– Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në pritjen te Kardinali Gianfranco Ravasi shtroi nevojën që Kosova, si shtet i ri, të bëhet pjesë e organizatave relevante ndërkombëtare, meqë kjo ndikon në ruajtën e pasurisë kulturore të Kosovës dhe në njohjen e saj si vlerë për të gjithë/
PRISHTINË, 30 Qershor 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Në kuadër të vizitës zyrtare në Itali, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i qeverisë së Kosovës, Kujtim Shala, i shoqëruar nga zëvendësministri Rexhep Hoti, është pritur sot në Vatikan nga Kardinali Gianfranco Ravasi, Kryetar i Këshillit Papnor për Kulturë në Vatikan.
Në një takim të përzemërt ndërmjet Ministri Shala dhe Kardinalit Ravasi, u bisedua për një varg çështjesh të interesit të përbashkët, veçmas për hapësirat që ekzistojnë për bashkëpunim kulturor ndërmjet Kosovës dhe Vatikanit. Në këtë drejtim Ministri Shala dhe Kardinali Ravasi, biseduan për mundësitë konkrete për fillimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe atyre të Vatikanit, në fushën e kulturës, por edhe të sportit.
Kardinali Ravasi shprehu gatishmërinë e tij dhe të institucioneve kulturore të Vatikanit për bashkëpunim në tema dhe fusha specifike që kanë të bëjnë me kulturën, sidomos të institucioneve kulturore të Kosovës me Muzeun e Vatikanit, me Universitetin Papnor Urbaniana, atë Gregorian, me Bibliotekën e Vatikanit dhe Bibliotekën Apostolike, arkivat, si dhe me Institutin e Konservimit të Librit.
Ministri Shala shprehu falënderimet e tij për pritjen dhe u shpreh se bashkëpunimi konkret në fushën e kulturës ndërmjet Kosovës dhe institucioneve kulturore të Vatikanit, është shumë i rëndësishëm për Kosovën dhe të ardhmen e saj, dhe shtoi se Kosova dëshiron të përfitojë nga përvojat e jashtëzakonshme të Vatikanit në fushat specifike që lidhen me kulturën sepse kjo ndihmon kulturën e vendit tonë.
Ministri Shala po ashtu shtroi nevojën që Kosova, si shtet i ri, të bëhet pjesë e organizatave relevante ndërkombëtare, meqë kjo ndikon në ruajtën e pasurisë kulturore të Kosovës dhe në njohjen e saj si vlerë për të gjithë.