• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Konferencë për lidhjet shqiptaro-rumune në një shekull histori

March 29, 2013 by dgreca

Nga Arjan Th. Kallço*/

Një vit më parë më mbërriti si më thënë në tryezë një ftesë për të marrë pjesë në një konferencë ndërkombëtare lidhur me marrëdhëniet rumuno-shqiptare në një universitet të Rumanisë. Koinçidenca e dy konferencave në të njëjtën kohë, bëri që ta refuzoja ftesën, por edhe për vetë faktin se në Rumani do të shkoja disa muaj më vonë. Po një vit më parë ambasadori rumun në Shqipëri, hedh idenë e një konference ndërkombëtare shkencore që mori udhë këtë vit në universitetitn e Korçës nga data 26-27 mars 2013. Është kuptimplote kur konferencat organizohen nga strukturat përkatëse universitare , akademike dhe të institucioneve të tjera që janë pjesë e shkencës. Por kur në këtë event përpiqet të japë kontributin e vet edhe diplomacia, është një lajm i mirë që, nëse respektohen drejt balancat, i hap rrugën një bashkëpunimi të frytshëm dhe të gjerë, sepse në lidhjet midis popujve, pavarësisht nga pozicionet përkatëse institucionale, reciprociteti i njohjes dhe përhapjes së kulturës bëhet më efikas. Nuk ka politikë dhe diplomaci që të mund ta anshkalojë, apo aq më keq ta harrojë kulturën, e vetmja trashëgimi e vërtetë dhe që meriton vëmendjen e qytetarëve. Të tjerat ose janë fjalë dhe vetëm fjalë, o janë interesa të tjera larg nga ato shpirtërore mbarëkombëtare. Më vjen mirë që në këtë ngjarje të shkencës nuk mungoi edhe Ministria e Jashtme dhe Ambasada rumune, pasi historikisht kemi shumë gjera për të nxjerrë në dritë, por së pari kontributin e madh rumun ndaj vendit tonë në ditët e para dhe të vështira të pavarësisë. Konferenca në Korçë me temë Lidhjet kulturore dhe historike shqiptaro-rumune kishte për synim që të nxirrte në pah pikërisht një fakt të padiskutueshëm historik, 100 vjetorin e njohjes së pavarësisë sonë nga Rumania dhe 100 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve tona. Pra janë dy ngjarje për të cilat Shqipëria nuk mund të mos përfitonte nga rasti që t’i kremtonte këta dy përvjetorë. Por po historikisht mes dy vendeve ka edhe një lidhje humane dhe kulturore, pasi kolonia shqiptare në Rumani ka shekuj që është vendosur aty. Në këtë pikë lidhjet bëhen më komplekse dhe të dukshme, sepse tash nuk janë vetëm takimet diplomatike apo në nivele të tjera qeveritare që vijojnë. Shqiptarët në Rumani kanë brezat e tyre që punojnë dhe jetojnë, bashkëjetojnë dhe bashkëpunojnë me rumunët, duke dhënë e duke marrë nga ky bashkëpunim. Për më tepër po aty është krjuar dhe vazhdon të krijohet një pjesë e kulturës sonë kombëtare, prandaj bëhet e nevojshme që të evidentohet edhe kjo pjesë shpirtërore e jona dhe të studiohet. Por bashkëpunimi bëhet më i bukur kur janë vetë studiuesit rumunë që përmes fakteve të pakundërshtueshme historike sjellin atë kontribut të çmuar të vendit të tyre ndaj një vendi të vogël si Shqipëria. Bëhet edhe më i kapshëm dhe ura lidhëse kur sjellin kontrbutin e shqiptarëve në jetën rumune dhe akoma më i përkryer kur artistët, shkrimtarët dhe studiuesit flasin për lidhjet personale mes tyre. Bëhet më krenar për ne shqiptarët kur e shikojmë sesi gjuha jonë flitet kaq bukur nga disa prej studiuesve pjesëmarrës dhe nga vetë ambasadori Vilorel Stanila. Ja pra sa shumë risi solli konferenca e organizuar këto ditë marsi në Korçë.  Natyrisht do të kishte qënë e mirëpritur edhe diplomacia shqiptare, por ajo ka kohë që është jashtë detyrës së vet, jashtë funksionit të vet, jashtë natyrës së vet. Një gjumë i gjatë letargjik e ka mbuluar krejt diplomacinë, por të vjen keq kur mëson lajme që edhe mirëfunksionimi i saj nëpër botë është në mëshirë të fatit. Nuk ka sesi ta promovojë vendin tonë një diplomaci shterpë dhe e vegjetuese. Meritokracia edhe në këtë strukturë shtetërore po vuan pasojat e militantizmit. Për të mos folur për ngjarjen tronditëse të ditëve të fundit që me të drejtë intelektualët dhe studiuesit po e ngrenë zërin e tyre mbarëkombëtar. Por le t’i kthehemi konferencës në ditën e saj të parë, pasditen e datës 26 kur në përshëndetjet e rastit u vu në dukje pikërisht fakti i lidhjeve të hershme mes dy vendeve tona, i kontributit të Rumanisë, por edhe në rastin konkret me dy përvjetorët e cituar më sipër. U shkëmbyen edhe disa dhurata ceremoniale që të dyja palët kishin përgatitur me këtë rast, rektorati dhe Ambasada. Në seancën e kumtesave studiuesit rumunë folen për Mesharin e Gjon Buzukut, për arumanishten në akademinë e Voskopojës apo marrëdhëniet gjuhësore rumuno-shqiptare. Në ditën e dytë u sollën kontribute të tjera në lëmin gjuhësor dhe etnografik, disa prej figurave të shquara rumune në pavarësinë e Shqipërisë, çështja shqiptare në arkivat e MPJ rumune, luftrat ballkanike dhe çështja shqiptare etj. Kumtesat e akademikëve dhe pedagogëve shqiptarë dhe nga Kosova prekën disa çështje gjuhësore, bashkëpunimin mes gjuhëtarëve në kohë, publicistikën, letërsinë, historinë, shoqatat kulturore etj. Në fjalën e mbylljes Ambasadori rumun, Stanila, falenderoi Universitetin e Korçës për mikpritjen, organizatorët dhe e konsideroi konferencën të rëndësishme në marrëdhëniet kulturore, shkencore, intelektuale midis dy vendeve tona. Konferenca ishte e vlefshme dhe e frytshme që do të ketë një zhvillim të mëtejshëm në një takim të dytë më të gjerë në Kostancë. Ai theksoi se kumtesat u përshkuan nga një nivel i lartë shkencor, pati risi me zbulimet e reja që lidhen me pavarësinë dhe gjuhësinë.

Pjesë nga kumtesa që do të mbajta në Rumani

Rumania është një tapë e detyrueshme për të gjithë shqiptarët, sepse lidhjet mes dy vendeve janë shekullore. Gjurmët janë të shumta, pavarësisht natën e errët të kohëve, sepse historia na ka vënë pranë në një Ballkan me një të shkuar të dhimshme. Plagët e saj janë shëruar duke ndihmuar njëri-tjetrin, sipas parimit në rrezik e në nevojë… Historian a thotë se edhe Rumania u shndërrua në një atdhe të dytë për shumë shqiptarë, kryesisht nga Korça, që gjetën aty një mikpritje që ende sot na mahnit. Për mua pak rëndësi kanë datat, por i besoj rrugëtimit shpirtëror dhe magjisë së vendit të legjendave të shumta, dashurisë që ushqente në zemrat dhe shpirtin e emigrantëve në kërkim të një fati më të mirë. Ndoshta daton në vitin 1595 vendosja e parë e shqiptarëve në Rumani, ndoshta më vonë. Kaluan shekujt dhe historia përsëritet, por tash ndryshe, si një urë e gjatë miqësie që i lidh të dy vendet e lashtë. Epoka më e rëndësishme e Shqipërisë ishte rilindja e saj mbi rrënojat e një ngjarjeje me emrin e madh Rlindja kombëtare. Lëvizja më e madhe e ekzistencës së saj po trokiste dhe çështja shqiptare po përhapej ku gjente terren të favorshëm, mes të cilëve dhe Rumania. Vllahia ishte qendra e nismave kulturore e shumë patriotëve dhe personalitetve të shquara shqiptare të kohës, si Naim Frashëri, Jani Vreto, Dora D’Istria, Asdreni, Nahum Veqilharxhi etj. Më vonë gjetën strehë personalitete të tjera të kulturës si poeti Eftimiu dhe Poradeci. Në 100 vjtetorin e Pavarësisë, kujtojmë se në Bukuresht u mbajt takimi më i rëndësishëm që i parapriu asaj në vigjilje të 28 nëntorit, me në krye Ismail Qemalin dhe shumë patriot të tjerë rreth tij, ku dhe u pranua rezoluta e parë e mëvetësisë sonë.

*Pjesëmarrës në Konferencë 2013

Filed Under: Kulture Tagged With: Arjan Kallco, Konference, per lidhjet, shqiptaro-rumune

Njeriu në këndvështrimin sociologjik dhe filozofik

March 25, 2013 by dgreca

Nga Arjan Th Kallco/

Pak kohë më parë duke bërë kërkime që lidheshin me një filozof të kohëve moderne, kur njeriu dhe shoqëria po hynte në krizën më të thellë të ekzistencës së vet, mes shumë pyetjeve të pafund për këtë realitet tejet dramatik të botës së sotme, njëra, ndonëse bëhet fjalë për një shkencë të re, sociologjinë, duket se po ngutet në përcaktimin ose më mirë riorganizimin e objektit të saj të studimit. Pyetjes se ku po shkon sociologjia botërore, europiane ku bën pjesë dhe shoqëria shqiptare, sado e brishtë që ajo renditet me simotrat e veta, sociologët po përpiqen të hedhin disa hipoteza që janë quajtur diagnostike, një lloj analize për të parë nëse simptomat e kanë dëmtuar shumë apo janë në fazën e parë të shfaqjes. Kriza e shoqërisë ka kapur fort edhe vetë këto shkenca që gjenden në udhëkryqe të mbijetesës. Në Itali rreziku është tejet i dukshëm, pasi kjo shkencë po rrezikon të mos ketë vendin e vet në arenën botërore. Një studiues milanez boton një artikull ku titulli ndoshta nuk ndjell për të mirë: Zhdukja e sociologjisë së shkencës zyrtare italiane: vrasje apo vetëvrasje? A ka krizë shkenca mbi shoqërinë? Këndvështrimi nuk ka të bëjë me institucionet, por merr një karakter tjetër që lidhet me gjithçka që vetë shoqëria krijon dhe që e transmeton në breza, me aspektin më të lartë të mendjes krijuese të një kombi, me kulturën. Pra më shumë se një problem organizativ është problem kulturor. Ja sesi bëhet një krahasim midis dy etapave të zhvillimit të saj : Dikur sociologët ishin të paktë në numër dhe ishin shumë të ditur, të përgatitur dhe thoshin gjëra interesante, por gjëja më e rëndësishme të bazuara në fakte. Sot sociologët janë të shumtë, apo siç mund të themi pa hesap, faktin e mbiprodhimtarisë më shumë se kudo e gjen në Shqipëri, personat e ditur janë të paktë dhe pranohet një e dhënë e dhimbshme që sociologët shpesh thonë banalitete.

Që t’i japim një përgjigje të saktë pyetjes së mësipërme, më parë duhet t’i japin një përgjigje pyetjes që për mendimin tim është më kryesorja dhe vendimtarja, ku po shkon njeriu. Është objekti dhe subjekti i shoqërisë, ai që i jep kuptim jetës, që vepron dhe punon individualisht i rrethuar nga uni dhe egoja, në shoqëri dhe në komunitete të përcaktuara mirë, ku gjithçka në kontekstin e parë, anulohet dhe konsiderohet një pjesë e një mase që prioritare kanë interesin e të gjithëve, të paktën Rusoi këtë përcaktim e ka dhënë shumë kohë më parë. A është më njeriu kafshë politike, sipas Aristotelit, apo ka marrë një natyrë tjetër për shkak të evolucionit? Mendoj se këtë natyrë e ka ruajtur më së miri, bile në këtë shekull të ri po e tregon më qartë se nuk ka ndryshuar asnjë presje e përcaktimit të Aristotelit, veç duhet shtuar se është bërë shumë më politik, pasi është vetë natyra e sistemit që e lidh fort me interesat e klasës poltike dhe që përdoret barbarisht prej tyre. Le t’i hedhim një sy njeriut shqiptar, ju kujtoj studimin e disa ditëve më parë për cilësitë e njeriut modern, dhe do të bindemi se reflektimi na jep të drejtë. Fushata aktuale parazgjedhore tek ne po e vërteton këtë natyrë të re të njeriut të sotëm sociologjik. Raporti kënaqësi – dhimbje për të cilin disa filozofë kanë shprehur mendime të ndryshme duket se e rrok më qartë faktin se një kënaqësi vjen pas dhimbjesh të vuajtura nga lufta e egër poltike, kur zë një vend pune të përkohshëm, aq sa zgjat edhe mandate i zgjedhjeve ose më pak, ndërsa anasjelltas një dhimbje që vjen pas kënaqësisë është më shkatërruese për njeriun e sotëm që përpiqet me çdo kusht të bëjë para me çdo mënyrë, për sa kohë është në një post, edhe shpesh herë të pamerituar. Është çështje zgjedhjesh edhe pastërtia e figurës së tij apo pistësia e detyruar nga kushtet në të cilat ndodhet individi edhe në nivel botëror. Kriza e pafund ka nxjerrë dhe po nxjerr në pah njeriun e dobët, të pamoral, gati të bëjë konsensus edhe me djallin, mjaft që të ketë një dinjitet të nëpërkëmbur që t’i sigurojë një vend pune që të mbajë familjen. Është njeriu që sakrificat i bën vetëm një herë në jetë, ndërgjegjësimi aktual tek fqinjët tanë është një fakt që duhet përshëndetur, ndërsa herën e dytë rebelohet dhe proteston, duke e vënë në vështirësi klasën poltike, shtetin dhe të gjitha strukturat e krijuara në dhjetëvjeçarë, si në rastin e Italisë. Është njeriu dogmatik që për interesat e veçanta të një klani nuk arrin që të dalë jashtë tyre, edhe sikur dogma të kenë karkter të përkohshëm poltik. Është njeriu i përulur ndaj kultit të njeriut perëndi dhe ndaj santazheve të përditëshme nga mesazhet poltike që më shumë se kurrë tek ne janë shumë të nxehta. Është njeriu plot me fobi që nuk mund të hedhë asnjë hap pa e mundur skepticizmin që e rrethon edhe brenda shtëpisë së vet, e jo më pastaj jashtë saj. Është njeriu hipokrit dhe me plot fytyra sipas situatës që shpesh merr karakter konfliktual dhe inatçor, secili e ka provuar sesa shtrenjtë të kushton liria, sapo fillon të shprehë mendimet e lira dhe të drejta. Mund të rendit edhe shumë detaje të tjera që e plotësojnë përgjigjen e pyetjes se ku po shkon vërtet njeriu. Nëse njeriu ka marrë këto drejtime, shumë prej tyre janë trashëguar nga shekujt, shumë të tjera janë shtuar gjatë jetës moderne, dhe pasi të japim një përcaktim të saktë të qënies njeri, pyetja tjetër se ku po shkon sociologjia do të ishte më e lehtë. Sociologjia dhe filozofia detyrimisht do të ndjekin ecurinë e faktorit njeri, pa të cilin nuk do të ekzistonin, do të marrin të gjitha ngjyrimet e raportit të tij me natyrën, me veten dhe me shoqërinë dhe do të përpiqen t’i interpretojnë nga një këndvështrim i ri, ku sigurisht gjithçka do të vazhdojë të reduktohet në maksimum, pasi shkenca dhe teknologjia gjithnjë e më shumë po e zvogëlojnë kohën dhe hapësirën ndërkomunikuese të drejtpërdrejtë mes të barabartëve dhe të ngjashmëve.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Arjan Kallco, njeriu ne kendveshtrimin, sociologjik dhe filozofik

PENGU I DASHURIVE

March 2, 2013 by dgreca

Tregim nga Arjan Th. Kallço/

Rafti i librave atë ditë po më tundonte marrëzisht, me një nostalgji që nuk e kisha provuar kurrë më parë. Shkëndijën e saj ma dha një sekuencë filmike që më zgjoi atë dëshirë të ndrydhur nga koha dhe që kërkonte vetëm një ngacmim. Ishte natë vonë dhe shpirti po dyluftonte në një përleshje krenarish të kuptueshme midis qëndrimit në shtrat, të ftohtit përjashta sikur ta zbehte lëvizjen dhe mankthit të shfernuar se ndoshta ajo që kërkoje nuk ekzistonte më diku mes librave të shumtë. E ndava mendjen se njëra prej tyre duhej ndrydhur, sepse të dyja nuk mund të vazhdonin të përlesheshin gjatë atë natë. Fitoi qëndrimi në shtrat mes mbulesave që nxirrnin nga brenda një afsh të ngrohtë dhe përkdhelës, një lloj avulli kur temperaturat janë në zero që tek e mbështillte trupin, nuk të bëhej ta shqitje. Mbetesh zbuluar apo siç i themi lakuriq dhe përveç ndjenjës se je i pambrojtur, të shpaloset dhe fanepset edhe një tjetër, lakuriqësia si imazh i vetëm real i asaj që gjatë ditës apo natës, me ndonjë përjashtim kur epshet të futin në kurth, e mbulon me veshje të ndryshme, ndonjëherë edhe hipotetike. Mendimi i parë që të kalon nëpër mend është shprehja lakuriq si të ka bërë nëna.

Nuk ka njeri në botë – mendova- që do ta pëlqente gjithmonë atë moment tepër intim, kur nuk je i rrethuar nga të tjerë, por i dukshëm, i prekshëm edhe pse perceptimi i kalon caqet, në një mjedis tjetër. E nuk bëhet fjalë për lakuriqësinë trupore, pasi nëse nuk përjetësohet nga ndonjë klik i papritur, është gjysma e së keqes. Për një tjetër lakuriqësi e kam fjalën, atë kur del krejt i zbuluar, pa më të voglin sekret të jetës tënde, të cilin do të deshe ta ruaje që të mos ia shikonte fytyrën askush. Nëse nuk e nxjerr vetë, nuk e di askush, herët a vonë do ta nxjerrin të tjerët, nëse kanë ndarë me ty copëza jete, edhe pse të shkurtra. Kur koha kalon e fshehur edhe vetë ajo pas sekretit, lehtësimi të shoqëron gjithmonë edhe në ato momente të pakuptimta, i zhytur në qetësi dhe larg zhurmave të botës. Jeta merr kuptim vetëm kur jeton edhe ti bashkë me të njerëzit e qytetit tënd, i mposhtur nga egoizmi cmirëzi i qënies që s’lë gur pa lëvizur, me qëllim që për disa kohë t’u fshihet syve djallëzorë të qytetërimit.

Nata kaloi e qetë dhe pa shumë përpëlitje dhe ëndrra të llahtarshme, shpesh të çuditëshme, me ndonjë bisedë ku të kërkonin arsyen e mospërfshirjes së opsionit tjetër në prioritete. Aty ndaj mëngjezit, gjumi që sapo ishte larguar me një ëmbëlsi të pashpjegueshme, drita e natyrës sikur m’i risolli në mendje të gjitha përsihatjet e një nate më parë. Ndeza televizorin për të parë nëse kishte lajme të orëve të fundit që mund ta kishin tronditur botën dhe kur ke jetuar disa dhjetëvjeçarë, e kupton se tronditja depërton edhe në ndërgjegjen tënde. Pezmatohesh aq shumë, saqë ndonjëherë disa currila të vogla loti ta lagin dukshëm fytyrën. Tek i sheh në imazhet e përshpejtuara të lajmit, të ngjajnë me tipare të njohura të njerëzve që deri dje i përshëndetje kur kaloje rrugës. U uroje ditë të mbarë në atë përthyerje të vullnetëshme të kujtimeve. Pasi i rilexova edhe një herë, një lloj gëzimi ma pushtoi shpirtin dhe u duk sikur dita do të fillonte me lajme të mira. Kur mëngjesi nis me humor të paprishur të botës, atëherë ky humor sikur të imponohet edhe brenda teje dhe një atmosferë tjetër ta rrethon jetën. Ngazëllimi udhëton nëpër shpirt, ia shkel syrin zemrës si për t’i thënë që sot mos bëj naze, nuk ia hedh fare sytë urrejtjes dhe vëmendja përqëndrohet tek disa tela të ndjeshëm që sapo dëgjojnë një rezonancë jehone, ia marrin këngës. Është kënga e parë e një shpirti të çlirë. Kënga e dytë sjell të tretën e ky zgjim të ndjek pas, të shoqëron kudo edhe në rrugë.  Edhe punët duket se i bën me dëshirë, edhe qëndrimi ndaj jetës aty afër është më human. Përshëndetjeve nuk mund t’ua fshehësh sytë e qelibartë të paqes së dhuruar nga heshtësia e detyrueshme e disa konvencioneve planetare.

Hapa kanatin e faqes së murit dhe futa dorën thellë midis librave të vendosur në këmbë. Pa e parë fare se cili libër ishte, mendja e drejtoi dorën pikërisht tek ai vend. Fotografia kishte kohë që priste të dilte në dritë, të thithte pak ajër të pastër, të ndryshëm nga ai i një ere të një mjedisi të mbyllur.

E gjeta më në fund – thashë – dhe ftohtësia e letrës dhe e dorës u bashkuan në një takim të papritur, por shpjet raportet filluan të ndryshonin, sepse një ngrohtësi trupore po drejtohej dhe kondesohej tek fotografia. Disa bulëza uji të papërfillta u kristalizuan poshtë mollëzave të gishtrinjve. Pakti ishte firmosur.

Ishte po ajo fotografi me ngjyra që me shumë kujdes dhe fshehtësi që ruante imazhet e një çasti të papërsëritshmë idili në disa përqafime romantike. Djali ishte fiksuar në përpjekjen e tij finale të puthjes, por që buzët ndaleshin vetëm disa centimetra nga ato të vajzës. Vajza me sytë gjysëm të mbyllur dhe me trup të dhënë plotësisht në krahët e djalit, ishte në pritje të prekjes së tyre për të treguar se ia kishte falur të gjithë dashurinë dhe pasioni mund të ndizej që në atë shkrepje. A kishte ndodhur ai takim buzësh? A ishte transmetuar ai shkëmbim pasionesh? Këtë djali nuk e tregoi kurrë. I dukej se do të zbulonte një sekret për të cilin ishte betuar që ta ruanin të mbërthyer fort në dy zemra.

Unë ti dhe gjithësia e pagojë sipër nesh – e kishte shqiptuar pa ndojtje këtë fjali me  nëj frymë.

Unë ti dhe dashuria jonë e madhe – ishte përgjigjur me të njëjtin ritëm vajza.

Tani ajo fotografi nuk e kishte më kuptimin e dikurshëm, shumë gjëra kishin marrë një rrjedhë tjetër, të ndryshme nga betimi solemn dysh dhe pa dëshmimtarë, përndryshe do të gjendeshin bashkë si dikur.

Më mirë që nuk pati dëshmimtarë – belbëzova – sepse kjo fotografi nuk do të më kishte rënë në dorë. Nuk e mbaja si një peng të një dashurie që nuk jetoi gjatë apo të një betimi të mbetur jetim. Ndodhej aty si një shenjë e një lumturie që po ngrihej në fluturim, por vetëm kaq. Iu prenë krahët pak metra mbi ajrin që thithim ditëve, mbeti pezull si ai imazh i ndërprerë në mes i fotografisë dhe që u tret ngadalë në kujtimet e viteve. Sa deshën që t’i fshinin përgjithmonë kujtimet, ta zhduknin çdo gjurmë të mbetur mbi dhe’! Fluksi i parë i ideve që ta mësym mendjen mban urdhërin: harroje dashurinë, harroje gjysmën e zemrës që huajte tek e jotja! Harrimi të duket hakmarrja më e drejtë ndaj asaj lumturie që u pre’ me një goditje.

Kjo fotografi nuk ka më ngjyrime çastesh të dy qënieve të shndërruara në një shpirt të vetëm dhe me identitete të qarta. Me pak kujdes dhe ndonjë retushim linjash dhe ngjyrash, do të ishte reklama më e mirë e ndonjë filmi me zemra të thyera të një dashurie që u këput ashtu papritur, në një ditë shkurti. A thua se gjithçka ishte e shkruar me kaq saktësi në ndonjë faqe skenari dhe që duhej të përfundonte sipas këndvështrimit të regjizorit? Sot ata janë larg në të tjera dashuri duke fluturuar.

Shkurt 2013

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Arjan Kallco, Tregim

ONUFRI SI AKT TRAGJIK

February 8, 2013 by dgreca

Nga Arjan Th. Kallço/

Nuk ka tashmë as më të voglin dyshim që kultura ka qënë dhe do të jetë gjithmonë një prej burimeve më të mira të shoqërisë, jo vetëm nga ana shpirtërore, por edhe ekonomike. Mjafton të dish t’i shfrytëzosh të gjitha burimet që ajo ofron, t’i ruash dhe mirëmbash, t’i propogandosh dhe reklamosh. Edhe vendi ynë ka një hartë pasurish kulturore relativisht të konsiderueshme dhe dinjitoze, por dy dekadat e fundit çfarë nuk na panë sytë. Rasti më i bujshëm i prishjes së afrekeve të Onufrit është akti tragjik i një shteti që kurrë nuk diti ta vlerësojë kulturën e vet, përkundrazi e gjymtoi dhe e shkatërroi herë më paaftësinë e vet, herë me indiferentizmin e vet vrasës, herë duke stimuluar të tjera kultura, në dukje prurje të demokracisë dhe pa asnjë vlerë. Kriza e madhe ekonomike shqiptare bëri që nga viti në vit të firaksin financimet për kulturën tonë kombëtare, duke lejuar disa lloj kulturash të dyshimta dhe që venë në rrezik identitetin tonë shqiptar. Fjala identitet u bë motoja e vitit jubilar të Pavarësisë, por në fakt mbeti vetëm fjalë, pasi bumi i shpresuar dhe i ëndërruar kurrë nuk trokiti. Përse vallë? Sepse skeptikët nuk besuan dhe nuk denjuan ta kuptonin se kultura është një industri pa aq fitmprurëse sa dhe të tjerat, bile tek ne është dhe më me perspektivë se në ndonjë vend tjetër të rajonit. Ndrësa po bëjmë çmos që të hyjmë në Europë, bile me një betejë ushtrish të paparë në fushë, po harrojmë se vendi nuk ka nevojë për betejat bajate të ushtrive. Sot është momenti i kthimit të syve drejt kulturës, pasi e kam thënë shpesh se është e vetmja kartë e duhur e identitetit tonë. Të gjitha kartat e tjera veç na barazojnë, ndërsa kultura na dallon dhe na bën nder. Më lindën këto mendime kur lexova se Europa ka disa kohë që i ka kthyer energjitë tek kultura, tek kjo industri e shumëfishtë që lidh disa nyje të rëndësishme të vetë jetës së një vendi. Zgjedhjet tek ne janë afër dhe të krijosh një strategji të qartë të kulturës në vitet e ardhshme është një sfidë që duhet kuptuar dhe planifikuar. Në vendet fqinje ka edhe propozime tepër të guximshme që të themelohet një ministri të re e kulturës dhe e kreativitetit, jo si një mundësi, por nevojë. Mesa duket disa vizionarë po shohin larg, pasi kjo do të shndërrohet në një nevojë strategjike në kuadrin e gjerë europian. Nuk na çudit më fjala kreativitet, sepse e adoptuam kohë më parë në disa projekte që bota kërkoi t’i implementonte edhe tek ne, ndonjëherë rezultative, në ndonjë rast tjetër një dështim i radhës. Por kur mëson se kjo nismë del nga vetë dyert e Komisionit europian, në shtator 2012 paraqiti një plan strategjik të vlerësimit të industrive kulturore dhe krijuese, nuk mund të kesh më asnjë lloj dyshimi dhe mosbesimi.  Lidhja startegjike midis mediave dhe kulturës dhe rolit të lidhjes krijimtari-kulturë të parë dhe të vlerësuar si elementë themelorë të rritjes ekonomike dhe të identitetit të B.E-së, flet për një vision të qartë dhe të integruar tek programi i ri komunitar “Europa krijuese”. Kostoja e këtij programi është e jashtëzakonshme një financim prej 1,8 miliardë euro për kulturën, mediat dhe industritë kulturore dhe krijuese. A mund të përfitojë Shqipëria nga ky fond i vetë qeverisë europiane? Nuk ka pengesa nëse bëhen projekte serioze dhe afatgjat edhe për ne, të paktën aplikimet janë të drejtpërdrejta dhe jo si më parë, kur duhej një partner i afërt i vendit tonë. Nuk është çështje poltike apo mosvotime ligjesh të statusit kandidat, i cili mbetet gjithmonë poltik. Po flasim për kulturën dhe mundësitë e saj të gjithanshme, pa qënë nevoja e integrimeve poltike. Vizonet e një kombi nuk mbajnë detyrimisht vulën e politikës, por të synimeve dhe projekteve të sigurta kombëtare. Le të shohim gjendjen tek disa vende të Europës dhe përpjekjet e tyre që të përfitojnë sa më shumë nga këto plane europiane. Në Itali ka ide që ministria përkatëse e trashëgimisë kulturore duhet t’i përgjigjet sfidës me një aset të përshtatshëm dhe një aftësi më të madhe projektuese. Ka vende të tjera që tashmë janë në pararojë dhe duke ia kthyer sytë Europës i adoptoi mjetet e nevojshme, si p.sh në Angli Ministria e kulturës i zgjeroi kompetencat nga arti tek industritë krijuese, spektakli, moda, sporti, turizmi, liria e shtypit, pasuria historike dhe natyrore. Në Francë Ministria e kulturës ka tre drejtime, trashëgiminë, mediat dhe industritë kulturore dhe krijimtarinë artistike. Po Shqipërisë çfarë i duhet? Do të mjaftonte një grup i zgjedhur pune me specialistë të të gjithë sektorëve të përmendur pak më sipër, këtë mund ta bëjë edhe vetë opozita me synime afatgjata, pak dëshirë të mirë për kulturën tonë dhe një draft me ide dhe projekte të cilat të mos kenë sherre dhe merita, por një kartabiankë kombëtare apo mbarëkombëtare nëse bashkohen fuqitë dhe mendja. Bashkimi europian me këtë projekt afatgjatë dhe gjigand mendon të mbështesë dhe nxitë brezat e ardhshëm deri në vitin 2020, po vetë ne, a duhet të jemi të interesuar dhe në vijën e parë të punës që të përfitojmë sa më shumë nga ky projekt? Shteti shqiptar duhet ta kuptojë më në fund se Shqipërinë në Europë nuk e përfaqëson dot politika, jo më një parti e vetme poltike. Na duhet pak reflektim dhe koordinim mendjesh.

Filed Under: Kulture Tagged With: Arjan Kallco, i mosvleresimit, Onufri si rast, tragjik

RRENJET E NOSTALGJISE

January 18, 2013 by dgreca

Nga Arjan Th. Kallço/

 Tema e një konkursi poezie në Itali koinçidoi rastësisht me temën e këtij artikulli shumë të veçantë që lidhet me një përsonazh tepër të veçantë : Nostalgjia. Them e rastësishme pasi midis poezive vendosa të dërgoj pikërisht poezinë që mbante këtë titull, pavarësisht se kishte një gjymturë të dytë që lidhej me dashurinë, pra Nostalgjie dashurie. Nuk besoj se ka njeri në botë që në një moment të caktuar të mos e ketë provuar këtë ndjenjë kaq humane, por dhe kaq sfilitëse. E para shpjegohet me faktin se jeta duke iu drejtuar së ardhmes, lë nga pas kujtime të cilat më pas shndërrohen në faktor përjetimi të disa ndjenjave të çuditëshme që të vendosin midis dy botëve, të një ëndrre që ka filluar dikur, por që nuk mbaron, e ke prapa, herë armiken, herë mikën më të mirë, dhe realitetit të gjallë po aq kontradiktor sa dhe vetë ëndrra. Vargjet e poezisë, të kompozuar me muzikë nga një miku im kompozitor, flasin pikërisht për nostalgjinë e asaj ndjenje që sado që kalon koha, nuk na ndahet aq sa është bërë njësh me shpirtin. Emri yt më zgjoi mall/Ca vargje dua të t’i kushtoj…

Por ka edhe një nostalgji tjetër, e thellë, e mishëruar në qënien tonë dhe më pas e transformuar në shenjën tonë tipike dalluese, në identitetin tonë kombëtar, ajo për atdheun. Sa më larg që të shkojmë, aq më e fortë bëhet ndjenja, aq më këmbëngulëse në qënien tonë, saqë shpesh dorëzohemi dhe menjëherë presim biletën dhe marrim rrugën e kthimit. Më e fortë se kurrë kjo ndjenjë provohet tek emigrantët që sado të vonohen në rrugën e kthimit, një ditë nuk harrojnë ta rinisin atë. Kur largohesh nga vendlindja, në udhëtim nuk je më ai i pari, pasi ke lënë diçka pas, një pjesë të identitetit tënd, të trupit dhe shpirtit tënd pas, peng që nuk të lë kurrë të qetë. Pikërisht ky peng i madh të ngjall nostalgjinë e kohës së shkuar, të shtëpisë ku linde, të rrugëve ku u rrite. Ti erdhe sërisht nga larg/ sepse këtu ke lënë zemrë.  E këto ndjenja të bukura sot u lidhën me një emër që i përket një bote tjetër, asaj të psikoanalizës, Jean Pontalis, një emër i famshëm, por që nuk i shpëtoi dot dy magjive të tjera, filozofisë dhe letërsisë. Çdo nostalgji është e mbushur me shumë ndjenja, por gjithësesi ajo ngelet një dëshirë gjithmonë e dënuar të vuajë midis realizimit dhe dështimit. Dëshira që nostagjia mban në vetvete nuk është  kaq dëshira e një përjetësie të palëvizëshme, por dëshira e rilindjeve të reja. Atëherë koha që kalon, është padyshim shkatërrimtarja më e pabesë, kërkon ta ndryshojë në figurën ideale atë vend që mbetet. Vendlindja është një metaforë e jetës. Kjo metaforë është vendi ku nostalgjia gjallohet në një rilindje që edhe në ëndrra është materie e gjallë, të ndihmon të rezistosh, të kesh kohëzgjatje, të ndryshosh – shkruan një studiues.

Pontalisi ka edhe një të shkuar tjetër interesante, sepse ka qënë nxënës i dy filozofëve të shquar të shekullit të kaluar, Lakanit dhe Sartrit, ndikimi i të cilëve nuk mund të mos e ngacmonte, të mos e edukonte me një trekëndësh funksional, të pandarë nga njëri-tjetri. Psikoanalisti ndërroi jetë këto ditë në moshën 89 vjeçare në Parisin e kontrasteve të mëdha filozofike, politike dhe letrare. Është bashkëautor i Enciklopedisë së Psikoanalizës, por kjo nuk e pengoi që të lidhej dhe me letërsinë, pasi e vuri re se kishte një aftësi të madhe tregimtare dhe dukej se tek ai fliste e pandërgjegjëshmja e disa kolegëve të vet që e kishin futur njeriun dhe njerëzimin në një botë më komplekse. Pontalisi është një shkrimtar psikoanalist që tregon në mënyrë tepër rrjedhëse dhe të fut në nëj depërtim tepër spektakolar të fshehtat e fantazisë dhe të ëndrrës, por pa asnjë lloj skemash të gatitura diku nëpër shkolla apo rryma të kohës. Libri i tij Dritare është i mbushur me evokime, me gërmime poetike brenda të pandërgjegjëshmes, memories dhe harrimit, fjalës dhe imazhit. Vetë simboli i dritares e nxjerr atë nga skemat teorike, duke hapur dritare, duke hapur tërësisht horizonte të pafund dhe pa pengesa mbi botën, imazhi që të mbetet në mendje është ai i Ersatzit, që nënkupton fjalën surrogate, kur thotë: Ersatz kobëmadh, me të cilin duhet të kënaqet i munduri. Ersatz që e ndjek humbjen, përuljen, turpin  – shprehet një studiues.

Një moment po aq i rëndësishëm në shkrimet e tij zë nëna, bile një vend që nuk mund ta pushtojë askush tjetër, si një figurë e pazëvendësueshme dhe e pavdekshme. Ja sesi e portretizon ai këtë ikonë të jetës : Nënës sime ia shkruaj emrin me gërma të mëdha, sepse është figurë unike. Jeta jonë nuk është e kërcënuar, por e shpaguar, pikërisht duke njohur këtë unicitet që e ka zanafillën tek nëna.

Më tej ai bën një paralelizëm të goditur, një lloj sinonimi jo të kërkuar, por të natyrshëm, në hapësira dhe dimensione krejt të ndryshme, toka amë me të cilën jemi të lidhur pazgjidhshëmrisht, me vendin e përkatësisë etnike dhe kulturore që kurrë nuk duhet tradhëtuar, por duhet të na shërbejë si bazë për kërkime të tjera, për vende të largëta, në një botë të nadrë dhe të pandarë, brenda dhe jashtë nesh.

Por nuk e lë pas edhe mërgimin si diçka që i mbart të rrënjosura gjurmët e nostalgjisë, të së shkuarës dhe të ardhmes, të memories, si materie që krijon gjurmët e rrënjëve, duke e shndërruar kështu pasikoanalizën në shkencën e gjurmëve. Emri i zakonshëm i nostalgjisë quhet dhimbje për vendlindjen; dhimbje, sepse je ndarë nga atdheu ku lerë. Dhimbja është e pandashme nga vuajtjet e mërgimit, të zhytur në një ëndërr që rrallë herë zgjohesh, pasi e di se mund të jetë një rikthim i pasigurtë. Pyetjes : Po çfarë është vendlindja  për ne që flasim për nostalgjinë, duke iu referuar kohës, më shumë se një hapësirë apo vend? Nostalgjia e kohës, e moskthimit. Dhimbja e moskthimit, refuzimi i ndryshimit për atë që shkatërron, zemërim të pafuqishëm para kohës shkatërrimtare, kohës që nuk kufizohet rrjedhjen e saj, kohës që asgjeson – shkruan gjeniu i trekëndëshit të Bermudës.Nostalgjia është ndoshta “më kurrë”,  ku përfundon zija, humbjet tona dhe ndryshojnë ngjyrë në çdo horizont. Pontalisi në gjuhën e poezisë shkruan, sjell imazhe dhe risi interpretuese, një mendim të ri. Nuk është e shkuara që nostalgjiku idealizon, ai nuk ia kthen krahët të tashmes, por asaj që vdes.Shpresa e tij që të mund të gjejë kudo, edhe sikur të ndryshosh kontinet, qytet, zanat, dashur, atdheun tënd të lindjes, aty ku lind jeta, aty ku rilind .- vazhdon studiuesi.

 

 

 

Filed Under: Kulture, Opinion Tagged With: Arjan Kallco, rrenjet e Nostalgjise

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry
  • Universiteti Shtetëror i Tetovës si Paradigmë e Arsimit të Lartë Shqiptar
  • Kujtesë e misionit profesional dhe jetësor që na bashkon…
  • LAHUTA SHQIPTARE NË DËSHMITË E HISTORIANËVE, ALBANOLOGËVE DHE STUDIUESVE EUROPIANË
  • Justina Aliaj e kthen Nënën Terezë në qytetin e saj të fëmijërisë
  • Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dega në SHBA nderoi gazetarë të shquar shqiptaro- amerikanë
  • “Sekretet” e Faik Konicës, roli si Kryetar i “Vatrës” dhe editor i “Diellit”
  • Libri “Dënesje në dru” i shkrimtarit Lazër Stani, prozë e kërkimeve absurde
  • Bashkëpunimi ruso-serb në veri të Vilajetit të Kosovës (1901)
  • Lufta hibride ruse dhe mësimi për shqiptarët
  • Paradoks gjuhësor dhe letrar
  • “Dardanët”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT