Në vijim të një tradite të vjetër të Vatrës, që ka si objekt respektimin e veteranëve vatran ,ish drejtuesve të saj dhe të kontributeve të tyre në Vatër, së bashku me Nënkryetarin Zotin Agim Rexhaj dhe anëtarin e Këshillit Drejtues Zotin Zef Balaj, në pasditen e datës 12 Tetor 2016, bëmë një vizitë në shtëpinë e Presidentit të nderit të Vatrës Zotit Agim Karagjozi.
Pasi u përshendetëm me Zotin Agim dhe bashkshorten e tij Zonjën Rozi, menjëherë u nisëm për në dhomën e ndejtjes ku biseduam gjatë per shumë gjëra. Që në krye të herës Z.Agim pyeti për shendetin e sejcilit nga ne, të familjeve tona dhe pastaj për Kryetarin Gjon Bucaj, Zef Përnocajn, Dalip Grecën, Marjan Cubi, Jonuz Ndreun e shumë vatranë të tjerë. Kur mori vesh se Jonuzi kishte kaluar një problem shëndetësor, filloi të derdhte lot për të dhe ne në atë moment e lidhëm në telefon me Zotin Jonuz Ndreu.Të pranishmit dëgjuam në spiker bisedën e tyre dhe respektin e dashurinë për njeri tjetrin të këtyre dy vatranëve veteran të cilët u përlotën gjatë bisedës, por që edhe ne nuk shpëtuam nga kjo ndiesi.
Në vijim Z.Agim Rexhaj i përcolli zotit Karagjozi përshëndetjet e Kryesisë së Vatrës, Kryetarit dhe posacërisht të Zotit Dalip Greca i cili për arsye të një gjendje të lehtë gripale e kishte të pa mundur të ishte i pranishëm (dhe duke bërë humor i tha se Dalipi nuk deshi të ju a ngjiste gripin edhe Ju). Z.Karagjozi tha :”thuaj shkurt se Dalipit i pasa rënë flama” dhe në vazhdim shprehu falenderimet e tij për kronikën e editorit të “Diellit”, që i ishte kushtuar ditëlindjes së nëntëdhjetë të tij, por edhe për shumë artikuj të ndryshëm të “Diellit” të cilat i vleresoi si shumë të rëndësishme e me nivel ,duke theksuar specifikisht ato qe percillnin jehonën e shënjtërimit të Nëne Terezes. Dhe në vazhdim i tha Z. Zef Balaj :”Edhe ti Zef ke bërë punë shumë të mira në riparimin e mirmbajtjen e godinës së Vatrës, në kontribute financiare e ndoshta nuk kam pas mundësinë të të falendroj, por gjej rastin t’ju a pohoj sot se jane kontribute të rendesishme që duhet të dihen nga brezi i ri i vatranëve. Por ama ndonjë herë ma ke pas pru në majë të hundës me kundërshtitë në diskutime sa një herë u mata të të nxirrja jashë nga mbledhja, por pastaj u pendova dhe se bëra”. Qeshëm të gjithë dhe i thamë se:” do të kishe bërë më që ta kishe nxjerrë jashtë mbledhjes Zefin se do t’ju a kishte mbajtur vath në vesh deri sot që po bisedojmë”.
Biseduam për punët që po bëjmë në kuadër të “Vitit Konica” ,për përgatitjet për festimin e 28 Nëntorit, për ekspozitën Konica që mendojmë të hapim, për konkursin, rregullimin e arkivit e të bibliotekës dhe për vizitorët e shumtë që kemi patur kohët e fundit në Vatër. Me shumë ndiesi ai përcolli përgëzimet e tij për sa më sipër dhe në të njejtën kohë cfaqi dëshirën që edhe ai të bënte kontribote sado pak në këtë drejtim.
Në vazhdim e pyeti Z.Agim Rexhaj për situatën në Kosovë dhe si po shkojnë problemet me ceshtjen e kufirit me Malin e Zi. Kurse duke mu drejtuar mu më tha se kishte lexuar në “Dielli” disa artikuj të numurave të fundit të cilët i kishte pëlqyer, ku vecoi ate me titull:”A mund të pastrohemi nga pisllëku”.
Pas një bisede të këndëshme (gati dy orëshe) me Z.Agim Karagjozi, u larguam prej tij me ndiesinë se të gjithë u kënaqëm. Por në radhë të parë ne drejtuesit më të rinjt e Vatrës ,plotësuam një obligim shpirtëror ndaj një brezi veteran sic është rasti i Z.Karagjozi, i cili një pjesë të madhe të jetës së tij ja kushtoi Vatrës dhë ceshtjeve kombëtare. “Ju falenderoj shumë tha ai, kur na përcolli deri tek dera. Vatra për mu ka qenë një familje e dytë. Dhe ju që erdhët sot për vizitë tek unë jeni pjesë e familjes”.
Vatra, vërtetë ka shumë nevojë që edhe në të ardhmen,të punojë që ndiesinë e afrimitetit si në familje, ta përciellë e ta kultivojë edhe tek gjenerata e re në mënyrë që Vatra të ngrohë shpirtin, zemrën dhe mendjen jo vetëm të cdo vatrani por edhe të gjithë Komunitetit Shqiptar në SHBA e më gjërë..
Nënkryetari i Vatrës
ASLLAN BUSHATI