• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

RRETH MBIEMRIT DHE VDEKJES SË JOSIF BAGERIT

January 16, 2019 by dgreca

avzimustafa-300x2381 a Josif Bageri

Nga Avzi Mustafa/Shkup/ Dielli/Perandoria Osmane me reformat e Tanzimatit kishte deklaruar se të gjithë kombësive do tu lejohet lirisht të ushtronin gjuhët e tyre në institucionet arsimore dhe fetare   me përjashtim të shqiptarëve. Banorët e truallit shqiptar thirreshin  turq, arnaut, kaurr, latin, por kurrë me emrin e tyre të vërtetë. Këtu gjithsesi duhet të shtohet se shqiptarët nuk patën edhe një administratë të përbashkët, por qenë të shpërndarë në nëpër vilajete të ndryshme. I vetmi faktor pa dallim feje e krahine, që i bashkonte shqiptarët, ishte vetëm gjuha shqipe.

Vitet e ’30-ta e deri në vitet ’70-ta të shekullit XIX janë vitet shumë të rëndësishme të zhvillimit historik të popullit shqiptar e, sidomos, kur fillojnë të krijohen kushte zhvillimit shpirtëror e nacional, që ndryshe do të quhet Rilindje.

Një ndër kushtet shumë të rëndësishme për të mbijetuar populli shqiptar ishte zhvillimi kulturor dhe arsimor. Deri në fund të shekullit XVIII një e treta e popullsisë shqiptare ishte e përqendruar në viset rurale-malore. Por, nga fundi i këtij shekulli dhe fillimi i shekullit të XIX filloi një proces i ri, me ç’rast popullata malore filloi që të zbresin nëpër qytete. Jo më pak nëpër fshatra shumica e njerëzve për shumë arsye kishin dalë si kaçak, sepse nuk kishin mundësi t’ia paguajnë vergjinë turkut. Edhe kjo ndikoi që shumë fshatra të boshatiseshin, sepse nuk mund t’i përballonin jo vetëm taksat e Perandorisë, por edhe kërkesat kaçakëve për t’i ushqyer e për t’i strehuar, ndërsa bagëtinë e kishin vazhdimisht në rrezik. Kjo derdhje e fshatrave nëpër qytete zgjati më shumë një gjysmë shekulli, ndërsa më vonë me intensiteti i saj filloi të bie.

Kur filloi të lulëzojë me të madhe mjeshtëria dhe tregtia, qytetet arritën të fitojnë një prosperitet ekonomik. Zhvillimi i tregtisë mundësoi që së pari të ngrihen tregjet e ndryshme nëpër qytete e pastaj të krijohen tregtarë dhe, më vonë, edhe esnafet. Këta tregtarë e esnafë filluan të tregtojnë edhe nëpër qytetet e ndryshëm të Perandorisë, si në Ballkan ashtu edhe në shumë qytete të Lindjes e më vonë filluan të krijojnë edhe panaire të ndryshme nëpër Evropë, si në Angli, Austri, Saksoni e gjetiu.

Perandoria Osmane, edhe pse udhëhiqej me ndonjë Kushtetutë e ligje, asnjë prej tyre nuk zbatoheshin në vendet e pushtuara. Çdo gjë që bëhej për kombet joturke, bëhej vetëm me ndonjë deklaratë të rreme, që gjoja ishte dhënë drejtpërsëdrejti nga ndonjë ferman në emër të Sulltanit.

Prandaj Perandoria Osmane dita-ditës po e humbiste ekuilibrin e saj ndaj shteteve që nuk ishin nën Perandorinë, por edhe ndaj qytetareve turq e të tjerë, që ishin nën këtë sundim, siç ishte papunësia dhe mospagesa e ushtarëve e administratorëve, ndërsa kjo mundësonte që të përhapej ryshfeti. Në një letre që Sami Frashëri i shkruante të vëllait të vet, ai do të shprehej kështu: “Është e vështirë të gjegjsh punë, por edhe sikur të gjesh s’ke e ç’do. Sepse rrogat nuk paguhen. Që prej njëmbëdhjetë muajsh asnjë metalik s’ka marrë njeri këtu. Madje, edhe nëpunësi me përgjegjësi ka arritur n’atë shkallë sa të lypin”.

Pas Kongresit të Berlinit Perandoria Osmane e njohu autonominë e Principatës Bullgare. Prandaj në këtë shtet filloi të lindë një borgjezi e re, do të hapen fabrika, zejtaria do marrë hov të madh, filloi ndërtimi dhe hapja e rrugëve, filloi të lulëzojë tregtia, me të edhe kultura, arsimi, feja, hapja drejt shteteve të përparuara etj.

Në anën tjetër, ishte Reka e Epërme, një krahinë e banuar me shqiptar të fesë ortodokse. Jeta e këtyre shqiptarëve me shumë se kudo ishte e rënduar nga vjedhjet e hajdutëve, bashkëpunimi me sejmenët turq e, sidomos, nga papunësia që e bënte të vetën. Prandaj shumë rekalinj u detyruan ta marrin rrugën e kurbetit. Për këtë popullatë vendi më i pëlqyer ishte Rumania, ndërsa më vonë edhe Bullgaria. Shumë të rinj, që kishin mbetur në Rekë, kërkonin shtigje për t’u larguar. Si çdo i ri, ashtu edhe Josif Bageri, mendonte të kërkojë punë. Si fëmijë, ai e ruante bagëtinë në bjeshkët e maleve të Rekës, madje kryente edhe shumë punë të tjera, ishte shumë i shkathët, por ekonomia e familjes nuk mund t’i plotësonte nevojat e përditshme të familjes Jovani. Për këtë arsye Josifi i la dhentë dhe nisi të kërkojë punë në Dibër, në Gostivar, në Tetovë e gjetiu, por më kot – kudo që shkonte ai e merrte përgjigjen e njëjtë. “Nuk ka punë!”, ndërsa pas një heshtjeje e pyesnin se çfarë zanati di. Një këpucar në Dibër e mori si shegert, pasi e kishte njohur gjyshin e Josifit. Ai aty kalon tre-katër muaj të dimrit.

Shqiptarët e kësaj ane kishin një zakon i cili përcillej brez pas brezi e që thoshte se kur të vijë Krishtlindja “ku të jesh e nga të jesh, në shtëpi duhet të jesh”. Në këtë festë vinin edhe kurbetçinjtë për t’u parë me njerëzit e tyre dhe për ta sjellë fitimin. Një kushëri i Josifit nga ana e nënës, me emrin Berboshi (Bardhoshi), kishte punuar një vit e më tepër në Bullgari dhe kishte ardhur për Krishtlindje në Rekë. Një ditë ai i kishte bërë një vizitë tezes së tij (nënës së Josifit), së cilës tregoni për punën që bënte në Bullgari dhe për fitimin që e merrte. Madje, i tha se e ka ndër mend ta marrë edhe Josifin.

Megjithatë, ende pa i mbushur 16 vjeç të plota Josifi ishte martuar me Vasilikën nga Prilepi. Por, jeta ishte e rëndë, ashtu siç përshkruan vetë Josifi në veprën e tij “Kopësht malsori”: “…lakuriq e pa vendue / Pa shtresa e pa mbulesa! / Pa siguri në jetë/. Kjo jetë e rëndë dhe pa zgjidhje e detyroi Josifin që ta marrë rrugën për në Bullgari, një rrugë që duhej të përshkohej për 12 ditë në këmbë me pushime nëpër bujtina ose në vende të hapura. Por, Josifi e kishte ndarë mendjen. Mirëpo, atë e mundonte nusja e re: çka do të bëjë me të?; ku ta dërgojë?; si do ta lë? e shumë mendime të tjera, që i vinin vërdallë nëpër mend. Andaj, më e mira e së mirës për të ishte që bashkë me bashkëshorten ta marrin rrugën e kurbetit. Këtë mendim ia tha Vasilikës, e cila nuk e kundërshtoi, por e inkurajoi, duke ia shtuar shpresën se do t’ia dalin. Kështu para Shëngjergjit, ende pa shkrirë bora nga malet e Rekës, Josifi dhe Vasilika e morën valixhen e drurit, ku vendosën edhe një patkua kali për fat, si dhe një dry, ndërsa nëna me lot në sy ua hodhi ujin nga shtamba për rrugë të mbarë.

Arritja e Josifit në Sofje ishte një sfidë që ai nuk e kishte imagjinuar. Pasi gjeti një dhomë me qira, bashkëvendësi dhe kushëriri i gjeti punë në një punishte ku hapej një rrugë në mal. Josifi, si i ri dhe i fuqishëm, por edhe me mendimin për fitimin më të madh, nuk kundërshtonte asgjë për sa i përket punës. Prandaj tërë fuqinë e derdhte në punë, duke i habitur të gjithë. Ndërkohë një teknik rruge, i ardhur nga Rusia, e që vëzhgonte punën, kur e pa Josifin se çfarë pune bënte, ai e quajti bager, që ishte emri i një makinë që hapte kanale e shkulte male. Kjo nofkë së pari do të dëgjohej nga shokët e tij, ndërsa  më vonë i ngeli ashtu dhe të gjithë që e njihnin e thirrshin me nofkën “bager”. Ai u bë njohur më këtë mbiemër edhe kur vendosi të shkruajë poezi dhe t’i recitonte ato para kurbetçinjve, e sidomos kur filloi të publikojë shkrime politike në gazetat që vet i udhëhiqe ose kur shkruante në ndonjë gazetë tjetër dhe për siguri personale e përdorte mbiemrin Bageri.

Në të vërtetë, Josif Bageri është i vetmi rilindës që ka pasur shumë nofka. Aktiviteti i tij ishte i madh. Ai shpesh shkonte në Bali Efendi (Knjazhevo), ku shumica e punëtorëve ishin të përkatësisë fetare myslimane dhe propagandonte se feja është individuale, kurse kombi është ai që i bashkon dhe i bën një. Kështu, kur e shihnin Josifin në biseda e në shoqëri, sidomos me bashkëqytetarin e tij, hoxhë Said Najdenin e të tjerë, filluan ta quanin Josif Turku.

Më vonë ai hyri në organizatën e masonëve, një organizatë që bazohej në atë të gjithë njerëzit duhet të bashkohen në parimin e dashurisë njerëzore e vëllazërore, besnikërisë e të ndihmës reciproke… Ky aktivitet në këtë organizatë Josifit i shkaktoi efekt të kundërt, sepse ia dha edhe nofkën Josif Masoni.

Ndërkaq Josifi ndonjëherë kur shkruante ndonjë poezi dhe e lexonte, së pari para bashkëvendësve të vet, e gjejmë edhe si Josif Rekasi.

Bashkëqytetarët sllavë të Josifit, që atëherë, por edhe sot e kësaj dite, të gjithë shqiptarëve ortodoksë, që ishin të zonës së Rekës, i quanin “Shkreti” , andaj edhe Josifi nuk ishte imun ndaj kësaj nofke.

Megjithatë mbiemri i tij mbeti Bageri. Në të vërtetë, mbiemri “Bageri” është një patronim mbiemëror, që tregon zanatin e profesionin që kreu Josifi si krah pune, ndërsa më vonë atë e përdori edhe në shkrimet që botonte dhe për t’u fshehur para organeve shtetërore dhe, madje, ashtu u bë i njohur. Në fakt, këtë mbiemër e ka mbajtur vetëm ai, pra jo edhe vëllezërit e tij, të cilët e mbanin mbiemrin Jovani.

Mbiemrin “Bageri”, nga ato hulumtime që i bëmë ne, në asnjë fshat të Rekës së Epërme nuk e hasëm atë, madje asnjë nga informatorët nuk dinin se Josifi e ka marrë këtë mbiemër. Ata që kishin njohuri, e njihnin si Josif Jovani ose si Vëllai i Priftit. Kërkova shpjegim edhe në monografinë e Ruzhdi Matës kushtuar Josif Bagerit, por Mata nuk jep asnjë shpjegim, pos që thotë se këtë mbiemër mund ta gjeni edhe si “Bagjeri”.

Në këtë synim shfletova edhe disa shënime të shkencëtareve bullgarë, që japin disa të dhëna mbi shpërnguljen e popullsisë së Rekës. Sipas të dhënave bullgare, shpopullimi i Rekës është përforcuar në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Më parë banorët e krishterë të Rekës kanë shkuar në Tetovë dhe në Stamboll, ndërsa në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX shumë familje u shpërngulën në Bullgari, kryesisht në Samokov, pastaj në rajonin e Dupnicës (në Banjën e Dupnicës ka pasur më shumë se 30 shtëpi me shqiptarë ortodoksë nga Reka) dhe në rajonin e Qustendilit, por mbiemri Bager nuk haset askund.

Studiuesja Mirčevska, në punimin e saj “Etnički simboli vo Gorna Reka (2007. fq. 148-149), duke shfletuar defterët turq të shekullit XV në vendbanimet e fshatrave të Rekës së Epërme edhe në emrat personalë, si dhe llagapet, thotë se: “nuk e hasim askund”. Megjithatë, shumë llagape, edhe pse janë me prejardhje shqiptare, ajo mundohet t’i definojë me prejardhjen e tyre nga karakteri sllav dhe josllav, duke thënë se ato “mund të jenë të karakterit vllah ose ndonjë shqiptar”. Si p.sh Tanushi, Vlashi, Duka, Shalis etj., që i jep si vllahë.

Historiani bullgar Anton Pançev, i cili është njëri studiuesit që merret me studime historike dhe demografike, jep të dhëna për më shumë se 100 shtëpi ortodokse, ku edhe sot gjenden pasardhësit e tyre, që kryesisht janë nga Kiçenica, Senca, Krakornica, Vërbeni, ndërsa jetojnë në qytetin e Dupnicës, në qytetin e Sapareva Banjës dhe në fshatin e Kraincit. Por, edhe sipas tij, mbiemri “Bager” nuk haset askund.

Gjatë jetës së tij, Josif Bageri kishte ndërruar shumë punë, qoftë si punëtor krahu ose si  shegert. Kështu më vonë ai do të vendoset në një lagje periferike të Sofjes, të quajtur Banishora, në rrugën “Braqa Milladinov”, ku do të hapë edhe një dyqan për këpucë dhe ku puna e tij me përkushtim do ta marrë namin, ndërsa ky nam do t’ia siguronte Josifit jetesën, sepse porositë për këpucë do të vijnë edhe nga njerëz më në zë të kulturës. Nuk kishte javë ose muaj që nuk pyetnin për dyqanin e tij, se ku gjendej, dhe të gjithë e përmendin mbiemrin Bageri, sepse me këtë mbiemër ishte i njohur.

Marrë në përgjithësi, mund të konkludojmë se mbiemri “Bageri” është një nofkë që Josifi e mori në Bullgari, kjo në bazë të makinës “bager”, ndërsa më vonë ajo iu bë aq e afërt, saqë ai do ta pranojë si mbiemër dhe më këtë mbiemër do bëhet i njohur si një patriot dhe militant i Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Në të vërtetë, ai karakterizohej si një nga patriotët e flaktë, që merrej me ngritjen e vetëdijes politiko-kulturore të shqiptareve, ndërsa kjo e bënte që ai të udhëtonte cep më cep vendeve ku gjendeshin shqiptarët, si në: Stamboll, Bukuresht, Shkup, Dibër, Prishtinë, Durrës, Prizren, Vlorë, Manastir, Selanik e kudo… Ashtu do ta përshkruajë edhe poeti i madh, tashmë i ndjerë, Ali Podrimja, i cili thotë: “Bageri është njëri nga zërat e ndërgjegjësimit të lëvizjes sonë kombëtare. Rol të rëndësishëm luajti edhe në hapësirën bullgare, ku jetonin një numër shqiptarësh”.

Bageri nuk kursehej për të punuar për çështjen kombëtare. Ishte shumë i shkathët, bindës, i besës dhe punëtor i palodhur. Intelekti i tij i çuditshëm, si dhe karizma e tij, u hynte njerëzve në zemër. Josif Bageri, si militant i kauzës shqiptare, luftoi trimërisht në mënyrë të hapur për pavarësinë e Shqipërisë. Edhe pas Pavarësisë së Shqipërisë, kur asaj ia copëtuan gjymtyrët nga shtetet fqinje të Ballkanit, Bageri nuk reshti. Ai i bën një kritikë të fuqishme Esat Pashës, intrigave të tij, në një dorëshkrim mbi “Armiqtë e Shqipërisë dhe veprat e tradhtarëve shqiptarë”, që mbeti deri më sot ka mbetur i pabotuar. Ky dorëshkrim gjendet në AQSH, i evidentuar me nr. të fondit 65, dosja 40, dok. 1-22.

Në vitin 1915 Josif Bageri ndërmerr një udhëtim heroik, në kundërshtim me lutjet e familjes së tij, duke udhëtuar më këmbë deri në Prishtinë që të takohet me patriotët kosovarë. Meqenëse ai financiarisht ishte i dobët, me të arritur në Prishtinë u vendos në një bujtinë afër Pazarit të Prishtinës, i cili ishte vendi kryesor për takimet jo vetëm publike, por edhe të fshehta. Afërsia e dyqaneve i bënte njerëzit që të afroheshin me njëri-tjetrin. Pazari kishte edhe disa kafene të vogla që shërbenin kafe e çaj dhe, herë pas here, edhe raki, ndërsa aty ishte edhe disa kuzhina popullore. Afër pazarit ishte edhe kisha dhe spitali. Josifi, meqenëse nuk kishte mjete financiare, ushqehej në kuzhinat e lira ose rrinte pa bukë.

Ndjekja e Josif Bagerit kishte filluar shumë herët, që kur në Mitropolinë e Dibrës kishte ardhur për mitropolit famëkeqi Varnava, i cili kishte vrare tre priftërinjtë nga Reka, sepse gjoja ata i kishin shërbyer Ekzarhisë Bullgare dhe se në meshë e kanë përdor edhe gjuhën “arnaute”, madje ua kishte hedhur kokat në lumin e Radikës. Por, Josifi ndiqej edhe më herët nga agjentët serbë. Këtë e shohim në gazetën “Politika” të 13 korrikut 1909, ku në artikullin me titull “Albanska pismo” do shkruhej me sa vijon: “Një i përdalë nga Nistrova e Rekës së Epërme (vëllai i priftit Todor) i ka mbushur trastat me abetare shqipe të botuar në Sofje dhe dëshiron të hap shkollë në gjuhën (aranaute) shqipe në vendlindjen e tij në Nistrovë”

Kur Serbia e forcoi pushtetin në të ashtuquajturën “Maqedonia e Vardarit”, ku bënte pjesë edhe Reka e Epërme, ajo filloi që nga njerëz të ndryshëm të marrë të dhëna se kush mund të jenë njerëzit e rrezikshëm për Serbinë. Mësuesi i ardhur serb të parët që i denoncoi si të rrezikshëm ishte familja e Josif Bagerit, sidomos Josifin, dhe vëllain e tij, që ishte prift. Pushteti i atëhershëm, për t’i likuiduar patriotët shqiptarë nëpërmjet policisë sekrete, e përdorte “metodën e helmit”. Kështu agjentët serbë së pari këtë metodë e përdorën për ta helmuar Ibrahim Temon, duke i futur helm në çorbë. Mirëpo Ibrahim Temo ishte mjek dhe e dalloi, kështu që i shpëtoj rrezikut. Të njëjtën metodë e përdorën edhe për Josif Bagerin, i cili gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë, ku banonte në një han, ndonjëherë porosiste ndonjë gjellë. Nëpërmjet të një të paguari ia hodhën helmin në gjellë dhe, pas disa orëve, në gjendje të alivanosjes ai dërgohet në spitalin që ishte afër pazarit. Megjithatë pas disa orëve ai vdes. Meqenëse Josif Bageri nuk posedonte dokumente dhe kurrkush nuk u interesua për të, spitali vet e dërgon në Kishën Ortodokse, ku edhe e varrosin. Për vdekjen e Josifit do të merret vesh nga një patriot, i cili e njohu atë dhe në një zarf do ta lë këtë shënim: “Letrat e Josif Bagerit prej katundit Nistrovë – Reka e Dibrës së Madhe – ka dek në Prishtinë, Kosovë. Ish një patriot i flaktë e ka dekë në mizërie, t’ue lanë grue e tre fëmijë”. Kjo zarfe është gjetur më 1916, në prill, kurse Josif Bageri ka ndërruar jetë më 1915 dhe kjo është data e vërtetë e vdekjes.

Interesimi jonë është që ta gjejmë varrin e tij. Për këtë arsye vendosëm kontakte nga më të ndryshmet me kishtarët serbë, por sipas një prifti (J.P.) njerëzit që nuk posedojnë dokumente, varrosen në varre kolektive të familjeve që nuk interesohen për të vdekurit e tyre. Në shënimet e tyre, në bazë të mbiemrit Jovani(-viq) është një mbiemër shumë i përhapur, por fletoret e vjetra kisha nuk i posedon, sepse shumica e fletoreve gjenden në Arkivin Shtetëror Serb. Protogjeri na tha se kurrë nuk ka hasur dikë me mbiemër “Bageri”. Ky ishte fundi i bisedës. Pas insistimit tonë, kërkova që t’i vizitojmë varrezat në oborrin e kishës. Në disa varre rreth murit janë disa varre pa emër. Ndoshta ndonjëri varr aty mund të jetë i Josifi Bagerit, por gjithsesi duhet punë që kjo të vërtetohet.

Filed Under: Histori Tagged With: Avzi Mustafa, Josif Bageri, Kujtese

ARIF NEZIR ALIAS HIQMETI – ARMIK I PËRBETUAR NDAJ SHKRONJAVE SHQIPE DHE SHQIPTARËVE

November 23, 2017 by dgreca

avzimustafa-300x238

NGA AVZI MUSTAFA/

Siç dihet, Perandoria Osmane zhvillonte një politikë asimiluese e shkombëtarizuese, sidomos ndaj popullit shqiptar, duke mbrojtur parimin fetar mbi atë kombëtar, kështu që kombin shqiptar nuk e njihte. Prandaj, kur ishin në pyetje kultura dhe arsimi i këtij populli, ajo aspak nuk brengosej që populli ishte katandisur në injorancën më të madhe arsimore e kulturore, por edhe në gjendjen më të mjeruar ekonomiko-sociale.

Prandaj iluministët shqiptarë jashtë atdheut kishin marrë mbi supet veta të themelojnë, klube e shoqëri dhe gazeta e revista me synime të qarta politike për të drejtuar popullin shqiptar nga vetvetja. Në këtë kohë paraqiteshin statute, thirrje, procesverbale, artikuj shtypi e relacione të ndryshme dërguar konsujve, që kundërshtonin planet ekspansioniste të shteteve fqinje, duke dëshmuar se shqiptarët janë një popull i veçantë dhe nuk kanë të bëjnë as me osmanët, e as me grekët, e as me sllavët. Për zgjimin kombëtar dhe ngritjen e ndërgjegjes te shqiptarët s’ kishte rrugë tjetër, përveç arsimit dhe edukimit kombëtar. “Me anë të arsimit të popullit në gjuhën shqipe në frymë patriotike, Rilindësit synonin ta përshpejtonin zgjimin kombëtar, ngritjen e ndërgjegjes politike, ndjenjën etnike dhe aftësimin e tij në jetën shtetërore të pavarur” (IPS: Historia e arsimit shqiptar,f. 60).

Dhjetë vjet më vonë pas botimit të  “Abetares”  së Sami Frashërit, shtypi i kohës do të shkruajë: “kleri është një armik po aq i madh se qeveria osmane, se fetë janë bërë mollë sherri dhe gjakësore, se besimet e ndryshme, hoxhallarët çallmëdhenj, priftërinjtë mjekërgjatë dhe pashallarët e fëlliqur janë ata që na pengojnë, se nga fanatizmi e priftëria e hoxhallarëve jemi përndarë e copëtuar” (Shqipëria nr. 8, qershor, 1897).

Një prej tyre, më i zëshmi e më aktivi, i cili me tërë qenien fizike e intelektuale u angazhua që Shqiptarët të mos shkëputen nga Perandoria Osmane ishte edhe Arif Hiqmeti nga fshati Llojan i Kumanovës.

Perandoria Osmane kishte rekrutuar njerëz nga të gjitha shtresat, e sidomos njerëz të administratës, hoxhallarë, oficerë si dhe studentë nga trungu shqiptar për të bërë propagandë që të angazhoheshin  në mënyrat më të ndryshme që shqiptarët të mbeteshin nën sundimin e Perandorisë.

Arif  Hiqmeti lindi diku rreth viteve ’70 të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Mësimet e para i mori te hoxha i fshatit dhe ne medresenë e Kumanovës. Familja e tij merrej me tregti. I ati Arifin e dërgoi për shkollim në Stamboll. Qysh i ri ky ishte i zgjuar dhe shumë komunikativ. Familja e tij kishte plot miq turq me pozita të larta shtetërore, të cilët Arifit ia mundësuan që ai në Stamboll të regjistrohet në një shkollë shtetërore-administrative ku mësonin fëmijët e njerëzve të pasur. Kjo shkollë mbahet mend për zbatimin e metodës së “Lehanesë”, metodë e spiunimit për ata që nuk e flasin gjuhën e dovletit, ku Arifi ishte i angazhuar që të ndjek nxënësit e viseve tona e sidomos shqiptarët. Pas mbarimit të kësaj shkolle ai regjistrohet në Fakultetin e Mylekijes (Shtetëror) në degën Juridike në drejtimin e të Drejtës Pronësore, që kurrë nuk e ushtroi profesionin, sepse ai merrte rrogë nga Stambolli si agjent turk kundër shqiptarëve.

Shumë shpejt ai do të punojë si agjent personal i Ministrit të Punëve të Brendshme  të Perandorisë Osmane,  Hilmi Pasha. Nga një dokument i Vjenës me nr. VJ. 13-8-809 me nr. 156. Fk. 411-412 gjatë një operacioni  sekret thuhet se “… erdhi një i ri prej Kumanove i quajtur Arif  Neziri, student me studime të kryera në Stamboll; ai flet disa gjuhë, njeh të gjitha personalitet e shquara të qeverisë turke në Stamboll”.

Arifi një kohë e mbante mbiemrin Neziri, por ai kur hyri në shërbimet sekrete te Perandorisë do ta ndërrojë mbiemrin nga Neziri në Hiqmeti, që do të thotë se ai tani është njeri i hyqymetit Osmano-turk dhe me këtë mbiemër do të veprojë gjatë gjithë jetës si faqezi, renegat, i poshtër, i pamoralshëm, intrigant, i pashpirt, organizator mitingjesh kundër shqiptarëve, provokues i ngjarjeve dhe i njerëzve të ndryshëm, bashkëpunues i qeverive të ndryshme, si Serbe, Bullgare, Ruse.

Arif Hiqmeti skajshmërisht mbronte përkatësinë fetare e mohonte përkatësinë kombëtare, aq sa nuk njihte kombin shqiptar. Kur bëhet fjalë për kulturën dhe arsimin e këtij populli, ai aspak nuk brengosej që populli ishte katandisur me shekuj në injorancën më të madhe arsimore e kulturore.

Arih Hiqmeti me mish e me shpirt përkrahte e bënte projekte antishqiptare dhe e  bënin nevrik patriotët shqiptarë jashtë atdheut, që kishin themeluar klube e shoqëri, gazeta e revista me synime të qarta politike për të drejtuar popullin shqiptar nga vetvetja. Në këtë kohë botoheshin statute, thirrje, procesverbale, artikuj shtypi, relacione të ndryshme, që ishin në kundërshtim me planet ekspansioniste të shteteve fqinje dhe shumë sosh u dërgoheshin konsujve, për t’i njoftuar se  shqiptarët janë popull autokton dhe i veçantë, se nuk kanë asgjë të përbashkët as me osmanët, e as me grekët, e as me sllavët.

Për zgjimin kombëtar dhe ngritjen e vetëdijes te shqiptarët s’kishte rrugë tjetër, përveç arsimit dhe edukimit kombëtar. “Me anë të arsimit të popullit në gjuhën shqipe në frymë patriotike, Rilindësit synonin ta shpejtonin zgjimin kombëtar, ngritjen e ndërgjegjes politike, ndenjën etnike dhe aftësimin e tij në jetën shtetërore të pavarur” (IPS: Historia e arsimit shqiptar, f. 60).

Ashtu siç deklaroheshin xhonturqit se janë për “demokraci, liri dhe përparim”, Arif Hiqmeti bashkë me ta në thelb ishin armiqtë më të egër, nacionalistë e shovinistë të përbetuar që me veprimet e tyre kërkonin dhe punonin në çdo mënyrë ta ruanin tërësinë e Perandorisë Osmane, tani më që ishte kalbur në palcë.

Arif Hiqmetin, meqë kishte miqësi me Ministrin e Punëve të Brendshme të Perandorisë Osmane dhe si njohës i gjuhës shqipe e dërgojnë në Vilajetin e Kosovës pas Kryengritjes së shqiptarëve në Malësinë e Gjakovës. Arifi si njeri i besueshëm, kishte për detyrë të sjellë dekrete për disa kryengritës që të kthehen kah Perandoria, duke u ofruar edhe poste qeveritare. Nga një dokument i Vjenës  që mban datën e 17 majit 1904, nr. i protokollit 86. FK. 210-213 do të mësojmë se nga valiu i Kosovës, Shaqir Pasha në Shkup janë ftuar Sulejman agë Batusha, i shoqëruar nga kajmekami i Gjakovës, Mustafë agë Mitrovica me dy djemtë e tij si dhe Selim agë Curri.

Pastaj, Shaqir Pasha do të bëhet bashkë me Arifin dhe do bëjnë disa vizita në Tetovë, Gostivar, në Restelicë,  25 kilometra larg Prizrenit dhe pastaj depërtuan shumë thellë deri te Sanxhaku i Dibrës , gjegjësisht në rajonin e Lumës për të parë e dëgjuar më shumë për Ramadan Zaskokun (dok. Vj. 13-8-807).

Në bazë dokumentacionit, pas një kohe relativisht të shkurtër, gjendja përsëri përkeqësohet, ku thuhej se “tani lëvizja është shtrirë deri në Kiljeshe (Kalis), ku Ramadan Zaskoku me 500 vetë të armatosur po bisedojnë me Dibrën kufitare” (dok. nr. 46. Fk.151-158).  Atëherë Arif Hiqmeti vjen në skenë me mbështetjen e  Shaqir Pashës dhe komandantit Ahmet Pasha. Arif Hiqmeti si agjitator hyn në revoltën e Pejës, ku siç thuhej në dokument “ krekoset se për të nuk ekziston asnjë burg dhe në të vërtetë kur e arrestuan këtu përpara nja katërmbëdhjetë ditëve, u lirua menjëherë prej mytesarifit, duke vajtur mandej në Lumë” (dok. Vj.13-8-899 nr. 156.F.k. 411-412 vti 1904).

Arif Hiqmeti sillej vërdallë në të gjitha vendbanimet ku shihej se ka revoltë të madhe ndaj politikës Osmane, por atë e gjejmë edhe në Stamboll për të marrë direktiva të ndryshme. Kjo shihet shumë qartë veçmas atëherë kur mori hov që shqiptarët të përdornin germat e bazës latine, sepse kjo sipas atyre është e vetmja armë përçarëse e shqiptarëve. Xhonturqit  ndërruan taktikën, duke luajtur në kartën e alfabetit turko-arab, duke u arsyetuar se ky alfabet është i Kuranit e i fesë islame e çdo tjetër alfabet është kundër fesë e Kuranit.

Në Stamboll vepronte një klub me emrin “Mahfel”, por kur çështja e alfabeti shqip po merrte rrugën e zgjedhjes së drejtë, tani këtë klub e vërshuan agjentët e xhonturqve, sidomos të rekrutuarit nga viset e Rumelisë. Më i zëshmi ndër ta ishte pikërisht Arif  Hiqmeti, i cili me ndihën e bashkëpunëtorëve arriti që të behej edhe kryetar i klubit. Këta agjentë të përbetuar e reaksionarë përdorën të gjitha armët më të forta reaksionare për të penguar gjuhën e shkollën shqipe.

Arif  Hiqmeti përveç propagandës publike me gojë e me shkrim, ai herë pas here vepronte drejtpërsëdrejti, duke hyrë shtëpi më shtëpi e në shumë xhami e teqe, duke propaganduar idenë se Perandoria duhet të jetë e plotë, të mbisundojë edhe më tej, se ajo do të mundësojë që secilit që pranon “Baba Dovletin” do të shpërblehet. Ai premtonte në çdo vend se do të hap xhamia, imarete, bujtina e internate për fëmijët që do të mësojnë gjuhën turke e më pastaj do të dërgohen në Stamboll për studime e punësime në administratë. Arif  Hiqmeti në arat e llojanasve deshi të hapte një jetimore-shkollë pa pagesë për fëmijët që do të mësojnë turqishten e alfabetin arabo-turk, që më vonë t’i rekrutojë për nevojat e Perandorisë. Sipas mbamendjes që është përcjellë brez pas brezi thuhet se Arifi “qytykët” ( vulat)’ i ka mbajtur në qafë, që të binden njerëzit se bën punë për ta.

Siç dihet, Kongresi i Alfabetit la në përdorim dy alfabete me bazë latine. Lënia e mundësisë së përdorimit të dy alfabeteve për shkrimin e shqipes nga Kongresi i Manastirit ishte vendim i matur e largpamës, sepse mbylli shtegun e përçarjeve brendashqiptare. Por, për një kohe të shkurtër, alfabeti që e kemi sot u përhap në të gjitha letrat shqipe, si alfabet i njësuar gjithëshqiptar. Nga ana tjetër, me zgjedhjen e variantit latin të shkrimit të shqipes iu dha një grusht i fortë përpjekjeve të disa qarqeve të huaja për ndikim kulturor, e më pas për nënshtrimin dhe shkombëtarizimin e shqiptarëve. Këtë vendim që alfabeti “të lihej në pëlqimin e vetë popullsisë të çdo krahine” nga qarqet antishqiptare, përfshirë edhe Hiqmetin, u interpretua gabimisht e me prapavijë se mund të përdorej edhe alfabeti arabo-turk.

Arif  Hiqmeti turr e vrap vjen deri te myftiu i Manastirit, që atë kohë këtë detyrë e ushtronte Rexhep Voka, dhe se ky ka aftësi të veçanta për të shpikur një abetare me shkronja arabo-turke. Por kjo edhe iu realizua. Abetarja u shtyp dhe filloi të shpërndahet tek popullata, por më kot, sepse kjo abetare nuk u përfill nga shqiptarët.

Në gazetën “Dielli”, nr. 46, dt. 11.2.1910 është botuar një shkrim ku i bëhet një lutje Arif Hiqmetit dhe Rexhep Vokës, “të na shkruaj fjalët “mot” dhe “bukë” me shkronjat turqishte dhe le t’i mbajë për vetën e tyre”.

Hiqmeti kontaktoi edhe me Abdylaqim Doganin, i cili përgatit një abetare me  shkronja arabo-turke që nuk arriti të dal në dritë në kohën kur xhonturqit donin ta përhapnin.

Pasi dështoi përhapja e alfabetit arabo-turk ndër shqiptarët, Arif  Hiqmeti vjen në Shkup që të organizojë një miting.  Ai dhe bashkëmendimtarët e tij shfrytëzonin vetëm atë pjesë të vendimeve të Kongresit të Manastirit që u pëlqenin dhe ishte në interesin e tyre, përkatësisht lidhur me alfabetin e shkrimit të shqipes “që ky të lihej në pëlqimin e vetë popullsisë së çdo krahine”.

Në muajin shkurt, gjegjësisht me 6 shkurt të vitit 1910, agjenti i xhonturqve dhe  më vonë edhe i serbëve, Arif Hiqmeti (nga Llojani i Kumanovës), me ndihmën e Valiut të Kosovës dhe të klerit musliman, para xhamisë së Sulltan Muratit pas faljes se namazit, organizoi dhe mbajti në Shkup një miting kundër alfabetit të Manastirit.

Mllefi i akumuluar i merimangave turke në Shkup, nëpërmjet të një shoqërie që mbante emrin “Shoqata për të shkruar gjuhën shqipe me germa osmane”, organizuan një mbledhje, të cilën e quajtën “Kongres” e për të cilin dihet shumë  pak dihet, për arsye se nuk bëri jehonë në masat e gjëra, sepse ky ishte vetëm një mendim ose kërkesë e një deputeti nga Shkupi Seid Efendisë, duke trumbetuar se myslimanëve me Kur’an u është ndaluar të shkruajnë nga e majta në të djathtë. (shih: Avzi Mustafa.,Studime dhe artikuj,2012 f. 28

Shqiptarët e Shkupit, pasi i dëgjuan këto marifetllëqe, u prononcuan me një artikull “Nga një zemër shqiptare”. Në të thuhej: “Dje u mbajt këtu një kongres prej ca nga të parët e vendit, të cilët vendosën ta përdorin alfabetin me shkronja arapçe për shkollat e Shqipërisë… Atë alfabet që vendosën të përdorin këta zotrërinj, le ta mbajnë për vetën e tyre, asnjeri s’e njeh, as do ta njohë, s’e di, as do ta dijë. Shqipërija e tërë ngrihet në këmbë për me thanë: Turp i math për këta njerëz! ( Po themi njerëz për mos me thënë ndryshe!)”.(Po aty.f.12

Manovrat e xhonturqve nuk kishin të ndalur për përçarjen e shqiptarëve. Ata dërguan emisarin Arif Hiqmetin për të nxitur klerikët fanatikë, hoxhallarë e myftinj, agjentë të veshur si dervishë, administrator, por edhe priftërinj ortodoksë, për mallkim e gjuhës e të shkronjave shqipe, që kështu shqiptarët të heqin dorë. Megjithatë emisarët nuk gjetën përkrahje nga shqiptarët. Në një dokument që gjendet në Arkivin e Maqedonisë (dokumenti mban nr. 74 të 17 frorit (shkurtit) 1910) kuptojmë se “Turqit e rinj janë angazhuar që të organizojnë një protestë kundër shkronjave latine të arnautve. Nga shumë qytete kjo protestë nuk ishte mirëpritur, kurse sukses ka pasur vetëm në Ohër, atje janë mbledhur 3000 frymë”. (Arkivi i Maqedonisë, dokum. I.19.173/207-208).(A.M)

Meqenëse çështja e alfabeti u zgjidh një herë e përgjithmonë dhe se ai vuri edhe murin ndarës ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, Arifi nuk u ndal, por ndërroi flamurin dhe hyri në agjenturën serbe. Në një artikulli të gazetës “Populli”  të  datës 2 maj 1914, të titulluar: “Arif  Hiqmetoviç” shkruan se: “Çanaklëpirësi ynë s’lodhet duke u endur dhe vetë sa nga Matja, sa nga Golloborda. Ka gjetur disa interesxhinj dhe ka ngreh nja dy a tri krahina, bie fjala, si në Gjoricë e gjetkë, ku xhandarëve iu jep (i paguan) nga 4 lira rrogë. Çudi pra, ku i gjen këto të holla?” Paratë sigurisht ishin vënë në dispozicion nga fondi i fshehtë i Prefekturës së Ohrit.

Më 29 maj 1914, Kryeministri Pashiç e kishte urdhëruar Prefektin e Ohrit, Çirkoviç ta porosiste Arif Hiqmetin që të hynte në lidhje me krerët e rebelëve të Shqipërisë së Mesme në rrethin e Durrësit dhe të kërkonte prej tyre që të mos përziheshin në Mat dhe Malësi të Dibrës; pasi, sipas tij, ata kishin njëfarë “autonomie”.

Më 23 qershor të vitit 1914 në rrugën Gostivar-Mavrovë, pranë fshatit Zhirovnicë, një plumb i patriotëve dibranë e goditi në kokë, duke e rrëzuar nga kali me tru të dalë jashtë kafkës. Organet e fshehta serbe për vdekjen e këtij armiku të përbetuar ndaj shqiptarëve lajmëruan pas tri ditësh. Kryeministri serb Pashiç e komunikoi vdekjen e bashkëpunëtorit të përbetuar të tij, Arif  Hiqmetit, si aksident, për shkak të rënies nga kali. Më 8 korrik 1914, gazeta “Populli” e Vlorës shkroi: “Prej një lajmi të sigurt nga Shkupi marrim vesh se Arif  Hiqmeti është rrëzuar nga kali, vendosur në spital të Shkupit, ku mjekët i bënë një operacion dhe pas dy ditëve vdiq. Tradhtarit iu gjetën 29.000 franga në xhep.”

Arif  Hiqmeti ishte njëri ndër më të besueshmit e Perandorisë Osmane e pastaj të Mbretërisë Serbe, i cili e helmonte popullin duke e shtyrë drejt fanatizmit fetar e antikombëtar si dhe me moral të dobët, duke u vënë në shërbim të të huajve dhe  nxitës i gjakderdhjes dhe luftës vëllavrasëse.

Këtë artikull do ta përfundoj me fjalët e Át Gjergj Fishtës –shkruar te  “Gomari i Babatasit” që  këtë tradhtar të kombit e konsideron si njërin ndër tradhtarët më të mëdhenj të kombit.

“E po ‘imênd – t’ngjatët Zoti jetën! –

Esad Pasha a thue ndër Fretën

ka xânë shkollë?… Arif  Hiqmeti

a ndër Fretën apo n’jeti

ai kjé rritë?… Haxhi Qamilinë prapaskenë nga Esat pashë Toptani e shumë të tjerë.”

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Arif Alias Hiqmeti, armik i Perbetuar, Avzi Mustafa, shkronajve shqipe

MËSIMBESIMI NË SISTEMIN ARSIMOR KOMBËTAR SHQIPTAR 1941-1944

December 6, 2016 by dgreca

Me rastin e 75-vjetorin e hapjeve  të  shkollave shqipe në Tokat e Liruara/

avzimustafa-300x238Nga Avzi MUSTAFA/Rilindja kombëtare shqiptare të gjitha forcat e veta i orientoi në ngritjen e vetëdijes kombëtare dhe me moton: “se pa emancipim kulturor nuk ka as emancipim politik”. Prandaj shqiptarëve nuk u mbetej asgjë tjetër, përveç që nëpërmjet të shkollës në gjuhën amtare të mund të ngritnin vetëdijen kombëtare shqiptare pa dallim feje e krahine.

Ata së pari kërkonin bashkimin e të gjithë kombit dhe nën flamurin kuq e zi të luftonin krahas pushkës edhe me pendë për shpëtimin e Atdheut. Rilindja kombëtare, e sidomos Lidhja Shqiptare e Prizrenit, shqiptarët i nxori në arenën botërore si popull i veçantë, që nuk kishte lidhje as me turqit e as me të tjerët. Dhe me tërbim pyetnim Fuqitë e Mëdha kush janë këta, çka kërkojmë dhe sa janë? Edhe pse romantiku shqiptar Jeronim De Rada disa herë qe drejtuar Evropës se e ka borxh ta ruajë këtë popullsi, dhe se të vetmit shqiptarët u bënë ballë të gjitha stuhive e rrebesheve okupuese gjatë shekujve, por ata nuk i zhdukën nga faqja e dheut, prapëseprapë ajo (Evropa) mbeti e shurdhët.(1).

Lidhja Shqiptare e Prizrenit i bëri realitet qëllimet shqiptare para botës si komb i veçantë dhe kërkonte bashkimin e të gjitha tokave shqiptare. Por edhe për kundër kryengritjeve të përgjakura, Fuqitë e mëdha si dhe shtetet sllave të Ballkanit e copëtuan Shqipërinë që sa më lehtë t’i realizojnë aspiratat e tyre. Një mospërfillje të këtillë ndaj shqiptarëve u shfaq jo vetëm me vendimet grabitqare të Kongresit të Berlinit, por edhe më 1913. Dhe kështu mbi trojet shqiptare u vërsulën një lukuni ujqish me qëllim secili për hesap të vet të gllabërojnë copa sa më të mëdha nga trungu shqiptar. Populli shqiptar u copëtua në banovina e krahina sllave e greke. Erdhi viti 1939, gjegjësisht 1941 kur në këto troje erdhi një pushtues i ri, ai Italian.

Lufta e Dytë Botërore solli edhe disa pamje të reja për shumicën e shqiptarëve të Maqedonisë Perëndimore, Kosovës dhe Malit të Zi. Kjo ndodhi 17 ditë pas kapitullimit të Mbretërisë Jugosllave. Shqiptarët të bashkuar, por pa kushte për ndonjë konsolidim, ishin të detyruar që të kërkojnë ndihmë nga shtetet fqinje dhe të huaja. Duke u mbështetur në ndihmën e të huajve, vendet shqiptare, që kishin qenë nën okupim të Mbretërisë Jugosllave, u ndanë në zona. Zona më e madhe që përfshinte shqiptarët de fakto i takonte Italisë, ndërsa tjetra i takonte Gjermanisë dhe Bullgarisë. Zona që i takonte Italisë de jure ishte zona ku qeverisin shqiptarët dhe quhej Mbretëria Shqiptare. Shqiptarët, të përkrahur nga pushteti italian, për një kohë shumë të shkurtër ngritën administratën e pushtetit të tyre. Për të pasur sa më shumë sukses, ata i përdorën të gjitha mjetet materiale dhe shpirtërore që sa më tepër të ngjallin admirim ndaj tyre, duke dhënë të drejta që shqiptarët e këtyre viseve kurrë nuk i kishin gëzuar. Si detyrë parësore ishte sa më shpejt të ngrihet arsimi. Ata menjëherë i hapën shkollat laike dhe sollën mësuesit më të ditur dhe më të ngritur, si në aspektin didaktik, ashtu edhe në aspektin moral dhe profesional. Ata zhvilluan një rrjet shumë të gjerë shkollash dhe arritën që të grumbullojnë një numër të madh nxënësish shqiptarë në këto shkolla.

Shqiptarët e Maqedonisë e të Kosovës jo pa arsye e quajtën çlirim se për herë të parë e bashkuan pjesën më të madhe të  trojeve shqiptare me shtetin amë. Ky bashkim u solli shqiptarëve  për herë të parë të dëgjohet e të shkruhet edhe fjala shqipe që aq fort e deshën rilindësit tonë, si dhe u hapën shkolla me mësues e administratë shqipe.

Me rastin e fillimit të vitit shkollor, Ministri i Arsimit të Mbretërisë Shqiptare, Ernest Koliqi lëshon një qarkore me 25. 10. 1941, në të cilën thuhet: “Për herë të parë themelohet shkolla jashtë kufijve të vjetër shtetëror, të cilat në kuptimin e plotë janë me vlerë historike, të cilat premtojnë se do ta çrrënjosin prapambeturinë dhe do t’i shërojë plagët e robërimit dhe se shkolla shqipe do të jetë në shërbim të popullit”.(2).

Edhe pse gjendja e shqiptarëve kudo e sidomos në këto treva ishte tepër e mjeruar në çdo fushë, nuk u kursyen as mjetet e as vullneti që shqiptarët e këtyre anëve të arsimohen në gjuhën amtare. Një angazhim të tillë e të pamohueshëm e dha Mbretëria Shqiptare me në krye Ministrin e Arsimit, zotin Koliqin. E këtë angazhim në mënyrë ilustrative na përshkruan shkrimtari i njohur Martin Camaj kur flet për meritat e Ernest Koliqit në parathënien e librit të novelave të tij ku shkruan: “Në kohë të vështira si ishte Lufta e Dytë Botërore, la gjurmë të pashlyeshme në arsimin kombëtar, në organizimin e shkollave dhe në pajisjen e tyre me tekste, për të parën herë trajtuar me kritere moderne, ndërsa qysh tash historia ia njeh se Koliqi mori guximin me përgjegjësi personale të themelojë shkollat shqipe në Kosovë (këtu hynë edhe trevat ku janë të banuara me shqiptarë etnik nga pjesët e Maqedonisë – A. M.); si Ministër i Arsimit më 1941-1942 dërgoi në Kosovë nga Shqipëria mbi 200 mësues shqiptarë, të cilët pas mbarimit të luftës i vunë themelet e forta të arsimit në gjuhën shqipe”.(3).

Ishte tepër vështirë të organizosh një sistem edukativo-arsimor në trevat ku pushtuesi kishte punuar natë e ditë që të ndryshojë realitetin historik me dhunë dhe me propagandë për të harruar identitetin e vet. Objektivat kryesore të pushtuesve ishin pasoja të drejtpërdrejta të gjenocidit të ushtruar mbi to, që të bëhej shpërngulja e shqiptarëve nga vatrat stërgjyshore.

Shqiptarët kurrë nuk e përfillën fashizmin si ideologji, por vetëm si simbol bashkimi, sepse periudhat e vuajtjeve të shqiptarëve në të kaluarën kishin lënë gjurma të pashlyeshme në vetëdije. Në një dokument të asaj kohe thuhet: “le të vijë edhe dreqi i mallkuar, vetëm serbi e të na hiqet qafe”.(4).

Kjo ishte një periudhë shumë e rëndësishme, sepse për herë të parë u vunë themelet e arsimit në gjuhën shqipe. Dhe tani punohej në shumë fronte, jo vetëm me nxënës të rregullt, por edhe me kursistë, seminaristë dhe me tjerë që dëshironin të arsimoheshin në gjuhën amtare, duke përfshirë edhe ata që kishin mbarur shkolla të ndryshme serbe apo fetare. Një pjesë e tyre dërgoheshin në kurse kualifikuese në Shkollën Normale “Sami Frashëri”, në Prishtinë, e një pjesë dërgoheshin në kurset verore në Shqipëri dhe kështu kualifikoheshin edhe mësues nga këto treva.(5).

Problem më të madh paraqiste pajisja e nxënësve me mjete shkollore, gjegjësisht me tekste shkollore. Edhe pse kuadri i caktuar që vinte në këto treva kishte traste plotë me libra, kjo përsëri nuk mjaftonte, kështu që ndodhte që në ndonjë shkollë të punohej vetëm me një abetare. Përveç abetareve në këtë periudhë u përdorën edhe libra leximi për klasë të ndryshme.

Mbretëria Shqiptare si dhe pishtarët që merreshin me organizimin e hapjeve të shkollave në këto treva ishin shumë të vetëdijshëm se ndjenjat fetare në Viset e Liruara që përfshinte Kosovën, Tetovën, Strugën dhe Dibrën ishin një faktor vendimtar në përfshirjen e nxënësve dhe hapjen e shkollave. Në baze të Qarkores së Ministrisë së Arsimit në Tiranë dërguar Inspektorisë së Arsimit në Kosovë e Dibër lëshohet udhëzimi mbi zhvillimin e lëndëve mësimore dhe bashkangjitur me te edhe Plani dhe programi i shkollës fillore pesëklasëshe, ku mësimbesimi parashihej si lëndë fakultative dhe ajo të zhvillohej në mejtepet që funksiononin edhe gjatë okupimit serb në këto troje.(6). Kjo ndodhi kështu sepse shkolla kombëtare ishte laike dhe se në planet dhe programet mësimbesimi nuk ekzistonte si lëndë.

Mirëpo, Komiteti Mysliman Shqiptar me shkresën dërguar më 29 shator 1941 i drejtohet  kabinetit të Kryeministrisë midis atij edhe Komitetit të Ministrisë së Arsimit që kërkohej që mësimbesimi të figurojë si lëndë mësimore dhe të vlerësohej me notë. Por, në bazë të shkresës me nr. 436/125 të datës 04. 01. 1941-XIX dhe të shkresës nga ana e Ministrisë së Arsimit me nr. 198 të datës 04. 01.1941-XIX ku e njoftojnë Komitetin Mysliman se së shpejti pritet të sillet ligji i ri e deri sa nuk sillet ky ligj, aplikimi i notave nuk mund vihet në veprim.(7).

Shkolla shqipe në shumë fshatra nuk vijohej me rregullsi e sidomos problem ishte me gjininë femërore, sidomos nëpër fshatra, meqë ato nuk vijonin shkollimin, edhe pse në listat zyrtare ishin te evidentuara. Një problem tjetër ishte se nxënësit shqiptarë së pari ndiqnin kurset fetare e pastaj shkollën e rregullt. Ky mësim  thuhej se i lodhte shumë dhe se vëmendja në procesin mësimor ishte i dekoncentruar, prandaj u pa e nevojshme që sa më parë të sillet Ligji dhe të zgjidhet kuadri për mësimbesimin , koha e ndjekjes së kësaj lëndeje si dhe numri i orëve.

Që nga shkurt-marsi i vitit 1942, Ministria e Arsimit  njofton Prefekturat dhe Nënprefekturat për dhënien e  lejes që edhe mësimbesimi të jetë pjesë përbërëse e plan-programeve mësimore në shkollat kombëtare shqipe me nga dy orë në javë dhe me pagesë. Në vitin shkollor 1942/43, mësimbesimi hyri në plan-programet mësimore, por si mësim moral e qytetar.(8).

Komiteti Islam në Tiranë, në krye me Kryetarin Behxhet Shapati dhe me Kryetarin e Ylemave, Sherif Langun, u ngarkuan që sa më parë të përgatisin elaboratin mbi futjen e mësimbesimit në shkollat shtetërore. Në bazë të një qarkoreje, që mban nr. 447, Kryesia e Këshillit t’Ylemave të Komitetit Mysliman njofton Kryemyftinjtë, Myftinjtë e Nënmyftinjtë, Kryesinë e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare në Shqipëri që me dekret të posaçëm të ngarkojë Kryetarin dhe Këshillit e Ylemave të Komitetit Mysliman në gjithë Shqipërinë për projektimin e një Statuti të ri për Komitetin e gjithë Myslimanëve”. Në Statutin e ri një prej detyrave ishte edhe futja me dekret e mësimit fetar për të gjitha shkollat shtetërore. Njerëzit që do të angazhoheshin për mësim feje duhet të ishin së pari shqiptar dhe të kishin kryer ndonjë shkollë fetare, ndërsa si detyrë parësore parashihej që të gjitha ata që do të angazhoheshin, të kenë për qëllim “rrënjosjen e ndjenjave fetare, bashkimit e dashtunimit vllaznuer fetarë e kombëtarë shqiptar”.(9).

Të interesuarit së pari duhej të drejtoheshin me lutje Kryesive, sipas konfesioneve të tyre, e këto pastaj i drejtojnë në Ministrinë e Drejtësisë dhe pas marrjes së lejes dërgoheshin në Ministrinë e Arsimit, e cila i njoftonte Inspektoratet pranë Prefekturave dhe nënprefekturave në Tokat e Liruara.  

Pas aprovimit të Statutit të ri dhe marrjes së lejes për mbajtjen e mësimit të fesë, caktimi i mësueseve të mësimbesimit bëhej me përgjegjësinë e udhëheqësve të shkollave dhe të Inspektoratit për Arsim. Kryetari i Ylemave i pranonte të gjitha lutjet dhe propozonte se cili mund të ishte mësues feje. Përparësi kishin ata të cilët shiheshin se u janë zgjuar ndjenjat kombëtare nacionaliste. Kështu, sipas dokumentit nr. 19 të datës 3. XIII/41 së pari lajmërohet shkolla e Ulqinit me propozim që mësues mësimbesimi në këtë qytet të emërohet Izet Zejnuni, i cili njëherazi ishte edhe imam zyrtar për myslimanet dhe njeri i dëshmuar i çështjeve shqiptare, kurse për besimin katolik, Dom Nikol Tusha, i cili pa ashtu kryente detyrën e famullitarit të kishës në Ulqin, ndërsa për ortodoksët thuhet në dokument se nuk mund të gjejnë njeri të përshtatshëm “se asnjë nga popat nuk zotërojnë gjuhën shqipe”. Por, që të mos ketë padrejtësi ndaj komuniteti ortodoks, për mësimbesim angazhohet mësuesi i shkollës, Mina Nikolla Grega. (10).

Prej vitit shkollor 1942, gjegjësisht prej fillimit të vitit shkollor, varësisht nga personi dhe rregullimi i dokumentacionit, fillohet me dekret të emërohen mësues të mësimbesimit në të gjitha vendet e Mbretërisë Shqiptare, përfshirë edhe Maqedoninë, Kosovën dhe Malin e Zi. Sipas dokumenteve arkivore, mësues të mësimbesimit emërohen sipas përkatësive fetare të shqiptareve. Kështu, sipas dokumentit të arkivit që gjendet një listë e personave që propozohen të emërohen mësues besimi në Kosovë dhe në Maqedoni, si: Ahmet Haxhi Vehabi mësues besimi në Tetovë, Rexhep Ferati në Tetovë, Sali Abdyrahmani në Prishtinë, Et-hem Tahir Pishnjari në Reçiçë të Tetovës, Zulfi Naziri po ashtu në Reçicë, Hafiz Nexhat Veseli në Xhepshitë të Tetovës, Hafiz Shaban Halili në Zhelinë të Tetovës, Jahja Baftir (Baftjar) Mënjaku në Shipkovicë të Tetovës, Shefki Ademi në Gajre të Tetovës, Iljaz Idrizi në Pallçishtë të Tetovës, Ramadan Osmani në Gradec të Gostivarit, Nixhmi Abdullahu në Zhelinë, Haki Selmoni në Reçicë, Ajet Kamberi në Strimnicë të Tetovës dhe Zeqir Teufik Lazami në Kamjan të Tetovës.(11).

Kryetari i Komunitetit Mysliman, Dr. Bexhet Shapati, me shkresën nr. 851/1 i drejtohet Ministrisë së Drejtësisë, duke kërkuar leje që të emërohen të gjithë ata që kanë shprehur dëshirë dhe që i plotësojnë kushtet. Në shkresën nr. 50 të datës 19.02.1942 thuhet se në viset e Lirume si kandidatë për mësues besimi kanë shprehur dëshirë: Emshi Ismail Rexhepi për shkollën e katundit në Dobërdoll të Gostivarit e Hafiz Ymer Spahija në një shkollë të qytetit të Prizrenit. Për Shkollat e Pejës, Myftinija e Pejës propozon që për mësues të mësimbesimit, sipas cilësive të duhura, të jetë Hafiz Sulejman Pajaziti dhe z. Beqir Mulla Zeqa, pasi këta të dy e “dinë mirë shqipen në të folme e ne të shkruar dhe se është (janë) të aftë për mësim”.

Në Dibër për këtë kurs të mësimbesimit emërohet Devish Jahja, i cili ngarkohet me 7 orë në shkollën fillore “Skënderbej” dhe me nga dy orë në shkollën fillore “Lirija” të Dibrës për klasat e dyta dhe të treta. Meqenëse numri i shkollave edhe i nxënësve po shtohej, Kryesia e Komitetit Mysliman e ndjek me vëmendje këtë gjendje, duke kërkuar nga Ministria e Drejtësisë që të angazhojë mësues të fesë edhe në vendet me më pak nxënës, me shpresë se numri do të rritet. Kështu, në Pallçishtë të Tetovës, për shkak të numrit të madh të nxënësve, Kryesia e Komitetit Mysliman detyrohet ta pranojë Sherif Sherifin nga i njëjti katund, kurse Abdyl Qerimin në fshatin në Ladorishtë të Strugës.

Në bazë të dokumentacionit që disponojmë, shihet se disa mësues të mësimbesimit janë shumë të ngarkuar, si për shembull Ali Hamidi nga Qarku i Prishtinës, i cili është i ngarkuar me 17 orë në javë dhe mban mësim në tri shkolla të qytetit të Prishtinës. Edhe mësuesit e fesë, si Rexhep Ferhati nga Tetova, jep mësim në klasën I, II dhe III; kurse Ahmet Vehapi në klasën IV dhe V në Tetovë. Abdyl B. Mehmeti mbante katër ore në javë në Kamjan, kurse Ahmet Hasani që nga viti 1932 punonte si mësues besimi në nënprefekturën e Kërçovës. Ai mbante pesë orë në javë në të pesë klasat në fshatin Sërbicë (Kastriot) të Kërçovës, ku u mbante mësime 138 nxënësve. Detyrën e mësuesit e kishte marrë më 9 mars 1941 me një pagesë prej 60 frangave shqiptare. Po ashtu kemi edhe pasqyrën e të ngarkuarve me mësime në kursin e besimit në Prizren, si: Pjetër Berisha me 9 orë për elementin e besimit katolik, Sami Xhemaili me 26 orë në shkollën “Bajram Curri” dhe “Adyl Frashëri”, Maksut Spahiu me 22 orë në javë në shkollat: “Stjefan Gjeçovi” dhe “Haxhi Ymeri” në Prizren, ndërsa Ali Hamiti i punësuar në shkollën nr. 1 në Prishtinë me 14 orë dhe Islam Emini në shkollën femërore nr. 2, po në Prishtinë me 12 orë në javë, ku shërbimi pagesor kapte shumën prej 84 frangash shqiptare.

Nga dokumentet mësojmë se për shkak të vonesës së pagesës, disa nga mësuesit e mësimbesimit në disa vende të Shqipërisë janë larguar nga detyra, kurse nga vendet e Lirueme asnjë nuk e kishte vënë këtë çështje në diskutim. Përkundrazi, në Vendet e Lirueme kemi kërkesa për angazhim. Kështu, në bazë të një dokumenti shohin se Baftjar Fazliu nga Prishtina njoftohet se dokumentet e tij ende nuk kanë arritur në Inspektorinë e Arsimit që të mund të angazhohej për mbajtjen e mësimbesimit.

Është mjaft interesante që të përmendet se në këtë kohë kemi edhe kërkesa nga ana e femrave, si p. sh. Lutfije Zejnullahu dhe Xhevrije Ali Hysejni nga Prishtina. Mirëpo, të dyja zonjat nuk pranohen, “sepse nuk ka nevojë” thuhet në dokument për shtesë të personelit. Ata të cilët kishin biografi të mirë, njohje të mirë të gjuhës shqipe dhe dëshmonin patriotizëm, nuk i largonin, por i angazhonin në kurse të ndryshme, si p.sh mësuesin Baftjar Fazliu, i cili kishte konkurruar për lëndën e mësimbesimit dhe i plotësonte kushtet që ta ushtrojë këtë detyrë.

Dëshira për lëndën e mësimbesimit nga ana e prindërve dhe e nxënësve ishte e madhe. Në bazë të letrës protokolluar me nr. 668 , të lëshuar nga Dibra, drejtuar Ministrisë së Arsimit, vërehen ankime të shumta pse në shumë shkolla fëmijët nuk marrin mësim feje dhe pse nuk angazhojnë mësues të fesë se “popullsija e këtyre vendeve janë tepër të dhanun mas fejet një trashëgim në ketë pikë sjell një mos kënaqësi në popull dhe len vend thash e themeve të shumta”.(12).

Ndërkohë të gjithë mësuesit e mësimbesimit gjatë vitit 1942 ishin në sprovë. Ata ndiqeshin nga Inspektori i Arsimit dhe nga përgjegjësit e shkollave. Qëllimi kryesor i përgjegjësve ishte të ndjekin te të gjithë se si e flasin dhe shkruajnë gjuhën shqipe dhe sa e lidhin fenë me traditat e vendit tonë. Në një Raport të lëshuar nga Drejtoria e shkollës fillore “Skenderbeg” të Tetovës jepen sqarime për punën e A. Vahipin, R. Feratin dhe Abdylbaki Memetin. Nga shkresa nr. 153/16 e datës 3.3.1942 shihet se për Abdylbaki Memetin kërkojnë që të pushohet nga puna, sepse ai shumë pak e njeh gjuhën shqipe ose të dërgohet në “katundet Pirok, Çolopek apo Kamjan ku nxënësit janë të gjithë shqiptarë qe nuk dinë me fol tjetër gjuhë veç asaj shqipe. Atje Bakiu do të shtërgoheshte me mësue mirë shqipen”.

Nga dokumentacioni i shumtë shohin se ka shumë kërkesa nga hafëzë, hoxhallarë e myderrizë për t’u inkuadruar në mbajtjen e mësimbesimit. Kështu, nga deponimi i dokumentacionit me biografitë dhe ixhazetnametë e tyre, të përkthyera në gjuhën shqipe, dalin në shesh të dhënat për lëvizjet e punës së tyre, kurse atyre që u mungonin ixhazetnametë merrnin dëshmi nëpërmjet njerëzve të firmosur para kompetentëve, si imamëve njerëzve të bashkisë dhe të gjykatës.

Nga biografitë e tyre shihet edhe shkalla e kualifikimit dhe e punësimit të tyre. Kështu, Ali Hamiti, myderriz nga Prishtina, thuhet se ka dhënë mësim në gjimnazin turk në Prishtinë në vitin 1911. Punën e këtij myderrizi e dëshmojnë Mahmut Rexhepi, imam në xhaminë e Prishtinës dhe Mehmet Shabani, polic në Bashkinë e Prishtinës, vërtetuar nga Kryetari i Bashkisë së Prishtinës, Salatin Kelemendi. Por, Inspektorati i Arsimit kërkon sqarime për kandidatin se sa e njeh gjuhën shqipe dhe se a ka nevojë për mësues të fesë në këtë qytet. Sipas shkresës nr. 153/82 të 16.5.1942, ky mësues feje ngarkohet me detyrë në tri shkolla me 17 orë mësimi në javë me një rrogë prej 80 frangash shqiptare. Ka edhe të tillë të cilët nuk pranohen, sepse nuk e njohin gjuhën e folur dhe të shkruar shqipe. Kështu ndodh me Abaz Selam Kabashin, të cilin e drejtojnë dhe e udhëzojnë “që të mësojë mirë gjuhën shqipe në të shkruem e në të folur dhe rishtazi të bëjë kërkesë”.

Po kështu kemi edhe kërkesën e Azem Dalipit nga fshati Tuhin i Kërçovës, i cili dëshiron të mbajë mësimbesimin në shkollën e Tuhinit dhe të Jagoll-Dolencës. Në biografinë e tij shkruan: Azem Dalipi i lindur në katundin Tuhin të Nën/prefeturës së Kërçovës. Në vitin 1902 ka mbarur Ruzhdijen në Kostur të Greqisë. Pastaj ka ndjekur mësimet në gjuhën arabe në medresenë e Kërçovës. Pas mbarimit të mësimeve 6-vjeçare vazhdon shkollën Normale në Manastir ku edhe është diplomuar. Emërohet mësues në fshatin Veleshtë të Strugës. Me ardhjen e fuqisë Jugosllave është detyruar që ta lëshojë punën dhe merr rrugën për në Turqi. Atje emërohet mësues praktike pranë shkollës Normale të Kostamanit. Pas 6 vjetësh shërbimi ai emërohet Drejtor i shkollës fillore në Bolli dhe në këtë post qëndron deri në vitin 1923 ku thotë se u ktheva në Atdheun tim dhe punova si mësues feje dhe detyrën e mbajta deri në shembjen e regjimit barbar Jugosllav. Gjithashtu thotë se “dinë mirë me shkrua e me këndue gjuhën amtare (Shqipen). “Tash që lumnisht që vendi im u bashkue me Nënën Shqipni, dëshiroj të emnohem mësues besimi në shkollën e Tuinit e Dolencit….Me nderime Azem Dalipi”. Lutja biografike si duket është shkruar nga mësuesi i mirënjohur Petref Therrepela, mësues nga Shqipëria, ngase me ndihmën dhe rekomandimin e tij ai emërohet mësues feje në Tuhin dhe Dolencë.

Nevoja për mësimbesim ishte e madhe tek elementi ortodoks. Në bazë të një shkrese kuptojmë se si Kryesia e Ylemave i drejtohet Sinodit të Shenjtë për emërimin e mësuesve të mësimbesimit ortodoks. Kërkesat më të mëdha ishin në Tetove, Dibër e, sidomos, në fshatrat e Rekës së Epërme dhe në prefekturën e Prizrenit. Edhe pse pagesa ishte 150 franga shqiptare, përsëri kuadër nuk mund të gjendej. Në Tetovë emërohet Dimitri Risto nga ky qytet, i cili thuhet se e “zotëron gjuhën shqipe”. (13)

Mësimbesimi në shkollat shqipe në këtë periudhë ishte në funksion të gjuhës shqipe dhe të formimit moral e qytetar të nxënësve.

Referencat:

1.Avzi Mustafa, Figura mesuesish shqiptar 1, BKSH, Tetove,1995, f..3-4.

  1. Këtë dokument e ka ruajtur pishtari i arsimit shqip Vlash Gjelaj i ardhur nga Obodi i Shkodrës që punoi në Maqedoni dhe Kosovë.

3..Shih: Ernest Koliqi, Tregtar flamujsh, botoi Ndërmarrja botuese, “Gjon Buzuku”, Prishtinë, 1991, f, 5.

  1. Abdullah Vokrri,Shkolla dhe arsimi në anën e Llapit (1878-1944), f. 92.
  2. .Mehmedali Hoxha dhe Isen Kaloshi i pari ishte nxënës në Normalen e Prishtinës, kurse i dyti mësues në këto shkolla.

6.Abdylazis Veseli, Shkollat dhe arsimi shqip në Maqedoni gjatë periudhës 1941-1944, Tetovë,2000,f. 95.

7.Tokat e Liruara 1941-1944, përmbledhje dokumentesh, përmbledhur nga Qerim Lita, botoi Logos_A, Shkup, 2016.f. 149 (dok. nr. 662).

  1. Shiko dëftesat shkollore që kjo lëndë radhitet pas sjelljes.
  1. AQSH, Qarkore, që mban nr. 447, Kryesia e Këshillit t’Ylemave të Komitetit Mysliman.

10 .AQSH, F. 814, D. 14 .Fl. 7. Dok. 195/942.

  1. AQSH f. 195 v. 1942 d. 263, n. 8
  1. AQSH, F.dok. 668 të datës 28. 07. 1942.
  1. AQSH. F. 195: V. 1942. D. 296. FL: 29111.

Filed Under: Histori Tagged With: 1941 – 1944, Avzi Mustafa, KOMBËTAR SHQIPTAR, sistemi arsimor

POEZIA E KARRIERËS SIME

May 12, 2016 by dgreca

Nga Avzi Mustafa*-Shkup/

Të nderuar studentë të tashëm, ish studentë të mi dhe të nderuar kolegë,/

Kam zgjedhur sot ta mbaj ligjëratën e fundit në karrierën time aktive si profesor në universitet dhe kam dashur që në këtë ditë ta them, si të thuash, fjalën e time të fundit, që mund të merret edhe si porosia ime e fundit për ju që jeni këtu.

Unë nuk e pandeh veten si ndonjë profet, që sot do ju thotë diçka që ju nuk e keni dëgjuar, as nuk e shoh veten si ndonjë shpëtimtar që do jua thotë ndonjë gjë që do ju shpëtojë. Thjesht, ashtu siç kam qenë gjatë gjithë karrierës sime aktive si profesor, edhe dua të dal prej këtu.

Madje, nuk kam as pretendime të larta që sot të mbaj para jush ndonjë ligjëratë me përmasa historike, për arsyen e thjeshtë se pretendime të tilla nuk kam pasur as gjatë punës sime aktive në këtë universitet.

Por, kur dëshiron ta mbash ligjëratën e fundit, doemos më udhëhiqte prirja se cilat fjalë do i zgjidhja që ta përfundoj këtë karrierë dhe kjo në të vërtetë më shumë i ngjan punës së një poeti sesa të një studiuesi. Ashtu siç arrin një poet përmes një vargu, një strofe a një poezie, të na përcjellë një mesazh që një prozatori, një filozofi ose një studiuesi do t’i duhej ta shkruante një libër të tërë, e tillë do të doja të ishte sot ligjërata ime. Një poezi me disa vargje ose me disa strofa.

Në këtë mënyrë do të më lejoni që vargun e parë të kësaj poezie ta quaj “Nuk ka rastësi, por vetëm urtësi”. Jeta më ka mësuar se, ndonëse neve disa momente të jetës na duken të rastësishme,  shumë më vonë e kuptojmë se pas tyre është fshehur një urtësi, një sekret, i cili e ka mundësuar zhvillimin e një ngjarjeje. Më lejoni këtu të bëj një digresion të shkurtër. Kjo që them i ngjan rrëfimi biblik ose kuranor – si të doni merreni – me Mojsiun ose Musain, i cili derisa kthehej në Egjipt, u ndal diku rrugës dhe pa një zjarr diku. Mendoi se aty ka dikush dhe shkoi të kërkojë pak zjarr prej tij, por kur shkoi aty, e dëgjoi zërin e Perëndisë, i Cili e shpalli profet. U nis për të marrë një dritë, ndërsa përfundoi profet i Zotit. Po e përsëris se nuk kam pretendime të tilla, por rruga ime jetësore nisi me synimin që të mos bëhem zanatçi, por të bëhem mësues fshati, ndërsa Perëndia më bëri pedagog universiteti. Një fëmijë i varfër nga Greshnica në vitet e ’50-ta të shekullit të kaluar, që vinte nga një familje mjaft e varfër për kushtet e kohës, as që ëndërronte se karriera e tij do të ishte universiteti. Krejt kjo filloi kur arsimtari im i shkollës fillore më regjistroi në Shkollën Normale në Shkup dhe këtu ishte kthesa ime. Pas shkollës normale, desha ta regjistroj psikologjinë, por atëherë nuk kishte, andaj hyra në pedagogji. Aty takova po ashtu profesorë, që dukeshin si në rastësi, ndërsa kjo ishte urtësi, të cilët ishin arsyeja që unë u punësova në fakultet para se të hapej katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare. Ndonëse unë vazhdoja ta kem synim mësuesin në fshatin tim, përfundova këtu ku jemi sot. Kjo për mua nuk është rastësi, por një urtësi, një sekret që nuk kam si e shpjegoj ndryshe, pos me terma të metafizikës. Dhe, që të jem i sinqertë, mua Zoti më ka dhënë në jetë më shumë seç kam imagjinuar vetë. Andaj jam falënderues dhe ky ka qenë motivi im kryesor që edhe unë të jem si arsimtari i im i fillores për një nxënës ose të jem si profesorët e mi për një student që vjen prej diku si unë dikur. Që edhe unë t’i dukem atij rastësi, ndërsa ai pas një gjysmëshekulli ta kuptojë se ajo ka qenë urtësi.Vargu i dytë i poezisë, që po e quajmë ashtu kushtimisht, është “Arsim për të gjithë”. Dhe, kjo nuk është diçka që e unë e them së pari, as që e shpik unë, por as nuk dua ta merrni si patetike. Ndonëse ne sot hedhim gurë e dru kundër ish sistemit socialist, madje edhe unë vetë kam plot arsye politike ta kundërshtoj atë, por ajo që dua ta vlerësoj dhe ta theksoj është se vetëm në atë sistem një djaloshi të varfër të Greshnicës iu mundësua të bëhej profesor universiteti. Unë dhe ju kemi të drejtë të jemi kundër atij sistemi për shkak të padrejtësive kombëtare që i kemi pësuar atëbotë, por nuk guxojmë të mos jemi mirënjohës për këtë fakt. Me ato pak kapacitete ne arritëm të ndërtojmë kuadro dhe ta mbajmë shkollën shqipe, madje të hapim edhe programe studimore në fakultete. A mund ta imagjinojmë si do të ishin shkollat tona pa Shkollën Normale dhe pa Akademinë Pedagogjike? Për këtë arsye, mund të tingëllojë jo e përshtatshme për kushtet e sotme, por unë në aspekt të arsimit do të mbetem socialist i tipit europian: do të doja që secilit fëmijë në secilin fshat të vendit t’i mundësohet arsim falas. Jam pastaj këmbëngulës që arsimi publik të jetë cilësor maksimalisht dhe të mos bëhet arsimi cilësor vetëm luks dhe vetëm mundësi e të pasurve.

Vargu i tretë i kësaj poezi do të ishte “Çfarë është e rëndësishme në jetë?!”. Kjo është një pyetje që sigurisht i ka sfiduar edhe filozofët, edhe teologët etj., por ajo që unë dua ta theksoj këtu është se karriera ime më ka mësuar se më e rëndësishme se gjithçka në jetë është sekreti i lumturisë. Ne shumë herë në jetë insistojmë në diçka dhe mendojmë se, nëse nuk bëhet ajo, ne kemi dështuar. Kur je i varfër, kënaqesh me dy kore bukë; kur të hash bukë, kërkon diçka më shumë; kur të kërkosh punë, në fillim pranon gjithçka; kur mendon se mësuesi është kulmi dhe pastaj e arrin, e sheh se as ajo nuk ka qenë diçka shumë; pastaj kërkon të bëhesh profesor dhe e arrin edhe atë dhe e sheh se përsëri as ajo nuk ka qenë diçka që do të duhej të të mahnitë. Dhe, jo që nuk është e rëndësishme të jesh zanatçi, mësues ose profesor, por e kam fjalën që më e rëndësishme se kaq në jetë është të mësohesh të jesh i lumtur me atë që e ke. Sepse, kur je mirënjohës për atë që e ke, Zoti ta hapë një derë tjetër dhe të shpie diku që nuk e ke imagjinuar. Këtë e kam provuar vetë në jetë dhe prandaj ju flas nga përvoja. Andaj, gjatë gjithë jetës nuk jam lodhur të kem vetëm arritje, sa jam angazhuar që në atë që e bëj, të gjej lumturi dhe kënaqësi.

Vargu i katërtë i kësaj poezi është “Profesioni më i mirë është i mësuesit”. Unë e di se sot janë krijuar disa profesione që paguhen shtrenjtë, siç është fjala bie menaxher, dizajner, spin doktor, PR-menaxher dhe ato janë profesione që paguhen mjaft mirë, ama unë jam i bindur se asnjëri nga këto nuk është profesion më i bekuar se mësuesi, se profesori. Sepse profesori është një profet i llojit të vet. Derisa një inxhinieri i mundësohet ta projektojë muret, një dizajneri të modelojë një pamje, profesorit shoqëria ia ka besuar qeniet njerëzore, që ai t’i modelojë ato dhe t’i bëjë së pari njerëz, pastaj të ditur, më tej profesionistë, humanë dhe qytetarë të suksesshëm të shoqërisë. Dhe, unë kujtoj se kjo detyrë është më e vështira dhe njëherazi më e shenjta. Për këtë arsye unë jam i bindur se nuk ka më mirë se të jesh profesor. Bile edhe mjeku që e shëron një pacient nuk është më i lumtur se një profesor që ka krijuar me mijëra studentë. Në duar të profesioneve të tjera është e sotmja, ndërsa në duar të mësuesit, profesorit, është e ardhmja. Sa për informacionin tuaj, nëpër duart e mia kanë kaluar jo më pak se 10.000 studentë. Dhe, nëse unë jam bërë shkak që edhe 10%-shi i tyre ta kenë pasur jetën më të lehtë dhe të lumtur pasi që kanë ndjekur orët e mia, unë sot me kënaqësinë më të madhe do ta kaloja pjesën e mbetur të jetës. Mësuesia nuk është profesion, por është mision. E dini që Jezuin në Bibël e quajnë Mësues.

Megjithatë, ndonëse i kam arritur këto përjetime dhe jam shumë i lumtur për to, kjo nuk është e tëra. Prandaj vargu im i fundit do të ishte “Bëhu njeri”. Unë e di se ka studentë që më respektojnë dhe mbase ka të tjerë që, për ndonjë arsye, nuk e kanë atë qëndrim ndaj meje. Po ashtu ka edhe kolegë e miq me qasje të ndryshme. Unë e di se ka kolegë që më duan dhe më nderojnë më shumë seç meritoj, por ka edhe të tillë që ndonjëherë mund të kenë folur edhe gjëra të pakëndshme për mua dhe ja ua them këtu, ndonëse mund t’i supozoj ndonjëherë, ndaj askujt nuk mbaj hidhërim dhe të gjithëve ua falë me gjithë zemër. Krejt karriera ime në të vërtetë ma mësoi vetëm një gjë: BËHU NJERI. Para se jesh profesor i mirë, para se të jesh shkencëtar i mirë, para se të kesh shkruar e botuar dhjetëra libra e qindra artikuj, siç i kam bërë edhe unë me modestinë time, më e rëndësishme është të jesh njeri. Zaten ky, sipas meje, është misioni jonë në jetë. Dhe, përveç kësaj, me rëndësi të jesh në jetë njeri pozitiv. Sepse, siç thotë mistiku i madh Rumi:

O njeri, ti je siç dëshiron ta shohësh veten vet,

Sa për mish e kocka, dheu do t’i tretë

Nëse mendon për lule, kopsht me lule je

Nëse mendon për gjemba, shkarpa për zjarrin je.

Jam munduar që botën ta shoh si një kopsht me lule, andaj sot – kur po e përfundoj karrierën time profesionale – ndjej në zemër një buqetë me lule.Me gjithë punën time prej profesori, me gjithë punën time prej autori të teksteve shkollore, me gjithë punën time prej studiuesi të shkollës shqipe, me gjithë punën time si autor i abetares, krejt kjo më ka mësuar se kështu unë nuk jam bërë as profesor, as shkencëtar, as pedagog, por vetëm njeri. Dhe, kjo mendoj se është arritja më e madhe. Të gjitha ato grada kanë qenë shkallët që është dashur t’i eci që të bëhem njeri. Ndërsa qëllimi i jetës nuk qenkan shkallët, por qenka lartësia e misionit.

Do ta përfundoj ligjëratën time duke ju thënë: Ju lutem shikojeni karrierën tuaj si shkallët që ju ndihmojnë të ngjiteni diku, por kurrë mos i merrni shkallët si qëllimi i jetës suaj.

Të dashur të pranishëm, koha jonë është e kufizuar. Mua më duket si katër orë ky katërdhjetëvjeçar këtu. Nesër edhe ju do të jeni në këtë katedër. Prandaj ju lutem jetojeni çdo ditë me këtë synim. Jetojeni çdo ditë të jetës suaj sikur të jetë dita e fundit dhe ju do ta keni dëshirën që atë ditë ta lëni gjurmën tuaj më të mirë. Sepse, në të vërtetë, gjithë jeta është një ditë e bukur, që përfundon me një muzg, siç është pleqëria.

Dikush nesër do të më kujtojë për 30 e ca librat që i kam shkruar, dikush mund të më përmendë për ndonjë artikull shkencor a artikull publicistik, por unë do të jem i lumtur nëse me këtë ditë – që thamë se e quajmë jetë – jam bërë shkak që në mendjen e tij ta kem ndezur dashurinë për të vërtetën, në zemrën e tij ta kem ndezur dashurinë për njerëzoren dhe në shpirtin e tij ta kem ndezur lumturinë nga këto dyja.

Po përfundoj duke iu rikthyer edhe një herë Rumiut, mjeshtrit të madh të zbulimit të sekreteve të jetës:

Bëhu si lumi në bujari dhe ndihmë,
Bëhu si dielli në zemërgjerësi dhe mëshirë
Bëhu si nata në mbulimin e mangësive të tjetrit,
Bëhu si i vdekuri në hidhërim dhe kërcënim,
Bëhu si dheu në modesti,
Bëhu si deti në mirëkuptim,
Si do që të bëhesh,
Ose duku ashtu si je
Ose bëhu ashtu si dukesh.

Ndërsa gjeniu i shekullit të kaluar, Albert Ajshtajni, pas kësaj do të thoshte: “Vlera e një njeriu duhet parë në faktin se çfarë jep e jo në atë se çfarë është në gjendje të marrë.”

Unë kaq kisha t’ju jap dhe këtë jua dhashë! Dhe, si kundërvlerë, nuk dua asgjë!

Ju faleminderit dhe qofshi të bekuar!

Shkup, 12 maj 2016

*(Ligjerata e fundit e karrierës sime  aktive si profesor)

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Avzi Mustafa, E KARRIERËS SIME, poezia

KONTRIBUTI I GJERGJ QIRIAZIT NË KONGRESIN E ABAC NË MANANASTIR

December 26, 2015 by dgreca

150- vjetrorin e vdekjës se Gjergj Qiriazit/
Nga Avzi Mustafa/
Në historinë tonë kombëtare kemi plot e përplot shembuj të sakrificës familjare për të mirën e popullit e atdheut tonë. Një ndër këto familje gjithsesi është edhe familja e Qiriazëve. Kontributi i kësaj familje në emancipimin, përparimin e popullit shqiptar është shumë i madh. Puna e tyre, gjegjësisht madhështia e kontributit të tyre, sot mund të matet me veprimtarinë e një institucioni të mirëfilltë. Prandaj, lirisht mund themi se kjo familje zhvilloi institutin e Qiriazëve.
Gjergj Qiriazi, pas vdekjes së vëllait Gjerasimit, bëhet ndihmësi kryesor i mbajtjes së Shkollës së Vashave në Korçë, shkollë, të cilën e kishte hapur motra e madhe Savasti Qiriazi.
Si të gjithë vëllezërit dhe motrat, ashtu edhe Gjergji luajti rol të rëndësishëm në jetën arsimore, kulturore e politike të asaj kohe. Gjergji u dëshmua si gazetar duke bashkëpunuar në organet e kohës, duke trajtuar probleme të kohës me karakter shoqëror, tema të cilat më vonë do t’i botojë si libër në dy vëllime me emrin “Hristomadhi” me gjithsej 640 faqe, ku do të përfshihen pikëpamjet përparimtare të kohës. Botoi gjithashtu edhe tekste shkollore, sidomos tekstin e “Fizikës” (“Fisika” ) më 1899 në Bukuresht; ndihmoi ngritjen e klubeve, ku edhe ai vetë ishte sekretar dhe nënkryetar i klubit shqiptar “ Bashkimi” në Manastir (1908); ishte anëtar i komitetit të fshehtë “ Për lirinë e Shqipërisë” (1909), ishte pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit e të Elbasanit etj .Po ashtu Gjergji posedon një arkiv me përkthime me këngë kishtare, dy kopje të vendimeve të Kongresit , një Botanikë të pambaruar etj.
Cili ishte kontributi i Gjergjit në Kongresin e Manastirit?
Gjergj Qiriazi shumë herët e përfaqësoi alfabetin e Stambollit edhe pse kishte shumë dilema se me cilin alfabet do të botoheshin përkthimet e Kristoforidhit. Ai e kishte marrë mbi vete që të botojë Ungjillin e Mateut dhe Psallmet dhe këtu nuk nguroi dhe pa hezitim përdori alfabetin e Stambollit. Ky moment ndikoi që në shtator të vitit 1895 edhe Tomsoni në Komitetin e Londrës të shprehet: “Nuk duhet të shtypim më gjë me alfabetin e greqishtes dhe gjithçka e këtej e tutje duhet ta shtypim me alfabetin shqiptar”[1].
Më 14 korrik 1901 nënkonsulli A. Kral nga Manastiri pasi i bën një vlerësim alfabetit të shoqërisë së Stambollit, me ç’rast ai me të drejtë e quan një zhvillim të lartë, një krenari kombëtare që nuk mund të preket, parashtron për here të parë idenë se “alfabeti i ardhëm i përbashkët do të vendosej në një kuvend atdhetarësh të shquar me delegate të dërguar prej tyre vetë”.[2]. Prandaj me plot të drejtë Xhevat Lloshi duke u mbështetur në pohimin e A. Kralit thotë se korriku i 1901-shit do të quhej “zanafilla e projektit për Kongresin e vitit 1908”.

Gjergji ishte i preokupuar për zgjidhjen e një alfabeti të njësuar të gjuhës shqipe. Ai ndiqte me vëmendje gjithçka në lidhje me këtë problematikë dhe interesimi i tij ishte shumë i madh. Gjegj Qiriazi pa dyshim ishte njëri ndër më të informuarit në tërë Shqipërinë dhe tek atdhetarët në mërgim. Këtë e shohin edhe nga një shkresë, të cilën ua dërgon patriotëve në Egjipt, ku i njofton për formimin e një shoqërie dhe ngritjen e një shtypshkronje. Ai mërgimtarët do t’i informojë se “do të kemi një shtypshkronjë të madhe, edhe do të shtypimë një fletore të maruarë me emrin, “ Bashkim”. Kjo fletore dotë muburojnë të drejtat t’ona kundrejt armiqvet tanë….dhe tu tregojmë botës edhe neve jemi zotërit diç të bëjmë…”[3].
Gjergj Qiriazin e gjejmë shpesh të kontaktuar edhe nga intelektualët dhe patriotët e kohës për të pasur përkrahje apo për ndonjë kompromis rreth alfabetit të gjuhës shqipe. Këtë e shohin edhe kur Ndre Mjeda kishte marrë iniciativën t’i drejtohet, Mitat Frashërit dhe Gjergj Qiriazit për një kompromis për zgjedhjen e alfabetit të njësuar, por nuk ka gjetur përkrahjen e Gjergjit. Kjo ishte koha kur organet e ndryshme të shtypit në fillim të shekullit XX hapën rubrika të posaçme rreth problemit të njësimit të grafisë shqipe .[4]
Gjergj Qiriazi ishte njëri ndër delegatët që përfaqësonte klubin “Bashkimi” të Manastirit si nënkryetar i tij dhe si përfaqësues i “Shoqërisë Biblike Britanike “ në Manastir, madje me të drejtë vote.
Kur Kongresi i Manastirit filloi punën e shenjtë, Gjergj Qiriazi zgjidhet nënkryetar i këtij Kongresi.
Meqenëse ditën e parë të Mbledhjes historike mungonte i zgjedhuri për Kryetar të Kongresit, Mithat Frashëri , Gjergj Qiriazi do ta zëvendësojë deri në ardhjen e Mithat Frashërit.
Gjergji ishte ai i pari që me listë në dorë regjistronte delegatët duke i thirrur me emër e mbiemër. Sipas gazetës së Selanikut “Lirija” kuptojmë së Gjergji i ka përshëndetur të gjithë delegatët duke u shprehur: “…Ky Kongres do të na nxjerrë faqebardhë dhe me një vëllazni e bashkim të pandarë “.[5] Ai edhe shpesh here në mungesë të kryetarit e udhëhiqte punën e Kongresit.
Pas zgjedhjes së Komisionit për abecenë e shqipes, ky komision të gjitha mbledhjet i mbante në shtëpinë e Gjergjit. Të tërë anëtarët e familjes së Gjergjit ishin angazhuar. Pos nënës së tij Marija dhe motrës Parashqevi, barrën mbi supe e mbante edhe e shoqja e Gjergjit, për të pritur dhe përcjellë të tetë anëtarët e komisionit, të cilët punonin me ditë të tëra, të veçuar për të shikuar çështjen e alfabetit. E shoqja, bashkë me Parasqevinë, ndonjëherë edhe mbanin shënime për komisionin.[6]. Këtë punë më së shumti e bënin kur Gjergji ishte jashtë shtëpisë.
Në bazë të asaj që disponojmë në arkivin tonë dhe në bazë të të dhënave të një dokumenti në gjuhën angleze me titull ”Raporti i Kongresit mbajtur në Manastir me 14 nëntor 1908 (dokument prej 20 faqesh, i vetmi burim që posedojmë mbi rrjedhën e Kongresit të Manastirit, sepse Procesverbali nga Kongresi mungon) dëshmohet se punimet e Kongresit zgjatën 9 ditë. Mbledhjet plenare ishin të hapura dhe përveç shqiptarëve merrnin pjesë edhe delegate të kombësive të tjera, kurse numri i tyre sillej rreth 400.
Siç dihet, prej ditës së tretë pasdreke, u zgjodh komisioni prej 11 vetëve, me vota fuqiplota e të fshehta, me ç’rast Gjergji zgjidhet anëtar për zbatimin e alfabetit. Meqenëse bisedimet po zhvilloheshin rreth alfabetit të Stambollit dhe atij të “Bashkimit” dhe “Agimit”, anëtarët që do të zgjidheshin ishin njerëz të dijes e të pendës. Punën kryesia e komisionit e mbante me dyer të mbyllura dhe i vetmi njeri nga i cili mund të merrej ndonjë informatë krahas kryetarit ishte Gjergj Qiriazi.
Shumë pyetje dhe dilema që u shtruan në lidhje me Kongresin na i sqaron Gjergj Qiriazi duke dhënë disa informata mbi mbarëvajtjen e seancave të Kongresit. Kështu p.sh. nga ai mësojmë se rreth shkronjave dhe dhe th u shpenzuan dy senaca.[7]
Krahas shpjegimit që jep për miratimin e alfabetit të gjuhës shqipe Gjergj Qiriazi është edhe njëri nga ata që pranon letrat dhe telegrame që vinin dhe përshëndetnin ose përkrahnin shkronjat shqipe nga kolonitë e vendet anë e mbanë Shqipërisë. Këto letra e telegrame ai edhe i lexonte para Komisionit. Gjergji po ashtu para të gjithë të interesuarve e elaboronte dhe shpjegonte arsyen e përdorimit të dy alfabeteve. Gjergji në përgjigjen e tij argumenton kështu: “mbasi mendohet se një ditë njeri alfabet do të mbetet“ Ky mendim pati rëndësi të madhe për bashkimin politik dhe përparimin e mëtejshëm kulturor të kombit shqiptar”[8].
Gjergj Qiriazi është një personalitet i ngritur, patriot e intelektual i rryer që nuk ngurroi asnjëherë të sakrifikojë veten dhe familjarët e tij për të vënë një shenjë në Panteonin e kulturës dhe dijes shqiptare.
Referencat
Xhevat Lloshi, Rreth alfabetit të shqipes, Logos-A, Shkup. Prishtinë, Tiranë, f. 24.
2 Xhevat Lloshi, po aty,f.24).
3 Letra është botuar në Alfabetin e gjuhës shqipe dhe Kongresi i Manastirit, Tiranë , 1972,f. 304.\
4 Tomor Osamni, Udha e shkronjave shqipe, Shkodër 1999, f. 460.
5 Gazeta “Lirija”, Selanik, nr. 15, 1909
6 Parasqevi Qiriazi, Kongresi i parë i Manastirit, Alfabeti i gjuhës shqipe dhe Kongresi i Manastirit, Tiranë, 1972, f. 65
7 Tomor Osmani vep. e cituar, f. 478.
8 Kristaq, Prifti, , Kongresiu i Manastirit, ngjarje e shënuar në kulturën kombëtare, Gjuha jonë, nr.3 ,1988, f. 10.)

Filed Under: Histori Tagged With: Avzi Mustafa, Gjerggj Qiriazi, Kongresi Manastirit

  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT