-Marrëveshjet pas aprovimit në Qeveri, do të procedohen për ratifikim në Kuvendin e Republikës së Kosovës/
PRISHTINË, 2 Gusht 2017-Gazeta DIELLI/ Ministri i Financave i Qeverisë së Kosovës, Avdullah Hoti dhe Menaxheri i Bankës Botërore për Kosovë Marko Mantovanelli, kanë nënshkruar sot dy Marrëveshje për Kredi në vlerë të përbashkët prej afro 34.3 milionë Euro për realizimin e dy projekteve, që synojnë zhvillimin e sektorit privat dhe krijimin e vendeve të reja të punës në Kosovë.
Me këtë rast, ministri Avdullah Hoti theksoi se pas kompletimit të të gjitha procedurave ligjore, sapo nënshkruam me Bankën Botërore dy Marrëveshje për Kredi për realizimin e dy projekteve të identifikuara si prioritare nga Qeveria e Republikës së Kosovës, Projektin për Konkurrueshmërinë dhe Gatishmërinë për Eksport dhe Financimit Shtesë për Projektin për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural. “Projekti i parë ka për qëllim avancimin e legjislacionit për tregti si dhe krijimin e një ambienti të përshtatshëm për eksporte me standarde ndërkombëtare. Realizimi i Projektit në fjalë do të ndikoj drejtpërdrejtë në rritjen e konkurueshmërisë së produkteve dhe shërbimeve që eksportohen/ofrohen nga tregu i Kosovës”, shtoi Ministri Hoti.Ndërsa, sa i përket Marrëveshjes së dytë ministri Avdullah Hoti bëri të ditur se kjo marrëveshje ka të bëjë me sektorin e bujqësisë dhe ka për qëllim vazhdimin e financimit për grantet e bujqve, si dhe për rehabilitimin e kanaleve në Skemat e Ujitjes Radoniqi dhe Dukagjini. Objektivat e Projektit janë që të ndihmojnë MBPZHR që të përmirësojë produktivitetin dhe qasjen në tregje, të përfituesve të Projektit në nënsektorët e hortikulturës dhe blegtorisë në Kosovë, si dhe të konsolidojë kapacitetin institucional të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural”.
Të dyja marrëveshjet kanë vlerën afro 34.3 Milionë, ndërsa kohëzgjatja 25 vite maturitet, ku 5 vite janë grejs periudhë, kurse 20 vite janë amortizim me 40 këste gjysmëvjeçare. Norma e Interesit: 0.45% në shumën e tërhequr, Tarifa e Shërbimit: 0.75% në shumën e tërhequr, si dhe Tarifa e Zotimit: 0.5% vjetore në shumën e pa-tërhequr”, shtoi Ministri Hoti.Ndërsa, Menaxheri i Bankës Botërore për Kosovë, Marco Mantovanelli, u fokusua në kontributin e projekteve të reja për bërjen e rritjes ekonomike të Kosovës të bazuar në produktivitet më të lartë brenda vendit dhe me konkurrueshmëri më të lartë jashtë vendit. “Financimi për këto projekte është pjesë e strategjisë së Grupit të Bankës Botërore që synon t’i ndihmojë Kosovës në lëvizjen drejt një rritjeje ekonomike më të qëndrueshme, të orientuar kah eksporti, ashtu që qytetarët e saj të kenë më shumë mundësi për një jetë më të mirë”, tha Menaxheri i Bankës Botërore për Kosovë, Marco Mantovanelli.Dy kreditë janë dhënë nga Asociacioni Ndërkombëtar (IDA) për Zhvillim i Grupit të Bankës Botërore. Kosova është ende përfituese e financimit koncesional (të butë) nga IDA, që jipet me kushte koncesionale, me normë interesi zero ose afër zeros, si dhe me periudha të gjata të kthimit të kredisë.
Marrëveshjet pas aprovimit në Qeveri, do të procedohen për ratifikim në Kuvendin e Republikës së Kosovës./b.j/





NJU JORK, 31 Korrik 2017-Gazeta DIELLI/ Rektori i UBT-së, Prof.Dr. Edmond Hajrizi ka qëndruar në Nju Jork. Ai në kuadër të agjendës për vendosjen e partneritetit akademik me universitete dhe institucione amerikane ka takuar udhëheqësit e shumë fakulteteve atje. Rektori Hajrizi, gjatë qëndrimit në Nju Jork, ka zhvilluar takime të ndara me krerët e fakulteteve të st.Johns University, respektivisht udhëheqësit e katedrës juridike, biznesit dhe atij të komunikimit masiv. Universiteti St. Johns, është përzgjedhur së fundi (2017) si një ndër kolegjet më të mira Kombëtarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.Qëllimi i vizitës, sipas rektorit Hajrizi, ishte konsolidimi i bisedimeve në fushat e përbashkëta prioritare, që do të finalizohet së shpejti përmes nënshkrimit të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të bashkëpunimit. Duke u bazuar në përshkrimet analitike të arsimit në Kosovë, z.Hajrizi në bashkëbisedim me krerët e këtij institucioni, ka ofruar një gamë të gjerë të mundësive të shkëmbimit ndërinstitucional.Me theks të veçantë, biseda është zhvilluar rreth politikave programore, rritjes së performancës dhe përmirësimit të kurrikulave akademike, shkëmbimit të stafit dhe studentëve gjithnjë në kuptim të ngritjes dhe përmirësimit të cilësisë së mësimdhënies, ngritjes së strukturave dhe nivelit të kërkimit shkencor, në përputhje me standardet e aplikuara amerikane.Qëllimi i vizitës në Nju Jork kishte të bënte gjithashtu, edhe me një pikë tjetër strategjike për UBT-në me institucione amerikane, respektivisht ngritjes dhe forcimit të Qendrës Euro-Atlantike, si dhe implementimi i një sërë projektesh të përbashkëta, të cilat do të iniciohen me konsolidimin e qendrës.Rektori Hajrizi ka zhvilluar gjithashtu një vizitë në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ku është njohur nga afër me programet e saja socio-ekonomike dhe zhvillimore, me ç’rast ka vizituar edhe zyrën e Radio-Televizionit 21 ku u prit nga korrespondenti Halil Mula, si i vetmi medium/gazetar nga Kosova me akreditim në Kombe të Bashkuara.Rektori Hajrizi u shpreh i nderuar edhe nga pritja e rezervuar në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës nga diplomatët dhe ambasadorja Teuta Sahatqija, e cila vlerësoi lart kontributin e UBT-së në promovimin e arsimit të Kosovës në planin ndërkombëtar. Ajo iu referua një sërë storieve të suksesit që UBT ka arritur në kompeticione ndërkombëtare, ndërsa e ka vlerësuar si një zhvillim të natyrshëm. Nga ana e tij, Rektori Hajrizi u shpreh se u ndje mjaft i kënaqur dhe i nderuar nga vizita në Nju Jork dhe theksoi, edhe një here, angazhimin e tij personal në realizimin e projekteve me institucione amerikane të arsimit të lartë.




