-Sipas Panajot Barkes, qyteterimi shqiptar, civilizimi, Rilindja Shqiptare, janë si rrjedhojë e kulturës që ata kanë marrë nga Greqia dhe helenizmi./
-Duke përdorur me djallëzi dhe si një sheqerkë embëlsuese fjalën “objektiviteti”, ai me një të rënë të shpatës, të gjitha mendimet e dala kundër atyre që do të thotë z.Barka, i quan subjective!!!/
-DISA MENDIME MBI SHKRIMIN E Z.PANAJOT BARKA/
Ne Foto: Panajot Barka ne vitin 1997 me automatik/
NGA PETRO DANGELLIA/*
Kur lexon shkrimin e z.Panajot Barka “Polisemia pozitive në marrëdhëniet historike greko-shqiptare” duket sikur pi një gotë çaj nga një bimë e helmatisur, por e ëmbëlsuar që në titull me fjalët e sheqerosura “pozitive greko-shqiptare”. Z.Panajot rreh të na mbushë mëndjen se civilizimi shqiptar, qytetërimi i shqiptarëve, rilindasit shqiptarë dhe vetë Rilindja Shqiptare janë si rrjedhojë e kulturës që ata kanë marrë nga Greqia dhe helenizmi. Dhe për mbushjemendje, na thotë se edhe vetë Naim Frashëri, një nga poemat e tij në vitin 1866 e ka shkruar në greqisht! Për të realizuar këtë ai përdor sofizma të pastra greke, pelivanllëqe historike dhe akrobacira referencash të paprincipta dhe na i server në pjatë si një gjellë greke klasi dhe me standarte historike. Me të pavërteta historike për revolucionin grek, ai qëllimisht ngatëron paralelen, Kollokotroni-Ali Farmaqi, lidhur me flamurin që do të kishte ushtria e revolucionit grek; me bashkëpunimin Kolloktroni me shqiptarët. Me këtë rast, me zell të madh fillon të hedhë baltë, jargë dhe pështymë sa andej këndej mbi figura të tilla si, Zenel Gjolekën, Rrapo Hekali, madje mbi vetë Abdyl Frashërin. Sipas Barkës, Zenel Gjoleka u është ulur në gjunjë grekëve, më saktë vllaho-grekut, ish kryeministrit grek të vitit 1845, Jani Koleti; që t’i njihte identitetin grek!!!
Që të mos flasë njeri dhe të na mbyllë gojën, ai që në fillim vendos si barrierë mbrojtje Kryetarin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, z.Myzafer Korkuti. Si një sofist i shkathët ai i del në mbrojtje z.Myzafer, i cili paska një shqetësim objektiv, të cilin shqiptarët nuk e kuptojnë dhe na del një grek në rolin e terxhumanit që rreket të na i shqipërojë ato që z.Korkuti i thotë shqip. Duke përdorur me djallëzi dhe si një sheqerkë embëlsuese fjalën “objektiviteti”, ai me një të rënë të shpatës, të gjitha mendimet e dala kundër atyre që do të thotë z.Barka, i quan subjective!!!
Pasi e shtron mirë rrugën, ai u kthehet rilindasve shqiptarë duke i akuzuar se ata kanë dashur t’i japin popullit të tyre “një etnogjenezë të ndritshme”, dhe këta rilindës z.Barka i ka kapur si hajdutë me “presh në dorë” duke vjedhur dhe “përvetësuar lavdinë e civilizimit të Dodonës dhe mitologjisë greke”. Ky, sipas z.Barka është një krim i rëndë, pasi kjo është një e drejtë e pamohueshme vetëm e bashkëatdhetarëve të tij.
Pasi mbaron punë me etnogjenezën e shqiptarëve dhe u tregon atyre “arat që u ka lënë babai ”; na këput edhe një “kumbull” tjetër se, “parimet e ideollogjisë kombëtare shqiptare ishin një adoptim I parimeve të ideollogjisë së re kombëtare greke”. Pra, shqiptarët në Rilindjen e tyre nuk kanë bërë gjë tjetër, veçse kanë kopjuar grekët e Barkës. Kjo, sikur Rilindja Italiane dhe e gjithë Rilindja europiane të mos ekzistonte fare. Z.Barka e ka lënë koha prapa nja 20 shekuj dhe haron që nuk jemi në shekullin e tretë, apo të katërt p.e.s; por në shekullin e XIX, kur grekët e Barkës sapo kishin hapur sytë, të cilët u vriteshin nga shkëlqimi verbues I civilizimit të ri europian që rezatonte në të gjithë botën, në atë kohë dhe sot e kësaj dite. Z.Barka haron që rektori i parë i universitetit në Turqi Hasan Tahsini, në erudicionin e tij brilant reflektonte parimet e Dekartit dhe të Lajbnicit dhe po kështu gjithë rilindasit e tjerë që ishin frymëzuar nga parimet e revolucionit francez me thirrjet e famshme “Liri, Barazi, Vëllazëri”, nga parimet e shkëlqyera të Zhan Zhak Rusosë, Volterit, Hygosë,Shekspirit, Balzakut etj etj.
Dhe si për t’i vënë kapak mendimit të tij , i referohet një studjuese filo greke, Natalia Kler, e cila vetë është e sëmurë nga virusi i helenizimit. Duke këputur broçkulla të tilla si “shqiptarizmi kultivohej nëpërmjet helenizmit” dhe se shumica e rilindasve shqiptarë kishin kulturë greke.
Më tej me një akrobaci sofiste, duke mbështetur “konstatimin shqetësues” të z.Korkuti, indirect dhe si pa dashje, hedh idenë se idetë e Rilindasve tanë për etnogjenezën e popullit të tyre; mund të gjejnë krahasim vetëm tek idetë nazizte, mbi origjinën ariane të racës gjermane. Pra, Barka me një gur vret dy zogj.
Dhe në fund të kësaj apologjie, na ve përpara të madhin Çabej; por pa një referencë të qartë dhe të saktë të veprës dhe vendit ku i ka thënë ato fjalë, që me emrin e Çabejt, gurgullojnë në gojën greke të z.Barka.
Më tej në shkrimin e tij, z.Barka na hap dritaren e helenizmit, ku thëniet e paskrupullta, për sa i përket vërtetësisë historike të tyre, ndjekin njëra tjetrën.
E para, se ideatori i megalidhesë, në të cilën mbështetet edhe ideja e Vorio-Epirit, Jani Koleti, është arvanitas. Kur dihet botërisht, që Jani Koleti është vllah. Këtu z.Barka do që me një gur të vras dy zogj, edhe të hedh helmin e tij; por edhe të na thotë që idetë e megalidhesë nuk kanë lidhje me grekët, por me vetë racën tuaj, shqiptarët, ose arvanitasit.
Në vazhdim të idesë së helenizmit dhe vendndodhjes së tij gjeografike, duke na përmendur Shuflajin, na tregon se kufijtë e helenizmit, ose greqizimit shtrihen nga Shkumbini e poshtë; po në atë territor që donte të përfshinte Republika Autonome e Vorio-Epirit e vitit 1914 e shpallur prej bashkëatdhetarëve të tij minoritarë grekë.
Në mbështetje të kësaj na tregon përralla me mbret, lidhur me një deklaratë të Ismail Qemalit; pa e cituar konkretisht dokumentin ku ndodhet kjo deklaratë; ku sipas Barkës edhe vetë Ismail Qemali ka caktuar me dorën e vet kufirin e helenizmit, pra edhe të vetë Greqisë, apo Vorio-Epirit të Barkës; në vijën Manastir-Himarë. Dëgjoni o shqiptarë, se ku jua vendos kufirin z.Barka, prof i asociuar i një universiteti në provincë.
Në vazhdim të përrallave të tij, z,Barka na tregon se në perandorinë osmane, në të ashtuquajturat territore greke; ndërkohë që, që nga viti 146 p.e.s, me pushtimin romak të qytet shteteve greke, nuk janë përmendur më në histori territore greke, pasi perandoritë zëvëndësuan njera tjetrën, Romake, Bizantine,Osmane dhe për territore greke mund të flasim pas vitit 1831; “gjuha shqipe u bë gjuha e ushtrimit praktik të pushtetit ushtarak, ekonomik dhe administrative nën territoret greke nën perandorinë otomane”. Kështu ky “kalorës me fytyrë të vrerosus” i helenizimit na tregon se gjuha shqipe, qe gjuha administrative e Perandorisë Osmane!!! Dhe duke marrë për tezë këtë hipotezë, ose një të pavërtetë për argument, hidhet në sulm me shtizën e ndryshkur të Vorio-Epirit duke na thënë një të “vërtetë” qe bota nuk e paska ditur; që , “aq i theksuar qe ky pushtet (kuptohet i gjuhës shqipe), sa që shumë të krishterë (vetëkuptohet nga grekët e Barkës), në kushtet kur koncepti komb ishte i pandjeshëm në krahasim me fenë dhe të ekzistencës së një mjedisi multikulturor, pranuan të adoptonin shqipen për të shpëtuar besimin”.
Një xhevair të tillë “shkencor” nuk e kishim dëgjuar, që gjuha shqipe paska qënë agresive në të ashtuquajturat territore greke të Barkës, sa që “grekët” e Barkës, për të shpëtuar fenë; zëvëndësuan gjuhën e mëmës, greqishten, me shqipen!!! Dhe për të na mbushur mëndjen me këto përçartje historike dhe gjuhësore, na nxjerr përpara Hamondin, këtë anglez dogmatic filo-helen; i cili edhe ai nga ana e vet, këput ca kumbulla akoma më të tharta nga pikëpamja shkencore: “…Banorët shqipfolës në Epir ishin fillimisht greqishtfolës dhe adoptuan të folmen shqipe, vetëm kur nën presionin e Turqisë ndryshuan besimin”!!!!
Po mirë, o zoti Hamond, dakort. Po pse Turqia, nuk bëri presion për gjuhën turqishte, po e kishte zënë meraku me gjuhën shqipe, me se s’bën??!!! Vetëm po të na trulloset mëndja nga rrotullimi në pelivanllëqe të tilla “shkencore”, mund t’i pranojmë këto argumenta. Këto argumenta dalin nga mëndjet e çoroditura, për mëndje të çoroditura.
Por, për të na bindur se të gjitha ato që thotë z.Barka më lart janë përsiatje të një mëndje të çoroditur; na vjen në ndihmë po vetë z.Barka. Si, z.Barka do të thoni ju??!!! Po ore, dora vetë. Ja dëgjoni se çfarë na thotë ai me gojën e vet: “ Gjithë ushtrinë e Ali pashë Tepelenës e përbënin shqiptarët, por gjithë infrastrukturën në administratë e përbënin grekët…dhe (Ali pashai) kishte adoptuar si gjuhë zyrtare greqishten”.
Aman o z.Barka, po kësaj çfarë emëri t’i vemë??!!! Më lart na thua, se “gjuha shqipe u bë gjuha e ushtrimit praktik të pushtetit ushtarak, ekonomik dhe administrative nën territoret greke nën perandorinë otomane”, ndërsa tani na thua të kundërtën, pasi meqënësë sipas teje dhe Hamondit, Epiri ka folur greqisht; por ja ktheu në shqip administrata otomane; nga ana tjetër na thua që Ali pashai, që ishte pjesë e pushtetit turk dhe administratës otomane, pushtet i cili shtrihej në Epir dhe Thesali, na mbante për gjuhë zyrtare gjuhën greke!!!.
Këto përçartje “shkencore” vetëm një donkishot I historisë mund t’i thotë.
Se me të drejtë, po të pyesim o z.Barka, se nuk po të kuptojmë. Kur, administrata e pushtetit otoman në Epir përdorte si gjuhë zyrtare greqishten; grekërit e tu, pse duhej të flisnin shqip, kur shkonin në zyrat e shtetit?!!!
Si argument, që të mbyllësh gojën e të mos këpusësh më broçkulla të tilla; Po të pyesim: Si ka mundësi që bashkëatdhetarët e tu minoritarë grekë në Dropull dhe në Vurg, 200 vjet nën sundimin e Turqisë dhe 100 vjet nën sundimin e shqiptarëve, nuk pranuan të “ të adoptonin shqipen për të shpëtuar besimin”, por sot e kësaj ditë, ata dhe t’i vetë o zotni nuk e keni humbur greqishten, për të ruajtur besimin. Por flisni greqisht, pa ju penguar njeri. Kësaj çfarë t’i themi??!!!
O perëndi e madhe, ku të të besojmë; në ato që na thua më lart, apo në ato që na thua më poshtë!!!
Të gjithë këtë rokopujë z.Barka e bën vetëm e vetëm të na mbushë mëndjen se banorët e Epirit, që nga lashtësia e deri më sot, kanë folur greqisht dhe vetëm greqisht, dhe janë grekë 24 karatë.
O profesori i letërsisë antike greke, meru me letërsinë dhe mos u ngatëro në thekrat e historisë, se do të pengohen këmbët, do rrëzohesh dhe do të thyhesh hundën. Pasi, po të lexosh, Omerin, Herodotin, Tuqididin, Strabonin, Dionisin e Halikarnasit etj etj, do të mësosh se Epiri në lashtësi ka qënë barbar, pra nuk ka folur greqisht o xhan.
Por, që të mbushet mëndja “top”, po të japë një shëmbull nga fusha e letërsisë dhe bash nga ajo fushë, ku zotëria juaj ka marrë titullin Prof, I Asociuar. Po të citoj Eskilin e Madh nga vepra e tij “Lutëset”:
“Përpara teje ndodhet Pelazgu, zot i vendit, i bir’ i Palektonit, i lindur nga dheu…fisi i pelazgëve, që rron në këtë truall. E tërë kjo krahinë, ku rrjedh Strimon I shënjtë, gjer tej ku perëndon (kuptohet dielli), veç mua më përket. Pushteti im arrin tek trojet e perrebve, tej viseve të Pindit (ku banojnë sot vllaho-grekët) gjer pranë Peonisë (ku banojnë sot shqiptarët e Maqedonisë); Mbi malet e Dodonës; këtu dhe cak i fundit tallazet shkulm të detit. Ja vendi ku sundoj…”.
Pra sipas asaj që thotë Eskili, territoret ku sundon pellazgët kufizoheshin : Gjithë gadishulli i Peloponezit; Gadishulli I Atikës, Beotia, Eubea dhe I ghjithë Epiri. Pra, kufizohej ky territos: Në Lindje me lumin Strimon; në Veri me Peonët dhe Perrebët, fise ilire; dhe në Perëndim me bregdetin e Kaonisë dhe Thesprotisë (Çamërisë së sotme). Pra territore, ku brenda tyre, përfshihej edhe Epiri. Dhe në të gjithë këtë territor me Epirin brenda, kuptohej që flitej pellazgjisht dhe aspak greqisht. Pra në kohën e zbarkimit të danajve në Argos, në Argolidë, Thesali, në gadishullin Kalikidik (Selaniku i sotëm), por dhe në Epir nuk flitej greqisht, por pellazgjisht.
Si përfundim, se kush është bijë apo mbesë e pellazgjishtes, shqipja, apo greqishtja, këtë po ja lemë në dorë gjuhëtarëve.
Mbeç me shëndet z.Barka.
20.11.2016. Petro Dangëllia.
- Ky shkrim i derguar ne redaksine e Diellit nga autori eshte replike me shkrimin e Panajot Barkes botuar ne Gazeten Shqiptare datë 30.10.2016 .