• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DUKE U AFRUAR DITA E PAVARSISË

November 17, 2016 by dgreca

asllani-56NGA  ASLLAN  BUSHATI/Që nga rënia e shtetit totalitar (gati çdo vit), kur afrohet dita e pavarsisë, politika në Shqipëri, do të gjejë nje sebep për ti nxehur gjakrat e thelluar më shumë ndasitë, duke mos e lënë popullin të qetë ta festojmë  në mënyrën e vet paqësisht e bashkërisht, ditën më të rëndësishme të historisë së tij, pra 28 Nëntorin e çdo viti. Më e shëmtuara gjë në këtë drejtim është përdorimi i datave e ngjarjeve të historisë dhe veprimtaria e personave të veçantë (veçanërisht ato të Luftës Dytë Botërore-LDB), për qëllimet politike të ditës. Ky fenomen nuk ka qenë i përhapur në vendin tonë në kohën e Zogut dhe më parë, madje festimi është bërë me madhështi si evendiment shtetëror, por edhe  si një festë popullore. Kurse në kohën e diktaturës komuniste festa ishte thjeshtë një fasadë e “arritjeve madhështore të PPSh-së dhe Shokut Enver”. Ndasitë i filloi dhe i bëri realitet që para 73 vitesh, E.Hoxha me partinë e tij komuniste dhe miqt e tij të ngushtë jugosllav, menjeherë pas Konferencës së Mukjes. Ai edhe ditën e çlirimit të LDB-së e caktoi të njejtë me atë të Jugosllavisë, (jo se ashtu kishte ndodhur), por për të mos ia prishur qefin Titos, Miladinit, Dushanit etj. (Ose ndoshta se edhe ai vetë e shihte Shqipërinë e asaj kohe si projektin e repubikës shtatë jugosllave). Madje jo vetëm kaq, por e dhunoi  dhe e përdhosi  historinë e LDB-së në mënyrë të tejskajshme, duke e bërë atë siç i deshi qejfi, duke përvetësuar cdo gjë të mirë  saj dhe duke u faturuar kundërshtarëve të vet shqiptarë, cdo gjë të keqe. A thua se ushtria e Mbretërisë Shqiptare nuk hodhi asnjë plumb kundër pushtuesve italianë? Forcat nacionaliste si ato të Ballit Kombëtar, te Legalitetit,Muharrem Bajraktari dhe Kryezijt e Gjakovës, të mos kenë zbrazur asnjë armë të vetme dhe të mos jetë vrarë e plagosur për atdhe asnjë prej tyre? Mohuan tërësisht faktin se gjatë LDB-së në Shqipëri nuk ka patur asnjë element të luftës civile, gjë që ka qenë krejt e kundërta. Pse? Se i donin të gjitha meritat vetëm për vete e për pushtetin e ardhëshëm politik. Por populli dhe historia e LDB-së, kurrë  nuk ju a ka mohuar partizanëve asnje nga ata që me të vërtetë  quhem merita të bazuara në fakte, data e ngjarje. Por në LDB në Shqipëri nuk kanë luftuar vetëm partizanët, por edhe shumë formacione të tjera.

Në vazhdim të kësaj tradite të keqe ndasije, në të njejtën vijë, e në të njejtën llogore me idetë e E.Hoxhës (madje edhe më keq), është pozicionuar këto ditë edhe lideri i së majtës shqiptare e Kryeministri në detyrë Edi Rama. Shkak për këtë u bë Dekreti i Presidentit Nishani për zbardhjen e masakrës së 21 Tetorit 1943 në Lushnje nga Brigata e Parë partizane e komanduar nga Mehmet Shehu ku u vranë 67 vetë. Mbi bazën e fakteve të pa mohueshme Presidenti i dekoroi ata si viktima të pafajshme dhe  pjesëtar të formacioneve të Ballit Kombëtar, veprim i cili u prit nga shumicën e njerëzve si një përpjekje për paqtim kombëtar.

Parë nga sa më sipër dhe nga  një këndshikimi i pa anëshëm, gjykoj se është e drejtë të sjellim në fokusin e publikut problemin se: pse debate të historisë dhe të politikës së LDB-së, ngjallin kaq  shumë reaksion në politikën e ditës në Shqipëri? Kur shoqëria shqiptare  flet për viktimat e klerit nga regjimi komunist, me shumë të drejtë ka pajtueshmëri nga të gjithë  njerëzit dhe të gjitha krahët e politikës, se ata janë martirë. Shumë drejt edhe unë pajtohem me këtë qëndrim. Po kjo bëhet për politikën e ditës  se për ata botërisht foli edhe Papa, apo sepse me të vërtetë ata janë viktima dhe meritojnë një nderim akoma më të madh? Unë mendoj se ata janë martirë të vërtetë dhe meritojnë të gjitha llojet e nderimeve nga brezi ynë e breznitë që vijë pas. Por kur vjen puna për dekorimin e viktimave të Ballit  Kombëtar të bëra po nga regjimi komunist, pse ka dy standarte, duke thënë se kjo është provokim i  pastër politik i së djathtës ndaj të majtës. Pse? A nuk janë edhe ata (të 21 Tetorit 1943 në Lushnje) shqiptar si ata të klerit dhe gjithe shqiptarët e tjerë të flijuar për atdhe dhe ideale? E majta thotë ,jo ata janë tradhëtarë se bashkëpunuan me armikun. Pyetja shtrohet po çfarë tradhëtie bënë ata? Dikush thotë se ata bashkëpunuan me gjermanët. Dakort, por a bashkëpunuan të gjithë apo disa krerë? Po nëse vetëm disa krerë bashkëpunuan me gjermanët, ku qëndron tradhëtia, apo sepse ata me gjermanët bënë bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet e qeverisje të vetme, të cilën ne edhe sot nuk jemi në gjendje ta bëjmë. Ata bënë edhe dy vepra të tjera të mëdha si hapja e shkollave shqipe në çdo fshat dhe mbrojtja pa kushte e komunitetit hebre në trojet shqiptare me të cilat mburremi ne edhe në ditët e sotme. Ata vërtetë gabuan politikish se u radhitën me humbësin e LDB-së, por nuk duket  asgjëkundi se ata kanë bërë ndonjë tradhëti  ndaj atdheut. Atëhere edhe ato pak merita që ata i kanë realisht, shoqëria e sotme duhet t’ju a njohi, ndryshe gjykimi vazhdon të jetë i njëanëshëm e në të  njëjtin kah me atë të shtetit totalitar. Nga ky  kënd shikimi, pajtohem tërësisht me qëndrimin e Presidentit Nishani dhe të asajë pjese të opinionit që është në të njejtin anë me të.

Për balafaqim pikpamjesh me ata që lidhen pas konceptit te “tradhëtarit të LDB-së”, më duhet të theksoj se që në Konferencën e Mukjes, nacionalistët u kanë thënë komunistave se: në se doni të bashkëpunoni me ne edhe ju duhet të largoheni nga emisarët jugosllav se jeni bërë thjeshtë agjenturë e tyre. Pra parë nga këndshikimi nacionalist edhe komunistët janë konsideruar “tradhëtar dhe agjenturë” e jugasllavëve, gjë që është e mbështetur në fakte.

Në se e gjykojmë problemin nga fakti se kush kanë qenë këshilltarët ndërkombëtar të palëve në LDB del se: partizanët kanë patur jugosllav, angles dhe vonë rus e amerikanë. Nacionalistët: Legaliteti me Abas Kupin, Muharrem Bajraktari, dhe Kryezijt kanë patur vetëm angles. Mbi bazën e këshillimeve të ndërkombëtarëve kush mund të quhet “tradhëtar” dhe kush “atdhetar”? Pra është e pa kuptimtë, se edhe në luftë është bërë politikë, por politika dhe lufta janë dy gjëra të ndryshme. Disa humbën politikish, por duke mos bërë vepra kundër atdheut ata nuk mund të quhen edhe sot pas shtatëdhjëtë e sa vitesh tradhëtar. A mund të quhet tradhëtar Abas Kupi? Në se po, kjo është thjeshtë marrëzi enveriane.

Personalisht si ish ushtarak i lartë në Ushtrinë Shqiptare, si intelektual, por edhe si opinionist në media, gjykoj se: Së pari duhet të kemi një vlerësim të përbashkët për konceptin martir ose dëshmor. Gjithkush është vrarë nga plumbi i armikut të atdheut, duhet të quhet dhe dekorohet si martir ose dëshmor. Por, vlersime të larta duhet të marri edhe gjithkush ka marrë plagë e ka lënë pjesë të trupit në fushbetejën e mbrojtjes atdheut. Së dyti: Kemi shumë nevojë për vendosjen e një paqeje me vehten  si shoqëri, për më shumë respekt për pikpamjet e njeri tjetrit, për tolerancë, dashuri e luftë politike me programe e jo me fyerje. Së treti: të gjejmë të gjtha mënyrat që ti kapërcejmë dasitë e çdo lloji, e të mos e përdorim historinë për problemet politike të ditës. Historinë ta xhveshim nga mitet dhe t’ju a lëmë historianëve. Nuk është ndonjë skandal i madh të pranojmë se në LDB-në tonë ka patur shumë element të luftës civile, sepse luftë civile ka patur edhe në Amerikë, Itali, Spanjë, Greqi etj.

Së fundi dëshiroj e shpresoj që politikanët tanë të civilizohen më shumë, të ndahen nga fodullëku, avanturizmat e gënjeshtrat, korrupsioni e krimi. Të krijojnë më shumë vende pune për shtetasit shqiptarë dhe të mbrojnë më me forcë interest madhore kombëtare. Njerëzit si të kenë pare e punë dhe shtet të fortë ligjor, nuk ka nevojë ti mësojë kush se si te bënjë qejf e si ti festojnë festat përfshi edhe atë të pavarsisë.

Filed Under: Opinion Tagged With: asllan Bushati, DITA E PAVARSISË, DUKE U AFRUAR

VIZITE TEK Z. AGIM KARAGJOZI(PRESIDENT NDERI I VATRES)

October 14, 2016 by dgreca

1-dy-nenkryetaretNë vijim të një tradite të vjetër të Vatrës, që ka si objekt respektimin e veteranëve vatran ,ish drejtuesve të saj  dhe të  kontributeve të tyre  në Vatër, së bashku me  Nënkryetarin  Zotin Agim Rexhaj dhe  anëtarin e Këshillit  Drejtues  Zotin Zef Balaj, në pasditen e datës 12 Tetor 2016, bëmë një vizitë në shtëpinë e  Presidentit të nderit të Vatrës Zotit Agim Karagjozi.

Pasi u përshendetëm me Zotin  Agim dhe bashkshorten e tij Zonjën Rozi, menjëherë u nisëm për në dhomën e ndejtjes ku  biseduam gjatë per shumë gjëra.  Që në krye të herës Z.Agim pyeti për shendetin e sejcilit nga ne, të familjeve tona dhe pastaj për Kryetarin Gjon Bucaj, Zef Përnocajn, Dalip Grecën, Marjan Cubi, Jonuz Ndreun e shumë vatranë të tjerë. Kur mori vesh se Jonuzi kishte kaluar një  problem shëndetësor, filloi të derdhte lot për të dhe ne  në atë moment e lidhëm në telefon me Zotin Jonuz Ndreu.Të pranishmit dëgjuam në spiker bisedën e tyre dhe respektin e dashurinë për njeri tjetrin të këtyre dy vatranëve veteran të cilët u përlotën gjatë bisedës, por që  edhe ne nuk shpëtuam nga kjo ndiesi.

Në vijim Z.Agim Rexhaj i përcolli zotit Karagjozi  përshëndetjet e Kryesisë së Vatrës, Kryetarit dhe posacërisht të  Zotit Dalip Greca i cili për arsye të një gjendje të lehtë  gripale e kishte të pa mundur të ishte i pranishëm (dhe duke bërë humor i tha  se Dalipi  nuk deshi të ju a ngjiste gripin edhe Ju). Z.Karagjozi  tha :”thuaj shkurt se Dalipit i pasa rënë flama”  dhe në vazhdim shprehu falenderimet e tij për kronikën e editorit të “Diellit”, që i ishte kushtuar ditëlindjes së nëntëdhjetë  të tij, por edhe për shumë artikuj të ndryshëm  të “Diellit” të cilat i vleresoi  si shumë të rëndësishme e me nivel ,duke theksuar specifikisht ato qe percillnin jehonën e shënjtërimit të Nëne Terezes. Dhe në vazhdim i tha Z. Zef Balaj :”Edhe ti Zef ke bërë punë shumë të mira në riparimin e mirmbajtjen e godinës së Vatrës, në kontribute financiare e ndoshta nuk kam pas mundësinë  të të falendroj, por gjej rastin t’ju a pohoj sot se jane kontribute  të rendesishme që duhet të dihen nga brezi i ri i vatranëve. Por ama ndonjë herë ma ke pas pru në majë të hundës me kundërshtitë në diskutime sa një herë u mata të të nxirrja jashë nga mbledhja, por pastaj  u pendova dhe se bëra”.  Qeshëm të gjithë dhe i thamë se:” do të kishe  bërë më  që ta kishe nxjerrë jashtë mbledhjes  Zefin se do t’ju a kishte mbajtur vath në vesh deri sot që po bisedojmë”.

Biseduam për punët që po bëjmë në kuadër të “Vitit Konica” ,për përgatitjet për festimin e 28 Nëntorit, për ekspozitën Konica që mendojmë të hapim, për konkursin, rregullimin e arkivit e të bibliotekës dhe për vizitorët e shumtë që kemi patur kohët e fundit në Vatër. Me shumë ndiesi  ai përcolli përgëzimet e tij për sa më sipër dhe në të njejtën kohë  cfaqi dëshirën që edhe ai të bënte  kontribote  sado pak në këtë drejtim.

Në vazhdim e pyeti Z.Agim Rexhaj për situatën në Kosovë dhe si po shkojnë problemet  me ceshtjen e kufirit me Malin e Zi. Kurse duke mu drejtuar mu më tha se kishte lexuar në “Dielli” disa artikuj të numurave të fundit të cilët i kishte pëlqyer, ku vecoi ate me titull:”A mund të pastrohemi nga pisllëku”.

Pas një bisede  të këndëshme (gati dy orëshe) me Z.Agim Karagjozi, u larguam prej tij me ndiesinë se të gjithë u kënaqëm.  Por në radhë të parë  ne drejtuesit  më të rinjt e Vatrës ,plotësuam një obligim  shpirtëror ndaj një brezi veteran  sic është rasti i Z.Karagjozi, i cili një pjesë të madhe të jetës së tij ja kushtoi Vatrës dhë ceshtjeve kombëtare. “Ju falenderoj shumë tha ai, kur na përcolli deri tek dera. Vatra për mu ka qenë një familje e dytë. Dhe ju që erdhët sot për vizitë tek unë jeni pjesë e familjes”.

Vatra, vërtetë ka shumë nevojë që edhe në të ardhmen,të punojë që ndiesinë e afrimitetit si në familje, ta përciellë e ta kultivojë edhe tek gjenerata e re në mënyrë që Vatra të ngrohë shpirtin, zemrën dhe mendjen  jo vetëm të cdo vatrani por edhe të gjithë Komunitetit Shqiptar në SHBA e më gjërë..

Nënkryetari  i Vatrës

ASLLAN BUSHATI

Filed Under: Vatra Tagged With: agim Rexhaj, asllan Bushati, Vizite etk z. Agim Karagjozi, Zef Balaj

A MUND TË PASTROHEMI NGA “PISLLËKU”?

September 21, 2016 by dgreca

NGA ASLLAN BUSHATI/

Në rreshtat e më poshtëm, ndoshta nuk do të them ndonjë gjë të re  e të pa ditur, por dua të flas me ata që më kuptojnë drejt, qoftë edhe me familjarët e mi, me miq, shokë, vatranë, intelektualë dhe me sejcilin bashkëatdhetar që mendon si unë ose pajtohet me shqetësimin që po më brenë nga brenda prej një kohe të gjatë e të cilin po e bëj sot publik. Ditë pas dite më është krijuar mendimi se këto 25 vitet e fundit me (ose pa) dashje, kemi krijuar një “pisllëk” të madh e stresues rreth vehtes i cili është i padurueshëm, por që na është bërë i pranueshëm si një gjë normale e jetës së përditëshme. Kaq shumë shoh ndotje në shoqërinë shqiptare sa më duket si një epidemi që rrezikon të na çfarosi si komb.

Unë nuk jam adhurues i komunizmit (kur them këto 25 vitet e fundit), sepse atë sistem shoqëror e kam urryer dhe vazhdoj ta urrejë, madje kam marrë pjesë në shtyrjen e tij për në theqafje. Por ndotjen që shoh e ndjejë sot për rreth në mjedisin shqiptar edhe ai sistem  kaq i urryer nuk e ka patur.

Ndotësit më të mëdhenj  mendoj se janë politikanët tanë, të cilët i kemi votuar e vazhdojmë ti votojmë, me synim që ata të na përfaqësojnë në mënyrë dinjitoze, të na përmirësojnë jetën ekonomiko-shoqërore, mirqenien, sigurinë personale e kombëtare, të na sigurojnë prosperitet për gjeneratat e së ardhmes dhe tju bashkohemi kombeve të tjerë të qytetëruar e kulturuar. Por, të nderuar bashkëatdhetar, gojët e politikanëve tanë janë aq të pista sa të vjen zor të bësh ndonjë krahasim me to, se ka rrezik të biesh në vulgaritetin e tyre. Epitetet dhe krahasimet që bëjnë për njeri-tjetrin, janë në kufijt e ekstremitetit, sikur njera palë janë atdhetarët më të kulluar dhe pala tjetër armiqt më të medhenj të kombit tonë. Pra vulgariteti është këthyer në një modë të re.

Në takimet dhe marrdhëniet me të huajt, politikanët tanë, janë aq të përulur e servilë sa të vjen ndot ti shohësh, kurse me njeri-tjetrin i mprehin shpatat si Don Kishoti me mullinjt e erës (ose më mirë si gjeli majë plehut). Madje disa të huaj duke i njohur mirë këtë soji politikanësh na kanë thënë se ju shqiptarët nuk jeni as trima as të besës, as të ndershëm, as të vyrtytshëm ejt etj, duke na poshtruar hapur në ato që janë veti e vyrtyte të rëndësishme të Kombit tonë. Atij të huaji që ka thënë për shqiptarët si më lart, dua ti them se une, së bashku me qindra e mijra shqiptarë si unë (që ti nuk i ke takuar), intelektualë e atdhetarë të devotshëm, jemi shumë të ndershëm, të besës, të virtytshëm dhe po të them edhe trima po të jetë nevoja e atdheut. Por ti i nderuar i huaj ke takuar me politikanët tanë, që s’janë në gjendje të të thonë gjysëm fjale megjithë fyerjen e rëndë që na ke bërë si komb.

Programet e strategjitë  politiko-ekonomike të së shkuarës dhe të së ardhmes, prezantuar nga kjo klasë politike në cdo katër vjet, ose kanë qenë kopjime të huaja të pa përshatëshme për vendin tonë, ose shpesh kanë qenë mashtrime të pa turpshme vetëm  për të marrë votat e për ti hipur kalit të pushtetit për interesa personale, familjare e klanore. Vjedhja e pasurisë kombëtare,  korrupsioni, ryshfeti, mos zgjidhja e problemit të pronës, lidhja e shtetit me krimin etj, janë këthyer në një mjet vrasës të sotmes dhe të së ardhmes.

Sikur të mos mjaftonte kjo, mbështetësi i dytë i ndotjes kombëtare është bërë medja. Ska anjë medja të lirë e të pa varur, por thjeshtë mbështetëse e një krahu të  politikës. Hapen e mbyllen lajmet, kronikat dhe shkrimet, vetëm me kronikën e zezë ose lajmin partiak. A thua se vendi ynë s’ka asgjë të mirë, progresive, të drejtë, edukuese, të qënësishme, të kulturuar? A thua se fjalori i shqipes është aq i vobektë sa të katandiset në një grumbull fjalësh e frazash të kronikës ndotur e të huazimeve?

Ata që bëjnë tekse këngësh, a mendojne se përdorimi i fjalëve të pista nuk i shton vlerat, por përkundrazi i shkatërron ato? A e dinë ata se në familjen tradicionale dhe të re shqiptare janë të pa pranueshme banalitetet e teksteve? A mendojnë kompozuesit e këngëve se largimi nga tabani i muzikës kombëtare është një huazim, që heret a vonë do të bëhet tumor në brumin muzikor shqiptar? Globalizimi dhe komercialitetit kanë kohën dhe hapsirën e vet, por a duhet  lejuar që ata të këthehet  në një vrasës të formës dhe përmbajtjes së këngës popullore e tradicionale shqiptare?

Po humori  pse është këthyer nga një mjet argëtimi e zbavitjeje, në një mjet vulgariteti, me një fjalor të ndotur tej çdo mase? A është i pranueshëm për formimin kulturor të gjeneratës së re kjo ndotje shoqërore e të qeshurës shqiptare? A është i pranueshëm në gjirin e familjen shqiptare ky humor që ka kaq shumë ndotje fjalori, të cilën dhe privatisht nuk mund ta themi?

Po gjuha e bukur shqipe, pse është ndotur kaq shumë me huazime nga disa politikanë injorantë dhe disa gazetarë po kaq injorantë? A mendojnë ata se përdorimi i fjalëve të huaja (shpesh dhe të pa kuptueshme për to) në vend të atyre shqip i bën ata më të kohës dhe më të pranueshëm për publikun?

Ky është shqetësimi im miqt e mi, të cilin po e ndaj me ju, duke vazhduar të pyes se: a ka moral në politikë, në organizmat shtetror, në masmadja, ku të mbrohet interesi kombëtar, publik e njerëzor i shqiptarëve nga kjo ndotje e madhe që mund të quhet më thjeshtë “pisllëk”.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: asllan Bushati, pastimi, pislleku

VJEDHJA NE RINAS DHE IMAZHI I SHTETIT

July 5, 2016 by dgreca

OPINION  NGA ASLLAN BUSHATI/

Në mesditën e 30 qershorit 2016, në aeroportin e Rinasit bëhet e ditur se ka ndodhur një vjedhje “spektakolare” e mjeteve monetare valutë në trasfertë   jashtë Shqipërisë. Thuhet se sasia  ka qenë rreth 83 kilogramë (peshë), të cilat minimalja  sikur të ishin të gjitha të prerjes njëzetëshe,janë afërsisht 3.6 milion euro. Po sikur qoftë larg  të kenë qenë  prerje  pesëdhjetëshe…38 milion. Pra thënia zyrtare për vjedhje rreth një million euro, është një tallje e vogël zyrtare (por me shumë miliona) me qytetarët e varfër  shqiptar.

Shkaqeve të kësaj ngjarjeve do t’ju këthehemi më pas, por më parë le të analizojmë një  konstatim që thotë  se:” cdo ditë nga bankat shqiptare të nivelit dytë , dalin  jashtë vendit rreth 8-10 milion euro”. Pyetja  më madhore shtrohet pse ka kaq shumë banka të huaja në Shqipëri ? Një vend i varfër  dhe me resurse të kufizuara ekonomike  a ka mundësi të gjenerojë kaq shumë para (madje kesh dhe në valutë)? Disa gojë të liga thonë se  kjo është e pa mundur ,por që tashmë ky vend komandohet nga bandat kriminale vendase dhe interesat e të huaja që pastrojnë parat e pista me shumë lehtësi. Po në se pastrohen para, pyetja më primitive  është se pse  nuk duken investime në Shqipëri? Disa thonë se mjafton që parat të futen në valle dhe pastaj pjesa e luanit del atje ku ka më shumë interes investimi (jashtë) dhe një pjesë shkon  tek plantacionet e hashashit se tashmë “Lazarat “ është kethyer e gjithë Shqipëria. Me te drejtë disa të tjerë pyesin , atëherë  pse shteti nuk kërkon origjinën e këtyre parave në lëvizje, pse ikën nga vendi ynë kjo para kesh, pse “lahen” parat këtu dhe  trasferta bëhet diku tjetër? A e ka nën  kontrollon Banka e Shqipërise këtë veprimtari? Thuhet se 10 përqind  e depozitave mbahen  për likuiditetin e detyrimeve të brendëshme dhe 90 përqind valuta del jashtë nisur nga interesat bankare. Por pyetja shtrohet po interesat  shqiptare ku jane? Këto banka janë ngritur me pëlqimin e Qeverisë Shqiptare dhe të Bankës Shtetit Shqiptar, atëherë këto dy organizma më të mëdhejt ekonomik ,pse bëhen sehirxhinj? Kjo mban erë të keqe, jo vetëm korrupsion por më shumë –kriminalitet i organizuar  kundër shtetit shqiptar.

Në këtë rrokopujë pisllëqesh edhe një tjetër problem madhor evidentohet  me aeroportin e Rinasit. Pra  disa vitesh Qeveria Socialiste e kryesuar nga Fatos Nano e dha me koncesion per 25 vjet duke i shkaktuar vendit një humbje të madhe ekonomike e duke e bërë udhëtimin  e shqiptarëve më të shtrejtin në Europë për disa vite. U tha e stërtha se u morëm vesh me koncesionarin për ta zgjidhur problemin. Më pas u tha se koncesionar i ri do te jetë një firmë serioze kineze, por del se kinezët janë tërhequr dhe një kompani fantazëm  offshore e krijuar para disa muajsh është aktualisht pronare. Pyetja shrtohet: aktualisht ne kemi vetëm një aeroport në veprim dhe ai është objekt i rëndësisë së vecantë. Si mundet që shteti të jetë kaq indifferent për një pasuri të madhe kombëtare? A mos këto janë para të pista shqiptarësh që vërdallosen nëpër  offshore dhe në fund venë nën  këmbë një object të rëndësisë së vecantë sic është aeroporti i Rinasit?

Këthehemi tek vjedhja, e cila është  e treta e përmasave të mëdha në këto 16 muajt e fundit. E para ndodhi në bankën  tek ish stacioni  trenit, e dyta në Qaf-Kashar dhe e treta brenda aeroportit të Rinasit, në një kohë që gjendja  e gatishmërisë ishte e shkallës së lartë sepse ishte fill pas ngjarjeve të aeroportit të Stambollit. Për asnjerën nuk  janë gjetur autorët.  Atëherë kush ka përgjegjësi për këto humbje ekonomike të cilat në mënyrë të tërthortë rëndojnë mbi shqiptarët,  dhe më e rënda e mbi të gjitha, kush përgjigjet për atë që  imazhi i shtetit është deskretituar në përmasa të mëdha. A ndjenë përgjegjësi bankat, kompanitë e sigurimit, kompanitë e transportit të valutës apo policia e shtetit?  Rrjedhja e informacionit dukshëm mendohet se është në njerën nga këto hallka ose në koordinim. Bankat a i paguajnë kompanitë e sigurisë në raportë me vlerat që ata marrin në ruajtje dhe më pas këto të fundit personelin ruajtës, apo këto të fundit janë shërbëtorë të dorës fundit? A janë të paisur rojet e sigurisë me armatim sipas ligjit ? Vetë ligji a është kompementar ,ku e gjejnë veten të barabartë në përgjegjësi e detyrime si bankat dhe kompanitë e sigurisë? Po kompanitë e transportit valutave a kanë mjetet e duhura për transport të sigurisë lartë? A janë ato blind e me GPS, kasaforta të sigurisë së lartë dhe me sensorë në rast situate të jashtzakonëshme? A kanë kamera të brendëshme dhe të jashtme makinat e transportit? ( Në paranteze në NY edhe taksitw e limuzinat e zakonëshme, me ligj janë të paisura me kamera të brendëshme, për të mbrojtur shoferin dhe pasagjerin). Po objektet e aeroportit a janë paisur me pamje të dubluar të kamerave dhe me sensorë? Në se këto e shumë të tjera, janë në përputhe me ligjin dhe rregullat në fuqi, si mund te kryhet një vjedhje ne një nga vendet më të sigurta në Shqipërisë, në mes të ditës dhe në një kohë prej  tre minutash ( ose  hajde dhe katër minuta e tridhetë sekonda sic thonë disa të tjerë)? Po sikur hajdutët të mos kishin objekt marrjen e parave, por hedhjen në erë të depove të karburantit të aeroportit, marrjen peng të avionëve me pasagjerë ose thjeshtë hedhjen në erë të avionëve me pasagjerë? Po policia e shtetit (dhe në radhë të parë ata që bëjnë politikë në këtë institucion), a kanë pergjegjësi për gjithë këto vjedhje nën hundët dhe sytë e tyre?

Kur lëvizin vlera monetare  kaq të mëdha a ka detyrime ligjore midis palëve, që të  njftohet policia e shtetit? Po Ministria e Transporteve që ka nën vartësi Aviacionin Civil, a ka përgjegjësi për mangësitë e konstatuara  nga auditi ndërkombëtar? Koha e rregullimit të mangësive thuhet se  maksimalisht është dhjetë dite, por auditi ndërkombëtar  ka konstatuar mangësi  që në Nëntor 2015. Më në fund pyetja shtrohet :a ka në Shqipëri  shtet funksional për mbrojtjen  e interesave kombëtare, të kompanive dhe të qytetarëve të thjeshtë? Këto shtetar a ndjejnë përgjegjesi para Kushtetutës, ligjeve, zgjedhësve, detyrës dhe ndërgjegjes qytetare? Në se po, askush nuk është vetdorëhequr? Pra disa ditësh Mbretëria e Bashkuar (Britania), votoi për daljen nga BE-ja dhe për këtë Kryministri Kamerun dha dorheqjen. Po në Shqipëri kush dha dorëheqjen për këto skandale?

Mjerisht  mund të konstatojmë  se aktualisht në Shqipëri ,nuk ka  shtetar të përgjegjëshëm, nuk ka shtet ligjor, por  ka hajdutë  të mwdhenj e të vegjël, profesionist e amator dhe një kastë politikanësh e shtetarësh të inkiriminuar, të lidhur me njëmijë fije me kriminelët vendas e të huaj,e  që po e shfrytëzojnë  shqiptarin e thjeshtë si skllav.

Filed Under: Opinion Tagged With: asllan Bushati, DHE IMAZHI I SHTETIT, VJEDHJA NE RINAS

DASMOR TEK DAVID ZEF BALAJ

April 27, 2016 by dgreca

NGA ASLLAN BUSHATI/

Në pasditen e 23 prilit 2016, së bashku me vajzën time  Arela , me Dalip e Xhemile Greca dhe Adem e Mimoza Belliu po ecnim së bashku nëpër mjedisin e bukur të Fordham University për të arritur tek kisha e këtij institucioni (që mban emrin FORDHAM UNIVERSITY CHAPEL) ku do të mbahej mesha e martesës së Devid Balajt me  Leze Ivezajn.Duke bërë shaka i them Dalipit:” More në se kemi ardhur për tu regjistruar në këtë Universitet,  nuk është koha e duhur se regjistrimet bëhen në fund të verës . Natyrisht, gjithcka me Kohen. Eshte vone, me thote ai dhe shton: Ne perjetuam Kohen e ndalimeve….Tani duke patur parasysh moshën, të  presim edhe ca kohë  (qoftë larg) se do të regjistrohemi në universitetin e përjetësisë, dhe atje do tja bëjmë gjyqin Enverit dhe kohes se tij, se pse nuk na la të studionim këtu”. Qeshëm dhe u kënaqem sa  u bashkuan me ne edhe Kryetari i Vatrës Dr. Gjon Bucaj me bashkshorten Nikoleta, djalin Aleksander dhe  vajzën Teuta. Dhe fill pas tyre na u bashkuan edhe Serxhio Bitici me bashkshorten, ish Kongresmeni  Joseph DioGuardi me bashkshorten Shirly , familjar  e farefis i Zef Balës dhe Vasel  Ivezajt dhe shumë e shumë bashkatdhetarë të tjerë nga shumë vise të Nju Jorkut, Kenerikës, Nju Xhersit e deri nga Belgjika  e largët nga e cila vinte  Gjelosh Kuraj vetë i gjashtë(vëllai  i Lina Balajt).

Dyert e kishës u hapën në orën 4 pas dite, pas së cilës na u cfaq pamja madhështore e këtij institucion të mirënjohur në NY. Në hyrje të sallës kryesore, na shprehen mirseardhjen  Zef e Lina Balaj dhe  Vasel e Age Ivezaj. Nën tingujt e muzikës kishtare dhe të një shërbimi brilant kishtar, u mbajt ceremonia e kurorës së shenjtë të David Balaj e Leze Ivezaj.Mesha u celebru nga Rev.Donovan(President i Fordham Prepatory School) dhe i asistuar nga Mons.Franco Sekretar I pranë OKB-së për Shtetin e Vatikanit dhe mik personal i Familjes Balaj prej shumë vitesh. Të gjithë u lutëm që cifti të ketë jetë të lumtur dhe të trashëgohen duke menduar se edhe kjo meshë  do të ju a mbushë  zemrat  atyre me gëzim e shpresë për të ardhmen  bashkshortore.Vetëm një ndryshim ndodhi se Leze Ivezaj doli prej asaj ceremonie në Leze Balaj.

Pas meshës, në hollin e kishës u mblodhën shumë bashkatdhetar, për të uruar së pari Davidin e Lezen , por edhe për të bërë foto e për të uruar njeri tjetrin. Ndërkohë  bashkadhetari i mirnjohur i komunitetit, Ded Dedvukaj (daja i nuses-Lezes), më njohu me nipin e tij (vllajin e Lezes), Nënkolonelin e Ushtrisë Amerikane Mark Ivezaj. U kënaqa dhe u emocionova shumë kur e pashë një mesoburrë  shtatlatë e i pashëm ,afër dyzetave me një sasi të madhe medaljesh e dekoratash që shprehnin qartë rezultatet e punës së tij. Ai më foli me shumë simpati edhe për ushtarakë e Ushtrisë  Shqiptare me të cilët kishte bashëpunuar në Irak, Afganistan e gjetkë. Në këtë rast kënaqësia mu dyfishu për djelmëninë ushtarake  shqiptare si në  vendlindje ashtu edhe në SHBA.

Pas pak karvani i gjatë i makinave u drejtu për tek “Mulino’s at Lake  Isle Country Club, 660 White  Plains  Road Eastchester, NY.” Aty na u bashkuan  Nënkryetari i Vatrës Agim Rexhaj me bashkshorten Laura, ish konsulli i Shqipërisë në NY dhe anëtari Kryesisë Vatrës Dritan Mishto me bashkshorten Agata, antarët e Këshillit të Urtëve të Vatrës Zef Përnocaj me bashkshorten Mire dhe djalin Albert, Tonin Mirakaj me bashkshorten Mirjana e shume e shumë të tjerë. Lokali ishte në mesin e një mrekullie të vërtetë natyrore rrethuar me pemë e barë jeshil e me një pamje arkitektonike të mrekullueshme.

Në hollin e pjesës aperitive na urdhëruan mirseardhjen Zef e Lina Balaj dhe Vasel e Age Ivezaj. Ushqimi  ishte i freskët, i ngrohtë dhe i  shijshëm,  pije të cdo lloji e shërbim shumë të kulturuar në një ambient  të mirëstolisur dhe me verandë. Patëm rastin të njihemi edhe me shume dasmor nga shume krahina shqiptare e me banim  në shumë vise të Amerikës e Europës. Zefi dhe Lina  na falenderojne  duke na ofruar dashuri e respekt disa here dhe në cdo tavolinë. U ndiemë të respektuar e të kënaqur si në gëzimet tona familjare. Dasma e Davidit dhe e Lezes  ishte në të njejtën kohë  edhe një mundësi për të na miqësuar më shumë me njeri-tjetrin si komunitet.

Nipi I Zef Balës, Gjergj Balaj, me fjalë zemre na uron mirëseardhjen dhe uroi ciftin me trashëgime!

Më pas hymë në restorant i cili ishte stolisur në mënyrën më të mirë të mundëshme. Ushqimi ishte i mrekullueshëm në kuptimin e vërtetë të fjalës, shërbimi shumë i kulturuar gjithashtu dhe një lojë e bukur me dritat e sallës. Një gjë krejt e vecantë ishte prania në cdo tavoline e një shisheje të posacme me emrin David dhe Leze me raki rrushi  të shijëshme të bërë posacërisht për këtë darkë nga Zef Balaj. Hijeshinë e darkës e kulmoi hyrja ne sallë dhe ngjitja ne podium e ciftit të ri i cili u prezantu  nga kengetari madh popullor Gëzim Nika. Ne vazhdim vallja e ciftit, dy valle popullore shqiptare te ansamblit “Rozafati” të përgatitura nga mjeshtërja koreografe e valles popullore Angjelina Nika dhe argëtim  po aq I mrekullueshem nga Gëzim Nika dhe orkestra e tij.Nga mezi i darkës na kënaqi me interpretimin e disa kangëve edhe kushriri i Zef Balës , pukjani  Lush Binaku (Marku).

Pranë tavolinës sime qëndronte në një karrge me rrota Pjetër Balaj (vëllai i Zefit), të cilin shkuam ta uronim për nipin David së bashku me Agim Rexhën,por në të njejtën kohë e uruam që të shërohet  sa më shpejt që të jetë e mundur edhe Valentin Balaj.  U gëzu shumë dhe me pamje stoike e burrërore prej malësori na përcolli me fjalë e me shikim falenderim dhe mirnjohje.

Në krah të podiumit ,në tavolinën e parë qëndronte daja i Davidit, i nderuari Gjelosh Kuraj i cili kishte ardhur nga Belgjika për dasmën e nipit.Gjeloshi  njihet mirë nga demokratët dhe anti komunistët në Shqipëri se ka qenë në burgjet e diktaturës për gati 15 vite. Por ai na tregoi se bashkvuajtës të tij në burg kanë qenë edhe Dodë e Luigj Miri nga Gurëza e Milotit, të cilët janë djemt e vëllait të gjyshit të nuses së Davidit. Por nga familja Miri janë pushkatuar 18 vetë nga regjimi totalitar dhe per këtë arsye Ambasadori parë Amerikan në Shqipëri( pas demokracisë) Zoti Rajërson ka bërë vizitë të posacme  në Gurrëz për të nderuar viktimat e familjes Miri.

Cfarë koencidence, njerëz të Familjes Miri në Shqipëri dhe të familjes Ivezaj në Malësi( Mali i Zi), pjesë e një origjine familjare, bëjnë lidhje martesore me Balajt e Pukës të njohur si anti komunist dhe atdhetar të spikatur. Shtoj këtu dhe kontributin e madh që ka dhënë Familja Balaj  për komunitetin shqiptaro-amerikan, Vatrën, Ligën Qytetare Sqiptaro amerikane, kisha ,katedrale, buste e munomente ne trojet shqiptare,etj, kemi të bëjmë me një miqësi me themele të forta kombëtare  shqiptare.

Ishte një dasëm e mrekullueshme, ku të u këndua, u gëzua dhe u festua shqip.

David, rrofsh që na ftove në dasëm. U trashëgofsh e kalofsh jetë të lumtur me Lezen.Dasma jote na dha edhe  gëzim edhe respekt e dashuri për njeri tjetrin, por dhe atdhetarizëm. Tu rritë ndera per mot e jete Zef Balaj.

Filed Under: Komunitet Tagged With: asllan Bushati, DASMOR TEK DAVID ZEF BALAJ

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • …
  • 23
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT