• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KRYEPROKURORI I KOSOVES, NE SHBA

July 26, 2017 by dgreca

SHBA-Kosovë, Kryeprokurori  Lumezi në San Francisko/

1 Kryeprokurori

-Një delegacion i Prokurorit të Shtetit po qëndron për vizitë zyrtare në San Francisko/

San Francisko/SHBA, 26 Korrik 2017-Gazeta DIELLI/ Me ftesë të Departamentit Amerikan të Drejtësisë – Divizioni për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, një delegacion i Prokurorit të Shtetit të Kosovës, i kryesuar nga kryeprokurori Aleksandër Lumezi, po realizojnë një vizitë zyrtare në San Francisko, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.Qëllimi i kësaj vizitë është marrja e përvojave të shtetit San Francisko lidhur me funksionimin e sistemit prokurorial, institucioneve penale të dhunës në familje, shërbimeve të viktimave, atyre anti-korrupsion, konfiskimin e pasurisë së kundërligjshme dhe disa institucioneve tjera.Delegacioni i kryesuar nga kryeprokurori Lumezi do të vizitojë Prokurorin e Qarkut Verior të Kalifornisë, Gjykatën Penale për Dhunë në Familje, Prokurorinë e Qarkut të San Franciskos, Gjykatën për Çështje Familjare të San Franciskos, Njësitin për Konfiskimin e Pasurisë së Zyrës së Prokurorisë së Qarkut Verior të Kalifornisë dhe institucione tjera të sistemit të drejtësisë së këtij vendi.Kryeprokurori Lumezi do të zhvillojë takime të ndryshme me krerë të institucioneve të drejtësisë së San Franciskos, po ashtu i tërë delegacioni i Prokurorit të Shtetit do të marrë pjesë nëpër seanca të ndryshe që zhvillohen në institucionet e drejtësisë./b.j/

 

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, KRYEPROKURORI I KOSOVES, ne SHBA

Kuvendi i Kosovës regjistron 120 deputetët

July 26, 2017 by dgreca

-Një muaj e gjysmë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit në Kosovë nisi regjistrimi i deputetëve para seancës konstituive të Kuvendit që do mbahet në 3 gusht/

2 regjistrim

-Në ditën e parë janë regjistruar 46 deputetë nga gjithësej 120 të subjekteve të ndryshme parlamentare të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës. Regjistrimi vazhdon edhe në dy ditët e ardhshme/

-Në cilat vende do ulen deputetët e subjekteve-partive politike në sallën e sancës së Kuvendit të Kosovës. Ka ndryshime…/

-Me sa vota më së shumti e më së paku u zgjodhën deputetët në Kuvendin e Kosovës me vende të garantuara për pakicat/

PRISHTINË, 26 Korrik 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Në Kuvendin e Kosovës, para mbledhjes konstituive të 3 gushtit, nisi sot regjistrimi treditor i deputetëve të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të zhvilluara para një muaj e gjysmë, në 11 qershor.

Në ditën e parë janë regjistruar 46 deputetë nga gjithësej 120 të subjekteve të ndryshme parlamentare të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës. Regjistrimi vazhdon edhe në dy ditët e ardhshme.

Regjistrimi po bëhet në hollin e Kuvendit, duke nesër në orën 10:00, pas vendimit  të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës të  legjislacionit të kaluar në mbledhjen e pasditës së djeshme me përfaqësuesit e partive parlamentare të zgjedhjeve të parakohshme të 11 qershorit, ku u përcaktua edhe ndarja e ulëseve të deputetëve në sallën e mbledhjeve plenare.

PDK nuk ndërron vend, deputetët e saj bashkë me të AAK e Nisma si grupi më i madh parlamentar i koalicionit parazgjedhor do të ulen në qendër të sallës plenare. Por, në këtë grup vend ndërrojnë deputetët e AAK-së që në legjislaturën e kaluar uleshin pas VV-së, derisa ata të Nismës uleshin pas PDK-së.

Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje do të ulet në krahun e djathtë të kryesuesit të seancës së Kuvendit, ku në legjislaturën e kaluar ulej Lidhja Demokratike e Kosovës. Në anën e majtë, atje ku më parë uleshin deputetët e VV-së, tash do të ulen deputetët e grupit parlamentar të koalicionit parazgjedhor LDK-AKR-Alternativa.

Janë 120 deputetë, prej tyre 100 shqiptarë e 20 të komuniteteve pakicë, që do të kenë ulëset e tyre në Kuvendin e Kosovës.

Koalicioni parazgjedhor, fitues i zgjedhjeve me 33,74% të votave, kishte 13 parti, por vetëm tre prej tyre ndajnë 39 mandatet e fituara – PDK 23, AAK 10 dhe Nisma 6 deputetë.

Lëvizja Vetëvendosje, që garoi e vetme, me 27,49% të votave ka  32 deputetë, numër dyfish më i madh se në zgjedhjet e kaluara parlamentare të 8 qershorit 2014, që e bën partinë më të madhe në Kosovë.

Në koalicionin me 25,53% të votave e me gjithësej 29 mandate të fituara LDK ka 23 deputetë, AKR 4 dhe Alternativa 2.

Komuniteti serb ka 10 vendet e garantuara, 9 të Listës Serbe me 6,12% të votave dhe 1 të Partisë së Pavarur Liberale me 0,49% të votave, ndërsa edhe 10 deputetë janë të komuniteteve tjera pakicë.

Kushtetuta e Kosovës me “diskriminimin pozitiv” për pakicat përcakton që në Kuvend “20 prej 120 vendeve janë të garantuara për përfaqësimin e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë”, 10 për serbët e 10 për komunitetet tjera edhe në rast se numri i vendeve të fituara me votë është më i vogël.

Si rezultat i kësaj të drejte kushtetuese që e kanë pakicat e jo shumica, në Kuvendin e Kosovës të zgjedhjeve të 11 qershorit Partia Rome e Bashkuar e Kosovës do përfaqësohet me deputetin e saj me vetëm 534 vota, më së paku nga të gjithë 120 anëtarët e parlamentit. Edhe deputetë të tjerë të komuniteteve pakicë joserbe shkojnë në 10 vendet e tyre të garantuara në Kuvend me numër të vogël votash, nga 1,211 deri në 2,980.  Komuniteti pakicë serb ka poashtu 10 vendet e garanduara të deputetëve që kanë nga 2,574 deri në 13,665 vota.

Për krahasim, 100 deputetët e shumicës shqiptare në Kuvendin e Kosovës kanë fituar vendet e tyre me më së shumti 143,621 vota  dhe më së paku 5,677 vota.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në 29 qershor shpalli rezultatet përfundimtare, ndërsa i çertifikoi në 8 korrik.

Dje, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thirrur Mbledhjen e Parë të Legjislaturës së Gjashtë të Kuvendit të Republikës së Kosovës për në datën 3 gusht 2017, në orën 10:00, pasi ka mbajtur një takim konsultativ me përfaqësues të partive parlamentare për caktimin e dates.

Lëvizja Vetëvendosje, koalicioni parazgjedhor i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lista Serbe nuk morën pjesë në takim.

Rezultatet e zgjedhjeve të 11 qershorit nuk i mundësojnë asnjë subjekti të vetëm ta krijojë qeverinë e re, prandaj koalicionet paszgjedhore, që nuk janë bërë ende, janë të domosdoshme si e vetmja alternativë për të mos shkuar sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme paralamentare, ndërkohë që Kosovën e presin edhe zgjedhjet e rregullta lokale këtë vit, në 22 tetor, katër vjet pas zhvillimit të tyre në 3 nëntorin 2013.

Një muaj para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, në 10 maj,  Kuvendi i Kosovës u vetëshpërnda me kalimin me shumicë votash, të opozitës e edhe të partisë më të madhe të maxhorancës – PDK, të  mocionit të mosbesimit për qeverinë e udhëhequr nga LDK të zgjedhur në 9 dhjetor 2014 në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë me vonesë gjashtë muajshe pas zgjedhjeve të 8 qershorit.

Në Kosovë, zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit 2017 ishin të gjashtat në liri, të tretat në pavarësi, ndërsa u zhvilluan tre vjet pas zgjedhjeve të kaluara që ishin poashtu të parakohshme pas vetëshpërndarjes së Kuvendit.

Në Kosovën e lirë nga qershori 1999, të parat zgjedhje parlamentare u mbajtën në 17 nëntor 2001.

Legjislatura e tretë ishte ajo që ka hyrë në histori me shpallen e Pavarësisë së Kosovës në 17 shkurt 2008.

Filed Under: Kronike Tagged With: 120 deputetët, Behlul Jashari, Kuvendi i Kosovës regjistron

Kosovë-KFOR mban Konferencën e NATO-s

July 25, 2017 by dgreca

-KFOR mban Konferencën e NATO-s për Marrëdhënie me Publikun mbi Ballkanin Perëndimor/

1 OK NATO1PRISHTINË, 25 Korrik 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Nën patronazhin e Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli, Zyra për Marrëdhënie me Publikun organizoi dhe mbajti konferencën e NATO-s për Marrëdhënie me Publikun mbi Ballkanin Perëndimor në kampin Film City, në Prishtinë, bën të ditur sot KFOR në njoftimin e dërguar.Ngjarja u ndoq nga zinxhiri i komandës së NATO-s, organizatat ndërkombëtare dhe udhëheqësit e mediave vendore. Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Giovanni Fungo, e hapi konferencën duke përshëndetur mysafirët.Pjesëmarrësit patën mundësinë të diskutojnë për ambientin mediatik në Kosovë dhe aftësinë për komunikim efektiv në mënyrë që të ndikojnë në reputacionin e organizatës së tyre, sipas pritshmërisë së opinionit publik për informim dhe transparencë nga të gjitha institucionet.Ky rast, si dhe ngjarjet si Dita e Perspektivës Gjinore dhe Koncerti i Bamirësisë, tregojnë angazhimin e KFOR-it për të vazhduar bashkëpunimin me institucionet vendore, bashkësinë ndërkombëtare dhe mediat, thekson njoftimi i Forcës Paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë.

KFOR held the NATO Western Balkans Public Affairs Conference

PRISTINA, 25 July 2017- KFOR Public Affairs Office, under the patronage of NATO Joint Force Command (JFC NAPLES), organized and hosted the NATO Western Balkans Public Affair Conference in Camp Film City, Pristina. The event was attended by NATO Chain of Command, the International Organizations and the Directors of local media. COMKFOR, Major General Giovanni FUNGO, opened the conference, welcoming the eminent guests.The attendees had the possibility to discuss about media environment in Kosovo and the ability to effectively communicate in order to impact their organization’s reputation, upon the public’s expectation for information and transparency from all institutions.This occasion, as well as events like Gender Perspective Day and Charity Concert, shows KFOR’s commitment to continue working together with the local institutions, the international community, and the media.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, Konferencën e NATO-s, Kosovë-KFOR mban

KOSOVË-KUVENDI PARA KONSTITUIMIT, NESËR NIS REGJISTRIMI I DEPUTETËVE

July 25, 2017 by dgreca

-Kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit zgjidhen me shumicën e votave të deputetëve të Kuvendit, me minimumin 61 vota pro/

1 Kuvendi VeseliPRISHTINË, 25 Korrik 2017-Gazeta DIELLI/ Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e kryesuar nga Kadri Veseli, kryetar, në mbledhjen e mbajtur sot, së bashku me përfaqësuesit e partive parlamentare, ka diskutuar lidhur me përgatitjet për seancën konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës të Legjislaturës VI, të përcaktuar për datën 3 gusht 2017, në orën 10:00.

Në mbledhje u vendos që regjistrimi i deputetëve të bëhet në 26, 27 dhe 28 korrik 2017. Regjistrimi bëhet në hollin e Kuvendit të Kosovës, duke nisur nesër në orën 10:00.

Kryesia e Kuvendit njëzëri u përcaktua për ndarjen e ulëseve në sallën e mbledhjeve plenare. Grupi i më i madh parlamentar, PAN (Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma për Kosovën), me 39 deputetë, do të ulet në qendër. Në krahun e djathtë të kryesuesit të seancës, do të ulet grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa në anën e majtë të tij, do të ulen deputetët e grupit parlamentar LAA (Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca Kosova e Re, Alternativa). Seanca konstituive e Kuvendit, deri në zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve të Kuvendit, do të kryesohet nga deputeti më i vjetër, i ndihmuar nga deputeti më i ri, sipas moshës. Sipas rendit të ditës të përcaktuar nga Kryesia, në seancën konstituive të 3 gushtit fillimisht do të formohet Komisioni i përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve, më pas do të bëhet betimi i deputetëve dhe zgjedhja e kryetarit dhe pesë nënkryetarëve të Kuvendit. Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar. Më pas, procedohet me zgjedhjen e pesë nënkryetarëve, tre prej të cilëve propozohen nga tre grupet më të mëdha parlamentare, ndërsa dy të tjerët – një nga deputetët që mbajnë vende të garantuara për komunitetin serb dhe një nga deputetët që mbajnë vende të garantuara për komunitetet e tjera, që nuk janë shumicë.

Kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit zgjedhen me shumicën e votave të deputetëve të Kuvendit, me minimumin 61 vota pro./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, Konstituimi, kosova, Kuvendi, Veseli

Kosova raport BE-së: Serbia bllokada, pengesa dhe sabotime marrëveshjeve

July 24, 2017 by dgreca

-Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri ka paraqitur një raport zyrtar pranë Bashkimit Evropian rreth gjendjes në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit. Në këtë raport theksi është vënë vetëm te marrëveshjet që janë në pritje të zbatimit, duke vënë në pah bllokadat, pengesat dhe sabotimet që Serbia ia ka bërë procesit të zbatimit të marrëveshjeve të Brukselit dhe motivet që qëndrojnë pas tyre/

1 Ministrja_Edita Tahiri

-Roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikes, Gjermanisë dhe vendeve tjera evropiane është i domosdoshëm për suksesin e dialogut Kosovë-Serbi/ 

PRISHTINË, 24 Korrik 2017-Gazeta DIELLI/ Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, njëherësh kryenegociatore e Republikës së Kosovës në dialogun e Brukselit ka paraqitur një raport zyrtar pranë Bashkimit Evropian rreth gjendjes në procesin e zbatimit të marrëveshjeve të Brukselit. Në këtë raport theksi është vënë vetëm te marrëveshjet që janë në pritje të zbatimit, duke vënë në pah bllokadat, pengesat dhe sabotimet që Serbia ia ka bërë procesit të zbatimit të marrëveshjeve të Brukselit dhe motivet që qëndrojnë pas tyre.

Në vijim gjeni tekstin integral të këtij raporti dhe bashkëngjitur edhe dokumentin origjinal në gjuhën angleze

Për: Angelina Eichhorst, Drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor në Shërbimin e Veprimit të Jashtëm Evropian të Bashkimit Evropian

Nga: Edita Tahiri, Ministre për Dialog dhe Kryenegociatore

Data: 06 korrik 2017;  Nr.ref 064/2017

Subjekti: MARRËVESHJET E BRUKSELIT NË PRITJE TË ZBATIMIT

Janë një numër i marrëveshjeve të arritura në Dialogun e Brukselit që janë në pritje të zbatimit. Disa nga marrëveshjet janë bllokuar plotësisht siç janë: marrëveshjet për energjinë, drejtësinë dhe diplomat. Të tjerat janë ndërprerë në faza të ndryshme të zbatimit siç janë: marrëveshja për kadastrën, shuarja e “mbrojtjes civile”, rivitalizimi i Urës së Mitrovicës, rivitalizimi i rrugës kryesore në Mitrovicën veriore, shpërbërja e plotë e strukturave të mbetura paralele të Serbisë në Kosovë. Ndërsa disa të tjera i janë nënshtruar vonesave siç janë: asociacioni, reciprociteti në targat e regjistrimit.

  1. Marrëveshjet e bllokuara ose të penguara nga Serbia

Serbia ka bllokuar marrëveshjet për energji, drejtësi, diploma dhe kadastra. Ka penguar rivitalizimin e plotë të Urës së Mitrovicës dhe rivitalizimin e rrugës kryesore në Mitrovicën veriore, shpërbërjen e komunave paralele serbe, ka sabotuar zbatimin përfundimtar të marrëveshjes për shuarjen e “mbrojtjes civile” / gjegjësisht çështjen e objekteve për institucionet e Kosovës ku ish anëtarët  “MC ” janë të punësuar. Ndërsa ende mbështet disa nga strukturat paralele të saj në Kosovë, në kundërshtim me Marrëveshjet e Brukselit.

  1. Energjia

Siç mund të dini, marrëveshja e energjisë është negociuar për më shumë se gjashtë vjet dhe ende nuk mund të zbatohet. Serbia është duke e bllokuar atë duke mos lejuar që kompania e re të regjistrohet në Kosovë në pajtim me Ligjet e Kosovës ashtu siç parashihet me marrëveshjen e energjisë të arritur në vitin 2013. Në terma konkretë, kompania e re, si një degë e një kompanie serbe, po refuzon të përmendë në Kosovën si shtetin ku do të operoj, në statutin saj, pavarësisht faktit  se marrëveshja kërkon respektimin e Ligjeve të Kosovës. Ne besojmë se prapa këtyre pengesave qëndron mosgatishmëria e Serbisë për të zbatuar marrëveshjen e energjisë, për shkak të interesave të saja politike dhe ekonomike. Kjo jo vetëm që ka cenuar sistemin energjetik të Kosovës, por edhe sigurinë rajonale të energjisë, si dhe agjendën rajonale të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor (Procesit të Berlinit) mbi konektivitetin rajonal në  fushën e energjisë. Nga ana tjetër, Kosova mban mbi supet e saja stabilitetin rajonal të energjisë në dëm të saj, megjithëse mund të aplikojë në mënyrë legjitime masat e reciprocitetit, duke qenë se Kosova përkatësisht KOSTT ka fituar ligjërisht kontestin në vitin 2008, kur Sekretariati i Komunitetit të Energjisë mori vendimin që Serbia  ka shkelur Traktatin e Athinës në raport me Kosovën. Nëse vonesat vazhdojnë, Kosova do të detyrohet të zbatojë reciprocitet kundër Serbisë, meqenëse pas 9 viteve të të drejtave të saja të njohura ligjërisht, ajo ka legjitimitet për të mbrojtur sovranitetin e saj mbi sistemin energjetik të saj. 

  1. Drejtësia

Në lidhje me drejtësinë, zbatimi është frenuar nga Serbia, që nga 10 janari i vitit 2017, kur Serbia duhej të ndërpriste zyrtarisht pagat dhe kontratat e punës për gjyqtarët dhe prokurorët serbë dhe stafin administrativ të rekrutuar për të punuar në institucionet e drejtësisë në Kosovë. Serbia ende nuk ka paraqitur ndonjë vendim të qeverisë që do të dëshmonte se i ka përmbushur këto detyrime që rrjedhin nga marrëveshja e Brukselit mbi drejtësinë. Rrjedhimisht, ajo ka vonuar procesin e konsolidimit të Gjykatës Themelore dhe Prokurorisë në rajonin e Mitrovicës, siç ishte parashikuar në Marrëveshjen e Brukselit mbi Drejtësinë në pajtim me Ligjin e Kosovës. Pala e Kosovës ka përmbushur të gjitha detyrimet e saj.

  1. Diplomat

Edhe në fushën e arsimit, Serbia nuk ka treguar gatishmëri për të ndihmuar studentët, përmes zbatimit të marrëveshjes për pranimin reciprok të diplomave midis dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë. Që nga viti 2011, kur u arrit kjo marrëveshje dhe më vonë u zgjerua në janar të vitit 2016, ajo kurrë nuk është zbatuar nga Serbia.

Motivet për bllokadë duket të jenë të natyrës politike, të orientuara kundër shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të cilët veçanërisht kanë nevojë për pranimin e diplomave të tyre, duke qenë se studiojnë në Kosovë, në mungesë të Universitetit në gjuhën shqipe në Luginën e Preshevës në Serbi dhe të cilët kërkojnë të kthehen dhe të shërbejnë në sektorin e arsimit ose të punësohen në sektorë të tjerë publikë në Luginën e Preshevës.

  1. Kadastra

Marrëveshja për kadastrën është arritur në vitin 2011. Ka pasur vonesa serioze nga ana e Kosovës në miratimin e Ligjit për Agjencinë Teknike mbi krahasimin dhe verifikimin e dokumenteve kadastrale që do të kthehen në Kosovë, të cilat janë marrë dhunshëm nga Serbia gjatë luftës kundër Kosovës në vitet 1998-1999. Sidoqoftë, që kur Kosova e miratoi këtë ligj, në qershor të vitit 2016, ka qenë Serbia ajo që e ka penguar implementimin duke mos kthyer ende në Kosovë dokumentet e skanuara dhe verifikuara të kadastrave të Kosovës.

  1. “Mbrojtja civile” – pengohet zbatimi përfundimtar

Përveç problemeve të krijuara nga bllokada e Serbisë ndaj marrëveshjeve të lartpërmendura shumë të rëndësishme për Kosovën, kohët e fundit kemi vërejtur sabotime të Serbisë ndaj marrëveshjeve të caktuara, të tilla si sabotimi i çështjes së objekteve për institucionet e Kosovës të cilat kanë punësuar ish-anëtarët e “mbrojtjes civile”. Kosova ka paguar paga për 378 persona për 18 muaj me radhë, por ata nuk mund të punojnë, sepse lokalet që kemi marrë me qira janë bombarduar dhe qiradhënësi është kërcënuar. Përveç kësaj, objektet e ish “mbrojtjes civile” të cilat duhej t’i dorëzoheshin Qeverisë së Kosovës, në përputhje me marrëveshjen e Brukselit, dorëzimi nuk është bërë ende. BE-ja nuk ka mundur të ndihmojë në zgjidhjen e kësaj çështjeje deri më tani, megjithëse  ne po këmbëngulim vazhdimisht.

  1. Serbia ende mbështet disa nga strukturat paralele të saj në Kosovë – në kundërshtim me marrëveshjet e Brukselit

Fenomeni më shqetësues është dualizmi i Serbisë në zbatim i cili nënkupton se në njërën anë zbaton marrëveshjet dhe në anën tjetër vazhdon të mbështesë strukturat paralele të saj në Kosovë, duke përfshirë strukturat ilegale komunale në veri dhe në disa pjesë të tjera të Kosovës.Kjo qasje dualiste e Serbisë ndaj dialogut të Brukselit cenon në mënyrë thelbësore  qëllimin e  normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve. Prova më e mirë është fakti se edhe pas gjashtë viteve të këtij dialogu, ministrat e qeverisë së Kosovës ende nuk mund të bëjnë ndonjë vizitë zyrtare në komunat veriore. BE nuk ka qenë në gjendje ta ndihmojë heqjen e kësaj pengese serioze për procesin e normalizimit.

  1. Rivitalizimi i Urës së Mitrovicës – i penguar

Barrikada është hequr nga Ura e Mitrovicës në vitin 2016, por rivitalizimi i plotë i urës është penguar nga Serbia përmes disa provokimeve djallëzore dhe destabilizuese ndaj Kosovës, siç ishte muri ilegal në Mitrovicë dhe një tren bizar që synonte të cenonte sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Si pasojë, ura ende nuk është hapur për lëvizje të lirë të njerëzve dhe automjeteve, megjithëse ishte planifikuar për në janar 2017, siç parashikohej në Marrëveshjen e Brukselit.

  1. Rivitalizimi i rrugës kryesore në Mitrovicën veriore – i penguar

Pas heqjes së murit ilegal në Mitrovicë në shkurt të vitit 2017, përmes dialogut midis Qeverisë së Kosovës dhe autoriteteve lokale të Mitrovicës së veriut, mbështetur nga dy raunde të nivelit të lartë politik të bisedimeve në Bruksel në muajt janar dhe shkurt, rivitalizimi i rrugës kryesore filloi në bazë të planit të dakorduar.

Megjithatë, procesi është ndërprerë/penguar nga Serbia, prandaj rivitalizimi i rrugës për këmbësor është bllokuar.  Kjo gjithashtu ka shkaktuar ngecje në përfundimin e rivitalizimit të urës.

  1. Marrëveshjet e vonuara nga Kosova
  1. Asociacioni

Pas zbatimit të marrëveshjes për kodin shtetëror telefonik për Kosovën, Kosova ka lëvizur drejt nisjes së zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë. Takimi i parë konsultativ u mbajt në fillim të muajit dhjetor, megjithatë shfaqja e murit ilegal në Mitrovicën e Veriut, e orkestruar nga Serbia, ka ndërprerë procesin e zbatimit të kësaj marrëveshje. Pas heqjes së murit dhe ndalimit të hyrjes në Kosovë të trenit provokues, Kosova përsëri bëri përpjekje për rifillimin e zbatimit gjatë marsit të vitit 2017. Megjithatë, Serbia përsëri pengoi procesin duke insistuar që zbatimi të fillonte në Bruksel në vend se në Prishtinë, që ishte në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit. Dhe, kur Kosova ishte fleksibile për mundësinë që zbatimi të fillonte në Prishtinë dhe më pas të mbahej një takim në Bruksel, përfaqësuesit e komunitetit serb, të udhëzuar negativisht nga Serbia, refuzuan të ktheheshin në institucionet e Kosovës. Ndërkohë, Parlamenti i Kosovës pezulloi dialogun deri në lirimin e z. Ramush Haradinaj i cili u mbajt në paraburgim në Francë për shkak të një fletë arresti arbitrar të lëshuar nga Serbia. Kur mbaroi pezullimi pas lirimit të tij dhe kur përfaqësuesit e komunitetit Serb vendosën të ktheheshin në institucionet e Kosovës (domethënë kur Serbia u kërkoi atyre të ktheheshin), Kosova veçse hyri në zgjedhjet e parakohshme shtetërore dhe e gjithë agjenda e qeverisë u vë në pritje.Kosova mbetet e përkushtuar për zbatimin e Marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe në Kosovë, në përputhje me marrëveshjen e Brukselit, Kushtetutën e Kosovës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Pas formimit të qeverisë së re, Kosova do të vazhdojë të përmbushë këto detyrime, siç ka bërë me të gjitha detyrimet e tjera që rrjedhin nga Dialogu i Brukselit, në gjashtë vitet e fundit.

  1. Asociacioni dhe Largimi i strukturave paralele – në sinkron

Themelimi i Asociacionit duhet të shkojë në mënyrë sinkrone me shpërbërjen e strukturave të mbetura paralele të Serbisë në Kosovë. Të dy proceset do të shkojnë paralelisht siç është dakorduar.

  1. Reciprociteti për targat e regjistrimit të automjeteve

Kjo marrëveshje u arrit në shtator të vitit 2016 dhe ishte planifikuar të fillonte zbatimin më 15 nëntor të vitit 2016. Kosova ka vonuar zbatimin e saj për shkak të vonesave në miratimin e vendimeve të nevojshme lidhur me zbatimin. Më 16 shkurt, Qeveria e Kosovës e miratoi këtë marrëveshje dhe vendimet pasuese u morën nga Ministria e Punëve të Brendshme. Megjithatë, dinamika e zgjedhjeve në Serbi, pastaj pezullimi i dialogut nga Parlamenti i Kosovës dhe zgjedhjet në Kosovë kanë penguar rifillimin e zbatimit. Kosova e informoi BE-në rreth gatishmërisë për zbatimin dhe këmbënguli që afati i ripërtërirë të dakordohet midis palëve përmes komunikimit elektronik. Megjithatë BE njoftoi se pala serbe këmbëngul që dakordimi të bëhet përmes një takimi të palëve që duhet të zhvillohet në Bruksel. Kosova është e gatshme për zbatim.

Përfundime

Zbatimi i marrëveshjeve në pritje duhet të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur. Çdo vonesë e mëtejshme do të ndikonte negativisht në të arriturat e deritashme në këtë dialog dhe do të dëmtonte besimin e publikut ndaj këtij procesi.

Është e qartë se pala serbe ka dështuar seriozisht në përmbushjen e detyrimeve të saj.

Ju mund të rikujtoni provokimet destabilizuese nga ana e Serbisë ndaj Kosovës në dhjetor të vitit 2016 dhe janar të vitit 2017, përmes një muri të çuditshëm të ndërtuar në Mitrovicë, një treni të çuditshëm që përpiqej të hynte në Kosovë, fletë arresti arbitrar për z. Ramush Haradinaj, i cili u mbajt në mënyrë të panevojshme për disa muaj në Francë. Qeveria e Kosovës iu përgjigj sfidave të tilla me vendosmëri dhe maturi, mbrojti sovranitetin dhe integritetin dhe në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, BE-në dhe SHBA-të, u stabilizua situata. Serbia gjithashtu u përpoq të luante disa skenarë të natyrës gjeopolitike duke promovuar idetë e ndryshimit të kufijve në rajon dhe këmbimin e territoreve, të cilat dukej se ishin ndikuar nga Rusia dhe ambiciet e saj për të rikthyer ndikimin e saj, të humbur pas përfundimit të Luftës së Ftohtë.  Këto janë skenarë mjaft të rrezikshëm,  të cilët kundërshtohen nga  Kosova dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, duke qenë se pozicioni ynë i përbashkët strategjik është rreshtimi me botën Perëndimore dhe me komunitetin Euro-Atlantik.

Ne besojmë se përkushtimet për këtë dialog mund të dëshmohen si të besueshme vetëm nëse të dyja shtetet vazhdojnë me zbatimin e plotë të detyrimeve të tyre. Zbatimi i mirëfilltë i marrëveshjeve të arritura dhe dialogu i mëtejshëm që do të finalizohet me njohjen reciproke midis dy shteteve, Kosova dhe Serbia jo vetëm që do të sigurojnë të ardhmen e tyre evropiane, por gjithashtu do të mënjanojnë çdo mosmarrëveshje ndërshtetërore që u mundëson brezave të ardhshëm të të dy shteteve të jetojnë në paqe dhe fqinjësi të mirë.

Unë mund të siguroj se Kosova do të vazhdojë në rrugën e sajë drejt të ardhmes Euro-Atlantike, sepse ne ndajmë vlera të përbashkëta. Unë besoj se e ardhmja e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor është duke u ankoruar kah Perëndimi, megjithëse në këtë drejtim partnerët tanë perëndimorë duhet të na mbështesin me ma shumë vendosmëri, për të na ndihmuar në përballimin e çfarëdo kërcënimi të sigurisë që troket në dyert tona, qoftë të natyrës gjeopolitike apo ndonjë natyre tjetër. Alternativat tjera i përkasin të kaluarës dhe duhet të mbeten në të kaluarën.

Dëshiroj të theksoj se BE mbetet një faktor vendimtar për të ndihmuar në përshpejtimin dhe qëndrueshmërinë e rezultateve të këtij dialogu. Ne konsiderojmë se roli i Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë dhe vendeve të tjera evropiane është i domosdoshëm për suksesin e këtij dialogu./b.j/

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, Kosova raport BE-së:, Serbia bllokada

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 114
  • 115
  • 116
  • 117
  • 118
  • …
  • 245
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Amerika dhe Rendi i Ri Botëror: Forca, Përgjegjësia dhe e Ardhmja e Perëndimit
  • Këmbana lufte – “Gruaja që Vinte nga Mjegulla” botohet në gjuhën angleze
  • The Last Besa…
  • FRANG BARDHI ME VEPRËN E TIJ, APOLOGJI E SKËNDERBEUT MBROJTI ME BURIME TË SHEK.XV E XVI, ORIGJINËN SHQIPTARE-ARBËRORE  TË SKËNDERBEUT
  • Ismail Qemali, 16 janar 1844 – 24 janar 1919
  • Letërsia si dëshmi e së vërtetës…
  • Mirënjohje për atin tim…
  • Isa Boletini, 15 janar 1864 – 23 janar 1916
  • “Yll’ i Mëngjezit”
  • “Histori e shtypit arbëresh: nga zanafilla deri në ditët e sotme”
  • “Personalitet Historik” – Bajram Curri: Një jetë në shërbim të çështjes kombëtare
  • Shqiptarët dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe përgjegjësia evropiane
  • Në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, nevoja e Kualifikimi Juridik Ndërkombëtar për Krimet e Kryera në Kosovë (1998–1999)
  • FUNDI I REZISTENCËS SË NACIONALIZMËS 1946-1947
  • ZBULOHEN KONGRESET E BALLIT KOMBËTAR

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT