• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Aleksandër Vuçiqi dhe fshehja e gjenocidit

May 30, 2015 by dgreca

VRASJA E VËLLEZËRVE BYTYQI ËSHTË AKT GJENOCIDAR/
Nga Bardhyl Mahmuti*/
Deklarata e Ministrit të Jashtëm të Kosovës, Hashim Thaçit në OKB se Kosova do ta padisë Serbinë për gjenocid dhe se do të kërkojë dëmshpërblim për krimin më të rëndë kundër njerëzimit që aplikoi shteti serb në Kosovë nxiti reagime të menjëhershme të palës serbe. Nga të gjitha reagimet serbe po veçoj reagimin e Kryeministrit serb Aleksandër Vuçiqit, i cili deklaroi se gjoja “Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk e kupton se çfarë është gjenocidi sepse ai nuk është jurist dhe deklarata e tij nuk është e bazuar në fakte”.
Çështjen e “domosdoshmërisë” për të qenë jurist apo “për t’u bazuar në fakte” për krimin e gjenocidit serb në Kosovë, e kam trajtuar në librin «Mashtrimi i Madh». Kryeministrit serb nuk po i citoj juristë të huaj apo fakte nga pala shqiptare për të dëshmuar se në Kosovë ka ndodhur gjenocidi dhe se falë ndërhyrjes ushtarake të NATO-s përmasat e gjenocidit ishin më të vogla se sa kishte paraparë shteti serb. Në këtë rast po përmendi vetëm deklaratën e ministrit serb të Punëve të Jashtme, Goran Svilanoviqit, i cili në zyrën e Carla Del Ponte-s, më 3 tetor 2003, përpiqej të arsyetonte shkaqet e refuzimit të dorëzimit të arkivit të Këshillit Suprem të Mbrojtjes së Jugosllavisë. Në këtë takim, Goran Svilanoviqi theksoi haptazi se “nëse ua dorëzojmë arkivin e Këshillit Suprem të Mbrojtjes së Jugosllavisë ju do ta dënoni Millosheviqin për gjenocid, Serbia do të dënohet nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë për gjenocid dhe do të duhet t’i paguajmë miliarda dollarë dëmshpërblim…”
Besoj se Aleksandar Vuçiqi nuk ka harruar se Ministrit i Punëve të Jashtme të Serbisë, Goran Svilanoviqit ishte jurist i diplomuar dhe magjistruar në Fakultetin Juridik të Beogradit. Goran Svilanoviqit e dinte fare mirë, madje edhe nga këndvështrimi i juristit, se të gjitha faktet dëshmonin në mënyrë të pakontestueshme se në Kosovë shteti serb ka kryer gjenocid kundër shqiptarëve. Prandaj, ai refuzonte ta dorëzojë arkivin përplot dëshmi për gjenocid.
Të gjithë ata që kanë pasur mundësi ta lexojnë Konventën Ndërkombëtare për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Gjenocidit, qofshin juristë, politologë, historian apo të disiplinave tjera shkencore dhe që kanë njohuri me atë që ka ndodhur në Kosovë e dinë fare mirë se krimi i shtetit serb në Kosovë nuk ka emër tjetër pos GJENOCID!
Edhe Aleksandër Vuçiqi, jurist i Universitetit të Beogradit, që bënte pjesë në aparatin shtetëror që kreu këtë gjenocid, është plotësisht i vetëdijshëm, në cilësinë e juristit, se Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi ka plotësisht të drejtë në qëndrimet e shprehura në OKB. Aleksandër Vuçiqi e di fare mirë se të gjitha faktet e krimeve serbe në Kosovë dëshmojnë në mënyrë të pakundërshtueshme se Serbia ka kryer gjenocid ndaj shqiptarëve. Por sot, në cilësinë e Kryeministrit, përpiqet të mohojë vërtetësinë e krimit me qëllim të dekurajimit të shqiptarëve që të mos akuzojnë Serbinë për gjenocid.
Në funksion të kësaj strategjie dhe me qëllim të krijimit të një imazhi të ri, dy ditë para se të niset për në SHBA, Kryeministrit serb Aleksandër Vuçiqit paralajmëroi se do të formojë një komision lidhur me vrasjen e shtetasve amerikan me origjinë shqiptare, tre vëllezërve Bytyqi (Yllit, Agronit dhe Mehmetit).
Në vijim, duke u bazuar vetëm në faktet serbe, do të nxjerr në shesh se vrasja e vëllezërve Bytyqi është akt gjenocidar dhe se Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiqi është pjesëmarrës në strategjinë e fshehjes së kryerësve të gjenocidit ndaj shqiptarëve.

Si u vranë dhe kush i vrau vëllezërit Bytyqi?

Goran Radosavljeviq Guri, që ishte drejtpërsëdrejti i implikuar në krimin e kryer kundër civilëve shqiptarë në fshatin Reçak pas tërheqjes së forcave serbe nga Kosova u emërua komandant i Qendrës Mësimore në Petrovo Selo. Kjo qendër ishte njëra nga qendrat më të njohura për trajnime të forcave speciale të Policisë së Serbisë. Me gjithë avancimet në funksion, gjurmët e krimit e ndiqnin gjithkund.
I pyetur nga gazetari i gazetës serbe «Blic», se si ishte e mundur që një bashkëpunëtor i ngushtë i Nebojsha Pavkoviqit, Sreten Lukiqit dhe Vladimir Lazareviqit, që kishin përfunduar në Hagë për krimet e bëra në Kosovë, ende nuk ishte arrestuar, komandanti i aksionit policor në Reçak, Goran Radosavljeviq Guri, përgjigjet: “Lukiqi dhe Pavkoviqi janë në Hagë për shkak të përgjegjësive komanduese. Ata nuk kanë mundur ta dinë se cilët janë autorët e vrasjeve! Unë në Kosovë kam qenë zëvendës i Sreten Lukiqit dhe funksioni më ka shpëtuar nga Haga.”
Goran Radosavljeviq Guri mendon se nuk dihet se “cilët janë autorët e vrasjeve” në Kosovë dhe përpiqet të fshihet prapa funksionit që ka pasur në zinxhirin komandues. Kur është fjala për përgjegjësitë komanduese në kryerjen e krimeve kundër shqiptarëve dhe “shpëtimi nga dënimi vetëm për shkak të funksionit”, po sjell për lexuesin vetëm një shembull: «Rastin e vëllezërve Bytyqi».
Krahas vazhdimit të krimeve të këtij gjenerali të policisë serbe, ky rast do t’i mundësojë lexuesit të shohë mungesën e vullnetit të autoriteteve të Beogradit për të nxjerrë kriminelët përpara drejtësisë.
Në përshkrimin e «Rastit të vëllezërve Bytyqi» do t’u referohem kryesisht burimeve zyrtare serbe. Aktakuza e Prokurorisë për Krime Lufte në Beograd, Vendimi i Gjykatës së Lartë, Seksioni për Krime Lufte dhe Vendimi i Gjykatës së Apelit përmbajnë informata të mjaftueshme për të kuptuar se çka ndodhi në Qendrën Mësimore të Petrovo Selo-s, të komanduar nga Goran Radosavljeviq Guri.
Në vijim po sjell për lexuesin pjesë nga këto vendime.
Sipas të dhënave që përmenden në Vendimin e Gjykatës së Lartë të Serbisë, të Seksionit për Krime Lufte, të datës 9 maj 2012 “çdo gjë filloi më 26.06.1999”.
Në këtë ditë qershori, tre vëllezër: Yll Bytyqi (1974), Agron Bytyqi (1976) dhe Mehmet Bytyqi (1978), shtetas amerikanë me origjinë nga Kosova, duke dashur t’u ndihmonin dy familjeve rome që udhëtonin për në Serbi, i marrin në veturat e tyre dhe në vend që të ndaleshin në afërsi të kufirit, duke mos njohur vendin, kishin kaluar kufirin administrativ të Kosovës dhe kishin hyrë në territorin e Serbisë. Ndalohen nga pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë, në një checkpoint në vendin Rudar. Dënohen nga Gjykata për Kundërvajtje e Kurshumlisë me nga 15 ditë burg për kalim ilegal të kufirit shtetëror. Më 27 qershor dërgohen në Burgun e Qarkut të Prokuples për të vuajtur dënimin. Për shkak të sjelljes së mirë gjatë vuajtjes së dënimit, u pranua kërkesa për lirim me kusht dhe u parashikua të liroheshin para kohe, më 8 korrik. Megjithatë, për rastin e tyre u njoftuan instancat më të larta në Beograd, madje edhe ministri i policisë, Vlajko Stojiljkoviqi.
“Një ditë para se vëllezërit Bytyqi të liroheshin nga burgu, gjenerali Vlastimir Gjorgjeviq Rogja, shef i Resorit për Siguri Publike në MPB të RS-së, nëpërmjet telefonit kontaktoi me Qendrën Mësimore në Petrovo Selo. Në mungesë të komandantit Goran Radosavljeviq Guri në linjën telefonike u përgjigj Sreten Popoviqi, zëvendëskomandant i kësaj qendre. Gjenerali Gjorgjeviq e urdhëroi të akuzuarin, Popoviqin që të angazhonte disa pjesëtarë të njësisë së vet, të shkonin në Prokuple dhe sapo të dilnin nga burgu vëllezërit Bytyqi të arrestoheshin dhe të dërgoheshin në Qendrën e Petrovo Selo-s. Sipas të njëjtave udhëzime, vëllezërit Bytyqi duhej të mbaheshin në këtë qendër deri sa të vinin pjesëtarë të MPB-së të RS-së që t’i merrnin. Për këtë operacion ishin të informuar shefi i Seksionit Policor të Prokuples dhe Drejtoria e Burgut të Qarkut të Prokuples. Të gjithë së bashku koordinuan aksionin dhe kjo dëshmon se kishim të bënim me një aksion të organizuar mirë”, theksohet në vendimin e lartpërmendur.
Duke vepruar sipas urdhrave të eprorëve të tyre, Sreten Popoviqi, Milosh Stojanoviqi, qi, Dejan Stamenkoviqi dhe pjesëtarë të tjerë të MPB-së të RS-së arrestuan tre vëllezërit Bytyqi, i dërguan në Qendrën Mësimore në Petrovo Selo, i mbajtën të lidhur në një lokal me derë të hekurt dhe me 9 korrik ua dorëzuan personave të panjohur (!!!) të MPB të Serbisë. Këta pjesëtarë të policisë serbe, që në dosjen e vëllezërve Bytyqi përmenden si persona NN (të paidentifikuar!), “i lidhën me tel këta shtetas amerikanë me origjinë shqiptare, i dërguan rreth 500 metra nga Qendra Mësimore, hapën zjarr nga armët e tyre dhe i goditën në pjesën e pasme të kokës.”
Me kërkesë të vazhdueshme të SHBA-ve, autoritetet e Beogradit urdhëruan hapjen e hetimeve. Kjo detyrë iu ngarkua Gjykatës së Qarkut në Negotin. Për të hedhur dritë mbi këtë krim u ngarkua ekipi i ekspertëve nga Instituti i Mjekësisë Ligjore të Nishit, nën udhëheqjen e dr. Vujadin Otasheviqit. Kohë pas kohe, hetimet u monitoruan nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, nga Qendra Juridike Humanitare dhe nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian.
Në afërsi të Qendrës për trajnimin e njësive speciale të forcave policore serbe, që ishte nën komandën e Goran Radosavljeviq Gurit, u zbuluan dy varreza masive.
Zhvarrosja nga varreza e parë, që hetuesit e emëruan «Petrovo Selo I», përfundoi më 26 qershor 2001, kurse në varrezën e dytë, të emëruar «Petrovo Selo II», hulumtimet përfunduan më 28 qershor 2001.
Të njëjtën ditë, më 28 qershor 2001, Qeveria e Serbisë emëroi Goran Radosavljeviq Gurin në detyrën e shefit të Xhandarmërisë së Republikës së Serbisë. Ngritja në funksionin e ri, që ishte si shpërblim për krimet e kryera kundër shqiptarëve, bëri që të heshtej përgjegjësia e komandantit të Qendrës Mësimore në Petrovo Selo për dy varrezat masive.
Sipas ekspertizës së Mjekësisë Ligjore serbe për të dy varrezat masive në Petrovo Selo u konstatua se “në 60 raste vdekja ishte shkaktuar nga plagët me të shtëna armësh, 9 persona kishin vdekur nga plagë prej mjeteve jo të mprehta, kurse në 8 raste shkaktari i vdekjes ishte i panjohur.” Në mesin e kufomave të varrosura në këto varreza ishin edhe tre vëllezërit: Mehmet Bytyqi (21-vjeçar), Agron Bytyqi (23-vjeçar) dhe Yll Bytyqi (25-vjeçar).
Kjo ekspertizë dëshmoi se Goran Radosavljeviq Guri e kishte shndërruar Qendrën Mësimore të forcave speciale të policisë serbe në Petrovo Selo, në një qendër të “mësimit praktik” se si të ekzekutoheshin shqiptarët.
Zhvarrosja “hoqi dheun” me të cilin autoritetet politike, ushtarake dhe policore të Beogradit ishin përpjekur t’i mbulonin krimet. Një vendim të rëndësishëm në drejtim të ndriçimit të rasteve miratoi edhe Kuvendi i RFJ-së. Më 11 prill 2002, ky kuvend miratoi Ligjin për bashkëpunim me Gjykatën Penale Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.
Në ditën e miratimit të këtij ligji, ish-ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Vlajko Stojiljkoviqi, ndaj të cilit Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë kishte ngritur padi penale për krime ndaj shqiptarëve të Kosovës, vrau veten me plumb në kokë! Vetëvrasjen e bëri publikisht para ndërtesës së Kuvendit të RFJ-së, në orën 19:10.
Sado shpresëdhënës që ishte vendimi për bashkëpunim me Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, praktika dëshmoi se realizimi konkret i tij hasi në pengesa të mëdha, që janë të lidhura me logjikën e moçme të “fshehjes së krimit në rrugë institucionale.”
Pesë vjet pas zbulimit të kufomave të vëllezërve Bytyqi, më 23 gusht 2006, Prokuroria për Krime Lufte në Beograd ngriti aktpadi penale kundër zëvendëskomandantit të Qendrës Mësimore të Petrovo Selo-s, Sreten Popoviqit dhe pjesëtarit tjetër të policisë serbe, Milosh Stojanoviqit. Akuza i ngarkoi “për krim lufte ndaj robërve të luftës.” Ndërsa, dy pjesëtarët e tjerë të MPB-së të RS-së, Aleksandar Nikoliqi dhe Dejan Stamenkoviqi, përkundër asaj se përmenden në faqen 2 të aktakuzës si bashkëpjesëmarrës në rrëmbimin e vëllezërve Bytyqi, ndaj tyre nuk u ngrit akuza. Në vend të përgjegjësive penale, me të cilat duhej të ballafaqoheshin, ata u ftuan në cilësi të “dëshmitarëve”, në të njëjtën mënyrë siç u veprua edhe ndaj “Milenko Arsenijeviqit, Aleksandar Gjorgjeviqit, Marjan Mijatoviqit, Milovan Vuçiqeviqit, Milisav Vuçkoviqit dhe policëve të tjerë të implikuar në këtë krim.”
Për të humbur gjurmët e implikimit në këtë krim, “më 17 gusht 2004, Goran Radosavljeviq Guri largohet nga posti i shefit të Xhandarmërisë Serbe dhe transferohet si këshilltar në MPB-së të RS-së. Por, në dhjetor të vitit 2006, me urdhëresë të Gjykatës për Krime Lufte, ndaj tij u lëshua një urdhër arresti për shkak të implikimit në vrasjen e vëllezërve Bytyqi.”
Më 14 shkurt 2007, gazeta qeveritare e Beogradit, «Politika» solli në ballinën e saj artikullin e titulluar «Guri në arrati», në të cilin jepeshin detaje për motivet e kësaj arratie. Në të njëjtën kohë, gazeta informoi se Goran Radosavljeviq Guri ndodhej në Libi, ku trajnonte forcat speciale të Mouammar Khadhafit. Ikja e tij nuk ishte e papritur, theksohej në këtë artikull.
Krahas komandimit të forcave speciale të policisë serbe në krimet e bëra në fshatin Reçak dhe në Petrovo Selo, Goran Radosavljeviq Guri komandonte edhe forcat famëkëqe “paramilitare” «Tigrovi», të krijuara nga krimineli i njohur Zheljko Razhnatoviq-Arkan. Këtë informatë e pohoi Aleksandar Vasiljeviqi, zëvendësshefi i Drejtorisë së Sigurisë së Ushtrisë Jugosllave. Megjithatë, as funksioni i komandantit në strukturat që u dëshmua se kishin kryer krime në Petrovo Selo, nuk ndikoi që ky kriminel të përgjigjej për veprat e kryera.
Në shkrimin lidhur me proceset gjyqësore në Serbi për krime lufte, Fondi për të Drejtën Humanitare në Beograd përmend mungesën e vullnetit për të ndriçuar krimet e bëra dhe për të dënuar ata që ishin implikuar në krime. Në këtë kontekst, ky fondacion serb theksonte: “Karakteristika kryesore e këtyre gjykimeve është fakti se nuk ndërmerret asgjë kundër urdhërdhënësve e as kundër ekzekutuesve të drejtpërdrejtë të krimeve. Ka indikacione se udhëheqësi i Kampit në fshatin Petrovo Selo, Goran Radosavljeviq Guri, ka ikur jashtë vendit dhe me dijeninë e Ministrisë së Punëve të Brendshme, të Qeverisë së Serbisë dhe të Prokurorisë për Krime Lufte, para fillimit të procesit edhe pse është ditur se dyshohej për përgjegjësinë e tij për këtë krim.”
Pas procesit gjyqësor që zgjati pesë vjet, me vendim të Gjykatës së Lartë të Serbisë, të Seksionit për Krime Lufte, të datës 9 maj 2012, Sreten Popoviqi dhe Milosh Stojanoviqi u liruan nga aktakuza si të pafajshëm.
Edhe Gjykata e Apelit në Beograd, Seksioni për Krime Lufte, në seancën e 18 janarit 2013 hodhi poshtë ankesën e prokurorit dhe vërtetoi vendimin e Gjykatës së Lartë të Beogradit të datës 12 prill 2012.
Sipas këtyre vendimeve “nga ana e Gjykatës së Lartë të Beogradit janë dhënë mjaft arsye të argumentuara, ku nuk ka asgjë të paqartë, asgjë jologjike dhe asnjë kundërthënie se vëllezërit Bytyqi nuk kanë qenë robër lufte:

sepse lufta kishte përfunduar më 9 qershor 1999, me nënshkrimin e Marrëveshjes Ushtarako-Teknike të Kumanovës;
edhe pse kanë qenë pjesëtarë të «Batalionit Atlantiku», në momentin e arrestimit nuk kanë qenë pjesëtarë të asnjë njësiti ushtarak ose policor dhe nuk kanë qenë duke kryer ndonjë detyrë ushtarake ose policore;
në ditën e arrestimit nuk kanë qenë në ndonjë mision të armatosur luftarak, por misioni i tyre ishte skajshmërisht humanitar dhe bamirës;
në momentin e arrestimit nuk kanë qenë të armatosur, nuk kanë pasur uniformë ushtarake ose policore;
kanë qenë të veshur me tesha civile (bluza, këmisha, pantallona, xhinse…) dhe rrjedhimisht nuk mund të konsiderohen robër lufte që kanë rënë në duart e armikut.”

Nga ana tjetër, u vërtetua se:
“të akuzuarit, Sreten Popoviqi dhe Milosh Stojanoviqi, nuk kanë mundur ta dinë se personat NN, pjesëtarë të policisë, do t’i vrasin vëllezërit Bytyqi. Askush nuk u ka thënë një gjë të tillë dhe se ata kanë zbatuar urdhrat e eprorëve të tyre;
në bazë të ekspertizës së profesorit të Mjekësisë Ligjore të Nishit, dr. Vujadin Otasheviqit, vëllezërit Bytyqi kanë mundur të dërgohen në Beograd dhe pas një kohe të konsiderueshme të vriten e pastaj të sillen në varrezën masive të Petrovo Selo-s; “Ata kanë mundur të jenë vrarë një ditë, dy ditë, tre ditë, pesë ditë, një muaj, dy muaj, tre muaj para se të varroseshin këtu. Këtë gjë, në aspektin mjekoligjor, nuk mund ta konstatoj. Por, është i e sigurt se nuk janë vrarë pranë varrezës masive!”
Në bazë të ekspertizës së këtij profesori të Mjekësisë Ligjore u “vërtetua se eshtrat e thyera që u konstatuan gjatë autopsisë së viktimave, nuk kishin qenë pasojë e torturës dhe se në aspektin mjekësor nuk mund të thuhet se si ka ndodhur. A janë shkaktuar nga ekskavatori apo në ndonjë formë tjetër, nuk mund ta dimë.” “Janë gjëra që ndodhin. Nuk duhet të kesh shumë njohuri nga mjekësia për ta ditur se edhe njeriut që ecën rrugës, kur i rrëshqet këmba, rrëzohet në diçka të fortë e thyen këmbën. E lëre më të hidhet nga lartësia e kamionit ose nga ndonjë lartësi tjetër dhe të bjerë në ndonjë dru, në ndonjë gur ose në ndonjë send të fortë”, deklaroi dr. Vujadin Otasheviqi gjatë procesit gjyqësor kundër Sreten Popoviqit dhe Milosh Stojanoviqit. Në vend të ekspertit mjekoligjor, ai u shndërruar në avokat të këtyre dy të akuzuarve.

Në fund të këtij procesi, meqenëse nuk u konstatua se kur ishin vrarë vëllezërit Bytyqi dhe këmbënguljes së dr. Vujadin Otasheviqit se vëllezërit Bytyqi nuk janë ekzekutuar pranë varrezave masive, gjykata liroi Sreten Popoviqin dhe Milosh Stojanoviqin si të pafajshëm! Ata i liruan nga akuza dhe ua kthyen pasaportat që u ishin marrë më parë.
Në vendimin e 9 majit 2012, Gjykata e Lartë e Beogradit, Seksioni për Krime Lufte, theksoi se “Prokurorisë i mbetet një detyrë e rëndë ta zbulojë se kush, pse dhe me urdhër të kujt u vranë këta tre të rinj. Jemi thellësisht të bindur se askush, madje as tre vëllezërit Bytyqi nuk e kanë merituar që jetën e tyre të re ta përfundojnë me plumb në kokë, me sy të mbyllur, me duar të lidhura me tel dhe të varrosen në varrezë masive në periferi të Serbisë.”
Sado revoltuese të jetë një vendim i tillë dhe tallës “keqardhja” e lartpërmendur për fundin e jetës së tre të rinjve “me plumb në kokë, me sy të mbyllur dhe me duar të lidhura me tel” kjo dëshmon se sa thellë janë të rrënjosura në strukturat politike, ushtarake, policore, gjyqësore dhe mediatike format e mentalitetit të vjetër ku “tjetri” shihet si “objekt që duhet asgjësuar!”
Nga të gjithë të implikuarit në këtë krim, vetëm shefi i Resorit për Siguri Publike në MPB të RS-së, gjenerali Vlastimir Gjorgjeviqi, që u arrestua në bazë të akuzës së ngritur nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, për krimet e kryera ndaj shqiptarëve të Kosovës, u dënua me 27 vjet burg.
Gjatë procesit të gjykimit të tij, ai, për rastin e vëllezërve Bytyqi fajësoi ministrin e Punëve të Brendshme të Jugosllavisë, Vlajko Stojiljkoviqin. Eprorin e vet, që bëri vetëvrasje publike para ndërtesës së Kuvendit të RFJ-së!
Është me rëndësi të përmendet fakti se gjenerali Vlastimir Gjorgjeviqi e pranoi akuzën, pranoi se ndihet fajtor për pjesëmarrjen në krimet kundër shqiptarëve të Kosovës dhe u kërkoi falje familjarëve të shqiptarëve të vrarë të Kosovës.
“Në Kosovë, në vitin 1999 u bënë krime. Ato krime nuk i kam dashur dhe sikur të kisha pasur mundësi ta kthej kohën prapa do të kisha vepruar krejt ndryshe. Nuk kam pasur fuqi dhe mundësi t’i kundërvihem ministrit të atëhershëm të Punëve të Brendshme, Vlajko Stojiljkoviqit. Nuk i jam kundërvënë fshehjes së krimit. Për këtë ndihem fajtor. Ndjej keqardhje të thellë për të gjitha viktimat në Kosovë dhe vuajtjeve që kanë përjetuar familjarët e tyre. Në veçanti u kërkoj falje të gjitha familjeve të shqiptarëve të Kosovës, që kanë humbur jetë. U kërkoj falje edhe personave të shpërngulur dhe ndaj dhembjen e tyre…” – deklaroi Vlastimir Gjorgjeviqi në Hagë.
Ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Serbisë dhe shefi i Resorit për Siguri Publike, Vlastimir Gjorgjeviqi, pranon publikisht se në Kosovë, me urdhër politik, janë bërë krime kundër shqiptarëve të Kosovës dhe deklaron se ndihet përgjegjës pse nuk i është kundërvënë strategjisë së fshehjes së krimeve të bëra në Kosovë.
Nuk mund të gjykoj për sinqeritetin e pendimit të këtij kryepolici! Le të mbetet e drejta e secilit lexues!
Ajo që nxit të theksohet në këtë rast ka të bëjë me etikën profesionale të mjekëve ligjorë, që ishin ngarkuar të ndriçonin vrasjet e kryera me urdhër të strukturave politike, ushtarake dhe policore të Serbisë.
Profesori i Mjekësisë Ligjore të Universitetit të Nishit, dr. Vujadin Otasheviqi, tenton të na bindë se “eshtrat e thyera që u konstatuan gjatë autopsisë së viktimave të varrezave masive në «Petrovo Selo I» dhe «Petrovo Selo II» nuk kishin qenë pasojë e torturës (…), por ishin shkaktuar nga ekskavatori ose në ndonjë formë tjetër. Edhe më neveritëse janë banalizimet e tipit se nuk duhet të kemi shumë njohuri nga mjekësia për ta ditur se edhe njeriut që ecën rrugës, kur i rrëshqet këmba, rrëzohet në diçka të fortë dhe e thyen këmbën (…).”
Këmbënguljet e tij se vëllezërit Bytyqi nuk ishin vrarë pranë varrezës masive kishin për qëllim të vetëm të shfajësonin Sreten Popoviqin dhe Milosh Stojanoviqin, që ishin vetëm dy të akuzuar nga tërë zinxhiri komandues në kuadër të policisë serbe që rrëmbyen, keqtrajtuan dhe ekzekutuan vëllezërit Bytyqi. U ekzekutuan për të vetmen arsye se këta amerikanë ishin me prejardhje shqiptare dhe qëllimi i shtetit serb ishte shkatërrimi i tërësishëm apo i pjesshëm i shqiptarëve, si të tillë.
Po përmend rastin kur avokati kërkoi sqarime nga ky “ekspert i Mjekësisë Ligjore”, se pse kufomat i kishin pasur të lidhura duart me tel dhe sytë e mbyllur me shirit, nëse nuk janë ekzekutuar në atë vend, dr. Vujadin Otasheviqi u përgjigj me arrogancë: “Jo, nuk e di! Kjo nuk ka të bëjë me profesionin tim!” Atë që ai mundi të pohonte në përputhje me “fushën e tij profesionale”, në mënyrë të ngjashme si të Slaviša Dobriçaninit në Rastin e Reçakut, ka të bëjë me “faktet” se “gjatë zhvarrosjes u zbulua se njëra kufomë kishte uniformë me shenjën e UÇK-së, te tjetra u gjet e vizatuar harta e Kosovës, te i treti ishte harta e Gjermanisë në një bluzë e kështu me radhë…”
Sikur të mos ishte bërë publike se vëllezërit Bytyqi në ditën e arrestimit “nuk kishin qenë as me uniforma, as të armatosur e as në ndonjë mision luftarak”, profesori i Mjekësisë Ligjore të Universitetit të Nishit, dr. Vujadin Otasheviqi, do ta kishte përgjigjen e gatshme, në të njëjtën mënyrë, siç veproi anëtari tjetër i ekipit serb të Mjekësisë Ligjore për “Rastin e Reçakut”, profesori i Mjekësisë Ligjore i Universitetit të Beogradit, dr. Dushan Dunjiqi, në «Rastin e Srebrenicës».
Në pyetjen e njëjtë, por në kontekst tjetër, si dëshmitar në mbrojtje të liderit të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiqit, në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, dr. Dushan Dunjiqi deklaroi se “në Srebrenicë janë ekzekutuar vetëm 400 njerëz, përderisa shumica e njerëzve që janë gjetur në varrezat masive të Srebrenicës nuk janë aspak viktima të ekzekutimeve të kryera në korrik të vitit 1995. Shumë prej tyre kanë mundur të kenë qenë vrarë pas korrikut të vitit 1995 ose para korrikut 1995. Shumë plagë kanë mundur t’u bëhen viktimave pos mortem dhe nuk kemi arsye t’i konsiderojmë si viktima të rastit të njëjtë. Madje, vetëm një numër shumë i vogël nga 400 të vrarët mund të konsiderohen si viktima të ekzekutimit. Ata që, kur u zhvarrosën, u konstatua se kishin duar të lidhura me tel ose me konop mund të konsiderohen të ekzekutuar. Ndërsa, për ata që kishin sy të mbyllur me shirit nuk mund të pohohet nëse u janë vendosur këto shirita, por se shiritat e këtillë janë shenja që i kanë mbajtur viktimat për t’u dalluar dhe pasi janë vrarë u kanë rënë mbi sy! ”
Po e përsëris! Sikur të mos ishte bërë publike se vëllezërit Bytyqi në ditën e arrestimit më 26 qershor 1999 nuk kishin qenë as me uniforma, as të armatosur e as në ndonjë mision luftarak dhe se kishin qenë në një mision humanitar, dr. Vujadin Otasheviqi do të kishte përsëritur atë që kishte thënë kolegu i tij, Dushan Dunjiqi për “shiritat që u kishin rënë nga balli dhe ua kishin zënë sytë!” Së paku ky është mendimi im. I mbetet lexuesit të gjykojë për etikën profesionale të këtyre profesorëve të Mjekësisë Ligjore që minimizojnë krimin dhe tentojnë ta paraqesin nga një këndvështrim ideologjik dhe propagandistik!
Shfajësimi i kriminelëve që urdhëruan rrëmbimin, keqtrajtimin dhe ekzekutimin e vëllezërve Bytyqi, është revoltues. Po aq revoltues është fakti se për viktimat e tjera të zhvarrosura nga varrezat masive «Petrovo Selo I» dhe «Petrovo Selo II» nuk u bë fjalë aspak! Është revoltues kur dihet se nuk u dënua askush nga zinxhiri komandues i kësaj qendre “mësimore”, ku njësitë speciale të policisë serbe kishin civilët shqiptarë si “lëndë të parë” për trajnimin praktik të ekzekutimit me duar të lidhura me tel dhe me sy të mbyllur me shirit!
Shpërthimi i revoltës që njihet si «Pranvera arabe» e detyroi Goran Radosavljeviq Gurin që të kthehej nga Libia në Serbi. Në vend të arrestimit për implikimin e tij në krimet e kryera gjatë dhe pas luftës në Kosovë, ai u prit si hero në Serbi! Nga ofertat e shumta, ai zgjodhi të bëhej anëtar i Komitetit që kryeson Partinë Përparimtare Serbe, të kryesuar nga Kryeministri aktual i Serbisë, Alеksandar Vuçiqi.
Po i sjell për lexuesin, që nuk është i informuar se bëhet fjalë për partinë politike të themeluar nga presidenti aktual i Serbisë, Tomislav Nikoliqi, që ka qenë nënkryetarë i Partisë Radikale Serbe të Vojislav Sheshelit.
Edhe në cilësinë e anëtarit të Komitetit që kryeson këtë parti qeveritare të Serbisë, Goran Radosavljeviq Guri nuk mundi t’u ikte pyetjeve të gazetarëve lidhur me «Rastin e Reçakut».
Aleksandar Vuçiqi e di fare mirë se nën udhëheqjen e anëtarit të Komitetit Drejtues të partisë së tij, Goran Radosavljeviq Gurit, shqiptarët ishin shndërruar në “lëndë të parë” në Qendra “mësimore” në Petrovo Selo ku njësitë speciale të policisë serbe trajnoheshin praktikisht se si ekzekutoheshin shqiptarët me duar të lidhura me tel dhe me sy të mbyllur me shirit! Qëllimi i këtyre vrasjeve ishte që të shkatërroheshin shqiptarët tërësisht ose pjesërisht si të tillë. Ky akt gjenocidar, si të gjitha vrasjet tjerra të orkestruara dhe të kryera nga shteti serb në Kosovë janë në kundërshtim me Konventën Ndërkombëtare për parandalimin dhe Ndëshkimin e Gjenocidit. Këtë gjë e di edhe Kryeministri i Serbisë dhe juristët serbë që reagojnë ashpër sa herë që përmendet ngritja e akuzës së gjenocidit në Kosovë.
Pa arrestimin e anëtarit të Komitetit Drejtues të partisë së tij, Goran Radosavljeviq Gurit dhe të gjithë të përfshirëve në këtë akt gjenocidar dhe pa pranimin publik se në Kosovë shteti serb ka kryer gjenocid, të gjitha deklaratat për “krijimin e komisioneve gjoja për të ndriçuar rastin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi” nuk janë asgjë tjetër pos deklarata tani më të njohura që kanë për qëllim të fshehin kriminelët e vërtetë dhe gjenocidin kundër popullit shqiptar të Kosovës.
*(Të gjitha të dhënat për citatet e mësipërme gjenden në librin tim «Mashtrimi i Madh», f.162-177)

Filed Under: Analiza Tagged With: Aleksandër Vuçiqi, Bardhyl Mahmuti, dhe fshehja, e gjenocidit

Kambanat e alarmit bien për UÇK-në

May 28, 2015 by dgreca

Pse proceset «Drenica 1» dhe «Drenica 2» janë procese politike?/
Shkruan:Bardhyl Mahmuti/
Duke e parë veten si pjesë të pandashme të njerëzimit shkrimtari i madh amerikan Ernest Heminguej e konsideronte si humbje për njerëzimin humbjen e secilit njeri, fatkeqësitë që mund t’i ndodhnin secilit njeri, padrejtësitë që mund t’i ndodhnin secilit njeri … Për këtë arsye, ai na drejtohet që të mos pyesim se për kë bie kambana në rast fatkeqësie, sepse ajo bien për ne.
Proceset «Drenica 1» dhe «Drenica 2» janë kambana të alarmit se në proceset e montuara gjyqësore qëllimi politik është i qartë: të dënohet lufta çlirimtare e popullit të Kosovës. Prandaj, Nëse parafrazohet Hemingueji atëherë mund të themi lirisht se kur dëgjoni kambanat e padrejtësisë kundër Sylejman Selimit, Sami Lushtakut dhe bashkëluftëtarëve të tyre mos pyetni se për kë bie kambana. Ato bien për ne si shqiptarë!

Pse proceset «Drenica 1» dhe «Drenica 2» janë procese politike?

Që nga ardhja e tij në Kosovë, fillimisht në kuadër të UNMIK-ut e më vonë në kuadër të EULEX-it, prokurori italian Maurizio Salustro nuk ngriti asnjë aktakuzë të vetme kundër kriminelëve serbë që kishin kryer krime në Kosovë. Të gjitha ndjekjet dhe paditë i orientoi kundër udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Nuk po i përmend të gjitha proceset që ngriti ky prokuror kundër udhëheqësve të disa zonave operative të UÇK-së. Po kufizohem vetëm në periudhën pas miratimit të Raportit të Dick Marty-t nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës më 25 janar 2011. Ky vendim e mobilizoi prokurorin Maurizio Salustro si asnjë prokuror tjetër më parë.
Një muaj pas miratimit të raportit të Dick Marty-t, në mars të vitit 2011, i ngarkuar nga EULEX-it si shef i Departamentit për Krime lufte në Kosovë, Maurizio Salustro urdhëroi arrestimin e Fatmir Limajt dhe nëntë luftëtarëve të Zonës Operative të Pashtrikut të UÇK-së.
Për ata që nuk e njohin Fatmir Limajn po sjell shkurtimisht disa të dhëna. Ai është njëri ndër komandantët më të njohur të UÇK-së dhe pas përfundimit të luftës ishte njëri ndër themeluesit e Partisë Demokratike të Kosovës, nënkryetar i saj dhe Shef i Grupit Parlamentar i kësaj partie në Kuvendin e Kosovës.
Më 17 shkurt 2003 Kryeprokurorja e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, Carla Del Ponte, ngriti aktakuzë kundër Fatmir Limajt. Në kohën kur u bë publike aktakuza kundër tij, Fatmir Limaj ndodhej në vizitë private në Slloveni. Ai u dorëzua te autoritetet sllovene dhe kërkoi ta shoqëronin për në Hagë, i gatshëm të ballafaqohej me drejtësinë ndërkombëtare.
Procesi gjyqësor kundër tij, i mbështetur në akuza të përpiluara në bazë të burimeve serbe, filloi më 15 nëntor 2004 dhe pas një viti shqyrtimi të kësaj lënde, më 30 nëntor 2005, Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë e shpalli Fatmir Limajn të pafajshëm. Më 27 shtator 2007 Dhoma e Apelit hodhi poshtë ankesën që bëri Carla Del Ponte ndaj këtij vendimi dhe konfirmoi pafajësinë e Fatmir Limajt.
Fatmir Limaj u kthye i lirë në Kosovë pak kohë para se Carla Del Ponte ta botonte librin e saj, nga i cili kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës shkoqitën përmendjen e pretendimeve për trafikim me organet njerëzore.
Edhe pse asnjëherë nuk kishte qenë i sistemuar në Zonën Operative të Drenicës, në librin e Carla Del Pontes dhe në Raportin e Dick Marty-t Fatmir Limaj figuron si njëri nga anëtarët e «Grupit të Drenicës»! Kjo e pavërtetë ishte publikuar në “librat e bardhë” të Shërbimit Sekret Serb shumë vite para se të botohej libri i Carla Del Pontes apo Raporti i Dick Marty-t.
Paraqitja e Fatmir Limajt nga Carla Del Ponte, Dick Marty dhe nga shumë kumbarë të tjerë të sajimeve të Shërbimit Sekret Serb si pjesëtar i «Grupit të Drenicës» dëshmon për “plagjiaturën” që këta autorë kanë bërë nga burimet “sekrete” serbe të shpërndara publikisht.
Duke u mbështetur ekskluzivisht në burimet serbe dhe “dëshmitarët” e ofruar nga Prokuroria serbe për krime lufte, më 25 gusht 2011 Maurizio Salustro ngriti aktakuzën kundër Fatmir Limajt, Nexhmi Krasniqit, Naser Krasniqit, Naser Shalës, Sabit Shalës, Refi Mazrekut, Arben Krasniqit, Shaban Shalës, Behlul Limajt dhe Besim Shurdhajt.
Procesi gjyqësor kundër këtyre dhjetë pjesëtarëve të UÇK-së filloi më 11 nëntor 2011 dhe pasi u shoshitën të gjitha provat e ofruara nga të dyja palët, më 2 maj 2012, Gjykata e Qarkut në Prishtinë e hodhi poshtë akuzën e Maurizio Salustros dhe të gjithë të akuzuarit u liruan si të pafajshëm.
Maurizio Salustro u ankua ndaj këtij vendimi dhe Gjykata Supreme e Kosovës, më 20 nëntor 2012, e ktheu këtë lëndë në rigjykim. Rigjykimi filloi më 13 prill 2013.
Ndërsa zhvillohej rigjykimi i dytë i Fatmir Limajt dhe i nëntë ushtarëve tjerë të UÇK-së, më 23 maj 2013 Gjykata Komunale e Mitrovicës lëshoi urdhër arrest kundër Sylejman Selimit, ish-Komandant i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së që ishte ambasador i Kosovës në Tiranë, Sami Lushtakut, ish-Komandant i Zonës Operative të Drenicës, që ishte zgjedhur Kryetar i Komunës së Skenderajt në zgjedhjet e lira të vitit 2009, dhe pesë ushtarëve të kësaj zone operative: Sahit Jasharit, Jahir Demakut, Zeqir Demakut, Hysni Thaçit dhe Avni Zabelit.
Jo vetëm akuzat ndaj këtyre personaliteteve të shquara të UÇK-së por edhe emërtimi «Grupi i Drenicës» ishte marrë nga «Libri i Bardhë» që e trajtova më lart.
Fatkeqësisht, prezantimi i këtyre komandantëve dhe pjesëtarëve të UÇK-së si të ishin pjesëtarë të një “grupi” dominoi në shkrimet dhe emisionet televizive që mbuluan këtë rast. Ky prezantim ka marrë përmasa aq të mëdha sa termi «Grupi i Drenicës» përdoret aq shpesh si të ishte një realitet e jo stigmatizim i sajuar nga Shërbimi Sekret Serb.
Gjykata e Apelit mori vendimin që shtatë pjesëtarët e lartpërmendur të UÇK-së të mbaheshin në arrest shtëpiak deri në fillimin e procesit gjyqësor. Edhe pse asnjë udhëheqës apo ushtar i UÇK-së nuk i iku ballafaqimit me drejtësinë, Maurizio Salustro u ankua kundër vendimit me arrest shtëpiak. Dëshironte t’i shihte të burgosur! Gjykata e Apelit anuloi vendimin e mëparshëm dhe e shndërroi masën e arrestit shtëpiak në paraburgim.
Më 31 maj 2013 u arrestuan shtatë ish-pjesëtarët e UÇK-së dhe u dërguan në burgje për të plotësuar kërkesën e Maurizio Salustro-s.
Paralelisht me veprimet kundër ish-pjesëtarëve të Zonës Operative të Drenicës, Maurizio Salustro vazhdoi procesin e dytë gjyqësor kundër Fatmir Limajt dhe nëntë ushtarëve të Zonës Operative të Pashtrikut. Mirëpo, pas pesë muajsh, më 17 shtator 2013, Gjykata e Qarkut në Prishtinë i hodhi përsëri poshtë akuzat e pabaza të Maurizio Salustro-s dhe i liroi si të pafajshëm Fatmir Limajn dhe nëntë ushtarët tjerë të UÇK-së.
Edhe ndaj këtij vendimi shefi i Departamentit për Krime lufte në Kosovë, Maurizio Salustro bëri ankesë dhe në momentet kur jam duke i shkruar këto rreshta, Gjykata e Apelit ende nuk ka vendosur lidhur me këtë ankesë.
Nga ana tjetër, më 6 dhjetor 2013 filloi gjykimi i Sylejman Selimit, Sami Lushtakut dhe pjesëtarëve të lartpërmendur të Zonës Operative të Drenicës.
Një muaj më vonë, më 9 janar 2014, Maurizio Salustro njoftoi se largohet nga funksioni i tij në Kosovë pa dhënë asnjë sqarim për angazhimet pas largimit nga Kosova. Tre muaj më vonë, të gjitha mediat njoftuan se ish-shef i Departamentit për krime lufte në Kosovë, Maurizio Salustro “ishte punësuar në Beograd, si këshilltar në Prokurorinë serbe për krime lufte.”
Nëse i hedhim një sy makinave kërkuese në internet rreth kësaj çështjeje do të shohim me qindra artikuj në të cilat shprehet revolta e Kosovës për këtë veprim të Salustro-s.
As Maurizio Salustro e as Prokuroria serbe për krime lufte nuk dhanë asnjë sqarim për muaj të tërë. Por, kur shpërtheu skandali i korrupsionit në kuadër të EULEX-it dhe kur shefja e diplomacisë evropiane ngarkoi juristin francez Jean-Paul Jacqué që të hetojë këtë skandal, Prokuroria serbe për krime lufte reagoi duke pohuar se “asnjë i dyshuar i EULEX-it nuk është punësuar në kuadër të kësaj prokurorie.”
Cila është e vërteta për skandalin e korrupsionit dhe “punësimin” e Maurizio Salustro-s në Prokurorinë serbe për krime lufte mbetet të shihet. Por, ajo që dihet tashmë qëndron në faktin se, as Prokuroria serbe për krime lufte e as prokurorët ndërkombëtarë që erdhën në Kosovë, nuk kanë bërë asnjë hap për të çuar drejtësinë në vend.
Pesëmbëdhjetë vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, familjarët e 1392 fëmijëve, të 1739 grave dhe të rreth 10000 civilëve shqiptarë të të gjitha moshave që u vranë gjatë zbatimit të politikës së gjenocidit në Kosovë presin ngadhënjimin e drejtësisë! Familjarët e 1657 personave të cilët ende konsiderohen të zhdukur jetojnë në ankthin e përditshëm të zbulimit të rrethanave të zhdukjes së tyre.
Pesëmbëdhjetë vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë 20.400 femra shqiptare, të përdhunuara në funksion të zbatimit të politikës së gjenocidit, presin dënimin e kriminelëve!
Nuk mund ta di se cili do të jetë rezultati i hetimit të Bashkimit Evropian dhe nëse do të zbulohen prokurorët që janë korruptuar për të lënë në heshtje paditë kundër kriminelëve të vërtetë që kryen krimet më të përbindshme në Kosovë. Por, atë që mund ta them nga ajo që kemi parë deri tani del qartë se mosndëshkimi i kriminelëve për krimet e kryera është shndërruar në njërën nga pengesat e mbylljes së kapitullit më tragjik të dekadës së fundit të shekullit XX. Plagët e hapura nga lufta gjenocidare e regjimit të Milošević-it nuk mund të shërohen pa ndriçimin e plotë të të gjitha krimeve. Mbeturinat e regjimit të vjetër dhe kumbarët e nocioneve që stigmatizonin UÇK-në si “organizatë terroriste” janë bërë pengesa kryesore që të dalë në shesh e vërteta e plotë. Ajo e vërtetë për “listën e krimeve të bëra nga Shërbimi Sekret Serb kundër serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë që do ta rrëzonte në gjunjë Serbinë.”
Gjunjëzimi i Serbisë së Milošević-it, logjika e të cilit ende mbizotëron në institucionet shtetërore, është kusht i domosdoshëm për ngadhënjimin e demokracisë në Serbi dhe do të hapte rrugën e pajtimit mes popujve.
Për këtë arsye, publikimi i listës së plotë të krimeve që Shërbimi Sekret i Serbisë i ka bërë kundër civilëve serbë, shqiptarë dhe pjesëtarëve të përkatësive tjera etnike, listës për të cilën fliste ish-Shefi i Shërbimit Sekret Serb, Radomir Marković-i, do të ndriçonte krimet që janë kryer në Kosovë. Sipas mendimit tim, hedhja dritë në këto krime të përbindshme do të përshpejtonte ngadhënjimin e drejtësisë sepse do të krijonte klimën e përgjithshme për domosdoshmërinë e ndëshkimit të kriminelëve të vërtetë. Publikimi i listave të vërteta të kryera me urdhër të Shtabit Strategjik të Milošević-it do të nxirrte në dritë gënjeshtrat e listave që ishin përpiluar në funksion të manipulimit me opinionin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar. Jo vetëm kaq! Kjo do të kishte ndriçuar edhe punën e prokurorëve ndërkombëtarë që kanë ngritur aktakuza duke u mbështetur në burimet e këtij shtabi strategjik, pasojat e të cilit i mbajnë mbi kurrizin e tyre Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Sami Lushtaku dhe udhëheqës tjerë të UÇK-së.
Ndriçimi i plotë i këtyre ngjarjeve do të nxirrte në shesh motivet politike dhe ideologjike të krijimit të Gjykatës Speciale të Kosovës që do të merrej me pretendimet e propagandës serbe dhe të kumbarëve të tyre për krimet që gjoja kanë kryer udhëheqësit tjerë të UÇK-së.
Padrejtësia troket në dyert e Kosovës! Kjo u pa edhe nga Konferenca e Clint Williamson-it!
Pohimet e Kryeprokurorit Williamson se nuk kanë siguruar prova për trafikimin e organeve njerëzore, se gjatë hetimeve trevjeçare nuk siguruan as provat dhe as dëshmitarët që do të konfirmonin pretendimet për krimet e kryera nga ana e UÇK-së dhe imponimi i krijimit të një Gjykate Speciale për t’i gjykuar “krimet e UÇK-së” pa prova dhe pa dëshmitarë është dëshmi se padrejtësia troket fuqishëm në dyert e Kosovës!
«Mashtrimi i Madh» f. 551-557
Padrejtësia e madhe u pa edhe në dënimin e personaliteteve të shquara të UÇK-së në proceset politike «Drenica 1» dhe «Drenica 2». Dënimi i Sylejman Selimit, Sami Lushtakut, Jahir, Zeqir e Nexhat Demakut, Hysni Thaçit, Bashkim, Selman dhe Driton Demajt… pa prova dhe me dëshmitarë të rrejshëm është dëshmi se ndërhyrja politike ka marrë në duart institucionet e drejtësisë në Kosovë.
Dënimi i Komandantit të Shtabit të Përgjithshëm, i Komandantit të Zonës Operative të Drenicës dhe bashkëluftëtarëve të tyre për “krime lufte” nxori në shesh propagandën boshe se gjoja proceset e tilla gjyqësore “nuk e paragjykojnë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Kosova dhe gjithë rajoni kanë nevojë për DREJTËSI! Por, drejtësia nuk ngadhënjen me dënimin e çlirimtarëve që kapën pushkët në mbrojtje të popullit. Dënimi i atyre që i dolën përballë makinerisë gjenocidare serbe është turp i ndërhyrjes politike në institucionet e drejtësisë. Sylejman Selimi, Sami Lushtaku dhe bashkëluftëtarët e tyre duhet të lirohen menjëherë dhe t’u thuhet publikisht:Ju lumtë pushka trima!

Filed Under: Analiza Tagged With: Bardhyl Mahmuti, bien për UÇK-në, Kambanat e alarmit

Besnikëria deri në vdekje ndaj Sasha Mijallkovit dhe…

May 25, 2015 by dgreca

*Më 22 maj 2015, në intervistën për Klan Kosova, Menduh Thaçi u përpoq të shfajësohet nga implikimi i tij në Masakrën e Kumanovës. Megjithatë, jo brejtja e ndërgjegjes por ndërdija e tradhtoi keq Menduh Thaçin i cili zbuloi disa elemente domethënëse për këtë situatë./
*Besnikëria deri në vdekje ndaj Sasha Mijallkovit dhe politika vdekjeprurëse ndaj Kosovës/
Nga Bardhyl MAHMUTI/
Reagimet e shumta për heshtjen e dy udhëheqësve të partive politike shqiptare që kanë qenë, herë njëra e herë tjetra, në pushtetet antishqiptare të Maqedonisë bëri që më në fund t’i drejtohen opinionit publik shqiptar lidhur me Masakra e Kumanovës.
Pas dy intervistave televizive të Kryetarit të BDI-së në Alsat M dhe TV Klan, për të cilat dhashë një pjesë të qëndrimeve të mia në artikullin «Besa kanunore dhe përgjegjësia institucionale, opinionit publik shqiptar iu drejtua edhe Kryetari i PDSH-së.
Më 22 maj, në intervistën për Klan Kosova, Menduh Thaçi u përpoq të shfajësohet nga implikimi i tij në këtë tragjedi. Megjithatë, jo brejtja e ndërgjegjes por ndërdija e tradhtoi keq Menduh Thaçin i cili zbuloi disa elemente domethënëse për këtë situatë. E shoh të rëndësishme t’u kthehem këtyre elementeve që mbetën pa u sqaruar për teleshikuesin e kësaj interviste.
Elementi kyç në këtë intervistë ishte lënia në heshtje e faktit se publikimi i përgjimeve të telefonatave në Maqedoni nxori në shesh BETIMIN e Menduh Thaçit se Sasha Mijallkovit do t’i qëndroj besnik deri në vdekje! Por, Menduh Thaçi sqaroi se raporti i besueshmërisë ndaj Sasha Mijallkovit ishte për shkak të pozitës kyçe që kishte ky person në strukturat e VMRO-së dhe pushtetit të Maqedonisë. Sikur Menduh Thaçi të ishte një qytetar i thjeshtë i Maqedonisë askush nuk do t’ia kontestonte të drejtën që t’i betohej kujt të ketë qejf dhe t’i qëndrojë besnik sa të ketë qejf. Por, është skandaloze në aspektin kombëtar kur një udhëheqës partie, që kërkon vota prej qytetarëve shqiptarë për të realizuar aspiratat e tyre politike, në vend të betimit se do t’u qëndrojë besnik premtimeve të dhëna para elektoratit shqiptar i betohet shefit të aparatit represiv të shtetit që shtyp shqiptarët. Edhe më keq se kaq. Përderisa Menduh Thaçi i betohet Sasha Mijallkovit se do t’i qëndrojë besnik deri në vdekje, në intervistën për TV Klan Kosova, Kryetari i PDSH-së përmendi qëndrimet e tij në raport me Kosovën dhe udhëheqësin e AAK-së, Ramush Haradinajn. Në këto raporte Menduh Thaçi theksoi se “besueshmëria e tij është vdekjeprurëse”. Nuk ishte një llapsus! Ai e përsëriti dy herë se “besueshmëria e tij ndaj Kosovës dhe Ramush Haradinajt është vdekjeprurëse”. Madje herën e dytë ai shtoi se kjo “besueshmëri vdekjeprurëse është në kuptimin pozitiv”!
Teleshikuesve të vëmendshëm u imponohet të shikojnë se a mundet të ketë mbiemri «vdekjeprurës» edhe kuptim pozitiv! Definicioni i këtij mbiemri përfshin personat dhe aktet “që sjellin vdekjen, që janë shumë të rrezikshëm, që janë shumë të dëmshëm… që sjellin shkatërrim, shkatërrimtar, asgjësues… Politikë vdekjeprurëse. Pasoja vdekjeprurëse…” . Shkurt, në asnjë rast, në asnjë formë dhe në asnjë kuptim figurativ mbiemri «vdekjeprurës» nuk ka kuptim pozitiv.
Ajo që është pozitive në këtë intervistë del nga nëndija e Menduh Thaçit: besnik deri në vdekje ndaj Sasha Mijallkovit ndërsa besnikëria ndaj Kosovës dhe Ramush Haradinajt është vdekjeprurëse!
A thua ndërdija e tij nxori në shesh edhe atë që Menduh Thaçi u mundua ta lërë në heshtje gjatë intervistës?!
Nuk mund të harrohen faktet se gjatë pushtetit diktatorial të VMRO-së dhe PDSH-së 2006-2008 forcat policore dhe ushtarake maqedonase ndërmorën aksione vdekjeprurëse për të terrorizuar Malësinë e Karadakut në përgjithësi, ndërsa fshatarët e Tanushës në veçanti;
Nuk mund të harrohen faktet se në aksione vdekjeprurëse u vranë shqiptarë në fshatin Vaksincë, në Haraçinë, në Shkup, në Rrafshin e Pollogut …
Nuk mund të harrohen faktet se në aksione vdekjeprurëse të masakrës në fshatin Brodec të Malësisë së Tetovës gjatë operacioneve ushtarako-policore maqedonase, u vranë, u plagosën dhe u arrestuan me dhjetëra shqiptarë;
Nuk harrohen fjalimet e Zv. Ministrit të Punëve të Brendshme (anëtarë i PDSH-së) dhe deputetëve të PDSH-së në Parlamentin e Maqedonisë kur mburreshin se kishin qenë “shumë efikas në aksionet vdekjeprurëse në Brodec kundër kosovarëve që kishin ardhur të destabilizonin Maqedoninë!”
Bombardimet e Malësisë së Tetovës dhe Masakra e Brodecit ishte paralajmërim se pushteti terrorist i Maqedonisë nuk zgjedh mjete për të terrorizuar shqiptarët.
Në Kumanovë u përsërit, në një shkallë më tragjike, Masakra e Brodecit dhe ajo që kemi parë nga politika vdekjeprurëse e deriatëhershme. Kush ka pasur gisht në këtë masakër e dinë Sasha Mijallkovi dhe argatët e tij. Shpresojmë se njerëzit që i kanë shpëtuar kësaj masakre do të hedhin dritë për të ndriçuar këtë krim të shëmtuar. Kam bindjen e plotë se një ditë do të ndriçohen krimet e diktaturave “multietnike” në Maqedoni.
Por, nuk duhet të harrojmë se Çështja shqiptare në përgjithësi dhe ajo e shqiptarëve të Maqedonisë në veçanti kanë bartur mbi kurrizin e vet pasojat e betimeve për t’i qëndruar besnik deri në vdekje armiqve të popullit shqiptar siç i ka bartur edhe pasojat e politikës vdekjeprurëse antishqiptare.
Njerëzit e tillë nuk largohen vullnetarisht nga politika sepse, deri sa të jenë gjallë, ata janë betuar të jenë besnik ndaj armiqve tanë. Unë nuk ua dëshiroj vdekjen. Por, ata që dëshirojnë të çlirohen nga barra e njerëzve të tillë këtë gjë mund ta arrijnë përmes mobilizimit politik dhe votës për opsion tjetër. Veprimi i këtillë i votuesve shqiptarë në Maqedoni do t’i çlironte edhe njerëzit e tillë sepse do t’ua bënte të pavlefshëm betimin: nuk do t’i duheshin as Sasha Mijallkovit dhe pasardhësve të tij!

P.S.Në ditët në vijim do të trajtoj aspekte tjera të këtyre tri intervistave.

Filed Under: Analiza Tagged With: Bardhyl Mahmuti, Besnikeria ndaj Sasha Mijallkovit, Thaci

Besa kanunore dhe përgjegjësia institucionale

May 22, 2015 by dgreca

Nga Bardhyl Mahmuti/
Që nga 9 maji 2015, dita kur pushteti terrorist i Maqedonisë bëri agresionin ushtarako-policor mbi pjesën shqiptare të Kumanovës, në opinionin publik shqiptar domonin pyetjet lidhur me
përgjegjësinë e BDI-së në këtë dhunë shtetërore dhe revoltën pse nuk tërhiqet nga ky koalicion antishqiptar.
Për të sqaruar këto çështje, udhëheqësi i BDI-së, Ali Ahmeti, zgjodhi dy intervista të gjata televizive: intervista e parë e zhvilluar më 14 maj me gazetarin e TV ALSAT M, Muhamet Zeqirin dhe intervista e dytë e zhvilluar më 19 maj me gazetarin e TV KLAN dhe publicistin e njohur shqiptar Blendi Fevziun.
Do të veçoj vetëm disa qëndrime nga këto dy intervista e që na ndihmojnë të kuptojmë përgjegjësinë reale të këtij pushtetari të shtetit maqedonas në terrorin e Kumanovës.
Fillimisht po ndalem në refuzimin e Ali Ahmetit që të ndërmjetësojë për t’u hapur rrugë ish- bashkëluftëtarëve të vet që të tërhiqeshin nga Kumanova.
Rreth kësaj çështjeje, që u përsërit në të dy intervistat, Ali Ahmeti nuk tregoi se ish-bashkëluftëtarët e tij kërkonin të tërhiqeshin jo për të shpëtuar kokat e tyre, por për të shmangur rrezikimin e civilëve që ishin vënë përballë një agresioni të paparë as gjatë luftës së vitit 2001. Përkundrazi. Ai nuk tha asnjë fjalë për barbarinë e forcave terroriste maqedonase ndaj popullsisë shqiptare por u përpoq që ish-bashkëluftëtarët e vet t’i paraqesë si njerëz që “kanë gabuar dhe që preokupoheshin të mos digjeshin të gjallë.”
Pas bisedës së parë që kishte pasur me Muhamet Krasniqin (njërin nga pjesëtarët e grupit të armatosur) dhe kohës që kishte kërkuar për të “menduar” Ali Ahmeti nuk iu përgjigj pyetjes nëse kishte komunikuar me autoritetet qeveritare dhe me partnerët e vet Nikolla Gruevskin, Sasha Mijallkovin dhe Gordana Jankullovskën.
Por, Ali Ahmeti si “burrë kanuni” u është përgjigjur se “nuk mund t’u hapë rrugë, nuk marr një përgjegjësi aq të madhe sepse edhe po të muj ta bëj, dikush me u vra në besën time faji më mbetet mua”.
Përderisa i referohet ndërmjetësimit kanunor (me hi dorzan) kur dikush kërkon besë nga ndonjëri që gëzon autoritetin e burrit të fjalës po i kujtoj lexuesit se «çështja e dorëzanisë» në të drejtën zakonore, e vlefshme për një periudhë kohore që nuk mund të lidhet me kontekstet historike aktuale, precizon qartë edhe punën e dorëzanisë. Të gjithë atyre që u interesojnë detaje rreth kësaj çështjeje mund të lexojnë në tërësi Kanunin e Lekë Dukagjint. Unë po shkoqis vetën një element: “Dorzânë e bestàr nuk hîn kush pa leje të zot’t të shpis” (citohet me transkriptimin e moçëm fonetik).
Ali Ahmeti në asnjërën intervistë nuk tregoi se ata që i konsideron për zot shpie (Nikolla Gruevski, Sasha Mijallkovi dhe Gordana Jankullovska) nuk i kishin dhënë leje t’u hapte rrugë ish-bashkëluftëtarëve të vet. Por, si partner i Nikolla Gruevskit, Sasha Mijallkovit dhe Gordana Jankullovskës dhe “me leje të zot’t të shpis” Ali Ahmeti “hîn dorzânë e bestàr” që të dorëzoheshin luftëtarët shqiptarë dhe garanton respektimin “ standardet ndërkombëtare”.
Të gjithë e kanë parë nga publikimet e pushtetit poshtërimin që janë munduar t’u bëjnë robërve të dorëzuar në besë të Ali Ahmetit. Të gjithë e dinë se ndaj të dorëzuarve dhe civilëve të arrestuar në Kumanovë janë përdorur standardet e pushtetit terrorist të Maqedonisë. Është bërë publike, madje edhe nga një “avokat i popullit” që deri dje ishte instrument i verbër i pushtetit, se ky pushtet ka përdorur tortura çnjerëzore ndaj të arrestuarve. Të gjithë e dinë se pas dorëzimit disa pjesëtarë të grupit të armatosur janë ekzekutuar pa gjyq.
Dy intervistat e lartpërmendura ishin rast i mirë që Ali Ahmeti të distancohej nga pushteti terrorist, të tërhiqej nga partneriteti terrorist antishqiptar dhe të kërkonte falje për tërë dëmin që u bë në Kumanovë. Por, ai nuk e bëri një gjë të tillë. Ai bëri edhe më keq se kaq. Jo vetëm që fshehu faktin se “marrëveshja gojore sipas kanunit” parashihte që grupi i armatosur t’i dorëzohej OSBE-së e jo forcave të pushtetit terrorist VMRO-BDI, Ali Ahmeti shkoi edhe më larg në fshehjen e së vërtetës. Pasi bëri publik “shqetësimin” e tij se dikush ka mundur të qëlloj në momentin e dorëzimit dhe vrasja eventuale e dikujt do t’i ngarkohej si vrasje në “besë të tij”, Ali Ahmeti pa iu dridhur qerpiku deklaroi se “gjatë momentit të dorëzimit është qëlluar me armë dhe se janë vrarë tre policë.” Kjo është forma më banale e fshehjes së gjurmëve të ekzekutimeve kriminale që ka bërë shteti ndaj robërve të luftës dhe fajësimi i viktimave si përgjegjës për vrasje në “pabesi”.

Është koha që Ali Ahmeti të ndërpresë këtë lojë të dëmshme për shqiptarët.
Ai duhet ta dijë se gjatë periudhës që ishte në pushtet (herë me LSDM-në e herë me VMRO-në) premtonte se ndaj shqiptarëve do të aplikoheshin standardet më të larta ndërkombëtare, përderisa realiteti dëshmonte të kundërtën.
E njëjta gjë u premtua e edhe në procesin e montuar të Sopotit I dhe II, dhe dihet se çka ndodhi. Njerëz të pafajshëm u torturuan çnjerëzisht me “standardet maqedonase” dhe u mbajtën padrejtësisht për më shumë se 7 vjet nëpër burgjet maqedonase. Përgjimet e partnerëve të tij dëshmuan se edhe Sasha Mijallkovi dhe Gordana Jankullovska ishin të bindur për pafajësinë e shqiptarëve të dënuar në këtë proces të montuar por nuk i lironin për shkak se shteti duhej të paguante dëmshpërblim. E njerëzit e BDI-së hyjnë “dorëzan te Sasha Mijallkovi se dëmshpërblimi nuk do të kërkohet”;
E njëjta gjë u premtua edhe në procesin e montuar të Brodecit dhe dihet se çka ndodhi: të vrarë, të plagosur, të torturuar, u dënuan me burg të përjetshëm ish-bashkëluftëtarë tij;
Pas këtij rasti pasoi procesi i montuar gjyqësor kundër tre ish-bashkëluftëtarëve tij: Ismail Etemi, Bashkim Bajrami dhe njërit nga udhëheqësit e luftës, z. Harun Aliu (në mungesë). Me “standardet maqedonase” u dënuan me burg të përjetshëm;
Pak kohë pas këtij procesi, pushteti terrorist i Maqedonisë në përputhje me “standardet maqedonase” ekzekutoi pa gjyq veprimtarët e shquar  të çështjes kombëtare: Harun Aliun, Shaban Zenunin, Qemajl Fejzullahun dhe Xhafer Shalën;
Pushteti terrorist i Maqedonisë montoi rastin e vrasjes së 5 qytetarëve maqedonas në fshatin Smillkovë të Shkupit dhe për këtë vepër të kurdisur pushteti gjyqësor i kontrolluar dhe dirigjuar nga pushteti terrorist dënoi me burg të përjetshëm gjashtë shqiptarë:Halil Demirin, Afrim e Agim Ismailin, Fejzi dhe Haki Hazirin dhe Sami Lutën…

Ekzekutimet pa gjyq, gjymtimet dhe krimet kundër njerëzimit që pushteti terrorist i Maqedonisë kreu në Kumanovë do të dalin në dritë shumë shpejt. Pa marrë parasysh shkallën e implikimit të qytetarëve të vet, institucionet shtetërore të Kosovës e kanë për obligim të krijojnë një komision të mjekësisë ligjore për të ndriçuar (pjesërisht) se a u ekzekutuan njerëzit që ishin dorëzuar pas ndërmjetësimit të Ali Ahmetit. Pjesa tjetër mbetet të ndriçohet nga të burgosurit që u torturuan me “standardet maqedonase”.
Besën kanunore dhe dorëzaninë do ta lëmë për debate odash. Këtu kemi të bëjmë me përgjegjësi institucionale.
Është koha që Ali Ahmeti të ndërpresë shfajësimin e Nikolla Gruevskit, Sasha Mijallkovit dhe Gordana Jankullovskës në implikimin e Masakrës së Kumanovës. Është koha të del publikisht dhe të tregojë se kush u implikua në kurdisjen e kësaj masakre. Në kohën kur edhe ndërkombëtarë (po përmend vetëm rastin e eurodeputetes Urlike Lunacek) deklarojnë publikisht se pushteti i Maqedonisë ka qenë i implikuar në kurdisjen e këtij krimi BDI-ja duhet të largohet nga pushteti terrorist i Maqedonisë. Në të kundërtën, përgjegjësia institucionale është e barabartë.

Bardhyl Mahmuti
22 maj 2015

Filed Under: Analiza Tagged With: Bardhyl Mahmuti, Besa kanunore, dhe përgjegjësia, institucionale

Përballë rrezikut për padrejtësi historike!

May 14, 2015 by dgreca

Nga Bardhyl Mahmuti/
Sa më shumë që po afrohet koha kur Kuvendi i Kosovës duhet të marrë qëndrim për propozimin e ndryshimit të Kushtetutës që i hapë rrugë krijimit të një sistemi paralel të drejtësisë (me dhomë të veçante nga gjykata kushtetuese, prokurori speciale, gjykata speciale, burgje speciale…) aq më shumë dëgjojmë nga personalitetet të ndryshme se këto ndryshime “janë përmbushje e obligimit ndërkombëtar “ dhe se gjoja “nuk e paragjykojnë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”. Madje edhe më keq se kaq. Në rast të refuzimit që të votojnë këto ndryshime atëherë deputetëve u ngarkohet përgjegjësia e dërgimit të kësaj çështje në kuadër të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Nuk po përmend emrat e personaliteteve që mbrojnë këto teza sepse qëllimi im nuk është të polemizoj me ata që mendojnë se gjoja “alternativa të shkojmë në Këshillin e Sigurimit është shumë e rrezikshme për Kosovën dhe qytetarët e saj” por të sqaroj se bartja e kësaj çështje në kompetencat e Këshillit të Sigurimit është e vetmja zgjidhje e drejtë.
I
Raporti i Dick Marty-t bazë për krijimin e «Gjykatës speciale»
Motivet politike dhe ideologjike të Raportit të Dick Marty-t
Kushdo që ka përcjellë zhvillimet e procesit të shpërbërjes së Federatës Jugosllave dhe luftërave që ndodhën gjatë këtij procesi e di se edhe në Kosovë gjatë luftës dhe pas përfundimit të saj u vranë civilë. Rreth këtij fakti ka një konsensus të përgjithshëm. Divergjencat fillojnë kur kërkohet të dihet se kush i kreu vrasjet e tyre.
Këtë temë e kam trajtuar gjerësisht në librin «Mashtrimi i madh» dhe në këtë shkrim po kufizohem vetëm në disa aspekte që do të na mundësojë të kuptojmë pse Gjykata e krijuar nga Kuvendi i Kosovës do të ishte padrejtësia më e madhe që mund të bëhet në raste të tilla.
Shkurtimisht po përmend faktin se në funksion të strategjisë së stigmatizimit të aspiratave çlirimtare të shqiptarëve të Kosovës, Sigurimi Shtetëror i Serbisë përgatiti materialin e titulluar «Libri i bardhë: Terrorizmi i separatistëve shqiptarë në Kosovë dhe në Metohi», të cilin e botuan të përkthyer në gjuhën angleze dhe në gjuhën frënge, në shtator të vitit 1998. Këtë material propagandistik Ministria e Punëve të Jashtme, e asaj që kishte mbetur nga Jugosllavia, ua shpërndau falas institucioneve me peshë në marrëdhëniet ndërkombëtare, institucioneve shtetërore të shteteve anëtare të OKB-së, medieve ndërkombëtare, bibliotekave universitare dhe personaliteteve me peshë në fusha të ndryshme intelektuale.
Versioni i këtij «Libri të bardhë» u ribotua nga regjimi i Milosheviqit në vitin 1999 dhe në vitin 2000, ndërsa në vitin 2001 dhe 2003, i plotësuar dhe i modifikuar në përputhje me ndryshimin e konteksteve politike ndërkombëtare, u publikua nga regjimi i “ri” i Beogradit.
Përderisa në versionin e parë të këtij materiali dominonin “etiketimet” politike dhe ideologjike (separatizmi dhe fondamentalizmi islamik), në versionet e mëvonshme shtohet stigmatizimi i bartësve të aspiratave politike të shqiptarëve të Kosovës si të ishin “grupe kriminale” dhe “mafioze”. E vetmja gjë që mbetet e përhershme në të gjitha publikimet e Beogradit, lidhur me mobilizimet e shqiptarëve të Kosovës, është kualifikimi i shqiptarëve si “terroristë”.
Që të sigurohet mbështetja ndërkombëtare në luftë kundër “terrorizmit shqiptar”, organizatat politike që veprojnë në Kosovë paraqiten si “grupe terroriste që përdorin dhunën kundër popullsisë civile serbe, shqiptare dhe pjesëtarëve të grupeve të tjera etnike që jetojnë në krahinë si dhe kundër policisë e Ushtrisë Jugosllave (…) Krahas aksioneve terroriste në nivelin lokal ata vendosin lidhje me grupet terroriste islamike që veprojnë në planin global dhe financohen në mënyrë të ngjashme si grupet e tjera terroriste, duke siguruar mjetet financiare me dhunë ose nga trafiqet me drogë.” Sipas po të njëjtës propagandë “Përveç tregtisë me lëndë narkotike, mafia shqiptare vuri nën kontrollin e saj edhe prostitucionin ndërkombëtar, tregtinë ilegale të armëve, të cigareve dhe të mallrave të tjera me akcizë, të automobilave të vjedhur, trafikimin me njerëz dhe shitjen e organeve njerëzore (…)” (Qeveria e Serbisë, «Libri i Bardhë», f 23
http://www.media.srbija.gov.rs/medsrp/dokumenti/bela_knjiga1.pdf)
Krahas aspekti propagandistik, Shtabi Strategjik i Millosheviqit vendosi që Shërbimi i Sigurisë Shtetërore të kryente një varg sulmesh terroriste të cilat duhej t’i visheshin UÇK-së. Qëllimi i këtyre sulmeve ishte që UÇK-ja të paraqitej në sytë e bashkësisë ndërkombëtare si organizatë terroriste dhe në të njëjtën kohë, t’u jepej zjarr ndjenjave antishqiptare në Kosovë dhe në tërë Serbinë …( Kurir, «Vuk Drašković: Milošević naredio Radetu i Legiji da ubiju srpsku decu!»
http://www.kurir.rs/vuk-draskovic-milosevic-naredio-radetu-i-legiji-da-ubiju-srpsku-decu-clanak-1185359)
Pra, VRASJA E CIVILËVE dhe SHITJA E ORGANEVE NJERËZORE që i visheshin UÇK-së u sajuan nga Shërbimi Sekret Serb.
Fillimisht, stigmatizimet e tilla patën efekte të vogla në rrafshin ndërkombëtar. Por, ndërhyrja ushtarake e NATO-s kundër regjimit të Milosheviqit mobilizoi të gjitha qarqet anti-NATO dhe antiamerikane dhe bëri që propaganda e shpërndarë përmes «librave të bardhë» të shndërrohet në burim kryesor. Vetëm në kontekst të kësaj ndërhyrje mund të kuptohen arsyet e rreshtimit në një front të përbashkët personalitete të orientimeve politike diametralisht të kundërta si komunistë, socialistë, social-demokratë, të së djathtës (të vjetër e të re), neonazistë dhe neofashistë, historianë e politologë, filozofë e sociologë, gazetarë e publicistë, autorë të orientimit të djathtë e të majtë që ishin të verbuar ideologjikisht nga antiamerikanizmi.
Nga të gjitha shpërndarjet e materialeve të lartpërmendura po veçoj faktin se Carla Del Pontes iu dorëzuan mbi 27 mijë faqe të përgatitura nga Shërbimi Sekret Serb “me të dhëna për strukturën e organizimit terrorist të ekstremizmit shqiptar, të dhëna për viktimat, për veprimtarinë e mafies shqiptare në botë… për listën e terroristëve dhe strukturave të organizuara kriminale në Kosovë… për liderët politikë të Kosovës që ishin në të njëjtën kohë edhe udhëheqës të klaneve kriminale… për trafikimin e organeve njerëzore të serbëve të burgosur…” (për referencat shih: «Mashtrimi i madh», f. 413-416 dhe f. 459-460)
Ndërsa, Vladimir Bozhoviqi (funksionar i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe shef i Drejtorisë për Jurisprudencë në Qendrën Koordinuese të udhëhequr nga Nebojsha Çoviqi) të njëjtat materiale ia dorëzoi edh Clint Williamsonit, Shefit të Departamentit të drejtësisë dhe të drejtave të njeriut të UNMIK-ut.
Pesë vjet pas shpifjeve që shpërndau Shërbimi Sekret Serb përmes të ashtuquajturit «Libër i bardhë» për gjoja “trafikimin e organeve njerëzore nga UÇK-ja” dhe po aq vite pasi Carla Del Ponte, në mungesë të provave, kishte ndërprerë hetimet lidhur me supozimet për një krim të tillë, botimi i librit të saj «Përndjekja: unë dhe kriminelët e luftës» i dha zjarr propagandës që akuzonte UÇK-në për krimet më të përbindshme.
Publikimi i librit të Carla Del Pontes, pikërisht në kohën kur debati rreth ligjshmërisë së aktit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës ishte në qendër të vëmendjes, u dha pretekst kundërshtarëve të pavarësisë që të drejtojnë gishtin akuzues drejt ish-drejtuesve të UÇK-së, që udhëhiqnin shtetin më të ri në botë. Nga data e publikimit të këtij libri e deri më 22 korrik të vitit 2010, kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë duhej të merrte vendimin lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë, stigmatizimi i UÇK-së si “organizatë terroriste dhe kriminele” dhe propaganda për gjoja “trafikimin e organeve njerëzore” nuk u hoq nga arsenali propagandistik që kishte për synim dëmtimin e imazhit të Kosovës.
Ky aspekt i problematikës u trajtua hollësisht në librin tim. Tani po kufizohem vetëm në faktin se pas hetimeve disa vjeçare që përfunduan pa gjetur asnjë provë për krimet që i visheshin UÇK-së, Carla Del Ponte mbylli hetimet. Sa i përket kësaj çështjeje ajo deklaron se: “Këto lloj historish të burgosurish të vrarë nga trafikantët e organeve rikthehen mjaft shpesh në zonat e konflikteve, por shumë rrallë ka prova konkrete për t’i argumentuar këto tregime, të cilat përfundojnë si legjenda të thjeshta. (Carla Del Ponte, La traque, les criminels de guerre et moi, f. 471)
Megjithatë, shpallja e pavarësisë së Kosovës riktheu “legjendën për trafikim organesh”.
Pas dështimeve diplomatike për të penguar shpalljen e pavarësisë së Kosovës, diplomacia serbe u mobilizua për ta paraqitur këtë shpallje si të ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Nga të gjithë intelektualët e profesioneve të ndryshme që kishin për emërues të përbashkët antiamerikanizmin si këndvështrim ideologjik që u rreshtuan përkrah interpretimit serb të së drejtës ndërkombëtare po përmend vetë dy raste:
Tri javë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Carla Del Ponte, e cila e kishte përfunduar mandatin e Prokurores së Përgjithshme në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe ishte emëruar ambasadore e Zvicrës në Argjentinë që nga 1 janari i vitit 2008, i dha një intervistë ekskluzive Swissinfo-s.
Në këtë intervistë, të publikuar më 11 mars 2008, Carla Del Ponte, në “cilësinë e juristes”, këmbëngul se gjoja “ pavarësia e Kosovës nuk është në përputhje me dispozitat e vendosura nga tradita e të drejtës ndërkombëtare.”
Vetëm një ditë pas publikimit të intervistës së Carla Del Pontes, Kryetari i Komisionit për Politikën e Jashtme të Këshillit të Shteteve të Konfederatës Helvetike, Dick Marty, në një intervistë ekskluzive me gazetaren Silvia Cattori, të publikuar më 12 mars 2008, u deklarua haptazi kundër pavarësisë së Kosovës dhe e cilësoi si të ishte “në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare”.
Krahas përvetësimit të interpretimit serb të së drejtës ndërkombëtare, Dick Marty shpreh revoltën e tij për prezantimin e “UÇK-së si një organizatë e virgjër dhe bamirëse” sepse sipas këndvështrimit ideologjik të lartpërmendur “UÇK-ja është organizatë kriminale, që provokoi luftën, që vrau civilë të pafajshëm…” dhe që u shndërrua në “instrument të amerikanëve për t’u mundësuar atyre krijimin dhe mbajtjen e bazës ushtarake më të madhe në botë”.
Në kontekst të mobilizimit kundër pavarësisë së Kosovës botimi i librit autobiografik të Carla Del Ponte-s, më 11 prill të 2008, zë një vend të rëndësishëm. Nga tërë vepra e saj mediet fokusuan vëmendjen në një element që trajton Carla Del Ponte: supozimet për trafikim të organeve njerëzore që gjoja ishte bërë nga udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ky libër i dha flakë propagandës kundër pavarësimit të Kosovës. Më 15 prill 2008, deputeti rus i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Konstantin Kosachev-i, dorëzoi propozimin për rezolutë lidhur me “trajtimin çnjerëzor të personave dhe tregtinë ilegale me organet e njerëzve.” Projekt-rezoluta ishte nënshkruar nga 17 deputetë (1 serb, 2 rusë, 2 ukrainas, 1 azerbajxhanas, 1 gjeorgjian, 1 polak, 1 hungarez, 1 qipriot, 1 belg, 1 zviceran, 1 britanik, 1 holandez, 1 portugez, 1 suedez dhe 1 finlandez)
Deputetët nënshkrues të këtij propozimi u mbështetën vetëm në thëniet e Carla del Ponte-s dhe në projekt-rezolutën e tyre citohet nga libri i saj se gjoja “Ushtria Çlirimtare e Kosovës, në vitin 1998, kishte rrëmbyer më shumë se 300 serbë, romë, shqiptarë dhe pjesëtarë të grupeve tjera etnike, të cilëve u ishin hequr organet vitale, që u dërguan nga Aeroporti i Rinasit në klinikat jashtë shtetit, për t’u transplantuar pacientëve që paguanin.”
Një ditë pas kësaj projekt-rezolute, në sesionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, të mbajtur nga 14 deri më 18 prill 2008, delegacioni parlamentar zviceran dhe ai suedez, propozuan të hapet debat lidhur me «pasojat e shpalljes së pavarësisë së Kosovës». Gjatë këtij debati, që u zhvillua më 16 prill 2008, një vend të rëndësishëm zë fjala e Dick Marty-t.
Në fillim të fjalës së tij, Dick Marty tërhoqi vërejtjen se “Pas dhjetë vjet të administrimit ndërkombëtar, Kosova gjendet pa një shoqëri të mirëfilltë civile. Të gjithë ata që preokupohen për kriminalitetin e dinë se Kosova ka qenë gjithmonë, e ndoshta sot më shumë se dje, një qendër e kriminalitetit ndërkombëtar e krimit të organizuar (…) gjendja ekonomike është katastrofike (…) minoritetet nuk mund të jetojnë në Kosovë, pos të mbrojtur nga trupat e huaja…” Dhe, kuptohet, këtë gjendje të keqe, sipas tij, e krijoi pikërisht ndërhyrja ndërkombëtare në Kosovë dhe mosrespektimi i së drejtës ndërkombëtare. “Kjo filloi me bombardimet e NATO-s, bombardime në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, që u bënë pa miratimin e Këshillit të Sigurimit (…) dhe pas shkeljes flagrante të rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit që garantonte integritetin territorial të Serbisë…!”
Nuk mund ta di saktësisht se deri në cilën shkallë ndikoi fjalimi i Dick Marty-t, i mbajtur në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës më 16 prill 2008, por, ajo që konstatohet pas këtij fjalimi është fakti se hetimet lidhur me thëniet për “trajtim çnjerëzor të personave dhe trafikim kundërligjor të organeve njerëzore në Kosovë” iu ngarkuan Dick Marty-t.
Fushata kundër pavarësisë së Kosovës vazhdoi me intensitet të pandalshëm gjatë gjithë kohës kur pritej që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të sillte vendim lidhur me ligjshmërinë e aktit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Pesë muaj pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë mori vendimin se përmes shpalljes së pavarësisë së Kosovës deputetët e Kuvendit nuk e kishte shkelur as të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, as rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, as Kornizën Kushtetuese të Kosovës dhe asnjë rregull të aplikueshëm të së drejtës ndërkombëtare, Dick Marty, më 12 dhjetor 2010, dorëzoi projekt-raportin për «Trajtimin çnjerëzor të personave dhe trafikimin kundërligjor me organe njerëzore në Kosovë». Më 16 dhjetor propozimi që prezantoi Dick Marty u miratua nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, ndërsa më 7 janar 2011 u dorëzua në formën e Rezolutës, të cilën Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës e miratoi më 25 janar 2011.
Për të mos lënë asnjë dyshim lidhur me atë se çka nënkupton me fjalën «Kosovë», Dick Marty që në titullin e projekt-raportit, fjalën «Kosovë» e shënon me yll (*) për ta sqaruar në fund të faqes se “të gjitha referimet që kanë të bëjnë me Kosovën, qoftë territori, qofshin institucionet apo popullata e saj, duhet të kuptohen në përputhje të plotë me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe pa paragjykuar statusin e Kosovës.”
Dick Marty kërkon që të mos paragjykohet statusi i Kosovës! Contradictio in adjecto!
Ai, për të cilin shqiptarët e Kosovës nuk janë popull të cilit i takon e drejta për vetëvendosje, por, “shqipfolës” që kishin shpallur “pavarësinë në kundërshtim të plotë me të drejtën ndërkombëtare”;
Ai, për të cilin “Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara flet në tri vende për integritetin territorial serb dhe thotë se Kosova është krahinë serbe që do të administrohej përkohësisht nga ndërkombëtarët”;
Ai që deklaroi se “shumica e vendeve nuk e kanë njohur dhe nuk do ta njohin Kosovën” nxori në shesh paragjykimet e veta për Kosovën si territor, institucione dhe popullsi nën sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë;
I njëjti Dick Marty, me dinakërinë që e karakterizon, përmes kërkesës për të mos e “paragjykuar statusin e Kosovës”, u përpoq të mbajë gjallë interpretimin serb të rezolutës 1244, sipas të cilës “Kosova është pjesë e Serbisë”! Dhe gjithë kjo fushatë u bë pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Besoj që për lexuesin është e qartë se raporti i Dick Marty-t që u miratua nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës është raport ideologjik me prapavijë politike.
II/
Institucionet që krijohen në bazë të Raportit të Dick Marty-t e gjykojnë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës/
Fillimisht po përmend faktin se mekanizmat e lartpërmendur krijohen mbi bazën e këtij raporti ideologjik me prapavijë politike (të miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës Dok 12462, i datës 7 janar 2011) që ishte objekt i hetimeve penale të kryera nga Task Forca Hetimore Speciale.
Për të kuptuar se sa i paqëndrueshëm është qëndrimi se gjoja gjykata, prokuroria dhe tërë mekanizmat ndëshkues që dëshirojnë të krijohen mbi këtë bazë “nuk e paragjykojnë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” po sjell disa fakte.
Në përputhje të plotë me orientimin propagandistik të regjimit të Milosheviqit, Dick Marty hedhë poshtë “imazhin që ishte krijuar për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, si një ushtri guerilase që ka luftuar trimërisht për të mbrojtur të drejtat e bashkatdhetarëve të tyre për të jetuar në territorin e Kosovës” dhe deklaroi se ai dhe ekipi i tij “kishin zbuluar se ky imazh është në kundërshtim me realitetin!” (Raporti i Dick Marty-t, paragrafi 31)
Nga paragrafi i 29 i raportit politik që mban emrin e Dick Marty-t e deri në paragrafin 92 të tij kemi një sintezë të imazhit të sajuar nga Shërbimi Sekret Serb si imazh “i vërtetë” i UÇK-së!
Për t’u treguar “i kujdesshëm” dhe “jo përgjithësues” ndaj stigmatizimit të UÇK-së, Dick Marty nuk e mohoi se “një numër ushtarësh trima kanë qenë të gatshëm për të shkuar në front dhe për t’i bërë ballë kundërshtarit dhe nëse ishte nevoja edhe të vdisnin për çështjen e atdheut të pavarur të shqiptarëve kosovarë. Por, luftëtarët e tillë nuk përbënin shumicën e UÇK-së.” (Raporti i Dick Marty-t, paragrafi 32) Sipas Dick Marty-t dhe bashkëpunëtorëve të tij, shumica, nënkuptohet, janë kriminel dhe se “njësitë kryesore të UÇK-së dhe komandat e zonave të tyre operative përkatëse, ishin pothuajse një kopje e strukturave që kontrollonin disa forma krimi të organizuar në territoret ku vepronte UÇK-ja.” (Raporti i Dick Marty-t, paragrafi 54). Ata shkojnë edhe më larg se kaq. “Për ta kuptuar se kush i udhëhiqte tregtitë e ndryshme dhe aktivitetet e kontrabandës që lulëzonin në rajon, mjafton ta dimë se kush komandonte në atë zonë të caktuar të Kosovës apo Shqipërisë” pohon Dikc Marty në Raportin e tij, në paragrafin 54.
Kjo logjikë interpretimi ndërtohet në atë mënyrë që gjërat të duken të “qarta” dhe të “kuptueshme”! Në një shoqëri “pa shoqëri civile, ku klanet mafioze kanë imponuar ligjin e heshtjes” ku “komandantët e zonave operative të UÇK-së ishin kopje e strukturave që kontrollonin krimin e organizuar në territoret ku vepronte ajo” ku “pas tërheqjes së forcave serbe komandantët e UÇK-së morën pushtetin politik në duart e veta”, pra “në një shoqëri të tillë klanore ku përveç krimit nuk funksion asgjë” “UÇK-ja kishte imponuar heshtjen qoftë përmes kërcënimeve, qoftë përmes përfitimeve duke u ofruar shuma të konsiderueshme parash, alkooli, droge dhe prostituta.” (Raporti i Dick Marty-t, paragrafët 145-147)
Në këtë raport ai nuk la pa përmendur shumicën e “klaneve mafioze” të ekspozuara në «Librin e bardhë» serb, por pa e cituar burimin e informacioneve. Nga të gjitha “strukturat e UÇK-së që depërtuan në proceset politike dhe ekonomike” në Kosovë, Dick Marty veçoi «Grupin e Drenicës» si më të rrezikshmin në krahasim me “strukturat e tjera mafioze që sundonin” në Kosovë.
Në këtë raport, përmendja e formave të ndryshme të veprimtarive kriminale dhe lidhja e këtyre veprimtarive me udhëheqësit e UÇK-së u bë në funksion të “përgatitjes së terrenit” për të shtruar bazat e krimit më të shëmtuar që mund t’u vishej udhëheqësve të një lufte çlirimtare: “nxjerrja e organeve nga të burgosurit serbë dhe shitja e këtyre organeve në tregun e zi të shteteve perëndimore”!
Në paragrafin 74 të raportit të tij ai akuzon “udhëheqësit e «Grupit të Drenicës» si “përgjegjës për dy seri të krimeve: për udhëheqjen e qendrave të paraburgimit të UÇK-së në territorin shqiptar dhe për përcaktimin e fatit të burgosurve në këto ndërtesa, duke përfshirë zhdukjen e shumë civilëve të rrëmbyer në Kosovë dhe të marrë përtej kufirit, në Shqipëri.”
Dick Marty dhe ekipi i tij këmbëngulin se “gjatë hulumtimit” të tyre ata kishin “zbuluar” se UÇK-ja kishte “aplikuar metodën e nxjerrjes së organeve nga kufomat” dhe se “është aplikuar një metodologji e besueshme dhe koherente për vrasjen e të gjithë të burgosurve, zakonisht me nga një plumb në kokë, para se të bëheshin operacion për heqjen e njërit apo më shumë organeve.” (Raporti i Dick Marty-t, paragrafi 162)
Në përputhje me Rezolutën 1782 të Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës, John Clint Williamson u emërua shef i TASK Forcës Speciale të EULEX-it për të udhëhequr hetimet lidhur me thëniet për tregti me organe njerëzore.
Pas më shumë se gjashtë vite propagande për “trafikimin e organeve”, kryeprokurori i Task Forcës Hetimore Speciale, Clint Williamson-i, shpalli rezultatet e hetimeve në konferencën e shtypit të mbajtur në Bruksel më 29 korrik 2014.
Gjatë kësaj konference, kryeprokurori Williamson sqaroi se “(…) Task Forca Hetimore Speciale (TFHS) zhvilloi hetime të hollësishme për pohimet e raportit të Dick Marty-t. Gjatë dy viteve e gjysmë të këtij hetimi u morën në pyetje qindra dëshmitarë nëpër vendet e Evropës dhe gjetiu. U shqyrtuan mijëra faqe dokumentesh të përpiluara nga organizata dhe individë të shumtë që ishin të angazhuar në Kosovë gjatë periudhës ku është përqendruar hetimi ynë, por, edhe pas asaj periudhe (…). Prokurorë, hetues, oficerë ligjorë, analistë dhe specialistë të tjerë nga 18 shtete të BE-së, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara kanë punuar në rrethana tronditëse për të zhvilluar këtë hetim (…) Qeveria e Serbisë ka bërë gjithçka që ka mundur për të na ndihmuar në këtë proces e sidomos kryeprokurori për krimet e luftës, Vladimir Vukčević-i, i cili, së bashku me zyrën e tij, na kanë ndihmuar jashtëzakonisht shumë…”
“Përkundër ndihmës së madhe” – vazhdon Kryeprokurori Williamson – “detyra e TFHS-së ishte tepër sfiduese. Ne po shqyrtojmë ngjarjet që ndodhën afërsisht 15 vjet më parë dhe për të cilat ekzistojnë shumë pak, ose aspak, prova materiale. Shumë dëshmitarë, të cilët ne besojmë se kishin informata që mund të kishin lidhje me hetimin tonë, kanë vdekur ose janë aq të drobitur saqë nuk janë në gjendje të japin dëshmi. Po ashtu disa dëshmitarë të mundshëm, të identifikuar nga ana e TFHS-së, nuk janë intervistuar sepse vendndodhjet e tyre aktuale nuk mund të zbuloheshin (…) Sa i përket pjesës së raportit që ka tërhequr shumicën e vëmendjes, për shkak të natyrës së saj sensacionale, e që lidhet me pretendimet e vrasjeve për qëllimet e nxjerrjes dhe të trafikimit të organeve njerëzore, ne kemi ardhur te konkluzioni se, për të ndjekur veprat të tilla penale, duhet një nivel provash që ende nuk e kemi siguruar. Mirëpo, kjo nuk do të thotë që këto prova nuk do të materializohen dhe sigurisht ne do të vazhdojmë t’i kërkojmë ato. Kështu, në asnjë mënyrë nuk e kemi hedhur poshtë vërtetësinë e këtyre pretendimeve. Megjithëse unë ende nuk e ndjej se ka bazë mjaft të fortë të provave për të ardhur te përfundimi se mund të ngrihet aktakuza në lidhje me këtë aspekt të lëndës…”
Përkundër ndihmës së madhe që kanë pasur nga të katër anët e botës, ndihmës së prokurorëve, hetuesve, oficerëve ligjorë, analistëve dhe specialistëve nga 18 shtete të BE-së, Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës TFHS-ja nuk kishte gjetur prova të mjaftueshme për të ngritur aktakuzë për vrasje me qëllim të nxjerrjes dhe të trafikimit të organeve njerëzore. E megjithatë kryeprokurori Williamson nuk e hedh poshtë vërtetësinë e këtyre pretendimeve.
Me gjithë vështirësitë për t’i siguruar provat Clint Williamsoni deklaron se “ TFHS-ja do të jetë në gjendje të ngrejë një aktakuzë kundër zyrtarëve të lartë të caktuar të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këta individë mbajnë përgjegjësinë për fushatën e persekutimit që ishte drejtuar kundër popullsive serbe, rome dhe pakicave të tjera në Kosovë si dhe kundër bashkëkombësve shqiptarë të Kosovës gjatë viteve 1998 dhe 1999, të cilët i etiketuan si bashkëpunëtorë të serbëve (…) dhe janë përgjegjës për veprat e persekutimit që përfshinin vrasje të paligjshme, rrëmbime, zhdukje të detyruara, burgime të paligjshme në kampe në Kosovë dhe në Shqipëri, dhunë seksuale, forma të tjera të trajtimit çnjerëzor, zhvendosje me dhunë …”
Qëndrimi i ekspozuar në këtë konferencë nuk dallon në asnjë fjalë nga propaganda që është shpërndarë vazhdimisht nga regjimet e Beogradit për ta stigmatizuar UÇK-në. Të gjithë atyre që dëshirojnë të binden se këtu kemi një përsëritje të fjalëpërfjalshme të «Librit të bardhë» serb u sugjeroj të shohin pjesën e dytë të librit «Mashtrimi i madh».
Sinteza e mësipërme nxjerr në shesh shtyllat kryesore rreth të cilës është artikuluar e tërë strategjia serbe e stigmatizimit të luftës çlirimtare të popullit shqiptar të Kosovës.
Për çdo lexues të vëmendshëm të Raportit të Dick Marty-t dhe konferencës së Clint Williamsonit është e qartë se qëndrimet që përmban ky raport dhe ajo që u tha gjatë kësaj konference e paragjykojnë rëndë lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ajo që vlen të theksohet në këtë kontekst ka të bëjë me faktin se akuza për “fushatë persekutimi kundër popullsive serbe, rome dhe pakicave të tjera në Kosovë si dhe kundër bashkëkombësve shqiptarë të Kosovës gjatë viteve 1998 dhe 1999…vrasjet, rrëmbimet, zhdukjet, burgimet, dhuna seksuale dhe format tjera të trajtimit çnjerëzor, zhvendosje me dhunë …” që i vishen UÇK-së nuk mund të jenë punë individësh por sikur të ndodhte realisht një gjë e tillë ajo kërkon mobilizimin e strukturave të tëra të të gjitha niveleve të një ushtrie.
Prandaj, të gjithë ata që pretendojnë se nuk paragjykohet lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me krijimin e gjykatës, prokurorisë dhe tërë mekanizmat ndëshkues që dëshirojnë të krijohen mbi bazën e Raportit të Dick Marty-t dhe hetimeve të Clint Williamson-it ose nuk i kanë lexuar raportin dhe deklaratën e shpërndarë në konferencë ose dëshirojnë të manipulojnë qëllimisht.
Përfaqësuesi special i BE-së për Kosovë, Samuel Zhbogar në emisionin Rubikon të KTV-së të 13 majit 2015 deklaroi se : “Gjykata Speciale do të pastrojë historinë e luftës së UÇK-së nga dyshimet për krime dhe transplantim organesh, pasi këto akuza janë duke qëndruar mbi Kosovë si re të zeza, ose si litar rreth fytit për shumë vjet.” Pa marrë parasysh se kjo deklaratë u bë në funksion të fushatës për të imponuar krijimin e institucioneve të lartpërmendura ajo nxjerr në shesh se kjo gjykatë vë në bankë të akuzës luftën e UÇK-së, historia e të cilës na u dashka të pastrohet!!! Jo vetëm kaq. Samuel Zhbogar e sheh këtë akuzë si litar që i ri rreth fytit qe disa vite Kosovës.
Të jemi të qartë për një çështje: askund në botë nuk krijohen institucione për të dëshmuar pafajësinë e dikujt, “gjykatë për të pastruar historinë e dikujt” e kështu me radhë. Gjykatat krijohen për të dënuar kriminelët që kryejnë vepra penale dhe ndriçimin e asaj që lidhet me veprat e caktuara. Ndodh që gjatë këtij procesi të akuzohen edhe njerëz të pafajshëm, madje edhe të dënohen të pafajshëm. Por, pohimet se po krijohen dhoma të veçante nga gjykata kushtetuese, prokurori speciale, gjykata speciale, burgje speciale… për të dëshmuar pastërtinë e UÇK-së janë të pakuptimta.
Në pjesën e më sipërme theksova se askush nuk e mohon faktin që në Kosovë janë vrarë civilë. Divergjencat fillojnë kur duhet të përcaktohet se kush qëndron prapa këtyre vrasjeve.
Vrasjet e civilëve që kryheshin nga Shërbimi Sekret Serb me qëllim që t’i visheshin UÇK-së u shoqëruan me një propagandë të gjithanshme. Në arsenalin propagandistik për ta paraqitur
UÇK-ja si organizatë terroriste janë listat e përpiluara me emrat e atyre civilëve që pretendohet se i ka vrarë UÇK-ja.
Kundërthëniet e shumta që përmbajnë listat e botuara në vitin 1998, 1999, 2000, 2001 dhe 2003 janë analizuar në librin «Mashtrimi i madh». Po ndalem vetëm në botimin e fundit të regjimit të Millosheviqit.
Në «Librin e bardhë» të Shërbimit Sekret Serb, të botuar dhe të shpërndarë në mars të vitit 2000, domethënë 9 muaj pas përfundimit të luftës, publikohen listat e civilëve të vrarë, të rrëmbyer dhe të zhdukur që i atribuohen UÇK-së. Edhe në këtë botim, që përfshin periudhën nga 1 janari 1998 deri më 10 qershor 1999, pra deri në datën që për Serbinë konsiderohet përfundimi i luftës, numri zyrtar i serbëve të vrarë ishte 75 ndërsa i atyre që pretendohej se ishin rrëmbyer apo zhdukur nga UÇK-ja ishte fiks “100 civilë serbë dhe malazez të rrëmbyer dhe të zhdukur.” (Federal Republic of Yugoslavia, Federal Ministry of Foreign Affairs, Terrorist acts of Albanian terrorist groups in Kosovo and Metohija, f.960-967).
Kësaj shifre i shtohen edhe emrat e 196 shqiptarëve dhe 15 pjesëtarëve të përkatësive tjera etnike.
Pra, propaganda e regjimit të Millosheviqit në «Librat e bardhë» ia vesh UÇK-së vrasje e 286 civilëve dhe rrëmbimin e 100 të tjerëve nga 1 janari 1998 deri më 10 qershor 1999.
Lexuesi i vëmendshëm SKANDALIZOHDET nga propaganda e Carla Del Pontes e cila shpërndan gënjeshtrën edhe më të madhe se regjimi i Millosheviqit! Kjo prokurore e verbuar ideologjikisht shkruan në “librin e vet të zi” se gjoja “Ushtria Çlirimtare e Kosovës, në vitin 1998, kishte rrëmbyer më shumë se 300 serbë, romë, shqiptarë dhe pjesëtarë të grupeve tjera etnike, të cilëve u ishin hequr organet vitale, që u dërguan nga Aeroporti i Rinasit në klinikat jashtë shtetit, për t’u transplantuar pacientëve që paguanin.”
Propaganda e Carla Del Pontes ia tejkalon edhe propagandës së regjimit të Millosheviqit për 200 civil të rrëmbyer. Dhe mbi bazën e kësaj gënjeshtre dhe iniciativës ruso-serbe u ndërtua raporti i Dick Marty-t dhe procesit që pasoi e që ende nuk ka përfunduar.

Nuk do të ndalem hollësisht në analizën e asaj se çka përmbajnë listat serbe për krimet që i vishen UÇK-së. Këtë çështje e kam trajtuar hollësisht në librin tim. Po përmend vetëm disa raste që më duken domethënëse:
• Në listën përfundimtare të civilëve të rrëmbyer, Shërbimi Sekret Serb i kohës së Milošević-it përmend emrat e 11 personave, të cilëve nuk ka mundur t’ua përcaktojë moshën (!) por për të cilët “e dinë se i kanë rrëmbyer dhe zhdukur terroristët e UÇK-së!”
Shërbimi Sekret i një shteti nuk i di të dhënat e shtetasve të vet!
Që të duket sa më tragjik “veprimi i terroristëve shqiptarë”, në listën e personave të “rrëmbyer” përmenden njerëz të moshave të shtyra, të cilët nuk kanë qenë në gjendje të mbrohen. Në këtë listë përmenden emrat e Miroslav Šmigić-it, 80 vjeçar, Sultana Šmigić-it, 76 vjeçare, Aleksandar Šmigić-it, 75 vjeçar, Jovan Vasić-it 74 vjeçar, Vitko Kostić-it, 70 vjeçar, Stajko Andjelković-it, 69 vjeçar, Darinka Vujošević-i, 69 vjeçare, Dragoljub Voštić-i, 69 vjeçar, Živorad Krstić-i, 68 vjeçar, Radomir Voštić-i, 67 vjeçar e kështu me radhë.
Është interesant se që nga data 1 janar 1998 e deri më 10 qershor 1999, në Librin Amëz të të vdekurve në komunën e Deçanit, të Pejës, të Rahovecit, të Skenderajt dhe të Drenasit, pra në komunat ku intensiteti i luftës ishte më i madh, asnjë serb nuk ishte regjistruar si i vdekur nga vdekje natyrore!
• Në strategjinë e vrasjes së civilëve me qëllim që UÇK-ja të paraqitet si organizatë terroristë rasti i vrasjes së gjashtë të rinjve serbë dhe malazezë (Ivan Radević-i, Ivan Obradović-i, Dragan Trifović-i Vukota Gvozdenović-i, Svetislav Ristić-i dhe Zoran Stanojević-i) të vrarë në Kafenenë «Panda» në Pejë është më i njohur dhe më i mediatizuar. Emrat e këtyre gjashtë të rinjve figurojnë në numrat rendorë 36-41 në listën e civilëve të vrarë nga UÇK-ja ((Federal Republic of Yugoslavia, Federal Ministry of Foreign Affairs, Terrorist acts of Albanian terrorist groups in Kosovo and Metohija, f. 906).
• Në listat e civilëve shqiptarë të cilësuar si bashkëpunëtorë dhe besnik të regjimit serb, vrasja e të cilëve i vishet UÇK-së, janë futur emrat e njohur të skenës politike dhe intelektuale të Kosovës. Aty janë profesorët Fehmi Agani dhe Latif Berisha, avokati Bajram Kelmendi dhe djem e tij (Kushtrimin 18 vjeçar dhe Kastriotin 31 vjeçar), sindikalisti Agim Hajrizi me nënën (Nazmijen) dhe djalin e tij 13 vjeçar (Ilirin), veprimtari i njohur i çështjes kombëtare, Gafurr Loku… Aty renditen edhe Sebahate Zukaj (17 vjeçare), Vlora Humolli (18 vjeçare), Agon Ajeti (20 vjeç), Xhemajl Smaçi (20 vjeç), Driton Loku (20 vjeç) djali i veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, Gafurr Lokut, Adriana Abdullahu (23 vjeçare), aktorja e re e teatrit, dhe shumë të rinj të tjerë që nuk kishin as moshë për ta dëshmuar “besnikërinë e tyre ndaj Republikës së Serbisë”. Krahas një numri të madh të rinjsh në listë nuk mungojnë as njerëzit e moshuar: Ahmet Kokollari, 74 vjeçar, i ekzekutuar në shtëpinë tij, Ismajl Ademi, 83 vjeçar, invalid i paralizuar, që nuk kishte pranuar të largohej nga fshati, dhe gruan e tij, Fatimja, 81 vjeçare që qëndroi pranë burrit të paralizuar, Hasan Ademi, 90 vjeçar, Rrahim Rrahmani, 71 vjeçar, Naxhije Bunjaku, 72 vjeçare, …
Të gjithë të interesuarit për të ditur se kush i vrau këta civilë mund të gjejnë të dhënat e nevojshme dhe referencat bibliografike në librin «Mashtrimi i madh».
Mund ta vazhdoj me listën e përgatitur nga Shërbimi Sekret Serb që u bë në funksion të të stigmatizimit të UÇK-së dhe të arrij te i njëjti konkluzion: PRAPA VRASJEVE TË CIVILËVE SHQIPTARË, SERBË DHE PJESËTARËVE TË PËRKATËSIVE TJERA ETNIKE QËNDRON SHËRBIMI SEKRET SERB.

Strategjia e vrasjeve të civilëve serbë, shqiptarë dhe të pjesëtarëve të përkatësive tjera etnike në funksion të stigmatizimit të UÇK-së si organizatë terroriste u bë publike pas dëshmive të Shefit të Shërbimit Sekret Serb, Radomir Markoviqit dhe të Komandantit të Njësisë për Operacione Speciale, Milorad Ulemek-Legijas. Ata nxorën në shesh (madje duke ia hedhur njëri-tjetrit përgjegjësinë) se “në funksion të strategjisë së lartpërmendur, më 14 dhjetor 1998 Sigurimi Shtetëror i Serbisë kreu masakrën kundër gjashtë të rinjve serbë në kafenenë «Panda» në Pejë.” (Kurir, «Rade Marković dao nalog da se ubiju srpska deca u Peći 1998», 17.01.2014)
Pra, pas 15 vitesh akuzua ndaj UÇK-së dhe tortura ndaj qindra shqiptarë vetëm e vetëm për të pranuar këtë krim (Shih Kapitullin e Dytë të «Mashtrimi i madh») doli në shesh se ishte kryer nga vet shteti serb. Edhe pse ky fakt është bërë publik para një viti e gjysmë nga kryeministri aktual i Serbisë ende nuk është arrestuar askush nga ekzekutuesit e këtij krimi.
Krahas zbulimit të këtij krimi Radomir Marković-i nxorri në shesh se shteti serb kishte kryer aq shumë krime kundër civilëve serbë dhe shqiptarë në Kosovë sa nëse e bënte publike listën e civilëve të vrarë do të gjunjëzohej Serbia. (Kurir, «Vuk Drašković: Milošević naredio Radetu i Legiji da ubiju srpsku decu!», 19.01.2014)
Ndriçimi nga ana e politikanëve dhe bartësve të institucioneve shtetërore të Serbisë se prapa këtyre akteve terroriste të vrasjes së civilëve të pafajshëm qëndronin strukturat e shtetit të Serbisë është një hap i madh drejt ndriçimit të plotë të asaj që ka ndodhur në Kosovë. Pa marrë parasysh se përmes hedhjes së përgjegjësive te njëri-tjetri Milorad Ulemek-Legija dhe Radomir Markoviqit ( të dy të dënuar me nga 40 vjet burg) dëshirojnë të nxjerrin përfitime individuale, duhet të gjendet mënyra se si të sillen para drejtësisë edhe ekzekutuesit e këtij krimi dhe krimeve tjera të kësaj natyre.
Fatkeqësisht procesi i ndriçimit të krimeve që kishte kryer shteti serb në Kosovë u stopua pas konkluzioneve të John Clint Williamson-it për krijimin e një Gjykate Speciale për t’i gjykuar krimet e UÇK-së.
Nuk ka hipokrizi më të madhe se sa heshtja ndërkombëtare në rastin kur shefi i Shërbimit Sekret Serb deklaron se janë vrarë me urdhër të këtij shërbimi 6 serbë dhe malazezë që figuronin në listën e civilëve të vrarë nga UÇK-ja dhe kërcënon se po zbuloi tërësinë e listës së krimeve që shteti serb ka kryer kundër civilëve në Kosovë do të gjunjëzohet Serbia. Shtetet e demokracive perëndimore është dashur urgjentisht ta mbledhin Këshillin e Sigurimit të OKB-së, të gjejnë modalitetet juridike për transferimin e Radomir Markoviqit dhe Milorad Ulemek-Legijan në ndonjë vend të sigurt ku do t’u krijonin kushtet e nevojshme për ndriçimin e të gjitha krimeve.
Por, jo! Në vend të ndërhyrjes energjike në këtë drejtim ata i kanë futur veshët në lesh dhe insistojnë që të krijohet dhomë e veçante nga gjykata kushtetuese, prokurori speciale, gjykata speciale, burgje speciale … për ta “pastruar historinë e luftës së UÇK-së nga dyshimet për krime dhe transplantim organesh, pasi këto akuza janë duke qëndruar mbi Kosovë si re të zeza, ose si litar rreth fytit për shumë vjet.”
Fakti se asnjëri nga këto institucione ndëshkuese që propozohet të krijohen në Kosovë nuk ka kompetenca të merr në pyetje Radomir Markoviqin dhe Milorad Ulemek-Legijan nxjerr në shesh se përmes këtij veprimi pengohet ngadhënjimi i drejtësisë.
Askush në Kosovë dhe në këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor nuk ka nevojë për të dëshmuar pafajësinë e dikujt. Familjarët e viktimave të këtyre krimeve të shëmtuar presin ndriçimin e plotë të asaj se kush i kreu krimet dhe kërkojnë dënimin e përgjegjësve.
Gjykata Speciale në Kosovë është padrejtësia më e madhe që mund të bëhet kundër atyre që presin ndriçimin e krimeve dhe dënimin e kriminelëve. Është padrejtësi e dyfishtë sepse nga njëra anë kjo pamundëson marrjen në përgjegjësi të kriminelëve të vërtetë dhe nga ana tjetër përgatitet maltretimi dhe ushtrimi i dhunës ndaj atyre që dihet se janë të pafajshëm por dikush paska nevojë që “të dëshmohet pafajësia e tyre”.
Po e përsëris: Shefi i Shërbimit Sekret Serb deklaron se nëse publikohet lista e civilëve serbë dhe shqiptarë në Kosovë të vrarë nga shteti serb do të gjunjëzohet Serbia ndërsa drejtësia ndërkombëtare nuk bën asgjë për t’i siguruar dëshmitë e tij. Ky fakt është dashur t’i alarmojë të gjithë ata që janë të interesuar për ngadhënjimin e drejtësisë sepse ndriçimi i të gjitha krimeve dhe ngadhënjimi i drejtësisë janë njëri nga kushtet e domosdoshme për mbylljen e një kapitulli të përgjakshëm të kësaj pjese të Ballkanit. Të gjithë ata që janë të interesuar për mbylljen e këtyre plagëve të rënda duhet urgjentisht të gjejnë modalitetet se si ta sigurojnë dëshminë e Radomir Markoviqit, ta sigurojnë këtë dëshmi shumë të rëndësishme para se shteti serb t’i gjej modalitetet e fshehjes së gjurmëve përmes ndonjë sëmundje e “papritur”.
Këshilli i Sigurimit të OKB-së duhet të gjejë formën se si të vihet drejtësia në vend. Vazhdimi i mandatit të Gjykatës për ish-Jugosllavinë apo krijojë i një gjykate tjetër është më se e domosdoshme sepse vetëm institucionet e tilla të drejtësisë do të kishin kompetencë për të marrë në pyetje Radomir Markoviqin, Milorad Ulemek-Legijan, Lubisha Dikoviqin, Bozhidar Deliqin, Goran Radosavljeviq Gurin, Slavko Nikiqin dhe kriminelë të tjerë që dinë për krimet në Kosovë dhe që kanë qenë pjesëmarrës në këto krime.
Në të kundërtën, duke krijuar Gjykatë Speciale të konstruktuar mbi supozimet e listave të shpërndara nga Shërbimi Sekret Serb i regjimit të Millosheviqit dhe pasardhësve të tij është krimi më i rëndë që mund t’i bëhet procesit të ndriçimit të plotë të vrasjes së civilëve në Kosovë.
Nëse Kosova nuk është në gjendje të imponojë krijimin e institucioneve të mirëfillta ndërkombëtare që do të dënonin krimin ajo nuk mund të bëhet pjesë e fshehjes së krimit.
Akuzat e raportit ideologjik dhe me prapavijë politike kundër UÇK-së duhet të hidhen poshtë me argumente shkencore. Libri «Mashtrimi i madh» është njëri nga punimet shkencore për të hedhur dritë rreth kësaj çështjeje. Krijimi i një gjykate speciale mbi bazën e akuzave ideologjik dhe me prapavijë politike nuk i ndihmon drejtësisë. Por, insistimi që të krijohen këto institucione ndëshkuese kundër udhëheqësve të UÇK-së pas zbulimit nga shefi i Shërbimit Sekret Serb se kush qëndron realisht prapa listës së civilëve të vrarë është KRIM I DYFISHTË të cilën deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk duhet ta bëjnë.

14 maj 2015

Filed Under: Analiza Tagged With: Bardhyl Mahmuti, Historike, për padrejtësi, Përballë rrezikut

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT