– Me inisiativën e Degës së VATRËS në Washington DC dhe me ndihmën e Zonjës Barbara Comstock, Kongresiste republikane e Virginias, u bë e mundur flamuri amerikan u fluturua në emër të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA në godinën e Kongresit Amerikan (Capitol Hill) me 28 Nëntor 2017 me rastin e 105 vjetorit të pavarsisë së Shqipërisë.
– Me 12 Dhjetor 2017 dega e Washingtoni bëri analizën punës për vitin 2017/
Nga Armin ZOTAJ/
Me 14 Dhjetor 2017 dega e Federatës PanShqiptare të Amerikës Vatra në Washington DC, pati një vizitë zyrtare në Kongresin Amerikan, ku takua me përfaqësuesen e Partisë Republikane të shtetit të Virginia në Kongresin Amerikan Zonjën Barbara Comstock.Me inisiativën e Degës së VATRËS Washington DC dhe me ndihmën e Zonjës Comstock u bë e mundur flamuri amerikan u fluturua në emër të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA në godinën e Kongresit Amerikan (Capitol Hill) më 28 Nëntor 2017 me rastin e 105 vjetorit të pavarsisë së Shqipërisë. Zyra e Kongresistes Comstock gjithashtu zhvilloi një tur në godinën e Kongresit Amerikan me Degën E Vatres ne Washington DC.
Ky takim i shtohet një viti të ngjeshur pune për Degën e Vatrës në Washington. Analiza e punës së kësaj Dege të VATRES për vitin 2017 u diksutua në mbledhjen që u zhvillua më 12 dhjetor 2017. Gjatë kësaj mbledhjeje u vu në dukje se dega e VATRËS në Washington DC është gjithmonë e më përqëndruar në punë aktive në shërbim të lidhjeve sa më të ngushta mes Federatës PanShqiptare të Amerikes VATRA dhe institucioneve të SHBA.
Viti 2017 filloi me punë të rëndisishme për këtë degë.Në Janar të 2017 VATRA Washington DC mbështeti dhe luajti një rol të rëndësishëm në vendimin e kryesisë së VATRES dhe kryetarit të saj në atë periudhë Dr. Gjon Bucaj në protestën që u organizua nga VATRA përpara ambasadës së Francës në Washington me rastin e arrestimit të paligjshëm të Z. Ramush Haradinaj, (sot Kryeministri i Kosovës )në Francë nga një urdhër arresti i policisë së Serbisë.
Në muaj Mars kjo Degë u vizitua nga Kryetari I asaj kohe të VATRES Dr. Gjon Bucaj dhe financieri i Vatrës Marian Cubi. Dega zhvilloi zgjedhjet në bazë të Kanunores së VATRËS. Kryetarja e Degës Zonja Merita McCormack dha dorëheqjen dhe kryetar i ri për këtë degë u zgjodh Z. Armin Zotaj.
Në Prill të këtij viti Dega e Vatrës në Washington DC pati një takim zyrtar me Drejtorin Ekzekutiv te Fondacionit Viktimat e Komunizmit ne Washington Z. Marion Smith. Gjatë këtij takimi u diskutua rreth domosdoshmërisë së edukimit të brezit të ri në SHBA rreth krimeve të ideologjisë komuniste në mënyrë që kjo ideologji të mos përsëritet kurr më. Biseda në këtë takim u përqendrua reth dështimit që ka ndodhur në Shqipëri në 25 vitet e fundit përsa i përket de-komunizimit të historisë dhe shoqërisë shqiptare. De-komunizimi i shoqërisë dhe historisë shqiptare është kërkuar gjithmonë nga VATRA dhe i është drejtuar të gjithë qeverive shqiptare në këto 25 vitet e fundit.
Në Maj të 2017 kjo degë mori pjesë në dëgjimin e një séance të Nën Komisionit të Europës, Euroazisë dhe Reziqeve të Reja, i cili është pjesë e Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë të Kongresit Amerikan. drejtuar nga kongresmeni republikan Dana Rohrabacher.Kjo séancë e këtij nënkomisioni kishte subjekt : Vendet Ballkanike, Rrezik I Paqes dhe Stabilitetit. Në këtë séancë e cila drejtohej kongresmeni I Partisë Republikane Dana Rohrabache dëshmuan, Zv Asistenti I Ndihmës Sekretarit të Shteti Z. Hoyt Yee, Presidenti I Ligës Shqiptaro –Amerikane i Nderuari Z. Joseph Di Guardi, Gordon N. Bardos I një firmë për studimin e Europës Juglindore si dhe Daniel Srrwe profesor në Universitetin e John Hopkins të Shkollës së Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare. Cështjet e korrupsionit dhe terrorizmit në Ballkanin Perndimor ishin objekti kryesor i këtij komisioni.
Në muajin Qershor Dega e VATRËS Washington DC mori pjesë në aktivitetin e organizuar nga Fondacioni i Viktimave te Komunizmit : “ Thirrja e Kombeve” ku vendosi kurorë me lule tek monumenti I Viktimave të Komunizmit në Washington DC – në emër të kombit Shqiptar dhe në kujtimin të mijërave njerzëve që humbën jetën gjatë regjimit barbar komunist në Shqipëri.
Pas pjesmarrjes në Kuvendit e VATRES më 10 qershor dega Washington DC është shprehur me insitim kundër shkeljeve të mëdha që u bënë në Kuvend dhe shprehu hapur mendimet dhe sygjerimet e saj. Faktkeqësisht akoma nuk ka marrë ndonjë përgjigje nga drejtuesit VATRES. Muaji Qershor do mbyllej me një takim të degës në Departamentin e Shtetit dhe prezantimin e kryetarit të kësaj dege me zyrën shqiptare të këtij Departamenti.
Në muajin Korrik Dega e Federatës PanShqiptare e Amerikës VATRA në Washington DC mori pjesë në përkujtimin e vdekjes së fituesit të cmimit Nobel të Paqës dhe luftëtarit për demokracinë në Kinë Dr. Liu Xiaobo i cili vdiq në burgjet e diktaturës komuniste kineze në moshën 62 vjecare. Kjo përkujtimore e cila u shoqërua me ndezje qirinjesh në Monumentin kushtuar Viktimave të Komunizmit në kryeqytetin amerikan u organizua nga Fondacioni i “Viktimave të Komunizmit” në Washington DC.
Ndërkohë në muaji Gusht Dega kujtoji ditën e “Kordeles Së Zezë” tek monunmenti i Viktimave të Komunizmit. Në këtë ditë 78 vjet më parë më 23 Gusht 1939 Gjermania Naziste e Adolf Hitlerit dhe Bashkimit Sovjetik i Stalinit nënshkruan paktin e mossulmit të njohur si pakti i Molotov (Ministri i Jashtëm Sovjetik) –Ribbentrop (Ministri i Jashtëm Nazist) që do rezultonte me fillimin e Luftës së Dytë Botërore dhe do ti shkakonte botës më shumë se 50 milion të vdekur.
Në tetor Dega e VATRËS në Washington DC në bashkëpunim me Librarinë e Kongresit organizoi kumtesën e Zonjës. Flora Nikolla, kryeredaktore e Agjensisë Telegrafike dhe drejtuese e fondacionit Albanian Excellence me titull : “Shtypi Shqiptar pas Komunizmit dhe Diaspora Shqiptare- Marrëdhëniet me Shqiperinë”. Ajo gjithashtu i dha cmimin Albania Excellence ish -kryetarit të VATRES Dr.Gjon Bucaj.
Përkujtimi i 100 vjetorti të Viktimave të Komunizmit në Washington do të ishte aktiviteti më i rëndësishëm për këtë degë në muajin Nëntor. Ky aktivitet që zgjati tre ditë dhe përfshiu akademike, studjues, kongresmenë, senator si dhe Presidentin Trump dhe ish-Presidentin Bush u pasqyrua cdo ditë në Facebook nga Dega e VATRES në Washington DC dhe u përmblodh me një artikull të plotë në gazetën Dielli. Gjitashtu dega priti dhe Drejtuesen e Autoritetit të Informimit të Dosjeve Sekrete të Ish -Sigurimit në Shqipëri Zonjën Gentiana Mara Sula dhe Z. Simon Mirakaj I cili ka vuajtuar 44 vjet të jetës së tij në kampet e internimit të komunizmit.
Për të gjitha këto aktivitete Dega ka përgatitur raporte dhe artikuj për botim në shqip dhe anglisht jo vetëm për gazetën Dielli por dhe për median.
Për vitin e ardhshëm Dega e Federatës PanShqiptare të Amerikës VATRA -Washington DC vendosi të vazhdojë në punën e saj në lidhje sa me të ngushta me institucionet amerikane dhe do të përkrahë gjithmonë ata që humbën jetën dhe vuajtën burgjeve dhe internimeve nën komunizmin enverian. Gjithashtu Dega vendosi ashtu sic ka vepruar që me krijimin e saj ti qëndrojë besnike dhe të mbrojë me cdo kusht Kanunoren e VATRËS si e vetmja gur themeli e institucionit 105 vjecar të Nolit dhe Konicës- VATRËS. Në këtë drejtim Dega e Washington DC nuk bën dhe nuk pranon asnjë kompromis.