• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KRIZA, BE-JA DHE MUSLIMANËT

April 11, 2016 by dgreca

NGA ASLLAN BUSHATI/

Po bëhen gati një qind vite nga hedhja e idesë së Europës Bashkuar ( saktësisht që nga 1920-ta).Që nga kjo kohë janë bërë shumë përpjekje për të ardhur deri tek formësimi i sotëm. Por  ajo  që sot  realisht quhet BE, është  foshnje  e dalë nga  mitra e luftës së ftohtë (LF),  foshnje e rritur  nën ombrellën e NATO-s  me në krye amerikanët. Lulëzimin ajo e pati nga mbarimi i LF-së e deri në fillimin e luftës totale terroriste (LTT). Kur për arsyet historike që dihen, roli i NATO-s  filloi të ulet  dhe në dyert e Europës Perendimore  u duk LTT-ja,  ajo  e vecanërisht BE-ja filluan të qullosen. Pyetja shtrohet pse ndodhi kjo qullosje? Arsyet janë të shumta, por le të ndalemi tek disa shkaqe të cilat në gjykimin tim  janë më madhoret.

Europa e pas LF-së, e mësuar nën ombrellën amerikane,ka qenë në një dehje të plotë,dalldi kolektive, çthurje të  vemendjes, mendjemadhësi, fodullëk e deri arrgante. Ajo mendoi se me shkatërrimin e Bashkimit Sovjetik, bashkë me të pushoi së qënuri edhe çdo kërcënim tjetër.Europa e vjetër harroi  mësimin e historisë me kalin e Trojës, gabim  të cilin po e vuan  mundimshëm në ditët tona.Pas goditjeve terroriste mbi kullat binjake të  NY-së  e godinën e Pentagonit, filloi lufta e vërtetë kundër  terrorizmit botëror. Lufta kundër alkaidës dhe formacioneve të Osaman Bin Ladenit, talebanëve, Hezbullahut, Hamazit, lufta e dytë në Irak dhe ajo në Afganistan ,pushtimi rus i Krimesë, lufta në Ukrahinë dhe pas tyre ato  të “pranverës arabe” në Libi,Egjipt, Siri  e deri tek  përplasja Turqi-Rusi. Të gjitha këto ngadalë-ngadalë  e konsumuan nga  brenda  Europën Perendimore e vecanërisht BE-në ,sepse jo vetëm shumica e ngjarjeve ishin tek “ gardhi” i saj,e  një stres  i madh për të, por edhe se  ju desh të harxhonte  fonde të shumta  në kulmin e krizës ekonomike e financiare të pas vitit 2007.

Brenda këtij kazani europian në nxehje e sipër, jetojnë edhe 25 milion muslimanë . Shumica e këtyre emigrantëve të hershëm të cilët, me punën e djersën e tyre, punuan në punët më të rëndomta, por me të ardhurat  e fituara ushqyen familjet, shkolluan fëmijët madje dërguan para edhe në vendet e origjinës. Por brezi pasardhës, filloi dukshën të refuzojë, jo vetëm këtë mënyrë jetese, madje  dhe vetë  integrimin në shoqëritë perendimore, sepse e ndienin vehten si qytetar të dorës dytë . Ata nuk pranuan të bënin punët e prindërve të tyre, por filluan  një fare vetizolimi, ku brenda lagjeve, rrugicave,shkollave e  klubeve,  thureshin teori e praktika  të zakoneve e  dokeve të vendeve të origjinës deri tek  ekstremizmat  fetar.Xhihadi në mendimin e këtij brezi u këthy në stil, kulturë te re dhe mënyrë jetese.    Propaganda fetare në këto mjedise dhe vecanërisht ajo e transferuar nga vendet  e origjines prindërore, nxiti  një kontigjent të madh të të rinjëve të pa formuar  ti bashkohen ushtrisë së ISIS-it (vetëm nga Belgjika mbi 470 vetë). Sipas të dhënave zyrtare ata që janë këthyer nga lufta në Siri, mbi njëzet përqind kanë disekulibër mendor, një pjesë kanë qenë kriminelë para se të shkonin atje, kurse një pjesë tjetër janë bërë vrasës në këtë mjedis lufte. Pra Europa po kërcënohet në radhë të parë nga njerëzit e saj.  Lypset te vihet në dukje se pjesa më e madhe e këtij brezi , kur u goditën kullat binjake të NY, ishin fëmij, por ata u infektuan mendërisht dhe u gatuan si brumë për ISIS e terrorizëm pikrisht në këtë mjedis europian.

Nisur nga sa më sipër, me të drejtë shtrohet pyetja: po pse po i ndodh kontinentit të vjetër një gërryerje e tillë e brendeshme? Si mundet që një fenomen kaq agresiv i tipit kanceroz brenda vehtes ,nuk e panë (ose qenë të pa aftë për të vepruar) sherbimet sekrete, punonjësit e administratës, të zgjedhurit vendor e qendror, politikanët, analistët e deri tek akademikët.A mendojne këta njerëz të pushtetshëm të elitës europiane, se ekstremizmi fetar po e con Europën dhe botën drejt një  konfrontimi të gjërë luftarak. A mendojnë këta se në skenë është duke u zhvilluar pjesa hyrëse e një përplasje te madhe midis kulturës perendimore dhe asajë lindore ,në themel të së cilës është  shkatërrimi i kulturës  dhe i civilizimit perendimor?

Po komuniteti i gjërë musliman i Europës, pse nuk reagon ndaj këtij fenomeni?  Ai është parë të dalë në mitimgje e deri në demostrata të dhunëshme, kur ndonjë gazetë ose organ tjetër i masmedjas , thumbon(me ose pa të drejtë)  islamin. Po pse ky komunitet nuk ngrihet në këmbë të distancohet nga dhuna ekstremiste e prodhuar nga pjella e vet, pra të rinjtë  muslimanët   të lindur e të rritur në Europë? Me mungesën e veprimit, indiferencën e mefshtësinë, ky komunitet mendoj se ka tërhequr më shumë zjarr mbi vehte, duke lënë të kuptohet se në brendi ka  një farë pajtueshmërie me fenomenin. Por, të nderuar muslimanë europiane, Kurani që ju dhe gjithë bota e don, predikon paqe, mirësi e dashuri midis njerëzve, po  ata qe po vrasin njerëz të pa fajshëm, gra e fëmijë, pse nuk denohen me lëvizje masive të komunitetit musliman?

Mund të ketë përgjigje e shpiegime të ndryshme për sa më lart, por në këndvështrimin tim , vetë perendimi ka shumë përgjegjesi  për hendekun që  ka krijuar   , midis vendorëve dhe emigrantëve. Hendeku është më së pari ekonomik, por ai është edhe kulturor,etnik, politik e deri rracist në disa raste. Në se mbillet( qoftë edhe në heshtje), një farë e tillë përcmimi, përcareje e rracore, atëherë  të nderuar perendimor,  prisni  prodhimin i cila e ka emrin furtunë shoqrore.Kjo vjen nga një tipar  i shpirtit egoist europian që vetpranon se është rracë superior ndaj gjithë botës tjetër.

Po librat e shenjtë si lexohen, mësohen e komentohen në shkollat fetare e në kisha e xhami? Nga informacionet që unë kam,më rezulton  se në shumicën e rasteve fatkeqësisht ato mësohen si balafaqim  kontradiktor  kulturash. Aty  hapur  thuhet se kjo është më e mirë  dhe tjetra më e keqe, e jo si njohuri dhe edukim shpirtëror i shëndetsëm  e mbarshoqror . Por si epërsi e njerës palë mbi tjetrën , e për pasojë  kristianët më të mirë se muslimanët ose  muslimanët më të mirë se kristianët. Tërësisht reminishencë e plotë e luftës fetare 1500 vjecare.

Në këtë konfuzion që ekziston në Europë, më 9 prillë2016, mësova se edhe  Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka vendosur të fusë në programet mësimore publike mësimet fetare . A thua se ekuilibrat fetar qenkan prishur në Shqipëri dhe gjithcka kemi thënë deri tani për harmoni e mirëkuptim fetar morën fund. Përnjëherësh më erdhi në mendje dekreti  i Mbretit Zogu I , që e shpallte  me ligj laike shkollën   shqipe. Thashë me vete(o i ndjeri Mbret) me një të rënë të kalemit  Kryeministri  i sotëm (duke menduar se është i përjetshëm),  fshiu nga faqja e dheut përvojën 80 e sa vjecare    të laicitetit të shkollës sonë. Këto vendime kaq të mëdhaja (i gjati  ynë Kryeministër), mund ti  marrë në këmbë pa pyetur as opinionin,  as specialistët, as parlamentin , por vetëm vehten. Mirë mor i nderuar Kryeministër, por  në Shqipëri nuk ka vetëm muslimanë e të krishterë, por ka (dhe janë shumicë) edhe ateistë , me këto si i bëhet?  Shpiegimi  kryeministrorë   është se mësimi fetar në shkollat publike, do të na mbrojë nga terrorizmi. Hajde absurd deri ku ke mbërritur, deri atje  lart në Kryeministri. Po terrorizmi nuk luftohet me mësime në shkollë (i nderuar..),por  do fonde e mjete, do struktura sekrete  e inteligjente të zgjedhura e të mirëpërgatitura. Apo fondet në Shqipëri i ka ngrënë macja. Lufta kundër terrorizmit kërkon:strategji të qartë-mjete monetare dhe njerëz të përgatitur. Thjeshtë mos u përpiq ta postosh përgjegjësinë tek mësimi në shkollat publike  se përgjegjësia është thjeshtë shtetrore dhe  armiku është  real e jo imagjinar. Ai është një armik me të cilin do të ballafaqohemi të paktën dhjetë vitet e ardhëshme.

Konflikti  në Siri dhe Irak (ISIS), ka” prodhuar “  miliona refugjatë. Ardhja e tyre nëpërmet Egjeut  dhe  kufirit tokësor me Turqinë , bëri që ato me shumicë të përfundojnë në qendër të BE-së. Pamundësia për ta menaxhuar situatën ka bërë që Europa në tërësi e në vecanti BE-ja të zgërlaqen.Është vënë në diskutim ardhmëria  e më  tutjeshme e bashksisë . Britania ka një këmbë brenda e një këmbë jashtë BE-së  , mandje në qershor ka vendosur të mbajë referendum për qëndrim apo dalje nga BE-ja. Ajo është në pozita më të favorshme se  anëtarët e tjerë të BE-së se nuk pranoi përdorimin e monedhës euro ne vendin e saj.Por, testet e opinionit tregojnë se  edhe 53 përqind e Francezëve, 45 përqind e gjermanëve dhe e suedezëve etj ,janë të gatshëm të dalin nga BE-ja, mbas akteve terroriste të kohëve të fundit në Francë e Belgjikë. Pra shkurt BE-ja është në një krizë të thellë,( kryesisht të refugjatëve) e në një dilemë të madhe të qëndrojë si bashkësi apo të shpërndahet.

Në këto kushte krize , e në këtë mjedis të prushtë europian, filluan të “lulëzojnë” edhe disa qëndrime nacionaliste e tërheqje centrifugal të vendeve kryesore të BE-s. Qëndrime , të cilat i hapën rrugën thirrjeve të ekstremit të djathtë për të dalë në sheshe , e madje edhe për të  ardhur në pushtet , duke fshirë kështu, kujtesën historike që i kishte ndodhur Europës 80 e ca vite më parë me ardhjen në fuqi të nazi-fashizmit. Jo vetëm kaq, por të friksuar nga valët e shumta të refugjatëve , filloi edhe mbylla e kufijve të disa vendeve. Taktika për kuota të balancuara pranimi dështoi, kështu  që alternative e vetme mbeti kërkimi i shpëtimit tek një marrveshje me Turqinë.  Por , frika e europianëve nuk qëndron vetëm tek numuri i  madh i refugjatëve, por tek fakti se brenda tyre është “Kali i Trojës”. Ka të dhëna të besuara se ISIS ka futur brenda turmave të refugjatëve rreth 6000  luftëtar të mirstërvitur, krisma e të cilëve do të ndiehet më vonë në të gjithë Europën.

Po kush është i interesuar që konflikti Siri-Irak të vazhdojë, fuqia e Europës të dobësohet si dhe BE-ja të shkatrrohet?  Të dhënat tregojnë se për këtë ka  një pleksje e ndërthurje interesash të shumë  aktorëve politik botëror.Vetë  ISIS-i  është më i interesuari  për mbijetesë dhe mundesisht zgjerim të hapsirës vepruese në emër të të ashtu quajturit Kalifat. Rusia në mbajtjen gjallë e në fuqi të regjimit të Asadit , në shitjen e armëve dhe në dobësimin e rolit e fuqisë së SHBA-së e Europës . Kina, që të shesë sa më shumë armatim dhe që Europa  dhe SHBA-ja të mos e konkurojnë   atë në tregun e mallrave. Irani i interesuar që ISIS të ekzistojë dhe idetë fetare të tij së bashku me shumë armatime të barten  në rajon. Arabia Saudite ka interesa fetare e ushtarake, Izraeli dëshiron që konflikti të vazhdojë në mënyrë që të largojë vemendjen nga konfliki i vjetër me palestinezët, dhe mundësisht të zhvillojë tregtinë e armëve në jrajon, por ai nuk është i interesuar për bobësimin e Europës dhe SHBA-së.Turqia, është e interesuar që konflikti për një periudhë kohe të qëndrojë i hapur e të përfitojë  sa më shumë nga kontrabanda e armëve, naftës, paret e Europws dhe shitja e mallrave të konsumit të gjërë. Po ashtu është e interesuar që me këtë rast të asgjësojë faktorin kurd   brenda dhe jashtë teritorit të vet   dhe Kalifatin ta fusë nën ombrellën e saj për ta përdorur në të ardhmen si armë për neo-otomanizmin. Kështu të vetmit aktorë të interesuar për ti dhënë zgjidhjen më të mirë të mundëshme  konfliktit janë SHBA-ja dhe Europa.

E kam theksuar edhe në një shkrim për tragjedinë e Brukselit se, në gjykimin tim zgjidhja duhet të fillojë me luftë dhe me  shkatërrimin përfundimtar të ISIS-it. Për ta bërë  këtë është e domosdoshme edhe  ndërhyrja  ushtarake me forca toksore . Sulmi  lypset të bëhet i shpejtë në dy fronte një herësh nga Iraku dhe Turqia me mjete të blinduara e nën mbeshtetjen e aviacionit e të forcave detare nga Mesdheu.Në cdo formë veprimi ushtarak, Asadi duhet përjashtuar si aleat . Europa në se dëshiron dajlen nga kriza dhe progresin e së ardhmes e jo zgërlaqjen, duhet të futet në luftë frontale pa asnjë hezitim . Kam bindjen se kohzgjatja e operacionit ushtarak do të jetë e shkurtër dhe paqa do të vijë në rajon dhe në Europë.

Gjykoj se në projektin e paqes me doemos duhet të planifikohet krijimi i shtetit të Kurdistanit, fillimisht ne veri të Irakut e Sirisë dhe në të ardhmen me vendime të OKB-së të zgjerohet duke prekur pjesët  kurde të  teritoreve  të Iranit , Turqisë etj. Kurdistani do të jetë në të ardhmen një përthithës i shumë elementëve që do ti shërbejnë sigurisë së rajonit, Turqisë dhe mbi të gjitha Europës.   Paqa lypset të shoqërohet me rikëthimin e refugjatëve në vendet e origjinës (me ose  pa dashje), krehjen e Europës nga terroristët dhe  dergimin e tyre para drejtësisë  për të gjithë ata që kanë bërë krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Filed Under: Analiza Tagged With: asllan Bushati, BE-ja dhe muslimanet, Kriza

TAKIM ME KONGRESISTEN AMERIKANE ILEANA ROS-LEHTINEN

February 1, 2016 by dgreca

Nga Asllan Bushati/
Kongresistja (Congresswoman) Ileana Ros-Lehtinen,(e lindur ne Havana-Kube) është anëtare për një kohë të gjatë e Kongresit Amerikan dhe Kryetare Nderi e Komitetit të Puëve të Jashtme të tij, (Chair Emeritus of the House Committee on Foreign Affairs). Ajo është përfaqësuese e Floridas në Kongresin Amerikan,por dhe inisiatore dhe mbeshtetëse e vazhdueshme e rezolutave dhe dokumenteve të rëndësishme që kanë patur për objekt problemet e Kombit Shqiptar.
Me një ftesë të Kryetarit të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane Zotit Joseph J.DioGuardi, në pasditen e 29 janarit 2016, në Manhatan të NY, ( së bashku me anëtarët e Këshilit Drejtues të Vatrës Zoterinjt Zef Balaj dhe Ibrahim Kolari dhe nje grup shqiptaro-amerikan), patëm rastin të bisedojmë me Kongresisten e nderuar Ileana Ros-Lehtinen. Objekti i diskutimit kishte të bënte me fazen përgatitore te nje rezolute te Kongresit Amerikan per gjendjen në Ballkan.Pasi pershendeti Zoti Zef Balaj ne diskutimin tim parashtrova problemet e më poshtme:
“E nderuar kongresiste, në emër të një grupi shqiptaro-amerikan dhe në emrin tim personal, kam nderin t’ju shpreh mirënjohjen e thellë per punën tuaj të nderuar në Kongres dhe për mbështetjen e vazhdueshme që keni dhënë per Kombin tim.Por , me këtë rast dëshiroj t’ju parashtroj edhe disa shqetësime të cilat shpresoj t’ja bëni me dije Kongresit, Komitetit për Punët e Jashtme dhe Administratës Amerikane.
Në gjykimin tim, ceshtjet e Ballkanit në tërësi dhe ato shqiptare në vecanti, administrata amerikane,këto vitet e fundit , ja ka lënë në kompetencë ose si të thuash në një fare kujdestarie Bashkimit Europian (BE). Kjo ka krijuar një vakum dhe një zbrastësi (në radhë të parë shpirtërore , por dhe besimi) tek shumë bashkëkombast të mi, sepse Be-ja ka problemet e saja të shumta të pa zgjidhura (vecanërisht tashmë atë të refugjatëve) dhe e sheh Ballkanin si problem dytësor. Kurse problemet shqiptare, në raportë me Be-në ,si ceshtje të dores së fundit. Kjo është tërësisht në kundërshtim me ndjenjat e shqiptarëve të cilët janë më proamerikanët në botë. Njerëzit e thjeshtë kanë filluar të dyshojnë në se dashuria e tyre për Kombin Amerikan është një gjë reale dhe e dyanëshme, apo një iluzion.Kjo dukuri e kohëve të fundit vjen si reagim i gjendjes krijuar (thënë më sipër) edhe nga fakti që në trojet shqiptare ka korrupsiontë lartë,kriminalitet, keq qeverisje,mungesë investimesh e mbi të gjitha papunësi e varfëri të theksuar.
Si shtetas amerikan, e vlerësoj shumë punën e ambasadorëve tanë në Shqipëri, Kosovë, dhe Maqedoni. Por është krejt e pa mjaftueshme puna e tyre, në raport me situatën dhe gjendjen e krijuar, sepse reagimet e administratës dhe vecaërisht të Departamentit të Shtetit janë të vakta. Deklarimet, veprimet dhe qëndrimet për problemet shqiptare ose nuk bëhen fare, ose janë shpesh të përgjithëshme dhe evasive. Administrata amerikane ka dijeni të shumta dhe të sakta se cilët shtetar shqiptar janë të lidhur me krimin, prostitucionin, kontrabandën, korrupsionin dhe mafien, por ajo nuk flet ose edhe kur flet, thotë gjëra parimore thjeshë për të qenë brenda dhe jo për të shëruar plagët e kombit tim. Nuk kam parë një dokument zyrtar ose të paktën një artikull a njoftim të mediave kryesore amerikane, që ta venë “pikën mbi i” duke folur me emër, kohë , ngjarje dhe vend. Njerëzit e thjeshtë , madje dhe shumë intelektualë, i shohin këto fenomene negative, por nuk mund të flasin sepse humbasin punën, pasurinë ndoshta disa edhe jetën. Duke qenë popullatë dhe hapsira të vogla, e njohin njeri-tjetrin dhe kur dinë e shohin gjëra antiligjore ,nuk mund të flasin e veprojnë , sepse ndiehen të pa mbrojtur nga shtetarët e korruptuar dhe grupet e personat kriminal. Atëherë kur ata e kanë të pa mundur a duhet të sakrifikohen e të lihen nën shtypjen e përdhunim të banditëve? Akoma më hapur, pyetja shtrohet ,a e don kjo administratë të mirën e popullit mik a vëlla shqiptar( thuaj si të duash vëlla apo mik)? A don ajo që kriminelët dhe të korruptuatit shqiptar të largohen nga pushteti, nga skena politike dhe të përfundojnë para drejtësisë? Atëherë pse hesht? Opinioni im është se shqiptarët në Ballkan, janë factor stabiliteti,(këtë e ka treguar realiteti por dhe dokumentat amerikane e vërtetojnë një gjë të tillë). Duke qenë të tillë ato nuk duket të sakrifikohet per këtë qëndrim të tyre tolerant. Hapsira që ato zenë, është në kryqëzimin e rrugëve lindje perendim dhe veri jug të Europës juglindore.Por kjo hapsirë është strategjike jo vetëm për shqiptarët, por edhe për SHBA-në.
Një tjetër rrezik që i kërcënon bashkombasit e mi, është faktori i jashtëm, i cilët po bëhen gjithnjë e më veprues. Janë shtuar presionet ruse për dominim në Ballkan . Kjo prirje nuk është iluzore por reale.Rusia pas pushtimit të Krimesë, kërkon zgjerim influence në Ballkan në shërbim të sllavëve e ortodokësve dhe në dëm të shqiptarëve. Madje ajo ka lidhur marrveshje me Serbinë për blerjen dhe instalimin në kufijt me shqiptarët, të teknikës ushtarake ruse me rreze veprimi që mbulon gjithë hapsirat shqiptare. Rusia me forcën e shërbimeve të fshehta, po vepron fort në të gjitha trevat shqiptare.Ajo në bashkëpunim me Serbinë po pengon integrimin e Kosovës në organizmat europian e botëror,por me sa shohim në krye të segmenteve të mafias ballkanike, janë shërbimet sekrete dhe mafia ruse. Parë nga ky këndshikimi pyetja ime është, a e shikon administrate jonë amerikane një fenomen të tillë, dhe në se po pse nuk vepron?A e shikon ajo qëndrimin dyzues të Serbisë sa në rrugën europiane dhe aq me atë ruse? SHBA-ja dhe BE-ja janë në drejtimin e Kosovës që nga krijimi saj si shtet më vehte dhe deri më sot , dhe ajo nuk po integrohet? A ndien ndonjë përgjegjesi administrata jonë amerikane për këto probleme?
Këto vitet e fundit, ka një prirje për të ngritur institucione fetare (kryesisht xhami por jo vetëm), vend e pa vend në të gjitha trojet shqiptare. Janë qindra mijëra milionë dollar (ndoshta miliarda), per ndertimin , mbajtjen dhe predikimin në to. Shqiptarët nuk disponojnë fonde të tilla me mundësite e tyre të brendëshme, atëherë pyetja shtrohet nga vijnë gjithë këto fonde? A ka organizma dhe organizata jashtë shqiptare të interesuara për të investuar kaq shumë dollar në institucionet fetare shqiptare? Toleranca, bashkjetesa dhe mirëshkuesia fetare mijra vjecare shqiptare, kë shqetëson dhe kush është i interesuar për ta prishur atë? Papa vitin e kaluar bëri vizitë në Shqipëri dhe lavdroi në sytë e gjithë botës bashkjetesën fetare shqiptare, ndoshta këtë do ta bëjë edhe ne Kosonë, por pyetja shtrohet kush xhelozohet për këtë? Disa kanë në mendje e në zemër perandoritë e vjetra, disa kalifatin, disa sektet islame suni , disa atë shiit etj.
Shqiptarët duke qenë shumë të dëshpëruar me situatën ekonomike të pa shpresë në trojet e tyre,duke patur një korrupsion vetëm në rritje në cdo hallkë të qeverisjes, duke u ndodhur në një mjedis të shumë fijeve kriminale,e duke qënë të kërcënuar në shumë drejtime, dhe të pa mbrojtur nga shetet e tyre, kërkojnë ndihmë për një rrugëdalje. Vetëm në 2015 nga Shqipëri pati dyqind mijë kërkesa për llotarinë e emigrimit në SHBA , pa përmendur mijra të tjerë që emigruan pa sukse në Europë. Por, disa të tjerë ranë në duarë e mafies duke lëvizur në drejtimin Turqi-Siri e duke u bërë municin për terroristët e ISIS-it.
Mendoj se shërbimet tona amerikane kanë dijeni të plotë për sa më sipër, por nuk po shohim asnjë gjë konkrete të lëviz në këtë drejtim. Gjykoj se administrate amerikane duke ndihmuar ceshtjen shqiptare, në të njejtën kohë ndihmon edhe vehten e saj. Një faktori shqiptar i fortë në Ballkan mendoj se është shumë i dobishëm jo vetëm për interesat e tyre, por edhe për ato euro-atlantike.
Së fundi, Zonja Kongresiste, ju kërkoj të falur në se fola gjatë, por më ndieni se jam shumë i shqetësuar për situatën në trojet shqiptare. Ju falenderoj që më mundësuat të bisedoj me Ju, dhe konsideroj një korektesë të madhe filminin dhe incizimin e bisedës dhe shpresoj se ato do ti përcillni në drejtimin e duhur.”
Kongresistja e nderuar Ileana Ros-Lehtinen, më falenderoi për mendimet që i dhashë( ashtu sic bëri edhe për sejcilin folës vec e vec), për sinqeritetin me të cilin fola, dhe më premtoi se gjithsa biseduam do të jetë një nga problemet e punës saj për të ardhmen. Me pas e mori fjalen Z.Ibrahim Kolari i cili foli specifikisht per problemet e shqiptareve ne trevat shqiptare ne Maqedoni.

Filed Under: Komunitet Tagged With: asllan Bushati, Ilena Ros- Lehtinen, takim me kongresisten

ABAZ KUPI BURRE I PUSHKES DHE I KUVENDIT

January 11, 2016 by dgreca

Nga Asllan Bushati/*
New York- 9 Janar 2016 Sot mbushen 40 vjet nga dita kur u nda nga jeta, burri i madh i Kombit Shqiptar , gjeneral Abaz Kupi. Per këtë personalitet tashmë janë shkuajtur libra, artikuj, vjersha, poema, këngë etj. Por jam i bindur se akoma më shumë do të shkruhen në të ardhme, sepse e tillë është jeta dhe veprimtaria e tij. Cfardo të themi sot,në përkujtimoren e 40-të të tij, është fare pak, sepse asnjë llojë ligjërate nuk mund ta rroki aktivitetin dhe veprimtarinë patriotike të tij. Por në të njejtën kohë,ne kemi obligim para vehtes,fëmijve tanë, bashkëkohsëve dhe së ardhmes, të mblidhemi dhe qoftë edhe me pak fjalë, të kujtojmë e të sjellim në fokus ate cfarë bëri për kombin ky burrë i madh.
Të nderuar bashkëatdhetar,familja ime ka qenë përkrahse dhe dashamirëse e Mbretit Zog. Që në fëmijri prindërit më kanë folur me respect për Mbretit Zog, por po ashtu me shumë respect edhe për Abaz Kupin. Një vartës, mik, shok dhe bashkëpunëtor i Abaz Kupit, Kapiten Sali Llani (ish komandanti i forcave të Legalitetit në Mat), ka jetuar në shtëpinë time për më shumë se gjashtë muaj në kohën e Luftës Dytë Botrore. Ai ka lënë gjurmë të thella respekti tek Babai im dhe në të gjithë gjakun tim, vecanerisht per vlerësimin e anës ushtarake që ka bërë për Abaz Kupin. Kurse miq te familjes time në Gardhac të Kurbinit: Lam Kurti, Nel Lika, Dik Neziri dhe Dil Cakon e Met Ali Cakoni në Baz të Matit (të gjithë këta miq e bashkëluftëtar të Abaz Kupi), më kanë folë me ndieshmëri shumë të lartë për fjalën dhe burrërinë në kuvend të Abaz Kupit.
Të dyja këto cilësi të Abaz Kupit, pra mencurinë në kuvend dhe trimërinë në luftë, historiografia komuniste, nuk i ka përmendur kurrë, madje për ta errësuar sa më shumë figurën e këtij heroi popullor, ka hedhur shumë baltë mbi të, vetëm e vetëm që ta cvleftësonte sa më shumë që të ishte e mundur.Por sa më shumë koha kalon,aq më e shëndritëshme bëhet vepra dhe veprimtaria e tij.
Të nderuar bashkëatdhetar, më lejoni që me këtë rast, të sjellë në fokusin e kujtesës tuaj,për mprehtësinë dhe integritetin në bisedime të Abaz Kupit,thëniet e dy ushtarakëve të lartë britanik që janë diametralisht të kundërta me ata që ka thënë diktatori E.Hoxha..Së pari Julian Amery në librin “Bijtë e Shqipes” thotë:”Në takimin e parë me të u befasova nga përzemërsia që tregoi dhe vecanërisht më bëri përshtypje profili i tij me atë të Napoleonit, me një cullufe mbi ballë, me të cilën mundohej të fshihte një shenjë plage plumbi…Ai fliste pak me ngadalë, por me një shprehje të mahnitshme, me gjeste dhe me një ton të ngrohtë, të cilat përkthyesi i kishte shumë të vështirë të na i përkthente.”Së dyti Davis Smajli në librin me titull”Me detyrë në Shqipëri”, thotë:”Ishte i qetë dhe i rezervuar nga natyra, ai kishte sjellje të përsosur dhe kurrë nuk i tradhëtoi ndjenjat me ndonjë gjest apo shenjë të dukshme”. Po tu shtosh këtyre thënieve dhe mendimet e tij ne Konferencën e Pezës dhe atë të Mukjes, në mbledhjet e Shtabit Pergjithshëm dhe në cdo kuvend që ai ka qenë i pranishën, bindëshëm mund të thuhet se ai ishte burrë i madh i kuvendeve shqiptare.
Historiografia komuniste , jo vetëm nuk e ka vlerësua, por nuk i ka permendur as dhe emrin në një nga ngjarjet më të medha sic ishte rezistenca kundër pushtuesve fashistë italiane më 7 prillë të vitit 1939. Ai nuk ishte një i pa njohur per kohën, por ishte Komandanti i Mbrojtjes Kombëtare, ku i bëri rezistencë armikut pushtues edhe në një raportë forcash 50 me 1, rezistencë që i dha nder Shqipërisë në sytë e gjithë botës. Po ashtu nuk u përmend asgjëkundi lufta e 3 gushtit të vitit 1943 nga Qaf-Shtama deri tek Pylli i Kadiut ku u asgjësu tërësisht regjimenti Italian “Guida”, luftimi në pritë në Klos, Ura e Lus, Kurdari, lufta kundër gjermanëve në Krujë,lufta e Koplikut kundër serbve etj , vetëm se të gjitha këto e shumë të tjera i organizoi e drejtoi Gjenerali i madh popullor Abaz Kupi.
E nderuar Familja Kupi, të nderuar bashëatdhetarë. Mendoj se ka ardhur koha të bëhen disa ndryshime në funksion të kujtimit të veprës kombëtare të Abaz Kupit.
Së pari, këtej e tutje, sygjeroj të përkujtohet e të festohet , ditëlindja e Abaz Kupit. Pra 6 gushti të këthehet në një festë popullore,ku të përcillen në mënyrë festive cdo gjë që ka lidhje me figurën dhe veprimtarinë e tij. Kjo jo vetën nga familja, por nga gjithë organizmat shoqëror e shtetror.Festimi të ketë kumtesa, këngë, valle,muzikë, pije dhe ushqim.
Së dyti: Monografia që është bërë për Abaz Kupin duhet të ri shkruhet ,sepse kanë dalë shumë dokumenta , kujtime e materiale të rëndësishme të cilat nuk janë përfshirë në këtë botim. Por në të njejtën kohë, botimi i ri të nxjerrë më mirë në pah gjithë dimensionet e figurës së Abaz Kupit .
Së treti: Eshtrat e trupit të pajetë të heriot popullor Abaz Kupit e kanë vendin pranë munomentit “Nëna Shqipëri” në Tiranë. Këtë detyrim e ka komuniteti shqiptar i Amerikës dhe Partia e Legalitetit, (madje edhe Vatra e shoqatat etjera duhet të ndihmojë ),në kordinim me autoritet shtetrore në Tiranë .
Së katërti: Një bust i bronxtë i Abaz Kupit në qytetin e Krujës, do ti bënte nder gjithë shqiptarisë. Shpenëzimet për të duhet ti marrë përsipër Partia e Legalitetit në bashkpunim me komuniteti shqiptaro-amerikan dhe Bashkinë e Krujës.
Të nderuar pjesëmarres, në emër të Federatës Panshqiptare Vatra, dhe në emrim tim, i shpreh ndiesitë më të larta Familjes Kupi dhe ju që ishit të pranishëm në këtë përkujtimore. I nderuar qoftë për mot e jetë kujtimi dhe vepra e Abaz Kupit.
*Nënkryetari i Vatrës

NY , më 9 Janar 2016.

Filed Under: Vatra Tagged With: 40 vjetorin e Abas Kupit, asllan Bushati, Fjala

RRETH LIBRIT TE KOL BIB MIRAKES “ VETVRASJA E NJE KOMBI’

December 14, 2015 by dgreca

Tashmë dihet, por duhet të fort theksohet se manipulatori më i madh i historisë së Kombit Tonë, është Enver Haxha . Ai deshi që edhe figura e Skënderbeut të mos vlerësohet në përmasat e saj historike, sepse mendonte(me mendësitë e diktatorit), se përmasat reale të figurës së heroit kombëtar i bënte hije figurës së tij, duke e vetëquajtur vehten si heroi më i madh shqiptar i të gjitha kohrave. Ky mentalitet primitive, u përcoll në të gjitha librat e shkollave dhe vecanërisht në tekstet e Historisë së Shqipërisë.

Ne që u shkolluam në Shqipëri në vitet e diktatutës totalitare, me përjashtim të të dhënave gojore nga prinërit, nuk mundëm të njiheshim me dokumentat dhe mendimet e aktorëve të tjerë politik , të pas vitit 1912, vit kur u kriju Shtetit Shqiptar e më pas. Ishin vetëm njerëzit tepër te besuar të regjimit, që mund t’i shihnin dokumentat dhe të shkruanin jo të vërtetën,por sic i pëlqente diktatorit, kurse për të tjerët ishte herezi. Pra, për masën e madhe të intelektualëve, kishte një errësirë të plotë informative për figurat e së kaluarës,qeveritë, vendimet, qëndrimet zyrtare, dekretet etj. Cdo gjë ishte bardh e zi, ku E.Hoxha dhe partia e tij, ishin patriot, kishin bërë cdo gjë të mirë për kombin, kurse të tjerët ishin kolaboracionist e tradhëtar. Pra historia jonë niste e mbaronte vetëm me diktatorin dhe partinë e tij.

Kur sistemi totalitar në Shqipëri u shemb, unë si shumë intelektualë të tjerë, pata mundësinë të njehem me shumë fjalime, artikuj, dekrete, vendime, rregullore, dokumenta e plane te mbrojtjes kombëtar, libra e biografi etj , të Mbretit Zog . Aty pashë se kishim të bënim me një figurë politike, udhëheqës, burrë shteti, me përmasa krej ndryshe nga ato që na kishte servirur hisoriografia komuniste. Po keshtu më ndodhi dhe me figurën e Abaz Kupit të cilen E.Hoxha me duart e tij dhe regjimi e kishte baltosur në përmasa të pa para, duke e paraqitur atë si injorant i pa gëdhendur, gënjeshtar e i pa besë etj. Kurse kur mu mundësua të shoh cfarë thonin britanikët për të, cfarë thonin dokumentat e kohës dhe njerëz që e kanë njohur atë personalisht, kur u shkruajtën biografi për të, pashë përmasat e heroit popullor, njeriun trim e atdhetar i madh.

Për Mustafa Krujën (Merlika) dhe figurën e tij, cdo gjë e zezë dhe cdo përcaktim negative ishte thënë kudo e kurdoherë për të, nga regjimi i diktatorit E.Hoxha. Por, kur kam lexuar disa shkrime të tij për atdheun,analiza politike të kohës, shkrime për albanologjinë dhe vecanërisht fjalorin e gjuhës shqipe, kam thënë me vehte, dhe e kam shkruajtur edhe në shtyp, se ai është një figurë me rëndësi e kohës së tij. E njëjta gjë më ka ndodhur edhe me figurën e Kol Bib Mirakës, por kur lexova librin e tij “Vetvrasja e një kombi”, më mundësoi të kemë një kënd të ri shikimi për atë si figurë politike, por edhe për shumë bashkëkohës të tij. Ata krahas vijimsisë së mbrojtjes hebrejve ( që kishte filluar që në kohen e Mbretit Zog, e me të cilën krenohemi të gjithë, përfshi dhe komunistët), i bënë vendit edhe dy vepra të mëdha sic ishte bashkimi i trojeve shqiptare nën një qeveri të vetme, (të cilën ne s’po e ribëjmë dot sot),dhe hapja e shkollave shqipe në cdo cep të trojeve shqiptare për të zhdukur analfabetizin që ekzistonte. Brezi im dhe brezat që do të vijnë, këtyre figurave (dhe shumë të tjerave), le t’ju bënë vrejtjet për punët që nuk i kanë bërë mirë, por edhe meritat jo vetëm nuk duhet t’ju a mohojnë, por duhet t’ju a vënë në dukje thjeshtë ashtu sic janë pa zbukurime e stërhollime.

Këto ditë dhjetori të 2015-tës, ne festuam edhe 25 vjetorin e përmbysjes së regjimit komunist në Shqipëri. Në vetëdijen time, kjo është një nga ditët më të të rëndësishme të popullit shqiptar. Mendoj se na bën nder të evokuojmë respect për studentët që u ballafaquan me diktaturën dhe Sali Berishën që na priu në këto vite të tranzicionit. Ata na mundësuar lirinë, të drejtat e njeriut, lëvizjen e lirë, afrimin me kontinentin mëmë, pranimin në Nato dhe perspektivën në BE etj. Unë personalisht nuk kam asnjë kompleks të deklaroj , madje ndjehem krenar, që në këtë udhëtim kam qenë përkrah Sali Berishës në mendim e veprim.

Po ashtu mendoj se Vatra me veprimtaritë ,deklaratat, aktivitetet dhe promovimet që ka bërë e po bën, jep një ndihmesë të vyer per komunitetin shqiptar në SHBA dhe për kombin në tërësi. Këto lypset të shtohen, në të ardhmen dhe mundësisht të ngrihen në nivele më të larata që t’i përgjigjen më mirë kërkesave dhe kohës.

Nënkryetari i Vatrës

ASLLAN BUSHATI

 

Filed Under: Opinion Tagged With: asllan Bushati, RRETH LIBRIT TE KOL BIB MIRAKES, Vetvrasja e nje Kombi

PROTESTA E OPOZITES ME 8 DHJETOR

December 9, 2015 by dgreca

OPINION NGA ASLLAN BUSHATI/

Sic premtoi, opozita e Shqipërisë zbriti më 8 dhjetor 2015 në (kuadrin e 25 vjetorit të shembjes së diktaturës komuniste) në shesh betejë. Fillesat e demostrimit të forcës opozitare, ishin bërë të ditura që më parë në Parlament dhe në media , por të detajuara ato u cfaqën në demostratë. Brendia e demostratës ishte thellësisht politike dhe me kerkesa të qarta për të sotmen dhe të ardhmen e afërt. Përmbledhtazi mund të themi se opozita në demostratë , deklaroi formulimet e më poshtëme:”Edhe pas 25 vitesh atdheu ynë i përbashkët nuk gjenë paqe, jemi këtu për t’i dhënë atdheut atë që i mungon ,pra paqen sociale.Jemi këtu për ti thënë ndal rikthimit të së kaluarës komuniste diktatoriale dhe vrasjes së shpresës. Nuk duam të jemi bashkëfajtor në rrezikimin e mëtutjeshëm të së ardhmes së vendit. Kjo qeveri në dy vite e ka mbyllur ciklin e vet, sepse Shqipëria me udhëheqjen e saj, po prek fundin e varfërisë. Korrupsioni dhe krimi i organizuar kanë përfshitë cdo segment të qeverisjes dhe jetës shoqërore, dukje e këthyer vendin në një skëterrë e pa perspektivë ku shqiptarët ikin nga vendi i tyre, sic ikin sirianët nga lufta. Mijra gra e vajza janë larguar dhunëshëm nga puna, mbi 400 mijë të rinjë kërkojnë azil në Amerikë dhe BE. Qeveria e tanishme është këthyet në një regjim policoro- totalitar. Askush nuk mund të na gjunjezojë pa rrëzimin e ketij rregjimi. Shqipëria është buzë greminës me këtë udhëheqje të pa përgjegjëshme.Si përfundim i gjithsa më lart largimi sa më para i qeverisë Rama – Meta, kalimi në një qeveri teknike dhe shkuarja në zgjedhje të parakohëshme , i bën mirë ekonomisë, paqes sociale, të ardhmes dhe vendit në tërësi,”

Me ndiesitë e më sipërme, (madje shumë e më shumë se kaq), dhe me mëllefin e grumbulluar për dy vite, qindra mijra njerëz të përfshirë në vorbullën e kësaj kauze, zbritën në Sheshin “Skenderbej” dhe para godinës së Kryeministrisë. Nën thirrjet e fjalimet e Kryetarit të PD-së Z.Lulëzim Basha dhe të drejtuesve të rinj e të vjetër, i treguan muskujt qeverisë dhe bënë me dije se ky është fillimi i revolucionit demokratik të paralajmëruar. Disa që hodhën gurë e sende të forta kundër godinës së Kryeministrisë e dy ministrive të tjera ,bënë gabim duke i kaluar caqet e një demostrimi demokratiko-paqësor, por këto ishin thjeshtë disa individ të vecuar. Kurse ata që hodhën bojë e vezë, bënë mirë se i thanë qeverisë me gojë e me shkrim ”shiko se e kemi seriozisht ,prandaj ndal e na dëgjo edhe ne”.

Pas demostrata, akuza e kunder akuza.

Qeveria, duke u fshehur pas një deklarate të Ambasadës Amerikane në Tiranë dhe të BE-së, përpiqet ta cvendos vemenjen e opinionit nga brendia politike e demostratës tek” dhuna, vandalizmi e mungesa e vizionit të opozitës”.Ajo thotë se lëvizja e dhjetorit të 1990-tës, ishte krejt ndryshe nga kjo e sotmja. E para kishte synim përmbysjen e komunizmit, kurse kjo e sotmëja rivendosjen e metodave të dhunëshme të komunizmit, rivendosjen e ideve diktatorshipe të tetë viteve të fundit të PD-së. Ajo e dhjetorit 90 ishte liri –demokraci, kjo e sotmëja qesharake, e dhunëshme e anti art, duke patur parasyshë djegien e prishjen e bunkerit pranë Ministrisë Brendeshme. Lidershipi i PD-së, (sipas qeverisë) i bëri thirrje turmës të sulmonte godinën e Kryeministrisë dhe ministritë duke i shkaktuar vendit 164 miljon lek dëmtime. Dekomunistizimi dhe dekriminalizimi, janë parrulla idiote të opozitës të cilat nuk i sjellin asaj asnjë votë, përkundrazi e cvleftësojnë atë. Kurse Edi Rama në face book i vu kapakun akuzës duke e cilesuar demostratën si “shëmti e trishtueshme e mendjeve të errta të SHQUP-it, keqardhje për të verbërit, neveri për politikat e PD-së etj”. Këto e shumë letrarizime të tjera ishin akuzat e qeverisë ndaj opozitës ,duke u përpjekur të largojnë vemendjen nga realiteti i hidhur shqiptar.

Kurse kundër akuzat e opozitës ndaj qeverisë, vec atyre të theksuara fort gjatë demostratës, vijuan edhe më pas në masmedja, ku theksohet se: “ Ne jemi të bindur në rrugën që kemi zgjedhur, sepse ekonomia ka rënë në kufij të pa pranueshëm, shteti është kapur nga krimi dhe korrupsioni madje është bërë shpesh ortak me të. Liria e individit është cënuar, më shumë se 38 mijë persona janë të burgosur, modeli juaj i qeverisjes nuk është model i ri, por model i kërcënimit të gjithanëshëm dhe i kamxhikut.Kjo lëvizje është mbarë popullore, demokratike e civile pa kriminelë.Hedhja e sendeve të forta mbi godinat qeveritare nga disa persona të vecantë është e dënueshme edhe nga opozita, madje deputetë të PD-së dolën para turmës dhe i ndaluan ata të bënin xheste të tilla. Kurse djegia dhe shembja e bunkerit (me ftesë të përfaqësuesve politik të të dënuarve politik) është e pranueshme, sepse ai si symbol, provokonte ndjenjat e një shtrese të shumëvuajtur nga regjimi totalitar.Ata ja bënë me dije shumë herë qeverisë vullnetin e tyre, por ajo e bëri veshin e shurdhër, madje provokoi me foto e shalla të E.Hoxhës dhe dhënien e dekoratave kriminelëve të nomeklaturës kuqe, deri sa mllefi u shumëfishu. Asnjë polic dhe asnjë institucion politik nuk u prek. Ju shumëfishuat borxhet,mbytët bizneset e vogla, humbët mbi 500 milion euro nga afera korruptive me CEZ-in, miloina të tjera në dogana e në tendera të qeveritarëve duke i shkaktuar dhimbje të mëdha këtij populli.

Këndshikimi i një emigrant në SHBA.

Festimi i 8 dhjetorit (vecanërisht përvjetore si ky i sivjetëmi), i bëjnë mirë shoqërisë shqiptare sot ,mot e sa të jetë jeta. Kjo ditë ju sjellë njerëzve në kujtesë një regjim sadist,gjakatar, e totalitar gati 50 vjecar që sundoi Shqiprinë. Por po ashtu ajo, ju kujton rininë studentore dhe intelektualët që drejtuan atë lëvizje dhe përmbysën regjimin komunist si: Azem Hajdari, Sali Barisha, Gramoz Pashko,Aleksander Meksi,Arben Imami, Genc Ruli,Besnik Mustafaj,Besnik Selami, Prec Zogajetj, të cilët u përballën me regjimin. Vlerat e 8 dhjetorit janë të shumëfishta se ato sollën: lirinë e individit, të drejtat e tij, transformimin e shtetit nga totalitar në sherbim të individit, hapsira për pronë e biznes, shkollimi, levizja e lirë, punësimi, zhvillimi e mbrojtja e vlerave etj.

Pikpamjet e mija politike nuk përputhen me ato të Edi Ramës për zhvillimin shoqëror e politi të Shqiprisë, por dështimin e tij në politikat ekonomike, seriozisht nuk e kam dëshiruar. Jo nga simpatia por nisur nga interesat familjare e kombëtare. Në këto dy vitet e qeverisjes së tij, familjarët e mi, të afërmit, njerëz të krahinës e të njohur nga treva të tjera, janë më të varfër se më parë, kanë marrë rrugët e mërgimit dhe kanë boshatisur fshatra e krahina të tëra nga keq qeverisja. Ne keto kushte e ndej për dertyrë t’ju bëj thirrje gjithë shqiptarve t’i bashkohen opozitës dhe kauzës së saj, për të larguar qeverinë Rama-Meta me mjete demokratike, pa dhunë pa eksese, për të kaluar në një qeveri teknike dhe më pas në zgjedhje te reja e të lira. Në se ata nuk pranojnë opsionin e opozitës, atëherë , kjo e fundit ka të gjithë të drejtën të bllokojë parlamentin,komisionet e tij, institucionet qëndrore të qeverisë e deri tek rrugët kryesore të komunikacionit. Në se ajo e bën një gjë të tillë pa thyer edhe një xham të vetëm do ta duartrokas dhe përkrah pa asnjë rezervë. Por, në se dhunon do ta qortoj po ashtu pa asnjë rezervë dhe do ti ftoj njerëzit ta braktisin kauzën e saj.

Klasa politike në Shqipëri këtë cerk shekulli pas shembjes së diktaturës totalitare ka bërë shumë gabime, të cilat kanë patur e vazhdojnë të kenë kosto dhe dhimbje të madhe njerzore. Shpresoj të ketë marrë sado pak mësim nga kjo përvojë e hidhur. Shpresoj po ashtu ,se edhe SHBA më fort e pa doreza diplomatike, do të godasin cilindo qeveritar që lidhet me afera korruptive e kriminale.

Filed Under: Opinion Tagged With: asllan Bushati, ME 8 DHJETOR, opinion, PROTESTA E OPOZITES

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • …
  • 23
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT