• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Terren i pashkelur

June 24, 2020 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

Në këtë botë nuk ka asgjë të re; asnjë pëllëmbë tokë të pashkelur. Paraardhësit kanë kaluar në të gjithë terrenin e shtrirjes së jetës njerëzore, duke e prekur me të gjitha shqisat, majat e larta deri poshtë në lugina. Për të gjitha gjërat ata kanë thënë fjalën e tyre dhe janë kujdesur për ‘to, njësoj si njerëzit e sotëm.

Thuhet se Solomoni i mençur përcaktoi se si, ku, kur dhe sa larg njera tjetrës duhej të mbilleshin pemët për të qenë prodhuese. Priftërinjtë romakë patën vendosur se sa shpesh një fermer mund të shkonte në tokën e fqinjit për të mbledhur frytet që binin nga pemët, për të mos lejuar që ato të prisheshin a shkeleshin. Dhe fermeri largohej paprekur a dëmtuar pjesën që i përkiste fqinjit. Hipokrati madje ka lënë udhëzime se si njeriu duhet t’i presë thonjtë, as më të shkurtër e as më të gjatë, duke caktuar edhe skajet e gishtërinjve.

Të gjitha sa njeriu provon gjatë jetës – hidhërime, gëzime, urrejtje, dashuri, mendime – janë po aq të lashta sa njeriu i parë, dhe përsëriten; këto janë masa me të cilat është matur edhe gjendja e tij që nga kohët më të largta. Por, është aftësia e njeriut që kurrë nuk është matur. Po t’a dinin se si, me siguri të parët tanë do ta kishin matur, dhe ne sot do të dinim gjithashtu ta masnim – – është terreni i vetëm i pashkelur.

Kështu, njeriu nuk duhet gjykuar se çfarë mund të bëjë ose të mos bëjë, sepse kjo nuk është provuar ose nuk dihet. Cilat do qofshin dështimet e tua tani, mos u mërzit, sepse nuk ka njeri që është në gjendje të thotë se ke dështuar në atë që vetëm t’i e di se si dhe sa shumë ke punuar, je munduar me trup, zemër, mendje e papushim.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, Terren i pashkelur

Problemi yne….

June 22, 2020 by dgreca

– Me shqiptarët ka ndodhur ndryshe; çdo pushtim i ri, një emër i ri – pellazgë, ilirë, albanë, arbër, shqiptarë, disa thonë edhe kosovarë….

  • Sepse për Kosovën, kur ishte rasti për t’u kthyer në prejardhje, përveç ndonjërit largpamës, si Ibrahim Rugova, thuajse askush tjetër nuk kërkoi të quhej Dardani.
  • Sot, Europa e sheh Shqipërinë si një vend rrëmujë – as pellazgë, as ilirë, as arbër – pasi nuk e di që janë, sepse shqiptarët vetëm bëjnë sikur duan të ndryshojnë e përmirësojnë mendësinë e tyre – problemin e shtruar për zgjidhje e kanë kapur nga bishti dhe jo nga koka…

Shkruan: Astrit Lulushi/

Mburrja, kjo veshje e bukur që rëndon e të merr frymën, të bën të kërkosh me kaq këmbëngulje a fanatizëm prejardhjen tënde, por i tregon botës se je ende foshnje, ose se trashëgimia të është mohuar, kur në fakt duket se ajo është gjetur a vjedhur pasi ti nuk ishe në gjendje t’i dilje zot, jo se ishe i shtypur, por nuk ishe zgjuar.

Ndodh të dëgjosh shpesh se shqiptarët kanë prejardhje të lashtë, pa dëgjuar ndonjë zë të thotë se ç’rëndësi ka, kur dihet se traditat filluan me pellazgët, njerëzit e parë që jetonin në Ballkanin e sotëm, e më gjërë, në lindje e perëndim.

Por pak flitet që grekë, romakë, serbë, kroatë, bullgarë e të tjerë, të gjithë këta ruajnë emrat e tyre, me përjashtim të maqedonasve të sotëm që përvetësuan emrin e lashtë.

Me shqiptarët ka ndodhur ndryshe; çdo pushtim i ri, një emër i ri – pellazgë, ilirë, albanë, arbër, shqiptarë, disa thonë edhe kosovarë. Sepse për Kosovën, kur ishte rasti për t’u kthyer në prejardhje, përveç ndonjërit largpamës, si Ibrahim Rugova, thuajse askush tjetër nuk kërkoi të quhej Dardani.

Shqiptarët janë të fundit që krijuan shtetin e tyre pas shpërbërjes së perandorisë osmane. Të gjithë fqinjët e kishin nga një shtet shumë dekada para tyre, por shqiptarët ishin bërë një me pushtuesin ose ia kishin dhënë besën atij.

Gjithashtu duhet pranuar se shqiptarët që shpallën pavarësinë ishin një grup elitë që vinte nga kryeqyteti osman dhe gjeti në vend njerēz kombëtarisht të paformuar. Shqipëria atëherë ngjante me një vend-qëndrim të autobusëve që kishin ardhur nga Stambolli me udhëtarë të cilët humbën toruan pasi autobusët u prishën, perandoria u shpërbë, dhe ata nuk dinin ku të shkonin. Pasagjerë nga të gjitha rajonet e perandorisë, ku autobusët kishin ndaluar për të zbritur disa e hypur të tjerë, mbetën rrugëve, dhe kështu u detyruan të rrinin aty ku i gjeti shteti i ri. Kjo është arsyeja që përpjekjet e para, etërit e kombit i bënë për ringjalljen e gjuhës shqipe, e cila ishte atëkohë një gjuhë thuajse e vdekur, duke u ndeshur me vështirësitë që vinin nga turqishtja e futur në mentalitet dhe në jetën e përditëshme, administratë, shkolla e xhamira.

Dhe procesi i krijimit të kombit që duket ende i pakonsoliduar, vazhdon. Këtë e kupton kur dëgjon se ‘është vështirë të gjesh dy shqiptarë që merren vesh”, dhe jo pastaj të mendosh se ç’ndodh me ata në parti, parlament, qeveri, popull e turmë që kurrë nuk kuptohen.

Pas përpjekjes për gjuhën, rradha u erdhi emrave, disa të rilindur e të tjerë emra të rinj të krijuar duke marrë parasysh traditën, por gjurmët e pushtimit vazhdimisht dalin herë në mbiemër, herë në emër. Fryma shekullore mes shqiptarëve ka mbetur, por ajo është frymë e pushtuesit, shqiptarizimi i tyre i plotë s’ka ndodhur, dhe as ka gjasa, kjo ëndërr tani është thjesht utopi.

Por sa të lehtë e kanë shqiptarët të marrin emra të rinj në vendet ku emigrojnë. Për këtë askush nuk i detyron. Ata integrohen, dhe nuk ndjejnë asnjë keqardhje, pasi nuk bëjnë asgjë të keqe. Megjithatë në Shqipëri, shqiptarët nuk gjejnë dot emra që t’i përshaten natyrës dhe karakterit të atdheut, dhe as që përpiqen të kryejnë asimilimin brenda vetes.

Thuhet se ndryshimet bëhen me breza – dhe atëherë prejardhja e tyre nuk mund të mohohet, as të vidhet. Sot Europa e sheh Shqipërinë si një vend rrëmujë – as pellazgë, as ilirë, as arbër – pasi nuk e di që janë, sepse shqiptarët vetëm bëjnë sikur duan të ndryshojnë e përmirësojnë mendësinë e tyre – problemin e shtruar për zgjidhje e kanë kapur nga bishti dhe jo nga koka, siç thotë një fjale e urtë e lashtë e jona, kur shohim se punët nuk shkojnë mirë.

Filed Under: Politike Tagged With: Astrit Lulushi, PROBLEMI SHQIPTAR

NJERIU

June 21, 2020 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/
Jeta është koha që jetohet, është mrekulli. Çdo ditë e re një sfidë. Dhe njeriu kujtohet se jeta ka vlerë, sepse ajo është e kufizuar. Koha fluturon, por edhe mund të humbasë, kur nuk përjetohet, ose kur administrohet sipas regullave të vendosur nga një tjetër. Që ta kuptosh duhet, me guxim e bindje, për ndjekur udhën tënde.Në shumë raste njeriu ndjen se nuk bën jetën që do, ose jetën e qëllimshme. Njeriu është si pjesë e programit të një sistemi kontrolli, i cili i dikton atij se çfarë duhet të bëjë me kohën e dhuruar nga natyra për të jetuar me talentin e vet, duke i thënë se ku të jetojë, si të jetojë, dhe çfarë mund të arrijë.Dhe njeriut i mbeten dy alternativa – të vazhdojë sipas programit ose të shkëputet nga priza e sistemit dhe fillojë të jetojmë sipas qëllimit a bindjeve të veta, në kushte e në kohën e vet, të shkelë në shteg të ri të pa hapur, ku mund të lërë gjurmë, larg nga udha e zakonëshme.Natyra kërkon të thotë diçka, me gjithë këto ndryshime që po ndodhin gjatë kohës sonë; se njeriu nuk ka nevojë për shumë gjëra për t’u ndjerë i lumtur. Me një iPhone a kompjuter, sot mund të shëtisë botën, por prap ai vazhdon me lakmi të grumbullojë sende, të blejë toka, shtëpi gjigante e rroba, shumicën e të cilave as që e di se i ka diku hedhur në ndonjë sirtar a qoshe.Shumica e njerëzve, në një vend relativisht të lirë, janë aq të zënë me kujdesin për fakte dhe punë të tepërta, sa harron të mbledhë e shijojë frutat që ofron jeta. Gishtat e tij nga mundimi i tepërt janë shumë të ngathët dhe dridhen. Në fakt, njeriu nuk ka kohë të lirë për të qenë as vetja. Ai nuk mund të mbajë marrëdhënie të sinqerta me të tjerët; puna e tij zhvlerësohet; por ka kohë për të qenë robot; s’është në gjendje të kujtojë se është injorant – gjë që kërkon rritja e tij – nuk ka kohë të përdorë njohuritë e veta. Cilësitë më të mira të natyrës njerëzore janë si frytet e një peme që mund të rriten vetëm nga trajtimi me kujdes. Megjithatë, njeriu me pushtet zakonisht e trajton tjetrin pamëshirë, padinjitet.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, njeriu

Ji i sjellshëm…

June 21, 2020 by dgreca

Charles Bukovski*/

-shqipërim nga Astrit Lulushi/

gjithmonë na thonë/

kuptojeni personin tjetër/

pikëpamja e tij/

nuk ka rëndësi/

nëse është e vjetër/

marrëzi ose/

e padurueshme./

njeriut i kërkohet

t’i shohë

gabimet e të tjerëve në përgjithësi

të këqiat e jetës së tyre

me

shpirtmirësi,

veçanërisht nëse ata janë

të moshuar.

por mosha është masa

jonë e gjykimit

ata janë plakur

keq

sepse kanë jetuar

të pafokusuar,

nuk kanë pranuar

të shohin.

jo faji i tyre?

faji i kujt?

i imi?

Më kërkohet t’a fsheh

këndvështrimin tim

prej tyre

nga frika

e frikës së tyre.

mosha nuk është krim

por turpi

i një jete të humbur

qëllimisht

mes kaq shumë

jetësh

me qëllim

të tretura

është.

——

*Henry Charles Bukowski (1920 – 1994); poet, novelist dhe shkrimtar gjermano-amerikan. Një nga përfaqësuesit e rrymës letrare ‘Realizmi i ndyrë’ i një brezi të ri të autorëve amerikanë, që shkruajnë për një burrë të vetmuar, një nënë të varfër, për një hajdut makine, a një të droguar.

Nganjëherë ‘realizmi i ndyrë’ konsiderohet një larmi e minimalizmit letrar. Shkrimtarët e këtij zhanri priren të shmangin ndajfoljet, metaforën e zgjeruar dhe monologun, në vend të kësaj lejojnë që objektet dhe konteksti të diktojnë kuptimin. Karakteret tregohen në profesione të zakonshme, të pa përëndësishme dhe shpesh me mungesa të burimeve dhe parave që krijojnë një dëshpërim të brenshëm të tyre.

Filmi Barfly (1987), është një film gjysëm autobiografik i shkruar nga Bukowski, ndërsa Mickey Rourke interpreton Henry Chinaskin, i cili përfaqëson Bukowskin, dhe Faye Dunaway luan dashnoren e tij Wanda Wilcox. Sean Penn ofroi të luante Chinaskin për një dollar për aq kohë sa shoku i tij Dennis Hopper do të drejtonte filmin, por drejtori evropian Barbet Schroeder kishte investuar shumë vite dhe mijëra dollarë në projekt dhe Bukowski ndjeu se Schroeder e meritonte të ishte drejtor i filmit. Bukowski shkroi skenarin, dhe vetë paraqitet në film si pronar i barit.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Astrit Lulushi, Charles Bukovski, Ji i sjellshem

Më pëlqejnë…

June 19, 2020 by dgreca

Ernest Hemingway*/

(shqipërim nga Astrit Lulushi)/

Më pëlqejnë Kanadezët./
Janë aq ndryshe nga Amerikanët./
Shkojnë në shtëpi natën./
Cigaret nuk u bien erë të keqe./
Kapelet e tyre mirë-përshtaten.
Ata vërtet besojnë se e fituan luftën.
Por nuk besojnë në letërsi.
Mendojnë se Arti është ekzagjeruar.
Disa prej tyre janë shumë të pasur.
Por kur janë të pasur blejnë më shumë kuaj
Se sa vetura.
Çikago e quan Toronton qytet puritan.
Por, boksi dhe garat me kuaj janë ilegale
Në Çikago.
Askush nuk punon të dielën.
Askush.
Kjo nuk më bën të çmendem.
Ekziston vetëm një Woodbine.
Por a keni qenë ndonjëherë në Blue Bonnets?
Nëse vret dikë me makinë në Ontario
Ju keni përgjegjësi të shkoni në burg.
Kështu që nuk ndodh.
Ka pasur mbi 500 të vrarë nga veturat
Në Çikago
Deri më tani këtë vit.
Është vështirë të pasurohesh në Kanada.
Por është e lehtë për të fituar para.
Ka shumë dhoma çaji.
Por, atëherë, s’ka vend për kabare.
Nëse ‘tip’ një kamerier një çerek dollari
Ai të thotë ‘Falemnderit’
Në vend që të thërrasë policin.
Edhe gratë lejohen t’u nxjerrin dorën makinave
Edhe nëse ato janë të bukura.
Kanadezët janë të gjithë në nxitim për të shkuar në shtëpi për darkë
Dhe të mblidhen pranë radios.
Janë popull i mirë.
Më pëlqejnë.
——
*Ernest Miller Hemingway (1899 – 1961) ish gazetar amerikan, shkrimtar dhe sportist. Ekzistojnë vetëm tre sporte, thoshte ai, përleshje me dema, gara me motor dhe alpinizëm; të tjerat janë thjesht lojëra.
Stili i tij i të shkruarit me nënkuptime – të cilin Hemingaw e quajti teori e ajsbergut – pati një ndikim të fortë në krijimtarinë artistike të shekullit të 20-të, ndërsa stili aventuresk i jetesës dhe imazhi i tij publik fituan admirim e brezave të mëvonshëm. Hemingway prodhoi pjesën më të madhe të shkrimeve midis viteve 1920 – 1950, dhe fitoi çmimin Pulitzer më 1953 dhe Nobelin në Letërsi më 1954. Shumë prej veprave të tij konsiderohen klasike të letërsisë amerikane.
“Nëse një shkrimtar e njeh mjaftueshëm atë që shkruan, ai mund të braktisë gjëra që di dhe lexuesin, nëse shkrimtari shkruan vërtet mjaftueshëm, do të ketë një ndjenjë të atyre gjërave aq fort sa i kishte deklaruar. Dinjiteti i lëvizjes së një akulli është për shkak se vetëm një e teta është mbi ujë. Një shkrimtar që heq gjërat sepse nuk i njeh ato vetëm i lë vendin gjërave të urryera në shkrimin e tij.” (Death in the Afternoon, Ernest Hemingway)

Filed Under: LETERSI Tagged With: Astrit Lulushi, Hemingwey, Më pëlqejnë

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 55
  • 56
  • 57
  • 58
  • 59
  • …
  • 102
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave
  • Fitoi Çmimin e Madh në Saint-Saëns International Music Competition, Prof. Ina Kosturi: “Shpaloseni talentin shqiptar nëpër botë e na bëni krenarë”
  • “Ëndrra Amerikane” në Washington DC
  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT