• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kur nisesh për udhë

July 4, 2013 by dgreca

Reportazh Arjan Th. Kallço/

Kur mendon Vlorën, qyteti që është simboli i stinës së verës, ashtu si dhe disa qytete të tjera detare, mendja të shkon tek e kaluara jo fort e largët, kur për 15 ditë endeshim në krahët e detit, rërës dhe bukurive natyrore të rivierës sonë. Pas disa dekadash në të njëjtën stinë, por në rrugëtim krejt ndryshe, përtej brigjeve shqiptare, në Itali. Rruga për në Vlorë nisi mëngjesin herët të datës 27 qershor nga Korça, në një klimë më shumë vjeshte sesa vere dhe shiu që nga qafa e Pllocës deri në të dalë të Pogradecit, që kishte rënë, ta shtonte bindjen se po na ngatërrohen stinët. Si kudo në orët e para të mëngjesit heshtja është bashkëudhëtarja jote më e mirë. Ngadalë rruga kombëtare po gjallohej dhe deri në Elbasan dita merrte një ngjyrë krejt të dallueshme: nga shiu tek ajo me diell. Tek rrethrrotullimi në afërsi të rrugës për në metalurgjik, fillon pjesa e dytë e rrugës me një pjesë që ende nuk i gëzohet tërësisht kushteve të infrastrukturës sonë. Për çudi është lënë pasdore një aks që është plot trafik në drejtim të jug-perëndimit të vendit. Rruga zgjatet përmes qyteteve, shumë e ngushtë, saqë nëse dikush hap derën për të dalë nga shtëpia, ka rrezik të përplaset me makinat që kalojnë aty. Për të mos folur për kushtet e higjenës, pluhuri është zot i aksit, që me të drejtë lënë për të dëshiruar, për më tepër kur në këtë stinë kërkohet sa më shumë kujdes për ajër të pastër. Pasi kaluam edhe Rrogozhinën rruga kalon në autostradën qëndrore që lidhet me Vlorën. 85 km e fundit dhe udhëtimit po i vinte fundi. Kudo në qytete ndihej ende jehona e zgjedhjeve, pasi reklamat e pafund ende qëndronin në këmbë si për të na thënë se do të duhej edhe pak kohë që vendi të pastrohej prej tyre. Diku pranë portit u ndalëm dhe tashmë Vlora ishte një realitet i prekshëm. Pasi mbarova disa porosi të vogla aty përreth, iu drejtova biletarisë së trageteve që ta merrja në dorë dhe t’i drejtohesha doganës. Agjensitë janë të shumta dhe secila të ofron një çmim të ndryshëm nga konkurrenca. Në hyrje të portit pasi bisedova me disa punonjës, mora rrugën drejt doganës. Përballë anija e ankoruar të jepte përshtypjen se, nga çasti në çast do të nisej. Në terminalin e kalimit kufitar pas ndonjë paqartësie të vogël dhe disa pyetjeve disi të çuditëshme, sapo isha kthyer nga një konferencë në Banja Lukë ku ndodhi të tilla nuk ndodhën, iu drejtova anijes Shuttle që po mbushej me njerëz dhe mjete. Kaluan disa orë të mira në pritje të nisjes dhe rreth orës 16.00 anija u nis nga porti i Vlorës me destinacion Brindizin. Rruga e gjatë pa biseda me njerëzit që ulen rrotull sikur nuk shkon. Pranë kishte pasagjerë të shumtë që po shkonin në Itali për punë dhe halle të ndryshme. Biseda e parë nisi tek dritaret e tragetit me disa vlonjatë ndonjë me origjinë çame, që tek fliste me pasion për detin, të kujtonte peshkatarët e filmave apo këngëve të shumta. Njerëzit e detit – ishte e para këngë që m’u kujtua në atë fill të shkurtër kohe. Bisedat rrodhën me tej tek njerëzit e afërm, tek qytetet nga vinim dhe tek e pashmangshmja, ëmbëlsira e përditëshme, politika. Rezultati i zgjedhjeve duket se kishte marrë konsensusin e të gjithëve të cilët shpreheshin se pas 8 vjetësh, duhej një ndryshim, ndryshe demokracia do të bukosej fare, nuk do të merrte frymë lirisht dhe për të gjithë. Më tej zinxhirri i njohjeve u shtri më tej, me njerëz të pjekur dhe me plot halle që, pavarësisht jetës, u pëlqente ta ruanin atë pakëz humor të përditshëm. Një i ri më tej po shkonte me pushime tek familja e tij diku afër Leçes, por meraku e hante tek dogana italiane, se mos i nxirrnin problem dhe e kthenin prapa. I premtova se në doganë do ta ndihmoja që t’ia përktheja bisedat, pasi nuk e njihte gjuhën. Më tej ndonjë dorë me domino, sikur e shtyu edhe disa kohë udhëtimin. Shprehja thotë se gjuha vete ku dhëmb dhëmbi dhe për disa çamë aty, nuk mund të mos hapej biseda e një pjesë të popullsisë shqiptare që u detyrua të shpërngulej me forcë drejt Shqipërisë. Por pas viteve ’90 përsëri shumë familje morrën rrugën e dhimbshme të kurbetit me shqetësimin e madh se a do të gjente zgjidhje problem i tyre. Mbetëm nga një shtet tek tjetri dhe asgjë nuk e kemi të sigurtë – thoshin ata. Nëse punët nuk do të shkojnë mirë edhe në Itali, kriza po i vinte në vështirësi edhe emigrantët, do të ktheheshin përsëri në Shqipëri, por përsëri do të mbetetn të ardhurit e përjetshëm. Një plagë që rrezikon të mbetet gjithmonë e hapur për një komb që gjatë gjithë historisë së vet nuk iu ndanë padrejtësitë. E natyrisht problemi ekonomik i bën edhe ata që dikur e kishin një shtëpi apo një copë tokë, të mos rrëeshtinin së medituari për të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve. Ndonjëherë mundohesh ta kapërcesh situatën edhe me ndonjë batutë që sikur ta lehtëson përsëri dhimbjen, por ajo ka zënë vend thellë në shpirtin e përdhosur të një kombi dhe rrënjët e shtrira larg vendlindjes, nuk do të jenë kurrë të fuqishme që t’i mbajnë të lidhur fort me origjinën. M’u kujtua një fabul e përkthyer disa vite më parë, tek e cila do të gjesh filozofinë e një populli : pse po ikin të gjithë nga ky vend? – ishte pyetja më tragjike e saj. Përgjigjia kishte të sintetizuar mençurinë e kohës : sepse nuk hodhën dot rrënjë. Por historia dihet tashmë dhe në atdheun mëmë, ata e gjetën mikpritjen dhe bashkëjetesën, por në mendjen e tyre është vendlindja e të parëve dhe e pasardhësve. Ballkani është vendi i paradokseve të mëdha të historisë që kurrë nuk morën përgjigjen e duhur dhe të drejtë. Të dorëzuar dukeshin edhe vetë ata që ndoshta nuk do të mund të jetojnë dot më në tokën e të parëve. Gabime fatale, kaos i pandreqshëm ballkanik, dihet se si u gatua në shekuj, që mbajnë vulën e marrëzisë së fuqive të mëdha të kohës së djeshme dhe të sotme.

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: Arjan Kallco, kur nisesh per udhee, reportazh

Carl Leonhard Reinhold dhe një studim i dobishëm filozofik (I)

June 13, 2013 by dgreca

Nga ArjanTh.Kallço/* 

Relativizmi që propozon ballafqime dhe analizon lidhjet është motori që e përparon njohjen.
Për relativizmin në shekuj ka patur mendime të kundërta dhe perceptime të ndryshme të filozofëve të cilët janë marrë me këtë problem. Sot relativizmi ka marrë një formë tjetër dhe quhet kulturor dhe debatet rreth këtij termi nuk kanë të sosur. Nëse nisemi nga thënia e Protagorës, nga relativistët e parë, Njeriu është masa e gjithçkaje, atëherë do të fokusoheshim tek njeriu si faktori kryesor i jetës dhe si rrjedhim edhe i fushave të ndryshme ku ai është në qendër të vëmendjes, ku bën pjesë dhe filozofia. Por nëse për filozofinë ateiste problem është mëse i qartë, pra është njeriu dhe vetëm njeriu, për disa filozofi të tjera, ai nuk është veç një krijesë e një fuqie absolute. Në këtë pikë relativizmi njerëzor zhduket, duke ia lënë vendin absolutizmit hyjnor. Nuk ka dyshim se individi njeri, duke qënë një qënie e vogël përballë botës së madhe dhe shoqërisë, është kudo dhe kurdo i kapur nga relativizmi, sado inteligjenca e tij të jetë superiore. Kësaj logjike dhe arsyetimi do t’i kundërvihej një relativizëm tjetër njerëzor, por i veshur me absolutizmin e doktrinave fetare të cilat ata mbështetin dhe interpretojnë, por që nuk i përfaqësojnë dot. Edhe filozofi më i keq para këtij fakti objektiv nuk ka asnjë mundësi që të mos e pranojë karakterin relative të ngjarjeve dhe historisë. A është gjithçka e vërtetë siç thoshte përsëri Protagora? Duhet të vendosim pikat mbi i lidhur me të vërtetat, pasi jot ë gjitha të vërtetat janë të tilla. Një prej të vërtetave, nëse kjo do të quhej e tillë, që duhet gjithmonë provuar është ekzistenca e fuqive hyjnore në këtë lëmsh polemikash dhe filozofish. Mbështetësit e filozofisë absolutiste as nuk e marrin në konsideratë faktorin njeri para zotit, kështu që edhe vetë ata janë të pafuqishëm në shpjegimin e së vërtetës që sipas tyre është më e madhja dhe një herë e gjithmonë e pandryshuar. Pra kemi një botë që çdo ditë ndryshon, por një absolutizëm që mbetet gjithmonë i njëjtë. A nuk është ndryshimi baza e njohjes? Kur njeriu njohi më shumë, dikur apo sot? Edhe vetë abslutistët, ndoshta në heshtje, e pranojnë dhe duhet ta pranojnë këtë vërtetësi. Një moment interesant për diskutim është një artikull i historianit Italian, Adriano Prosperi, lidhur me relativizmin kur thotë se Relativizmi është macja e zezë e të gjitha fondamentalizmave fetare. Kush propozon një të vërtetë ekskluzive nuk toleron që malli i vet të vendoset mbi të njëjtin banak me të tjerët, i krahasuar dhe i analizuar, ndoshta i përcaktuar si një produkt historik, me datën e lindjes dhe lidhjet e farefisnisë me ata të konkurrencës. Nuk ka dyshim se kultura perëndimore është e gatuar me relativizëm: e zbulojmë sa herë që ballafaqohemi me dallimet kulturore të vendeve ku është historia e ditëve tona – mekanizmat elektoralë demokratikë sjellin në pushtet partitë fetare. Shtrohet pyetja, sa lloje relativizmash ka? A janë të gjithë të dobishëm apo të dëmshëm? Si t’i harmonizojmë që të mund t’i afrohemi sa më shumë të vërtetave të veçanta e më pas duke i mbledhur, të pretendojmë elementë absolutë? Nëse do t’i referohemi të parës, do të thoshim se në morinë e kontradiktave të botës, edhe relativizmi nuk mund t’i shpëtojë dy kaheve; atij pozitiv dhe negativ. Por tek Prosperi merr natyrë tjetër. Ai thotë se duhet bërë një dallim i nevojshëm : ka një relativizëm banalizues, ai që shprehet në mendimin se nuk ka sgjë të re mbi këtë tokë dhe ka një relativizëm stimulus, ai që ballafaqon, analizon dhe kërkon të kapë lidhjet. Kur Makiaveli e ballafaqoi Mozenë me Numa Pompilion dhe fenë antike e Romës me atë të Romës katolike, bëri hapin cilësor që e dallon relativizmin banalizues nga ndarja intelektuale të atij që vendoset si vëzhgues përtej dhe para objektit të vëzhguar. Me fjalët e historisë së kulturës, fitorja e pikëpamjes së vëzhguesit u mor me kulturën europiane në një hark të gjatë kohor, nga 1400 italiane tek Iluminizmi, duke kaluar përmes zbulimit të Amerikës dhe tragjeditë e luftrave fetare dhe të kolonializmit benediktin të misionarëve kristianë. Askush nuk mund ta mohojë se ka edhe relativizma të dëmshëm, p.sh njeriu nuk është fuqi para zotit, duke ia hequr kështu mundësinë e besimit dhe fuqinë e madhe të tij në ndryshimet e ndryshme shoqërore. Ka edhe relativizma të dobishëm, p.sh, sado që ne të besojmë tek fuqia e një gjeniu, nuk mund ta barazojmë me një njeri të mbinatyrshëm që do të na i zgjidhte të gjitha problemet që sot gëlojnë në botë. Fantazia e zgjidh nëpërmejt fantashkencës, duke krijuar personazhe që kanë fuqi të jashtëzakonshme dhe mund të parashikojnë dhe parandalojnë gjithçka. Natyra relativiste e shoqërisë është më e dukshme në kulturë, ku edhe faktet e pamundësisë absolute, shfuqizohen sapo hyn në kontakt me kultura që nuk i ke njohur ndonjëherë. Karakteri individual i njohjes është një prej hallkave të domosdoshme që i paraprin njohjes në nivel global, por gjithësesi kurrë i plotë. Në esenë e vet Prosperi vazhdon : Por ky rrugëtim u propozua dhe vazhdon të bëhet në jetën e personave dhe mund të kryhet në hapësirën e një jetë individuale. E tregon rasti i Carl Leonhard Reinhold, një autor i rëndësishëm në kulturën e gjuhës gjermane. Për cilësitë e tij si shkrimtar mjafton të thuash se pa veprën e tij filozofia e Kantit nuk do ta pushtonte botën e shkollës dhe universitetit në shekullin e artë të idealizmit filozofik. Por arsyeja që na çon tek studimi i tij, duhet kërkuar në biografinë intelektuale të njërit prej studiuesve më të njohur dhe lexuar të fenomenit fetar dhe të teologjisë politike. Pa këtë shkrimtar ndoshta Jan Assmann nuk do t’i lindtte ideja bazë e veprës Mozeja egjiptian. Nga kjo merr shkas libri i Reinholdit Misteret hebraike ose masoneria më e vjetër fetare me hyrjen e shkruar posaçërisht nga Assmani. 

*Universiteti Fan S. Noli, Korçe

Filed Under: Kulture Tagged With: Arjan Kallco, Carl Leonhard Reinhold

JETA MUND TE KUPTOHET VETEM DUKE U KTHYER PAS

May 3, 2013 by dgreca

Me rastin 200 vjetori i filozofit danez Kirkegard/

Nga Arjan Th. Kallço*/

Jeta mund të kuptohet vetëm duke u kthyer pas, por duhet jetuar duke ecur para.-/

Søren Aabye Kierkegaard/ 

I ati i tij para se të bëhej një tregtar i pasur, punoi si bari dhe një ditë në një kodër në Jutland mallkoi zotin, dhe pasi u bë tregtar, mëndonte se mallkimi nuk iu nda nga pas: gjashtë fëmijët vdiqën dhe i vetmi që i mbijetoi ishte Soreni. Një martesë e refuzuar nga filozofi, mbartëte ende frikën e mallkmit që të mund të transmetohej tek fëmijët e vet. Lindi dhe jetoi kryesisht në Kopenhagen. Mori një edukatë prindërore të ngurtë pietiste, e bazuar tek rreptësia. Tragjeditë e nëjpasnjëshme dhe edukata e bënë një melankonik dhe reflektues dhe thotë: “Që nga fëmijëria jam pre’ e forcës së tmerrshme melankolike, thellësia e së cilës e gjen shprehjen e vet të vërtetë në aftësinë korresponduese të fshehjes nën qetësinë dukëse dhe dëshirën për të jetuar”.  Në vitin 1821 filloi shkollën Borgerdyd dhe ishte një nxënës i shkëlqyer. 10 vjet më vonë filloi fakultetin e teologjisë në Kopenhagen, me idenë që të bëhej drejtues fetar luteran, por që nuk u realizua kurrë. Në vitin 1837 shkroi një komedi me titull Beteja mes të vjetërve dhe të rinjve…parodi kundër racionalizmit dhe ngurtësisë. Pas vdekjes së mësuesit të vet,figura e tij kishte lënë gjurmë të thella tek ai, iu drejtua prirjes që të merrej me filozofi në dramaturgjinë letrare. Bëri disa udhëtime në Berlin ku ndoqi mësimet e filozfisë së re të Shelingut. Në vitin 1855 u shtrua në spital ku edhe jetoi 41 ditët e fundit të jetës së vet dhe ndërroi jetën në moshën 42 vjeçare. Një vdekje e parakoshme dhe një humbje për filozofinë, pasi një mendje gjeniale do kishte dhënë një kontribut edhe më të madh në të. Por edhe kaq sa jetoi, na la një pasuri të madhe të shkruar, ku mund të gjejmë të gjithë mendimin e tij, filozofinë e tij.

200 vjet më parë, më 5 maj 2013, lindi filozofi, teologu dhe shkrimtari danez S. Kirkegard. Do të mjaftonin të treja këto përcaktime që të filloje një punë të madhe studimore dhe interpretuese të veprës së vet. Kirkegardi teolog ndoshta do të ishte më e lehtë një kumtesë për të, por si filozof dhe letrar detyrimisht kërkon një impenjim të madh dhe të thellë, pasi e thellë është edhe vetë filozofia e tij që na la pas. Nëse i referohemi thënies së mësipërme lidhur me jetën, filozofia ka si objekt të saj pikërisht ekzistencën e njeriut, do të kuptojmë se ta kuptosh historinë tonë, duhet të kesh si pikë referimi të shkuarën, atë kohë tashmë të depozituar në anale dhe që nuk ka asnjë ndikim të drejtpërdrejtë subjektiv të njerëzve që e bënë atë, por mbetet për t’u saktësuar doza e subjektivitetit në të. T’i kthejmë sytë nga e shkuara është thirrja që na bën filozofi, i bindur edhe vetë ai se nuk ka asnjë mundësi verifikimi të mendimti të tij filozofik, pasi tashmja nuk të ofron asnjë spunto objektive dhe të ftohur nga pasionet dhe reflektimet individuale të çastit. U takon brezave të tjerë që ta kuptojnë dhe interpretojnë mendimin e pararendësve të njerëzimit.

Njeriu në jetën e vet nëse do t’i referohemi fundit të saj, ka kryer një udhëtim relativisht të gjatë të mbushur plot me ngjarje, fakte, momente të cilat e kanë rritur, formuar dhe pjekur plotësisht duke i dhënë mundësinë që nëse filozofia e jetës së tij të ketë qënë interesante dhe e kapshme në thelbin e vet, të mund të rikujtohet, studiohet, interpretohet dhe diksutohet. Rikujtimi do të ishte evokimi i një jetë dhe i një shoqërie që nuk ekziston më, por që ka lënë pas gjurmët e veta të shprehura këto tek e gjithë trashëgimia që ndodhet e ngjizur në dëshmitë e tyre që pasqyrojnë mendimin dhe kulturën që krijuan dhe përçuan. Studimi i mendimit apo i filozofisë, në këtë rast i Kirkegardit, është një detyrë e domosdoshme për ta kuptuar gjithë periudhën kohore në të cilën jetoi dhe punoi, meqë nuk kemi asgjë tjetër nga e kaluara, si një kohë e përceptuesme vetëm në këto lloj faktesh. Interpretimi i filozfisë së tyre duhet parë e lidhur ngushtë me rrethanat ekonomiko-shoqërore, dijet dhe ideologjitë sunduese të kohës. Karakteri subjektiv i interpretimeve do të bëjë lidhjen midis dy kohëve, duke dëshmuar kështu se njeriu si një qënie e gjallë dhe në evolucion e ka përsosur jetën dhe të lidhura ngushtë me të edhe vetë mendimin dhe kulturën. Diskutimi i shoqëruar me debate mbi karakteristikat e mendimit të kohës është hapi i fundit i një analize të plotë dhe të thellë  lidhur me njohjen dhe mundësitë e saj të realizuar deri në këtë pikë, duke i hapur shtigje të reja mendimit, për ide, filozofi dhe rryma të cilat do të mund ta çojnë më para procesin e komplikuar të njohjes.

Në Universitetin e Korçës, në Fakultetin e shkencave, ditën e enjte zhvilloi punimet Simpoziumi shkencor, figura qendrore e të cilit ishte pikërisht filozofi danez. Dekani i fakultetit, Gjergji Pendavinji, në fjalën e hapjes theksoi se Simpoziumi i dedikohet njërit prej filozofëve të mëdhenj të filozofisë moderne. Në realizmin e kësaj veprimtarie ka një bashkëpunim midis disa faktorëve, Universiteti i Korçës, i Tiranës, studiues të ndryshëm dhe Ambasada e Danimarkës në Tiranë. Ai zhvillohet në kuadrin e veprimtarive të kërkimeve shkencore në të gjithë botën moderne dhe që lidhet me mendimin e lirë. Filozofia e Kirkegardit është një mënyrë për ta kuptuar jetën. Këto ditë do të organizohen konferenca, simpoziume, seminare dhe do të kryhen studime të shumta në Danimarkë, Paris, Londër, Romë, Bruksel, Athinë dhe kjo që po mbahet  tek ne. Në këtë përvjetor janë angazhuar studiuesit më të mirë në Europë e botë që nga data 1 maj e deri në 23 nëntor në të gjitha universitetet e botës – e përfundoi fjalën e vet dekani Pendavinji. Në simpozium u paraqitën 9 kumtesa që lidhen ekskluzivisht me Kirkegardin dhe mendimin e tij, nga tre universitete shqiptare: Korçë – Tiranë – Elbasan, por kishte dhe një synim tjetër që të promovoheshin edhe studiues të rinj të fakultetit. Ambasadori i Danimarkës M.S.Jensen me këtë rast dërgoi edhe një përshendetje për simpoziumin. Veprimtarinë e përshëndeti në emër të rektoratit, rektori Gjergji Mero, ku vuri theksin tek bashkëpunimi mes universitetve shqiptare dhe në të ardhmen të kërkohet edhe me universitete të tjera nga nga bota.

*Pedagog ne Universiteti i Korçës

Filed Under: Kulture Tagged With: 200 vjetori, Arjan Kallco, i Soren Adbye Kirkegard

Një emër që i bën nder Italisë

April 30, 2013 by dgreca

Emma Bonino lindi më 9 mars 1948 në Itali. Është poltikane italiane, aktualisht Ministre e jashtme e Italisë në qeverinë Letta. Është një prej figurave më me ndikim e radikalizmit liberal Italian./

Nga Arjan Th. Kallço/

 Më në fund edhe odiseja e zgjedhjeve në Itali duket se po i drejtohet konkretizimit të një qeverie me bazë të gjerë, duke bashkuar në një qeveri dy polet e kundërta të politikës italiane. Kanë qënë muaj të vështirë për vetë politikën, pas rezultatit të bujshëm të Lëvizjes 5 yjet e cila me qëndrimin e vet rrezikoi dhe më pas dështoi në synimet e veta. Përvoja e pakët në politikë dhe moskapja e momentit të duhur bëri që këtë dobësi ta shfrytëzonte klasa e vjetër politike e të dy krahëve. Kështu lëvizja që gati nuk fitoi zgjedhjet 2013 tani gjendet jashtë lojës politike e prirur të bëjë opozitë për një periudhë 5 vjeçare. Nëse do të kishin pranuar të bënin koalicion me Pd, partia e Berluskonit tash do të ishte në opozitë dhe kjo do t’i jepte mundësi Grilos që ta forconte pozicionin e vet në elektoratin Italian. Kape çastin – është thirjja që partia më e re duhet ta kishte shfrytëzuar në dobi jo vetëm të vetën, por edhe të vetë Italisë, pas krizës së thellë ekonomike dhe të besimit që përfshiu gadishullin përballë nesh. Por gabimet janë pjesë e jetës politike, jo vetëm në itali, pasi kur të vinë mendtë, nuk t’i hanë as qenjtë. Megjithatë duhet thënë se Griloja dhe partia e tyre bënë zgjedhjen që ata e menduan më të mirë dhe tani do t’ju duhet punë e jashtëzakonshme që të ridalin konkurrues në zgjedhjet e ardhshme lokale. Tani t’i kthehemi qeverisë së sapokrijuar me kryeministër Enriko Leta e cila sot kërkon votbesimin në Parlament. Sipas deklaratave të dy partive më të mëdha, nuk duhet të ketë pengesa për miratimin e qeverisë së re. Kështu i jepet fund një kaosi që duket se i uli jo pak pikë vendit fqinj në arenën ndërkombëtare. Paqëndrueshmëria politike italiane ka një histori gati 70 vjeçare dhe asgjë nuk të gjen të papërgatitur. Në listën e 21 ministrave është edhe një emër besoj shumë i dëgjuar edhe në politikën shqiptare dhe bëhet fjalë për Ema Boninon që do të mbajë portofolin e Ministres së jashtme. Është një emër që vërtet të ngjall kërshëri, por edhe admirim, jo sepse është femër, këtë herë qeveria italine do të ketë shumë femra në gjirin e vet, por sepse është një përvojë kaq e gjatë e poltikanes që nuk mund të lihej jashtë vëmendjes së një vendi që është ndër 10 vendet më të fuqishëm të botës. Mendoj se është një zgjedhje tepër e merituar, pasi bota sot ka më shumë se kurrë nevojë për zgjedhjen e elementëve cilësorë në drejtimin e punëve dhe vërtet znj. Bonino qëndron në krye të listës së elitës italiane dhe europiane. Dje tek lexoja emrin e saj në gazetat më të mëdha italiane, nuk mund të mos i hidhja një sy të gjithë veprimtarisë së saj në disa drejtime: italian, europian dhe botëror. Me disa rreshta po sjell disa nga momentet më të spikatura të karrierës së saj deri në çastin kur mori drejtimin e një prej ministrive më të rëndësihme të marrëdhënieve me botën, të promovimit të vendit dhe të bashkëpunimit ndërkontinental. Zgjedhjet tona janë tek dera dhe do të ishte e udhës që në përzgjedhjen e parlamentit të ri që do të dalë nga 23 qershori, të mbahet fort mirë parasysh leksioni Italian i përzgjedhjes. Diplomacia shqiptare e di se ku e ka vendin e vet dhe peshën, por skandalet me emërimet neopotiste dhe me njerëz që nuk kanë patur ndonjëherë lidhje me diplomacinë e vërtetë, tregojnë se mentaliteti shqiptar i këtyre dy dekadave vështirë se mund ta çrrënjosë atë. Do të duhej një radikalizëm i qartë, i guximshëm, si shembulli i Boninos, jo thjesht si radikaliste, por si nismëtare e vendosur e një politike radikale edhe në nivel global. Kush është Ema Bonino? Pasi ta lexoni veprimtarinë e saj, do ta kuptoni se është një emër që i bën nder Italisë.

Pas shkollës fillore dhe të mesme në vendlindje, shkoi në Milano ku frekuentoi fakultetin e Gjuhëve të Huaja në universitetin Bokoni dhe ku u diplomua në vitin 1972. Në vitin 1975 hyri në politikë dhe një vit më vonë nën siglën e Partisë radikale zgjidhet për herë të paë në moshën 28 vjeçe në Parlamentin Italian. Në vitin 1979 u zgjodh deputete në Parlamentin europian. Në cv e saj numëron edhe anëtarësi në komitetin ekzekutiv të International Crisis Group, ideatore dhe promovuese e Gjykatës penale ndërkombëtare, profesore nderi e Universitetit amerikan të Kajros, delegate e Italisë në OKB lidhur me dënimin me vdekje etj. Në vitin 1980 promovon fushata të shumta për referendumin lidhur me të drejtat civile në Europën lindore dhe një vit më vonë një apel kundër shfarosjes nga uria duke kontribuar në krijimin e shoqatës Food and Disarmement International, me qëllim koordinimin e veprimtarive dhe nismave të informacionit ndërkombëtar dhe më vonë u bë sekretare. Në vitin 1986 organizon një konferencë ndërkombëtare duke dalë me manifestin e kryetarëve të shteteve kundër shfarosjes nga uria, në mbrojtje të së drejtës për jetën dhe jetës së të drejtës. Këtë nismë ia paraqiti edhe papës Gjon Pali i II. Në janar 1987 manifeston në Varshavë kundër diktaturës së gjeneralit Jaruzelski në favor të Solidarnostit. U arrestua dhe u përjashtua nga Polonia. Në vitin 1989 u bë kryetare e Partisë radikale transkombëtare deri në vitin 1993. Në nëntor 1990  arrestohet edhe në Nju Jork, pasi denoncoi ligjin për shitjen e siringave me recetë të mjekut. Në maj 1991 është firmëtarja e parë e mocionit kundër përhapjes së armëve jo konvencionale dhe në veçanti të minave antinjeri. Në vitin 1993 promovon një fushatë në favor të krijimit të Gjykatës penale ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë me një apel me 25 mijë firma nga e gjithë bota. Po në atë vit pas takimit me Dalai lamën hedh idenë e një mobilizimi për të drejtat dhe lirinë e popullit tibetian dhe për demokraci në Kinë. Në vitin 1995 u bë Komisare europiane për politikën e konsumatorit, peshkimit dhe për ndihmat humanitare. Më 26 janar 1995 është e para komisare që shkoi në Sarajevë pas fillimit të luftës, duke denoncuar pafuqinë e Europës, dhe mosinteresin e OKB-së para pastrimit etnik e më pas votën e saj prondërhyrjes ushtarake në Kosovë. Në vitin 1996 pas genocidit në Ruanda udhëtoi drejt disa vende të Afrikës në mbështetje të së drejtës së refugjatëve për ndihmë humanitare e më pas në Somali, Sudan, Kurdistan, Afganistan. Në vitin 1997 dukë qënë mes nismëtarëve firmos në emër të Komisionit europian Konventën e Oktavës kundër minave. Pas mandatit në Europë kthehet në politikën italiane dhe në zgjedhjet europiane arriti një rezultat historik, duke u bërë forca e katërt politike kombëtare. Në vitin 2001 pas një tjetër suksesi në zgjedhjet në Itali shkoi në kairo më synimin q ëtë mësonte gjuhën dhe kulturën arabe. Në vitin 2004 rizgjidhet në Parlamentin europian, duke iu bashkuar grupit Aleanca e demokratëve dhe liberalëve për Europën dhe në 2005 shkon përsëri në Afganistan si kryetare e misionit të vëzhguesve të B.E-së në zgjedhjet parlamentare dhe lokale. Në vitin 2008 u zgjodh si kryelista e PD në Piemont dhe mori 107 vota duke u zgjedhur zv/kryetare e Senatit.Në zgjedhjet e këtij viti nuk arriti të fitonte një mandate në Parlamentin Italian. Emri i saj u përzgjodh si candidate për presidente pas mbarrimit të mandatit të Napolitanos dhe më 14 prill Partia socialiste e propozoi zyrtarisht atë, e ndihmuar nga sondazhi që e bënte fituese me 32% të konsensusit.

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Arjan Kallco, Emma Bonino

Nevoja për Klubin e Njerëzve të Drejtë

April 1, 2013 by dgreca

Arjan Th. Kallço/

Kush nuk e kujton kampin e tmerrshëm të Aushvicit që gjatë luftës bëri kërdinë me qëniet njerëzore? Një tragjedi e radhës e mendjeve djallëzore që njeriun e shihnin të ndarë në raca, klasa, kategori apo më keq akoma në skllevër dhe padronë. Thjesht Çnjerëzore! Mendoni për një çast sikur në memorien kolektive të gjitha tragjeditë të harroheshin dhe në vend të kujtesës që të tilla të mos përsëriten, të vendosim diku ndonjë monument me shkrimin: Kujtesa duhet të shndërrohet në indiferencë. Në fakt një e tillë është vendosur diku në stacionin hekurudhor të Milanos, në një nga binarët nga ku niseshin trenat për në kampin shfarosës. Tek ne u bë një tentativë ditët e fundit me një memorial që do të na lërë shijen e hidhur për një kohë të gjatë, sesi pazgjuarsia vazhdon të jetë pardone në jetën e shoqërive të evoluara, sepse vetë njeriu ka evoluar. Do të ishte më mirë që më parë një memorial të vendosej për të kujtuar të gjithë martirët e shukujve të kaluar, më pas për ata të monarkisë zogiste e vetëm pastaj të mendohej për vitet e diktaturës. Një kronologji e tillë besoj se do ta respektonte i gjithë populli, por siç është bërë e modës vitet e fundit, këmbët ngrihen dhe i bien kokës, apo meritat errësohen tërësisht nga pameritat dhe nga sulmet e paskrupullta ndaj gjithçkaje që njerëzit kanë ndërtuar e krijuar. Meritizmi si filozofia më e drejtë e vlerësimit, ia ka lënë vendin nxitimit që edhe ata që nuk meritojnë asgjë, sepse nuk kanë kontribute të kthyeshme apo të matshme në shoqëri, po nguten t’i sajojnë apo t’i blejnë në mënyrë të pandershme.

Përpjekjet për të imponuar vullnete të mbrapshta e dominuan dhe po e dpminojnë skenën botërore dhe shqiptare në një luftë të pamoralshme parimesh. A mund të jemi kaq indiferentë ndaj një historie që fundi bëhet kreu? A mund të bëhen të drejtë ata që ndjekin këto parime? Indiferenca duhet të zaptojë të drejtët apo anasjelltas, të drejtët duhet ta thyejnë atë?

Sot më shumë se kurrë po flitet për racizëm dhe sipas shumë analistëve të gjitha llojet e tij po e sëmurin dhe helmojnë Europën. Racizmi ekziston, sepse ekziston edhe ajo që e mban gjallë atë, indiferenca, interesi personal që shfaqet rëndom tek egoizmi dhe mbyllja në kutinë magjike të paprekshmërisë individuale. Një rast që duhet përmendur flet për një Nobelist hungarez për Paqen i cili i refuzoi me vetëdije të gjitha medaljet që vendi i vet i kishte dhënë në vite. Pse e bëri një akt të paprecedentë ai? – këtë duhet ta shohim nga shumë këndvështrime dhe thellësi mendimi. Në disa vende europiane si Gjermania, Franca, Italia dhe vendet nordike mungesa e tolerancës po fiton terren, kriza ekonomike është faktori i parë, janë politikanët të parët që kapen pas instikteve më të ulta dhe që e trashin zërin në mediat. Një situatë e tillë, kur shkaktarët shndërrohen në viktima, kërkon ndërgjegjësimin, rritjen e vigjilencës, organizmin, mosheshtjen me qëllim që situata të tilla të pakëndshme të mos bëhen fenomene të përsëritshme sa herë që bota bie në prehrin e krizave. Ndoshta gabuan ata filozofë që ngjarjet e shoqërisë i barazuan me ato natyrore, pasi u dhanë dorë interpretime të dëmshme për vetë shoqërinë. Një fenomen natyror mund të ndodhë spontan, por një ngjarje shoqërore e ka gjithmonë një shkak. Prandaj bota ka nevojë që në momente padrejtësish planetare të dëgjojë fjalën dhe mendjen e të drejtëve. Ka edhe një datë të vendosur nga Parlamenti europian që është 6 marsi dhe shumëkush mund të shprehet për një lloj virtyti që duhet ta karakterizojë politikën e çdo vendi. Guximi për ta kryer këtë akt edhe në të shkuarën nuk ka munguar, qofshin burra apo gra, pasi armiqësia lind sa hap e mbyll sytë, ndërsa paqja kërkon kohë, mund dhe sakrifica që mesa duket në qorrsokakun e historisë botërore, askush nuk ka mundur të depërtojë dot dhe që t’i zbulojë shkaqet e vërteta. Indiferenca më e rrezikshme është ta bësh veshin shurdh ndaj të drejtëve, ndaj atyre që i paralajmërojnë tallazet që po fryjnë mbi botën. Kur flasim për armiqësitë duhet të kemi parasysh të gjithë harkun gjithëpërfshirës të tyre, nga ato më banalet e deri tek ato më seriozet, që nëpërkëmbin kombe dhe popuj, duke u mohuar të drejtat e tyre dhe si pasojë e dritëshkurtësisë se mendjeve katile, e paguajnë shumë shtrenjtë mendjelehtësinë e injorancës. Po t’i referohemi pak historisë së luftës së dytë në shekullin e kaluar, ka plot raste kur duke qënë brenda doktrinave dominuese të kohës, shumë njerëz e gjetën forcën që të kryenin akte të drejta humane, si një konsull fashist që në vitin 1943 në Selanik shpëtoi shumë jetë njerëzish, italianë dhe grekë. Ndoshta për ne shqiptarët është një emër i panjohur, por për dy popujt e përmendur thotë dhe thotë shumë: Guelfo Zamboni. Në klubin e të drejtëve hyn edhe një femër në Teheran, Neda, që u përpoq për të drejtat e veta dhe të grave, apo shkrimtari libanez Kasir që kërkoi më shumë se kurrë pavarësinë e vendit nga Siria dhe që e pagoi me jetën e vet. Ka shumë të Drejtë kjo botë, por në vend që të përkrahen dhe të stimulohen, përndiqen dhe pësojnë një fund tragjik nga diktaturat dhe regjimet. Po ju kujtoj edhe historinë e Gjon Plait të dytë, pikërisht në këtë ditë Pashke, i cili rrezikonte shumë në Poloninë e tij të dashur, por disa njerëz me mend në Vatikan, pavarësisht vullneteve të politikës, një mendje të ndritur si ai e preferuan papë dhe jo në gojën e ujkut. Ky është njeriu për të cilin kemi më shumë nevojë – ishte unison i kardinalëve edhe i atyre më skeptikë që shihin tëk Vojtila një njeri të ditur, me kurajë, por pak të njohur në arenën botërore. Dhe mendoj se nuk gabuan në këtë zgjedhje, pasi misionari e përmbushi me devotshmëri detyrën, shpesh duke i vënë në siklet të fuqishmit e botës. Të Drejtë ka dhe duhet të ketë çdo komb që të mos verbohen nga arsyeja çnjerëzore e interesave të një grupi që është gati të shkatërrojë gjithçka që nuk përputhet dhe që shkon ndesh me ta. U duhet dhënë vetëm mundësia dhe përkrahja e duhur. Por faktet tregojnë se asnjë i Drejtë nuk është respektuar ndonjëherë, edhe pse më vonë është pranuar logjika e tij. Një qëndrim i tillë sigurisht është një revolucion dhe sipas mendimit të ish udhëheqësit kinez, Maos, ai nuk ngjason me një darkë mondane. Sa të prirur janë politikanët që të sakrifikojnë interesat e tyre dhe postet për një interes më të madh? Këtu kërkohet një analizë e thellë filozofike, shoqërore dhe pragmatiste. Të gjitha analizat do të shkonin dëm, siç kanë shkuar deri tani edhe tek ne, nëse secili interesaxhi nuk përballet me koshiencën e vet dhe të karrikes. Rusi Vasil Grosman dhe shumë mendje të fuqishme të botës janë dëshmimtarët e pavdekshëm të përpjekjeve njerëzore për një botë të drejtë, por kur në krye të jenë të Drejtët. Kur vetë rusi e kuptoi se zëri i tij do të mbytej apo do të ishte një pikë në oqeanin e armiqësive dhe ligësive me ironi theksoi : Nuk ka kuptim sot e mira! Në vend që të krijojmë parti dhe shoqata fantazma, apo traktate që kërkojnë një faturë të majme, është më mirë që të krijojmë, forcojmë dhe përkrahim Klubin e të drejtëve dhe njerëzve që duhet të jenë anëtarë të saj. Bota do të jetë më e mirë!

Filed Under: Opinion Tagged With: Arjan Kallco, klubi, njerezit e drejte

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kryeministri Kurti priti në takim ambasadorët e akredituar në Kosovë
  • THE SIX CONDITIONS OF PRIME MINISTER KURTI ARE REASONABLE
  • Momenti që drejtësia në Shqipëri që të tregojë se sa është e pavarur
  • MISIONI I VATRAVE SHQIPTARE NË SHBA. NË VEND TË NJË URIMI…
  • Pentagoni godet dhe rrëzon balonën ‘spiune’ kineze. Po tani ?
  • Tërmeti në Turqi, Vatra shpreh solidaritet dhe lutet për viktimat e të plagosurit
  • “VENDI IM” 5th Anniversary Concert Event
  • Boksieri shqiptar Jurgen Uldedaj arriti fitoren e 15-të pa asnjë humbje
  • Një cikël poetik antologjik me autorë të së njëjtës gjenealogji
  • “ENDRRA SHQIPTARE” E RIPOPULLIMIT DHE VOTA E DIASPORES
  • TURP per Kryetarin e Bashkise dhe Keshillin Bashkiak te Tiranes!
  • “Barleti i hershëm”, magjepsja e re Nadin -Plasari!
  • Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH), mbi marrëveshjen për themelimin e Bashkësisë të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë
  • MIRËNJOHJE KOSOVË, FALEMINDERIT Z.FITIM GLLAREVA
  • Platoni mbi edukimin

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT