• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MONOGRAFI PËR KOLOSIN E PAZARIT TË RI

July 8, 2021 by dgreca

Ismet Azizi, Aqif Blyta: kolosi i Pazarit të Ri, Botoi: Logos-A, Shkup-Prishtinë-Tiranë, 2019/

Shkruan:Dr. Nail DRAGA/

Botimi i një libri paraqet moment të veçantë për autorin dhe mjedisin përkatës, por kur  objekt hulumtimi kemi të bëjmë me personalitete, ngjarje e mjedise të veçanta gjeografike, atëherë  libri i tillë i tejkalon përmasat personale dhe nxitë kureshtjen të lexuesit. 

Në tërë hapësirën etnogjeografike shqiptare nga përfundimi i Luftës së Dytë e Botërore deri në vitin 1990 me dështimin e socializmit si sistem shoqëror dhe komunizmit si ideologji në lidhje me hulumtimet shkencore dhe shoqërore ka pasur pengesa të ndryshme subjektive. Ishte kjo koha e monizmit ku  çdo gjë vlerësohej sipas drejtimit ideologjik e jo realitetit e faktografisë shkencore. Por, në  rretha të reja shoqërore pas vitit 1990 studiues dhe individë të pasionuar kanë  filluar të hulumtojnë dhe të publikojnë botime të profileve të ndryshme shkencore, kulturore e publicistike.  

Opinioni i gjerë është i njohur se shqiptarët që mbetën jashtë  Shqipërisë politike të vitit 1913  ndonëse ishin në trojet e tyre autoktone, përjetuan politikën asimiluese  dhe të spastrimit etnik, që realizohej në praktikë sipas projektit serbomadh  të Naçertanijës(1844).  Duke marrë parasysh shpërndarjën territoriale, nuk ka dilemë se në pozitë me pavolitshme ishin shqiptarët  në mjediset periferike, duke u kërcënuar vazhdimisht nga pushteti  serb i kohës. 

Në këtë aspekt  rast të veçantë paraqesin shqiptarët e regjionit të Sanxhakut, çështje e cila ka kohë që është preokupim personal e profesional i pedagogut e studiuesit I.Azizi, i cili në sajë të angazhimit e hulumtimit  disavjeçar ka botuar librin Aqif Blyta; kolosi i Pazarit të Ri, Logos-A, Shkup-Prishtinë-Tiranë, 2019. Kemi të bëjmë me libër monografik për një mjedis të veçantë dhe i panjohur sa duhet nga opinioni i gjerë, që përfshin kryesisht  përiudhën nga  fillimi i shek.XX e deri me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore.

Libri ndahet në disa kapituj duke ofruar fillimisht  të dhëna për regjionin e Sanxhakut e vazhduar më pas me personalitetin e Aqif Blytës, në lidhje me jetën e veprimtarinë e tij, shkollimin, veprimtaria në Izmir(Turqi), kthimi në vendlindje dhe përfshirja e tij në politikë, roli i tij në themelimin dhe veprimtaria  në Xhemijetit(Bashkimi), aktiviteti i tij parlamentar, angazhimi në pengimin e shpërnguljes së shqiptarëve,  si dhe në rrjedhat politike pas shuarjës së Xhemijetit, okupimi i Kosovës dhe i Sanxhakut në Luftën e Dytë Botërore dhe ndarja e tyre në zona okupimi, organizimi i pushtetit për mbrojtjën e Sanxhakut nga sulmet e çetnikëve, pastaj veprimtaria e tij në Lidhjen e Dytë të Prizrenit si dhe më pas sajë në NDSH, dhe së fundit hyrja e komunistëve dhe vendosja e pushtetit të tyre në Pazar të Ri dhe ekzekutimi i tij nga ana e tyre. 

Nuk ka dilemë së Aqif Blyta ishte intelektual me vlera të mëdha politike e diplomatike, në shërbim të popullit dhe çështjes kombëtare, duke mbetur simboli i shpëtimit të Pazarit të Ri nga pushtimi i çetnikëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në këtë aspekt ai ka pasur ndihmën vëllazërore të kosovarëve me në krye Shaban Polluzhën dhe bashkëluftëtarët e tij, duke dëshmuar organizim dhe sakrificë në mbrojtje të kauzës kombëtare. 

Ndonëse në rrethana të vështira A.Blyta mbeti politikani ma më ndikim në Pazarin e Ri dhe rrethinën e tij, sidomos në mesin e popullsisë boshnjake, simbol i rezistencës kundër pushtetit serb të kohës për barazi  kombëtare e shoqërore. Kemi të bëjmë me kohën kur shqiptarëve pushteti iu mohonte të drejtat kombëtare, duke dëshmuar hipokrizi sepse pjesëtarëve të popujve tjerë jo sllavë(gjermanët,hungarezët,italianët) iu lejoheshin të drejtat kombëtare.

Në sajë të veprimtarisë  dhe sakrificave  në mbrojtje të popullsisë së Sanxhakut A.Blyta, duhet të zënë vendin e merituar në historinë e boshnjakëve dhe të shqiptarëve, në historinë e Kosovës dhe të Shqipërisë, andaj duhet të jetë pjesë e tekstëve shkollore. Sepse pak kush e dinë së në Pazar të Ri ka funksionuar shkolla shqipe “Naim Frashëri”(1941-1944) si dëshmi e identitetit kombëtar të këtij qyteti. Një lëshim i tillë në të kaluarën, është dashur të eliminohet tash në pluralizëm, sepse çështjet nuk duhet të trajtohën me qasje ideologjike  si në kohën e monizmit(1945-1990), por me argumente e faktografi shkencore në kontekstin e kohës.

Në lidhje me çështjet përkatëse autori ofron të dhëna me interes duke u bazuar në literaturë dhe dokumente arkivore të cilat prezantojnë rrethanat shoqërore e politike të kohës, nga del se pjesëtarët e popullit boshnjak e shqiptarë janë përballuar për të mbijetuar. Dhe nuk ka si të ishte ndryshe sepse ka ekzistuar aleancë në mes çetnikeve dhe njësiteve partizane kur në pyetje ishte popullata vendore boshnjake e shqiptare e cila ishte pengesë në realizimin e strategjisë së spastrimit etnik në këtë regjion. Edhe ndarja e Sanxhakut në dy pjesë ne mes Malit të Zi dhe Serbisë, me të përfunduar Lufta e Dytë Botërore jashtë vullnetit të popullsisë vendore, dëshmon politikën shtetërore hegjemoniste kundër këtij  regjioni me pozitë gjeostrategjike. 

Duke lexuar këtë libër del qartë  se Aqif Blyta mbetet një model i rrallë i përpjekjeve dhe i luftës së parreshtur të popullit të Sanxhakut në betejat e shumta për të frenuar aspiratat e Serbisë e Mali të Zi në zbatimin e programeve të ndryshme për spastrim etnik dhe dalje në det përmes regjionit të Sanxhakut.  Dhe një gjendje e tillë kulmoi sidomos në kohën kur Sanxhaku lindor, me rastin e ardhjës së gjermanëve(1941) mbeti pjesë e Serbisë. Por, Aqif Blyta, duke qenë tash lider i vërtetë mori përsipër që t’iu prijë proceseve duke marrë situatën në duar të veta duke mbrojtur popullatën, e cila rrezikohej nga forcat çetnike, të cilat në programin e tyre kishin spastrimin e Sanxhakut nga elemnti joserb, si synim  i tyre politik e  strategjik.  

Këtë libër e vlerësoj si homazh për A.Blytën dhe të gjithë të martirizuarit në Pazarin e Ri, të cilët luftuan për liri e barazi kombëtare, si të gjithë popujt e qytetëruar. Por, në rrethana të reja me rastin e instalimit të ideologjisë komuniste, të gjithë ata që nuk ishin sipas përceptimit të tyre ishin armiq potencial dhe si të tillë të rrezikshëm për pushtetin e ri. Andaj, duke jetuar në një mjedis, ku dominonin paragjykimet ndaj pjesëtarëve të popujve të tjerë, në aspektin kombëtar, gjuhësor e fetar, ndëshkimi ka qenë i pa evitueshëm. Në këtë aspekt  boshnjakët shqiptarët në Pazarin e Ri e përjetuan me  së shumti se të tjerët, sepse pushtetarët e rinj ideologjik, kishin mision që të eliminojnë kundërshtarët e tyre  fetar e kombëtar.

Botimin e këtij libri e vlerësojmë si mundësi praktike të njohjës së rrethanave politike e shoqërore të kohës, në Sanxhak, në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Kemi të bëjmë me rolin dhe kontributin Aqif Blytës, aktivitetin e tij shoqëror dhe patriotik në kuadër të Xhemijetit, me mision në avancimin e çështjës shqiptare, të mbrotjës së Sanxhakut dhe të trojeve të tjera shqiptare në përgjithësi. 

Libri “Aqif Blyta, kolosi i Pazarit të Ri” është i mirëseardhur jo vetëm për studiuesit, por edhe për të gjithë të interesuarit për ngjarjet e personalitetet historike, të këtij regjioni dhe më gjerë. Duke e lexuar këtë libër lexuesit i ofrohet një mundësi e cila më herët i ka munguar që të njoftohet më në detaje për të kaluarën historike të regjionit të Sanxhakut(sidomos të pjesës jug-lindore) dhe të luftës për mbijetesë të popullsisë boshnjake dhe shqiptare. Nga ana tjetër dokumentohet politika asimiluese e pushtetit serb nga viti 1912 e deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Dhe një qasje e tillë nuk përfundoj  por vazhdoi edhe me pas ku në forma të modifikuara është edhe në ditët tona, sepse Serbia mbetet faktori destabilizues numër një në Europën Juglindore. Edhe kontestimi i A.Blytës nga politika ditore dhe pushteti serb është pjesë e paragjykimeve kundër shqiptarëve e boshnjakëve  dhe urrejtjës patologjike kundër joserbëve në këtë mjedis.

Nga përmbajtja dhe trajtimi i lëndës iu mbetet lexuesve të analizojnë dhe të konkludojnë se sa vështirë ka qenë të përballohen rrethanat shoqërore e politike të kohës në regjionin e Sanxhakut, pa anashkaluar Kosovën dhe Maqedoninë, ku ka dominuar popullsia shqiptare. Ishte pikërisht kjo popullsi në aspektin fetar dhe kombëtar, që dallohej nga ajo ortodokse duke qenë sindrom për pushtetin serb dhe qellimet e tyre hegjemoniste. 

Kur bëhët fjalë për shqiptarët në aspektin historik dhe ate gjeopolitik në Siujdhesën Ilirike, librin në fjalë nuk duhet trajtuar si të izoluar por si pjesë integrale të çështjes shqiptare në përgjithësi, e cila duhet të jetë preokupim i studiuesve  shqiptar tash dhe në të ardhmën.

Nuk ka dilemë se autori iu ka ofruar lexuesve një botim me vlerë, për këtë  personalitet historik duke pasuruar  fondin e botimëve nga gjeografia historike  e hapësirës etnogjeografike shqiptare. 

Dr.Nail  Draga

(Lexuar me rastin e përurimit të librit në Shkodër, më 19.6.2021)

C:\Users\Labi\Desktop\Payari Ri cover.jpg

Filed Under: Analiza Tagged With: Aqif Blyta, Ismet Azizi, Nail Draga

Aqif Blyta kryetar i Novi Pazarit të shpallet hero kombëtar !

March 11, 2015 by dgreca

Iniciativa e Nexhmedin Spahiut,që Aqif Blyta të shpallet hero kombëtar, shumë e qëlluar dhe kaherë e domosdoshme./
Shkruan:Ismet Azizi/
Ne Foto:Aqif Blyta kryetar i Novi Pazarit (1941-1945) /
Gjakovari Aqif Blyta ishte njëri ndër politikanët dhe patriotët shqiptarë të Sanxhakut të Pazarit të Ri ndërmjet dy luftërave Botërore dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Aqif Blyta është veprimtar i shquar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe deputet në Kuvendin Kombëtar në Tiranë (1943-1944). Aqif- efendia në rolin e komandantit është më i merituari në mbrojtjen e N. Pazarit nga çetnikët. Aqif efendiu është lindur në N. Pazar në vitin 1887. Në N. Pazar babi i tij Emin-aga Blyta kishte ardhur nga Gjakova.
Populli i Sanxhakut i është mirënjohës posaçërisht për shkak të angazhimit të tij në pengimin e shpërnguljes së popullsisë nga Sanxhaku për Turqi. Aqif Blyta duke qenë personaliteti më i rëndësishëm i organizimit ushtarak dhe politik ishte në shënjestër të tri atentateve të organizuar. Për dy atentatet e para ishin përgjegjës ishin nacionalistët serbomëdhenj nga Beogradi, ndërsa për atentatin e tretë kanë qenë komunistët vendas të Sanxhakut të cilët për ekzekutues, me tërheqje shorti, kishin caktuar Hasë Rozhajën por më në fund ishin tërheqë nga ky vendim.
Kah fundi i vitit 1941 Aqif Blyta organizon mbrojtjen e Pazarit të Ri nga çetnikët të cilët vinin nga Rashka. Qëllimi i çetnikëve ishte marrja e Pazarit të Ri dhe mandej e tërë Sanxhakut me qëllim të shfarosjes së popullsisë shqiptare dhe myslimane. Ngjarjet që u zhvilluan tutje treguan se Aqif Blyta me ushtrinë e tij të formuar dhe me ndihmën e njësive shqiptare nga Peshteri dhe me ndihmën që i arriti nga vëllezërit kosovar nën udhëheqjen e Shaban Polluzhës, arritën t’i mbrojnë këto territore nga çetnikët.
Pas depërtimit të forcave partizane jugosllave në ato treva, Aqif Blyta iu dorëzua organeve të pushtetit partizan në Gjakovë, të cilët pastaj e dërguan në Pazarin e Ri. Mbas torturave mizore, bashkë me bashkëpunëtorin e tij më të ngushtë Ahmet Dacën, të cilin e kishte dhëndërr (burri i motrës) me tre djemtë e tij u pushkatuan në Haxhet (lagje e sotme e Pazarit të Ri) me 21 janar 1945 nga OZN-a jugosllave
Shqiptarët dhe popullsia myslimane e Sanxhakut e mbajnë në mend Aqif ef. Blytën si një një tribun popullor, lider me autoritet të padiskutueshëm, orator i aftë dhe poliglot. Këtij personaliteti të rëndësishëm i takojnë të gjitha meritat për futjen e popujve të besimit islam siç ishin Shqiptarët, Boshnjakët dhe Turqit të Sanxhakut, Kosovës dhe Maqedonisë në jetën parlamentare të Mbretërisë së Jugosllavisë (1918-1945).
Aqif Blyta, po ashtu, është njëri nga themeluesit e Xhemijetit – partisë politike që përfaqësoi dhe mbrojti interesat e tre kombeve, e cila u ndalua në vitin 1924, pas një shkrimi protestues të udhëheqësisë së saj drejtuar parlamentit për krimet e tmerrshme të malazezëve kundër popullatës në Shahoviq dhe Pavin Pole (më shumë se 1.000 të therur dhe masakruar). Xhemijeti ishte edhe kundër shkatërrimit të xhamisë Burmali në Shkup (në nëntor 1924), në të cilën vend është ndërtuar ndërtesa e Klubit të Oficerëve serb (e shkatërruar nga tërmeti në vitin 1963).
Pas shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore dhe rënies së Mbretërisë së Jugosllavisë, midis 6-7 nëntor dhe 6 dhjetor 1941, Aqif Blyta arinë të organizojë mbrojtjen e Pazarit të Ri dhe kundërvimit të tri sulmeve të forta çetnike, ku u vranë 756 njerëz, nga të cilat dy të tretat ishin nga radhët e luftëtarëve të mbrojtjes së Pazarit të Ri, që në atë kohë kishte rreth 8.000-10.000 banorë. Për fat të mirë, në qytet nuk ka pasur viktima të civilëve, pavarësisht nga gënjeshtrat e përhapura kinse aty janë vrarë 7000 qytetarë serbë (e që as sot nuk janë në atë numër).
Jemi dëshmitarë të përhapjes së të pavërtetave të shumta, absurditeteve dhe mashtrimeve të krimeve jo-ekzistuese, çmimit “Iron Cross” (që kurrë nuk i dhuruar ndonjë myslimani), të persekutimit të hebrenjve, duke iu shmangur faktit se vet personalisht Aqif Blyta i ka marrë për t’i mbrojtur qytetarët e vet serb së paku 420 të tillë, ndërsa lidhjet e tij me Turqinë i ka shfrytëzuar për t’i kaluar ato pak familje hebreje me të cilat kishte lidhje biznesore apo miqësore”, thuhet në një reagim të historianëve të Sanxhakut, në lidhje me diskreditimin nga opinioni serb ndaj personalitetit të Aqif Blytës.

Filed Under: Opinion Tagged With: Aqif Blyta, hero Kombetar, i Novi Pazarit, kryetar

Aqif Blyta – 70 Vjet nga vrasja

January 20, 2015 by dgreca

Janari është muaji që na bënë ti hedhim një sy të kaluarës, për të parë nga erdhëm, ku jemi dhe kah po shkojmë, çfarë rruge kemi bërë dhe çfarë do të bëjmë në të ardhmen. Por, janari, gjithashtu, për ne shqiptarët është shumë i veçantë. Eshtë muaj i dhimbjeve dhe i krenarisë, poashtu edhe i vendimeve historike. Në shenjë të përkujtimit të shumë vdekjeve jo të natyrshme që i kryen armiqtë e kombit tonë, është pa mëdyshje edhe Aqif Blyta me bashkëpunëtorë, për të cilin do të orvatemi t’i shkruajmë disa rreshta në shenjë përkujtimi.
Nga Ismet Azizi/
Aqif Blyta është nipi i Haxhi Bulës, i cili 60 vjet më parë kishte shkuar në Pazarin e Ri që të merrej me tregti. Më vonë me vete kishte marrë edhe familjen. Në vitin 1894, djalit të tij të vogël, Eminit, i kishte lindë një djalë të cilin e pagëzoi me emrin Aqif.
Emini, babai i Aqifit, u kujdes qysh herët që i biri të vazhdojë mësimet në ndonjë shkollë, ngase shihte tek ai një lloj pjekurie e talenti të veçantë, një lloj ngazëllimi të madh përpara librave. Por, Pazarit të Ri gjatë viteve 1902-1903, i mungonin shkollat dhe sidomos ato shqipe. Është kjo arsyeja që Emin Blyta i jep disa mësime privatisht të birit duke e përgatitur për të vazhduar tutje shkollimin, larg shtëpisë. Aqifi dhjetëvjeçar u përball me një qytet të madh siç ishte Izmiri i Turqisë. Në Seneixhe të Izmirit ai vazhdoi shkollimin në Gjimnaz. I ngazëllyer me shqiptarët e shumtë që komandonin në ushtrinë turke, u regjistrua në shkollën ushtarake në Stamboll, mandej në Manastir, ku morri gradën nëntoger.
Në vitet 1915-1918, Aqif Blyta komandoi disa reparte të ushtrisë turke. Lufta e Parë Botërore do të sillte pështjellime të mëdha jo vetëm për Ballkanin por edhe për Evropën, andaj formacionet luftarake osmane do të përballeshin me situata e detyra të vështira taktike e strategjike. Aqifi, tashmë me gradën e kapedanit,do të udhëhiqte disa luftime të reparteve të tij duke u bërë shembull i trimërisë dhe pjekurisë në marrjen e vendimeve luftarake.
Pranvera e vitit 1919, solli ndryshime të mëdha në jetën e Aqif Blutës. I plagosur dy herë në luftë, i graduar dhe i propozuar për të marrë gradime të reja, Aqif Bluta e kupton se rruga e tij tani ishte vetëm ajo që po e çonte në Pazarin e Ri. Miqve të vet në prag të kthimit ju thotë ;
“Shkolla e burrnija s’na ka mungue askurrë na shqyptarvet të ardhun këtu në Stamboll. Por per mue,ajo çka i dhash Turqisë asht e mjaftueshme. Hije s’po me ka me mbush gjoksin me dekorata kur kufinin e Shqypnisë e kërcnon serbi e greku natë me natë. Po iki e po ju tham edhe ju që të hidhni dyfekët e turkut për me mbrojt votrat tona “.
Me tu kthyer në verën e viti 1919 te prindërit në Pazarin e Ri, menjëherë u martua me Mahijen të bijën e Halit Komanit nga Gjakova.
Në verën e vitit 1919, në Shkup, mori pjesë në Kongresin themelues të organizatës ”Xhemiet” (Bashkimi). U shqua si aktivist i asaj organizate dhe u zgjodh sekretar. Më 1920 u zgjodh kryetar i bashkisë së Pazarit të Ri. Pasi që nuk pranuan të jenë nën diktatin e mbretit Aleksandër dhe të Nikolla Pashiqit, Xhemijetit në vitin 1924 i ndalohet veprimtaria. Duhet theksuar se që nga ky vit e deri në vitin 1990 shqiptarët dhe popujt tjerë jo serb nuk kanë pasur parti të tyre politike.
Në zgjedhjet parlamentare të viteve 1920, 1925, 1927, 1933, 1935 dhe 1938, ndonëse ishte përfaqësues më në zë i popullsisë së trevës së Sanxhakut, për shkak të manipulimeve dhe grabitjes së votave nga autoritetet serbe, nuk u zgjodh deputet i parlamentit të Mbretërisë Serbo – Kroate – Sllovene, përkatësisht të Mbretërisë së Jugosllavisë (1929-1941). E arriti atë vetëm në zgjedhjet e vitit 1923. Në parlamentin jugosllav u shqua si përkrahës e bashkëpunëtor i afërt i Ferhat Dragës; kundërshtar i vendosur i politikës së ndjekur nga qarqet serbe, për shpronësimin dhe shpërnguljen me dhunë të popullit shqiptar.
Populli i Sanxhakut i është mirënjohës posaçërisht për shkak të angazhimit të tij në pengimin e shpërnguljes së popullsisë nga Sanxhaku për Turqi. Aqif Blyta duke qenë personaliteti më i rëndësishëm i organizit ushtarak dhe politik ishte në shënjestër të tri atentateve të organizuar. Për dy atentatet e para ishin përgjegjës ishin nacionalistët serbomëdhenj nga Beogradi, ndërsa për atentatin e tretë kanë qenë komunistët vendas të Sanxhakut të cilët për ekzekutues, me tërheqje shorti, kishin caktuar Hasë Rozhajën por më në fund ishin tërheqë nga ky vendim.
Kah fundi i vitit 1941 Aqif Blyta organizon mbrojtjen e Pazarit të Ri nga çetnikët të cilët vinin nga Rashka. Qëllimi i çetnikëve ishte marrja e Pazarit të Ri dhe mandej e tërë Sanxhakut me qëllim të shfarosjes së popullsisë shqiptare dhe myslimane. Ngjarjet që u zhvilluan tutje treguan se Aqif Blyta me ushtrinë e tij të formuar dhe me ndihmën e njësive shqiptare nga Peshteri dhe me ndihmën që i arriti nga vëllezërit kosovar nën udhëheqjen e Shaban Polluzhës, arritën t’i mbrojnë këto territore nga çetnikët.
Pas depërtimit të forcave partizane jugosllave në ato treva, Aqif Blyta iu dorëzua organeve të pushtetit partizan në Gjakovë, të cilët pastaj e dërguan në Pazarin e Ri. Mbas torturave mizore, bashkë me bashkëpunëtorin e tij më të ngushtë Ahmet Dacën, të cilin e kishte dhëndërr (burri i motrës) me tre djemtë e tij u pushkatuan në Haxhet (lagje e sotme e Pazarit të Ri) me 21 janar 1945 nga OZN-a jugosllave.
Jusuf Popllata nga Pazari i Ri, i cili më vonë qe shpërngulur në Turqi, ngjarjen e ekzekutimit e përshkruan në këtë menyrë:
“Në çarshi jehoi lajmi se të nesërmen në Haxhet do të ekzekutohet Aqif Efendia dhe Ahmet Daca. Në atë kohë si 15 vjeçar, isha në policinë partizane. Nga kureshtja u nisa të dal në Haxhet me shokun tim Medo Rozhajën. Trashësia e borës kishte arritur deri në gjunjë. Populli ishte tubuar në livadhet Haxhetit të cilat ndodheshin në anën e djathtë të spitalit të sotshëm. Dikur aty ka qenë një teren futbolli. Në livadhe përveç masës së popullit kanë qenë edhe rreth 300 ushtarë. Ata kanë qene të rreshtuar përballë neve. Të gjithë me shikim ishim të kthyer kah burgu i qytetit nga i cili pritnim të dilnin Aqif Efendia dhe Ahmet Daca. Nuk kaloi shumë kohë dhe dolën të lidhur këmbë e duar. Ushtarët i sollën deri te shtyllat telefonike dhe i lidhën për të me zinxhir me duar mbrapa. U dha urdhri që të bëhet ekzekutimi. Dhjetë ushtarë dolën para tyre. Oficeri partizan dha urdhrin që të kryhet ekzekutimi. U dëgjuan refalet dhe që të dyve iu lëshuan kokat poshtë. Doktori Benqan, një slloven i cili punonte në Pazarin e Ri, ishte i caktuar të konstatoj vdekjen e tyre. Ua vuri dorën për të vërtetuar pulsin dhe ua bëri me dije se Amet Daca ende ishte gjallë dhe i rrihte pulsi i zemrës. Një partizan i “vogël”, i cili ende nuk i kishte as 14 vjet, iu ofrua, nga kraharori hoqi pushkën automatike gjermane dhe e qëlloi në kokë Ahmet Dacën. Nga koka gjaku shpërtheu në të gjitha anët. Pastaj nga këmbët ua hoqën këpucët (opingat), çorapët e leshit, orët nga dora dhe kaputat. Neve na është urdhëruar që të shpërndahemi dhe se çka ka ndodhë me trupat e tyre askush nuk dinim”.
Kështu dhe në mënyra të ndryshme pleqtë e moshuar i kujtojnë momente të caktuara nga e kaluara me njeriun më të çmuar të kësaj treve. Përveç të moshuarve, edhe gjeneratat e reja me krenari përkujtojnë Aqif Blytën.
Aqif Blyta dhe bashkshortja Mahijen nuk kanë lënë pasardhës. Megjithatë, ata birësuan dy fëmijë jetim që i sollën nga Gjakova, Qamilin dhe Mejremen. Përndryshe i vetmi pasardhës i gjallë ende është mbesa e tij nga motra.
Shqiptarët dhe popullsia myslimane e Sanxhakut e mbajnë në mend Aqif ef. Blytën si një një tribun popullor, lider me autoritet të padiskutueshëm, orator i aftë dhe poliglot. Këtij personaliteti të rëndësishëm i takojnë të gjitha meritat për futjen e popujve të besimit islam siç ishin Shqiptarët, Boshnjakët dhe Turqit të Sanxhakut, Kosovës dhe Maqedonisë në jetën parlamentare të Mbretërisë së Jugosllavisë (1918-1945).
Aqif Blyta, poashtu, është njëri nga themeluesit e Xhemijetit – partisë politike që përfaqësoi dhe mbrojti interesat e tre kombeve, e cila u ndalua në vitin 1924, pas një shkrimi protestues të udhëheqësisë së saj drejtuar parlamentit për krimet e tmerrshme të malazezëve kundër popullatës në Shahoviq dhe Pavin Pole (më shumë se 1.000 të therrur dhe masakruar). Xhemijeti ishte edhe kundër shkatërrimit të xhamisë Burmali në Shkup (në nëntor 1924), në të cilën vend është ndërtuar ndërtesa e Klubit të Oficerëve serb (e shkatërruar nga tërmeti në vitin 1963).
Pas shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore dhe rënies së Mbretërisë së Jugosllavisë, midis 6-7 nëntor dhe 6 dhjetor 1941, Aqif Blyta arrinë të organizojë mbrojtjen e Pazarit të Ri dhe kundërvimit të tri sulmeve të forta çetnike, ku u vranë 756 njerëz, nga të cilat dy të tretat ishin nga rradhët e luftëtarëve të mbrojtjes së Pazarit të Ri, që në atë kohë kishte rreth 8.000-10.000 banorë. Për fat të mirë, në qytet nuk ka pasur viktima të civilëve, pavarësisht nga gënjeshtrat e përhapura kinse aty janë vrarë 7000 qytetarë serbë (e që as sot nuk janë në atë numër).
Jemi dëshmitarë të përhapjes së të pavërtetave të shumta, absurditeteve dhe mashtrimeve të krimeve jo-ekzistuese, çmimit “Iron Cross” (që kurrë nuk i dhuruar ndonjë myslimani), të persekutimit të hebrenjve, duke iu shmangur faktit se vet personalisht Aqif Blyta i ka marrë për t’i mbrojtur qytetarët e vet serb së paku 420 të tillë, ndërsa lidhjet e tij me Turqinë i ka shfrytëzuar për t’i kaluar ato pak familje hebreje me të cilat kishte lidhje biznesore apo miqësore”, thuhet në një reagim të historianëve të Sanxhakut, në lidhje me diskreditimin nga opinioni serb ndaj personalitetit të Aqif Blytës.

Filed Under: Histori Tagged With: - 70 Vjet, Aqif Blyta, Ismet Azizi, nga vrasja

Perse nuk përmendet Aqif Blyta, “plagë” për Serbinë!

September 7, 2014 by dgreca

Gjatë tërë manifestimit disa ditor në asnjë moment nuk u përmend Aqif Blyta e as bashkëpunëtorët i tij. Megjithatë, Serbinë e kaplojnë ethet. “Boshnjakët” lojal ndaj Serbisë hedhin vrer kundër liderëve të Sanxhakut. Blyta është njëri ndër politikanët dhe patriotët më të shquar të Sanxhakut të Pazarit të Ri, gjatë periudhës ndërmjet dy luftërave Botërore dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, të cilin OZNA e ekzekutoi në Haxhet më 21 janar 1945 .
Shkruan: Ismet Azizi/
Sanxhaku do të “shpërthej” nëse shteti nuk i kushton vëmendje boshnjakëve dhe nëse nuk ndalet të bëjë pazarllëqe me politikanë nga radha e boshnjakëve, vlerëson Kryetari i Këshillit Ekzekutiv të Forumit për Marrëdhënie Etnike, Dushan Janjiq. Ai në lidhje me manifestimin që u bë në shenjë të nderim të viktimave të komunizmit, ka thënë se marshimi i të rinjve me uniforma të gjelbra qon drejt eskalimit të ri të konfliktit në Sanxhak.
Për agjensinë e lajmeve Beta, Janjiq, ka thënë se shëtitja e djeshme, të cilën e kryesoi Myftiu Muamer Zukorliq, është ndërhyrje e drejtpërdrejtë në rrjedhën e zgjedhjeve për këshilla nacionale të cilat nuk do të mbahen në atmosferë të qetë.
Janjiq shtoi se “kushdo që ka punuar në Sanxhak e di që qytetarët kanë frikë në eskalimin e konflikteve ndërmjet rrymave të ndryshme të boshnjakëve”. Ai ka bërë me dije se brenga tjetër është se Qeveria e Serbisë nuk i njeh problemet e pakicave të cilat realisht ekzistojnë.
“Kjo është shqetësuese, sepse qeveria nuk ka mekanizëm për zgjidhjen e situatave kritike. Qeveria nuk ka ministri për pakica dhe politika të integrimit por ka trashëguar një politikë të pazarllëqeve me politikanë nga radhët e pakicave e cila shkon në dëm të pakicave dhe vet Serbisë “, ka thënë Janjiq.
Sipas tij, nëse vazhdohet në këtë mënyrë, do të rritet numri i uniformave nga ana boshnjake dhe e palës serbe, nëpërmjet organizatave neo-fashiste.
Janjiq vlerësoi se ngjarjet e djeshme në Novi Pazar “paralajmërojnë ekzistencën e asaj që mund të quhet Garda Civile”, sepse uniformat që ishin veshur nga të rinjtë gjatë kësaj shëtitjeje “, krejtësisht janë të njëjtat me ato të milicisë myslimane të Luftës e Dytë Botërore.”
“Kjo ndodhë në momentin kurë në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në Kosovë arrestohen ata që rekrutojnë njerëz për të luftuar në Irak,” tha Janjiq, duke shtuar se ka frikë se kjo situatë do të dalë jashtë kontrollit.
Ndërsa kryeshefi i qeverisë komunale në Pazarin e Ri, Meho Mahmutoviq, shprehet i shqetësuar nga fakti i përafrimit të myftiut Zukorliq dhe liderit te PAD-it, Sulejman Uglanin.
Mahumutoviq, me ironi tha se është interesant të shihen së bashku Zukorliq dhe Uglanin ” të cilët deri para disa ditëve kanë akuzuar njëri tjetrin për problemet e veta”.
” Politikat e tyre janë të njëjta, por retorikën e kanë të ndryshme. Zukorliq dëshiron të jetë lider fetar dhe lider politikkurse Uglanin dëshiron të jetë edhe politikan edhe lider fetar”, vlerëson Mahmutoviq.
Meho Omeroviq , zyrtar i Partisë Socialdemokrate të Serbisë, i cili ska asnjë lidhje me Sanxhakun, as me farë e as me fis, i cili diku nga Bosnja ka shkuar në Beograd të studioj aktrimin, e që nuk i ka shkuar përdore as të pranohet, ka studiuar politikën dhe ka mbet në Beograd. Omeroviq, I cili tashti merret me politikë, dhe kinse i përfaqëson boshnjakët, ka theksuar se “pamjet dhe mesazhet që janë dërguar nga kjo përformancë me regji të Zukorliqit janë shqetësuese për të gjithë qytetarët e Serbisë”.
“Barazimi i viktimave të boshnjakëve të pafajshëm të luftës me kriminelin e luftës Aqif Efendiun, të cilën e bëjnë së bashku Zukorliq dhe Uglanin, është jo vetëm falsifikim i rëndë i historisë por edhe inkurajim për veprimet të cilat ky njeri i ka bërë gjatë Luftës së Dytë Botërore” – tha ai.
Omeroviq nuk e di ose nuk dëshiron të dijë se në janarin e 1945, atë që nuk arritën ta bëjnë çetnikët e Drazha Mihajloviqit ndaj popullatës së Sanxhakut të Pazarit të Ri, e bëri pushteti “popullor” serbo-komunist.
Në muajt e parë nga marrja e pushtetit u ekzekutuan rreth 2000 persona, shumica e tyre shqiptarë në krye me udhëheqësin politik e ushtarak të Sanxhakut Aqif Blytën. Aqif Blyta ose Aqif Haxhiahmetoviq (1887- 1945) nga populli i Sanxhakut njihet si Aqif-efendia, është personi më i merituar i cili me ndihmën e vëllezërve nga Kosova dhe Peshteri, arritën ta mbrojnë popullatën e kësaj treve nga shfarosja.
Në ndriçimin e figurës dhe personalitetit të Aqif Blytës më i zëshmi është lideri fetar i Sanxhakut, myftiu Muhamer Zukorliq, i cili në manifestimin e mbajtur në sheshin e qytetit të Pazarit të Ri, në prag të muajit të shenjtë Ramazanit në vitin 2012, pjesëmarrëseve iu drejtua me këto fjalë: “Dua të potencoj se Aqif Efendia është hero i yni. Aqif Efendia e ka organizuar mbrojtjen e këtij qyteti nga çetnikët. Sikur mos të ishte bërë ky organizim, atëherë numri i popullsisë boshnjake në këtë qytet do të ishte po aq sa ka Priboji, Plava dhe Novi Varoshi. Këtë të mirë ne atyre nuk do t’ua harrojmë. Nuk do të pranojmë nga askush të bëjnë atë çka e kanë bërë me dekada. Gjithmonë ka ekzistuar tentativa që lëvizjet ekstremiste tek populli serb dhe kroat, siç kanë qenë çetnikët dhe ustashët, që të gjendet dikush në popullin boshnjak që edhe ne të gjendemi në atë peshojë. Ne këtë nuk e kemi traditë. Ndërsa, ajo çka ka ndodhë në Sanxhak dhe në Novi Pazar, edhe pse ekzistojnë disa elemente të kolaboracionit me okupatorin gjerman, të gjithë e dinë, edhe miqtë edhe armiqtë, se nuk ka ekzistuar asnjë element i kolaboracionit ideologjik, përveçse ka qenë në pyetje domosdoshmëria e mbijetesës. Krerët tanë, në krye me Aqif Efendiun dhe të tjerët këtu në Sanxhak, kanë luftuar me të gjitha mjetet e mundshme që këtë popullatë ta shpëtojnë, dhe në këtë kanë pasë sukses. Ne ua bëjmë hallall dhe qoftë e shenjtë kujtimi përta dhe përgjithmonë do t’u jemi falënderues. Ndërsa, ata të cilët kanë hequr dorë nga Aqif Efendiu, ata me ne nuk kanë asgjë të përbashkët. Ata kanë hequr dorë nga feja jonë, kultura jonë, kombi ynë, tradita jonë, dhe unë në këtë natë të shenjtë nuk dua të flasë për ta asgjë”.

Filed Under: Opinion Tagged With: Aqif Blyta, Ismet Azizi, plage per Serbine

Artikujt e fundit

  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT