• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Njeriu dhe e vërteta

April 4, 2018 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

Besimi është gjëja kryesore. Pa të njeriu nuk ka dëshirë e interes për asgjë. Besimi është frymë që vë trupin në lëvizje. Edhe ai që nuk beson në Zot, beson në diçka tjetër a tek vetja. Eshtë kjo arsyeja që njeriu nuk ka një të vërtetë apo gjithmonë është në kërkim të saj. Kur e vërteta është e qartë, e pakundërshtueshme, është e pamundur për njerëzit të përçahen, të ndahen a krijojnë parti e fraksione. Prandaj sot nuk kemi ajnshtainistë, galileolistë apo kolomboistë, sepse e vërteta e zbulimeve të tyre është e pranueshme, e qartë; por kemi marksistë, leninistë, stalinistë e çdo ‘istë’ tjetër, pasi e vërteta prej tyre mbytet, e drejta mohohet, liria shtypet.

Nëse natyra u përket të gjithëve, aq më shumë mbinatyra, e pakufishmja është pronë e tyre. Max Mūller thoshte se ajo që sot quhet Fe, në kohë të lashta quhej Ligj, Lidhje, Besë, fjalë e dhënë midis njeriut dhe perëndive. Një interpretim vjen nga Ciceroni, që e lidh fenë me “relego”, rilexim, lexim me vemendje për ta kuptuar thellësisht. Besimi, feja ishte diçka e brendshme e njeriut, ishte, kuptimi, fryma e tij. Më pas studiues në kohët tona, si Joseph Campbell, do të favorizonin po latinishten “ligare” e “ri- ligare” që solli “religion”, rilidhje midis Njeriut dhe Zotit.

Çfarë ishte është, qoftë politikan, i shtypur ose njeri i thjeshtë. Paranoja është imagjinatë, jo haluçinacion, e lindur nga persekutimi, që mund të quhet edhe fillimi i gjithçkaje, nga koha e Big Bangut të shkencës, apo e Fillesës së Zotit. Nuk ka njeri normal të mos ketë brenda vetes një lloj ndjenje faji, dhe nuk ka njeri që nuk ndjehet i përndjekur, qoftë edhe nga vetja.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, Njeriu dhe e vërteta

Emri Dardan

March 31, 2018 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

Në Librin e Zanafillës thuhet se Dodanimi ishte bir i Javanit (një stërnip i Noas). Dodanimi është lidhur zakonisht me prejardhjen e njerëzve të ishullit të Rodosit. Dorëshkrimet hebraike japin shpjegime të ndryshme të shqiptimit Dodanimi, dhe thone se është ndoshta gabim i kopjuesit, pasi shkronjat hebraike R dhe D janë mjaft të ngjashme grafikisht. Në Kronikat 1: 7, ky emër shkruhet Dodanimi, ndërsa ne Septuagint(Të Shtatëdhjetët), Dodanimët konsiderohen të afërt me Helenët.
Në Targum Pseudo-Jonathan (një kapitull i Toras hebraike) përmendet vendi Dordania, dhe studiuesit sugjerojnë se ka lidhje me Dodonën në Epir dhe Dardaninë në Iliri.
Francezi Samuel Bochart, studiues me ndikim i shekullit 17, e lidh formën Dodanimi me emrin e lumit Rhones Rhodanus, që buron ne Alpet zvicerane dhe derdhet në Mesdhe; dy shekuj më vonë, teologu gjerman Franz Delitzsche e identifikoi figurën e Dodanimit me Dardanus të mitologjisë greke; ndërsa studiuesi britanik Joseph Mede, nga mesi i viteve 1600, e thoshte se Dodanim është i njëjtë me Dodonaeus, i cili e kishte vendin e shenjtë në Dodonë.
Egjiptologu britanik Kenneth Kitchen, më 1930, paraqiti dy etymologji të tjera të mundshme; se Dodanim rrjedh nga Dordanim, duke humbur shkronjën ‘r’. Dardanai ndodhet në një listë të emrave Hititë që luftuan kundër Ramesit II të Egjiptit në betejën e Kadeshit më 1275 pes, madje disa i lidhin ata me Dardanët e luftës së Trojës. Kitchen gjithashtu sugjeron se emri Dodanium mund të jetë një formë e ndryshuar e Danunim, një popull i lashtë i Lindjes së Afërme, përmendur në mbishkrimin Amarna, por origjina dhe identiteti e këtij emri, si, ku, dhe nga kush u zbulua mbetet për t’u vërtetuar, dhe deri atëhere shkencëtarët do të vazhdojnë ta shohin me dyshim.

Në një fjalor biblik të antikitetit nga një autor anonim në vitet 70 pes, thuhet se bijtë e Dodanimit janë Itheb, Beath dhe Fenek; ky i fundit udhëhoqi Jafetët në kohën e Kullës së Babelit.

Filed Under: Komente Tagged With: Astrit Lulushi, Emri Dardan

“Kalendar Historik” i Astrit Lulushit, një libër me shumë vlerë

March 25, 2018 by dgreca

Nga Qerim Vrioni* – Para pak muajsh u vu në qarkullim në Tiranë nga Shtëpia Botuese “Tirana&Times” libri me titull “Kalendar Historik: Ç’farë ka ndodhur më….?” i studiuesit dhe gazetarit të njohur shqiptar me banim dhe punë në Amerikë, Astrit Lulushi. Ky përbën padyshim një botim krejt të veçantë për Botën Shqiptare të letrave, por edhe si një boshësiplotësues për historinë dhe kulturën shqiptare.1 astriti
Kalendarët janë disa llojesh, shkencor, kulturor, politikë, fetar, ushtarak etj, por të gjithë kanë si bazë renditjen e termave sipas rrjedhës kohore, ditë, muaj, vit. Në historinë dhe kulturën shqiptare, i pari ndoshta është “Kalendar Kombiar (Kombëtar-shën.im)” i botuar në Sofje (Bullgari) nga Shoqëria “Dëshira” në vitin 1897. Ky kalendar ishte një botim i përvitshëm me karakter enciklopedik, kulturor, politik e letrar, po brenda tij të gjitha temat trajtoheshin me frymë të theksuar atdhetare. Ai është botuar me disa ndërprerje dhe numri i fundit i tij i takon vitit 1928, kur botues ishte Lumo Skëndo (Mit’hat Frashëri). Sidoqoftë, kalendari duke ngërthyer fusha të ndryshme, u kthye në një ndihmës të vyer për njerëzit e kulturës, politikës, shkencës dhe jetës shoqërore shqiptare në gjysmën e parë të shekullit të kaluar.
Pas “Kalendar Kombiar” në vend ka qarkulluar “Kalendari i Maleve”, kulturor, shkencor etj, i shtypur në Bruksel (Belgjikë) numri i vetëm më 1900. Mandej, “Kalendari Shoknisë “Dija”, 1906-1910, botim i përvitshëm e shtypur në Vjenë. Ndërsa, një tjetër , “Kalendari Enciklopedik”, nisi botimin më 1933 në Tiranë, dhe kishte karakter enciklopedik, kryesisht ekonomi, arsim dhe shëndetësi.
Pas L2B, Kalendari i parë në vend, u botua më 1945 nga Vasil Xhaçka, që e kishte nisur qysh në vitin 1933. Në vitin 1950, në Tiranë botohet nga “Dega e Historisë Ushtarake” e Ministrisë së Mbrojtjes Popullore përmbledhja kronologjike me titull “Kalendar Ushtarak”. Drejtimi i këtij libri ishte politik dhe ushtarak, por përherë nën prizmin e ideologjisë së diktaturës së proletariatit. Brenda tij kishte fakte të shtrembëruara, mohime vlerash, teprime mburrjesh e lëvdatash për politikanët e kohës, duke i munguar kështu sensi shkencor i domosdoshëm për punime të tilla. “Kalendari i botës shqiptare” me rreth 540 faqe, i autorit Thimi Çollaku u botua më 2010. Në fund ky kishte edhe Treguesi i emrave, që lehtësonte përdorimin.


Kështu, fusha e Kalendarëve në Shqipëri nuk ishte fare tokë e djerrë. Vet titulli “Kalendar Historik”, si i pari me këtë emërtim, dallohet nga parardhësit, prej vijës së mirëfilltë shkencore, e cila e përshkon atë tej e mbanë. Më ndryshe, “Kalendar Historik”, nëse do të botohej jo me rendin kohor, por me renditjen sipas alfabetit të emrave të vendeve, njerëzve, ngjarjeve etj, jo vetëm se mund të quhej fare mirë e saktë Enciklopedi Historike, por do të ishte fund e krye një e tillë. Jo se nuk përbën në të vërtetë një Enciklopedi libri 1200 faqesh dhe i shtypur me cilësi të lartë, por siç u cek më sipër, renditja e zerave në të nuk është alfabetike, por kronologjike, sepse brendia e tij, të drejton natyrshëm te ky emër i madh..
Për cilën kategori njerëzish është më i nevojshëm “Kalendari Historik” i Lulushit ? Pa hezitim e vonesë, përgjigja më e saktë do ishte, për të gjitha nivelet e moshave, arsimit, kulturës, profesionit etj. Kjo mbështetet edhe një thënie të popullit, se çdo njeri nuk ngopet me dituri, pasuri dhe lavdi. Gjithsesi, në rradhë të parë, ky Kalendar është i nevojshëm për studiuesit shqiptarë të fushave të ndryshme të shkencës dhe artit, të cilat për natyrën e veçantë të tyre kanë fije të domosdoshme lidhëse me historinë. Kështu, ata mund ta shfrytëzojnë atë si burim i ri dhe i besueshëm për disa çështje të ndryshme të së kaluarës, të cilat ende hanë diskutime.
I dobishëm ky botim mendoj se është edhe për nxënësit dhe studentët e shkollave dhe universiteteve, por mjaft i vlefshëm mbetet edhe për njerëz të tjerë, të cilët, në përgjithësi, kanë pasur dhe kanë edhe sot marrëdhënie të ngrohta me magjinë e librit. Sidoqoftë, ky libër, padyshim, zbukuron çdo bibliotekë shtëpie, jo vetëm nga paraqitja e jashtëme, por sidomos nga brendia e tij.
Ndër pikat e forta të këtij punimi madhor të Lulushit përbën edhe përditësimi i të dhënave të hershme për ngjarje të ndryshme të historike. Ato, natyrisht, zejnë hapësirën më të madhe në libër, madje mendojmë edhe më të rëndësishme të tij. Duke njohur skrupulozitetin e autorit edhe nga botimet e tij të mëprshme, lexuesit ndjejnë siguri kur hasin në faqet e këtij “Kalendar Historik”, të dhëna të kundërta me njohuritë e tyre më të hershme.
Një meritë tjetër e autorit të librit përbëjnë edhe fjalët e urta ose thëniet e njerëzve të ditur nga e gjithë bota, të cilat shërbejnë edhe si një kod mirësjelleje dhe edukate e, që ndodhen në fund të shumë faqeve të botimit. Autorët e tyre janë emra shumë të njohur qysh prej lashtësisë e deri në ditët tona, edhe për çështje të kohëve të fundit, të lëmit të etikës, arsimit, shkencës, politikës, kulturës, moralit, jetës së përditëshme, shëndetit, sportit, ekonomisë etj. Këto fjalë të urta (pjesë e mençurisë dhe urtësisë botërore) janë shumë të vlefshme e të zgjedhuara me shumë kujdes nga autori, sidomos sot, kur mirësjellja midis njerëzve nuk ka nivele shumë të larta (pavarësisht, nga arsimi, detyra, kultura) dhe forcë lëvizëse kryesore mbetet interesi material. Pra libri, ngërthen e shpalos mirë edhe vektorin edukativ.
Vlerë e shtuar tjetër e librit qëndron edhe tek gjuha e përdorur nga autori, shumë rrallë në faqet e tij mund të gjëndet ndonjë fjalë e huaj e cila nuk është zëvendësuar me atë përkatëse të gjuhës shqipe. Të mos harrohet se bëhet fjalë për një botim vëllimmadh me rreth 1200 faqe të cilat mbulojnë shumë ngjarje e figura të rëndësishme të historisë së njerëzimit, natyrisht jo veças nga Shqipëria, por prej të gjithë botës. Libri përmban edhe disa poezi të zgjedhura nga poetë anglishtfolës, të përkthyera me sqimë nga autori, i cili e lëvron me ëndje edhe këtë gjini letrare me krijime origjinale.
Për të arritur në faqen e fundit të “Kalendar Historik”, Astrit Lulushit, me siguri i është dashur të kalojë nëpër duar shumë libra e mjaft revista e gazeta, kryesisht në shqip dhe anglisht, i ka shtrydhur ato mirë e mirë, e më pas e ka kondensuar lëngun. Nuk kemi të bëjmë vetëm me gjetjen e të dhënave të reja por edhe me përzgjedhjen dhe trajtimin e tyre nën lupën e shkencëtarit dhe artistit. Thënë më ndryshe, për të arritur në faqen e 1200 të librit , me shumë gjasë, nga autori janë lexuar (shpesh edhe rilexuar) disa shumëfisha të këtij numuri katërshifror me faqe të shtypura, janë mbajtur shënime e janë skeduar zera, e sigurisht, nuk duket se ka qënë punë aqë e lehtë. Nuk duhet lënë pa përmendur fakti se për botime të tilla në vende të tjera, normalisht punojnë redaksi të tëra me disa antarë, specialistë të fushave të ndryshme të shkencës, kulturës, ekonomisë, jetës shoqërore etj.
Mendojmë gjithashtu, se faqosja e këtij botimi është mjaft e goditur e me fantazi , madje siç thuhet rëndomë, ai përbën një botim lluksi. Brenda tij, shumë shpjegime mbi njerëz apo ngjarje shoqërohen edhe me fotografitë përkatëse, çka e bënë tekstin edhe më të prekshëm për lexuesin.
Kuptohet lehtë se e gjithë kjo punë me atë përkushtim, kanë dashur muaj e vite që të materializoheshin në një libër të madh nga sasia e faqeve dhe nga vlera jo e zakontë e përmbajtjes. Ja vlen të shënohet gjithashtu, se këtu, ashtu si edhe në botimet dhe shkrimet e mëparshme të Lulushit (gjashtë libra origjinalë dhe një vëllim me përkthime, përveç dhjetra artikujve), karakteristikë është thjeshtësia dhe lakonizmi, ai e shpërfaq mendimin e tij qartë e në mënyrë të thukët.
“Kalendar Historik” i Astrit Lulushit, i arratisur politik nga diktatura komuniste në Shqipëri në vitin 1985, pahtëson edhe dashurinë e madhe të tij për atdheun, detyrimin e tij si intelektual publik për t’i shërbyer vendlindjes me përkushtim e devocion. Ky libër, ashtu si edhe të tjerët nga pena e Lulushit, ka parë dritën e shtypit në Shqipëri, vetëm me shpenzimet e tij, pra pa asnjë lloj sponsorizimi nga shteti shqiptar ose ndonjë biznes, siç veprohet rëndom në raste të tilla. Kjo tregon, përpos të tjerash, se largësia e tij gjeografike me Shqipërinë është shumë herë më e madhe se afërsia shpirtërore tij me vendlindjen.
Siç u theksua më sipër, prej më se një shekulli, në gjuhën shqipe janë botuar disa lloje kalendarësh, periodikë apo unikë, por vlerën shkencore dhe praktike të “Kalendar Historik” të Astrit Lulushit, vështirë ta ketë arritur ndonjë paraardhës.

*Studjues i fotografisë

Filed Under: Histori Tagged With: Astrit Lulushi, Kalendar, Qerim Vrioni

Bota dhe njeriu i saj

March 25, 2018 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

Bota përmban njerëz te vegjël. Aq shumë jane ata sa që i larti, i miri, mbetet i padukshëm. Por është ajo që s’duket që i jep ngjyrimet kësaj bote. Prej të padukëshmes, bota vjedh e vishet, dhe ndryshon fytyrën e saj, për t’u shtirrë a dukur njerëzore. Sepse po ta shohësh thellë Bota është tokë, baltë, dhè, pisllëk, e ndyrë, e natyrëshme, plot miq të rremë, ziliqarë, të pangopur me gjak të pastër. Dhe këta krijojnë përgjithësime, vlera të rreme, edhe shprehje, si për shembull “popull”. Pastaj i japin atij fuqi, e bëjnë sundues të leckosur, manikinën, vetë vihen në krye dhe çdo gjë e kryejnë “në emër të popullit”. Sa qesharake!
Vetëm kur njerëzit janë injorantë, ata bëhen më lehtësisht të korruptuar dhe degjenerojnë në turmë, sepse nuk janë në gjendje të ushtrojnë sovranitetin e tyre. Uzurpimi bëhet i lehtë. Së shpejti një uzurpator zbulohet, dhe njerëzit vetë bëhen instrumente të gatshëm për shkatërrim dhe shkatërrimin e vetes.
Ligji dhe rendi politik janë krijime të njeriut. Kontrata shoqërore midis qytetarëve dhe rendit politik janë thjesht mjete drejt një qëllimi përfundimtar, që është përfitimi i individëve të përfshirë në ‘të. Kjo kontratë mbetet legjitime vetëm nëse nënshkruesit i pëmbahen ose e përmbushin atë. Sipas Hobsit, “qytetarët nuk janë të detyruar t’i nënshtrohen qeverisë kur kjo është shumë e dobët për të vepruar në mënyrë efektive” kundër dukurive, si kriminaliteti e korrupsioni që shqetësojnë jetën e tyre. Sipas teoricienëve të tjerë, si Locke e Rousseau, “kur qeveria dështon të kënaqë vullnetin e përgjithshëm apo të sigurojë të drejtat e tyre, qytetarët mund të tërheqin detyrimin për t’iu bindur një qeverie të tillë, dhe për të ndryshuar udhëheqjen, zgjedhjet, por edhe dhuna, mbeten zgjidhja.”

Filed Under: Komente Tagged With: Astrit Lulushi, Bota, dhe njeriu i saj

Qeverisje me virtyt

March 19, 2018 by dgreca

1 astrit LULUSHI

Nga Astrit Lulushi/

Nëse planifikon diçka çoje deri në fund ose mos e fillo fare. Sepse është diçka vetëm në se mendja të thotë se eshtë diçka. Ajo që koncepton ekziston, thoshte Sokrati. Edhe në se ti nuk nuk e realizon, dikush tjetër në të ardhmen do ta sjellë në ekzistencë.
Pas vitit 1990, shqiptarët pa dyshim hynë në rrugën e ndryshimeve; me shpejtësi ndryshimet përfshinë shumë sfera. Ndryshimet politike u bënë njësoj të lehta a të domosdoshme sa edhe ndryshimet në shoqëri, familje, individ; burrat ndërruan gratë dhe anasjelltat; më të rinj ndërruan vendin duke marrë rrugët e mërgimit; edhe qeveritë ndërruan njera tjetrën, duke mbetur të lidhura pas vendit.
Mënyra më e mirë nuk është të veprosh njësoj si ai që të ka bërë keq; kjo të bën ty njësoj të keq. Ai që është i mirë, do të bëhet më i mirë, dhe ai që është i keq do të bëhet më i keq; vesi, virtyti dhe koha janë tri gjëra që nuk rrinë palëvizur.
Ai që me të vërtetë e do vendin, përpiqet më së shumti për të promovuar virtytin e tij dhe, ndërsa fuqia dhe ndikimi i tij zgjaten, ai nuk do të lejojë që një njeri të zgjidhet në ndonjë zyrë të pushtetit në se nuk është i mençur dhe i virtytshëm. Në qoftë se ne do ta gëzonim me të vërtetë këtë dhuratë, vetëm atëhere do të bëheshim një popull i virtytshëm. Gjëja kryesore është që gjëja kryesore të mbetet gjëja kryesore.

Filed Under: Komente Tagged With: Astrit Lulushi, Qeverisje me virtyt

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 80
  • 81
  • 82
  • 83
  • 84
  • …
  • 102
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT