10 SHKURT- Kujtojmë Editorin e DIELLIT Bahri Omari me rastin e 110 Vjetorit të Diellit dhe 130 vjetorin e Lindjes/
Në foto: Familja Omari me 1941 ne Bari te Italisë/Me 10 Shkurt 1889 lindi në Gjirokastër Bahri Omari, një ndër intelektualët idealist, që për fat, rrethanat jetësore do ta sillnin në moshën 26 vjecare në SHBA, për të marrë drejtimin e gazetës “Dielli” në kohë kritike, kur fatet e Shqipërisë ishin në duart e Shqiptarëve të Amerikës, Kur VATRA vepronte në vend të shtetit të vdekur shqiptar. Në kohën e Bahri Omarit si editor i Diellit dhe Kol Tromarës si Kryetar i VATRËS, Perëndia kishte zgjedhur Shqiptarët e Amerikës që të shpëtonin Shqipërinë. Kështu shkruante Dielli i 3 Qershorit 1917, Ku dy “kokat” e Vatrës, udhëhiqnin fushatën “Për Shpëtimin e Shqipërisë”, që i priu dhe siguroi mbrojtjen e Pavarësisë së humbur në Konferencën e Paqes në Paris. Por ndërsa Kol Tromarën e Bahri Omarin, Perëndia i vuri në krye të shqiptarëve të Amerikës për të shpëtuar Shqipërinë, e cila ua shpërbleu tragjikisht duke u dhënë plumbin për të vetmin faj se e deshën Atdheun, ndaj patën lënë Amerikën që të bënin Shqipërinë!
U kthyen, pa e ditur se po firmosnin aktin e fundit të tragjedisë së tyre. Dhe të dy, ashtu si dhe bashkëluftëtari i tyre Vatran Aqif Përmeti, u përballën me gjyqin absurd special, ku atdhetarët akuzoheshin për tradhëtarë dhe ata u dënuan me pushkatim. Bahri Omari në fjalën e fundit para Trupit Gjykues tha :”Unë nuk kërkoj mëshirë, kërkoj drejtësi(Sipas Testamentit të ish Kryeprokurorit Bedri Spahiu). Edhe në qeli në pritje të pushkatimit, Bahri Omari do të tregonte shpirtin fisnk. Kur i biri e vizitoi në qeli, i tregoi se po bënin përpjekje për t’ia shpëtuar jetën, ai edhe pse nuk besonte tek falja e komunistëve, e porositi të birin: Kini parasysh edhe Kolën(Tromarën) se ai nuk ka kënd…Natyrisht që vendimi nuk ndryshoi. Të 17-ët e dënuar nga gjyqi special u pushkatuan me 14 prill 1946. Sipas dëshmisë të Astrit Bishqemit, të birit të Tahsim Bishqemit(pushkatuar), i cili ndoqi i fshehur skenën e pushkatimit tek Kodra e Priftit dhe kishte dëgjuar zërin e fortë të Bahri Omarit, drejtuar Kryeprokurorit Bedri Spahiu, kur iu kërkuan të kthenin shpinën nga skuadra e pushkatimit:Dëgjo Bedri Spahiu, unë nuk jam tradhtar dhe nuk e kthej kurrizin. Ta dish se dhe nga varri, Bahri Omari, do të punojë për Shqipërinë!(referuar librit”Bahri Omari-Jeta dhe veprimtaria”, e autores Donika Omari.
… Por le të kthehemi pas në kohë.
***
BAHRI OMARI, NGA HIMARA NE SHBA
Bahri Omari ishte i biri i Iliaz Omarit, vëlla i vetëm i dy motrave nga një familje atdhetare gjirokastrite. U arsimua në Gjirokastër dhe Janinë, ndërsa studimet e larta i kreu në Stamboll, në Mekteb-i Mylkije. U diplomua në shkencat administrative më 1910. Pat punuar nëpunës i administratës në Kurvelesh, ndërsa pragshpallja e pavarësisë e gjeti si nënprefekt në Himarë. Këtë post e mbajti edhe pas shpalljes së qeverisë së Vlorës,ku u shqua në përballjen me armë në dorë kundër andartëve grekë ”vorio-epiriotë.”
Si shumë intelektualë të tjerë shqiptarë të kohës së Luftës Ballkanike, Bahri Omari zgjodhi rrugën e emigrimit. Mbërriti në Amerikën e Veriut, fillimisht në Bufalo, dhe u vu në dispozicion të Federatës Pan- Shqiptare të Amerikës.
***
Bahri Omari erdhi në krye të Diellit në këto rrethana: Paqja mes Kostë Çekrezit, editorit që e bëri Diellin të përditshëm që me 8 nëntor 1915, dhe Komisionit të Vatrës, nuk qe e qëndrushme. Komisioni që u mblodh me 19 Dhjetor 1915, nuk e pranoi, por e hodhi poshtë kandidaturën e Kostë e Çekrezit me argumentin se ai kishte shkelë konditat me të cilat qe marrë vesh me Komisionin, të cilat ishin botuar edhe në numrin 528 të gazetës.
Detyra e Editorit të Diellit iu nga ngarkua përkohësisht kryetarit të asaj kohe, Fan S Nolit. Kështu vendosi Komisioni me shumicë votash dhe Noli nuk e refuzoi detyrën deri në Kuvendin e radhës. Për rreth 7 muaj gazeta Dielli u editua nga Imzot Fan S. Noli.
Kryetari i Vatres dhe editori Noli, nuk do të merrte rrogë të vecantë si editor, por iu gjet një ndihmës Editor, Andon Frashëri me një rrogë 40 dollarë në muaj.
BAHRI OMARI DHE RAUF FICO, DY KANDITATËT PËR EDITOR
Diskutimin për dy kandidatura për editor të Diellit gjenden në rekordin e Vatrës, mbajtur nga Komisioni që drejtonte VATRËN. Rekordi që ndodhet në arkivin e federatës mbanë datën 7 Maj 1916. U la që dy kanditë të rinj të parqiteshin para Komisionit për t’u intervistuar se çfarë platformash mendonin për ta bërë gazetën më të fuqishme. Një muaj më vonë, në një rekord tjetër të Federatës e Vatra, që mbanë datën 8 qershor 1916, informohemi se ishin paraqitur dy kandidatura për tu shqyrtuar; ajo e Bahri Omarit dhe e Rauf Ficos. Do të zgjidhej njëri prej tyre. U mor vendimi që Kuvendi vjetor të mblidhej sipas Kanunores me 2 deri 4 Korrik 1916 dhe aty të vendosej edhe për editorin e ri.
Në seancën e ditës së katër të Kuvendit, që i kishte nisë punimet të dielën me 2 Korrik, u shtrua para delegatëve kandidatura e Bahri Omarit si editor i Diellit. Ai u pranua njëzeri. Kandidatura e dytë, ajo e Rauf Ficos, që më vonë do të bëhej një nga diplomatët më të zëshëm të Shqipërisë, nuk u hodh në votë për dy arsye; së pari Omari mori shumicën e votave, së dyti, sepse miqtë e kandidaturës së dytë argumentuan se z. Fico ndodhej në Elbasan dhe nuk mund të vinte në këtë kohë trazirash nga Shqipëria në Amerikë. U vendos që rroga e editorit të ishte 70 dollar në muaj, ndërsa e menaxherit të Diellit 50 dollarë në muaj(Kuvendi zgjodhi Mahmud Përmetin menaxher) dhe ndihmës editor u rizgjodh Andon Frashëri, rroga e të cilit u caktua që të lihej aq si ishte edhe në kohën e Nolit, 40 dollar në muaj.
Edhe një vit më pas, në Kuvendin e 1-13 korrikut 1917, kur kandidatura e Bahri Omarit kishte përballë kandidatin Kostë Çekrezi, Omari doli sërish fitues me 40 vota nga 32 që mori Çekrezi.
Nën drejtimin e Bahri Omarit Dielli vijoi të kryej misionin e tij informues dhe të rrisë patriotizmin në radhët e shqiptarëve të Amerikës, të përçjellë frymën vatrane në çdo koloni ku jetonin shqiptarët. Rritjes së frymës Kombëtare gazeta i jepte përparësi duke i parapërgatitë shqiptarët e Amerikës për sakrifica në emër të Atdheut që vuante nën pushtim dhe egërsinë e fqinjëve për ta ndarë copash Shqipërinë. Evokimi i figurave kombëtare ishte një formë që Dielli e përdori për të rritë shpirtin patriotik. Përmes gazetës mësojmë se shqiptarët e Amerikës nën drejtimin e Vatrës po përgatiteshin për të kryer detyrën e mbrojtjes së Shqipërisë në mungesë të Shtetit.Për këtë qëllim Komisioni kishte shtruar detyrën që të dërgohej në Evropë Mehmet Konica me kredenciale për mbrojtjen e çështjes shqiptare. Vatra kishte kohë që vepronte në vend të shtetit të munguar shqiptar.
Nën drejtimin e Bahri Omari Dielli përveçse vazhdoi të publikohej si gazetë e përditshme, u zmadhua edhe në format dhe doli me gjashtë shtylla(Kolona). Kjo ndodhi me 30 Dhjetor 1916.
Bahri Omari përcolli ngjarje dhe zhvillime të vrullshme që po ndodhnin përgjatë luftës botërore. Hyrja e Amerikës në luftë në prill të vitit 1917 e kishte bërë Vatrën të intensifikonte veprimtaritë për t’i paraprirë sigurimit të pavarësisë së humbur. Dielli dhe vatranët duartrokitën ngritjen e Flamurit shqiptar nga ushtria franceze në Korçë. Me këtë rast gazeta e Vatrës shkroi se Shoqëria korçare “Arsimi” organizoi një miting madhështor në Boston, duke pasur edhe mbështetjen e Vatrës, ku drejtues dhe folës kryesor ishte Kristo Kirka, ndërsa Thoma Natsi drejtoi muzikën.
BAHRI OMARI NGJATJETON VATRANËT
Në numrin e parë të Diellit të drejtuar prej Bahri Omarit, 7 Korrik 1916, publikohet editoriali me titull ”Mirë se ju gjeta”!. Mënyra e komunikimit të editorit me vatranët në vecanti dhe lexuesit në përgjithësi është i hapur dhe i sinqertë: “ Dëshira e madhe që kam patur kurdoherë se si t’i shërbej atdheut dhe Kombit m’u kurorëzua me redaksinë e Diellit, me shërbimin më të ëndërruar, e çila është arma më e madhe në botë. Shtypi është,siç duan ta thonë disa shkrimtarë të dëgjuar, e katërta fuqi përmi të tri fuqitë që janë në qeveritë konstitucionale. Me rëndësinë e madhe që ka shtypi, është i zoti të sjellë fitim a dëme të mëdha si pas qëllimit që ka përpara…”
Editorit zotohej para lexuesëve që në editorialin e parë: ”Do të derdhim të gjitha fuqinë për mbrojtjen e Atdheut dhe e vetmja politikë që do të ndjekë Dielli do të jetë përlindja shqiptare.
Editori Omari u jepte fjalën vatranëve se se do të ndiqte vetëm rrugën kombëtare dhe se Diellin do të përpiqej ta zmadhonte e ta zbukuronte me qëllim që të kishte një vend të ndritshëm midis gazetave më të mira të kohës. Ai ndjehej krenar për shqiptarët e Amerikës, të cilët meritojnë, siç shkruante ai, më të madhen lavdi për zhvillimet dhe përparimet që kanë rrëfyer e po rrëfejnë në fushën kombëtare ; cilësitë patriotike të shqiptarëve të Amerikës janë shumë më të larta se mburrjet tona:shpresa jonë është lidhur gjithë në mbrojtjen dhe përkujdesjen e asaj patriotizme.
Editori i paralajmërontë shqiptarët e Amerikës se beteja për ta bërë Shqipërinë do të ishte e gjatë dhe e vështirë sepse: “Shqipëria është vendi ku përplasen valët e intrigave dhe lakmive të fqinjëve dhe është bërë një “Top” në duart e diplomacisë evropiane, prandaj ne shqiptarët, sipas vendit gjeografik që kemi(të lakmuar nga të tjerët) duhet të punojmë më shumë se kombet e tjerë të Ballkanit… Për atdhetarët e vërtetë, dëshpërim nuk ka kurrë, mundimet tona do t’i përhapin ret’ e zeza që po mbulojnë horizontet e Atdheut.
NJË LEKSION EDHE PËR POLITIKANËT E SOTËM
Shumë nga editorialet e Bahri Omarit, edhe pse janë të shkruara një shekull më parë mbeten leksione për politikën dhe në ditët e sotme. Ndiqeni editorialin e 20 Korrikut 1916” Sëmundjet morale”. Nën këtë titull editori zbërthen atë që e quan sëmundje epidemike të shqiptarëve: Sëmundja e politikës. Ai konstatonte se çdo shqiptar sheh një farë autoriteti në veten e tij, duke e gjetur veten të aftë që të bisedojë nga çdo pikpamje mbi politikën e përgjithshme, dhe më shumë për politikën e vendit të tij. Editori e zbërthen dukurinë në kompleksitetin e saj dhe mbanë qëndrim kritik: Shumë nga ne e dënojmë, e bëjmë tradhëtor, e çnderojmë ose e lartësojmë një njeri duke e bazuar gjykimin tonë mbi ca fjalë të thata liksht dëgjuar andej- këtej, pa patur as të paktën ndonjë njohuri për biografinë e atij njeriu që dënohet ose cnderohet. Tjetri, sikur ka marrë diplomë nga universiteti i Londrës, të hedh brockulla, dhe në daç t’i mbushësh mendjen, atë çast të merr nëpër këmbë dhe të shpall të paditur…
Leksioni i editorit ka vlera edhe sot: “Më e madhja çudi është kur përdorin fjalët e reja, pa i kuptuar i pëlçasin sheshit. Një sëmundje karakteristike e vendeve tona, e cila bren gjendjen sociale të një kombi. S’mund të gjesh një të tillë mani` në kombet e qytetëruar. Më të shumtët e këndonjësve tanë kanë jetuar shumë kohë në Amerikë, dhe do t’ua ketë tërhequr vëmendjen dhe do ta kenë parë se sa nuk u përket amerikanëve politika; doemos atyre që janë jashtë politikës, dhe jo atyre që e kanë për detyrë.
Editori B. Omari, gjykon se shqiptarët po trashëgonin një sëmundje greke, se më shumë ndër grekër ishte e përhapur kjo sëmundje. Ku është e keqja? Kjo sëmundje, shkruan Omari, ndalon njerinë të përparojë në punën e tij. Sëmundja politike të bën të fëlliqësh gojën dhe të prishësh moralin, të nervozohesh. Mos të imitojmë turqit dhe grekërit. Të bëhemi seriozë, këshillonte editori Omari.
Editori përpiqet që përmes Diellit të edukojë shqiptarët. Për Bahri Omarin, padija ndahet në dy: Një është ai që s’di dhe e tregon padijen. Tjetri është ai që s’di dhe s’ia ka për pesë.
Editori e quan mjerim të madh për shqiptarët që shiten si të ditur, kur nuk dinë asgjë. Ai godet veset e shqiptarëve, krekosjen, egoizmin, sharlatanizmin, dhe u kërkon shqiptarëve të përkrahin idealizmin sepse kështu i shërbejnë atdheut dhe Kombit.Ai kërkon një qeverisje shqiptare me themele e moral të fortë se morali i prishur kalbëzon rërnjët e qeverisë dhe e rrokullis në humnerë.
PENA E HIDHËT NDA ARMIQËVE DHE TRADHËTARËVE
Nën penën e Bahri Omari Dielli e solli në fokus shqetësimet e Shqipërisë për mbijetesë, i grisi maskën “qytetërimit” Europian, efektet e të cilit i provuan në kurriz shqiptarët: Kur u shkel Shqipëria prej fqinjëve të saj, sa i mori në sy Europa të drejtat e Shqipërisë që i ripej lëkura prej qeverive barbare nën maskën e qytetrimit? Më në fund Europa i gostiti dhe me nga një thelë nga trupi shqiptar. Pyesim: Ku është qytetërimi? Ku janë mbrojtësit e atyre principeve të nacionaliteteve, ku janë autorët italianë që i kanë kryer në shesh këto principe? Sa serbfolës ka në Kosovën Shqiptare? Nuk mjaftoi ç’iu dha këtij barbari sllav po dhe ta madhojmë më? Neve bërtasim se e dimë që shpata do kërcasë në kokën tonë. Se Serbi s’e ka synë veçse në Adriatik, dhe ëndrron Durrësin. Përfundimi i analizës së Omarit është: Qytetërimi përdoret në duart e të mëdhenjëve si vegël për t’u edukuar të vegjëlve dëshirat e tyre me veshjen e drejtësisë Kurdoherë idealet dhe qëllimet janë bërë dëshmorë të padrejtësisë dhe t’interesit(Dielli 25 Korrik 1916.)
Bahri Omari është i ashpër jo vetëm me armiqtë e jashtëm të Shqipërisë, por edhe me tradhëtarët shqiptarë. Ai e cilëson Esad Pashë Toptanin si Neronin e Shqipërisë. Në editorialin me titull ”Neroni i Shqipërisë”, botuar në Diellin e 1 gushtit 1916, ai shkruan:Esat Pashë Toptanit këtij gjakpirësi, s’i arritën të bënte sehir ngjarjet tragjike të mëmëdheut të tij, tani do dhe t’i verë zjarrin, si Neroni Romës. Ky gjeneral i famshëm! Ky mbrojtës i Shkodrës për të kurorëzuar veprat e tij do dhe t’i verë flakën Atdheut! Ky faqezi, pasi vizitoi fortesën e Verdunit dhe dëftoi mendjet strategjike të tij, tani bredh oborreve të Evropës duke vënë Shqipërinë, këtë mëmëz të dashur të shqiptarëve, si plaçkë pazari që të mbushë qesen, të ngopet me napolona, me flori.
Pena e Omarit është e mbushur me idhnim: Më së fundi ky vagabond zuri të ngjyrosë ne ngjyrën e tij edhe shqiptartë e shkëlqyer të Amerikës, që ti bëjë vegla të tij. Ky tradhëtor i Kombit zuri të mburret se mund të sjellë nag Amerika më shumë se 15 mijë shpirtë dhe të lëftojë,të dëftojë trimërinë e tij! Por te shqiptarët e Amerikës s’arrijnë djallëzitë e tij. Shqiptarët amerikanë jan’ aq të lartë sa s’mund t’i arrijnë kurrë pabesia e një lajkamadhi e tradhëtori. ..(Të plotë e lexoni në gazetën Dielli ne Print)