Rrënoja që flasin për një kulurë të lashtë dhe interesante/
Reportazh nga: Avdulla Kënaçi/
As më kishte shkuar ndërmend se një ditë do të ndodhesha ne qytetin e Majave. Populli Maja është pjesë e një kulture të mahnitëshme që lulëzoi në rajonet më të ulëta të Meksikës dhe shtetet pranë saj. Ata ndërtuan piramida dhe tempuj, zhvilluan një formë të shkruari përmes hieroglifeve dhe ishin shumë të aftë në matematikë dhe astrologji. Kisha lexuar për kulturën e tyre të lashtë, për saktësinë me të cilën matnin kohën, kalendarin pesëmijëvjeçar dhe parashkimet e tyre për fundin e botës. Kisha parë foto të zbulimeve arkeologjike dhe gjithashtu kisha ndjekur disa dokumentarë shkencorë. Por është tjetër gjë të gjëndesh, të shohësh me sytë e tu e të prekesh me dorë rrënojat e qytetit të Majave. Dhe ja ku jam, i vetmi shqiptar nga gjithë ajo turmë turistësh që sulej drejt një porte të ngushtë, tetë metra të gjatë ku mund të ecte vetëm një njeri më këmbë, jo më e lartë se 1.70 metra. Porta nuk ishte ndërtuar me qemer, as me prag guri drejtëkëndësh sikundër tek ne, por me rrasa guri të ngjeshura njera mbi tjetrën në formën e shkronjës së madhe A. Nga çasti në çast ata gurë të hollë e të gjatë dukej sikur do të nguleshin në skalpin e kokës. Midis disa guidave, nga që u ndodha për pushime në Meksikë, zgjodha qytetin Tulum, sepse ai është i vetmi vendbanim maja i ndërtuar buzë detit.
Na thanë se mund të hipnim në “tren”, për të arritur më shpejt, por preferova të eci më këmbë përgjatë xhadesë që çante përmes xhunglës. Vapës përvëluese të Tropikut nuk i shpëton dot edhe nën kurorën e pemëve me të cilat mbulohet rruga gjer në rrënoja. Tabani është gëqeror, balta tek-tuk është hedhur midis gurëve me shumë kursim. Nga të dy anët e rrugës harlisen rrënjë të përqafuara e të mpeksura me njera-tjetrën për jetë a vdekje, bimë të panjohura për mua, të cilat bëjnë një garë të çmendur për të nxjerrë kokën mbi njera-tjetrën duke kërkuar rrezet e diellit përvëlues të Tropikut. Gati çdo ditë aty bie shi i rrëmbyer, shi në të kthjellët, siç thonë, i cili vjen befasisht e me rrebesh. Por ajo tokë e paktë me origjinë humusore, nuk u jep pemëve mundësinë të rriten më të larta se katër pesë metra. Xhungla është një habitat i shkëlqyer për llo-lloj zogjësh me ngjyra-ngjyra dhe kafshë të egëra që nuk i njeh Europa. Më i rrezikshmi është tigri, formën e të cilit e ndesh edhe në përkrenaret e luftëtarëve Maja.
Nga të tria anët, qyteti Tulum ka qenë i rrethuar me mur guri të thatë, rreth 7 metra të gjerë dhe 5 metra të lartë. Ja ku duken pesë kullat e rojës dhe rrënojat e murit, ndërsa nga jug-lindja ka qenë i rrethuar nga deti me breg shkëmbor pas të cilit gjendet një liman i fshehtë. Gjatësia e gjithë vendbanimit është 400 metra dhe brinjët anësore janë nga 170 metra secila. Godinat më të rëndësishme gjenden nga ana e detit, por me front nga ana veri-lindore. Vetëm njera, ajo e patriarkut ose e mbretit ka qenë e mbuluar me material të ngurtë, ndërsa të tjerat me çati të mbuluara me gjethe kokoje të prera rripa-rripa. Sipas hamendësimeve, këtu nuk kanë banuar më shumë se 1500 vetë. Duhet të kenë qenë banorë të rëndësishëm, apo të përzgjedhur. E gjitha është një ultësirë në formë govate, jo më e lartë se 12 metra nga niveli i detit. Si e siguronin ujët? Në anën veriore gjëndet një shpellë në fundin e së cilës vezullon një pellg uji. Eshtë një cenote, apo sterrë. Vendi i gjithë është i mbushur me të tilla të cilat lidhen me njera-tjetrën me sistem kanalizimesh e diku-diku ngjajnë me pishina natyrale që mbajnë ujë të ëmbël, të kthjellët e të pastër, safir blu. Janë si oazet në shkretëtirë, më saktë, oaze në xhungël. Në një prej tyre që lidhet nën tokë me detin nga ana e gadishullit Jukatan, besohej se aty përfundonte shpirti i Majave pas vdekjes i cili sa largohej nga trupi, hynte në botën e krimit.
Po varret ku janë? Ja ku përpara shtëpisë më të madhe gjendet një pllakë në formën e një kudhëre ku brenda saj vendoseshin vazo me hirin e trupave të të vdekurve. Disa shtëpi e kanë të pozicionuar varrin direkt në qendër të dyshemesë. Me sa duket ata besonin dhe i nderonin të vdekurit si shpirtëra të gjallë dhe i mbanin gjithënjë afër, pa i zbuar kurrë nga shtëpitë.
Përpara na zbulohet një pamje mahnitëse që nuk ka të bëjë fare me kështjellat tona. Objektivët e gjithë aparatëve fotografikë të turistëve janë përqëndruar mbi Piramidën të cilën e admirojnë për madhështinë dhe arkitekturën origjinale. Ka mijëra vjet aty dhe qëndron e pamposhtur ndaj rrebesheve dhe stuhive që vijnë nga deti i Karaibeve. Koha i ka dhënë një ngjyrë gri të errët duke e bërë njësh me shkëmbijtë që mbajnë pa lëvizur peshën e saj. Që larg nga hapësirat blu, ajo duket si një kështjellë dhe kolonizatorët e parë spanjollë e thirrën El Kastello, ndërsa emrin Tulum ia vunë duke u nisur nga muret rrethues. Këtë vend majat e thërrisnin ndryshe, Zama e që do të thotë Agim. Për herë të parë spanjollët shkelën këtu më 1518. Vendasit më shumë trembeshin nga kujat që nuk kishin parë kurrë se sa nga kalorësit kuiskadorë.
Në frontin e Piramidës dallohet qartë Tempulli i Afreskeve, i ndarë në tre seksione. Niveli i parë përfaqëson botën e të vdekurve të majave. Seksioni i mesëm përfaqëson Botën e të Gjallëve, pra vetë majatë. Seksioni i tretë, që është edhe niveli më i lartë, është vendi i Krijuesit dhe Perëndisë së Erërave. Në qendër është një shtyllë me motive të gjarpërit të gdhendur. Po ajo që të bën më shumë përshtypje, në anën lindore është observatori për ndjekjen e lëvizjeve të diellit. Dallohet një kamare e cila ulërin si një sirenë kur nga deti afrohen stuhitë. Është mënyrë alarmi për t’u mbrojtur nga uragani që vjen i papritur.
Bazorelievi i Krijuesit apo Venusit, është kokëposhtë prandaj edhe e quajnë Zoti i Zhytjes sepse ai zbret nga qielli, por mund të zhytet edhe në det. Këtë figurë e gjen kudo në vendbanimet Maja. Është figura më e adhuruar, e ruajtur dhe e mbrojtur më së miri. Deri para 30 vjetësh, popullsia rrotull këtë vendbanim e ruante si vend të shenjtë dhe nuk ua zbulonin të huajve. Ishin arkeologët amerikanë ata që këmbëngulën për ta kthyer në një muze gjigand ku mund ta vizitonte e gjithë bota. Por përsëri, brenda Piramidës nuk lejohet të hyjë asnjë vizitor. (Me sa kuptohet arkeologët shpresojnë të zbulojnë të tjera sekrete të Majave). Më tej është altari ku janë bërë rituale dhe sakrifica për të fituar favore nga zotat. Në sakrificat e gjakut jo gjithmonë humbisnin jetë njerëzish, me përjashtim të atyre që me dëshirë kërkonin të falin gjakun. Kjo quhej një sakrificë personale. Shumica afronin lule, ushqime dhe objekte të ndryshme arti.
Një nga ciceronët, duke na spjeguar afresket, simetrinë dhe gdhëndjet në një shtëpi arhondi, nga ana ballore, na tregon aty pranë një pemë tropikale me lule ngjyrë gjaku. Duke përzier këto lule me pluhur qymyri në një havan përgatiteshin bojërat për afreske dhe tatuazhe, thotë ai.
Interesant ishte Sheshi i kuvendit të burrave; si nja dy metra i ngritur nga toka, në formë rrethore, ku uleshin në ledhe pjesëmarrësit, ndërsa në qendër mbi një pirg dheu qëndronte prijësi i cili drejtonte kuvendin. Gjithëçka këtu të ndez imagjinatën dhe të detyron të bësh qindra pyetje. Tulumi nuk është kot një nga destinacionet më të kërkuara në Amerikë. Korrik, bënte shumë vapë, dielli po ngrihej në zenith dhe gjithë vizitorët u tunduan nga era e freskët që vinte nga deti, poshtë këmbëve të Piramidës. Si nga një hinkë shkëmbore, një nga një zbritëm në plazh ku dallgët kishin hedhur me bujari rërë të bardhë si niseshte. I vetmi vizitor që mbante këpucë, isha unë. Tek kundroja një pemë arre koko që kishte mbirë në një të çarë shkëmbi, tek këmbët m’u përplas një dallgë. Ujët e kripur hyri brenda këpucëve. U detyrova të zhvishem dhe të zhytem në ujë, si gjithë të tjerët. Tutje shtrihej pa kufi deti i Karaibeve, dimër verë i ngohët si ujë dushi. I ktheva përsëri sytë nga gjiri i mbrojtur nga erërat dhe dallgët. Me siguri, mendova, pas atyre shkëmbinjve si qilivurë ankoronin majatë kanoet e tyre të famëshme. Dhe mallin me siguri e ngjitnin dhe e zbrisnin nga sipër me litarë. Kristo Kolombi, zbuluesi me famë botërore, 700 kilometra larg që këtej, në Honduras, hasi një kanoe që kishte ardhur prej këtej. Ky ishte një port i rëndësishëm ku këmbehej bakër, ushqime, pupla e pendë zogjsh, artefakte stërralli, objekte ari, kripë, prodhime tekstili, etj.
Tulumi ka lulëzuar nga 300 para Krishtit e deri në 900 pas erës së re. Ka pasur një rënie të lehtë në periudhën post klasike, ndërsa me pushtimin spanjoll u braktis plotësisht. Disa duan të thonë se thatësira e zgjatur i detyroi të largohen. Ka mundësi që edhe kuiskadorët i shkatërruan duke i grabitur e duke u kërkuar me dhunë arin e fshehur. Banorët vendas flasin me dhimbje e veneracion për një pllakë të shenjtë të gdhendur me një yll në mes dhe datën 564. Kur të kthehet ajo pllakë në Kankun, do kthehet edhe begatia, shpresojnë Majat e sotëm që jetojnë në gjithë Kankunin e gjer në El Salvador. Pllaka gjendet sot në Muzeun Britanik, por arkeologët thonë se ajo ka qenë e sjellë në Tulum prej diku gjetkë… Tulumi është një rrënojë arkeologjike që flet shumë.
SKENDERBEU MIDIS SHQIPTAREVE NE TORONTO
Reportazh nga Avdulla Kënaçi/
Të njëqindepesëdhjetë shqiptarët që kishin mbushur sallen “Kaboto”në një nga blloqet e banimit në Toronto, sa nisi melodia e Hymnit te Flamurit, u ngritën vrik më këmbë duke kënduar me mallëngjim të patreguar. Larg Atdheut, një oqean kapërcyer, Hymni Kombëtar mbart një emocion tjetër, një përqasje ndryshe. Në kumbimin dhe bashkimin e aq shumë zërave, pas tenorit të ri, Dion Këllezi, ka mall, ka dhimbje, ka shumë kujtime dhe lot:
Rreth flamurit të përbashkuar,
Me një dëshirë dhe një qëllim,
……………………………..
Eshtë një rast unikal në gjithë botën që Hymni Kombëtar njësohet me “Hymnin e Flamurit” sepse me atë flamur lidhen shume sakrifica, shumë gjak i derdhur për liri e pavarësi, për atdhe. Ky flamur vjen sot tek ne nga epoka e Skënderbeut, vjen ahere kur europianët nuk e dinin se ekzistonte kontinenti amerikan. Por ne kishim në krye një prijës, një hero që Perëndimi e adhuronte sepse kishte krijuar një mur të pathyeshëm ndaj pushtimit osman. Përpara, në krye të çdo beteje ishte flamuri kuq e zi me shqiponjën dykrenore. Pikërisht Flamurin e Skënderbeut që ne e trashëgojmë sot e na bën krenarë kudo që ndodhemi. Hymni I Flamurit dhe Hymni Kombëtar, janë një.
Libri më i ri i gazetari dhe skenaristit Virgjil Kule na bëri edhe një herë së bashku, ne emigrantëve shqiptarë në sallën “Kaboto” në Toronto. Midis nesh është edhe autori. Kanadaja është treguar e vëmendëshme ndaj përzgjedhjes dhe pranimit të emigrantëve të huaj, sidomos atyre shqiptarë, pjesa më e madhe e të cilëve janë intelektualë të mirëfilltë. Ja ku bie në sy , ulur në podium, më i moshuari, profesor Kristian Bukuroshi, ai që hodhi bazat e informatikës në Universitetin e Tiranës, por nuk mungojnë artistë, top modele, muzikantë, piktorë, shkrimtarë dhe gazetarë, disa ish kolegë të autorit. Një dorë nikoqire është kujdesur për dekorin, podiumin, këndin e publikimit të librave, projeksionin, muzikën, posterat, fjalimet e deri fotografitë e autorit. E hymni vazhdon:
Se Zoti vet e tha me gojë,
Që kombe shuhen përmbi dhé,
Po Shqipëria do të rrojë,
Për të, për të luftojmë ne.
Kur i erdhi radha kësaj strofe për ta kënduar, ndjeva se adrenalina ime u rrit, ktheva kryet anash për të parë se çfarë bëhej me të tjerët, por disa ndjeheshin edhe më likësht, lotonin. Me cep të syrit pashë një grua të moshuar që mbahej pas karriges, tek kjo strofë ajo mori drejtqëndrim, por lotët nuk i ndali dot.
Jeta ka treguar se shumë kombe kanë hyrë e dalë në histori, pastaj kanë heshtur, janë shuar, por Shqipëria e vogël, me kurbën e saj, gjuhën dhe kulturën e veçantë, ka mbijetuar. Eshtë kjo arësyeja që autori Virgjil Kule nderohet në Toronto me kaq shumë respekt për veprën e tij “Gjergj Kastrioti Skenderbeu, kryqtari i fundit”.
Presidentja e Shoqatës së Bashkësisë Shqiptaro- Kanadeze, Dr. Ruki Kondaj, nisur nga libri historik i zotit Virgjil, vuri në dukje se Skënderbeu zotëronte qetësinë për t’i pranuar gjërat që nuk i ndryshonte dot, kurajon për t’i ndyshuar gjërat që mund t’i ndyshonte dhe mbi të gjitha për të bërë dallimin midis tyre. Autori rieksploron në gjerësi e në thellësi në fondin e madh të Skënderbeut. Autori sjell ngjarjen në një radhitje kronologjike tepër strikte duke filluar nga 1444 e deri në trokitjen e vitit të ri 1468, tha midis të tjerave ajo.
Rrëfimi i autorit mbështet materjalin në kapituj për çdo vit të drejtimit 25 vjeçar të Skënderbeut duke formësuar një konstruksion rezistent. Ky konstruksion nuk lejon asnjë defekt, apo gjymtime, apo shmangie, as radhitje arbitrare jashtë kontekstit të rrethanave ku është prodhuar. Nuk lejon kompromise me faktet historike, por të krijon hapësirën e nevojshme për të llogjikuar ftohët mbi arësyet e veprimeve të heroit në rrethana të caktuara dhe përfundimisht për të dalluar qartë strategjitë e tij afatgjata dhe taktikat afatshkurtëra, etj. – vuri në dukje ajo.
Vlerësimet për librin nuk munguan as nga Prof. Kristian Bukuroshi, shkrimtari Kristaq Turtulli, piktori Bujar Aslani, prof. Jani Papadhimitri, gazetari dhe skenaristi Avdulla Kenaçi, etj. , ndërsa regjisori me origjinë nga Kosova, Xhemi Agaj, lexoi një përshëndetje të dërguar me mesazh nga nga prof. Nustret Pllana prej Kosove. Mesazhe kishin dërguar edhe miq kanadezë të autorit.
Ajo që ra më shumë në sy në këtë event, ishte organizimi dhe pjesëmarrja e të rinjve në mënyrë aktive. (Meritë e stafit organizues me në krye dr. Ruki Kondaj). E theksoj këtë sepse shpesh të rinjtë, sidomos ata të lindur këtu, shmangen nga takimet e bashkëatdhetarëve të tyre. Kështu, kandidate për Miss Univers – Canada 2014, Zerina Derveni, edhe pse atë mbrëmje duhet të udhëtonte për New York, jo vetëm mori pjesë në takim, por edhe përshëndeti me një diskutim të ngrohët në anglisht. Miss teanage GTA 2014, Odeta Kasa, ishte krejt origjinale në fjalën e saj të cilën e ka postuar edhe në FB. Ndërsa studentja Uarda Këllezi në fjalën e saj plot emocion vuri në dukje se rrëfimi për jetën e Skënderbeut është krenari për gjithë të rinjtë shqiptarë kudo në botë të cilët kanë me çfarë të lëvdohen nga historia e kombit shqiptar. Arbërorët, siç del në librin historik të zotit Virgjil, ishin një perde e hekurt ndaj pushtimit osman duke i kthyer malet në kështjella të rezistencës nën udhëheqjen e të lavdishmit Skënderbe që trashëgonte virtytet e Aleksandrit të Maqedonisë, tha midis të tjerave ajo.
Ish folësja e Televizionit të parë shqiptar, Antigoni Papastathi, jo vetëm lexoi pasazhe nga vepra historike, por edhe solli kujtimet e saj kur punonte në RTSH duke vlerësuar tolerancën e zotit Virgjil Kule, si drejtues, në ato kushte të vështira të krijimtarisë.
Gjatë këtij eventi, nuk munguan të marrin pjesë edhe autoritetet e kishave shqiptare si episkop Ilia Katre dhe Don Xhiovani Kokona, por nuk u pa ndonjë nga përfaqësuesit e fesë islame.
Vetë autori në fjalën e tij, pasi falenderoi Shoqatën dhe në veçanti drejuesen, dr. Ruki Kondaj, vuri në dukje se fillimisht u nis nga dëshira për të realizuar një film dokumentar për Skënderbeun, por duke studjuar dokumentet dhe arkivat, vuri re se kishte mjaft fakte dhe analiza të pathëna të cilat vetëm nëpërmjet një libri mund të shtjelloheshin gjerësisht.
Qëllimi im, tha ai, ka qenë që lexuesi jo vetëm “të dijë që” ndodhi kështu e ashtu, por edhe “të dijë pse dhe si” ka ndodhur kështu e ashtu. Duke u futur thellë në “pse-të” dhe “si-të” (fakte + arsyetim), lexuesi sigurisht që nuk mund të ndjehet i ngopur vetëm me analizat e mia. Tek ai është vënë në veprim mekanizmi i vet analitik dhe është absurde që autori i një libri të mendojë të mbajë nën kontroll mekanizmat analitikë të lexuesve të vet. Ai duhet të kënaqet vetëm me faktin që ka mundur t’i ngacmojë ato.
Unë jam nisur nga vetë burimi kryesor historik, Barleti. Megjithëse nuk para jep data, ai i ka dhënë biografisë një karakter kronologjik, madje të ndarë në disa libra. Edhe “Kryqtari i fundit” ka brenda rreth 25 libra të tillë, ku, secili vit është një kapitull më vete. Kuptohet qartë vështirësia e kësaj pune. I kam qëmtuar dokumentet një më një duke i radhitur sipas kohës kur janë prodhuar. Por jo vetëm kaq. Kjo rradhitje dhe analiza e kufizuar vit pas viti vetëm mbi segmente vjetore dokumentesh, kanë mundur të më japin një dinamikë të re të veprimtarisë së Skënderbeut, e cila shpesh ngacmon për trajtime tematike të reja, shpesh të ndryshme nga ato tradicionalet. Ja disa prej tyre: Si e kaloi Skënderbeu krizën e gjithpërfaqësimit kombëtar e ndërkombëtar? Si e ndërkombëtarizoi problemin e mbrojtjes së Krujës? Çfarë raportesh kishte me Krujën? Si i vendosi lidhjet me kryqëzatën? Si mundi të dalë si palë arbërore në aspektin juridik? Pse ndërtoi raporte vasaliteti me mbretërinë aragoneze? Për çfarë arsyesh ndërmori fushatë luftarake në Italinë e Jugut? Çfarë fitoi prej saj? Pse mund të quhet mjeshtër i diplomacisë së shfrytëzimit të konflikteve? Mbi ç’baza juridike bëri paqe me Portën e Lartë? Cilat ishin tiparet e marrëdhënieve me Papët, etj. Në libër trajtohen kryesisht zonat e mbetura gri midis ngjarjeve kryesore, mënyra se si mbruhen ngjarjet, roli i Skënderbeut në to, roli i faktorëve dhe aktorëve të tjerë dhe bashkëveprimi i tyre në shkallë lokale rajonale e globale. Jam përpjekur të jap logjikën e procesit historik duke ngritur ndërkohë disa teza të paartikuluara me parë që dalin nga vetë studimi i dokumenteve sipas një metodologjie të caktuar.
Stili dhe metoda janë ndryshe. Të shkruash histori mbi bazën e radhitjes lineare të ngjarjeve dhe dëshmive të kohës është një gjë, kurse të shkruash historinë duke shpjeguar pse-të e këtyre ngjarjeve është një gjë tjetër. Të marrim aspektin e luftës kundër osmanëve: Skënderbeu nuk i luftoi ata për hir të të bërit luftë se për shkak të ndonjë urrejtjeje patologjike. Ai u radhit kundër tyre me dëshirën dhe objektivin që Arbëria të bënte një kërcim spektakolar në histori e të mos humbiste në anonimitetin e rajave të Rumelisë. Sa ishte gjallë, ai ia arriti qëllimit me sukses të plotë duke përballuar goditje të fuqishme të makinës ushtarake osmane. Por ai krijoi kushtet që edhe pas vdekjes së tij Arbëria të vazhdonte ekzistencën e saj derisa erdhi shkulmi i pandalshëm osman, të cilit nuk i rezistoi dot as Venediku. Duke u nisur nga ky aspekt, jo rrallë heroizimi i Skënderbeut është bërë në mënyrë të mangët, duke u bazuar kryesisht vetëm në konfrontimin e tij me osmanët. Kjo s’është e drejtë. Lufta kundër Perandorisë Osmane, ndonëse zë një vend të rëndësishëm, nuk është e mjaftueshme për të ezauruar rolin historik të Skënderbeut. Nuk duhet ta shohim atë të ngurtësuar në një front të vetëm. Madje kjo nuk qëndron as nga pikëpamja thjesht ushtarake. Skënderbeu luftoi me sukses edhe kundër Venedikut më 1448, edhe kundër koalicionit të forcave anzhuine në Itali më 1462, ashtu sikundër ndonjëherë e shohim edhe në luftë kundër Dukagjinëve. Aq më shumë mund të theksohet kjo në aspektin diplomatik ku ai pati më shumë telashe me “të vetët” se sa me Perandorinë Osmane. Në këtë libër Skënderbeu nuk shikohet asnjëherë i vetmuar, i izoluar dhe i margjinalizuar. Ai është kurdoherë në qendër të ngjarjeve, i angazhuar në plane lokale e rajonale. Ai bëhet faktor shumë i rëndësishëm, të cilin gjithsecili përpiqet ta tërheqë në anën e tij. Nga një ish ofiqar ikanak i Perandorisë Osmane ai shndërrohet në palë juridike arbërore, së cilës kjo Perandori i bën oferta për paqe mbi baza nga më të të privilegjuarat e kohës. Libri përshkruan një epope marramendëse të arritjeve të Skënderbeut në fushën juridike dhe në përfaqësimin e tij ndërkombëtar diplomatik. Është një thriller i vërtetë, por ama një thriller i dokumentuar plotësisht, tha ai midis të tjeravave duke iu përgjigjur pyetjeve të pranishmëve në sallë.
Figura e Skënderbeut ka tërhequr shumë albanologë, historianë, shkrimtarë romantikë, studius shqiptarë e të huaj, etj. Deri tani janë shkruar rreth 600 vepra, disa edhe dashakeqëse duke e minimizuar rolin e tij. Skënderbeu, si një nga figurat më të mëdha të kombit shqiptar, është bërë një subjekt i gjithfarë gjinive letrare, i monografive serioze, i historive lokale dhe kombëtare dhe i miteve e legjendave popullore.
Pikërisht për këto arësye, shkrimi i një biografie apo studimi të ri për të në formën e një monografie , është një guxim i madh që kërkon dituri, pasion dhe vullnet për të hyrë në skutat e arkivave, historisë, diplomacisë, konjukturave të kohës, etj. Nuk janë pak gjashtë shekuj të shkuar, por mbi të gjitha kjo ndërmarrje kërkon seriozitet dhe skrupuluzitet shkencor për të ditur të gjesh të rejat që do të sjellësh. Edhe pse Virgjil Kule provon për herë të parë në këtë fushë, ai ia ka dalë me sukses duke na dhuruar një vepër origjinale historike të shkruar me një stil narrativ, e përtypëshme për çdo shtresë e lexues.
Koncerti që pasoi ishte me të vërtetë befasues nga ngjyrat e kostumeve popullorë dhe vallet që kërcyen artistët e grupit të udhëhequr nga koreografi i njohur Ramazan Këllezi, i cili nuk ishte vetëm moderator i kësaj mbrëmjeje, por në vite ka bërë një punë shumë të mirë duke e ngritur dhe ushtruar këtë grup që nuk mungon në çdo event të shqiptarëve te Kanadasw. Dhe motua:
For the Lord Himself has said,
That nations vanish from the earth,
But Albania shall live on,
Because for her, it is for her that we fight.
Toronto, 20 qershor 2014
MALLKIMI
Nga Avdulla Kenaci/
-Tregim i jetuar-/
Zakonisht kur udhëtoj me avion përpiqem të mos hap biseda me bashkëudhëtarët. Qëllon që ndonjeri mund të jetë aq shumë llafazan sa nuk të lë të ulësh as qepallat. Trajektorja përmbi oqean, kur shkon apo kur vjen nga Amerika, është shumë e gjatë, tetë apo dhjetë orë. Nuk janë pak, sidomos kur udhëton natën. Zakonisht unë zgjedh anën e dritares, por pasagjeri që ulet në të djathtë apo në të majtën time, nuk varet prej meje. Këtë radhë pashë se ishte ulur një grua e re, topolake, pak bionde, fytyrë hequr, por për çudi me një qafë të gjatë që nuk kishte lidhje me tërësinë e saj, rreth gushës si pjeshkë nuk i dallohej asnjë lloj zbukurimi. Rrumbullakësia e trupit të saj bënte kontrast me fytyrën e ëmbël, sytë e ndritshëm- gështenjë dhe gishtërinjtë e gjatë të duarve. Dukej se ajo as kishte dëshirë të prezantohej, apo të niste ndonjë bisedë. Edhe unë po ashtu.Aeroplani u ngrit mbi qytetin e Torontos dhe kuadratet e ndërtesave sapo vinin e zvogëloheshin. Më në fund u zhduk edhe kulla e famëshme CN. Nga dyshemeja e avionit u dëgjua një zhurmë e fortë; gyyyp. Ata që udhëtojnë shpesh e dijnë se kjo është zhurma e rrotave që mblidhen pas barkut të avionit. Ndërkohë bashkëudhëtarja në krahun tim, pa ia ndarë vështrimin peisazhit që po tretej në një tis mjergulle, tha nëpër dhëmbë, plot mllef: “Fuck Kanada!”. Nuk u besova veshëve, pse e urrente aq shumë Kanadanë?! Mos vallë ishte nga ato emigrantet ilegale dhe policia e kishte dëbuar forcërisht?! Mirëpo nuk kujtoja të kisha parë policë shoqerimi në bordingpass. Çudi si një grua aq simpatike mund të fliste me atë lloj urrejtje dhe me atë lloj gjuhe?! Njeriu i gjallë është i tëri një labirinth, ku ta dish se çfarë e mundon, ku ta dish seçfarë arësye e shtyjnë të sillet në atë mënyrë apo në atë tjetrën?! Nga xhepi i çantës nxorra një libër bestseller për ta lexuar, mirëpo nuk mund të përqendrohesha. Më dukej sikur gruaja e bukur në krah pëshpëriste të njëjtën shprehje, me të njëjtën gjuhë, por jo. Ishte mbështetur fort pas kolltukut dhe kishte mbyllur sytë. Kështu unë munda ta vëzhgoja më me nge duke u përpjekur të marr me mend pse ishte aq e mllefosur. Në fytyrë nuk kishte asnjë gjurmë tualeti, flokët ngjyrë gruri i mbulonin gjysmën e fytyrës. Vihej re se nuk e çante kokën për pamjen; rrënjët e flokëve ishin ngjyrë gështenjë dhe ajo as kishte marrë mundimin t’i ngjyente përsëri. Sipas pamjes nuk duhet të ishte më shume se dyzet vjeç.
Po servirej ushqim dhe i vura dorën në sup për ta përmendur. Nuk më tha as faleminderit, por zgjati duart për të rrëmbyer pakot. Ishte e uritur, kuptohej nga shpejtësia se si hante. Arriti tek frutat e grira. I erdhi rrotull kutisë plastike, por nuk ia gjente dot këndin se nga mund ta hapte. Dhe unë u habita kur i foli kutisë:
-Po si hapesh, mor dreq!?- Qënka shqiptare, mendova.
-Ma jep mua ta hap!
-Uaa, uaaa, ti qënke shqiptar?! As ma priste mëndja, të mora për italian. Nga je?
-Nga Laberia…
-Uaaa, uaaa, edhe unë jam nga Vlora, po rri në Tiranë.
-Edhe unë në Tiranë….
-Ke kohë në Kanada?
-Unë? Vetëm tre muaj…
-Ke hyrë ilegalisht?
-Jo, me dokumente të rregullta, sa kam marrë lendin.
-Po si, për tre muaj e more lendin?
-Jo, kam burrin këtu, ka ardhur më parë, kemi bërë bashkim familjar. Kemi edhe dy fëmijë.
– Shpejt po kthehesh, të ka ndodhur ndonjë fatkeqësi?
-Jo, ç’është ajo fjalë, shyqyr, o zot jemi të gjithë mirë me shëndet. Po Kanadaja nuk më pëlqen fare, ama fare….Nëntë vjet pa burrë, nëntë vjet duke bërë letra e gjyqe. Arritëm të bashkohemi, por ç’e do? Lëre fare, mos ma gërvish plagën…
Ajo nuk po kuptonte që kishte ngritur zërin dhe të tjerët rrotull po e shikonin me një lloj qortimi se përse po fliste aq fort. Sigurisht që nuk dinin shqip dhe mund ta merrnin si një pakënaqësi ndaj meje. Kjo situatë më vuri në siklet. Nuk i vazhdova më pyetjet, ama isha shumë kureshtar të dija se çfarë arësye kishte që nuk dëshironte të rrinte në Kanada kur kishte nëntë vjet e ndarë nga bashkëshorti, nëntë vjet, si në legjenda. Dhe ja, tani qe ëndërra bëhet realitet, ajo ikën, lë burrin, dy fëmijët dhe nuk dëshiron të kthehet më.
Nëpër mend sillja lloj-lloj ngjarjesh e situata, por nuk isha i sigurtë për asnjerën. Çfarë i kishte ndodhur kësaj gruaje të bukur? Thua të ketë bërë ndonjë skandal? Po si mundet, për tre muaj ajo nuk ka mësuar as ku bie tregu, rrugët, rrugicat. Le më që di shumë pak anglisht, madje më pyeste mua se çfarë flitej në altoparlant. Nuk e ngacmova më, por as ajo nuk ishte kurjoze të dinte për jetën time. Ishte e tëra e përqëndruar tek vehjtja e saj. Pas katër orësh udhëtim u fikën dritat, secili nga pasagjerët mundohej të merrte nga një sy gjumë. Mbajta vesh, në të majtën time po dëgjoja një kuisje të lehtë. Gruaja e bukur po dëneste. I pëshpërita lehtë tek veshi:
-Çfarë të mundon? Të lutem, pak durim, si mund të të ndihmoj?
– Ore, nuk jam kurvë, nuk jam kurvë po të them…
– Unë nuk dyshoj aspak dhe as e thashë një gjë të tillë. Më duket se u solla shumë njerëzisht, aq më tepër që jemi edhe patriotë.
-Ja dhe ky, nuk them për ty ore, por për ata të shtëpisë sime, të gjithë më thërresin kurvë.
-Si, edhe femijët?
-Po kur më therresin ata më dhemb shpirti se sa për burrin…
-Sa janë fëmijët?
-Djali 13 vjeç dhe vajza 11…
-Si kështu?
-I ka bërë burri për vehte, m’i shkëputi fëmijët nga gjoksi..
Ajo fliste aq ngadal sa mua më duhej të përqendrohesha i tëri vetëm tek pëshpërima, dukej se ajo përpiqej të nxirrte jashtë shpirtit një mllef, një hidhërim të mbledhur lëmsh. Të vazhdoja pyetjet apo ta lija të mbytej në brengën e saj? Një mungesë takti, një pyetje imja e pamatur mund të prishte magjinë e të treguarit. Vertetë njeriu i dëshpëruar ka nevojë të shkarkohet diku, por mund të mos isha unë njeriu i duhur. Heshta. Pas pak ajo vazhdoi:
-Tre muaj sikur kisha mbi kokë atë kullën e Torontos, hynte e dilte burri nga shtëpia dhe nuk thoshte mirëdita apo si u gdhive, por gjithënjë më drejtohej; po hë, ç ’bëre moj kurvë?
-Te rrahu, të goditi ndonjëherë?
-Do ishte më mirë të më godiste se sa të më thërriste ashtu, por nuk më goditi asnjëherë. Djali që e bëra 13 vjeç as më fliste fare, kur mundohesha t’i thoshja diçka, ma kthente me tërbim: Largohu kurvë se bie erë malok. Fjalët e tij më nguleshin në mish sikur të ishin mijëra gjilpëra. Shpesh më ka shkuar mendja të hidhesha nga kati i 17-të ku ishte apartamenti, po nuk doja të më prishej fytyra, nuk doja të më shihnin të vdekur aq të përçmuar. Pastaj me sy kërkoja liqenin, doja të mbytesha aty, por mund të mos më gjenin kurrë, ose dhe po të më gjente policia, nuk do më merrte burri nga morgu, nuk e njoh do të thoshte.
-Ma bëre kokën tym, të lutem spjegohu më qartë, trego nga fillimi. Të kanë kapur me ndonjë dashnor?
-Nuk më ka kapur asnjeri, më ka denoncuar djali, ka parë që në dhomën time në Tiranë hynte një oficer policie.
-Dhe ti e pranove?
-Nuk kisha nga ia mbaja, u detyrova. Te nesërmen, sa mbrritëm në Kanada burri na mbodhi të treve dhe pyeti djalin: “Trego, bir i babit ato që më ke thënë në telefon!”. Pa m’i hedhur sytë, ai tha:
-Nuk e dua për nënë, ajo na ka fëlliqur, na ka turpëruar, çuditem si ka sy e faqe të rrijë përpara ty kur në dhomën e saj ka futur një polic. Ne e kemi parë në mëngjes herët si ai polic dilte nga dhoma e mamit. E kemi parë me motrën nga vrima e çelësit duke ecur në majë të gishtërinjëve.
-Si, të paska shtirë në dorë një polic? Dhe atë e pranoje në shtëpi?!
-Histori e gjatë, nuk është polic i thjeshtë, por shefi i qarkullimit rrugor, është oficer policie. Kanadaja më hodhi në prehër të atij polici, mor vëlla, Kanadaja që mallkuar qoftë, më prishi me burrin, më prishi me fëmijët… burri më kërkonte shumë dokumenta, ia dërgoja të gjitha çfarë donte, por tek pashaporta e tij ngeca. Paguaj, me thoshte burri, por asnjeri nuk m’i merrte lekët. “Që të lëshojmë pasaportë, duhet të jetë vetë personi prezent..”, më thoshnin. U luta, u përgjërova, futa miq, por ishte gjë që nuk bëhej. U bëra si pare e kuqe përpara komisariatit. Të ishte në Vlorë e kisha rregulluar, por në Tiranë ishte e vështirë. Ishim transferuar dhe nuk figuronim të regjistruar në gjëndjen civile të Tiranës. Mirpo burri kishte deklaruar se banonim në Tiranë, ashtu siç ishte e vërteta.
– Po si u ndodh burri yt në Kanada?
– Burri im ka qenë kolonel, ishte për trajnim në Amerikë, ishte dërguar nga komanda e tij, por dezertoi vetë i dytë, kaloi në Kanada se Amerika nuk i jepte azil nga që kishte shkuar aty me shërbim, me vizë të rregullt.
-Dhe e fitoi azilin në Kanada?
-E fitoi, por me mundim të madh. Uuu, ç ’kam hequr unë për të mbushur ato dokumente, e paraqita si kundërshtar të regjimit. Durim, grua, më thoshte vulëhumburi në telefon, është përpara jeta e fëmijëve tanë. Në krahasim me çfarë bëhet aty, është parajsë. Dhe unë e besoja se çdo muaj na dërgonte rreth njëmijë dollarë, dilnin e tepronin për tre vetë. Po unë kurseja, kurseja aq sa shleva edhe kredinë e shtëpisë.
-Çfarë pune ka bërë burri yt në Kanada?
-Në ndërtim, pllakaxhi, i jepet, i zënë duart.
-Po ti sikur më the se ka qenë kolonel…
-Ashtu ka qenë, por nuk gjeti punë më të mirë. Erdhëm, po si erdhëm? Fitore si ajo e Pirros, thuaj.
-E kishim fjalën tek polici…
-Po, ai oficeri i policisë, kur një ditë më pa që po qaja para komisariatit, më pyeti se çfarë halli kisha. Ia tregova. Mirë, me tha, eja të pijmë një kafe e më trego shtruar. I shkoqita fije për peçfarë kisha bërë e çfarë përgjigje kisha marrë.
-Nesër, më tha, në të njëjtën orë, me çertifikatat e lindjes dhe atë familjare, bashkë me nga dy copë fotografi, takohemi përsëri këtu. Unë nuk di të gënjej apo mashtroj, jam malësor, më tha. Dhe vërtetë nuk më gënjeu. Ia dhashë menjëherë. I kisha lënë numurin e telefonit, kur ai më merr pas një jave e më njofton “Ajo punë u kry..”. Qava nga gëzimi, bëra gjithe ato lutje, si ma nxorri zoti si me dorë të tij këtë njeri?! Kisha tre muaj që u telendisa me ato dokumente, tre muaj që m’u dukën si tre vjet. E lamë takimin në një kafe tjetër. Vendosa t’i jap dhuratë 300 dollarë, megjithëse ai nuk më kishte vënë asnjë kusht. Nuk doja të mbetesha në borxh. M’u duk burrë i drejtë dhe i ndershëm. E kisha bluzën pak të hapur në gjoks, por ai asnjëherë nuk m’i nguli sytë aty siç bëjnë ata meshkujt e uritur. Nuk m’i pranoi dollarët. Vetëm shpenzimet që kërkon shteti do të paguash, ja ku është fatura, më tha duke ma vënë përpara. Ishte i vendosur. Jo, i thashë, jam vlonjate, nuk e hamë thatë ne, dua të të heq një drekë së bashku me gruan. E lemë për nesër, tha ai, sot jam i veshur ushtarak. Nesër e kam pushim. Të nesërmen erdhi pa gruan, i veshur civil, se si m’u duk ashtu, më i vogël në trup, më i qeshur, i veshur me kostum të shtrenjtë. E admiroja, e shikoja si shpëtimtar, më kishte hequr një barrë të rëndë nga kurrizi. Burri fluturonte nga gëzimi, dukej nga zëri kur fliste në telefon. Jepi paratë më tha, se për atë e bëjnë. Ama që kisha pirë kafe me të, nuk i tregova dhe as që e kisha ftuar për drekë.
-Gruaja ishte pak pa qejf, më tha, në se dëshiron, mund të shkojmë së bashku në një lokal “maloku” andej nga Sauku, ditë tjetër jam shumë i zënë…
Mendova se ishte mirë të mos na shihte ndonjë vlonjat, kështu pranova kur tha “lokal maloku”. Edhe desha edhe nuk desha. Ama doja me çdo kusht t’ia shpërbleja mirësinë. Po çudi, kisha krijuar besim të madh tek ky njeri dhe ndjehesha e mbrojur. Në fund të fundit çfarë mund të ndodhë kur je me kamarierë, guzhinierë e pronar lokali nëpër këmbë? Sauku është pjesë e Tiranës.
U ulem në katin e dytë. Askush tjetër veç nesh. Pata një si ngjethësirë, por nuk e dhashë vehten. Porositëm drekën. Nuk marr vesh shumë nga restorantet, por e vura gishtin tek ato asortimentet më të shtrenjta. Unë do të marr një gotë verë, ti merr një pije çfarë të duash, më tha ai. Dhe unë mora një birrë, si më e lehtë si pije, nuk desha ta lë vetëm. Më shumë desha t’i bëja shoqëri. Fjalë pas fjale, nuk di se si ajo pije më ra në kokë. Më kishte marrë malli për mashkull. Por edhe ai se si më shihte, tjetersoj, sikur do më përpinte me sy. Pa dashur, nën tavolinë, m’u përzien këmbët e mia me të tijat. U bëra flakë nga trupi e nga turpi, por ama këmbët nuk i hoqa, sikur më qenë ngjitur me zamkë. “Të mbyllim derën!” – tha ai. U ngrit, e mbylli vetë me çelës nga brenda. Më sa e hape ti gojën që nuk ishe atje, aq e hapa unë. Lëre, dhe aty u bë e pabëra…Do ti që më hyri shumë për zemër?! Ishte e para herë që ia dridhja burrit tim. Nuk rrija dot pa të, as ai pa mua. E trashëm shumë muhabetin, se mos vetem njëherë. Femijët e kishin parë…Megjithëse i kisha thënë të mos më vinte në shtëpi, ai justifikohej: ”Jam ushtarak, nuk mund të telendisemi hoteleve e moteleve…”, më thoshte.
Pastaj gruaja e bukur heshti pak, unë nuk e ngacmova më tej. Më preku me sinqeritetin e saj, ndoshta lartësitë në qiell të bëjnë aq të çiltër. Nuk di si ta spjegoj gjithë këtë tregim. Por digjesha nga dëshira që rrëfimin e saj ta çonte deri në fund. Bëra ç’bëra dhe e ktheva bisedën në Toronto:
-Sikur the se doje të mbyteshe në Liqenin e Ontarios.
-Pikërisht këtu në Kanada kur kisha vendosur t’i jepja fund jetës, ndodhi diçka e papritur, dhe thuaj që nuk ka zot, burri solli në shtëpi një vajzë polake. Ishte më e re se sa unë. Thoshte se ishte me profesion juriste, por në Kanada nuk i njihej diploma. Punonte si kashiere, si i themi ne, arkëtare, por burri e kishte njohur më parë, kur ajo punonte në një lavanteri. U tregua dobiç burri im, e prezantoi me parë me fëmijët, u tha se me mua nuk mund të bëhej më burrë e grua, por për hatër të tyre do më lejonte të jetoja me ta. Me polaken kishte bërë një lloj kontrate që unë nuk e di se si, por ajo dinte gjithëçka për familjen tonë.
-Si, ajo ishte më e mirë se sa ti?
-Më e mirë? Po si të them ajo ishte më e re, bionde bio, por e shpëlarë.
-E durove dot?
-Ia di për nder sepse e hoqa nga mendja vetëtvrasjen, uu, thashë, ky të bëjë qejf me polaken dhe unë të kalbem nën dhe?! Më marrtë të keqen. Ama zieja nga inati, përvëlohesha nga brenda kur u dëgjoja rënkimet në dhomën ngjitur…Në mëngjes më vinte t’i çirrja fytyrën me thonj. Po çfarë të beja, në vend të huaj, le që isha fajtore, e kisha menderosur unë e para. Dhe burri im më dukej ndryshe; si nuk më hoqi njëherë një pëllëmbë, fjala e, e kurvë, ishte si të qëllonte me plumb. Polakes i sillte lule, i blente parfume të shtrenjta, e puthte dhe e përkëdhelte në syrin tim, e çonte në koncerte, mua kurrë nuk m’i kishte bërë këto pekule.
-Ndryshoi sjellja e fëmijeve pas ardhjes së polakes?
– Vajza, po, më afrohej fshehurazi, shpesh ajo qante me mua, por djali jo. Polakja sillej aq mirë me fëmijët sa nuk ta merr mëndja. Ishte kodoshe. Dhe me mua shumë korrekte. Ç’është e vërteta janë më me kulturë se sa ne. Por unë vendosa të iki në Shqipëri. Aty kam prindërit. Në Kanada kam lënë pjellat e mia, si do të duroj pa i parë, pa i përkëdhelur? Ia kam frikën asaj polakes. Ndoshta fëmijët do të më kuptojnë një ditë dhe do më falin. Nuk di çfarë do bëhet më tej, jam tym, jam turbull, jam lumë e përrua…..
Ndërkohë boingu preku në pistën e Fjumiçinos. Ca mërmërima falënderimi për pilotin që e uli gjithë atë bina aq butë. Duartrokitje. Po i afroheshim Shqipërisë.
Në Romë, gjithë pasagjerët e Tiranës presin ulur në stola nja dy orë transit sa të ndërrohen bagazhet e të shkojë koha për t’u rinisur. Vlonjatja, nga sa pashë tek bileta e saj, quhej Drita, por diku më humbi nga sytë, u zhduk nëpër dyqanë. Si nuk e pyeta për emrin e burrit, por më duket se më tha se ai ishte me origjinë nga Tepelena. Kur po hapej porta për të shkuar tek aeroplani i linjës së Tiranës, e vura re që po afrohej me një hap të pasigurtë, kishte rregulluar flokët, kishte bërë grim dhe në duar mbante një këmishë të shtrenjtë burrash, të sapoblerë. I qeshnin sytë.
ADASHI
Skice/ Nga Avdulla Kenaci/
E kam pësuar disa herë, por përsëri nuk zë mend. Ajo psikologjia shqiptare për të dalë çdo ditë për kafe, më ka përcjellë edhe këtu në Kanada. Mesi i dimrit. Dita më e ftohtë e vitit. Kështu pohonin të gjithë, ama ishte vërtetë një ditë shumë e kthjellët, ajër më transparent nuk kisha parë. Dritë dielli nga të katër anët e horizontit, ajër i pastër, bardhësi bore që ndërpritej nga kryqëzimet e rrugëve. Një qetësi e frikeshme mbretëronte ngado. Stacionet e autobuzëve bosh, asnjë njeri nuk të zë syri të dalë më këmbë. Bukuri që vret! Me të drejtë, stacionet metereologjike kishin lajmëruar qëkuri se lëkura e duarve apo fytyra nuk duhej të ekspozohej jashtë, më shumë se pesë minuta. I ftohti mund të të kafshonte indet. Megjithatë, unë bëra si bëra dhe përfundova në kafe. Qetësi e shurdhër, si në një ditë varrimi. Por brenda kafenesë bënte ngrohtë, aq më tepër që muri i saj në të djathtë nga isha ulur unë, ndahej me një furrë buke. Lexova dy-tri gazeta opozitare nga Shqipëria nëpërmjet Iphone, piva kafen e përditshme ekspres dhe instiktivisht ngrita kokën nga ekrani i televizorit për të ndjekur temperaturat. E pabesueshme, minus 27 që ndihej si minus 38 gradë celcius. Kur mendoja se ç’mot mbizotëronte jashtë, nuk më bëhej të dilja prej andej. M’u kujtua Tirana, kur në mot të kthjellët, në një ditë si kjo, mund ta pije kafenë dhe në hapësirat jashtë lokalit. Kur ja, papritur tek dera u shfaq një njeri i zhytur në një xhup të trashë, që mezi i dallohej fytyra. U afrua tek banaku, hoqi kapuçin dhe porositi shpejt e shpejt një kafe të shoqëruar me një gotë grapa. Si në Shqipëri, mendova unë. Kam dymbëdhjetë vjet në Kanada dhe nuk kam ndeshur në një ditë si kjo, – i tha banakieres. Janë rryma të të ftohtit polar, ikin shpejt, e shumta 24 orë,- e qetësoi ajo. Pastaj ai u kthye nga unë dhe më tha në anglisht: – Shumë, shumë ftohtë! Po ndjek lajmet dhe po shoh që ka shumë aksidente në autostradë, -iu përgjigja unë.
– Foli shqip ! Ai është shqiptar, – ndërhyri banakierja, si për të ngrohur atmosferën. Ai nuk priti më shumë, por pa pyetur, la kafen dhe gotën me raki në tavolinën time dhe m’u hodh në qafë.
-Po ku je, more vëlla! Si të quajnë ? Unë e kam emrin Avdulla.
-Edhe mua ashtu më quajnë, -i thashë unë.
-Vërtetë? Po qenkemi adashë! Po si ia bën sepse unë kam gjetur belanë. Kur më pyesin si e ke emrin, unë u them Doll.
-Doll? Po doll i thonë kukullës në anglisht. Se mos e marrin për tallje, – i thashë unë.
-Jo, nuk e marrin hiç ! Madje nuk ma harrojnë kurrë.
-Banon familjarisht këtu? – e pyeta unë. Ai ndali pak, psherëtiu dhe tha:
– Jo, nuk kam mundur t’i marr, kam 12 vjet që bëj gjyqe. Nuk kam qenë asnjëherë në Shqipëri, më ka pikur malli. Nuk do më njohin kur t’i takoj. Kam tre fëmijë, vajzën e madhe e kam lënë 9 vjeçe dhe tani është studente, e shoh vetëm në fotografi. Presin që unë të marr letrat dhe ta fejojmë, ka një të dashur.
-Po kaq shumë vjet dhe nuk ke mundur të marrësh letrat?! – i fola ca si me qortim.
-Histori e gjatë! Erdha tek baxhanaku me një pasaportë italiane të vjedhur. Ai u bë sebep. Eja, -më tha, se këtu ka lekë. Erdha. Tek ai banoj, në bodrum, në bejzment, fillova edhe punën me të në ndërtim. Më vonë formuam një skuadër me shqiptarë, baxhanaku krijoi një firmë të tijën, është djalë i zoti, hapi shumë fronte pune. Mirëpo, unë gjysmën e rrogës ia kam dhënë avokatit, gjysma tjetër më mbetet për vete dhe për ata në Shqipëri. E pyes përsëri:
– A të ka mjaftuar rroga? Dhe ai u përgjigj: Sikur ta kisha të gjithën për vete, tani do të isha bërë këtu me shtëpi timen.
-Po atyre në Shqipëri, u ke dërguar gjë? – e pyeta unë.
-Po me se mbahen ata, tha ai. Asnjeri nuk punon. Nuk ka punë. Janë katër shpirt. U kam blerë apartament në Tiranë, dy dhoma e një kuzhinë. I kam hequr nga Librazhdi, jetojnë aty që kur vajza nisi shkollën e lartë. I bëra pyetjen tjetër:
-Po si ia bëni, ju në gjysmën e vitit nuk mund të ngjiteni mbi çati? Pastaj ai treti vështrimin përjashta në hapësirën e bardhë dhe tha:
– Këta kanadezët po, aq pushojnë, por ne shqiptarët vetëm tre muajt e ashpër të dimrit nuk ngjitemi mbi çati. Më pas vijojmë, non stop në punë. E vura re me kujdes, trupvogël, thatim dhe i zeshkët në fytyrë; një fytyrë e rrahur shumë nga erërat. E pyeta sërish:
-Të është rrezikuar ndonjëherë jeta mbi çati, se më kanë thënë që shqiptarët nuk lidhen kur hipin lart? Pse e bëni këtë, që të dukeni trima?! U mendua pak me sytë ulur tek gota e rakisë, pastaj ngriti kryet e tha:
– Kush pyet këtu për trimërira, po i lidhur nuk ka duk puna, mezi lëviz. Unë kam fluturuar dy herë nga çatia, por jam i shkathët, jam mbajtur në momentin e fundit pas ullukëve. Po ti ke të drejt! Vjet na u vra një portugez, ra nga tetë metra lartësi, goditi kokën në trotuar. Vdiq në vend ! Ishte trup i rëndë. Kishte dy fëmijë.
Nuk dija çfare t’i thosha! Nuk dija si t’i jepja pak kurajo. Midis hyri vdekja.
SHQIPERIA BEHET
Nga Avdulla Kenaçi/
-Flet shqiptaro-amerikani Fazli Bekteshi duke u bazuar në përvojën vetiake./
-Në Shqipëri ka gjetur lumturinë dhe ka dhjetëfishuar pasurinë./
-Përvoja amerikane ka qënë çelësi i sukseseve të tij./E kemi degjuar shumë herë këtë shprehje “Shqipëria bëhet”, e kemi degjuar nga politikanë, studjues, vizionarë, nga miq të vendit tonë, por rrallë nga njerëz të thjeshtë. Madje, disa, të mbytur në halle, me shpresa të vrara, thonë se ky vend është i mallkuar, nuk bëhet kurrë. Por nuk mendon kështu Fazli Bekteshi. Ai është një burrë i shkurtër, me flokë të rëna afër ballit, me një palë mustaqe për qejf si për të kompesuar atë trupin e vogël, por që i jep shumë mundësi të lëvizë shpejt e pa u ndjerë. U bëra kureshtar të dija më shumë për jetën dhe historinë e tij familjare. Desha të dija dhe pse ishte aq shumë i bindur për një të ardhme të begatë të vendit tonë?
– Kur ke ardhur në Tiranë? – ishte pyetja ime e parë.
– Në vitin më të vështirë, më 1997.
– Si, ahere kur u bë rrëmujë dhe të tjerët donin të largoheshin?
– Kisha ardhur më parë, aty në prag të rrëmujave, e kisha vendosur që në fëmijëri se duhet të vija këtu. Ishte ëndërra ime më e madhe, më e bukura. Unë u linda dhe u rrita në një fshat të Kërçovës, të gjithë shqiptarët aty rriten me një dashuri të thellë për Shqipërinë. Ishte mungesa e shkollave në gjuhën e nënës, ishte represioni i madh serb, ishte kujtimi i sa e sa patriotëve të vrarë, masakruar e gjakosur për çështjen tonë kombëtare. Kur njoha veten, kur isha nja 10-12 vjeç, pyeta babanë: “Sa larg është Shqipëria?” Ai më pa drejt në sy, më mori pranë vetes dhe më tha duke bërë dorën grusht mbi zemër: “këtu!…”.
– Desha të di ku bie kufiri?
– Andej nga shkon dielli të flerë.
– Dhe unë një ditë u ngjita mbi një kodër duke ndjekur diellin se ku do të perëndonte. Po Shqipëria nuk dukej gjëkundi. Një ditë tjetër u ngjita mbi një kodër edhe më të lartë. Dhe prej andej dukej edhe një mal akoma më i lartë, por Shqipëria jo.
– Këtu ke ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ti e braktise familjarisht mrekullinë për të ardhur këtu?!
– Kur u bëra 18 vjeç dhe duart më hanin për punë, desha përsëri të shkoja në Shqipëri, por ishte e pamundur. Ajo ishte e mbyllur, e izoluar. Ahere ndoqa rrugën e kurbetit si shumë bashkëfshatarë dhe të afërm të mijtë.
– Nuk munde të natyralizoheshe aty, në mërgim?!
– Në Amerikë kisha një vëlla më të madh dhe disa kushërinj. Aty ndjehesha i lirë. Kam bërë punë të ndryshme, por më shumë kam punuar argjendar. Më pëlqejnë këto gdhendjet e imta e të holla që kërkojnë mjeshtëri. Në atë periudhë ari në Amerikë ishte i lirë dhe duke e punuar zinxhir, unazë apo shqiponjë me dy krerë, i dhjetëfishohej vlera. Amerika u jep shumë hapësira, shumë liri qytetarëve të vet, po të dijnë të punojnë e të kursejnë, pasurohen.
– Paske qënë në një periudhë kur nisi të shpërbëhej ish Jugosllavia dhe shpresat e shqiptarëve për liri u ndezën edhe më shumë.
– Ne, të mërguarit nga trojet shqiptare u tubuam të gjithë së bashku dhe luftuam për pavarësinë e Kosovës, ish krahina autonome ishte më e mundshme të shkëputej, ashtu edhe si ç ndodhi. Nuk kam lënë tubim pa shkuar, demonstratë, revoltë, takim, pa llogaritur donacionet që ishin të përmuajshme. Vëllai im më i madh ishte aktivist i shquar, por unë kisha një përgjegjesi edhe më të madhe sepse shkruaja në shqip e anglisht tabelat që mbanim në duar ne, demonstruesit. Shpresonim shumë se mëma e madhe Shqipëri do të na ndihmonte. Në aspiratat tona kishim aleaten e madhe të lirisë e demokracisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kam shumë foto nga tubimet e asaj periudhe.
– Aty e ke njohur bashkëshorten, Fatmirën?
– Po, edhe ajo ishte një bijë emigrantësh, familje patriote shqiptare. Jeni të interesuar ta pyesni drejtpërdrejtë? Okay, i bëjmë një vizitë dyqanit të saj, është këtu afër, tek kryqëzimi i “21 Dhjetorit”.
– Dyqan i saj?! Po, me kënaqësi.
Ja edhe dyqani. Është shfrytëzuar një hapsirë tek sheshrrotullimi. Duket që atje tej. Është një sallon pikturash. Më së shumti janë peisazhe dhe portrete me ngjyra vaji, ngjyra të ngrohta e të buta, hera herës fëminore.
– A mund ta takojmë autoren tani?
– Posi jo. – Fazliu bën një telefonatë, ndërsa unë po shoh një nga një pikturat. Shumicën e tyre i indentifikoj me peisazhe nga Shqipëria, si Kruja, Lezha, Berati, kodrat rreth Tiranës, etj. Faiku sikur e lexon mendimin tim, afrohet e më tregon:
– Në fundjavë ne largohemi të dy nga Tirana, na pëlqen të shohim vënde të reja, të bukura. Fatmira është e mrekulluar me peisazhin shqiptar. Një vizitë në një vend që nuk e ka parë më parë është si t’i japësh një drekë në Sheraton.
Duke qeshur i them se kështu kursen edhe paratë, po shumica e grave, edhe kur nuk duan drekë, duan të kenë aksesorë të shtrenjtë.
– Ah, jo, të dy e dimë se çfarë do të thotë varfëri. Në luftën e Kosovës kemi ndihmuar e strehuar shumë familje, disa na thanë se mund të na paguanin. Nuk pranuam kurrësesi. Një dyqan ua dhashë në dispozicion për zyra atyre të UCK-së, tek rruga Bardhyl, këtu në Tiranë. U bleva edhe fax e printer. Kanë ardhur e trokitur pa na njohur fare, vetëm me të dëgjuar. – Ndërkohë ja ku vjen Fatmira me të bijën, studente për arkitekturë. Vajzën e quajnë Fitore. Dhe unë guxoj t’i bëj pyetjen Fatmirës së saponjohur:
– Si të lindi dëshira të merresh me këtë profesion, i rrallë për gratë shqiptare në kurbet? – Ajo heziton pak, shikon nga i shoqi dhe ai ia bën me shenjë të vazhdojë. Ajo tregon ngadalë duke i artikuluar me vështirësi fjalët në shqip:
– E kam filluar me bojërat e thonjve…- Dalloj tek fjalët e saj theksin amerikan të anglishtes.
– Mos do të thuash manikyr?
– Po, kam qënë e vogël, në klasë të parë kur fillova kështu, pastaj prindërit më blenë bojra të vërteta. Morën ca fletë të vizatuara dhe ia treguan mësueses. Ajo tha lereni të lirë të pikturojë çfarë të dojë. Pas kolegjit vazhdova një kurës. Më shumë unë pikturoj me intuitë.
– Shisni?
– Po, por rrallë, unë kam kënaqësi kur njerëzit rrijnë e soditin punët e mia. Tirana ka piktorë shumë të mirë, ka shkolla shumë të mira të artit. Ky është një dyqan në mes tërrugës, kushdo mund ta vizitojë. Për mua nuk ka shumë rëndësi fitimi. Shqipëria të frymëzon.
Pastaj vazhdoj bisedën me Fazliun. Jam kurioz të di se çfarë vështirësish ka kapërcyer dhe a është tunduar për t’u rikthyer në Amirikë kur e gjithë familja ka nënshtetësi të dyfishtë? Të guxojë të heqë dorë nga të mirat atje, por të llogaritë edhe të mirat këtu. Vështirësi ka, thotë ai, është vend në zhvillim e sipër, ka edhe rrëmujë, disa herë nuk zbatohen ligjet, por mund të bësh biznes. Unë jami i bindur se Shqipëria bëhet. Le të ndjekim rrugën Tiranë – Shkodër. Janë 100 kilometra rrugë ku mund të vizitosh Kalanë e Krujës, varrin e Skënderbeut në Lezhë, lagunën në Tale, portin natyral të Shëngjinit, plazhin e Velipojës, Drinin e Bunën, Rozafën dhe liqenin e Shkodrës….Ka det, ka mal, ka lumenj, fusha ku mund të mbjellësh agrume dhe ullinj, ka histori, çfarë nuk ka…E pyes se si.
– Unë sa erdha nisa të blej toka në Durrë. E dija se deti, plazhi, rëra janë këtu pasuri që nuk kanë çmim. Të gjitha kursimet i hodha këtu. Pastaj nisa të shes, si punë brokeri. A e di se sa më ka shkuar fitimi? Dhjetë herë më shumë nga blerja fillestare. Kam synuar të blej apartamente të vjetra në qendër të Tiranës, mundësisht në rrugët e populluara. Fitimi me shitblerje apartamentesh dhe dyqanesh nuk ka qënë edhe aq i madh, por asnjëherë me humbje. Këtu shumë gjëra shkojnë me njohje dhe unë i kam të kufizuara njohjet, por kam synuar rrugën ligjore, nuk kam blerë pa parë qysh më parë regjistrimin në hipotekë, nuk kam shitur pa avokat dhe pa noter.
– Ke pasur ndonjë gjobë të fshehtë kriminale?
– Asnjëherë. Unë nuk mbaj para në shtëpi, çdo veprim e kryej nëpërmjet bankës. Shumë vetë e pësojnë këtu sepse nuk ndjekin rrugën ligjore, kërkojnë fitim të shpejtë pa respektuar ligjin dhe në fund, kur i pyet ndjehen të penduar që kanë vepruar në atë mënyrë. Mua më ka ndihmuar shumë përvoja amerikane. Ka qenë e vështirë të zbatohet këtu jo për faj të ligjeve, por për faj të mentaliteteve. Kur kam parë se klienti nuk ka ndjekur rrugën ligjore, jam tërhequr, si të thuash e kam djegur atë biznes. Shumë këtu shkojnë në bixhos, nuk ka më turp dhe marrëzi se sa të humbësh djersën për disa sekonda. Duhet të dish të investosh, të jesh kursimtar dhe nuk gjen keq kur nuk i bën keq tjetrit.
– U është dashur ndonjëherë të kërkoni ndihmën e Ambasadës amerikane?
– Kurrë, unë jam shqiptar, jam në vendin tim, pavarësisht të dynënshtetësinë, për mua do të ishte turp të denononcoj dhe të kërkoj ndihmë në ambasadën amerikane. Do ta bëja një gjë të tillë në se do të jetë në rrezik jeta e fëmijëve të mi, por jo se me dikë jam grindur apo kam marrë një kërcënim.
– Domethënë nuk ke pasur ndonjë incident?
– Po, kam pasur me një bankë greke. Në vitin 2005 këtë dyqanin tim këtu mbrapa e kanë pasur ata, është pozicion i mirë, i sigurtë dhe në kryqëzim. Sipër bankës është ballkoni i shtëpisë sime. Kam aty dy flamuj që valviten ditë natë, të Shqipërisë dhe të Amerikës. Një ditë, menaxheri i bankës, pra, qiraxhiu, më thërret e më thotë se duket sikur ata dy flamuj i kemi vënë ne të bankës se janë direkt mbi fasadën tonë. Nuk është mirë për klientët tanë, tha ai. A mund t’i heqësh? Jo, i thashë, mund t’i ngre më lart, por jo t’i heq. Ajo është prona ime dhe vendos vetëm unë. Pastaj me sa di klientët tuaj janë shqiptarë dhe nuk besoj të mos u pëlqejnë ata dy flamuj. Së shpejti duhej përsëritur kontrata me ta, edhe pse me humbje, vendosa t’ua ndërpres. Megjithëse i lajmërova me shkrim, ata vazhduan të qëndrojnë. Edhe kur iu drejtova gjyqit, ata me një mendjemadhësi të çuditëshme dhe të bindur se gjykata do të mbante anën e tyre, nuk dolën. Filluan seancat gjyqësore dhe ata po i humbnin njera pas tjetrës. Ikën duke paguar disa penallti sipas vendimit të gjykatës. Dola me më shumë fitim nga sa e kisha menduar. Flamujt janë akoma aty.
– Të shkon mëndja për t’u kthyer përsëri në Amerikë?
– Amerika është këtu në Shqipëri për ata që kanë sy ta shohin dhe duar ta prekin. Jam i lumtur që gjindem këtu. Djalin e madh Arianitin, e dërgova në Univesitetin e Cikagos ku u diplomua për diplomaci dhe ai u kthye përsëri këtu. T’i shërbejë këtij vëndi, t’u shërbejë vëllezërve tanë në Maqedoni që kanë aq shumë probleme të pazgjidhura, t’i shërbejë çështjes çame, pronave të tyre të grabitura padrejtësisht . Unë jam krenar që jam shqiptaro-amerikan.
Këtë rrëfim për familjen e Fazli Bekteshit nuk do ta kisha mësuar kurrë sikur ata të mos më kishin tërhequr vëmëndjen në inaugurimin e tunelit të Krrabës ku të radhitur familjarisht në një rresht shtërngonim në duar dy flamuj të mëdhenj, shqiptar dhe amerikan. Ishin të gëzuar që po shkurtohej rruga për në Kërçovë, në vendlindjen e të parëve të tyre.