• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

CINEMONDE (1937) / RRËFIMI I GEO KELBER MBI XHIRIMET E FILMIT DOKUMENTAR NË SHQIPËRI

September 7, 2023 by s p


Geo Kelber, operatori i tij dhe dragomani i tij shqiptar në Shkodër — Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Geo Kelber, operatori i tij dhe dragomani i tij shqiptar në Shkodër — Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 7 Shtator 2023

Revista “Cinémonde” ka botuar, të enjten e 7 tetorit 1937, në faqen n°8, rrëfimin e gazetarit francez Geo Kelber mbi xhirimet e filmit dokumentar në Shqipëri, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Kamera në mes të plumbave të Shqipërisë ku mbërriti në mes të revolucionit

Geo Kelber, gjuetar i palodhur i imazheve, solli një fill të sinqertë, të gjallë dhe me interesin më të lartë

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Geo Kelber është një gazetar i ri. Ish-redaktor në një të përditshme të madhe të mbrëmjes, ai ka disa vite që interesohet për kinemanë. Me dëshirën për të mësuar teknikën, ai fillimisht vëzhgoi për një kohë të gjatë dhe studioi me kujdes, pastaj kur gjykoi se dinte mjaftueshëm, mori guximin të prodhojë. Duke dashur të mbetet reporter, ai filmoi dokumentarë si “Kina 37”, të cilin mund ta shohim aktualisht dhe tema e të cilit është një aktualitet i nxehtë, dhe “Andorra”, që do të publikohet së shpejti në Paris. Këto janë suksese të përsosura.

— Filmi dokumentar duhet të realizohet sipas koncepteve gazetareske, na thotë Geo Kelber. Ose një gazetar duhet të bashkëpunojë me operatorin e kamerës, ose drejtori (regjisori) duhet të jetë gjithashtu reporter. Deri më tani, producentët e dokumentarëve e konsideronin këtë lloj filmi vetëm nga këndvështrimi reklamues dhe me subvencionin e marrë dërgonin një kameraman që aty-këtu bënte një xhirim, pa ditur nëse filmimi i tërë do t’i përgjigjej qëllimit të dëshiruar.

“Sot dokumentari ka evoluar. Regjisorët e mëdhenj si Léon Poirier, Van Dyke, Robert Flaherty, nuk besonin se po dështonin duke u marrë me të; eksploruesit e famshëm e kuptuan vlerën e kinemasë, gazetat ranë dakord të bashkëpunonin në prodhimin e reportazheve kryesore të filmuara dhe të huazonin yjet e ekipit të tyre editorial për këtë. Për më tepër, iniciativat origjinale, si La Marche du Temps – Marshi i Kohës, kanë qenë një stimul pozitiv dhe kanë tërhequr gjithnjë e më shumë vëmendjen e publikut ndaj reportazhit të filmuar, i cili më në fund po gëzon suksesin e merituar.

Sapo kam realizuar dy filma të pablikuar më parë, njëri për Republikën e vogël të Andorrës, tjetri për Shtetin e ri të Shqipërisë. I dyti, i cili është mjaft i rëndësishëm duke qenë se ne impresionuam pothuajse 4000 metra, kërkoi më shumë se katër muaj përpjekje dhe durim.

Majin e kaluar, kur isha në Lozanë, më kërkuan të shkoja në Shqipëri për të filmuar një dokumentar atje. Pasi mblodha dokumentacionin e mjaftueshëm dhe realizova një projekt-skenar, sepse unë nuk jam aspak adhurues i improvizimit në vend, u nisa me operatorin tim, Georges Alexath, me qëllimin për të bërë një punë të mirë.

Sapo mbërritëm në Durrës, dikur rezidenca e Princ Vidit, u detyruam të qëndronim në vend (palëvizur) për tre javë, të ndaluar të filmonim asgjë. Shqipëria ishte atëherë në mes të një revolucioni. Et’hem Toto, ish-ministër i Brendshëm, sapo ishte ngritur kundër Zogut I, mbretit aktual dhe kishte pushtuar qytetin e Gjirokastrës. Të monitoruar natë e ditë, Alexath, Victor Rich, producenti im, drejtori ynë i produksionit dhe unë pritëm derisa të kthehej qetësia. Ndërkohë, qeveria shqiptare po kryente një hetim të dyfishtë në Paris dhe Lozanë dhe informacionet që ajo mori ishin të kënaqshme, ne mundëm që kur kryengritja u vu më në fund nën kontroll, të punonim si të donim.

Të shoqëruar nga Avni Bej Delvina dhe Rexhai (Reks) Kosturi, përfaqësuesë të zotit Musa Juka, ministër i Brendshëm, u nisëm për në malet e veriut, ku banojnë fiset mirditore dhe dukagjinase. Ata jetojnë sipas traditave të malit, duke ndjekur një kod nderi shumë të rreptë, duke zbatuar në mënyrë të paepur hakmarrjen dhe duke ju pritur në mënyrë madhështore, siç kërkohet nga ligjet stërgjyshore të mikpritjes.

Jugu ka pësuar dominimin e grekëve që ishin zotërit e tij pas Luftës Ballkanike. Nga ana tjetër, ka gjurmë të shumta të Hellasit (Helladës), veçanërisht rreth detit Jon. Kështu në Butrint, një mision arkeologjik francez po ndërmerr gërmime shumë të rëndësishme. Bregdeti i Himarës, ku majat e maleve mbeten vazhdimisht nën re, ka një notë kurioze misterioze dhe pa dyshim që nga ky rajon ka nisur historia fantastike e Kimerës. Vlora duhet cilësuar si Gjibraltari i Adriatikut. Është një pikë e rëndësishme strategjike që italianët e lakmojnë dhe që shqiptarët e ruajnë (mbrojnë) me xhelozi.

Shqiptarët që për 400 vjet ishin nën dominimin e osmanllinjve dhe që megjithatë ruajtën dashurinë për atdheun e tyre, me shumë mundësi janë arianë të pastër. Ata praktikojnë tre besime fetare. Ata janë : katolikë, myslimanë, ortodoksë. Ajo që është kurioze është se ata janë shumë tolerantë. Pra, katolikët shkojnë në festat myslimane dhe ortodokse dhe anasjelltas.

Në Shkodër, duke pasur nevojë për ndihmën e ushtrisë, sepse pjesa e parë e filmit tim është një retrospektivë e shpejtë historike, shkova te komandanti i garnizonit, kolonel Ullagaj. Ky ish-oficer rus i bardhë pothuajse u bë zot i Moskës në kohën e Revolucionit të Kuq dhe më vonë mori pjesë në grushtin e shtetit të Zogut I që rezultoi në paqësimin e Shqipërisë. Ullagaj më priti shumë mirë dhe më dha gjithçka që kisha nevojë. Të nesërmen, rreth njëqind burra, të cilëve u ishin shpërndarë armë dhe gëzhoja bosh, sulmuan qytetin dhe qëndruan para aparatit tim gjatë gjithë ditës. Popullsia, e pa paralajmëruar, me të shtënën e parë u vërsul drejt kalasë, në panik. Jo pa vështirësi ia dolëm që të kuptojë se bëhej fjalë vetëm për kinemanë. Komandanti i garnizonit më autorizoi të përdor mitralozë, por më kërkoi që të mos përdorja topat, sepse nuk duhet t’i shqetësoja jugosllavët, kufiri i të cilëve ishte vetëm dymbëdhjetë kilometra larg.

Pasi mbaruan xhirimet, ne patëm shumë vështirësi për të rimarrë armët tona, shqiptarët donin me çdo kusht të gjuanin të gjitha gëzhojat bosh që u kishim shpërndarë.

Një herë tjetër gati sa nuk patëm një incident të lehtë. Për qëllimet e një skene, unë udhëzova një shqiptar të gjuante me pushkë nga maja e murit të një fortese të lashtë. I rekomandova që të mbante shenjestër në drejtim të një varreze të vogël ku nuk kishte njeri. Kështu bëri. U dëgjua një shpërthim, i ndjekur nga një britmë e dhunshme. Ne nxituam. Plumbi kishte kaluar afër një gruaje të moshuar që falej, pranë një varri dhe për pak centimetra mund ta kishte prekur.

Shqiptarët, ju thashë tashmë, janë shumë mikpritës. Për ta, vizitori, veçanërisht i huaji është i shenjtë. Asgjë nuk është shumë e mirë për të dhe gjithçka duhet të vihet në dispozicion të tij.

Një nga përfaqësuesit e Ministrisë së Brendshme, që na shoqëronte, na tha se mund të shkonim kudo pa frikë se do të na sulmojnë apo grabitin.

Një mbrëmje, teksa hoqi tunikën përpara nesh, pashë të varur në brez, një revolver mbresëlënës. Ndërsa i tregova habinë time, ai u përgjigj :

— Ju jeni i huaj, nuk duhet të keni frikë, por për mua nuk është e njëjta gjë, unë jam vendas.

A nuk është e bukur ?

Kështu, pata mundësinë, jo pa rrezik, pasi, teksa qëndronim në një vend moçalor, më kapi një lloj malarie, për të xhiruar atje një film që shpresoj të jetë interesant. Unë kam sjellë disqe të muzikës shqiptare që do të frymëzojnë shoqëruesin muzikor dhe shpresoj që publiku të ketë në filmin tim një vështrim të sinqertë të asaj që është Shqipëria, një vend plot sharm dhe poezi.”

— Projekte të tjera ?

— Po. Unë jam duke përgatitur një reportazh shumë të madh, i cili do të marrë shumë muaj për ta përfunduar dhe për të cilin do të shoqërohem nga një koleg gazetar, i cili krahas filmit do të shkruajë një seri artikujsh për një të përditshme të madhe në Paris. Pra, do të jetë njëqind për qind reportazh.

Le të urojmë që Geo Kelber të mos ndalet me kaq. Ai ka besimin dhe entuziazmin e të rinjve. Ai ka gjithçka për të pasur sukses dhe duhet të japë një kontribut të vlefshëm dhe të dobishëm në filmin dokumentar.

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebja

IL POPOLO DEL FRIULI (1938) / KUR MBRETI ZOG DËRGOI MBRETËRESHËN GERALDINË TË VIZITOJË PËR HERË TË PARË KRAHINËN E MATIT

August 29, 2023 by s p


Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France.
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France.

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 29 Gusht 2023

“Il Popolo del Friuli” ka botuar, të premten e 25 shkurtit 1938, në faqen n°6, një shkrim rreth vizitës së parë të Mbretëreshës Geraldinë në krahinën e Matit, vendlindjen e Mbretit Zog, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

Mbreti Zog dhe e fejuara e tij në krahinën e Matit

Burimi : Il Popolo del Friuli, e premte, 25 shkurt 1938, faqe n°6
Burimi : Il Popolo del Friuli, e premte, 25 shkurt 1938, faqe n°6

Mirëpritje entuziaste

Tiranë, 24 shkurt.

Mbreti Zog dhe kontesha Geraldina Apponyi, të shoqëruar nga familja mbretërore dhe suita e tyre, u nisën sot për në krahinën e Matit, djep i familjes Zog që luajti një rol mbizotërues atje me bejlerët e saj, për të shkuar për një qëndrim të shkurtër në vilën e Qafës së Shtamës, e cila ndodhet në një vendpushim piktoresk malor.

Sovrani dhe Mbretëresha e ardhshme u pritën me entuziasëm nga popullsia.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Aurenc Bebja

REVISTA “LES BONNES SOIRÉES” (1960) / INTERVISTA EKSKLUZIVE ME MBRETËRESHËN GERALDINË NË KANË TË FRANCËS : “KOHA IME E LIRË U KUSHTOHET ORGANIZATAVE BAMIRËSE… DI TË GATUAJ BYREKUN…”

August 10, 2023 by s p


Sot, ish-mbretëresha Geraldinë mendon mbi të gjitha për djalin e saj Lekën. Ai është një djalë i bukur njëzet e një vjeç. Ka një gjatësi prej 2.07 m. Ka studiuar fillimisht në Zvicër, pastaj në Angli. Fotoja jonë i përfaqëson ata në këtë vend gjatë studimeve të Lekës në Sandhorst. – Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France.


Nga Aurenc Bebja*, Francë – Gusht 2023

Revista “Les bonnes soirées” ka botuar, me 18 shtator 1960, në faqet n°6 – 8, intervistën ekskluzive me mbretëreshën Geraldinë të Shqipërisë të zhvilluar asokohe në Kanë të Francës, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Geraldinë Apponyi, bukuroshja e Budapestit, u detyrua të largohej nga mbretëria e saj dhe të vuajë tmerret e ekzilit.

Një intervistë ekskluzive nga Claude Salvy 

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Një vilë e madhe e rrethuar me palma dhe lule. Një vilë që ka fytyrën e shumë të tjerave dhe ku duket se vetëm ëmbëlsia e jetës mund të gjejë azil. Pavarësisht kësaj pamjeje, këto bugainvile, gjethja e purpurt e të cilave ka elegancën e luleve, « La Pierre Grise » nuk është një vilë si të tjerat. Banorët e saj kanë një histori, sepse heronjtë fatkeq të një prej faqeve tragjike të saj, janë pjesë e historisë së Evropës. Kjo vilë e madhe e krijuar për lumturinë strehon ish-mbretin Zog I të Shqipërisë, gruan e tij Geraldinë dhe djalin e tyre të vetëm Leka.

Pikërisht në kopshtin e qytetit më mirëpret një bukuroshe e re bjonde, e gjatë, e hollë.

Ajo kishte veshur një fustan blu të çelët, me dy rreshta perla në qafë, një diamant të mrekullueshëm në gisht dhe në xhaketën e saj të bardhë një lule blu. Zëri i saj ishte i qartë, i butë, pa asnjë theks. Sytë e saj blu-gri rrezatonin butësi dhe inteligjencë.

— Jam i lumtur t’ju mirëpres, zonjë.

Unë kam para meje mbretëreshën Geraldinë, fati tragjik i së cilës kishte tronditur mbarë Evropën pak muaj para trazirave të mëdha të Luftës së Dytë Botërore.

Prill 1938 : Evropa nuk është ende në zjarr, por lufta civile sjell lot gjaku në Spanjë. Hitleri sapo ka aneksuar Austrinë, por jeta vazhdon. Turmat zbuten mbi pesënjakët katërvjeçarë të Kanadasë.

Ajo dhe ai.

Mbreti Zog do të martohet me konteshën e bukur Geraldinë Apponyi. Apponyi-të janë përfaqësues të një prej familjeve më të vjetra hungareze.

Geraldina trashëgon gjakun hungarez dhe një karakter të zjarrtë nga babai i saj. Është aq e bukur sa është quajtur « Bukuroshja e Budapestit ». Ajo numëron në paraardhësit e saj më shumë se pesëmbëdhjetë koka të kurorëzuara. Ajo është e lidhur me të gjitha familjet mbretërore. Habsburgët, Saksonët, Bullgarët, Portugezët, Rumunët, Grekët dhe Jugosllavët.

Nëna e saj, e martuar për herë të dytë me kolonelin francez Girault, është me origjinë amerikane. Është pikërisht kjo prejardhje anglo-saksone që vajza e re i detyrohet padyshim dashurisë së saj për sportin dhe shtatit të saj madhështor. Geraldina, si fëmijë, kaloi dy vjet në liceun e Nice (Nisës). Si vajzë e re, ajo tashmë fliste katër gjuhë, të cilave u është shtuar shqipja.

Ky mbret i Shqipërisë, i lindur në 1895 dhe me të cilin do të martohet, tashmë ka një të kaluar të jashtëzakonshme. Vendi i tij jetoi pesëqind vjet nën dominimin turk dhe Ahmet Zogu, djali dhe nipi i Pashait, i ishte betuar që në fëmijëri të bënte Shqipërinë të pavarur. Në moshën shtatë vjeçare u dërgua si ambasador i jashtëzakonshëm pranë turqve. Fëmija tregohet aq i vendosur, saqë e mbajnë në Kostandinopojë. Por kur u kthye në Shqipëri, u kthye në malet e tij të shtrenjta dhe në krye të përkrahësve të tij gjithnjë në rritje, luftoi në maja nga të cilat luftëtarët ishin pothuajse të pathyeshëm. Por serbët, pas turqve, pushtuan vendin e tij.

Hap pas hapi, Shqipëria do të fitojë megjithatë pavarësinë. Në vitin 1926, republika u pranua në Lidhjen e Kombeve, më pas, në 1928, mbretëria. Ahmet Zogu shpallet mbret nën emrin e Zogut I.

Nga ky vend do të bëhet mbretëreshë vajza e re hungareze, krijesa simpatike e quajtur Geraldinë nga Evropa.

E vendodhur në jug të Jugosllavisë, në kufi me Adriatikun, Shqipëria ka rreth një milion banorë. Është një rajon malor pa tren dhe pa rrugë, ku banorët i përkushtohen bujqësisë dhe blegtorisë. Por Zogu dhe Geraldina kanë plane të mëdha. Ata do të pastrojnë, ndërtojnë, përmirësojnë. Tashmë kërkimet e naftës kanë hapur shpresa të mëdha.

Të gjitha gazetat e botës kanë folur për dasmën madhështore në Tiranë.

Ja, njëzet vjet më vonë me mua, ende po aq e bukur, ende po aq e qetë dhe joshëse, mbretëresha Geraldinë kujton kujtimet e saj.

Geraldina në Botën e Çudirave.

— Dasma ime ? Ishte mbi të gjitha një festë e madhe për të gjithë shqiptarët që tashmë i doja me gjithë zemër, një festë që zgjati tri ditë e tri netë. Rrugët ishin të veshura me banderola të kuqe. Shqiponjat e zeza zbukuronin të gjitha ballkonet. Sigurisht, Tirana strehoi shumë më tepër njerëz se zakonisht atë ditë. Kudo ishte një përzierje e larmishme, shumëngjyrëshe. Secili kishte veshur kostumin e tij më të mirë.

Kishte një ballo të madhe në Oborrin mbretëror. Salla e festave ishte zbukuruar me shkronjën « Z » të punuar me armë dhe me kostume shumë të lashta e të qëndisura.

Njerëzit kërcenin anembanë vendit. E gjithë Shqipëria ishte si një libër me figura shumëngjyrëshe. Çdo shesh, si çdo udhëkryq, dergjej plot ngjyra dhe këngë.

Më pas m’u kujtua një imazh që më kishte goditur në një revistë të asaj kohe. Në mbishkrim shkruhej: « Geraldina në botën e çudirave ». Kishte fëmijë me bluza të kuqe dhe pantallona të zeza, një kalorës me pardesy të gjelbër dhe dy zonja me fustane të qëndisura në ar. Një takim mes Lindjes dhe Perëndimit.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Një fustan të një mijë e një netëve.

— Fustani im i nusërisë?

Geraldina ka një buzëqeshje të butë për këtë kujtim. Tualeti i saj erdhi sigurisht nga Parisi. Velloja e saj e gjatë blu e qëndisur me diamante, e mbushur me buqeta me trëndafila, dukej si një shkumë argjendi. Fustani ishte i bardhë, i gjatë, i mbuluar tërësisht me perla.

Në të gjithë Tiranën dhe në të gjithë fshatrat shqiptarë, pemët ishin në lulëzim. I gjithë vendi kishte veshur kështu një mantel të bardhë, një mantel festiv.

Konti Ciano, dhëndri i Musolinit, kishte bërë një mbërritje shumë të jashtëzakonshme, duke qëndruar në një makinë të hapur të rrethuar nga biçikleta që zhdukeshin nën buqeta.

Njëqind e pesëdhjetë çifte të rinjsh, të paguara (dasma e tyre) nga Mbreti, ishin bashkuar po atë ditë. Ata formuan rreth mbretëreshës së ardhshme një oborr dashurie prekës dhe entuziast.

Të fuqishmit e ditës kishin dërguar dhurata të çmuara. Musolini, një jaht që lëkundej në portin e Durrësit; Hitleri, një makinë e gjatë që dukej si një karrocë prej nikeli. Hungaria i kishte ofruar Geraldinës, si kalorësë e përsosur, katër kuaj të bardhë rrace.

Në imazhet e kohës duken tri vajza të reja me kaçurrela kafe që dilnin nga një kapele e bardhë. Me uniformë të plotë të bardhë, ato janë Myzejeni, Ruhija dhe Maxhidja, kolonele të regjimenteve të ushtrisë shqiptare dhe motrat e reja të Mbretit.

Prilli i gëzimit.

27 Prill 1938. Ndërsa Zogu, mysliman, dhe Geraldina, katolike, ishin bashkuar në një martesë civile, njëqind e një të shtëna topash tronditën Tiranën dhe kështu ra një shi me lule pranverore nga pemët që mbuluan Shqipërinë me një qilim festiv. Në fshatra, barinjtë me mustaqe të mëdha pjekin qengja para dyerve të tyre mes rrjedhjeve të lëngut dhe flakëve. Populli është i lumtur. Ka një mbret trim dhe mbretëreshën më të bukur në botë. Një mbretëreshë që sapo ka deklaruar :

— Mbi të gjitha, dua të kujdesem për gratë dhe fëmijët e vendit tim.

Çifti i ri u nis për në muajin e mjaltit me karrocën e tyre të mahnitshme dhe luksoze të veshur me nikel.

Ata mezi patën një vit lumturie. Një vit në të cilin ata filluan të vënë në jetë planet e tyre. Në euforinë e momentit, Shqipëria beson në miqësinë italiane, për më tepër ka nënshkruar një pakt aleance në Romë. Mbreti dëshiron të ndërtojë një autostradë që lidh Durrësin me Tiranën. Ajo do të mbajë emrin e Duçes.

Më pas do të ngrihet një katedrale e madhe prej betoni dhe në fund pallati mbretëror. Shtëpia e Zogut dhe Geraldinës është me të vërtetë një shtëpi e thjeshtë katrore në mes të një kopshti. Rezidenca e re do të përfshijë njëzet e pesë dhoma dhe tre sallone të mëdha. Do të ketë një kinema, një pishinë, një kopsht dimëror dhe – Geraldina është shumë e interesuar për këtë – një labirint me trëndafila.

Së shpejti, Shoqëria Marconi do të inaugurojë një stacion radiofonik.

Do të publikohen pulla të reja. Zogu dhe Geraldina e duan njëri-tjetrin. Mbretëresha së shpejti do të ketë një fëmijë.

Prilli i fatkeqësisë.

— Mjerisht! ndërkohë stuhia po shpërthen. Hitleri e gëlltiti Austrinë me një çapë. Krenaria e Musolinit vuan nga fakti i paaftë për të balancuar këtë fakt të lartë. Ai mendon se nga të gjithë kombet që e rrethojnë, Shqipëria është e vetmja që nuk mund t’i bëjë ballë. Ndërmjet qeverisë së Romës dhe asaj të Tiranës zhvillohen bisedime për shndërrimin në protektorat të traktatit italo-shqiptar të vitit 1927. Pranimi i kushteve italiane ishte që Shqipëria të hiqte dorë nga pavarësia. Zogu, i mbështetur nga të gjithë njerëzit e tij, nuk pranoi.

Dhe më 7 prill në të gdhirë, Italia pa paralajmërim pushtoi Shqipërinë.

Skuadrilja italiane bombardoi dhunshëm qytetet kryesore dhe zbarkoi trupat e saj në Sarandë, Vlorë, Durrës dhe Shëngjin. I gjithë bregdeti u pushtua menjëherë.

Shqipëria rezistoi me energjinë e dëshpërimit. Por çfarë mund të bëjnë pushkët e malësorëve kundër ushtrive të organizuara? Mbreti Zog u përpoq të bisedonte për të shmangur masakrat e një lufte të pashpresë. Gjithçka ishte e kotë. Më 8 prill trupat italiane hynë në Tiranë.

Gjatë kësaj kohe, një e re kishte sjellë në jetë një fëmijë, një djalë, në shtëpinë e thjeshtë të Tiranës, të cilën e donte sepse ishte ajo e dashurive të saj.

Lindja dramatike e princit të kurorës.

Është zakon të gjuhet me top për lindjen e një princi mbretëror. Në Tiranë respektohej zakoni. Dhjetë topat që rrethuan shtëpinë qëlluan për njëzet e katër orë. Mjerisht! Mezi kishin heshtur topat shqiptarë kur u dëgjuan topat e tjerë, ata të armikut. Çdo goditje tani do të rezononte me dhimbje në zemrën e Geraldinës. Kjo nuk ishte më gjama e topave e ditëve të festave. Princi i kurorës së Shqipërisë u përshëndet nga artileria e pushtuesit të vendit të tij.

Dhe menjëherë u desh të iknin dhe si për fat të keq duhej të iknin me makinën e ofruar nga kancelari Hitler, miku i madh i Musolinit. A duhet të shohim në këto dy dhurata mbretërore, automobilin dhe jahtin, dy shenja largimi, edhe më keq, eksodi ?

U desh për Geraldinë Apponyi-në vetëm një vit mbretërimi për të sjellë në jetë këtë histori të mrekullueshme.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Mbreti Zog, Geraldina, foshnja mbretërore, disa valixhe, të gjitha të grumbulluara në makinën gjermane. Kështu filloi jeta e mërgimit të familjes mbretërore.

Në fshatrat përreth Tiranës, të shtënat e topave rrëzojnë sërish, si një vit më parë, një shi me petale të bardha. Në rrugët e këqija të gurta, makina takohet me fshatarë që ende nuk e dinë se sa e madhe është fatkeqësia që i ka rënë vendit të tyre. Ka qe të vegjël me qime të ashpëra që vazhdojnë qetësisht plugimin, gra të mbuluara me të bardha që shkojnë të nxjerrin ujë nga burimi.

Nën tendën e çdo shtëpie, qengji tashmë i sakrifikuar i Pashkëve është gati për t’u pjekur. Mes kësaj qetësie fillon të kalojë teoria e vajtueshme dhe e mjerë e atyre që largohen, një imazh i njohur i qenieve të zymta, me trastën mbi supe.

Duke e njohur karrocën mbretërore, ata gjunjëzohen me plisin në dorë, gratë qajnë.

Mbretëresha nuk thotë asgjë. Shambellani i saj, i pranishëm në intervistën tonë, vazhdon :

— Na duhej të kalonim Greqinë, Turqinë, pastaj Francën, Belgjikën, Anglinë për të arritur në Egjipt. Odisea jonë ishte ajo e mijëra emigrantëve me incidentet e bagazheve të humbura dhe shanset e saj të mrekullueshme. Një anije mallrash në të cilën familja mbretërore nuk u ngjit më në fund u qëllua dhe u fundos me trupat dhe mallrat.

Madhëria e saj përjetoi Blitz-in në Londër, më pas, në vitin 1946, familja mbretërore u zhvendos në Egjipt, nga ku nuk u kthye deri në vitin 1954 për t’u vendosur në Kanë.

— Po tani, a mund të më flasë Madhëria Juaj për jetën e saj ?

Një grua si të tjerat.

Mbretëresha Geraldinë buzëqesh me sytë e saj, sy të cilët kur flet mund të bëhen shumë të butë, shumë të dashur.

« — Unë jam si të gjitha nënat, e lumtur që kam djalin tim me vete. Leka është një djalë i bukur. Ka një gjatësi prej 2, 07 m. Ai është bjond me sy gri. Ai studioi në Zvicër dhe më pas përfundoi (kompletoi) studimet në Angli në Sandhorst. Unë gjithashtu marr përsipër detyrat normale të një zonje shtëpie. Shtoji kësaj se kam një korrespondencë të rëndësishme private dhe se lexoj shumë.

Më pëlqen shumë letërsia anglo-saksone. Dhe gjithashtu rrëfimet historike. Aktualisht jam duke përfunduar “Kujtimet e gjeneralit de Gol”. Në përgjithësi kërkoj libra që më japin një farë evazioni (arratije).

Por pjesa më e madhe e kohës sime të lirë u kushtohet organizatave bamirëse, qëllimi i të cilave është të lehtësojnë gjendjen e mijëra refugjatëve të shpërndarë në mbarë botën. Kjo është një punë e rëndësishme, e dhimbshme që kërkon shumë nga unë. Unë shkruaj edhe kujtimet e jetës sime në Shqipëri dhe odisenë tonë. »

Shijet e saj.

Rrezikoj një pyetje të re, sepse do të doja të dija nëse në këtë rrethinë të vockël shqiptare ku ndodhem, tavolina e këtyre të mërguarve është franceze apo… me origjinë.

Mbretëresha buzëqesh :

— Jemi plotësisht të ambientuar me këtë Côte d’Azur të butë. Megjithatë, askush prej nesh nuk harron gatimet rajonale që janë kaq ndjellëse. Në Shqipëri, një vend i dashur ku Lindja përqafohet me Perëndimin, kuzhina kishte karakter oriental, e ndikuar fuqishëm nga pushtimi i gjatë osman. Unë di shumë mirë të bëj « Burek », byrekun e vogël me djathë të mbushur me mish të grirë. Peta e tij është jashtëzakonisht e hollë.

Mbreti Zog.

Ajo që mbretëresha nuk më thotë dhe nuk do t’i flas për këtë, sepse i kam premtuar se nuk do të hap asnjë temë politike, është se ajo është edhe bashkëpunëtore e burrit të saj. Mbreti Zog po punon për kapitujt e fundit të kujtimeve të tij, të cilat me shumë mundësi do të publikohen së shpejti. Tashmë janë shkruar tetë vëllime, të cilat do të hedhin dritë të re mbi shumë ngjarje.

Ai që i kishte dhënë të gjitha forcat punës së modernizimit të një vendi që donte të ishte i lumtur, ky njeri që çuditërisht inicialet e tij janë A dhe Z, tani vetëm mund të shkruajë kujtimet e tij dhe t’u vijë në ndihmë bashkatdhetarëve të varfër.

Filed Under: Fejton Tagged With: Aurenc Bebja

IL PICCOLO DI TRIESTE (1939) / KUR AT GJERGJ FISHTA EMËROHEJ AKADEMIK I INSTITUTIT MË TË LARTË KULTUROR TË REGJIMIT FASHIST : “FALEMINDERIT LUIGI FEDERZONI, FALEMINDERIT DUÇE!”

August 4, 2023 by s p


At Gjergj Fishta (1871 – 1940)
At Gjergj Fishta (1871 – 1940)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 4 Gusht 2023

“Il Piccolo di Trieste” ka botuar, të enjten e 15 dhe të shtunën e 17 qershorit 1939, dy telegrame të At Gjergj Fishtës drejtuar asokohe Luigi Federzoni-t dhe Benito Musolinit me rastin e emërimit të tij në Institutin më të lartë kulturor të regjimit fashist, të cilat, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, i ka sjellë për publikun shqiptar :

“Vetëm nga gjiri i Italisë do të rilindë Shqipëria ideale”

Mesazhi i Fishtës drejtuar Federzonit

Il Piccolo di Trieste, e enjte, 15 qershor 1939, f.2 : 

Romë, 14 qershor.

At Gjergj Fishta, Akademiku i ri i Italisë, i dërgoi Shkëlqesisë së Tij Federzonit (Luigi Federzoni) këtë telegram :

“I prekur, ju falënderoj për urimet dhe kënaqësinë tuaj dhe të bashkëpunëtorëve akademikë për emërimin tim si anëtar i institutit më të lartë kulturor të regjimit fashist, i votuar me emërimin e lartë të Duçes dhe me vullnetin e Sovranit tonë. Jam i sigurt se vetëm nga gjiri i Italisë do të rilindë sërish Shqipëria ideale”. — At Gjergj Fishta

Falenderimi për Duçen nga At Gjergj Fishta

Il Piccolo di Trieste, e shtunë, 17 qershor 1939, ballinë :

Romë, 16 qershor.

Akademiku At Gjergj Fishta i dërgoi Duçes telegramin në vijim :

“Faleminderit Duçe për nderimin e lartë të Akademikut të Italisë që me prirjen tuaj dashamirëse më atribuohet dhe që e konsideroj si një tregues të sigurt të interesimit tuaj bujar si për Shqipërinë ashtu edhe për racën shqiptare, një virtyt i panjohur deri tani në diplomacinë evropiane”. — At Gjergj Fishta

Filed Under: Kulture Tagged With: Aurenc Bebja

THE CHRISTIAN SCIENCE MONITOR (1926) / MOTRAT SEVASTI DHE PARASHQEVI QIRIAZI, DHE GODINA E RE E KOLEGJIT TË TYRE SHEMBULLOR PËR VAJZA NË SHQIPËRI

August 1, 2023 by s p


Sevasti Qiriazi (1871 – 1949) – Parashqevi Qiriazi (1880 – 1970)
Sevasti Qiriazi (1871 – 1949) – Parashqevi Qiriazi (1880 – 1970)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 1 Gusht 2023

“The Christian Science Monitor” ka botuar, të shtunën e 4 shtatorit 1926, në faqen n°11, një shkrim rreth godinës së re të Kolegjit Qiriaz dhe suksesit të tij në edukimin e vajzave shqiptare të të gjitha shtresave dhe besimeve fetare, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Vajzat shqiptare të kolegjit në një mjedis demokratik

Burimi : The Christian Science Monitor, e shtunë, 4 shtator 1926, faqe n°11
Burimi : The Christian Science Monitor, e shtunë, 4 shtator 1926, faqe n°11

Korrespondencë speciale

Kolegji Qiriaz për vajza hapi dyert e tij për vajzat e varfëra shqiptare në vjeshtën e vitit 1891, në Korçë, falë zonjushës Sevasti Qiriazi, tani zonja C. A. Dako (Kristo Anastas Dako). Në atë kohë zonja Dako sapo kishte mbaruar Kolegjin e Kostandinopojës. Shkolla ka njohur fate të ndryshme. I është dashur të luftojë forcat e bashkuara të persekutimit turk për shkak të krishterimit dhe propagandës greke për shkak të protestantizmit të saj, për të mos përmendur faktin se nuk kishte asnjë lloj manuali në gjuhën shqipe, pasi kjo gjuhë ishte ndaluar të përdorej nga autoritetet turke.

Shkolla vazhdoi punën e saj me gjithë vështirësitë e tilla deri më 6 korrik 1914, kur trupat e parregullta greke pushtuan të gjithë rajonin e Shqipërisë së Jugut, kështu zonja Dako dhe të mbrojturit e saj u detyruan të iknin për sigurinë e tyre. Ky incident e solli punën në një përfundim të detyrueshëm për një periudhë tetë vjeçare. Që atëherë, zonja Dako, motra e saj trime, zonjusha P. D. Qiriazi (Parashqevi Dhimitër Qiriazi), dhe grupi i tyre migruan nëpër shtetet e Ballkanit; më pas kërkuan strehim në Bullgari, më pas në Rumani dhe më në fund në SHBA, ku qëndruan deri në vitin 1920.

Në vitin 1922, dy motrat, zonja Dako dhe zonjusha Qiriazi, vendosën të rihapin shkollën, në Tiranë, kryeqytetin e vogël piktoresk të Republikës së Shqipërisë tashmë të lirë dhe të pavarur. Tani turqit nuk mund t’i pengonin më në punën e tyre dhe kisha greke nuk mund të kundërshtonte më protestantizmin e tyre. Sigurisht, shkolla funksionoi për njëfarë kohe në një ndërtesë të pajisur keq : por këtë vit, megjithatë Kolegji Qiriaz do të fillojë vitin e tij të katërt akademik në Tiranë, në strukturën e re të shkëlqyer rreth tre milje jashtë qytetit. Godina e re është e pajisur mjaftueshëm me laboratorë për punë të shkencave natyrore, konvikte, klasa, kampus dhe gjithçka që i nevojitet një shkolle moderne në kuptimin e plotë të fjalës.

Sot, vajza shqiptare mund të përgëzojë veten që edhe ajo ka një kolegj ku mund të gjejë mundësi të veçanta. Kolegji i saj nuk është plotësisht i pajisur sa ndoshta kolegjet e motrave të saj amerikane, megjithatë ajo mund të studiojë dhe të mësojë nga të diplomuarit e kolegjit dhe për një shumë të vogël prej më pak se 200 dollarë në vit! Kjo është ajo që Kolegji Qiriaz po arrin për vajzat e reja shqiptare.

Trupi kolegjial i shkollës përbëhet nga drejtoresha, zonjusha Parashqevi D. Qiriazi (A. M. Oberlin), e ndihmuar nga dy të diplomuar nga Wellesley dhe dy të diplomuar në Universitetin e Gjenevës (Zvicër). Z. Dako, autori i “Albania: The Master Key to the Near East” dhe i disa veprave në shqip, i ndihmon dy motrat në administrimin e shkollës dhe në përgatitjen e teksteve shkollore.

Ajo që e bën Kolegjin Qiriaz më interesant është fakti se ekziston një sistem aktual i demokracisë në arsim : sepse atje vajzat e të gjitha shtresave të jetës jetojnë dhe studiojnë së bashku, hanë të njëjtin ushqim, flenë në dhoma të ngjashme, veshin të njëjtat kostume dhe studiojnë me të njëjtët instruktorë. Dikur ishin të pranishme dy motrat e Ahmet Zogut, tashmë president i Shqipërisë.

Një pikë tjetër domethënëse në lidhje me këtë shkollë është mungesa e diskriminimeve fetare që u bëhen vajzave. Vajza myslimane studion dhe luan me motrat e saj të krishtera – dhe ato në fakt jetojnë si motra. Vetëm ky faktor është epokal në historinë e Republikës së Shqipërisë. Këtu është më në fund një vend ku vajzat e reja shqiptare të të gjitha shtresave shoqërore dhe besimeve fetare mund të takohen dhe të njohin njëra-tjetrën.

Një deklaratë e lëshuar nga zonjusha Qiriazi thotë ndër të tjera : “Së pari duhet të zgjedhim një grup të madh vajzash premtuese nga të gjitha shtresat dhe besimet dhe nga të gjitha rrethet e vendit, dhe t’i stërvitim, pajisim dhe edukojmë për t’i bërë ato ndikuese të vërteta në shërimin e sëmundjeve sociale dhe në drejtimin e kombit drejt rrugës që të shpie drejt shpëtimit.”

Qeveria për fat po i jep çdo ndihmë të mundshme shkollës : qeveritë shqiptare, për shkak të paqëndrueshmërisë politike, janë ngritur e kanë rënë disa herë që nga viti 1922, por asnjëra prej tyre nuk e ka penguar apo ndërhyrë në punën e saj të mirë.

Filed Under: Politike Tagged With: Aurenc Bebja

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 39
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT