në formimin e tyre dhe në përballimin e mëtejshëm të halleve të jetës. Shijoeni, gëzojeni jetën, për aq vite sa ju kanë ngelur! Ata do të bëhen si ju por ju nuk do të bëheni si ata!”.

Ajo nuk foli dhe buzëqeshi si të thoshte se ishte dakord me mua, por ja që kishte zgjedhur një rrugë tjetër. Punë e saj.

Jeta e punët që kam bërë, më kanë dhënë mundësinë të njoh shumë nëna, në Shqipëri e gjetkë; bashkëatdhetare, amerikane apo të kombësive të tjera. E kemi diskutuar dhe temën e mësipërme. Përgjithësisht amerkanët kanë qëndrim tjetër ndaj fëmijve, i futin në punë, madje dhe gjatë shkollimit. Me sa kam vënë re, dhe fëmijët kanë dëshirë që të nxjerrin vetë ndonjë të ardhur, se kështu ndjehen më të pavarur e me të rritur, dukuri që e kemi përjetuar dhe vetë. Qofsha i gabuar, por në Shqipëri kam konstatuar kryesisht të kundërtën. Mbase tani ka ndryshuar gjendja dhe atje. Ajo që më ka bërë shumë përshtypje dhe mund ta pohoj me gojën plot është se fëmijët më të suksesëshëm e më të edukuar kanë qënë ata që kanë pasur prindër e kryesisht nëna të rrepta e kërkuese. Dhe e kundërta; të përkëdhelurit, të llastuarit mezi e kanë shtyrë në shkollë e në jetë. Nënat e tyre të gjora nuk e kuptonin se duke mos i ngarkuar me punë të vegjëlit e tyre po i merrnin më qafë, po kultivonin tek ata dembelizmin e parazitizmin, mallkimi më i madh për njeriun. Sidomos më janë neveritur fëmijët e disa biznesmenëve e politikanëve, që i kanë mbushur kuletat plot, me djersën e të tjerëve, dhe shesin tangërllëqe nëpër automjete luksoze, duke ekspozuar bizhuterira të shtrenjta e duke bërë jetë nate, në përmasa që i kalojnë shumë mundësitë e tyre. Më e keqja është se shpesh herë, në sfond të këtyre ekspozimeve shfaqen prindërit, duke u krekosur me pjellën e tyre, pa e kuptuar se sa i kanë dëmtuar e po i dëmtojnë ata, deri duke i marrë edhe në qafë, siç edhe ka ndodhur.

Nju York, 8 gusht 2016

Filed Under: Analiza Tagged With: Andon Dede, Shtigjet e Edukimit

Kjo verë e nxehtë…

August 3, 2016 by dgreca

nga Andon Dede, Nju York/

Është thënë edhe nga metereologët se kjo ka qënë vera më e nxehtë, qysh kur ka filluar regjistrimi i temperaturave. Në Mitribah të Kuvajtit është regjistruar në fund të korrikut temperatura 54 gradë celsius ndërsa një ditë më pas, në Basra të Irakut, 53.9, që u  njohën edhe zyrtarisht si dy rekordet e reja botërore të temperaturave më të larta që janë regjistruar ndonjëherë në planetin tonë. Por, edhe pa  na e thënë ata, ne  e përjetuam vetë gjatë korrikut zhegun e padurueshëm. Edhe gushti parashikohet të jetë po kaq i nxehtë. Ne nuk po themi ndonjë gjë të re, se lexuesi këto ose i di vetë ose mund t’i gjejë me lehtësinë më të madhe përmes disa disa klikimeve në Internet, ndaj nuk e vlen të zgjatemi më tej me këtë dukuri. Qëllimi ynë me këto radhë është krejt tjetër: mirë të nxehtit e motit që nuk varet nga ne dhe do ta përballojmë atë me mundësitë që kemi, por, mos vallë, me veprimet që kryejmë, qëndrimet që mbajmë apo vendimet që marrim, ia lehtësojmë apo ia vështirësojmë vetes përballimin e këtij të nxehti apo dhe dukurive të tjera të Motit? Ky është problemi!

Logjika më elementare do të kërkonte që ne të bënim të parën, si e si t’ia lehtësojmë vetes dhe të tjerëve përballimin e saj. Por, si për çudi, njerëzit kudo që janë, po bëjnë të kundërtën. Edhe për këtë pohim lexuesi s’ka nevojë të lodhet shumë se ai e ka parë dhe po e sheh përditë, përmes burimeve nga më të ndryshmet që vërshojnë nga të katër anët.  Ja, le të hedhim një vështrim të shpejtë se ç’po ndodh rreth nesh.

*    *    *

Ka rastisur disa herë që edhe në ditët me mot të tmerrshëm, me shira të rrëmbyshëm, që përmbytin rrugët e i marrin makinat me vete si të qenë lodra kalamajsh, diçka tjetër ka tërhequr vëmendjen e njerëzve:  vrasjet nga terrorizmi që është bërë një tmerr i vërtetë për tërë popujt. Ai ka ekzistuar edhe më parë, por kohët e fundit ka marrë përmasa të reja dhe, më e llahtarshmja, status të ri: viktimat e tij janë të të gjitha moshave, grupeve sociale e nacionaliteteve. Dora kriminale e vrasësve nuk u drodh as para fëmijve të vegjël që po hanin bukë në një lokal apo dhe para një prifti tetëdhjet e ca vjeçar që po meshonte në një kishë. O Zot, të dridhet trupi edhe kur i mendon! Viti i kaluar shënoi ngritje në numrin e viktimave të sulmeve terroriste në shekullin XXI. Numri i të vrarëve e të plagosurve ishte mbi mesataren e 45 viteve të fundit. Por dhe 2016 del të jetë viti më i përgjakshëm i këtij shekulli në Evropë dhe jo vetëm aty.       Frika nga terrorizmi, nga vrasjet e papritura të të pafajshmëve, gjallon kudo. E gjithë bota është tronditur si kurrë më parë, saqë edhe kur lëviz në rrugë, mes shumë gjërave që mendon me vete, pandehma se pas një çasti mund të mos marrësh më frymë, s’të hiqet nga mendja. Hija e vdekjes të ndjek në çdo hap, sidomos ku ka shumë njerëz, ndaj dhe ke frikë të udhëtosh me tren, aeroplan apo autobuz; të marrësh pjesë në një ceremoni të rastit, apo të ndjekësh ndonjë ndeshje sporti a shfaqje artistike. Njerëzit kanë frikë të festojnë, të gëzojnë, të shijojnë jetën që iu ka falur Zoti apo Natyra. Hë pra, a nuk është përballimi i kësaj frike edhe më cfilitës se ai i vapës përvëluese?! Tronditje, pyetje pa përgjigje, zemërim, dëshpërim. Ndaj, viktima të kësaj situate nuk janë vetëm të vrarët e të plagosurit bashkë me të afërmit e tyre, por të gjithë ne.

*    *   *

Përvec dy “zagushive” të mësipërme, Amerika po përjeton këtë verë edhe një “vapë” tjetër: është fjala për zgjedhjet presidenciale që janë, pa pikë dyshimi, sui generis nga të dy palët: republikanët përfaqësohen nga një miliarder që s’ka asnjë përvojë politike, nuk ka mbajtur kurrë një post publik e nuk ka shërbyer kurrë në qeverisje; ndërsa demokratët, për herë të parë në historinë e këtij vendi, nxorrën si kandidate një grua.

Kandidati republikan befasoi botën, brenda e jashtë Amerikës kur shpalli kandidaturën. Disa të përditëshme, këtu në Nju York, që i kam parë vetë, shkruanin atë kohë: “Një klloun kërkon të bëhet president”. Pavarësisht dozës së ironisë apo dhe përçmimit, një farë të vërtete ka në atë pohim: Trampi njihej jo vetëm si miliarder por dhe si “shou men”.. Ndaj, shumë pak njerëz e morën seriozisht atë, kur shpalli kandidaturën. Madje, dhe ai vetë, sipas shtypit, e mori këtë inisiativë si me shaka, edhe pse bëhej fjalë për statusin e njeriut më të fuqishëm të botës. Të shumtë qenë ata, edhe nga radhët e republikanëve, që u shprehën hapur kundër kandidimit të tij. Në mars 2016, qindra këshilltarë republikanë, që përfaqësonin një spektër të gjerë këndvështrimesh mbi politikën e jashtme, firmosën një letër të hapur duke shprehur shqetësimin dhe kundërshtinë e tyre ndaj Trampit. Por, miliarderi njuorkez, me atë babaxhanllëkun e tij në pamje, nuk e prishte terezinë. Jo vetëm që i vazhdoi deri në fund primaret por, për habinë e të gjithëve, edhe i fitoi ato duke eliminiuar jo pak por afro njëzet kandidatë të tjerë të partisë së vet.

Befasuese qe dhe beteja në krahun tjetër me kandidimin e Sandersit, që bëri për vete jo pak zgjedhës, sidomos të rinjtë, të cilëve iu premtonte lehtësira të jashtzakonshme në shkollimin e punësimin e tyre. Por Hillari Klinton, pa shumë vështirësi, e fitoi betejën, për t’i hapur rrugën një përballjeje tjetër shumë më të ashpër e më të vështirë, atë me Trampin. Ndryshe nga fushatat e tjera që kemi ndjekur, kjo e sivjetmja nuk ndryshon vetëm nga kandidatët por dhe nga forma: filluan sulmet ndaj njeri tjetrit, herë-herë edhe me denigrime e sharje, që të kujtojnë Shqipërinë. (Ne sikur po na bëhej qejfi: të paktën t’i ngjajmë Amerikës në të këqija se në të mirat e saj as që i afrohemi dot?!). Beteja mes tyre sapo ka filluar dhe pa dyshim që do vijë duke u ashpërsuar në muajt e ardhëshëm.

Fushata nuk duhet konceptuar thjesht midis dy personave apo edhe dy partive, por mes dy qëndrimeve e platformave që ndryshojnë shumë nga njera tjetra. Shtjellimi i tyre kërkon shkrime më vete, por këtu po ndalemi vetëm në ndonjë përparësi të deklaruar e që ka rëndësi jo vetëm për Amerikën, siç është fjala vjen, politika e jashtëme. Hillary Klinton, ka premtuar vijimësi, një administratë që do të mbetet një partner me vullnet të mirë ndaj miqve dhe aleatëve të Amerikës, dhe se parimet e përgjithshme të politikës së jashtme të këtij vendi nuk do të ndryshojnë. Një vizion krejt të ndryshëm, tepër të zymtë, shpërfaq pala tjetër përmes Donald Trampit. Ai mendon se, gjatë qeverisjes së Obamës, vendi ka rënë në një humnerë nga e cila mund të mos dalë kurrë, nëse nuk fiton ai. Trump ka pohuar se ai do të rishikojë detyrimet e Amerikës ndaj NATO-s, dhe institucionevet të tjera ndërkombëtare. Jo rastësisht, vetë Obama këto ditë, iu bëri thirrje republikanëve që të mos e votojnë Trampin, si jo të përshtatshëm për president. Por, miliarderi kandidat ia ktheu me një gjuhë më të ashpër: presidenca jote, i tha ai, ka qënë më e keqja në historinë e Amerikës. Përsëri m’u kujtuan politikanët tanë, jo vetëm këta të sotmit, por edhe të mëparshmit, që merren më shumë me denigrimin e para-ardhësve se sa me qeverisjen e vendit.

Por, le ta lëmë Amerikën dhe amerikanët t’i zgjidhin vetë problemet e tyre. Diçka tjetër desha të theksoja me këtë rast. Tek shumë nga ne, është krijuar përshtypja se amerikanët nuk e vrasin shumë mendjen për presidentin e ardhëshëm apo se cila parti do të qeverisë, nisur nga fakti se tashmë ky shtet ka hyrë me kohë në shinat e duhura dhe pak rëndësi ka se kush e drejton “trenin” qeveritar. Në këtë pohim ka një të vërtetë të padiskutueshme: edhe sikur presidenti të marrë vendime të gabuara, ka një staf të tërë që ia korrigjon “busullën”, le pastaj dy filtrat e mëdhenj, siç janë Senati edhe Dhoma e Përfaqësuesve që e shohin çdo veprim të presidentit me lente smadhuese.  Por, ndryshe nga herët e tjera, këto zgjedhje po ndiqen me një interes të veçantë e po shoqërohen me diskutime të zjarrta. Këtë po e përjetoj dhe vetë me që prej vitesh banoj e punoj këtu. Kolegët e mij të punës, në shumicën e tyre, afro-aziatikë e hispanikë, janë të shqetësuar sidomos nga deklaratat e Trampit dhe nuk kanë shumë besim tek ai. Unë iu kundërvihem përmes argumentave që sapo shpreha më sipër, por ata më kundërshtojnë. Nëntori do jetë një e papritur për të gjithë, brenda e jashtë Amerikës dhe vështirë të bësh parashikime. Le të presim. Veç, nuk mund të mohoet se fushata e zgjedhjeve ua rëndoi sadopak vapën amerikanëve.

*   *   *

Po shqiptarët e gjorë si po e përballojnë të nxehtit e këtij viti? Them të gjorë se me përjashtim të politikanëve dhe biznesmenëve të fuqishëm, populli i  thjeshtë nuk i ka  përherë mundësitë që të freskohet me kondicionerë, të shuajë etjen me ujë të ftohtë apo të shullëhet plazheve. Por, si të  mos t’i mjaftonin tërë këto, atë e trullosën me të ashtuquajturën “Reformë në Drejtësi” që iu është bërë si burri i nënes prej kushedi sa kohësh. U duk se me miratimin e saj, do të ndodhnin çudira që nuk janë parë kurrë më parë, por… a do të ndodhin vërtet?! Një Zot e di!

Kryeministri Rama, në një nga shfaqjet e tij të përditëshme në media, dha sihariqin se falë miratimit të Reformës së Drejtësisë, shqiptarët i pret një realitet krejt tjetër, më i mirë, më i sigurt, më demokratik, me mundësi shumë më të mëdha për rritjen e ekonomisë, të investimeve të huaja, etj, etj…

Ndërkohë, nuk pushojnë trompetat për fitoren e arritur e sidomos për autorësinë e saj dhe, bashkë me to, dhe akuzat se kush po e pengon ecurinë e Reformës. Në këtë kakofoni që shoqëron vapën nuk merret vesh se kush është për Reformën dhe kush jo. Për më tepër që edhe ata që e miratuan, siç e kanë pranuar vetë, as nuk e kishin lexuar draftin e saj, duke filluar nga kryeministri që nuk nguron të pohojë se ajo duhej miratuar e zbatuar se kështu e kërkonin SHBA-ja dhe BE-ja, pavarësisht se ç’mendonin ata që do të ngrinin kartonin jeshil. Po të ndjekësh dialogjet e ndërsjellta të duket sikur gjithë reforma është reduktuar në mundësinë për hakmarrje dhe ndëshkim ndaj politikanëve dhe ndaj njerëzve të Drejtësisë, në mundësinë për t’i parë nën këmbë e pas hekurave ata që janë duartrokitur në tribuna politike apo në sallat e gjyqit me togë të zezë, se sa për të ndryshuar marrëdhënien e Drejtësisë me shoqërinë.

Ka zgjatur vetëm pak ditë “festa” e arritjes së konsensusit për votimin e ndryshimeve në Kushtetutë. Forcat kryesore politike, i janë rikthyer sherrit dhe akuzave për votimin e 7 ligjeve të reja dhe për vettingun, që janë pjesë e Reformës në fjalë. Flitet për qeveri teknike, për zgjedhje të parakohëshme, për përçarje të koalicionit, për…e përse nuk flitet?! Shprehja që do t’i shkonte më për shtat asaj situate, kur njeri i bije gozhdës e tjetri patkoit, do të ishte: “Bir Selman i nënës, ç’të të qaj më parë?!”. Them kështu se edhe pse u arrit konsensusi i shumë pritur, në vend që të hedhin hapin tjetër, për ta zbatuar atë, po merren me cic-micra se si u arrit ai, pse ranë dakord palët, kush i detyroi e blla,blla,blla, do të thoshin amerikanët. Llafe pa bukë, tipike e politikanëve mistrecë që nuk dalin dot nga vetja. Shkrimtari çek Karel Çapek, në një nga parabolat e tij thotë se për dhelprën të gjithë të tjerët janë o grabitqarë o viktima. A nuk i shkon kjo më tepër se kujtdo tjetër politikanëve tanë që po hanë kokat me njeri tjetrin me akuza të ndërsjellta, ndërkohë që populli përballet çdo ditë, përveç vapës përvëluese dhe me njëqind halle të tjera?! Të ndalemi vetëm në një tregues: ndërsa çmimet e fluturimeve në Europë janë ulur e po ulen në kufijtë e rekordeve, në Shqipëri ato vazhdojnë të jenë tepër të shtrenjta, si në asnjë vend tjetër, qoftë dhe në raport me rajonin.

Nga gjithë sa më sipër, si zor të shpresosh se bashkë me vapën do të lehtësohen dhe hallet e atij populli përsa kohë që në pushtet e në opozitë do jenë protagonistët e sotëm.

Nju York, 3 gusht 2016

Filed Under: Analiza Tagged With: Andon Dede, Kjo verë e nxehtë…

Politikanët tanë peshkatarë

July 25, 2016 by dgreca

nga Andon Dede, Nju York/

Dihet tashmë nga të gjithë se peshkatarët dhe gjuetarët janë nga njerëzit që gënjejnë më shumë, por përgjithësisht i kanë “gënjeshtra të badha”, pra pa zarar. Po të qenë të vërteta gjithë sa thonë ata, rrezik të ishin shfarosur tërë kafshët e egra dhe peshqit e detit.

Por ne kësaj here do të merremi me peshkatarët dhe jo pa qëllim. Në librin që të shkul së qeshuri,  “Tre veta në një varkë, pa llogaritur qenin”, të autorit të njohur anglez Xherom Xherom, ka një episod të tillë me peshkatarët. Në klubin e tyre ku mblidhesin, kthenin ndonjë gotë e kuvendonin apo dhe përpiqeshin të gënjenin njeri tjetrin, lart, në një vend të dukshëm ishte vendosur një peshk i madh, me sa duket i ballsamosur. Kur vinte ndonjë peshkatar plak dhe e shihte se rreth e rrotul tij nuk kishte ndonjë të brezit të vet, duke hedhur vështrimin nga peshku, niste e tregonte se si e kishte kapur atë e ç’mundime kishte hequr. Bukur fort. Ata që e dëgjonin kënaqeshin dhe i kthenin buzëqeshje mirënjohëse për kënaqësinë që iu dha. Por, për çudi, kjo nuk ndodhi vetëm me një peshkatar, por dhe me shumë të tjerë. Autorësinë për kapjen e tij të mundimëshme, here-herë edhe të rrezikëshme, po e merrnin shumë veta dhe ecë e gjej të vërtetën. Por, kjo nuk prishte shumë punë, madje frekuentuesit e klubit, mbase ndjenin dhe kënaqësi me këto rrëfime që iu servireshin gratis në variante të ndryshme, kohë pas kohe.

Por një ditë, dikush që kishte dëgjuar tashmë variante nga më të ndryshmet, nuk duroi dot më dhe me pak mundim, u kacavjer në mur dhe e preku me dorë peshkun e shumëpërfolur. Kur ç’të shihte: ai qe plastik dhe jo i ballsamosur siç pretendonin tërë ata që gjoja e kishin kapur atë. Që nga ajo ditë, merret vesh, mori fund dhe “saga” e kapjes së tij.

Po ç’lidhje ka kjo me politikanët, në përgjithësi, dhe me këta tanët, në veçanti, mund  të më pyesë dikush që po lexon këto radhë, dhe jo pa të drejtë. Unë mendoj se i lidhin shumë gjëra: ndërsa të parët gjuajnë peshq, politikanët “gjuajnë” zgjedhës, vota, biznese të leverdisëshme dhe një tok favore e përfitime të tjera që ua mundëson karrikja ku janë ulur apo statusi që kanë zgjedhur, se ata nuk janë budallenj që të ushtrojnë atë profesion për idealizëm, për t’i shërbyer atdheut, popullit e më the të thashë. Kanë dhe plot ngjashmëri të tjera, por nuk po zgjatem në to por po ndalem tek karakteristika më thelbësore e tyre: gënjeshtra. Besoj se nuk ma kundërshton dot njeri, si për të parët dhe të dytët. Se kush gënjen më shumë, është tjetër problem por, për nga vlefshmëria e gënjeshtrave që lëshojnë dhe pasojat e tyre, puna ndryshon. Ndërsa të parët, siç e thamë që në fillim, lëshojnë para e mbrapa “gënjeshtra të bardha” e pa zarar, për të dytët nuk mund të themi dot të njëjtën gjë. Ata nuk gënjejnë ashtu kot, sa për t’u mburrur, por e llogarisin çdo gjë që thonë, me një synim të caktuar.

Kthehemi tek realiteti ynë i kohëve të fundit. Ç’po vihet re tani, pas miratimit të Reformës, “revolucionit” të 21 korrikut apo “Çlirimit të dytë të Shqipërisë”, siç u vlerësua me zë të lartë, nga shumë syresh? Politikanët tanë/peshkatarë, herë vetë e herë me trumbetuesit e tyre, po bëjnë ç’është e mundur që të “përvetësojnë” autorësinë e kësaj reforme: një pjesë e komentatorëve apo dhe vetë politikanëve ia dedikojnë miratimin e saj dy ambasadorëve të njohur tashmë nga i madh e i vogël në Shqipëri për ecë e jaket e tyre të përditëshme, nga selia e një partie në tjetrën; të tjerë pohojnë me zë të lartë se pa Ilir Metën miratimi unanim nuk do të qe arritur. Një pjesë tjetër vënë në dukje se pa këmbënguljen e Bashës do të kishte përfunduar krejt ndryshe nga drafti që u miratua, ndaj, sipas tyre, ai i meriton dafinat… e kështu me radhë. Kurse kryeministri ynë i nderuar, duke sakrifikuar modestinë e tij tipike, as që e vë në dyshim se është pikërisht ai autori i këtij “revolucioni”, siç e quajti vetë, ashtu siç ka deklaruar edhe për shumë e shumë arritje të tjera të mandatit të tij, si përherë duke “sakrifikuar” modestinë, nga që nuk e ka zakon që të mburret e t’i bjerrë gjoksit edhe për gjëra që nuk i takojnë, siç veprojnë shumë kryeminstra të tjerë që bëjnë protagonistin edhe për sukseset në sporte, paçka se nuk i lidh asgjë me to.

Kaq doja të ndaja sot me ju, lexues i dashur. I vetmi shqetësim imi tani është që e shumëpërfolura “reformë” të na dalë reale e jo plastike, si ai peshku i librit që rrëfyem më lart. Ishallah!

NY, 25 korrik 2016

Filed Under: Analiza Tagged With: Andon Dede, peshkatarë, Politikanët tanë

Reforma në Drejtësi – farsa e radhës e politikës shqiptare

July 19, 2016 by dgreca

nga Andon Dede, Nju York/

E ashtuquajtura “Reformë në Drejtësi” prej kushedi sa kohësh ka qënë dhe mbetet tema e ditës në Shqipëri. Vlerësimet për të janë ndër më ekstremet: nga një “revolucion” apo “çlirim i dytë” i Shqipërisë, që do të ndryshojë si me magji rrjedhën e zhvillimeve tona të mëtejshme, e deri në mohimin e saj të plotë, apo, thënë me fjalë të tjera: si të miratohet, si të mos miratohet, asgjë nuk ka për të ndryshuar në atë vend pra, edhe po u miratua, nuk do të ketë drejtësi!

Unë jam më tepër me  këtë të dytën. Për mua, gjithë sa është thënë e është bërë deri tani për këtë reformë, nuk është asgjë më shumë se një nga farsat e shumta që kanë shoqëruar çerekshekullin e fundit pluralist tek ne. Këtë nuk e them vetëm unë, por kam bindjen se e mendon gjithsekush që ka një minimum kulture politiko-sociale e që ka ndjekur zhvillimet pas-diktatoriale tek ne, pavarësisht se, për arsye nga më të ndryshmet, jo vetëm që nuk e thotë këtë, por iu mban edhe iso të tjerëvet.

E filluam me “çekun e bardhë”, që do të na sillte parajsën e munguar sa të hapësh e të mbyllësh sytë dhe ja ku arritëm tek kjo e ashtuquajtur “reformë”, që si me një shkop magjik, do t’i japë fund njëherë e mirë çdo shfaqjeje korrupsioni, vjedhjeje e padrejtësie…Ndonjeri që nuk na njeh e që dëgjon një retorikë të tillë, do të hapte sytë e do të mblidhte buzët i habitur: “More, po ku paskeni qënë ju deri tani?! Si nuk e keni kuptuar e realizuar me kohë këtë, por keni lejuar një situatë të tillë që po ju merr frymën, nga korrupsioni e vjedhjet masive, duke filluar nga ata lart, që kapardisen në kolltuqe qeveritare e lëvizin me makina të blinduara e deri tek hallexhinjtë e gjorë që mezi shtyjnë ditët me ndonjë lëmoshë që iu jep shteti?!”

Po atëhere, pse gjithë kjo zhurmë, tërë këto përpjekje për të miratuar një reformë që s’ka për të vendosur drejtësi, gjë që e dinë edhe më mirë se unë ata që po lëvizin çdo gur, gjoja për ta miratuar atë se, në të vërtetë, janë pikërisht ata që po e pengojnë miratimin e saj. Të krijohet përshtypja sikur tek ne gjithë fajin për këtë gjendje korruptive na e paska vetëm sistemi i drejtësiësë se të qe për ata, si “burra të ndershëm” që janë, situata do të qe krejt tjetër A ka ndonjë budalla që mund ta hajë këtë? Që Sistemi i Drejtësië ka përegjegjësinë kryesore, kjo është e vërtetë, por jo e tëra. Po kaq përgjegjësi kanë dhe vetë të korruptuarit.

Unë nuk habitem fare me gjithë sa dëgjoj nga politikanët tanë të të gjitha krahëve e niveleve, se ashtu ua do puna. Me të tilla demagogjira bajate e retorika boshe e kanë shtyrë dhe do ta shtyjnë deri në zgjedhjet e ardhëshme, por pyes veten: “Po ata dy ambasadorët, që përfaqësojnë potenciale madhore, a thua se vërtet nuk e kanë kuptuar se me ç’politikanë kanë të bëjnë? Mos vallë ata janë kaq naivë sa të presin që vetë shkelësit e ligjit të firmosin vendimin për prangosjen e tyre?”  Kjo do të qe njëlloj si dikush të priste degën e një peme ku është ulur vetë apo sikur hajdutëve t’iu kërkohet që të firmosin një vendim për të shkuar të nesërmen në burg. Kjo është qesharake edhe ta mendosh

E pra, mos vallë dy ambasadorët e sipërpëmendur nuk e kuptojnë kaqë gjë?! Unë nuk do ta besoja këtë se përndryshe do t’i fyeja, por po e përligj qëndrimin e veprimet e tyre me slloganin që sapo përmenda më lart se edhe atyre, “ashtu ua do puna”. Dhe sa herë i shoh që, si një çift i lumtur, bredhin dorë për dore, nga njera seli partie tek tjetra, sinqerisht që ndjej dhe keqardhje për ta. Dhe a e dini pse? Jo se dyshoj në qëllimet e tyre të mira por, nga gjithë sa kam parë e dëgjuar me sytë e veshët e mij, më ngjan se po punojnë në boshllëk. Po e ilustroj me një shëmbull fare të thjeshtë.

Kohë më parë, vendin tonë e vizitoi prokurori kroat që paskej çuar pas hekurave ish-kryeministrin e vendit të vet. Bukur, meriton vërtet respekt. Pyetjes “se si e kishin zbuluar korrupsionin e tij”, iu përgjegj se qenë nisur nga disa tregues të jashtëm, ndër të tjera edhe nga orët e dorës që mbante.(!). “Ua, çudi, sa interesant…Ku iu ka vajtur mendja…”.- thoshin ata që e dëgjonin. Unë i dëgjoja këto reagime e s’doja t’iu besoja vëshëve. “Po pse kjo u ka munguar organeve tona të Drejtësisë që nuk kanë bërë të njëjtën gjë si prokurori kroat dhe jo vetëm ai!?”. Neise, kaloi edhe kjo si gjithë çudirat tona. Kur, një ditë prej ditësh, dëgjoj dhe ambasadorin e ri amerikan që iu thoshte gjyqtarëve, në një konferencë me ta: ”Edhe tej ju, kush ka orë të shtrenjta mund ta gjejë veten pas hekurave në të ardhmen…”. Pra, dhe ky i gjori, (po e quaj kështu për nga perceptimi i gabuar që kishte), pra dhe ky fliste për orë të shtrenjta e më the të thashë, kur politikanët e qeveritarët tanë, të të gjitha rangjeve e niveleve, kanë jo vetëm orë të shtrenjta, që edhe mund të mos bien shumë në sy, por vila gjigante që mund t’i kishte zili edhe ndonjë miliarder i huaj. Ata shkojnë me pushime në vendet më të shtrenjta të botës, kapardisen në makina super luksoze …e kështu me radhë. Po ku i gjetën paratë ata për gjithë këto? Mos vallë duhet të jesh shumë i zgjuar që të arrish në një përfundim të tillë se gjithë klasa jonë politike, me ndonjë përjashtim të rrallë, është deri në fyt e korruptuar? Këtë e dinë dhe e thonë të gjithë, pa asnjë përjashtim.

Pse të mos jemi qoftë edhe një herë të sinqertë me veten?! A nuk mendojnë të gjithë tek ne se ata lart janë njerëzit më të korruptuar dhe se pa filluar krasitja e tyre, është e kotë çdo reformë e çdo inicativë tjetër?! Të gjithë e pranojnë tashmë se korrupsioni tek ne ka depërtuar tek të gjithë kapilarët e trupit që mban emrin Shqipëri, duke filluar nga maja e kupolës e duke përfunduar tek punonjësi më i thejshtë i një institucioni, siç mund të jetë, fjala vjen, roja i një spitali që s’të lë të hysh pa i dhënë diçka nën dorë. Dhe si mendoni ju, se tërë këtë “kancer” social mund ta “shërojë” reforma? A thua se ka njerëz kaq naivë tek ne? Deri tani ne jemi marrë vetëm me ato raste që kanë bërë bujë, kur fajtorët janë kapur me presh në duar. Por, për të gjithë është fare e qartë se tërë kjo është vetëm maja e ajzbergut e tërë atij korrupsioni masiv që vetë ligjvënësit e qeveritarët bëjnë ç’është e mundur për të mos u zbuluar. Ndaj them se të presësh që këta të jenë të interesuar për një reformë që mund t’ju vërë prangat dhe se do t’i japë fund pandëshkueshmërisë, do qe më tepër se utopi

Nën klimën aktuale politike, ku të gjitha parimet demokratike institucionale janë shkelur tërësisht me këmbë, dhe vetë institucionet nuk bashkëpunojnë por janë në armiqësi me njëra tjetrën, të presësh rezultate pozitive nga marrëveshjet e tyre do qe sa e gabuar aq edhe e rrezikëshme.

Unë e quajta farsë, por kjo që ka ndodhur e po ndodh tek ne do ndonjë emër tjetër më kuptimplotë e më tronditës.

Po kaq qesharakë bëhen edhe ata që propozojnë referendum për reformën. Jo më njerëzit e thjeshtë, puntorë e fshatarë, që nuk e kanë fare idenë e reformës por, siç e kanë pohuar vetë shumë intelektualë e specialistë, qoftë edhe të Drejtësisë, nuk janë shumë të kthjellët se ç’përmban ajo e si do të zbatohet. Referendumi ka kuptim kur është fjala për një çështje që e kanë të qartë të gjithë, si për shembull: presidenti të zgjidhet direkt nga populli apo nga Kuvendi? apo: Jeni për lista zgjedhjesh të mbyllura, të hartuar nga kryetarët e partive apo për lista të hapura e për sistem maxhoritar, e të tjera  pyetje si këto.

Vetëm naivët dhe ata që  nuk e njohin sadopak realitetin shqiptar mund të besojnë se reforma në fjalë do të vendosë drejtësinë tek ne. Sikur na e ka fajin mungesa e ligjeve që kemi arritur në këtë gjendje?!. Për hir të së vërtetës duhet thënë se dhe krimet e Diktaturës së Hoxhës nuk mund të konceptohen vetëm si pasojë e ligjeve të mbrapshta të asaj kohe se sa nga fakti që ato nuk zbatoheshin apo nuk përfilleshin fare por viktimat dënoheshin sipas urdhërave të diktatorit dhe të atyre që i shkonin pas. Dhe sot, të gjithë e dimë se ajo që ne na ka penguar për të na shkuar punët mbarë, për të patur pra edhe sadopak drejtësi dhe luftë kundër korrupsionit nuk është mos pasja e ligjeve dhe reformave, por mungesa e respektit për to. Ndaj dhe tani, qofsha i gabuar, por unë as që pres që kjo reformë, do të zgjidhë ndonjë gjë, edhe pse për miratimin e saj janë angazhuar edhe ndërkombëtarët, për të mos thënë se protagonizmii tyre, siç po e shohim përditë në media, është turpi ynë më i madh. A do të dalim dot ndonjëherë nga ky lloj infantilizmi, që për çdo gjë duhet të pyesim të huajt?

Për këdo është e qartë se që të vendoset rendi e drejtësia tek ne, duhet të reformohet së pari vetë politika shqiptare. Janë ata peshkaqenët e mëdhenj që e pengojnë reformën e vendosjen e shtetit ligjor tek ne. Pra, përgjegjësinë kryesore për këtë të ashtuquajtur reformë që po na shurdhon veshët, e ka politika jonë e mbrapshtë, qoftë edhe e këtij çerekshekullit të fundit. Edhe kjo, tashmë, mund të quhet me plot gojën, një klasë e dështuar politike.

Me gjithë sa u shpreha më sipër, kurrsesi nuk dua të them se ne do të vazhdojmë të zhgërryhemi përgjithmonë në këto këneta. Ndryshime do të ketë por jo me anë të reformës në fjalë por pëmes një procesi të gjatë kulturimi e emancipimi të gjithë shoqërisë, përfshi dhe politikanët e gjyqtarët, gjë që do të kërkojë kohë të gjatë dhe haraç të madh.

 

NY, 18 korrik 2016

Filed Under: Analiza Tagged With: Andon Dede, farse, Reforma ne Drejtesi

Vrasje që “vret”

July 7, 2016 by dgreca

nga Andon Dede, Nju York/

Më 6 korrik, të gjitha kanalet televizive i hapën lajmet e mbrëmjes me një skenë jo të zakonshme: në Baton Ruzh të Luisianës dy policë shtrijnë për tokë një person e, më pas, njeri prej tyre e qëllon me pistoletë për vdekje në gjoks, madje disa herë. Po të mos ishim duke ndjekur lajmet, ajo skenë mund të merrej fare mirë si e riprodhuar nga ndonjë film artistik, mbas së cilës mund të përsiatje se regjisori e kishte tepëruar, nga që viktima qe e shtrirë për tokë, pra e neutralizuar, e pafuqishme të rrezikonte ndokënd, aq më tepër policët e fuqishëm e të armatosur deri  në dhëmbë. Gjithë sa u shfaq në ekran qe aq e tmerrshme sa sikur nuk doje që t’iu besoje as syve të tu. Por, kur informohesh se gjithë sa më sipër ndodhi në mes të qytetit, në Baton Ruzh, Luisiana, të martën e 5 korrikut, në mesnatë; se polici qe i bardhë e viktima me ngjyrë, përjetimi e vlerësimi për të ndryshon, merr përmasa të tjera. Skena qe me të vërtetë tronditëse që të “vriste” shpirtërisht, sado për trim e gjakftohtë që mund ta mbaje veten.

Ngjarja në fjalë ngjalli menjëherë reagimin e komunitetit me ngjyrë por, jam i sigurt se do të marrë përmasa edhe më të mëdha. Këtë shqetësim e shprehën edhe autoritetet zyrtare vendase si guvernatori Xhon Bel Eduards dhe kryetari i bashkisë se Baton Ruzhit, Kip Holden që bënë thirrje për protesta paqësore, se videoja e transmetuar, pohuan ata, qe me të vërtetë tronditëse.

Nuk është hera e parë që policët e bardhë vrasin persona me ngjyrë, në rrethana që nuk e përligjin përdorimin e armës, si Erik Garnerin, në Stejt Ailënd dhe Akai Gurlein nga Bruklini, Nju York; Majkëll Braunin,  në Ferguson, Misuri; Ualter Skotin, në Cerleston të Karolinës së Jugut; Fredie Grejin në Baltimore, e gjetkë. Pyetja e parë që të vjen ndëmend pas kësaj kronike është se si ka mundësi që të veprohet kështu kur lotët e nënave të viktimave dhe gjurmët e protestave mbarë popullore ndjehen akoma për shumë ndodhira të tjera si kjo?! Unë nuk kam akoma asnjë informacion të hollësishëm e të saktë se kush ishte 37 vjeçari Alton Sterling, përveçse nga sa është thënë në media, se ishte një hallexhi, që shiste video për të përballuar jetesën. Por, pavarësisht nga kjo, përderisa ai nuk rrezikonte kërkënd, edhe sikur të qe i armatosur,  me që policët tashmë e kishin vënë për tokë, në asnjë mënyrë nuk përligjet veprimi i tyre. Tjetër punë sikur të dy palët të qenë në një konfrontim ballas e viktima të qe si ata, me armë në dorë e gati për t’i qëlluar. Unë nuk jam jurist e nuk i njoh thellë ligjet për të shtjelluar më tej se deri ku arrin kompetenca e policit në rrethana të tilla, por kaqë gjë e di që prej shumë kohësh: kundërdshtari, qoftë ai edhe armiku yt, në fillim neutralizohet duke e qëlluar në këmbë apo pjesë të tjera të trupit dhe vetëm kur ai kundërvepron e rrezikon të vrasë të tjerët, mund ta qëllosh për vdekje, siç edhe ka ndodhur në shumë raste e nuk ka ngjallur asnjë reagim, se gjithçka ka qënë brenda ligjit e rregullave. Por, për ngjarjen në fjalë puna ndryshom krejtësisht. Më besoni se ajo më ka prekur e indinjuar aq thellë sa jam gati të shkoj e të bashkohem me protestuesit, sikur të kisha mundësi.

Fakt është se dhuna me armë në SHBA, apo dhe në vende të tjera, ka marrë përmasa shqetësuese. Sipas “Uashington Post”-it, vetëm këtë vit, në SHBA, janë vrarë nga policët 505 persona. Pa mëdyshjen më të vogël duhet thënë se shumica e viktimavë përbënin rrezik për të tjerët. Policët pra, kanë kryer detyrën e tyre dhe për këtë askush nuk mund të kundërshtojë. Disa syresh e kanë paguar me jetë betejën me keqbërësit. Unë kam ndjerë të njëjtën dhimbje dhe kur u vra polici Brajan Mur, vitin e kaluar ndërsa patrullonte në Quins apo dhe për oficerët Rafael Ramos e Venjian Liu në Bruklin, më 2014. Por, siç pohonte një e përditëshme e NY këto ditë, ndërsa për vrasjet e policëve nga civilët, analizat e vlerësimet janë të qarta se kush është fajtor,  kur policët vrasin civilët situata shpesh paraqitet tepër e errët..

Ajo që më shqetëson më shumë për gjithë sa më sipër e që më shtyu të shkruaj këto radhë, është mëdyshja që kam në vetvete, siç e kam pasur dhe për vrasjet e tjera që përmenda më lart: a do ta kishin vrarë, në atë mënyrë policët e bardhë sikur Alton Sterlingu të mos qe me ngjyrë?

Unë e bëj këtë pyetje jo pa qëllim. Edhe herët e tjera, protestuesit e të gjitha niveleve, kanë ngritur zërin se policët e bardhë kanë vrarë jo thjesht se viktimat i kanë rrezikuar ata apo të tjerët, por edhe të shtyrë nga një dozë urrejtjeje apo paragjykimi racor. Mos po bije dhe unë në pozitat e paragjykimeve të tilla? Jo, këtë e kanë pohuar dhe vetë autoritetet e Policisë, jo vetëm të Nju Yorkut ku banoj, por edhe më gjerë se nuk mbahet përherë i njëjti qëndrim ndaj shkelësve të Ligjit, si për të bardhët dhe për ata me ngjyrë. Madje, disa kohë më parë, gazetat e jepnin edhe me përqindje këtë dallim. Veç, të jemi realistë: përveç statistikave të policisë, nuk është e vështirë të konstatohet se në pjesën më të madhe të rasteve, shkeljet e ligjit, qoftë edhe në rrugë, në Sabuej apo mjedise të tjera publike, bëhen nga ata me ngjyrë dhe kjo ka spjegimin e vet. Mjafton të përmend me këtë rast një shifër që flet shumë: ndërsa ky grup shoqëror përbën rreth 12 përqind të popullsisë së SHBA-së, në burgjet e krimeve të rënda ata përbëjnë 70 deri 80 përqind. Rrënjët e kësaj tabloje janë të shumta e të thella, shtjellimi i të cilave del jashtë caqeve të këtij shkrimi. Por, unë e bëra këtë parantezë që, kur gjykojmë një ngjarje, për më tepër një vrasje si ajo që përmenda në fillim, duhet të jemi realistë e tepër të kujdesshëm. Veçanërisht policia duhet t’i hapë sytë mirë se me veprimet e saj të gabuara, dashje apo pa dashje, ka çuar ujë në forcimin e psikozës se ndaj pakicave zbatohet një politikë raciste, në vend që të jepte prova për të kundërtën. Përndryshe, haraçi ka për të qënë i madh, siç edhe ka ndodhur deri tani. Duke vrarë egërsisht një të pafajshëm, ata na kanë vrarë shpirtërisht të gjithëve, e kjo nuk është pak.

7 korrik 2016

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Andon Dede, Vrasje që “vret”

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT