• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ÇFARË NDODH NË KABUL KA TË BËJË EDHE ME NEVE

July 17, 2021 by s p

Nga ANGELO PANEBIANCO-Perktheu per Diellin-Eugjen MERLIKA/

Kabuli si Saigoni? Më 1975, mbasi kishin dalë të mundur nga një luftë tepër e gjatë, amerikanët  ishin tërhequr. Regjimi komunist i Vietnamit të Veriut, mbasi theu qëndresën e dobët të vietnamitëve jugorë, zotëroi Saigonin, kryeqytetin e Jugut.

Pasojat e atij dështimi do të ishin shfaqur gjithandej. Pesë vitet pasuese do të shihnin Bashkimin Sovjetik në sulm shumë ballor nga Afrika n’Amerikën Latine, n’Evropë: kjo e fundit do të vihej nën trysni të sovjetikëve në rrafshin ushtarak (me vendosjen e raketave SS20 të drejtuara). Thyerja në Vietnam, duke lajmëruar botën se Amerika ishte atëherë më e dobët, do të kishte për Evropën edhe të tjera pasoja. Do t’i jepte më tepër fuqi ndjenjave kundëramerikane që, në kontinentin e vjetër ishin një trashëgimi e lëvizjeve studentore të fundit të viteve gjashtëdhjetë. Ishte epoka  në të cilën në Francë e veçanërisht n’Itali, partitë komuniste bëheshin më të forta nga ana zgjedhore. Në sajë të humbjes në Vietnam, së cilës i shtoheshin kriza ekonomike dhe skandali i Watergate-tit, Amerika dukej se ishte në një fazë rënieje të shpejtuar e të pakthyeshme. Për të lidhur atë të shkuar me të tashmen tonë kujtojmë dhe një tjetër thyerje përvëluese amerikane të atherëshme: revolucioni komeinist në Iran më 1979, i pasuar nga bëma poshtëruese e pengjeve të Ambasadës amerikane në Teheran.

Vetëm kur do të bëhej president Ronald Reagan më 1981, era do të ndërronte drejtim, Amerika do të rimerrte nismat, do të fillonte të kundërshtonte fuqishëm dredhitë e Bashkimit Sovjetik në fushat e ndryshme e më së fundi  do t’a thyente.

Sot rrethanat janë mjaft të ndryshme por duhet shumë sipërfaqësi për të besuar se nëse talebanët do të merrnin gjithë Afganistanin si vazhdim i tërheqjes amerikane, kjo do të kishte pasoja (sigurisht të tmerrshme, siç e dimë të gjithë) vetëm për afganët. T’a zemë se Afganistani nuk do të bëhet si shumë Shtete të dështuara, teatër i një përplasjeje, të paracaktuar të zgjasë me vite të tëra ndërmjet një shumësie tarafesh të financuara nga rusët, nga turqit, nga iranianët etj. t’a zemë se me të vërtetë talebanët arrijnë të bëhen përsëri zotër të gjithë Vendit. Do të zbulojmë se Kabuli është shumë më pranë nesh nga sa mendojmë. Sepse një fitore talebane n’Afganistan do të kishte jehona miratuese në të gjithë galaktikën e skajshmërisë islamike, do të elektrizonte të gjitha kokat e nxehta në qarkullim nga Indonezia në Tunizi, nga Afrika Subsahariane n’Evropë. Do të bëhej një instrumet i fuqishëm propagande dhe rekrutimesh për Al Qaedën, Shtetin islamik, dhe të gjithë grupet terroriste të birësuar, “prova” që  të pafetë mund të thyhen e të nënështrohen gjithkund. Biden-i dhe bashkëpuntorët e tij e kanë menduar këtë? Sigurisht që po, por për çastin sillen sikur ajo gjë nuk ka të bëjë me ta.

Sigurisht, ka të bëjë me ne evropianët, shumë më tepër të vënë në pah ndaj sfidës islamiste se amerikanët. Kërcënimet Italisë së këtyre ditëve (“do të marrim Romën”) për fat të keq nuk janë folklor apo një shaka vdekësore: ekstremizmi islamik ushqehet nga një ndërpretim i fesë së tij për të cilën “Roma kryqtare” dhe Italia domosdoshmërisht do të bëhen shpejt a vonë një territor i islamit. Por e gjithë Evropa është tokë pushtimi.

Kemi qënë shumë që morëm frymë thellë kur Trump-i u mund nga Biden-i. Presidenti i mëparshëm, me sulmet e tij kundrejt Evropës po e coptonte gjithshka që mbetej nga aleanca perëndimore. Kemi qënë shumë duke thënë: më së fundi, me Biden-in Amerika u kthye. Tani është koha të fillojmë të pyesim veten: ku po shkon saktësisht Amerika? 

Mbi të gjitha sa mund të mbështetemi ne evropianët mbi ndihmesën amerikane përballë kërcënimeve më të rënda për sigurinë tonë?

Përparësia amerikane, është mjaft e qartë, është shemëria me Kinën për parësinë ndërkombëtare. Kjo përsiat zhvendosjen e bariqendrës së pushtetit botëror nga Atllantiku në Paqësor. Biden-i, është e vërtetë se po përballet me Putinin, po i thotë qartë se amerikanët nuk do t’u lejojnë rusëve të tjera Krimera. Dhe është gati t’i përgjigjet çdo goditjeje nëse agresionet e vazhdueshme e tashmë shumë të rënda të hackerve rusë kundrejt institucioneve perëndimore (ndërmarrje, zyrat shtetërore, etj) nuk do të ndërpriten. Kjo është një gjë shumë e mirë për Evropën. Është e qartë edhe se Biden-i, i zotuar në një garë fuqije me Kinën, është i gatshëm të bisedojë për një marrëveshje me Putinin, nëse ky i fundit do të tregohej i arsyeshëm. Edhe kjo shkon mirë. Por ka një por. Në marrëveshjen e mundëshme a do të bëjë pjesë edhe pranimi nga ana amerikane i pozitave, tashmë të fituara, nga rusët në Libi e në përgjithësi në Mesdhe? Ky, natyrisht do t’ishte një lajm shumë i keq për ne evropianët.

Çfarë ka ndërmënd të bëjë Administrata amerikane për të kundërshtuar politikën neo – imperialiste të sulltanit Erdogan në Libi e në Vënde të tjera? Do të lejojë që Mesdheu të kthehet në një det ruso-turk? 

Së fundi, nëse, siç është e mundur, mbasi të ketë rënë Kabuli, skajshmëria islamike, që sot mjaft e fuqishme në Sahel e në vënde të tjera, do të fuqizohej akoma më shumë, administrata do t’a quante të mjaftueshme veprimin e kundërshtimit që ushtron sot në Afrikë dhe në Lindjen e Mesme (me dronë, operacione të mbyllura etj)?

Kur të kemi pranuar se Evropa e vetme nuk ka forcat për të përballuar sfidat e ndryshme që hasen, pyetja bëhet: çfarë pushteti kontraktual do të kenë evropianët në vitet e ardhëshme, për të nxitur amerikanët t’i qëndrojnë besnikë deklaratave pak a shumë solemne, simbas të cilave kërcënimet kundrejt Evropës nuk janë vetëm një problem i yni, por edhe një problem i tyre?

Nga një anë është retorika, madje shumë e mirë, mbi nevojën e një të madhes “aleance të demokracive”, për të kundështuar autoritarizmat. Nga ana tjetër, veprimtaria politike e përditëshme e kryer nga zgjedhje e jo zgjedhje të vazhdueshme. Është një hall nëse këto dy përmasa të politikës largohen shumë prej njëra tjetrës.

“Corriere della Sera”, 13 korrik 2021    Përktheu Eugjen Merlika   

Filed Under: Analiza Tagged With: ANGELO PANEBIANCO, Eugjen Merlika, Kabuli

TANI AMERIKA DUKET MË PRANË

December 19, 2020 by dgreca

Nga ANGELO PANEBIANCO

Është diçka më pak se një projekt por, duke mbajtur parasysh autoritetin e burimit, është më shumë se një urim i thjeshtë. Presidenti i ri Joe Biden ka njoftuar se don t’organizojë një takim të nivelit të lartë të demokracive në një datë ende të papërcaktuar të vitit 2021. Qëllimi është t’i japë jetë një bashkërendimi botëror të demokracive të Planetit, (sido që të quhet lidhja e demokracive ose forumi demokratik). Natyrisht, lajmërimi është kryesisht një lëvizje kundër Trump, një mënyrë për t’i thënë pjesës tjetër të botës: muzika ka ndryshuar. Trump-i në sjelljen me Shtetet e tjera ishte i pandjeshëm ndaj regjimit të tyre politik, nuk bënte ndryshim. Vlenin  vetëm dobitë që mund të kishin Shtetet e Bashkuara. Biden-i thotë: kthehemi në të hershmen, Washingtoni do të rifillojë të bëjë dallim ndërmjet Vëndeve, simbas regjimit politik të tyre e të parapëlqejë marrëdhëniet e bashkëpunimit me demokracitë. Vullneti i shpalosur në dobi të një aleance të madhe ndërmjet demokracive, është krushqizuar me atë, shpesh herë të përsëritur  të dëshirës për të përforcuar – mbas furtunës Trump – marrëdhëniet e miqësisë me partnerët tradicionalë, së pari evropianët. Duke lënë mënjanë propagandën, a do të ketë rikthime praktike? A është e mundur t’i jepet jetë lidhjes së demokracive? Makar në gjëndje të lejojë një bashkërendim më të madh në selinë e OKB, e të krijojë në përgjithësi një front të bashkuar kundrejt fuqive autoritare?

Sigurisht vlejnë edhe traditat kulturore. Në rastin e Biden-it  luan një rol trashëgimia e ndërkombëtarizmit wilsonian. A world safe for democracy, një botë e sigurtë për demokracinë: me këto fjalë presdidenti Wodrow Wilson njoftoi më 1917 hyrjen në luftë të Shteteve të Bashkuara. Ideja që Amerika duhet të punojë për të favorizuar demokracinë  në botë (një aspiratë bujare për sipmatizantët, maska hipokrite e imperializmit yankee për kundërshtarët) u bë që atëherë pjesë e pandarë e traditës demokratike amerikane. Me kohë infektoi dhe republikanët. Të mendojmë reganizmin por edhe Georg Bush të riun dhe “eksportimin e demokracisë” të tij, në kohën e luftërave të Afganistanit e të Irakut.

Përveç traditave vlejnë edhe rrethanat në të cilat qeveritë veprojnë herë herë. Është e mundur se nëse investon kohë e durim diplomatik, Biden-i mund të arrijë të thërrasë një tubim të demokracive. Nërsa ka pak gjasë që të mund të lindë një organizëm politik jetësor (lidhja e demokracive). Cilatdo qofshin ndajafërsitë ndërmjet tyre, demokracitë, në shumë drejtime, kanë interesa të papërputhëshme në mos, haptas të ndryshme. Ka shumë ndasira, aktuale apo të pritëshme. Për t’u kufizuar tek evropianët, mjaft të vërehet se sa të mundimëshme janë ujditë në selinë e Bashkimit evropian. Janë pastaj dosie të hapura me Shtetet e Bashkuara, si në fushën tregtare ashtu dhe n’atë strategjike. Nëse duam të jemi ndjellamirë mund të hamendësojmë që – mbasi kaloi faza e kombëtarizmit agresiv të Trump-it – bisedime shumë të vështira dhe zotuese mund të sheshojnë kundërshtitë tregtare.

Në fushën  strategjike gjërat janë shumë më të ndërlikuara. Për shembull, demokracitë aziatike, nga Japonia në Hindi, të tmerruara nga dëshirat ekspansioniste të Pekinit, janë  dukshëm më të prirura të mbështesin një politikë amerikane të “përmbajtjes” së fuqisë kineze, më shumë se demokracitë evropiane. Për më tepër, nuk duket që në këtë çast opinionet publikë evropianë të ndihen në ndonjë mënyrë “të rrezikuara” nga zgjedhjet kineze të politikës së jashtëme. Edhe n’epokën e komunikimeve globale dhe të çastit vlejnë ende largësitë dhe afërsitë gjeografike. Fuqia autoritare gjeografikisht më e afërt shtin frikën më shumë se ajo m’e largëta.

Është një nga arsyet për të cilat argumentet më të “ndjeshëm” për demokracitë evropiane kanë të bëjnë me NATO-n, marrëdhëniet me Rusinë, Lindjen e Mesme. Trump-i kërkonte evropianëve një përpjekje më të madhe financiare për mbrojtjen e përbashkët. Sigurisht Biden-i do t’a përsërisë kërkesën. Nuk do të jetë e lehtë për t’i dhënë të kuptojnë opinioneve publike evropiane se, si për vaktet e të ngrënit, edhe siguria e përbashkët nuk është falas e nëse duhet të shpëtojmë NATO-n, (në pritje të së famëshmes “mbrojtje evropiane” – prit gomar të mbijë bar – ) do të ketë flijime të nevojshme. Me që ra fjala, çështja e NATO-s ka rëndësi edhe në një tjetër kah: bën pjesë, formalisht një Shtet, Turqia, e zotuar në një politikë shtrirëse që e vë në kundërshtim me Evropën. Edhe sa kohë do të duhet në selinë e NATO-s të shtiremi se nuk e shohim problemin? Pastaj natyrisht është Rusia, fuqi ekonomikisht në rënie, por megjithatë (ose ndoshta pikërisht në sajë të saj) e zotuar në sulme neo – imperialiste në Evropën e Lindjes dhe në Lindjen e Mesme. Është e zotuar të shtojë me çdo mjet (përfshirë dhe sulmet informatike) aftësinë e ndikimit mbi Evropën. Një “ves” ky – imperializmi rus – që daton nga koha e carëve: Vladimir Putin që, në ndryshim me mjaft evropianë, e njeh hostorinë, jo rastësisht pak kohë më parë, ka thënë se frymëzohet nga cari Pjetri i Madh. Për një Amerikë të zotuar në përmbajtjen e kinezëve do t’ishte e vështirë të bënte të njëjtën gjë kundrejt rusëve. Për më tepër, nuk është aspak e sigurtë që demokracitë evropiane do t’a ndiqnin në mënyrë kompakte.

Në të hamendësuarin takim të nivelit të lartë, ne italianët, do të duhej t’i kërkonim amerikanëve një prani më vepruese në Lindjen e Mesme e të Afërme, për të përmbajtur rusët e turqit që tashmë fushojnë (Libia) në derën e shtëpisë sonë. Sa gjasë do të kemi për t’u dëgjuar?

Nuk do të lindë një lidhje e demokracive. Por mund të përforcohen lidhjet e vjetra. Siç ka vërejtur Jan Bremmer (Corriere 12 dhjetor), rendi liberal botëror i ndërtuar nga demokracitë, prej kohësh është në tërheqje e do të duhen shumë mundime për t’i ridhënë hov. E vështirë por jo e pamundur. Megjithë të metat e tij të shumta, ai rend ruan ende aftësinë për të përhapur në botë shpresa e vullnet imitimi, një aftësi që asnjë regjim autoritar zotëron. Si në Berlinin e kohëve të luftës së ftohtë: kalohej muri për të shkuar në Perëndim, kurrë në drejtimin e kundërt.

“Corriere  della Sera”, 15 dhjetor 2020       Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Amerika me prane, ANGELO PANEBIANCO, Eugjen Merlika

MIKLIMET N’EVROPË MBI SHTETET E BASHKUARA TË BIDEN-IT

November 15, 2020 by dgreca

Nga ANGELO PANEBIANCO/

E përktheu nga Corriere della Sera” Eugjen Merlika /

Përgjigje ende nuk ka. Por ndoshta, të paktën mund të hartohen pyetjet e drejta.

Çfarë pëfaqëson për ne evropianët kryesia Biden? Është faqja amerikane e medaljes dhe ajo evropiane. Bëhet fjalë, në rradhë të parë, të kuptohet nëse Administrata Biden do të ketë apo jo fuqinë për të qepur lidhjet ndëratllantike të shqyera nga kombëtarizmi trumpian. Nuk do të kishte vetëm pasoja për politikat e brëndëshme, por edhe për marrëdhëniet ndërkombëtare të Amerikës nëse, simbas shumë parashikimeve , Biden-i do të vërtetonte se do t’ishte një president i dobët, një mbret tra i hollë, i pazoti të përballë sa skajshmërinë e “radikalëve”(krahut skajor të së majtës) të partisë së tij, po aq sa dhe republikanët pro – Trump. Kush e di? Ndoshta parashikimet nuk do të dalin të sakta e Biden-i nuk do të shkojë të zgjasë listën e presidentëve të dobët të historisë amerikane. Ndonjë herë është detyra e marrë përsipër që i jep shtysën një njeriu. Në rradhë të dytë duhet të kuptohet se si do të zhvillohen marrëdhëniet ndërmjet Administratës dhe Kongresit. Parashikimi I përgjithshëm është për një polarizim politik – që nga një anë përsiat e nga tjetra ashpërson, polarizimi I shoqërisë amerikane – që do t’a bënte shumë të vështirë çdo lëvizje të Administratës. Ndoshta po e ndoshta jo. Nuk është e sigurtë se do t’ishte një dëm për Biden-in nëse republikanët do të ruanin kontrollin e Senatit ( varet nga votimi i dytë në janar në Gjeorgji). 

Nuk është e pamundur që republikanë të ndryshëm, mbas humbjes së Trump-it, të jenë të gatshëm të shkëputen nga qëndrimet e tij. Nëse, mbas pak kohësh, do të dëgjojmë Trump-in të shajë “tradhëtarët”, do të thotë se së paku një pjesë e republikanëve do të jetë ripozicionuar në pritje të një riorganizimi të partisë. Nuk duhet harruar se pavarësisht nga pasuesit e shumtë që ka, Trump-i është gjithsesi një i mundur (a do të kishtë qënë kështu pa Covidin?) dhe humbja shtyp e dobëson karizmën e humbësit. Në këto kushte, një kontroll republikan mbi Senatin dhe nevoja e traktativave të vazhdueshme ndërmjet Administratës e senatorëve republikanë do të mund të ndihmonin Biden-in t’a mbante drejt timonin e politikave të tij, duke mbajtur larg krahun e majtë të Partisë demokratike.

Në çdo rast, është e dukëshme që Biden sidoqoftë i leverdis Evropës. Do të mundohet të qepë marrëdhëniet ndëratllantike, duke filluar prej atyre mes Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë. Për një Evropë që edhe mbas aqë thirrjesh nuk është në gjëndje të kujdeset për sigurine e saj, ky sidoqoftë është një lajm i mirë. Por nuk duhen bërë shumë miklime. Lidhjet ndëratllantike janë të domosdoshme për Evropën por, me gjasë, nuk do të kenë më karakterin e dikurshëm. Është e vështirë që udhëheqja amerikane të jetë kaq e fuqishme dhe e efektëshme, siç ishte në kohën e luftës së ftohtë dhe ende më tepër, në periudhën “njëpolare” (dhjetëvjeçarët që pasuan fundin e Bashkimit Sovjetik).

Rënia relative e fuqisë amerikane (shprehje të së cilës, në mënyra të ndryshme, kanë qënë si presidenca Obama po ashtu si dhe ajo Trump) ndoshta mund të ngadalësohet nga Biden-i. Por është e pamundur të ketë ndryshim prirjeje. Kemi hyrë, për të qëndruar, në një epokë shumë polëshe: sot lëvizin në mënyrë të pavarur disa fuqi të mëdha e të mesme, siç nuk do të kishin mundur t’a bënin n’epokën e mbizotërimit amerikan dhe ushqejnë ëndrra rish-perandorake. Qepja e lidhjeve ndëratllantike, megjithëse e domosdoshme, nuk do të mjaftojë të sigurojë Evropën përballë belegëve e rreziqeve të shumëpolësisë së re.

Faqja tjetër e medaljes lidhet me atë që mund të bëjë në këto kushte Evropa. Mund të thuhej: mos pyet se çfarë mund të bëjë Amerika për Evropën. Pyet se çfarë mund të bëjë Evropa për vetveten dhe botën perëndimore në tërësinë e saj. Edhe këtu përgjigjet e mundëshme janë mjaft të ndryshme. Le të marrim vetëm temën e sigurisë. Ndjellamirët përfytyrojnë një Evropë që, e vetëdijshme për rreziqet dhe për faktin se një aleancë e ripërtërirë me Shtetet e Bashkuara, nuk do të mjaftojë për të garantuar sigurinë, do të rimarrë shpejt udhën e bashkimit politik, me të gjitha pasojat e nevojshme: edhe me themelimin e “aparateve” t’efektëshme evropiane të forcës që të përforcojnë ose t’i qëndrojnë krah për krah ndihmesës evropiane për NATO-n. Por sa realiste është shpresa e ndjellamirëve? Për shembull, cili politikan do të shkojë e t’u tregojë votuesve evropianë, duke mbajtur ndonjë shpresë t’arsyeshme për t’u rizgjedhur, se ata duhet të heqin dorë nga një pjesë e mirëqënies për të financuar “mbrojtjen evropiane”? Për më tepër: fuqia kryesore ushtarake e Evropës, Britania e Madhe, ka braktisur Bashkimin ndërsa Vëndi më i fuqishëm ekonomikisht, Gjermania, (mbas tre të katërtat të shekullit) nuk ka kaluar ende traumën e nazizmit e të luftës së Dytë botërore. Italia – Vëndi tjetër i mundur në luftë – nuk është më mirë. Mbetet vetëm Franca. Është i vetmi Shtet evropian – siç dëshmon prova e forcës me turkun Erdogan – i aftë t’i kundërvihet jo vetëm me lloqe kërcënimeve të mujsharëve. Ose që së paku përpiqet. Por nuk është realiste të përfytyrohet një Evropë që, në fushën e sigurisë të struket mbas Francës ose të pranojë me qejf një bashkëzotërim franko-amerikan. Mungojnë kushtet për të rigjetur, duke i a përshtatur kohëve, siç do të dëshëronte Macroni (por pa kundëramerikanizmin e de Gaulle-it) ëndrrën e lashtë goliste të një zotërimi francez mbi kontinentin e Vjetër.

Qepja e lidhjeve ndëratllantike i shërben përfytyresës ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara, sigurisë së Evropës edhe shëndetit të mirë të shoqërive liberale (perëndimore. Por nuk mjafton. Do të duhej edhe një përpjekje e Evropës që nuk duket se ka rezervat e nevojshme morale e psikologjike. Ngritja e problemit është e thjeshtë. Zgjidhja nuk është ashtu.

!Corriere della Sera”, 10 nëndor 2020      E përktheu Eugjen Merlika      

Filed Under: Analiza Tagged With: ANGELO PANEBIANCO, Eugjen Merlika, Fitorja e Biden, Miklimet

SI I SHEH EUROPA ZGJEDHJET NË SHBA

September 15, 2020 by dgreca

VOTA NË SHTETET E BASHKUARA DHE AMERIKA QË I DUHET EVROPËS–

Nga Angelo Panebianco*-

 E përktheu nga “Corriere della Sera” Eugjen Merlika* –   

Në zgjedhjet, përfundimi i të cilave do të ndikojë fatet e botës për shumë vite që vijnë, asgjë nuk duket më e paparashikueshme dora dorës që shkon përpara fushata zgjedhore. Kandidati demokrat Joe Biden është ende më përpara (duke qëndruar tek hulumtimet) por presidenti në fuqi Donald Trump është duke marrë veten. Ndoshta, së paku pjesërisht, sepse kryengritjet qytetare të këtyre muajve kanë tmerruar shumë njerëz. Për të patur të qartë se cila është rëndësia e dukurisë duhen mbajtur parasysh dy parakushte. I pari është që një evropian, i vënë përballë votimeve amerkane, duhej vetëm të pyeste se cili do t’ishte për ne evropianët, përfundimi më i mirë. Nuk e kuptojnë në Kontinentin e Vjetër, as ata që përkrahin Trump-in sepse ndjehen ideologjikish afër tij, as ata që parapëlqejnë Biden-in për të njëjtën arsye. Parakushti i dytë është që ai që vlerëson rendin liberal (demokracinë përfaqësuese, ekonominë e tregut, liritë qytetare) që është i pranishëm në botën perëndimore që nga fundi i luftës së Dytë botërore, duhet të dijë se ai rend mund të vazhdojë vetëm nëse mbeten disa kushte kulturorë, shoqërorë, ekonomikë.  Por edhe gjeopolitike: vendimet e ardhëshme të Shteteve të Bashkuara do të ndikojnë fatet e rendit liberal perëndimor, do t’i japin ndihmesën e tyre vazhdimit apo shkërmoqjes së tij. Dikush thotë me të drejtë  se, në kundërshtim me atë që shumë pohojnë, politika e jashtëme e Trump-it (e vetmja me të cilën merrem) nuk është në tërësi një shumë gabimesh. Ka fusha në të cilat Trump-i ka ndrequr gabimet e para-ardhësit të tij Barak Obama. Për shëmbull, ballafaqimi i ashpër i Trump-it me një Kinë që për shumë kohë ka luajtur në shfrytëzimin (e vazhdon të luajë ende sot) e dobësive të botës perëndimore, nuk meriton të trajtohet me mospërfillje: në marrëdhëniet mes Perëndimit dhe Kinës ka një problem të vërtetë e Trump-i ka meritën t’a ketë ngritur e të ketë vepruar rrjedhimisht. Gjithënjë në meritë të Trump-it mund të përmëndet kthesa në Lindjen e Mesme mbi një krifë tejet të brishtë: pozicionimi i ri i Shteteve të Bashkuara (në të vërtetë një kthim në të hershmin) sa i përket ndarjes mes myslimanëve sunitë e shiitë. Dy para-ardhësit e tij – Bushi me luftën në Irak që shliroi shumicën shiite nga tirania e një pakice sunite, e Obama me traktatin bërthamor me Iranin – kishin zgjedhur të bisedonin me shiitët në dëm të aleancës më të hershme e tradicionale me botën sunite. E vlerësuar në distancë, kjo përmbysje aleancash nuk duket se ka pjellë të mirat që priteshin, nuk ka shërbyer për t’i dhënë më shumë qëndrueshmëri rajonit dhe as për të nxjerrë përfundimisht jashtë loje xhihadizmin sunit. As nuk ka pakësuar kërcënimet kundrejt qënies së Izraelit. Ndërsa, politika e Trump-it duket se ka dhënë disa frute të rëndësishme: më i rëndësishmi ka të bëjë me ndihmesën për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Izraelit dhe Emirateve arabe (të cilave tani u është shtuar edhe Bahrejni), një ndodhi që mund t’i prijë afrimeve të mëtejshme ndërmjet Izraelit dhe fuqive sunite (me përjashtim të Turqisë). As njohja e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit nga ana e Trump-it, që shkandulloi aq shumë në kohën e vet evropianët, ka penguar këtë shtjelli dobiprurëse.

Nëse duam t’i japim Trump-it atë që është e Trump-it duhet të pranojmë se këto vështrime të politikës së tij meslindore – njësoj sikurse politika e tij kundrejt Kinës – janë ndjellamira e nuk meritojnë përçmimin që u kushtojnë atyre shumë prej kundërshtarëve të tij. Duhet shpresuar që një Administratë e mundëshme Biden të mos kushtëzohet nga humoret kundër-izraeliane të krahut më të majtë të Partisë demokratike e të mos punojë  për të ndaluar ato zhvillime. Gjithënjë në lidhje me zhvillimet në Lindjet e Afërta e të Mesme, mbasi thuhet se politika e Trump-it nuk ka shkëlqyer – madje ka dështuar: të mbahet parasysh egërsia me të cilën i ka kthyerkurrizin kurdëve – në Siri, ashtu si dhe Libisë, duhet t’i njohim faktorët lehtësues: Trump-i nuk arriti të ndreqë gabimet e rënda të kryera, në lidhje me Sirinë e Libinë nga para-arshësi Obama. Mbas kësaj duhet të shtojmë se meritat dhe lehtësimet mbarojnë këtu. Mbrapa fillon lista e gjatë e veprimeve të padenja (nga pikpamja e interesit perëndimor). Trump-i, me një stil të ndryshëm nga Obama, por në thelb të njëjtë me Obamën, nuk ka reshtur t’i bëjë të njohur botës se Amerika është zotuar t’a zvogëlojë rolin e saj ndërkombëtar. Kjo gjë ka hapur orekset e fuqive të tjera të mëdha (Rusia, Kina) e të fuqive rajonale (si Turqia e Erdoganit). Me që ra fjala, shpejt a vonë, SHBA duhet të vendosin se çfarë do të bëjnë me Turqinë, njëherësh antare të NATO-s e tashmë armike të botës perëndimore. A do t’i a lenë vetëm Francës të përballojë synimet perandorake të Erdoganit?

Duke vazhduar padinë e listës së vështrimeve negative, duhet kujtuar se kanë mbetur të errëta (pra të rrezikëshme) marrëdhëniet ndërmjet Trump-it dhe Rusisë së Putinit. Si për Lindjen e Afërt apo të Mesme apo marrëdhëniet me Rusinë, flitet për gjëra që prekin interesat e ne evropianëve. Ashtu sikurse na përket, duke na destabilizuar, kombëtarizmi trampian, me pasojat e tij rrënuese: ndeshja me Gjermaninë, armiqësia kundrejt Bashkimit evropian, polemikat mbi rolin e NATO-s, më në përgjithësi sulmi kundrejt institucioneve shumëkahëshe të krijuara nga Shtetet e Bashkuara mbas vitit 1945.

Të hamendësojmë se faktikisht politika e jashtëme e Trump-it është vërtetimi më i pakundërshtueshëm se koha e mbisundimit ndërkombëtar të Amerikës të ketë mbaruar, cilido t’i fitojë zgjedhjet e ardhëshme presidenciale, që rënia (relative) e Shteteve të Bashkuara tashmë është e pakthyeshme. Është shumë e mundur. Por pyetja atëherë shtrohet: rënia amerikane, vjetrimi i NATO-s, e të tjera mund të vijnë pa prekur rendin liberal tek ne n’Evropë?

Me të vërtetë ka ndonjë që beson se Bashkimi evropian do të mundë në kohë të shkurtëra, të zëvendësojë Shtetet e Bashkuara, të bëhet një digë e fuqishme dhe e pavarur e atij rendi liberal të mbështetur deri pak kohë më parë nga fuqia amerikane? Ndoshta një Biden në Shtëpinë e Bardhë nuk do t’ishte i aftë rë riqepë marrëdhëniet me evropianët, t’i rijapë fuqi e vrull rendit liberal perëndimor. Është e mundur. Por ajo që me Biden-in është një mundësi, kthehet në një siguri në rastin e rizgjedhjes së Trump-it. Nuk është e vështirë për t’u kuptuar se çfarë u leverdis evropianëve.

*“Corriere della Sera”, 13 shtator 2020      E përktheu Eugjen Merlika    

Filed Under: Opinion Tagged With: ANGELO PANEBIANCO, Eugjen Merlika, Zgjedhjet ne SHBA

SINDROMA SIRIANE NË LIBI

December 23, 2019 by dgreca

NGA ANGELO PANEBIANCO/

E përktheu nga Corere della Sera Eugjen Merlika/

            Po të mos besonim se historia e shkuar kushtëzon të tashmen, mund të thonim “më së fundi më mirë vonë se kurrë” përballë takimit pak ditë më parë ndërmjet Conte-s, Merkel-it dhe Macron-it mbi gjëndjen në Libi. Libia vë një problem të ngutshëm e të rëndë sigurie për Evropën. Do të dukeshin lajme të mira si fundi i shemërisë që, deri dje, kanë ndarë Italinë e Francën, si vendimi i Italisë, Francës e Gjermanisë (të cilave do të duhej t’u shtohej Britania e Madhe) për të bashkërenduar përpjekjet për të ndihmuar një zgjidhje të bashkëbiseduar që të paqëtojë e të mbajë të bashkuar Vendin afrikan. Por dukjet gënjejnë, historia e shkuar peshon dhe ka pak hapësirë për optimizëm. As përsa i përket s’ardhmes së Libisë as përsa i përket (edhe përtej rastit libik) aftësisë së qeverive evropiane të bashkërendohen me sukses për të përballuar kërcënimet  në rritje ndaj sigurisë së kontinentit të vjetër. Takimi ndërmjet (pa) fuqive kryesore evropiane është shenja e dobësisë së tyre. Rusët dhe turqit po na e “vjedhin” Libinë: jo vetëm ne evropianëve por edhe amerikanëve, përgjegjësit e parë, në sajë të arratisjes së tyre strategjike, për atë që ka ndodhur në Siri e për atë që po përsëritet në Libi. Secili është rreshtuar mbas klientit të tij vendas: zotëria e luftës, gjenerali Haftar, i mbështetur nga rusët dhe kryetari i qeverisë së Tripolit, al Sarraj i ndihmuar nga turqit.

            Edhe sikur të pranojmë se është e pamundur, siç mendojnë ekspertët, që Haftari të pushtojë Tripolin dhe pjesën tjetër të Vendit me armë, mbeten dy mundësi: ose lufta civile do të vazhdojë ende gjatë, qoftë edhe me vite, ose rusët e turqit do të gjejnë një marrëveshje edhe mbi Libinë (ashtu si për Sirinë), duke ndihmuar një zgjidhje të bashkëbiseduar që t’i japë fund luftës civile e që të mund të kënaqë interesat e të dy palëve (qoftë edhe me ndonjë dobi për të tjerë Vende të përfshira, nga Egjypti tek Katari). Në rastin e parë Libia do të mbetej një portë e hapur krejtësisht në dispozicion të trafikantëve të qënieve njerëzore e të terroristëve të vendosur të godasin Vendet evropiane. Në rastin e zgjidhjes së negociueshme mes turqëve e rusëve, kontrolli mbi burimet e rëndësishme energjitike dhe fuqia për të përdorur rreziqet e destabilizimit të Vendeve evropiane, për t’i përfrikësuar, do të jenë në dorë të fuqive kundërshtare t’Evropës.  Nuk është e tillë vetëm Rusia. Është edhe Turqia megjithë përpjekjen hipokrite perëndimore të shtirjes  se ende është një Vend antar i NATO-s, njësoj si gjithë të tjerët.

            Pikërisht sepse historia e shkuar peshon, kur flitet për Evropën vëmëndja përqëndrohet gjithmonë mbi problemet e qeverimit ekonomiko – financiar dhe mbi çështjet tregtare. Janë gjëra shumë të rëndësishme, sigurisht, mbi të cilat, nga ana tjetër ndarjet janë mjaft të forta sot n’Evropë. Luan megjithatë edhe një përsiatje e lashtë. Ka qenë një kohë në të cilën Evropa mund t’ishte vetëm “Evropë ekonomike” (vështrimet politike e të sigurisë i ishin përcjellur Shteteve të Bashkuara). Bota ka ndryshuar rrënjësisht, por po të gjykojmë nga disa lloje mbledhjesh të nivelit të lartë evropian, duket se drejtuesit dhe opinionet publike nuk e kanë pikasur këtë. Çështjet e sigurisë duhet t’ishin tani shqetësimi kryesor i Evropës, pika e parë në rendin e ditës në të gjithë takimet në selitë evropiane. Por evropianët nuk kanë qenë në gjëndje të gjejnë një qëndrim të përbashkët edhe për çështjen e foreign fighters (luftëtarët islamistë të kthyer, shumë prej të cilëve janë të gatshëm të bëjnë që të rrjedhë gjaku n’Evropë). Edhe çështja Brexit nuk duhet të shihet vetëm përsa i përket pasojave ekonomiko – financiare e tregtare. Fakti që fuqia e parë ushtarake evropiane (së bashku me Francën) po ikën nga Bashkimi nuk do t’a pengojë të bashkëpunojë me evropianët e tjerë në lëndën e sigurisë. Por e bën të dukshme kotësinë, s’po them për të ngritur, por tashmë edhe vetëm për të përfytyruar planet për një mbrojtje t’ardhëshme evropiane. Plane që ishin të dobëta edhe para Brexit: opinionet publike nuk ishin dhe nuk janë të gatshëm për të paguar aq sa do të duhej për t’u mbrojtur nga kërcënimet. Brexit vetëm e ka mbyllur bisedën.

            Ç’duhet bërë atëherë? Evropianët, në sajë të paqes së gjatë që gëzojnë nga 1945, duket se mendojnë se kjo është një gjëndje natyrore, e pakthyeshme, e jetës shoqërore e politike. Pa kujtesë historike mendojnë se paqja dhe siguria – nga të cilat varen liria, demokracia, mirëqënia ekonomike – janë të mira të fituara përgjithmonë. Kjo mungesë realizmi ndihmon për të shpjeguar përse evropianët nuk mund të bëjnë pa Aleancën atllantike. Nëse do të jenë amerikanët që të vendosin mungesën e rëndësisë së saj, evropianët do të gjinden të xhveshur, të paarmatosur.

            Në këtë kohë teknologjitë e vjetra politike nuk duan të vdesin. Presidenti francez Makron pohon “vdekjen trunore” të NATO-s, jo vetëm për të shkundur nga plogështia amerikanët dhe evropianët, por edhe për të sjellë ndër mënd heshtazi, në dobi të opinionit publik francez, polemikën e hershme goliste kundër Aleancës atllantike. Duke harruar se në kohën dypolare, të zotëruar nga dy mbifuqitë, gjenerali de Gaulle mundi t’i lejonte vetes luksin për të luajtur rolin e heretikut në sistemin perëndimor vetëm sepse ai sistem ishte i fortë e jetik, jo në komë si sot. Golizmi i ri nuk ka më kuptim.

            Kush nuk ka fuqinë dhe vullnetin për të vendosur për fatin e tij bëhet pré e orekseve të të tjerëve. Që tani mund të konstatohet kjo dhe me gjasë do të jetë më e madhe në t’ardhmen, kur të jenë të gatshëm Vende të ndryshme evropiane për t’u zotuar, veçmas, në rrotullime valsi me rusët e kinezët, duke bërë sikur nuk e dijnë se çmimet që paguhen në vendosjen e marrëdhënieve të privilegjuara me fuqitë autoritare bëhen gjithënjë e më të larta me kalimin e kohës. Rusët dhe Turqit marrin Libinë, kërcënime terroriste janë të pritëshme, grabitqarë të uritur rrethojnë Evropën e dobët. Evropianët më të vetëdijshëm për rreziqet pyesin veten nëse qytetarët amerikanë, në zgjedhjet e pritëshme presidenciale do të çmojnë më shumë atë që mendon se lidhja me Evropën është në interesin e Shteteve të Bashkuara apo atë që e quan të udhës se është koha për të braktisur kontinentin e vjetër në fatin e tij. Në çdo rast, me të drejtë, vendimet e rëndësishme nuk do t’i marrin evropianët.

            “Corriere della Sera”, 15 dhjetor 2019       E përktheu Eugjen Merlika   

Filed Under: Analiza Tagged With: ANGELO PANEBIANCO, Sindroma Siriane ne Libi

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT