Nga Bardhyl MAHMUTI/
Propozimi për të mos hequr regjimin e vizave për qytetarët e Kosovës është vendim për të mbajtur të izoluar Kosovën. Përderisa Komisioni evropian, që propozoi këtë vendim, hesht, reagimet në Kosovë janë të polarizuara siç është e polarizuar skena politike dhe mediatike e saj.
Ajo që mund të konstatohet nga këto reagime, qëndrimet që fajësojnë Qeverinë e Kosovës dominojnë dukshëm në raport me qëndrimet tjera. “Kapja e shtetit”, “Krimi i organizuar” dhe “mungesa e shtetit ligjor” janë çështjet ku më së shumti mbështeten ata të cilët fajin e refuzimit të liberalizimit të vizave e shohin në Kosovë.
Në vijim po sjell disa fakte që dëshmojnë se sado i rëndë të jetë funksionimi i shtetit të Kosovës, shkalla e kriminalitetit apo përmasat e korrupsionit vendimi i BE-së është vendim arbitrar që nuk mbështetet në asnjërin nga këto kritere.
Po rikujtoj se më 15 korrik 2009 Komisionit Evropian miratoi propozimin që të hiqet regjimi i vizave për qytetarët e Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë dhe të mbetej në fuqi regjimi i vizave për qytetarët e Shqipërisë, Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës.
A funksiononte shteti ligjor në Serbi, Mal të Zi dhe Maqedoni në kohën kur u propozua liberalizimi i vizave. JO! Përkundrazi, të tri shtetet vazhdonin të aplikonin diskriminimin racial kundër shqiptarëve dhe pushteti politik kishte shti në duar çdo pore të institucioneve të drejtësisë. Po përmend vetëm disa shembuj për të ilustruar thëniet e lartpërmendura.
Me direktiva të pushtetit politik u montuan shumë procese gjyqësore kundër shqiptarëve. Që nga rrëzimi i Sllobodan Millosheviqit “pushteti i ri” serb montoi mbi 50 procese gjyqësore në të cilat qindra shqiptarë u dënuam me shekuj vite burg. Për çfarë shteti ligjor mund të flitet në këtë rast? Nga viti 2009 deri në vitin 2015 me dirigjim nga pushteti politik i Beogradit u montuan 36 procese gjyqësore kundër shqiptarëve dhe të gjithë të dënuarit u liruan si të pafajshëm, por pas keqtrajtimeve disavjeçare.
Të njëjtën logjikë e ndoqi edhe pushteti i Shkupit. Publikimi i një pjese të përgjimeve të të bisedave të pushtetarëve të Shkupit dëshmoi se proceset gjyqësore kundër shqiptarëve ishin të dirigjuara nga pushteti politik dhe se ky pushtet kishte ngritur në shkallën më të lartë diskriminimin racial kundër shqiptarëve. Përkundër asaj se të gjithë ata që dëgjuan bisedimet lidhur me proceset e montuara gjyqësore u bindën për kapjen e pushtetit gjyqësor nga politika, shumica e shqiptarëve të dënuar, madje edhe me burg të përjetshëm, ende mbahen në burgjet e Maqedonisë. Jo vetëm kaq, por ky pushtet i kriminalizuar, për të tërhequr vëmendjen nga problemet që nxorën në shesh përgjimet e bisedave të zyrtarëve të lartë shtetëror, u implikua në organizimin e “Rastit të Kumanovës” dhe tragjedinë e Lagjes së Trimave.
Cili nga politikanët udhëheqës të Serbisë, Malit të Zi apo Maqedonisë nuk figuron në raportet për krimin e organizuar në Ballkanin perëndimor? Aleksandar Vuqiqi, Millo Gjukanoviqi apo Nikolla Gruevski? Të gjithë pa përjashtim konsiderohen si koka e krimit të organizuar. E megjithatë Bashkimi Evropia liberalizoi vizat për qytetarët e këtyre shteteve. Arsyetimi i vetëm i mbështetësve të heqjes së vizave për këto shtete ishte se qytetarët e Serbisë, Malit të Ti dhe të Maqedonisë kishin vuajtur shumë nga izolimi!
Cilat janë arsyet që qytetarët e Kosovës, të cilët kanë përjetuar gjenocidin nga Serbia, të mbesin të izoluar?
Zëdhënësit e BE-së mund të thuan çka t’ua zëre goja dhe ta durojë letra. Por, askush nuk mund të thotë se Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë iu hoqën vizat për arsye “të funksionimit si shtete ligjore”, apo për përmasat e “vogla” të korrupsionit dhe kriminalitetit. Kriteret e refuzimit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës janë politike dhe ideologjike dhe si të tilla, në kontekstin aktual të përkëdheljes që i bëhet Serbisë, paraqesin një rrezik për ardhmërinë e Kosovës. Rreziku bëhet edhe më i madh nga fakti se BE-ja ushtron presion të vazhdueshëm ndaj Kosovës si në rrafshin politik (përmes marrëveshjeve të dëmshme për Kosovën) ashtu edhe në rrafshin juridik (përmes krijimit të Gjykatës Speciale për të dënuar luftëtarët e lirisë). Përmes vendimeve të tilla inkurajohet logjika e vjetër serbe që ka për qëllim diskriminimin e shqiptarëve. Kjo logjikë solli luftërat më të përgjakshme dhe krimet më monstruoze në Evropë në fund të shekullit të XX.
Përkundër vërtetësisë lidhur me vështirësitë e funksionimit të shtetit të Kosovës, shkallës së kriminalitetit dhe korrupsionit në vendin tonë vendimi i BE-së për të mbajtur të izoluar Kosovën është vendim politik që nuk mbështetet në kriteret e lartpërmendura. Për këtë arsye, përtej divergjencave të brendshme të cilësdo natyrë qofshin duhet të kemi një konsensus minimal rreth trajtimit të njëanshëm dhe tendencioz të BE-së ndaj Kosovës. Mendoj se është momenti që të gjithë bashkërisht t’i themi STOP hipokrizisë dhe presioneve të BE-së ndaj Kosovës!
Maqedonia po kryen krim kundër njerëzimit në Tetovë!
Opinion nga Bardhyl Mahmuti/
Po rikujtoj se me qëllim të krijimit të një instrumenti që do të kishte në kompetenca të veta krimet më serioze që e preokupojnë bashkësinë ndërkombëtare u themelua Gjykata Ndërkombëtare Penale. Statuti i Romës, që përbën juridiksionin dhe bazën mbi të cilën mbështetet funksionimi i kësaj gjykate, plotësoi juridiksionet penale të secilit shtet dhe pikërisht për këtë arsye shtetet morën përsipër që të nënshkruajnë dhe miratojnë këtë statut.
Më 7 tetor 1998 Maqedonia nënshkroi Statutin e Romës ndërsa më 6 mars 2002 e shtroi për miratim.
Në këtë shkrim nuk do t’i trajtoj të gjitha krimet që shqetësojnë bashkësinë ndërkombëtare por do të kufizohem vetëm në një krim që hyn në kategorinë e KRIMIT KUNDËR NJERËZIMIT.
Në nenin 7 paragrafi (k) të Statutit të Romës në kategorinë penale KRIMET KUNDËR NJERËZIMIT hyjnë aktet johumane që shkaktojnë dëmtime serioze të shëndetit fizik ose mendor. Pra, imponimi i kushteve të jetesës në të cilat cenohet shëndeti i popullsisë konsiderohet krim kundër njerëzimit.
Qe disa vite me radhë qytetarët e Tetovës dhe rrethinës së saj u janë nënshtruar kushteve tejet të rrezikshme të jetesës për shkak të ndotjes ekstreme të ambientit. Në shtete të ndryshme të botës, ku ndotja e ambientit është shumë më e vogël se ajo me të cilën përballen tetovarët, intelektualët e fushave të ndryshme dhe sidomos mjekët janë mobilizuar që të denoncojnë cenimin e shëndetit të njeriut nga ndotja si krim kundër njerëzimit.
Në Konferencën Ndërkombëtare të organizuar vitin e kaluar (nëntor 2014) në kuadër të UNESCO-s ekspert të fushave të ndryshme në mesin e të cilëve edhe nobelistë të mjekësisë vunë theksin në dëmet e mëdha shëndetësore që shkakton ndotja e ambientit. Kanceri i mushkërive, astma dhe sëmundje të ndryshme janë pasojë e drejtpërdrejtë e ndotjes së ambientit. Përmes Deklaratës ndërkombëtare lidhur me rrezikun shëndetësor nga ndotja këta intelektual kërkojnë nga shtetet që të ndërmarrin të gjitha masat për parandalimin e këtij krimi
Tetova dhe rrethina e saj janë vendi më i ndotur në botë. Këtë fakt nuk e mohon as Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor të Maqedonisë. Përpjekjet e organizatës joqeveritare ECO Guerilla për të sensibilizuar institucionet shtetërore për rrezikun ekstrem që i kanoset shëndetit të popullsisë nga helmet e JUGOKROMIT fatkeqësisht kanë hasur në vesh të shurdhët.
Qe disa vite me radhë qytetarët e Tetovës dhe rrethinës së saj u janë nënshtruar kushteve tejet të rrezikshme të jetesës për shkak të ndotjes ekstreme të ambientit. Mosveprimi përballë kësaj situate dramatike dhe tejet të rrezikshme dhe imponimi që popullsia e Tetovës me rrethinë të jetojnë në kushteve të jetesës në të cilat cenohet shëndeti i tyre është në kundërshtim me angazhimet që shteti i Maqedonisë ka marrë me ratifikimin e Statutit të Romës.
Kjo heshtje i bën institucionet e të gjitha niveleve në Maqedoni përgjegjëse për krimin kundër njerëzimit që po kryhet në Tetovë dhe rrethinën e saj.
Bardhyl Mahmuti
HEROI I MILLOSHEVIQIT KTHEHET NË VENDIN E KRIMIT
Reagim lidhur me ardhjen e kriminelit serb Lubisha Dikoviq në Kosovë/
Nga Bardhyl Mahmuti/
Sintagma e njohur që tërheq vërejtjen se shpesh ndodh që «krimineli kthehet në vendin e krimit» ka për qëllim të mobilizojë ata që janë të thirrur për përndjekjen e kriminelëve. Mirëpo, në rastin kur krimi i kryer është gjenocidi atëherë është obligim i mbarë njerëzimit që të bëjë përndjekjen e kriminelëve.
Kosova, e cila përjetoi krimin e gjenocidit serb, është shndërruar në shembull ku kriminelët, në mënyrë të pandëshkueshme, kthehen për t’u tallur me popullin shqiptar të Kosovës dhe me tërë komunitetin ndërkombëtar.
Vizita e paralajmëruar e Lubiša Diković-it, Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, është shembulli më i ri që dëshmon për mosndëshkimin e kriminelëve të cilët kryen krimet më të shëmtuara në Kosovë.
Meqenëse propaganda që synon fshehjen e kriminelëve të vërtete ia atribuon “paramilitarëve serbë” krimet e kryera në Kosovë dhe konsiston se gjoja “Serbia e tashme nuk ka të bëjë aspak me Serbinë e Milošević-it” po sjell për lexuesin shqiptar disa fakte që do t’i mundësojnë të ketë kujdes sidomos me përdorimin e termit “paramilitarë”.
Secilit lexues që i intereson të dijë hollësira më të mëdha rreth kësaj çështjeje i sugjeroj të lexojë materialin e përgatitur nga Organizata Joqeveritare serbe, Fondi për të Drejtën Humanitare të titulluar «Dosja e Lubiša Diković-it». Ky material i kushtohet krimeve të «Brigadës 37 të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave» dhe zhvesh më së miri pretendimin për “elementet e pakontrolluara” që bënë krime në Kosovë.
Fjala është për Brigadën e 37 të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave që ishte e stacionuar në Raška dhe ishte nën komandën e Lubiša Diković-it. Disa njësi luftarake të kësaj brigade ishin të pranishme në Kosovë që nga maji i vitit 1998.
“Para se këto njësi të dërgoheshin në Kosovë, shumë oficerë ushtarakë të Brigadës 37, në mesin e të cilëve edhe nënkolonelët Slobodan Stoišić-i dhe Miodrag Đorđević-i, kanë rekrutuar dhe trajnuar grupe kriminelësh.
Me kërkesë të shërbimeve të fshehta ushtarake dhe policore, gjykatat liruan nga burgjet shumë kriminelë të dënuar për vrasje. Nënkoloneli serb Stoišić-i i pajisi me uniforma, armë të mira, mjete kimike dhe mjete të tjera të nevojshme për likuidime, dokumente dhe simbole të përkatësisë së Sigurimit Ushtarak. Kriminelët u integruan në Sigurimin ushtarak dhe ishin nën komandën e Slobodan Stoišić-i dhe Miodrag Đorđević-i. Pas trajnimit, në muajin korrik të 1998, ata u dërguan në Kosovë. Këto janë vetë disa nga faktet e shumta që trajtohen në librin tim të titulluar «Mashtrimi i Madh» që hedhin poshtë përdorimin e gabueshëm të shprehjes “paramilitarët serbë” sepse përmes kësaj shprehje përpiqet fshehja e implikimit të drejtpërdrejt të shtetit serb në përgatitjen, ekzekutimin dhe fshehjen e krimit të gjenocidit në Kosovë. Fatkeqësisht, edhe nga një numër shqiptarësh që shkruajnë për këto çështje përdoret në mënyrë të pavetëdijshme për implikimet e kësaj shprehje që “shfajëson” shtetin serb.
Më 7 mars 1999, disa ditë para se të përmbylleshin bisedimet e filluara në Konferencën Ndërkombëtare të Rambouillet-së, Brigada 37 u transferua tërësisht në Kosovë. Kjo brigadë vepronte si mbështetje zjarri për futjen e njësive ushtarake dhe policore në fshatrat shqiptare ku kryheshin vrasje masive të civilëve shqiptarë, plaçkitje dhe asgjësime pronash.
Transferimi i tërësishëm i kësaj Brigade nga Raška në Kosovë ishte tregues për qëndrimin e regjimit të Beogradit për të vazhduar logjikën e luftës dhe realizimin e planit të gjenocidit në Kosovë.
Në të njëjtën mënyrë siç vepronin brigadat tjera të Ushtrisë Serbe, edhe Brigada 37 i fillonte operacionet në orët e hershme të mëngjesit, granatimet me tërë arsenalin e armatimit që posedonin, hyrjen në grupe të vogla ushtarësh dhe policësh në shtëpitë e shqiptarëve, bastisjet, plaçkitjet, keqtrajtimet, nxjerrjen e fshatarëve të mbijetuar nga shtëpitë e tyre, seleksionimin e njerëzve të cilët duhet të vriteshin dhe të atyre që do të dëboheshin nga Kosova.
Në këtë shkrim po sjell vetëm disa nga rastet e përshkruara në Dosjen e Fondit për të Drejtën Humanitare.
Po përmend rastin e fshatit Kozhicë. Në shtëpinë e Abedin Durmishit, banor i këtij fshati, forcat serbe ngujuan 115 vajza të reja, gra, fëmijë dhe plaka. Në katin përdhes i mbyllën 31 femra dhe fëmijë. Pastaj sollën edhe 88 fëmijë shqiptarë, 28 prej të cilëve i mbyllën në katin përdhes ndërsa 60 në katin e dytë. Pastaj, u seleksionuan 27 gra dhe fëmijë dhe u dërguan në fshatin Qirez. Disa prej grave ishin shtatzëna (4 muajsh-8 muajsh). Këto gra u dhunuan, u keqtrajtuan seksualisht dhe në fund u vranë.
Pesë vajza të reja: Zahide Xhema (19 vjeçare), Lumnie Zymberi (20 vjeçare) Antigona Dibrani (20 vjeçare), Bukurie Dibrani (20 vjeçare) Mirishahe Dibrani (17 vjeçare) dhe tri gra: Miradije Dibrani, Tahire Shllaku dhe Fahrije Ademi u hodhën në tri bunarët e fshatit Qirez. Kufomat e tyre u zbuluan në muajin korrik të vitit 1999.
Fondi për të Drejtën Humanitare në faqet 5-8 të Dosjes për Ljubiša Diković-in sjell detajet për ekzekutimin e 250 civilëve shqiptarë, prej të cilëve 25 ishin të mitur. Nga 25 të miturit e ekzekutuar, emrat e të cilëve publikohen në faqen 8 të kësaj dosje, 24 kufoma u gjetën, ndërsa kufoma e Nuredin Dvoranit, i lindur më 28 maj 1982, nuk u gjet dhe ende konsiderohet i zhdukur.
Në fshatin Vërboc, i njëjti skenar. Bombardime që në orët e hershme të mëngjesit. Fshatarët e tmerruar u përpoqën të fshiheshin në pyllin afër fshatit. Pasi depërtuan në fshat, policia dhe ushtria serbe vazhduan përgjatë ditës kërkimet në pyll. Që t’ua pamundësonin qëndrimin në pyll ata i vunë zjarrin pyllit dhe ekzekutuan çdo person që gjetën. Gjithsej 92 civilë shqiptarë të këtij fshati u vranë. Në fshatrat Dashec, Baks, Çikatovë e Vjetër dhe Izbicë i njëjti skenar.
Lubiša Diković-i ishte përgjegjës për këto akte gjenocidare sepse ishte komandues dhe pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në aksione. Krahas implikimit në vrasje, ky komandant i Ushtrisë serbe ishte edhe përfitues nga plaçkitja e pasurisë së shqiptarëve të Kosovës. Në dosjen për krimet e Brigadës 37 të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave përmendet se nga “mijëra mjete automobilistike, autobusë, kamionë, traktorë që u ishin plaçkitur shqiptarëve të Kosovës dhe që ishin shitur në Novi Pazar dhe në Raška, Lubiša Diković-i kishte përvetësuar një Landrover të shtrenjtë amerikan, një Mercedes 300 dhe u bë pronar i mijëra krerëve të kafshëve që u ishin plaçkitur fshatarëve shqiptarë.
Pas tërheqjes nga Kosova, më 16 qershor 1999 Slobodan Milošević-i e dekoroi Lubiša Diković-in me dekoratën Heroi i popullit. Ndërsa më 12 dhjetor 2011 Kryetari i Republikës së Serbisë, Boris Tadić-i, e emëroi Lubiša Diković-in në postin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë serbe. Presidenti serb, Boris Tadić-i, që konsiderohej nga Dick Marty dhe «negacionistët» e gjenocidit në Kosovë si të ishte “demokrat”, nuk gjeti asnjë ushtarak tjetër serb për ta caktuar në krye të Ushtrisë serbe, pos kriminelit Lubiša Diković-it! Ky ishte një mesazh i qartë se strukturat e reja të pushtetit në Serbi veprojnë me mentalitetin e vjetër dhe janë tërësisht të implikuar në fshehjen dhe mohimin e gjenocidit që ky shtet aplikoi kundër shqiptarëve të Kosovës.
Në pjesën e mësipërme përmenda dosjen e krimeve të shkaktuara në zonën ku operonte Brigada 125 e Motorizuar e Ushtrisë Jugosllave. Vetëm në komunat e vogla të Leposaviqit, Zveçanit, Mitrovicës, Zubin Potokut, Skenderajt, Vushtrrisë, Klinës, Istogut dhe Deçanit u vranë 1813 civilë shqiptarë ndërsa 216 ende konsiderohen të zhdukur. Në mesin e të vrarëve 236 ishin fëmijë ndërsa 327 ishin femra.
Në dosjen e krimeve të kësaj Brigade, lexuesi mund të njihet me vrasjet masive në fshatin Oshlan, Dubravë, Obri, Skenderaj, Lubeniq, Krelan, Staradran, Qyshk, Pavlan dhe Zahaq.
Asnjë pjesëtar i Brigadës 125 nuk është përgjigjur për krimet që kanë kryer personalisht e as për shkak të përgjegjësisë komanduese. Në faqet 6-7 të kësaj dosje, Fondi për të Drejtën Humanitare publikon emrat e kuadrit komandues të Brigadës 125 që ishin përgjegjës për krimet.
Siç e përmenda më lart, Brigada e 37-të e Motorizuar e Ushtrisë Jugosllave, që operonte në Kosovë që nga viti 1998, më 7 mars 1999 u transferua tërësisht nga Raška në Kosovë dhe qëndroi deri në fund të luftës. Pas përfundimit të luftës, kjo brigadë u kthye në Raška duke lënë pas vetes krimet më të përbindshme dhe duke u munduar t’i fshehë gjurmët e tyre.
Cili do të jetë rezultati përfundimtar i hulumtimeve të ekipeve mjekoligjore mbetet të shihet. Ajo që mund të thuhet pa asnjë mëdyshje ka të bëjë me faktin se pesëmbëdhjetë vjet pas luftës, mijëra familje shqiptare jetojnë në ankth të përditshëm për fatin e anëtarëve të familjeve të tyre, të zhdukur gjatë luftës.
Në vend të përgjegjësisë për krimet e bëra në Kosovë, komandanti i atëhershëm i kësaj brigade, Lubiša Diković-i, u shpall hero i popullit nga Slobodan Milošević-i. Edhe pas përmbysjes së regjimit të Slobodan Milošević-it, ky komandant nuk dha përgjegjësi penale as për implikimin e tij në vrasje e as për fshehjen e gjurmëve të krimit. Përkundrazi, ai u ngrit pandërprerë në karrierën ushtarake dhe dymbëdhjetë vjet më vonë, ky hero i Milošević-it, u emërua Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe! Shpërblimin me funksionin më të lartë ushtarak ia dha presidenti “demokrat” i Serbisë, Boris Tadić-i!
Përmes “transferimeve të kuadrove” nga një drejtori në tjetrën, nga një sektor në tjetrin, nga një detashment në tjetrin dhe nga një ministri në tjetrën, kriminelët e ushtrisë, policisë dhe shërbimeve sekrete serbe arritën t’i ruajnë strukturat e regjimit të vjetër dhe t’i paraqesin si rezultat i “ndryshimeve pozitive në Beograd”.
Avancimet e shumta të kuadrove ushtarake, policore dhe të Shërbimit Sekret Serb që kishin kryer krimet më të përbindshme në Kosovë dëshmojnë të kundërtën e pretendimeve se gjoja “Serbia e tashme nuk ka të bëjë aspak me Serbinë e Milošević-it!”.
Në këto momente në qytetin Raška, aty ku u tërhoqën forcat e armatosura serbe të komanduara nga Lubiša Diković-i, pa prezencën e ekspertëve shqiptar, vazhdojnë hulumtimet për identifikimin e kufomave shqiptare! Lubiša Diković-i me përbuzje ndaj krimeve të kryera kthehet në vendin e krimit. Indiferenca ndërkombëtare dhe pafuqia e institucioneve të Kosovës për të çuar drejtësinë në vend të bëjnë të klithësh sa të shposh kupën e qiellit. Në vend të Lubiša Diković-it, Slobodan Stoišić-it ,Miodrag Đorđević-it Goran Radosavljević Gurit dhe kriminelëve të tjerë që kryen dhe komanduan krimin e gjenocidit në Kosovë dënohen, pa asnjë fakt, Sulejman Selimi, Sami Lushtaku, Hysni Thaçi, Zeqir Demaku, Jahir Demaku, Fadil Demaku, Nexhat Demaku… Në vend të kriminelëve të vërtetë që kryen krimet në Kosovë Gjykata e Apelit e Kosovës vendos që Rrustem Mustafa-REMI, Latif Gashi dhe Nazif Mustafa të vuajnë dënimet me burg… Në vend që të sillen para drejtësisë kriminelët e «Dosjes Diković» dhe tërë zinxhiri komandues që kreu gjenocidin në Kosovë Gjykata Speciale sajon dosjet kundër luftëtarëve të lirisë…E TMERRSHME!!!
A ka pasur trafikim organesh nga ana e UÇK-së?
Nga Bardhyl Mahmuti/
Akuza që i vishet UÇK-së për «trafikimin kundërligjor me organe njerëzore në Kosovë» është akuza më e mediatizuar lidhur me luftën e Kosovës. Që nga publikimi i librit të Carla Del Pontes e deri te miratimi i projektligjit për krijimin e Gjykatës Speciale për UÇK-në kjo çështje ka zënë një vend të rëndësishëm në të gjitha debatet. Madje, nuk janë të rralla pohimet se “ka edhe dëshmitarë që konfirmojnë vërtetësinë e kësaj akuze”.
Duke e parë të rëndësishme që çdo shqiptar të sqarohet se kush qëndron prapa kësaj akuze lus gazetat dhe portalet që të publikojnë pjesën e librit «Mashtrimi i Madh» që ka të bëjë me këtë temë.
Nga shkrimi janë hequr referencat bibliografike të cilat mund t’i gjeni në librin e lartpërmendur në faqet 445-446 dhe 482-497
PROLOGU
“Dëshmitari okular i trafikimit me organet e serbëve të rrëmbyer nga UÇK-ja”
Më 7 shtator 2012, Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi me 98 vota pro, 10 kundër dhe vetëm 1 abstenim amendamentet kushtetuese që shënojnë fundin e pavarësisë së mbikqyrur. Të njëjtën ditë, në Beograd, Prokurori serbe për krime lufte, Vladimir Vukčević-i, i deklaroi Agjencisë Tanjug se prokuroria që drejtohej prej tij kishte dëshminë e një dëshmitari okular për nxjerrjen dhe trafikimin e organeve njerëzore në Kosovë.
Sipas prokurorit serb, fjala është për dëshminë e një ushtari të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili sqaroi se kishte marrë pjesë në nxjerrjen dhe tregtinë me organe njerëzore të serbëve të rrëmbyer gjatë luftës në Kosovë, në vitin 1998 dhe 1999.
Dëshmitari përshkruan në mënyrë rrëqethëse se si një serbi të zënë rob i ishte nxjerrë zemra në një vend afër qytetit të Kukësit, në veri të Shqipërisë, dhe organi është transportuar në Aeroportin e Rinasit, afër Tiranës për t’u shitur në tregun e zi.
Si në rastin e «Krematorit të Kleçkës, kur gjykatësja hetuese, Danica Marinković-i, improvizoi marrjen në pyetje të Bekim Mazrekut në prani të gazetarëve për të dëshmuar lidhur me gjoja vrasjen e civilëve serbë dhe djegien e tyre në «furrat e gëlqeres» dhe intervistën ekskluzive për Radio Televizionin e Serbisë që kishte zhvilluar Milovan Drecun-i me këtë “dëshmitar”, Prokuroria serbe për krime lufte përgatiti një emision special për “trafikimin e organeve të nxjerra nga serbët e zënë rob”.
Tri ditë më vonë, Radio Televizioni i Serbisë transmetoi emisionin special të titulluar «Anatomia e krimit» në të cilin opinioni publik i Serbisë pati mundësi të shihte intervistën që kishte zhvilluar gazetari i saj me këtë “dëshmitarë të mbrojtur”. Ky emision, siç e kishin paraparë ata që e përgatitën, tronditi opinionin publik serb.
“Mysafir special” i këtij emision special ishte Zëvendës Prokurori i Prokurorisë serbe për krime lufte, Bruno Vekarić-i.
Gjatë këtij emisioni, Bruno Vekarić-i sqaroi se Prokuroria vendosi ta publikonte dëshminë e “dëshmitarit të mbrojtur”, sepse kishte frikë se rasti mund të heshtej. Ai theksoi se kjo dëshmi, para se të bëhej publike, ishte verifikuar nga ekspertë të mjekësisë dhe se ishte cilësuar si dëshmi e besueshme. Sado tronditëse që të jetë, dëshmia është e vërtetë tha Bruno Vekarić-i!
Shpresoj se në këtë kapitull lexuesi do të ketë mundësi të shohë se deri në cilat përmasa mund të shkojnë sajimet e një sistemi të “drejtësisë” së dirigjuar nga politika, që nuk është në gjendje të çlirohet nga logjika e regjimit të vjetër totalitar.
«Anatomia e krimit»
Siç e përmenda në Prologun e këtij kapitulli, Prokurori serb për krime lufte, Vladimir Vukčević-i, i deklaroi Agjencisë Tanjug se prokuroria që drejtohej prej tij kishte në zotërim dëshminë e një dëshmitari okular për nxjerrjen dhe trafikimin e organeve njerëzore në Kosovë. Tri ditë më vonë, Radio Televizioni i Serbisë transmetoi emisionin special të titulluar «Anatomia e krimit» në të cilin, opinioni publik i Serbisë, pati mundësi të shihte intervistën që zhvilloi gazetari i saj me këtë “dëshmitar të mbrojtur”. Krahas “dëshmitarit okular”, si “mysafir special” i këtij emisioni ishte Zëvendësprokurori i Prokurorisë serbe për krime lufte, Bruno Vekarić-i. Kopje e spektaklit mediatik me Bekim Mazrekun! E njëjta logjikë, i njëjti skenar, vetëm personazhet ishin tjerë!
Megjithatë efekti u arrit. Në Serbi tërë javën vazhdoi “histeria mediatike” e provokuar nga deklaratat e dëshmitarit të Prokurorisë për krime lufte lidhur me tregtinë e organeve gjatë luftës në Kosovë. «Ia nxorën zemrën për së gjalli», «I kam nxjerrë zemrën serbit», «Ende i shoh në ëndërr piskamat e viktimave serbe»… janë vetëm disa nga titujt në ballinat e gazetave serbe!
Qëllimi i transmetimit të këtij “emisioni ekskluziv” nuk ishte vetëm sensibilizimi i opinionit publik të Serbisë. Prokurori për krime lufte, Vladimir Vukčević-i deklaroi tri ditë pas transmetimit televiziv të “intervistës” se “priste reagimet e ekipit për hetime që udhëhiqej nga Clint Williamson-i lidhur me tregtinë me organe njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri.“ Nuk vonoi shumë dhe mediat serbe njoftuan se “Shefi i ekipit të EULEX-it, që heton tregtinë me organe të njerëzve në Kosovë, informoi se do të udhëtojë për në Beograd që të njihet me pjesët e dëshmisë së dëshmitarit të Prokurorisë serbe për krime lufte. Të njëjtën gjë e konfirmoi edhe zëvendësprokurori serbe, Bruno Vekarić-i, i cili saktësoi se “gjatë vizitës së tij në Beograd, Williamson-i do të ketë mundësi të bisedojë edhe me ‘dëshmitarin e mbrojtur’.”
Në Serbi, krahas reagimeve që bëheshin për të nxitur urrejtjen dhe për të shpërndarë gënjeshtrat e sajuara nga regjimi i Beogradit, nuk munguan as reagimet kundër kësaj forme manipulimi. Nga reagimet e kësaj natyre, që nuk ishin të pakta, po citoj shkrimin e gazetares Tatjana Tagirov. Kjo gazetare e të përditshmes serbe «Novosti», në shkrimin e titulluar “Marrëzitë e Prokurorisë për krime lufte” “fyerje të inteligjencës së qytetarëve të Serbisë” përshkrimin e “procedurave mjekësore” për të siguruar një organ njerëzor për tregun e zi të organeve. “Nuk ishte hera e parë që Prokuroria, përmes RTS-së, tallet me inteligjencën e qytetarëve” deklaroi kjo gazetare.
Fatkeqësisht, këtë tallje me inteligjencën që bënte regjimi i “ri” i Beogradit, e që nuk dallonte nga logjika e vjetër e funksionimit, nuk e kuptonin ata që ishin verbuar nga «antiamerikanizmi».
Gati të gjithë autorët që ishin angazhuar në kumbarinë e nocioneve të krijuara nga Shërbimi Sekret Serb për t’i stigmatizuar shqiptarët e shfrytëzuan maksimalisht Raportin e Dick Marty-t dhe deklaratën e “dëshmitarit të mbrojtur” të prokurorisë serbe për krime lufte për të treguar me gisht “krimet e UÇK-së” që gjoja ishin kryer nën drejtimin e Hashim Thaçit, “kumbarës më të rrezikshme nga «kumbarët e oktapodit» të Kosovës!”
Duke i marrë për të vërteta “provat” e sajuara në Beograd ata shfrytëzuan rastin që të akuzojnë “diplomacinë e SHBA-ve dhe fuqive tjera perëndimore, pa ndihmën e të cilëve Hashim Thaçi nuk do të kishte mundur të ngjitej në pozitën ku ishte.”
Denoncimi i “ndihmës politike dhe diplomatike të SHBA-ve dhe fuqive tjera perëndimore për «mafien shqiptare»” përshkon shkrimet e shumicës së autorëve, veprat e të cilëve u trajtuan përgjatë tërë këtij libri. Nuk do t’i citoj të gjitha, sepse, fundi i fundit, nuk ndryshojnë nga njëra-tjetra. Po ndalem vetëm te pamfleti propagandistik i Pierre Péan-it, «Kosova: një luftë e “drejtë” për një shtet mafioz». Për këtë autor, lufta e Kosovës nuk është luftë e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi, por është “një luftë e drejtë amerikane për krijimin e një shteti mafioz!”
U kufizova në këtë vepër sepse ky autor e fillon angazhimin e vet në kumbarinë e nocioneve të sajuara në funksion të stigmatizimit të shqiptarëve në mënyrën më dramatike të mundshme. Ai sjell në “preambulë” të librit të vet dëshminë e “dëshmitarit të mbrojtur” të transmetuar nga Radio Televizioni i Serbisë, gjatë të cilës “një mjek shqiptar, ish-ushtar i UÇK-së” flet se si “një serbi të zënë rob ia nxori zemrën” për të bërë business.
Jo vetëm në preambulë, por më shumë se 1/3 e librit të tij i kushtohet “tregtisë me organe të organizuar nga UÇK-ja”.
Po sjell në tërësi publikimin që ky autor i bën kësaj “dëshmie”, sepse kjo nxjerr në shesh në mënyrën më të mirë të mundshme faktin se verbimi ideologjik nga «antiamerikanizmi» e ka sjellë edhe këtë autor në pozitën e propaganduesit të nocioneve dhe interpretimeve që u sajuan në kohën e Milošević-it dhe që vazhdojnë edhe nga regjimi i “ri” i Beogradit.
Në tekstin e deklaratës së “dëshmitarit të mbrojtur” të Prokurorisë serbe për krime të luftës disa nga fjalët do t’i shënoj me ngjyrë të theksuar për t’i dalluar nga teksti tjetër, me qëllim që të tërheq vëmendjen e lexuesit për kundërthëniet logjike të pohimeve të tilla, të cilat do të trajtohen më poshtë.
Zemra rrihte ende
“Disa minuta më pas ata sollën një djalë të ri, përafërsisht 19-20 vjeçar, me duar të lidhura pas shpinës. Nuk ishte ushtar i UÇK-së dhe, kuptohet, unë nuk kisha të drejtë të bëja pyetje. Fundi i fundit, kush isha unë? Një i ri karshi eprorëve të vet. I burgosuri u zgjidh nga dy ushtarët që e sollën, pastaj e vendosën në tavolinë mjekësore ashtu siç vendosen pacientët. Pastaj i thirrën edhe dy persona të tjerë që t’i mbanin këmbët e të burgosurit që të mos lëvizte.
Mjeku që më udhëzonte si të veproj ia grisi bluzën në dy copë duke e lënë lakuriq, siç e kishte lindur nëna! Një nga mjekët e pranishëm solli një çantë të zezë, të tillë siç e mbajnë mjekët. Ishte diçka e re për mua. Nga brendia e kësaj çante nxori instrumentet kirurgjikale. Ishte hera e parë që shihja skalpel, bisturi dhe çdo gjë që është e nevojshme për të kryer një operacion kirurgjik. Atëherë ndodhi një zënkë. Mjeku më i vjetër filloi të bërtiste dhe ta shajë mjekun më të ri, të cilit i thoshte: «biri im». E kuptova se ishin të afërt. Më zgjati një skalpel. Filloi të më vinte keq dhe të ndija përbuzje. Si në një ëndërr të keqe, një ankth pa fund. Edhe sot e kësaj dite më kujtohen skenat e asaj dite dhe më vijnë të njëjtat emocione. Mjeku që më udhëzonte më tha se çka duhej të bëja. Të bëja një vijë të drejtë në trupin e të burgosurit, që nga fyti e deri te fundi i brinjëve, dhe ta prisja duke ndjekur vijën. Mjeku tjetër kishte sjellë një kuti. Në të kishte fasha dhe një shishe qelqi të bardhë prej nga dilte erë alkooli, të cilën e vërejta kur filluam ta pastrojmë lëkurën. Pasi e pastrova atë pjesë të trupit ai më tha: «Shpejto, nuk kemi shumë kohë!»
E vërejta se djali i ri në tavolinë nuk ishte shqiptar. Si e vërejta këtë gjë? Kur iu afrova me skalpelin tim ai u mundua të çlirohej dhe atyre që e mbanin iu desht ta shtrëngonin edhe më fort. Filloi të ulërinte për ndihmë, ta thërriste zotin në ndihmë, të lutej: «zot, mos më prisni fytin, mos më vrisni!» Meqë isha një ushtar i ri, i nënshtruar urdhrave të një eprori të lartë, isha i detyruar t’ia filloja. Ia nisa ashtu siç kisha mësuar ta bëja gjatë stazhit (për kirurgji): vendosa dorën e majtë mbi gjoks për ta mbajtur dhe me dorën e djathtë mora skalpelin dhe fillova ta pres. Kur skalpeli mbërriti në pjesën e poshtme të trupit, gjaku filloi të rridhte rrëke. Kur mbërrita përafërsisht në mes të prerjes djali filloi të ulërinte që të mos e vrisnim dhe u alivanos. Isha aq i tmerruar sa nuk e di nëse shtirej apo kishte vdekur. Nuk e di nëse kishte vdekur, por ai nuk mbrohej më dhe nuk lëvizte. Kur e përfundova më thanë të bëja edhe një prerje transversale në pjesën e poshtme të trupit. Pastaj u desh të bëhet edhe një prerje në pjesën e sipërme të trupit. Këtë prerje e bëri mjeku sepse e hetoi se isha i tmerruar dhe më dridhej dora. Ai më tha: «Mos u mërzit, jam unë këtu». Para se ta merrte bisturinë – nuk ndihem mirë kur e kujtoj këtë skenë – plasi një zënkë tjetër mes mjekut dhe të afërmit të tij. Ky i fundit kishte harruar instrumentet për prerjen e brinjëve. Për të dalë sa më shpejt nga kjo situatë e mundimshme m’u kujtua se e kisha bajonetën e kallashnikovit që mund të kryente punë. Për ta përfunduar sa më shpejt dhe për t’i dhënë fund kësaj pune, e shndërrova bajonetën time në instrument kirurgjik.
Mjeku më tregoi se ku duhet t’ia prisja brinjët. I futi duart ndër brinjë dhe më tha:«Ndiqe shenjën që të tregon dora ime dhe preje. Të mbetet ta çosh përgjatë dorës sime». Për anën e djathtë ai tha: «do ta presim indin aty ku brinjët dhe pjesa tjetër e trupit janë një». Tërë kohën më thoshte të isha i vëmendshëm, të kujdesesha që të mos dëmtohet AJO. E «ajo» ishte zemra! Kështu veprova. Pastaj kaloi në anën tjetër të tavolinës dhe i futi duart në thellësi të kraharorit. Në atë moment erdhi një mjek tjetër i cili më tha: «duhet të përfundojmë shpejt. Nuk kemi shumë kohë.» Ky mjek solli një kuti, të cilën e vendosi pranë meje. Dhe aty për herë të parë pashë një organ njeriu. Më kaploi tmerri.
Do t’ju shpjegoj pse pati grindje në mes të mjekëve. Njëri prej tyre kishte harruar pinceta që ndërpresin rrjedhjen e gjakut nga venat dhe enët e tjera të gjakut. Për të bërë lidhjen në dy vende ne filluam të përdorim fije najloni në vend të tyre. Të najlonit që përdoret për peshkim. I bëmë tri herë nga dy lidhje dhe u ndalëm. I premë venat dhe kur e mora në duart e mia, zemra vazhdonte të rrihte. I lamë duart dhe shpejt e shpejt hapëm frigoriferin vogël që mund të mbahet në dorë. Në fund të tij kishte një vend të rregulluar apostafat për këtë gjë. Mjeku nxori një kuti plastike, të llojit të njëjtë si ato që përdoreshin gjatë stazhit tim. Pastaj e vendosëm kutinë që kishte zemrën, lëng dhe akull dhe e mbyllëm me lloj-lloj penjsh, llastika dhe lidhëse tjera, që nuk mund t’i përshkruaj me saktësi, me qëllim që të mos përmbysej kutia. Pas disa minutash më ftuan që të shkoj në një sallë ku ishin eprorët e mi. Një komandant i UÇK-së, nga më të njohurit, më tha: «Ta heq kapelën! Në Kosovë kemi nevojë për ushtarë si ti! Pikërisht kështu do të ngadhënjejmë!» Dhe më dha urdhër të merrja frigoriferin e dorës që kishte zemrën dhe ta vendosja pranë një veture. «Vendose te Volvo-ja»-më tha ai. Volvo-ja kishte ngjyrë të gjelbër të mbyllur. Shoferi e hapi gepekun dhe më tha ta vendosja frigoriferin në anën e majtë, në një skaj të izoluar afër rrotës ndihmëse. Pasi e vendosa frigoriferin, e lidha mirë që të mos lëvizte gjatë udhëtimit.
Kur më pyetët më parë sesi dhe kur e kuptova se transplantimi nuk ishte i destinuar për ndonjë përgjegjës të lartë të organizatës (…)Mendoja se zemra ndoshta i është dedikuar ndonjërit me grada të larta, të cilin e kishim dërguar në spitalin ushtarak dhe i cili kishte vdekur gjatë transferimit të tij. Mendoja se zemra do të shkonte në Tiranë. Por, jo! Nuk ndodhi kështu! Vazhduam udhëtimin deri në aeroportin e Rinasit, afër Tiranës. Kur kemi mbërritur atje dhe, kur u hap porta, pamë ushtarë shqiptarë në uniforma. Aty pamë një aeroplan. Një person doli prej tij, me pamje të hijshme dhe me mjekër të mbajtur mirë. Nuk ishte shqiptar. Aeroplani privat kishte ngjyrat turke! Atëherë e kuptova se bëhej fjalë për biznes e jo për mbrojtje të atdheut. Tregti me organe. Para të mëdha. Asgjë të përbashkët me idealet që mbroja. Por, bëhej fjalë për diçka të tmerrshme.”
Pasi e përfundon dëshminë e “dëshmitarit të mbrojtur”, të këtij “mjeku shqiptar, ish-ushtar i thjeshtë i UÇK-së” i cili pohon se “ka marrë pjesë në këtë krim të urdhëruar nga eprorët e tij”, Pierre Péan-i shtron pyetjen nëse ishte kjo “dëshmi e montuar nga shërbimet sekrete serbe, ashtu siç pohojnë një numër i protagonistëve të Çështjes shqiptare”?
Rreth kësaj dëshmie, Pierre Péan-i deklaron se nuk mund të gjejë fjalë që do të mund të komentonin fjalët e kësaj dëshmie që të rrëqeth. Krejt ky tmerr është bërë për biznes!
Ndërsa, sa i përket vërtetësisë së kësaj dëshmie ai është i bindur se “lexuesi do ta krijojë opinionin e vet sapo ta mbyllë librin e tij.”
Libri i Pierre Péanit mund të jetë me interes që të studiohet si shembull i kumbarisë së nocioneve të përpiluara nga shërbimet sekrete serbe e sidomos shembull i shpërndarjes së raporteve të sajuara mes nocionit «mafia shqiptare» dhe ambicieve politike të shqiptarëve të Kosovës. Por, mendoj se lexuesi nuk ka nevojë ta lexojë tërë librin e Pierre Péan-it për të vërejtur kundërthëniet e mëdha që përmban kjo dëshmi.
Nuk ka nevojë të lexohet tërë libri për të parë absurditetin e pohimeve se “një mjek” që ka bërë një “stazh në kirurgji” “sheh për herë të parë një organ njeriu!” Dhe tmerrohet!!! Është e tmerrshme se, në të njëjtën mënyrë siç “tallej prokuroria serbe për krime lufte me inteligjencën e qytetarëve” të Serbisë, në të njëjtën mënyrë, Pierre Péan-i, mundohet të tallet me inteligjencën e lexuesve frankofon.
Cili lexues do ta gëlltisë gënjeshtrën se një mjek, që ka bërë edhe stazh në kirurgji, sheh për herë të parë skalpel, bisturi dhe instrumente tjera që përdoren për operacione! Cili lexues do të besojë se një mjek, sado i tronditur që të jetë, nuk mund ta dijë nëse “pacienti shtiret apo është i vdekur”! Cili mjek do të pohonte se zemra e nxjerrë vazhdon të rrahë!
Nëse dikush nga lexuesit mund të besojë se një operacion aq i ndërlikuar mund të bëhet pa anestezi, nuk ka lexues që mund ta gëlltisë absurditetin që fillimisht pacientit i zgjidhen duart e pastaj angazhohen dy vetë për t’i mbajtur këmbët që të mos lëvizë!!! Është e qartë se një gjë e tillë i duhej skenaristit të këtij “produksioni” për të krijuar imazhet ku “pacienti përpëlitet dhe hedh shkelma për t’i shpëtuar copëtimit”!
Të mos flasim për pretendimet për harrimin e picetave dhe përdorimin e najlonit të peshkatarëve për t’i mbyllur enët e gjakut! Najlon peshkatarësh! Ndoshta mendonin të gjuanin në ujërat e turbullta mediatike që krijoi publiciteti i Raportit të Dick Marty-t! A ka më absurde se të “humbet kohë” për t’i mbyllur enët e gjakut një personi që i është nxjerrë zemra! Aq më tepër kur “dëshmitari i mbrojtur” dëshmon se eprorët e urdhërojnë disa herë të shpejtojë se nuk kishin kohë!
Prerjen e brinjëve me bajonetë kallashnikovi! Kush e beson? Këtë po e lë për fund! Çka mund të thuhet për shprehjen se pacientit “ia grisën bluzën në dy copë duke e lënë lakuriq, siç e kishte lindur nëna!” Nuk përjashtohet mundësia që këtë shprehje tipike serbe ta përdor edhe ndonjë shqiptar, por, gjatë përshkrimit të zhveshjes së pacientit, nuk u përmendën pantallonat dhe nga dëshmia e “dëshmitarit” del se nëna e kishte lindur këtë “pacient” me pantallona veshur!
Së paku gjatë leximit të kësaj dëshmie lexuesi mësoi se dikush mund ta njohë një aeroplan në bazë të ngjyrave, madje ta identifikojë nëse është aeroplan privat apo jo! Mësoi se ekzistonin ngjyra turke! Shpresoj se lexuesi nuk është habitur nga ky zbulim! Është e qartë se ai që ia qep me najlon peshkatarësh enët e gjakut personit të cilit i është nxjerrë zemra, është në gjendje t’i identifikojë edhe ngjyrat turke!
Çka ka pasur në mendje ai që e sajoi një shprehje aq të palogjikshme si pohimi për ngjyrat turke? Nëse ka menduar për ngjyrat e flamurit turk, i cili përbëhet nga ngjyra e kuqe dhe ajo e bardhë, ngjyra që nuk janë monopol identifikimi i asnjë kombi dhe i asnjë flamuri, atëherë shtrohet pyetja pse ky “ish-ushtar i UÇK-së” nuk deklaroi se kishte njohur “ngjyrat zvicerane” të aeroplanit “privat”! Sepse edhe flamuri i shtetit të Zvicrës, si dhe i dhjetëra shteteve tjera përbëhet vetëm nga këto dy ngjyra! T’i atribuohej ky aeroplan “privat” Zvicrës do kishte qenë edhe më koherent me propagandën serbe, sepse autoritetet e Zvicrës u akuzuan nga Shërbimi Sekret i Serbisë se gjoja i paskëshin lejuar “kampet paramilitare private, sallat e gjuajtjes me armë dhe klubet e sporteve luftarake për nevojat e UÇK-së.”
Në këtë kontekst, përpiluesit të dëshmisë që u shfaq në emër të “dëshmitarit të mbrojtur” nuk e sheh të udhës të kalohej përtej Adriatikut, por ishte më e lehtë në drejtim të Detit të Zi! Ndoshta në kërkim të ujërave të turbullta për të peshkuar, krijuesit e këtij rrëfimi kishin nevojë për ngjyrën e Detit të Zi!
Por, nuk është koha e peshkimit në ujëra të turbullt! Ata që dëshirojnë të informohen objektivisht kanë mundësi ta bëjnë këtë. Pikërisht për shkak “të mundësive të mëdha që ofron interneti”, edhe pse Dick Marty tërhiqte vërejtjen se “asnjëherë nuk kemi qenë më të rrezikuar të shndërrohemi në viktima të helmimit nga informatat.” Ndoshta për shkak se, siç thotë një shprehje popullore shqiptare, «e ka mizën nën kësulë»!
Ata që kanë dashur të informohen objektivisht kanë pasur dhe kanë mundësi të shohin se përballë kësaj propagande absurde as intelektualët serbë nuk mbetën pa reaguar. Më lart përmenda rastin e gazetares serbe Tatjana Tagirov, e cila veprimet e mësipërme i cilësoi si “marrëzi të Prokurorisë për krime lufte”. Kjo gazetare nuk ishte e vetmja që reagoi kundër manipulimit me opinionin publik. Humanistja e njohur serbe, Nataša Kandić, në intervistën që dha për Radion Evropa e Lirë, hodhi dyshime rreth tregimit të këtij “dëshmitari”. Për drejtoreshën e Fondit për të drejtën humanitare në Serbi, është e pabesueshme të ketë ndodhur ashtu. As edhe në filmat e zhanrit horror, që kanë çmimin fare të lirë, një skenar i tillë nuk mund të shihet.
Reaguan edhe avokatë si Dragoljub Todorović-i dhe Đorđe Dozet-i të cilët theksuan se kjo formë manipulimi dhe sidomos nxjerrja e « dëshmitarit të mbrojtur » para kamerave paraqet shkelje të rëndë të procedurave legale. Aq më tepër kur Prokuroria serbe për krime lufte nuk ishte e ngarkuar të zhvillonte hetime për këtë rast.”
Vërejtje të shumta u bënë lidhur me shpjegimin që “dëshmitari i mbrojtur” u bëri procedurave të nxjerrjes së organit për transplantim! Operimi nga ai që kishte bërë vetëm stazh kirurgjie, përderisa mjeku me përvojë asiston operacionin, mungesa e anestezisë, mungesa e instrumenteve kirurgjikale dhe zëvendësimi i tyre me bajonetë, lidhja e enëve të gjakut me najlon që përdorej për peshkim ishin vetëm disa nga vërejtjet që bënin rreth besueshmërisë e këtij rasti!
Në kapitujt paraprakë lexuesi pati mundësi të njihej me angazhimin e “ekspertëve të mjekësisë ligjore”, në shërbim të regjimit të Milošević-it. Ndyshe nga praktika e regjimit të vjetër, kur patologët dhe ekspertët e forenzikës si Slaviša Dobričanin-i, Vujadin Otašević-i, Dušan Dunjić-i, Miloš Tasić-i përpiqeshin t’i fshihnin krimet, regjimi i ri i Beogradit, gjeti një ekspert mjekësie, një kirurg, për t’ia atribuuar krimin shqiptarëve.
Për t’i dhënë fuqi besueshmërisë së deklaratave të “dëshmitarit të mbrojtur”, skenaristët e emisionit special “Anatomia e Krimit” intervistuan edhe kirurgun, Dragoš Stojanović-in. Në bazë të asaj që u tha para se t’ia jepnin fjalën, qëllimi i kësaj interviste ishte të merrnin mendimin e një eksperti të kirurgjisë nëse ishte e mundur të kryhej nxjerrja e organeve në mënyrën se si e kishte përshkruar “dëshmitari i mbrojtur”.
Dragoš Stojanović-i, i cili e kishte parë intervistën ende pa u transmetuar nga Radio Televizioni i Serbisë, në cilësinë e “ekspertit të njohur”, deklaroi se “përshkrimi i dëshmitarit të mbrojtur është i besueshëm (…) Në parim, teknikisht dhe teknologjikisht është e mundur që të bëhet ashtu. ”Edhe rreth vendosjes së zemrës në frigorifer dhe transportimi i duken të besueshme dhe autentike. Parimisht të gjitha këto i përkasin disa aspekteve procedurale, që natyrisht bëhen në një mënyrë specifike. Në parim, çdo gjë që thuhet në këtë dëshmi përputhet me metodat se si bëhet një gjë e tillë, kur duhet të bëhet në bazë të metodave të sofistikuara.”
Të gjithë kirurgët e dinë se, nëqoftëse zemra e nxjerrë nga një pacient nuk transplantohet menjëherë apo nëse nuk vendoset në aparaturë speciale që do ta mbanjë në funksionim deri në momentin e transplantimit, ajo zemër, mund të bëhet e pa përdorshme!
Edhe në qarqet mjekësore serbe u shpreh habi se si ishte e mundshme që dikush nga mjekët të deklarojë si të besueshëm versionin e dëshmitarit se mund të nxirret zemra pa anestezi, nga një stazhier kirurgjie, me bajonetë … !”
Arsyet pse nuk do të vazhdoj me citimet e të gjitha reagimeve do të dalin në shesh nga përmbajtja e epilogut të këtij kapitulli. Jam i bindur se ky epilog do ta sqarojë lexuesin për shumë aspekte të “anatomisë së krimeve” që i visheshin UÇK-së.
EPILOGU
Kirurgu i njohur serb i kirurgjisë vaskulare, Goran Kronja, i cili ka qenë shef i ekipit për transplantimin e organeve në Akademinë Spitalore Ushtarake në Beograd, në intervistën për «Svedok» reagoi lidhur me emisionin sensacional të Radio Televizionit të Serbisë, të titulluar «Anatomia e krimit».
Po sjell për lexuesin pjesë nga deklaratat e këtij kirurgu sepse është një dëshmi e mirë se logjika e moçme e regjimit “të vjetër” të Beogradit për sajimin e krimeve dhe stigmatizimin e shqiptarëve, logjikë që vazhdon edhe nga “regjimi i ri”, nuk gëlltitet me lehtësi as nga intelektualët serbë.
Marrëzia e Prokurorisë serbe për krime lufte
“Tregimet për trafikimin e organeve në Kosovë janë marrëzi. Ku janë provat materiale? Ajo për çka dyshohet se është bërë në Kosovë dhe Metohi dhe në Shqipëri, për nga lloji është transplantim kadaverik. Në këtë aspekt, e vetmja gjë e logjikshme është se organi është marrë nga njeriu i gjallë dhe pastaj është lënë të vdesë. Sipas mendimit tim, nëse kjo është e vërtetë atëherë kjo veprimtari është e përbindshme dhe ky krim do të ishte krimi më i rëndë i shekullit 20. Por, nëse një gjë e tillë nuk ka ndodhur, atëherë është i përbindshëm edhe mendimi në atë drejtim. Truri që e ka menduar një gjë të tillë duke u bazuar në indikatorë të paverifikuar, të pabesueshëm është gjithashtu përbindshëm.
Jam i bindur se në Kosovë nuk janë nxjerrë organe. Jam i bindur se ky tregim nuk qëndron. Është e mundshme që ka pasur krime, është e mundshme që të rrëmbyerve t’ua kenë shkulur organet, është e mundshme që t’i kenë copëtuar… Por, jo për t’i përdorur si material transplantimi.
E dimë se me organe për transplantim bëhet tregti. Por kjo është një çështje tjetër. Që të shitet cilido organ qoftë duhet t’i plotësojë disa kritere mjekësore rigoroze dhe të ndërlikuara. Organi nuk mund të nxirret në çfarëdo dhome dhe prej njeriut të gjallë. Është e pakuptimtë! Pohimet e këtij dëshmitari se e ka nxjerrë zemrën nga njeriu i gjallë për ta shitur më vonë janë thjesht budallallëk dhe unë habitem pse Prokuroria për krime lufte e ka marrë një gjë të tillë si të ishte e vërtetë. Zemra e nxjerrë në atë mënyrë, siç e ka përshkruar dëshmitari, është e pavlefshme. Nuk ekziston kirurg që mund të transplantojë një organ pa origjinë, pa analiza paraprake mjekësore. O njerëz, afati i qëndrueshmërisë së zemrës nga koha e ndërprerjes së rrahjeve e deri te transplantimi është maksimumi 12 orë. Ky është një detaj logjik që lidhet me pohimet se “tregtia me organe”, “shtëpia e verdhë” e kështu me radhë kanë ndodhur në Shqipërinë Veriore. Në atë kohë, nga Kukësi dhe Burreli (“Shtëpia e Verdhë) e deri në Tiranë, ku ndodhej aeroporti më i afërt, është dashur të kesh dhjetë orë të mira në dispozicion dhe veturë të mirë terreni sepse rrugët ishin jashtëzakonisht të këqija. E të mos flasim për kushtet e sterilizimit që lypen.
Prokurori për krime lufte, Vladimir Vukčević-i thotë se para se të bëhej publike kjo dëshmi “janë konsultuar shumë ekspertë mjekësorë, me qëllim që të tregojnë nëse mund të kryhej ndërhyrja ashtu si e tregonte dëshmitari. Kjo ndërhyrje, ku e vetmja gjë e rëndësishme është të merrej organi dhe të paketohej në mënyrë të sigurt, nuk duhet të ngatërrohet me metodën e transplantimit të organit.”
Sigurisht që një veprim i tillë, që me aq lehtësi prokurori e cilësoi si “ndërhyrje kirurgjike”, mund të ndodhë, siç mund të ndodhë që njeriu i gjallë të ngulet në hunj. Megjithatë, “paketimi i sigurt” është diçka tjetër. Nga tregimi i dëshmitarit del se këtu nuk kemi të bëjmë me kurrfarë “paketimi të sigurt”. Kjo është e qartë edhe për secilin spektator të vëmendshëm të televizionit dhe lexuesit e gazetave, e lere më për “shumë ekspertë mjekësorë” që na i paska konsultuar Prokuroria për krime lufte.
Prokurori për krime lufte Vladimir Vukčević-i flet për gjoja “respektimin e procedurave mjekësore”! Për çfarë procedurash mjekësore dhe për çfarë “paketimi të sigurt” flet ai? Kush janë ata “shumë ekspertë mjekësorë që janë konsultuar” që të na tregonin se si është e mundur që dikujt t’i hapet kraharori me bajonetë Kallashnikovi. Me bajonetë, e cila është e konceptuar për të prerë telat me gjemba, më parë mund ta dëmtosh zemrën sesa ta nxjerrësh për transplantim. Madje edhe te njeriu i vdekur, e jo më te njeriu i gjallë i cili lëviz, dridhet dhe ulërin. Dëmtimi i zemrës mund të ndodhë edhe me instrumentet më të sofistikuara kirurgjike nga dora e pashkathët e lëre më nga bajoneta.
Siç shihet, Prokuroria për krime lufte sërish ka rrëshqitur. Për më tepër, nuk është hera e parë.
Organi që eksplantohet duhet të nxirret në mënyrë që të mos dëmtohet as fizikisht e as biokimikisht. Organi i nxjerrë pastrohet mirë, mbushet me konservans dhe futet në kontejner të sterilizuar dhe të mbushur me akull. Madje edhe manipulimi me kontejnerin duhet të jetë i sterilizuar. Paralelisht me këtë proces zhvillohet edhe procesi i pranimit nga recipienti, respektivisht pranuesi i organit. Veshka duhet të transplantohet brenda 24 orëve ndërsa mëlçia brenda dhjetë orësh. Sa kam punuar në Akademinë Spitalore Ushtarake veshkën e kemi “futur” brenda 45 minutave e deri në një orë.
Në rastet kur kemi të bëjmë me transplantim kadaverik procesi i konservimit të organit fillon ende pa u nxjerrë nga trupi. Fillimisht instalohen kanilat, nëpërmjet të cilave veprohet me konservues dhe organi ftohet. Në këtë rast nuk duhet të harrohen edhe problemet tjera teknike për sigurimin e sasisë së nevojshme të akullit të sterilizuar. Sigurimi i akullit të sterilizuar paraqiste problem të madh edhe për Akademinë Spitalore Ushtarake. Vetëm për një transplantim shpenzohet nga 30kg e deri në 40kg akull i sterilizuar. Pra, për nxjerrjen e organeve duhen kushte të sterilizuara, mbështetje e mirë laboratorike dhe mjete shumë të shtrenjta. Deri para pak kohësh në Serbi, që jemi shumë më mirë të pajisur se Kosova, vetëm në Akademinë Spitalore Ushtarake në Beograd ka pasur laborator për përgatitjen e mjeteve. Mendoj se në Kosovë nuk janë nxjerrë organe. Jam i bindur se ky tregim është i paqëndrueshëm.
Pohimet e Prokurorisë serbe për krime lufte në rastin më të mirë mund të konsiderohen si mendjelehtësi, nëse jo politikisht të motivuara me qëllim që të provokohet sensacion për një lëndë gjyqësore që ende nuk ka lëvizur më larg se indikacionet.
Ajo që është e pakuptueshme lidhet me atë pse askush nga kolegët e mi kirurgë nuk e ka ndjerë nevojën që të ngrihet dhe të tregojë publikisht për mungesën e logjikës dhe për kundërthëniet e qarta mjekësore që dalin nga tërë ky tregim. Ka mjaft kirurg të mirë që do të kishin mundur ta bënin një gjë të tillë.
I kam pyetur disa prej tyre për këtë gjë. Privatisht më thanë se vërejtjet e mja janë të drejta dhe se këtu diçka nuk është në rregull. Por, nuk dëshirojnë të shprehen publikisht. Ndoshta ka ndonjë lidhje me politikën” – shprehet Goran Kronja, ish-shefi i ekipit për transplantime organesh në Akademinë Spitalore Ushtarake në Beograd.
Vërejtjeve të kirurgut të njohur serb të kirurgjisë vaskulare, që ka bërë mbi 200 transplantime të organeve, nuk kam çka t’i shtoj asnjë. Ndërsa, për dilemat e tij nëse heshtja e kirurgëve tjerë në Serbi ka lidhje me politikën, mendoj se Goran Kronja nuk e ka lexuar shkrimin e gazetarit serb, Miroslav Filipović-i, «Marshi i gjatë drejt së vërtetës për krimet». Lexuesit i kujtohet se Miroslav Filipović-i përjetoi pasoja të rënda nga regjimi i Beogradit për shkak se kishte ngritur zërin kundër krimeve serbe në Kosovë. Në kontekstin e shprehjes së habisë nga ana e kirurgut serbe Goran Kronja-s pse kirurgët tjerë serbë nuk reagojnë ndaj budallallëqeve për trafikimin e organeve po sjell kritikat që kishte bërë Miroslav Filipović-i 13 vjet më parë ndaj sjelljes së intelektualëve, institucioneve kulturore, fetare dhe akademike të Serbisë që kishin hyrë në shërbim të regjimit të Milošević-it.
“Është vështirë të gjendet institucion kombëtar që të jetë munduar ta ruajë popullin serb nga kryerja e krimeve. Në veçanti është e vështirë të gjenden institucione që nuk e kanë nxitur popullin serb të kryejë krime. Ku ka qenë Akademia e Shkencave, ku ka qenë Kisha, ku ka qenë Universiteti, ku kanë qenë partitë politike? Çka ndodhi me Kishën e cila paralajmëroi se do t’i hapë dosjet e krimeve serbe në Kosovë? Ku mbeti paralajmërimi i Kishës se në emër të popullit serb do të pendohet dhe do të kërkojë falje nga viktimat tona?…
Në perëndim Milošević-in moti e kanë quajtur «kasap të Ballkanit» dhe e kanë krahasuar me Hitler-in. Gjermania e para Luftës së Dytë nuk mund të krahasohet me Serbinë e fillimit të viteve të nëntëdhjeta. Kur Hitler-i filloi të çartet dhe t’i ngjajë një kafshe të tërbuar, e braktisën një numër i intelektualëve, i shkencëtarëve dhe i artistëve më eminentë të popullit gjerman. Edhe pse Serbinë e Milošević-it e braktisën një numër artistësh, shkencëtarësh dhe intelektualësh, shumica e tyre u vunë në shërbim të tij, përkundër asaj se e dinin se me urdhrin e tij, me miratimin e tij ose së paku me dijeninë e tij, çdo ditë “nga dora serbe” pësonin qindra njerëz të pafajshëm. Tani, të kërkohet nga këta njerëz që të flasin për krimet që janë bërë, do të thotë të kërkohet nga ata që ta pranojnë fajësinë e tyre.”
Miroslav Filipović, “Marshi i gjatë drejt së vërtetës për krimet” f.27-28
MASKARADA NDËRKOMBËTARE E DREJTËSISË
Në përvjetorin e Srebrenicës të mos harrohet gjenocidi në Kosovë!/
Ne Foto:Pamje makabre nga masakra e Recakut/
Nga Bardhyl Mahmuti/
Njëzet vjet pas vrasjes së mbi 8000 civilëve në Srebrenicë të Bosnjës, Rusia e Putinit përdori veton në Këshillin e Sigurimit dhe pengoi miratimin e rezolutës së propozuar nga Britania e Madhe përmes së cilës dënohej gjenocidi i forcave serbe.
Ironia më e madhe e qëndrimit rus ka të bëjë me kualifikimin e projekt-rezolutës si “të motivuar politikisht”.
Nuk ka ironi më të madhe se kur ky cilësim bëhet pikërisht nga ata që janë aq të zëshëm për krijimin e një Gjykate Speciale për të dënuar luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë. Më poshtë po sjell provat se nëse diçka ka “të motivuar politikisht” në MASKARADËN NDËRKOMBËTARE TË DREJTËSISË kjo është Gjykata speciale.
Për të kuptuar kontekstin historik të motiveve politike të idesë për krijimin e një gjykate speciale për Kosovën më duhet të sjell për lexuesin faktin se një muaj e gjysmë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës doli nga shtypi libri autobiografik i Carla Del Ponte-s, «Përndjekja: Unë dhe kriminelët e luftës». Fokusimi i vëmendje mediatike në supozimet për trafikim të organeve njerëzore që gjoja ishte bërë nga udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nxori në rend të ditës një çështje tanimë të mbyllur.
Përmasat e efekteve që shkaktoi kjo “informatë” bëri që edhe ish-zëdhënësja e Prokurores së Përgjithshme, Florence Hartmann-i të deklarohet publikisht dhe ta cilësojë veprimin e Carla Del Ponte-s si të PAPËRGJEGJSHËM.
Në një shkrim të publikuar në gazetën «Le Temps» të datës 16 prill 2008 dhe të titulluar «Carla Del Ponte dhe thashethemet për trafikimin me organe në Kosovë», Florence Harmann-i shpreh habinë e vet se si është e mundshme që “Carla Del Ponte, puna e të cilës konsistonte që të kërkohet e vërteta sot të na fundosë në kohën më të errët të propagandës.”
Aktualizimin e një çështjeje të mbyllur pesë vjet para publikimit të këtij libri, të mbyllur për arsye se nuk u gjet as prova më e vogël, revoltoi ish-zëdhënësen e Carla Del Ponte-s. Për Florence Harmann-in “të flitet sot, përderisa për pesë vjet nuk u soll asnjë element i ri që do ta mbështeste këtë tezë, është papërgjegjësi.” Ndërsa “është jo dinjitoze emërtimi, në mënyrë të nënkuptueshme, i atyre që urdhëruan një krim të padëshmuar, nën arsyetimin se disa liderë shqiptar të Kosovës kanë qenë të dyshuar për krime tjera.”
Sado “skandaloze”, të “papërgjegjshme” dhe “jo dinjitoze” të kualifikoheshin veprimet e Carla Del Ponte-s, libri i saj bëri bujë në opinionin publik dhe u shërbeu si pretekst të gjitha qarqeve që ishin të mobilizuara në kulm kundër pavarësisë së Kosovës.
Më 15 prill 2008, deputeti rus i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Konstantin Kosachev-i, dorëzoi propozimin për rezolutë lidhur me “trajtimin çnjerëzor të personave dhe tregtinë ilegale me organet e njerëzve”.
Deputetët nënshkrues të këtij propozimi u mbështetën vetëm në thëniet e Carla del Ponte-s dhe në propozimin e tyre citohet nga libri i saj se gjoja “Ushtria Çlirimtare e Kosovës, në vitin 1998, kishte rrëmbyer më shumë se 300 serbë, romë, shqiptarë dhe pjesëtarë të grupeve tjera etnike, të cilëve u ishin hequr organet vitale, që u dërguan nga Aeroporti i Rinasit në klinikat jashtë shtetit, për t’u transplantuar pacientëve që paguanin”.
Një ditë pas kësaj projekt-rezolute, në sesionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, të mbajtur nga 14 deri më 18 prill 2008, delegacioni parlamentar zviceran dhe ai suedez, propozuan të hapet debat lidhur me «pasojat e shpalljes së pavarësisë së Kosovës». Gjatë këtij debati, që u zhvillua më 16 prill 2008, një vend të rëndësishëm zë fjala e Dick Marty-t.
Ishte një rast i volitshëm për të që t’i përsëriste qëndrimet e veta të mëparshme. Në fillim të fjalës së tij, Dick Marty tërhoqi vërejtjen se “ajo që është shqetësuese lidhet me bilancin e veprimeve ndërkombëtare në Kosovë.”
Sipas tij ky bilanc është tejet negativ. “Pas dhjetë vjet të administrimit ndërkombëtar, Kosova gjendet pa një shoqëri të mirëfilltë civile. Të gjithë ata që preokupohen për kriminalitetin e dinë se Kosova-mjerisht!- ka qenë gjithmonë, e ndoshta sot më shumë se dje, një qendër e kriminalitetit ndërkombëtar e krimit të organizuar (…) gjendja ekonomike është katastrofike (…) minoritetet nuk mund të jetojnë në Kosovë, pos të mbrojtur nga trupat e huaja…” Dhe, kuptohet, këtë gjendje të keqe, sipas tij, e krijoi pikërisht ndërhyrja ndërkombëtare në Kosovë dhe mosrespektimi i së drejtës ndërkombëtare. “Kjo filloi me bombardimet e NATO-s, bombardime në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, që u bënë pa miratimin e Këshillit të Sigurimit (…) dhe pas shkeljes flagrante të rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit që garantonte integritetin territorial të Serbisë…!”
Nuk mund ta di saktësisht se deri në cilën shkallë ndikoi fjalimi i Dick Marty-t, i mbajtur në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës më 16 prill 2008, por, ajo që konstatohet pas këtij fjalimi është fakti se hetimet lidhur me thëniet për “trajtim çnjerëzor të personave dhe trafikim kundërligjor të organeve njerëzore në Kosovë” iu ngarkuan Dick Marty-t.
Në qëndrimin propagandistik të regjimit të Beogradit dhe të atyre që për shkak të verbërimit nga «antiamerikanizmi» u rreshtuan përkrah kësaj propagande, “shkelja e të drejtës ndërkombëtare dhe sidomos e rezolutës 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së” përbëjnë shtyllat kryesore për t’ia mohuar legjitimitetin shtetit të ri të Kosovës.
Propaganda për “trajtim çnjerëzor të personave dhe trafikim kundërligjor të organeve njerëzore në Kosovë” arriti efektet e veta politike. Të inkurajuar nga qëndrimet e qarqeve antiamerikane që shihnin “në shtetin e Kosovës bazën më të madhe ushtarake të SHBA-ve në botë” Serbia ndërmori iniciativën për të gjetur mbështetje në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Në sesionin e 63 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, të datës 8 tetor 2008, Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Vuk Jeremić-i, shtroi për miratim një projekt–rezolutë përmes të cilës kërkohej që kjo asamble të kërkonte mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
Në fjalën e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ministri serb i punëve të jashtme i shtroi motivet e kësaj kërkese. Ndër të tjera, ai theksoi se “më 17 shkurt 2008, institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes autonome të krahinës jugore serbe të Kosovës dhe Metohisë e shpallën njëanshëm pavarësinë. Ne e larguam mundësinë që të përdorim forcën dhe t’i vëmë sanksione ekonomike kësaj krahine që kërkonte ndarjen. Serbia ka vendosur që ta mbrojë sovranitetin e vet dhe integritetin e saj territorial duke iu drejtuar diplomacisë dhe të drejtës ndërkombëtare… Sa i përket legalitetit të kësaj deklarate të njëanshme të pavarësisë, ne vendosëm të kërkojmë mendimin konsultativ nga GJND-ja. Duke e bartur këtë çështje në Gjykatë, “Republika e Serbisë vlerëson se mund të shmanget që kriza e Kosovës të mos përbëjë një precedent skajshmërisht problematik në regjionet tjera të botës apo të ambicieve për shkëputje në shumë situata ekzistuese… Ne mendojmë gjithashtu se mendimi konsultativ i Gjykatës, do të ofronte një mendim politikisht neutral dhe vendeve të shumta të cilët ende pyesin se si ta konsiderojnë shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës karshi të drejtës ndërkombëtare do tu jepte mundësi të gjenin përgjigje nga këndvështrimi juridik.”
Më 22 korrik të vitit 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë shpalli vendimin se akti “i miratimit të deklaratës së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, nuk e ka shkelur as të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, as rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit e as Kornizën Kushtetuese të Kosovës. Prandaj, miratimi i kësaj deklarate nuk ka bërë shkeljen e asnjë rregulle të aplikueshme të së drejtës ndërkombëtare.”
Përkundër vendimit të qartë të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë qarqet serbo-ruse përpiqen të mbajnë akuzat e sajuara me motive politike kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me qëllim që të përmbyset perspektiva dhe në vend të përgjegjësisë për gjenocidin e kryer në Bosnje, në Kroaci dhe në Kosovë ata të paraqiten si viktima! Dhe rrjedhimisht të mohojnë ligjshmërinë e aktit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Fatkeqësisht mohimi rus i gjenocidit të ushtruar nga Serbia nuk është mohim i vetëm dhe ky mohim nuk kufizohet vetëm në rastin e Srebrenicës. Një numër intelektualësh të fushave të ndryshme dhe politikanë të spektrave ideologjike që shkon nga e majta ekstreme e deri te e djathta ekstreme mohojnë këtë gjenocid.
Parlamenti Evropian gjatë seancës së 9 korrikut 2015 miratoi një rezolutë që dënon fuqishëm gjenocidin e kryer nga forcat serbe në Srebrenicë dhe dënoi veton e përdorur nga Rusia kundër projekt-rezolutës së propozuar nga Britania e Madhe.
Vetoja ruse përball fakteve të pakontestueshme të gjenocidit në Srebrenicë duhet t’i bëjë të mendojnë ndryshe ata përfaqësues të demokracive perëndimore që po ushtrojnë presion ndaj përfaqësuesve të Kosovës për të miratuar krijimin e një gjykate të motivuar politikisht dhe ideologjikisht nga «antiamerikanizmi».
Rezoluta e Parlamentit evropian është një hap tejet pozitiv dhe domethënës për përcaktimin e institucioneve demokratike të Evropës për të dënuar krimin e gjenocidit dhe ata që pengojnë dënimin ndërkombëtar të këtij krimi. POR, në përvjetorin e Srebrenicës të mos harrohet gjenocidi në Kosovë!