• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Para 23 viteve në Kosovë ndodhte Bosnja, në Rahovec Srebrenica

July 17, 2021 by s p

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 17 Korrik 2021/ Në Rahovec prej sot deri në 22 Korrik 2021 zhvillohen aktivitetet e shënimit të “Epopesë së UÇK-së të Korrikut 1998”, organizuar nga Komuna. “Në Kosovë po ndodh Bosnja, në Rahovec po ndodh Srebrenica”, kam raportuar para 23 vitesh, në korrik 1998, për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare si dhe për Radio Televizionin Shqiptar. “Të dhëna dramatike për masakra në Rahovec – Bosnja po ndodh në Kosovë – Srebrenica në Rahovec”, citoheshin raportimet edhe në mbititullin e kryetitullin e gazetës kosovare të rezistencës “Bujku”, të 22 Korrikut 1998, në ballinën e së cilës  ishte edhe mbititulli “Gjendje alarmante në Rahovec dhe rrethinë”  dhe titulli   “Të masakruar, të vrarë dhe të djegur”. Ndërsa, në botimin e 25 Korrikut 1998 gazeta “Bujku” në ballinë kishte kryetitullin “Pamjet e Rahovecit ngjajnë me ato të Vukovarit”. Me titullin  “Rahoveci shembull i spastrimit të egër etnik të Kosovës” citohej Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, nga konferenca për shtyp. “Shumë të vrarë, të humbur pa gjurmë e të arrestur”, ishte titulli nga informata për ngjarjet në Rahovec e Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut. “Kongresisti John Olver i shkruan Bill Klintonit – Në emër të viktimave të Srebrenicës shpëtojeni Kosovën”, ishte mbititull e titull tjetër në ballinen e gazetës, e cila theksonte edhe se letrën drejtuar Presidentit të SHBA e nënshkruan 27 kongresistë amerikanë. Gazeta e rezistencës  “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha, dilte nga 18 Janari 1991 me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik, ishte pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi dhe sfidonte ndalimin e dhunëshëm nga Serbia okupatore të gazetës tradicionale Rilindja, atëherë të vetmes të përditshme në gjuhën shqipe në Kosovë.

Në Kosovë, si në shumë fshatra e qytete, edhe në qytetin e Rahovecit ndodhën masakra të forcave serbe kundër civilëve shqiptarë. Në 19 Korrik të vitit 1998, si pasojë e një sulmi të forcave serbe, në Rahovec pati shumë të vrarë e të plagosur. Raportoja se edhe në Tehqen e Sheh Myhedinit janë masakruar shumë gra, fëmijë dhe pleq që kishin kërkuar strehim në këtë institucion fetar. Te vendi i quajtur “Tuba” u gjetën të masakruar dy profesorë si dhe gjashtë trupa të karbonizuar, identiteti i të cilëve nuk u mësua. Gjithsej u regjistruan 150 persona të vrarë. Dëshmitarët që kishin arritur t’i shpëtojnë këtij krimi kanë treguar se ushtria, policia dhe paramilitarët serbë kanë ekzekutuar civilë shqiptarë arbitrarisht. Gjatë kësaj ofensive u morën peng, u rrëmbyen e u zhdukën shumë shqiptarë, për fatin e të cilëve nuk dihet asgjë. Organet e pushtetit okupues serb në Prizren, më 22 Korrik 1998, në varrezat e këtij qyteti hapën dy gropa të mëdha dhe groposën shumë shqiptarë të vrarë gjatë ofensivës në Rahovec. Në raportimet për situatën në Rahovec para 23 viteve, në 23 Korrik 1998 në raportin me titull “Shqiptarët e vrarë janë varrosur në dy varreza masive” raportoja se, “forcat serbe kanë hapur, të mërkuren, me eskavator dy varre të perbashketa dhe kanë groposur kufomat e mbledhura nëpër rrugët e qytetit të Rahovecit, afro një orë para ardhjes në qytet të gazetarëve dhe diplomatëve të huaj. Sipas KMLDNJ (Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut) forcat serbe kanë vrarë mbi 50 shqiptarë, ndërkohë që nuk janë identifikuar ende shumë të vrarë e të masakruar, që kanë mbetur nëpër rrugë, shtëpi, bodrume dhe fusha. Burime të LDK-së (Lidhjes Demokratike të Kosovës) në Rahovec besojnë se janë qindra civilë të vrarë, të masakruar, të djegur dhe të plagosur. Shtypi i Kosovës dhe burime të tjera, masakren e kryer nga forcat serbe në Rahovec, e krahasojnë me Srebrenicën”. Ndërsa, në 24 Korrik 1998, po para 22 viteve, raportoja që në titull se “Rugova kërkon mbrojtje ndërkombetare për Kosovën”. “‘Në Kosovë gjendja vazhdon të jetë e rrezikshme, çdo ditë ka sulme të policisë dhe ushtrisë serbe. Ky është një spastrim i egër etnik, që ka filluar në Kosovë’, tha të premten para gazetarëve në Prishtinë, Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova. Kerkojmë ‘mbrojtje ndërkombëtare për Kosovën dhe popullin e saj dhe të ndalohet përhapja e konfliktit në rajon’, theksoi Rugova. ‘Policia serbe nuk po lejon varrosjen e të vrarëve pas masakrave në Rahovec dhe as ardhjen e organizatave ndërkombëtare dhe kombëtare në Kosovë. Me mijëra shqiptarë janë larguar nga qyteti i Rahovecit dhe rrethinat e tij’, tha Rugova, duke shtuar se, edhe në rajone të tjera të Kosovës ka patur bombardime dhe të vrarë, ndërkohë që vazhdon represioni i policisë serbe. ‘Bashkësia ndërkombëtare, SHBA dhe Bashkimi Evropian, po ndërmarrin të gjitha hapat diplomatikë, por edhe ata ushtarakë, që të mos ndodhë Bosnja në Kosovë’, u shpreh Rugova, në pergjigje të pyetjes së gazetareve. Rugova përseriti qendrimin se ‘zgjidhja më e mirë për Kosovën është Kosova e pavarur me të gjitha garancitë për serbët lokalë dhe një protektorat ndërkombëtar si fazë kalimatare”. Sias citimit të gazetës “Bujku”, pyetja ime drejtuar Presidentit Rugova në atë konferencë shtypi ishte kjo: “A po vonohet bashkësia ndërkombëtare në Kosovë, kur dihen vlerësimet gjithnjë e më të shpeshta se këtu po ndodh Bosnja?”. Në raportimet nëpër vite kam theksuar se, në Kosovë, në vitet 1998-‘99 forcat serbe në sulmet gjenocidale dëbuan mëse 1 milion shqiptarë, shumicën “përtej Bjeshkëve të Nemuna” në Shqipëri, vranë e masakruan rreth 12 mijë, e mijëra të tjerë i zhdukën duke i dërguar e groposur edhe në Serbi, apo edhe duke i djegur. Sipas të dhënave të bashkësive të familjarëve të të zhdukurve, të të pagjeturve, numri i tërësishëm i të zhdukurve të Kosovës pas luftës së para 22 viteve mbërrinte afër 6.000 veta, mbi 90 për qind prej tyre ishin civilë shqiptarë, të cilët u rrëmbyen, u morën të gjallë në mënyra të ndryshme nga formacionet policore-ushtarake dhe paramilitare të pushtetit okupues serb. Menjëherë pas luftës  në Kosovë edhe Kryqi i Kuq Ndërkombëtar evidenconte më shumë se 6.000 të zhdukur. Një numër i tyre, rreth 600 janë gjetur të gjallë nëpër burgjet në Serbi. “Në Kosovë kanë ndodhur krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe akte gjenocide të forcave serbe kundër shqiptarëve”, ka deklaruar eksperti i së drejtës ndërkombëtare, Prof. Dr. Zejnullah Gruda, në një bisedë që kam zhvilluar. Ai ka folur mes mijëra e mijëra dëshmive të mbledhura gjatë viteve të okupimit e të luftës, të cilat i shpalosnim nga arkivat e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë.  “Janë shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare në përgjithësi, të drejtës ndërkombëtare të luftës, të drejtës humanitare…”,  ka thënë Gruda. Kuvendi i Republikës së Kosovës në seancën e 7 Korrikut 2021 votoi Rezolutën për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë. “Dënohet ashpër gjenocidi i regjimit serb në Srebrenicë ndaj pjesëtarëve të popullit boshnjak dhe të gjitha shkeljet e të drejtave të njeriut”, theksohet në të parën nga 6 pikat e Rezolutës. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se sot po mbështetet një rezolutë me rastin e 26 vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë të Bosnjës dhe se ky është veprim fisnik dhe i duhur, jo vetëm në emër të Kosovës, të shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera që  përfaqësohen,  por mbi të gjitha në emër të universales njerëzore dhe dëshirës për paqe dhe drejtësi. “Srebrenica është masakra më e madhe e ndodhur në kontinentin evropian pas Luftës së Dytë Botërore. Dënimi i krimeve gjenocidale, të cilin po e bëjmë edhe përmes rezolutës së sotme, duhet të jetë i përhershëm, i padiskutueshëm dhe i kudondodhur, në mënyrë që në të ardhmen ato të mos përsëriten kurrë më. Ne sot përkujtojmë, me dhimbje e me respekt të thellë, martirizimin e 8372 burrave e djemve në Srebrenicë, por edhe dhimbjen e mijëra grave të përdhunuara, teksa shpërnguleshin dhunshëm për të krijuar realitetin e ri demografik. Ky krim mori emër, dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e sanksionoi si gjenocid”, tha Kryeministri Kurti, duke shtuar se me dënimin e krimeve, përmes rezolutave si kjo që po miraton sot Kuvendi i Republikës së Kosovës, përmes padive si ajo që po përgatit Qeveria e Kosovës, do të kontribuohet që të mos përsëritet më gjenocidi, as në Srebrenicë, as në Kosovë, e askund tjetër në rajon.

Filed Under: Histori Tagged With: Behlul Jashari, kosova

KOSOVA KUVEND NË KOHË LUFTE, PARA 23 VITEVE

July 16, 2021 by s p

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 16 Korrik 2021/ Kosova, para 23 viteve, në kohë lufte, mbajti zgjedhje në 22 Mars dhe në 16 Korrik 1998 konstituoi Kuvendin që nuk kishte arritur ta konstituonte pas zgjedhjeve të para pluraliste parlamentare e presidenciale të 24 Majit 1992 të Republikës atëherë të panjohur ndërkombëtarisht, që megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik. Seanca konstituive e Kuvendit u mbajt në shtëpinë e shkrimtarëve, që u shndërrua në seli të Presidencës e institucioneve tjera të Republikës së Kosovës, në sallën që ishte e vogël për ngjarjen e madhe, ku ishte gritur flamuri kombëtar shqiptar dhe u intonua Himni i Flamurit. Deputetët, të zgjedhurit e popullit që kishin ardhë edhe nga zonat e luftimeve, zgjodhën me aklamacion akademik Idriz Ajetin për kryetar të Kuvendit dhe tre nënkryetarë, ndërsa u betuan se, “do të angazhohen me përgjegjësi dhe me ndërgjegje për pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës, për realizimin dhe mbrojtjen e lirive dhe të drejtave njerëzore dhe kombëtare të qytetarëve të saj në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.

Zgjedhjet ishin edhe presidenciale dhe i zgjedhuri për herë të dytë, Presidenti Ibrahim Rugova, dha poashtu betimin: “Betohem se tërë fuqinë time do t’ia kushtoj arritjes dhe ruajtjes së pavarësisë të Republikës së Kosovës në tërësinë territoriale të saj, realizimit të lirive dhe të drejtave njerëzore e qytetare, respektimit dhe mbrojtjes së Kushtetutës dhe të ligjeve, ruajtjes së paqes dhe mirëqenies së gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe me ndërgjegje e përgjegjësi do t’i kryej të gjitha detyrat e mia. Betohem!”. Në seancën e nisur në orën 12:30, ku u bënë nderimet më të larta për të rënët për lirinë e pavarësinë e Kosovës, u miratua propozimi që Kuvendi të nxjerrë një Deklaratë për gjendjen në vend, e cila theksonte se, Kuvendi i Republikës së Kosovës është institucion i bashkërendimit të përpjekjeve të përgjithshme politike e ushtarake në funksion të realizimit të pavarësisë së Kosovës. “Mbledhja konstitutive e Kuvendit të Republikës së Kosovës u bë në kushtet e okupimit serb të Kosovës, në rrethanat e ushtrimit të terrorit shtetëror serb me përmasa gjenocidi, por edhe në kushtet e fuqizimit të rezistencës së përgjithshme dhe të hovit të luftës çlirimtare të Kosovës”, thuhej fillimisht në Deklaratë. Theksohej se, “i dalë nga zgjedhjet e 22 Marsit 1998, të mbajtura gjithashtu në kushte të pushtimit, dhe si kundërshtim politik e institucional i këtij pushtimi dhe i institucioneve të pushtuesit, e, para së gjithash, si shprehje e vullnetit politik të popullit të Kosovës për liri e pavarësi, institucioni më i lartë politik përfaqësues dhe kushtetues – ligjvënës i pavarësimit të Kosovës”, po nxirrte Deklaratën. Seanca konstituive e Kuvendit zhvillohej nën shtetrrethimin ushtarako-policor që Beogradi kishte vendosur në Kosovë e që u dyfishua edhe me rrethimin nga forcat serbe me armatime e makineri luftarake që mbërritën te ndërtesa, madje edhe hynë brenda dhe konfiskuan dosje e dokumete.

Isha një nga gazetarët e paktë brenda seancës dhe raportoja drejtpërdrejtë me telefon për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – ATSH dhe Radio Televizionin Shqiptar – RTSH derisa me një kasetofon special të vogël e të fshehur, që ma kishte dërguar vëllai Demë Jashari nga Zvicëra, bëja gjithë audioincizimin  e zhvillimeve, ku dëgjohej edhe uturima e blindave-tankeve. Pjesë e zhvillimeve, derisa vazhdonte ndërhyrja e forcave serbe, ishte edhe ardhja e shpejtë brenda selisë, ku ishin Presidenti Rugova dhe deputetët, e diplomatëve amerikanë – e Nikollas Hill, sekretar i parë në Ambasadën e SHBA-ve në Beograd, që ndodhej atë ditë në kryeqytetin kosovar dha nga Zyra Amerikane në Prishtinë, që ishte hapur nga Nënsekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kornblum, në 5 Qershor 1996  dhe shënonte vendosjen e pranisë amerikane në Kosovë në rrethana të veçanta. Gazeta e rezistencës  “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha e që dilte nga 18 Janari 1991 me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik e që ishte pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi dhe sfidonte ndalimin e dhunëshëm nga Serbia okupatore të gazetës tradicionale Rilindja, atëherë të vetmen të përditshme në gjuhën shqipe në Kosovë, në botimin e 17 Korrikut 1998 mbititull e kryetitull balline kishte: Dje në Prishtinë U konstituua Parlamenti i Republikës së Kosovës. Në ballinë të gazetës ishte edhe titulli “Lufta përfshiu edhe Prizrenin”, ndërsa në mbititull të raportimit që e kisha bërë edhe për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë theksohej edhe se kishte “Luftime të ashpra në brezin kufitar, në Dukagjin, në Drenicë dhe në rrethinat e Mitrovicës”. Poashtu në ballinë gazeta botonte edhe një raportim nga Strasburgu, me datë 16 Korrik 1998, me mbititull “Parlamenti Evropian aprovoi një Rezolutë për zgjidhjen e problemit të Kosovës” e me titull “Kërkohet mënjëherë ndalja e spastrimit etnik të Kosovës”. Në prag të zgjedhjeve kosovare parlamentare e presidenciale të para 23 viteve, Kongresi Amerikan kishte miratuar një rezolutë, në të cilën, krahas kërkesës që SHBA-të të mos lejojnë të përsëritet një Bosnje tjetër në Ballkan, kërkohej që zgjedhjet në Kosovë të mos pengoheshin. “Ne kemi një shprehje në anglisht: ‘zgjedhje në hije’. Por, ne presim me padurim që kosovarët të mbajnë zgjedhje në dritën e diellit”, deklaronte ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Strob Talbot. Pas zgjedhjeve, në 29 Maj 1998, Presidenti Rugova në Uashington u takua me Presidentin amerikan Bill Clinton. “Ne ritheksuam se zgjidhja më e mirë për Kosovën do të ishte shteti i pavarur”, deklaronte Rugova pas takimit. Ndërsa, Clinton tha se Kosova është një nga shqetësimet amerikane dhe se SHBA-të do të intensifikojnë angazhimin për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në kuadër të Grupit të Kontaktit dhe të NATO-s. Njëmbëdhjet vite më vonë, në 1 Nëntor 2009,  në Kosovën e lirë, Presidenti amerikan Bill Klinton, në fjalën e tij në Kuvendin e Republikës kosovare, por edhe në sheshin me emrin e shtatoren e tij në Prishtinë, ka përkujtuar Presidentin historik Ibrahim Rugova dhe një gurë kristali të cilin ai ia kishte dhuruar. 
“Ai gurë kristal të cilin ma dha Rugova i është dhuruar një universiteti, por për një kohë ai ishte i njohur edhe në SHBA me emrin ‘Guri i Rugovës’”, tha Presidenti amerikan Clinton. 
“Atëherë, ai (Rugova), më tha se duhet të na ndihmosh”,  ka përkujtuar ish-Presidenti i SHBA-ve, Clinton gjatë vizitës në Kosovë. Presidenti amerikan Clinton me rastin e shuarjes në 21 Janar 2006 të Presidentit kosovar Rugova shprehej: “Kam pasur nderin ta mbështes luftën e tij për paqe dhe liri”. Kosova para 31 vitesh, në 2 Korrik 1990, miratoi në Kuvend Deklaratën Kushtetuese për pavarësinë e saj. Më pas, Kuvendi i Kosovës miratoi Kushtetutën dhe më të shpalli Kosovën Republikë në një mbledhje në Kaçanik në 7 Shtator 1990.  Në fundshtatorin 1991 Kosova mbajti Referendumi për pavarësi, në të cilin pro votuan 99,87% në pjesëmarrjen masive të 87,01% të qytetarëve me të drejtë vote. Kosova është e lirë 22 vite,  nga 12 Qershori 1999, kur nisën të hyjnë forcat shpëtimtare paqeruajtëse të NATO-s, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pavarësia e Kosovës, e shpallur para 13 viteve, në 17 Shkurt 2008, është njohur deri tani nga 117 shtete të botës anëtare të OKB-së. Nga vendet fqinje pavarësinë e Kosovës nuk e ka njohur ende vetëm Serbia, ndërkohë që drejt njohjes  zhvillohet dialogu mes dy shteteve, ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Filed Under: Featured, Politike Tagged With: Behlul Jashari, Ibrahim Rugova

KOSOVA NË LOJËRAT OLIMPIKE NË TOKIO ME 11 SPORTISTË, DREJT MEDALJEVE TË REJA

July 13, 2021 by dgreca




Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 13  Korrik 2021/ Kosova me Flamurin e saj shtetëror është gati të niset drejt pjesëmarrjes me 11 sportistë në Lojërat Olimpike  në Tokio – Japoni, që do mbahen prej 23 Korrik deri më 8 Gusht 2021. Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ia dorëzoi Flamurin shtetëror Ekipit Olimpik të Kosovës – kampiones olimpike, Majlinda Kelmendi, e cila në Lojërat Olimpike “Rio 2016” fitoi Medeljen e Artë.  Në ceremoninë madhështore mbrëmjen e djeshme në Prishtinë – në Amfiteatrin e Pishinës në malin e Gërmisë  bashkë me sportistët përfaqësues të Kosovës në Lojërat Olimpike e drejtuesit e lartë të Komitetit Olimpik të Kosovës në krye Presidentin Ismet Krasniqi ishin edhe ministra të Qeverisë së Kosovës, deputetë, ambasadorë, përfaqësues të komunave, sportistë, ish-sportistë, sportistë të shekullit e pjesëmarrës të tjerë. Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës Ismet Krasniqi, në fjalën e tij, duke i uruar fat dhe mbarësi ekipit olimpik, theksoi se ekipi olimpik i Kosovës ka ndryshuar pozitivisht nga Rio 2016, ku kishin tetë sportistë, dy me normë olimpike, kurse tani ka 11 sportistë, prej të cilëve gjashtë me normë olimpike. “Pavarësisht rezultateve tuaja, pavarësisht nëse do t’ju shohim apo jo në podium, ndihuni krenarë me arritjen tuaj, ndihuni krenarë për vendin që përfaqësoni, sepse ju jeni historia, jeni e ardhmja e ndritshme e sportit tonë, për çka ne jemi dhe do të jemi krenarë! Uroj t’ju shohim duke e lartësuar Flamurin tonë sa më shpesh”, tha mes tjerash Presidenti Krasniqi. Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, tha se pjesëmarrja e Kosovës për herë të dytë në Lojërat Olimpike do të thotë ripërtëritje e krenarisë, duke marrë shembull lartësimin e Flamurit nga Majlinda Kelmendi në Rio 2016, derisa tha se edhe sportistët tjerë do ta ngrejnë lartë emrin e Kosovës dhe do t’ia shtojnë nderin mes qindra kombeve të tjera.

Me një video-mesazh motivues erdhi edhe Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili nga Greqia ku ishte për vizitë zyrtare,  u tha sportistëve të ndihen krenarë dhe ta lartësojnë Flamurin tonë në Tokio 2020. Të pranishmëve iu drejtua edhe Ministri Machida nga Ambasada e Kosovës në Japoni. Flamurmbajtësja Majlinda Kelmendi tha se është krenari që këtë herë do ta mbajë Flamurin si kampione olimpike, derisa shprehu optimizmin se Kosovën do ta përfaqësojnë në mënyrën më të mirë të mundshme. Pjesë e ceremonisë ishte edhe Filharmonia e Kosovës me dy këngë me motive kosovaro-japoneze. Gjatë ceremonisë u prezantua edhe uniforma e ekipit olimpik, e cila krahas ngjyrave të Flamurit të Kosovës përmbanë edhe simbole dardane dhe ilire – imazhe të Hyjneshës në Fron dhe të Vrapueses së Prizrenit. Uniforma do të bartet nga lojtarët dhe trajnerët gjatë parakalimt dhe prezantimit zyrtar të ekipit të Kosovës në Tokio.

Në prag të Lojërave Olimpike Tokio 2020, para ceremonisë së dorëzimit të Flamurit për Ekipin Olimpik, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë ditës së djeshme ka pritur  drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, me në krye Presidentin Ismet Krasniqi. 

Ishte ky takimi i parë mes Presidentes Osmani dhe Presidentit Krasniqi, ku edhe uruan njëri-tjetrin për zgjedhjen e tyre në krye të Shtetit të Kosovës, respektivisht Komitetit Olimpik të Kosovës Presidenti Krasniqi shoqërohej edhe nga sekretari i përgjithshëm, Shasivar Haxhijaj, nënpresidentët Gazmend Maxhuni e Milaim Kelmendi, anëtarët e Bordit Ekzekutiv Avni Nuha e Halil Sylejmani, këshilltari Besim Aliti dhe shefi i misionit, Jeton Rudari. Presidentja Osmani e falënderoi Prsidentin Krasniqi për vizitën dhe u uroi sukses pjesëmarrësve të Kosovës në lojërat olimpike. Ajo i vlerësoi përgatitjet e Komitetit Olimpik të Kosovës për pjesëmarrje në këto lojëra dhe u shpreh e bindur se vajzat dhe djemtë e ekipit olimpik do të arrijnë rezultate të mira, duke e lartësuar emrin e tyre, por edhe emrin e Kosovës. Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi e njoftoi Presidenten Osmani me përgatitjet që po i bën Komiteti Olimpik i Kosovës për pjesëmarrje në Lojërat Olimpike Tokio 2020, si dhe me përgatitjet e ekipit olimpik të Kosovës. Ai e falënderoi Presidenten për përkrahjen e vazhdueshme të saj dhe të institucionit që ajo e drejton për ekipin olimpik të Kosovës. Presidentja Osmani, duke shprehur vullnetin dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar ngushtë me Komitetin Olimpik të Kosovës, i ka uruar fat ekipit olimpik të Kosovës, me shpresën dhe besimin se nga Tokio 2020 do të kthehen me medalje. Presidenti Krasniqi i ndau Presidentes Osmani edhe uniformën zyrtare me të cilën ekipi olimpik i Kosovës do të paraqitet në Lojërat Olimpike. Që në 08 Korrik 2021, Komiteti Olimpik i Kosovës ka prezantuar listën përfundimtare të sportistëve që do të përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Olimpike Tokio 2020 në gjashtë sporte – xhudo, mundje, not, atletikë, boks dhe shenjëtari sportive. Janë 11 sportistë, prej tyre gjashtë me normë olimpike: Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Loriana Kuka, Akil Gjakova (të gjithë nga xhudo), Egzon Shala (mundje). Me ftesë nga Komisioni Tre-Palësh janë Donjeta Sadiku (boks) dhe Drilon Ibrahimi (shenjëtari sportive), ndërsa me ftesë sipas vendeve të univerzalitetit janë atleti Musa Hajdari dhe notarët Eda Zeqiri e Olt Kondirolli.

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, gjatë prezantimit të listës, ka deklaruar se drejt Japonisë udhëtojnë me synime për të fituar medalje. “Në Rio 2016 kemi pasur tetë sportistë dhe kemi fituar një medalje të artë olimpike me heroinën tonë, Majlinda Kelmendi. Tani kemi 11 sportistë nga të cilët presim të japin maksimumin… Synimet tona janë të fitojmë medalje, suksesi i madh”, tha mes tjerash Presidenti Krasniqi. Sekretari i përgjithshëm Komitetit Olimpik të Kosovës, Shasivar Haxhijaj, ka folur edhe për përgatitjet tjera para udhëtimit për në Tokio 2020. Boksierja Donjeta Sadiku tha se i është realizuar ëndrra për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike dhe këtë mundësi do ta shfrytëzojë në mënyrën më të mirë të mundshme, duke theksuar se drejt Tokios udhëton për medalje.

Të parët që do të udhëtojnë drejt Tokios janë ekipi i xhudos, të cilët nisen më 14 korrik dhe do të vendosen në Komunën e Sanxhos.

EKIPI OLIMPIK I KOSOVËS – LISTA

Majlinda Kelmendi – xhudo (-52 kg)

Distria Krasniqi – xhudo (-48 kg)

Nora Gjakova – xhudo (-57 kg)

Loriana Kuka – xhudo (-78 kg)

Akil Gjakova – xhudo (-73 kg)

Egzon Shala – mundje (-125 kg)

Drilon Ibrahimi – shenjëtari sportive (10 m. Pushkë ajrore)

Donjeta Sadiku – boks (57-60 kg)

Eda Zeqiri – not (400 m. stil i lirë)

Olt Kondirolli – not (100 m. stil i lirë)

Musa Hajdari – atletikë (800 m.)

Filed Under: Sport Tagged With: Behlul Jashari, kosova, Lojrat Olimpike, Tokio

Gjenerali Clark e gëzon mirënjohjen e përjetshme të Kosovës

July 7, 2021 by dgreca

-Me nderimet më të larta ushtarake pritet në vizitë Gjenerali historik Amerikan dhe Heroi i Kosovës, Wesley Clark.Më 1999 e udhëhoqi fushatën ajrore të NATO-s kundër forcave ushtarake të regjimit të Millosheviçit./ 

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari 

PRISHTINË, 7 Korrik 2021/ Ministria e Mbrojtjes e Kosovës dërgoi sot këtë komunikatë: 

Me ftesë zyrtare të Ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj sot në vendin tonë erdhi në vizitë Heroi ynë Gjenerali historik amerikan, Wesley Clark. Si nikoqir dhe mik i tij, gjeneralin Clark e priti ministri Mehaj i shoqëruar nga komandanti i FSK-së dhe stafi më i lartë i Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së. Vizitës i ka paraprirë takimi virtual i datës 25 qershor kur gjeneral Clark shprehu vullnetin e tij për ofrimin e këshillave nga eksperienca e tij profesionale ushtarake dhe akademike në rast nevoje për ministrin Mehaj. 

Pritja me nderimet më të larta ushtarake, pasuan me takimin tête-à-tête të ministrit Mehaj dhe gjeneral Clark dhe takimin në nivel të delegacioneve më të larta. Pas takimit, të dy iu adresuan mediave të shumta me mesazhet për qëllimin dhe përmbajtjen e diskutimeve. 

Me këtë rast, ministri Mehaj shprehu nderin e madh për të dhe Ministrinë e Mbrojtjes si dhe rëndësinë historike që ka vizita e general Clark. Duke theksuar se, gjeneralin Clark e njoftoi me të arriturat e deritashme të FSK-së, procesin e tranzicionit si dhe qëllimet dhe objektivat e tij për të ardhmen. Ai gjithashtu, njoftoi se në shenjë të mirënjohjes dhe falënderimit të përjetshëm për kryeveprën e tij – Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës dhe vizitës së sotme historike në Ministrinë e Mbrojtjes, nga sot Qendra e Studimeve Universitare e Akademisë së Mbrojtjes do të emërohet “Qendra e Studimeve Universitare – Wesley Clark”. 

Nga ana e tij, gjeneral Clark  theksoi se është shumë i lumtur që rikthehet në Kosovë. “Përgjatë viteve kam parë progres në Kosovës. Është një marsh mbresëlënës drejt demokracisë dhe lirisë. Shpresoj edhe për rritjen e zhvillimit ekonomik për popullin e Kosovës. Populli i Kosovës i dërgon një shembull të fortë Botës se çfarë është vendosmëria që të jetojnë dhe t’i shërbejnë demokracisë dhe çfarë do të thotë të japësh për vendin tënd”, tha Gjenerali Clark. 

Në vazhdim, gjeneral Clark vizitoi edhe Qendrën Universitare ku nga ministri Mehaj iu komunikua zyrtarisht dhe iu dorëzua vendimi për emërimin e QSU-së me emrin e tij “ Qendra e Studimeve Universitare- Wesley Clark”.  Nga QSU, gjeneral Clark vazhdoi vizitën në Shtabin e Përgjithshëm të FSK-së, ku u prit nga Shefi i Stafit, gjeneral brigade jeton Dreshaj me bashkëpunëtorë të cilët e njoftuan atë me sistemin organizativ dhe operacional të FSK-së. 

Më pas, gjeneral Clark i shoqëruar nga Ministri Mehaj, vazhdon vizitën me takimet e përcaktuara me Kryediplomaten Gërvalla, Kryeministrin Kurti, Presidenten Osmani dhe Kryeparlamentarin Konjufca. 

Gjeneral Wesley  Clark, më 1999 ishte prijës i operacionit ajror me bombardimet 78 ditëshe të caqeve serbe, si Komandant Suprem i Forcave të NATO-s, operacion ky që rezultoi me kapitullimin e forcave ushtarake të Serbisë dhe arritjen e paqes bashkë me lirinë e popullit të Kosovës. 

PRESIDENTJA OSMANI PRITI GJENERALIN CLARK 

-Komunikata e Presidencës se Kosovës/ 

Presidentja e Kosovës, dr. Vjosa Osmani u takua me gjeneralin Wesley K. Clark, i cili më 1999 e udhëhoqi fushatën ajrore të NATO-s kundër forcave ushtarake të regjimit të Millosheviçit. 

Presidentja shprehu kënaqësinë për ta mirëpritur mikun e Kosovës. 

“Ju simbolizoni vendosmërinë e botës demokratike për t’u vënë në mbrojtje të jetëve njerëzore, të jetëve të cilat po kërcënoheshin vetëm pse i takonin një etnie tjetër”, tha presidentja Osmani. 

Sipas saj, gjenerali Clark e gëzon mirënjohjen e përjetshme të popullit të Kosovës. 

“Nuk do të jetë asnjëherë e mjaftueshme t’jua ritheksojmë mirënjohjen tonë për atë që ju bëtë për Kosovën në momentet më të vështira të historisë së saj”, tha ajo. 

“Rrëfimi juaj për Kosovën duhet të vazhdojë të dëgjohet gjithandej botës”, tha presidentja Osmani. 

Në anën tjetër, gjenerali Clark shprehu kënaqësinë që po rikthehet në Kosovë, aty ku mikpritja dhe mirënjohja për të janë të përhershme. 

“Ky vend është krijuar falë shpirtit tuaj kryengritës dhe këmbëngultësisë së qytetarëve të këtij vendi për ta fituar lirinë”, tha gjenerali Clark. 

Ai e ritheksoi gatishmërinë e tij që të vazhdojë ta përkrahë Kosovën sikur edhe deri më tani.  

***.  

Kryeministri Kurti mirëpriti gjeneralin Wesley Clark

Prishtinë, 7 korrik 2021– Në shoqërimin e ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ish-komandantin suprem të forcave aleate të NATO-s në Evropë gjatë viteve 1997-2000, gjeneralin Wesley K. Clark.

Intervenimi i NATO-s në Kosovë përbën një moment kthese në historinë e vendit dhe popullit tonë. Kryeministri Kurti e falënderoi gjeneralin Clark për udhëheqjen e tij në intervenimin vendimtar të NATO-s, kundër Jugosllavisë së Milosheviqit në pranverën ‘99, për funksionin dhe kontributin e pazëvendësueshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe ritheksoi vendosmërinë e Republikës së Kosovës për të qenë anëtare e NATO-s. Kryeministri gjithashtu e falënderoi për vullnetin e shprehur të gjeneralit Clark për të ofruar këshilla profesionale për ministrin Mehaj.

Gjenerali Clark e uroi kryeministrin Kurti për pozitën e re dhe për të arriturat e deritanishme të qeverisë. Ai shprehu mbështetje për synimet e qeverisë për zhvillim ekonomik dhe prosperitet mbarëshoqëror. Shteti i Kosovës është miku më i madh i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Evropë, shtoi gjenerali Clark, teksa rikujtoi herën kur presidenti Bill Clinton, pas vizitës së tij të fundit në Kosovë, i kishte thënë se Kosova është gjëja më e mirë që e ka bërë gjatë presidencës së tij tetë vjeçare. Më tej, ai tha se Kosova është histori suksesi për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si asnjë tjetër.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Gjenerali Wesly Clark, Mirenjohje e perjetshme

Rezidencë e re për Ambasadorin e Amerikës në Kosovë

June 29, 2021 by dgreca

-Prishtina, sipërfaqe prej 8,340 metra katrorë për ndërtimin e Rezidencës së re për Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

PRISHTINË, 29 Qershor 2021/ Komuna e Prishtinës sot ka nënshkruar marrëveshje me Ambasadën Amerikane në Prishtinë për dhënie në shfrytëzim të pronës së paluajtshme komunale me një sipërfaqe prej 8,340 metra katrorë, për ndërtimin e Rezidencës së re për Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë.

 
Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes morën pjesë Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti si dhe Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett.

Pas nënshkrimit të marërveshjes, Kryetari Shpend Ahmeti tha: “Është kënaqësi për ne që të shprehim edhe një herë mirënjohjen tonë për gjithçka që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë për vendin tonë. Me Ambasadën dhe Rezidencën e re të Shteteve të Bashkuara ne tregojmë atë që është vendosur e bërë e qartë nga SHBA-të qysh vite më parë, që është një prej partnerëve tanë më të afërt dhe është këtu për të qëndruar. Për të qëndruar me ne, në këtë tranzicion dhe për të zhvilluar shtetin tonë dhe ne jemi mirënjohës për këtë. Jam mirënjohës edhe ndaj Kuvendit Komunal si dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme përmes së cilave është adresuar kërkesa, andaj ju faleminderit edhe njëherë…”.

Ndërsa, Ambasadori Amerikan në Kosovë, Philip Kosnett tha: “Sot, në emër të popullit amerikan, i shpreh falenderimet për Kryetarin Ahmeti, Kuvendin Komunal dhe popullin e Prishtinës, që siguruan qasje në tokën mbi të cilën do të ndërtohet Rezidenca e re e Shefit të Misionit tonë. Një Rezidencë moderne, e cila do të jetë vendtakim për kosovarët e të gjitha komuniteteve që të bashkohen me miqtë e tyre amerikanë për të shkëmbyer ide dhe për të punuar së bashku për ndëtimin e një të ardhme të paqes, drejtësisë, dhe prosperitetit për të gjithë njerëzit në Kosovë”.

Kjo pronë e paluajtshme i ofrohet në shfrytëzim Ambasadës Amerikane për 99 vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes

Filed Under: Kulture Tagged With: ambasadori amerikan, Behlul Jashari, Rezidence e re

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • …
  • 245
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT