• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Asgjë e re nga Fronti Opozitar

October 19, 2017 by dgreca

1 Fronti OpozitaFronti opozitar më kot /

5-Ilir-levonja-2-288x300-1

Nga Ilir Levonja/ Florida/Ky është fronti opozitar më kot ndaj as mos e çoni nëpër mend se do të rrëzojnë qeverinë e Edi Ramës. Për më tepër pas këtyre shifrave marramendëse që po dalin nga fitimet që u ka sjellur droga, grupeve, qarqeve dhe përftuesve të tjerë, përfshi këtu edhe qeverinë aktuale. Kush ka paranë, ka pushtetin. Dhe këta janë pasuruar e forcuar aq shumë, sa vetëm ndonjë plan nga jashtë mund t’i shkuli nga pushteti. Lul Basha dhe Monika as mos e çoni nëpër mend. Eshtë fronti opozitar më kot sapo i sheh. Sapo i dëgjon. Një skuadër e dale bojë duke filluar nga Lulzim Basha që rri me dhunë në krye të një PD-je të cilën e ndjekin nga pas një takëm që nuk e kanë për gjë ta quajnë normale uzurpimin e postit. Hiqeni nga mendja se liderë të tillë do ndreqin vendin. E ndjekin ai soj që bëri Gërdecin a 21 janarin. Kur shikon Monikën kryetare e një partie familjare. Një rrotacion mes babait, mamasë e nesër i biri. Një transaksion politik legal ku gjithçka duket kaq normale sado akuzave për përvetësim deri të thesarit të shtetit. Të eurove me kapul, me video, por ai që i dispononte hëngri dhe’ para pak ditësh. Kur shikon Koçon ideatorin e legalizimit të marihuanës sa kohë që ishte në krah të Ramës. Një lloj reformatori për politikat rajonale të rilindjes. I konkloduar me skandale seksuale, prona të dyshimta në vijën bregdetare. Kur shikon Mediun, kryetarin e përjetshëm të një partie që veç emri i ka mbetur. Këtij vet, t’i rrojnë votat e demokratëve. Atyre që sot hanë fara luledielli rrugëve se idealet i kanë për Fatmirin dhe çunin e Fahriut. Apo atë tjetrin, Zenin e Saliut. Kur shikon Nardin, hokatarin e batutave dhe starin e dance with me. Kë të kapësh e kë të lësh. Një lloj Byroje politike e kohës.

Me gjithë mend e keni se ky front do nxjerri Shqipërinë në shesh? Nuk e besoj…

Shqipëria duhet të dali vet.

Një tjetër shtet, një tjetër qytetari…, pas Francës, që përmbysi kastat e vjetra, ishte edhe Austria pak ditë më pare. Solli në krye të legjislativit një burrë 31 vjeçar me emrin Sebastian Kurz. Një parti popullore e djathtë. Do ishte një shenjë e mire për të djathtën tone. Por kjo e jona vetëm emrin ka të tillë. Eshtë e uzurpuar nga tarafi i Zërit të Popullit. Nga ata që përpilonin dikur dosje. Pra nga xhelatët e diktaturës. A kanë mundësi shqiptarët ta kurojnë veten e tyre. Sigurisht që kanë! Lufta me drogën është në hapat e para. Por kjo jo nga ne, nga vendi fqinj. Nga ne, e gjitha është një zhurmë, e cila ashtu si të tjerat do shuhet shpejt. Dhe ne do të vazhdojmë në atë llumin e poteres mes militantëve.

Nuk është vrarë asnjë politikan, asnjë gjykatës, asnjë shtetar. E si mund të mendosh se po luftohet droga. Po bëhen reforma… Kjo dosja e madhe e përgjimeve të prokurorisë së Katanias në shtetin fqinj, është e gjitha një histori për të vënë duart në kokë. Mjafton të kujtosh një fakt, se si një oficer vrojtues a monitorues i vijës bregdetare, i shtetit shqiptar kujdeset që trafikantët e drogës të mos devijojnë në ujrat e Greqisë.

Gjithmonë referuar përgjegjësisë së detyrës me kushtetutë.

Me sinqeritet është për të vënë duart në kokë. Në një shtet normal, me një opozitë të besueshme, do ishte rrëzuar jo një qeveri por do ishin përjashtuar nga politika batalione të tëra figurash të saja. Tek ne nuk ndodh. Nuk ka për të ndodhur. Njerëzit janë të lodhur të sjellin rishtas në pushtet Lul Bashën e Sali Berishën. Monikën, Nardin, Koçon, Vangjelin etj. Janë kryekëput të lodhur.

Kjo sepse e gjithë është një lojë me hidhe dhe prite.

E një klase njerëzish që e kanë marrë peng jetën tuaj.

Në mëndje më shkon në një ëndërr ide se, sikur të ngrihet , të ndodhi rishtas një lëvizje tjetër studentore. Një lëvizje së cilës të mos ja marrin frenat misionarët e diktaturës, por e tillë që t’i dali zot vendit të saj. Droga dhe klanet e saj janë përdorur nga të gjitha palët. Nuk është gjë e re. Por kjo që ndodhi këto vitet e rilindjes ramore, qe një fushatë mahnitëse e tipit të korrje e shirjeve dikur. Tashmë Shqipëria është zënë gafil. Ta çosh mendjen tek një aleancë e gjerë politike? Nuk ia vlen. Janë më shumë se të konsumuar. Prandaj duhet diçka e re. Pra një lëvizje e re. Por fatkeqësisht… studenti aty, o është i kapur nga njëshat, nga militantizmi, o po nxiton të plotësoj Llotarinë amerikane. Kjo është e vërteta. Unë e shoh më të pashpresë se kurrë. Dhe ca më tepër kur gjithçka është debat studiosh. Në Katania vepron policia, në Shqipëri studiot. Të pashpresë, fyese. Lutuni për një lëvizje të re…

Filed Under: Politike Tagged With: asgje e re, Ilir Levonja, nga Fronti Opozitar

Asgjë e re

August 4, 2017 by dgreca

1 astrit LULUSHINga Astrit Lulushi/Njeriu mendon ato që lexon dhe shkruan ato që mendon. Kjo ndëlidhje tregon se në botën e mendimit asgjë nuk është e kufizuar, shkon përtej të menduarit dhe asgjë nuk është e ndaluar dhe e paprekshme. Cdo gjë është vazhdimësi, rreth, asgjë e re, që ndryshon vetëm në interpretim.  

Bota ekziston, vetëm sepse ne e shohim. E parë nga jashtë ajo as që duket, dhe kjo na bën të ndjehemi vetëm. Pra, njeriu ekziston, por edhe jo, gjë që e shtynë atë të krijojë thelbin e vetes, i cili natyrëshëm bëhet epiqendra e cdo sjelljeje të tij. Teoria e Sokratit fillon e mbaron me Unin. Në Apologjinë e tij, ai thotë se gjëja më e rëndësishme në jetën e njeriut është njohja e vetes, shprehje që mund të kuptohet si kujdes për veten ose vetë-mirëqenie. 

Varësia e bën njeriun skllav, veçanërisht nëse kjo varësi lidhet me vetë-vlerësimin e tij. Njeriu ka nevojë për inkurajim, dhe një dorë e ngrohte i bie supeve për ta nxitur;  është ky i fundit që bëhet  zot i tij, prandaj të ndryshosh zotërinjtë nuk do të thotë të fitosh lirinë. 

Faktorët politikë, për të fituar ligjshmërinë e pushtetit të kapur padrejtësisht, krijojnë mosmarrëveshje me njeri tjetrin, pastaj ngërce e kriza, dhe në fund papritur, bien dakord – gjithë zhurmë. e bëjnë vetëm për të larguar vemendjen nga fakti se ata janë të paligjshëm –  veprojnë si njeriu tinzar që  përpiqet të mos bjerë në sy për gabimet e tij, kur të tjeret e kanë në vemendje. 

Filed Under: ESSE Tagged With: asgje e re, Astrit Lulushi

Asgjë e re nga fronti i Serbisë

October 26, 2014 by dgreca

Nga Sulejman GJANA*/
Veglat e Serbisë, serbofilët e vjetër e të rinj, si dhe parullaxhinjtë pacifistë panballkanistë e europeistë, që bashkërisht nuk mund ta kuptojnë Serbinë jashtë Europës dhe Shqipërinë e Europën pa Serbinë, pësuan një goditje shokuese pas zhvillimeve dramatike në stadiumin “Partizani” të Beogradit.
Ata duket se nuk arrijnë ta kuptojnë sesi dhe se ku përfunduan e përse u shkërmoqën brenda 24 orësh konsideratat serbe, sipas të cilave: me shqiptarët e Shqipërisë londineze nuk kemi asgjë, se ata janë ndryshe; se në fund të fundit, Shqipërinë londineze të parët tanë me Pashiqin në krye e pranuan si realitet politik, shtetëror e gjeopolitik, me të cilën edhe mund të bashkëpunojmë; se të gjitha hesapet i kemi me kosovarët terroristë, sidomos me ata që përkrahën dhe përkrahin ende UÇK-në; se këtë dallim midis “Kombit shqiptar” dhe “Kombit kosovar”, dijnë ta bëjnë të gjithë serbët; se për serbët dhe miqtë e tyre në Ballkan e kudogjetkë, UÇK ka qenë dhe mbetet organizatë terroriste, pavarësisht se NATO e pranoi dhe e shpalli aleate gjatë konfliktit të Kosovës, etj, etj..
Të gjithë këta nuk arrijnë ta kuptojnë përse Beogradit i lipseshin 4800 forca speciale e policë të armatosur deri në dhëmbë për të siguruar 50 tifozë shqiptarë në tribunën VIP, dhe 25 të tjerë, pjestarë të kombëtares sonë të futbollit?!
Nuk arrijnë ta kuptojnë se nga cilët trembej Beogradi dhe çfarë informacioni dispononte, teksa të gjitha pretendimet ua plotësuam, derisa edhe emrin “Albania” e hoqëm vullnetarisht nga uniformat e futbollistëve, për ta zëvendësuar me “Digitalb”?!

Nuk arrijnë ta kuptojnë përse ambasadorin tonë atje, pasi i dorëzuan notë proteste, e vendosën gati në gjendje arresti, sikurse vepruan edhe me tifozët dhe futbollistët, që i kontrolluan rreptësisht, disa herë dhe kudo?!

Nuk arrijnë ta kuptojnë sesi 4800 policë serbë nuk mundën të shohin fuçitë me “gjizë”, që shkarkoheshin nga kamionët dhe futeshin në stadium nga ultrasit paramilitarë të Arkanit, shumica e të cilëve dinte shqip, pasi ishin rritur në Kosovë, nga e cila ishin larguar në qershor 1999?!

Nuk arrinin ta kuptonin sesi 4800 policë nuk penguan dot futjen në stadium të “Ivanit të Tmerrshëm”, që duhej të ndodhej në arrest shtëpie, por që u fut në fushë i shoqëruar me policë dhe me gjeste nga fusha orkestronte ultrasit?!

Nuk arrinin të kuptonin sesi atyre u kish shpëtuar nga kontrolli droni me banderolën, nga të cilat “u provokua i gjithë kombi serb”?!

Nuk arrinin ta kuptonin sesi 32 mijë tifozë kërkonin vdekjen e gjithë shqiptarëve, pa përjashtim, duke përfshirë këtu edhe “miqtë e shtrenjtë të Serbisë”, pra edhe ata vetë, pasardhësit e tyre dhe serbofilët e tjerë të mëvonshëm?!

Nuk arrinin të kuptonin përse këtë vdekje të të gjithë shqiptarëve e kërkuan edhe të nesërmen, 16 mijë tifozë serbë në ndeshjen e basketbollit Crvena Zvezda – Gallatasaraj, dhe tre ditë më vonë sërish 30 mijë serbë e kërkuan vdekjen pa përjashtim të shqiptarëve, në derbin futbollistik midis Partizanit dhe Crvena Zvezdës, ku nuk ndodhej asnjë shqiptar?!

Nuk arrinin të kuptonin akuzën serbe sesi mundej Shqipëria të synonte t’i shpallte luftë Serbisë dhe sesi të gjitha këto ngjarje në Beograd t’i kishte përgatitur dhe zbatuar SHISH-i ynë…, apo sesi shpjegohej që kryeministri, ministri i Jashtëm dhe deputetët e maxhorancës ishin pozicionuar fort në mbrojtje të skuadrës sonë, shtetit shqiptar dhe simboleve e dinjitetit tonë kombëtar?!

Kanë menduar se padyshim që këtu fshihet një lojë e madhe, të cilën padronët dhe miqtë serbë do t’ua shpjegojnë më vonë, pasi të arrijnë ta defaktorizojnë, diskreditojnë e ndëshkojnë shtetin shqiptar dhe kombëtaren tonë në sytë e mbarë botës, Europës dhe UEFA-s.

Ditët para ndeshjes në Beograd, njerëzit e Serbisë dhe serbofilët e mallëngjyer, i vetëlëvdoheshin njëri-tjetrit se nuk kishin punuar kot dhe se e dinin që do të vinte kjo “ditë e bekuar”, kur dyert e Beogradit do të hapeshin masivisht për shqiptarët dhe se padyshim që paskëtaj do të riktheheshin “kohët fatlume” edhe për bijtë dhe nipërit e tyre. Pra bash kohët kur vetë ata ishin edukuar me “bashkim-vëllazërimin”, kur kishin mësuar serbisht, kur ishin dashuruar dhe ishin martuar me vasha serbe, kur kishin kënduar serbisht, kishin pirë shlivovicë e ishin dehur nga lumturia, e kur ishin bërë miq të ngushtë e të besuar të serbëve e të Rankoviçit, kur ishin shpërblyer me dinarë, për detyra…

Por mbi të gjitha ata nuk mund të harronin mbrëmjet e mrekullueshme në Tiranë, të ftuar në ambasadën jugosllave nga Velo Stojniçi, Milan Kupreshanin, Josip Gjergja e Savo Zllatiçi, ku këndonin këngë serbe e kujtonin komandantët e lavdishëm Miladin, Dushan e Tempo, sidomos dy të parët, që i kishin bërë me parti dhe i kishin sjellë në pushtetin e bekuar, ata vetë, fëmijët, nipërit e soj-sorollopin.

Ata qanë me dhimbje kur mësuan se Miladinin e vrau mësuesi gjakovar, irredentisti Haki Taha, në Prishtinë, më 13 mars 1945. E qanë me kuje Miladin-kryetarin e PKSH, që megjithëse tejet modest për meritat, u vetshpall i tillë kur nacionalistët e përzunë nga Konferenca e Pezës, me argumentin se kuvendi i bashkimit në luftë ishte i shqiptarëve dhe vetëm për shqiptarët.

Qanë me dhimbje kur mësuan se Savo Zllatiçin e dënuan për devijacion prostalinist dhe e burgosën në Goli Otok.

Qanë me dhimbje edhe kur u eliminua nga pushteti mësuesi dhe tutori i tyre, Rankoviçi, në vitin 1966.

Qanë nga gëzimi kur mësuan se Shqipëria do të bëhej Republikë e Shtatë e Jugosllavisë, dhe sidomos kur qëndra në Beograd i informoi se Baba Stalini, personalisht, ia kish sugjeruar këtë ide Milovan Gjilas-it në Moskë, kur i kish thënë: “Gëlltiteni Shqipërinë…”. Dhe jo më kot, sepse në rast bashkimi në Federatë, padyshim që padronët do t’i gradonin në detyrë dhe si njerëzit më besnikë do t’i emëronin në poste kyçe të pushtetit, në republikën shqiptare të Jugosllavisë, apo në Beograd, në organet federative.

Ata në shumicë ndodheshin në Vishegrad, në Sanxhak e në Kosmet, kur mësuan lajmin e gëzuar se në shkurtin e vitit 1945 Baba Stalini dërgoi në Kosovë 29 oficerë ekspertë të NKVD për themelimin e OZNA, si struktura e bekuar ku ata u emëruan dhe u hierarkuan me detyra sekrete të besuara, që u garantonin të ardhmen.

Ata kontribuan me gëzim për çarmatosjen e shqiptaromëdhenjve “reaksionarë” të Kosovës dhe dorëzimin e tyre në duart e “vëllezërve serbë”. U gëzuan dhe kontribuan personalisht në “Masakrën e Tivarit”, dhe sidomos në spastrimin e mijëra Rusëve të Bardhë, familjarisht, si dhe të mijëra irredentistëve shqiptarë në mbarë Kosovën, në bashkëpunim me kolegët e NKVD (paraardhësja e KGB) dhe të OZNA (paraardhësja e UDB), konform listave të përgatitura, duke e spastruar Kosovën prej tyre brenda pranverës së vitit 1945. Kontribut për të cilin u përgëzuan dhe hierarkuan si graduatë të shërbimit të fshehtë jugosllav, e ku natyrisht edhe u rekrutuan si agjentë të dyfishtë serbë dhe rusë.

Ata e qanë me piskamë prishjen e Baba Stalinit me Xhaxha Titon dhe u ngazëllyen nga lumturia kur Hrushovi u pajtua me Titon, pasi ky pajtim u realizonte dëshirat dhe u konsolidonte ardhmërinë.

Sidomos e paharrueshme për ta do të mbetet dita e fundit e bekuar e festës kombëtare të Jugosllavisë e vitit 1956, pas vizitës së Hrushovit në Beograd, kur të ftuar në ambasadën jugosllave ngritën dolli me shlivovicë, me në krye komandantin Hulusi Spahiu, dhe kënduan këngë serbe me sytë e përlotur, drejtuar nga portreti stërmadh i Titos, të cilin sipas rregullave të dollive me dollibash Hulusiun, e përshëndetën duke rrufitur për nder të tij dollitë e pafundme, bash në sytë e Nexhmijes, Vitos e Fiqiretit, si dhe të mbarë byroistëve.

Ata gjithashtu lumturoheshin e përbetoheshin për besnikëri ndaj Beogradit, ndërkohë që askush nuk i cënonte në karrierë e privilegje, teksa përflisnin nën zë faktin se kishin garanci, sa kohë që Feçorr Shehu, asokohe ish kryetar i Degës së Punëve të Brendshme në Shkodër, drekën e hante në hotel “Rozafa”, ndërsa darkën e hante me udbashët në Ulqin, Tivar e Podgoricë, për t’u paraqitur të nesërmen në detyrë sikur të mos kishte ndodhur asgjë, shpesh i shoqëruar nga “tradhtarë të lidhur” e të marrë në dorëzim personalisht, ngaqë ishin kapur nga kufitarët jugosllavë pasi kishin tentuar të arratiseshin.

Ata kishin dijeni të plotë se ishin Kadriu dhe Feçorri ata që garantonin Enverin në vizitën e bujshme të tij në Tropojë, në vitin 1972, vetëm 5 kilometër në vijë ajrore me kufirin, dhe se garantët nuk mund të ishin aspak ushtarët e batalionit të Diko Zeqos.

Ata e dinin se ishin po Kadriu dhe Feçorri, garantët e Enverit dhe byroistëve në pushimet që këta bënin në Volorekë (Drilon), vetëm 100 metër larg kufirit, dhe nuk ishin aspak Sulo Gradeci e Diko Zeqo.

Ata e kuptonin mirë se e keqja Enverit të tyre dhe byroistëve mund t’i vinte vetëm nga shqiptarët e Tiranës, nga të cilët ruheshin në Bllok prej qindra ushtarë-gardistësh të Diko Zeqos dhe prej kapterave me kobure të Llambi Peçinit dhe Sulo Gradecit.

Ata e dinin mirë se “ashtu ishte loja”, kur mësuan se i gjithë zinxhiri komandues i Divizionit të Peshkopisë, në vitin 1975 u gjykua me dyer të mbyllura dhe u dënua me akuzat: “tradhti ndaj atdheut” dhe si “agjentë serbë”, teksa këta për vite e muaj të tërë kalonin kufirin dhe e hanin çdo natë darkën në Dibër të Madhe.

Ata ishin të parët që organizuan dhe udhëhoqën manifestimin e solidaritetit me juntën e gjeneralëve rusë të Ushtrisë së Kuqe dhe KGB, pas Grushtit të Shtetit të gushtit 1991, zhvilluar në bulevardin e Tiranës.

Ata ishin në anën e Millosheviçit gjatë luftërave që shoqëruan shpërbërjen e ish Jugosllavisë, që kish qenë çifligu dhe domeni i miqve dhe padronëve serbë.

Ata u lumturuan kur panë të ngriheshin tre gishtat në Vlorë, gjatë trazirave të vitit 1997, si lartim i simbolit serb në duart e mijëra kallashnikovsave, që mbanin armët e tmerrshme ndonëse ende nuk ishte shpërthyer asnjë depo e ushtrisë shqiptare të kohës. Madje ishin ata që dhanë ekspertizën dhe kontributin e tyre për shkatërrimin e të gjitha llojeve të armatimit luftarak, pasi në shumicë ishin ushtarakë të përgatitur në Jugosllavi, e më pas të specializuar në BS dhe Kinë.

Ata përjetuan ndjenja të përziera natën e së martës së 14 tetorit 2014 në Beograd: u gëzuan që “vëllezërit serbë dhunuan me të drejtë futbollistët shqiptarë, në shumicë kosovarë të qelbur”; u trishtuan kur dëgjuan koret fyese e raciste në drejtim të të gjithë shqiptarëve, pa dallim, pra edhe në adresë të tyre; por sidomos u nervozuan nga reagimet kombëtariste të mbarë shqiptarëve, në të gjitha qytetet e hapësirës shqiptare.

Ata e kuptuan se tanimë kishin mbetur në minorancë të papërfillshme dhe mundi e djersa u ishin bjerrë, kishin shkuar kot.

Ata tashmë e kanë të vështirë të justifikohen para padronëve e të vazhdojnë të shpërblehen, pasi ndikimi i tyre ishte minimizuar skajshëm.

Ata u ndjenë të braktisuar nga të gjithë bashkatdhetarët, nga mbarë rinia, madje edhe nga miqtë, apo shokët e fëmijëve. E ndjenë se kauza e tyre pothuajse po asgjësohej, po merrte fund, bashkë me ëndrrat për privilegje e pushtet…, sepse ata ishin vetëquajtur dhe ishin konsideruar si “garantët” e serbofilisë në mbarë trojet shqiptare. Ata e kuptuan se “kuqezinjtë” që thërrasin “O sa mirë me qenë shqiptar, o hej, o hej…”, ishin dhe janë varri i tyre dhe i skotës së tyre, në ardhmëri.
Ata e dinin se panjugosllavizmi kishte marrë fund bashkë me shpërbërjen e Federatës, dhe këtë e kishin pranuar edhe shefat në Beograd, kur u kishin komunikuar “strategjinë e re, në kushtet e reja…” që ishte: zëvendësimi i panjugosllaviwmit me panserbizmin.
Megjithëse ata asokohe kishin marrë si detyrë dhe ishin përbetuar për të luftuar për triumfin e panserbizmit, tashmë këtë objektiv do ta jetësonin jo si perandori territoriale, por si perandori pushtetore, ekonomike, kulturore e mendësie…, që do të garantonte përjetësisht objektivat e Beogradit.
Por nuk thonë kot se “shpresa vdes e fundit”…, pasi menjëherë në Beograd shkoi për vizitë historike vetë Baba Putini, shefi i Madh i KGB-së.
Ata u lumturuan kur mësuan se në paradën e përbashkët serbo-ruse të Beogradit parakaluan bashkërisht mijëra trupa të përziera, serbe e ruse, dhe u demonstrua forca, teknika dhe teknologjia e fundit, e sjellë nga “Rusia-mëmë” dhe “aleate strategjike e serbëve”.

Padyshim që ky demonstrim u dëshmoi atyre se UDB dhe KGB ishin dhe janë sërish bashkë, dhe padyshim edhe në anën e tyre, e kjo do të thoshte se ata nuk kishin si t’i braktisnin e harronin.

Tashmë ata ndjehen të sigurtë, madje mund të maskohen edhe nën parullat se “e duan NATO-n”, të cilën ua kanë porositur shefat.

E përse të mos i marrin pensionet e rritura si “ushtarakë rezervistë të një vendi anëtar të NATO-s”, duke bërë njëkohësisht edhe detyrën…, në favor të tyre e të shefave. Ashtu siç bënë dikur, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur nga njëra anë ngjireshin se ishin aleatë të Aleatëve të Mëdhenj: Rusisë, Britanisë së Madhe dhe SHBA-ve, ndërsa nga ana tjetër punonin me serbët e rusët dhe për interesat sllave dhe pushtetin. Ashtu sikurse kishin vepruar bashkë me UDB-në për minimin e Kanalit të Korfuzit dhe dëmtimin e luftanijeve britanike, me ç’rast lanë kokën edhe 44 marinarë britanikë.

Ata e dijnë se mund të shërbejnë duke qenë njerëzit e besuar të Serbisë dhe Rusisë brenda NATO-s.
Ata e kuptojnë se, në thelb, në Serbi e Rusi nuk na ndryshuar asgjë. Madje mund të thuhet me plot gojën se Beogradi dhe Moska janë në rrugën e vazhdimësisë. Sepse në fundore ata i janë betuar Serbisë, pavarësisht fasadave dhe ideologjive. E ç’punë u prish atyre se dikur iu përbetuan për besnikëri të përjetshme OZNA-UDB-së komuniste, ndërsa sot kanë padronë ata që mbajnë lart flamurin e çetnikëve të Mihajlloviçit, përfaqësuar nga radikalët e Sheshelit, Nikoliçit e Vuçiçit, apo ithtarit nacionalsocialist të Millosheviçit, Ivica Daçiç, që merr mësime dhe urdhëra nga gruaja e Sllobos, Mira Markoviç!
Për ta nuk ka rëndësi fasada, por thelbi. Për ta ideologjia komuniste dhe “lufta çlirimtare” ishin instrumente për grabitjen pa droje, me dhunë e me “ligj”, të pasurive të shqiptarëve, sidomos pasurive të mëdha të kundërshtarëve. Por ideologjia dhe “lufta çlirimtare” ishin instrumente veçanërisht për marrjen e pushtetit, që është qëllimi fundor, sikurse thoshte edhe Lenini: “I gjithë pushteti, sovjetëve…”. Pushteti, ama… Pra pushteti dhe vetëm pushteti, që të siguron gjithçka…
Ata e dijnë mirë dhe janë të bindur se, në kushtet e reja dhe aspak të favorshme, Beogradi dhe Moska ua kanë sërish nevojën dhe do t’i thërrasin sërish në apel, për t’u dhënë detyrat e reja, pas të cilave padyshim që vijnë të drejtat dhe privilegjet.

Pra nuk ka ndyshuar asgjë, as qëllimet dhe as synimi kryesor i vazhdimësisë sllave, që u siguron pushtetin, që është mekanizmi që lëviz interesat. Ndaj ata janë plot shpresë dhe të gatshëm…, në pritje, si rekrutë dhe ushtarë të përjetshëm, që presin zërin e borisë, urdhërin për betejat e reja.
* Kryetar i PLL(Shkrimi u dergua ne DIELLI nga autori. E falenderojme)

Filed Under: Featured Tagged With: asgje e re, i Serbise, Kryetar i PLL, nga fronti, Sulejman Gjana

ASGJË E RE NË DEKLARATËN E SERVET PËLLUMBIT PËR RAMIZ ALINË, GORBAÇOVIN DHE KATOVICËN SHQIPTARE

October 15, 2013 by dgreca

Z. Tomorr Malasi e ka publikuar 15 vjet të shkuara dokumentin e Katovicës shqiptare të Ramiz Alisë në gazetën”Republika”. Ndërmjetës ishte Maksim Begeja…Atë kohë Servet Pëllumbi heshti…./

Nga Dalip Greca/

Deklarata e një prej ideologëve të së majtës shqiptare, ish Profesorit të Filozofisë Marksise Leniniste, Servet Pëllumbi, rreth Katovicës Shqiptare, në intervistën e tij me gazetarin e Televizionit “Channel One”,  ushqehu edhe një herë median shqiptare me silazhin e përditshëm që gatuan politika dhe që është mësuar ta përtypë e ripërtypë në mënyrë mekanike. Gati të gjitha gazetat u morën gjatë dhe e lakuan në të gjitha rasat e shqipes, përfshirë dhe Thirroren, emrin e ish profesorit të Filozofisë Marksiste – Leniniste, ish kryetarit të Parlamentit Servet Pëllumbi. Deklarata e profesorit u cilësua si një provë autentike që u mbush mendjen shqiptarëve se Katovica, këtu e tutje duhet besuar si teori dhe si praktikë, sepse e ka thënë Servet Pëllumbi, teoriecieni ideologjik i M-L, përherë afër Ramiz Alisë. Nuk po e shtrojmë pyetjen përse nuk e pohoi në të gjallë të Ramiz Alisë atë që dinte, përse nuk u prononcua  më parë, përse tani? Mendoj se një spjegim do të ishte në dobi të besueshmërisë të tezës që ai e hodhi nga ekrani. Pyetja është kjo: Kur 15 vite të shkuara, këtë dokument, e botoi gazeta Republika, përse nuk u ndje Profesori? Aso kohe Tirana dhe Shqipëria u morën gjatë me atë artikull, që shkaktoi habi e huti. Asgjë më shumë se ç’shkruhej në rreshtat e atij artikulli që niste në faqen e parë të Republikës, nuk na tha nga ekrani, tani pas 15 vitesh, Servet Pëllumbi.

Në atë artikull që botoi Republika tirrej i plotë skenari i Katovicës shqiptare, me ideator Gorbaçovin dhe me skenarist shqiptar Ramiz Alinë. Nëse atë kohë Servet Pëllumbi do të dilte para opinionit dhe do të thoshte, po kjo është e vërtetë-, ngjarjet mund të kishin marrë tjetër rrjedhë. Mjafton që të thoshte kaq:” E kam parë edhe unë dokumentin”… Atëherë shoqëria shqiptare do të kishte reaguar, ndërsa sot është vonë, tepër vonë. Dëmi ka ndodhur, demokracia është mbajtur peng, problemet tona kanë mbetë pa u zgjidhë. Tranzicioni vazhdon të jetë sfilitës.Vazhdojmë t’u japim përparësi sherreve dhe nuk pranojmë dialogun; pranojmë të takohen shqiptarët me serbët, por jo pozita me opozitën në Tiranë!

Artikullin në Republika e kam shkruar unë, në atë kohë kryeredaktor i gazetës. Ngjarja ndodhi kështu: Që në mbrëmje, miku im Maksim Begeja, më telefonoi në gazetë dhe më tha se të nesërmen kafenë e mëngjesit ta rezervoja se do ta pinim me një mik, që kishte diçka për gazetën. Të nesërmen u takuam në një kafe përballë Kafe Europa. Maksimi shoqërohej nga Tomorr Malasi, një ndër politikanët e spikatur të Partisë Demokratike. Gjatë pirjes së kafesë, z. Malasi më pyeti nëse mund ta botoja në Republika një dokument që mbahej secret, por që ai e kishte me vete? S’dija ç’të thoja sepse nuk e kisha parë ende dokumentin. Vështrova në drejtim të Maksim Begesë, që ishte zv/kryetar i Partisë Republikane. Ai qeshi lehtazi dhe foli para meje:- Mos e vë në dyshim z. Tomorr, nuk i mungon kurajo kryeredaktorit.Unë miratova me lëvizje të kokës.

Atëherë Tomori nxori materialin, që me sa mbaj mend përbëhej nga dy fletë të daktilografuar. Në krye të fletës së parë ishte shënimi se ky ishte material secret i lexuar në mbledhjen e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë më 1989. Nuk më kujtohet nëse ishte edhe data apo muaji. Por mesa e ndoqa edhe zotin Servet Pëllumbi, as ai nuk i përmendi këto detaje.Nëse nuk gjendet i arshivuar ky material original, domosdo edhe i protokolluar as pas 23 vitesh përmbysje, dyshimi është real. Kjo hedh një hije dyshimi mbi vërtetësinë e dokumentit.

z. Malasi po më ndiqte me vëmendje gjatë leximit. I përpiva fjalët dhe radhët njëra pas tjetrës. Ndjeja një lloj habie dhe zhgënjimi njëkohësisht. Nuk po u besoja syve. Shkruhej e zeza mbi të bardhë ashtu siç kishte ndodhur në Shqipëri.Ngjarjet ishin zhvilluar si në teatër, duke ndjekur me përpikmëri skenarin e shkruar para kohe. Në fillim mendova se duhej të ishte ndonjë sajesë dhe se nuk kishte mundësi të zbatohej me përpikmëri ajo që ishte ideuar që më 1987 në Katovicë të Polonisë. Ua thashë dyshimin tim bashkëbiseduesëve, por letrat ishin aty si dëshmi të pakundërshtueshme të inskenimit.

Mos e boto kështu siç është, por komentoje,-ishte ideja e Tomorr Malasit. Maksimi miratoi.

Ashtu bëra. E mora letrën me vete dhe shkova në zyrë, ku nisa komentin, por të gjitha fjalitë e skenarit, porositë e Ramiz Alisë në Mbledhjene Byrosë Politike, i shkrova siç ishin, duke ruajtur origjinalitetin.Dukej se ishin konspektuar porositë e Gorbaçovit pikë për pikë. Pranohej se  Socializmi kishte dështuar. Ky ishte fakt dhe nuk donte shumë mend se ishte koha që të përcaktohej strategjia e komunistëve shqiptarë për kalimin në demokraci në mënyrë graduale dhe pa ndëshkim. Nuk kishte më kohë për të humbur. Ngjarjet në ish kampin socialist kërkonin vigjilencë dhe përshpejtim masash. Shqipëria ishte e fundit dhe kishte mundësi të shmangte c’mund të ishte e shmangshme. Kjo u bë më emergjente pas 25 Dhjetorit 1989, ku Nikola Çaushesku u egzekutua. Padushim atë skenë e ka parë dhe Ramiz Alia dhe Byroja Politike. Dhe Ramiz Alia udhëzonte: “Do të nxisim dhe dotë krijojmë parti sa më shumë, por këto duhen kontrolluar nga ne. Në krye të tyre duhet të vendosen njerëz që të përkrahin strategjinë tonë. Le të na shajnë…Partia që do të marrë pushtetin do të shajë komunizmin me themel e me çati, në mënyrë që të fitojë simpatinë e perëndimorëve”.

Duke lexuar këto porosi të ish udhëheqësit të fundit komunist mendoja atë kohë se kjo mund të ishte bërë me qëllim nga ish komunistët për të denigruar liderët demokratë. Këtë mendim ende e kam edhe sot, ndryshe duhet të pranojmë faktin që parashtron z. Pëllumbi, se Ramiz Alia, ishte zotëruesi i skenës politike derisa mbylli sytë.

Ajo që të bën të mendosh më thellë e të reflektosh ndër porositë e Ramiz Alisë, dhe të mos mëdyshesh në vërtetësinë e tyre, është referenca ndaj të përndjekurve politikë: “Të përndjekurit politikë duhet të përkrahen, por kurrë nuk do të lëmë të marrin pushtetin, sepse ata sapo të marrin fuqinë do të hakmerren. Ne nuk mund të bëhemi hyzmeqarë të tyre”. Aty flitej konkretisht edhe për Ballin dhe Legalitetin, partite tradicionale shqiptare. Madje në komentet të movonshme është shtuar se ai kishte dhënë porosi që bijtë e tyre të lejoheshin të emigronin në masë.

Ajo ç’ka e bënë të besueshëm skenarin Katovician të Ramiz Alisë janë porositë e tij për ish pronarët. Ai udhëzonte byroistët: “Të shpronësuarve do t’u japim letër në dorë që t’u njihet prona, por asnjëherë nuk do t’ua japim pronën. Në ato porosi ishte edhe parashikimi i rikthimit të komunistëve në pushtet, por jo më të varfër, por të pasur dhe me prona. Startegjia ishte : “Për dy-tre legjislatura ish klasa jonë komuniste-proletare do të kthehet në klasë kapitaliste.”

Të gjitha këto porosi të Ramiz Alisë u denoncuan në shkrimin e Republikës për Katovicën shqiptare para 15 viteve, por Servet Pëllumbi,me deklarimin e tij nga ekrani, vetëm na riktheu pas. Asgjë të re nuk solli.

…Të nesërmen gazeta u shit që në mëngjes. Atë kohë Republika kishte një tirazh që shkonte deri në 40 mijë kopje ditore dhe vetëm në Tiranë shiteshin 12-13 mijë kopje. Efekti qe i madh, por më shumë shkaktoi habi e huti. Më pas u harrua. Shumë nuk e besuan.Ramiz Alia ishte gjallë. Servet Pëllumbi me të tjerë që e dinin të vërtetën nuk u prononcuan, nuk dëshmuan. Dhe e plasi tani Pëllumbi, plot pas 15 vitesh.

Le të shpresojmë se pas kësaj do të vijë reflektimi i shoqërisë shqiptare, që vuan shpesh nga humbja e kujtesës. Le të shpresojmë se dhe vetë media nuk do të harrojë këtë”zbulim” të Servet Pëllumbit, për t’u rikthyer pas 15 vitesh të tjerë , ku të gjejë një tjetër Pëllumb, që të “rizbulojë” Katovicën e Ramiz Alisë… Këto radhë që shkrova janë lehtësisht të vërtetushme; shkoni në Bibliotekën kombëtare dhe shfletoni koleksionin  e gazetës Republika. U kërkoj ndjesë Tomor Malasit dhe Maksim Begesë sepse u kisha dhënë fjalën se nuk do t’i publikoja emrat e tyre, por “bomba” e vonuar e Servet Pëllumbit ma diktoi thyerjen e “besës”.

Filed Under: Opinion Tagged With: asgje e re, dalip greca, e Servet pellumbit, Katovica shqiptare, Maksim begeja, nga deklarata, Ramiz Alia, Tomorr Malasi

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT