• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ANTON ÇEFA/ Tubëz lirike

August 17, 2015 by dgreca

ANTON ÇEFA/
Tubëz lirike/
(Nga permbledhja poetike e pabotueme : “Ritme kalese”)/

Poeti/
Nëpër shpirt udhëton/
dhe i falë jetës/
nji kuptim prej andrre/
qi dhemb./

Lejleku/

Lejlek,/
O shpend i urtë,/
i madhërishëm nën pelerinë të bardhë/
e shpirt prej bore./
Me krahë të leht
qiellnajesh t’mjegullueme flutron
i tretun malli
po rishtas kthen n’fole

Lejlek, o shpend i urtë,
me shpirt prej bore,
mësoma, të lutem,
artin e vështirë të kthimit!

Lule kumbonët

Mëngjesi davariti yjet.
Në kopsht ,
lule kumbonët hapin gojët mavi
plot vezullime.

Aromat ,
kundërmim dëshirash të mshehta
dhe fjalësh të pathëna ,
dihasin në kercellin e blertë të mendimit tim.

Shpirti im gjithnji gjen paqe
në bukuritë qi pluskojnë papritmas
në gojët e hapura.

Akuarel

Fort po shndrit njaj diell.
Bardhësi alpine shtrihet mbi lugina
N’ ortek të borës uluron ulkonja
Pezull jeta varet mbi greminë
Edhe pse dielli shndrit.

Djegie me hyjzit e natës

Fije përrallash të lashta
digjen me hyjzit e natës.
Flakë tingujsh ndigjoj
e zanesh të hershme
ku janë gdhendë fytyrat e trembuna
të stinëve
qi dikur kanë qenë të mijat
e tash përndezen n’kujtesë
si përrallat e lashta
qi digjen me hyjzit e natës.

Te dera e jetës të kam pritur

Ndër ninëza agimesh
vezullon universi i blertë i jetës.

Atje te dera e saj
të kam pritur,
Evë e Afërditë !

Shpirt prej arome trëndafili,
trup prej tuli bore t’ përndezur,
më ke pritur,
Evë e Afërditë !

Te dera ku brenga e mallit rri zgjuar
e ernat përkëdhelin gjijtë e andjes njerëzore,
jemi takuar,
njerëzorja Evë,
hyjnorja Afërditë !

Brymë e borë

A je brymë, moj, a je borë
Mall i brishtë e brengë e bardhë

Brishtësi me pah prej bryme
Bardhësi me zdritje bore
Brymë e borë
Ti bukuria!

Ti . . .

Ti që në dekorin e dhimbjes sime,
me duer të brishta,
vizaton fytyrën tande
si padashur,

ti që në brigjet e andrrës sime
hedh nji klithm ë pulbardhe,
si pa u kujtuar,

ti që me kurmin tand t’përflakur
përndez delire në damarët e mi,
si pa u menduar,

je vetë dashuria
e unë jehonë e saj.

Prehje
Po prehem në kolltukun e zvërdhamë
Të mungesës sate.

Hije e dridhshme lamtumire
E varun diku në gjysmë errësinën e dhomës,
Ikja jote.

Aroma e trupit tand erë mersine,
Riti i lashtë i puthjeve qi s’e tret koha,
Moria e fjalëve pa mbarim
E gjurmët e kambëve lakuriqe
Mbi qylymin e blertë të kujtesës
Prehen me mue
Në kolltukun e zvërdhamë të mungesës sate.

Ma e dhimbshme ikja jote
Në pohimin e vështirë:
Çdo gja në këtë jetë asht ikje.

Nji dritë

Pertej pamjes sime
nji dritë qi shihet,
nuk shihet
më prekë, nuk më prekë
retinën e synit.

E ndjej, nuk e ndjej
gjallërinë e saj gjithmonë në lëvizje,
dridhet, nuk dridhet
rrugicave t’errta
të qenies.

Dritë qi shihesh,
nuk shihesh,
e ndjej, e perndjej
gjallërinë tande gjithmonë në lëvizje.

E ndjej, e perndjej
në dridhjet ma t’mshehta
të pulsit
të ndjenjës
të shpirtit.

E ndjej, e perndjej
në dridhjet ma t’shpeshta
të frymës
të fjalës
të jetës.

Pertej pamjes sime
valë qi kapen, nuk kapen
prej synit
ndriçojnë, hijesojnë
çdo skutë
t’vetdijes
të andrrës
t’dalldisë.

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: Anton Cefa, Tubëz lirike

Profili filozofik i Pipës

July 30, 2015 by dgreca

Nga Anton Çefa/*
Filozofia duket se e joshi Pipën që në moshë të re. Në vitet e mëvonshme, ai e përjetoi shkencën e mendimit universal jo thjesht e vetëm si prirje, po më së tepërmi si preference dhe si një nga synimet e tij kryesore në fushën e veprimtarisë shkencore. I pajisur me pajën e një inteligjence të mprehtë, ai u shqua në shtjellimin e temës së doktoranturës “Morali dhe feja tek Bergsoni”, ku spikat taltenti i tij padiskutueshëm.
Siç na e ka treguar Uran Kalakula, në veprën e tij “Arshi Pipa – Njeriu dhe vepra”, Arshiu me një guxim të pashembullt shpalosi pa ndrojtje pikëpamjet e tij kritike ndaj Bergsonit, filozofit të njohur francez, një prej përfaqësuesve më të mëdhenj të intuitivizmit, pa u merakosur fare sa për habinë aq edhe për kundërvënien e rektorit të madh të Universitetit të Firencës, Paolo Lamanna, që aso kohe ishte një nga patriarkët europianë të filozofisë.
Që në fillimet e veprimtarisë së tij shkencore e artistike, në revistën e tij “Kritika” (1944) dhe me botimin e vëllimit poetik “Lundërtarët” (1944), u ravijëzua portreti i tij krijues në tri rrafshe: kritikë letrare, filozofi dhe krijimtari artistike. Eseistika e revistës nxjerr në pah natyrën e tij kritike ndaj çdo dukurie shoqërore, shkencore dhe artistike, e cila është dëshmuar, po aq, edhe në jetën e tij të përditshme.
Përgatitja teorike dhe veprimtaria e tij mësimdhënëse lidhet me filozofinë. Ai kreu studimet në degen e filozofisë, në Universitetin e Firencës, ku mori gradën shkencore të doktorit në filozofi dhe qe mësues filozofie në Liceun Shtetëror të Tiranës (1941-1944); duke filluar nga viti 1960, dha kurse të kësaj disipline në disa kolegje dhe universitete të Shteteve të Bashkuara: në Kolegjin Philander Smith, Little Rock, Arkansas (v. 1960); në Kolegjin e Arteve të Lira në City University, Georgia (1962-63); në Universitetin Berkley, California (1963-1965); në vitin 1966, drejtoi këtu disertatcionet për gradën e doktorit në filozofi (Ph. D). Në Universitetin e Minnesotas (1966-1970), trajtimin teorik në kurset e qytetërimit dhe të kulturës, letërsisë dhe teorisë letrare e mbështeste gjithnjë mbi mendimin teorik filozofik, duke zhvilluar cikle tematike të kësaj natyre, si p. sh. “Marksizmi dhe ekzistencializmi në dramë dhe në tregim”, etj.
Dëshmi e preferencës për filozofi dhe e tendencës së gjykimit kritik është traktati filozofik: “Abbozzo di una concezione della vita- Sul Genio”, “Skicë e një konceptimi mbi jetën”, ku është përfshirë edhe eseja “Mbi gjeniun”. Kjo vepër u shkrua në kondita të vështira të burgut të Burelit, në vitin 1955, mbasi kishte kaluar burgjet e Durrësit, Tiranës, Gjirokastrës dhe kampin e tmerrshëm të Vloçishtit, ku kishte humbur krejtësisht shëndetin.
Vepra, e shkruar në gjuhën italiane, u botua kohët e fundit në dy gjuhët, në shqip dhe italisht, me përkthimin e motrës së autorit, Nedrete Kalakula, në saje të kujdesit të çmuar të Myftar Gjanës, që ka marrë përsipër t’i zbulojë botës shqiptare sa më të plotë veprimtarinë e Pipës. Botimi u bë në shtëpinë botuese “Princi”.
Kështu, dalëngadalë, po thellohet tek lexuesit njohja e kontributit madhor shkencor e artistik të Pipës, një prej personaliteteve më të afta e më të frytshme të kulturës së anatemuar gjatë kohës së diktaturës. Ndihmesa e tij në fushën e filozofisë do të ishtë më e plotë sikur mos të kishte humbur dorëshkrimi i një vepre tjetër të kësaj natyre, me titullin “Letra didaktike”. Kësaj çështjeje, d. m. th., një njohjeje më të plotë të profilit të tij filozofik, do t’i shërbente edhe botimi i disertacionit të dokturanturës, i eseistikës filozofike të botuar në atdhe para vitit ’44, dhe ajo e botuar në revista të huaja a e mbajtur në mbledhje të ndryshme akademike ndërkombëtare jashtë atdheut.
Libri hapet me një paraqitje të Ardian Marashit, drejtor i Qendrës së Studimeve Albanologjike. “Skicë e një konceptimi mbi jetën’ është, për shumë arsye, unik në historinë e letrave shqipe e madje i veçantë në krejt historinë moderne të mendimit universal.”, shkruan ai. Më pas vjen parathënia e Arshiut. Botimi është pajisur me foto e faksimile të arkivit familjar të Pipejve.
Në parathënie, Pipa shkurtazi na tregon kushtet në të cilat është shkruar libri: “Erdhën vitet monotone të burgut tim. Kohët e para nuk kam mundur të përqendrohem aq sa duhej që të mund të mendoja në kuptimin e mirëfilltë. Me mendimin gati të humbur në labirintin e vështirësive që pengonin studimin serioz dhe, në anën tjetër, duke jetuar i detyruar nga domosdoshmëria e ngutshme e momentit, në një fluks të rrëmujshëm emocionesh politike dhe, më në fund, duke pasur kthjelltësinë e shpirtit, shkaktuar nga një seri fatkeqësish familjare, për të mos përmendur këtu arsye të tjera të rëndësishme – më shumë personale, më është dashur, për të gjitha këto, të jetoj larg filozofisë. Jam ngushëlluar me artin duke u shprehur në të, si dhe me studime të një angazhimi më të vogël. Kam jetuar e ndier më shumë sesa kam menduar.”
Më poshtë, pas disa radhëve për përvojën e hidhur të burgut, shkruan: “nëse nga njëra anë kjo eksperiencë ka kaluar në art, në anën tjetër ajo ka ushqyer dhe mbarsur mendimin tim. Pak nga pak kthjelltësia është kthyer: mbi fundin e rëgjyrtë të mjerimit e të dhimbjeve të përditshme, është ngritur si një ylber mendimi i rigjallëruar. Është ngritur mbi një burg. Kanë prangosur trupin tim, por nuk kanë mundur të prangosin mendimin tim. Dhe – gjë vërtet e mrekullueshme – kur trupin tim e kanë bërë pothuajse një kufomë, atëherë mendimi ka fituar lirinë…”
Kur lexon këto fjalë, pa dashur të shkon mendja tek dëmtimi aq i madh që i bëri kulturës shqiptare politika diktatoriale e mohimit të shprehjes së mendimit të lirë, të drejtën më të parë të njeriut, që është mishërimi i vetë njeriut, qenësia e tij: “Corgito ergo sum”, pikënisja e pikënisjeve të dijes njerëzore, siç e ka përmbledhur kuintesencën e filozofisë së vet Rene Descartes që në fillimet e shek. XVII. Me energjitë që të blaton vetëm një shpirt energjik tejet i pamposhtur nga pengesat, tejet i paepur në vuajtjet dhe mundimet, tejet i shpërfillur nga të gjithë ata që i rrinë mbi krye për t’ia bërë jetën ferr, Pipa thotë: “Unë mendoj të heq dorë nga gjithçka, por jo nga mendimi, kjo është e mira ime më e lartë, madje e mira më absolute”; fjalë që himnizojnë personalitetin e tij dhe vetë dinjitetin njerëzor.
Na zbulohet në këtë vepër jo më poeti i talentuar, jo më historiani i aftë i letërsisë, kritiku i mprehtë letrar, politologu polemizues, përkthyesi i palodhur, mbledhësi i durueshëm i folklorit dhe studiuesi i zellshm i tij, linguisti i përkushtuar, por mendimtari origjinal që rreh t’i japë shpjegim jetës njerëzore, kuptimit të saj, trajtuesi risor i problemeve të përgjithshme të filozofisë, të teorisë së artit, dhe po aq edhe të çështjeve themelore të kritikës së artit, sidomos atij letrar. Një demiurg i pashoq që lavron në zagna kulture të palavruara ndonjëherë në kulturën tonë kombëtare.
* * *
Lënda në “Skicë e një konceptimi mbi jetën” shtjellohet në15 kapituj: “Koncepti i së vërtetës, “ Metodologjia e veprimit”; “Rruga e veprimit”; “Arsyeja praktike”; “Veprimi moral”; “Mbi vetëdijen”; “Mbi intuitën”; “Domethënia e artit”; “Kontakti me materien”; “Burimi i fesë”; “Probleme false”; “Eksperienca shqisore”; “Shkallët e ndërgjegjes”; “Spontaniteti në univers”; “Edukim dhe personalitet”. Ndërsa eseja “Mbi Gjeniun” ka dy kapituj: “Fizionomia dhe forma të gjenialitetit”; “Kulti i eonëve”. (Në një rast tjetër, do të paraqesim idetë rëndësore për secilin kapitull, ndërsa sot, po japim vetëm një ide të përgjithshme të veprës).
Në mungesën e një biblioteke të nevojshme për këtë qëllim, autorit iu desh të shkruante lirshëm, vetëm duke u mbështetur në erudicionin e tij, kështu që problemet që trajtohen vijnë si rezultat i mendimit të tij të bazuar jo vetëm në filozofi, po edhe në shkenca të tjera si etikë, psikologji, sociologji, logjikë, teori arti, kritikë arti, sidomos atij letrar, etj. Veç kësaj, kjo ecuri pune i ka krijuar autorit mundësinë e trajtimit të lëndës, parashtrimit të ideve, duke iu shmangur referencave spekulative teorike, çka i rrit vlerën origjinalitetit dhe përfton një stil më të komunikueshëm me lexuesin.
Bota shpirtërore e njeriut është botë e mendimit, e vullnetit që shfaqet në veprim, dhe e ndjenjës. Nëpërmjet ndjenjës, simbas Arshiut, ne njohim botën, e pasqyrojmë atë në ndërgjegjen tonë. Shpjegimi i problemit të burimit të njohjes historikisht është luhatur mes arsyes dhe intuitës; por nuk ka munguar edhe ndjenja. Paskali ka thënë: “Ne e njohim të vërtetën, jo vetëm prej arsyes, po edhe prej zemrës”, çka nënkupton ndjenjën. Ndërsa Pipa, duke folur për shkallët e ndërgjegjes, shkruan: “Veprimi dhe mendimi nuk e shterojnë jetën psikologjike. Është një element i tretë që vazhdon të ekzistojë, edhe kur dy të parët mungojnë; dhe ky element është ndjenja. Ndjenja është kuptimi i jetës. Nëse, çfarë është vepruese dhe çfarë është e vetëndërgjegjshme, është gjithmonë shprehje jete, ndjenja duhet t’i përmbajë logjikisht të dy këta elementë.”
Ndërsa, duke shpjeguar domethënien e artit, shkruan: “Me anë të ndjenjës, më fort se me anë të arsyetimit, njeriu zbulon . . . . Ndjenja e kulluar . . . , që na përshkon kur vihemi në pozicionin e spektatorit përpara natyrës, është ajo që quhet soditje . . . . Gjatë soditjes shpirti është i prirur të njohë. Cili është objekti i soditjes? Vetja ime, së pari, dhe pastaj të ngjashmit e mi; por edhe ata të ndryshmit, bimët e kafshët, gjithçka që jeton në përgjithësi. Pastaj edhe çka nuk jeton . . . . Soditja është qëndrimi karakteristik i ndërgjegjes para ndjeshmërisë, është perceptimi që s’ka lidhje me një qëllim praktik, është përceptim i painteresuar.”
Si në një traktat të plotë filozofik, Pipa shtron e argumenton problemet themelore të kësaj shkence, siç na e dëshmojnë edhe titujt e kapitujve të trajtimit të lëndës që i dhamë më lart; por një nga shqetësimet dhe synimet e tij kryesore është të na japë një koncept human e dinjtoz për jetën, për kuptimin e saj, “një konceptim të plotë harmonik të jetës, me anë të të cilit njeriu të ekzaltojë vetveten në dritën e vlerave të pavdekshme të shpirtit”, siç shprehet ai. Ndriçimit të këtij problem kardinal i shërben e gjithë vepra. Sipas tij, njeriun e krijoi Zoti nën shëmbëlltyrën e vet. Nëpërmjet mendimit të tij dhe veprimit moral, njeriu duhet të realizojë gjithë potencialin e vet njerëzor, të gjitha kapacitetet e veta krijuese, gjë që bëhet e mundur në bazë të vënies në jetë të imperativit “Vepro në interes të njerëzimit!”, sepse kështu, duke vepruar për të mirën e njerëzimit, individi vepron në interes të vetës.
Në dy kapitujt e fundit tek eseja “Mbi Gjeniun” është dhënë profili i njeriut të realizuar, në plotërinë e tij, sipas konceptimit filozofik të autorit.
Veç vlerave shkencore dhe edukative të gjithmbarshme, vepra ka një vlerë të veçantë, në radhë të parë, për ne shqiptarët. Ajo është si një vravashkë dritëdhënëse që na ndriçon rrugën e një ringjalljeje dhe fisnikërimi shpirtëror. Duke konstatuar këtë aspekt të veprës, linguistja Merita Bruçi, e cila ka transliteruar dorëshkrimin, ka shkruar me çiltërinë e një ndjenje atdhedashurie: “Kur e lexova m’u duk si njëlloj testamenti që ai i lë bashkatdhetarëve të tij”.
“Skicë e një konceptimi mbi jetën” është i pari dhe i vetmi traktat integral filozofik për mendimin filozofik shqiptar. Megjithëse ai u botua me një vonesë prej një gjysmë shekulli, si një traktat filozofik origjinal, ai përbën një ndihmesë për kulturën europiane dhe botërore në fushën e mendimit universal.
Me emrin e Arshiut, kultura shqiptare është bërë e pranishme në kulturën botërore edhe në fushën e kritikës letrare, me veprën e tij “Montale dhe Dante”, pa të cilën, siç ka shkruar Astrit Lulushi, “kritikka letrare botërore sot me siguri do të ndjehej e varfëruar”.
Po në këtë fushë, në fushën e gjykimit kritik letrar, është me rëndësi të përmendet studimi i thellë dhe serioz i Pipës për De Radën, në veprën “Hieronymus De Rada”, (vëllimi II i “Trilogia Albanica”, botuar në Münhen në v. 1978), që e paraqet poetin tonë të Rilindjes përkrah romantikëve më të njohur europian. Dihen vlerësimet superlative të Hygoit, udhëheqësit të shkollës romantike franceze; poetit dhe diplomatit francez, Lamartinit; poetit të njohur francez, Frederik Mistral, dhe dhjetëra personaliteteve të tjera për “Këngët e Milosaos”; por është vula e kritikës moderne komparative e Pipës që argumenton vlerat europiane të kësaj poeme.
Si eksponent i kulturës sonë në kulturën europiane dhe botërore, Pipa rreshtohet në rrethin më të ngushtë të atyre personaliteteve kulturore shqiptare që kanë dhënë kontributet e tyre në këtë drejtim.

* * *

Historia e librit
Nga Nedrete Kalakula

Ky libër ka një histori të veçantë. Ai nuk u shkrua në ndonjë studio, në kushte të rehatshme apo të favorshme për mendimin. Ai u shkrua ndenjur mbi një dyshek të shtruar mbi çimenton e një dhome të burgut të Burrelit, në zhurmën e të burgosurve të tjerë të asaj dhome dhe nën trysninë e rreptë të kontrolleve të herëpashershme të gardianëve.
Arshi Pipa kishte bërë nëntë vjet burg kur arriti të shkruante në një fletore të vogël të maskuar me një kopertinë me figurën e Stalinit, “Konceptin e tij mbi jetën”. Ai e ruajti atë fletore të vogël deri ditën që u lirua, pas një viti, më 1956.
Këtu fillon rrugëtimi i “Konceptimit. . . .” Dorëshkrimi nuk doli nga qelia, si “Libri i burgut”, në fletë cigaresh, të fshehura në ndërresat e palara, por doli i fshehur në një dyshek të vjetër, që gardianet nuk kishin marrë mundimin ta kontrollonin meqënëse ishte tepër i ronitur dhe i ndotur.
Para arratisjes së tij nga Shqipëria në vitin 1957, Arshiu i kishte besuar mikut të tij shkodran, Ruzhdi Çoba, “Konceptimin, . . .”, tezën e laurës së Universitetit të Firences, si dhe një bllok shumë të vogël me përkthime nga Lirika Evropiane.
Vite më vonë, kur u dëbova nga Tirana, u ktheva me banim në Shkodër. Ruzhdiu, sikur ta parandiente arrestimin e vet të dytë dhe dënimin me dhjetë vite të tjera burg, m’i dorëzoi këto vepra të Arshiut. Kështu, unë i ruajta me kujdes dhe ato më ndoqën në internim dhe, pas lirimit, sërish në Shkodër, deri ditën që u bë e mundur t’i shkonin në dorë Arshiut, mbas vitit 1991.
Në njërën nga vizitat e mia në Uashington, mbas vdekjes së Arshiut, fillova të lexoja “Konceptimin . . .”, me dëshirën për të njohur më mirë një vëlla që aq pak kisha pasur mundësinë ta njoh. Dhe, meqenëse “Konceptimi, . . .” bashkë me tezën e laurës, përcaktoheshin si vepra të pabotuara nga Arshiu, mendova se duheshin përkthyer dhe botuar. Pavarësisht nga vështirësitë që ndesha, jam përpjekur t’i respektoj tërësisht, mendimin e tij dhe stilin e tij.
*Fotografia e shi Pipes ne kohen e rinise

Filed Under: ESSE Tagged With: Anton Cefa, Profili filozofik i Pipës

VATRA NDEROI KUJTIMIN E PROF. ARSHI PIPES NE 95 VJETORIN E LINDJES ME NJË KONFERENCË SHKENCORE

July 28, 2015 by dgreca

Të Hënën me 27 Korrik, në ditëlindjen e Prof. Arshi Pipës, Vatra organizoi një Konferencë Shkencore, ku u mbajtën kumtesa mbi jetën dhe veprimtarinë e Prof. Arshi Pipës në fushën e studimeve, të letërsisë, të përkthimeve, të publicistikës, të filozifisë, të kritikës letrare etj.
Në krye të sallës, një portret i Prof. Pipës, një karrige-ku ishin vendosë libra të tij dhe një buqetë lulesh, në urim të Ditëlindjes.Përmes ekranit shfaqej Prof. Arshi Pipa gjatë vizitës së tij në Shqipëri, takimi me njerëzit e dashur, motrat, shokët e fëminisë dhe të shkollës, si dhe zëshëm jepeshin kujtimet e tij të rinisë shkollore, studimet në Shkodër dhe Firence, pastaj arrestimi, burgu, arratisja, veprimtaria në SHBA.
Seminarin e ka hapë Kryetari i Vatrës, Dr. Gjon Buçaj, i cili pasi u uroi mirëseardhjen pjesmarrësve dhe ligjërusëve, tha:”… Mirëse vini në perkujtimin e prof. Arshi Pipës, në ditën e 95 vjetorit të lindjes, që “Vatra” ka organizue për t’a nderue me mirënjohje jo vetëm për kontributin që ai i ka dhanë kulturës shqiptare, por edhe për shërbimin që i ka ba kësaj organizate kombëtare, si përkrahës dhe, për nji periudhë të shkurtër njivjeçare, edhe si kryetar dhe editor i gazetës “Dielli”.
Nga ligjëratat e autorëve kompetentë, të cilët e kanë njoftë profesor Pipën edhe përsonalisht, do të njiheni me shumë aspekte të këtij personaliteti poliedrik të kulturës sonë: poet, shkrimtar eseist, polemist, kritik, filozof, pedagog, botues, studiues i palodhun dhe konseguent në qëndrimet e tij.
Komunizmin e ka pasqyrue dhe e ka quejtë ashtu siç asht, pansllavizëm në shërbim të nji iedologjije të huej kundër interesave të njerëzimit përgjithësisht dhe të kombit shqiptar në mënyrë të veçantë.
Kjo konferencë shkencore do të jetë nji kontribut i vlefshëm për njohjen e Arshi Pipës nga opinioni shqiptar dhe besoj se do të jetë nxitës për studime të ma tejshme të veprës së tij të larmishme.
Dëshiroj të shprehi mirënjohjen zotit Dalip Greca që, bashkë me ligjëruesat, ka koordinue organizimin e këtij përkujtimi dhe kam kënaqsinë t’ia kaloj mikrofonin që t’a moderojë këtë konferencë shkencore.”
Editori i Diellit, Dalip Greca, u shpreh se :-E kemi konceptuar këtë veprimtari shkencore si një festë të Ditëlindjes të Prof. Pipës,- është kjo arsyeja përse e kemi venë këtë karrige në ballë të sallës, ku janë librat e shkruar prej tij dhe një buqetë me lule.Lulet, natyrisht janë aty në vend të urimit.Aty do të ishte Prof. PIPA.
Gjithësesi, tha Editori, për ta nderuar Kujtimin e Prof. Pipës, do t’ju kërkoja që të ngriheni në këmbë dhe të mbajmë një minut Heshtje!
….I përjetshëm Kujtim i Tij!
Më pas editori bëri një koment të shkurtër: Në këtë veprimtari modeste, e para e organizuar nga Federata Pan-Shqiptare e Amerikës”VATRA”, që Prof. Arshi PIPA pati nderin ta drejtojë për një kohë të shkurtër, një vit, si dhe drejtoi e editoi Gazetën”Dielli”, studiuesit që kanë marrë përsipër kumtesat, do të sjellin madhështinë e figurës shumëdimensionale të Arshi Pipës, njëri prej princave të letrave shqipe,filozofit, poetit, studiuesit brilant, pedagogut të shkëlqyer,gjuhëtarit, kritikut, studuesit dhe mbledhësit të folklorit, qëndrestarit të paepur të burgjeve komuniste, denocuesit të ferrit komunist përmes Librit të Burgut, politikanit jo konformist etj.
E kanë vlerësuar Prof. Pipën personalitete të shumtë Kombëtar dhe ndërkombëtar.E kanë krahasuar me Nolin dhe Konicën si intelektual, ndërkohë që si antikomunist është krahasuar me Solzhenicinin në Rusi, Gjilasin në ish Jugosllavi, dhe…Prof. Arshi Pipa, i treti, si simbol i antikomunizmit shqiptar.
Por le t’ua lëmë radhën folësve dhe ekranit për të hedhur dritë mbi figurën e madhërishme të Arshi Pipës, tha Editori Greca.
Nga ekrani është shfaqë Prof. Pipa, i cili përmes kujtimeve tregon kohëlindjen(saktëson se ka lindur me 27 Korrik 1920 dhe jo me 23 shkurt- siç shënohej në listat e gjendjes civile Shkodër) tregon për vendlindjen, shkollimin, …flasin shokët e tij të klasës dhe lodrave, flasin motrat e përmalluara, që lotojnë përmes kujtimeve….dhe veprimtaria bëhet emocionuese.
Më pas gazetari Frank Shkreli, Ish Drejtor i Divizonit të Euroazisë në Zërin e Amerikës, sjell kumtesën e tij, ku hedh dritë mbi personalitetin e Arshi Pipës, të cilin e njohu nga afër.
Duke kombinuar kujtimet e Prof Pipës më kumtuesit, studiuesi Mithat Gashi solli kumtesën për kontributet e Prof Arshi Pipës në Letërsi, Kritikë Letrare, politikë, duke e vënë theksin tek guximi qytetar i intelektualit Arshi pipa. Z. Gashi solli dhe kujtime personale nga takimet me Prof. Pipën.
Elegjinë e Arshi Pipës për shokun e Burgut, bashkëthemeluesin e Vatrës, deputetin, Kristo Kirka,i shuar në Burgun e Burrelit, e përcolli sekretarja e Vatrës, Nazo Veliu.
Kumtesën e studiuesit Anton Çefa,” ARSHI PIPA, INTELEKTUALI, POETI, ATDHETARI IDEALIST, DEMOKRATI ANTIKOMUNIST NE 95 VJETORIN E LINDJES ” e përcolli Editori i Diellit, ndërsa studimin e gazetarit Astrit Lulushi”Montale, Dante dhe Arshi Pipa”, e përcolli gazetari Frank Shkreli.
Me shumë interes u ndoq studiuesi Idriz Lamaj me kumtin e tij rreth ç’burgosjes të “Librit të Burgut”. Tashmë prej kohësh dihet se libri doli nga qelitë e Burrelit në letra cigaresh, të palosura në përmasa të vogla, të fshehura në rrobat që ai ua jepte motrave për t’i larë. Transkriptin e atyre letrave, pati fatin që ta bëjë studiuesi dhe gazetari Idriz Lamaj, ish fqinj i Arshi Pipës.Përpaar se Lamaj të tregonte se si arriti që të bënte transkriptin e letrave, editori u tregoi pjesmarrësve një fotografi-Kartolinë, ku Prof Pipa, i shkruante Idriz Lamajt se ajo fotografi, ishte marrë përpara ish Burgut të Durrësit, ku ai vuajti 4 vite…Ajo shtëpi, atë kohë që Prof. Pipa shkoi dhe e vizitoi, e më pas u fotografua para saj , ishte kthyer në shtëpi banimi për romët, të cilët kur e panë profesorin, u frikën pasi menduan se ai ishte pronari…
Z. Lamaj demonstroi transkripet e letrave origjinalin e “Librit të burgut”. Me interes ishte dhe dëgjimi i një fragmenti bisedash zanore të Shkrimtarit Martin Camaj dhe prof. Arshi Pipës, që Lamaj i kishte sjellë enkas për këtë veprimtari….
Nga ekrani, aktori Juli Nënshati përcolli vargjet”Shemo Hajduti”një ndër perlat e Prof Arshi Pipa, e shkruar në toskërisht, por që më vonë hoqi dorë nga toskërishtja si protestë ndaj standartizimit të gjuhës shqipe dhe Kongresit të Drejtshkrimit.
Veprimtaria është mbyllë me pjesë nga dokumentari Kushtuar Prof. Arshi Pipës, i cili endet nëpër Shkodër, sodit Liqenin, Rozafën, dhe mjediset e Shkodrës Loce.
Për këtë Konferencë kishte dërguar studimin e tij nga Australia Fritz Radovani” DOSJA 1167: JA KUSH ISHTE PROF. ARSHI PIPA…”. Kjo kumtesë botohet në këtë numër të Diellit në print.
Në mbyllje të veprimtarisë, moderatori Greca tha:Shpresoj që me këtë veprimtari Vatra shleu një pjesë të vogël të borxhit ndaj udhëheqësit të saj dhe Editorit të Diellit, Prof. Arshi Pipa. Shpresoj, shtoi ai, që në një të ardhme jo të largët , Vatra, t’i propozojë Presidentit të Republikës, që Prof. Arshi Pipës t’i akordohet titulli plotësisht i merituar”Nderi i Kombit”.

Filed Under: Vatra Tagged With: Anton Cefa, Astrit Lulushi, Fran shkeli, Idriz Lamaj, konference shkencore, Mithat Gashi, Vatra nderoi prof. Arshi Pipa

Arshi Pipa, kundërshtar i çdo konformizmi dhe cdo diktature, në 95-vjetorin e lindjes

July 27, 2015 by dgreca

Nga Anton ÇEFA/
Bir i një familjeje dinjitoze për ideale e virtyte atdhetare dhe krenare për traditat kombëtare, Arshiu mori drejtimin e një njeriu të ndershëm e kambëngulës në bindjet e veta, kundërshtar i çdo konformizmi. I ati, Mustafa Pipa, qe njeri me kulturë të gjanë, jurist për nga profesioni, patriot dhe demokrat për kah idealet. E ama, nanë Hatixhja, qe një shembull virtyti e pune për fëmijët e saj, stoike në fatkeqësitë e panumërta që i ranë mbi krye, burrneshë e vërtetë shqiptare, vdiq në internim, me shpirtin plagë. I vëllai, Myzaferi, avokat, me interesa të gjana kulturore, demokrat, kundërshtar i çdo diktature, botues i revistës “Fryma”, ku shprehi pikëpamjet e tij përparimtare politike e shoqënore, u pushkatue në terr nga organet e sigurimit, sepse kërkoi me gjetë drejtësi e rregull në gjyqet e tyne kriminale. Motrat, edhe pse të shkëlqyeshme në mësime dhe intelektuale të formueme, u detyruen me ba punët ma të randa për me fitue bukën e gojës.
U lind në Shkodër, në vitin 1920. Kreu mësimet fillore në qytetin e lindjes dhe po ashtu arsimin e mesem, vitet e para në Shkollën Saveriane të Jezuitëve dhe të fundit në Liceun e Shtetit, Dega klasike. Studimet e nalta për filozofi i kreu në Firence (Itali), ku mori gradën shkencore të doktorit në filozofi, tue mbrojtë disertacionin: “Morali dhe feja tek Bergsoni”
U kthye në atdhe në vitin 1941 dhe deri në fund të vitit 1944 dha landën e filozofisë në Liceun Shtetënor të Tiranës, tue dhanë mësim në të njajten kohë në Licetë Shtetënore të Shkodrës dhe të Durrësit. Për pak kohë, në vitin 1945, qe mësues i italishtes dhe i gjuhës shqipe në Kolegjin e Mësuesve, Tiranë. Në prill të vitit 1946, e arrestuen për shkak të refuzimit të tij kategorik me veprue në përputhje me politikën e regjimit diktaturial.
Në vitin 1957, u arratis në Jugosllavi dhe, në vitin 1958, emigroi në SH. B. A. Në fillim punoi si arkëtar (kashier) në nji hotel të Nju Jork-ut. Veprimtaria e tij pedagogjike dhe organizative në fushën e mësimit dhe të edukimit përbën një kapitull të veçantë, të gjanë, të larmishëm e shumë të frytshëm. 1).
Në vitin 1960, filloi punën si mësues filozofie në kolegjin Philander Smith, Little Rock, Arkansas.
Në vitet 61-62, drejtoi Departamentin e Gjuhës Italiane në City University, Georgia, në Shkollën e Gjuhëve dhe të Gjuhësisë, dhe, në të njajtën kohë, gjatë verës, dha filozofi në Kolegjin e Arteve të Lira. (Po në këto vite ka dhanë italisht në Columbia University . . .).
Në vitet 63-66, ka qenë Profesor i Asociuem në Departamentin e Gjuhës Italiane, në Universitetin Berkley të Kalifornias, ku dha mësim në kurset e lëtërsisë moderne italiane dhe drejtoi seminaret e kritkës letrare për De Sanctis (1963), Croce-n (1964), Vico-n (1965). Gjatë vitit 1965 dha mësim edhe në kurset e gjuhës shqipe, letërsisë dhe folklorit tonë. Gjithashtu dha edhe filozofi romane. Në vitin 1966, drejtoi disertacionet për gradën e doktorit në filozofi (Ph. D).
Me nji sensibilitet të dukshëm ndaj padrejtësive, – çka i karakterizon njerëzit e ndershem dhe idealistë, – gjatë kohës që qe në Universitetin Little Rock, Arkansas, përjetoi me dimbje realitetin e diskriminimit racial në shoqëninë amerikane dhe u revoltue. Atje përkrahu lëvizjen studenteske të Berkley University të Kalifornisë, e njohun si “Free speech movement”, dhe u ba kritik i paanshem i poltikës. 2).
Në vitin 1966, kaloi në Universitetin e Minnesota-s, në Minneapolis, në fillim si profesor i asociuem, dhe ma vonë si profesor i gjuhës italiane në Departamentin e Gjuhëve Romane. Në Universitetin e Minnesota-s, u ba anëtar me të drejta të plota dhe kontribuoi në planifikimin, hartimin dhe ndamjen e diplomave të studimeve të gjuhës italiane. Qe, gjithashtu, drejtues i Programit Master për këtë gjuhë. Temat e diplomave për master e Ph. D. u shkruen dhe u miratuen nën drejtimin e tij. U ka dhanë mësim, gjithashtu, kurseve extraculiculare të gjuhëve, kurseve të qytetnimit dhe të kulturës dhe, në veçanti, kurseve extraculiculare për shkrimtarët e mëdhaj: Dante, Bokacio, Manxoni, Leopardi, për Poezinë Kalorsiake, Letërsinë Utopike, dhe leksionet krahasuese: Marksizmi dhe ekzistencializmi në tregim dhe dramë; ka drejtue seminaret Ungareti dhe Monatale, Vico dhe Croce. Veç sa thamë, ka ligjërue ciklin e leksioneve: Simbolizmi Francez dhe Hermetizmi Italian, Romantizmi në Francë dhe në Letërsinnë Italiane, në kurset e përbashkëta të diplomantëve të gjuhëve frënge dhe italiane. Në Universitetin e Minesotta-s për tetë vjet me radhë mbajti falas nji kurs të gjuhës shqipe.(te plote e lexoni ne Diellin e printuar)

Filed Under: Analiza, Vatra Tagged With: Anton Cefa, Arshi Pipa, ne 95 vjetorin e Lindjes

Prof. Dr. SAMI REPISHTI NË 90 – VJETORIN E LINDJES

July 18, 2015 by dgreca

“Profesori që vazhdon të na mahnitë me freskinë e forcën e mendimit”- (Fotaq Andrea)
Nga Anton Çefa*/
“Familja Repishti” është shembulltyra e familjes shkodrane të njohur në dy rrafshe veprimtarie: në atë atdhetare dhe në atë fetare.
Gjyshi i Samiut, Haxhi Jusuf Repishti, njeri me kulturë të gjerë dhe me një bibiliotekë të pasur në shtëpi, krahas veprimtarisë fetare, shquhej edhe për një veprimtari të vazhdueshme kombëtare. Ai qe një ndër firmëtarët e Memorandumit të dt. 13 Qershor 1878, dërguar Kryeministrit britanik Lord Disraeli, në Kongresin e Berlinit për mbrojtjen e tokave shqiptare. Ai qe edhe kryetar i Komisionit për financimin e forcave të Lidhjes së Prizrenit, Dega e Shkodrës, që luftonin për mbrojtjen e tokave shqiptare të Plavës, Gucisë, Hotit e Grudës, nga ushtritë e Malit të Zi.
I ati i Samiut, Hafiz Ibrahim Repishti, qe atdhetar i devotshëm, politikan demokrat, burrë i nderuar, një nga hoxhët më të shquar të qytetit, një shembull i shquar i idealit të lartë për fe e atdhe, i pajisur me një kulturë të lartë teologjike nga Universiteti i Istanbul-it, i kualifikuar në mënyrë të veçantë për të drejtën kanonike islame. Luftoi me armë në dorë, i rreshtuar në forcat vullnetare të Shkodrës, që luftonin kundër ushtrisë së Malit të Zi gjatë rrethimit të Shkodrës, në vitet 1912-13. Në luftën politike të viteve 1920-24, u radhit me vendosmëri në krah të opozitës demokratike, me grupin politik “Ora e Maleve” të At Gjergj Fishtës, At Ambroz Marlaskajt, Luigj Gurakuqit, Xhemal Bushatit etj. Në vitin 1923, zgjidhet përfaqësues i qytetit të Shkodrës, anëtar i Asamblesë Kushtetuese e më vonë deputet i opozitës fanoliste. Gjatë qëndrimit të tij në Parlament, ka kryer funksionet e Nënkryetarit të Komisionit Parlamentar për Jurisprudencë dhe të Komisionit Parlamentar për Arsimin. Me ardhjen e A. Zogut në fuqi, u dënua me vdekje “in absentia” dhe u detyrua të kalojë në ilegalitet për një periudhë njëvjeçare. Me 1928, u internua në Shijak për tetë muaj si armik i regjimit monarkist. Vdiq në vitin 1943, viktimë e keqtrajtimit nga ana e policisë fashiste italiane, duke lënë gruan me gjashtë fëmijë, prej të cilëve djali i madh ishte Samiu.
Mbi nënë Havanë, bijë e fisit të Bushatlijve, mbeti kujdesi i familjes. Është pak me thanë një nënë shembullore. E pakufishme në dashurinë e saj, e pandalur në sakrificat e saj, autoritare në butësinë e saj, e pamposhtur në vuajtjet e saj. Dinjitoze dhe stoike si ajo. Mbas arratisjes së djalit Fahri, atë me të gjithë familjen e internuan në kampet e përqendrimit të Beratit dhe të Veliqotit, Tepelenë. Nënë Havaja ishte 54 vjeçe, motra Hadije 14, vëllau Vehbi 11. Vuajtje të papërshkrueshme të përballueme fisnikërisht!
Janë për t’u vënë në dukje marrëdhëniet shpirtërore të Samiut me nënën, sepse ato qenë të veçanta, dhe po ashtu qe edhe ndikimi i saj në formimin e tij. Në njërën nga letrat që i shkroi Andre Malraux-s, kur po përgatiste diplomën për doktoratë në Francë, Samiu na e bën të qartë këtë. I mbushur me ndjenjën e dashurisë dhe të vëllazërimit njerëzor, i etur për lirinë dhe të drejtat e individit, i shqetësuar për fatin e njeriut, nga njëra anë, dhe i çoroditur nga gjendja e krijuar nga rregjimi kriminel antinjerëzor i komunizmit, nga ana tjetër; është ajo, e ëma, që mbas lirimit nga burgu e frymëzon dhe e sjell në jetë. Ja si shkruan ai në letrën dërguar Malraux-s: “Kur dola nga burgu, fillova të kuptoj se e tërë pjesa tjetër e botës ishte e huaj për mua, përveç nënës sime. E shtrëngova fort në krahë. Qau! Nuk shkëmbyem një fjalë. Por e ndjeja aq pranë meje. Qëkurse isha nda nga shoqëria, ajo kishte qenë për mua personi i parë që më mbante të përmallur me praninë e saj, jo sepse ishte nëna ime; edhe vëllezërit e motrat e mia ishin aty; por gjithçka qe ndryshe me ta, me to. Kurse me atë, me nënën time, kishte ndodhur si me mua, kishte qenë e burgosun së bashku me mua, përbrenda meje, ajo, nji banore e botës, që e vetme kishte bërë të mundur komunikimin njerëzor; ajo nuk ishte si të tjerët, ‘një e huaj’. Kishte tek ajo krijesë e moshuar një si aureolë pafajësie, e mjaftueshme me përligjë revoltën që më ziente përbrenda, dhe që ta merrshe në mbrojtje, revoltë e drejtë dhe sigurisht njerëzore. E dojshe nënën siç dojshe përligjjen e aktit tim. Me të dhe përmes saj fillova proçesin e ‘pajtimit’, pa mundur dhe pa dashur ta plotësoj”.

* * *
Jeta e Samiut qe e vështirw, por e pasur me ngjarje, e ngarkuar tej mase me veprimtari shoqërore, kulturore, dhe sidomos, atdhetare. U lind në Shkodër, në vitin 1925, ku kreu studimet e para, dhe të mesmet në Liceun “At Gjergj Fishta”. Në vitet 1942-43, ndoqi studimet në Universitetin e Firenze-s (Itali), Fakulteti i Letërsisë dhe Filozofisë, por u detyrua t’i ndërpresë për arsye të luftës.
U rrit në vitet e Monarkisë me frymën e kundërshtarit të saj, dhe u poq, si thotë populli, në vitet e pushtimeve të huaja italiane dhe gjermane si armik i tyre, mori formimin e plotë dhe përcaktoi qëndrimin e tij jetësor si ithtar i lirisë dhe i emancipimit shoqëror, si luftëtar për të drejtat e njeriut, në vitet e para të diktaturës komuniste në Shqipëri.
Gjatë viteve të pushtimit të huaj (1939-44), u aktivizua në lëvizjen e rezistencës pa anëtarsim partiak. I zhgënjyer nga propaganda dhe ushtrimi i terrorit nga ish-Partia Komuniste e Shqipërisë, që nga viti 1945 kundërshtoi diktaturën e përgjakshme, që u vendos në atdhe. Në vitin 1946, u arrestua dhe mbas 14 muaj torture të egër në qelitë e Sigurimit të Shtetit, u dënua me 15 vjet burgim të rëndë dhe punë të detyruar, nga të cilat bëri plot dhjetë vjet. Fillimisht, qe i burgosur në burgun e Shkodrës, mandej kaloi në kampet e punës së detyruar të Bedenit (Kavajë), Maliqit, Urës Vajgurore (Berat) Levanit (Fier), Vjosës, aeroportit të Rinasit (Tiranë), nga ku u lirua në korrik 1956. I liruar nga burgu fitoi bukën e përditshme për vete dhe për familjen tejet të vorfnueme si punëtor krahu në hapjen e kanaleve në një moçalishte të Fermës Zooteknike, dhe në kantieret e ndërtimit, i përbuzur, i nëpërkëmbur dhe i përndjekur vazhdimisht. U arratis në Jugosllavi në gusht 1959, ku kaloi plot një vit në qelitë e destinuara për emigrantët politikë. Në qershor të vitit 1961, policia jugosllave e transferoi në kampin për refugjatë të Gerovo-s (Kroaci), nga ku u arratis në Itali, në shtator 1961. Në kampin e refugjatëve San Sabba (Trieste), ku qëndroi vetëm tri javë, fitoi të drejtën e azilit politik, dhe mbas një qëndrimi gjashtëmujor në kampet e Capua-s (Napoli) dhe Latina-s (Romë), në prill 1962 emigroi në Shtetet e Bashkuara, ku filloi jetën e re si shqiptaro-amerikan.
Me nji dashuri të ethshme për dije dhe me një vullnet të papërkulur për studime, Samiu u bë një personalitet intektualisht i kompletuar për një veprimtari jetësore të ndergjegjshme, këmbengulëse, dhe të frytshme për shoqërinë dhe për atdheun. Porsa erdhi në Amerikë, për 15 vite me radhë iu vu studimeve. Në verën e vitit 1962, u diplomua nga English Language Institute të Queens College (CUNY). Në vitin 1962-64, mori Diplomën në frëngjisht (B.A.) (minor: ekonomi), përsëri në Queens College, njëkohësisht edhe Çertifikatën për arsimtar nga Shteti i Nju York-ut. Më 1965-69, studioi frëngjisht dhe mori Diplomën magjistraturë në frëngjsiht, (M. A. CUNY). Në vitin 1970, fitoi bursë nga Qeveria Franceze për studime në fazën e “aggregation” në Universitetin e Parisit (Francë), dhe në vitin 1974, përfundoi programin e doktoratës për frëngjisht pranë Graduate Center of the CUNY, ndërsa për tre vjet (1974-77), punoi në përgatitjen dhe mbrojtjen me sukses të tezës për doktoratë (shkurt 1977), një studim i thuktë i veprës së shkrimtarit francez Andre Malraux. Për arsye praktike, ai u pajis edhe me Diplomën për Administratë Arsimore nga Hofstra University, N.Y. (1978), që i mundësoi emërimin e tij si shef i departmentit të gjuhëve të huaja në distriktin shkollor të qytetit Malverne, N.Y.
Para se të fillojë karierën e tij akademike, Sami Repishti punoi si nëpunës në Seksionin e Rindërtimit në Shkodër (1945-46). Mbas burgimit dhe arratisjes, punoi si nëpunës në Seksionin e Statistikës në Zagreb (Kroaci). Më 1961-62, ai u punësua si përkthyes i Konsullatës amerikane në Napoli e Romë. Gjatë qëndrimit në Kampin e refugjatëve të Capua-s, ai dha mësime frëngjisht për refugjatët që mërguan në Belgjikë. Në SHBA, u punësua pranë një kompanie amerikane në Wall Street, dhe në vitet 1966-1991, si profesor i frëngjishtes dhe italishtes pranë liceut Malverne, N.Y. Njëkohësisht, gjatë viteve 1975-79, ka dhënë mësime si pedagog i jashtëm pranë Universitetit Adelphi, N.Y. Që nga viti 1975-1991, datë e pensionimit, ka shërbyer si kryetar i departmentit të gjuhëve të huaja për shkollat e qytetit Malverne, N.Y. Gjatë viteve 1976-91, ka qenë edhe koordinator i programit të studimeve të avancuara Lice-Universitet pranë Adelphi University, dhe në vitet 1975-77 si asistent professor i frëngjishtes, (pedagog i jashtëm). Në qershor 1991, ka dalë në pension.

***
Gjithë jetën dhe veprimtarinë e tij prej njeriu me zemër të madhe, Dr. Repishti ia kushtoi lëvizjes për të drejtat e njeriut, sidomos në ndihmë të shqiptarëve të trojeve tona të “Shqipërisë lindore” (si e quante ai Kosovën dhe pjesën shqiptare të Maqedonisë). Atë e ka shqetësuar gjatë gjithë jetës dhe e shqetëson edhe sot e kësaj dite problemi i “njeriut”, i potencialit të tij fisnik si dhe çoroditja e çnjerëzimi i tij për shkak të rrethanave të pafavorshme. “Gjatë udhës, shkruan ai, takova dhe njoha më mirë “njeriun”, krijesën fisnike, e të etshme për liri, të djegur për vëllazërim e njëkohësisht, të aftë me zbritë poshtë, në botën ku mbretëron çnjerëzimi më i plotë e vdekja më e frikshme. Në këtë botë të nëntokës përqafova viktimën, dhe e deshta me pasion”.
Si aktivist i të drejtave të njeriut, Dr. Samiu ka qenë anëtar që në fillim (1976) i Amnesty International, dhe koordinator për Jugosllavinë dhe Shqipërinë (komuniste) me: AI: East European Coordination Committee, me qendër në Nju Jork City. Mbas vitit 1982 ka bashkëpunuar edhe me NY State Bar Association, Commission of Human Rights, dhe Minnesota Lawyers International Human Rights Committee.
Dr. Repishti është i pari shqiptaro-amerikan, që ka ngritur problemin e shqiptarëve në ish-Jugosllavi para Kongresit Amerikan (prill, 1965), ka dëshmuar pa ndërprerje para Komisioneve të Kongresit (Dhomës dhe Senatit), si dhe qëndrave studimore amerikane kryesisht për problemin kosovar. Në vitin 1986, ai kërkoi hapjen e përfaqësisë amerikane në Prishtinë, që u realizua me sukses në vitin 1996, dhe hapjen e përfaqësisë kosovare në Washington D.C., që u aprovua nga Presidenti W. J. Clinton, më 1993.
Dr. Repishtin e ka shqetësuar, gjithashtu, edhe problemi i Çamërisë. Për këtë, ai së bashku me Dr. Zamir Shtyllën dhe z. Agron Alibalin, organizoi në Fordham University, N.Y. City, “Seminarin e Parë Kulturor mbi Çamerinë”, më 12 Qershor, 2000. Në këtë seminar, Samiu parashtroi me hollësi gjendjen e Çamerisë me shifra e fakte, gjeografinë dhe historinë e saj që nga koha e Lidhjes së Prizrenit dhe deri në ditët tona. Seminari nxori në dritë shkeljet flagrante masive dhe të përhershme të të drejtave të njeriut të popullsisë shqiptare në Çameri, duke u nisur nga e drejta e jetës, e drejta e zotërimit të pronës e të pasurisë, etj., dhe kritikoi ashpër shtetin nënë “demokratik” që nuk e ngriti zërin në mbrojtje të bijve të vet. Nën kujdesin e tij, materialet e seminarit u botuan në saje të kontributit bujar të Albanian Center Inc. N. Y.
Dr. Repishti është bashkëthemelues (1986) dhe drejtor ekzekutiv i Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane (1986-1992); bashkëthemelues i organizatës “Rinia Shaqiptare Kosovare në Botën e Lirë”, (1968-1992); Kosova Relief Fund USA, Inc. (1978-2000); i American Friends of Albania, sekretar (1992-1996), bashkëthemelues dhe kryetar i parë i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (1996-1998), dhe anëtar bordi i disa organizatave shqiptaro-amerikane. Në vitin 1962, është bërë anëtar i “Vatrës” deri në vitin 1968, kur u tërhoq për arsye mospajtimi me disa orientime të “Vatrës” lidhur me “politizimin” dhe partizanitë e partive poitike të emigracionit shqiptar. Ai vazhdon edhe sot e kësaj dite të merret me studime shqiptare, dhe me të drejtat e njeriut.
Në fushën e veprimtarisë letare, ku spikat një talent i padiskutueshem, ai na ka dhënë dy xhevahire të prozës tregimtare: “Pika Loti-Tregime burgu” dhe “Nën hijen e Rozafës-Narrativë e jetueme”. Veprat dëshmojnë qartë që ai e sakrifikoi talentin letrar artistik për t’iu kushtuar lëvizjes për të drejtat e njeriut.
Dr. Sami Repishti është vlerësuar nga institucione të ndryshme në verimtarinë e tij humane, shoqërore, atdhetare, akademike etj. Në vitin 1964, me Departmental Honors (frëngjisht), College Honors for achievement; Më 1965, W. Wilson Honorable Mention; më 1970, Bourse d’etudes du Gouvernement français; 1988: AANO Pllakë mirënjohjeje për veprimtari në fushën e të drejtave të njeriut, dhe distinktivin e Kryepeshkopatës Shqiptare në Amerikë për të drejtat e njeriut; më 1991, kandidat për Çmimin Yavner Shteti i New York-ut, arsimtar i dalluar në mbrojtjen e të drejtave të njeriut; më 1991, “Dhuratë për demokraci”, nga Kandidati për president W. J. Clinton dhe Mrs. Clinton etj. Ai është dekoruar disa herë nga qeveritë shqiptare dhe amerikane për veprimtari patriotike dhe akademike. Në vitin 2004, për kontributin e pareshtur ndaj problemit të Kosovës, u dekorua nga Presidenti Ibrahim Rugova me “Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit”, me rastin e 125-vjetorit të kësaj ngjarjeje madhore të historisë sonë. Ai është anëtar nderi i Institutit Alb-Shkenca. Para pak vitesh, Bashkia e Shkodrës emëroi një rrugë të qytetit me emërin e tij: “Rruga Sami Repishti”, një simbolikë nderimi dhe pavdekësie. Ajo tabelë ogurmire në krye të asaj rruge do t’i kujtojë Shkodrës, breznive të sotme dhe të ardhme, një nga bijtë e saj që u përpoq gjithë jetën për të pakësuar vuajtjet e tjerëve.
(Kohët e fundit, Dr. Repishti ka dërguar kopje të shkrimeve dhe dokumente të veprimtarisë së tij në Muzeun Historik të Qytetit të Shkodrës, dhe në Bibliotekën Universitare të Republikës së Kosovës).
Edhe pse në moshë të thyer, Dr. Repishti vazhdon punën e tij në hullitë e veprimtarisë së tij të zakonshme. Atë e shqetëson çdo gjë jo e mirë që ngjet në Shqipëri, në Kosovë dhe në trojet tjera tonat në Ballkan. Dhe ai i përgjigjet flakë për flakë çdo problemi preokupues. Ai ka demaskuar gjendjen dhe zhvilimet politike në Shqipëri mbas vitit 1990, të cilat, siç shkruan ai: “kanë anashkalue imperativin kategorik të demaskimit të periudhës së tiranisë komuniste në Shqipëri. Krimi nuk është dënue, e krimineli ashtë kthye në pushtet i veshun me rrobën e ‘socializmit europian’. Gjendja politike vazhdon të jetë kaotike, ajo ekonomike e dëshprueme…’; Shqipëria ‘demokratike’ dështoi të lindë si antitezë e mentalitetit dhe praktikës kriminale enveriste”.
Gjatë gjithë jetës, ai nuk e ka lëshuar penën nga dora. Fryt i kësaj pune këmbëngulëse dhe të vazhdueshme janë njëzet librat si autor dhe bashkautor, dhe qindra studime, ese, artikuj, memorandume, peticione, recensione, letra etj
Më vjen mbarë të bie këtu vlerësimin e lartë të një personaliteti të lartë të kulturës sonë këtu, Peter Priftit: “… Për mendimin tim, shkruan ai, prof.dr. S. Repishti qëndron në krye të intelektualëve të diasporës shqiptaro-amerikane. Ai është pasardhës i denjë i Rilindasve, sepse ka zbatuar me besnikëri idealet e tyre të larta.”
Me gëzimin që na ushqen gjendja më se e mirë shëndetësore e mendore, energjia e tij e pashtershme në veprimtarinë jetësore në shërbim të plotësimit të idealeve dhe dashurisë së tij ndaj popullit dhe atdheut, i urojmë me përzemërsi profesorit tonë, Dr. Samiut, “që vazhdon të na mahnitë me freskinë dhe forcën e mendimit” siç ka thënë Fotaq Andrea, shëndet të plotë, dhe jetë të gjatë e të frytshme.
Përfitoj nga ky rast që t’i propozoj pjesëmarrësve të këtij tubimi shkencor, t’i drejtohemi Presidentit të Republikës së Shqipërisë që me rastin e 90-vjetorit të lindjes, Dr. Sami Repishtit t’i jepet titulli i lartë : “Nderi i Kombit”.

Falemnderës!

* Kumtese e mbajtur me 18 Korrik 2015, ne Simpoziumin kushtuar Jetes dhe Vepres te Prof. Sami REPISHTI me rastin e 90 Vjetorit te Lindjes

Burimet:

Hamdi Bushati, “Shkodra dhe motet” – Traditë, ngjarje, njerëz – Shtëpia botuese “Idromeno”, Shkodër, 1999.
Faik Luli, Islam Dizdari, Nexhmi Bushati, “Në kujtim të brezave”, Shtypur në shtypshkronjën “Rozafat”, Shkodër, 1999.
Eleni Karamitri, “Zëra nga diaspora”,- Studime, portrete, dëshmi, – “Plejad”, Tiranë, 2005.
Fatbardha Saraçi – Mulleti, “Dhimbje”, Shtypur në shtypur në shtypshkronjën “Rozafat”, Shkodër, 1996.
Sami Repishti, “Pika loti” – Tregime burgu – Shtëpia botuese “At Gjergj Fishta”, Shkodër, 1997.
Sami Repishti, “Nën Hijen e Rozafës” – Narrativë e jetueme – Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë, 2004.
Sami Repishti, “Dialektika e rendit dhe e rebelimit tek André Malraux”, përktheu nga origjinali frëngjisht Fotaq Andrea, shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë, 2011.
Sami Repishti, Hajdar Bajrktari, “Kosovë, prill 2000” – Përshtypjë udhëtimi – Prishtinë, 2001.
Sami Repishti, “Punimet e Seminarit të Parë Kulturor ‘Mbi Çamerinë”, Botim i posaçëm i së përkohshmes kulturore “Phoenix”, Shkodër, 2002.

Shtesë për botim: 

Veprimtaria akademike :

Autor/Author:
1)La dialectique de l’ordre et du moi profound de l’homme, chez Andre Malraux (frengj,1969). Dialektika e Rendit dhe e Rebelimit tek A.Malraux CUNY
2)The theme of the Revolution in the novels of Andre Malraux (1977)
(Tema e revolucionit ne romanet e Andre Malraux)Doktorate. C.U.N.Y.
3)Ten memorandums: The plight of the Albanians in Yugoslavia (1985).
4) Albania in brief (1992) Shqiperia me pak fjale N.Y.
5)Pika loti-tregime burgu (Tear drops- Prison Notes)(Shkoder 1997,2008)
6) Breaking the silence- A voice for Kosova (N.Y.:2000) Thyemja e heshtjes …
7)Nen hijen e Rozafes-narrative e jetueme. (Tirane, Onufri, 2004)
(In the Shadows of the Castle- Lived narrative)
8)Dialektika e Rendit dhe Rebelimit tek A.Malraux (shqip,Fotaq Andrea)2014

Bashkeautor/Co-author:
1)Lidhja e Prizrenit.100 Vjetori(The Centenn. of the League of Prizren.)(Rome,’78)
2) Studies on Kosova (Studime mbi Kosoven)(C.U.P. 1984) w/Arshi Pipa
3) Human Rights in Yugoslavia Gruenwald/Rosenbloom-Cale Eds)(C.U.P. 1986)
(Te drejtat e njeriut ne Jugosllavi)
4) Yugoslavia:Failure of Democratic Communism (Freedom House,N.Y.)1987
(Yugoslavia; Deshtimi i Komunizmit Demokrat)
5) Selbstbestimmung fuer Mittel -und OstEurope(Geneva,CH. 1989)
(Vetevendosje ne Europen Qendrore dhe Lindore)
6) Gaerung in Mittel-und OstEurope (Perleshje ne Europen Qendrore dhe Lindore (Geneva, CH. 1989)
7) Neue Epoche (Epoka e re)(Geneva,CH.) 1990
8)Albanian language and competencies (Gjuhe dhe kompetence shqipe)(Peace Corps,1992,w/I.Haznedari)
9)Kosova 2000.Pershtypje…(Kosova.Travel Impressions)(w/H. Bajraktari)
10)Çameria, seminar(Fordham U.2002)(Seminar on Chameria)(Z.Shtylla, A.Alibali)
11)The Jews in Albania: A story of survival-Essays and Documents (Rosenthal Inst. for Holocaust Studies,C.U.P.2011)( Jahudijte ne Shqiperi:Historia e nji Mbijetese)
12) Shqiperia e Jugut- Çameria. (Southern Albania:Çameria)(UET,Tirane,2014)
13) Arthur Koestler.Erresine ne mesdite (perkthim) (ne pergatitje)
Essais, artikuj, memorandums, peticione, letra gazetave etj.
(Essais, articles, memorandums, petitions, letters to newspapers etc.:)
Afersisht/Appr: 700(shtateqind)-Per Shqiperine: 130 +. Per Kosoven : 83+. Per Çamerine: 35 +. Per Maqedonine: 9 +. Per Mali i Zi, Presheva: 3+.
Memorandume: e peticione : 56. Konferenca , Simposiume e Seminare: 21.
Deshmi (Testimonies)para U .S. Kongresit : 14.
Botime ne gazetat dhe revistat shqiptare. dhe te hueja/Foreign media:The Wall Street Journal, The Washington Times, The Washington Post, Newsday, Daily News, Philadelphia Inquirer, The Christian Science Monitor, Le Monde Diplomatique, International Herald Tribune….

Filed Under: ESSE Tagged With: 90 - VJETORIN, Anton Cefa, e lindjes, Prof. Dr. SAMI REPISHTI NË

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • …
  • 26
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT