• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

STRATEG I LUFTËS, ARKITEKT I PAQES

February 12, 2014 by dgreca

 Nga Azgan HAKLAJ/

Para disa kohësh, nën titullin “Një hero i kohës sonë”, shkrimtari dhe publicisti i njohur Besnik Mustafaj, botoi një shkrim në formën e një portreti vertikal kushtuar Ali Ahmetit, njërit nga figurat më karizmatike të politikës së botës shqiptare. Në këtë shkrim thuhen vetëm disa të vërteta të pjesshme rreth figurës së këtij shqiptari të madh, që me kontributet e tij për çështjen shqiptare ka hyrë në analet e historisë më të re të shqiptarëve.

Fill pas këtij shkrimi, si gjoja replikë, botohet në gazetën “Lajmi” dhe në disa të përditshme të Tiranës shkrimi me titull “Heroi i Anscluss të kohës sonë” , i autorit Fejzi Hajdari, ku me një stil të denjë për pleniumet e dikurshme të Byrosë Politike autori rrekej të hidhte baltë mbi figurën shumëplanëshe të Ali Ahmetit. Artikullshkruesi është botues i të përditshmes “Lajmi” që botohet në Maqedoni dhe dihet nga të gjithë shqiptarët e Maqedonisë por dhe më gjërë shkalla e agresivitetit me të cilin ky organ sulmon në mënyrë permanente Ali Ahmetin dhe partinë e tij. Nuk është hera e parë që ky botues mpreh lapsin dhe ia bën fora, duke zbuluar, as më shumë e as më pak, varfërinë e tij intelektuale dhe mjerimin e gazetës që drejton. Nuk ia vlen të merremi as me analistin në fjalë, as me shtysat e tij të motivuara apo emotive, në tentimin për “zbehjen” e njërit nga politikanët më popullor e më të rëndësishëm të kombit shqiptar.

Ajo që të bën përshtypje në gjithë këtë histori është fakti se ne nuk i kemi aq të shumta figurat si Ali Ahmeti, përkundrazi kemi shumë nevojë për njerëz vizionarë e idealistë si ai, njerëz që kanë lënë gjurmë në kohën e tyre e ndër bashkëkohësit dhe vazhdojnë të ecin me të njejtin ritëm atdhetar, me këmbët të mbështetura fort në trojet tona etnike dhe në kauzën tonë historike.

Në këtë shkrim nuk do të tjerrim gjatë fjalë, por do të flasim për disa nga pikat kulmore të veprimtarisë politiko-atdhetare të Ali Ahmetit dhe rolin e tij të rëndësishëm ndër shqiptarët e Maqedonisë dhe më gjërë, për të zgjuar vetëdijën e hapësirave të lirisë së munguar ndër shqiptarë dhe për të penguar depërtimin e strukturave shovene në Shkup.

Duhet thënë se Ali Ahmeti është njëri nga drejtuesit më të rëndësishëm të Lëvizjes Studentore në vitin 1981, në Kosovë, veprimtari për të cilën dhe për të tjera në dobi të kauzës shqiptare, ka qenë i dënuar me vdekje për njëzet vjet rresht nga gjykata serbe.

Në vitet 1984-1986 ka ndihmuar në ripërtërirjen e lëvizjes studentore dhe popullore në Kosovë.

Në vitin 1986, Ahmeti fiton azil politik në Zvicër, ku jeton deri në vitin 2001 dhe vepron si koordinator i grupeve të ndryshme.

Në vitet 1988-1989 ai është njëri nga udhëheqësit e protestave të minatorëve dhe studentëve, të cilat për herë të parë e sfiduan seriozisht regjimin e Sllobodan Miloseviçit.

Në vitet 1989-1990, ai ka qenë njëri nga organizatorët e protestave masive të diasporës shqiptare nëpër Europë.

Mbështetjen e tij politike gjatë këtyre viteve Ahmeti e ka pasur në Lëvizjen Popullore të Kosovës. Në vitin 1986 ai është zgjedhur anëtar i Këshillit të Përgjithshëm, me detyrë ndërlidhjen ndërmjet Kosovës dhe Europës. Në vitin 1988 ai është zgjedhur anëtar i Kryesisë së Lëvizjes Popullore të Kosovës, funksion në të cilin është rizgjedhur në vitin 1993, me detyrë speciale sektorin ushtarak.

Në vitin 1996, në vlugun e rritjes së presionit dhe dhunës kundër shqiptarëve të Kosovës, Ahmeti ka qenë njëri ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në vitin 1998, në fillim të luftës, ai është zgjedhur anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në vitin 2001 Ahmeti zgjidhet Komandant Suprem dhe Përfaqësues Politik i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni. Pas Marrëveshjes kornizë të Ohrit të nënshkruar në gusht dhe shpërbërjes së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në shtator të këtij viti, Ahmeti angazhohet aktivisht në procesin e implementimit të Marrëveshjes Kornizë. Për këtë qëllim, në fillim të vitit 2002 ai e inicoi dhe u emërua Kryesues i Këshillit Koordinues që bashkonte partitë politike shqiptare në Maqedoni dhe strukturat e mëparshme të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në një platformë të dizenjuar për ta shtyrë përpara implementimin e marrëveshjes paqësore.

Në qershor të vitit 2003, Ahmeti themelon Bashkimin Demokratik për Integrim dhe zgjidhet Kryetar i kësaj partie. Në shtator të vitit 2002, Bashkimi Demokratik për Integrim e fitoi besimin e shumicës dërrmuese të elektoratit shqiptar në zgjedhjet parlamentare të Maqedonisë. Ali Ahmeti u zgjodh deputet i Parlamentit të Republikës së Maqedonisë, ndërsa Bashkimi Demokratik për Integrim hyri në koalicionin qeveritar. BDI mbanë pozicionet e një Zëvendës-Kryeministri, 5 ministrave dhe pesë zëvendës-ministrave.

Pra, Ahmeti është njëri nga drejtuesit e Lëvizjes Çlirimtare të Kosovës, komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Maqedonisë, aktor kryesor i Marrëveshje së Ohrit, njëri nga politikanët më të vendosur në aksionin politik për ridimensionimin e çështjes sonë kombëtare në Gadishullin e vjetër dhe në Europën moderne.

Ai është njeriu që çoi Skënderbeun, arkitektin e Nëntorit të parë të shqiptarëve në Shkup, për të dëshmuar vijimësinë e qëndresës shqiptare, përballë çdo humbje në kohë dhe harrim. Gjithashtu solli në Shkup shtatoren e Nënës Terezës, ikonës së lirisë dhe drejtësisë sociale të botës sonë, modelit të njeriut që u ngrit mbi unin e e saj dhe mbi çdo ego njerëzore, në emër të më të varfërve dhe më të rrënuarave të botës sonë.

Ali Ahmeti kremtoi me madhështi 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, pasi pati festuar me po kaq madhështi e solemnitet 100 vjetorin e Kuvendit të Shkupit, tokës së Justianianit e Nënë Terezës, i cili dhe falë këtij heroi të kohës sonë e ka ruajtur të pacënuar identitetin shqiptar, rrënjët e botës së vjetër të kombit tonë.

Nuk ka trevë të trojeve tona etnike, ku të mos ketë shkelur këmba e Ahmetit, duke mbjellë në çdo zemër shqiptare besimin tek kauza jonë, e cila është bërë një realitet në veprim, më dinjitoze dhe më largpamëse se kurrë, edhe falë këtij burri të shquar të kombit shqiptar.

Për të gjitha këto e për të tjera që nuk është vendi të radhiten në këtë shkrim modest, shqiptarët e votuan atë dhe partinë e tij tani në zgjedhje, duke e nxjerrë rishtas fitues në garën politike, çfarë tregon se kredoja e figurës së tij ka ardhur në rritje, krahas me besimin e shqiptarëve tek ai e PDI-ja, si faktorë për pengimin e strukturave asimiluese shovene ndër shqiptarët e Maqedonisë.

Unë kam pasur rastin fatlum që si President i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar të bashkëpunoj me këtë politikan energjik dhe atdhetar vizionar dhe ai ka qenë mbështetës i veprimtarive të këtij Unioni në Strugë, Shkup, Dibër të Madhe dhe Gostivar. Për të gjitha këto, Unioni Artistik i Kombit Shqiptar i ka propozuar komunës Margegaj, vendlindjes së Haxhi Zekës, udhëheqësit të Lidhjes së Pejës “Besa-besë” , vazhdues i platformës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ta shpalli zotin Ali Ahmeti “Qytetar Nderi” , titull të cilin ai e gëzon.

Ali Ahmeti është një strateg i luftës dhe arkitekt i paqes, jo vetëm në Maqedoni e Kosovë, por në gjithë hapësirën etnike shqiptare, pasi kauza e tij ka qenë njësh me kauzën kombëtare, vizioni i tij kanë qenë njësh me vizionin euro-atlantik të një kombi historik të ridimensionuar në Ballkan, në bazë të kësaj të drejte, e cila mund të vonojë, por nuk mund t’i shpëtojë verdiktit të kohës sonë.

Në hapësirën e trojeve shqiptare në kohën e pas luftërave çlirimtare kanë ndodhur shumë paradokse, por më dukshëm doli e po del gjithnjë e më shumë në pah për të gjithë popullin dhe opinionin publik mbarëshqiptar kthesa rrënjësore të disa veprimtarëve të dikurshëm të çështjes kombëtare shqiptare, kthimi i tyre në mercenarë të paguar, në përbaltës profesionist, në mbrojtës besnik të pushtuesve dhe kolonizatorëve sllavo-grekë, të cilët duket se janë porositësit e kaosit mbarëshqiptar, porsositësit dhe sponsorët e shkrimeve të këtij soj, shkrime që duket se mbajnë erë.Të gjitha këto të vijnë ndërmend për këtë burrë peshërëndë të Shqiptarisë, teksa lexon shkrimin e Fejzi Hajdarit, shkrim që nuk çon ujë askund, përveçse në mullirin shoven, në atë mulli, të cilit ujin ia kanë ndërprerë tash dhjetë e më shumë vjet Ali Ahmeti me bashkëluftëtarët e tij.Zoti Hajdari, që nuk lë rast pa sulmuar në fletushkën e tij gjithëkënd që nuk mendon si editorialet e tij të sajuara me ngut, për shkak të ankthit të ustallarëve porositës , bën mirë të dijë dhe të bëjë me dije dhe lexuesit e tij të paktë (pasi shumica e shqiptarëve tashmë e dinë), se Maqedonia po shqiptarizohet ndoshta me hapa disi të ngadalshme, por të sigurtë dhe meritë për këtë ka dhe politikani mendjehollë dhe vizionar, Ali Ahmeti.

___________________________

*Autori është president i Unionit Artistik tw Kombit Shqiptar, antar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe ish-deputet në Kuvendin e Shqipërisë në vitet 2001-2005

 

Filed Under: Opinion Tagged With: arkitekt i paqes, Azgan haklaj

6 VJET PËR 6 SHEKUJ

February 11, 2014 by dgreca

REFLEKSIONE NË PËRVJETORIN E PAVARËSISË TË KOSOVËS/
Nga Azgan HAKLAJ/
Nga beteja e largët e Fushë-Kosovës e vitit 1389, betejë e cila ndryshoi kahjen historike të shteteve të Ballkanit, shqiptarët e Kosovës kanë udhëtuar për 6 shekuj me ëndrrën e lirisë. Ata kanë përcjellë stafetën e saj, si një amanet të shenjtë brez pas brezi. Me përpjekje titanike, me vendosmëri të pashoqe e duke i thirrur fort kujtesës së tyre historike, ata i mbijetuan Perandorisë Otomane, Mbretërisë Serbe e Federatës Socialiste Jugosllave. Ata qëndruan stoik përballë shpërnguljeve masive të qindra mijëra shqiptarëve dhe projekteve kolonizuese e shfarosëse të Çubriolloviçit, Qosiqit, Andriçit e akademive e ideologjive shoveniste serbe.
6 shekuj me rradhë toka e Kosovës u bë epiqendra e kryengritjeve shqiptare për liri dhe pavarësi. Jo rastësisht, në Kosovë e nën udhëheqjen e prijësve të tyre: Ymer Prizreni, Iljaz Pashë Dibra, Sulejman Vokshi, Ali Ibra, Ali Pashë Gucia, Haxhi Zeka, Hasan Prishtina, Isa Boletini, Idriz Seferi, Bajram Curri, Naxhip Draga, Bedri Pejani, u krijua Lidhja e Prizrenit e vitit 1878, Lidhja e Pejës e vitit 1900.
U mblodhen kuvendet e mëdha të Verrave të Llukës, Junikut, Ferizajt, Shkupit, të cilët organizuan kryengritjet 1909-1910-1911. Në këto kuvende u hartua Platforma për Kryengritjen e Përgjithshme të vitit 1912 për Shpalljen e Pavarësisë dhe bashkimin e trojeve Shqiptare në një shtet të vetëm.
Konferenca e Londrës e vitit 1912 me vendimet e saj legjitimoj ripushtimin e Kosovës nga Serbo-Malazezët e shkëputjen e saj nga trupi i Shqipërisë. Ato lanë pjesën më të shëndetshme e vitale të atdheut të vetme në betejën për mbijetesë.
Beteja politike e diplomatike e Shtetit Shqiptar 1920-1928 e më vonë e Mbretërisë Shqiptare në vitet 1928-1939 pranë Lidhjes së Kombeve e Fuqive të Mëdha ishte një fitore si e Pirros. Kjo për faktin se nuk arriti të ndalë zbatimin e Marrëveshjes Turko-Jugosllave të vitit 1937, e cila solli dëbimin e 25.0000 Shqiptarëve nga trojet e tyre. Ata u zëvendësuan me kolonë serbë, malazezë e boshnjakë.
Intelektualët e rinia studentore e Kosovës, me demostratat e mëdha të viteve 1981-1989 e tronditën nga themelet Federatën Socialiste Jugosllave dhe deligjitimuan pushtetin e tyre në Kosovë.
Krijimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kushtetuta e Kaçanikut dhe vizjoni gjenial i liderit Ibrahim Rugova me konstruktivitetin e Pavarësisë e të shtetit demokratik të Kosovës e kthyen çështjen e saj në rend të ditës të SHBA-së e fuqive perëndimore.
Luftë guerile e bërthamës së UÇK-së, ku spikatën aksionet e Zahir Pajazitit, Edmond Hoxhës, Masakra e Reçakut, epopeja e Adem Jasharit, jetësuan ndërhyrjen e NATO-s. Kjo ndërhyrje u gershetua me mbështetjen e qindra mijëra luftëtarëve të lirisë. Beteja fitimtare e Koshares, e udhëhequr nga Agim Ramadani, Sali Çekaj, Rrustem Berisha shembi piramiden e kufirit Shqipëri-Kosovë.
Kryefjala e qëndresës u bë Rrafshi i Dukagjinit, i prirë nga strategu Ramush Haradinaj. Ai udhëhoqi si gjeneral De Goli dikur Francën ndaj gjermanëve. Asnjëherë nuk iu shmang përballjes e betejave me milicinë ushtarake serbe. Heroizmi i Luan e Shkëlzen Haradinajt, Fehmi e Xheve Lladrovsit, Adrian Krasniqit, Bedri Shalës e Bekim Berishës, Tahir Sinanit dhe Mujë Krasniqit, Njazi Azemit, Agron Ramës janë monumente të mëdha në panteonin e lirisë të Kosovës, përkrah Zhuj Selmanit dhe Sefë Koshares.
Fitorja e NATO-s dhe e luftëtarëve të lirisë së Kosovës ndaj Serbisë jetësoi Konferencen e Rambujesë, ku natyrisht veçojmë elegancen politike të Hashim Thaçit. Vendimet e saj u çertifikuan nga Marrëveshja e Kumanovës që do të çonte në vendosjen e Protektariatit Ndërkombëtar në Kosovë.
6 vjet nga shpallja Shtet i Pavarur, Kosova, ka arritur atë që iu mohua për 600 vjet, krijimin e shtetit të pavarur e demokratik, njohjen ndërkombëtare e krijimin e institucineve legjitime të shtetit të saj. Sot Kosova është pjesë e institucioneve prestigjoze ndërkombëtare, e njohur nga vendet më të fuqishme e demokratike të botës, e vendosur në rrugën e vet si pjesë e pandarë e BE-së dhe NATO-s. Reformat e mëdha në arsim, shëndetësi ,ekonomi, në autonominë e qeverisjes vendore, lufta ndaj krimit të organizuar e korrupsionit, integrimi i minoriteteve e beteja ndaj papunësisë e varfërisë janë sfidat kryesore në rrugën e saj drejt integrimit evropian.
Në këto 6 vjet Kosova ka demostruar aftësi shtetformuese e pjekuri politike përmes zhvillimit të zgjedhjeve të lira e demokratike. Ajo ka arritur progres në respektimin e lirive e të drejtave të njeriut. Zgjedhjet e ardhshme parlamentare duhet të jenë një shtytje e fuqishme e proceseve demokratike e reformave dhe e përgjegjësisë të Qeverisë ndaj qytetarëve të saj dhe aleatëve të mëdhenj, me të cilët është i lidhur fati dhe e ardhmja.
Meqënëse jemi në vit elektoral e Kosova do t’i drejtohet për pak muaj kutive të votimit, mendoj se qytetarët e saj janë ndërgjegjësuar dhe me votën e tyre do të mbështesin masivisht De Golin shqiptar, Ramush Haradinajn.

Filed Under: Opinion Tagged With: 6 vjet, Azgan haklaj, sa per 6 shekuj

KOSOVA TË BASHKOHET ME SHQIPËRINË

February 6, 2014 by dgreca

NGA Azgan HAKLAJ/
 70 vjet më parë në fshatin Bujan të Malësisë së Gjakovës u mblodh Konferenca e Këshillit Nacional-çlirimtar të Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit (e njohur me emrin Konferenca e Bujanit). Dera e kullës së Sali Manit, Tropojë, u hap për të pritur 49 delegatë nga vise të ndryshme të Kosovës, si dhe përfaqësuesve të të gjithë popujve që jetonin në këto hapësira shqiptare.
Qëllimi i kësaj ngjarjeje, që është një faqe e rëndësishme e historisë së popullit shqiptar, do të jeptë rrugëzgjidhjen e problemit kombëtar, aq jetik për popullin shqiptar. Në Rezolutën e dalë nga kjo Konferencë shprehet qartë se populli i Koosvës, ashtu si edhe deri më sor, shpreh vullnetin e tij për t’u bashkuar me atdheun e tij Shqipërinë, dhe se këtë qëllim e sheh të mundshëm për t’u realizuar duke marrë pjesë me armë në dorë kundër pushtuesve nazistë.
Trajtesa e problemeve të Konferencës lidhej me pjesmarrjen në Luftën Antifashiste, përkrah popujve të tjerë, si dhe me pozitën që duhej të kishte Kosova pas luftës, pozitë e cila duhet të ishte e barabartë me kombet e tjera të Jugosllavisë deri në vetëvendosje dhe bashkim me Shqipërinë, siç ishte shprehur dhe në mbledhjen e AVNOJ-it të nëntorit 1943.
Ndërsa shqiptarët e Kosovës e përcollën me gëzim e besim këtë ngjarje, udhëheqja jugosllave reagoi ashpër kundër vendimeve të saj, nëpërmjet letrës së 28 marsit 1944. Në atë letër u sulmua pozita e veçantë e Kosovës me viset e tjera dhe sanksionimi që i bëri Konferenca problemit të vetëvendosjes dhe bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, nuk u njoh Këshilli Nacionalçlirimtar si organi më i lartë i pushtetit për Kosovën. Vendimet e kësaj Konference historike u lanë në heshtje edhe nga udhëheqja e PKSH, çka përbën një anashkalim të qëllimshëm, një tradhti të fshehur për problemin kombëtar.
Tito dhe Hoxha në kulisat e një politike tinëzare e djallëzore, me akordin e tyre përligjën padrejtësitë e Traktatit të Versajës, që krijoi Jugosllavinë, për të plotësuar interesat hegjemoniste të Sllavëve të Jugut.
Krejt shekulli XX kaloi për popullin vëlla të Kosovës në shtypje politike, ekonomike e kombëtare, Tropoja, djepi i Konferencës historike, tre herë gjatë 100 vjetëve të fundit hapi portat e mikëpritjes, të vëllazërimit e të shpëtimit për kosovarët e ndjekur e të përzënë prej trojeve të veta nga dhuna e kralëve të vjetër e të rinj të Beogradit.
Shqiptarët në Shqipëri, Kosovë e kudo që punojnë e jetojnë në botë, me një zë të vetëm u ngritën e i thanë ndal revanshit të Millosheviçit, që në fund të shekullit të kaluar e ktheu Kosovën në një varr të hapur,  vrau, preu e dogji shtëpi të shqiptarëve etnik.
Tani, në 70 vjetorin e Konferencës së Bujanit, Kosova hyn në vitin e gjashtë të saj si shtet i pavarur e sovran me mbi njëqind njohje ndërkombëtare dhe ecën drejt antarësimit të saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Konferenca e Bujanit, kjo faqe e pambyllur e historisë, troket sot pas gjysmë shekulli në memorien kombëtare me zërin atdhetar e trimëror të hartuesve të Rezolutës së saj: Mehmet Hoxha, Fadil Hoxha, Xhavit Nimani, Rifat Berisha, Zekeria Rexha, Xheladin Hana, Hajdar Dushi, Sali Mani, Veli Nimani, Hasan Isufi, etj.
Vendimet e saj janë kambana alarmi për politikën dhe brezat e sotëm. Jehona e kësaj ngjarjeje përcjell herë pas here atë solemnitet, atë vendosmëri e heroizëm që u shfaq në ato tri ditë (31 dhjetor 1943-2 janar 1944). Thirrja e saj madhore që bëri rrugën nga dimri me borë i atyre viteve, në acarin e borën e këtij dimri mbetet:Me Kosovën e për Kosovën.
Homeri i ndjesive shqiptare, poeti i madh kombëtar Gjergj Fishta lëshonte kushtrim, që është i freskët edhe sot: “…Në kamë shqiptarë e mos t’ju lëshojë zemra / Në kamë se kurrsesi s’keni me u thye / e t’ju bijë ndërmend se më e rëndë është thembra e shkjaut kokë e trashë / se guri i vorrit në krye./ Në kamë pra djem shqiptarë kushdo ka le / në mos mujt shqiptar me mbet / shqiptar të hyjë nën dhe /.
Për Konferencën e Bujanit kam botuar para 16 viteve një vështrim historiko-politik në gazetën e parë opozitare postkomuniste, në RD (29 dhjetor 1998) me titull “Kosova të bashkohet me Shqipërinë”, e cila tashmë nuk është një thirrje, nuk mbetet veç apel kombëtar, por është një domosdoshmëri historike drejt së cilës duhet ecur pa u ndalur, pa shmangie, vendosmërisht.

Filed Under: Analiza Tagged With: Azgan haklaj, Kosova te bashkohet, me Shqiperine

GURËT E RUBINIT ATDHETAR TË AZGAN HAKLAJT

February 2, 2014 by dgreca

Nga Sali MANDRI/

Personaliteti i Azgan Haklaj përbëhet nga tre gurë të ndritshëm Rubini.Guri i parë është guri politik, ku Haklaj me karizmën dhe qëndresën e pashembullt u bë një model i triumfit të lirisë dhe të drejtave njerëzore, qoftë edhe nga qelitë e neo-diktaturës ku e izoluan për shkak të hapsirave të lirisë që ai zotronte brenda shpirti të tij.

Guri i dytë është guri artistik. Artist i lindur, bir i ujrave të kristalta dhe i drurëve magjik shekullor. Haklaj e kishte dhe e ka “thembrën e Akilit” në këmbë, teksa në valle fluturon si shqiponjat e maleve të tij krenare.

Guri i tretë, jo më pak i ndritshëm, është ai publicistik, angazhimi i tij në vektorin e të drejtës shqiptare kundër devijimit dhe manipullimit historik, kundër dallkaukëve dhe puthadorëve, kundër jeniçerëve të së keqes dhe kurorëshkelësve të atdhetarisë.

Të tre këto gurë vezullues bashkohen e shkrihen me diamantin e madh të veprimtarit të përkushtuar të çështjes kombëtare, duke vazhduar devizën e të parëve të tij, që u bënë flakadanë lirie në qiellin e qëndresës shqiptare.

Nëse të parët e tij i kulmuan armët e lavdisë në betejat e trojeve etnike Azgan Haklaj, ky pinjoll i ri i derës historike kulmon mbresa, reflektimet, replikat, shpirtin polemik në qindra shkrime dhe opinione që synojnë të mbajnë ndezur pishtarin e të drejtës kombëtare.

Azgan Haklaj e ka marrë gurin e vendlindjes, gurin e Shkëlzenit dhe e ka mbjellë me dashuri kudo ku ka shkelur:  në Tiranë, Shkup, Kumanovë, Prishtinë, Gjilan,Artë e Filat, e ka mbjellë në Sarandë në thellësi të ujrave të Jonit, në malet e Sharrit, në grykat e Kaçanikut, në ugarët e Lushnjës e Ksamilit, në Shosh, Theth, Kelmend, Dibër, Lumë, Drenicë, bashkë me tingujt magjikë të Arif Vladit, Fatmira Breçanit, Gëzim Nikës, Shaban Zenelit, bashkë me trazimet poetike të Ali Podrimjes, Azem Shkrelit, Ismail  Kadaresë, Dritëro Agollit, Hamit Aliajt, në ujëvarën e hapave magjik të Besim Zekthit, Rexhep Çelikut e Liri Cingut duke qenë vetë një artist i përmasave europiane.

 

Si president i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar, Azgan Haklaj, ka mbjellë në çdo cep të Shqipërisë jo vetëm këngën dhe vallen, vargun poetik dhe meloditë e etno-fisnikës sonë kolektive, por edhe shpirtin e tij të bardhë si bora e Korabit dhe Shkëlzenit.

Azgan Haklaj e ka marrë gurin mitologjik të Sifizit dhe e ka ngjitur përpjetë kohës së tij me një kurajo dhe mundim sizifian, por ndyshe nga heroi mitik Haklaj e çon gurin gjer në majë dhe nuk e lë të rrokulliset poshtë.

Shqiptaria e Haklajt, shqiptaria e Fishtës, Konicës, Lasgushit, Mjedës, Ali Ahmetit, Dedë Gjo Lulit, Nënë Terezës, Ibrahim Rugovës, Ismail Kadaresë, Ramush Haradinajt, është Shqiptaria Reale, e cila tashmë nuk është një iluzion por një realitet në veprim.

Për nga shpirti polemist Haklaj mund të quhet një Konicë i ri. Por ai nuk e ka polemikën qëllim në vetëvete, por një mundësi për të shprehur opinion e tij të shëndetshëm dhe për të vënë piketa atdhetarie në kohën e tij.

Librat e Azgan Haklajt janë dëshmi e gjithë kësaj tabloje mbresëlënëse, të cilën ai e ka krijuar me një përkushtim të admirueshëm.

Librat e tij janë një tjetër Gur Rubini që i bashkohen vektorit të shpresës shqiptare për një komb natyral në Europë.

* Poet, publicist,   Dibër

 

Filed Under: ESSE Tagged With: atdhetar, Azgan haklaj, guret e rubinit, Sali mandri

KUSH I SHKRIN PËRGJITHMONË AKUJT NË JANAR? FLAKA E JANARIT…!

January 17, 2014 by dgreca

NGA Azgan HAKLAJ/

Janari është muaji i rëndë prej peshës së acarit e akullit, prej cikloneve dhe të ftohtit. Ndoshta jemi kombi i vetëm në kontinent që nuk e veçojmë për keq këtë muaj të zorshëm. Kjo, jo për mospërfillje, por me faktin se ngjarjet që dominojnë janarin, janë të shenjta për kombin shqiptar . E pikërisht kjo koiçidencë herë e mirëpritur e herë fatale ka bërë që janarin ta konsiderojmë e ta nderojmë. E nderimi i shqiptarit për më tepër kur bëhet fjalë për prijësit e tij, nuk pyet për akuj. I shkrin akujt me ngrohetësinë e shpirtit, me duhinë e zemrës.Pikërisht kjo parantezë më ka ardhë në mendje gjashtë vite radhazi tek kam qënë i ftuar në aktivitetin që organizon çdo vit komuna e Gjilanit me mbështetjen e Qeverisë së Kosovës. Titullohet “Flaka e Janarit” dhe është kulturoro-politik mbarëshqiptar. E pikërisht aty në Gjilan, ku me ditë të tëra rri i ndezur flakadani që skuq qilimin e bardhë të dëborës e shkrin akujt e ftohtësinë e janarit, mora shkas e frymëzim të hedh disa rreshta përkujtimi e homazhi.

Janë rreshta për ata burra atdhetarë e prijës legjendarë apo heronj e martir, që fizikisht u shuan në janar. Janë fjalë nderimi për ato kuvende burrash të kombit që përkundër akujve të janarit, u mblodhën, kuvenduan e u besatuan për Atdhe dhe ngrohën jo vetëm zemrat por dhe vet motin si dragojtë në shkrimet mistike.

Akujt e janarit do të shkrihen nga oshëtima e lajmit tragjik për vdekjen e Gjergj Kastriotit. Ofshama e vajit të burrave dhe grave shqiptare, jehoi ndër hone duke rrëzuar ortiqet. Por ajo që shkriu akujt e janarit të zi ishte mesazhi i bashkimit.

Kalandarët do të përcillnin sëbashku me janarët, ngjarje të tjera në histori, për të ardhur tek janari 1920. Akujt që kishte krijuar Konferenca e Ambasadorëve në Londër e prononcimi tragjik për shqiptarët i Bis Markut në Berlin, do të treteshin nga fjala e besatimi i burrave të mëdhenj të kombit tonë të tubuar në Kongresin e Lushnjës. Sulejman Bej Delvina, ky patriot e vizionar i shquar kishte lëshuar kushtrimin për të ndalur coptimin. E ajo ditë e 94 viteve më parë do të ishte jo vetëm barrikada e moscoptimit por dhe fati i themelimit të kryeqytetit të kombit tonë, Tiranës . Kjo pasi burri i shquar i Matit, Ahmet Zogu, në krye të trupave të qeverisë së Lushnjës, do të çlironte Tiranën, e kancelarive të Europës do ju tregonte se për fatet tona do të ishim vet zot.

E kështu, historia e janarëve s’do të kish mbarim.

Më 17 janar 1982 i ftohti e akulli do të ngroheshin nga lotët e nënave kosovare, pasi në Shtutgard të Gjermanisë u vranë tragjikisht nga U.D.B-ja jugosllave, pionierët e lirisë, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe nipi i tyre, Kadri Zeka.

Dy vite më pas, më 11 janar 1984, në lagjen e Vranjeve të Prishtinës, gjaku i martirëve të kombit, Rexhep Mala e Nuhi Berisha, skuqi kodrën dhe shkrin akullin e status-quosë së rreme të vendosur me dhunë nga Serbia. Jeta fizike e heronjve mbaroi, por mesazhi i atij janari mbijetoi duke u shndërruar më 1998 në simbol të U.Ç.K-së.

Heronjtë e janarit në Kosovë mbetën simbole të lirisë, sepse me jetën e tyre u sakrifikuan që të jetësonin vendimet e Konferencës së Bujanit, për të drejtën e Bashkimit Kombëtar e mbajtur më 1-2 janar 1944.

Por në memorien e janarit mbetet loti i madh i kombit tonë për prijësin e vizionarin, politikanin e misionarin e lirisë e pavarësisë së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.

Ngjarje si këto, pak nga të shumtat që përmenda në këto rreshta, e bëjnë janarin të nderohet për jetë e të kthehet në muaj pelegrinazhi, respekti e homazhi, duke e vënë në muzeumin e memories të vlerave tona nacionale.

Filed Under: Featured Tagged With: akujt e Janarit, Azgan haklaj, kush i shkrin

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT