• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Fitoi apo humbi sovrani/popull?!

July 3, 2013 by dgreca

nga  Dr. Elton Mara, Nju York/

  Fitoi aleanca e majtë, një fitore e thellë e paparashikuar as nga vetë ky grupim. Por, problemi që shtrohet apo pyetja që del vetvetiu, me këtë rast, është: a fitoi vërtet populli përmes këtyre zgjedhjeve?

Mendoj se zgjedhjet e 23 qershorit na shpalosën dy tablo të ndryshme të cilat po përpiqem t’i shtjelloj më poshtë.

E quaj të rëndësishme të vë në dukje se për herë të parë tek ne u realizuan zgjedhje sipas standarteve të larta, siç është pohuar e vlerësuar jo vetëm nga analistët e institucionet tona, por dhe nga ato ndërkombëtare. Na pëlqen apo nuk na pëlqen ta pranojmë, por për realizimin e këtyre standarteve, merita kryesore, në mos e gjitha, i takon qeverisë Berisha, e cila e mbajti fjalën e dhënë, duke bërë realitet kështu një nga kushtet e vëna nga institucionet e BE-së për statusin e kandidatit.

E papritura e madhe e këtyre zgjedhjeve, siç e theksuam që në fillim, qe fitorja e thellë e së majtës, në përgjithësi, dhe e LSI-së, në vecanti. Dikush mund të thotë: “Po pse duhet të habitemi? I ka demokracia këto. Herë fiton një palë, e herë një tjetër? Herë me diferenca të vogla, e herë me të mëdha?!”  Teorikisht ashtu duhet të jetë, por konkretisht unë mendoj se jo. Fitorja e këtij grupi dhe vëçanërisht ajo e LSI-së, nuk është aspak bindëse dhe, për pasojë nuk pasqyron dëshirën e vërtetë të shqiptarëve. Mos vallë po them ndonjë gjë të re? Absolutisht jo! Këtë e kanë thënë me kohë gjithë ata që u morën me analizën e zgjedhjeve tona, qofshin ata punonjës të medias apo dhe vetë politikanët, shumë kohë para se të zhvilloheshin ato. A nuk ishte LSI-ja e kryetari i saj, Ilir Meta, më e kritikuara e më e përfolura gjatë gjithë fushatës apo dhe para saj? A nuk bashkoheshin të gjithë në konkluzionin se ajo duhet të kishte humbjen më të madhe në këto zgjedhje, për vetë qëndrimet klienteliste në mos edhe mafioze, që kishtë mbajtur gjatë gjithë ekzistencë së saj? Jo vetëm kaq, por propaganda e të dy krahëve, bashkëpunimin me të e shihnin dhe e vlerësonin si politikën më të pamoralshme që ka ndjekur ndonjë parti gjatë pluralizmit tonë. Por ja që çudia ndodhi e jemi para një fakti të kryer: ajo jo vetëm që nuk humbi, por fitoi më shumë se çdo parti tjetër. Nga 4 mandate të mundimëshme që arriti të sigurojë më 2009, tani mori lehtësisht 17 mandate, më shumë se katërfishin, me shtrirje në të gjithë vëndin. E çuditëshme apo gati e pabesueshme: një parti që ishte në bashkë-qeverisje me PD-në për 4 vjet rresht, e që është bashkë-autore me të, si për sukseset ashtu dhe dështimet e saj, tani na del

triumfatore.

Populli ynë ka një fjalë të urtë, kur është puna për të gjykuar tjetrin: “Inat kije, por hakun mos ia haj!”. Ajo diti aq mirë të shfrytëzojë të dy partitë kryesore, si gjatë kohës që ishtë në pushtet me to, ashtu dhe në opozitë. Do të mjaftonte vetëm ky fakt që ta renditësh atë në krye të politikës pragmatiste që ka mbizotëruar tek ne në pjesën më të madhe të këtyre dy dekadave.

Një pyetje tjetër që del natyrshëm këtu është: a kemi të bëjmë me nje rastësi apo mrekulli që ia dha Zoti apo me diçka tjetër që analistët tanë sikur nuk po e vënë shumë në dukje, me apo pa qëllim? Mendoj se enigma ëshët plotësisht e shpjegueshme po të shihen e të analizohen me gjakftohtësi mënyra se si u arrit kjo fitore, rrugët që u ndoqën e mjetet që u përdorën

Mund të themi pa e tepëruar se LSI-ja fushatën zgjedhore e filloi që kur hyri në koalicion me PD-në. Siç po del tani bindshëm, gjatë kohës që ishte në pushtet, ajo kapi jo rastësisht dikasteret më të rëndësishme lart, dhe tërë zyrat e tjera me interes të piramidës së pushtetit, deri në qarqe, rrethe, lagje e fshatara. Ndërsa qeveritarët PD-istë çallstisnin lart e poshtë për të kryer detyrat që iu kishin premtuar zgjedhësve, duke filluar nga ndërtimet madhore të rrugëve, hidrocentraleve, shkollave, qëndrave shëndetësore e kështu me radhë, LSI-stët e administratës, duke kapur postet kryesore në tërë kaskadën pushtetore, futnin në punë njerëzit hallexhinj, jashtë cdo kriteri, jepnin licenca e bënin favore të tjera që të jep pushteti, duke marrë prej tyre premtimin se do të votonin përherë për LSI-në, sikundër edhe ndodhi. Ky ishte një nga kontigjentet e votuesve të saj.

Kur filloi fushata, pas rokadës që bëri me PS-në, ajo nuk u kufizua me mitingje e thirrje apo duke vrarë mendjen për ndonjë program tërheqës, por mobilizoi tërë militantët e saj, që ia kishin borxh se i kishte favorizuar më se një herë, që të shkonin shtëpi më shtëpi e të premtonin punësime apo dhe zgjidhje problemesh të tjera, në këmbim të votës. Ky ishtë kontigjeni i dytë i madh i votuesve të saj dhe po të kemi parasysh vështirësitë aktuale me të cilat përballet populli sot, numuri i hallexhinjve që joshen kollaj me premtime, nuk është i vogël por goxha i madh. Mjafton të kujtoni qytetarët që mbushin për ditë sportelet e zyrave si hipotekat, ato të punësismit në arsim, shëndetësi, nëpër bashkitë ku merren licencat nga më të ndryshmet e kështu me radhë në gjithë sektorët e tjerë. Dhe në to, as më shumë e as më pak, e bënin ligjin LSI-stët që i kishin kapur ato vende jo vetëm për të mbushur xhepat por dhe për karriget e ardhëshme të parlamentit. Unë mbeta pa mend kur një miku im, komplet i bindjeve të djathta, ma pohoi hapur se kishte votuar për  LSI-në thjesht për punësimin e premtuar. Pri shirita përurimesh kryeministri poshtë e lart duke ndarë me popullin kënaqësinë që të jep realizimi i një ëndre të tillë siç është tërë infrastruktura e re e krijuar nga Jugu në Veri. Shko e hajde në Bruksel e Strasburg; bisedo me parlamentarë e komisionerë për heqjen e vizave; udhëto deri në Azerbaxhan më se njëherë për projektin e TAP-it; gdhije në zyrë për të ndjekur përballimin e përmbytjeve në Veri… Ndërkohë, LSI-stët vazhdonin të trokisnin derë më derë, duke premtuar vende pune, licenca ndërtimi, tendera të majme, vetëm me një kusht: më 23 qershor të votoni për ne!

Një tjetër kontigjent jo i vogël qe nga emigrantët tanë në Greqi dhe Itali. Përvec vetë kryetarëve Rama e Meta që organizuan mitingje, u dërguan në këto vende edhe tërë ato grupe pune, me disa objektiva. Së pari, premtime për farefisin e tyre në Shqipëri, po qe se votoin të majtën. E dyta, ata vunë në dispozicion të tyre tërë ata autobuza e tragete, duke iu paguar biletat vajtje-ardhje. Por të gjitha këto kërkojnë një faturë jo të vogël shpenzimesh monetare. Ju kujtoni se qe problem për ta? Harruat se në këtë grup gjoja të majtë, ka mbi njëzet milionerë, në mos edhe më shumë, që nuk iu dhimbsen dollarët e eurot, sepse e dinë shumë mire që ato para do shumëfishohen shumë shpejt duke vjedhur taksapaguesit

Nga ana tjetër, kryetari PS-së premtonte qiqra në hell që s’ka për t’i realizuar kurrë, si shërbimi shëndëtësor falas, vendosjen e taksës progresive, legalizimet etj. etj. Dolëm kështu tek një pikë tjetër e diskutimit të këtyre zgjedhjeve që ka të bëjë me qeverinë e ardhëshme. Do të uroja me gjithë zemër që të kishte sukses, jo për ta, por për të mirën e popullit. Por ja që mendja e ftohtë del para zemrës dhe më kap pesimizmi, në mos edhe dyshimi se ajo nuk do t’i ketë të gjata ditët, po vazhdoi të gënjejë veten e të tjerët, si deri tani. Për të mos u zgjatur me llafe, le të flasim më konkretisht.

Marrim më të përfolurën e tyre, shëndetësinë falas. Unë vetë jam mjek dhe më tepër se kushdo do të isha i interesuar që ky sektor të hynte më në fund në rrugën e mbarë. Por si mund të flitet për shërbim falas, si në kohën e diktaturës, kur kjo nënkupton tërë ato shpenzime? Nga do të dalin ato? Kur është fjala për ata që nuk kanë të ardhura, dakord, madje kjo është realizuar që tani nga qeveritë e majta e të djathta. Por për popullin, në përgjithësi, as që mund të flitet për një koncept të tillë. Si mund të jetë shërbimi i njëllojtë edhe për biznesmenët edhe për pensionistët apo dhe ato kontigjente me të ardhura të pakta? A nuk të kujton kjo “barazinë në varfëri”, që na katandisi për turp të botës? Jo vetëm që kjo është e papërballueshme, por do të ketë dhe efekte të tjera anësore, ndër të cilat po përmend rritjen e korrupsionit dhe uljen e ndjeshme të profesionalizmit të bluzave të bardha.

Aktualisht Shqipërija, për shërbimin shëndetësor, ka taksën mbi pagat 3.4 përqind, nga më të ultat në rajon. Greqija dhe Maqedonija ndajnë përkatësisht nga 6-10 përqind. Po u hoqën dhe këto kontribute, siç pretendojnë të majtët, do ketë ulje drastike për investime në këtë sektor të rëndësishëm jetësor, në një kohë që kemi aq shumë nevojë për të kundërtën, për të ecur në një hap me botën e qytetëruar.

Taksa progressive ose ndryshe taksa vetëm për ata që janë më të pasur, të kujton kohën e pas luftës kur shteti i vendosi taksa të papërballueshme sektorit privat, me synimin që dhe ata pak të pasur që kishte vendi të bëheshin të varfër si të tjerët. Taksa e sheshtë është shumë më efikase, veçanërisht për kushtet tona. Biznesmenët e pasur të ardhurat që nxjerrin nga përfitimi i taksave kanë mundësi t’i investojnë përsëri, duke krijuar kështu një klimë punësimi shumë më të favorshme. Taksat progresive, nga ana tjetër, zvogëlojnë efektin e taksave të njerëzit me aftësi paguese të ulët, duke e zhvendosur atë në mënyrë joproporcionale tek ata me aftësi paguese më të lartë. Por kjo bie ndesh me parimet bazë të barazisë, që duhet të ishte tipar qënësor i të majtëve. Në vështrim të parë duket sikur taksimi progresiv i bën të gjithë qytetarët të barabartë në sakrifica nga që shteti duket sikur ushtron të njëjtin presion mbi të gjithë. Në të vërtetë, është e kundërta se taksat progresive shkelin parimin e barazisë para ligjit. Si i tillë, taksimi progresiv synon të luftojë në mënyrë të gabuar pabarazinë e njerëzve.  Kjo do ta polarizonte edhe më tej shoqërinë shqiptare e do t’i kundërvinte të pasurit kundër të varfërve, nga që të dy palët dukej se po ia hedhin njera tjetrës.

Një tjetër premtim që ka bërë e majta është legalizimi falas për ndërtimet informale. Por a është menduar se sa është kostoja për këto legalizime që qeverija e ardhshme ka premtuar t’i mbulojë? Asnjëherë nuk është sqaruar nga lidershipi i së majtës se sa do jete në total kjo faturë. Këtë premtim bosh unë e përkthej si një thirrje që kjo qeveri i bën popullsisë së zonave rurale që të sulen drejt qyteteve të mëdha pasi jo vetëm që s’do të kenë pengese në strehim por dhe dokumentat për legalizimin e tokave të pushtuara do t’i kenë falas. Kjo na kujton metodat që përdori Partia e Punës kur solli në qytetet e mëdha ushtarakë, policë e sigurimsa në pallatet që i ndërtoi enkas për ta, në pronat e klasave të përmbysura që ose i kishte vrarë ose dergjeshin në burgje nga regjimi i komunistëve.

Ndërkohë, LSI-ja në mënyrë masive do vazhdojë zanatin e vjetër duke punësuar ata që i dhanë votën, pa respektuar konkurencën e ndershme të tregut aktual të punës. Duke qënë thjesht militantë partie e jo profesionistë, ata do të jenë lehtësisht të korruptueshëm. Zyrat e partive kështu po kthehen në famëkeqet e zyrave të kuadrit të kohës së diktaturës.

Nga gjithë sa thashë më sipër, e kam të vështirë në mos edhe të pamundur që të besoj sadopak se me zgjedhjet që u bënë fitoi populli, apo sovrani, siç iu pëlqen ta quajnë politikanët tanë të nderuar që do të na qeverisin.

Filed Under: Komente Tagged With: apo humbi Sovrani, Dr. Elton Mara, fitoi

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT