• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BAHRI OMARI, “NDERI I KOMBIT SHQIPTAR’’ SOT, “I PUSHKATUAR” NGA KOMUNISTËT SHQIPTAR, DJE

July 20, 2015 by dgreca

Bahri Omari para pushkatimit: “Ktheni ballin nga pushkët! Tradhtarët, vriten pas shpine. Ne nuk jemi tradhtarë. Historia do të jetë gjyqtari i paanshëm”./
Nga Luan Çipi/
Mendimi i dyzuar për Bahri Omarin më ka shoqëruar edhe mua qysh nga fëmijëria: Isha 11 vjeç kur kam dëgjuar për herë të parë emrin e Bahri Omarit, sepse me dhimbje të thellë, thuajse është qarë për të me ngashërim nga prindrit e mi gjirokastritë, të cilët e njihnin personalisht dhe e kishin ndjerë shpesh dorën e tij të ngrohtë. Keqardhja dhe indinjimi për këtë dënim ekstrem, që shprehte deri mosmirënjohje e pabesi (siç u quajt asokohe nga shumëkush), tejkalonte lidhjet e afërta fisnore të babës tim me Fahrijen (gruan e Bahriut) dhe bashkëpunimin e njohjen direkte të bababit tim me viktimën, bashkëmoshatar dhe ish emigrant të njëkohshëm në Amerikë.
Ishte muaji prill i vitit 1945, kur Gjyqi Special me prokuror po gjirokastritin (ish toger të Zogut) Bedri Spahiu dhe kryetar, (teneqexhiun fillorist) Koçi Xoxe, e dënoi me vdekje bujarin e ditur, Bahri Iljaz Omarin, për fajin politik se ishte me Ballin Kombëtar dhe kishte punuar 5 muaj si Ministër i Jashtëm i Shqipërisë, në Qeverinë pro Gjermane të Rexhep Mitrovicës dhe për akuza të tjera ordinere, pa asnjë fakt personal veprimi kriminal. Kjo, thjesht se ai e mendonte të dobishëm bashkëpunimin e përkohshëm me pushtuesin “rrugë kalues” (edhe pse duke gabuar) si më “të mirin” veprim për vendin e vet, për ta pasur atdheun me kufi të plota, duke përfshirë Kosovën dhe Çamërinë. Ai, bashkë me shumë nacionalistë të tjerë të kohës (përfshirë dhe kreun e tyre, nacionalistin e provuar, Mitat Frashërin), u lidhën me boshtin Italo-Gjermano-Japonez, se mendonin mbase njëanshmërisht, që aleanca me Ruso-Anglezo-Amerikanët do rrezikonte coptimin dhe ndofta deri asgjësimin e Kombit Shqiptar. (Kur për komunistët, aso kohe, as që përfillej “Kombi”, se kishte përparësi “Internacionalizmi Proletar”)
Bahri Omari u lind në vitin 1888 në qytetin e Gjirokastrës dhe ishte biri i Iljazit dhe Rehos, që formonin një familje të nderuar qytetare gjirokastrite në gjendje të mirë ekonomike dhe me tradita të lashta atdhetarie.
U shkollua në vendlindje dhe më tej në Shkollën Civile të Administratës Mbretërore “Mülkiye-i-Sehahané” në Stamboll për Shkencat Politike-Administrative.
Në moshën 25 vjeçare u emërua nënprefekt i Himarës. Në këtë funksion gjat viteve 1913-14 pati nderin të organizoj dhe udhëheq çetat patriotike kundër andartëve të pushtimit grek të Shqipërisë së jugut gjatë Luftës së Parë Botërore.
Më 1915 Bahri Omari shkoi në ShBA, ku shpejt doli në krye te emigracionit shqiptar përparimtar dhe u bë Editor i gazetës Dielli të Federates Pan-Shqiptare “Vatra”.
Në 1919 ai u kthye në Shqipëri dhe mori pjesë dy herë në zgjedhjet parlamentare, në 1921 dhe 1923, si përfaqësues i opozitës duke i qëndruar përballë partisë së Myfit bej Libohovës në prefekturën e Gjirokastrës. Në vitin 1924, gjatë qeverisë së Fan Nolit, themeloi dhe u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike-Nacionale dhe botoi e redaktoi organin e saj, “Shekulli”. Janë të njohura qëndrimet e tij dinjitoze, plot dashuri e adhurim për kosovarët dhe çamët. Bahri Omari shprehet në artikujt e “Diellit”: “Një Shqipëri e coptuar, pa zëmërën e saj Çamërinë dhe Janinën, pa kryen e saj Kosovën e Jakovën, s’mundet të ketë jetë të gjatë midis fqinjve të saj lakmonjës.”
Pas rrëzimit të qeverisë së Nolit nga Ahmet Zogu në vitin 1924, Bari Omari lëvizi nëpër Europë. Gjatë kësaj kohe u formua dhe “Bashkimi Kombëtar”, ku ai aderoi ndër të parët. Në Bari u vendos për një kohë të gjatë dhe qëndroi deri në vitin 1939, kur u kthye në Tiranë, i ndjekur dhe i survejuar nga italianët.
Me mjaft interes dhe kuriozitet shikohen marrëdhëniet me kunatin e tij, Enver Hoxhën, (20 vjeç më të ri) ku spikat kujdesi dhe përpjekjet e vazhdueshme të Bahri Omarit për edukimin, shkollimin dhe punësimin e nxjerrjen në jetën normale të tij. Këtu përfshihen për një periudhë të gjatë, ndërhyrja ndër miqtë e mbetur në Shqipëri, për t’i siguruar bursë dhe studimi i kunatit në Toulouse të Francës.
Në 1942 Bahri Omari u bë anëtar i organizatës së Balli Kombëtar. Enver Hoxha strehohej shpesh në shtëpinë e tij në Tiranë. Kunati i kujdesshëm, vazhdoi ta ndihmojë shumë Enver Hoxhën ekonomikisht gjatë kesaj periudhe, ashtu siç e kishte ndihmuar edhe më parë, gjatë studimeve të tija në perëndim.
Pas pushtimit të Shqipërisë nga Gjermania naziste, Bahri Omari, u bë Ministër i Punëve të Jashtme në qeverinë e Rexhep Mitrovicës për periudhën shkurt – qershor 1944. Në këtë pozicion, pa i vërtetuar ndonjë krim e ndëshkim, ai u arrestua dhe u burgos fill mbas Çlirimit dhe u dënua me vdekje nga Gjyqi Special, në prill të vitit 1945.
Gjyqi u zhvillua në kinema “Kosova” (sot “Teatri Kombëtar”), ndërsa mijëra vetë e ndiqnin atë nëpër rrugë, seancat transmetoheshin edhe nga altoparlantët që qenë vendosur kudo në Tiranë. Vendimi u dha më 13 prill 1945, ora 10.00. U ekzekutua ditën e nesërme dhe trupi u hodh në një hendek tek Kodra e Priftit në Tiranë.
Duhet të theksohen virtytet e larta të publicistit, atdhetarit dhe politikanit demokrat Bari Omari dhe sidomos guximi dhe trimëria e tij, që spikati sidomos para pushkatimit, në moshën 56 vjeçare, kur, pa iu trembur syri, u thirri shokëve:
“Ktheni ballin nga pushkët! Tradhtarët, vriten pas shpine. Ne nuk jemi tradhtarë. Historia do të jetë gjyqtari i paanshëm”.
Dhe në këto momente madhështie kulmore, (po të përjashtojmë 5 muajt kur vërtetë gaboi deri në faj), gjithkujt i del para syve me admirim, jeta e tij plot përpjekje, atdhetari e deri heroizëm, si publicist, nëpunës shteti, deputet e politikan demokrat, që veproi gjithë jetës me qytetari e në luftë parimore:
Në Parlamentin Shqiptar ai ishte pjesëtar i opozitës, krahas personaliteteve të njohura si Fan Noli, Luigj Gurakuqi, Sulejman Delvina si edhe më të rinjve: Stavro Vinjau dhe Ali Këlcyra. U shqua si pjesëmarrës në diskutime për çështje të rëndësishme, siç qenë plotësimet kushtetuese të Lushnjes, që njihen si ”Statuti i zgjeruar i Lushnjes” dhe ku, ndër të tjera, dilte në mbrojtje të laicitetit të shtetit shqiptar. Vlen të përmendet veprimtaria e tij aktive parlamentare në mbrojtje të të drejtave të njeriut, në mënyrë të veçantë të të drejtave të grave. Gjithashtu kujdesi për pavarësinë e parlamentit, ku mbahet mend këmbëngulja e tij me postulatet: “Mjerë ai shtet që ligjet i bazon në ambicionet politike”, ose “Parlamenti nuk duhet të shndërrohet në gjykatë”, dhe “Qeveria duhet të marrë informata…që nëpunësit që emëron të mos kenë kryer krime”. E të tjera ndërhyrje parimore demokratike që vlejnë si model edhe për ditët tona. E tillë është p.sh., vërejtja që bën për zbatimin e ligjit në mënyrë të barabartë për të gjithë shtetasit. Ose porosia për lirinë e shtypit, që: “Gazetarët duhet të kenë të drejtë të kritikojnë qeverinë.” dhe shumë ndërhyrje të tjera që e dëshmojnë si shembull të deputetit që është vërtet në shërbim të interesave të elektoratit dhe që evidentojnë veçanërisht kompetencën e tij në fushën e administratës publike, për të cilën ishte diplomuar.
Bahri Omari dallohej edhe për mendimin e tij të pavarur e origjinal, kur del në disa raste edhe kundër mendimit të kolegëve të tij të opozitës, ndërsa u qëndron besnik deri në fund parimeve që mbronte opozita demokratike koseguente. Vlen të vihet në dukje se, sikurse pjesa më e madhe e deputetëve të kohës, ai dallohej për etikën e lartë në debatet parlamentare, shpeshherë të nxehta, pa kaluar asnjëherë në fyerje ndaj kundërshtarëve, çka mungon sot dhe duhet të jetë shembull e mësim i mirë për çdo parlamentar.
Pa dyshim një periudhë e vështirë e jetës së Bahri Omarit ishte Shqipëria e fillimviteve 1944, kohë kur desh të zgjidhte mes pushtimit nazist dhe Shqipërisë komuniste. Ajo zgjedhje e vështirë vuri në dilemnë shumë burra shteti. Ishte nga një anë pushtuesi, që sillte bashkimin e tokave shqiptare dhe për kundrejt “aleatët”, nga rrezikohej deri cungimi e mohimi i krejt Shqipërisë. Një shqetësim tjetër imediat ishte frika nga komunizmi për Shqipërinë, një regjim që s’kishte sjellë rezultatet e pritura gjetiu. Nga ana tjetër ishte mendimi se, duke mos zhvilluar luftën e duhur ndaj pushtimit nazist, pas lufte Shqipëria rrezikonte shpërbërjen si shtet i pavarur.
Sidoqoftë, pjesëmarrja në anën e kundërt, pra në Organizatën e Ballit Kombëtar, si edhe pranimi i funksionit si këshilltar shtetëror dhe për më tepër, ministër gjatë pushtimi gjerman, i kushtuan shtrenjtë Bahri Omarit. Këtu mendoj se ndikoi dhe dhe lidhja familjare me Enver Hoxhën, i cili vuri pandehmën e shpikur se, ndërhyrja për t’i shpëtuar jetën të kunatit, ishte “kurth ndaj tij për ta denigruar politikisht”!
Askush nuk e mendonte dhe nuk do kërkonte deri dënimin me vdekje të Bahri Omarit. Një dënim si i implikuar me kundërshtarin politik po, por jo kapital. Edhe vet babai i diktatorit, Mulla Halili, mbajti qëndrim të prerë dhe e dënoi deri me mohim të përkohshëm birin e tij, gati indiferent e mosmirënjohës. Dënimi kapital i Bahri Omarit ishte një ekstremitet i paligjshëm i një trupi gjykues inkopetent, tendencioz dhe partiak, që nuk kishte asnjë jurist në përbërjen e tij. Gjyqi patjetër duhet të kishte marrë parasysh kontributin e tij në shërbim të vendit, si deputet i parlamentit të parë shqiptar, si publicist i njohur atdhetar, si Vatran, si politikan i ndershëm e demokrat, të merrte parasysh se postin e ministrit e mori në një kohë kur kjo ishte një sakrificë me rrezik e pa asnjë përfitim dhe së fundi, duhet të vlerësonte ndihmën që i dha lëvizjes kundër pushtuesit dhe vetë kreut të kësaj lëvizjeje. Një shtet ligjor nuk do ta ekzekutonte, por shteti shqiptar i pas 1944-ës, jo vetëm që nuk ishte as demokratik, mandej as i ligjshëm e deri atëherë, as i votuar e i zgjedhur.
Kaluan mbi 70 vjetë nga koha e pushkatimit prej komunistëve të atdhetarit Bahri Omari dhe ende gjëmon në vesh thirrja dhe profecia e tij trimërore: “Ne, nuk jemi tradhtarë! Historia do të jetë gjyqtari i paanshëm”. Erdhi shpejt koha që ai burr i shquar i kombit, deputet, publicist dhe demokrat përparimtar, vatran i Amerikës, u rigjykua nga historia dhe nga Presidenti i Republikës, (që është edhe jurist në arsimim dhe aktualisht kreu e përfaqësuesi i drejtimit legjislativ të vendit) dhe u shpall “Nderi i Kombit”, çka është njësoj si të jetë falur, rilindur e nderuar në shkallë kombëtare. Dhe kjo, na gëzoi të gjithëve!Ishte Federata “Vatar” e Amerikes ajo qe i propozoi Presidentit dekorimin e Bahri Omarit.

Vlorë, më 20.07.2015

Filed Under: Histori Tagged With: Bahri Omari, i pushkatuar, Nderi i Kombit, nga komunsitet

MANIA E ARTIKUJVE

November 10, 2014 by dgreca

NGA BAHRI OMARI/*
Shqiptarët e Amerikës kanë maninë të shkruajnë artikuj nëpër gazeta dhe e shkojnë çdo kufi me këtë mani. Sicili që ka zënë të mësonjë Abecenë, ndjen fuqi në vete të shkruajë një artikull, qoftë për politikë, qoftë për kritikë. Pas eksperiencës që kemi patur, afro këto dy vjet, nuk mundim të ndajmë më tepër se 40-50 veta që t’ua zërë dora pëndën dhe të dinë se ç’shkruajnë.
Shkrimi me fjalimet ndryshon tepër; shumë dinë të fjalosen bukur, po nuk dinë të shkruajnë. Gjithashtu ka shkrimtarë mjaft të lartër që nuk flasin dot si shkruajnë. Po shqiptarët nuk i ndajnë këto gjëra dhe duan të gjithë të bëhen artikullshkronjës.
Një shkrimtar duhet të marrë para sysh vështirësinë e asaj që do të shkruajë. Duhet të dijë si niset dhe si përfundohet një artikull.
Dimë njerës që e kanë prerë të marrët e gazetës sepse nuk ia botoj Redaktori artikullin.
Munt të themi që artikullshkronjësia është bërë sëmundje nër ne, dhe shumë shqiptarë kanë idenë që pajtimin e tyre në gazeta e japin që të kenë të drejtë të shkruajnë. Shtypi përkrahet si vegël përparimtare, si gjë e cila mpron të drejtat e kombit dhe jo për një ide aq foshnjarake.
Kjo mani i bën shqiptarët t’i përsëritin artikujt mi një themë. Po kjo bëhet kur i zoti i artikullit të dytë kërkon ta zhvillojë çështjen ca më mirë, ose ta gjykojë nga një pikëpamje tjatër.
Sikur t’i marrim t’i studiojmë festimet e ditërave të shënuara dhe t’i kqyrim raportet që vinë nga kollonitë, shumë pak ndryshim do gjejmë nga njëri te tjatri. Gjithashtu mi lëvizjen e grekomanëve, nuk do gjejmë nonjë mendim të ri, gjithë përsëritet e para, me një mënyrë që e velin njerinë fare.
Në çdo gjë ka një mënyrë, ka një rijësim (nouveauté) e cila bëhet me qëllim të mos e mërzitë njerëzinë. Kur do shkruajmë gjësendi, të përpiqemi t’u servirim nonjë gjë të re këndonjësve që t’u heqim vrejtjen ta këndojnë atë që shkruajmë. Artikuj që shkruajnë shqiptarët e këtushmë – përveç disa të pakëve – janë ja personale, ja për grekomanët, ja për fillimin e nonjë shoqërie. Shumë të pakë janë ata që mundin të shkruajnë gjëra mi thema të përgjithëshme.
Le të heqim dorë nga mani e artikujve se nuk u japëm rast atyre që dinë ta ndritojnë gjëndjen me shkrime të vyera. Duhet ta përkrahim shtypin jo për të botuar artikuj, po si vegël përparimtare të qytetërimit.
Botoi, DIELLI,4 janar 1917

Filed Under: Editorial Tagged With: Bahri Omari, MANIA E ARTIKUJVE

SËMUNDJET MORALE

November 7, 2014 by dgreca

SHKROI: BAHRI OMARI*/ Dielli,20 korrik 1916/
Mjerisht një sëmundje epidemike po shumohet midis shqiptarëve: sëmundje e politikës. Çdo shqiptar të thuash se sheh njëfarë autoriteti në vethen e tij të bisedojë nga çdo pikëpamje mbi politikën e përgjithëshme ose më shumë të vendit të tij. Dhe shumë nga ne e dënojmë, e bëjmë tradhëtor, e çnderojmë ose e lartësojmë një njeri duke bazuar gjykimin tonë mi ca fjalë të thata likshtëdëgjuar andej-këtej, pa patur as të pakën e së pakës nonjë njohuri për biografin e atij njeriu që dënohet ose çnderohet. Tjatri, sikur ka marrë diplomë nga universiteti i Londrës, të hedh broçkulla; dhe në daç t’i mbushësh mëndjen, atë çast të mori nëpër këmbë dhe të gjeti të paditur. Më e madhja çudi është kur përdorin këto fjalët e ra, pa i kuptuar dhe i pëlcasin sheshit. Një sëmundje karakteristike e vëndeve tona, e cila bren gjëndjen sociale të një kombi. S’mund të gjesh një të tillë mani në kombet e qytetëruara. Më të shumët e këndonjësve tanë kanë jetuar shumë kohë në Amerikë, dhe do t’ua ketë hequr vërejtjen dhe do ta kenë parë se sa nuk u përket amerikanëve politika; doemos atyre që janë jashtë politikës, dhe jo atyre q’e kanë për detyrë. Po trashëgojmë një sëmundje greke, se më shumë në grekër është përhapur kjo sëmundje. Kjo sëmundje ndalon njerinë të përparonjë në punën e tij dhe e bën nevralgjik. Kjo sëmundje të bën të fëlliqësh gojën dhe të prishësh moralin. Mos të imitojmë turqit dhe grekërit. Të bëhemi seriozë.
Padija ndahet më dy: Një është ay që s’di dhe e tregon padijën, tjatri është ay që s’di dhe s’ia ka për pesë. Në këtë sërën e dytë hyjnë dhe ata që kanë marrë një mësim superficiel (d. m. th. si e shkruara mbi akull). Nga kjo radhë janë më shumë ata të mjerë politikanë të cilët janë gati të të shesën nga çdo degë shkënce dhe diturie, apo s’u vjen rëndë të të tregojnë mësimet e larta prej universiteteve! të dyshimta. Oh! sa mjerim i math për ne të gjorët që s’dimë se sa na vlen lëkura! Mori botën më qafë gjithënjë çarlatanizma, e cila humbet idealin dhe mendimin qëndrestar, që është faktori m’i math në përparimin e përgjithëshmë të njerëzisë, se i vjen mbarë sicilit të shesë pa blerë, që të marrë famë. Shumë një mikrob i lik!
Si këto, dhe egoizma zë një vënt të math midis moraleve tona të prishura; pothua u bë zakon, pa dëgjuar ndopak zënë ndërgjegjësor, t’i mohojmë vlerën tjatrit, kurse vetja jonë është për të qarë hallë; tallen të verbërit me atë me një sy. Si e si ta biem fjalën mi një pikë që ai tjatri nuk e di, dhe atëherë shkrijmë tërë diturinë tonë të paqënë; dhe ç’nuk thomi, se kështu e dimë që nuk na e gjejnë dot kleçkën. Lipset të jemi seriozë me zëmër dhe jo me fjalë, të mbajmë cilësitë e prindërve dhe të hedhëm ato të ndyrat, të cilat na kanë ardhur jashtazi nga kombet që kanë shkelur Shqipërinë. Ta ndreqim Qeverinë Shqiptare me themel të pa tundur, se moral i prishur kalbëzon rrënjat e qeverisë dhe nuk e lë të vepëronjë lirisht, e pengon dhe më në funt e rrukullis nga maj’ e shkëmbit. Cilësit e liga qenë që dërrmuan Qeverinë Romane dhe ra në duart e Barbarëve.

Filed Under: Editorial Tagged With: Bahri Omari, editorial i Diellit, Semundjet morale

SHQIPËRIA DHE FQINJËT E SAJ

November 6, 2014 by dgreca

NGA BAHRI OMARI*/
Shtetet që ka Shqipëria reth e rotull, asnjë syresh nuk e ka të besës; që të gjithë shikojnë si e si të mahen duke ngrënë nga misht’ e Shqipërisë. Shqiptarët duhet të marin përpara sysh që do të hahen me gjithë fqinjët në Konferencën e Paqes. Se Sërbi nuk afrohet gjëkundi të heqë dorë nga Kosova, gjith’ ashtu dhe Mali i Zi nuk duket të heqë dorë nga Jakova. Po e keqja nuk është në kërkimet e paturpshme të këtyre, por është tek të mëdhenjtë që shikojnë t’u fërkojnë kokën për çdo që kërkojnë.
Aleatët e shikojnë me një sy tjatër Sërbin, të cilin e quajnë më besnikun e tyre. Sërbia sot ka fituar simpathinë më të madhe të Aleatëve, shtypi i të cilëve e përkrah gjer në pikën e fundit. Të mos gënjehemi dhe të pandehim se parimet për mprojtjen e kombësive të vogla do zbatohen pikërisht dhe për Shqipërinë.
Ta dimë sigur që interesat e Shqipërisë nuk kanë hyrë në një radhë me të së tjerëve. Fqinjët tanë shikohen me një sy më simpathik; me fjalë të tjera ne jemi të njerkës. Që t’i bëjmë Aleatët të na kujtojnë duhet diç t’u rëfejmë që t’u heqim vrejtjen. Fatkeqësia jonë na la pa Qeveri, pa mëmë, duhet si bonjakë t’i bëjmë gjithë punërat vetë. Po të vonojmë së pregatituri këto gjëra, ta dimë që jemi të humbur kurdoherë.
S’duhet të mallëngjehemi nga fjalët e bukura duke pandehur se do na i njohin të drejt pas parimeve që kanë dekllaruar. Parimet janë dekllaruar për të tjerët dhe jo për ne, të mos na gënjejë ajo mëndje.
Fqinjët dhe sidomos Sërbia është një rezik i math, se asnjë herë nuk është përfillur Kosova e mjerë, që iu dha peshqesh sërbëve. A ka zëmër shqiptari që të kujtojë Kosovën dhe të mos tronditet nga mjerimet e saj? Kosova ishte që e gjëmojti zën’ e kushtrimit për vetëqeverimin e Shqipërisë, ajo ishte e para që ngriti flamurin e kryengritjes dhe qëndroj e patundur përpara ushtërive turke.
Jo! Kosova është e Shqipërisë, për të cilën derdhi gjakun. Nuk do të ketë padrejtësi më të madhe se sa ndarja e Kosovës trime nga gjiri i mëmës së saj. Kosova është mëm’ e atyre luanëve që luftuan besnikërisht për Shqipërinë gjer në orët e fundit. Ajo Kosovë i ka ushqyer heronjtë shqiptarë Isa Buletinin me shokë. Po ajo Jakovë qe që u qëndroi gjyleve të anieve të luftës të Fuqive të Mëdha më 1878, kur Evropa kërkonte t’ia falte Malit të Zi në Konferencën e Berlinit. Nuk ishte Gusina, një cop’ e vogël e Jakovës, ajo që nuk e peshoj një vendim aqe të padrejtë të Evropës, nuk ishin një grusht trima të çquar me kryesin’ e Ali Gusinës ata që i vunë kraharorin lakmimit të knazit?
Mirëpo Evropa e pamëshirëshme nuk i mori nër sy dhe ia fali të gjitha fqinjëve tanë. Ne, pra, në kemi atë më të pakën mëshirë për vëllezërit tanë, le të përpiqemi me çdo farë mënyrë për të kërkuar të drejtat që kemi në ato vise.
* Bahri Omari, kunati i Enver Hoxhes, e drejtoi Gazeten Dielli qe nga viti 1914.Editoriali eshte marre nga Marrë nga libri në proces botimi: Bahri Omari – jeta dhe veprimtaria.)Editorialë nga gazeta DIELLI.Ky Editorial eshte botuar ne DIELLI ne -24 shtator 1917.
,

Filed Under: Editorial Tagged With: Bahri Omari, editor i Diellit, SHQIPËRIA DHE FQINJËT E SAJ

  • « Previous Page
  • 1
  • 2

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT