• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DJEGIA E MANDATEVE, NJË VENDIM POLITIK I TEJSKAJSHËM, POR I DOMOSDOSHËM

February 19, 2019 by dgreca

Asllani 07

OPINION NGA ASLLAN BUSHATI/

Në sytë e publikut shqiptar konfiguracioni i Parlamentit të  pas 2013-tës, dukshëm është çfaqur  më shumë si një autokraci  e Edi Ramës , se sa një demokraci e vërtetë parlamentare. Sepse ai pothuaj të gjitha vendimet i ka marrë  vetë (shpesh në këmbë) pa pyetur askënd,pa u konsultuar, pa krijuar asnjë hapsirë për të tjerët e për  një mendim më të gjërë  e përgjithësues. Interesat e klanit tij, e deri në një farë mase të të ashtuquajturës elita e rilindjes socialiste,u janë imponuar interesave të të gjithë shoqërisë shqiptare. Fodull,mburravec, i pa cipë, arrogant, përçmues, imponues, i dhunshëm, tallës, hipokrit, gënjeshtar etj (veti e virtyte këto të dobta për nje kryeministër) , ai i ka manifestuar si asnjë paraardhës  tjetër në në këtë detyrë. Partia socialiste si forcë lëvizëse e së majtës shqiptare, është marrë peng nga ky klan, dhe askush nuk guxon të çfaqë mendim ndryshe pale më të kundërshtojë idetë e praktikat e Edi Ramës.

Opozita megjithë  përpjekjet e shumta  për ti kanalizuar e zgjidhur  problemet e mëdha shqetësuese të shoqërisë në rrugë parlamentare, mbeti si një fasadë  sepse nuk pati hapsirën e duhur e të nevojshme për të vepruar. Motoja e Edi Ramës : ”S’keni parë gjë akoma” u kthye në një metodë pune jo bashkëpunuese me opozitën duke i mbyllur asaj çdo shteg e duke hedhur poshtë me kartona  të gjitha propozimet e  saj.

Kujtojmë këtu luftën që ajo bëri nga foltorja për vjedhjen e votave elektorale të cilat ndryshuan konfiguracionin e Parlamentit. Por askush nuk ia vuri veshin dhe sot Prokuroria  ka fakte të pa kundërshtueshme se opozita ka patur të drejtë. Në parlament ajo bëri një betejë të vërtetë kundër  kanabizimit dhe drogave të tjera, sa sot është e njohur edhe botërisht se kjo ka qenë e vërtetë. Ju përvesh luftës kundër kriminalitetit  i cili kishte mbërritur deri  në Parlament e në hallkat drejtuese të qeverisjes si asnjë herë më parë në Shqipëri. U impenju fort për reformën në drejtësi duke bërë amandamente të qënësishme që ajo të kishte pavarsi e të mos kapej nga askush, por ditën pas miratimit konsensual filloi manovra për kapjen e saj me çdo kusht nga klani i Edi Ramës. Sot Shqipëria  është pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të lartë,  me një Prokurore të Përgjithëshme të Përkohëshme dhe e zgjedhur në mënyrë antikushtetuese. Kjo erdhi sepse Edi Rama pati frikë  nga drejtësia e vërtetë, duke menduar se ajo mund ta mbyllte atë ( dhe klanin e tij të inkriminuar që drejton) prapa hekurave  të burgut.  Qëllimisht ai e shkatërroi reformën  në drejtësi sepse  e filloi  nga lart poshtë dhe jo nga e kundërta. Po ashtu qëllimisht investoi shumë tek përfaqësuesit ndërkombëtar duke i mashtruar e duke i future ata në qorrsokak. Shumica  e njerëzve  sot mendojnë se reforma në drejtësi (megjithë investimin e madh ndërkombëtar) ka dështuar. Veç këtyre Edi Rama i friksuar nga sa më sipër, minoi edhe vetingun në politikë, duke i bërë një dëm të madh  gjithë shoqërisë shqiptare.

Parë e vlerësuar nga këndshikimi politik gjithë tabllonë e zymtë të mësipërme, shto këtu edhe:  korrupsionin galopant, papunësinë, emigrimin, varfërinë e tejskajshme, demostratat e studentëve dhe të qytetarëve  etj, opozita vendosi të verë  vehten në provë (në test)  me demostratën e 16 shkurtit në  Tiranës.  Testi tregoi se ajo  ishte  demostrata më e madhe e historisë së pluralizmit dhe se qytetarët ishin pranë e me opozitën. Ky lexim i demostratës  i hapi rrugën vendimit politik të tejskajshëm  të opozitës  për djegien e mandateve parlamentare. Ky veprim ishte i beftët në lëvizje  dhe i pa dëgjuar më parë në historinë parlamentare të Shqipërisë . Kështu ajo shokoi klanin e Edi Ramës, por edhe ndërkombëtrët në Tiranë disa prej të cilëve  kanë qenë jo pak mëkatar me këtë opozitë  prej një kohe të gjatë.

Djegia në bllok e mandateve të  opozitës, gjykoj se  është bërë e mirmenduar dhe  e parë  si mundësia e fundit ( madje dhe e vetme) për disa qëllime politike ku më kryesoret janë:

Për ta larguar Edi Ramën dhe shpurën e tij të korruptuar e të inkriminuar nga qeverisja. Krijimin e një qeverie tranzitore  e cila do të mundësonte krijimin e mjedisit e të  kushteve të  përshtatëshme e të domosdoshme për zgjedhje të lira. Çuarja e vendit në zgjedhje  të parakohëshme. Krijimi i imazhit të demokracisë funksionale që do të çonte Shqipërinë drejt hapjes negociatave me BE-në, duke theksuar se  në  themel e në brendi të kauzës së opozitës është:” zgjedhje të lira e të ndershme me çdo çmim”.

Por djegia e mandateve, si një opsoin i ri dhe i pa provuar më parë, gjykoj se  mbart edhe disa rreziqe të cilat mund ta ndryshojnë kahun e drejtimit të lëvizjes politike edhe për keq. Kështu,duke patur vakum kushtetues për një fenomen të pa njohur , ekziston një mundësi që formalisht parlamenti të mbushet me  njerez të tjerë të klanit të Edi Ramës (maxhorancës) dhe  të shkohet si i thonë fjalës “nga shiu në breshër”. Opsion tjetër është që Edi Rama të mos merakoset fare për lëvizjet politike të opozitës dhe të vazhdojë të drejtojë vendin me qeverinë dhe grupin e tij parlamentar pa opozitë (si në monizëm). Kjo do të ishte gjëja më qesharake për Shqipërinë e 2019-tës , antare e NATO-s dhe kandidate për në BE.

Në kushtet e këtyre opsioneve, opozita  me siguri do të përshkallëzonte hapat drejt radikalizmit  për arritjen e qëllimeve të përcaktuara në platformën e saj. Ndoshta radikalizimi do të çonte në konfrontime me qeverinë dhe situata mund të precipitonte  deri në një luftë civile. Atëherë dëmi do të ishte kolosal për gjithë popullin në Republikën e Shqipërisë dhe afrimi me BE-në do të ishte dekada larg  (kështu në vend që të venim vetullat nxorrëm sytë).

Nga ana tjetër,  në se opozita,  tërhiqet nga kauza e deklaruar,  atëhere ajo ka  kryer vetvrasje  politike dhe me vetdije ka  thirrur funeralin e saj. Kështu që përfundimisht  jemi para disa situatave të  panjohura dhe të komplikuara.

Pyetja më e rëndomtë në këtë rast do të ishte: a ka ndonjë zgjidhje më të pranueshme dhe me sa më pak dhimbje e sakrifica? Mendoj se po. Më e thjeshta do të ishte që Edi Rama ta kuptonte situatën  në të cilën e ka katandisur Shqipërinë dhe të pranonte opsinin e opozitës. Në të njejtën kohë  Partia socialiste (sa nuk është vonë),  duhet të braktis avanturierët, oligarkët  e të inkriminuarit dhe të riformësojë të majtën shqiptare si mbrojtëse e shtresave të vobekta  e të vlerave të së majtës europiane. Një tjetër do të ishte ndërhyrja e ndërkombëtarëve, por në  këtë rast duke qenë palë me opozitën së cilës i kanë borxhe veçanërisht me veprimet e qëndrimet e Lu-ve, Vlahutin-ëve, Mogerin-ëve etj.

Filed Under: Opinion Tagged With: asllan Bushati, Djegia e mandateve, i tejskajshem, VENDIM POLITIK

SHËN VALENTINI DHE DASHURIA

February 14, 2019 by dgreca

Asllani 21

Nga Asllan BUSHATI/

Të paktën ka më shumë se tri mijë vjet që shkruhen e këndohen këngë  për dashurinë si ndjenja më e bukur njerëzore. Kjo shprehet qartë  në librat e hershëm dhe në këngët popullore (folkun)  e shumë popujve që i rezistuan  asimilimit e zhdukjes. Edhe në këngët tona popullore shqiptare , të herëshme e të ditëve të sotme , ndenja e dashurisë është mjaft e fortë  dhe gjurmlënëse. Mbi këtë bazë (traditë),  është mbështetur edhe kënga popullore qytetare, muzika e lehtë dhe shumë zhanre  të  tjera muzikore.

Kurse për Shën Valentinin si simbolizimi dhe mbrojtësi i dashurisë, të paktën  shkruhen e krijohen thënie, anekdoda, poezi, shkrime etj, këto  njëmijë e shtatëqind vitet e fundit. Në Shqipëri komuniste  të E. Hoxhës, ishte herezi ta përmendje emrin ”Shën Valentini”, por mund të pranohej me gjysëm zëri  vetëm “dita e të dashuruarve” duke parafytyruar vetëm një tufë me lule “mimoze” ose një kartolinë. As që mendohej për dreka, darka e aktivitete  muzikore  si sot, sepse partia shtet kishte futur e ligjësuar në jetën e shqiptarëve , datat e veta.

Unë nuk kam talentin as të shkrimtarit e as të poetit  dhe nuk zotroj mjetet e duhura të të shprehurit  artistik për të dhënë përcaktime  për Shën Valentinin  dhe dashurinë. Por duke qenë se sot është 14 shkurti, i shenjuar në kalendar si dita e të dashuruarve (Shën Valentini), si shumë njerëz të tjerë  në botën shqiptare  e më gjërë, po shpreh disa mendime nga përvoja ime dhe  nga c’kam lexuar e dëgjuar  për këtë temë.

Më përpara martesat (jo vetëm tek ne shqiptarët), kanë qenë objekt interesash dhe shumica nuk kanë patur asnjë lidhje me dashurinë. Kështu kanë vepruar mbretëritë, bajraqet, fiset, shtëpit etj, duke thënë :” kemi zënë një miqësi të mirë, derë fisnike, derë bujare, shtëpi pushke e trimërie, shtëpi e kamur etj etj.

Por dashuria në të vërtetë nuk është interes. Për të ka shumë përkufizime, thënie të qëlluar dhe zbërthime, të cilat vërtetojnë se ajo është ndjenja më e thellë dhe më e bukur  njerëzore  që të jep qetësinë e duhur shpirtërore dhe të motivon për të jetuar me të gjitha të mirat që na rrethojnë. Dashuria është plotësim i shpirtit të boshuar, në ankth ,në  pritje, në  ekstazë, në zemrim, në stres e  trysni,  madje edhe  në rutinën e përditëshme. Pa dashurinë s’do të kishte kuptimin e duhur vetë  jeta, sepse ajo kërkon më së pari të falësh dhe të marrësh dashuri, madje të kujdesesh se mos ajo venitet, dobësohet ose humbet. Humbja e dashurisë është errësirë e madhe dhe boshllëk shpirtëror.

Në gjykimin tim dashuria nuk është gjithnjë në  brendinë e një lidhjeje,( fejese, bashkjetese apo martese). Madje statistikat dhe studiuesit tregojnë se martesa në shumicën e rasteve është vrasëse e dashurisë. Por edhe si e tillë martesa (bashkjetesa), është domosdoshmëri se pa të cilën, ska  riprodhim  të jetës, ska familje si bazë e shoqërisë, ska vijimsi dhe në fund ska edhe dashuri.

Dashuria në një aspekt tjetër, cfaqet edhe si një lidhje  e fortë shpirtërore me prindërit, bashkëshorten, fëmijët, vllezërit , motrat, nipat, mbesat, kushërinjt, gjakun e gjininë, shokët, miqt, kolegët, dashamirët etj. Po ashtu cfaqet edhe për kombin si një forcë e brendëshme  shtytëse për mardhënie të forta e të qëndrueshme  politike, ekonomike, kulturore, etike, estetike, morale, ushtarake, shkencore, sportive etj.

Nuk ka gjë më të keqe për dikë, që nuk dhuron  e nuk pret dashuri. Shpirti i tij i boshtë, ka humbur cdo gjë, përfshi dhe shpresën që thonë se vdes e fundit.

GËZUAR  këtë Shën Valentinin dhe shumë e shumë të tjerë shoqëruar me  një oqean me dashuri.

Filed Under: ESSE Tagged With: asllan Bushati, Shen Valentini

SHQIPTARË E HEBRE NË OKB PËR HOLOKAUSTIN E PËR BESËN

February 2, 2019 by dgreca

1 alison

1 asllani 3Nga Asllan Bushati /

Më 31 Janar 2019, prej orës 11 deri në 2 të mesditës, në sallëm e konferencave Nr.1 të OKB-së,  u mbajt një  miting madhështor  me temë: Për një ceshtje të humanizmit-  me subject specifik :”The Rescure of Jews in Albania during the Holocaust”(Shpëtimi i hebrejve  në Shqipëri gjatë Holokaustit). Të pranishëm  në miting ishin drejtues të OKB-së, personalitete  të rëndësishme të të dy komuniteteve, kongresmenë,ambasadorë,të zgjedhur vendor, intelektualë, biznesmenë, e aktivistë shqiptarë e hebre.

Aktivitetin e hapi me një fjalim të shkurtër Nënsekretarja e Përgjithëshme e OKB-së për Komunikimin Global Zonja Alison Smale. Ajo në vazhdim kreu edhe rolin e moderator, ku menjëherë i ftoi të pranishmit  të ndiqnin për tre-katër minuta një klip filmik të Prof. Yael Katzir, i cili nënvizonte se në kanunin shqiptar të mbledhur(në një dokument të vetëm nga Shtjefën Gjecovi), “besa “ si institucion zinte një vend shumë të rëndësishëm. Ky kod nënvizohej në film,është një realitet i gjallë edhe ditët e sotme.

Më pas e mori fjalën për të mbajtur ligjëratën kryesore Ambasadorja e  Republikës Shqipërisë në OKB Zonja Besiana Kadare. Ku në mënyrë të përmbledhur ajo nënvizioi se në kohën e holokaustit shqiptarët si individ e si  komb  ishin një shembull fuqiplotë humanizmi për hebrejt, përballë fytyrës brutale të nazizmit. Kurse në ditët e sotme kjo mund të shërbej edhe si një shembull i mirë , e si një faktor veprues  për të  ngritur e inkurajuar shoqërinë civile që ajo të mbrojë fort  të  gjitha drejtat e detyrueshme  njerëzore  dhe trajtimin e dinjitetshëm të gjithkujt.

Më pas e mori fjalën Presidenti i Kongresit Botëror të Hebrejve Zoti Ronald Lauder i cili me superlative  nënvizoi faktin se në kohën e holokaustit jo vetëm asnjë hebre nuk humbi jetën në Shqipëri, por  përkundrazi në fund të Luftës Dytë Botërore (LDB), kishte shumë më shumë hebre në Shqipëri se në fillim të LDB-së. Kjo ndodhi se  muslimanë, katolikë  e ortodokës në Shqipëri, ju dhanë besën e tyre  hebrejve dhe i mbrojten ata duke i strehuar në familjet e tyre  deri duke u tjetërsuar përkohësisht  emrat e duke i përshtatur me ato shqiptarë. Kjo gjë nuk ndodhi me qeveritë dhe popujt e tjerë të Europës. Shqipëria është shembull i vetëm.

Më pas ju adresu të pranishmëve Anna Kohen (Doktoreshë stamatologjie) si një bijë hebrejsh të shpëtuar nga  shqiptarët në kohën  e holokaustit dhe e lindur e rritur në Shqipëri (Vlorë), aktualisht shtetase amerikane. Thërimzat e  jetës në “Trevllazër” e në Vlorë me gojën e Annës, mbushën me argumenta jetësore  ligjëratën e saj se hebrejt  bashkjetuan me shqiptarët në një vllazëri të vërtetë.

Në vijim Zonja Majlinda Myrto, Drejtore Ekzekutive e Fandacionit Syri i Kontaktit, solli kujtime e  ndjesi shpirtërore  familjare nga kujtimet e vjehrrit ,e familjarëve të tij, gjatë holokaustit  për shpëtimin e hebrejve. Në trajtesë  u vu në dukje se   roli që luajti  (në këtë periudhë )  familja e vecantë shqiptare  ishte përcaktues  në  kuadër  të rolit e të vlerës përgjithëshme  kombëtare shqiptare.

Zoti David  Estrin , themelues i organizatës rinore “Së bashku ne kujtojmë”, solli shembuj se individi është i rëndësishëm në kujtesën kolektive . Por ai është si të thuash vetëm  një copëz e pazllës . Kur të  gjithë individët  ndërlidhen  bashkë si pjesëzat e pazllës, atëherë  konfiguracioni i kujtesës  shoqërore duket qartë. Brezi i ri ka nevojë për pazllën e plotë sepse vetëm kështu “Ne së bashku kujtojmë”.

Zoti Robert Signer, Shefi Ekzekutiv Zyrtar dhe  Zëvëndës Presidenti Ekzekutiv i Kongresit Botëror të Hebrejve, cmoji shumë lart rojin e shqiptarëve  në kohën e LDB-së. Por mbi të gjitha ai u ndal tek “besa shqiptare “si institucion veprues  me element krejt të  vecantë. Duke perifrazuar një fjali nga filmi i sapo  cfaqur  ku thuhej se : “Shtëpia e shqiptarit është e zotit dhe e mikut”, zoti Signer  tha se sot “besa në konceptin shqiptar” i lypset cdo individi, cdo vendi e cdo kombi në botë.

Kongresmeni Eliot Engell, (Kryetarë i Komisionit të Punëve të Jashtme të Kongresit Amerikan), tha se sot duhet të isha në Uashington DC për arsye të volumit të madh të  punëve që kemi në këto momente. Por nuk mund të rrija pa ardhur në këtë miting shumë të rëndësishëm. Ne hebrejt dhe shqiptarët kemi marrdhënie shumë të fuqishme kudo e  vecanërisht në NY e spscifikisht në Bronx.  Jemi miq të ngushtë e partner të mirë  dhe bëjmë respekt për zakonet e traditat e njeri tjetrit. Më lejoni t’ju bëj me dije  se gjatë një vizite në Prishtinë më thanë se aty afër ishte një varr i vjetër i një hebru. Shpreha dëshirë ta shihja sepse varret tona  dallohen nga guri në kreun e varrit. Kur vajta në vend, pashë se ishte i mirmbajtur si varret e shqiptarëve. E njejta gjë ishte edhe me 14-15 varre të tjera të vjetra  pak më larg po ashtu të mirmbajtura nga vendasit. Kjo më ngjalli shumë respekt se ne hebrejt jemi të kujdesëshëm me identitetin tonë  qoftë edhe tek varri. Kur pashë që edhe shqiptarët kishin të njejtën traditë u befasova ,por edhe u gëzova shumë. Ndaj kam ardhur sot këtu të shpreh ndiesitë më të larta për popullin shqiptar si gjatë holokaustit dhe më pas.

Më pas u shprehën shkurtazi, Ambasadori i Izraelit në OKB, Mark Gjonaj antar i Këshillit Bashkiak të NY, Ambasadori i Austrisë në OKB i cili nënvizoi se “ndjehem kokëulur sot për vendin tim gjatë kohës së holokaustit i cili nuk bëri dot atë që bëri Shqipëria e vogël në mbrojtjen e hebrejve”.

Ish Kongresmeni dhe Kryetari i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Joseph DioGuardi, tregoi se së bashku me ish Kongresmenin Tom Lantosh u njohën me dosjen e hebrejve të Shqipërisë  nga Ramiz Alija në Tiranë në  vitin 1990. Mbi bazën e  fakteve  të gjetura, për dy muaj u mbyllën muzetë e holokaustit në Uashington DC dhe në Izrael sa në to u shkrojt në krye të pjesës murale emir i Shqipërisë për rolin e saj në shpëtimin e hebrejve në kohën e holokaustit.

31 Janari  2019, do të mbetet një ditë e shënuar në aktivitetin e OKB-së, të Ambasadës së Republikës Shqipërisë pranë OKB-së, të komunitetit shqiptaro-amerikan të NY dhe me siguri edhe të  atij hebre. Aktiviteti  na  gëzoi shumë e na mbushi me krenari për veprën e madhe të shqiptarëve  në shpëtimin e hebrejve në kohën e holokaustit. Por në  të njejtën kohë, për drejtësi e dinjitet, duhet të pranojmë se kjo nuk është një vepër e ditëve tona . Ajo është vepër e Mbretit Zogu I, Mustafa Krujës, Mithat e Medi Frashërit, Maliq Bushatit, Kol Bib Mirakës, Ernest Koliqit, Rexhep Mitrovicës etj, mbi të cilët komunizmi ka hedhur aq shumë  baltë e shpifje sa duhet kohë të pastrohet figura e tyre . Por historia lypset  ti gjykojë të gjithë me drejtësi dhe të gjithë të marrin prej saj meritat dhe ndëshkimet.

Filed Under: Komunitet Tagged With: asllan Bushati, E PËR BESËN, PËR HOLOKAUSTIN, SHQIPTARË E HEBRE NË OKB

Gëzuar ditlindjen e 83-të Shkrimtari ynë Ismail Kadare!

January 28, 2019 by dgreca

1 Kadare Fransua Holland

ISMAIL  KADARE  ( 28 JANAR 1936 28 JANAR 2019)/

NGA ASLLAN  BUSHATI

Sot është ditlindja e 83-të e Ismail Kadaresë, njerut të madh të letrave shqiptare, atdhetarit e europianistit të madh  të trojeve tona. Kurrë nuk kam  patur  guximin të shkruajtur  për këtë uragan të madh të botës shqiptare. Arsyesja është e thjeshtë se unë personalisht, nuk zotroj mjetet artistike të  të shkruarit  për njerëz të kalibrit të  tij.  E them këtë sepse duke shkruajtur për të  (me mjetet e mija të vakta artistike -fjalë,figura, fjali e shprehje)  më duket se në vend që të ndihmoj  në shkëlqimin e figurës së tij, mos bëj keq. Sido që të jetë, edhe nëse mendimet e mija nuk janë aq  të qëlluara, me ndiesitë shpirtërore që kam në zemër e në mendje   për Kadarenë tonë të madh, do të them dy-tre gjëra  në këtë ditlindje të 83-të.

Më kujtohet si tani një ngjarje e  vjeshtës  së  vitit 1989. Në Shqipërinë e asaj kohe, cdo gjë ishte  e zymtë , cdo gjë e vaktë, turbullirë shpirtërore e mendore, e  varfëri e tejskajshme. Fjalimet e Ramiz Alijës ishin llustra gënjeshtare e radhës pa asnjë efekt mbi jetën tonë. Një dite nga ato vjeshtoret  e  kësaj periudhe, u planifiku që në Shtëpinë Qëndrore të Ushtrisë (SHQUP), të bëhej një takim nga  aparati i Ministrisë së Mbrojtjes  me Ismail Kadarenë. Me sa duket ishte zgjedhur një temë koti si: ” prania e E.Hoxhës në veprat e Kadaresë”. Unë pikërisht atë ditë u  ndodha me shërbim në postin e operativit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe nuk pata mundësi të marr pjesë në këtë takim. Por pas takimit pyeta disa kolegë se si shkoi takimi me Kadarenë? Disa heshtnin e disa ishin shumë të pa kënaqur, se Kadareja gjatë gjithë ligjëratës së tij kishte folur për vlerat kombëtare dhe rolin e sejcilit në shtimin e shumimin e këtyre vlerave. Kurse  pyetjes për praninë e E.Hoxhës në veprat e tij, Kadareja ishte përgjigjur shumë shkurt se:”..këto janë gjëra të ditura për të gjithë..”. Kjo shprehje, ato më të “ thekurit” e Enverit, i kishte nervozuar në kulm sa pa hezitim thonin “ky (Kadareja), është një borgjez i flliqur dhe habitemi se pse nuk e fusin  prapa hekurave në birucë”. Kur dëgjoja këto më vinte për të qeshur e për të qarë në të njejtën kohë. Disa ishin brenda virtualitetit idiot të komunizmit e disa në dilemë se cfarë po ndodh me ne si vend e si shoqëri. Mbaj mend që njeri më provokoi direkt duke më pyetur: “po ti cfarë mendon për Kadarenë ? I thashë shkurt se :”unë mendoj se ai është njeriu i madh i letrave shqiptare”. Dhe në vazhdim bashkbiseduesi më tha:”ik ore p…dhu me gjithë borgjezin  Kadarenë”.

Pas një viti në vjeshtën e 1990-tës , Kadareja u largu për në Francë dhe menjëherë doli në një intervistë në Zërin e Amerikës. Shqiegimi i tij për largimin nga Shqipëria ishte shterrues, por në  të njëjtën kohë edhe udhërrëfyes për ne që e donim atë. U gëzova me ato që dëgjova, por edhe u hidhërova se nuk e kishim më në Shqipëri. Më dukej vetja se me largimin e Kadaresë , kisha humbur mbrojtjen time intelektuale. Kurse thëniet e disa enveristave idiote  se:” hë more a u kishim thënë se Kadareja është tradhëtar” si kapërdija dot.

Koha eci e bëri të veten dhe në 1995-sën, kur po drejtoja ceremonialin e rivarrimit të eshtrave të të madhit Faik Konica  u takova me Kadarenë. Ishte rinuar nga pamja, dhe  e përshëndesnin me shumë mallë e respekt të gjithë të pranishmit në ceremonial.  Edhe unë e shoqërova që në hyrje e deri sa doli.  Para se të largohej bëra një foto me të  dhe më tha:”Më vjen mirë që e kemi organizuar kaq mirë ceremoninë e rivarrimit të Faik Konicës. Ne shqiptarët i jemi shumë borxhëli  këtij personaliteti të madh të letrave, diplomacisë e atdhetarisë”.

Duke  përfundur këto pak rreshta për Kadarenë tonë të madh, lutem që ai të ketë shëndet dhe jetë sa më të gjatë për vehte, familjen, dashamirët dhe Kombin tonë.

Gëzuar ditlindjen e 83-të i madhi Ismail Kadare.

 

Filed Under: Featured Tagged With: asllan Bushati, ditelindja, Ismail Kadare

FUSHATA E 110 VJETORIT TË GAZETËS “DIELLI” PO MERR PËRKRAHJE

January 26, 2019 by dgreca

Fushata për 110 vjetorin e Gazetës Dielli, e hapur nga editori në mbledhjen e  zgjeruar të kryesisë së Vatrës me 24 Jnar 2019, krahas dhuruesëve të parë po merr mbështetës të tjerë.

– Ja dhuruesit e rinj: Ambasador Mal Berish $ 200.00, Gazetari Sinan Kamberaj $200.00, Anëtari i kryesisë Marjan Cubi $300.00. Alfons Grishaj $250.00, Mondi Rakaj $250, Uka Gjonbalaj $200.00,Asllan Bushati $200.00.

Dielli

Bashkatdhetarë, doni të dhuroni?

Dërgoni një Chek (Pay to: VATRA- Memo-110 vjetori i Diellit) ose Money Order në adresën:
VATRA
2437 Southern BLVD
BRONX, NY 10458

I falenderojmë dhuruesit e deritanishëm.

Përsërisim thirrjen e Editorit të ditës së enjte, 24 Janar 2019:

***

VATRANË, FUSHATA PËR DIELLIN FILLOI

 

– NËNKRYETARI Z. AGIM REXHAJ JU FTON NË GARË DUKE PRIRË ME $500.00!

 

– GARA NISI ME DHURIMET E PARA: MARJANA BULKU $200.00, NAZO VELIU $200.00, AGIM REXHAJ $500.00, DALIP GRECA $200.00-GARA ËSHTË E HAPUR!

Të Enjten në mbrëmje,24 Janar 2019, gjatë takimit të Kryesisë, ku u miratua programi për festimin e 110 Vjetorit të Gazetës”DIELLI”, Editori njoftoi hapjen e Fushatës. E para që iu përgjigj thirrjes ishte anëtarja e Kryesisë së Vatrës zonja, Marjana Bulku me $ 200.00(dyqind dollarë).Menjëherë iu përgjigj sekretarja e Vatrës zonja Nazo Veliu po me $200.00.
Nënkryetari i Vatrës, z. Agim Rexhaj e mbështeti garën, duke prirë, dhuroi $500.00. Në mbyllje të celjes simbolike të fushatës, Editori dhuroi $ 200.00. Gara mbetet e hapur!
Vatranë; është radha juaj të tregoni bujarinë dhe frymën vatrane. Dielli ka 110 vjet që mbahet me dhurime të nxitura nga fryma vatrane dhe shpirti bujar i shqiptarëve të Amerikës.Le të vedosim të gjithë nga një gur në kështjellën e shqiptarizmës këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada, Kështjellën me emrin e bukur VATRA & DIELLI. Secili kontribuon me aq sa mundet, por gur -gur bëhet kalaja. Kështu e kanë mbajtë Kështjellën e shqiptarizmës vatranët këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Drejtues dhe Kryesi të Degëve të Vatrës
Vihuni në krye të degëve dhe kontribuoni në këtë fushatë që synon të përballojë veprimtaritë kushtuar 110 vjetorit të DIELLIT dhe Konsolidimin në këtë shekull të dytë të gazetës tonë të dashur.
Ju të zgjedhur në strukturat e Vatrës, tregojeni me vepra se dini t’u prini fushatave të Vatrës. Është koha të kryeni obligimet tuaja!
Ju biznesmenë, që ju akrakterizon shpirti i patriotizmit, mbështetni gazetën, që ka regjistruar 110 vite jetë të Kombit tonë. DHURONI!
Për ju miq të Diellit dhe të Vatrës, që keni dëshirë të përfshiheni në fushatën tonë, dërgoni një Chek (Pay to: VATRA- Memo-110 vjetori i Diellit) ose Money Order në adresën:
VATRA
2437 Southern BLVD
BRONX, NY 10458

 

Filed Under: Featured Tagged With: Alfons Grisha e Mondi Rakaj, asllan Bushati, dalip greca, dielli, Mal Berisha, Marjan Cubi, Sinan Kamberaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 23
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT