• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ISA BOLETINI:UNE S’KUPTOJ HALDUPISHTE

March 16, 2017 by dgreca

ISA BOLETINI – SULLTANIT ABDUL HAMID (1903) : « UN S’KUPTOJ HALDUPISHTE ! » DHE NJË MESAZH PËR RUSËT/1Isa Boletini 2

Nga Aurenc Bebja*, Francë – Mars 2017/

1 Isa Boletin1

Shkrimi në vijim, i 15 prillit 1903, botuar në gjuhën frënge nga gazeta armene, « Pro Armenia », ilustron bisedën mes patriotit shqiptar, Isa Boletini, dhe, sulltanit turk, Abdul Hamid.

Ky shkëmbim është marrë asokohe në gazetën shqiptare, « L’Albanie », me vendodhje në Gjenevë (Zvicërr). Kjo e fundit e ka siguruar atë nëpërmjet korrespondentit të saj në Turqi.

Biseda vë në dukje atdhedashurinë e Isa Boletinit, si dhe vizionin e tij ndaj influencës ruse në Ballkan. Edhe sot e kësaj dite, fjalët e patriotit shqiptar për rusët janë mëse aktuale.

Ja biseda në vijim :

Abdul Hamid : Mirësevini Isa Beu.

Isa Beu : Unë s’kuptoj haldupishte ! (Unë s’kuptoj turqisht).

Abdul Hamid (i drejtohet eunukut të tij) : Sill Tahir pashën (ky është një shqiptar shumë injorant, besnik i tiranit, drejtues i garnizonit shqiptar në pallat).

Tahir pasha hyn.

Abdul Hamid : Tahir pasha, uroni Isa beut mirëseardhjen nga ana ime.

Tahir pasha : Isa beu, Lart Madhnia e Tij thotë mirëserdhe.

Abdul Hamid : Tahir pasha pyesni Isa beun përse ai është kundra kaurëve (shprehje me të cilin turqit quanin me përbuzje ata që nuk ishin të fesë myslimane, pra një fyerje e Sulltanit ndaj të krishterëve).

Isa Beu : Tahir pasha, i thoni Madhërisë së Tij se nuk e kuptoj fare këtë fjalë « kaur » ; unë kuptoj fjalët mysliman dhe katolik.

Abdul Hamid : Kaur do të thotë armik i fesë sonë ; të gjithë të krishterët janë armiqtë tanë.

Isa Beu : Ne, ne jemi shqiptarët, ne kemi një atdhe ku populli shqiptar përbëhet nga tri fe. Pra, si mundet që shqiptarët katolikë të jenë armiqtë tanë ? Gjatë luftës dhe pas luftës ruso – turke, shqiptarët, pa dallim feje, morën armët kundra armiqve. Ne kemi luftuar së bashku me njëri – tjetrin kundër të gjithëve.

Abdul Hamid : Le ta mbyllim këtë diskutim të pavlerë. Përse Isa bej nuk e dëshiron konsullin rus të vendoset në Mitrovicë ?

Isa Beu : Çështja e konsullit rus është një çështje tërësisht politike. Ne, shqiptarët, nuk duam të kemi në zemër të atdheut shqiptar një fole sllave, aty ku nuk ekziston qoftë edhe një rus. Vendosja e konsullatës ruse në Shqipërinë veriore, si në rastin e Mitrovicës do të shkaktojë me kalimin e kohës trazira të mëdha mes shqiptarëve të krishterë dhe myslimanë. Rusia dëshiron të shkaktojë gjithmonë trazira në Ballkan, dhe jo të kontribuojë për paqen. Në qoftë se Madhëria e Tij dëshiron të na trembë me kozakët e rusisë, të cilët thuhet së do të vijnë me konsullin në Mitrovicë, shqiptarët do t’i shporrin me qëllim për të mbrojtur të drejtat e tyre kombëtare.

Abdul Hamid : Kjo nuk është e vërtetë. Ju lutem, Isa bej, të paktën, lëreni konsullin të vijë i vetëm, që të mos kemi probleme me moskovitët (term ofendues në turqisht ndaj rusëve).

Isa Beu : Ne e pranojmë konsullin me qëllim për të përmbushur dëshirën e sovranit tonë (komunikim diplomatik) ; por ne nuk duam të shohim tek ne kozakët ; rojet e konsullatës do të jenë bashkatdhetarët tanë.

Abdul Hamid : Shumë mirë, shumë mirë, shumë mirë ! Ne do t’i shkruajmë menjëherë ambasadorit rus. Unë jam shumë i kënaqur prej jush. A dëshironi që të ju bëj pasha në pallatin tim, pranë meje ? Do të keni të holla, shërbëtorë, etj.

Isa Beu : Jo Madhëri. Unë preferoj të qëndroj pranë fëmijëve, prindërve dhe bashkombasve të mi, duke punuar me ndërshmëri në vendin tim për të siguruar jetesën e familjes sime. Ju falenderoj për bujarinë ndaj shërbëtorit tuaj (Dihet shkëmbim diplomatik).

Abdul Hamid : Ju lutem edhe një herë, Isa Beu, mos krijoni trazira dhe demostrata kundër rusëve. Udhë e mbarë, Isa Beu. Përshëndetni nga ana ime të gjithë shqiptarët e mi që i dua shumë ?!!!

Isa Beu, pas një nderimi mjaft urryes, largohet nga pallati.

* (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania : https://www.darsiani.com

Filed Under: Histori Tagged With: Abdul Hamiti, Aurenc Bebja, Isa Boletini, S'kuptoj Halldupce

8 prill 1939-Reagimet e shqiptarëve ndaj pushtuesit italian në gazetën franceze « Le Populaire »

March 5, 2017 by dgreca

8 prill 1939 / Reagimet e shqiptarëve brenda dhe jashtë atdheut ndaj pushtuesit italian në gazetën franceze « Le Populaire »/

1gazeta

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France/

 Nga Aurenc Bebja*, Francë – 5 Mars 2017/

Gazeta franceze « Le Populaire », në faqen e parë, të tretë dhe të katërt të saj, i ka kushtuar një vëmendje të veçantë pushtimit të Shqipërisë nga Italia.

Më 7 prill 1939, forca të shumta ajrore dhe detare armike, me urdhër të Benito Musolinit dhe me miratimin e Hitlerit, do të hyjnë në hapsirën shqiptare me qëllim për të pushtuar së pari qytetet bregdetare. Ushtria shqiptare, edhe pse e pabarabartë në numër në krahasim me atë italiane, nuk do të dorëzohet. Madje, ajo do t’u përgjigjet sulmeve italiane nëpërmjet 26 mijë rezervistëve të mobilizuar asokohe nga qeveria shqiptare. Gjithashtu, reagimet e shqiptarëve, brenda dhe jashtë atdheut, ndaj kësaj padrejtësie, nuk do të mungojnë. Ja disa prej tyre, të botuara të shtunën e 8 prillit 1939 në gazetën franceze :

 Thirrja shqiptare ndaj popullit italian/

2 Gazeta

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

 Më 7 prill 1939, në Tiranë, zyra e shtypit shqiptar, nëpërmjet radios, do t’i drejtohej popullit italian me këto fjalë :

« Italianë, regjimi i Musolinit, të cilit nuk i kanë mjaftuar pesë vite luftë që kanë shkatërruar ekonominë dhe gjakosur jetët më të reja të Italisë, vetëm për arsye madhështie në politikën e jashtme, sulmon sot një popull me një milion shqiptarë i cili, në rrjedhën e shekujve, edhe pse krenar për pavarësinë dhe lirinë e tij, i ka dhënë prova miqësie popullit italian.

Këtë sulm të padrejtë, i gjithë populli shqiptar, me armët në duar, e ka kundërshtuar me vullnetin e tij të pathyeshëm për të rezistuar deri në pikën e fundit të gjakut të tij.

Populli shqiptar, në këtë moment tragjik, përdor sloganin e Musolinit sipas të cilit « një popull që nuk lufton nuk e meriton të jetojë. »

Populli shqiptar i shton këtij slogani se burrat, gratë dhe fëmijët do të rinovojnë në këtë orë tragjike leksionin e heroizmit suprem përballë ndërgjegjes së botës së qytetëruar. »

Deklarata e Legatës së Shqipërisë në Francë

3 ok GazzettaBurimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France/
4 ParisLegata e Shqipërisë ka komunikuar më 7 prill 1939, në orën dymbëdhjetë e gjysëm, thirrjen në vijim :

« Legata e Shqipërisë në Francë, në emër të qeverisë së saj dhe të gjithë popullit shqiptar, proteston në mënyrë absolute kundër veprimeve barbare të qeverisë fashiste në Shqipëri.

Parlamenti shqiptar, duke rrëzuar dje në mbrëmje njëzëri ultimatumin i cili përmbante kushte të papranueshme për një popull të lirë, forca të shumta detare dhe ajrore kanë bombarduar gjatë kësaj nate dhe vazhdojnë të bombardojnë dhunshëm të gjitha qytetet bregdetare, duke masakruar gra dhe fëmijë të pambrojtur.

 Ushtria shqiptare dhe i gjithë populli shqiptar, me të drejtën e tyre për të jetuar të lirë dhe të pavarur, pavarësisht nga pabarazia e forcave : 44 milionë italianë kundër 1.2 milionë shqiptarë kanë shtyrë deri tani të gjitha përpjekjet për zbarkim.

Legata u adreson këtë thirrje të gjitha kombeve të civilizuara, për të cilat ligji është ende një rregull ndërkombëtar, që një ndihmë morale dhe materiale e menjëhershme tu jepet shqiptarëve të cilët, pavarësisht forcave të pabarabarta, i bëjnë ballë me gjoksin e tyre flotës barbare të pushtuesit. »…

 Mbreti Zog pohon vullnetin e tij për rezistencë/

1488706347

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

 « Londër, 7 prill – Një telegram nga Tirana, dërguar në Londër gjatë mbrëmjes, njofton se mbreti Zog i Shqipërisë ka lajmëruar personalisht legatarët britanikë, francezë, amerikanë, jugosllavë, turq, grekë dhe rumunë për sulmin e territorit shqiptar nga forcat ushtarake italiane.

Mbreti Zog u ka thënë gjithashtu përfaqësueve të huaj diplomatikë se qeveria e tij ka vendosur për të mbrojtur tokën shqiptare me të gjitha forcat që ka në dispozicionin e saj dhe se lufta vijon me një frymë të madhe rezistence nga ana e trupave mbretërore shqiptare.1 Zogu 1

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

 Së fundmi, Mbreti Zog u ka kërkuar ministrave të jashtëm të lajmërojnë qeveritë e tyre përkatëse se sulmet italiane përbëjnë një shkelje zyrtare të të gjitha traktave dhe marrëveshjeve ekzistuese midis Shqipërisë dhe Italisë »

 * Çdo gazetë online apo print, çdo portal që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Aurenc Bebja, Francë) dhe burimin e informacionit në fund (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), si dhe të vendosë linkun e burimit : https://www.darsiani.com/la-gazette/8-prill-1939-reagimet-e-shqiptareve-brenda-dhe-jashte-atdheut-ndaj-pushtuesit-italian-ne-gazeten-franceze-le-populaire/. 

 

Filed Under: Histori Tagged With: 8 prill 1939, Aurenc Bebja, jashtë atdheut ndaj, Reagimet e shqiptarëve brenda dhe

ALI PASHË TEPELENA – KONSULLIT FRANCEZ : NËNA HANKO, FRYMËZUESJA IME

January 29, 2017 by dgreca

1485704037Nga Aurenc Bebja*, Francë – 29 Janar 2017/Në librin e Alphonse De Beauchamp, me titullin « Jeta e Ali Pashës » – botuar në korrik të 1822 në Paris – gjejmë një përshkrim për nënën e Ali Pashë Tepelenës, Hankon, një grua e zgjuar dhe e guximshme, e cila pas vdekjes së burrit të saj, Veliut, u kujdes me devotshmëri për djalin e saj. Pikërisht, për këtë arsye, në faqen 32 të veprës, Pashai i ka rrëfyer konsullit francez, François Pouqueville, të gjithë admirimin që kishte për nënën e tij.

Përshkrimi i Hankos nga De Beauchamp :

« Aliu, ende shumë i ri për të mbrojtur ato prona të pakta të babait, të cilat armiqtë e tij nuk ia kishin marrë akoma, do t’i kishte humbur të gjitha në qoftë se nëna e tij nuk do të merrte nën kontroll administrimin e tyre.Deri në atë moment Hanko, vajza e Beut të Konicës dhe e veja e Veli – Beut, dukej një grua e zakonshme. Pak kohë pas vdekjes së Veli – Beut, ajo vuri në dukje aftësinë e saj të madhe dhe forcën e saj shpirtërore të jashtëzakonshme ; por me një karakter të fortë, me disa ngjashmëri me Olimpian, nënën e Aleksandrit, e lindur si ajo në Epir.Duke mos pasur qëllim tjetër përveçse sigurimin e trashëgimisë së burrit të saj për të birin, Aliun, të cilin e donte shumë, ajo, me kujdesin dhe të gjitha përpjekjet, mori në dorë fatin e familjes (shtëpisë).Aliu ishte asokohe 14 vjeç. Shpirti i tij i turbullt dhe gjallëria e skajshme u shfaqën herët tek ai. Babai (Veliu) nuk arriti të përqëndronte vëmendjen e tij për të studiuar ; Aliu largohej prej të atit dhe kujdestarit të tij, ikte nga shtëpia fshehurazi dhe shkonte e vraponte nëpër male, duke u endur mes borës dhe pyjeve. Pas vdekjes së babait, duke u mbështetur tërësisht tek nëna  e tij e dashur, ai iu nënshtrua vullnetit të saj, mësoi të lexonte, dukej më i qetë, dhe ndoqi vetëm këshillat e Hankos. »

Rrëfimi i Ali Pashë Tepelenës me konsullin francez François Pouqueville :

 « I detyrohem për gjithçka nënës time, sepse babai pas vdekjes me patë lënë vetëm një strehë dhe disa fusha (ara). Imagjinata ime, frymëzuar prej këshillave të asaj që më dha jetën dy herë, për faktin se ajo më bëri burrë dhe vizir, më tregoi sekretin (rrugën) e fatit tim (të ardhmes). Që nga ai moment, nuk shihja më në Tepelenë vetëm se vendlindjen nga e cila përgatitesha për të sulmuar gjahun që kisha në mendje. Ëndërroja vetëm për pushtet, thesare, pallate, ku me kohën i kam realizuar dhe do të vazhdoj ; sepse pika ku ndodhem, nuk është fundi i shpresave (ëndrrave) të mia. »

Këshilla e Hankos :

Faktikisht, Hanko, duke e rritur Aliun që të jetë mbështetësi dhe trashëgimtari i pasurisë së saj, i mbante atij maksima, të cilat në një farë mynyre ishte i detyruar t’i ndiqte :

« Biri im, ai që nuk mbron pasurinë e tij, e meriton që t’ia rrëmbejnë. Kujtohu se pasuria e të tjerëve u përket atyre vetëm se janë të fortë (të aftë) ; në qoftë se ti fiton mbi ta, atëherë pasuria do të përkasë ty. »( Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France….Publikohet me deshiren e autorit- Kortezi: Aurenc Bebja, Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania : https://www.darsiani.com)

Filed Under: Histori Tagged With: Ali pashe Tepelena, Aurenc Bebja, Hankua

1929- Fan S. Noli:Një tragjedi në tri akte ndaj shqiptarëve

January 25, 2017 by dgreca

Mars 1929 / Fan Noli në revistën franceze « Le Cris des Peuples » : Një tragjedi në tri akte ndaj shqiptarëve në Jugosllavi dhe Greqi – Shpronësim, dëbim, asgjësim/

Noli

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France/

9 Noli

Nga Aurenc Bebja*, Francë/Revista mujore franceze « Le Cris des Peuples », 4 marsin e vitit 1929, ka botuar shkrimin e Fan Nolit, i cili gjendet në faqen n°18./

Serbët dhe grekët po ushtronin metoda barbare shpronësimi, dëbimi dhe asgjesimi ndaj bashkatdhetarëve tanë, të cilët, për arsye të politikave makiavelike, fatkeqësisht u gjendën jashtë kufijve zyrtarë të Shqipërisë.

Në vijim, analiza alarmuese e Fan Nolit përreth kësaj situate : « Diktatura jugosllave peshon rëndë mbi të gjithë popujt e nënshtruar nga militaristët serbë. Ajo është shtypëse për shqiptarët e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare të Ulqinit, Tivarit, Hotit, Grudës, Plavës, Gucisë dhe Dibrës,  të aneksuara me radhë në vitin 1880, 1912, 1919 dhe 1924 nga Serbia.

Bëhet fjalë për afërsisht një milion banorë të privuar nga të drejtat më bazike. As edhe një shkollë e vetme shqiptare për këtë popullatë kompakte që e kalon numrin e asaj të Shqipërisë së pavarur e të gjymtuar nga Traktatet. Asnjë shoqatë, madje as për bamirësi, nuk është lejuar për ta. Asnjë anëtar nuk i përfaqësonte në Skupshtinën (Kuvendi Serb) e shpërbërë.

Udhëheqësi i tyre, Ferhat Draga, u dënua me njëzet vite burg për kryerjen e krimit në lidhje me shpalljen e rikandidimit të tij për t’u rizgjedhur në zgjedhjet e fundit parlamentare. Kolegu i tij, ish-deputeti « Nisam Xhafurri (Gjafuri) », u vra pabesisht në vitin 1927, për të njëjtën arsye. Rivali i tyre, Jusuf Ahmeti, u vra kohëve të fundit, për arsye se guxoi të zgjidhej anëtar i këshillit bashkiak të qytetit të Prishtinës.

Kështu hiqen qafe liderët problematikë. I vrasin në mes të ditës dhe në mes të qyteteve. Vrasësit janë anëtarë famëkeqë të bandave fashiste të cilat terrorizojnë këta rajone që nga luftërat ballkanike nën kujdesin e qeverisë së Beogradit. 

***

 Disa të shtëna me revole mjaftojnë për udhëheqësit. Sa për banorët, ata ekzekutohen me mitraloz ose detyrohen të emigrojnë për t’u lënë vendin pushtuesve fashistë serbë. Në këtë lloj mënyre « serbizohen » sistematikisht të gjitha rajonet shqiptare et sidomos ato të ndodhura afër kufirit shqiptaro – jugosllav ose përgjatë hekurudhave. Dhjetëra mijëra të pafatë janë të detyruar të shkojnë jashtë vendit në këtë mënyrë çdo vit.

Më e keqja është se asnjë shtet nuk dëshiron t’i marrë këta refugjatë. Turqia është e mbushur plot, Shqipëria është e varfër për t’u ofruar atyre një shtëpi të re, ndërsa vendet e tjera janë të mbyllura ndaj këtij lloj migrimi masiv. Kështu, kohët e fundit, një grup prej tre mijë të këtyre emigrantëve, pasi u endën nëpër gadishullin e Ballkanit – nga toka – për muaj e muaj, u detyruan gjithashtu të lëvizin edhe nëpërmjet detit…; Nuk i lejonin të zbarkonin në asnjë port. Disa të mbijetur të këtij udhëtimi u vendosën në Shqipëri. Të tjerët vdiqën nga uria, i ftohti, lodhja dhe nga sëmundjet e marra gjatë rrugëve.

Po fati i shqiptarëve të krahinës së Çamërisë (Epiri i Jugut), e aneksuar nga Greqia, e cila nuk është ndryshe (nga shembulli Jugosllav). Kjo është vetëm një përsëritje e të njëjtës tragjedi me tri akte : Shpronësim, dëbim, asgjësim.

***

Unë kam folur më sipër për një milion shqiptarë në Jugosllavi. Sipas jugosllavëve, atje tani ka vetëm 700 000 ! Mos vallë i kanë hequr qafe 300 000 ? Dhe sa kohë do u duhet për të eliminuar ata që kanë mbetur ? Ata (jugosllavët) do të veprojnë shpejt kësaj here dhe pa formalitete të panevojshme. Dhe kjo do të jetë lavdia më e madhe e « Dorës së Bardhë Panserbe » !Në mes të Europës po përsëritet një tragjedi po aq e përgjakshme sa ajo e armenëve në Azinë e Vogël. Por tragjedia armene ndodhi gjatë Luftës së Parë Botërore, kur ishte e vështirë të ishe human, ndërsa tragjedia shqiptare në Jugosllavi ndodh para syve tanë në kohë paqeje, kur është e vështirë të imagjinohet se mund të jemi aq mizor.Pra, kancelaritë evropiane, të cilat janë të vetëdijshme për këtë çështje, nuk janë shqetësuar fare. Me sa duket, tonet e zbutura nuk janë në modë… Në Azinë e Vogël, bëhej fjalë për krishterë që u shfarosën nga muhamedanët turq. Në Jugosllavi dhe Greqi, bëhet fjalë për muhamedanë shqiptarë të shfarosur nga krishterët serbë dhe grekë. Ky është ndryshimi. Dhe kjo shpjegon në një farë mase indinjatën e djeshme dhe apatinë e sotme. A jemi ende në mesjetë ?E gjitha kjo e ka një shpjegim : vrasësit e armenëve ishin turqit, armiqtë e Luftës së Madhe ; vrasësit e shqiptarëve janë serbët dhe grekët, aleatët e Luftës së Madhe.

Gjithçka u lejohet aleatëve fisnikë. Por atëherë, a jemi ende në luftë ? Fatkeqësisht, po. Vetëm naivët besojnë se kemi bërë paqen e Versajës ! 

Fan Noli

Ish – Kryeministri shqiptar »

Shkroi:Aurenc Bebja,Francë/ – 25 Janar 2017(Kortezi:www.darsiani.com)

Filed Under: Featured Tagged With: 1929- Fan S. Noli: Një tragjedi, Aurenc Bebja, ndaj shqiptareve, në tri akte

1920- VATRA-Gazetës «L’Action Française»:« Po Kombësia Shqiptare ? »

January 22, 2017 by dgreca

 Letra e Federatës Panshqiptare të Amerikës «Vatra» drejtuar gazetës «L’Action Française», mars 1920/

1-ok-aurencimage

Nga Aurenc Bebja*, Francë/ Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France//

Gazeta « L’Action française » me qendër në Paris, të shtunën e 6 marsit 1920, në faqen n° 3, ka botuar letrën e dërguar nga Federata Panshqiptare e Amerikës « Vatra ».

Shkrimi mban titullin : « Po Kombësia Shqiptare ? »

Drejtuesit e gazetës ishin në dijeni për situatën në të cilën gjendej Shqipëria asokohe, por letra e dërguar nga Vatra u ka mundësuar atyre të jenë ende dhe më të qartë mbi momentet e vështira që po përjetonte Kombi ynë.

Si fillim do të gjeni rrëfimin thumbues të gazetës mbi grekët e serbët dhe në vijim mbrojtjen e interesave kombëtare shqiptare nga Vatra.

Rrëfimi i gazetës :

« Ne kemi marrë nga Shoqëria shqiptare Vatra letrën në vijim e cila vërtetëson vëzhgimet që ne kemi paraqitur disa herë këtu (në gazetë). Grekë e Serbë, që flasin për parimin e kombësisë në interes të tyre, e dhunojnë atë në mënyrë cinike kur bëhet fjalë për vende më të vogla se ato. »

Letra e Federatës Panshqiptare të Amerikës « Vatra » :

« …Në vitin 1913, në Konferencën e Londrës, Shqipëria u sakrifikua për të kënaqur orekset e vendeve ballkanike ; E gjithë fusha shqiptare e Kosovës dhe Maqedonia perëndimore me pothuajse një milion shqiptarë, dhe Epiri i jugut me krahinat e tij të pasura, u dhanë shteteve të vogla fqinje.

Të inkurajuara nga Rusia, Greqia shkatërroi jugun e Shqipërisë dhe bëri hi më shumë se 400 fshatra ; po ashtu Serbia shkatërroi rajone të tëra shqiptare mes Shkupit, Pejës dhe Ohrit.

Shqiptarët e kanë pritur Konferencën e madhe (Bëhet fjalë për Konferencën e Paqes në Paris, janar 1919 – gusht 1920) me qëllim korrigjimin e dëmeve që kanë pësuar. Kemi folur për drejtësinë dhe të drejtën e kombësisë.

Nëse riparimi i padrejtësive dhe dëmeve që Shqipëria ka pësuar në 1913 është i vështirë, të lihen të paktën kufijtë e përcaktuar në Konferencën e Londrës dhe t’i evitojmë asaj një copëtim të ri ; se Greqia dhe Serbia s’kanë aspak nevojë të zgjerohen në kurriz të Shqipërisë, ndërsa kjo e fundit nuk mund të copëtohet më tej pa pasur rreziqe serioze gjakderdhje (vdekje). »

Francë – 22 Janar 2017

* Aurenc Bebja, Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania(www.darsiani.com)

 

Filed Under: Histori Tagged With: « Po Kombësia Shqiptare ? », 1920, Aurenc Bebja, Vatra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • …
  • 27
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kosova paraqet mundësi të shkëlqyeshme për investime
  • PARTIA NUK ËSHTË ATDHEU, O KOKËSHQOPE
  • 50 VJET VEPRA POETIKE KADARE
  • IT’S NOVEMBER 28TH
  • Një arritje për shqiptarët në Michigan
  • MË 4 SHKURT 2023 DO THEMELOHET DEGA E VATRËS NË CHICAGO
  • Bibla e parë
  • Portretizimi i Isa Boletinit sipas gazetës “Fremdenblatt”(1916)
  • Charles McGonigal…
  • Sopranoja Shqiptare Ermonela Jaho “Artisja e Vitit 2023” Sonte në Operën Metropolitan
  • ASLLAN BUSHATI: “DIKTATI I ADM-ve NË LUFTËN E FTOHTË E PAS SAJ”
  • Eksperimenti, Asociacioni/Bashkësia …!
  • Department of State Signals Pressuring Kosovo to Discuss the EU Proposal, Vucic “Drama Queen” Says President Osmani
  • ZGJEDHJET PRESIDENCIALE TEST PËR ATO PARLAMENTARE
  • Presidentja Osmani dekoroi me Medaljen Presidenciale Ushtarake komandantin e Gardës Kombëtare të Iowa-s, gjeneralmajor Benjamin J.Correl

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT